Normal view

Debutimi i Irakut në Kupën e Botës 1986: Historia e errët e njeriut që sundoi futbollin me frikë

16 June 2026 at 15:58


Kupa e Botës 1986 në Meksikë mbahet mend për shumë arsye: maskota e famshme Pique, atmosfera magjike e stadiumeve meksikane dhe, mbi të gjitha, “Dora e Zotit” e Diego Maradonës. Por mes gjithë atyre kujtimeve, një ekip shpesh mbetet në hije – Iraku, që atë vit bëri paraqitjen e parë dhe të vetme në një Botëror deri në atë kohë.

Nga këndvështrimi sportiv, aventura irakiane nuk duket mbresëlënëse. Kombëtarja humbi të tri ndeshjet, shënoi vetëm një gol dhe përfundoi në fund të grupit. Megjithatë, një vështrim më i afërt tregon se skuadra nuk ishte aspak inferiore ndaj rivalëve të saj.

Në ndeshjen ndaj Paraguait, irakianët pësuan gol pas një goditjeje dënimi të ekzekutuar me shpejtësi. Madje arritën të barazonin rezultatin, por arbitri Edwin Picon-Ackong nga Mauritiusi kishte fishkëllyer fundin e pjesës së parë pikërisht në momentin kur po ekzekutohej goditja nga këndi që solli golin. Një vendim që sot do të shkaktonte debat të madh.

Kundër Belgjikës, Iraku luajti me një futboll më agresiv dhe më të rrezikshëm, madje edhe pasi mbeti me dhjetë lojtarë. Belgët fituan falë një penalltie që, në epokën e VAR-it, mund të ishte anuluar.

Në sfidën e fundit, ndaj nikoqirëve të Meksikës në stadiumin legjendar Azteca me mbi 100 mijë spektatorë, irakianët rezistuan me dinjitet dhe u mposhtën vetëm 1-0.

Megjithëse u larguan pa pikë, paraqitja e tyre konsiderohet ende sot si një debutim i respektueshëm.

Epoka e artë e futbollit irakian

Vitet 1980 përfaqësojnë periudhën më të suksesshme në historinë e futbollit irakian. Kombëtarja fitoi Kupën e Gjirit, Kupën Arabe dhe Lojërat Aziatike, ndërsa u kualifikua tri herë në Lojërat Olimpike.

Arritja më e madhe ishte sigurisht kualifikimi në Kupën e Botës 1986, në një periudhë kur vetëm dy kombëtare aziatike siguronin pjesëmarrjen në turneun më prestigjioz të futbollit.

Dhe kjo ndodhte në një kohë kur Iraku po zhvillonte luftën shkatërruese me Iranin dhe nuk mund të luante ndeshje zyrtare në shtëpi.

Sukseset sportive nuk ishin të shkëputura nga politika. Presidenti Saddam Hussein e shihte sportin si një mjet propagande dhe bashkimi kombëtar. Për këtë arsye, kontrollin e sportit ia besoi djalit të tij të madh, Uday Hussein. Për sportistët irakianë, ky vendim do të shndërrohej në një makth.

Uday Hussein, princi që sundonte me terror

Uday Hussein lindi në vitin 1964 dhe u rrit si trashëgimtari i pushtetit të familjes Hussein.

Që në moshë të re ai u bë i njohur për sjellje të dhunshme, arrogancë dhe bindjen se ishte mbi ligjin. Ish-bashkëpunëtorë të regjimit kanë pretenduar se Uday ishte dëshmitar i ekzekutimeve që në fëmijëri dhe se më vonë merrte pjesë vetë në torturimin e të burgosurve.

Ai ndërtoi reputacionin e një njeriu impulsiv dhe brutal, i përfshirë në dhunë, rrëmbime dhe krime që shpesh mbeteshin pa pasoja për shkak të pozitës së tij.

Në vitin 1988, gjatë një ceremonie zyrtare ku merrte pjesë edhe bashkëshortja e presidentit egjiptian Hosni Mubarak, Uday vrau me rrahje një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Saddam Husseinit.

Edhe pse u ndëshkua simbolikisht me një periudhë mërgimi në Zvicër, ai vazhdoi të mbetej një nga njerëzit më të fuqishëm në vend.

Kur futbolli drejtohej nga frika

Në moshën vetëm 20-vjeçare, Uday u emërua president i Komitetit Olimpik të Irakut. Një vit më vonë mori edhe drejtimin e Federatës së Futbollit.

Për të, çdo humbje e një sportisti irakian përfaqësonte një fyerje personale.

Lojtarët dhe trajnerët jetonin nën kërcënime të vazhdueshme. Sipas dëshmive të shumta, Uday u thoshte sportistëve se do t’ua priste këmbët ose do t’i dërgonte në vijën e frontit në luftën me Iranin nëse dështonin.

Megjithëse nuk ka prova se ndonjë futbollist u dërgua realisht në luftë si ndëshkim, ekzistojnë qindra dëshmi për tortura, rrahje dhe poshtërime.

Një nga format më të zakonshme të ndëshkimit ishte rruajtja e kokës. Në kulturën islame, kjo konsiderohej një poshtërim i madh, pasi koka e rruar lidhej me nënshtrim dhe humbje të dinjitetit.

Burgu i sportistëve

Shumë ish-futbollistë kanë rrëfyer historitë e tyre pas rënies së regjimit.

Abbas Talayw, ish-kapiten i Al-Jaish, tregoi se pas një incidenti me arbitrin u dërgua për 33 ditë në burgun privat të Udayt në Al-Radwaniyah. Atje, sipas tij, rrihej çdo mëngjes me kabllo elektrike.

Ish-reprezentuesi Waleed Jumaa e përshkroi të njëjtin vend si “portat e ferrit” për çdo sportist irakian.

“Çdo lojtar i kombëtares e dinte se mund të përfundonte atje”, kujtonte ai.

Ndëshkime të veçanta rezervoheshin për ata që guxonin të lëndonin futbollistët e Al-Rasheed, klubit personal të Udayt.

Mbrojtësi Abeer Jamal u arrestua dhe u fshikullua publikisht pasi kishte dëmtuar një lojtar të Al-Rasheed gjatë një ndeshjeje.

Klubi i privilegjuar i regjimit

Nën drejtimin e Udayt, Al-Rasheed u shndërrua në klubin më të privilegjuar në Irak.

Gazetarët sportivë të kohës kanë pohuar se kartonët e kuq ndaj lojtarëve të Al-Rasheed ishin pothuajse të ndaluar, golat nga pozicione jashtë loje shpesh pranoheshin dhe rivalët kryesorë ndëshkoheshin përpara përballjeve me këtë ekip.

Klubi kishte mundësinë të merrte pothuajse çdo futbollist që dëshironte. Në anën tjetër, fitoret shpërbleheshin me makina luksoze, ora të shtrenjta dhe privilegje të shumta. Por edhe lojtarët e Al-Rasheed jetonin nën frikë të vazhdueshme.

As yjet nuk shpëtonin

As Ahmed Radhi, legjenda më e madhe e futbollit irakian dhe autori i golit të vetëm të Irakut në Botërorin 1986, nuk ishte i mbrojtur.

Ai ka rrëfyer se ishte rrahur disa herë, i ishte rruar koka në mënyrë poshtëruese dhe ishte mbajtur në paraburgim vetëm sepse kishte munguar në një takim me Udayn.

Një tjetër ikonë e futbollit irakian, Habib Jafar, kujtonte me tmerr të ashtuquajturën “dhoma e kuqe” në selinë e Komitetit Olimpik.

“Rojet vizatuan një biçikletë në mur dhe më urdhëruan ta ngisja. Kur nuk munda, më rrahën derisa humba ndjenjat”, deklaronte ai.

Trajneri që guxoi t’i kundërvihej

Një nga të paktët njerëz që guxoi të sfidonte hapur Uday Husseinin ishte trajneri legjendar Ammo Baba.

Ai e konsideronte djalin e diktatorit si një figurë pa asnjë ndjenjë mëshire.

“Na rrihte me kabllo. I detyronte futbollistët të luanin me top prej betoni dhe qeshte ndërsa i shikonte. Telefononte lojtarët para ndeshjeve për t’i kërcënuar”, kujtonte Baba.

Sipas tij, Uday ndërhynte vazhdimisht në punët e skuadrave dhe nuk kishte asnjë njohuri reale për futbollin.

Fundi i një epoke terrori

Gjithçka mori fund në vitin 2003, kur regjimi i Saddam Husseinit u rrëzua nga koalicioni ndërkombëtar i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara. Uday dhe vëllai i tij Qusay u arratisën drejt Mosulit.

Për kokat e tyre u vendos një shpërblim prej 30 milionë dollarësh.

Pas një informacioni të marrë nga autoritetet amerikane, vendstrehimi i tyre u zbulua. Operacioni për arrestimin e tyre përfshiu qindra ushtarë dhe helikopterë luftarakë.

Pas katër orësh përleshje, ndërtesa ku fshiheshin u godit me raketa dhe të dy vëllezërit mbetën të vrarë. Uday Hussein ishte 39 vjeç.

Një trashëgimi që ende ndan opinionin

Edhe sot, më shumë se dy dekada pas vdekjes së tij, figura e Uday Husseinit vazhdon të ndajë opinionin në Irak.

Shumica e sportistëve që përjetuan regjimin e tij e kujtojnë si një periudhë terrori, torturash dhe frike.

Megjithatë, ekzistojnë edhe ish-futbollistë që argumentojnë se metodat e tij, sado brutale, sollën rezultate sportive.

Ata kujtojnë se pikërisht gjatë viteve kur Uday kontrollonte sportin irakian, kombëtarja arriti kulmin e saj historik dhe siguroi pjesëmarrjen e vetme në Kupën e Botës.

Por për shumë të tjerë, suksesi sportiv nuk mund të justifikojë kurrë dhunën, torturat dhe frikën që shoqëruan atë periudhë të errët të futbollit irakian. /Telegrafi/

Trajneri që zgjidhte lojtarët sipas horoskopit? Historia e pazakontë e Francës në Botërorin 2006

16 June 2026 at 14:22


Kur Franca mbërriti në finalen e Kupës së Botës 2006, në stol ishte një nga trajnerët më të pazakontë në historinë e futbollit modern – Raymond Domenech.

Edhe sot e kësaj dite, shumëkush e ka të vështirë të kuptojë se si francezi qëndroi në krye të “Les Bleus” nga viti 2004 deri në vitin 2010.

Problemi nuk kishte të bënte vetëm me rezultatet apo menaxhimin e ekipit. Domenech u bë i famshëm për personalitetin e tij kontrovers dhe, mbi të gjitha, për interesimin e jashtëzakonshëm ndaj astrologjisë.

Një nga historitë më të famshme që e shoqëron ende ish-trajnerin francez është pretendimi se ai refuzonte të përfshinte në kombëtare futbollistë të lindur në shenjën e Akrepit.

Botërori 2006 pa asnjë Akrep në përfaqësuese

Para Kupës së Botës në Gjermani, Domenech arriti të bindte legjendën Zinedine Zidane të rikthehej në kombëtare. Pas tij u rikthyen edhe Lilian Thuram dhe Claude Makelele.

Megjithatë, një emër i rëndësishëm mbeti jashtë listës finale: Robert Pires.

Mesfushori kishte zhvilluar një sezon të shkëlqyer me Arsenalin, duke shënuar 11 gola dhe duke dhënë shtatë asistime në 48 ndeshje.

Ai madje kishte ndihmuar “Topçinjtë” të arrinin finalen e Ligës së Kampionëve.

Pavarësisht formës së tij, Pires nuk mori ftesë për Botërorin. Mediat franceze spekuluan se arsyeja lidhej me bindjen e Domenech se futbollistët e lindur në shenjën e Akrepit nuk përshtateshin me ekipin kombëtar.

Fakti interesant është se në skuadrën franceze për Botërorin 2006 nuk gjendej asnjë lojtar i lindur nën këtë shenjë.

Dyshime, thashetheme dhe konflikte

Në atë kohë qarkulluan edhe zëra se Pires kishte pasur një lidhje me partneren e Domenech, gazetaren Estelle Denis. Pretendimet nuk u vërtetuan kurrë.

Një situatë e ngjashme ndodhi edhe me Ludovic Giuly. Mesfushori i Barcelonës mbeti jashtë listës përfundimtare, pavarësisht se trajneri i kishte premtuar vazhdimisht një vend në skuadër.

Sipas Giuly, marrëdhënia me Domenech u ftoh pasi ai kishte pranuar një ftesë për kafe nga Estelle Denis, e cila i kishte dërguar një regjistrim të një emisioni televiziv ku ai kishte qenë i ftuar.

"Domenech më tha se nuk kishte asnjë problem, por më pas nuk më grumbulloi për Kupën e Botës. Kanë kaluar 20 vjet dhe ende nuk e di arsyen e vërtetë", deklaroi më vonë Giuly.

A ndikonte vërtet astrologjia në vendimet e tij?

Domenech nuk e ka fshehur kurrë interesimin për astrologjinë. Përveç saj, ai studionte edhe grafologjinë, praktikën që pretendon të analizojë karakterin e njeriut përmes shkrimit të dorës.

Trajneri këmbëngulte se astrologjia nuk përdorej për të përzgjedhur lojtarë, por për të kuptuar më mirë personalitetin e tyre.

"Astrologjia më ndihmonte të kuptoja karakterin e njerëzve. Nuk e përdorja për të parashikuar të ardhmen apo për të zgjedhur lojtarë për kombëtaren franceze", shpjegonte ai.

Megjithatë, deklaratat e tij shpesh ushqenin polemikat. Ai e konsideronte shenjën e Akrepit si problematike, impulsive dhe të vështirë për t’u menaxhuar. Në të kundërt, kishte një vlerësim të veçantë për Luanët.

Madje, në një deklaratë që bëri bujë, Domenech tha:

"Kur kam Luanë në mbrojtje, gjithmonë mbaj një armë gati, sepse e di që në një moment do të duan të tregohen heroikë dhe kjo mund të na kushtojë".

Në fillim të vitit 2006 ai shkoi edhe më tej:

"Mos përdorni kurrë më shumë se një Akrep në fushë, sepse dy Akrepë do ta shkatërrojnë njëri-tjetrin".

Ish-lojtarët e konfirmuan obsesionin e tij

Në vitin 2025, ish-mbrojtësi Philippe Mexes deklaroi se Domenech besonte seriozisht në astrologji.

"Nuk më ka pëlqyer kurrë. Dashi nuk luan me Akrepin, Akrepi nuk luan me Demin... Kjo nuk është futboll, është teatër. Mendoj se ai vërtet beson në këto gjëra dhe kjo është e çuditshme", tha Mexes.

Edhe Robert Pires ironizoi më vonë ish-trajnerin e tij:

"Sa i përket astrologjisë, ai ishte i fiksuar pas saj. Thoshte se nuk mund të kishte një Akrep në ekip, ndërsa unë jam Akrep. Ndoshta kjo ishte arsyeja perfekte për të më lënë jashtë".

Një mister që nuk u zgjidh kurrë

Edhe sot nuk ekziston një provë përfundimtare që astrologjia ka ndikuar drejtpërdrejt në përzgjedhjet e Raymond Domenech.

Megjithatë, fakti mbetet interesant: Franca e vitit 2006 arriti deri në finalen e Kupës së Botës, ndërsa në skuadër nuk kishte asnjë futbollist të lindur në shenjën e Akrepit. /Telegrafi/

Momenti kur portieri heroi i Kepit të Gjelbër e kuptoi se fitoi miliona ndjekës në rrjetet sociale pas paraqitjes ndaj Spanjës

15 June 2026 at 23:44


Portieri veteran i Kepit të Gjelbër, Vozinha, u shndërrua në një nga figurat më të përfolura të ditës së parë të Kupës së Botës 2026, pas paraqitjes së jashtëzakonshme në barazimin 0-0 ndaj Spanjës.

40-vjeçari ishte protagonisti absolut i ndeshjes, duke ndalur disa raste të pastra të spanjollëve dhe duke i siguruar kombëtares së tij një pikë historike në debutimin e saj në një Kampionat Botëror.

Pas përfundimit të takimit, Vozinha përjetoi një tjetër surprizë. Gjatë një interviste televizive, prezantuesi i tregoi se numri i ndjekësve të tij në Instagram ishte rritur në mënyrë marramendëse gjatë ndeshjes.

Portieri i Kepit të Gjelbër e kishte nisur ditën me rreth 40 mijë ndjekës në rrjetin social, ndërsa pas paraqitjes heroike ndaj Spanjës, numri i tyre kishte kaluar në mbi 2.8 milionë.

Reagimi i tij u bë menjëherë viral, pasi veterani dukej i habitur nga popullariteti i papritur që i kishte sjellë performanca ndaj një prej favoritëve kryesorë të turneut.

Vozinha ishte vendimtar në ruajtjen e portës së paprekur, duke realizuar shtatë pritje ndaj yjeve të Spanjës. Mes lojtarëve që ai ndali më së shumti ishte Ferran Torres, të cilit i mohoi dy mundësi të mira shënimi.

Për Kepin e Gjelbër, një shtet ishullor me pak më shumë se 500 mijë banorë, barazimi ndaj kampionëve të Evropës përbën një nga momentet më të rëndësishme në historinë e futbollit të vendit.

Historia e Vozinhës është një dëshmi se momentet më të mëdha të karrierës mund të vijnë edhe në fund të rrugëtimit sportiv. Në moshën 40-vjeçare, ai po përjeton kulmin e famës së tij në skenën më të madhe të futbollit botëror.

Aktualisht, Vozinha aktivizohet te Chaves në Portugali, ndërsa gjatë karrierës së tij ka luajtur edhe në Sllovaki, Qipro, Moldavi dhe Angolë. /Telegrafi/

a reação do vozinha descobrindo que tá com mais de 1 milhão de seguidores no instagram…

somos todos netos do vozinha!!! pic.twitter.com/NamgRVwDIR
— matheus (@whomath) June 15, 2026

❌