Parku fiktiv DURANA ka qenë një pjellë totalisht e organizuar nga krerët qeveritarë, të cilët me manovra tepër të dyshimta lejuan që dhjetëra firma të...
Parku fiktiv DURANA ka qenë një pjellë totalisht e organizuar nga krerët qeveritarë, të cilët me manovra tepër të dyshimta lejuan që dhjetëra firma të regjistroheshin në Xhafzotaj, ku s’do paguanin taksa, dogana apo edhe lehtësira të favorshme fiskale. Firmat që u regjistruan janë të njëjta me ato të dosjes së AKSHI-t, disa prej të cilëve me masa sigurie dhe të tjerë në kërkim. Ndërkohë, të tjerë biznesmenë nën hetim për marrëveshje me palë të treta, apo ata që vendosin se si do të funksiononte i gjithë tregu, vijojnë që të fitojnë tendera te të njëjta institucione. Dhe, pikërisht në gjithë këtë gjullurdi, më i fituari duket se është Armand Shara, i cili njëherë del te dosja e AKSHI-t me Ermal Beqirin dhe Ergys Agasin, herën tjetër rezulton si themelues i DURANA-s dhe tashmë merr të tjera para’ po nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit. Para pak ditësh redaksia jonë publikoi një tender në gjithë këtë luftë, që AKSHI duket se sfidonte Prokurorinë e Posaçme, pasi i dha një tender mbi 2 milionë euro. Ndërkohë, i njëjti institucion vijon që t’a shpërblejë Armand Sharan, duke i dhënë plot 3.7 milionë euro të tjera. Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, AKSHI ka shpallur ditët e fundit fituese sërish kompaninë Infosoft Systems Shpk. Bëhet fjalë për një procedurë me negocim. Bëhet fjalë për “mirëmbajtjen e infrastrukturës së rrjetit qeveritar govnet” me një kohëzgjatje 24 muaj nga nënshkrimi i kontratës. Kompania Infosoft ofroi 366 milionë lekë me TVSH, ose më shumë se 3.7 milionë euro. Kompania tjetër që mori pjesë u skualifikua për shkak se “nuk përmbush kërkesat e DST pasi nga dokumentacioni i dorëzuar nuk ka plotësuar kriteret e veçanta dhe teknike kualifikuese të përcaktuara në dokumente”. Bëhet fjalë për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, ku kompania tjetër duket se s’kishte certifikata sigurie apo edhe kritere të tjera. Duket se pas gjithë tymnajës së dosjes së AKSHI-t apo të DURANËS, qeveria i besoj Armand Sharës mirëmbajtjen e gjithë sistemit qeveritar, sistem i cili ka të gjitha sekretet e ministrive apo edhe të institucioneve të rëndësishme. Më shumë se vlera, pasi Armand Shara ka fituar qindra miliona euro, tenderi është më shumë se një marrëdhënie besimi mes qeverisë dhe këtij individi, i cili është cilësuar si “truri” i veprimtarive të paligjshme apo të zhvatjes së parave të shtetit. Disa ditë më parë, VoxNews investigoi një procedurë nga AKSHI, duke i dhënë firmës Infosoft mbi 2 milionë euro. Shara e ka fituar tenderin në mënyrë fiktive, pasi s’ka pasur garë. Në procedurë futi emrin një kompani, por në fund nuk dha ofertë, duke ngritur dyshime se gjithçka ka qenë e paracaktuar dhe askush nuk guxon që t’a konkurrojë. Bëhej fjalë për fituesin e tenderit me objekt “mirëmbajtja e sistemit e-receta për Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor”, me fondet e Buxhetit të Shtetit. Kriter për fituesin e kësaj procedure ishte oferta ekonomikisht më e favorshme bazuar në çmim, teksa në procedurë mori pjesë operatori ekonomik “NAOL” shpk. “Nuk ka paraqitur ofertë ekonomike dhe asnjë dokumentacion në sistemin e prokurimit” thuhet në dokumente. Dyshimet janë të mëdha, pasi si ka mundësi që një firmë tërhiqet dhe s’bën asnjë ofertë? Është kamuflim apo frikë nga Shara?! Në muajin qershor të vitit 2025, familja Shara ka themeluar kompaninë iNext, duke e regjistruar në parkun fiktiv DURANA. Kompania ka si pronar firmën TAG Engineering shpk dhe Bledar Dhimën, teksa firma TAG është në pronësi të familjes SHARA, ku administratore është zonja Edlira Shara. Megjithatë, mësohet se pas kësaj firme është vetë Armandi, i cili njihet si një nga “themeluesit” e parkut DURANA, teksa emri i tij del në të gjitha procedimet penale të Prokurorisë së Posaçme, si në rastin e hetimeve ndaj AKSHI-t, ku në disa raste Infosoft ka pasur një rol aktiv. Madje në njërin rast, marrja peng e një biznesmeni e favorizoi dukshëm, pasi ai u shpall fitues i vetëm i procedurës. #voxnews #media #news
1933 views