Normal view

Profesor, pedagog, përkthyes: një përkujtim me rastin e vdekjes së albanologut zviceran Basil Schader

14 May 2026 at 18:07


Ai u angazhua që fëmijët shqiptarë ta ruanin gjuhën amtare në Zvicër. Ndërtoi shkolla në veri të Shqipërisë. Këshilloi Ministrinë e Arsimit të Kosovës. Përktheu në gjermanisht shkrimtarët Fatos Kongoli e Arif Demolli. I dha zë kulturës shqiptare në hapësirën gjermanishtfolëse. Dhe kishte ende shumë plane, të cilat ia këputi papritmas vdekja. Profesori Basil Schader ishte një personalitet krejt origjinal. Shqiptarët i detyrohen atij mirënjohje të përhershme.

Njëherë e zateta profesorin Basil Schader te restoranti “Pishat” në Prishtinë. Po shijonte një çorbë, të cilën e nxirrte nga vegshi që po vlonte dhe - pastaj - shikonte nëpërmjet xhamit pikat e shiut që binin mbi rrugët e zymta të Prishtinës. Pyetjes sime se sa do rrinte në Kosovë, ai iu përgjigj me humor: “Si nuk ke dëgjuar se jam bërë vendali në Prishtinë?” Basil Schader punonte atëbotë si këshilltar në Ministrinë e Arsimit të Kosovës. Kishte ardhur nga Zürichu në kryeqytetin e Kosovës për të shkruar, përpiluar e formuluar plane e programe se si të organizohej mësimi plotësues në gjuhën shqipe në mërgatë.

Asnjë zviceran nuk ishte më shqiptar se Basil Schader. Dhe asnjë shqiptar nuk do të arrinte ta mësonte aq shpejt gjermanishten sa e mësoi Basil Schader gjuhën shqipe. Më 2005 ai madje doktoroi në Universitetin e Tiranës. Në moshën 54-vjeçare! Ky nuk ishte, natyrisht, kualifikimi i tij i vetëm.

Profesori Basil Schader ishte një personalitet krejt origjinal, kureshtar dhe me prirje për humor sarkastik. Ai ishte pedagog, specialist i didaktikës, gjermanist, përkthyes i letërsisë shqipe në gjermanisht, shkrimtar, autor i publikimeve shkencore dhe doracakëve mësimorë.

Me gjasë interesimi i tij i gjithanshëm buronte edhe nga rrethi i tij familjar: i ati i tij ishte arkitekti Jacques Schader (1917-2007), ndër më të njohurit në Zvicër në këtë fushë në shekullin e 20-të dhe autor i “Akropolisit të Zürichut”, siç quhet kompleksi shkollor Freudenberg në lagjen Enge të Zürichut. Pas maturës Basil Schader, i lindur më 1951, studioi filologji klasike në Zürich dhe Tübingen (Gjermani), mandej u kualifikua si mësues filloreje dhe më 1979 filloi studimet kësaj radhe për gjermanistikë, pedagogji dhe kritikë letrare në Universitetin e Zürichut, të cilat i përfundoi në vitin 1985 me një disertacion mbi didaktin e gjuhës Johann Jakob Redinger (1619–1688). Në fund të viteve 1980-të Basil Schader thelloi dijen e tij me studime plotësuese në folkloristikë dhe etnologji evropiane. Paralelisht ai u angazhua në funksione të ndryshme - deri në profesor - në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Zürich.

Me rritjen e numit të shqiptarëve në Zvicër si pasojë e represionit të Serbisë në Kosovë në vitet 1990-të, u zgjua edhe interesimi i Basil Schader për shqiptarët. Më 1999 ai filloi studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës, të cilat i përfundoi në vitin 2005 me një doktoratë.

U miqësua me shumë shqiptarë. I përkrahu ata dhe i dha zë kulturës shqiptare duke përkthyer në gjermanisht romanin e Fatos Konglit “Bolero në shtëpinë e pleqve” (“Bolero im Haus der zwei Alten”), romanin e Arif Demollit “Të gjallët dhe të vdekurit e një fëmijërie” (“Es war ein Dorf in Kosova. Die Lebenden und die Toten meiner Kindheit”), romanin e Helena Kadaresë “Një grua nga Tirana” (“Eine Frau aus Tirana”). Dhe vepra të tjera.

Me Arif Demollin, edhe ky tashmë i ndjerë, Basil Schaderin e lidhte një miqësi e ngushtë. Dëshmi e kësaj miqësie është edhe letërkëmbimi intensiv mes tyre. Gazeta zvicerane “St. Galler Tagblatt” shkroi për librin e Demollit: “‘Kështu jetuan, dashuruan dhe vdiqën njerëzit e Murrizajës, me bindjen e patundur se fshati i tyre ishte më i miri dhe më i bukuri në tërë botën’. Jo, jo vetëm ata: kushdo që e ka lexuar këtë libër, këtë odë për një fshat, do të pajtohet me entuziazëm me ta. Arif Demolli i ka ngritur fshatit të fëmijërisë së tij një monument letrar që të prek në zemër”. Për Demollin Basil Schader organizoi edhe një lexim letrar në Zvicër.

Basil Schader ishte i palodhshëm në angazhimin e tij për shqiptarët - në Zvicër, në Kosovë, në Shqipëri. Në veri të Shqipërisë ndihmoi (me përkrahje të sponsorëve zviceranë) zgjerimin dhe renovimin e shkollave. I mbështeti ato me kompjuterë, libra, pajisje sportive. Në Zvicër themeloi shoqatën “Arsimi”, e cila ka për qëllim nxitjen e bashkëpunimit me institucionet arsimore të hapësirë shqiptare. Më 2002 bashkë me gruan e tij Erika morën titullin “Qytetar Nderi” të komunës Balldren në Shqipëri, ndërsa në vitin 2003 u shpallën anëtarë nderi të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Zvicër.

Lidhur me angazhimin në Shqipëri, Basil Schader ka lënë këtë shënim: “Projektin e Shqipërisë, Erika dhe unë e nisëm rreth vitit 1997. Me rastin e një udhëtimi në veri të Shqipërisë, pamë atje mjerimin e papërshkrueshëm që mbretëronte në një shkollë të vogël fshati, në një pjesë të komunës qendrore të Balldrenit. Ne dhamë ndihmë të menjëhershme dhe, pas kthimit në Zvicër, vendosëm të angazhohemi bashkërisht këtu. Falë sponsorëve bujarë dhe një kërkimi intensiv për mundësi financimi, ia dolëm që gjatë njëzet viteve të ardhshme të rinovojmë gjithsej pesë shkolla në rrethinën e shkollës së fshatit Torovicë, përkatësisht dy prej tyre t’i rindërtojmë tërësisht nga themeli. Përveç kësaj, mblodhëm para për t’i pajisur shkollat edhe në aspektin infrastrukturor, me libra dhe pajisje sportive. Njohuritë e mia të gjuhës shqipe dhe marrëdhëniet shumëvjeçare me bashkëpunëtorët tanë lokalë dhe njerëzit e besuar, bënë që të mos përjetonim asnjë zhgënjim të vetëm. Ky angazhim i përbashkët na bashkoi edhe më shumë dhe na vuri në kontakt me njerëz të admirueshëm, të cilët meritonin gjithë respektin tonë”.

Në një bisedë me gazetën zvicerane “Der Bund” më 2019, Basil Schader dha disa mendime me vlerë mbi të ardhmen jo aq premtuese të gjuhës shqipe në Zvicër. “Shqiptarët e rinj në Zvicër”, theksonte ai, “shpesh e zotërojnë gjuhën e tyre amtare vetëm në formë gojore dhe në dialekt. Në kontrast me të kaluarën, sot më pak fëmijë dhe të rinj ndjekin mësimin e gjuhës dhe kulturës amtare”. Ky është një zhvillim negativ për të cilin në komunitetin shqiptar në Zvicër nuk flitet aq. Sipas Schader, sidomos “prindërit me nivel të ulët arsimor nuk e njohin vlerën e kësaj oferte (mësimin e gjuhës shqipe, v.j.) dhe pyesin veten: Pse duhet të flasin fëmijët e mi shqip?” Por, vazhdonte ai, këta prindër nënvlerësojnë pasurimin intelektual të një gjuhe të dytë dhe të njohurive mbi kulturën e tyre të origjinës.

Kulturën shqiptare Basil Schader e njihte mirë. Nuk e thoshte për mburrje, por vetëm si informacion për kureshtarë: kishte lexuar mbi 200 libra në gjuhën shqipe. Brenga e tij ishte se pas dy gjeneratave shqipja nuk do flitet më në mesin e mërgatës në Zvicër.

Viteve të fundit Basil Schader sprovoi veten edhe në fushën e letërsisë: shkroi cukla letrare, poezi bukolike për qengja e dele, ese mbi çuda e çmeritje zvicerane. Kishte dhe shumë plane të tjera. Këto plane tash ia këputi jeta. Ai vdiq të dielën që shkoi, më 10 maj, pas një sëmundjeje të shkurtër, siç bën me dije familja e tij. Ishte 75-vjeçar.

Shqiptarët i detyrohen Basil Schaderit mirënjohje të përhershme. Me shembullin e tij, me angazhimin e tij dhe me vetëmohimin e tij ai ka lënë gjurmë të pashlyeshme në marrëdhëniet mes albanosferës dhe botës helvetike. Në të gjallë të tij, institucionet e Kosovës nuk ishin të ndërgjegjshme për këtë. (Këtu nuk është vendi për të hyrë në detaje).

Kur Basil Schader doktoroi në Tiranë në vitin 2005, një koleg shkroi në gazetën “Tages Anzeiger”: “‘Shqyrtime gjuhësore rreth kontaktit mes shqipes dhe gjermanishtes në Zvicër’ titullohet punimi i doktoratës prej gati 500 faqesh, të cilën Schader e mbrojti me sukses në fund të shkurtit në Universitetin e Tiranës - dhe e mbrojti në gjuhën shqipe, ashtu siç i ka hije. Me këtë, Schader fitoi titullin e tij të dytë të doktorit, dhe me gjasë jo të fundit. Sepse Schader bën pjesë në atë grup njerëzish të apasionuar deri në marrëzi, pa të cilët mekanizmi i institucioneve publike nuk do të mund të funksiononte”.

Për doktoraturën e tij Schader anketoi 2200 fëmijë shqiptarë e zviceranë dhe u interesua se çka flasin ata mes vete, për shembull kur dalin në oborr të shkollës për pauzë mes orëve të mësimit. Mes shumë fjalëve që nxënësit zviceranë mësojnë nga mocanikët e tyre shqiptarë, janë edhe disa të pacitueshme. Basil Schader ishte i pakundshoq edhe në koleksionimin e fjalëve ofensive të kasabasë ballkanike. Po aq sa ishte i zellshëm në vjeljen e shkëndijave të gjuhës shqipe, të cilat do të shkreptijnë përgjithmonë.

Ditë historike në Stuttgart: Kryeministri i ri është me origjinë nga Turqia, zonja e parë një shqiptare nga Kanadaja

13 May 2026 at 15:58


Politikani i Gjelbër gjerman Cem Özdemir është zgjedhur të mërkurën kryeministër i Landit të Baden-Württembergut. Prindërit e tij erdhën para shumë dekadave nga Turqia. Pak para se t’i fitonte zgjedhjet, Özdemir bëri publike martesën e tij me një juriste shqiptare. Özdemir është përkrahës i madh i shtetësisë së Kosovës.

Landi i Baden-Württembergut gjendet në jug të Gjermanisë, në kufi me Zvicrën. Nëse hartën e Gjermanisë e krahasojmë me trupin e një njeriu, i bie që Baden-Württembergu të jetë diku nga këmbët. E vërteta është: Baden-Württembergu është zemra e industrisë gjermane, një rajon i njohur me marka të famschme si Bosch, Mercedes, Porsche, Ritter. Vitin që shkoi Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) i këtij Landi ishte rreth 670 miliardë euro. Kosova mezi arrin në 11 miliardë dollarë. PBB-ja është vlera e përgjithshme e të gjitha mallrave dhe shërbimeve të prodhuara brenda vendit.

Që nga e mërkura kryeministër i Baden-Württembergut është Cem Özdemir - dhe ky është një lajm historik jo vetëm për këtë regjion gjerman. 60-vjeçari Özdemir është i pari kryeministër i një Landi gjerman me origjinë turke. Si kryeministri i deritanishëm Winfried Kretschmann, edhe Özdemir vjen nga Partia e Gjelbër.

Prindërit e Özdemir erdhën në fillim të viteve 1960-të në Gjermani, pasi ky vend kishte nevojë për punëtorë. Atëbotë në Gjermani mërguan si gastarbajterë edhe shumë shqiptarë nga Jugosllavia. Zgjedhjen në postin e kryeministrit të Baden-Württembergut Özdemir e ka quajtur “kulmi absolut i jetës sime”. Nga një fëmijë punëtorësh të ardhur nga provinca turke në zyrën e kryeministrit - kjo karrierë tingëllon pak si ëndërr.

Özdemir u lind në Bad Urach panë Schwäbische Alb, një vargmal në Gjermaninë Jugore. Mund të thuhet, gjithsesi pa përçmim, se Özdemir është rritur në provincën gjermane. Nëna ishte rrobaqepëse, babai punëtor në fabrikë. E Cemi i vogël? Nxënës me vështirësi në shkollë. Edhe sot ai mban kontakte me një mësuese që e ndihmoi të marrë hapat e parë në shkollë. Përkundër barrierave, Özdemir arriti të studiojë për pedagogji sociale.

Partia e Gjelbër u themelua më 1980, në vitin vijues Cem Özdemir u bë anëtar i saj, duke u angazhuar për mbrojtjen e ambientit dhe kundër energjisë bërthamore. Një figurë udhëheqëse e të Gjelbërve ishte atëbotë Joschka Fischer, i cili më vonë u bë ministër i Jashtëm i Gjermanisë.

Özdemir përherë ishte i pari. Më 1994 u zgjodh për herë të parë në Bundestag (parlamentin gjerman) dhe ishte deputeti i parë me prejardhje turke. Për 10 vite (2008-2018) ishte kryetar i Partisë së Gjelbër të Gjermanisë. Në qeverinë e parafundit të kancelarit socialdemokrat Olaf Scholz, Özdemir ushtroi funksionin e ministrit të Bujqësisë. Ai është përmendur edhe si kandidat për ministër të Jashtëm të Gjermanisë. Özdemir është mbrojtës i fuqishëm i vlerave perëndimore dhe disa herë e ka kritikuar ashpër autoritarizmin e Rexhep Taip Erdoanit. Kjo nuk u pëlqen militantëve të Erdoanit në Gjermani. Özdemir ka treguar se shpesh ka pasur probleme kur ka marrë taksinë në Berlin. Shoferët turq e kanë fyer dhe trajtuar keq. Banesa e tij në Berlin është gjuajtur me gurë.

Por Özdemir nuk është dorëzuar. Ai e sheh veten si mbrojtës të të drejtave të njeriut. Dhe këtë e ka dëshmuar edhe në rastin e Kosovës, të cilën nuk e ka parë vetëm si çështje të të drejtave të njeriut, por edhe si betejë legjitime të një populli për liri, pavarësi dhe shtet të vetin.

Gjatë vizitës në Kosovë më 2024 Özdemir vizitoi edhe Krushën e Madhe. Ai shprehu pakënaqësinë e tij që nuk janë dënuar ende ata pjesëtarë të forcave serbe që kryen krime kundër popullsisë civile. Özdemir viteve të fundit ka qenë pjesëmarrës i rregullt në pritjet e Ambasadës së Kosovës në Berlin me rastin e përvjetorit të pavarësisë së Kosovës dhe ka marrë fjalën duke lavdëruar të arriturat e Kosovës përkundër trashëgimisë së rëndë të luftës. Në një fotografi Özdemir shihet gjatë një pritjeje për 17-vjetorin e pavarësisë duke mbajtur në dorë një kavanoz me ajvar të prodhuar në Kosovë.

Në zgjedhjet e 8 marsit për parlamentin e Landit të Baden-Württembergut, të Gjelbrit fituan me një epërsi të vogël ndaj konservatorëve të CDU-së së kancelarit Friedrich Merz. Një fitore e të Gjelbërve nuk pritej dhe kjo u arrit falë talentit politik të Özdemirit, por edhe gabimeve të kundërshtarëve të tij politikë. Në Baden-Württemberg jetojnë rreth 180 mijë shqiptarë dhe një pjesë e konsiderueshme e tyre në zgjedhjet e fundit kanë përkrahur Cem Özdemirin dhe partinë e tij.

Në librin e tij “Unë jam vendës” (Ich bin Inländer) Özdemir tregon se ishte entuziazmuar me politikën amerikane kur në Gjermani ishte gati e paimagjinueshme që një njeri me origjinë të huaj të marrë përgjegjësi të lartë politike. Më 1997 ai shkruante: „Fakti që një pasardhës i një familjeje emigrantësh synon postin më të lartë në shtet si kandidat për president, si Michael Dukakis në fund të viteve tetëdhjetë, në Shtetet e Bashkuara nuk përbën temë diskutimi. Unë vërtet nuk kam filluar të marshojë drejt zyrës së Kancelarit, as nuk i kam shkundur ndonjëherë rrethojat e selisë së Kancelarit pas nja dy gotave birrë duke thirrur: ‘Dua të hyj brenda!’, por në këtë aspekt, SHBA-të më kanë magjepsur që në udhëtimin tim të parë“.

Özdemir është politikan pragmatik. Ndërsa disa ideologë në partinë e tij veturën e quajnë si diçka vdekeprurëse për ambientin, ai kultivon afërsinë me industrinë e automobilave. Kur ishte kryetar i të Gjelbërve, Özdemir e ftoi që në vitin 2016 shefin e atëhershëm të Mercedesit, Dieter Zetsche, si folës në kongresin federal të partisë, gjë që shkaktoi pakënaqësi te një pjesë e delegatëve.

Para zgjedhjeve të marsit, Özdemir u martua me Flavia Zaka, një juriste shqiptare, familja e së cilës emigroi nga Shqipëria në Kanada. Në vitin 2008 Zaka studoi drejtësinë në Gjermani dhe pastaj u kthye në Kanada. Në vitin 2023 një shoqe e saj e ftoi në Stuttgart në një festë ditëlindjeje - aty Zaka u njoh me Özdemirin. Sipas mediave gjermane Zaka punonte në atë kohë në Toronto si avokate dhe këshilltare për ligjin mjedisor dhe të drejtat e njeriut për qeverinë kanadeze dhe organizata joqeveritare. Me zgjedhjen e Özdemirit në postin e kryeministrit të Baden-Württembergut, një shqiptare do të jetë zonjë e parë, një First Lady, siç thuhet në botën anglosaksone, ose: Landesmutter, siç thonë shvabët e Baden-Württembergut, që në shqip i bie: nëna e Landit. Në një intervistë Zaka ka thënë se e pëlqen qartësinë e gjuhës gjermane që nga rinia e saj dhe e çmon letërsinë gjermane, veçanërisht lirikën e Rainer Maria Rilkes.

Kryeministri i ri i Baden-Württembergut, Cem Özdemir, njihet si mbështetës i bizneseve, është vegjetarian dhe preferon të lëvizë me biçikletë. Jo përherë pajtohet me partinë e tij. Në politikën e migracionit ai është kritik ndaj atyre që vijnë në Gjermani dhe refuzojnë të integrohen. Özdemir prej vitesh ka kërkuar vigjilencë të shtuar të autoriteteve dhe të politikës ndaj fanatikëve islamistë. Një debat të gjerë publik zgjoi një editorial i Cem Özdemir, i botuar në shtator 2024 në gazetën “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. Aty Özdemir përshkroi se si disa burra me prejardhje të huaj kishin ngacmuar vajzën e tij dhe shoqet e saj. Ai kërkoi një debat pa dorëza mbi “strukturat patriarkale dhe rolin e gruas në shumë vende me karakter islamik”.

Pesë javë ethe: Kur Franz Kafka u zgjua në një shtet tjetër

6 May 2026 at 23:28


Ndërsa shkrimtari Franz Kafka, në vjeshtën e vitit 1918, rrinte i mbyllur në karantinë, i infektuar nga gripi spanjoll, nën dritaren e tij u themelua një shtet i ri - edhe me ndihmën e një presidenti amerikan, i cili do të luante rol edhe në mbrojtjen e Shqipërisë.

Kritiku letrar gjerman Reiner Stach ka punuar 18 vjet në një biografi me tre vëllime të shkrimtarit të madh Franz Kafka.

Ky studim, i shkruar si roman, është një minierë e vërtetë me të dhëna interesante si për punën krijuese, ashtu edhe për jetën e përditshme të Kafkës.

Një ndër episodet më interesante është se si Kafka, kur i kaluan ethet e një gripi, doli në rrugë dhe e kuptoi se tani ishte shtetas i një shteti të ri.

Por të shkojmë me radhë.

Në vjeshtën e vitit 1918, Kafka ndiqte kurse në një institut për t’u bërë kopshtar i kualifikuar, mësonte hebraisht dhe kishte vendosur të mos martohej kurrë pas ndarjes nga e fejuara e tij, Felice Bauer.

Ai ishte i pasigurt në çdo lidhje.

Më 14 tetor 1918, Kafkën e kapën ethet.

Si shumë njerëz të tjerë, edhe Kafka ishte infektuar me gripin spanjoll.

Reiner Stach shkruan në vëllimin e tretë të biografisë së Kafkës: “Ky nuk ishte më një grip i zakonshëm. Ishin simptomat e një sëmundjeje që do të zhvillohej në një pandemi shkatërruese, e cila do të përfshinte të gjithë rruzullin tokësor. Dhe kjo ndodhi me një shpejtësi që e bëri infeksionin masiv të shpërthente si një katastrofë natyrore... Në fund të shtatorit u bënë të njohura rastet e para; brenda javës së parë të tetorit vdiqën rreth dyqind njerëz në secilin prej metropoleve, Vjenë dhe Berlin, ndërsa nga mesi i tetorit ishin deri në dyqind në ditë”.

Kafka u godit nga ky grip në kulmin e pandemisë. Shkollat ishin të mbyllura, po ashtu edhe teatrot, kinematë, dyqanet.

Në çdo morg s’kishte vend për të vdekurit.

Gripi spanjoll bënte kërdi - dhe i ngjante pandemisë së koronavirusit me të cilën u konfrontua bota në vitin 2020, pasi rasti i parë u bë i ditur më 31 dhjetor 2019 në Vuhan të Kinës.

Kafka ishte shëndetlig, me tuberkuloz, nga i cili do të vdiste në vitin 1924.

Kur u infektua me gripin spanjoll, ai u mbyll në dhomën e gjumit të prindërve të tij.

Ndërsa Kafka gjendej në karantinë, çekët bënin plane për shtetin e tyre, dëshironin të braktisnin Perandorinë Austro-Hungareze.

Në dhomë lëngonte Kafka, poshtë dritares zhvillohej revolucioni dhe pacienti i quajtur Austro-Hungari jepte grahmat e fundit.

Presidenti amerikan Woodrow Wilson hodhi poshtë kërkesën e perandorit austriak për të ruajtur Monarkinë Austro-Hungareze - kësisoj Wilsoni vuri themelet për themelimin e shtetit të ri çekosllovak.

Një vit më vonë, më 1919, Wilsoni do të mbrojë ekzistencën e Shqipërisë si shtet dhe do të deklarohet kundër planeve të fqinjëve të saj për copëtimin e mëtutjeshëm të territoreve shqiptare.

Më 1922, SHBA-ja do të vendosë marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë dhe do ta njohë shtetin shqiptar edhe formalisht.

Për shkak të rrethanave të kohës, Shqipërisë iu desh të priste 10 vjet për njohjen nga SHBA-ja.

Kur 86 vjet më vonë Kosova shpalli pavarësinë, ajo priti pak më shumë se 10 orë dhe njohja nga Washingtoni erdhi.

Të kthehemi te heroi i këtij rrëfimi, te Franz Kafka.

Ai qëndroi 5 javë në karantinë për të hequr qafe gripin spanjoll.

Kur doli nga karantina, Austro-Hungaria nuk ekzistonte më; një shtet i ri ishte themeluar, quhej Çekosllovaki.

Stacioni i trenit në Pragë kishte ndërruar emrin: nga perandori “Franz-Joseph” në “Woodrow Wilson”.

Tani çekishtja ishte bërë gjuhë zyrtare, duke lënë në hije gjermanishten, ndërsa në pasaportën e re Franz Kafka quhej: František Kafka.

“Të zhytesh në ethe si nënshtetas i Monarkisë Habsburgase dhe të zgjohesh sërish si qytetar i një demokratie çeke: tashmë kjo ishte rrëqethëse, por edhe komike”, nënvizon Reiner Stach. /Telegrafi/

Ëmbëlsirat e tij i pëlqente edhe Mbreti me origjinë shqiptare i Egjiptit: Historia e zviceranit Giacomo Groppi

2 May 2026 at 23:52


Nga një fshat zviceran në zemër të Egjiptit: Giacomo Groppi me dekada ëmbëlsoi elitat e Egjiptit dhe la një trashëgimi të gërshetimit kulinarik dhe kulturor. Në lokalin e tij në zemër të Kajros u zhvillua një pjesë e historisë së Egjiptit.

Rovio është një fshat i vogël zviceran me rreth 750 banorë në kantonin e Tiçinos. Rrugica të ngushta të shtruara me kalldrëm, burime uji, fasada historike, pallate dhe pamje mbi liqenin magjik të Luganos. Kush do të donte të largohej nga këtu?
Giacomo Groppi u largua në fund të shekullit të 19-të, sepse atëbotë Zvicra nuk ishte e pasur siç është sot. Para se të merrte rrugën e mërgimit, ai kreu zanatin e pastiçierit në Lugano.

Tiçinezët janë tetovarët e Zvicrës. Groppi u vendos në Aleksandri, ku më 1890 hapi kafenenë e tij të parë. Pasi bëri emër aty me ëmbëlsirat e tij - kroasntë, akullore e çokollata - ai shkoi në Kajro dhe hapi një tjetër pikë. Biznesi po i ecte mjaft mirë. “Maison Groppi” u bë adresa e preferuar e elitës së Egjiptit. Politikanë, pashallarë, tregtarë e ushtarakë britanikë - të gjithë vinin te “Groppi” për çaj, kafe dhe ëmbëlsira. Anëtarët e shtëpisë mbretërore, të cilët, siç dihet, ishin me origjinë shqiptare, i porosisnin ëmbëlsirat te zvicerani i famshëm i Kajros.

Mbreti Faruk i shijoi këto specialitete po aq sa edhe presidentët e mëvonshëm (Naseri, Sadati dhe Mubaraku). Por te “Groppi” nuk prodhoheshin vetëm ëmbëlsira; aty njerëzit thurnin plane për revolucione, grindeshin për politikë, binin në dashuri ose ndaheshin. Në filmin “Pacienti anglez”, çifti i dashuruar ndahet pikërisht në kopshtin e Groppit.

Café Groppi në Sheshin Talaat Harb në Kajro

Ky lokal, pa dëshirën e pronarëve, u bë pjesë edhe e turbullirave politike të Egjiptit. Më 26 janar 1952, turma të mllefosura, të cilat protestonin kundër pranisë britanike dhe përbuznin Mbretin Faruk, sulmuan kafenenë “Groppi” në qendër të Kajros. E plaçkitën dhe e dogjën, sepse e shihnin si simbol të të huajve. Megjithatë, egjiptianët nuk u ndanë nga ëmbëlsirat e familjes Groppi. Kur më 1971 u përurua diga e Asuanit, 1000 mysafirët e ftuar u shërbyen me produktet e Groppit, të cilat transportoheshin me avionë ushtarakë dhe me anije.

Nga shekulli i 19-të, në Egjipt u vendosën shumë zviceranë; disa prej tyre dominuan prodhimin dhe eksportimin e pambukut. Zviceranët madje kishin në Kajro një klub të vetin, të cilin e vizitonte edhe Mbreti Faruk, i cili erdhi në pushtet më 1936. Farukut i pëlqente të luante me birila (bowling).

Më 1952 ai u rrëzua nga froni. Një pjesë e madhe e popullsisë e perceptonte atë si marionetë të Perëndimit dhe u zemërua sidomos për shkak të stilit luksoz të jetës që celebrohej nga Faruku, ndërkohë që varfëria në vend bënte kërdi. Si pothuajse të gjithë despotët, edhe Farukut i pëlqente Zvicra: si vend për të ruajtur paratë dhe St. Moritzi si destinacion turistik për sportet dimërore.
Për të kujtuar gjurmët e zviceranëve në Egjipt, ambasada e Zvicrës ka krijuar një aplikacion që të shpie te varri i orientalistit të famshëm Johann Ludwig Burckhardt. Ai njihet si zbuluesi i qytetit antik të Petrës në Jordani (më shumë për Burckhardtin në fund të këtij teksti). Një atraksion tjetër është libraria “Lehnert & Landrock”, ndër më të bukurat e Kajros, për disa dekada në pronësi të zviceranit Kurt Lambelet.

“Maison Groppi” është pjesë e historisë dhe nostalgjisë së shumë njerëzve. Gazeta “Arab News” citon arkitektin Shafik Nakla: “Vinim çdo mëngjes te kopshti i Groppit gjatë viteve 50-të për të ngrënë krosantë të freskët. Ende e mbaj mend shijen. Produktet e Groppit ishin më të mira se ato në Paris në atë kohë. Askush nuk mund të konkurronte me të. Shihnim klasën aristokrate që zbriste nga makinat Rolls-Royce ose Cadillac me kapele dhe kravatat më të mira. Gratë mbanin fustane të jashtëzakonshme.”

Këtu lexonte shtypin edhe shkrimtari Nagip Mahfuz, fitues i çmimit Nobel. Mahfuz i qëndroi besnik metropolit të Egjiptit, rrugicave dhe legjendave të tij. Ai u shqua për angazhimin për tolerancë dhe kritikoi fundamentalizmin, gjë që i kushtoi një sulm me thikë më 1994. Te Groppi, Mahfuz gjente një simbiozë mes Orientit dhe Oksidentit.

Groppi nuk ishte vetëm një kafene. Familja menaxhonte ferma e fabrika; 500 krerë lopë zvicerane kullotnin në një ishull të Nilit. Me qumështin e tyre bëhej ajka që zbukuronte tortat e dasmave me deri në nëntë kate. Në fillim të viteve 1980-të familja Groppi ia shiti biznesin një sipërmarrësi egjiptian.

Johann Ludwig Burckhardt

Siç premtova më lart, në vijim disa të dhëna për Johann Ludwig Burckhardt dhe lidhjet e tij shqiptare. Johann Ludwig Burckhardt (1784-1817) ishte pinjoll i një familjeje fisnike zvicerane nga Baseli. Ai rizbuloi qytetin shkëmbor Petra në Jordani, u konvertua në mysliman duke marrë emrin Sheik Ibrahim, mësoi arabisht dhe u bë shok i Mehmet Ali Pashës, sundimtarit me origjinë shqiptare të Egjiptit. Në veprat e tij Burckhardt veçon dy tipare të shqiptarëve: ndjenjën patriotike vetëm ndaj atdheut të tyre dhe jo ndaj Perandorisë Osmane dhe mungesën e fanatizmit fetar.

Johann Ludwig Burckhardt u lind më 25 nëntor 1784 në Lausanne të Zvicrës. Duke qenë se i ati i tij ishte kundërshtar i Napoleonit, Burckhardt vendosi të vihet në shërbim të African Association for the Discovery of the Interior Parts of Africa, një organizatë britanike. Në Maltë Burckhardt ndërroi emrin dhe veshjen dhe vazhdoi udhën drejt Sirisë. Në qytetin e Halepit përsosi gjuhën arabe. Nga Siria ndërmori udhëtime në vende të ndryshme të botës arabe.

Sipas historianit Muhamed Mufaku, shtegtari, antropologu, historiani, gjeografi dhe udhëpërshkruesi zviceran Johann Ludwig Burckhardt ishte dëshmitar i luftës së ushtarëve të Mehmet Aliut kundër vahabinjve në Arabinë Saudite, të cilët nuk e pranonin autoritetin e Sulltan Mahmutit të II-të, e refuzonin islamin osman dhe ndërprenë shkuarjen e besimtarëve në haxh.

Mes viteve 1812-1818 mijëra ushtarë me origjinë shqiptare, të gjithë nën komandën e Mehmet Aliut dhe djemve të tij Tosunit dhe Ibrahimit si dhe të Ahmet Agës, ushtarak shqiptar i njohur edhe me emrin Ahmet Bonaparti, luftuan vahabinjtë përkundër humbjeve të mëdha. Burckhardt veçon kontributin e shqiptarëve në këtë betejë kundër fanatikëve fetarë sauditë. Nga mesi i nëntorit 1812, për shembull, ushtarët shqiptarë vranë rreth 2000 vahabinj. Me kafkat e tyre Ahmet Bonaparti ndërtoi një kullë, siç dëshmon Burckhardt. Zvicerani i dashuruar në Orient njofton se Mehmet Aliu nuk e fliste mirë arabishten. Me fitoren kundër vahabinjve, Mehmet Aliu u bë një nga komandantët kyç të Perandorisë Osmane.

Gazeta zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” shkroi para disa vitesh se Burckhardt ishte 30-vjeçar, kur më 1814 u bë haxhi duke kryer ritet përkatëse në Xhaminë e Madhe të Mekës, në Malin e Arafatit dhe vende të tjera në Mekë. Ishte i veshur si arab dhe nuk binte në sy me atë rast. Emri i tij i ri dhe i plotë ishte: Sheik Ibrahim ibn Abdallah, fort i nderuari Ibrahim, i biri i Abdallahut.
Para se të vdiste më 1817, ai ua la të varfërve të Zürichut 1000 piastër nga trashëgimia e tij. Universitetit të Cambridge Burckhardt ia la krejt bibliotekën e tij me dorëshkrime arabe, persiane dhe turke. Burckhardt është i varrosur afër Portës së Qytetit Bab al-Nasr në Kajro./Telegrafi/

Një parti kërkon që në Zvicër të ndalohet të jetojnë më shumë se 10 milionë njerëz - më 14 qershor vendos populli

1 May 2026 at 21:06


Mes viteve 2011 dhe 2024 në Zvicër kanë ardhur 2,5 milionë njerëz; gati 90 për qind e tyre janë nga vendet e Bashkimit Europian. Shumica prej tyre janë të kërkuar nga ekonomia zvicerane. Sipas statistikave zyrtare çdo vit në Zvicër vijnë nga 70 mijë njerëz nga bota e jashtme. Në vitin 2025 në Zvicër janë trajtuar 31’223 kërkesa për azil. Vetëm 7382 kërkesa janë miratuar. Përveç kësaj, çdo vit rreth 40’000 persona emigrojnë në Zvicër në kuadër të bashkimit familjar.


Qëllimi i nismës së partisë SVP është që popullsia rezidente e përhershme të mos e kalojë kufirin prej 10 milionë banorësh para vitit 2050. Zvicra tani i ka 9,1 milionë banorë. Në rast se më 14 qershor shumica e qytetarëve zviceranë me të drejtë vote e pranojnë iniciativën në referendum, atëherë qeveria do të jetë e obliguar që të ndërmarrë masa kundër emigracionit sapo numri i banorëve të arrijë 9,5 milionë. Masat do të përfshinin kufizimin e numrit të azilkërkuesve që do pranoheshin dhe bashkimin familjar.


A do të jenë të prekur edhe shqiptarët nëse nisma për kufizimin e popullsisë do të miratohet? Ka gjasa, nëse nisma kalon në referendum dhe zbatohet me përpikëri ashtu siç është shkruar. Megjithatë, ekspertët e të drejtës ndërkombëtare dhe të migracionit thonë se zbatimi do të jetë i vështirë. Për shembull: si do të sillen autoritetet nëse një shqiptare nga Kosova me qëndrim të përhershëm në Zvicër do të fejohet me një djalë në Kosovë dhe kërkon bashkim familjar, por numri i popullsisë ka kaluar 9,5 milionë banorë apo i është afruar 10-milionëshit?


Ka edhe një problem tjetër edhe më të madh. Miratimi i kësaj nisme mund të shkaktojë tensione me Bashkimin Europian, i cili - thënë thjeshtë - ka këtë marrëveshje me Zvicrën: ndonëse vend joanëtar, Zvicra, nëpërmjet marrëveshjeve bilaterale, ka qasje pothuaj të plotë në tregun e përbashkët të BE-së. Për mirëqenien e Zvicrës dhe ekonominë e saj të orientuar nga eksporti kjo qasje është thelbësore. Nga ana tjetër Zvicra ka qenë e shtyrë nga Brukseli të hapë tregun e punës për shtetas të BE-së.


Gazeta britanike “Financial Times” shkroi në shkurt se “nëse nisma miratohet, ajo mund të ketë pasoja të gjera për kompanitë globale të vendit, nga gjiganti i mallrave të konsumit Nestlé deri te kompanitë farmaceutike Novartis dhe Roche, të cilat varen shumë nga talentët e huaj. Shoqata e biznesit Economiesuisse e quajti këtë një ‘nismë kaotike’ dhe tha se kompanitë zvicerane mbështeten te punëtorët nga BE dhe nga zona e EFTA (Shoqata Evropiane e Tregtisë së Lirë) për të plotësuar vendet e punës. Pa ta, kompanitë mund të zhvendosen jashtë, të humbasin të ardhura nga taksat, të ngadalësohet inovacioni dhe të bjerë niveli i shërbimeve”.

Sipas sondazhit më të fundit të publikuar nga shtëpia mediale Tamedia dhe instituti për anketa Leewas nisma radikale për kufizimin e popullsisë ka gjasa të miratohet. 52 për qind e mbi 16’000 të anketuarve do të votonin aktualisht për këtë nismë.

❌