Normal view

Të shtunën në KultPlus Caffe Gallery, promovimi i librit “Psikologji për jetën time” nga Imri Demisai 

12 June 2025 at 13:57

Të shtunën prej orës 13:00 në KultPlus Caffe Gallery do të promovohet libri “Psikologji në jetën time” nga autori Imri Demisai, i cili përpos që është poet, ai është edhe psikolog dhe psikoterapeut, shkruan KultPlus. 

Demisai është nga Struga por që jeton në Suedi, dhe në këtë promovim libri ai do të ligjërojë edhe për cështje sociale, psikologjike dhe psikiatrike, duke vën në pah rëndësinë e ndërgjegjjes familjare për ti kuptuar brengat shpirtërore dhe konfliktet. 

Kjo ngjarje është e hapur për të gjithë ata që janë të interesuar për këtë prezantim, dhe në të njëjtën kohë Imri Demisai do të jetë i hapur edhe për pyetjet e audiencës./ KultPlus.com 

91 vite nga lindja e artistit shqiptar, Sotir Capo

10 June 2025 at 10:10

Sotir Capo ka qenë piktor i shquar shqiptar, i cili u nderua me titullin “Artist i merituar”, shkruan KultPlus.

Lindi në qyetin e Beratit në qershor të vitit 1934, ku edhe i mori mësimet e para për të vazhduar studimet në Tiranë pranë Institutit të Lartë të Arteve.

Punoi si skenograf dhe mësues vizatimi, në shkollat tetëvjeçare të Beratit.

Capo është shquar si njëri nga portretistët më të njohur të Shqipërisë. Ai ka punuar portrete të figurave të shquara kombëtare, po ashtu punimet e tij janë zhgjedhur për të qëndruar në hapësirat e institucioneve të rëndësishme të shtetit shqiptar.

Pikturat e Capos janë vlerësuar nga shumë kritikë brenda dhe jashtë hapësirave shqiptare.

Në vitin 1979 Capo mori titullin e lartë “Artist i merituar”.

Sotir Capo vdiq më 3 mars të vitit 2012 në Filadelfia. / KultPlus.com

Forumi shkencor në ASHSH, programet e studimit të doktoraturës në fizikë e kimi

9 June 2025 at 20:15

Në Akademinë e Shkencave u mbajt forumi shkencor me temën “Programet e studimit të doktoraturës në fizikë e kimi; Vlerësime e mendime për të ardhmen”.

Veprimtaria u organizua nga Komisioni i fizikës e kimisë, pjesë e Akademisë së Shkencave, në kuadër të procesit të shqyrtimit dhe vlerësimit të kërkesave për të aplikuar në studimet pasuniversitare, cikli i tretë (shkollat e doktoraturës), në drejtimet përkatëse të departamenteve të fizikës, kimisë, kimisë industrial dhe inxhinierisë fizike.

Seanca nisi me punimin e prof. asoc. Dhurata Premti e prof. dr. Spiro Drushku, të cilët trajtuan informacionet aktuale lidhur me standardet, arritjet dhe problematikat potenciale të kërkimeve shkencore në studimet e doktoratës.

Gjatë këtij forumi prof. dr. Ilirjana Boçi, prof. asoc. Gerti Xhixha, prof. as. Altin Gjevori, prof. asoc. Anila Dhroso trajtuan eksperiencat aktuale të departamenteve, mbi metodologjinë e vlerësimit të aplikantëve në programet e doktoraturës në fiizikë, kimi, prodhim industrial & inxhinieri dhe inxhinieri fizike.

Prof. dr. Rozana Troja paraqiti një këndvështrim mbi të kaluarën e përzgjedhjes dhe vlerësimit të kandidatëve për doktoraturë, për të ofruar qasje të ndryshme pozitive, kontribuuese edhe për të ardhmen.

Prof. dr. Luljeta Pinguli, prof. dr. Ilirjana Boci, msc. Megi Çaushi, msc. P. Drazho ofruan eksperiencat e doktorantëve në proces dhe udhëheqësve respektivë, për të promovuar arritjet dhe propozuar zgjidhje për problematikat e evidentuara.

Prof.dr. Margarita Ifti, prof. prof. dr. Altin Mele, prof. dr. Arjan Korpa paraqitën punimin “Shkollimi i doktoratës në BE, strukturat dhe modelet e reja”. Akad. emeritus Floran Vila paraqiti një punim për doktoraturat e përbashkëta ndërkombëtare. Prof. dr. Partizan Malkaj paraqiti punimin me temën “Njohja me eksperiencat individuale të doktoraturave jashtë vendit, në BE dhe vende të tjera.

Në fund, u zgjodh një komision që do të bëjë përmbledhjen e të gjitha propozimeve dhe problematikave të trajtuara./atsh/KultPlus.com

Dita Botërore e Oqeaneve

8 June 2025 at 09:55

Dita Botërore e Oqeaneve, e cila shënohet çdo vit në 8 qershor, është caktuar nga Kombet e Bashkuara për të mbrojtur oqeanet.

Njerëzit në mbarë planetin organizojnë festime për të mbështetur çdo aksion që mbron ujërat. Kjo ditë është caktuar që nga viti 2009 dhe është një rast për të nderuar oqeanet, për të kremtuar produktet që ofron oqeani, për ta çmuar vlerën e brendshme të oqeanit.

Oqeani ofron rrugët detare botërore të rëndësishme për tregtinë botërore. Ndotja e ujërave dhe shfrytëzimi i tepërt i peshqve ka rezultuar me rënien drastike të numrit të specieve në oqean.

Projekti i Oqeanit, në bashkëpunim me Rrjetin Ndërkombëtar të Oqeaneve, janë duke punuar në ngritjen e vetëdijes njerëzore për rolin e oqeanit në jetën tonë, si dhe mënyrat të cilat njeriu mund të ndihmojë.

Dita Ndërkombëtare e Oqeaneve ofron mundësi që të kyçemi drejtpërdrejtë në mbrojtjen e të ardhmes sonë, përmes iniciativave qytetare – pastrimi i plazheve, programet edukuese, gara, festivale, si dhe ngjarjet e aktivitetet e ndryshme, ndihmojnë në ngritjen e vetëdijes se sa i rëndësishëm është oqeani për jetën tonë./atsh/ KultPlus.com

Policia e Kosovës dhe KFOR-i amerikan me garë miqësore në shah

7 June 2025 at 16:19

Në ambientet e Federatës se Shahut te Kosovës është mbajtur gara e shahut në mes ekipit te Policisë se Kosovës dhe KFOR-it amerikan.

Kështu u bë e ditur nga një njoftim i policisë, ku u tha se gara është zhvilluar mes dy ekipeve të përfaqësuara me nga pesë lojtarë, transmeton Klankosova.tv.

“Falënderojmë, KFOR-in amerikan për pjesëmarrje, po ashtu Federatën e Shahut për ndihmën e dhënë në organizimin e kësaj gare”, u shprehë falënderuese Policia e Kosovës.

Osmani ndan Medaljen Presidenciale të Meritave Nënave të Srebrenicës: Guximi dhe vendosmëria e tyre për drejtësi është frymëzim për gjenerata të tëra

2 June 2025 at 17:48

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në prag të 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, ua ka ndarë sot Medaljen Presidenciale të Meritave Nënave të Srebrenicës.

Presidentja Osmani ka shkruar:

Në prag të 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, pata nderin që sot t’ua ndaj Medaljen Presidenciale të Meritave Nënave të Srebrenicës.

Guximi i tyre i palëkundur përballë dhimbjes së paimagjinueshme të humbjes së më të dashurve të tyre, vendosmëria për ta shndërruar pikëllimin në shpresë dhe kujtimin në një kërkim të pandalur për drejtësi janë frymëzim për gjenerata të tëra.

Kujtim i përhershëm për të gjitha viktimat e regjimit gjenocidal të Millosheviqit./KultPlus.com

Presidentja Osmani: Kosova jo vetëm që kontribuon, por është e gatshme të jetë pjesë e NATO-s

29 May 2025 at 15:43

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka vizituar nga afër Defender Europe 25, e cila këtë vizitë e ka realizuar në cilësinë e Komandantes Supreme të Forcës së Sigurisë në Kosovë. 

KultPlus ju sjell të plotë njoftimin për këtë vizitë. 

Sot, në cilësinë e Komandantes Supreme të Forcës së Sigurisë së Kosovës, vizitova Defender Europe ’25 – ushtrimin më të madh të këtij viti të US Army Europe, ku Kosova jo vetëm që merr pjesë, por ka edhe nderin të jetë nikoqire. Krah për krah me forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve tjerë të NATO-s, vendi ynë po shkruan një kapitull të ri të bashkëpunimit ushtarak ndërkombëtar.

Vetëm dy ditë më parë, në SHBA, diskutuam për vizionin e përbashkët për mbrojtjen e Evropës. Sot, ky vizion po zbatohet në terren, në tokën tonë, përmes Defender Europe ’25 – një ushtrim i përmasave të jashtëzakonshme që dëshmon përkushtimin ndaj paqes dhe sigurisë. Rreth 1000 pjesëtarë të FSK-së janë të angazhuar drejtpërdrejt – profesionistë të barabartë me aleatët nga vendet më të fuqishme të botës. Ky është një mesazh i qartë: Kosova jo vetëm që kontribuon, por është e gatshme të jetë pjesë e NATO-s./ KultPlus.com

Konferenca shkencore: Idetë dhe mesazhet kombëtare të Frashërllinjve

27 May 2025 at 15:17

Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencës zgjodhi këtë herë Frashërin, kryefshatin historik të Shqipërisë në zonën e Dangëllisë, për të organizuar më 25 maj 2025 konferencën shkencore me temë: “Idetë dhe mesazhet kombëtare të Frashërllinjve”.

638e1432-3f4a-46c2-83eb-21c159327b55

Qëllimi ishte që, pikërisht në ditën e lindjes së poetit të madh Naim Frashëri, në shtëpinë ku u lindën tre vëllezërit, të bëheshin publike gjetje dhe dokumente të reja që dëshmojnë kontributin e jashtëzakonshëm të tre kolosëve të Rilindjes Kombëtare: politikanit dhe shtetarit Abdyl Frashëri, poetit dhe gjuhëtarit Naim Frashëri, dhe dijetarit e enciklopedistit Sami Frashëri.

Konferencën e hapi Prof. Marenglen Spiro, Sekretar Shkencor i Akademisë, ndërsa fjalën hyrëse e mbajti Prof. Ethem Ruka, Kryetar i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencës. Ruka theksoi se Frashëri është “Meka e shqiptarisë”, vendi ku u hodh fara për shpëtimin dhe ndërtimin e Shqipërisë. “Ne sot kemi detyrimin t’i nderojmë, t’i kujtojmë dhe të përulemi para monumenteve të këtyre burrave të mëdhenj të shqiptarizmës,” u shpreh ai. Sipas tij, fara e hedhur në Frashër mbolli pemën e pavarësisë më 1912 dhe të Kongresit të Lushnjës më 1920.

84156c96-6b7c-4ae8-927f-039a2d746f9e

Akademiku Pëllumb Xhufi mbajti një referat mbi profilin politik dhe diplomatik të Abdyl Frashërit, një prej figurave themelore të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila mori trajtat e një shteti dhe qeverie të parë shqiptare me institucione dhe atribute të plota.

Prof. Paskal Milo vuri në dukje kontributin e Sami Frashërit në vizionin për shtetin modern shqiptar, duke përfshirë idetë për strukturat shtetërore, sistemin monetar dhe deri te propozimi për një kryeqytet të vendosur në një pikë gjeografike të baraslarguar nga Shkodra, Prizreni, Manastiri dhe Janina.

Historiani Kastriot Bezati, me titullin “Mjeshtër i Madh”, kujtoi rëndësinë historike të dy kuvendeve kombëtare të mbajtura në Teqenë e Frashërit, të njohura si Kuvendet e Frashërit, që zënë një vend të veçantë në historinë kombëtare.

f8a4deee-27df-4de3-89cc-93cc034e670a

Prof. Ksenofon Krisafi solli dokumente dhe fakte të reja me vlera juridike dhe institucionale për veprimtarinë e Abdyl Frashërit në përpjekjet për ndërtimin e një shteti shqiptar me integritet të plotë dhe të barabartë me vendet fqinje.

Poeti Lumo Kolleshi kontribuoi me një cikël të ri poetik kushtuar Naim Frashërit, të cilin e përshkroi si “mësuesin e popullit të tij”.

Prof. Fatos Tarifa referoi mbi konceptin dhe rrugët që Shqipëria duhej të ndiqte pas pushtimit osman, duke theksuar se drita e ndezur nga Frashërllinjtë ndriçoi të ardhmen e vendit.

Poeti dhe studiuesi nga Kosova, Agim Vinca, solli në konferencë vlerësimet e akademikut Rexhep Qosja për Naim Frashërin, duke u mbështetur te vepra e tij “Porosia e Madhe”.

Gjuhëtari i njohur Prof. Xhevat Lloshi prezantoi botimin më të fundit në Shkup, nën redaktimin dhe drejtimin e tij, të veprës së Sami Frashërit. Ai theksoi se ajo që njihet deri më tani për Samiun është vetëm një pjesë e vogël krahasuar me gjithçka që ai ka shkruar dhe krijuar.

49ea68e0-2d17-400c-bb73-1700441792d5

Prof. Sherif Bundo vlerësoi Frashërin si një qendër të rëndësishme pelegrinazhi kulturor dhe turistik, falë pozitës gjeografike, mjedisit natyror dhe vlerave kulturore e etnografike që përmban. Ai propozoi që Frashëri të kthehet në një itinerar tërheqës turistik kombëtar.

Në përmbyllje të konferencës, u theksua se: Frashëri dhe Frashërllinjtë ndërtuan Shqipërinë – Shqipëria nuk duhet të lejojë të harrohet Frashëri. Kryefjala ishte një thirrje për ndërtimin e infrastrukturës rrugore drejt këtij vendi me rëndësi kombëtare, si dhe propozimi për rikonstruksionin dhe pasurimin e muzeut të vëllezërve Frashëri.

Në konferencë morën pjesë edhe anëtarë të tjerë të Akademisë, si deputetja Prof. Luljeta Bozo, Prof. Aleksandër Xhuvani, Prof. Arben Baboçi dhe personalitete të shquara nga Shqipëria dhe Kosova. Pjesëmarrës ishte gjithashtu edhe akademiku dhe studiuesi rumun me famë europiane, Kostandin Barku, i cili së bashku me ekipin e tij ka botuar rreth një mijë libra historikë, përfshirë edhe studime të veçanta për Frashërllinjtë.

Ndryshe nga aktivitetet e zakonshme, kjo konferencë u organizua me kontributet vetjake të anëtarëve të Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencës./ Gazeta Panorama/ KultPlus.com

Presidentja Osmani në darkën e Kongresit Amerikan dhe AP të NATO-s: Mirënjohje e përjetshme për miqtë tanë të lirisë dhe paqes

26 May 2025 at 14:28

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në SHBA, me ftesë të Kongresit Amerikan, për të marrë pjesë në sesionin pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, ka mbajtur një fjalim në darkën e organizuar nga Kongresi Amerikan dhe Asambleja Parlamentare e NATO-s.

Në adresimin e saj para udhëheqësve të lartë të Kongresit dhe përfaqësuesve të vendeve anëtare të NATO-s, Presidentja Osmani theksoi se paqja nuk trashëgohet, por ndërtohet, mirëmbahet dhe mbrohet vazhdimisht.

“Sot përfaqësoj një Kosovë të lirë dhe sovrane, një tokë që dikur ishte e shkatërruar nga lufta, por që sot flet me gjuhën e paqes, shpresës dhe mirënjohjes. Ushtarët amerikanë dhe aleatët e NATO-s erdhën në Kosovë jo për lavdi, por sepse besonin në të drejtën themelore të çdo njeriu për të jetuar i lirë nga shtypja”, tha Presidentja Osmani.

Sipas Presidentes Osmani: “Në momentet më të brishta, ata nuk na ofruan strehë vetëm për shtëpitë tona, por edhe për ëndrrat tona. Falë tyre, fëmijët e Kosovës më në fund flenë të sigurt. Falë tyre, një shtet u ngrit nga hiri”.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani tha se ushtarët amerikanë që erdhën me uniformë dhe qëndruan me vendosmëri, gjithmonë do ta kenë një shtëpi në Kosovë./ KultPlus.com

Festivali i Kanës i jep ‘Palmën e Artë’ dramës iraniane ‘Ishte vetëm një aksident’

25 May 2025 at 13:45

Festivali i Kanës i ka dhënë çmimin e tij kryesor, Palmën e Artë, dramës iraniane të hakmarrjes “It Was Just an Accident”.

Fitorja vazhdon një seri të jashtëzakonshme për distributorin indie Neon, i cili tani ka mbështetur gjashtë fituesit e fundit të Palmës së Artë. Neon mori çmimin “ It Was Just an Accident” për shpërndarjen në Amerikën e Veriut pas premierës së tij në Kanë, pas fitoreve të mëparshme me “Parasite” , “Titane” , “Triangle of Sadness” , “Anatomy of a Fall ” dhe “Anora” .

Cate Blanchett ia dorëzoi çmimin Panahi-t, i cili u burgos në Iran tre vjet më parë dhe hyri në grevë urie. Për më shumë se 15 vjet, ai ka bërë filma në fshehtësi në vendin e tij të lindjes, duke përfshirë “ This Is Not a Film” , i xhiruar në dhomën e tij të ndenjes, dhe “Taxi” , i vendosur tërësisht në një makinë.

Publiku e duartrokiti me zë të lartë në këmbë. Panahi ngriti krahët lart dhe u përkul prapa me mosbesim, pastaj duartrokiti ekipin e tij dhe ata përreth tij. Në skenë, ai u prit me brohoritje nga presidentja e jurisë së Kanës, Juliette Binoche, e cila dikur e kishte mbajtur lart emrin e tij në festivalin e vitit 2010, ndërsa ishte në arrest shtëpiak./euronews/ KultPlus.com

S’ka rrymë në disa pjesë të Francës, ndërpriten aktivitetet edhe në Festivalin e Kanës

24 May 2025 at 15:45

Një ndërprerje e madhe e energjisë elektrike goditi Francën juglindore të shtunën, duke ndërprerë trafikun dhe duke ndërprerë përkohësisht ngjarjet në Festivalin e Filmit në Kanë, ndërsa eventi prestigjioz përgatitej të jepte çmimin e tij kryesor.

Rreth 160 mijë familje në departamentin Alpes-Maritimes humbën energjinë elektrike pasi një linjë tensioni të lartë ra të shtunën në mëngjes, tha operatori i rrjetit elektrik RTE në X. Ndërprerja ndodhi disa orë pasi një zjarr në një nënstacion elektrik pranë Kanës gjatë natës kishte dobësuar tashmë rrjetin.

Organizatorët e Festivalit të Filmit në Kanë konfirmuan se ndërprerja ndikoi në aktivitetet e hershme të së shtunës dhe thanë se Palais des Festivals — vendi kryesor i Croisette — kishte kaluar në një furnizim të pavarur me energji elektrike, raporton Associated Press, transmeton Klankosova.tv.

Gratë, sipas Honore De Balzak

20 May 2025 at 22:40

Honoré de Balzac ishte një shkrimtar francez i shekullit të 19-të. Për 20 vjet ai arriti të bënte 90 krijime midis te cilave kishte romanca e tregime, të gjitha këto të bashkuara në një vepër të vetme me titull “La comédie humaine” (Komedia njerëzore) dhe të ndara në Scènes de la vie privée (Skena të jetës private).

Në vijim mund të lexoni disa thënie të veçanta për femrat nga kryevepra e Balzak, “Komedia njerëzore”

“Thonë se njerëzit janë të egër, edhe tigrat gjithashtu; por, as mizoritë e tigrave, as të nepërkave, as të diplomatëve, as të përfaqësonjësve të ligjës, as të xhelatëve, as të mbretërve nuk mund të krahasohen me dashurinë plot vrer, me ligësinë e ëmbël, me përbuzjen barbare që tregon një femër kundrejt një tjetre, kur njëra e quan veten më të bukur, më të lartë nga fisi e nga pasuria se tjetra, sidomos kur bëhet fjalë për martesë dhe për epërsi; me një fjalë, mizoritë që përmendëm, nuk mund të krahasohen me rivalitetin që kanë gratë midis tyre”.

“Gratë, pasi e kanë transformuar një burrë në qengj, arrijnë gjithnjë ta bindin se është luan dhe se ka një karakter të hekurt”.

“Ka disa femra që, kur ndahen, venë dhe gjejnë menjëherë një tjetër, shpesh ia rrëmbejnë nga duart dikujt, me gjasa kundërshtares. Këto femra ose e vrasin të dashurin e tyre, fizikisht apo moralisht, ose e degdisin në fund të botës; këto gra i ka rrëmbyer dallga fisnike e pasionit që shfaqet tek to më i fortë se çdo ndjesi drejtësie njerëzore; kjo ka bukurinë e saj. Ka femra të tjera që, kur gjenden ballë përballë me fatkeqësinë e ndarjes, humbjes së një dshurie, ulin kokën dhe vuajnë në heshtje; të gjithë thjesht ecim në rrugën drejt vdekjes, por këto femra ecin drejt saj gjysmë të vdekura, të ndrydhura, qajnë dhe ndihen fajtore, ato luten për njeriun që u shkaktoi dhimbjen dhe e kuptojnë atë deri në çastet e fundit të jetës; kjo është dashuri, dashuria e vërtetë, dashuria e engjëjve, që ka dhimbjen si ushqim dhe prej dhimbjes vdes”.

“Rrudhosja e lëkurës është një fakt i pashpjegueshëm, e prapë së prapë i natyrshëm, i cili qysh nga krijimi i botës, i ka hedhur në dëshpërim mjekësinë dhe gratë”.

“Ç’i shtyn gratë të shohin në shumë raste vetëm të metat te një njeri i talentuar dhe vetëm cilësitë te një budalla? Sepse ato kanë simpati të madhe për aftësinë e budallait për të qenë pa problem lajkatar, e si i tillë ai i lëvdon gratë pa menduar fare nëse është e vërtetë lëvdata, ai ua fsheh të metat e tyre. Kurse njeriu i talentuar ndjehet superior, për fat të keq ai nuk ia jep askujt kënaqësinë për t’i kompensuar nëpërmjet fjalëve të tij të metat e veta”

“Zemra e një nëne është një humnerë, në fund të së cilës gjendet gjithnjë falja”. /KultPlus.com

Austria shpallet fituese e Eurovisionit 2025, Shqipëria renditet në vendin e tetë

18 May 2025 at 01:08

Shteti i Austrisë është shpallur fitues i Festivalit Evropian të Këngës- “Eurovizion 2025”.

Sonte në Bazel të Zvicrës është mbajtur finalja e madhe e “Eurovisionit”, në të cilin festival kanë garuar gjithsej 26 shtete.

Në “Eurovizion 2025” Shqipëria është përfaqësuar nga Shkodra Elektronike me këngën “Zjerm”, e cila nga kjo garë është radhitur në vendin e tetë, me gjithsej 218 pikë të grumbulluara. / KultPlus.com

Ministri Çeku: Uta, gruaja e parë shqiptare që ngjitet në të gjitha 14 majat më të larta në botë

10 May 2025 at 19:37

Ministri i Kulturës Hajrulla Çeku ka përgëzuar aplinisten nga Kosova, Uta Ibrahimi për ngjitjen e 14 majave më të larta në botë.

Më poshtë gjeni postimin e tij të plotë:

Uta Ibrahimi e përmbylli ngjitjen e 14 majave më të larta në botë!

Me suksesin në majën Kanchenjunga, njërën ndër më të rrezikshmet në Himalaje, Uta bëhet personi i parë nga Ballkani dhe gruaja e parë shqiptare që ngjitet në të gjitha 14 majat më të larta në botë.

Një arritje historike dhe frymëzuese, që e vendos atë mes alpinistëve më të mëdhenj botërorë. Forca, guximi dhe përkushtimi i saj janë shembull për të gjithë, veçanërisht për gjeneratat e reja dhe për vajzat që ëndërrojnë lart.

Urime, Uta, krenari e Kosovës./ KultPlus.com

Poezia e fundit e Yllka Domit: Përmendore nuk dua

7 May 2025 at 20:25

Poezia e fundit e Yllka Domit

Amanet ju le nëse nuk pritoni
të ma shkruani emrin në rërën e detit,
dhe dy vargje mi shkruani me shkrimin e saj.
Në krahët e valëve të ketë epope te pambaruar
dhe arena e kafazit të jetë e hapur.

Përmendore nuk dua!
Nëse në kurrizin e qytetit gjeni një shkop
vendoseni afër kokës sime. / KultPlus.com

Presidentja Osmani: Sot hapëm Ambasadën e Republikës së Kosovës në Kuala Lumpur, Malajzi

2 May 2025 at 17:52

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë hapjen e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Kuala Lumpur, Malajzi.

“Sot hapëm Ambasadën e Republikës së Kosovës në Kuala Lumpur, Malajzi. Një dritare e re për vendin tonë, me plot mundësi për bashkëpunim edhe më të thellë me Malajzinë”, ka shkruar Osmani.

Ajo u shpreh se kjo është një prani edhe më e fuqishme diplomatike në një nga rajonet më strategjike në Azi.

“Një shtëpi më shumë e Kosovës, ku do të avancohen interesat e qytetarëve tanë, do të fuqizohen aleancat tona dhe do të mbrohet me vendosmëri shenjtëria e sakrificës së popullit të Kosovës për liri e shtet”, ka shtuar ajo./KultPlus.com

65-vjetori i Televizionit Shqiptar, nderim për punën e qindra punonjësve që rritën vlerat e medies publike

29 April 2025 at 09:30

Televizioni Shqiptar kremton sot 65-vjetorin e fillimit të transmetimeve të tij, duke shënuar një gur kilometrik për historinë kombëtare, në shërbim të informimit të publikut, duke ruajtur kulturën dhe duke pasuruar artin.

Në vitin 1960, Televizioni nisi transmetimet vetëm për një territor të kufizuar e më pas u shtri në të gjithë vendin, duke mbuluar sot hapësirën më të madhe gjeografike nga të gjitha mediet audiovizive të vendit.

“Do i kujtoj me nostaligji gjithë këto vite, sidomos 40 vitet e mia të punës në RTSH, ashtu siç dua të kujtoj ata që me punën dhe përkushtimin e tyre i dhanë Radio Televizionit Shqiptar një dritare që u bë shumë e dashur për teleshikuesin në tërë trojet shqiptare,” thotë Dhimitër Gjoka, folës për shumë vite në RTSH.

“RTSH ishte i vetmi kanal televiziv që shikohej në mbarë Shqipërinë dhe kudo që shkoje më pëlqente, se në njëfarë mënyre sikur më përkëdhelej sedra që njerëzit më njihnin dhe më flisnin me shumë emocion,” kujton Ketrin Gjoça, prezantuesja e emisionit për fëmijë “Me Ketin”, e cila iu bashkua që e re për të mos iu ndarë stafit të Radiotelevizionit.

“Dashuria e parë dhe e fundit e imja është Radio Televizioni Shqiptar. Të gjitha energjitë tona i kemi hedhur në këtë institucion. Këtu u rritëm. Këtu formuam emër. I uroj me zemër ditëlindjen!” tregon Osman Mula, muzikant, regjisor dhe drejtues i festivaleve muzikore të Radio Televizionit Shqiptar, përveçse anëtar i Këshillit Drejtues të RTSH.

Televizioni Shqiptar prodhoi në më shumë se gjashtë dekada programe që synuan të jenë gjithëpërfshirës, duke pasur në vëmendje informimin, edukimin dhe argëtimin.

Televizioni Shqiptar sot në 65-vjetorin e themelimit numëron me qindra programe tematike, dokumentarë, seriale dhe filma televizivë, koncerte, recitale, festivale muzikore kombëtare, pa lënë mënjanë gjininë e skenës së teatrit.

Sot RTSH feston dhe nderon me krenari dhjetëra gazetarë, muzikantë, artistë, skenaristë, teknikë, kameramanë, punonjës të prodhimit televiziv, që kanë dhënë kontribut të çmuar në pasurimin e programacionit të RTSH.

RTSH është transmetuesi i vetëm publik në Republikën e Shqipërisë dhe synon të përparojë në kohën e teknologjisë dhe sfidave që sjell zhvillimi në fushën e medies audiovizive. RTSH sot është televizioni i historisë së Shqipërisë./rtsh/KultPlus.com

“Rrëfimi i tingujve”, koncerti i jashtëzakonshëm i një pianisti të verbër

28 April 2025 at 15:52

Tinguj të ndjerë u rrëfyen në Hollin Koncertor të TKOBAP-së, duke prekur të gjithë artdashësit e pranishëm në sallë.

Pianisti i jashtëzakonshëm Nicola Pio Nasca solli një rrëfim muzikor që shkoi përtej notave, përtej shikimit, drejt thellësive të shpirtit njerëzor. Koncerti i titulluar “Rrëfimi i tingujve” solli një artist me ndjeshmëri të lartë që sheh përmes shpirtit.

Nicola Pio Nasca solli një udhëtim muzikor përmes veprave të Bach, Liszt, Chopin dhe Albeniz.

“Nuk është më çudi që sallat e TKOBAP-së mbushen plot e përplot në çdo shfaqje apo koncert”, shkruhet në faqen online të Teatrit Kombëtar të Operas e Baletit.

Pianisti Nicola Pio Nasca është vetëm 22 vjeç, nga Bari i Italisë. Ai është pianisti i parë italian me mungesë shikimi që në lindje, i cili ka përfunduar studimet në piano, duke dëshmuar një shembull frymëzues të forcës dhe dashurisë për artin./atsh/KultPlus.com

Kultura e Kosovës në Portugali, ansambli “Shota” në hapjen zyrtare të Festivalit Ndërkombëtar të Folklorit

26 April 2025 at 21:37

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” po përfaqëson Kosovën në Festivalin Ndërkombëtar të Folklorit, Kulturës dhe Artit (FIFCA) 2025 në Almeirim, Portugali. 

Kosova është pjesë e festivalit bashkë me shtetet e tjera si Portugalia, Meksika, Argjentina, Kili, Kolumbia, Lituania, Bullgaria e Polonia. 

Lajmin e ka bërë të ditur ambasadorja e Kosovës në Portugali, Edona Maloku. Më poshtë gjeni postimin e plotë:

E nderuar që bashkë me Kryetarin e Komunës së Almeirim Pedro Miguel Ribeiro dhe Kryetarin e Festivalit Ricardo Casebre të bëjmë hapjen zyrtare të Festivalit Ndërkombëtar të Folklorit, Kulturës dhe Artit (FIFCA) 2025 në Almeirim, Portugali. 

Në edicionin e sivjetmë, krenari të pafund na dhanë artistët e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, që me performancat e tyre po përfaqësojnë denjësisht kulturën e Kosovës krahas shteteve të tjera si Portugalia, Meksika, Argjentina, Kili, Kolumbia, Lituania, Bullgaria e Polonia. Ndërmjet datave 24 prill – 1 maj ansamblet gjegjëse, artdashësit e spektatorët e 7 komunave në Portugali do të kenë mundësi të njihen me vlerat e kulturave të ndryshme dhe të shijojnë diversitetin që secila nga to sjellë në mozaikun botëror të trashëgimive kulturore e folklorike. 

Falenderim i veçantë shkon për gjithë ekipën e Ansamblit “Shota” që na bënë zemrën mal me performancat e tyre, sidomos për përfaqësuesit e Ansamblit, z. Agron Syla – Drejtues, z. Besnik H. Grajcevci – Solist i Parë, znj. Artiola Shala – Valltare, të cilët morën pjesë edhe në ceremoninë e hapjes në komunën Almeirim dhe me të cilët bashkë bëmë nderimin e flamurit të Kosovës në sheshin kryesor./ KultPlus.com

James Lasdun: Po fillon të dhembë

19 April 2025 at 13:36

James Lasdun (1958), poet dhe prozator anglez. Fitues i çmimin Dylan Thomas për tregim të shkurtër.

PO FILLON TË DHEMBË

Nga James Lasdun

‘E shijuat drekën, z.Bryar?’

‘E shkëlqyeshme’.

‘Te Sorley?’.

‘Jo, njëfarë… vendi kinez’.

‘Gruaja ju ka thirrur’.

Telefonoi në shtëpi: iu përgjigj gruaja.

‘Po ku dreqin je bre?’.

‘Më fal, loçkë. Një drekë hallakamë…’.

E çuditshme që po e rrente prapë. Dhe atë rreth një funerali!

‘Po vjen Tomi. Ndalu te Dalglieshi, a mundesh, dhe merr një salmon. Të egër, ë? Më mirë të shkosh menjëherë, në të vërtetë, se mos po iu harxhohen’.

Ishte korrik, verë që të piqte. Ai eci ngadalë, duke e kthyer në mendje ceremoninë në të cilën sapo kishte marrë pjesë. Në mesin e një gjysmë duzine të pjesëmarrësve në varrim, e kishte njohur vetëm avokatin që e kishte prezantuar me Marien dhjetë vjet më parë dhe po ai i kishte treguar për vdekjen e saj javën e kaluar.

Lajmi e kishte lënë pa fjalë: s’e kishte ditur se ajo kishte qenë e sëmurë, por edhe ashtu kishte pasur shtatë vjet që s’e kishte parë më. Po gjatë gjithë shërbimit s’kishte mundur t’i ndalte lotët.

Burri te Dalglieshi e nxori një peshk të gjatë sa krahu i tij nga poshtë një mbuloje leshterikësh dhe akulli.

‘Si thua?’.

‘Okay. A mundesh…’.

‘Ta qëroj dhe pastroj, zotëri?’.

‘Të lutem’.

Burri e çau për së gjati barkun e krijesës me një brisk të shkurtër dhe i hodhi të brendshmet e vesuara të verdheme në një kosh. Shpëlau rrjetën e blanuar nga paret e peshkut dhe mishit të kuq të brendshëm, mandej e mbështolli peshkun në letër dhe e futi në një qese plastike. Ishte gjashtë inç tepër i gjatë për frigoriferin e zyrës.

‘Kaqol’.

Shkoi poshtë në dhomën e stokut. Aty kishte çarqe tutkalli të vendosura përtokë plot me minj të ngordhur dhe brumbuj mbi ta, por ishte më freskët sesa sipër. Me vështirësi e vuri peshkun në sirtarin e një dollapi të vjetër të metaltë. Pjesën tjetër të pasdites me lajmërimet e reja të qirave. Duke djersitur dhe gulçuar mbërriti te Charing Cross me kohë që të merrte të gjashtë e dyzetëve.

Në tren, të mbushur dëng nga pushuesit e fundjavës, e gjeti veten duke menduar për Marien. Nganjëherë ajo e këndonte ndonjë këngë të pakuptimtë në veshin e tij, me gojën aq afër si të ishte duke i pëshpëritur ndonjë sekret. Ai mbante në mend vetminë e çuditshme të ekzistencës së saj në Londër; indiferencën e saj edhe më të çuditshme ndaj vetmisë së vet. Nuk mund t’ia lejonin vetes hotelet, kështu që e kishin zakon të shtireshin se ajo ishte një kliente, e interesuar për ndonjërën nga pronat të regjistruara te firma e tij. Në cilëndo shtëpi që hynin ishte një botë tjetër.

Të bënin dashuri në ‘një maisonetë viktoriane të orenduar në mënyrë të mrekullueshme’, ose ‘apartamentin e rehatshëm me kopsht’, ishte një aventurë në një seri jetësh të mundshme, secila me gëzimin e vet moskokëçarës: një pasdite ishin socialistë të kamur, të nesërmen një çift studentësh bohemianë… Për tri vjet ai ishte ndier njeriu më i lumtur i gjallë dhe më fatlumi. Marie kurrë s’i kishte kërkuar ta linte familjen e tij dhe ai e kishte konsideruar këtë, po ashtu, pjesë të fatit të tij.  

Po pastaj, krejt papritur, ajo i kishte dhënë fund. ‘Kam rënë në dashuri me ty’, ia kishte thënë ajo troç, ‘dhe po fillon të dhembë’.

Gruaja e tij ishte duke e pritur jashtë stacionit.

‘Ku është salmoni?’, pyeti ajo.

Një lemeri e papritur e përshkoi të tërin.

‘E… e kam lënë atje’.

Ajo u nis të largohej, pastaj ktheu kokën dhe ia nguli sytë për një moment.

‘Ti je budalla’, tha ajo. ‘Ti je një budalla i dreqit nga koka te këmbët’.

/Marrë nga James Lasdun, ‘It’s Beginning To Hurt’. Picador, 2010/Gazeta Express/ KultPlus.com

❌