Nga Fatos Fico*
Ekspert i zhvillimit të qëndrueshëm
Struktura ekonomike, emigrimi dhe oligopolet ekonomike në Shqipëri e kanë kthyer lekun në një monedhë të fortë në mënyrë të panatyrshme.
Në makroekonominë klasike, një vend në zhvillim që vuan nga emigrimi masiv i popullsisë dhe ka një deficit të thellë tregtar, problem madhor ka inflacionin dhe zhvlerësimin e monedhës së tij. Në Shqipëri ndodh e kundërta. Leku shqiptar ka njohur një rritje historike shumëvjeçare kundrejt euros, duke arritur së fundmi në 93 lekë për një euro nga 140 lekë rreth dhjetë vite më parë. Një vend me rreth 2.4 milionë banorë, vëllimi i madh i valutës së huaj, ai mbi deficitin tregtar, që qarkullon në sistem, i vlerësuar në rreth 3,8 miliardë euro në vit përballë një PBB-je prej vetëm 23-25 miliardë eurosh, ka prishur mekanizmat standardë të politikës monetare.
Banka e Shqipërisë është përpjekur të ndalë ngritjen e lekut, duke blerë gjatë vitit 2025 mbi një miliard euro nga tregu i brendshëm valutor. Megjithatë, këto ndërhyrje janë si të përpiqesh të zbrazësh ujin që futet në anije me kova. Kriza nuk është thjesht monetare; ajo është rezultat i riorganizimit strukturor të dekadës së fundit që vjen nga bumi i ekonomisë formale, ekonomisë informale dhe një cikli politiko-ekonomik me fillesa që nga vitet ’90, që ekstrakton pasurinë nga ekonomia e resurset natyrore për ta derdhur në beton, por më e rëndësishmja- politikat nuk kanë mundur të krijojnë e ndërtojnë rrugë e mundësi të tjera ekonomike, e zhvillimi perveç betonit.
Flukset hyrëse dhe ekonomia informale
Forcimi i lekut mbështetet nga flukse masive dhe të vazhdueshme të valutës së huaj. Së pari, ndryshimi strukturor në ekonominë reale. Shqipëria është shndërruar në një vend eksportues shërbimesh, ku të ardhurat nga turizmi kalojnë 5 miliardë euro në vit duke rezultuar në një suficit neto prej rreth 2.685 miliardë eurosh. Krahas kësaj, Investimet e Huaja Direkte (IHD) formale kontribuojnë me rreth 1.63 miliardë euro.
Megjithatë, të dhënat zyrtare tregojnë vetëm gjysmën e së vërtetës. Ekonomia informale funksionon si një turbo-karikues me euro. Ndryshe nga IHD-të e korporatave që kanalizohen në llogari bankare, paratë informale janë “në treg” dhe me shpejtësi të lartë qarkullimi e mbështesin konsumin, duke ngopur pikat e këmbimit valutor. Ky fluks mjaft i dukshëm shkakton reagim zinxhir në sjelljen e tregut: duke parë rritjen e vazhdueshme të vlerës së lekut, qytetarët dhe bizneset vendase këmbejnë eurot që mund të kenë për t’i kthyer ato në depozita në lekë ose bono thesari.
Shtrëngimi dhe mungesa e lekut
Ndërsa eurot vërshojnë në treg, monedha fizike në lek është bërë edhe më e rrallë. Qeveria ndjek një politikë të shtrënguar fiskale, me deficite buxhetore të projektuara pranë 0.7% të PBB-së dhe borxh publik në rënie nën 55%. Mbledhja e taksave vazhdimisht tejkalon shpenzimet publike, që do të thotë se shteti tërheq miliarda lekë nga ekonomia dhe i mban ato në llogaritë e thesarit, duke krijuar një mungesë artificiale në tregun e brendshëm. Shpenzimet publike shpesh nuk realizohen 100% dhe përqendrohen në muajin dhjetor, kur qeveria lëvron fonde më shumë për të realizuar planin sesa si pagesa për investimet dhe punët e kryera realisht.
Banka Qendrore bën ndërhyrje për të ulur volumin e eurove në treg, por synimi kryesor i saj është parandalimi i inflacionit. Për këtë, sa herë që Banka e Shqipërisë blen euro nga tregu, ajo i “sterilizon” menjëherë këto ndërhyrje duke i tërhequr lekët e emetuar sërish në llogaritë e saj. Sasia e lekut fizik mbetet e pandryshuar, duke neutralizuar efektin e ndërhyrjes. Për më tepër, sistemi bankar tregtar nuk po krijon para të reja, pasi kredia totale private në Shqipëri është vetëm 34% e PBB-së, kjo në ndryshim nga vendet e BE-së ku kredia private shkon në 100% ose më shumë të PBB-së.
Matematika e Këmbimit : faktorët kryesorë në shifra
Për t’u kuptuar më qartë po rendisim se nga vijnë rreth 3,8 miliardë ekstra euro që po “mbytin” tregun. (me përafërsi shifrash vjetore):
- Eksportet, investimet dhe remitancat formale: Këtu përfshihen të ardhurat masive zyrtare nga turizmi ~5.7 miliardë euro, Investimet e Huaja Direkte formale ~1.6 miliardë euro) dhe remitancat zyrtare nga emigrantët të cilat për vitin 2025 llogariten në 1.1 miliardë euro. Vlera totale e hyrjeve formale shkon rreth 8.43 miliardë euro. Nëse llogarisim diferencën e vërtetë neto, nga kjo shifër duhet të zbresim eurot që shqiptarët shpenzojnë jashtë shtetit për turizëm rreth 2.7 miliardë euro dalëse si dhe deficitin e thellë tregtar prej rreth 5.9 miliardë eurosh dalëse. Matematikisht, bilanci total formal rezulton negativ, me një hendek të vogël prej rreth 170 milionë euro. Në kushte normale, euroja do të duhej të ishte shtrenjtuar, por kjo diference tejkalohet totalisht së pari nga ekonomia e padeklaruar e pastaj nga faktorë të tjerë.
- Ekonomia informale / Paraja cash: Llogaritet në rreth 2.5 deri në 3.2 miliardë euro të hyra. Ky është fluksi i padeklaruar që qarkullon në ekonomi, dhe ndahet në rreth 1 miliard euro cash nga diaspora, rreth 800 milionë – 1 miliard euro nga turizmi që paguhet cash dhe nuk deklarohet, dhe rreth 1 deri në 1.2 miliardë euro nga të ardhura nga aktivitete jo legale jashtë vendit.
Shënim: Shifrat e ekonomise informale janë të ekstrapoluara dhe të llogaritura në mënyrë indirekte dhe jo të dhëna zyrtare.
- Ndërhyrjet sterile të Bankës Qendrore: Megjithëse banka bleu përgjatë vitit 2025 pak me shume se 1 miliardë euro për të ndalur rënien, ajo e sterilizon ndërhyrjen duke mbajtur sasinë e lekut të pandryshuar/neutrale. Ky veprim nuk e shton euron, por nuk lejon shtimin e lekut, duke e lënë lekun qarkullues sërish të rrallë e të shtrenjtë.
- Përshtatja e tregut: Likuidimi i kursimeve nga 500 milionë deri në 1 miliard euro. Nga frika e zhvlerësimit të mëtejshëm, qytetarët shtyhen të këmbejnë kursimet e tyre nga euro ne lek, duke shtuar deri në 1 miliard euro të tjera në treg
- Kredia e Bankave private e mangët në lekë dhe disbursime të kredive edhe ne Euro: Efekt prej 500 deri në 800 milionë euro. Rreth 50% e kredive merren në euro. Ndërtuesit i marrin këto euro dhe një pjesë të madhe e këmbejnë menjëherë në lekë për të paguar punetorët dhe materialet brenda vendit, taksa, etj. duke hedhur euro të reja në treg pa krijuar lek të rinj.
- Bllokimi fiskal nga Qeveria: Ekuivalenti i 300 deri në 600 milionë eurove. Qeveria mbledh taksa dhe mban në llogaritë e saj me dhjetëra miliarda lekë të pashpenzura gjatë vitit, duke bërë që leku fizik të mungojë në xhepat e njerëzve dhe duke e mbajtur raportin në disfavor të euros.
Bilanci Përfundimtar:
Ekuacioni i këtyre 6 pikave tregon qartë pse bie euro. Le të llogarisim të hyrat dhe te dalat – bilanci i formal eksporte+IHD+remitanca minus importe+turizëm dalës lë një deficit prej rreth 0.17 miliardë eurosh, ndërsa Banka e Shqipërisë tërheq edhe 1 miliardë euro. Pra, tregu duhej te ishte i “zbrazur” me rreth 1.2 miliardë euro.
Por, më tej veprojnë forcat masive të mbiofertës: paratë informale ~3.2 mld, + përshtatja e tregut ~1 mld, + konvertimi i kredisë ~0.8 mld, të cilat së bashku hedhin në treg rreth 5 miliardë euro të reja.
Diferenca midis 5.0 mld ekstra hyrëse me 1.2 mld (deficiti + BSH) lë në treg një suficit të pastër prej rreth 3.8 miliardë eurosh neto çdo vit.
Ky det me euro të tepërta përplaset me një monedhë Lek që mbetet i rrallë, nga sterilizimi i BSH-se, bllokimi fiskal e kreditor, si dhe kërkesa e vazhdueshme për lek nga konsumatorët e bizneset duke vulosur rënien e pashmangshme të euros.
Këto duken të jenë faktorët kryesorë monetarë, megjithëse tabloja totale është më komplekse – biznese të medha shqiptare tani po investojnë jashtë vendit, duke nxjerrë valutë jashtë, por janë edhe ndihmat nga BE, që risjellin euro në ekonomi, Bonot e thesarit ne Euro, etj.
Edhe nëse eliminohet tërësisht një nga këta faktorë p.sh., paratë euro jo legale, faktorët e tjerë do ta mbanin përsëri euron të zhvlerësuar mjaftueshëm.
Efekte të tjera të prurjeve masive në euro të cilat ndikojnë në ekonomi dhe treg janë:
- Çmimet e banesave: Normalisht duhet të ndjekin rritjen e pagave dhe volumin e ndërtimeve të reja kundrejt kërkesës. Realiteti: Çmimet së fundmi janë rritur me 20%–40%; Tirana kap çmime nga €2,500–€5,000/m² ndërsa paga mesatare është ~€770. Shkaku: Tregu i aseteve ushqehet nga para shpesh informale që përpiqen ta ruajnë vlerën me beton.
- Shkalla e vakancës (shtëpitë bosh): Normalisht oferta e madhe në ndërtim duhet të çojë drejt rënies së çmimeve. Me dhjetëra mijë apartamente janë bosh në Tiranë, ndërsa çmimet vazhdojnë të rriten. Prona funksionon si llogari bankare jolikuide për investitorët, jo për strehim.
- Eksportet (Mallra): Normalisht duhet të rriten krahas zgjerimit ekonomik të vendit. Eksportet janë tkurrur me ~15%; pushime masive nga puna në fasoneri. “Sëmundja Holandeze” , forca artificiale e monedhës e bën importin më të lirë, por shkatërron prodhimin vendas.
- Bilanci tregtar: Deficitet e larta (importi shumë më i madh se eksporti) zakonisht e dobësojnë monedhën vendase. Deficiti thellohet në €5.9 miliardë, megjithatë leku vazhdon të forcohet. Flukset hyrëse nga kanale të tjera (jo-tregtare) e tejkalojnë plotësisht hendekun tregtar.
Rënia e shpejtësisë së qarkullimit te parasë
Për të kuptuar plotësisht paradoksin e Euros kundrejt Lekut, duhet parë përtej treguesve monetarë, duhet të shikojmë ekonominë politike, si dhe përqendrimin e pasurisë.
Të ardhurat e shtetit shqiptar bazohen te taksat indirekte, si psh. TVSH-ja dhe akcizat e karburantit. Kur çmimet rriten për shkak te krizave të ndryshme, qytetarët e thjeshtë shtrydhen edhe më shumë dhe buxhetet e tyre modeste në lekë zbrazen edhe më shpejt drejt arkave të tregtarëve dhe shtetit.
Shteti më pas e rishpërndan këtë pasuri të mbledhur nga taksat kryesisht përmes kontratave të mëdha infrastrukturore dhe koncesioneve Publike-Private (PPP). Rezultati është një transferim masiv i pasurisë: lekët e miliona qytetarëve përqëndrohen në llogaritë bankare të një grushti ndërtuesish dhe importuesish mallrash e karburanti të cilët fitojnë rregullisht edhe tenderat publikë.
Kjo shkakton kolaps në shpejtësinë e qarkullimit të parasë. Njëqind mijë lekë në duart e një mësuesi qarkullojnë shpejt nëpër dyqanet dhe ekonominë lokale. Dhjetëra miliardë lekë të përqëndruara në llogarinë e një oligarku nuk blejnë ushqime apo mallra; ato blejnë tokë, ndërtojnë komplekse hotelesh dhe kulla banimi. Për pasojë, tregtia e pakicës sëe përditshme ngec, shërbimet ngecin, ndërsa ndërtimi përjeton hiperinflacion.
Kjo dinamikë nga ana tjetër krijon stuhinë e përsosur në sektorin e pasurive të paluajtshme. Leku i përqëndruar i tregut të brendshëm, ai nga kontratat qeveritare, bashkohen me valën masive të eurove që hyjnë nga turizmi, diaspora dhe ekonomia informale. Për shkak se tregu financiar i Shqipërisë është i pazhvilluar — nuk ka bursë aktive apo treg obligacionesh të korporatave — nuk ka asnjë mjet financiar ”sfungjer” për të thithur këtë kapital, bën që të gjitha këto para të përplasen drejtpërdrejt në tregun e pronave fizike.
Demografia dhe rreziqet e tjera
Për t’i shtuar kësaj situate, kemi edhe problemin demografik. Censi i fundit konfirmon se mbi 420,000 shqiptarë janë larguar jashtë vendit dhe se ikjet vazhdojnë. Kjo jo vetëm tkurr bazën e përdoruesve vendas që mbështeten te leku për transaksionet e përditshme, por ul thellësinë e ekonomisë vendase, dhe në të njëjtën kohë rrit diasporën jashtë vendit, e cila sjell euro në vend për të mbështetur familjet, me turizëm si dhe për blerje pronash.
Kërcënimi afatgjatë i monedhës lokale të mbivlerësuar është stanjacioni i plotë i produktivitetit. Duke kanalizuar pothuajse të gjithë kapitalin e tepërt në sektorë jo-të-tregtueshëm, (si nocion ekonomik kur shitet dhe blihet vetëm brenda vendit), si pasuri të paluajtshme dhe hoteleri me vlerë të ulët në vend të teknologjisë, bujqësisë apo prodhimit, Shqipëria po shkatërron kompleksitetin e saj ekonomik të së ardhmes. Për më tepër, kjo krijon një rrezik sistemik të lartë. Nëse flukset informale zvogëlohen, ose nëse rënia demografike vazhdon edhe më tej bën që flluska e “apartamenteve fantazmë” të pëlcasë. Sektori bankar i cili mban këto prona si kolateral me çmime të mbivlerësuara mund të përballet me një krizë të rëndë likuiditeti. Së fundi, një ekonomi informale e përmasave përtej atyre fiziologjike që vepron në sektorin e pronave mund të krijojë vështirësi të tjera për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Banka e Shqipërisë po lufton një betejë që nuk mund ta fitojë me instrumentet standarde monetare. Edhe nëse një faktor strukturor do të eliminohej, për shembull rreth 1 miliard euro te supozuara nga burime të paligjshme, miliardat e mbetura nga turizmi, IHD-të, shtrëngimi fiskal, kreditimi privat i mangët, e mungesa e tregut financiar, do të mbanin euron në mbiofertë.
Derisa Shqipëria të thellojë tregjet e saj të kapitalit për të thithur këto prurje, dhe të zhvendosë ekonominë e saj “politike” larg përqëndrimit oligarkik të pasurisë dhe derdhjes së betonit, leku do të mbetet i vlerësuar në mënyrë të panatyrshme — një monument i një ekonomie të gërryer nga brenda, por të mbytur me para nga jashtë.
*Opinionet janë personale të autorit dhe nuk përbëjnë qëndrim të revistës
The post Monedha e betontë appeared first on Revista Monitor.