Normal view

Akuzat ndaj kryebashkiakut Klitchko, pjesë e propagandës ruse 

18 October 2024 at 11:58

Pretendimi: Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitaly Klitchko, zotëron shtëpitë publike në Ukrainë

Verdikti: E paprovuar

Akuzat e një gazetareje ukrainase ndaj kryetarit të bashkisë së Kievit, Vitaliy Klitchko ,po qarkullojnë edhe mes përdoruesve shqiptarë të Facebook. Në këto postime thuhej që gazetarja e lëvizjes FEMEN, Diana Panchenko, ka faktuar se ish-boksieri i njohur dhe tashmë administratori i Kievit, drejton trafikun e prostitucioni në Ukrainë.

Panchenko shkroi në një postim në rrjetet sociale: “Vitaliy Klitchko kontrollon rrjetin më të madh të klubeve të striptizimit. 100 shtëpi publike vetëm në Kiev! Ai shet qindra vajza në BE dhe SHBA.” Akuzat flasin se Klichko ka zgjedhur të jetojë me familjen e tij pranë dy shtëpive publike në Ukrainë. Ajo gjithashtu e akuzon atë për shitjen e drogës dhe për hetime mbi korrupsionin dhe tradhtinë ndaj shtetit.

Të gjitha akuzat ngjajnë të rënda në gojën e një gazetareje, por ajo që nuk sqarohet në këto postime është besueshmëria e burimit të tyre.  

Pas një eksperience mediatike, Panchenko është akuzuar se është rekrutuar nga Kremlini dhe se përhap dezinformata në emër të rusëve. Pas shpërnguljes në Emiratet e Bashkuara Arabe, ajo ka postuar video që shpesh herë janë të mbushura me propagandë, duke akuzuar autoritetet ukrainase për nazizëm dhe duke shpallur se Ukraina do të “kolapsojë”.

Deri më sot, nuk është bërë publike nga burime të tjera të besueshme kombëtare apo ndërkombëtare ndonjë lidhje e kryebashkiakut Klitchko me trafiqe të paligjshme.

Vitaliy Klitchko, si një figurë publike dhe lider politik, ka pasur një ndikim të rëndësishëm në Ukrainë, veçanërisht pas fillimit të luftës me Rusinë. Akuza për trafikim dhe krime të tjera serioze janë pjesë e vazhdueshme e retorikës ruse që sulmon figurat publike ukrainase.

The post Akuzat ndaj kryebashkiakut Klitchko, pjesë e propagandës ruse  appeared first on Faktoje.al.

Alarmi për bombë në ambasadën ukrainase keqinterpretohet në media

17 October 2024 at 12:48

Pretendimi: Policia rrethoi ambasadën serbe në Tiranë pas alarmit për bombë

Verdikti: E pavërtetë

Një njoftim për vendosjen e një bombe në ambasadën ukrainase në Tiranë më 14 tetor, u trajtua me seriozitetin e duhur nga policia dhe njësitë antieksploziv. E gjithë zona pranë kryesisë së Kuvendit dhe një sërë institucionesh të tjera u rrethua duke ngjallur kureshtje tek kalimtarët e shumtë në këtë orë të ditës.

Lajmet e para që u raportuan në portale identifikuan si objektiv të alarmit ambasadën e Serbisë, e cila ndodhet në të njëjtën rrugë me atë ukrainase.

Ky informacion u përhap menjëherë në disa media të tjera pa u verifikuar, duke krijuar një situatë të tensionuar.

Pas një inspektimi të detajuar, autoritetet policore konfirmuan se alarmi ishte drejtuar ndaj ambasadës ukrainase dhe se bëhej fjalë për një njoftim të rremë.

Edhe pas këtij sqarimi zyrtar, disa prej portaleve vijojnë ende të mos e saktësojnë lajmin për ambasadën serbe, gjë që ka sjellë vijimin e komenteve më përmbajtje urrejtjeje etnike nga përdorues të ndryshëm. Këto komente, të nxitura nga lajme të pasakta dhe një klimë tensioni, kontribuojnë në një atmosferë polarizimi dhe ndarjeje, duke njohur historikun e trazuar të marrëdhënieve mes dy vendeve tona. Më shqetësuese është situata duke menduar që mediat serbe mund të përdorin si burim këto portale dhe të transmetojnë për publikun vendas një kërcënim të paqenë për selinë e tyre diplomatike në Tiranë.

Shënim:

Data 19 tetor 2024 faqja joqalbania ne Instagram ka korrigjuar tekstin e postimit duke ndryshuar informacionin pas verfikimit të Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar.

The post Alarmi për bombë në ambasadën ukrainase keqinterpretohet në media appeared first on Faktoje.al.

Një mit premtimi se agjërimi shëron kancerin për disa ditë

28 August 2024 at 11:44

Pretendimi: Agjërimi strikt mund të parandalojë dhe shërojë kancerin

Verdikti: I pavërtetë

Do të ishte një mrekulli dhe nuk do të kalonte në heshtje nëse do të ishte materializuar pretendimi që qarkullon në rrjete sociale se në vendet mysliane kanceri shërohet brenda disa ditësh përmes agjërimit strikt.

Ky pretendim mbi agjërimin si një recetë për parandalimin dhe trajtimin e kancerit ka fituar popullaritet vitet e fundit jo vetëm në vendet myslimane.

Agjërimi është një praktikë e njohur në shumë kultura dhe fe, duke përfshirë Islamin. Përkrahësit e tij theksojnë përfitimet që sjell për trupin, përfshirë kontrollin e sëmundjeve metabolike si diabeti dhe kolesteroli i lartë.

Një nga format më të zakonshme të agjërimit që ka fituar vëmendje kohët e fundit është “të ngrënit e kufizuar në kohë,” një formë e agjërimit të ndërprerë. Në këtë metodë, ushqimi kufizohet në një periudhë specifike të ditës, shpesh në një interval prej 8 orësh, ndërsa për pjesën tjetër të kohës agjërohet.

Një studim i publikuar në Sesionet Shkencore të Shoqatës Amerikane të Zemrës mbi “Epidemiologjinë, Parandalimin dhe Shëndetin Kardiometabolik 2024”, hedh dritë mbi efektet afatgjata të kësaj praktike. Studimi, i cili përfshiu mbi 20,000 të rritur në SHBA, analizoi lidhjen mes orarit të ngrënies dhe rrezikut të vdekshmërisë nga sëmundjet kardiovaskulare dhe kanceri.

Rezultatet treguan se kufizimi i kohës së ngrënies në më pak se 8 orë në ditë e rriti rrezikun për vdekje nga sëmundjet kardiovaskulare me 91%, veçanërisht tek ata me sëmundje të zemrës apo kancer. Gjithashtu, ata që hanin vaktet për më shumë se 16 orë në ditë kishin një rrezik më të ulët për vdekje nga kanceri.

Sipas një kërkimi të publikuar nga Organizata Botërore të Shëndetësisë në vitin 2020 në shumë vende islamike parashikimet afatgjata tregojnë se deri në vitin 2030 do të ketë një rritje 1.8 herë në incidencën e kancerit. Kjo rritje shqetësuese nënvizon nevojën për hulumtime më të thelluara dhe zbatimin efektiv të politikave të kontrollit të kancerit në këto rajone.

Pretendimi se agjërimi mund të shërojë kancerin nuk mbështetet nga prova të qëndrueshme shkencore. Kanceri është një sëmundje komplekse që kërkon trajtime specifike, të tilla si kimioterapia, radioterapia dhe ndërhyrjet kirurgjikale, në varësi të tipit dhe fazës së sëmundjes.

Ndërsa agjërimi mund të ketë disa përfitime për organizmin në raste të caktuara, nuk ekziston asnjë provë e fortë që sugjeron se ai mund parandalojë apo shërojë kancerin.

The post Një mit premtimi se agjërimi shëron kancerin për disa ditë appeared first on Faktoje.al.

❌