Normal view

Pikat e forta dhe dobësitë e protestës në ditën e 19

18 June 2026 at 18:27

Kur një grup aktivistësh mjedisi u mblodhën në Zvërnec më 16 maj për të kundërshtuar punimet në Peizazhin e Mbrojtur Pishë Poro-Nartë, pak kush do të kishte parashikuar se disa javë më vonë protesta do të mbushte sheshet e Tiranës, do të përhapej në qytete të tjera brenda dhe jashtë vendit, dhe do të detyronte kryeministrin të thyente heshtjen me reagime të vazhdueshme.

Sot, në ditën e saj të 19-të, protesta është kthyer në një nga lëvizjet qytetare më të qëndrueshme të viteve të fundit. Por çfarë e ka mbajtur gjallë dhe cilat janë kufijtë e saj?

Forca kryesore

Për analistin Andi Bushati, përgjigjja nuk gjendet vetëm te mbrojtja e një zone të mbrojtur. “Kjo protestë ka shumë mangësi”, thotë ai, duke renditur mungesën e liderëve, përbërjen heterogjene dhe mesazhet shpesh kontradiktore. Megjithatë, sipas Bushatit, pikërisht ajo që duket si dobësi është bërë forca kryesore e lëvizjes.

“Ata kanë si qëllim t’i japin fund autokracisë, për të rikthyer demokracinë. Prandaj sloganet kryesore janë ‘Rama dorëhiqu’, ‘Rama ka maru’ dhe thirrjet kundër kryeministrit dhe shefit të opozitës që ngritën së bashku këtë sistem me ndryshimet radikale kushtetuese të vitit 2008. Pikërisht kjo është forca që e bën bashkë atë larushi individësh aq të ndryshëm, pasja e objektivave të thjeshta, si rikthimi i demokracisë dhe fundi i pushtetit personal,” pohon Bushati për “Faktoje”.

Në këtë këndvështrim, revolta që nisi për Zvërnecin shkon përtej një shqetësimi mjedisor. Ajo po interpretohet si simbol i një pakënaqësie më të gjerë ndaj mënyrës se si merren vendimet publike dhe funksionojnë institucionet në Shqipëri. Bushati argumenton se shumë protestues ndjenë se nuk kishin më asnjë kundërpeshë institucionale ku të mbështeteshin.

“Jo vetëm pushteti që kish ngritur telat me gjëmba dhe po bëhej gati për një investim jo transparent, por edhe opozita ishte pushtuar nga një heshtje varri edhe pjesa dërrmuese e mediave tradicionale e censuruan ngjarjen. Edhe diplomatët e huaj luajtën rolin sikur asgjë nuk po ndodhte”.

Pikërisht kjo ndjenjë izolimi, sipas tij, shpjegon energjinë e protestës. Dhe ky rebelim është forca reale e këtij revolucioni”, thekson Andi Bushati. 

Element interesant

Edhe për analistin Lutfi Dervishi, elementi më interesant i ‘Revolucionit të flamingove’ nuk është numri i protestuesve.

“Në ditën e 19-të, avantazhi më i madh i ‘revolucionit të flamingove’ nuk është numri i njerëzve në shesh, por rezistenca dhe fakti që ka mbijetuar më gjatë se sa parashikonin kundërshtarët dhe skeptikët e tij e ndoshta edhe vetë nismëtarët/organizatorët”.

Në një vend ku protestat shpesh shuhen brenda pak ditësh, vazhdimësia është bërë lajm në vetvete. Dervishi sheh si avantazh të madh faktin që protesta nuk është perceptuar si pronë e një partie politike.

“Kjo e ka bërë më të vështirë diskreditimin/kapjen e saj dhe më të lehtë identifikimin e qytetarëve me të”.

Ai vëren gjithashtu se vetë reagimi i qeverisë tregon se protesta ka prodhuar efekt.

“Fakti që kryeministri po jep shpjegime, po ndryshon narrativën dhe thotë se qeveria do të nxjerrë mësime, do të thotë se protesta po jep rezultat”.

Sfida

Por Dervishi paralajmëron se sfida më e madhe ende nuk ka ardhur.

“Rreziku me të cilën ndeshet protesta është konsumimi. Pushteti pret që protestuesit të lodhen dhe të përçahen dhe koha është aleati natyror i çdo qeverie dhe armiku natyror i çdo proteste”, argumenton Lutfi Dervishi për Faktoje.

Një analizë të ngjashme ofron edhe Erjon Tase nga Akademia e Studimeve Politike. Sipas tij, vlera më e madhe e protestës është se ka treguar se shoqëria shqiptare nuk ka rënë në apati.

“Në sheshe kanë dalë të rinj që nuk kanë votuar kurrë, profesionistë që nuk kanë qenë pjesë e protestave dhe qytetarë që nuk identifikohen me asnjë parti”.

Kjo e bën lëvizjen më autentike dhe më të besueshme. Kërkesat që janë artikuluar deri tani – transparencë, llogaridhënie, mbrojtje e pasurisë publike dhe e mjedisit – sipas Tases nuk janë as të majta dhe as të djathta.

“Ato janë kërkesa të një shoqërie që kërkon normalitet”. Megjithatë, ai sheh edhe dobësinë kryesore. “Mungesa e strukturës organizative”.

Sipas Tases, pa një grup organizator, pa objektiva të qarta dhe pa aleanca me shoqërinë civile, sindikatat apo grupet profesionale, protesta rrezikon të konsumojë energjinë e saj pa prodhuar ndryshim afatgjatë. Një tjetër element i rëndësishëm është komunikimi me faktorin ndërkombëtar. Tase sjell në vëmendje rastin e studentëve serbë, të cilët ndërtuan kanale të qëndrueshme komunikimi me partnerët ndërkombëtarë për të dokumentuar dhe shpjeguar pretendimet e tyre.

Paradoksi

Për pedagogun Ermal Hasimja, paradoksi i protestës është se pika e saj më e fortë dhe më e dobët është e njëjta.

“Protesta nuk ka përfaqësues dhe kjo mundëson që kushdo të identifikohet me të”.

 Por mungesa e përfaqësimit e bën të vështirë përkthimin e energjisë qytetare në rezultat politik.

“Në protestë ka shumë zhgënjim, shpresë, arsye, populizëm dhe dëshirë për ndryshim pozitiv. Ka gjithçka nga pak”

Ndoshta pikërisht kjo përzierje emocionesh shpjegon pse lëvizja vazhdon të tërheqë njerëz kaq të ndryshëm. Ndërkohë, pas 19 ditësh, protesta nuk ka arritur ende objektivat e vetshpallura; nga dorëheqja e kryeministrit e deri tek anullimi i ndryshimeve të ligjit për zonat e mbrojtura. Kryeministri Rama vijon ta mbrojë investimin e planifikuar në Zvërnec si një mundësi historike zhvillimi dhe ka përsëritur se nuk largohet duke kujtuar votat që e kanë sjellë në pushtet për të qeverisur vendin.

Fitorja

Por, siç vëren Dervishi, suksesi i një proteste nuk matet vetëm me rrëzimin e një qeverie apo me anulimin e një projekti.

“Ndonjëherë fitorja nis kur ndryshon klimën politike”.

Dhe nëse ka një gjë për të cilën bien dakord të katër analistët, është se kjo protestë e ka prodhuar një ndryshim të tillë: ka thyer ndjenjën e pafuqisë, ka rikthyer pjesëmarrjen qytetare në qendër të debatit publik dhe ka treguar se edhe në një shoqëri të lodhur nga zhgënjimet, aftësia për t’u mobilizuar nuk është zhdukur.

Pyetja që mbetet është nëse kjo energji do të arrijë të organizohet dhe të mbijetojë përtej momentit që e solli në rrugë.

The post Pikat e forta dhe dobësitë e protestës në ditën e 19 appeared first on Faktoje.al.

 Tirana qelbet erë

18 June 2026 at 10:29

Tirana qelbet erë

Mes vapës, ujërave të zeza dhe impiantit të braktisur në Kashari, Lana
rrjedh sot si kolektori i hapur i Tiranës

Nga Esmeralda Topi
Fotografitë: Atdhe Mulla

Fund maji në Tiranë nisi me vapë të menjëhershme. Termometri kaloi mbi 30 gradë, ndërsa përgjatë lumit Lanë era e rëndë u rikthye, si këmbanë e një krize mjedisore të tejzgjatur.

Në vend të një lumi që duhej të sillte freski, Lana që rrjedh mes përmes kryeqytetit, është kthyer në një kolektor të madh të ujërave të zeza të Tiranës. E vetmja gjë e bukur që mbetet është gjelbërimi përgjatë brigjeve, që këtë vit ka shpërthyer për shkak të shirave të shumtë që shoqëruan dimrin.

“Lumi i Lanës kalon mes përmes kryeqytetit por që në fakt është një kolektor i ujërave të zeza apo ujërave të përdorura të të gjithë qytetit. Kjo është për të ardhur keq, sepse ka kohë e kohë të tëra që ka funksionuar kështu”, thotë për Faktoje hidrobiologu Olsi Nika, duke e përshkruar realitetin që sot është i dukshëm për këdo që ecën pranë lumit.

“Është e dukshme se cili është ndotësi kryesor, janë ujërat e përdorura. Jo vetëm ato që dalin nga tualetet, pra ujërat e zeza, por edhe ujërat e përdorura nga çdo njësi apo aktivitet ekonomik që shpesh herë ka edhe ndotës me metale të rënda” shpjegon Nika.

“Është e dukshme se cili është ndotësi kryesor, janë ujërat e përdorura. Jo vetëm ato që dalin nga tualetet, pra ujërat e zeza, por edhe ujërat e përdorura nga çdo njësi apo aktivitet ekonomik që shpesh herë ka edhe ndotës me metale të rënda” shpjegon Nika. 

Përgjatë rrjedhës tuba të shumtë derdhin ujërat e përdorura dhe aromat e pakëndshme janë të pranishme kudo. 

“Janë aromat e gjeosminave, mbetjeve fosfate e nitrate. Janë substanca kimike që jo vetëm krijojnë erën e pakëndshme, por edhe dëmtojnë shëndetin tonë” argumenton hidrobiologu. 

“Ky është një problem i mprehtë sepse ka të bëjë me cilësinë e jetës së njerëzve. Është një lumë lehtësisht i aksesueshëm nga kushdo, në çdo kohë. Ndoshta edhe nga fëmijët që mund të kontaminohen e infektohen shpejt”, shton Nika. 

Një lumë që proteston

Në mes të këtij peizazhi të ndotur, një instalacion i vendosur buzë lumit shfaqet si një thirrje e fortë: “Enough Is Enough”. Parrulla e shkruar në anglisht duket si zëri i vetë lumit, një protestë kundër degradimit që i është bërë ndër vite.

Në Lanë, dominon ndotja kimike, por nuk mungojnë as mbetje plastike që lundrojnë sipërfaqes, materiale të ngurta të hedhura pa kujdes pranë Pallatit me Shigjeta.

Lana_Ndotja_Lumi_TR_052
Lana_Ndotja_Lumi_TR_051
Lana_Ndotja_Lumi_TR_053
Lana_Ndotja_Lumi_TR_043
Lana_Ndotja_Lumi_TR_046

“Ujërat patjetër që duhet të trajtohen. Jo vetëm në Tiranë, por kudo në Shqipëri. Ne sot nuk kemi një impiant trajtimi të ujërave të përdorur efiçent që mbulon Bashkinë e Tiranës. Madje edhe vetëm Impianti nuk mjafton, por duhet e gjithë infrastruktura mbështetëse”, përfundon hidrobiologu Olsi Nika, duke e kthyer thirrjen e tij në një apel urgjent për zgjidhje.

Impianti i Kasharit, projekti i lënë rrugës

Përtej brigjeve të Lanës, kriza e ujërave të ndotura lidhet drejtpërdrejt me mungesën e një impianti. Faktoje ka hulumtuar historinë e Impiantit të Kasharit, një projekt i nisur me bujë dhe i lënë në mes, që sot është kthyer në simbol të degradimit.

Impianti i ujrave te zeza_Kashar_008
Impianti i ujrave te zeza_Kashar_027
Impianti i ujrave te zeza_Kashar_010
Impianti i ujrave te zeza_Kashar_021
Impianti i ujrave te zeza_Kashar_003

Ky impiant, i financuar me kredi të butë nga Banka Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), u kontraktua për 81 milionë euro dhe deri në ndërprerjen e kontratës në vitin 2018 ishin kryer rreth 70% e punimeve, me një kosto prej 56 milionë euro. Vendimi i Ministrisë së Infrastrukturës për ta ndërprerë kontratën në mënyrë të njëanshme solli jo vetëm degradimin e objektit, por edhe një faturë shtesë prej 13.5 milionë euro dëmshpërblim pas vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit Ndërkombëtar.

Sot, në vend të një impianti që duhej të trajtonte mbi 94 mijë metra kub ujë të ndotur në ditë, Kashari është një kantier i braktisur, i ruajtur vetëm nga kontrata të mirëmbajtjes dhe roje fizike. Ndërkohë, ujërat e zeza vazhdojnë të derdhen pa trajtim në Lanë dhe lumin e Tiranës, duke e transferuar ndotjen më tej në Ishëm e Adriatik.

Impianti i Kasharit, projekti i lënë rrugës

Historia e impiantit të Kasharit, të lënë rrugës dhe të kthyer në një kantier të braktisur, u rikthye në vëmendje të politikës nga deputeti socialist i Tiranës, Erion Braçe, gjatë seancës së fundit parlamentare. 

“Tirana po hyn në ditët, javët edhe muajt ku qelbet erë.
Ta themi siç është” deklaroi Braçe

“Tirana po hyn në ditët, javët edhe muajt ku qelbet erë. Ta themi siç është” deklaroi Braçe, duke përmendur temperaturat e larta, mungesën e reshjeve dhe rënien e prurjeve në lumenjtë e Tiranës si faktorë që e përkeqësojnë situatën.

Braçe iu referua një letre të UKT-së, ku pranohet se ujërat e ndotura derdhen në Lanë, lumin e Tiranës dhe me gjasë në Erzen. Për të, ky fakt ishte llogaria më e qartë e dështimit të projektit në Kashar. Një impiant i nisur, i ndërprerë dhe i pazgjidhur, që sot e lë kryeqytetin pa mbrojtje mjedisore dhe shëndetësore.

Nga ana tjetër, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, pranoi vonesat, por deklaroi se projekti është drejt zgjidhjes.

“Aktualisht jemi në fazën që konsulenti ka përfunduar rishikimin e projektit dhe ka hartuar projektin e ri teknik. Shumë shpejt pritet fillimi i procedurës konkurruese” tha ministri.

The post  Tirana qelbet erë appeared first on Faktoje.al.

❌