Normal view

Erëra të forta dhe det i trazuar gjatë së premtes, apeli i Kapitenerisë së Vlorës për pushuesit dhe operatorët

By: Besnik
23 July 2026 at 16:30

Kapiteneria e Portit të Vlorës ka dalë me një njoftim për përkeqësimin e kushteve hidrometeorologjike detare që parashikohet të ndodhin gjatë ditës së premte dhe orëve të para të së shtunës.

Sipas njoftimit, nga ora 14:00 e datës 24 korrik deri në orën 06:00 të datës 25 korrik 2026, priten erëra nga drejtimi veri-veriperëndim me forcë deri në 6-7 ballë, me shpejtësi 15-25 m/s, si dhe dallgë me lartësi nga 1.5 deri në 3.5 metra.

Për shkak të këtyre kushteve, Kapiteneria ka ndaluar pajisjen me leje-nisje për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit që synojnë të operojnë jashtë gjirit të Vlorës, në det të hapur dhe në zonën Dhërmi-Himarë.

Ndërkohë, mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit brenda gjirit të Vlorës janë këshilluar të tregojnë kujdes të shtuar dhe të marrin masa për përballimin e situatës së përkeqësuar.

Kapiteneria u ka kërkuar subjekteve dhe institucioneve që ushtrojnë veprimtari detare të rrisin gatishmërinë, të sigurojnë mjetet në porte dhe të bashkëpunojnë për marrjen e masave të nevojshme.

Sipas njoftimit, anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vijojnë operimin normalisht, ndërsa përmirësimi i kushteve për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit pritet pas orës 06:00 të datës 25 korrik.

The post Erëra të forta dhe det i trazuar gjatë së premtes, apeli i Kapitenerisë së Vlorës për pushuesit dhe operatorët appeared first on Euronews Albania.

Bashkia Vlorë apel qytetarëve: Kujdes nga stuhitë dhe erërat e forta ditën e premte

By: Besnik
23 July 2026 at 15:33

Pas parashikimeve meteorologjike për përfshirjen e zonës së Vlorës nga fenomene të paqëndrueshme atmosferike gjatë ditës së premte, Bashkia Vlorë u ka bërë apel qytetarëve dhe vizitorëve të tregojnë kujdes të shtuar.

Sipas njoftimit të bashkisë, territori i Vlorës mund të ndikohet nga reshje intensive, stuhi lokale dhe erëra të forta, të cilat mund të sjellin ndryshime të menjëhershme të kushteve atmosferike.

Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të shmangin lëvizjet e panevojshme, të mos qëndrojnë pranë pemëve apo strukturave të pasigurta dhe të tregojnë kujdes maksimal në zonat bregdetare, veçanërisht në plazhe dhe në det.

Gjithashtu, Bashkia Vlorë ka rikujtuar qytetarët që të mos ndezin zjarre në ambiente të hapura, pyje, kullota apo pranë bimësisë së thatë, pasi temperaturat e larta dhe era favorizojnë përhapjen e shpejtë të flakëve.

Qytetarëve u kërkohet të njoftojnë shërbimet e emergjencës për çdo situatë që mund të paraqesë rrezik.

The post Bashkia Vlorë apel qytetarëve: Kujdes nga stuhitë dhe erërat e forta ditën e premte appeared first on Euronews Albania.

❌