Një drejtues automjeti është ndëshkuar rëndë nga Policia Rrugore, pasi u kap duke qarkulluar me shpejtësi marramendëse në aksin kombëtar Milot–Laç. Sipas njoftimit zyrtar, në kulmin e trafikut, shoferi u evidentua nga sistemi inteligjent Poliscan duke lëvizur me 212 km/h, duke krijuar rrezik të lartë për aksidente të rënda. Pas ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve të Policisë Rrugore, drejtuesi i mjetit u ndalua dhe u ndëshkua me gjobë prej 400 mijë lekësh të rinj, ndërsa iu zbritën edhe 12 pikë nga leja e drejtimit. Policia e Shtetit bën të ditur se kontrollet me mjetet inteligjente Poliscan do të vijojnë në të gjitha akset rrugore kombëtare, me fokus evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të kufijve të shpejtësisë. Autoritetet u bëjnë thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe kufijtë e shpejtësisë, duke theksuar se shpejtësia mbetet një nga shkaqet kryesore të aksidenteve me pasoja të rënda. “Mos fluturoni në rrugë! Shpejtësia vret.” Ky është apeli i Policisë së Shtetit, e cila garanton se kontrollet intensive do të vazhdojnë për rritjen e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve. #voxnews #media #news @voxnews.al
Një tjetër skandal me ndërtimin e rrugëve po gatuhet në Autoritetin Rrugor Shqiptar, ku drejtori i ri Ami Kozeli ka hapur një super tender për të përfunduar një rrugë të nisur që në kohën e Evis Berberit, ku në fakt i gjithë segmenti duhet të kishte përfunduar. Bëhet fjalë për segmentin nga Qafa e Buallit deri në Martanesh, ku në vitin 2023, ARRSH-ja e drejtuar nga Berberi dhe me “bekimin” e ministres Belinda Balluku, e cila ia kishte premtuar banorëve të zonës, duke qenë se babai i saj kishte jetuar dhe punuar në minierat e Krastës gjatë diktaturës, bëri procedurat me vlerë 10 milionë euro për sistemimin dhe asfaltimin. Sipas dokumenteve të tenderit të atëhershëm, i gjithë segmenti duhet të kishte përfunduar në vjeshtën e vitit 2025, sipas edhe afateve kontraktuale, por që në terren situata është sërish një rrugë e pa sistemuar dhe asfaltuar, teksa në atë kantier ka kohë që nuk punohet, me justifikime nga më të ndryshmet. Ndërkohë, ditët e fundit, vetë ARRSH-ja e Kozelit, ka hapur një supër procedurë, kësaj herë për të “mbuluar” dyshen Berberi – Balluku, të dy të pandehur, i pari po hetohet me masën e sigurisë arrest me burg dhe e dyta me masën e sigurisë detyrim paraqitje, duke qenë se Kuvendi i Shqipërisë rrëzoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për ta arrestuar. Sipas dokumenteve që disponon Vox News, ARRSH do të hapë në ditët në vijim tenderin me objekt “plotësim i punimeve rruga Qafa e Buallit – Martanesh”. Një skandal më vete, duke qenë se bëhet fjalë për “plotësim të punimeve”, kur këto punime duhet të kishin përfunduar dhe i gjithë segmenti të asfaltohej. Tenderët e rrugëve, sidomos ato të Verdhos, Berberit dhe Gjylit, nuk përfundojnë kurrë, aq më tepër që vijojnë të “hanë” miliona euro, ndërsa nuk dihet nëse edhe për këtë segment do të ketë një hetim se ku avulluan 10 milionë eurot e akorduara në vitin 2023 që po plotësohen me tenderin e ri. Për “plotësimin e punimeve”, ARRSH ka akorduar një fond limit prej 1,040,728,000 lekë, ose nëse do t’a konvertojmë në euro, shuma shkon në plot 11.1 milionë euro, shumë herë më tepër se tenderi i parë. Ky është një nga rastet më flagrante të abuzimit me rrugët, pasi ARRSH ka akorduar më mbi 100 % të fondit limit të parë, duke thyer edhe “rekorde” për rrugët e Unazës së Madhe apo ato që po bëhen në Elbasan apo për Tiranë – Durrës. Vox News shfletoi edhe dokumentet e tenderit të vitit 2023, ku në dhjetor të atij viti ARRSH-ja finalizoi procedurën “sistemim, asfaltim rruga Qafa e Buallit -Martanesh”, me fond limit 1,086,171,104 lekë. Me kursin e atëhershëm, shuma e shpenzuar shkonte në 10.2 milionë euro, ndërkohë që afati për zbatimin e saj ishte vetëm 18 muaj. Në tender morën pjesë një mori firmash, nga ato të mëdhatë, teksa Salillari ofroi 803 milionë lekë, “BE – IS” & Vëllezërit Hysa & Ergi” ofruan 947 milionë lekë, ndërkohë që kishte edhe oferta të tjera. Fitues doli BOE e dytë, Be-Is me Vëllezërit Hysa dhe Ergi, duke skualifikuar ofertën e kompanisë Salillari, megjithëse kishte ofruar rreth 1.4 milionë euro më pak. #voxnews #media #news
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe udhëheqësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, nuk kanë arritur marrëveshje politike gjatë takimit të tyre tre orësh. Megjithatë, si Kurti, ashtu edhe Abdixhiku paralajmëruan se bisedimet do të vazhdojnë me qëllim që të arrihet një marrëveshje për krijimin e institucioneve të Kosovës, të dala nga zgjedhjet e 7 qershorit. Takimi mes Kurtit dhe Abdixhikut, që zgjati mbi tri orë, u zhvillua dy ditë para seancës konstituive të legjislaturës së njëmbëdhjetë. "Marrëveshje politike nuk kemi. Diskutuam për qasje të ndryshme, për mundësitë që i kemi përpara. Kemi nevojë për një marrëveshje politike, e cila respekton rezultatin zgjedhor, nuk e zëvendëson atë, por e shndërron edhe në kontribut për stabilitet institucional dhe funksionim të Republikës", tha Kurti. Ai shtoi se koha për arritjen e një marrëveshjeje është shkurtuar dhe pa të, vendi rrezikon sërish të shkojë në zgjedhje. Si Kurti, ashtu edhe Abdixhiku, deklaruan se në takim nuk është diskutuar për emra konkretë për presidentin, por Kurti insistoi në një president konsensual. Sipas tij, presidenti i ri i vendit nuk duhet të paraqesë polin e katërt të pushtetit, të mos jetë "i përfshirë në polemikat ditore". "Jemi të interesuar dhe të gatshëm të bashkëpunojmë me LDK-në, sa i përket presidentit qëndrimi ynë është që nuk do të duhej të jetë pjesë e pushtetit politik, por e përfaqësimit të Republikës. Unë nuk mund të sjellë emër konkret, sepse ai do të duhej të ishte konsensual, gjithëpërfshirës, të mos ishte i LVV-së", tha Kurti. Por, për Abdixhikun, president konsensual është kushdo që i ka 80 vota në kuti. "President konsensual është secili president që i merr 80 vota. LDK duhet të ndihet e përfaqësuar për t’i pasur votat e veta", tha Abdixhiku. Abdixhiku tha se janë pajtuar që nëse nuk arrihet marrëveshje deri në seancën konstituive, më 6 korrik, mund të vazhdojnë bisedimet, pasi ai u shpreh se partia e tij nuk është e interesuar për kryetarin e Kuvendit. “Nëse nuk ndodh asgjë, kemi kërkuar që të vazhdohet me konstituimin e Kuvendit. LDK s’ka apetit për kryetarin e Kuvendit”, tha ai. Ndërkaq, duke hyrë në Kuvend, Kurti deklaroi se ai ka mbështetje të mjaftueshme për Kuvendin dhe Qeverinë, por “për zgjedhjen e presidentit nuk ka përgjegjësi vetëm mazhoranca, por edhe opozita”. Takimi vjen dy ditë para mbajtjes së seancës konstituive për legjislaturën e njëmbëdhjetë. #voxnews #media #news
Protesta qytetare para Kryeministrisë hyri sot në ditën e 66-të të saj, ku si zakonisht tubimi nisi nga sheshi “Skënderbej” për të vijuar me marshimin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, poshtë zyrës së Edi Ramës. Protestuesit kërkuan edhe njëherë dorëheqjen e kryeministrit dhe të qeverisë. Si zakonisht nuk munguan thirrjet: “Rama në burg, Berisha në burg”, “Shqipëri e re”, apo “Shqipëria kërkon revolucion”. Gjatë protestës së sotme pati edhe mesazhe kundër hartës së re të Reformës Territoriale, që ka ngjallur tubime edhe në rrethe. “Në të gjitha qytetet ku ka propozuar që bashkive t’u vihet kyçi, ka pasur protesta kundër këtij vendimi. Por përse pikërisht tani? Sepse duan që pushteti lokal të grumbullohet gjithnjë e në më pak duar”, tha aktivisti Edison Lika. Edhe aktivisti Ilir Xhemalaj kritikoi planin për riorganizimin territorial, duke përmendur bashkitë e Libohovës, Belshit dhe Patosit si një shembull të asaj që ai e cilësoi si shkrirje të njësive vendore. “Nuk arrij të kuptoj se si bashkia e Libohovës po shkrihet, se si bashkia e Belshit po shkrihet se si bashkia e naftëtarëve në Fier, bashkia e patosi po shkrihet. Çfarë qëndron pas kësaj reforme territoriale. Ministri ka bërë pakt për 200 mijë vietnamezë. Qëllimi kryesor është shpopullimi i Shqipërisë nga shqiptarët, por ne nuk e lejojmë. Duam vendin tonë për fëmijët tanë për shqiptarët…A i shikoni qëllimet e tyre, ka shkuar nafta 216 lekë, euro ka rënë , dollari ka rënë por nafta rritet çmimet rriten, shtëpitë rriten si do jetojmë…A do ta lejojmë këtë shpopullim? Ne nuk do ta lëmë këtë shesh, është sheshi i popullit shqiptar, këtu derisa ky të japë dorëheqje”, tha ai. #voxnews #media #news @voxnews.al
Rusia po zgjeron në mënyrë të heshtur flotën e saj të anijeve për transportin e gazit natyror të lëngshëm (LNG), në përgatitje të ndalimit të importeve të LNG-së ruse nga Bashkimi Evropian, i cili do të hyjë në fuqi në vitin 2027. Sipas të dhënave të kompanisë së analizës detare Windward, gjatë gjashtë muajve të fundit janë blerë të paktën tetë anije të përdorura për transportin e LNG-së, të cilat tashmë përdoren për ngarkesa ruse. Flota numëron aktualisht 25 anije, përfshirë dy transportuesit e parë të ndërtuar në kantierin rus Zvezda. Zgjerimi i kësaj flote pritet t’i mundësojë Moskës të vazhdojë eksportet e gazit edhe pas ashpërsimit të sanksioneve evropiane, duke ndjekur një strategji të ngjashme me atë të përdorur për eksportet e naftës përmes të ashtuquajturës “flotë në hije”. Bashkimi Evropian ka vendosur që nga viti 2027 të ndalojë importin e të gjithë gazit natyror të lëngshëm rus. Aktualisht, vendet e BE-së janë blerësit kryesorë të prodhimit të uzinës Yamal në Siberi, ndërsa projekte të tjera, si Arctic LNG 2 i kompanisë Novatek, janë tashmë objekt sanksionesh. Ndërkohë, Komisioni Evropian ka vendosur që çdo shitje e anijeve LNG shtetasve rusë të njoftohet në Bruksel, por nuk ka ndaluar transportin e LNG-së drejt vendeve të treta me anije evropiane. Ndryshe nga flota “në hije” e naftës, e cila numëron mbi 1 000 anije, transporti i LNG-së është shumë më kompleks. Këto anije janë ndër më të specializuarat në botë, kushtojnë rreth 300 milionë dollarë secila dhe përdorin sisteme të avancuara për ta mbajtur gazin në temperaturën -162 gradë Celsius gjatë transportit. Për më tepër, një pjesë e madhe e prodhimit rus ndodhet në Arktik, çka kërkon përdorimin e anijeve të posaçme të afta për të lundruar në akull. Ekspertët vlerësojnë se Rusia mund të hasë vështirësi në ndërtimin e transportuesve të rinj, pasi kompania franceze GTT, që dominon tregun e sistemeve të ruajtjes së LNG-së, ndërpreu kontratat me Rusinë pas vendosjes së sanksioneve të Bashkimit Evropian. Si rezultat, Moska pritet të mbështetet gjithnjë e më shumë në blerjen e anijeve të përdorura për të ruajtur eksportet e gazit natyror në vitet e ardhshme. #voxnews #media #news
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas një video të publikuar në rrjetet sociale ku shfaqet kryeministri Edi Rama duke udhëtuar me një skaf në Dhërmi, teksa ka nisur pushimet verore. Berisha ka pulikuar pamjet në rrjetet e tij sociale, duke shoqëruar videon me një koment ironik ndaj kryeministrit. “A është edhe ky skaf i Beqirit”, shkruan Berisha? Reagimi i kreut të PD-së erdhi pasi biznesmeni Ermal Beqiri, i cili pak ditë më parë u arrestua në Francë pasi ishte shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të hetimeve për aferën e AKSHI-t, dyshohet se kishte në pronësi disa pasuri në Francë, përfshirë kështjellën “Château d’Auteuil”, apartamente, llogari bankare dhe një avion dhe jaht privat. #voxnews #media #news @voxnews.al
Vendi ynë është nën “pushtetin” e temperaturave ekstremisht të larta duke sjellë kështu edhe rrezikun e zjarreve. Instituti i Gjeoshkencave ka bërë me dije së fundmi se përgjatë ditës së nesërme do të kemi një tjetër rritje temperaturash. Kryesisht zonat më të rrezikuara dhe nga zjarret do të jenë: qarku Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër. Temperaturat maksimale pritet të arrijnë deri në 34°C në zonat bregdetare, deri në 37°C në zonat e ulëta, deri në 33°C në zonat malore. “Nesër (e mërkurë, dt. 05) pritet nivel rrezik “I LARTË” në qarqet Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqet Shkodër, Kukës dhe Dibër pritet nivel rrezik “I MODERUAR” N? disa qarqe pritet rrezik “I LARTË” vet?m n? zona t? lokalizuara, konkretisht: qarku Shkodër (Perëndim), qarku Kukës (Veri-Lindje) dhe qarku Dibër (Perëndim). Rreziku pritet të jetë më i lartë gjatë ditës së nesërme”, thuhet në njoftim. #voxnews #media #news @voxnews.al
Jared Kushner dhe Ivanka Trump kanë zgjedhur Italinë për të kaluar pushimet e tyre familjare, edhe pse kanë vendosur të investojnë në Sazan dhe Zvërnec. Çifti është fotografuar në Taormina të Sicilisë, një prej destinacioneve më të njohura të Mesdheut, ku po shijojnë disa ditë relaksi së bashku me fëmijët. Mediat italiane raportojnë se ata mbërritën me jaht dhe po qëndrojnë në një nga hotelet më prestigjioze të zonës, ndërsa itinerari i tyre ka përfshirë edhe pjesëmarrjen në Google Camp, eventi që çdo vit mbledh emra të njohur nga biznesi, teknologjia dhe politika. Zgjedhja e Italisë vjen pas disa vizitave të njëpasnjëshme në Shqipëri, ku emrat e Jared Kushner dhe Ivanka Trump janë lidhur ngushtë me projektin e investimit në ishullin e Sazanit. Për disa vite ata kanë ndarë edhe momente nga qëndrimet e tyre në bregdetin shqiptar, ka kanë kryer pushimet dhe ku duan të investojnë. Investime që kanë shkaktuar reagime të shumta, por edhe protesta. #voxnews #media #news @voxnews.al
Gjykata e Posaçme i mbyll dyert medias. Rregullorja e fundit “Për sigurinë, rendin, solemnitetin dhe rregullat e sjelljes në ambientet e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” e miratuar së fundmi e që hyn në fuqi më 1 shtator, përjashton mediat nga seancat. Sipas rregullave të reja, gazetarët duhet të plotësojnë çdo ditë formularët për të kërkuar leje që të ndjekë seancat, ndërsa kur gjenden brenda sallës së gjyqit, nuk iu lejohet përdorimi i telefonit, shkruan Shqiptarja. Kërkesa me shkrim duhet bërë të paktën 24 orë përpara seancës por mund të ndodhë që në sallë mos të ketë hapësirë për të gjithë gazetarët e interesuar. GJKKO parashikon që në një situatë të tillë, hyn vetëm një pjesë. Ndësa të tjerët, do të duhet të marrin informacionet nga kolegët e tyre. Në sallë nuk lejohen as tabletat e as laptopët. Një kufizim që shtrihet dhe për të pandehurit dhe avokatët, nëse kryesuesi i trupit gjykues “çmon se përdorimi i tyre cënon sigurinë, rendin solemnitetin dhe administrimin e rregullt të drejtësisë”. Dhe kjo në një kohë kur vetë dosjet e SPAK, arrijnë në dhjetra mijëra faqe. Për të kaluar te prania e kamerave, GJKKO-ja citon parimin e publicitetit të gjykimit, por thotë në nenin 78 se “fotografimi, regjistrimi ose transmetimi audioviziv i seancave gjyqësore nuk përbën element të domosdoshëm të këtij parimi dhe autorizohet vetëm në kushtet e parashikuara nga kjo rregullore”. Një përkufizim që nuk përpiqet as të fshehë qasjen kufizuese ndaj medias dhe rolit të saj. Ligji është i qartë kur shprehet se “seancat gjyqësore publike janë të hapura për publikun dhe median”, duke e parashikuar këtë si rregull, dhe kufizimin si një përjashtim nga rregulli. Në të kundërtën, kjo rregullore ofron në fakt vetëm ndalime, aq sa është dhe në kontradiktë me përcaktimet e saj. Ndërsa duhet që gjykata të marrë 24 orë përpara kërkesën me shkrim, në Nenin 78 pika 3 thuhet se “ekipet filmike nuk lejohen të hyjnë në sallën e gjykimit me kamera ose pajisje të tjera regjistrimi deri në momentin kur trupi gjykues shprehet mbi kërkesën për regjistrimin ose transmetimin e seancës”. Një përkufizim që qartazi nënkupton se ato duhet të jenë të pranishme në momentin kur njoftohet ky vendim në sallë, siç parashikon dhe udhëzimi i KLGJ-së: “Kërkesa pranohet ose refuzohet plotësisht ose pjesërisht, vetëm në çelje të seancës gjyqësore, kur të pranishëm në sallë janë edhe përfaqësuesit e medias që bën kërkesën. Kjo pjesë e seancës është e regjistrueshme dhe transmetohet pa asnjë kufizim”. Por, ndryshe nga sa parashikon KLGJ-ja dhe nga praktika e deritanishme, me urdhrin e ri nuk lejohet më as filmimi i minutave të para të seancës. Por më tej në Nenin 95, pika 3 e Rregullores së GJKKO-së, ka një tjetër parashikim: “Vendimi mbi kërkesën merret nga trupi gjykues dhe i njoftohet përfaqësuesit të medias përpara fillimit të seancës, nëpërmjet nëpunësit përgjegjës për marrëdhëniet me median”. Një vendim i një trupi gjykues, njoftohet në sallë, dhe ai duhet të jetë i arsyetuar. Ndërkohë që GJKKO-ja vendos ta bëjë me korrier, përmes një nëpunësi, pa përcaktuar madje as edhe formën, nëse do të njoftohet gojarisht nga nëpunësi, apo me shkrim. #voxnews #media #news
Zjarri masiv që pushtoi kodrat e fshatrave Kostar dhe Vllahat të Mesopotamit në bashkinë e Finiqit u kthye shpejt në një rrezik për banorët. Flakët avancuan deri në oborret e banesave. Autoritetet ndërhynë menjëherë duke bërë evakuimin e banorëve dhe duke krijuar një perimetër, për të frenuar përparimin e zjarrit. Në zonë mbërritën rreth 40 forca zjarrfikëse të Delvinës, Finiqit dhe Konispolit, ndërsa nga ajri u aktivizuan 3 helikopterë të Forcave të Armatosura. Autoritetet thonë se angazhimi ka qenë i menjëhershëm dhe se është ende herët për të përcaktuar shkaqet e zjarrit. MALLAKASTËR – Më herët një tjetër vatër u aktivizua pranë fshatit Hekal të Mallakastrës. Flakët të favorizuara nga era e fortë u përhapën me shpejtësi në një sipërfaqe mbi 10 hektarë me ullishte dhe shkurre. Në operacion morën pjesë 6 mjete zjarrfikëse të Ballshit, Patosit, Roskovecit. Pas disa orësh flakët u neutralizuan. LIBRAZHD – Ndërsa në Librazhd, pas 6 ditësh përpjekje intensive, autoritetet e emergjencave bënë të mundur vënien nën kontroll të vatrës aktive të zjarrit në zonën pyjore të Dardhës, në kufi me Sopotin, duke parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve. Atje shkoi edhe kreu i Emergjencave Civile Haki Çako. Çako u shpreh se emergjencat janë në gatishmëri në të gjithë vendin për të përballuar situatën e krijuar nga zjarret. #voxnews #media #news
Prej tre ditësh, ekipet e shpëtimit dhe ambulancat e për kafshët endacake në Greqi po operojnë në zonat e prekura nga zjarret, për shpëtimin e kafshëve shtëpiake dhe endacake, të mbetura në rrezik. Mes banesave të djegura dhe vendbanimeve të braktisura, shpëtuesit kontrollojnë shtëpi më shtëpi për të gjetur gjurmë jete. Nga një qen i lidhur në oborrin e një banese gjysmë të shkatërruar, deri te katër kotele të porsalindura të gjetura brenda një furre druri, këto janë pamje nga momentet e shpëtimit të kafshëve që u gjetën në zonat e prekura. #voxnews #media #news @voxnews.al
Gjashtë persona kanë mbetur të asfiksuar nga tymi i shpërndarë pasi një zjarr përfshiu një apartament në një pallat 30-katësh te Shkëmbi i Kavajës. Ata janë dërguar në Spitalin e Durrësit. “Sipas të dhënave paraprake, 6 shtetas janë transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore, pasi kanë shfaqur vështirësi në frymëmarrje si pasojë e tymit. Ata janë jashtë rrezikut për jetën”, njoftoi policia e Durrësit. Forcat zjarrfikëse që mbërritën në pallatin 30-katësh kanë pasur vështirësi në zbritjen e banorëve dhe turistëve që ndodheshin të akomoduar aty, për shkak të bllokimit të ashensorit dhe tymit. Zjarri ka rënë në një apartament, por tymi është shpërndarë në pjesë të konsiderueshme të godinës 30-katëshe. Sipas policisë, rreth orës 20:30, në katin e 9-të. “Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe të MZSH-së. Zjarri është shuar dhe situata është vënë nën kontroll”, tha policia. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit. #voxnews #media #news @voxnews.al
Pak ditë pas valës së madhe migratore që goditi enklavën spanjolle të Ceutës, ku mbi 70 mijë persona mbërritën me not nga Maroku, është hapur një përplasje e re në marrëdhëniet mes Romës dhe Madridit. Pasi kryeministrja italiane Giorgia Meloni pezulloi përkohësisht zbatimin e rregullave të Zonës Schengen dhe së bashku me Danimarkën promovoi një letër të hapur drejtuar Bashkimit Evropian për krizën migratore, me kritika të drejtpërdrejta ndaj mënyrës se si qeveria e Pedro Sánchez e ka menaxhuar situatën, tensionet janë rritur. Këtë herë, përplasjen mes dy vendeve e ndezën deklaratat e ministrit të Jashtëm spanjoll, José Manuel Albares. Në një intervistë për televizionin publik TVE, duke folur për krizën në Ceuta, ai u shpreh se “ka pasur qeveri që nuk kanë qenë në lartësinë e duhur për të përballuar situatën e migrantëve” dhe se “qeveria italiane është një prej tyre”. “Italia është e mbingarkuar me migrantë në Lampedusa dhe është vendi me numrin më të madh të hyrjeve të parregullta në Evropë. Nuk ka qenë në gjendje ta zgjidhë situatën, ndryshe nga Spanja”, tha Albares. Ministri spanjoll theksoi se autoritetet e Madridit, brenda pak orësh, kthyen në Marok pothuajse të gjithë migrantët që kishin kaluar kufirin. Ai shtoi se Ceuta dhe Melilla “nuk kanë përbërë kurrë kërcënim për Zonën Schengen”, ndërsa “zona të tjera evropiane kanë qenë problematike dhe Spanja ka treguar gjithmonë solidaritet”. Duke iu referuar Lampedusës, Albares deklaroi: “Italia do të donte ta zgjidhte situatën atje”, duke shtuar se gjatë viteve në Itali kanë mbërritur aq shumë migrantë, saqë një pjesë e tyre është pranuar edhe nga Spanja. Nga ana tjetër, qeveria italiane i hodhi poshtë këto deklarata. Përgjigjja erdhi përmes një komunikate të Ministrisë së Brendshme italiane, ku thuhet se “nga janari i këtij viti e deri më sot është regjistruar një rënie e ndjeshme e zbarkimeve të migrantëve të parregullt, falë politikave të qeverisë Meloni”. Sipas të dhënave zyrtare, ulja është 55% krahasuar me vitin e kaluar dhe rreth 82% krahasuar me vitin 2023. Në fund të deklaratës nuk mungoi edhe një thumb ndaj Madridit. “Sa i përket të ashtuquajturit ‘pushtim’ të Lampedusës, aktualisht në ishull ndodhen vetëm 98 migrantë dhe prej kohësh nuk ka më asnjë situatë emergjente.” Vetëm dy ditë më parë, edhe kryeministri spanjoll Pedro Sánchez ka reaguar ndaj nismave të Melonit dhe liderëve të tjerë sovranistë evropianë, të cilët, sipas tij, po përpiqen të shfrytëzojnë krizën e Ceutës për të ashpërsuar kontrollin e kufijve. “Solidariteti dhe empatia mund të jenë zgjedhje. Respektimi i traktateve evropiane dhe i fakteve, jo”, deklaroi Sánchez. Ai e mbështeti qëndrimin e tij me statistika mbi hyrjet e migrantëve në Evropë: Përmes Ballkanit Perëndimor: 340.600. Përmes kufirit lindor: 48.000. Mesazhi i tij ishte i qartë: Spanja nuk pranon leksione nga Italia. Ndërkohë, Italia është e gatshme ta përdorë rastin e Ceutës për t’i kërkuar Brukselit përshpejtimin e krijimit të qendrave të riatdhesimit në vende të treta, sipas modelit të marrëveshjes me Shqipërinë, me financim nga fondet e Bashkimit Evropian dhe jo nga taksapaguesit italianë. Për të ulur tensionet ndërhyri presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. “Emigracioni është një sfidë evropiane që kërkon një përgjigje evropiane. Për këtë arsye, solidariteti është thelbësor”, shkroi ajo në një letër drejtuar kryeministrit spanjoll. Sipas saj, menaxhimi i situatës kërkon dyfishimin e përpjekjeve në pesë fusha kryesore: -parandalimin e hyrjeve të parregullta përmes bashkëpunimit me vendet e treta; -forcimin e kufijve të jashtëm të BE-së; -zbatimin e sistemeve të paralajmërimit të hershëm; -shkatërrimin e rrjeteve të trafikantëve të qenieve njerëzore; -përshpejtimin e procedurave të riatdhesimit. Në fund të letrës, Von der Leyen theksoi se “Spanja mund të mbështetet në përkrahjen e plotë të Komisionit Evropian.” #voxnews #media #news
Banorët e Dimalit kanë dalë sërish në protestë mbrëmjen e sotme kundër Reformës Territoriale, e cila parashikon shkrirjen e Bashkisë Dimal dhe bashkimin e saj me Beratin. Me pankarta në duar, protestuesit i kanë bërë thirrje qeverisë të mos prekë Bashkinë Dimal. Ata u shprehën se Dimali është vendi ku duan të rrisin fëmijët e tyre dhe se kjo bashki përfaqëson një nga zonat me prodhimin më të madh bujqësor në vend. Sipas tyre, bashkimi me Bashkinë Berat do t’ua vështirësojë jetën dhe aktivitetin ekonomik, veçanërisht fermerëve të njësive administrative Kutalli, Cukalat dhe Poshnjë. Gjatë protestës, administratori i Njësisë Administrative Kutalli, Miço Rakazia, shpalli publikisht dorëheqjen nga detyra. Ai deklaroi se e merr këtë vendim pasi, sipas tij, me shkrirjen e Bashkisë Dimal nuk do të ketë më shërbime për qytetarët. “Meqë në Dimal nuk do të ketë më asnjë shërbim për qytetarët, jap dorëheqjen nga detyra,” u shpreh Rakazia para protestuesve. #voxnews #media #news @voxnews.al
I pari që u largua ishte paraardhësi ynë i gjatë dhe i hollë, djali Turkana, Homo ergaster Nga Telmo Pievani, Corriere della Sera Njerëzit kanë migruar për një kohë shumë të gjatë, të paktën dy milion vjet, gjë që është e çuditshme. Kushërinjtë tanë hominidë nuk e bëjnë këtë. Ne nuk migrojmë si kafshët e tjera, duke ardhur e shkuar, por në mënyrë progresive: ne thjesht shkojmë. Paraardhësi i përbashkët midis nesh dhe shimpanzeve jetoi në Afrikë midis 5 dhe 6 milion vjet më parë. Gjinia Homo u shfaq, gjithashtu në Afrikë, rreth 2.6 milion vjet më parë. Deri atëherë, të gjitha speciet e nënfamiljes sonë, homininët, kishin mbetur në kontinentin e tyre të origjinës. Pastaj ndodhi diçka. Pse Homo filloi të lëvizte I pari që u largua ishte paraardhësi ynë i gjatë dhe i hollë, djali Turkana, Homo ergaster. Ai jetoi në malësitë e Etiopisë, në kanionet e Luginës Rift. 2 milionë vjet më parë, duke ndjekur prenë e tij me ritmin e një vrapuesi maratonash, ai pa e ditur u largua nga Afrika. Me vetëm një shtizë rudimentare në dorë dhe një sasi të madhe kurioziteti në mendjet e tyre. Ata u shpërndanë nëpër Euroazi, duke i dhënë jetë specieve të reja njerëzore në Kaukaz, Evropë, Kinë dhe arkipelagun indonezian. Pse e bënë këtë? Ekzistojnë dy hipoteza. Ndoshta ata filluan të lëviznin për t’u përshtatur me mjedise që ndryshojnë vazhdimisht. Kishin filluar lëkundjet akullnajore, me periudha të ftohta që alternoheshin me periudha të ngrohta, rripat e bimësisë që zhvendoseshin dhe kështu ndodhnin edhe burimet. Në situata të tilla, përshtatja më efektive dhe e shpejtë konsiston në ndjekjen e habitatit më të përshtatshëm, domethënë, zgjerimin si një njollë nafte në kërkim të ushqimit dhe hapësirës. Sahara, për shembull, kishte periudha kur ishte e gjelbër dhe tërheqëse, duke tërhequr grupe homininësh nën-Saharianë drejt Mesdheut dhe Lindjes së Mesme, dhe pastaj u bë përsëri e thatë, duke i shtyrë ata përsëri drejt lumenjve dhe brigjeve. Një hipotezë e dytë, ndoshta plotësuese, është se ekzistonte edhe një komponent njohës, një kuriozitet eksplorues: gjithmonë dëshira për të parë se çfarë ishte në anën tjetër të kodrës, përtej atij kepi në bregdet, përtej kthesës së lumit. Në mënyrë të pavetëdijshme dhe ngadalë, në këtë mënyrë, mund të fillohet nga Afrika dhe të arrihet në të gjithë Euroazinë. Diaspora e Dytë e Madhe dhe Speciet e Reja Diaspora e dytë e madhe ndodhi 700 mijë vjet më parë, pas një kataklizmi të tmerrshëm të klimës akullnajore që zhduku 98% të popullsisë njerëzore. Planeti është më i fortë se ne dhe i pamëshirshëm. Duke kapërcyer ngushticën, të mbijetuarit e paktë në Afrikë i dhanë jetë një linje të re njerëzore, me tru më të madh dhe teknologji më efikase. Edhe një herë, ata rikthyen shtigjet e eksodit të parë nga Afrika dhe u përhapën në të gjithë Euroazinë, duke kaluar nëpër Gadishullin Arabik dhe Lindjen e Mesme. Edhe ata, përmes ndarjes gjeografike, dhanë jetë specieve të reja njerëzore: njeriun Neandertal në Euroazinë perëndimore dhe njeriun Denisovan në Euroazinë lindore. Migrimi gjeneron diversitet speciesh. Evolucioni është gjeografi, shpërndarje, migrim, zhdukje. Kjo është arsyeja pse gjinia Homo është një shkurre formash të shumëfishta njerëzore: plastike, oportuniste, të lëvizshme, fleksibile, nomade. Më në fund, erdhi diaspora e tretë: e jona. Kur paraardhësit tanë të parë të drejtpërdrejtë, që i përkisnin species Homo sapiens, u shfaqën në Afrikë, 300 mijë vjet më parë, bota ishte plot me forma të tjera njerëzore. Ishte një botë pluraliste; kishte shumë mënyra për të qenë njeri. Tashmë 130 mijë vjet më parë, edhe ne filluam të largoheshim nga Afrika, dhe kështu hasëm pasardhësit e të gjitha migrimeve të mëparshme: Neandertalët në Evropë, Denisovanët në Azi, dy specie të çuditshme njerëzore xhuxhë në Indonezi dhe Filipine. #voxnews #media #news
Europa po përjeton një nga valët më të rënda të të nxehtit të viteve të fundit, me temperatura rekord, zjarre masive, probleme në furnizimin me energji dhe pasoja të rënda në disa vende të kontinentit. Në Greqi, qindra zjarrfikës vazhdojnë betejën me flakët në disa fronte, ndërsa zjarret e ditëve të fundit kanë shkaktuar viktima dhe dëme të mëdha. Situata është përkeqësuar nga temperaturat e larta dhe erërat e forta, që favorizojnë përhapjen e zjarreve. Në të njëjtën kohë, Rumania dhe Hungaria po përballen me një krizë energjetike të lidhur me thatësirën. Nivelet rekord të ulëta të ujit në lumin Danub kanë vështirësuar ftohjen e centraleve bërthamore. Në Rumani, autoritetet kryen shpërthime të kontrolluara për të devijuar rrjedhën e ujit drejt centralit bërthamor të Cernavodës, ndërsa Hungaria është detyruar të ulë prodhimin në centralin e saj të vetëm bërthamor, për herë të parë në më shumë se katër dekada. Problemet me energjinë kanë prekur edhe industrinë. Prodhuesit e automjeteve “Dacia” dhe “Ford” kanë pezulluar turnet e mbrëmjes në fabrikat e tyre për të ulur konsumin e energjisë elektrike, ndërsa hidrocentralet në Serbi po funksionojnë me vetëm rreth 20% të kapacitetit për shkak të mungesës së ujit. Paralelisht me emergjencën klimatike, Bashkimi Evropian po përballet edhe me krizën migratore në enklavën spanjolle të Ceutës. Pas hyrjes masive të emigrantëve nga Maroku, Komisioni Evropian ka kërkuar forcimin e kufijve të jashtëm dhe mbështetje më të madhe për autoritetet spanjolle dhe marokene. Italia ka vendosur kontrolle të përkohshme në kufirin me Spanjën, duke argumentuar se masa është e nevojshme për arsye sigurie. Meteorologët paralajmërojnë se vala e të nxehtit pritet të arrijë kulmin në mesin e javës, duke rritur më tej rrezikun për zjarre të reja, ndërprerje të energjisë dhe probleme në furnizimin me ujë në disa pjesë të Evropës. #voxnews #media #news
Masayuki Oki është një fotograf japonez i rrugës, i njohur për fotografimin e jetës së përditshme të maceve endacake në Tokio. Pasi fotografoi macen e tij të parë endacake në vitin 2013, ai i kushtoi vite duke ecur nëpër rrugët e qytetit me aparatin në dorë, duke pritur me durim momente spontane dhe krejtësisht natyrale. #cats #funny #voxnews #media #news @voxnews.al
Ka nisur protesta e 65-të kundër qeverisë në Tiranë. Qytetarët marshuan nga Sheshi “Skënderbej” drejt godinës së Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe largimin e klasës politike aktuale. Me pankarta, flamuj kombëtarë dhe thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg”, protestuesit shprehën pakënaqësinë e tyre për situatën politike në vend. Një nga protestuesit, vlerësoi frymën e bashkimit të qytetarëve për mbi dy muaj, duke nënvizuar se po japin shpresë. I moshuari tha se partia e tyre është Shqipëria e Re dhe se frika është vrarë përfundimisht. “Është vrarë frika përfundimisht dhe tani njerëzit shprehen lirisht. Falënderoj të gjithë protestuesit që vijnë këtu dhe na japin shpresë, të rinj e pensionistë, për entuziazmin që po japin këtu në këtë shesh. Protestuesit e kanë krijuar partinë e tyre, Shqipëria e re”, tha ai. Një tjetër protestues, paralajmëroi nga sheshi “Skënderbej” se këto protesta, të cilat kanë shpërthyer edhe në qytete të tjera, mund të përshkallëzohen deri në mosbindje civile. “Kjo është qeveria e parë që njihet ndërkombëtarisht se fsheh në Shqipëri para të pista, jo vetëm të mafiozëve shqiptarë, por edhe të atyre të huaj. Dua që kjo protestë të zgjasë, pasi është maratonë, jo sprint. Kjo protestë mund të përshkallëzohet në mosbindje civile anembanë Shqipërisë”, tha ai. Njw ditë më parë, një nga temat kryesore të protestës ishte reforma e re administrativo-territoriale e propozuar nga Partia Socialiste. Protestuesit kundërshtuan planin për reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46, duke argumentuar se ndryshimet do të çojnë në përqendrim të pushtetit vendor dhe dobësim të zonave rurale. Sipas tyre, reforma rrezikon të thellojë shpopullimin dhe të largojë më tej vendimmarrjen nga qytetarët. #voxnews #media #news