Normal view

Dhëndri i Trump prezanton projektin veror në Shqipëri: Po ndërtojmë vendin ku familja ime do të donte të kalonte pushimet

17 May 2025 at 18:35

Jared Kushner, biznesmen, investitor dhe dhëndri i Presidentit Donald Trump, ndan vizionin e tij për një projekt të ri ambicioz në fushën e pasurive të paluajtshme, me fokus të veçantë në Shqipëri. Ai flet për qasjen personale që ka ndjekur në zhvillimin e këtij destinacioni veror, duke e dizajnuar si një vend ku vetë ai dhe familja e tij do të dëshironin të kalonin kohën.

“E vetmja që e di me siguri është vetja ime, gruaja dhe familja ime. Pra, po e dizajnojmë këtë vend në mënyrë që të jetë një vend ku ne do të donim të kalonim verën. Dhe sa herë ua tregoj miqve tanë, ata më thonë: “Duam edhe ne një vend aty pranë.”

Po tërheqim disa nga markat më të njohura në botë që duan të bëhen pjesë e kësaj. Dhe mendoj se do të jetë e jashtëzakonshme. Pra, po e dizajnojmë si vendi ku ne vetë do të donim të kalonim verën, dhe nëse e realizojmë mirë, besoj se edhe shumë familje të tjera do të duan të kenë një shtëpi aty ose ta vizitojnë shpesh”, tha Kushner.

Për strategjinë e “Affinity Partners” dhe investimet në Europë, Kushner tregon se si prirja për të zbuluar vende me potencial të nënvlerësuar e ka udhëhequr drejt Shqipërisë. Ai thekson sukseset e hershme të fondit në Europë dhe besimin që ka në rritjen e mëtejshme të kompanive të teknologjisë dhe financës në kontinent.

“Kur isha në sektorin e pasurive të paluajtshme, gjithmonë më tërhiqnin tregjet që ishin të nënvlerësuara, por kishin të gjithë elementët e duhur. Në Nju Jork, isha në SoHo para se të bëhej shumë i njohur. Në Brooklyn para se të bëhej trend. Dhe në Jersey City para se të bëhej interesant. Të gjitha këto kishin të njëjtën gjë me Shqipërinë, themeli i duhur, por njerëzit nuk e kuptonin ende. Ndihesha sikur ishim dhjetë vjet përpara trendit. Po ashtu, përmasa, shkalla e mundësive dhe elementi qeveritar që ndihmon zhvillimin.

Kemi pasur shumë sukses në Europë. Nuk kemi bërë shumë, por kemi investuar në një kompani në Gjermani që tani ka dyfishuar vlerën. Rritja e tyre ka qenë e jashtëzakonshme. Po ashtu kemi investuar në Revolut, që është ndoshta platforma më e mirë e teknologjisë financiare që është ndërtuar ndonjëherë. Po rritet me shpejtësi të jashtëzakonshme dhe jemi shumë krenarë për këtë”, theksoi ai.

Së fundmi, Kushner u pyet lidhur me ndikimin e politikës në strategjinë e investimeve, nësa ka ndryshuar qëkur  Presidenti Trump mori detyrën.  Kushner sqaron se strategjia e tij e investimeve ka mbetur e qëndrueshme pavarësisht lidhjeve politike.

Ai vë në dukje shkallën e madhe të investimeve dhe angazhimin personal në nisma ndërkombëtare.

“Vazhdojmë të bëjmë atë që kemi bërë gjithmonë. Kemi investuar tashmë rreth 2.5 miliardë dollarë. Më shumë se gjysma është në SHBA. Kemi disa investime ndërkombëtare, ku mendojmë se tregjet dhe mundësitë janë të çmueshme gabimisht. Po shoh diçka edhe nga një interes personal. Nuk e di nëse do të kualifikohet për fondin, por kam ndihmuar shumë Steven për të promovuar Marrëveshjet e Abrahamit – për të siguruar që ekzistueset të funksionojnë dhe për të gjetur mundësi të reja”, përfundoi Jared Kushner./Euronews Albania

The post Dhëndri i Trump prezanton projektin veror në Shqipëri: Po ndërtojmë vendin ku familja ime do të donte të kalonte pushimet appeared first on Telegrafi.

A është vënë në rrezik projekti i dhëndrit të Trumpit në Beograd, pas pranimit të falsifikimit?

15 May 2025 at 16:54

Dy ditë pas arrestimit të kreut të Institutit Republikan për Mbrojtjen e Monumenteve në Serbi, publiku u informua për një pranim fajësie që po ndërlikon planet e dhëndrit të presidentit amerikan, Donald Trump, për investime në kryeqytetin serb.

Goran Vasiq, ushtrues detyre i drejtorit të institucionit përgjegjës për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, ka pranuar se në nëntor të vitit 2024 ka falsifikuar një nënshkrim në dokumentacionin me të cilin Qeveria e Serbisë hoqi statusin e mbrojtjes kulturore nga ndërtesa e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë jugosllave, në qendër të Beogradit.

Bëhet fjalë si për rrënojat e godinës që u bombardua dy herë nga Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në vitin 1999, ashtu edhe për pjesët e padëmtuara të saj.

Me këtë dokument të falsifikuar, u krijua baza ligjore për t’ia shitur objektin kompanisë së Jared Kushnerit.

Si drejtues i kompanisë private amerikane Affinity Global Development, Kushner njoftoi, pas blerjes, planet për ndërtimin e një hoteli luksoz dhe të një kompleksi banesor afarist në Beograd.

Kompania ka plane të ngjashme edhe në Shqipëri, duke e bërë kështu Ballkanin kyç në strategjinë e saj të investimeve.

Që nga ardhja në pushtet e partisë së presidentit Aleksandar Vuçiq para 13 vjetësh, pamja e Beogradit, sidomos në qendër, ka ndryshuar ndjeshëm.

Rrokaqiejt e shumtë, kryesisht nga kompani të huaja, kanë ngushtuar infrastrukturën rrugore, duke vështirësuar ndjeshëm qarkullimin urban dhe jetën e përditshme në qytet.

Siç pritej, aktivistët dhe një pjesë e opinionit profesional reaguan kundër ndryshimit të pronësisë mbi ish-ndërtesën e Shtabit të Përgjithshëm.

“Është ende herët për të festuar”, tha arkitekti Milan Salata, anëtar i grupit të ekspertëve për mbrojtjen e kësaj ndërtese.

“Ky është rezultat i një presioni të madh publik – nga ekspertët, institucionet që refuzuan të bashkëpunojnë, deri te studentët që nisën protesta dhe tribuna publike”, tha Salata për Radion Evropa e Lirë (REL).

Kompania e Kushnerit nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it nëse arrestimi i Vasiqit ndikon në projektin e tyre, ndonëse ideja për kompleksin është publikuar në faqen zyrtare.

Kompania i tha gazetës amerikane The New York Times se ishte njoftuar për arrestimin përmes mediave, dhe se fati i projektit është tashmë i pasigurt.

Nga kompania thanë se do ta analizojnë situatën dhe do të marrin vendime të mëtejshme.

As Qeveria e Serbisë nuk ka reaguar, sikurse as presidenti Vuçiq, i cili në dy muajt e fundit ka pritur në Beograd djalin e Donald Trumpit.

Pse u arrestua Goran Vasiq?

Prokuroria për Krimin e Organizuar e Serbisë njoftoi më 14 maj se e ka marrë në pyetje të dyshuarin Goran Vasiq, i cili e ka pranuar fajësinë.

Sipas prokurorisë, Vasiq kishte hartuar një propozim të falsifikuar, pa përfshirjen e ekspertëve të konservimit, dhe ia kishte përcjellë Qeverisë përmes Ministrisë së Kulturës.

Më 14 nëntor 2024, Qeveria serbe vendosi të heqë statusin e mbrojtjes kulturore për ndërtesën e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë jugosllave dhe atë të Ministrisë së Mbrojtjes, duke i fshirë nga regjistri i monumenteve. Sipas prokurorisë, kjo solli dëm për trashëgiminë kulturore të Serbisë, që Vasiq ishte i obliguar ta mbronte.

Ai u emërua drejtor në fund të qershorit 2024, pas dorëheqjes së Dubravka Gjukanoviqit, e cila kishte refuzuar t’ia hiqte mbrojtjen kompleksit. Edhe drejtoresha e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Beogradit, Ollivera Vuçkoviq, bëri të njëjtën gjë.

Pesë muaj më vonë, Qeveria hoqi ndërtesat nga regjistri. Punonjësit e Institutit dërguan një letër proteste, duke theksuar se vendimi ishte marrë jashtë çdo procedure ligjore. Arkitekti Salata shpjegon se objekti është vepra e vetme në Serbi e arkitektit modernist, Nikola Dobroviq, dhe për më tepër një kujtim i bombardimeve të vitit 1999 – prandaj vendimi për fshirjen e mbrojtjes është i pavlefshëm.

Hapja e procedurave dhe ndërlikimi me projektin e Kushnerit

Organizata Evropa Nostra Serbia kërkoi nga Qeveria ta anulojë vendimin për heqjen e statusit të mbrojtjes për ndërtesën e Shtabit të Përgjithshëm, pas zhvillimeve të fundit dhe dyshimeve për falsifikim.

Instituti RERI (Instituti Rregullator për Energji të Qëndrueshme dhe Mjedis) e ka çuar çështjen për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese, ndaras nga procesi penal kundër Vasiqit.

Avokati Jovan Rajiq deklaroi për REL-in se kanë marrë konfirmim nga vetë institucioni që nuk e kanë hartuar dokumentin mbi të cilin bazohej vendimi i Qeverisë.

“Duhet të ndalen negociatat me investitorin dhe të pritet vendimi përfundimtar nga autoritetet kompetente”, theksoi ai.

Kush e nënshkroi marrëveshjen?

Arkitekti Milan Salata vlerëson se në procesin që po zhvillohet kundër drejtorit të Institutit Republikan për Mbrojtjen e Monumenteve në Serbi, duhet të hetohen edhe aktorë të tjerë – para së gjithash nga pushteti ekzekutiv. Megjithatë, ai shton se gjithçka po duket sikur do të përfundojë me një “kurban” nga vetë fusha profesionale.

“Këtu janë të përfshirë drejtpërdrejt persona që kanë nënshkruar kontrata me investitorin amerikan – para së gjithash kam parasysh ish-ministrin e Ndërtimtarisë, Transportit dhe Infrastrukturës, Goran Vesiq. Po ashtu, është edhe ish-ministri i Kulturës, i cili në këtë rast do të jetë drejtpërdrejt përgjegjës nëse vërtetohet fajësia dhe anulohet vendimi për heqjen e mbrojtjes ndaj ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm. Atëherë shtrohet pyetja: kush brenda Qeverisë kishte kompetencën për të marrë një vendim të tillë ligjor”, shprehet Salata.

Kontrata për revitalizimin e kompleksit të Shtabit të Përgjithshëm u nënshkrua në mes të majit 2024 nga atëherë ministri i Ndërtimtarisë, Transportit dhe Infrastrukturës në Qeverinë e Serbisë, Goran Vesiq, me kompaninë e Kushnerit, Affinity Global Development.

Sipas asaj kontrate, e cila ende nuk është bërë publike, Serbia ia jep me qira për 99 vjet truallin e kompleksit. Më 18 mars, The New York Times raportoi se vlera e investimit është 500 milionë dollarë dhe se, sipas propozimit të kontratës, shteti serb do të përfitonte 22 për qind të fitimit.

Vesiq, në një deklaratë, ka thënë se investitori, sipas marrëveshjes, ka detyrimin të ndërtojë edhe një kompleks memorial në të njëjtën parcelë, kushtuar të gjitha viktimave të bombardimeve të NATO-s të vitit 1999.

Goran Vesiq nuk iu përgjigj thirrjes së Radios Evropa e Lirë për të komentuar këtë temë.

Ai është tërhequr pothuajse tërësisht nga skena publike pas nëntorit të kaluar, kur u ndalua dhe më pas u lirua shkurt pas një tragjedie në Novi Sad, ku humbën jetën 16 persona pas shembjes së një pjese të çatisë në Stacionin Hekurudhor të sapo rinovuar.

Gjatë kohës së atij projekti, që u realizua nga një investitor kinez, Vesiq ishte ministër i Ndërtimtarisë. /REL/

The post A është vënë në rrezik projekti i dhëndrit të Trumpit në Beograd, pas pranimit të falsifikimit? appeared first on Telegrafi.

Dhëndri i Trump investitor strategjik në Shqipëri, Berisha: Rama po përdor Sazanin për të blerë influenca politike

16 January 2025 at 13:51

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se po përdor ishullin e Sazanit për të blerë influenca politike, shkruan A2 CNN.

Në ishull do të zhvillohet projekti i një hoteli luksoz, pjesë e të cilit është edhe dhëdri i Donald Trump, Jared Kushner, i cili u shpall investitor strategjik.

“Prej të paktën që nga viti 2001 gjer sot, Sazani iu është ofruar biznesmenëve të huaj në mënyrë periodike. Kjo është oferta e radhës, të cilën pa diskutim Edi Rama e bëri për të blerë influenca politike.

Por, një ofertë e cila plotëson rregullat ligjore, ne kemi deklaruar se nuk kundërshtojmë ofertat që bazohen në respektimin e ligjeve dhe rregullave të vendit”, tha Berisha në një bashkëbisedim me ndjekësit në llogarinë e tij në Facebook.

“Pavarësisht, theksoj dhe njëherë, se Edi Rama e ka përdorur atë për qëllime politike, por kjo është në tagrin e shqiptarëve të bëjnë vlerësimin e tyre për këtë përdorim”.

Komiteti i Investimeve Strategjike që drejtohet nga kryeministri Edi Rama ka miratuar statusin e investitorit strategjik për projektin 1.4 miliardë Euro të Kushner për ndërtimin e resorteve luksoze në ishullin e vetëm të Shqipërisë.

Në vendimin e Komitetit të Investimeve Strategjike, citohet se “projekti i investimit i plotëson kriteret e punësimit të kërkuara nga legjislacioni për investimet strategjike”. Më tej theksohet se resortet turistike do të ndërtohen në një sipërfaqe 45 hektarë tokë, si dhe parashikohet përmirësimi dhe riparimi marinës aktuale në Sazan, shkruan A2 CNN.

Duke qenë se ishulli i Sazanit është në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes dhe pjesë e planit të përhapjes së ushtrisë, vendimi i Komitetit të Investimeve Strategjike është paraprirë nga një dekret i Presidentit që e ka nxjerr nga plani i përhapjes së FA këtë zonë.

Kushner nuk do të jetë i vetëm në këtë investim, pasi në vendim sqarohet se edhe shteti shqiptar do të jetë bashkëpjesëmarrjes në investim. /Telegrafi/

The post Dhëndri i Trump investitor strategjik në Shqipëri, Berisha: Rama po përdor Sazanin për të blerë influenca politike appeared first on Telegrafi.

Projekti 1.4 miliard euro: Dhëndrit të Donald Trump, i jepet statusi i investitorit strategjik në ishullin e Sazanit

15 January 2025 at 19:47

Komiteti i Investimeve Strategjike i dha statusin investitor strategjik kompanisë së lidhur me Jared Kushner për ndërtimin e një resorti turistik në ishullin e Sazanit.

Vendimi u mor më 30 dhjetor, duke pranuar propozimin e kompanisë “Atlantic Incubation Partners LLC”, ku sipas vendimit, në ishull parashikohet një investim prej 1.4 miliard eurosh dhe ndërtimi parashikohet të shtrihet në 8 për qind të ishullit ose 45 hektarë.

“Vlera e investimit të projektit turistik “Resorti Turistik – Ishulli i Sazanit” i plotëson kriteret e parashikuara nga legjislacioni për investimet strategjike dhe parashikohet të jetë 1.4 miliardë Euro”, thuhet në vendim.

Planet për ndërtimin e një resorti turistik luksoz në Sazan dhe një tjetri në Zvërnec nga Kushner dhe kompanitë e lidhura me të, u bënë publike në fillim të vitit.

Projektet financohen nga kompania e investimeve e Kushner “Affinity Partners”, e cila mbështetet në fonde nga qeveria e Arabisë Saudite.

Në vendim theksohet se statusi jepet për një periudhë 10 vjeçare dhe se ndërtimi parashikohet të jetë i ndarë në tri faza, njofton tch.

The post Projekti 1.4 miliard euro: Dhëndrit të Donald Trump, i jepet statusi i investitorit strategjik në ishullin e Sazanit appeared first on Telegrafi.

“Propozimi u diskutua me Ramën gjatë një kafeje në Davos”, WSJ zbulon planet e Jared Kushner dhe Ivanka Trump për Sazanin

5 October 2024 at 23:33

Të ndihmuar nga lidhjet politike dhe paratë nga shtetet e Gjirit, “superçifti” Jared Kushner dhe Ivanka Trump, planifikon të zhvillojë resorte ultraluksoze në Shqipëri.

Kështu e nis Wall Street Journal artikullin e saj dedikuar planeve për investimin në ishullin e Sazanit, i cili planifikohet të kthehet në një “tempull” që do të ofrojë nivelin më të lartë të komoditetit për vizitorët dhe turistët.

“Kushner u magjeps nga bukuritë e Shqipërisë”

Muaj pasi u larguan nga Shtëpia e Bardhë në vitin 2021, Jared Kushner dhe Ivanka Trump kaluan një javë duke lundruar me miqtë përgjatë plazheve të virgjëra të Adriatikut në Shqipëri, shkruan Wall Street Journal (WJS).

Ata u ngjitën në shkallët e gurta të një teatri grek 2,200-vjeçar, darkuan në një jaht me kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe u mahnitën kaq shumë nga një vizitë në këtë ish-ishull ushtarak, saqë menduan se do të ishte destinacioni perfekt për një hotel luksoz.

Ky udhëtim ishte kaq shumë mbresëlënës, sa që kur Kushner u takua me kryeministrin Rama disa muaj më vonë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër, i bëri një propozim.

Gjatë kafesë me Kushner, ai më tregoi sa ishte magjepsur nga bukuritë e Shqipërisë”, theksoi kryeministri Rama, një kryetar shteti dy metra i gjatë, në një intervistë.

“Ai më pyeti nëse mund te shikonte ndonjë mundësi për investime potenciale”, tha Kushner duke pranuar bekimin e kryeministrit.

Kushner, 43 vjeç, tani është në punë e sipër me planet për një zhvillim prej 1 miliard dollarësh për klientelë ultraluksoze. Ai po negocion detajet me qeverinë e Ramës për të ndërtuar vila ekskluzive në Sazan, ishulli ushtarak që vizitoi, një bazë e përdorur nga nëndetëset ish-sovjetikë, ku bunkerët dhe tunelet e braktisur janë të shpërndara nëpër kodrat shkëmbore.

Një sërë resortesh luksoze janë planifikuar të ndërtohen në një gadishull aty pranë ku lopët dhe delet kullotin nëpër plazhet mahnitëse dhe duna të aksesueshme vetëm nga një shteg i thyer.

Kjo tokë është e mbrojtur sipas legjislacionit për ruajtjen e mjedisit. Por një ligj i ri shqiptar lejon ndërtimin e hoteleve, për aq kohë sa janë të paktën me pesë yje.

Rregullat e lojës për anëtarët e familjeve të kandidatëve që garojnë për poste të larta është të qëndrojnë në hije—të shmangin përfshirjen e tyre në marrëveshje me lidhje politike që mund të nxisin debat.

Kushner është duke u përfshirë në to.

Lidhjet politike dhe paratë arabe
Që kur u largua nga Shtëpia e Bardhë, ku shërbeu si këshilltar i lartë i vjehrrit të tij, presidentit të atëhershëm Donald Trump, Kushner ka ndërtuar një perandori të re biznesi duke u mbështetur në lidhjet gjeopolitike në një shkallë që rrallë shihet për një person kaq të afërt me një kandidat kryesor presidencial, në një vlerë që arrin në miliarda dollarë.

Kushner u mbështet në lidhjet me monarkët arabë për të mbledhur shumicën e parave në fondin e tij të kapitalit privat prej 3.1 miliardë dollarësh nga vendet e Lindjes së Mesme, duke u bërë shënjestër kritikash nga anëtarë të të dyja partive në Kongres.

Kompania e tij e re, Affinity Partners, është e mbushur me ish-zyrtarë të administratës Trump. Disa prej tyre janë kandidatë për poste në qeveri nëse Trump fiton këtë nëntor.

Në Ballkan, Kushner iu drejtua liderëve të Shqipërisë dhe Serbisë për të zhvilluar pasuri të paluajtshme në tokë publike pa pasur nevojë të kalojë nëpër gara konkurruese, gjë që u kritikua nga politikanët opozitarë në të dyja shtetet.

Në fund të fundit, Kushner u kthye në rrënjët e tij të pasurive të paluajtshme, por në një vend të paparashikuar: Ballkanin Perëndimor.

Në Serbi, një dispozitë që parashikon ndërtimin e një memoriali që qeveria thotë se do t’u kushtohet viktimave të agresionit të NATO-s”—në një vend që aleanca e bombardoi në 1999—ka ngjallur debat për nacionalistët serbë dhe ish-zyrtarët amerikanë, përfshirë gjeneralin Wesley Clark, komandantin ushtarak të NATO-s gjatë luftës në Ballkan.

Mbledhja e fondeve nga Kushner dhe marrëveshjet për prona me palë të huaja po ngjallin dyshime se ai dhe anëtarë të tjerë të familjes Trump mund të përfitojnë nga forcimi i marrëdhënieve me liderë botërorë dhe kompani që kërkojnë ndikim tek një president i ardhshëm.

Grumbullimi i fondeve dhe marrëveshjet për pasuri të paluajtshme të Kushner “i japin qeverive të huaja hapësirë për ndikim mbi familjen Trump,” tha Senatori Ron Wyden, një demokrat, në një letër drejtuar Affinity më 24 Shtator. “Investitorët e Affinity mund të mos jenë të motivuar nga hapësirat tregtare, por nga mundësia për të kanalizuar para nga qeveritë e huaja për anëtarët e familjes së Presidentit Trump, konkretisht Jared Kushner dhe Ivanka Trump.”

Kushner beson se lidhjet dhe përvoja e tij gjeopolitike thjesht i japin kompanisë së tij një avantazh të drejtë në biznes.

Në përgjigje të pyetjeve rreth letrës së Wyden, Kushner tha se “Affinity do të gjykohet nga një matës—fitimet e investitorëve”.

Ai beson se lidhjet dhe përvoja e tij gjeopolitike thjesht i japin kompanisë së tij një avantazh të drejtë në biznes.

Përveç kësaj, ai kishte një aleat me lidhje brenda. Grenell, i cili si dërguar i Trump-it për Ballkanin ishte afër presidentit serb, kishte kohë që kishte vënë syrin mbi truallin e dy ndërtesave të godinës së shtabit të përgjithshëm të ushtrisë jugosllave në qendrën historike të Beogradit, të cilën qeveria kishte kërkuar ta rizhvillonte.

Por situata ishte e komplikuar. Trualli ishte bombarduar nga NATO në 1999 gjatë një përpjekjeje për të ndalur fushatën e spastrimit etnik të presidentit jugosllav Slobodan Milošević në Kosovë. Trualli ka ngelur me dy godina në gjendje të degraduar, pothuajse të paprekura.

Grenell, i etur për të sjellë investime amerikane në rajon, e thirri Kushner-in disa muaj pas largimit të Trump-it nga zyra për t’a bindur për këtë truall në Beograd.

Në fund, Grennell ia doli t’a bindte Kushner. Kushner dërgoi një punonjës që mbeti i mahnitur nga gjallëria e Beogradit, tha Kushner dhe ai u bind edhe më shumë pasi foli me zhvilluesin legjendar nga EBA Mohamed Alabbar, një investitor i madh në Beograd.

Në maj, Serbia tha se ra dakord për një marrveshje qiraje afatgjatë për truallin me Kushner, i cili do të zhvillonte një kompleks me një vlerë prej 500 milion dollarë i cili përfshinte hotel luksoz, apartamente dhe dyqane në tre kulla. Si pjesë e marrëveshjes, Kushner do të ndërtojë gjithashtu një kompleks përkujtimor të administruar nga shteti, që qeveria tha në një njoftim për shtyp se do t’i kushtohet viktimave të “agresionit të NATO-s.”

Shumica e shteteve në Evropën Juglindore në përgjithësi luftojnë për të tërhequr investime të huaja, dhe investitorë amerikanë të pasurive të paluajtshme, që janë praktikisht të paktë në numër.

Vendet, të cilat nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian, janë ndër më të varfrat në Evropë.

Investitorët kanë shprehur shqetësimin për korrupsionin në këto vende, një problem i përhershëm që ka tërhequr kritika nga shumë administrata amerikane.

Apartamentet luksoze përdoren shpesh si mjete për pastrim parash nga blerësit.

Megjithatë, Kushner pa një mundësi investimi. Çmimet e apartamenteve po rriten në Serbi, ndërkohë që turistët janë dyndur së fundmi në plazhet me kosto të ulët të Shqipërisë.

Zhvilluesit pionierë në Malin e Zi fqinj kanë tërhequr me sukses një turmë të apasionuar pas jahteve.

Kjo lloj qasjeje ka shkaktuar debat. Clark, Wyden dhe amerikanë të tjerë e kanë kritikuar idenë që një amerikan do të ndërtojë një memorial për ata që u vranë në një përpjekje të udhëhequr nga SHBA për t’i dhënë fund spastrimit etnik. Nacionalistët në qeverinë serbe e kanë sulmuar planin sepse praktikisht dorëzon atë që ata e konsiderojnë një vend të shenjtë te një zhvillues nga vendi që ndihmoi në bombardim.

“Kur makineritë e ndërtimit të futen në sheshin e ndërtimit, do të ketë protesta,” tha Aleksandar Jovanović Ćuta, një anëtar i parlamentit dhe bashkëthemelues i grupit aktivist Ecological Uprising (Kryengritje Ekologjike). Qeveria serbe tha se marrëveshja do të ndihmojë në tërheqjen e më shumë investimeve të huaja në vend.

Një Mesdhe i ri

Në të njëjtën kohë që planet e Beogradit po zhvilloheshin, Kushner i kishte hedhur sytë nga bregu shqiptar.

Pas pushimeve të tij në jaht në 2021 dhe kafesë në Davos me Ramën, kryeministrin shqiptar , ai u fokusua në dy vende ideale … Sazanin, një ishull malor 3 milje i gjatë ku shkëmbi i bardhë takohet me një det të kaltër dhe truallin privat në Gadishullin e Zvërnecit, një shtrirje mahnitëse plazhesh ku flamingot e bardhë mblidhen aty pranë.

Kushner parashikon t’i kthejë të dy vendet në një parajsë luksoze.

Duke punuar me Ivanka Trump për projektin, ai i prezantoi planet qeverisë shqiptare për një sërë resorte dhe vila të shpërndara në dunat dhe pyjet e gadishullit të Zvërnecit.

Në fund të fundit, ata shpresojnë për mijëra njësi hotelesh dhe apartamentesh, vetëm pak minuta nga një aeroport i ri ndërkombëtar që po ndërtohet pranë qytetit të Vlorës.

Sazani do të ishte më ekskluziv, një kompleks prej disa qindra vilash të izoluara të ndërtuara në kodra, të menaxhuara nga marka e hoteleve luksoze Aman.

”Ishte ideja e Ivanka Trump për të sjellë Aman në projekt”, tha Kushner.

”Marka ndërkombëtare operon resorte ultra-ekskluzive me dhoma që fillojnë me mbi 1 000 dollarë në natë. Vlad Doronin, një miliarder me origjinë sovjetike që drejton Aman, fillimisht u befasua nga ideja, por përfundimisht nënshkroi pasi dërgoi dikë për të vëzhguar vendndodhjen, tha Kushner.

Aktualisht qeveria shqiptare po rishikon planet, por Rama ka qenë mbështetës. Ai e quan Kushnerin mik të Shqipërisë.

Muaj pasi Kushner zbuloi zyrtarisht planet, Shqipëria ndryshoi një ligj për të lejuar hotelet në zona të mbrojtura mjedisore, për sa kohë që ato janë me pesë yje.

Qeveria tha se ligji nuk kishte qëllim të favorizonte Kushnerin por turizmin në të gjithë vendin, megjithatë politikanët e opozitës dhe aktivistët e mjedisit kritikuan legjislacionin dhe thanë se ”një marrëveshje me Kushnerin synon të fitojë mbështetje nga Trump”.

Rama tha se negociatat me Kushner nuk kanë të bëjnë me lidhjet e Kushnerit me Trump dhe përshtaten me vizionin e tij për t’a zhvilluar e bregdetin si një destinacion të turizmit elitar duke kapërcyer turizmin masiv me të ardhura mesatare.

“Nëse ky plan ecën sipas objektivave, ai do të jetë një xhevahir në kurorën e Mesdheut”, thekson Rama./Balkanweb

The post “Propozimi u diskutua me Ramën gjatë një kafeje në Davos”, WSJ zbulon planet e Jared Kushner dhe Ivanka Trump për Sazanin appeared first on Telegrafi.

❌