Normal view

Kampionati Botëror i Futbollit: Shtohen komentet raciste në rrjet, detyrohet të ndërhyjë edhe Federata Zvicerane e Futbollit

7 July 2026 at 21:45


Sipas një raportimi të fundit të transmetuesit publik zviceran SRF, Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) ka konstatuar një rritje mjaft shqetësuese të komenteve raciste dhe gjuhës së urrejtjes në rrjetet sociale gjatë Botërorit të vitit 2026, në krahasim me kampionatin e kaluar të vitit 2022 në Katar.

Ky fenomen po kthehet në një problem serioz dhe po prek drejtpërdrejt edhe lojtarët e Kombëtares së Zvicrës, të cilët shpesh shënjestrohen për shkak të ngjyrës apo prejardhjes së tyre në momentet kur ekipi nuk arrin rezultatet e pritura.

Sulmet virtuale u vunë re menjëherë pas ndeshjes së parë të Zvicrës në këtë Botëror, ku ekipi barazoi në mënyrë zhgënjyese 1:1 me Katarin, duke pësuar gol në sekondat e fundit të lojës. Menjëherë pas përfundimit të takimit, profile të shumta vërshuan me fyerje raciste ndaj lojtarëve zviceranë, ku mes të tjerëve u shënjestrua edhe sulmuesi i ri Johan Manzambi. Situata ka degraduar deri në atë pikë sa ka detyruar Federatën Zvicerane të Futbollit (SFV) që të ndërmarrë masa mbrojtëse.

Zëdhënësi i Federatës Zvicerane të Futbollit, Adrian Arnold, ka bërë të ditur se organizata ka vendosur të ndjekë një politikë të tolerancës zero. Për të mbrojtur lojtarët nga presioni psikologjik dhe fyerjet, menaxherët e rrjeteve sociale të federatës po bllokojnë proaktivisht dhe plotësisht hapësirat e komenteve në platformat e tyre sapo diktohet një valë sulmesh.

Arnold theksoi se ata nuk mjaftohen vetëm me fshirjen e mesazheve apo bllokimin e faqeve, por çdo rast abuziv, email apo letër anonime që plotëson kriteret e veprave penale të racizmit po dërgohet menjëherë për ndjekje ligjore në polici përmes departamentit të tyre juridik.

Nga ana tjetër, zyrtarët zviceranë shprehen të vetëdijshëm se luftimi i këtij fenomeni mbetet jashtëzakonisht i vështirë për sa kohë që platformat e mëdha të rrjeteve sociale ofrojnë mundësi të pakufizuara për hapjen e profileve anonime dhe nuk vendosin barriera më të forta identifikimi. Për këtë arsye, federata u ka bërë thirrje sërish kompanive të teknologjisë që të marrin më shumë përgjegjësi ligjore për të frenuar këtë trend që po njollos imazhin e sportit më të ndjekur në botë./Telegrafi.

Dënohet me një vit burg 16-vjeçari që sulmoi me thikë një hebre në Zürich

7 July 2026 at 21:40


Gykata e të miturve në Dielsdorf afër Zürichut ka dhënë dënimin më të lartë të mundshëm ligjor ndaj adoleshentit 16-vjeçar, i cili në mars të vitit 2024 kreu një sulm të përgjakshëm me thikë ndaj një besimtari ortodoks hebre në qytetin e Zürichut, duke e plagosur rëndë.

Ky sulm u cilësua nga autoritetet si një akt antisemit dhe terrorist.

Sipas legjislacionit zviceran për të miturit, dënimi maksimal për këtë grupmoshë është një vit privim lirie. Gjykata në Dielsdorf e aplikoi këtë dënim, por krahas tij vendosi edhe një masë shumë të rreptë të mbrojtjes institucionale: i dënuari do të qëndrojë i mbyllur në një institucion të sigurisë së lartë për të miturit për një kohë të papërcaktuar. Kjo masë mund të zgjatet automatikisht çdo vit bazuar në shkallën e rrezikshmërisë, dhe mund të mbetet në fuqi edhe pasi ai të ketë mbushur 25 vite.

Adoleshenti me nënshtetësi zvicerane dhe me prejardhje nga Tunizia, ishte radikalizuar në internet përmes propagandës së organizatës terroriste “Shteti Islamik”. Para se të ndërmerrte sulmin brutal, ai kishte regjistruar një video ku i betohej për besnikëri rrymës terroriste. Gjatë hetimeve doli në dritë se ai ishte parë të frekuentonte edhe një xhami të komunitetit shqiptar në Zürich, ndonëse përfaqësuesit e saj u distancuan menjëherë. Gjatë gjykimit, autori nuk shfaqi asnjë pendesë.

Ky akt kriminal nuk mbeti i vetmi në zonën e Zürichut. Në fillim të këtij viti, u krye një tjetër sulm antisemit. Sipas policisë zvicerane, një hebre 26-vjeçar u godit me grushte në një lagje që banohet nga ky komunitet.

Autori i këtij sulmi ishte një kosovar 40-vjeçar, i cili nuk kishte një vendbanim të përhershëm në Zvicë. Përpara se ta godiste, sulmuesi e kishte fyer rëndë viktimën duke përdorur terma antisemitë. Kosovari u neutralizua dhe u mbajt me forcë nga disa kalimtarë të rastit që nxituan për ndihmë, derisa në vendngjarje mbërriti policia që bëri arrestimin e tij. Viktima fatmirësisht pësoi vetëm lëndime të lehta, ndërsa autori po përballet me drejtësinë.

Urrejtja dhe sulmet ndaj komuniteteve hebraike në Zvicër dhe gjetiu në Europë janë shtuar ndjeshëm. Kjo valë e re agresioni u ndez fill pas sulmit terrorist të Hamasit kundër civilëve në Izrael në tetor të vitit 2023, gjë që pasoi me operacionin ushtarak të shtetit izraelit në Rripin e Gazës të shoqëruar me krime të gjera lufte ndaj palestinezëve, sipas organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Granit Xhaka: Shpresoj që vajzat e mia të trashëgojnë ambicien dhe vullnetin tim

7 July 2026 at 12:00


Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, ka treguar një anë më personale të jetës së tij në një intervistë për bote.ch, duke folur veçanërisht për rolin e familjes dhe vlerat që dëshiron t’u transmetojë vajzave të tij.

Xhaka është baba i tre vajzave, Ayana, Laneya dhe Neyana, të cilat i ka me bashkëshorten Leonita Lekaj.

Pavarësisht karrierës së suksesshme në futboll dhe presionit të madh që sjell ajo, ai thotë se familja mbetet mbështetja e tij kryesore dhe një pikë orientimi në çdo vendim të rëndësishëm.

Granit Xhaka

Futbollisti zviceran ka treguar se edhe sot, pavarësisht se është baba dhe afër moshës 34-vjeçare, kërkon këshilla nga prindërit dhe vëllai i tij Taulanti.

Sipas tij, me kalimin e viteve ka mësuar të jetë më i duruar dhe të mos kërkojë gjithçka menjëherë, siç bënte kur ishte më i ri.

Në shtëpi, Xhaka përshkruhet si një njeri familjar.

Ka treguar se një nga gjërat më të çmuara në ambientin e tij është një pikturë ku shfaqen gruaja dhe fëmija i parë, një dhuratë nga një artist në Dubai.

Kur flet për vajzat e tij, Xhaka thotë se dëshiron t’u trashëgojë mbi të gjitha ambicien dhe vullnetin për të arritur qëllimet, edhe kur ato duken të vështira.

Ndërsa një tipar që nuk do të donte t’ua kalonte është padurimi, një cilësi që ai pranon se e ka pasur gjatë gjithë jetës.

Historia e Xhakës është ndërtuar mbi këmbënguljen.

Nga fëmijëria e tij, kur familja u largua nga Kosova dhe u vendos në Zvicër, deri te vështirësitë në karrierë, ka mësuar të luftojë për çdo sukses.

Pikërisht këtë mentalitet dhe forcë karakteri dëshiron t’ua përcjellë edhe fëmijëve të tij.

Për Xhakën, futbolli është një pjesë e madhe e jetës, por familja mbetet arsyeja kryesore që i jep stabilitet dhe motivim për të vazhduar të shkruajë histori në fushë. /Telegrafi/

❌