Normal view

Kosovë/ Memli Krasniqi rizgjidhet kryetar i PDK-së

21 June 2025 at 15:17

Memli Krasniqi është rizgjedhur në postin e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës – subjekt që doli i dyti në zgjedhjet parlamentare të shkurtit.

Pas zgjedhjes, ai ka falënderuar delegatët që e votuan gjatë Konventës së 11-të të PDK-së, teksa u zotua se do të punojë që partia e tij të dalë e para në Kosovë.

“Krejt çka di dhe krejt çka mundem do ta bëj për ta rikthyer Partinë Demokratike të Kosovës aty ku e ka vendin, si partinë më të madhe dhe udhëheqëse të Republikës së Kosovës”, tha Krasniqi.

Më pas, në një konferencë për media Krasniqi tha se ai u votua në mënyrë unanime dhe nuk pati kundërkandidat.

“Faktin që isha kandidati i vetëm e marr me përulësi si një besim drejt lidershipit tim në katër vjetët e kaluar. Gara ka qenë e hapur, por nuk ka pasur kundërkandidat”, tha Krasniqi.

Ndërkaq, gjatë fjalimit në nisje të Konventës së PDK-së, Krasniqi tha se partia e tij duhet të udhëheqë me vendin, duke shtuar se Kosova ka nevojë të fokusohet te zhvillimi, siguria, drejtësia, mirëqenie dhe tek integrimi euroatlantik, përkatërisht tek anëtarësimi në NATO dhe Bashkimi Evropian.

“Ky është qëllimi ynë, ky është drejtimi ynë”, tha ai.

Krasniqi foli edhe për situatën politike pas mbajtjes së zgjedhjeve të shkurtit. Ai fajësoi fituesen e zgjedhjeve, Lëvizjen Vetëvendosje, për mbajtje peng të formimit të institucioneve të reja.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Kosovë/ Memli Krasniqi rizgjidhet kryetar i PDK-së appeared first on Euronews Albania.

PDK-ja paralajmëron ZRRE-në me padi ligjore për liberalizimin e tregut të energjisë

30 May 2025 at 12:38

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka bërë ankesë të premten ndaj vendimit të rregullatorit të energjisë për liberalizimin e tregut të energjisë për bizneset e mëdha në vend, duke thënë se do të ngrejë padi në gjykatë, nëse nuk shfuqizohet vendimi brenda 15 ditëve.

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, tha në një konferencë për media në Prishtinë se partia ka dorëzuar kundërshtim administrativ në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE).

Ai tha se ZRRE-ja duhet ta pezullojë “menjëherë zbatimin e këtij vendimi, në të kundërtën pas 15 ditësh PDK-ja do të procedojë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ku do të kërkohet që sa më parë t’i vihet masë e përkohshme zbatimit të tij”.

Vendimi i ZRRE-së për liberalizimin e tregut të energjisë do të hyjë në fuqi më 1 qershor, dhe ai nënkupton se të gjitha bizneset e mëdha nuk do të furnizohen më me energji përmes tarifave të rregulluara, por duhet të gjejnë vetë furnizuesin e tyre në tregun e lirë.

Nëse nuk arrijnë ta bëjnë këtë, ato kalojnë automatikisht në treg të hapur me çmime të parregulluara.

Tahiri argumentoi se vendimi i ZRRE-së përbën “një goditje të rëndë ndaj ekonomisë së vendit, duke rrezikuar falimentime masive, rritje të papërballueshme të çmimeve dhe një valë të re inflacioni që godet qytetarët dhe konsumatorët”.

Ky vendim vlen për kompanitë me mbi 50 të punësuar ose me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro. Në Kosovë janë të regjistruara mbi 1.000 kompani të tilla që konsumojnë rreth 37% të energjisë së përgjithshme të shpenzuar.

“ZRRE ka vepruar pa marrë parasysh reagimet e shoqërisë civile, odave ekonomike dhe organizatave profesionale, dhe pa përmbushur as parakushtet që vetë i kishte përcaktuar për një proces të sigurt dhe të drejtë të liberalizimit të tregut”, tha Tahiri.

Përfaqësuesit e bizneseve thonë se janë kundër liberalizimit të tregut të energjisë, pasi nuk janë bërë përgatitjet e nevojshme për këtë ndryshim. Ata kërkojnë që ky vendim të shtyhet për një vit.

LEXONI GJITHASHTU:

The post PDK-ja paralajmëron ZRRE-në me padi ligjore për liberalizimin e tregut të energjisë appeared first on Euronews Albania.

Thirrja e seancës konstituive në Kosovë, reagon deputet i zgjedhur i PDK-së

1 April 2025 at 19:05

Deputeti i zgjedhur i PDK-së, Abelard Tahiri ka reaguar pas thirrjes së seancës konstituive të Kuvendit nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Më 15 prill, presidentja ka caktuar datën e konstituimit të Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, plot 65 ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve.

Ish-kryetari Grupit Parlamentar të PDK-së, Tahiri thekson se “tani është koha për veprim institucional konkret dhe të përgjegjshëm”.

Ai ka thënë se Kosova gjendet sot përballë një sërë sfidash urgjente dhe shqetësuese.

“Kostoja e jetesës po bëhet e papërballueshme për shumë familje. Qytetarët tanë kanë nevojë për një qeveri që vendos mirëqenien dhe interesat e tyre në qendër të agjendës së saj. Siguria publike është përkeqësuar ndjeshëm. Rritja alarmante e rasteve të vrasjeve dhe krimeve të tjera të rënda po cenon seriozisht e sigurinë në shoqërinë tonë”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai ka përmendur edhe sanksionet e Bashkimit Evropian që sipas tij, rëndojnë mbi vendin tonë po dëmtojnë subjektivitetin ndërkombëtar dhe po rrezikojnë të ardhmen euroatlantike të Kosovës.

“Në këto kushte, formimi i menjëhershëm i institucioneve të reja me një qasje ndryshe nga ajo që kemi parë gjatë katër viteve të fundit është më se i domosdoshëm”, ka shkruar ai në Facebook, transmeton KosovaPress.

Sipas tij, “qytetarët e Kosovës kanë folur qartë me votën e tyre. Tani është koha për veprim institucional konkret dhe të përgjegjshëm”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas certifikimit të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 9 shkurt 2025 dhe në përputhje me autorizimet kushtetuese dhe afatet ligjore, ka thirrur mbledhjen e parë të Legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës për datën 15 prill 2025, njofton Zyra e Presidencës, transmeton KosovaPress.

Zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 9 shkurt dhe rezultatet nga KQZ-ja janë certifikuar javën e kaluar. Në bazë këtyre rezultateve, LVV ka dalë e para me 48 deputetë, PDK e dyta me 24 deputetë, LDK e treta me 20 deputetë dhe AAK-NISMA e katërta me 8 deputetë.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Thirrja e seancës konstituive në Kosovë, reagon deputet i zgjedhur i PDK-së appeared first on Euronews Albania.

❌