Galeria Kombëtare e Kosovës (GKK) dhe Cité internationale des arts (Parisi) njoftojnë rreth programit të ri të rezidencave për artistë të të gjitha disiplinave që jetojnë dhe punojnë në Kosovë. Ky partneritet i ri trevjeçar që synon të mbështesë shkëmbimet ndërkombëtare të artistëve me bazë në Kosovë, të zgjerojë rrjetet e tyre profesionale dhe artistike, si dhe të zhvillojnë tutje praktikat e tyre përmes mbështetjes për prodhim të veprave.
Tre artistë do të përzgjidhen përmes aplikimeve në thirrjen e hapur, të cilat do të shqyrtohen nga një juri e përbërë nga profesionistë të fushës së artit dhe kulturës bashkëkohore. Programi do të zhvillohet në dy faza: një ekspozitë grupore në GKK QAFA në Prishtinë (10 dhjetor 2025 – 9 shkurt 2026), e pasuar nga një rezidencë tre mujore që mbulon të gjitha shpenzimet në Cité internationale des arts në Paris në mars 2026.
Rezidenca do t’u ofrojë secilit artist një studio të mobiluar për të jetuar dhe punuar në lagjen Marais, bursë mujore, mbështetje profesionale dhe mundësi rrjetëzimi, si dhe mbulim të shpenzimeve të udhëtimit dhe sigurimit.
Në GKK QAFA, tre artistët do të prezantojnë punë të reja ose punë në zhvillim, të mbështetura me honorare artistike, buxhete prodhimi dhe këshillim kuratorial. Ekspozita do të kurohet nga Hana Halilaj, kuratore në Galerinë Kombëtare të Kosovës.
Programi është i hapur për artistë me kombësi kosovare, që jetojnë dhe punojnë në Kosovë, me së paku tre vite përvojë profesionale në fushën e arteve. Aplikuesit duhet të jenë në gjendje të komunikojnë në gjuhën angleze ose frënge. Pranohen edhe aplikime nga duo ose kolektivet, me një grant të dhënë për çdo propozim.
Ky program përfaqëson një vazhdimësi të angazhimit të Galerisë Kombëtare të Kosovës në mbështetje të skenës së artit vizual në vend. Ai është pjesë e ndryshimeve strukturore të ndërmarra vitet e fundit, të cilat kanë synuar ngritjen e kapaciteteve institucionale dhe krijimin e hapësirave të reja për zhvillimin e skenës artistike, me një fokus të veçantë tek artistët e rinj.
Afatet kryesore:
Afati i aplikimit: 4 – 30 shtator 2025 (deri në mesnatë, GMT +1) Shpallja e rezultateve: Java e dytë e tetorit 2025 Periudha e rezidencës: Mars 2026 (3muaj)/ KultPlus.com
Në moshën vetëm katërvjeçare, Jared nga St. Louis i ka habitur të gjithë me pasionin e tij për librat: ai ka lexuar mbi një mijë tituj, një arritje e jashtëzakonshme për një fëmijë kaq të vogël.
Dashuria e tij për leximin nisi që herët, duke u kthyer në një aktivitet të përditshëm. Jared lexonte për familjen, mësuesit dhe kushdo që kishte dëshirë ta dëgjonte. Dhe momenti i madh erdhi pas leximit të librit “Sabrina Sue Loves The City” nga autorja Priscilla Burris, kur kuptoi se kishte arritur në librin e njëmijtë.
Për ta kuptuar më qartë këtë arritje: një fëmijë pesëvjeçar jeton rreth 1,826 ditë deri në atë moshë, që do të thotë se për të lexuar një mijë libra duhej të mbaronte gati një libër çdo dy ditë. Jared e arriti këtë shifër para ditëlindjes së pestë madje me disa ditë rezervë.
Programi “1,000 Books Before Kindergarten”, i nisur në vitin 2020 nga Biblioteka e St. Louis County, ka bërë të mundur që edhe shumë fëmijë të tjerë të arrijnë këtë synim. Deri në vitin 2024, 221 fëmijë kishin arritur të lexonin mbi 1,000 libra, me një total prej gati 407,000 librash të lexuar.
Historia e Jared është një shembull frymëzues për dashurinë ndaj librit dhe fuqinë që leximi ka për të formuar mendjen që në moshë të vogël./KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes rrjeteve sociale ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të regjisorit të madh shqiptar, Dhimitër Anagnosti.
Në mesazhin e tij, Kryeministri Kurti ka theksuar rolin e jashtëzakonshëm që Anagnosti ka pasur në zhvillimin e kinematografisë shqiptare, duke e cilësuar atë si një nga regjisorët më të pjekur dhe më të rëndësishëm të historisë së filmit shqiptar.
“Regjia e tij është pa dyshim një ndër më të pjekurat e historisë së kinemasë shqiptare. Falë regjisë së tij ne trashëgojmë një fond të vërtetë stilistik. Falë lojës me kamerën e ndriçimin, në filmat “Dueli i heshtur” dhe “Malet me blerim mbuluar” na mbetën në mendje portretet më të mirë të yjeve tanë të kinemasë. Lartësinë e bjeshkëve dhe ashpërsinë e virtytit e zbuluam në “Cuca e maleve” dhe “Gjoleka, djali i Abazit”. Dramaturgjinë e lartë të skenës do ta trashëgojmë me filmin monument “Lulëkuqet mbi mure”, ka shkruar Kurti.
Ai ka vlerësuar gjithashtu kontributin e Anagnostit jo vetëm si artist, por edhe si personalitet i shquar publik, duke përmendur angazhimin e tij si deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe si ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ku ai dëshmoi maturi dhe virtyt në çdo detyrë që mori përsipër.
Në fund të mesazhit, Kryeministri i Kosovës ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen e regjisorit, miqtë dhe kolegët e tij, me një përmendje të veçantë për bashkëshorten, aktoren e njohur Roza Anagnosti. Ai ka përfunduar duke nënvizuar rëndësinë e trashëgimisë artistike që Anagnosti ka lënë pas dhe rëndësinë e kujtesës së tij për brezat e ardhshëm./KultPlus.com
Mbrëmë, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë janë zhvilluar një sërë aktivitetesh kulturore në ambientet e Burgut të Idealit, si shenjë nderimi për 1584 qytetarët që i mungojnë vendit nga lufta e vitit 1999. “Çka po sheh” ka qenë motoja simbolike e këtij organizimi, që vjen si antipod i asaj që ka kohë që nuk është parë.
Ky organizim, i mbajtur në hapësirat e Burgut të Prishtinës- “Muzeut të Idealit”, merrte kuptim edhe më prekës kur ninullat e kënduara për fëmijët e vrarë dhe të zhdukur në luftë “Trup i mbyllur- Trup i zhdukur” nga artistja Besa Berberi ndërlidheshin me aromën dhe energjinë e rëndë që përcjellte ish-burgu, si lokacion i vuajtjeve dhe sakrificave.
“Malli i yjeve” nga Nderim Arifi përmes tingujve të ndjerë dhe performancave prekëse solli një dialog të heshtur me trupat e munguar. Çdo notë vinte si homazh, mall e kujtim për të gjithë ata që ende i mungojnë Kosovës. “Ideja ishte që të gjeja muzikë që lidhej më shumë me emocionet e nostalgjisë, të mallit dhe përkujtimit” ka thënë Arifi, i cili ka interpretuar vepra nga Silvius Leopold Weiss, Miguel Llobet dhe Agustin Barrios Mangore. Kjo performancë plotësohej në prapavijë me instalacionin e artistit Mentor Berisha, që në pikturë ndriçonte portretet e personave të zhdukur.
Pjesë e këtij organizimi ishte edhe një instalacion tjetër artistik i Mentor Berishës ku përmes portreteve të vendosura në letra fosforoshente shpërfaqej dhimbja kolektive dhe mungesa e formës.
“Instalacioni i dytë ka të bëj me portretet e mbi 100 fëmijëve zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Këto portrete janë realizuar në një formë më të veçantë. Vizatimi është bërë me një ngjyrë fosforoshente, dhe në momentin që drita është natyrale, ato thjeshtë shihen si fletë të bardha, pa asnjë ngjyrë. Në momentin që përdoret drita e veçantë ne mundemi t’i dallojmë gjurmët e portreteve të tyre. Në një moment mund t’i shohësh portretet dhe në momentin tjetër kthehesh në realitet dhe e sheh që ato janë vetëm një pjesë e bardhë, letra të bardha dhe asgjë më shumë. Fatkeqësisht, kjo është gjendja momentale e të zhdukurve në Kosovë”, ka thënë artisti Mentor Berisha i cili është edhe organizator i ngjarjes.
Ky organizim, në këtë ditë të shënuar është përmbyllur me shfaqjen e filmit dokumentar “Mjegull” nga Ujkan Hysaj, duke sjellë historinë e Arife Gashit, Mihrije Ujkanit dhe Velibor Adzancic fëmijët e të cilëve janë zhdukur gjatë luftës së vitit 1999. Filmi solli rrëfimin e secilit familjar në ambientet shtëpiake, duke u zhvendosur kujtesën në vendet ku ata janë parë për herë të fundit me ta. Rrëfimet më të dhimbshme u sollën nga interpretimi i aktores Sheqerie Buqaj.
“Ideja e këtij dokumentari ka qenë që momentet tmerrësisht të rënda të nënave tona, të njerëzve që i kanë të zhdukur familjarët t’i lehtësojmë në kuptimin artistik, duke interpretuar unë, pra duke e vazhduar storien e tyre. Si aktore dhe artiste kam bërë një punë pa asnjë ambicie dhe pretendim artistik, thjesht ka qenë një vazhdim i emocionit, ndjenjës dhe aty ku e lë nëna ta vazhdoj unë”, ka thënë artistja e cila e njeh mirë dhimbjen që sjell një familjari të zhdukur.
“Familjarët nuk e pranojnë që ata nuk janë më. Mund t’i realizosh qindra vepra artitike për ta, por atyre duhet t’iu gjendet një shenjë ku ata kanë mundësi të shkojnë, të vajtojnë për më të dashurit e tyre, një shenjë ku mund të dërgojnë një lule. Ne duhet të bëjmë më shumë për t’i gjetur të pagjeturit. Ata absolutisht kurr në jetë nuk e pranojnë që ata nuk janë. Nuk duan ta pranojnë. Ndoshta, as unë nuk do e kisha pranuar. Unë për një kohë e kam pasur të zhdukur vllaun tim dëshmorë, dhe ne nuk e kemi pranuar që ai nuk është. Në momentin që është gjetur trupi i tij dhe tash kur prehet në mesin e dëshmorëve, është tjetër gjë. Prandaj unë i kuptoj plotësisht se pse ata nuk i pranojnë” ka thënë artistja Buqaj duke apeluar te institucionet përgjegjëse për zhbardhjen e fatit të të pagjeturve.
Ndërsa, regjisori Fadil Hysaj ka thënë se harresa e popullit të Kosovës kundrejt fëmijëve të zhdukur në luftë përbën sipas tij varrezën më e madhe, në të cilën janë zhdukur hijet e këtyre fëmijëve.
“Varreza më e madhe në të cilën janë zhdukur këto hije të fëmijëve është varreza e kujtesës, e cila ka 100 e ca vite me mijëra tregime, ku raste shumë të rënda janë zhdukur sepse ne kemi refuzuar t’i kujtojmë. Jo për shkak që na ka munguar dëshira ose dashuria, por kanë qenë aq të rënda sa populli jonë ka zgjedhur harresën për të mbijetuar dhe për të filluar nga fillimi. Për këtë është dashur të bëhet një temë e veçantë. Sa ka tregu harresa, mbijetesa e popullit shqiptarë, sa është harresa një kob dhe një varrezë e madhe në të cilën janë zhdukur me mijëra tregime të patreguara asnjëherë. Dhe me këtë artistët, historianët, muziktarët dhe piktorët tanë të evidentojnë diçka nga kjo dhimbje e madhe, në mënyrë që ta shohim sa do të kemi fuqi ta bartim te brezi tjetër këto hisori, që të mos na përsëriten”, ka thënë regjisori Hysaj.
Tutje, regjisori Hysaj ka thënë se harresa kolektive ndaj këtyre fëmijëve, e përcjellë si një lloj mallkimi shoqërinë edhe 26-vite pas luftës.
“Hebrenjtë çdo vit e bëjnë nga një film për Holokaustin, sepse nëse një vit nuk kujtohen, viti tjetër shlyen ato fotografi. Mendoj që kujtimi është e vetmja gjë që mund të bëjmë për kthimin e tyre në mes nesh përmes veprës së artit, kthimit të tyre përmes kujtimeve, përmes historive të pa treguara. Gjetja e një mënyre tjetër artistikisht të dizajnuar duke i dhënë formë është diçka që nuk ka pasur ky brez si duhet, dhe mendoj që kjo është ajo që na përcjell si një lloj mallkimi”, ka thënë regjisori Hysaj.
Ndërsa, moderusi i mbrëmjes, Afrim Demiri ka thënë se vendosja e aktivieteteve në “Burgun e Idealit” është një përpjekje për të funkisonalizuar ish-burgun nëpërmjet artit për të mos harruar të gjitha ato që njeriu i ka kaluar pikërisht nëpërmjet atyre dyerve.
“I pamë instalacionet të cilat na dërgojnë në një botë, të cilën mbase kemi tentuar ta përmbledhim me një pyetje, Çka po sheh? Mbase është një antipod nga ajo qe sa koh nuk e kemi parë. Pikërisht kjo pyetje mund të bëhet edhe ndryshe, Ku janë? Pse nuk janë me ne? Janë pyetje ekzistenciale për njerëzit tanë të cilët që sa vite janë zhdukur pa shenjë e pa gjurmë, përkundër faktit se ne e dijmë kush i a zhdukur. Por kjo vetvetiu nuk mjafton derisa ata nuk janë dhe të na kthehen qoftë si një e vërtetë pikëlluese dhe e brishtë, duke u varrosur në vendin e vet”, ka thënë moderuesi Demiri.
Kurse, organizatori Mentor Berisha ka thënë se aktivitetet e 29 dhe 30 gushtit le të jenë si homazh dhe thirrje për të zbardhur fatin e personave të zhdukur.
“Ne jemi të vetëdijshëm që datat historike përkujtohen vazhdimisht përmes artit dhe artistëve. Këtu ka pasur mjaft data të cilat i kanë kontribuar përkujtimit dhe thjeshtë kanë qenë homazh për të zhdukurit në Kosovë gjatë luftës së fundit, ku theks të veçantë i kemi vënë aktiviteteve që i përkujtojnë fëmijët e zhdukur dhe të vrarë gjatë luftës së fundit Kosovë, duke filluar nga ninullat që i kemi dëgjuar gjatë hapësirës së muzeut. Edhe dy video instalacionet e mija të cilat thjeshtë krijojnë, mundohen të vënë në pah, dhe të shënojnë si datë përkujtuese për këtë ngjarje. Gjithçka gjatë këtyre dy ditëve ka qenë në përkujtim të personave të zhdukur”, ka përfunduar ai./ KultPlus.com
Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë do jetë një ndërtesë dinjitoze, pol kulturor multifunksional plot hapësira për fëmijët dhe të rinjtë, të cilët do të mund të zbulojnë dhe kultivojnë talentet e tyre në shumë fusha.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga punimet që po vijojnë në kantierin e Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë.
Rama thekson se kjo Qendër “po rilind si një hapësirë moderne pranë Parkut të Madh të Liqenit në Tiranë, me një skenë të dyfishtë brenda godinës”.
Një nga elementët më të rëndësishëm të këtij investimi është krijimi i një skene të dyfishtë, që do të mund të përdoret si brenda godinës dhe jashtë saj, në formën e një amfiteatri të hapur në natyrë.
Kreu i Ekzekutivit shton se edhe nga jashtë godina do ketë formën e “një amfiteatri në natyrë, auditore e klasa për artet dhe inovacionin”.
Kryeministri shprehet se Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë do të kthehet në një laborator krijimtarie për fëmijë e të rinj, si një qendër unike në rajon.
Ky investim është një nga më të mëdhenjtë në Ballkan dhe do të ofrojë kushte moderne për aktivitete social-kulturore, me fokus te zhvillimi i talenteve të rinj dhe edukimi i artit për fëmijët.
Gjithashtu është parashikuar ndërtimi i një punishteje të madhe, ku do të prodhohen kukulla dhe rekuzita për shfaqje, si dhe do të mund të shfrytëzohet nga të rinjtë dhe studentët e Akademisë së Arteve.
Kjo qendër do të ofrojë mundësi për zhvillimin e kurseve të ndryshme për artet skenike, përfshirë aktrim, balet, muzikë dhe shumë aktivitete të tjera, duke i mundësuar të rinjve të shfaqin dhe zhvillojnë talentet e tyre./atsh/KultPlus.com
Edicioni i 17-të i PriFest – Prishtina International Film Festival hapet më 9 shtator në Kino Armata me premierën botërore të filmit “Bear Hug” nga regjisori Ilirjan Himaj. Filmi është pjesë e programit kryesor garues të festivalit, duke shënuar nisjen e ngjarjes me një histori të fuqishme dhe emocionale që vjen nga Kosova dhe Shqipëria.
“Bear Hug” rrëfen historinë e Agu, një kujdestar në një strehimore arinjsh, jeta e të cilit ndryshon papritur një natë kur viziton të dashurën e tij. Në një rrugëtim të papritur për liri, ai takon Tinën, një vajzë e re dhe plot ëndrra, që ëndërron të bëhet këngëtare por ndodhet nën kontrollin e një politikani të pamëshirshëm. Agu vendos ta ndihmojë dhe së bashku arratisen drejt natyrës, në një udhëtim simbolik drejt lirisë – si një ari dhe një cërnile që kërkojnë paqe përtej ligjeve të njerëzve.
Filmi kombinon dramën me tensionin dhe trajton temat e mbijetesës, dashurisë dhe luftës për liri personale. Me një kohëzgjatje prej 107 minutash, në film interpretojnë Valmir Krasniqi, Era Balaj, Agron Shala, Astrit Kabashi dhe Teuta Krasniqi, e cila është edhe producentja e filmit. Regjisori Ilirjan Himaj ka kontribuar gjithashtu si montazhier, ndërsa drejtoria e fotografisë është realizuar nga Latif Hasolli.
PriFest do të zhvillohet nga 9 deri më 14 shtator 2025 në Kino Armata, Prishtinë, duke sjellë një përzgjedhje të gjerë filmash artistikë nga rajoni i Ballkanit./KultPlus.com
E kam bâ nji prej mëkateve ma t’mëdha që nji njeri mundet me bâ: s’kam qenë i lumtun. Akullnajat e harresës m’gjejnë, m’zvarrisin e pamëshirshëm m’lânë me ra.
Prindët m’lindën që ta lu’j nji lojë t’rrezikshme e t’bukur në kët’ botë, për tokë, ajër, zjarm e ujë. I mashtrova. S’qeshë i lumtun. Qe e kotë
dëshira e tyne e rinisë. Trunin tim ia fala me vullnet e kâmbëngulje simetrive t’artit gjithë lajlelule.
Ata m’lanë trashëgim vlerat. Unë s’kam qenë trim. Nuk më braktis kurrë, gjithmonë më rri pran’ hija e të qenit nji mjeran. / KultPlus.com
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, së bashku me drejtorin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kushtrim Zeqiri, kanë nderuar shkrimtarin Ibrahim Kadriu me çmimin “Çelësi i Qytetit”, si shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të çmuar në letërsinë shqipe.
Hyseni u shpreh se Kadriu është figurë e shquar e letrave shqipe, krijues që me veprat e tij ka lënë gjurmë të pashlyeshme në identitetin kulturor e kombëtar, përcjellë KultPlus.
Ai njoftoi gjithashtu se ka propozuar që Kadriu të nominohet për çmimin “Nderi i Qytetit të Gjilanit”, si dhe të rekomandohet te Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për tu nderuar me Medalje Presidenciale për kontributin e dhënë në pasurimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare.
Nga ana e tij, drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kushtrim Zeqiri, tha se dorëzimi i çmimit është një ditë e veçantë për Gjilanin, pasi Kadriu mbetet një ndër personalitetet më të rëndësishme të letërsisë shqipe të kohës sonë.
Shkrimtari falënderoi për këtë nderim, duke theksuar se “guri më së shumti peshon në vendlindje”.
Ndërsa profesori Anton Nikë Berisha e cilësoi këtë vendim si shumë të rëndësishëm, duke theksuar se rrallë ndodh të vlerësohet puna e një shkrimtari, dhe se ky akt tregon kujdesin për artin dhe ndikimin estetik që letërsia ka në shpirtin e njeriut./KultPlus.com
Grupi pop koreano-jugor Blackpink rivendosi pozicionin e tij si grupi më i madh femëror në botë, me një shfaqje të zjarrtë 2.5 orëshe në Stadiumin Wembley.
Katërshja, përbërë nga Jisoo, Jennie, Rosé dhe Lisa, u bë grupi i parë femëror K‑pop që kryeson në këtë arenë, duke ecur në gjurmët e ikonave si Michael Jackson, Taylor Swift, BTS dhe Oasis.
Ata shpërblyen fansat me një set energjik plot refrene të ndezura dhe koreografi të përkryer, ndërsa theksuan lidhjen mes shoqeve të ngushta.
Shfaqja në Wembley ishte nata e parë nga dy netë të parashikuara, duke përmbyllur pjesën evropiane të turneut “Deadline”, i cili përfshin 31 datat në 16 qytete botërore. Tour-i nisi në Seoul muajin e kaluar së bashku me publikimin e këngës së tyre të re me ritëm rave, “Jump”, e cila vendosi një rekord të ri në YouTube për videon më të parë të shikuar në një ditë, me 26 milionë shikime.
Në fund të kësaj rruge, pritet që grupi të thyejë edhe rekordin e vet për turneun më fitimprurës nga një grup femëror; rekord ky që ata e kishin marrë nga Spice Girls gjatë dünya-turneut të tyre “Born Pink” (2022–2023).
Blackpink janë vetëm grupi i dytë K‑pop që kryesojnë në Wembley, pas boyband-it BTS në 2019. Shfaqja në Londër filloi me lazer dhe piroteknikë spektakolare, dhe tre hite njëra pas tjetrës: “Kill This Love”, “How You Like That” dhe “Pink Venom”. Stadiu u mbush menjëherë me ngjyrë rozë, teksa publiku qëndroi në këmbë dhe valëzoi lightsticks që pulsonin me ritmin e muzikës.
Koreografia ishte e detajuar dhe precize, grupi formonte formacione komplekse, secila anëtare merrte segmentin e vet vokal dhe më pas bashkoheshin sërish, si një kolos pop me 16 krahë. Gjatë “Playing With Fire”, muri i madh vizual prapa skenës u nda në katër pjesë, duke ndjekur nga afër çdo anëtare që ecte rreth pistës rrethore për herë të parë. Më pas u kalua në “Shut Down” (që përmban një mostër të Paganini-së La Campanella), me lojë koreografike vrasëse që fansat e imitonin në mënyrë të përkryer.
Turneu “Deadline” është po ashtu një turne rikthimi, pavarësisht se kanë kaluar vetëm dy vjet që kur Blackpink performoi për herë të fundit në Londër. Në këtë kohë, grupi ka negociuar një kontratë të re me YG Entertainment (raportohet si kontrata më fitimprurëse e vitit 2023), ka marrë tituj nderi MBE nga mbreti Charles dhe ka ndjekur aktivitete individuale: Rosé u bë bashkëpunëtore me Bruno Mars në hitin “APT”, Lisa luajti në serialin “The White Lotus”, Jennie shpërtheu në rrjet me hitin viral “Like Jennie”, Jisoo mori rolin kryesor në draminë koreane “Snowdrop”.
Kështu, në koncert përziheshin pjesë solo dhe grupi, përfshirë edhe një pjesëmarrje të shkurtër të FKA Twigs që hante një scone para set-it solo të Rosé (për ndonjë arsye).
Por nëse fansat u shqetësuan se ndarja do dobësonte grupin, turneu po provon të kundërtën. Personalitetet e vokaleve dalin edhe më të forta tani, pasi kanë eksploruar si individë.
Si çdo grup i madh femëror, çdo fans mund të ketë një “bias” që i identifikohet, dhe secila pjesë solo pati momentin e vet shkëlqyes, “Like Jennie” ishte energjik sa të mund të energjizonte një qytet të vogël, APT i Rosé-s ishte ndërtuar për karaoke të stadiumit.
Por është kur bashkohen si “One True 4” që Blackpink ndriçojnë vërtet, sikur thonë vetë në këngën e tyre të rikthimit: All gas, no brakes. Hits si “Whistle” dhe “DDU‑DU‑DDU‑DU” përgatiten me të njëjtin entuziazëm si të rejat si “Lovesick Girls”. “Pretty Savage” pati një nga stagimet më të mira me katër këngëtaret që “ludronin në kuadro” para se të përfundonin pranë një barre baleti të artë; ndërsa Forever Young ndihej si himn i miqësisë së tyre.
Kimia e grupit u duk gjatë “Don’t Know What To Do”, kur Lisa dhe Rosé u goditën me qëllim në pistë dhe shpërthyen në gaz; pastaj kaluan disa minuta duke folur kaotikisht me publikun teksa Rosé luftonte të lidhte një kapëse këpucësh. Më pas, gjatë reprises së “Jump” (kënga e mundshme e verës), ato i zhveshën koreografisë dhe tundën kokat si në një parodi Wayne’s World.
Kur Rosé i pyeti Jisoo-n për vlerësimin e natës, anëtarja më rezervoare e grupit ngriti thjesht dy gishta lart. “Two thumbs up? That’s huge!”, qeshën bashkë dhe u përqafuan në një moment të fortë me të gjitha tetë gishta lart në formë zemre.
Në atë çast, Blackpink premtojnë se kjo nuk është thjesht një rikthim. Është fillimi i një kapitulli të ri./BBC/KultPlus.com
Revista prestigjioze franceze Figaro Histoire (nr. 80, botimi qershor–korrik 2025 me një tirazh prej rreth 385 000 kopjesh) i kushton një artikull lavdërues veprës Udhëtim midis Ilirisë dhe Shqipërisë përgjatë Via Egnatia, botuar nga Éditions Bilingue, Paris, 2025.Klarabudapost
Shtypi francez mbi botime të librave mbi Shqipërinë dhe Ballkanin
Revista prestigjioze franceze Figaro Histoire (nr. 80, botimi qershor–korrik 2025 me një tirazh prej rreth 385 000 kopjesh) i kushton një artikull lavdërues veprës Udhëtim midis Ilirisë dhe Shqipërisë përgjatë Via Egnatia ( Voyage entre Illyrie et Albanie par Via Egnatia), botuar nga Éditions Bilingue, Paris, 2025.
Ky libër i mrekullueshëm, bashkautorë të të cilit janë Odette Marquet dhe Michel Rivière, ndjek një itinerar historik, kulturor dhe shpirtëror nëpër Ballkanin Perëndimor, në gjurmët e Via Egnatia — rrugë e lashtë romake dhe itinerar apostolik. Libri pasurohet nga 150 fotografi origjinale të realizuara nga Ronald Fitte, të cilat i japin thellësi të jashtëzakonshme vizuale këtij udhëtimi mes kujtesës së krishterë dhe peizazheve të harruara mbushur me ‘vestige’ të kishave të lashta shqiptare.
Figaro Histoire, në faqen 29, ofron një dritare të shkëlqyer mbi Shqipërinë, trashëgiminë e pluralitetin e saj fetar dhe qëndrueshmërinë e saj historike. Një homazh vizual dhe erudit për një identitet evropian pak të njohur në Francë.
Më poshtë mund të ndiqni përkthimin shqip të artikullit të prestigjiozes Figaro Histoire, kopertinën e të cilës e keni këtu majtas, ndërsa artikulli, faqe 29 majtas.
Udhëtim midis Ilirisë dhe Shqipërisë par Via Egnatia
(Voyage entre Illyrie et Albanie par Via Egnatia) Odette Marquet, Michel Rivière dhe Ronald Fitte.
Për shekuj të tërë nën pushtimin osman, e izoluar nga diktatura komuniste pas Luftës së Dytë Botërore ndaj pjesës tjetër të Perëndimit, më pas e tronditur nga përplasjet mes tribuve dhe mafieve, Shqipëria është konsideruar shpesh si një enklavë e huaj në zemër të Ballkanit. Por populli i saj është ndër më të vjetrit e vendosur në Evropë, me rrënjë që datojnë nga pushtimet indo-evropiane, në mijëvjeçarin e dytë para erës sonë. Me emrin Ilirë, dhe shumë kohë para ardhjes së sllavëve, ata luajtën një rol të madh në Antikitet, duke i dhënë Perandorisë Romake të shekullit III perandorët që e ringritën atë — nga Klaudi II Gotiku deri te Kostandini.
Të përballur me pushtimin e sllavëve dhe avarëve në shekullin VI, të kërcënuar nga zgjerimi bullgar, të pushtuar nga osmanët, shqiptarët megjithatë kaluan nëpër histori me një aftësi të rrallë për të mbijetuar përballë vështirësive: heroi i tyre, Skënderbeu, për një çerek shekulli, në shekullin XV, i qëndroi me disa mijëra burra ushtrive të panumërta të Sulltanit.
Duke u mbështetur në njohjen intime të vendit, autorët e këtij libri të bukur propozojnë një udhëtim në histori duke ndjekur gjurmët e Via Egnatia, që lidhte, në kohën e Perandorisë Romake, detin Adriatik me Bizantin. Nga Apolonia te kalaja e Krujës, rrethimi i së cilës frymëzoi Ismail Kadarenë për Daullet e shiut, e nga manastiri i Graçanicës deri në grykëderdhjen e Kotorrit, ky udhëtim në hapësirë është njëkohësisht një udhëtim i jashtëzakonshëm në kohë. Bukuria e afreskeve të manastireve u përgjigjet atyre të peizazheve. Aty gjendet jehona e misioneve të Shën Palit po aq sa kujtimet e fushatave të Kostandinit. Aty zbulohet si pasuria e së kaluarës romake, ashtu edhe lashtësia dhe thellësia e një kristianizimi që pushtimi osman e detyroi për shekuj të tërë të mbijetojë vetëm nën hi.”
Nga Michel De Jaeghere, kryeredaktor i Figaro Histoire.
Udhëtim midis Ilirisë dhe Shqipërisë përgjatë Via Egnatia, Éditions Bilingue, 344 faqe, 79 €, gjendet në Librari në Francë dhe Online në : Fnac : https://bit.ly/4fi6QKW Amazon : https://bit.ly/3OWkrwJ
Preview : Voyage entre Illyrie et Albanie par Via Egnatia
Ylli i kinemasë, Charlize Theron mbush sot 50 vjeç dhe nuk mund të ishte më e lumtur se kaq.
“I thashë mamasë se mezi po e prisja këtë ditë ndërsa ajo më tha se do të jem më mirë kur të mbush 70 vjeçe!’, thekson aktorja hollivudiane.
“Ndihem padyshim me fat dhe e bekuar me gjene të shkëlqyera. Mendoj se do të jem mirë që këtej e tutje”, shton ajo.
Nëna e saj ishte një fanse e filmave të Chuck Norris dhe Charles Bronson, dhe babai i aktores preferonte shumë filmat Mad Max.
Gerda dhe Charles Jacobus Theron e kishin atë si fëmijën e tyre të vetëm në Benoni, Afrikën e Jugut, dhe e rritën në fermën familjare jashtë qytetit.
E regjistruar në kurse vallëzimi që në moshë të re, Charlize filloi karrierën e saj si balerinë.
Ajo kërkoi punë fillimisht në Evropë dhe më pas në Nju Jork.
Ishte nëna e saj Gerda ajo që i bleu biletën e parë për në Los Anxheles.
“Si fëmijë, kryesisht shikoja filma aksioni. Më pas shtova disa drama si ‘Kramer vs Kramer”, thotë ajo.
Kështu lindi një yll pa paragjykime gjinore, e aftë të ishte intensive dhe shkatërruese, ironike dhe sensuale.
Fama erdhi në vitin 1997 me ”Devil’s Advocate”, në të cilin ajo luajti gruan naive të Keanu Reeves, një praktikante avokate në studion ligjore të djallit Al Pacino.
Në vitin 1999, ajo luajti të dashurën e bukur të Paul Rudd, Candy, në ”The Cider House Rules”, dhe më pas luajti një paciente me diagnozën e kancerit në ”Sweet November”, përsëri me Reeves.
Zbulimi i saj erdhi në vitin 2004 me ”Monster”, në të cilin ajo luajti një prostitutë të shndërruar në vrasëse seriale pas viteve të abuzimit dhe dhunës.
Një rol për të cilin ajo nuk kishte asnjë hezitim për ta transformuar rrënjësisht fytyrën e saj, duke i fituar asaj çmimin Oskar si ‘’Aktorja më e Mirë’’.
Pasuan role të tjera sfiduese, si ‘’North Country’’ (2005), ku ajo luan një grua në vështirësi financiare që vuante ngacmimet në punë dhe në Bombshell (2019), rreth rastit të ngacmimit seksual që përfshin Roger Ailes, drejtorin e fuqishëm ekzekutiv të Fox News.
Charlize Theron është ambasadore e OKB-së për luftën kundër dhunës ndaj grave.
Ndërkohë, Theron fitoi gjithashtu titullin e mbretëreshës së filmave aksion nga ”Fury Road” (2015) te ”Atomic Blonde” (2017), ”Fast & Furious” dhe ”The Old Guard”./ atsh/ KultPlus.com
Festivali Sunny Hill e mbylli natën e fundit me një shpërthim energjie dhe muzike elektronike, falë një prej emrave më të spikatur të skenës ndërkombëtare, Peggy Gou. Performanca e saj jo vetëm që ngriti në këmbë mijëra të pranishëm në skenën C4, por edhe la një jehonë të veçantë që do të mbahet mend gjatë.
E njohur për stilin e saj të veçantë si DJ dhe producente, artistja me origjinë koreano-jugore ofroi një set hipnotizues, me ritme që depërtuan deri në palcë dhe një prezencë skenike që rrëmbeu publikun që nga momenti i parë. Momenti kulmor i mbrëmjes erdhi me “(It Goes Like) Nanana”, kënduar në kor nga të gjithë të pranishmit, nën shiun që vetëm shtoi intensitetin e përjetimit, transmeton KultPlus.
Por ishte reagimi i saj pas performancës që rrëmbeu vëmendjen dhe zemrat e publikut. Në një postim në Instagram, Peggy shkroi: “Uau, Kosovë! @sunnyhillfestival është hera ime e parë këtu, çfarë turme! Faleminderit që vallëzuat në shi, faleminderit familjes Lipa për ftesën.”
Kjo performancë dhe ky reagim i Peggy Gou janë një dëshmi më shumë e ndikimit që Sunny Hill Festival ka fituar në nivel ndërkombëtar, jo vetëm si një platformë për artistë të mëdhenj, por si një përvojë e paharrueshme për ta. Prishtina nuk ishte vetëm një ndalesë në turin e saj, ishte një kujtim i gjallë, i denjë për një “Uau, Kosovë!” që mbeti në mendjet e të gjithëve./KultPlus.com
Dua Lipa, këngëtarja me famë botërore, do të performojë sonte së bashku me babanë e saj, Dukagjin Lipën, në natën e parë të festivalit “Sunny Hill”, që po mbahet në Bërnicë të Prishtinës.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, shihet Dua duke bërë prova në skenë bashkë me Dukagjin Lipën, i cili është edhe organizator i festivalit, transmeton KultPlus.
“Sunny Hill” do të zgjasë deri të dielën, duke sjellë në Prishtinë emra të shumtë të muzikës botërore dhe artistë të njohur vendorë. Atmosfera e festivalit pritet të kulmojë që nga nata e parë, me rikthimin e Duas në skenën që bashkon artin dhe identitetin./KultPlus.com
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit nënshkroi me Institutin Italian të Kulturës një marrëveshje, duke shpallur thirrjen për çmimin “Pashko Gjeçi” për përkthimet nga letërsia italiane në shqip.
Marrëveshja parashikon dhënien e këtij çmimi për të kremtuar punën e heshtur, por thelbësore, të atyre që i japin një zë të ri letërsisë italiane.
“Të përkthesh do të thotë të rishkruash, të rikrijosh dhe të rishpikësh. E tashmë, edhe të shpërblesh”, shkroi Instituti Italian i Kulturës, në faqen e tij online.
Në garë për këtë çmim mund të marrin pjesë të gjithë përkthyesit, të Shqipërisë dhe Kosovës, që kanë arritur moshën madhore në momentin e kandidimit.
Dy fituesve do t’u garantohet mbulimi i shpenzimeve të përkthimit si dhe publikimi i veprës. Përkthyesit e interesuar duhet të aplikojnë deri më 21 shtator 2025./atsh/
Festivali i sivjetmë “Sunnyhill Festival” përpos emrave tani të njohur pjesëmarrës do të mirëpresë edhe figura tjera të njohura të industrisë muzikore ndërkombëtare, ndër të cilët spikat Paul Tollet, promotori i shquar amerikan me bazë në Los Angeles. I njohur si bashkëthemelues i festivalit legjendar Coachella më 1999, së bashku me Rick Van Santenin, Tollet konsiderohet një nga zërat më me ndikim në skenën globale të muzikës live, mëson KultPlus.
Në mesin e të ftuarve është edhe Robert Kyncl, udhëheqës i “Creative Artists Agency”, një prej agjencive më të fuqishme në botë, si dhe themelues i “Warner Music Group”, kompania e mirënjohur me seli në New York nga ku kanë dalë disa nga artistët më të njohur të skenës botërore.
Pjesë e këtij edicioni do të jetë edhe Christofer Huber, drejtues i Europan Festival Association, i njohur për kontributin e tij në rrjetëzimin dhe zhvillimin e festivaleve evropiane.
Ashtu si në edicionet e kaluara, nuk do të mungojë as David Bradley, agjenti i pop-yllit Dua Lipa që e ka ndjekur dhe përfaqësuar që prej fillimeve të karrierës së saj. Një tjetër emër me peshë që do të jetë i pranishëm është Maha Dakhill, një nga agjentet më të kërkuara dhe një ndër zbulueset më të mëdha të talenteve në botën e artit dhe argëtimit.
Pjesëmarrja e këtyre emrave jo vetëm që e ngrit nivelin e festivalit në Kosovë, por gjithashtu krijon mundësi të reja për bashkëpunime ndërkombëtare dhe për afirmimin e skenës lokale në arenën globale./KultPlus.com
Një nga këngët më ikonike të shekullit të 20-të, “Bésame Mucho”, nuk u shkrua nga një artist i njohur, por nga një vajzë 16-vjeçare, e rritur në një shkollë katolike të rreptë, ku edhe fjala “puthje” konsiderohej mëkat. Ajo quhej Consuelo Velázquez, por atëherë ishte thjesht një vajzë e ëndërruar me emrin Consuelita, një vajzë e ndrojtur nga Meksika me gishta të përshtatshëm për tastierën e pianos.
Lindur në vitin 1916 në një familje të dikurshme fisnike, por të varfëruar, Consuelo u rrit nën peshën e vështirësive, nga një nënë e ve me pesë fëmijë dhe pa pasuri. Që nga mosha 4 vjeçare, ajo nisi të studiojë muzikë, pa pushime dhe pa fundjavë. Babai i saj vdiq herët dhe nëna e saj, e dëshpëruar për të siguruar një të ardhme për të, e dërgoi në një shkollë manastiri. Disiplina e ashpër atje e mundoi shumë agjërime, lutje, ndëshkime deri sa nëna e saj e mori sërish në shtëpi.
Por fati kishte tjetër plan. Një pianist që ndoqi një recital në shkollë, vuri re mënyrën se si gishtat e vogla të Consuelës luanin në piano dhe i ofroi mësime falas. Kështu ajo u pranua në Konservatorin Kombëtar të Meksikës dhe nisi udhëtimin e saj të mundimshëm për t’u bërë një muzikante klasike. Në moshën 16 vjeçare, pa patur asnjëherë një puthje, ajo kompozoi “Bésame Mucho”.
“Qëllimi ishte një ëndërr,” do të thoshte ajo më vonë. “Një vizion se si mund të ndjehet dashuria.” Për të shmangur pasojat, Consuelo e dërgoi këngën në një stacion radioje nën një pseudonim, duke u frikësuar se njerëzit do ta mendonin se ajo dinte shumë për një “vajzë të virgjër të edukuar.” Por kënga shpërtheu. U dëgjua në gjithë vendin. Miliona zemra rrahën një ritëm të ri.
Nëna e saj u trishtua. Fama nuk ishte në plan – manastiri ishte.
Por bota kishte ide të tjera.
Hollywood-i e thirri. Kontrata. Reflektore. Edhe Walt Disney e pëlqeu. Ajo mund të ishte një yll i kinemasë. Por Consuelo u kthye sërish në Meksikë pas një muaji. Ajo nuk donte famë, donte muzikë. Muzikë të vërtetë.
Ajo u bë një pianiste klasike e respektuar, kompozoi pothuajse 200 vepra, drejtoi Bashkimin e Kompozitorëve të Meksikës dhe shërbeu në Parlament. Por krijimi i saj më i famshëm mbeti gjithmonë ajo përshëndetje e butë nga një vajzë që nuk ishte puthur kurrë.
Consuelo u martua vetëm një herë, pa dashuri, siç dëshironte nëna me Mariano Rivera Conde, redaktorin e radios që e shpërndau për herë të parë “Bésame Mucho”. Ata patën dy djem, por Consuelo nuk u martua më. Jetoi në qetësi dhe vdiq si një thesar kombëtar.
Dhe kënga e saj? U përkthye në 120 gjuhë.
U interpretua nga The Beatles, Sinatra, Presley, Plácido Domingo dhe shumë të tjerë.
Mbi 100 milion kopje të shitura.
Të gjitha nga shpirti i një vajze të qetë që besoi se dashuria edhe nëse kurrë nuk ishte prekur ishte muzikë. E butë. E lehtë. E përjetshme./KultPlus.com
Princi britanik, Harry, thuhet se është ofruar të ndajë emërimet e tij me familjen mbretërore. Kjo ka për qëllim të parandalojë tensionet në të ardhmen.
A është ky një hap i mëtejshëm drejt pajtimit? Princi Harry thuhet se është ofruar të ndajë emërimet e tij zyrtare me familjen mbretërore, sipas “The Mail on Sunday”, transmeton Indeksonline
Kjo ka për qëllim të ulë më tej tensionet midis tij dhe babait, mbretit Charles III.
Sipas marrëveshjes së re të supozuar, princi Harry ekziston shpresa që mbreti dhe princi Harry së shpejti do të gjejnë një kohë për t’u takuar personalisht.
Nga cikli “Origjina dhe artizanati”, në kuadër të të cilit Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar Korçë prezanton objekte të çmuara të fondit të tij, së fundmi MKAM ka publikuar imazhe të brezave dekorative që përdoreshin dikur nga gratë.
Arti i përpunimit dhe përdorimit të metalit si pjesë e veshjeve tradicionale ka qenë një proces sa i bukur, aq edhe i vështirë.
Muzeu i Artit Mesjetar sjell një sërë objektesh të fondit të pasur muzeal, me metale të çmuara apo aliazhe, duke filluar nga ato religjoze dhe deri tek ato dekorative apo të përdorimit të përditshëm.
Brezat e metalit dikur përdoreshin nga gratë në veshjet e tyre popullore. Pikërisht, ky lloj elementi dekorativ është njëkohësisht edhe funksional. MKAM, në fondet e tij përmban shumë elementë popullorë, të cilat ekspozohen si një shembull i mirë, i pasurisë sonë kombëtare./atsh/
Festivali i muzikës elektronike Lumina solli emocion dhe ritëm gjatë dy netëve që kapërcyen çdo pritshmëri.
Aktiviteti dëshmoi edhe një herë se Korça është jo vetëm një qytet i kulturës dhe historisë, por edhe i rinisë dhe energjisë së jashtëzakonshme. Mbrëmja e dytë e Lumina Electronic Festival përfundoi me një superatmosferë. Muzika elektronike, natyra dhe të rinjtë u bënë një dhe e ndezën Korçën për dy net rresht.
Të rinjtë, vendas dhe turistë, u entuziazmuan, në një atmosferë që vështirë të përshkruhet me fjalë.
“Kjo është Korça që po ndërtojmë bashkë, një qytet që rreh ndryshe, që jeton me ritmin e kohës dhe që frymëzon të ardhmen. Faleminderit të gjithëve që ishit pjesë e kësaj përvoje unike”, shkroi kryebashkiaku Sotiraq Filo në rrjetet sociale, ku edhe ndau një album me pamjet nga mbrëmja e fundit, që e cilësoi si “magji nën yje”/atsh/