Normal view

Netanyahu thotë se sulmet izraelite ndaj Iranit kanë pushuar pa pranuar zyrtarisht armëpushimin

8 June 2026 at 19:14


Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se Izraeli ka ndaluar sulmet ndaj Iranit, duke mos pranuar një armëpushim, në deklaratën e tij të parë që kur të dyja palët shkëmbyen sulme.

"Për momentin, zjarri ka pushuar, sepse pasi goditëm regjimin terrorist në Teheran, ai ndaloi së na sulmuari. Nëse regjimi terrorist në Iran bën gabimin të na sulmojë përsëri, ne do të përgjigjemi me forcë", tha Netanyahu në një deklaratë të hënën.

Netanyahu tha se Teherani u përpoq të krijonte një "ekuacion të ri" duke lidhur konfliktin në Liban me një përgjigje iraniane. Hezbollahu është një përfaqësues i Iranit në Liban, transmeton Telegrafi.

"Ata menduan se mund të qëllonin Izraelin nga territori libanez dhe iranian, dhe se ne nuk do të përgjigjeshim. Kjo nuk ndodhi dhe nuk do të ndodhë. Jo gjatë mandatit tim. Unë qëndroj fuqimisht në të drejtën tonë për të vepruar kundër armiqve tanë", tha Netanyahu.

CNN raportoi më parë se presidenti i SHBA-së, Donald Trump i tha Netanyahut të ndalonte nisjen e një sulmi hakmarrës kundër Iranit, sipas një zyrtari amerikan. Të dy udhëheqësit kanë folur në telefon dy herë në 24 orët e fundit, tha një zyrtar izraelit për CNN. /Telegrafi/

Netanyahu: Lufta jonë me Iranin dhe Hezbollahun nuk ka mbaruar

8 June 2026 at 17:44


Kryeministria izraelite Benjamin Netanyahu ka lëshuar një deklaratë shumë të shkurtër, i cili pretendoi se Irani dhe përfaqësuesi i tij, Hezbollahu, janë më të dobët se kurrë, dhe se Izraeli është më i fortë se kurrë.

Kryeministri izraelit tha se lufta me ta nuk ka mbaruar ende, transmeton Telegrafi.

Netanyahu shtoi se Irani dhe Hezbollahu janë "përpjekur të na imponojnë një ekuacion të ri" dhe kjo është "e patolerueshme dhe e papranueshme".

"Dua t'ju them - luftëtarët tanë heroikë po e shkatërrojnë Hezbollahun", tha ai.

"Ne vazhdojmë të shkatërrojmë të gjithë infrastrukturën e tyre terroriste në zonën e sigurisë, duke përfshirë objektet e mëdha nëntokësore në Beaufort [kreshtë]. Aq të mëdha sa nuk kam parë kurrë të tilla", shtoi ai. /Telegrafi/

Me sa duket, Netanyahu po i referohej Kështjellës Beaufort, e cila është një fortesë strategjikisht e rëndësishme e epokës së Kryqëzatave në Liban që forcat izraelite e pushtuan në maj.

Trump i bën thirrje Izraelit dhe Iranit të ndalojnë menjëherë sulmet

8 June 2026 at 12:26


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u ka bërë thirrje Izraelit dhe Iranit që të ndalojnë sulmet ndaj njëri-tjetrit.

“Izraeli dhe Irani duhet të ndalojnë menjëherë sulmet”, tha ai në një postim të shkurtër në platformën e tij Truth Social.

Ndërkohë, në një telefonatë të dielën, Trump i tha kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu të përmbahej nga nisja e një sulmi hakmarrës ndaj Iranit, sipas një zyrtari amerikan.

Më parë, Izraeli njoftoi se kishte goditur një strukturë petrokimike në Iranin jugperëndimor, si dhe objektiva të tjera ushtarake, pavarësisht raportimeve se Trump i kishte kërkuar kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu të shmangte sulme të mëtejshme.

Zhvillimet intensifikojnë shqetësimet në lidhje me një përshkallëzim të ri të konfliktit dhe ndikimin e tij në stabilitetin rajonal dhe tregjet ndërkombëtare të energjisë.



Ndryshe, Irani nisi disa sulme me raketa drejt Izraelit, duke shkaktuar sirena sulmesh ajrore në të gjithë rajonet dhe duke dërguar civilët në strehimore, sipas Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF).

Ushtria tha se Forcat Ajrore Izraelite (IAF) po punonin në mënyrë aktive për të kapur kërcënimet dhe për të goditur objektivat kur është e nevojshme. /Telegrafi/

Trump do t'i kërkojë Netanyahut të mos kundërpërgjigjet ndaj Iranit

7 June 2026 at 23:33


Presidenti amerikan Donald Trump do të telefonojë kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe do ta shtyjë të mos hakmerret për sulmin me raketa të Iranit, thotë Trump për Axios.

"Do ta telefonoj Bibin tani dhe do t'i them të mos hakmerret. Secili prej tyre pati qejfin e vet. Izraeli pati sulmin e tij dhe Irani pati sulmin e tij. Nuk kemi nevojë për një tjetër", tha Trump.

Armëpushimi në Lindjen e Mesme po lëkundet pasi Izraeli goditi Bejrutin dhe Irani lëshoi valë të shumta raketash në përgjigje, transmeton Telegrafi.

Trump po nxiton për të ndaluar përshkallëzimet që po i vrasin shpresat për një marrëveshje të qëndrueshme me Iranin. Përgjigja e Netanyahut do të masë se sa ndikim ka ende presidenti amerikan mbi Izraelin.

Irani lëshoi raketa në Izrael të dielën në hakmarrje për sulmin izraelit në periferitë jugore të Bejrutit. Është sulmi i parë i drejtpërdrejtë i Iranit që nga armëpushimi i 8 prillit. Izraeli thotë se ka kapur raketat.

Kërkesa e Trump që Izraeli të mos hakmerret është shumë e pazakontë. Pa mbështetjen e SHBA-së, çdo sulm izraelit në Iran do të jetë shumë më i vështirë dhe i rrezikshëm.

Një zyrtar amerikan i tha Axios: "Ne nuk jemi pjesë e kësaj", por është e paqartë nëse Trump do t'i urdhërojë ushtrisë amerikane të mos e ndihmojë Izraelin në një sulm në Iran, veçanërisht kur bëhet fjalë për furnizimin me karburant ajror dhe lloje të tjera të koordinimit ushtarak. /Telegrafi/

❌