Normal view

Presidenti shqiptar nuk fton asnjë përfaqësues politik të shqiptarëve të Medvegjës

By: ns
4 November 2022 at 21:36

Vetëm pak ditë nga mbyllja e regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë në Serbi, Presidenti Bajram Begaj ka pritur në zyrën e tij një delegacion shqiptar nga Lugina e Preshevës.

Në të delegacion kishte përfaqësues vetëm nga dy tre komunat me popullsi shqiptare, nga Komuna e Preshëvës dhe e Bujanocit, por jo nga ajo e Medvegjës.

Mungesa e ftesës për shqiptarët e kësaj komune të rëndësishme la përshtypje negative dhe është pritur me komente e reagime të forta.

Numri i popullsisë shqiptare në Medvegjë ka ardhur duke u ulur vitet e fundit, ndërkohë që Serbia po përpiqet të minojë identifikimin e shqiptarëve atje për ta deklaruar komunën me një popullsi të papërfillshme shqiptare.

Me këtë qëllim, autoritetet Serbe tentojnë ta anashkalojë atë me të gjitha format e mundshme. Fatkeqësisht të njëjtën gjë ka bërë edhe presidenti Begaj, duke u bërë pjesë e kësaj fushate të injorimit të Medvegjës.

“Kjo është pjesë e luftës hibride—thotë Muharrem Salihu, Kryetar i Forumit Shqiptar për Zhvillim Ekonomik në Serbi. Pjesëmarrja ka rëndësi të madhe e në këtë rast jetik për Medvegjën. Jo vetëm tani, por vazhdimisht Medvegja anashkalohet nëpër këto takime.”

Sami Salihu, Kryetari Kuvendit të Komunës në Preshevë i pranishëm në takimin me Presidentin Begej mendon se do ishtë një sinjal i mirë sikur të kishte të paktën një përfaqësues të pranishëm nga Medvegja.

“Vlerësoj nëse Presheva dhe Bujanoci këto momente po ndihen të entuziazmuar nga numri i banorëve dhe regjistrimi i fundit, jo pa dashje mund të them që Medvegja është në një zi përsa i përket regjistrimit—thotë i brengosur Salihu—duke pasur parasysh se në vitin 1981 atje jetonin afërsisht 6000 shqiptarë, kurse sot numri është për të ardhur keq dhe gjithë ajo krahinë shqiptare është spastruar.

Si duket tashmë është arritur qëllimi, por nuk është e hijshme që të mos ketë vëmendjen e shtetit shqiptar dhe të mos ketë as vëmendjen e politikës së Bujanocit dhe Preshevës,“ përfundon ai.

Edhe Kushtrim Kadriu, kryetari i Lëvizjes “Vatra” mendon se mungesa e një përfaqësuesi nga Medvegja është një gjë shumë e gabuar.

“Këtu shohim një krijim të madh të amullisë nga zyra e Presidentit të tanishëm të Republikës së Shqipërisë dhe mbi të gjitha fakti se mungesa e përfaqësuesve nga Medvegja është turpshme e papranueshme.”

Theksojmë se Medvegja është një komunë me një hapësirë territorial prej 524 km2 dhe synimi i qeverisë Serbe në shekuj ka qënë zaptimi i territoreve shqiptare duke reduktuar popullsinë shqiptare me të gjitha mënyrat e mundshme.

“Vetë fakti që nuk ftohet Medvegja që është gjysma e territorit nuk është aspak serioze, dhe ky takim nuk është aspak serioz”— thekson Muharrem Salihu.

“Presidenti i Republikës së Shqipërisë do duhej ta trajtonte këtë takim si një takim në prag të zgjedhjeve për Këshillin Nacional, pasi aty mbizotëronin përfaqësues të Këshillit dhe nuk mund ta trajtonte si një takim me përfaqësuesit nga Lugina e Preshevës me qëllim për të qarë hallet e shqiptarëve, pasi nuk ishte i tillë.

Nëse ata duan të vazhdojnë me kriterin e numrave, unë vazhdoj të insistoj me kriterin e sipërfaqeve, të territoreve sepse lufta po bëhet për terrritore dhe jo për njerëz,” përfundon Salihu.

The post Presidenti shqiptar nuk fton asnjë përfaqësues politik të shqiptarëve të Medvegjës appeared first on Exit | Shpjegon Shqipërinë.

Regjistrimi elektronik po legalizon krimin e pasivizimit të shqiptarëve në Serbi

By: ns
22 October 2022 at 19:11

Kanë mbetur vetëm disa ditë nga afati i fundit të regjistrimit elektronik të popullsisë në Serbi, i cili ka filluar në 1 tetor dhe përfundon në datën 31 tetor 2022, por për shqiptarët e pasivizuar ky është një fund tragjik, pasi ata po përjashtohen përfundimisht nga procesi i regjistirimit duke humbur kështu të gjitha të drejtat civile të garantuara me Kushtetutën e Serbisë.

Komiteti i Helsinkit, i cili e ka cilësuar pasivizimin e shqiptarëve si “Spastrimi etnik administrativ”  gjatë kësaj periudhe të regjistrimit të popullatës ka pranuar disa ankesa nga qytetarë të Serbisë me kombësi shqiptare të cilët nuk janë në gjendje të regjistrohen sepse “sistemi i regjistrimit” nuk i pranon.

Këta shqiptarë që sistemi i përjashton nga regjistrimi janë të gjithë shqiptarë të pasivizuar, të cilët jetojnë në Serbi apo jashtë saj dhe shumica prej tyre nuk kanë asnjëlloj dokument identifikimi.

Haki Hajminoviç, jeton si emigrant në Zvicër prej disa vitesh dhe që prej tre javësh ai është kthyer në vendin e tij, në Tupallë të Medvegjës dhe po qëndron aty për të bërë regjistrimin e tij dhe të familjes së tij si shtetas serb.
Së bashku me shqiptarë të tjetë të pasivizuar ai ka kërkuar që t’i bëhet regjistrimi por kjo nuk është pranuar nga regjistruesja pasi Hakiu rezulton i pasivizuar.

Hakiu në ato momente që i është refuzuar e drejta për tu regjistruar është revoltuar dhe për këtë arësye regjistruesja e ka denoncuar atë në polici me preteksitin se po e kërcënonte. Haki Hajminoviç tani rrezikon të përgjigjet edhe penalisht vetëm se pse ka kërkuar të regjistrohet.

Muharrem Salihu, Forumit Shqiptar për Zhvillim Ekonomik në Serbi (AFEDS) thotë se “shqiptarët e pasivizuar në Serbi janë të indinjuar thellësisht me përfaqësuesit e tyre, të cilët premtuan se do të regjistroheshin për të rikthyer adresat, ndërkohë atyre u mohohet kjo e drejtë elementare, si veprim i radhës për të mbuluar krimin e pasivizimit, i cili gjithashtu kishte për qëllim që të mbulonte krimin e deportimit të dhunshëm pas luftës në Kosovë.”

Komiteti i Helsinkit nga ana tjetër apelon që të gjendet një zgjidhje institucionale për zgjidhjen sa më të shpejtë të kësaj situate.
Ligji për Regjistrimin e Popullsisë, Familjeve dhe Banesave në vitin 2022, i cili u miratua nga Kuvendi Kombëtar më 7 Prill 2021, nuk përfshin shtetasit vendas të pasivizuar.

Ky ligj parashikon banesat dhe objektet e banuara si objekt regjistrimi, por, nuk parashikon pronarët e tyre – edhe nëse janë shtetas të Republikes së Serbisë.

Duhet të kemi parasysh që popullsisë shqiptare të Serbisë i është bërë një pasivizim sistematik prej shekujsh, por së fundmi pasivizimi ka filluar në kohën e luftës në Kosovë dhe vazhdon edhe tani.

Mijëra shqiptarë të pasivizuar jetojnë në Kosovë pa asnjë lloj dokumenti identifikimi dhe mijëra shqiptarë të tjerë të pasivizuar kanë marrë udhën e emigracionit në vende të ndryshme të Evropës dhe botës. Kjo gjë sipas Muharrem Salihut është krejtësisht e qëllimshme.

“Gjendja reale tani në Medvegjë dhe në komunat e tjera më shumicë shqiptarë është dramatike. Shqiptarët përfudimisht nuk do mund të regjistrohen dhe nuk të kemi në statistika numrin e saktë të shqitarëve që jetojnë këtu. Ky regjistrim është një mjet për të fshirë një herë e përgjithmonë popullsinë shqiptare nga këto troje.” përfundon Muharremi

The post Regjistrimi elektronik po legalizon krimin e pasivizimit të shqiptarëve në Serbi appeared first on Exit | Shpjegon Shqipërinë.

❌