Normal view

Rikthimi i protestës para Kuvendit me bilanc më të rëndë, 23 të shoqëruar

2 July 2026 at 16:44

Nga Jona Cenameri 

Protesta para kryeministrisë u rikthye sërish këtë të enjte para Kuvendit, në ditën e saj të 33-të, me një nivel më të lartë tensioni se tubimet e mëparshme.

Pas përplasjes së parë të 30 qershorit para Parlamentit, protesta e sotme u zhvillua nën masa të shtuara sigurie dhe u shoqërua me konfrontime mes protestuesve dhe policisë, sulme me vezë e miell ndaj deputetëve, përdorim uji dhe spraji për shpërndarjen e turmës, si dhe shoqërimin e 23 personave në polici.

Që në mëngjes, godina e Kuvendit ishte rrethuar me gardhe metalike, forca të shtuara policie, automjete të blinduara dhe autobot me ujë, ende pa nisur zyrtarisht protesta, masa që shtriheshin deri tek ministria e Brendshme

Masat  

Tubimi ishte paralajmëruar për në orën 10:00, por qytetarët nisën të mblidheshin më herët pranë Parlamentit dhe në pedonalen përreth.

Thirrja “Parlamenti i krimit” mbizotëroi gjatë gjithë protestës, ndërsa herë pas here dëgjoheshin edhe slogane si “Bashkohuni me ne”, “Arrestoni Ramën”, “Rama burg, Berisha burg”, “Nuk na përfaqësoni” dhe “Opozitë e shitur”.

Protesta nuk kishte vetëm një ritëm. Në disa momente ajo ngjante si tubim i organizuar me thirrje politike kundër qeverisë; në të tjera, si një përplasje e vështirë për t’u kontrolluar mes qytetarëve, policisë dhe deputetëve që hynin ose dilnin nga Kuvendi.

Moskoordinimi

 Aktivistë dhe protestues bënë vazhdimisht thirrje kundër dhunës, duke kërkuar që përballja të mos ishte me policinë, por me institucionin dhe deputetët. Megjithatë, tensioni, mungesa e koordinimit dhe provokimet në terren bënë që këto thirrje të mos mjaftonin për të shmangur përshkallëzimin.

Tensionet nisën që me mbërritjen e deputetëve për seancën plenare. Disa prej tyre u përballën me protestuesit pranë hyrjeve të Kuvendit, në lokale rreth Parlamentit dhe në zonën e Toptanit, ku u kritikuan ose u qëlluan me vezë e miell.

foto nga protesta e dates 2 korrik (LSA)

Përplasjet

Makina e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, u godit po ashtu me vezë e miell, ndërsa konfrontime pati edhe me deputetë të tjerë të mazhorancës dhe opozitës, teksa hynin ose dilnin nga Parlamenti apo ndodheshin në ambientet përreth.

Deputetët e Partisë Demokratike që hynë në Kuvend nuk u qëlluan me vezë apo miell, por u pritën me thirrje si “Nuk na përfaqësoni” dhe “Opozitë e shitur”. Tensione pati edhe ndaj figurave të tjera opozitare që iu afruan protestës, mes tyre Adriatik Lapaj dhe Redi Muçi, të cilëve disa protestues u kërkuan të largoheshin.

Disa protestues arritën të afroheshin brenda perimetrit të sigurisë pranë Kuvendit, nga ku nisën të qëllonin me vezë drejt deputetëve socialistë. Pas ndërhyrjes së policisë, disa persona u shoqëruan.

Deri në këtë fazë të raportimit, 23 persona janë shoqëruar nga Policia e Shtetit dhe janë dërguar në disa komisariate të Tiranës, mes tyre Komisariati nr. 1, nr. 3 dhe nr. 4. Nga të dhënat e mbledhura deri më tani, raportohet gjithashtu për 9 efektivë policie të lënduar gjatë përplasjeve.

Numri i qytetarëve të lënduar nuk mund të përcaktohet ende me saktësi. Nga pamjet e protestës janë parë momente përplasjeje dhe përdorimi force nga policia ndaj protestuesve, ndërsa disa qytetarë thanë se ndaj tyre është përdorur gaz lotsjellës dhe spraj me piper. Disa prej tyre shfaqën shqetësime gjatë tubimit dhe u ndihmuan me ujë nga të pranishmit. Në të paktën një rast, një efektiv policie u pa duke i ardhur në ndihmë një protestuesi të moshuar.

Pamjet nga protesta tregojnë episode dhune dhe përdorimi force nga më shumë se një drejtim. Në disa video shihen protestues që godasin me sende të forta dhe thyejnë një makinë policie, ndërsa në pamje të tjera shihen efektivë që godasin me shkop gome një protestues teksa e kanë vënë poshtë. Këto episode u pasuan me akuza të ndërsjella për përdorim dhune gjatë protestës.

Foto gjate protestes 2 korrik (LSA)

Thirrjet

Në të njëjtën hapësirë ku ndodhën përplasjet, pati edhe momente që tregonin kompleksitetin e situatës në terren. Disa protestues u kërkonin policëve “t’i bashkoheshin popullit”. Pak metra më tej, të tjerë protestues kërkonin të mos hidhej më gurë ndaj policisë, ndërsa turma zhvendosej herë drejt gardheve metalike, herë drejt rrugëve anësore dhe komisariateve.

“E kemi me Parlamentin, jo me policinë”, u dëgjua të thuhej mes protestuesve, ndërsa të tjerë bënin thirrje: “Jo me gurë policisë” dhe “Jo me mjete të forta”.

Por situata u përshkallëzua kur protestuesit u konfrontuan me policinë dhe hoqën një pjesë të gardhit metalik. Në drejtim të efektivëve u hodhën vezë, shishe dhe gurë. Policia përdori ujë dhe spraj për të shpërndarë protestuesit dhe për të mundësuar daljen e deputetëve dhe ministrave nga ambientet e Kuvendit.

Shoqërimet

Pas shoqërimeve, protesta u shpërnda në disa pika të Tiranës. Një pjesë e qytetarëve u drejtuan drejt komisariateve ku ndodheshin të shoqëruarit, duke kërkuar lirimin e tyre.

Aktivistë dhe protestues u bënë thirrje të pranishmëve të filmonin dhe raportonin vetë nga terreni, duke argumentuar se linjat editoriale të disa mediave nuk po pasqyronin, sipas tyre, të gjithë dinamikën e protestës. Kjo bëri që shumë prej zhvillimeve të ditës të qarkullonin paralelisht në rrjete sociale përmes videove të qytetarëve dhe pamjeve nga media.

PD  

Ndërkohë, brenda Kuvendit, seanca plenare nisi me rreth 30 minuta vonesë dhe u zhvillua pa praninë e deputetëve të Partisë Demokratike. Deputetët demokratë hynë fillimisht në Parlament, por më pas u larguan, në zbatim të vendimit të grupit parlamentar për bojkotimin e seancës.

Grupi parlamentar i PD-së e argumentoi bojkotin me refuzimin e mazhorancës për të futur në kalendar katër projektligje që, sipas opozitës, lidhen drejtpërdrejt me kërkesat e protestuesve: shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike, shfuqizimin e “Paketës së Maleve” dhe shfuqizimin e disa dispozitave të ligjit për trashëgiminë kulturore.

Sipas demokratëve, mazhoranca kishte refuzuar më herët edhe kërkesën për debat parlamentar mbi protestën dhe mbi rezolutën e Parlamentit Europian për Shqipërinë. PD argumentoi se zhvillimi i seancës nën masa të shtuara policore dhe pa adresuar kërkesat e qytetarëve e dobëson rolin përfaqësues të Parlamentit.

Në sallë ishin deputetët e mazhorancës dhe deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi. Ky i fundit tha se i vinte turp të hynte në Kuvend ndërsa jashtë protestuesit thërrisnin “Parlamenti i krimit” dhe kërkoi dorëheqjen e mazhorancës.

PS

Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, dënoi aktet e dhunës ndaj policisë dhe deputetëve socialistë, ndërsa tha se Kuvendi do të vijojë të ushtrojë mandatin deri në vitin 2029. Ai pretendoi se protesta po merrej peng nga individë me precedentë penalë dhe nga ndikime të huaja, ndërsa shtoi se mazhoranca është e gatshme të dialogojë me ata që i quajti “protestuesit e vërtetë”.

“Jo sot, por çdo ditë, deri në maj 2029 ky Kuvend do vazhdojë të ushtrojë mandatin që i kanë besuar qytetarët”, tha Balla.

Seanca parlamentare  

Seanca plenare u mbyll rreth dy orë më pas, me miratimin vetëm me votat e socialistëve të tre projektligjeve dhe një projektrezolute, mes tyre ndryshimet për funksionimin e administratës shtetërore, ndryshimet në ligjin për Shërbimin Informativ Kombëtar dhe marrëveshjen e garancisë me BERZH për projektin e nënstacionit të OSHEE-së në Tiranë.

Reagimet

Pas përplasjeve, reagimet politike u ndanë mes dënimit të dhunës ndaj policisë dhe deputetëve nga përfaqësues të mazhorancës, dhe akuzave të opozitës për dhunë policore ndaj protestuesve.

Kryeministri Edi Rama shkroi se “protesta e bukur e qytetarisë, atdhedashurisë, pastërtisë” i kishte lënë vendin “filmit të vjetër të konfliktit, sherrit e dhunës”, duke bërë dallimin mes qytetarëve që, sipas tij, protestuan për kauza të drejta dhe atyre që u përfshinë në akte dhune.

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, vizitoi në Spitalin e Traumës dy efektivë policie të lënduar gjatë përplasjeve dhe e cilësoi goditjen ndaj tyre si sulm ndaj shtetit dhe rendit kushtetues.

Nga ana tjetër, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi policinë për dhunë ndaj protestuesve dhe kërkoi lirimin e menjëhershëm të personave të shoqëruar. Berisha publikoi pamje të një protestuesi të dëmtuar dhe pretendoi se ndaj qytetarëve janë përdorur gaz lotsjellës, spraj dhe mjete të tjera për shpërndarjen e tyre.

Protesta e 2 korrikut shënoi një tjetër moment tensioni në raportin mes qytetarëve protestues, Kuvendit dhe forcave të rendit. Në krahasim me tubimin e 30 qershorit, sot ndryshimi kryesor ishte prania më e fortë policore që para nisjes, përplasjet më të gjera në zonën përreth Parlamentit, përdorimi i ujit dhe sprajit për shpërndarjen e protestuesve, si dhe bilanci më i rëndë i shoqërimeve.

The post Rikthimi i protestës para Kuvendit me bilanc më të rëndë, 23 të shoqëruar appeared first on Faktoje.al.

I pabazë ky transport i padenjë i viktimave gjatë Haxhit

2 July 2026 at 16:40

Pretendimi: Kjo video tregon se çfarë ndodh me trupat e njerëzve që vdesin në pelegrinazhin mysliman të Haxhit

Verdikti: E paprovuar

————————————————————

Një video që po qarkullon në rrjetet sociale shqipfolëse pretendohet se tregon si transportohen trupat e personave që vdesin gjatë pelegrinazhit të Haxhit që kryhet nga besimtarët myslimanë. Në imazhe shfaqen disa punonjës në një aeroport që po ngarkojnë thasë të bardhë në bagazhin e një avioni. Video shoqërohet me komente fyese të lexuesve të ndryshëm.

Megjithatë, për të mbështetur këtë pretendim nuk sillet ndonjë provë, burim apo referencë.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme është postuar fillimisht në TikTok më 2 maj 2026.

Video është postuar pa përshkrim, dhe askund në postim nuk përmendet pelegrinazhi i Haxhit apo trupat e vdekur.

Siç kanë vërejtur shumë komentues në videon origjinale, bazuar në pamjen e formave që po transportohen, punonjësit nuk po ngarkojnë kufoma në avion, por copa mishi të ngrira, të cilat mund të jenë kurbane që dhurohen nga vende myslimane me rastin e festave fetare. Transporti i trupave njerëzorë, aq më tepër në vendet arabe me temperatura të larta, kryhet me arkivolë të mbyllur apo pajisje frigoriferike.

Një nga tubimet më të mëdha fetare në botë, Haxhi është një nga pesë shtyllat e Islamit. Çdo mysliman që është në gjendje duhet ta kryejë atë të paktën një herë në jetën e tij. Çdo vit, Meka pret miliona besimtarë. Të moshuarit janë më të ndjeshëm ndaj nxehtësisë gjatë haxhit, dhe shumë prej tyre humbasin jetën. Një nga traditat historike dhe i konsideruar si një nder për besimtarët myslimanë është varrimi pranë Mekës i atyre pelegrinëve që humbin jetën gjatë këtij udhëtimi të shenjtë.

The post I pabazë ky transport i padenjë i viktimave gjatë Haxhit appeared first on Faktoje.al.

Sistemi famëkeq HAARP i fajësuar edhe për valën e të nxehtit në Europë

2 July 2026 at 15:39

Pretendimi: HAARP është shkaku i temperaturave të larta në Francë, Itali dhe Spanjë, si dhe i tërmetit që goditi Venezuelën në qershor 2026

Verdikti: E paprovuar

——————————————————————

Ndërsa Europa përballet me një valë rekordthyese të nxehti, në rrjetet konspiracioniste, përfshi ato shqipfolëse, faji për motin vdekjeprurës po i vishet sistemit famëkeq HAARP. Ky i fundit fajësohet njëkohësisht edhe për tërmetin që vrau mbi 2 mijë persona në Venezuelë më 24 qershor.

Si zakonisht, për të mbështetur këtë pretendim të jashtëzakonshëm nuk sillet ndonjë provë, burim apo referencë, aq më pak e jashtëzakonshme.

Megjithëse postimi i mësipërm pretendon se Franca, Italia dhe Spanja janë shënjestruar me valën e të nxehtit sepse kanë “kritikuar ashpër regjimin diktatorial të Netanyahut,” nxehtësia ekstreme theu rekorde temperaturash në një sërë vendesh të tjera evropiane, përfshi Gjermaninë, Poloninë, Republikën Çeke, Sllovakinë dhe Hungarinë.

Sipas meteorologëve, vala e të nxehtit po nxitet nga një masë ajri të nxehtë që lëviz në veri nga Saharaja, e nxitur nga një sistem i fortë me presion të lartë i njohur si “anticiklon afrikan.”

Sistemi me presion të lartë ka krijuar një të ashtuquajtur “kupolë nxehtësie”, e cila bllokon ajrin e nxehtë mbi Evropën Perëndimore dhe Qendrore, duke lejuar që temperaturat të rriten ditë pas dite.

Ekspertët thonë se ndryshimi i klimës i shkaktuar nga njeriu ka intensifikuar temperaturat, duke e bërë valën rekord të të nxehtit të këtij viti deri në 4 gradë Celsius më të nxehtë.

Ndërkaq, projekti studimor shkencor amerikan i quajtur HAARP është një projekt i përbashkët i Forcave Ajrore Amerikane dhe Marinës Amerikane i kijuar në vitin 1993, i cili i ka kaluar më vonë Universitetit të Alaskës Fairbanks (UAF) në vitin 2015.

HAARP shfaqet shpesh në narrativat konspiracioniste si një veprimtari djallëzore që përfshin shkaktimin e tërmeteve, uraganëve, përmbytjeve, thatësirave, stuhive, ndërprerjeve të energjisë, rrëzimit të avionëve apo sëmundjeve.

Karakteristika e tij kryesore është një transmetues me frekuencë të lartë që përdoret për të studiuar jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. Duke analizuar se si valët e radios ndërveprojnë me elektronet në jonosferë, studiuesit në HAARP janë në gjendje të studiojnë fenomene, të tilla si efektet e aurora borealis, ose dritat veriore, në sistemet radio dhe komunikimet e avionëve në lartësi të mëdha.

HAARP ka si objekt studimi dhe eksperimentimi jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. Gati të gjithë fenomenet e motit ndodhin më poshtë jonosferës, në troposferë. Kështu, HAARP nuk ka si të ndikojë në fenomenet e motit.

Që në krijimin e tij, HAARP ka qenë në shënjestrën e teorive konspirative. Fakti që puna studimore që kryen HAARP nuk është lehtësisht e kuptueshme nga publiku i gjerë, bën që këtij projekti t’i vishen fuqi mbinatyrore. Në 2016, dy burra nga Georgia, ShBA, u arrestuan me një arsenal masiv armësh. Ata kishin në plan të shkatërronin HAARP sepse besonin se instituti kërkimor manipulonte motin, kontrollonte mendjet e njerëzve, madje edhe rrëmbente shpirtra.

Sipas shkrimtarit të shkencës, Mick West, “mënyra për të përgënjeshtruar teoritë konspirative rreth HAARP është të përpiqesh t’i shpjegosh njerëzve ekzaktësisht çfarë HAARP bën. Shpjegoi se është thjesht një radiotransmetues që është në Alaskë dhe mund të ndikojë vetëm në një sasi të vogël ajri mbi të. Shpjegoji se fuqia e përdorur nga ky radiotransmetues është shumë shumë e vogël krahasuar me çfarë do të duhej për të bërë disa nga gjërat që po pretendohen.”

Faktoje ka përgënjeshtruar dhe më parë pretendime lidhur me sistemin HAARP.

The post Sistemi famëkeq HAARP i fajësuar edhe për valën e të nxehtit në Europë appeared first on Faktoje.al.

Gen Z në protestë, qeveria shpërblen mbi 777 mijë pensionistë me 5 mijë lekë dhe afron indeksimin

2 July 2026 at 14:43

Nga Esmeralda Topi

Pas një muaji protestash masive në bulevard, ku spikasin të rinjtë e gjeneratës Z, qeveria ndërmori një seri masash në favor të pensionistëve. Për herë të parë u vendos një bonus prej 5 mijë lekësh në mesin e vitit për rreth 777 mijë pensionistë, ndërsa u afrua me tre muaj edhe indeksimi i pensioneve.

Bonusi është një praktikë që qeveria e ka aplikuar prej vitesh, por zakonisht është shpërndarë në fund të vitit. Këtë herë, ai u dha në korrik me premtimin se do të ketë edhe për vitin e ri një tjetër. Sipas ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, fondet janë siguruar falë ecurisë së mirë të ekonomisë.

“Një bonus për pensionistët, ky do të jetë bonusi i verës me vlerë 5 mijë lekë, i cili do të jepet për 777,200 qytetarë”, deklaroi Ibrahimaj.

Qeveria vendosi edhe afrimin e indeksimit të pensioneve. Në vend që të kryhej në tetor, siç ishte parashikuar, indeksimi hyri në fuqi më 1 korrik.

“Kjo është bërë e mundur me një fond shtesë prej rreth 872 milionë lekësh”, deklaroi ministri i Financave, Petrit Malaj, pas mbledhjes së qeverisë.

Indeksimi prej 2.7% dhe bonusi prej 5 mijë lekësh nisën të shpërndahen më 1 korrik. Sipas të dhënave zyrtare, vetëm ditën e parë bonusin e verës e tërhoqën mbi 33 mijë pensionistë.

Ne foto: Kryeministri Edi Rama ne takimin me pensionistet

Rama mohon lidhjen me protestat

Një ditë pas nisjes së shpërndarjes së bonusit, kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me pensionistë, ku mohoi se vendimi ishte ndikuar nga protestat e javëve të fundit, njësoj siç kishte mohuar vitin e kaluar se bonusi kishte lidhje me zgjedhjet.

“Këta thonë që qeveria, Edi Rama, Partia Socialiste kapet pas pensionistëve se ata i ka kështu kollaj. Në fakt, të vetmit që i bien lapsit në Shqipëri janë pensionistët. Këta që i bien Instagramit me gisht, nuk e di deri në çfarë pike arrijnë të logjikojnë. Vjet ju thanë: ‘Bonusi i pranverës është për zgjedhjet’. Pastaj ju thanë: ‘Do jua rrisin, por nuk do ju japin bonusin e fundvitit”, u shpreh Rama.

Sipas kryeministrit, bonusi nuk lidhet me zhvillimet politike, por me angazhimin e qeverisë për të mbështetur pensionistët sa herë që e lejojnë financat publike.

“Një komponent që ne nuk e kishim parashikuar ishte rritja e të ardhurave nga rritja e çmimit të naftës. U rrit çmimi i naftës dhe, vetiu, u rritën edhe të ardhurat nga taksat. E gjithë ajo pjesë që erdhi nga rritja e çmimit për shkak të luftës do ta merrni ju, do ta marrin pensionistët”, tha Rama.

Megjithatë, edhe pse mohoi lidhjen mes bonusit dhe protestave, një pjesë e konsiderueshme e takimit iu kushtua pikërisht reagimeve ndaj tyre.

“Patjetër që ne po përpiqemi ta lexojmë si duhet mesazhin, sepse protesta nuk është vetëm ajo që thuhet. Protesta është edhe ajo që nuk thuhet, edhe për mirë, edhe për keq”, deklaroi kryeministri.

Vendim i mirë, por me lexim politik

Ekspertët e ekonomisë e mirëpresin mbështetjen financiare për pensionistët, por vlerësojnë se koha dhe mënyra e miratimit të saj e bëjnë të pashmangshëm interpretimin politik.

 “Një paketë e tillë fiskale miratohet përmes Aktit Normativ dhe në një moment tensionesh të dukshme shoqërore. Krijohet përshtypja se politika po reagon më shumë ndaj klimës së pakënaqësisë sesa ndaj një strategjie të qëndrueshme afatgjatë”, thotë Eduard Gjokutaj për Faktoje.

Sipas tij, bonusi prej 5 mijë lekësh dhe indeksimi me 2.7% përbëjnë një lehtësim të përkohshëm, por nuk adresojnë problemin strukturor të pensioneve.

“Në një moment kur debati publik kërkon më shumë transparencë, konsultim dhe besim institucional, përdorimi i mekanizmave të përshpejtuar vendimmarrës dhe shpërndarja e masave selektive mban gjallë perceptimin e një politike që menaxhon presionin social në vend që të adresojë shkaqet e tij”, argumenton ai.

Pensionet mbeten larg kostos së jetesës

Ekonomistja Irena Beqiraj kujton se gjatë 13 viteve të fundit politikat e qeverisë për pensionistët janë mbështetur kryesisht në tre instrumente: indeksimin sipas inflacionit, bonusin e fundvitit dhe rritja fikse prej 1,800 lekësh për pensionet e plota urbane nën 40 mijë lekë, si dhe 800 lekë për pensionet në zonat rurale nga ky vit.

Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht pensioni mesatar i pleqërisë është rreth 20,666 lekë në muaj në qytet dhe 12,107 lekë në muaj në fshat. 

“Në të njëjtën kohë, paga bazë e një deputeti në Kuvend arrin në 310,250 lekë në muaj, pa përfshirë dietat, shpenzimet e karburantit, telefonit dhe përfitimet e tjera.

Edhe duke marrë në konsideratë vetëm pagën bazë, raporti i saj me pensionin mesatar në qytet është rreth 15 herë më i lartë, ndërsa me pensionin mesatar në fshat arrin në 25 herë më i lartë”, argumenton Beqiraj.

Sipas saj, pensionistët përballen me një kosto jetese gjithnjë e më të lartë: çmime që, sipas Eurostat, janë 103.8% e mesatares europiane, shpenzime të konsiderueshme shëndetësore që paguhen nga xhepi, si edhe kosto për transportin, komunikimin dhe aksesin në plazhe publike.

“Këto të dhëna tregojnë që socialistët, edhe pse u lodhën duke punuar për pensionistët, kanë arritur të mendojnë vetëm për vete”, përfundon Beqiraj.

Përfundim 

Nisur nga të dhënat zyrtare dhe verifikimi i kryer, deklaratën e ministres Delina Ibrahimaj se ”ky do të jetë bonusi i verës me vlerë 5 mijë lekë, i cili do të jepet për 777,200 qytetarë”, e kategorizojmë të vërtetë.

The post Gen Z në protestë, qeveria shpërblen mbi 777 mijë pensionistë me 5 mijë lekë dhe afron indeksimin appeared first on Faktoje.al.

❌