Normal view

Mes bojkotit, reklamës dhe pikëpyetjeve për efektin ekonomik, YE ndez debat publik në Tiranë

9 July 2026 at 17:24

Nga Jona Cenameri

Dy ditë para koncertit të Kanye West në Tiranë, në rrjete sociale po bëhen thirrje për bojkot, ndërsa sot pati edhe një protestë para Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit kundër financimit të eventit me para publike.

Shkak u bë një kthesë në qëndrimin e qeverisë: koncerti që në maj u prezantua si event privat, pa fonde buxhetore shtesë, u mbështet më 6 korrik me 400 milionë lekë nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.

Ministria

Në informacionin zyrtar që shpërndau për mediat në 25 maj, ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit e paraqiti eventin si “tërësisht privat”. 

Sipas ministrisë, koncerti do të financohej dhe menaxhohej nga bashkëpunimi mes kompanisë ndërkombëtare Streetlife dhe partnerit Redcloud në Tiranë.

Në të njëjtin dokument thuhej se organizatorët do të mbulonin kostot për infrastrukturën e përkohshme, produksionin artistik dhe realizimin teknik të koncertit.

“Është e rëndësishme të theksohet se për këtë projekt nuk ka fonde buxhetore të angazhuara shtesë; angazhimi i shtetit mbetet në rrafshin e kontributeve institucionale dhe mbështetjes logjistike”, thuhej në informacionin e ministrisë.

Në atë fazë, ministria e paraqiste rolin e shtetit si mbështetje për koordinim, siguri, logjistikë dhe mbarëvajtje, jo si financues të eventit.

Çfarë tha Blendi Gonxhja?

Të njëjtën linjë mbajti edhe ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja. Më 1 maj, ai deklaroi publikisht se shteti nuk do të mbulonte kostot e organizimit të eventit.

“Asnjë fond i shtetit shqiptar nuk shkon për organizimin e eventit, skenën dhe gjithë logjistikën e koncertit. Mbështetja jonë është në kapacitete njerëzore, për pjesën jashtë dhe të mbarëvajtjes së eventit”, u shpreh Gonxhja.

Pas miratimit të aktit normativ, ministri pranoi se qëndrimi fillestar kishte ndryshuar.

“Ne nuk e kishim parashikuar me financim shtetëror në fillim, por ne jemi këtu, ne jemi prezentë, ne gjykojmë, ne shikojmë në rast se ka një kërkesë. Dhe kur kjo kërkesë vjen, ne shikojmë një rrezik, ne shikojmë një humbje dhe ne shikojmë që duhet ta garantojmë eventin, sepse të mirat që marrim nga eventi janë shumë më të mëdha sesa minusi”, tha ai në një intervistë televizive.

Gonxhja kundërshtoi cilësimin se paratë janë marrë nga fondi i emergjencave.

“Ky nuk është fond, le të themi, i fatkeqësive natyrore apo i fatkeqësive kombëtare. Ky është, fare thjesht, fondi rezervë i qeverisë shqiptare”, tha ministri.

Sipas tij, vendimi nuk prek fonde të spitaleve apo programeve të tjera.

“Nuk është prekur fondi i askujt spitali, i askujt programi, i askujt, në asnjë lloj forme”, deklaroi Gonxhja.

Çfarë vendosi qeveria?

Më 6 korrik 2026, Këshilli i Ministrave miratoi Aktin Normativ nr. 3, “Për financimin e pjesshëm të organizimit të një aktiviteti kulturor-turistik me përmasa ndërkombëtare”.

Akti normativ mbështetet në nenin 101 të Kushtetutës. Ky nen parashikon se Këshilli i Ministrave, “në rast nevoje dhe urgjence”, mund të nxjerrë akte normative me fuqinë e ligjit për marrjen e masave të përkohshme. 

Në nenin 1 të aktit parashikohet financimi i pjesshëm i koncertit të Kanye West, që do të zhvillohet në Tiranë më 11 korrik 2026, në masën 400 milionë lekë.

Në nenin 2 përcaktohet se kjo shumë pakësohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit dhe i shtohet Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit në zërin “Transferta të brendshme”, programi “Zhvillimi i turizmit”. Akti autorizon ministrinë të nënshkruajë marrëveshjen me kompaninë organizatore të eventit për disbursimin e fondit.

Relacioni

Relacioni shoqërues e justifikon aktin me nevojën dhe urgjencën. Sipas dokumentit, eventi ka ndikim në promovimin e turizmit dhe të imazhit të Shqipërisë.

Dokumenti pranon se organizatorët nuk kishin aplikuar më parë për mbështetje financiare sipas procedurave standarde të parashikuara në ligjet për artin, kulturën dhe turizmin. Sipas relacionit, kjo situatë e bëri të nevojshëm përdorimin e aktit normativ.

“Nevoja për ndërhyrje financiare ka lindur si pasojë e krijimit të një situate objektive dhe të paparashikueshme gjatë fazës së organizimit të aktivitetit, e cila ka sjellë rritje të konsiderueshme të kostove dhe nevojën për përmbushjen e disa detyrimeve kontraktore me rëndësi thelbësore për realizimin e tij”, thuhet në relacion.

Urgjenca e paraqitur nga qeveria nuk lidhet me rrezikun që koncerti të mos realizohej.

“Urgjencën e teston Gjykata Kushtetuese”

Konstitucionalistja Migena Leskoviku thotë se, nga ana formale, akti normativ ka bazë kushtetuese, pasi neni 101 i jep qeverisë kompetencën të nxjerrë akte normative me fuqinë e ligjit në raste nevoje dhe urgjence. Por, sipas saj, debati qëndron te mënyra si është interpretuar urgjenca në këtë rast.

Leskoviku sqaron fillimisht se fondi i përdorur nuk është fond emergjencash civile.

“Akti e ka cilësuar taksativisht: 400 milionë lekët merren nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, jo nga fondi i emergjencave”, shprehet ajo.

Sipas saj, fondi rezervë mund të përdoret për emergjenca apo për raste të veçanta, përfshirë aktivitete apo evente me rëndësi të caktuar, por kjo nuk e shmang pyetjen kryesore: a përbën ky rast “nevojë dhe urgjencë” në kuptimin kushtetues?

“I vetmi problem në këtë rast është interpretimi: a jemi në kushtet e nevojës dhe urgjencës? Kompetencën Këshilli i Ministrave e ka, por a është i vlefshëm ky akt në kuptimin e përmbajtjes dhe justifikimit të urgjencës, këtë mund ta thotë vetëm Gjykata Kushtetuese”, thotë Leskoviku.

Sipas saj, një ankimim në Gjykatën Kushtetuese do të ishte testi real për aktin, por edhe për shoqërinë civile dhe aktivistët që po e kundërshtojnë vendimin.

“Pa një vendim të Gjykatës Kushtetuese jemi në analizë. Një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese do të kishte shumë vlerë për të parë si qeveria e përdor këtë kompetencë përjashtimore që i ka dhënë Kushtetuta”, përfundon Leskoviku.

Rama

Kryeministri Edi Rama e pranoi publikisht ndërhyrjen financiare të shtetit pas daljes së aktit normativ.

“Që në fillim ne kemi firmosur vetëm një letër gatishmërie si mikpritës, ku kemi garantuar përveç mikpritjes sigurisht, siguri dhe mbështetje logjistike, duke theksuar se nuk marrim përsipër asnjë angazhim financiar. Asnjë angazhim financiar!” deklaroi Rama.

Më pas, ai shpjegoi arsyen pse qeveria vendosi të ndërhyjë.

“Por si i bëhet kur je i detyruar ‘in extremis’, të ndërhysh siç bëmë faktikisht vetëm mbrëmë, me 4 milionë euro, për të mos lejuar anulimin e një koncerti të shumëpritur dhe turpërimin e Shqipërisë”, tha kryeministri.

Në një tjetër reagim publik, Rama shkroi se 4 milionë eurot u dhanë “në minutën e fundit” për të mos turpëruar Shqipërinë “në sytë e afro 25 mijë të huajve nga 80 shtete” që, sipas tij, kishin blerë bileta për koncertin. Sipas Ramës, eventi pritet të gjenerojë jo më pak se 100 milionë euro të ardhura.

Sa qëndron argumenti ekonomik?

Qeveria e ka justifikuar financimin publik me efektin ekonomik dhe turistik të koncertit. Por deri tani nuk është bërë publike një analizë kosto-përfitim që të tregojë sa bileta janë shitur në total, sa prej tyre janë blerë nga shtetas të huaj, sa net-qëndrime priten, sa shpenzime do të gjenerohen dhe sa të ardhura fiskale mund t’i kthehen buxhetit.

Në informacionin fillestar të ministrisë argumentohej se një projekt me 60 mijë spektatorë mund të gjeneronte një qarkullim ekonomik prej rreth 100 milionë eurosh, përmes efektit multiplikator.

Sipas ministrisë, nëse 60 mijë njerëz shpenzojnë mesatarisht 500-1000 euro, përfshirë biletën, fjetjen dhe ushqimin, shifra mund të arrijë në 30-60 milionë euro. Ministria argumentonte gjithashtu se çdo 1 euro e shpenzuar nga turistët mund të kthehet në 2-2.5 euro qarkullim total në ekonomi.

Revista ekonomike “Monitor” ka raportuar të dhëna që e vendosin këtë pritshmëri në pikëpyetje.

Sipas “Monitor”, kompania organizatore RedCloud kishte bërë të ditur se deri në fund të majit ishin shitur rreth 25 mijë bileta. Po sipas “Monitor”, pragu që koncerti të rezultonte ekonomikisht i leverdishëm ishte rreth 40 mijë bileta, ose 67% e kapacitetit.

Biletat për koncertin variojnë nga 120 deri në 339 euro, ndërsa organizatorët kanë deklaruar një çmim mesatar prej 240 eurosh. “Monitor” ka llogaritur se, në rast shitjeje të plotë, të ardhurat nga biletat do të arrinin rreth 14-15 milionë euro, ndërsa vetëm pagesa e artistit është deklaruar në rreth 7 milionë euro.

Sipas “Monitor”, interesi nga sponsorët vendas ka qenë i ulët, për shkak të paketave të sponsorizimit prej 250-300 mijë euro dhe hezitimit të kompanive për shkak të imazhit kontrovers të artistit.

Në terren, në sportelin pranë sheshit “Skënderbej”, çmimi më i ulët i biletës ishte 120 euro. Punonjësja e sportelit nuk kishte informacion mbi numrin e biletave të shitura apo të mbetura. Ajo tha se shitja do të vijonte edhe më 9 korrik, ndërsa nuk ishte e sigurt nëse sporteli do të qëndronte hapur edhe më 10 korrik, një ditë para koncertit. Sipas saj, qarkullonin informacione se çmimet mund të uleshin deri në momentin e fundit.

Argumentet  

Ekspertja e ekonomisë, Irena Beqiraj, thotë se mbështetja financiare për aktivitete të artit, kulturës apo turizmit duhet të kalojë përmes procedurave standarde të vlerësimit dhe jo përmes një akti normativ të miratuar në ditët e fundit.

“Relacioni nuk ka asnjë matje të interesit publik, përfitimeve ekonomike, turistike dhe promovuese të aktivitetit. Mjaftohet me shprehjen pa asnjë kuptim ekonomik e financiar:‘efekt i theksuar turistik”, thotë Beqiraj.

Sipas saj, nëse qeveria do të kishte një përllogaritje reale për ndikimin ekonomik, ajo duhej të paraqitej në relacionin e aktit normativ.

“Nëse një llogaritje e ndikimit përfundimtar ekonomik do të ekzistonte, ajo do të shpjegohej me shifra në relacionin e aktit normativ, duke filluar me të dhënat e kapacitetit, përqindjen e vizitorëve jashtë qytetit dhe multiplikatorin ekonomik”, argumenton Beqiraj.

Për Beqirajn, shifra prej 100 milionë eurosh e përmendur nga kryeministri nuk është shifër zyrtare, për sa kohë nuk gjendet në dokumentacionin që shoqëron aktin.

“Ndërsa relacioni nuk përmban asnjë përllogaritje apo vlerësim sasior, qoftë edhe një shifër të vetme të ndikimit në ekonomi të këtij eventi, Kryeministri e deklaron atë në Facebook”, thotë ajo.

Turizmi

Përfaqësues të sektorit të turizmit japin vlerësime të ndryshme mbi efektin e koncertit.

Zak Topuzi, kryetar i Shoqatës së Operatorëve Turistikë, thotë se hotelet në Tiranë dhe Durrës kanë pasur prenotime për datat e koncertit dhe se interesi ka ardhur kryesisht nga rajoni.

“Janë interesuar dhe kanë prenotuar hotelet e Tiranës e Durrësit prej një muaji dhe ato data kanë qenë të zëna. Klientët kanë qenë nga Maqedonia e Veriut, Greqia dhe Kosova”, thotë Topuzi për Faktoje.

I pyetur nëse këto prenotime lidhen me koncertin apo me sezonin veror, Topuzi përgjigjet se datat ishin prenotuar përpara se hotelet të mbusheshin nga sezoni. Sipas tij, kjo lidhet me koncertin.

Operatori turistik Besnik Vathi thotë se nuk mund të nxirren përfundime pa të dhëna të plota.

“Në parim, çdo event është jashtëzakonisht me efekt për rritjen dhe diversifikimin e turizmit. Por nuk i kam të dhënat se sa është rritur prenotimi në hotele apo shërbimet e tjera”, thotë Vathi për Faktoje.

Sipas tij, për të matur efektin duhen të dhëna nga hotelet dhe një krahasim me javët e tjera.

“Nuk besoj se ka ndonjë që të nxjerrë konkluzione pa pasur shifra totale të Tiranës”, shton ai.

Ndryshimi i narrativës

Për pedagogun e komunikimit dhe ekspertin e hapësirës publike, Ervin Goci, problemi qëndron te ndryshimi i narrativës zyrtare.

“Narrativa mund të gjykohet nga pikëpamja e komunikimit kur ndryshon stili dhe forma e një mesazhi, por kur bëhet fjalë për të portretizuar realitetin dhe ripropozuar faktet, këtu kemi të bëjmë me manipulim”, thotë Goci për Faktoje.

Sipas tij, debati nuk lidhet vetëm me koncertin, por me raportin mes pushtetit, parasë publike dhe transparencës.

“Kjo aferë e radhës rikonfirmon që qeveria sot ekziston si hallkë e ndërmjetme e transferimit të punës dhe djersës së qytetarëve te klientët e tyre”, shprehet ai.

Si lexohet vendimi 

Prof.Dr. Fatos Tarifa e lexon këtë vendim në kontekstin e mosbesimit të qytetarëve ndaj qeverisë.

“Kjo qeveri dhe ky kryeministër kanë humbur tërësisht besimin e publikut. Këtë besim e kanë humbur për shkak të sjelljes së tyre për një kohë të gjatë, duke dhënë premtime që nuk i mbajnë”, thotë Tarifa.

Sipas tij, financimi i koncertit me para publike në një periudhë protestash e rrit irritimin qytetar.

“Një gjë e panevojshme financohet nga shteti në një kohë kur vendi ka mungesa të shumta në fushën e shëndetit publik, në fushën e arsimit, ka pensione të vajtueshme për një pjesë të madhe të pensionistëve”, argumenton Tarifa për “Faktoje”.

Bojkot, reklama dhe bileta falas

Thirrjet për bojkot në rrjetet sociale u shoqëruan me kritika nga figura publike, gazetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile, që kërkuan llogari për përdorimin e fondeve publike për një koncert në një periudhë protestash.

Në ditët e fundit para koncertit, krahas shitjes online dhe në sportel, në rrjete sociale kanë qarkulluar edhe mesazhe për shpërndarje biletash falas.

Në një screenshot të një mesazhi të shpërndarë në rrjet, thuhej se nxënësve me arritje të veçanta do t’u jepeshin bileta falas për koncertin e Kanye West.

Më 5 korrik, biznesmeni Gjergj Luca njoftoi shpërndarjen e 200 biletave falas për maturantë dhe nxënës të shkëlqyer nga Shkodra dhe Elbasani. Ai u bëri thirrje edhe miqve të tij të bënin të njëjtën gjë.

Në sportelin e shitjes së biletave pranë sheshit “Skënderbej”, punonjësja tha për Faktoje se kishte dëgjuar që mund të jepeshin bileta për nxënës të shkëlqyer, por nuk kishte informacion zyrtar mbi këtë praktikë.

Qarkullimi i këtyre mesazheve dhe rritja e dukshme e reklamimit të koncertit në ditët e fundit nuk provojnë në vetvete se shitjet kanë qenë të dobëta. Por, në mungesë të të dhënave zyrtare mbi numrin e biletave të shitura, ato shtojnë pyetjet mbi ecurinë reale të shitjeve dhe mënyrën e shpërndarjes së biletave.

The post Mes bojkotit, reklamës dhe pikëpyetjeve për efektin ekonomik, YE ndez debat publik në Tiranë appeared first on Faktoje.al.

Pacientët e spitalit psikiatrik të Elbasanit, pa analiza laboratorike

9 July 2026 at 12:00

Nga Jona Cenameri

Denoncimet publike për mungesën e analizave laboratorike për pacientët e Spitalit Psikiatrik “Sadik Dinçi” në Elbasan kanë rikthyer në vëmendje mënyrën se si sigurohen ekzaminimet mjekësore për personat e shtruar në këtë institucion.

Pas deklarimeve se pacientët nuk merrnin shërbime laboratorike prej gati tre vitesh, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale i tha Faktoje se Spitali Psikiatrik Elbasan bashkëpunon me Spitalin Rajonal Elbasan për ekzaminimet laboratorike, konsultat e specializuara dhe shërbimet e tjera diagnostike të nevojshme për pacientët e shtruar.

Në përgjigjen zyrtare, ministria bëri me dije gjithashtu se në Spitalin Psikiatrik Elbasan po realizohet një investim që parashikon edhe krijimin e një laboratori të brendshëm. Deri në përfundimin e këtij investimi dhe vënien në funksion të plotë të laboratorit, sipas MSHMS-së, nevojat laboratorike dhe diagnostike të pacientëve do të vijojnë të mbulohen përmes bashkëpunimit me Spitalin Rajonal Elbasan.

Çështja u ngrit publikisht më 11 prill 2026, kur përfaqësuesi i shoqërisë civile Gentjan Sejrani deklaroi se “prej gati tre vitesh rreth 300 pacientë”, të shtruar kronikë në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit, nuk merrnin shërbim analizash kur kishin sëmundje apo probleme të tjera shëndetësore.

Sipas Sejranit, pjesa më e madhe e këtyre pacientëve janë persona me sëmundje kronike të shëndetit mendor, ndërsa shumë prej tyre janë të braktisur nga familjet. 

Ai e paraqiti mungesën e analizave si mungesë të kujdesit bazë për një kategori pacientësh që kanë nevojë për vëmendje të vazhdueshme.

Në të njëjtën datë, drejtori i Spitalit Psikiatrik “Sadik Dinçi” në Elbasan, Zenun Bullari, u shpreh se aktualisht pacientët shtrohen në spital pasi vijnë të shoqëruar me analiza biokimike. Sipas tij, vetëm në rastet urgjente analizat kryhen pranë Spitalit Rajonal Elbasan, pasi ky shërbim mungon në Spitalin Psikiatrik.

Denoncimi u përsërit më 26 prill 2026. Sejrani tha se informacionin për mungesën e analizave e kishte marrë nga punonjës të Spitalit Psikiatrik “Sadik Dinçi” në Elbasan, të cilët, sipas tij, nuk kishin guxim ta bënin publik. Ai deklaroi se personeli mjekësor e kishte kontaktuar dhe i kishte thënë se, në disa raste, punonjësit kishin paguar vetë që pacientët të kryenin analiza në laboratorë privatë.

“Nëse Ministria e Shëndetësisë më nxjerr një kontratë të nënshkruar midis saj dhe Spitalit Psikiatrik ‘Sadik Dinçi’ në Elbasan për të ofruar analiza për këta pacientë, unë mbaj përgjegjësi”, u shpreh Sejrani.

Çështja u përmend edhe më 19 prill 2026, gjatë një mbledhjeje të Partisë së Lirisë, ku folën deputetë dhe anëtarë të grupit parlamentar të kësaj force politike. Në takim, mjeku Gentian Çala deklaroi se Spitali Psikiatrik i Elbasanit ishte lënë jashtë koncesionit të laboratorëve.

“Spitali më i madh psikiatrik në vend nuk bënte analiza sepse ishte lënë jashtë koncesionit të laboratorëve”, tha Çala. Ai shtoi se kjo situatë kishte vënë në vështirësi edhe mjekët, pasi sipas tij nuk kishin mundësi t’u kryenin analiza pacientëve.

Çala solli edhe një shembull nga përvoja e tij, duke thënë se kur dërgonte pacientë nga Pogradeci në Elbasan, i dërgonte me analiza të kryera paraprakisht. Sipas tij, kjo bëhej sepse kolegëve në spital “u vinte keq” t’u kërkonin pacientëve t’i kryenin analizat në privat.

Për Faktoje, psikiatri Neli Demi e vendosi këtë çështje në kontekstin më të gjerë të funksionimit të shërbimeve të shëndetit mendor në vend. Ai tha se spitalet psikiatrike duhet të shërbejnë për stabilizimin e pacientëve në krizë dhe jo si vendqëndrim afatgjatë për persona me probleme kronike të shëndetit mendor.

Demi theksoi se, në sfondin e sëmundjeve mendore, problemet shëndetësore organike shpesh mund të kalojnë pa u vënë re dhe pa u ekzaminuar siç duhet. Duke iu referuar lajmeve të fundit në rrjetet sociale për mungesë kontrate të Spitalit Psikiatrik të Elbasanit me laboratorët prej tre vitesh, ai tha se, nëse kjo qëndron, do të përbënte një problem serioz administrativ dhe institucional.

“Lajmet e fundit në rrjetet sociale flasin për një mungesë kontrate të spitalit të Elbasanit me laboratorët prej tre vitesh, pra këta individë që shtrohen në spitalin e Elbasanit nuk marrin shërbime laboratorike. Për mendimin tim ky është një skandal jo vetëm administrativ”, tha Demi për Faktoje.

Faktoje iu drejtua Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale për të marrë një sqarim zyrtar mbi mënyrën se si sigurohen analizat laboratorike për pacientët e shtruar në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit.

Në përgjigje, ministria tha se çështjet që lidhen me organizimin e brendshëm të shërbimeve, funksionimin e strukturave përkatëse dhe të dhënat specifike operative administrohen nga vetë Spitali Psikiatrik Elbasan dhe mund t’i adresohen drejtpërdrejt këtij institucioni.

Megjithatë, MSHMS sqaroi (pas ankimimit të kërkesës nga Faktoje) se Spitali Psikiatrik Elbasan bashkëpunon me Spitalin Rajonal Elbasan për sigurimin e ekzaminimeve laboratorike, konsultave të specializuara dhe shërbimeve të tjera diagnostike të nevojshme për pacientët e shtruar.

“Spitali Psikiatrik Elbasan bashkëpunon me Spitalin Rajonal Elbasan për sigurimin e ekzaminimeve laboratorike, konsultave të specializuara dhe shërbimeve të tjera diagnostike të nevojshme për pacientët e shtruar, duke garantuar vazhdimësinë dhe cilësinë e kujdesit shëndetësor”, thuhet në përgjigjen e ministrisë për Faktoje.

Ministria shtoi se, në kuadër të politikave për forcimin e kapaciteteve të institucioneve shëndetësore, aktualisht po realizohet një investim në Spitalin Psikiatrik Elbasan, i cili parashikon edhe krijimin e një laboratori të brendshëm.

“Deri në përfundimin e këtij investimi dhe vënien në funksion të plotë të laboratorit, nevojat laboratorike dhe diagnostike të pacientëve do të vijojnë të mbulohen nëpërmjet bashkëpunimit me Spitalin Rajonal Elbasan, në përputhje me procedurat dhe nevojat klinike të institucionit”, thuhet më tej në përgjigjen e MSHMS-së.

Investimi në Spitalin e ri Psikiatrik të Elbasanit u bë publik në gusht të vitit 2024 nga ministrja e Shendetësisë në atë kohë, Albana Koçiu. Ajo e përshkroi projektin si “një strukturë të re jo vetëm moderne, por edhe funksionale sipas koncepteve bashkëkohore të menaxhimit spitalor”.

Sipas njoftimit, godina do të ishte 3270 metra katrorë dhe do të akomodonte 70-80 pacientë, me 26 dhoma, 2 mensa dhe 2 dhoma rekreacioni.

“Mbetemi të angazhuar për të investuar në shëndetin, mirëqenien dhe dinjitetin e qytetarëve. Shëndeti mendor është një prioritet kritik për shoqërinë në tërësi”, deklaronte ministrja.

Nga përgjigjja e MSHMS-së për Faktoje rezulton se Spitali Psikiatrik i Elbasanit nuk ka ende një laborator të brendshëm në funksion të plotë. Ministria thotë se analizat laboratorike dhe shërbimet e tjera diagnostike për pacientët e shtruar mbulohen përmes bashkëpunimit me Spitalin Rajonal Elbasan, ndërsa laboratori i brendshëm pritet të vihet në funksion pas përfundimit të investimit.

MSHMS nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjes nëse Spitali Psikiatrik i Elbasanit ka mbetur jashtë koncesionit të laboratorëve dhe si janë kryer analizat e pacientëve gjatë periudhës së pretenduar në denoncimet publike. 

Ministria nuk dha as të dhëna se sa analiza laboratorike janë raportuar si të kryera gjatë vitit të fundit për këtë spital dhe nuk specifikoi cilat lloje analizash kryhen brenda institucionit. Për të dhënat operative, ministria e referoi Faktojen tek vetë Spitali Psikiatrik Elbasan.

The post Pacientët e spitalit psikiatrik të Elbasanit, pa analiza laboratorike appeared first on Faktoje.al.

❌