Normal view

Ambasada Amerikane në Tiranë trajnon prokurorët shqiptarë për sigurinë digjitale

By: Besnik
25 June 2025 at 21:31

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka pritur për dy ditë me radhë prokurorë shqiptarë në një trajnim të posaçëm mbi hetimin dhe ndjekjen penale të provave digjitale, nën kujdesin e Programit të Ndihmës së Sigurisë Diplomatike për Antiterrorin.

Me këtë rast, Ambasada Amerikane ndau fjalën e zëvendës shefes së misionit në detyrë, Kathryn Hammond, gjatë ceremonisë së diplomimit të pjesëmarrësve në kursin “Ndërgjegjësimi Kibernetik për Prokurorët”.

Hammond theksoi se luftërat moderne fillojnë online dhe gatishmëria kibernetike është thelbësore, pasi mbrojtja e aeroporteve, spitaleve, rrjeteve energjetike dhe të dhënave personale përbën një element të rëndësishëm të mbrojtjes kombëtare.

“Aktorët e këqij po përdorin teknologji gjithnjë e më të sofistikuara, çka e bën të domosdoshme që forcat e rendit dhe prokurorët të jenë një hap përpara këtyre kërcënimeve që evoluojnë me shpejtësi. Trajnimi juaj në këtë kurs ju ka përgatitur për të përballuar këto sfida drejtpërdrejt, duke siguruar që drejtësia të vihet në vend në epokën digjitale,” deklaroi ajo.

Hammond vuri në dukje edhe ndihmën konkrete që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Shqipërisë pas sulmeve kibernetike të korrikut dhe shtatorit 2022. Ajo nënvizoi se SHBA ka ofruar miliona dollarë në ndihmë dhe ekspertizë kibernetike, duke theksuar angazhimin e palëkundur të Amerikës për të ndihmuar partnerët në forcimin e mbrojtjes së tyre kibernetike.

Fjala e plotë e Kathryn Hammond

“Jam e lumtur që jam sot këtu në emër të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara dhe Programit të Ndihmës për Antiterrorin të Sigurisë Diplomatike. Ky kurs ishte planifikuar dhe pastaj u shty, mendoj se dy herë. Kështu që jam vërtet shumë e kënaqur që jemi të gjithë së bashku sot këtu për të ndarë informacion mbi këtë temë kaq të rëndësishme. Zëvendës Prokuror i Përgjithshëm, Admiral Jano, instruktorë Curt Perkins dhe Scott Longo, kolegë nga ambasada – faleminderit për praninë tuaj sot këtu. Dhe faleminderit juve, prokurorëve, që keni ndarë kohë nga oraret tuaja të ngarkuara për të qenë këtu dhe për të mësuar më shumë rreth kësaj çështjeje jetike. E di që keni udhëtuar nga e gjithë Shqipëria për të marrë pjesë në këtë kurs.

Në botën e sotme të ndërlidhur, nuk mendoj se mund të theksojmë mjaftueshëm rëndësinë e luftës kundër krimeve kibernetike. Krimet kibernetike paraqesin një kërcënim të madh për sigurinë kombëtare, stabilitetin ekonomik dhe sigurinë e qytetarëve. Kriminelë, terroristë, regjime shtypëse dhe aktorë të tjerë abuzojnë me mjetet digjitale duke kërcënuar paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar, duke dëmtuar të tjerët dhe duke ushtruar ndikim të dëmshëm. Vetëm të premten që kaloi, pamë një incident kibernetik në Bashkinë e Tiranës, të cilin Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ua ka atribuar aktorëve iranianë. Luftërat bashkëkohore fillojnë online. Mbrojtja e aeroporteve, spitaleve, rrjeteve energjetike dhe të dhënave personale është mbrojtje kombëtare. Gatishmëria kibernetike është thelbësore për misionin.

Aktorët e këqij po përdorin teknologji gjithnjë e më të sofistikuara, gjë që e bën të domosdoshme që forcat e rendit dhe prokurorët të jenë një hap përpara këtyre kërcënimeve që zhvillohen me shpejtësi. Trajnimi juaj në këtë kurs ju ka përgatitur për të përballuar këto sfida drejtpërdrejt, duke siguruar që drejtësia të vihet në vend në epokën digjitale.

Qeveria e Shteteve të Bashkuara po punon me partnerët për të çuar përpara një të ardhme digjitale që mbron sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve duke ndëshkuar ata që përdorin mjetet digjitale për qëllime kriminale. Që nga ndërhyrjet shkatërruese kibernetike të korrikut dhe shtatorit 2022, Shtetet e Bashkuara kanë ofruar miliona dollarë në ndihmë dhe ekspertizë kibernetike për Shqipërinë. Shtetet e Bashkuara e marrin me seriozitet rolin e tyre në ndihmën ndaj partnerëve për të ndërtuar mbrojtjen e tyre kibernetike – dhe një pjesë kyçe e kësaj mbrojtjeje është aftësia për të hetuar dhe ndjekur penalisht autorët e krimeve kibernetike.

Gjatë këtij kursi, ju keni thelluar njohuritë tuaja mbi kompleksitetin e provave digjitale dhe rolin e tyre kyç në ndjekjen penale të terrorizmit dhe krimeve të tjera të mëdha. Keni fituar njohuri të vlefshme mbi mënyrat se si terroristët dhe kriminelët e tjerë shfrytëzojnë internetin dhe teknologjinë për të planifikuar dhe kryer veprat e tyre të tmerrshme. Ndërsa ktheheni në rrethet tuaja përkatëse, jam e bindur se do të zbatoni njohuritë dhe aftësitë që keni fituar për të pasur një ndikim të rëndësishëm në luftën kundër krimit.

Faleminderit për përkushtimin tuaj ndaj mbrojtjes së komuniteteve tuaja. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria mbeten partnerë të përkushtuar, si në botën reale, ashtu edhe në hapësirën kibernetike. Faleminderit!”, tha ajo.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Ambasada Amerikane në Tiranë trajnon prokurorët shqiptarë për sigurinë digjitale appeared first on Euronews Albania.

Firmos me Klik, Shqipëria integrohet me Europën përmes firmës digjitale

By: Besnik
12 June 2025 at 17:16

Në një kohë kur shpejtësia, siguria dhe efikasiteti janë thelbësore për çdo shërbim, firma digjitale po zëvendëson me shpejtësi stilolapsin klasik në mbarë Europën.

Nga kontratat e qirasë deri te marrëveshjet financiare, firmosja elektronike është bërë pjesë e pandashme e ekonomisë moderne, duke sjellë lehtësi për qytetarët dhe biznese më të shpejta e më efikase.

Shqipëria tashmë është në prag të një hapi të rëndësishëm ligjor në këtë drejtim. Projektligji “Për Identifikimin Elektronik, Shërbimet e Besuara dhe Portofolin Dixhital” është hedhur për konsultim publik, duke shënuar një fazë të re drejt ndërtimit të infrastrukturës ligjore dhe teknologjike që do të mundësojë përdorimin masiv dhe të standardizuar të identitetit digjital dhe firmës së kualifikuar elektronike në sektorin publik dhe privat.

Digjitalizimi që ndryshon përditshmërinë

Vende si Estonia, Bullgaria, Letonia dhe Polonia janë sot shembuj suksesi të zbatimit të identitetit elektronik dhe firmës digjitale.

Në Estoni, për shembull, mbi 98% e shërbimeve shtetërore ofrohen online përmes identitetit elektronik, ndërsa qytetarët mund të firmosin çdo dokument – nga kontratat bankare, aplikimet për kredi, deri te regjistrimet në shkollë – pa dalë nga shtëpia.

Kjo praktikë është gjithnjë e më e përhapur edhe në sektorin financiar privat. Kompani si Evrotrust në Bullgari, Smart-ID në shtetet baltike, dhe IDnow në Gjermani, kanë ndërtuar platforma të sigurta dhe të licencuara për identifikimin dhe firmosjen elektronike të dokumenteve, me vlefshmëri të plotë juridike në BE.

Iute sjell firmën digjitale në financat shqiptare

Në Shqipëri, Iute është ndër institucionet e para financiare që ka zbatuar firmën elektronike të kualifikuar përmes partneritetit me Evrotrust, duke bërë të mundur aplikimin për kredi pa kryer një vizitë në degë; firmosjen e kontratës nga telefoni brenda pak sekondash, si edhe realizimin e një procesi 100% digjital dhe të njohur ligjërisht në të gjithë Bashkimin Europian.

Kjo për klientin do të thotë më pak kohë e shpenzuar, më pak letra dhe më shumë kontroll mbi proceset. Për mjedisin, përkthehet në më pak printime dhe më shumë qëndrueshmëri. Dhe për tregun shqiptar, është një hap i dukshëm drejt modernizimit të shërbimeve financiare dhe ndërtimit të besimit në zgjidhjet digjitale.

Siguri, standard dhe lehtësi, 3 shtyllat e firmës digjitale

Një firmë digjitale e kualifikuar është ligjërisht e vlefshme njësoj si firma me dorë në çdo vend të Bashkimit Europian.

Ajo bazohet në një certifikatë elektronike të lëshuar nga një ofrues i licencuar i shërbimeve të besuara dhe përdor teknologji të kriptimit të avancuar për të garantuar sigurinë e të dhënave dhe identitetin e përdoruesit.

Për institucionet dhe bizneset, kjo do të thotë procese më të shpejta, më të sigurta, por edhe më të lehta për t’u audituar, pasi gjithçka lë gjurmë në sistem.

Për qytetarët – qasje më të thjeshtë në shërbime të rëndësishme, nga shtëpia apo në lëvizje, pa qenë e nevojshme për të shpenzuar kohë në trafik, duke pritur në rradhë, ose në degë.

Projektligji që hap rrugën për të ardhmen

Projektligji i ri i hedhur për konsultim publik nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) synon të rregullojë në mënyrë të plotë identifikimin elektronik dhe përdorimin e firmës digjitale, në përputhje me rregulloren europiane eIDAS.

Gjithashtu, përmes draftit ligjor krijohen bazat për ndërtimin e Portofolit Digjital për çdo qytetar shqiptar. Projektligji do të standardizojë ofruesit e shërbimeve të besuara, në mënyrë që të sigurohet një ekosistem i sigurt dhe funksional.

Miratimi dhe zbatimi i këtij ligji do të përshpejtojë digjitalizimin në sektorë kyç si financat, drejtësia, arsimi dhe administrata publike, duke sjellë rritje të transparencës, efikasitetit dhe përfshirjes digjitale në të gjithë shoqërinë.

Nga lapsi te klikimi – një rrugë pa kthim

Transformimi digjital nuk është më një zgjedhje, por një domosdoshmëri për çdo ekonomi që synon të jetë konkurruese, transparente dhe e qëndrueshme.

Firma elektronike është vetëm një nga hallkat, por një nga më të rëndësishmet, në këtë zinxhir modernizimi. Identifikimi elektronik është gjithashtu një plotësues i rëndësishëm i infrastrukturës digjitale dhe të ardhmes hitech drejt të cilës bota po përparon shpejt dhe ku edhe Shqipëria nuk ka rrugë tjetër përveçse ta ndjekë.

Vendi ynë po hyn në këtë etapë me potencial të lartë dhe me shembuj konkretë suksesi si Iute, shoqëria estoneze, shtetit më të avancuar digjital europian, që operon prej vitesh në Shqipëri, shembuj që tregojnë se e ardhmja është shumë funksionale, e sigurt dhe operative, me një klikim. /ekofin.al

LEXONI GJITHASHTU:

The post Firmos me Klik, Shqipëria integrohet me Europën përmes firmës digjitale appeared first on Euronews Albania.

❌