Normal view

Reforma e re territoriale, Mazniku: Synojmë bashki të forta. Boçi: Sjell diskriminim

31 July 2026 at 16:45

Fetah Salliu 

Të premten bashkëkryetari i komisionit parlamentar për reformën administrativo- territoriale, deputeti i PS-së, Arbjan Mazniku, në një konferencë për shtyp,  ka argumentuar arsyet pse reforma territoriale duhet të shoqërohet me reduktimin e numrit të bashkive.

Një ditë më parë,  deputetët e grupit parlamentar të mazhorancës, anëtarë të Komisionit të posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale i kanë përcjellë kryetarëve të bashkive dhe këshillave bashkiakë propozimin e ri për Reformën Administrativo Territoriale, vetëm me firmën e tyre, pasi nuk u arrit konsensus me PD-në.  

Në mbështetje të propozimit, u paraqit edhe një projektligj “Për ndarjen Administrative Territoriale të Njësive të Qeverisjes Vendore të Republikës së Shqipërisë”.

Referuar propozimit zyrtar, ndarja e re territoriale sjell një reduktim të numrit të bashkive nga 61 në 46. 

Ndarja e re territoriale sipas propozimit të PS-së është: 12 qarqe, 46 Bashki, 71 qytete përbërëse dhe 387 Njësi Administrative. Por 20 bashki do të kenë më shumë se një qytet në përbërje. 

Bashkitë kanë afat 60 ditë që ta shqyrtojnë propozimin dhe ta konsultojnë me qytetarët. 

PS

“Asnjë shërbim nuk largohet nga territori, qytetari mund ta marri aty” – Arbjan Mazniku

Arbjan Mazniku deklaroi se, reforma territoriale synon të krijojë bashki më të forta financiarisht dhe funksionalisht, me kapacitet për të përfituar fonde europiane dhe për të përmirësuar shërbimet për qytetarët. 

Sipas tij, bashkimi i bashkive shihet si mënyrë për të konsoliduar planifikimin buxhetor, urban dhe ligjor, “duke rritur mundësitë për zonat me performancë të ulët” 

Përkundjret debatit që ka sjellë reduktimi në numër i bashkive nga 61 në 46, Mazniku u shpreh se asnjë shërbim nuk largohet nga territori, qytetari mund ta marrë shërbimet po aty. 

“Disa bashki kanë detyrime të prapambetura, për shembull Bashkia Kavajë. Ka bashki që punojnë më mire dhe ka bashki që punojnë pak më mire. Asnjë shërbim nuk largohet nga territori, qytetari mund ta marri aty. Elementët që konsolidohen janë: planifikimi buxhetor, urban, ligjor, ekonomik dhe kontraktual. 

Duke bashkuar dy zona me performancë të ulët nuk përfitojmë një performance më të mire. Bashkimi i Policanit me Beratin do të sjelli më shumë mundësi për Policanin. 

Ndarja Bashki – Qytet – Njësi Administrative ka qenë pjesë e dëgjesave publike në mbledhjet e Komisionit të Reformës Territoriale. Qytetarët e Policanit janë të Policanit. Një bashki nuk i ka të gjitha mundësitë t’i plotësojë kushtet, por kur bashkohen bashkë kanë kapacitetet e nevojshme. 

Me këtë reformë nuk pretendojmë se do ta rregullojmë të gjithë Shqipërinë, por synojmë të përmirësojmë infrastrukturën, shkollat etj. Fokusi kryesorë janë: Funksionet, kompetencat dhe financat”, tha Mazniku

PD kundër 

Ndryshe nga argumentet e Maznikut, bashkëkryetari demokrat në komisionin për reformën territoriale, deputeti Luçiano Boçi, tha se propozimi i socialistëve nuk është rezultat i një analize funksionale, por një vendim politik. “Është këngë e vjetër me muzikë të re. Është po e njëjta hartë që rrezikon të sjellë të njëjtat pasoja që sot i përjetojmë: diskriminim, mos-shërbim, mos-përfaqësim dhe mungesë autonomie”, tha Boçi.

“Është po e njëjta hartë që rrezikon të sjellë të njëjtat pasoja që sot i përjetojmë: diskriminim, mos-shërbim, mos-përfaqësim dhe mungesë autonomie” – Luçiano Boçi

Sipas tij, reforma duhet të nisë nga qytetari dhe jo nga numri i bashkive. “Një reformë territoriale ka për qëllim të rrisë funksionalitetin e pushtetit vendor, t’i shërbejë më mirë qytetarit dhe të garantojë zhvillim të njëtrajtshëm të territorit”, tha ai.

Boçi kundërshtoi bashkimet e propozuara nga PS, duke marrë si shembuj Librazhdin me Prrenjasin, Memaliajn me Tepelenën dhe Elbasanin me Cërrikun e Belshin. 

Sipas tij, këto vendime nuk kanë bazë ekonomike apo identitare, por lidhen me interesa politike. 

Kjo tezë u kundërshtua në anën tjetër nga Arbjan Mazniku.

“Nuk e ndikon fare ndryshimin e rezultatit të PS-së në nivel kombëtar. Këtu kemi të bëjmë me një synim për të përmirësuar eficencën e bashkive. Sot Elbasani, Cerriku dhe Belshi i administron PS. Kemi marrë 56-57% në zgjedhjet e fundit, nuk ka asnjë ndikim elektoral. Diskutimi elektoral është irrelevant, nuk ka asnjë ndikim. PS nuk është nisur në këtë reformë nga interesi i ofiqarëve të një bashkie apo tjetri. Por nga shërbime, si shkon më shumë ujë, si shtrohen më shumë rrugë. Interesi jonë, nuk ka qenë politika, por si e bëjmë që qytetarëve shqiptarë t’i ofrohen shërbime më të mira”, tha Mazniku.

The post Reforma e re territoriale, Mazniku: Synojmë bashki të forta. Boçi: Sjell diskriminim appeared first on Faktoje.al.

Konsullata serbe në Shkodër ndez debat, Ferit Hoxha për “Faktoje”: Prioriteti ynë, Lugina e Preshevës   

31 July 2026 at 13:06

Nga Fetah Salliu

“A ka reciprocitet mes 54 serbëve dhe 61.000 shqiptarëve!”, tha deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, të enjten e 30 korrikut,  referuar një deklarate të ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, sipas të cilit, me homologun shqiptar, Ferit Hoxha, është arritur një marrëveshje në parim për hapjen e zyrave konsullore në Shkodër dhe Bujanoc.

Tabaku i referohet regjistrimit zyrtar të vitit 2022 në Serbi që, sipas saj, numëron 61,687 shqiptarë, të përqendruar kryesisht në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, dhe censusit të 2023 të Shqipërisë për qarkun Shkodër ku numërohen të regjistruar zyrtarisht 54 serbë

“…Nuk mund të vendoset shenjë barazimi ndërmjet gatishmërisë së Serbisë për t’iu përgjigjur pozitivisht kërkesës shqiptare për një konsullatë në Bujanoc dhe hapjes së një konsullate serbe në Shkodër. Gatishmëria nuk është konsullatë e hapur dhe funksionale”, komentoi Tabaku.

Sipas saj, “reciprociteti nuk shpallet me deklarata, por provohet me të drejta të barabarta dhe masa konkrete”

Por, paralelisht në kohë, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, në një postim në platformën X sqaroi ndër radhë se, “reciprociteti nuk nënkupton domosdoshmërisht barazi në përmbajtje, në objektiva apo në interesat e secilës palë”.

Reciprociteti

Reciprociteti, sipas tij, është qasja mbi të cilën ndërtohet mirëkuptimi ndërmjet shteteve, “jo një masë mekanike me të cilën maten veprimet apo rezultatet”

Një përgjigje sqaruese kjo indirekte edhe për një tjetër qëndrim të mëvonshëm nga deputetja e PD-së, Albana Vokshi, e cila kërkoi dorëheqjen e ministrit Hoxha.

Sipas Vokshit, hapja e një konsullate justifikohet vetëm kur ekziston një komunitet i konsiderueshëm që ka nevojë për shërbime konsullore ose kur marrëdhëniet dypalëshe kërkojnë një prani shtesë diplomatike.

“Asnjë nga këto kushte nuk ekziston në Shkodër”, tha Vokshi.

Kundërshti edhe nga zëra të PS

 “Serbia në Shkodër ka marrë më shumë se një konsullatë”, u shpreh në anën tjetër ish-deputeti i PS-së, Pandeli Majko,  përmes një postimi në faqen e tij në Facebook.

Ish-Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati,  e cilësoi gabim strategjik dhe taktik. “Në planin strategjik do të ishte e gabuar. Një konsullatë e Serbisë në Shkodër nuk reflekton realitetin historik, peshën e pakicës serbe në zonë, dhe vendos padrejtësisht shenja barazimi me shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës.

Po aq e gabuar do të ishte edhe në planin taktik, teksa gjuha e zyrtarëve të lartë të Serbisë është në kulmin e ekstremitetit në raport me spastrimin etnik në Kosovë. Dhe një karshillëk ndaj Malit të Zi, kur dihet se Serbia nuk ka hequr dorë nga praktikat asimiluese ndaj pakicës malazeze që jeton në Shqipëri”, komentoi Bushati.

A ka të humbur?

Por, a ka të fituar apo të humbur në këtë marrëveshje paraprake ende jo konkrete, siç po e trajtojnë zëra të politikës në vend, por edhe në Kosovë? 

Lajmi fillimisht u mor vesh nga mediat në Kosovë që kishin përkthyer një deklaratë të ministrit për Punët e Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, e përcjellë pastaj edhe në mediat shqiptare

Më tej, lajmi mori përmasa të tjera në Kosovë duke u komentuar nga zëra të politikës atje si, “thikë pas shpine për Kosovën dhe jo akt diplomatik” e duke shkuar deri tek ideja “për një projekt politik serbomadh

Reagimi

Në një rrëfim ekskluziv, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka sqaruar për “Faktoje” (i ftuar në një podcast për FIMI-n) arsyet për rëndësinë e hapjes së konsullatës shqiptare në Luginën e Preshevës si dhe mbi mundësinë e hapjes së një konsullate të Serbisë në Shkodër dhe pse ka reciprocitet në këtë kërkesë.

Ku jemi me bisedimet?

Fillimisht, ministri Hoxha sqaron për “Faktoje” se aktualisht ka vetëm një dakordësi në parim mes Shqipërisë dhe Serbisë. 

“…As ka marrëveshje, as ka letra të nënshkruara, as ka letra të bëra. Ka një proces të tërë, që kalon përmes notave verbale etj etj., qoftë për të përcaktuar territorin, për të përcaktuar perimetrin e veprimtarisë, për të përcaktuar numrin e personave, për të gjetur ndërtesën, një numër i tërë vërprimesh që duhen bërë”.

Në gjithë këtë proces, Ministri Hoxha e sheh rëndësinë tek te drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Gjithë shqiptarëve në Shqipëri, në Maqedoninë e Veriut, në Kosovë dhe në Malin e Zi, në një mënyrë ose në një tjetër, ose janë në pushtet dhe jetojnë vetë, kanë jetën politike, ekonomike, institucionale, gjithëçka, të gjithë aspektet janë të përshirë. Të vetmit që nuk janë të përshirë, të vetmit që janë një pakicë në masë të madhe e neglizhuar me probleme dhe me të drejta nganjëherë të cënuara janë shqiptarët në Luginën e Preshevës.

Për t’i ndihmuar dhe sesi të mbrojnë të drejtat e tyre duke qenë qytetarë të atij vendi, i takon shtetit pritës të thotë se ku do ta hapësh sepse i di më mirë unë interesat e tua sesa ti”, tha ai

Arsyet e Serbisë

“Unë nuk e di për çfarë e do konsullatën Serbia. Kur të na e thotë do ta analizojmë. Mbase e do për udhëtarët. Janë 130.000 serbë që vijnë e pushojnë në plazhet tona, një numër prej tyre shkojnë në Velipojë. Mbase e do për tu kujdesur për ata. Është në tagrin e saj, është në të drejtën e saj, të çdo vendi që të përcaktojë se përse i do konsullatat”, u përgjigj ministri Hoxha.

Marrëdhëniet mes dy vendeve 

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme nuk sheh problematikë, sa kohë që marrëdheniet mes dy vendeve (Shqipëri-Serbi) janë korrekte.

 “Përsa kohë që ne kemi marrëdhëniet diplomatike, përsa që kohë që nuk kemi asnjë element të vërtetuar apo të supozuar apo të dyshuar për veprimtari të cilat shkojnë në kundërshtim me interesat e vendit tonë, ne nuk kemi pse të kundërshtojmë hapa të tillë diplomatik të njohur. 

Në momentin kur kemi elementë të tillë qoftë për individët apo dhe përfaqësitë ju e dini që merren masa ose bëhen non grata ose edhe mbyllen”, tha ai, duke marrë si shembull ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin katër vite më parë pas sulmit kibernetik ndaj vendit tonë.

Thënë këtë, ministri Hoxha e vuri theksin tek fakti se, Shqipëria e sheh diplomacinë dhe politikën e jashtme si investimin më të mirë për bashkëpunimin rajonal, me synimin për ta afruar rajonin drejt integrimit evropian

The post Konsullata serbe në Shkodër ndez debat, Ferit Hoxha për “Faktoje”: Prioriteti ynë, Lugina e Preshevës    appeared first on Faktoje.al.

❌