Aty ku fillon jeta: Dr. Pranvera Zejnullahu Raci, mes misionit të mjekësisë, përgjegjësisë njerëzore dhe humanizmit

Një ndërthurje e praktikës klinike, përgjegjësisë etike dhe politikave të shëndetit publik, e ndërtuar mbi trajektoren akademike, klinike dhe institucionale të Dr. Pranvera Zejnullahu Raci, me fokus në shëndetin riprodhues të gruas, sfidat strukturore të sistemit shëndetësor në Kosovë dhe etikën profesionale në formimin e brezave të rinj të mjekësisë
Ka profesione që ndërtohen mbi dije dhe ka profesione që mbajnë peshën e jetës vetë. Mjekësia i përket këtij dimensioni të dytë, aty ku shkenca dhe humanizmi nuk ecin veçmas, por si një trup i vetëm. Në veçanti gjinekologjia, një fushë ku jeta nuk nis si koncept abstrakt, por si realitet konkret, i brishtë dhe i shenjtë, që kërkon mbrojtje, përkushtim dhe vendime të sakta në çdo moment.
Gjinekologu është mjeku i pragut të jetës. Ai është i pranishëm aty ku fillon një histori njerëzore, ku një grua përjeton ndoshta momentin më të rëndësishëm të ekzistencës së saj dhe ku një familje lind bashkë me një fëmijë. Në këtë pikë, profesioni pushon së qeni thjesht zanat dhe shndërrohet në mision.
Në këtë hapësirë të ndjeshme, ku përgjegjësia profesionale dhe ajo morale bashkohen, Dr. Pranvera Zejnullahu Raci ka ndërtuar një karrierë të qëndrueshme dhe të respektuar, duke u profilizuar si një nga figurat që përfaqëson seriozitetin, qetësinë profesionale dhe përkushtimin afatgjatë ndaj shëndetit të gruas në Kosovë.
Me formim bazik në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, specializim në Gjinekologji me Obstetrikë dhe me titullin PhD në Biomedicinë dhe Shkencat Mjekësore nga Universiteti i Zagrebit, ajo ka bashkuar në mënyrë organike praktikën klinike, angazhimin akademik dhe kërkimin shkencor. Që nga viti 2004, ajo është e angazhuar si asistente në Fakultetin e Mjekësisë, duke kontribuar në edukimin praktik të studentëve, ndërsa që nga viti 2012 ushtron profesionin e mjekes specialiste në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike në QKUK.
Profili i saj profesional shtrihet edhe në fushën e kërkimit shkencor, me publikime në revista ndërkombëtare të indeksuara në Web of Science dhe Scopus, ku trajton tema me rëndësi të veçantë për shëndetin publik, si infeksioni me HPV, vaksinimi dhe lidhja e tij me kancerin e qafës së mitrës në Kosovë. Këto studime e pozicionojnë atë jo vetëm si mjeke klinike, por edhe si zë shkencor në adresimin e problemeve strukturore të shëndetit të gruas. Aktualisht është trajnuar dhe punon në veçanti në fushën e trajtimit të problemeve të infertilitetit dhe menopauzës.
Në vitin 2022, Dr. Pranvera Zejnullahu Raci u emërua Ushtruese e Detyrës së Drejtoreshës së Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, duke marrë përsipër drejtimin e një prej institucioneve më komplekse në vend. Një përvojë që i dha asaj një këndvështrim të drejtpërdrejtë mbi sfidat e sistemit shëndetësor, përgjegjësinë institucionale dhe raportin mes politikës shëndetësore dhe nevojave reale të qytetarëve.
Në këtë intervistë, ajo ndan reflektime nga përvoja e saj profesionale dhe akademike.
Profesioni, jeta, përgjegjësia dhe njeriu pas mantelit të bardhë
Çfarë ju ka mësuar përvoja shumëvjeçare në gjinekologji për natyrën njerëzore dhe për raportin e gruas me shëndetin e saj?
Pas një përvoje gati 20-vjeçare në profesionin tim, nga koha kur kam filluar specializimin në këtë lëmi, e them shpeshherë edhe me humor se, për dallim nga shumë specializime të tjera, ky yni trajton në veçanti shëndetin e gruas dhe, në veçanti, komponentën riprodhuese të saj. Natyra humane e gruas është shumë komplekse, ku përfshihen komponentë biologjikë, ndërveprimi hormonal që është në tentativë për një ekuilibër të dëshirueshëm, psikologjia e veçantë e gruas dhe ndikimi gjithnjë e më i fortë i faktorëve socialë dhe ambientalë në shëndetin e saj. Ndër vite kam vërejtur se gratë, në përgjithësi, nuk e kanë pasur shëndetin e tyre prioritar në raport me hallet dhe sfidat e fëmijëve dhe familjarëve të tyre. Viteve të fundit, trendi i përkujdesjes për shëndetin e tyre është në rritje. Besoj se në këtë kanë ndikuar shkollimi, pavarësia financiare dhe qasja më e lehtë në informacione përmes platformave digjitale. Uroj që ky trend të vazhdojë për së mbari.
Si ndryshon perceptimi i jetës kur çdo ditë je dëshmitare e fillimit të saj?
Profesioni i obstetër-gjinekologëve konsiderohet ndër më të vështirët dhe më sfiduesit në mjekësi. Por, pavarësisht gjithë sfidave dhe lodhjeve konstante që përjetojmë, jemi me fat që, bashkë me mamitë, të përjetojmë çdo ditë atë që është mrekullia vetë: lindja e një jete të re. Procesi, sado që të jetë fiziologjik si rrjedhë, ka rreziqet dhe sfidat e tij, si për nënën që sjell në jetë bebin, ashtu edhe për stafin mjekësor që ndihmon në lindje. Nuk mund ta imagjinoni atë ndjenjë që përjetojmë ne kur dëgjohet e qara e parë e fëmijës pas lindjes. Bashkë me nënën, e cila është gati në një dimension tjetër të përjetimit emocional të këtij momenti, edhe stafi në sallën e lindjes përjeton momentet e bukura dhe, njëkohësisht, stresin që bartim në rastet me risk të lartë.
E dua këtë profesion sepse çdo ditë mundohem të bëj dikë të ndihet e jashtëzakonshme duke përjetuar lindjen e foshnjës së saj.
Gjinekologjia përballë shëndetit publik dhe politikëbërjes
A mendoni se shoqëria jonë e vlerëson mjaftueshëm rolin e gjinekologut, jo vetëm si mjek, por si figurë kyçe në shëndetin publik?
Gjinekologët, duke qenë të konsideruar edhe si mjekë-kirurgë, shpeshherë anashkalohen plotësisht nga grupet punuese apo nga politikëbërja, e cila shqyrton dhe miraton strategjitë për ruajtjen dhe promovimin e shëndetit publik të popullatës. Një shembull konkret është përjashtimi i konsultave me gjinekologë në rastin e vendosjes për llojin e vaksinës kundër HPV-së dhe programet e skriningut për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës. Besoj se në të ardhmen inputi i secilit nga specialistët e fushave të ndryshme do të prodhonte dokumente dhe protokolle që, në rend të parë, kanë shëndetin e gruas.
Si ruhet balanca mes profesionalizmit shkencor dhe empatisë njerëzore në një fushë kaq emocionalisht të ngarkuar?
Kjo balancë është esenciale për punë në gjinekologji dhe mjekësi në përgjithësi. Mjeku, në bazë të njohurive të fituara gjatë shkollimit të gjatë, përvojës profesionale ndër vite dhe zbatimit të protokolleve më të mira të bazuara në të dhëna shkencore, duhet t’i trajtojë pacientët. Por duhet pasur parasysh edhe fakti se ndonjëherë suksesi dhe trajtimi i duhur kërkojnë një qasje të tillë me pacientin, ku ai duhet të krijojë besim te mjeku dhe te mënyra e trajtimit. Komunikimi i vazhdueshëm në çdo hap të procesit të trajtimit të pacientit është esencial, konsideroj unë. Mirësjellja dhe përulësia në një profesion që është shumë i vështirë janë thelbësore. Përballimi i situatave të vështira me një buzëqeshje dhe gjetja e kënaqësive në gjëra të vogla na ndihmojnë të tejkalojmë momentet e vështira. Shumica nga ne i bartim me vete jashtë spitalit të gjitha ato emocione dhe kjo, me kohën, na bën të jemi në një gjendje “burnout”. Ky është një prej çmimeve që paguajmë gjithashtu. Asgjë në jetë, e as në profesionin e mjekut, nuk është bardh e zi; gjithçka është kombinim ngjyrash, përvojash dhe emocionesh që na përcjellin në jetë dhe në punën e përditshme.
Angazhimi akademik, praktika klinike dhe sfidat institucionale
Në çfarë mase angazhimi juaj akademik ka ndikuar në mënyrën se si e ushtroni praktikën klinike?
Që nga viti 2004 kam qenë pjesë e stafit të Fakultetit të Mjekësisë, përvojë e jashtëzakonshme puna me studentët. Një pjesë e tyre tanimë janë kolegë të mi. Pjesa akademike dhe ajo profesionale e plotësojnë njëra-tjetrën dhe, normalisht, të bëjnë të ndihesh shumë më komod në vendimmarrje në baza ditore. Përcjellja e risive në fushën në të cilën punojmë është parakusht për të ecur përpara. Mjekësia është një profesion ku shkollimi dhe edukimi nuk përfundojnë asnjëherë. Mbajtja e një mentaliteti të zhvillimit konstant dhe pranimi i faktit se “akoma nuk kemi parë të gjitha” deri në ditën që do të dalim në pension na lejon të mësojmë nga çdo rast.
Më pengon shumë fakti se Fakulteti i Mjekësisë dhe QKUK realisht funksionojnë si dy entitete komplet të ndara në aspektin organizativ dhe funksional, përderisa do të duhej të ishin në simbiozë me njëra-tjetrën. Ky fakt e ka vështirësuar shumë ndër vite punën e stafit akademik nëpër klinika dhe, njëkohësisht, ka krijuar një ndarje artificiale të stafit akademik dhe joakademik, me pasoja për mbarëvajtjen e mësimit dhe qasjen e plotë të studentëve në punë praktike me pacientë. Gjërat duhet të thuhen troç dhe pa hezitim kur nuk ecin mbarë, sepse vetëm kështu mund të përmirësohemi dhe të tentojmë të mbajmë hapin me institucionet relevante simotra, së paku në rajon.
Duke u bazuar në përvojën tuaj shkencore dhe institucionale, sa i informuar është sot komuniteti për parandalimin e sëmundjeve gjinekologjike?
Pavarësisht qasjes shumë më të lehtë në informacione, kemi ende shumë punë për të bërë për të sensibilizuar gratë për mundësinë e parandalimit me kohë të shumë patologjive gjinekologjike. Përfitoj nga rasti të potencoj një patologji që është plotësisht e parandalueshme: kanceri i qafës së mitrës. Çdo grua duhet të informohet dhe t’i ofrohet testimi i rregullt përmes PAP-testit ose testimit për HPV me risk të lartë, me ç’rast do të mund të diagnostikonim displazitë më herët dhe, rrjedhimisht, të parandalonim zhvillimin e kancerit cervikal.
Shpresoj që në Kosovë të jetësohet skriningu i organizuar për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës, ku çdo grua, bazuar në protokollet standarde që janë të aprovuara edhe te ne, të testohet rregullisht përmes citologjisë dhe, pas moshës 30-vjeçare, edhe për HPV me rrezik të lartë. Ne ende testimin e kemi në baza vullnetare dhe jo në mënyrë të organizuar.
Nataliteti, emigrimi dhe e ardhmja demografike
Kosova përballet me rënie të natalitetit. Cilat do të ishin sugjerimet tuaja profesionale për nxitjen e lindshmërisë, dhe sa e vështirë është të flitet për rritje të natalitetit kur familjet përballen me pasiguri financiare, mungesë mbështetjeje sociale dhe kosto të larta të jetesës?
Keni prekur një temë shumë me interes. Nataliteti në rënie është problematikë që duhet trajtuar tani, për të pasur rezultate shumë, shumë vite më vonë. Kosova aktualisht, përveç rënies së natalitetit, ka edhe një problem të madh me emigrimin e të rinjve në mënyrë shumë të ndjeshme. Migrimi me shifra alarmante për një vend me popullatë shumë të vogël do të kontribuojë dukshëm në problemet e lindshmërisë dhe tentativave për rritjen e natalitetit. Nga Kosova ikin të rinjtë në moshën e riprodhimit, rrjedhimisht do të kemi më pak fëmijë të lindur në vitet në vijim dhe gjithnjë e më shumë popullatë në moshë të shtyer e pa mbështetje, jo vetëm financiare, por edhe emocionale e familjare. Uroj që Kosova të bëhet mirë në aspektin ekonomik dhe të stabilitetit financiar, një vend atraktiv për të rinjtë, ku ata mund të punojnë dhe të krijojnë familjet e tyre këtu; përndryshe, nuk shoh tjetër rrugëdalje.
Si e përjetuat përgjegjësinë e drejtimit të SHSKUK-së dhe çfarë ju mësoi ajo për funksionimin real të sistemit shëndetësor?
Një pyetje e vështirë për t’u përgjigjur në detaje, për shkak të periudhës shumë të shkurtër të qëndrimit tim në krye të SHSKUK-së. Por, për arsye se unë kam vendosur të jetoj dhe të kontribuoj në Kosovë, e ndiej për obligim ta them se përvoja ime aty më ka mësuar se sistemi aktual shëndetësor duhet reformuar rrënjësisht. Çdo tentativë për të bërë ndryshime të vogla ligjore, nga niveli ministror e deri në AMF më të vogla në nivel fshati, është vetëm një fasadë që nuk e rregullon këtë problematikë. Unë kam identifikuar si faktorë kyç: decentralizimin e një mega-strukture si SHSKUK-ja aktuale; me urgjencë duhet të fillojë aplikimi i Sistemit Informativ Shëndetësor, sigurimet shëndetësore dhe ndryshimi i ligjit për prokurimin e barnave dhe pajisjeve mjekësore. Ka qenë e pakapshme për mua komoditeti i një burokracie administrative, e cila të gjitha këto kërkesa urgjente për trajtim i merr me aq qetësi dhe pa vullnet për t’i ndezur motorët, saqë më është krijuar përshtypja se trajtimi adekuat i problematikave shëndetësore mbetet vetëm në nivel të dëshirave për momentin.
Nëse nuk bëjmë ndryshime thelbësore, do të kemi vetëm mungesa dhe ankesa. Në fund, e vuan jo vetëm pacienti, por edhe mjeku që operon në mesnatë, pa gjysmën e barnave dhe pajisjeve në dispozicion.
Asnjë strategji, planifikim apo plan afatgjatë zhvillimor në nivel lokal apo të vendit nuk mund të realizohet kur nuk kemi të dhëna të sakta as për sëmundjet më të thjeshta. Si do ta dimë pas 10 vitesh sa shtretër na duhen për të sëmurët me diabet, kur nuk kemi të dhëna të sakta për sëmundshmërinë në këtë moment? Prandaj, Sistemi Informativ është prerogativë për të ecur përpara. Pa të, nuk mund të funksionalizohen as sigurimet shëndetësore, besoj unë. Prandaj është një zinxhir i tërë që duhet të funksionojë mbarë, e jo secila hallkë të provojë ta minojë njëra-tjetrën.
Sakrifica personale, motivimi dhe mesazhi për brezat e rinj
Sa sakrificë kërkon ky profesion në jetën private dhe familjare, dhe si arrihet ekuilibri mes të dyjave?
Fillimi i sakrificës është fakti se fillon një karrierë tepër të gjatë shkollimi, me mungesa në aspektin personal dhe financiar. Shumica e femrave në profesionin tonë fillojnë krijimin e familjes shumë vonë, problematikë në rritje tani edhe për profesione të tjera, ku femrat e shtyjnë vendimin për krijim të familjes gati në limitet e moshës së tyre riprodhuese.
Kjo tani kërkon edhe një sforcim shtesë nga ne gjinekologët që merremi me problemet e infertilitetit, që të avokojmë për lindje në moshë më të re, ofrimin e shërbimeve për trajtimin e infertilitetit sa më herët dhe, njëkohësisht, mundësimin e ruajtjes së qelizave vezë për gratë që vendosin të krijojnë familje më vonë.
Jam shumë e lumtur që tanimë, në kuadër të Klinikës sonë, është funksionalizuar shërbimi i trajtimit të çifteve me problem të infertilitetit me teknikat e fertilizimit të asistuar. Kjo do të ndihmojë shumë në dhënien e shërbimit, i cili deri tani ka pasur një kosto tepër të lartë jashtë institucioneve publike, shpeshherë duke ua pamundësuar shumë çifteve që të kërkojnë me kohë trajtim të tillë të avancuar.
Çfarë ju motivon të vazhdoni në një profesion që kërkon vigjilencë të përhershme, sakrificë dhe përgjegjësi morale?
Besoj fuqishëm se motivi kryesor për ta ushtruar me nder dhe profesionalizëm profesionin e mjekut është dashuria për punën që bëjmë. Besoj se nuk ka kënaqësi më të madhe sesa të mund të ushtrosh profesionin që e dashuron dhe që ke ëndërruar ta bësh. Jo gjithkush e ka këtë mundësi; prandaj mendoj se secili mjek, në fund të ditës, pavarësisht sakrificave dhe përgjegjësive që bart kjo thirrje, duhet të ndihet i privilegjuar dhe, njëkohësisht, ta mbajë me nder thirrjen që ka.
Çfarë mesazhi do t’u përcillnit vajzave të reja që synojnë një karrierë në mjekësi dhe shkencë?
Personalisht, asnjëherë gjatë jetës sime profesionale nuk jam ndier jo e barabartë sa i përket gjinisë. Sfidat dhe obstruksionet që janë paraqitur gjatë kohës kanë qenë gjithmonë të lidhura me vendime joprofesionale dhe, shpesh, me xhelozi të çoroditura provinciale të eprorëve apo kolegëve. Në shoqërinë tonë, fatkeqësisht, ende nuk pëlqehen karakteret e njerëzve që debatet i bëjnë hapur dhe pa kalkulime, duke mos e përjashtuar këtu edhe komunitetin e mjekëve dhe akademikëve. Mendoj se debatet konstruktive gjithmonë sjellin avancim. Ndryshe, lumi që nuk rrjedh bëhet moçal.
Inkurajoj çdo vajzë të re që ëndërron të bëhet obstetër-gjinekologe që të ndjekë ambicien e saj. Do të jetë plotësisht e barabartë në ushtrimin e profesionit, duke mos u ndier aspak inferiore në aspektin profesional dhe akademik. Mundohem maksimalisht që, gjatë punës me mjekët e rinj, t’u mundësoj krijimin e një lirie në të shprehur, që ata në të ardhmen të mos jenë thjesht ekzekutues të kërkesave të eprorëve, por njerëz që mendojnë me kokën e tyre. Mendimi kritik duhet të jetë parimi mbi të cilin gjeneratat e reja duhet të funksionojnë. /Telegrafi/












depositphotos




shutterstock
shutterstock









dreamstime










gettyimages

