Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Kjo është lulja më e bukur e dimrit: Feng shui thotë se sjell harmoni dhe fat të mirë



Krizantema indiane simbolizon forcën dhe qetësinë, ndërsa me paqen dhe bukurinë e saj krijon harmoni në jetën tuaj

Kur bëhet fjalë për lulet e dimrit, krizantema indiane zë një vend të veçantë, sepse është simbol i butësisë dhe qëndrueshmërisë, gjë që e bën zgjedhje perfekte për zbukurimin e shtëpisë dhe kopshtit.

Krizantema indiane, ndryshe nga llojet e tjera si krizantema koreane apo ajo e kopshtit, zakonisht ka lule më të vogla dhe më delikate dhe është e përshtatur për kultivim në klimë më të butë.

Krizantemat koreane, për shembull, njihen për lulet e tyre më të mëdha dhe ngjyrat e theksuara, nga e verdha dhe portokallia deri te e kuqja e thellë, ndërsa krizantema indiane është më shpesh në tone të buta, si e bardha dhe rozë.

Krizantema e kopshtit është më rezistente ndaj kushteve të ftohta dhe ka rritje më të dendur e më të pasur, ndaj përdoret shpesh për dekorimin e shtigjeve, ndërsa krizantema indiane, me pamjen e saj delikate, përshtatet më mirë si dekor i butë në vazo dhe kopshte më të vogla, transmeton Telegrafi.


Karakteristikat e krizantemës indiane

Pamja: Ka lule të pasura në nuanca të bardha, të verdha, rozë dhe vjollcë, shpesh me qendër të theksuar.
Madhësia: Lartësia e bimës mund të variojë nga 30 deri në 90 cm, në varësi të llojit dhe kushteve të rritjes.
Sezoni i lulëzimit: Lulëzon në fund të verës dhe gjatë vjeshtës, duke zbukuruar kopshtet në kohën kur shumica e luleve fillojnë të zbehen.
Rezistenca: E njohur për qëndrueshmërinë e saj, krizantema mund t’i përballojë temperaturat më të ulëta, gjë që e bën të përshtatshme për klima të buta dhe më të ftohta.

Kuptimi dhe simbolika e krizantemës

Në kulturën aziatike, krizantema përfaqëson gëzimin, jetëgjatësinë dhe paqen. Në feng shui rekomandohet si një lule që sjell harmoni dhe fat të mirë në shtëpi, prandaj është një zgjedhje e shpeshtë për dekorimin e hapësirave, veçanërisht në periudhën e vjeshtës.

Në shumë kultura, krizantema është simbol i bukurisë, ndërsa në Japoni lidhet me qetësinë dhe ekuilibrin shpirtëror.

Kultivimi dhe kujdesi për krizantemën indiane

Edhe pse duket delikate, krizantema është një bimë e qëndrueshme që kërkon kujdes të moderuar dhe është ideale si për adhuruesit e kopshtarisë, ashtu edhe për ata që sapo po zbulojnë botën e bimëve.

Këshilla për kultivim

Pozicioni: Rritet më së miri në vende me diell dhe dritë të mjaftueshme, por e toleron edhe hijen e lehtë.
Toka: Preferon tokë të drenazhuar mirë dhe pak acidike; mund të shtoni materie organike si komposti.
Ujitja: Ujiteni rregullisht, por shmangni mbingopjen e tokës, pasi lagështia e tepërt mund të shkaktojë kalbjen e rrënjëve.
Plehërimi: Gjatë sezonit të lulëzimit, shtoni herë pas here pleh të pasur me fosfor për lule më të shëndetshme dhe më të dendura.
Krasitja: Pas lulëzimit rekomandohet krasitja e pjesëve të thata dhe të dëmtuara, gjë që nxit rritjen e re në sezonin pasues.

Krizantema indiane nuk është vetëm një lule dekorative, ajo është një magjistare e vërtetë në kopsht dhe në shtëpi. Me petalet e saj të buta sjell elegancë, ndërsa njëkohësisht simbolizon forcën dhe qetësinë.

Shtojeni në këndin tuaj të natyrës dhe shijojeni teksa, me paqe dhe bukuri, krijon harmoni në jetën tuaj. /Telegrafi/

A funksionojnë vërtet kremrat kundër plakjes? Ja çfarë është mit dhe çfarë jep rezultat



Kremrat kundër plakjes mund ta përmirësojnë pamjen e lëkurës, por efektiviteti i tyre varet nga përbërësit, përdorimi i saktë dhe nevojat e lëkurës suaj, ndaj premtimet nuk janë gjithmonë të njëjta me rezultatet

Ndër shenjat e para të plakjes së lëkurës janë vijat e holla, toni i zbehtë dhe humbja e elasticitetit, gjë që i shtyn shumë njerëz të përdorin kremra kundër plakjes. Në ditët e sotme, tregu i bukurisë është i mbushur me produkte që premtojnë lëkurë rinore, të ndritshme dhe pa rrudha. Por sa efektive janë realisht këto formula dhe a mund ta përmbysin vërtet procesin e plakjes?

Sipas ekspertëve, përfshirë Rashmi Sriram, dermatologe në Spitalin Fortis, Rajaji Nagar, Bengaluru, shkenca që qëndron pas këtyre kremrave dhe përbërësit e tyre janë thelbësorë dhe pikërisht këta faktorë përcaktojnë nëse një krem kundër plakjes është vërtet efektiv.

Çfarë mund të bëjnë kremrat kundër plakjes dhe çfarë jo

Kremrat kundër plakjes janë të dizajnuar për të përmirësuar pamjen e lëkurës që plaket, por efektiviteti i tyre varet nga formula, përqendrimi i përbërësve aktivë dhe përdorimi i rregullt. Sipas dr. Sriram, ato mund të përmirësojnë strukturën e lëkurës, të rrisin hidratimin dhe të zvogëlojnë praninë e vijave të holla, “por nuk mund t’i fshijnë përgjithmonë rrudhat apo të ndalojnë procesin natyror të plakjes.”

Plakja ndikohet nga një kombinim faktorësh si gjenetika, ekspozimi ndaj diellit, ndotja, zakonet e jetesës dhe rënia natyrore e kolagjenit dhe elastinës në trup me kalimin e kohës.
– Një krem i mirë kundër plakjes e mbështet strukturën dhe funksionin e lëkurës, por pritja e rezultateve dramatike brenda natës është joreale, transmeton Telegrafi.

shutterstock

Përbërësit në kremrat kundër plakjes që funksionojnë realisht

Retinoidet (retinol, retinaldehid, tretinoin)
Retinoidet janë standardi i artë, thekson dr. Sriram. Ato stimulojnë prodhimin e kolagjenit, rrisin rinovimin qelizor dhe ndihmojnë në reduktimin e vijave të holla dhe pigmentimit. Në fillim mund të shkaktojnë irritim, prandaj fillestarët duhet të nisin me përqendrime më të ulëta.

Vitamina C
Vitamina C është një antioksidant i fuqishëm që lufton radikalet e lira dhe ndriçon tonin e lëkurës. Ajo gjithashtu mbështet sintezën e kolagjenit, duke e bërë lëkurën më të fortë dhe më të shndritshme me kalimin e kohës.

Acidi hialuronik
Acidi hialuronik ndihmon lëkurën të ruajë lagështinë dhe ta bëjë atë më të plotë.
– Ofron një efekt të menjëhershëm hidratimi, duke i bërë vijat e holla më pak të dukshme – shpjegon dr. Sriram.

Peptidet
Peptidet stimulojnë lëkurën të prodhojë më shumë kolagjen. Me kalimin e kohës, ato kontribuojnë në forcimin dhe lëmimin e lëkurës.

AHA dhe BHA acide
Acidet si ai glikolik dhe salicilik eksfoliojnë qelizat e vdekura të lëkurës, përmirësojnë strukturën dhe rrisin përthithjen e përbërësve të tjerë.

Sa kohë nevojitet që të japin efekt?

– Kremrat kundër plakjes kërkojnë durim. Shumicës së përbërësve u duhen të paktën tetë deri në dymbëdhjetë javë për të shfaqur ndryshime të dukshme, thotë dr. Sriram. Retinoideve ndonjëherë u duhen edhe deri në gjashtë muaj. Përdorimi i rregullt dhe i saktë është kyç, ndërsa përdorimi i tepruar mund ta irritojë lëkurën dhe të neutralizojë efektet.

Kush duhet të fillojë përdorimin e kremrave kundër plakjes?

Ekspertët këshillojnë parandalimin.
– Nuk keni pse të prisni shfaqjen e rrudhave. Përbërësit më të butë kundër plakjes mund të përdoren që në mesin e të njëzetave për të ngadalësuar shenjat e hershme të plakjes, thotë dr. Sriram. Formula më të forta, si retinoidet, duhet të futen me kujdes, sidomos nëse keni lëkurë të ndjeshme ose të prirur ndaj akneve.

Si të zgjidhni kremin e duhur kundër plakjes

Gjatë përzgjedhjes, kushtojini vëmendje këtyre pikave:

  • përbërje të shkurtër dhe efektive
  • studime klinike ose rekomandime nga dermatologë
  • paketim stabil (i mbyllur hermetikisht, jo transparent)
  • zgjedhje sipas tipit të lëkurës suaj
  • shmangni kremrat që premtojnë mrekulli ose rezultate të menjëhershme

/Telegrafi/

Trajneri Arbër Peci: “Dimri nuk djersit, por dobëson!”



Djersa nuk është provë suksesi. Ja pse dimri shpesh sjell humbje peshe më të qëndrueshme se vera

Dimrit shumë njerëz e humbin besimin te stërvitja vetëm sepse nuk djersiten si në verë. Ushtrojnë, lodhen, ndjekin programin, por peshqiri mbetet pothuajse i thatë. Dhe menjëherë lind dyshimi klasik: “S’po funksionon.” Në realitet, dimri është shpesh periudha kur ndodhin ndryshimet më të pastra dhe më reale në trup.

E dimë se djersa është vetëm reagim i trupit ndaj temperaturës. Kur ambienti është i ftohtë, trupi nuk ka nevojë të prodhojë shumë djersë për t’u ftohur. Por kjo nuk e ndalon aspak procesin e humbjes së yndyrës. Metabolizmi vazhdon të punojë, kaloritë shpenzohen dhe trupi përdor rezervat e energjisë njësoj si në çdo stinë tjetër.

Një shembull shumë konkret është rasti i një femre që ka nisur dimrin me rreth 80 kilogramë. Nuk ka bërë asgjë ekstreme. As dieta drastike, as stërvitje pa kontroll. Ka filluar me një rutinë të rregullt, stërvitje force tre deri katër herë në javë, pak kardio të kontrolluar dhe ushqim të thjeshtë, por të rregulluar. Nuk ka ndjekur ndonjë “plan magjik”. Vetëm disiplinë.

Në javët e para, pesha nuk ka rënë menjëherë. Madje ka pasur ditë kur mendonte se nuk po bënte mjaftueshëm, sepse nuk djersitej shumë dhe nuk ndiente atë lodhjen e verës. Por trupi po punonte. Pas rreth një muaji, pesha ka zbritur nga 80 në 77 kilogramë. Jo me shpejtësi, por në mënyrë të qëndrueshme.


Gjatë muajit të dytë, trupi ka filluar të ndryshojë më dukshëm. Rrobat kanë filluar t’i rrinë më lirë, beli është holluar dhe energjia gjatë ditës është rritur. Pesha ka zbritur në 74–75 kilogramë. Ende pa djersë të tepërt, ende pa ndonjë ndjesi “u shkriva”, por me progres real.

Deri në fund të dimrit, pesha ka arritur rreth 70 kilogramë. Dhjetë kilogramë më pak, jo të humbur përmes ujit apo lodhjes së rreme, por përmes deficitit kalorik, stërvitjes së rregullt dhe kohës. Trupi është shtrënguar, forma është përmirësuar dhe ajo që është më e rëndësishmja, rezultati ka qenë i qëndrueshëm.

Çfarë ka ndodhur realisht gjatë gjithë këtij procesi. Trupi ka qenë vazhdimisht në një deficit kalorik të moderuar. Stërvitja e forcës ka ruajtur masën muskulore dhe ka mbajtur metabolizmin aktiv. Ambienti i ftohtë thjesht ka ulur nevojën për djersitje, por jo për punë metabolike.

Nëse djersa do të ishte kriter për dobësim, sauna do të ishte zgjidhja ideale për humbje peshe. Por të gjithë e dimë se ajo peshë kthehet sapo trupi hidratohet. Humbja reale e yndyrës ndodh në heshtje, pa zhurmë dhe pa spektakël.

Dimri ka një avantazh që shpesh nuk vlerësohet. Stërvitjet janë më të qeta, më të fokusuara dhe më të kontrolluara. Nuk ka nxehtësi ekstreme, nuk ka lodhje të rreme. Ka vetëm rutinë, disiplinë dhe kohë. Pikërisht këto japin rezultat.

Disa këshilla praktike për dimër:

  • Mos e mat progresin me djersë, por me javë dhe muaj.
  • Mbaje ushqimin të rregulluar, jo ekstrem.
  • Fokusohu te stërvitja e forcës, jo vetëm te kardio.
  • Ji i durueshëm, sepse trupi ndryshon gradualisht.

Trupi nuk pyet sa je djersitur pas një stërvitjeje. Ai reagon ndaj asaj që bën çdo ditë. Dimri nuk djersit shumë, por dobëson më mirë se sa mendoni. /Telegrafi/

Po e pyet ChatGPT-në për shëndetin? Ja kur është ide e mirë dhe kur është rrezik



Midis informimit dhe vetëdiagnozës: si ta përdorim inteligjencën artificiale pa rrezikuar shëndetin

Gjithnjë e më shumë njerëz, para se të telefonojnë mjekun ose të caktojnë një kontroll, fillimisht “bëjnë” një bisedë me inteligjencën artificiale. ChatGPT është bërë për shumëkënd bashkëbiseduesi i parë kur shfaqet një simptomë, mbërrin një rezultat analizash ose lind një dilemë lidhur me shëndetin. Kjo në vetvete nuk duhet të jetë problem. Problemi lind kur harrojmë dallimin mes informimit dhe trajtimit.

Kompania OpenAI ka paralajmëruar ChatGPT Health, i cili pritet të jetë një hapësirë e veçantë ku përdoruesit do të mund të bisedojnë me chatbot-in ChatGPT për shëndetin e tyre.

Prandaj është e rëndësishme të dimë se ku ChatGPT mund të jetë një aleat i dobishëm dhe ku roli i tij duhet të përfundojë.

Çfarë është në të vërtetë ChatGPT Health

ChatGPT Health është një përvojë e krijuar posaçërisht brenda ChatGPT-së, e dedikuar për biseda rreth shëndetit. Ideja e tij nuk është të zëvendësojë mjekun, por t’i ndihmojë njerëzit të ndihen më të informuar, më të përgatitur dhe më të sigurt kur përpiqen të kuptojnë shëndetin e tyre.

Shëndeti tashmë është një nga arsyet më të shpeshta pse njerëzit përdorin ChatGPT. Qindra miliona njerëz çdo javë bëjnë pyetje për simptoma, analiza, ushqim dhe mirëqenie të përgjithshme. ChatGPT Health është zhvilluar pikërisht nga kjo nevojë, por me shtresa shtesë privatësie dhe mbrojtjeje të të dhënave, të përshtatura posaçërisht për informacionet e ndjeshme shëndetësore.

Brenda kësaj përvoje është e mundur lidhja e sigurt me kartelat mjekësore elektronike dhe aplikacionet për ndjekjen e shëndetit dhe zakoneve të jetesës, në mënyrë që përgjigjet të bazohen në kontekstin personal shëndetësor, e jo vetëm në informacione të përgjithshme. Bisedat mbeten private dhe të ndara, me kufij të qartë të përcaktuar.

Është e rëndësishme të theksohet se ChatGPT Health nuk është i destinuar për vendosjen e diagnozave apo përshkrimin e terapive. Roli i tij është të ndihmojë njerëzit të kuptojnë termat mjekësorë, rezultatet dhe rekomandimet, si dhe të përgatiten më mirë për bisedën me mjekun. Ai është zhvilluar në bashkëpunim me mjekë nga e gjithë bota dhe është menduar si mbështetje, e jo si zëvendësim i mjekut, transmeton Telegrafi.

Çfarë është në rregull të pyesësh ChatGPT-në kur bëhet fjalë për shëndetin

Inteligjenca artificiale mund të jetë një burim i dobishëm informacioni të përgjithshëm dhe edukativ, veçanërisht kur duam të kuptojmë atë që tashmë na është thënë ose shkruar.

Është në rregull të pyesësh:

  • çfarë do të thotë një term i caktuar mjekësor
  • si manifestohet zakonisht një sëmundje
  • cilat janë simptomat më të shpeshta të një gjendjeje të caktuar
  • çfarë tregojnë analizat laboratorike që kemi
  • si duket procedura diagnostikuese
  • cilat janë rekomandimet e përgjithshme për një stil jetese të shëndetshëm

Në këtë kuptim, ChatGPT mund të ndihmojë që të mos ndihemi “të humbur” përballë termave mjekësorë dhe të shkojmë te mjeku më të përgatitur, me pyetje më të qarta.

Çfarë është e rrezikshme të pyesësh, edhe pse shumëkush e bën

Problemi lind kur informacionin fillojmë ta përjetojmë si vlerësim personal.

Është e rrezikshme të pyesësh:

  • nëse simptomat që kemi nënkuptojnë një diagnozë konkrete
  • sa e rrezikshme është diçka pikërisht në rastin tonë
  • nëse duhet të shqetësohemi apo mund të presim
  • nëse na nevojitet terapi apo jo

ChatGPT nuk e sheh personin, nuk e njeh historinë e tij mjekësore, nuk e di çfarë barnash merr, çfarë sëmundjesh të tjera ka apo çfarë zakonesh jetese ndjek. Gjithçka që mjeku merr parasysh, inteligjenca artificiale nuk mund ta vlerësojë.

Prandaj përgjigjja mund të duket bindëse, por të jetë e gabuar ose e paplotë.

Pse terapitë, dozat dhe diagnozat nuk janë për inteligjencën artificiale

Hapi më i rrezikshëm është kërkimi i terapive konkrete, dozave apo këshillave për barna.

Terapia nuk është kurrë vetëm emri i një ilaçi. Ajo përfshin dozën e saktë, kohën e përdorimit, kombinimet me barna të tjera, kundërindikacionet dhe rreziqet individuale. Ajo që i ka ndihmuar dikujt, mund t’i shkaktojë dëm serioz dikujt tjetër.

E njëjta gjë vlen edhe për diagnozat. Diagnoza nuk është një listë simptomash, por një përfundim që nxirret mbi bazën e ekzaminimeve, analizave dhe përvojës klinike. Këtë nuk mund ta zëvendësojë asnjë algoritëm.

Pse njerëzit gjithsesi e pyesin AI-në për shëndetin

Arsyet janë të kuptueshme. Pritjet janë të gjata, frika është e pranishme dhe nevoja për përgjigje të shpejta është e madhe. Është më e lehtë të pyesësh sesa të presësh. Por përgjigjja e shpejtë nuk është e njëjtë me përgjigjen e saktë.

Si ta përdorim me mençuri ChatGPT-në kur bëhet fjalë për shëndetin

ChatGPT mund të jetë një aleat i mirë nëse e dimë vendin e tij. Si ndihmë për të kuptuar, e jo si verdikt. Si përgatitje për bisedën me mjekun, e jo si zëvendësim i kontrollit.

Nëse ajo që lexojmë na shqetëson ose na frikëson, kjo është shenjë se duhet t’i drejtohemi një profesionisti, e jo të vazhdojmë të kërkojmë përgjigje vetë.

Teknologjia mund të na ndihmojë të jemi më të informuar, por nuk mund të marrë përgjegjësinë për shëndetin tonë. ChatGPT di shumë, por nuk na njeh.

Shëndeti vazhdon të ruhet në bisedën me mjekun, në kontrollet mjekësore dhe në besimin që ndërtojmë me ata që na trajtojnë. /Telegrafi/

Polifenolet në verë: A ofrojnë vërtet përfitime shëndetësore?



Kur kimia e rrushit, procesi i verarisë dhe biologjia njerëzore takohen në një gotë vere

Rexhep Kryeziu
Ekspert i vreshtarisë dhe verarisë, Zvicër

Polifenolet në verë janë komponime natyrale bimore (komponime dytësore bimore) që gjenden kryesisht në lëkurat, farat dhe kërcejtë e rrushit. Ato përcaktojnë ngjyrën, aromën, shijen (hidhësimin) dhe strukturën (taninat) e verës. Ato veprojnë si antioksidantë të fuqishëm, mbrojnë hardhinë dhe, gjithashtu ofrojnë përfitime shëndetësore, të tilla si mbështetja e sistemit kardiovaskular. Vera e kuqe përmban më shumë polifenole sesa vera e bardhë sepse lëkurat mbeten në kontakt me mushtin për një periudhë më të gjatë.

Polifenolet janë komponime aromatike që i përkasin grupit të metabolitëve sekondarë të bimëve. Termi rrjedh nga fjalët "poli" (shumë) dhe "fenole" (fenolet janë shembuj të taninave). Polifenolet janë substanca bioaktive që gjenden kryesisht në bimë. Këto substanca mbrojnë bimën nga armiqtë natyrorë dhe tërheqin insektet për pjalmim. Rrushi gjithashtu përmban polifenole natyrale - një formë aromatizuesi, pigmenti dhe tanine - të cilat ndikojnë në aromën e verës.

Përqindja e polifenoleve në lëkurat e rrushit ndryshon nga varieteti i rrushit në varietet, me rrushin e kuq që ka një përqindje më të lartë se rrushi i bardhë. Për më tepër, lëkurat ndahen nga lëngu më shpejt gjatë prodhimit të verës së bardhë sesa gjatë prodhimit të verës së kuqe, duke rezultuar në një përmbajtje edhe më të lartë të polifenoleve në verën e kuqe.

Polifenolet janë përgjegjëse për shijen e hidhur të verës. Këto substanca kanë një efekt antioksidues dhe, ndër të tjera, kanë një ndikim pozitiv në sistemin kardiovaskular, veshkat, sytë dhe lëkurën. Hulumtimet kanë treguar madje se polifenolet pengojnë rritjen e qelizave kancerogjene dhe zvogëlojnë formimin e pllakës, duke ndihmuar kështu edhe në parandalimin e prishjes së dhëmbëve. Megjithatë, efektet pozitive të këtyre përbërjeve bimore nuk janë të pranishme me konsum të tepërt.

Polifenolet – ato tingëllojnë artificiale, por nuk janë. Këto komponime kimike ndodhin natyrshëm në rrush dhe kanë një ndikim të rëndësishëm në ngjyrën dhe shijen e një vere. Por tani, një tjetër talent i polifenoleve po tërheq vëmendjen.

Pak kimi është e nevojshme kur merret në konsideratë bashkëveprimi i përbërësve natyrorë të verës. Kjo nuk fillon me tharmimin alkoolik dhe tharmimin malolaktik (MLF), të cilët thjesht shndërrojnë substancat ekzistuese si sheqeri ose acidi malik në të reja si alkooli dhe acidi laktik. Së pari, është thelbësore të kuptohet kokteji i vlefshëm kimik që ofron rrushi si përbërësi themelor i verës. Në fund të fundit, substanca të ndryshme janë përgjegjëse për ngjyrën specifike të një vere, aromat e dallueshme të një varieteti rrushi, ose ndjesinë e saj veçanërisht të butë ose të plotë në gojë.

Polifenolet janë fillimisht emri për një grup komponimesh kimike. Ky grup komponimesh mund të ndahet në flavonoide dhe substanca jo-flavonoide - sigurisht. Megjithatë, efektet e polifenoleve bëhen menjëherë të prekshme kur ndahen në terma më të njohur. Të gjithë në komunitetin e verës janë të njohur me termat pigmente, tanine dhe komponime aromatike. Aroma e frutave në verë, ngjyra e kuqe e shkëlqyer rubini në gotë ose një shtresë e ashpër në gjuhë - të gjitha këto do të ishin të pakonceptueshme pa kontributin e polifenoleve.

Polifenolet gjenden në shumë bimë, por ato vërtet shkëlqejnë në fruta dhe perime, dhe sigurisht në verë. Ata që e shijojnë terminologjinë kimike do t'i vlerësojnë detajet: antocianidinat dhe proantocianidinat janë polifenolet përgjegjëse për ngjyrën e errët të verës së kuqe. Resveratroli, i cili gjendet edhe në verën e kuqe, madje i atribuohet efekteve pozitive shëndetësore nga disa studime. Ky polifenol në fakt lidhet me ngjyrën e verës. Resveratroli është kryesisht një përbërës mbrojtës që rrushi prodhon kundër sëmundjeve kërpudhore si myku pluhuror dhe ai i vrugut, si dhe kundër rrezatimit të tepërt UV, dhe klasifikohet si një antioksidant. Antocianinat gjithashtu kontribuojnë në ngjyrën më të errët të verës së kuqe. Tirozoli dhe hidroksitirozoli, nga ana tjetër, janë polifenole që gjenden më shpesh në verën e bardhë dhe janë përgjegjëse për zhvillimin e aromave.

Polifenolet janë padyshim substanca natyrale, por teknikat e prodhuesit të verës ndikojnë gjithashtu në këta "vëllezëri kimikë" në verë dhe puna në grup e tyre. Për shembull, një periudhë e gjatë macerimi rrit përqindjen e substancave që japin ngjyrë, si dhe aromat e frymëzuara nga frutat. Në terma jo-kimikë: ngjyra, aroma dhe shija e bëjnë përmbajtjen e rritur të polifenoleve në verë të perceptueshme nga shqisat tona.

Bashkëpunimi midis njerëzve dhe polifenoleve ilustrohet edhe më qartë nga plakja në fuçi lisi. Gjatë këtij procesi, polifenolet që gjenden në dru ndikojnë më tej në shijen e verës. Rezultati i këtij bashkëveprimi shpesh përshkruhet në shënimet e degustacionit si ndikimi i drurit, ose si nota vaniljeje dhe karameli në verë dhe në taninet e lëmuara butësisht. Papritmas, polifenolet janë në veprim që nuk burojnë nga rrushi, por përkundrazi i detyrohen ndikimit të tyre vendimeve të marra në bodrum. Në nivelin e polifenoleve, ndikimi i çdo vendimi të vetëm, nga vjelja deri te mbushja në shishe, në shijen e verës bëhet i dukshëm. Polifenolet janë në fund të fundit edhe një mjet stilistik për prodhuesit e verës.


Polifenolet për shëndetin tuaj: vera dhe njerëzit

Është disi e pakëndshme të flasësh për efektet pozitive të polifenoleve në shëndetin e njeriut. Shumë e shohin këtë si një justifikim, dhe pretendimet e reklamave që madje aludojnë në një efekt promovues të shëndetit çojnë shpejt në probleme ligjore. Megjithatë, ekzistojnë disa studime shkencore që nxjerrin në pah efektet antibakteriale dhe antioksiduese të polifenoleve. Për më tepër, ekzistojnë edhe shtesa dietike që përdorin antocianinat nga rrushi. Këto substanca, të quajtura procianidina oligomerike (OPC), premtojnë të forcojnë sistemin imunitar dhe kardiovaskular, dhe të jenë të dobishme për veshkat, sytë dhe lëkurën - të gjitha pa alkool.

Hulumtimi mbi polifenolet filloi sepse shkencëtarët donin të shpjegonin të ashtuquajturin "Paradoks Francez". Kjo i referohet - thënë thjesht - kontradiktës së sëmundjeve kardiovaskulare dukshëm më të pakta në popullsinë franceze pavarësisht konsumit mbi mesataren e verës dhe vajit të ullirit. Si rezultat, resveratroli nga rrushi i errët dhe hidroksitirozoli, një polifenol që gjendet në ullinj, u bënë fokusi i hetimit shkencor. Duke lënë mënjanë përfitimet shëndetësore, duke lënë mënjanë logjikën e shëndoshë, të jetosh vetëm me verë të kuqe dhe vaj ulliri sigurisht që nuk është një ide e mirë. Edhe polifenolet kanë kufijtë e tyre. /Telegrafi/

Bella Hadid rikthehet më provokuese se kurrë: Fustani i kuq që sfidoi çdo rregull



Stil, sensualitet ekstrem dhe një kreacion Schiaparelli që la gjithçka në hije

Bella Hadid është rikthyer në tapetin e kuq më e bukur se kurrë - nëse kjo është fare e mundur kur bëhet fjalë për të…

Supermodelja dhe një nga gratë më të bukura në botë, Bella Hadid, u shfaq në premierën e serialit “The Beauty”, ku ajo ka edhe një rol, dhe edhe një herë la të gjithë pa fjalë me bukurinë e saj dhe me një fustan që dukej pothuajse joreal.

Qëndrimi dhe prezenca e Bella Hadid janë faktorë të padiskutueshëm në çdo paraqitje të saj, por kësaj radhe meritat shkojnë edhe për shtëpinë prestigjioze të modës Schiaparelli, krijimin e së cilës e kishte veshur modelja bukuroshe.

Fustani prej mëndafshi në ngjyrë të kuqe, nga koleksioni për vjeshtën 2025, dominoi tapetin e kuq në Nju Jork dhe u shndërrua menjëherë në temën kryesore të mbrëmjes, transmeton Telegrafi.

Ajo që e bënte këtë veshje veçanërisht të guximshme është fakti se fustani ishte pothuajse i tëri transparent, vetëm me disa palosje në formë diamanti ishin mbuluar gjoksi dhe beli. Do të thoshte kush se nën një fustan të tillë nuk ka vend për asgjë tjetër.

bella hadid for the beauty premiere pic.twitter.com/LcUlHNDVS2
— 𝓕avs (@favspopculture) January 15, 2026

Pamjen e kompletoi me këpucë sateni me taka të larta në të njëjtën nuancë të kuqe dhe me vathë efektshëm, ndërsa flokët i kishte mbledhur në një topuz elegant, që i jepte gjithë paraqitjes një dozë sofistikimi klasik.

Shumëkush u pajtua se Bella Hadid është larg çdo konkurrence kur duket kaq perfekte. Nuk është aspak çudi që, sipas teorisë së raportit të artë, ajo është shpallur si gruaja më e bukur në botë.

Rikthimi i saj në tapetin e kuq konfirmoi edhe një herë pse Bella Hadid vazhdon të mbetet një nga ikonat më të fuqishme të modës dhe bukurisë në botë.

/Telegrafi/

Dashuria me këtë shenjë është një betejë me zjarrin: Lë pas zemra të thyera dhe shkatërrim të plotë



Njerëzit e lindur në një shenjë të horoskopit do t’ju tërheqin shumë pranë vetes, ndërsa në të njëjtën kohë do të luteni për çlirim. A e dini se për kë bëhet fjalë dhe pse dashuria me këta njerëz është kaq “e rrezikshme”?

Shenja e horoskopit Dashi është nën sundimin e elementit të zjarrit dhe planetit Mars, dhe natyra e tij është pasionante, dominuese, e ndonjëherë edhe urdhëruese. Ata janë gjithmonë gati për betejë, qoftë për një garë miqësore sportive, për arritjen e një promovimi të dëshiruar apo për dëshirën e zemrës së tyre.

Ata nuk i shmangen sfidave. Përkundrazi, Dashi i dëshiron sfidat. Nëse diçka është e vështirë për t’u arritur, kjo vetëm sa ia shton interesin. Thuajini “jo” dhe është sikur t’i hidhni benzinë zjarrit; asgjë nuk do ta ndalë në synimin për t’ju fituar.

Problemi qëndron në faktin se ai dashurohet shpejt dhe po aq shpejt ftohet. Do t’ju ndjekë deri në fund të botës, por sapo të tregoni interes të barabartë, fillon të sillet si një fëmijë në dyqanin e ëmbëlsirave: i intereson gjithçka dhe thjesht nuk mund të vendosë për vetëm një.

Për Dashin, familjariteti mund të çojë në mungesë interesi. Shkëndija e dashurisë së re e verbon plotësisht dhe ai harron faktin se jo gjithçka që shkëlqen është ar.

Burrat dhe gratë e shenjës së Dashit ndonjëherë lëvizin aq shpejt, saqë as nuk arrijnë ta kuptojnë me kë kanë të bëjnë.

Më shumë se çdo shenjë tjetër, Dashi bie në dashuri me potencialin që sheh tek një person, e jo me personin real. Nëse ndodh që Dashi të dashurohet me ju dhe ju arrini t’ia mbani interesin, dashuria e tij është vërtet e pakrahasueshme dhe e shfrenuar. Nuk është e lehtë ta mbash pranë; është si të përpiqesh të gozhdosh një re.

Si vera e mirë, shumica e Dashëve kanë marrëdhënie më të mira në moshë më të pjekur. Kjo do të thotë se nga rinia shpesh mbajnë një histori të gjatë të dhënies dhe marrjes së zemrave të thyera.

Edhe pse shumëkush pëlqen të theksojë prirjet egoiste të Dashit, ata kanë edhe një ngrohtësi të madhe. Kanë një zemër jashtëzakonisht të ngrohtë dhe priren të shohin më të mirën tek të tjerët, edhe kur të gjitha provat tregojnë të kundërtën.

Kur dashurohen me dikë dhe partneri arrin t’i mbajë gjërat të freskëta dhe mjaftueshëm interesante, ata janë partnerë jashtëzakonisht besnikë, transmeton Telegrafi.

Ashtu si me shumicën e gjërave në jetë, edhe Dashi ka anën e tij të errët. Kjo është veçanërisht e vërtetë kur bëhet fjalë për sjelljen e tij në dashuri dhe marrëdhënie. Nëse ana e errët merr drejtimin, ekziston një potencial i madh për zemërim, madje edhe për abuzim. Ata do të dëshirojnë të dominojnë, sepse natyra e tyre e errët është gjithashtu shumë kontrolluese.

Mund të përpiqen të menaxhojnë çdo aspekt të jetës së personit të dashur dhe të shpërthejnë në zemërim kur ai nuk dëshiron të bashkëpunojë apo t’i përmbahet planit të tyre. Ata kanë shumë pak kontroll mbi emocionet dhe priren të lënë pas vetes zemra të thyera dhe shkatërrim të plotë.

Natyra e errët e Dashit mund ta kthejë besnikërinë në një përkufizim shumë të lëkundshëm. Ata mund të jenë të prirë ndaj tradhtisë, por për shkak të rikthimeve të shoqëruara me gjeste të bukura, sërish do të jenë në gjendje ta fitojnë partnerin.

Dashi dhe natyra trupore shkojnë krah për krah, qoftë nga ana e ndritshme apo ajo e errët.

Atij i nevojitet kontakti fizik, por nuk është i prirë për lojëra të ndrojtura. Duhet të jeni të guximshëm dhe të drejtpërdrejtë, nëse dëshironi t’ia zgjoni interesin.

Ai hidhet menjëherë në thelb të gjërave dhe dëshiron t’ju përthithë. Ai dëshiron të humbasë në ju dhe t’ju çojë deri aty sa edhe ju të humbisni në të. Pasioni i tij mund të jetë aq intensiv, saqë mund t’ju frikësojë.

Kur dominon ana e tij e errët, Dashi sillet si një fëmijë që qan në mes të natës për shishen dhe zgjon prindërit e tij shumë të lodhur. Kjo nuk është një plan i vetëdijshëm egoist, por një nevojë e brendshme që është prioritet absolut.

Ata duan atë që duan, kur e duan, dhe zakonisht nuk kanë shumë konsideratë për këdo që gjendet në rrugën drejt realizimit të asaj dëshire.

Partnerët e tij do të humbasin në pasionin e tyre, duke qenë dëshmitarë të nevojave instinktive të Dashit, të cilat vetëm partnerët e tij mund t’i përmbushin.

Energjia dinamike e Dashit kërkon vëmendje. Është e vështirë t’i rezistosh. Ai është tërheqës, argëtues dhe i pëlqen të kalojë mirë. Ai është sinqerisht i interesuar për ju dhe bën pyetje që askush tjetër nuk guxon t’i bëjë.

Ai është një nga shenjat e rralla që mund t’ju tërheqë shumë pranë vetes, ndërsa në të njëjtën kohë ju bën të luteni për çlirim. /Telegrafi/

Piramida e re e ushqimit: Çfarë ndryshon, çfarë përmban dhe pse po ngjall debate



Udhëzimet e reja ushqimore rikthejnë piramidën me theks te ushqimi i vërtetë, proteina në çdo vakt dhe kufizimi i sheqerit. Por a janë këto rekomandime vërtet të shëndetshme dhe çfarë thonë kritikët për yndyrnat, fibrat dhe mjedisin?

Piramida e re e ushqimit është një version i përditësuar i udhëzuesit vizual për një dietë të shëndetshme, i prezantuar së fundmi në kuadër të Dietary Guidelines for Americans 2025–2030, udhëzimet federale amerikane për ushqyerje, të publikuara në fillim të janarit 2026. Këto udhëzime publikohen çdo pesë vjet nga Departamenti i Bujqësisë (USDA) dhe Departamenti i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore (HHS) dhe përdoren si bazë për politikat e shëndetit publik, programet ushqimore dhe këshillat për publikun e gjerë, siç thekson edhe vetë USDA.

Modeli i ri rikthen konceptin e piramidës ushqimore, e cila më herët ishte zëvendësuar nga sistemi MyPlate, por tani paraqitet me një grafik të rifreskuar dhe mesazhe të reja ushqimore. Komunikimi zyrtar i udhëzimeve 2025–2030 e orienton publikun drejt qasjes së re dhe platformës RealFood.gov, transmeton Telegrafi.

Çfarë përmban piramida e re e ushqimit?

1. Fokus në ushqime të plota, jo të përpunuara

Modeli i ri thekson domosdoshmërinë e ngrënies së ushqimeve të plota dhe minimalisht të përpunuara, si baza e një diete të shëndetshme; HHS nënvizon se udhëzimet e reja kërkojnë reduktim të fortë të ushqimeve shumë të përpunuara dhe karbohidrateve të rafinuara. Kjo nënkupton fruta, perime, drithëra integrale, proteina cilësore dhe yndyra të shëndetshme si pjesë kryesore e ushqyerjes ditore, siç e përmbledh edhe RealFood.gov me mesazhin “hani ushqim të vërtetë”. Si informacion shtesë i rëndësishëm, dokumenti DGA përmend edhe mikrobiomën dhe shpjegon se perimet, frutat, ushqimet e fermentuara (p.sh. kefir) dhe ushqimet me fibra mund të mbështesin shëndetin e zorrëve.

2. Proteinë si shtyllë qendrore

Ndryshe nga piramida tradicionale ushqimore, ku baza e rekomandimeve përbëhej nga drithërat dhe karbohidratet, versioni i ri vendos proteina dhe yndyrna të shëndetshme në zonën më të gjerë të grafikut duke sugjeruar që ato duhet të jenë ushqimi kryesor në çdo vakt; dokumenti DGA e formulon drejtpërdrejt: “Jepni përparësi ushqimeve proteinike në çdo vakt”. Kjo përfshin:

  • mish (p.sh., të kuq dhe pulë),
  • peshk dhe shpendë,
  • vezë,
  • produkte të qumështit me yndyrë të plotë,
  • arrorë dhe fara,
  • burime bimore (fasule, bizele, thjerrëza, sojë).

Autoritetet gjithashtu rekomandojnë një nivel më të lartë të konsumit të proteinave (rreth 1.2 deri në 1.6 g për kilogram peshë trupore në ditë) për të siguruar mjaftueshmëri të aminoacideve, sidomos te fëmijët dhe të gjithë që kërkojnë forcë dhe rigjenerim muskulor; këtë objektiv e publikon si RealFood.gov, ashtu edhe dokumenti DGA.

3. Frutat dhe perimet

Në modelin e ri, frutat dhe perimet janë pjesë e rëndësishme e një diete të shëndetshme, por shpesh nuk janë në bazë të grafikut, si në modelet tradicionale; DGA thekson rëndësinë e shumëllojshmërisë dhe “ngjyrave” në pjatë.

Udhëzimet sugjerojnë të paktën 3 shërbime perime dhe 2 shërbime fruta në ditë (për modelin 2,000 kcal), siç shkruhet te objektivat orientuese.

4. Drithërat integrale në masë më të vogël

Drithërat integrale, si buka me grurë të plotë dhe orizi integral, janë ende të rekomanduar, por në një pozicion më të vogël në piramidë krahasuar me proteina dhe yndyrna të shëndetshme. Ky është një ndryshim i dukshëm nga versionet e mëparshme, ku drithërat ishin baza e rekomandimeve ditore; DGA kërkon me prioritet “drithëra integrale të pasura me fibra” dhe të ulen të rafinuarat.

Dokumenti zyrtar vendos edhe objektivin 2-4 shërbime drithëra të plota në ditë dhe jep shembuj të rafinuarash që duhen kufizuar.

5. Yndyrnat e shëndetshme

Piramida e re përfshin yndyrna të shëndetshme si element të rëndësishëm të dietës, përfshirë vaj ulliri, arrorë, avokado etj., duke theksuar se ato duhet të bëjnë pjesë në çdo vakt; DGA liston burime të tilla si ullinj, avokado, arra, fara dhe peshq të pasur me omega-3. Në të njëjtën kohë, DGA përmend edhe opsione si gjalpi ose dhjamë viçi për gatim, ndërsa mban kufirin që yndyrat e ngopura në përgjithësi të mos kalojnë 10% të kalorive ditore.

6. Kufizim i sheqerit të shtuar dhe ushqimeve ultra-të përpunuara

Udhëzimet e reja apelojnë që konsumatorët të:

  • shmangin ushqimet shumë të përpunuara,
  • reduktojnë sheqerin e shtuar në minimum (veçanërisht te fëmijët),
  • shmangin pijet e gazuara me sheqer,

DGA shton edhe një sinjal të fortë: “asnjë sasi” e sheqerit të shtuar nuk rekomandohet si pjesë e një diete të shëndetshme dhe vendos prag praktik deri 10 g sheqer të shtuar për vakt.

Kjo lidhet me shqetësimet e rritjes së shkallës së sëmundjeve kronike që lidhen me konsum të tepërt të produkteve industriale ultra-të përpunuara, çka theksohet edhe në raportimet e medias për udhëzimet e reja.

Çfarë thonë mbështetësit e modelit të ri?

Mbështetja e ushqimeve të plota: Shumë ekspertë ushqyerjeje e përgëzojnë fokusin në ushqimet “e vërteta”, duke argumentuar se ngrënia e ushqimeve të papërpunuara rrit marrjen e lëndëve ushqyese dhe e bën më të lehtë kontrollin e kalorive “boshe”; kjo është edhe linja që promovon RealFood.gov dhe komunikimi i USDA/HHS.

Reduktimi i sheqerit dhe i produkteve të përpunuara: Kjo konsiderohet një nxitje e rëndësishme për shëndet publik, duke pasur parasysh lidhjen e diskutuar gjerësisht midis sheqerit të shtuar, obezitetit dhe rrezikut metabolik; vetë DGA e bën këtë të prekshme edhe me pragun 10 g sheqer të shtuar për vakt.

Përqendrim te proteina cilësore: Përkrahësit argumentojnë se shumë persona nën-vlerësojnë proteinat, veçanërisht gjatë rritjes, moshës së vjetër, ose aktivitetit fizik, dhe se ky model i rikthen fokusin e duhur te to; këtë e përmbledh edhe raportimi i AP për synimin e ri të proteinës, transmeton Telegrafi.

Kritikat dhe pikëpyetjet e ekspertëve

Ndryshimi i peshës së karbohidrateve dhe fibrave: Disa dietologë kanë shqetësime se piramida e re vendos më pak theks mbi drithërat integrale, bishtajoret dhe fibrat, gjë që mund të ulë marrjen e fibrave, një element kyç për shëndetin e zorrëve, kontrollin e kolesterolit dhe peshës trupore; EatingWell raporton se kjo është një nga pikat që ngre më shpesh debat në interpretimin publik të modelit të ri.

Qëndrueshmëria dhe mjedisi: Ekspertë të tjerë paralajmërojnë se rritja e konsumit të mishit mund të ketë pasoja mjedisore dhe etike, pasi prodhimi i mishit lidhet me emetime më të larta dhe përdorim më të madh të burimeve; IPCC thekson rolin e bujqësisë dhe përdorimit të tokës në emetimet globale, përfshirë metanin nga ruminantët.

Kontradiktat mes yndyrnave dhe kufizimit të tyre: Përqendrimi te yndyrnat e shëndetshme dhe qumështi i plotë ngre pikëpyetje në lidhje me kufizimet tradicionale të yndyrnave të ngopura, si dhe mënyrën se si këto rekomandime lidhen me mirëqenien kardiovaskulare; CSPI vë në pikëpyetje përfshirjen e gjalpit dhe dhjamit të viçit në grupin e “yndyrnave të shëndetshme”, duke theksuar përmbajtjen e lartë të yndyrave të ngopura, ndërsa WHO mban kufirin ≤10% të energjisë për yndyrat e ngopura.
Edhe American Heart Association thekson se dietat e dietë e shëndetshme për zemrën, kërkojnë kufizim të yndyrave të ngopura dhe të natriumit, duke paralajmëruar se interpretimet e gabuara mund të rrisin rrezikun kardiovaskular.

Interesi i industrisë ushqimore: Disa kritikë theksojnë se përfaqësues të industrisë së mishit dhe qumështit janë përfshirë në proceset e këshillimit ushqimor, gjë që mund të ndikojë në përmbajtje dhe drejtime të rekomandimeve; raportimet për udhëzimet e reja përmendin pikërisht këto dyshime si pjesë e reagimeve publike.

Çfarë na mëson kjo dietë

Piramida e re ushqimore përfaqëson një përpjekje për të ringjallur udhëzime të qarta dhe të orientuara nga realiteti i sotëm, duke theksuar ushqimet e plota, proteinat cilësore, yndyrnat e shëndetshme dhe reduktimin e sheqerit dhe produkteve të përpunuara, siç e përmbledhin edhe materialet zyrtare të USDA/HHS.

Megjithatë, ajo sjell ndryshime të mëdha krahasuar me modelet tradicionale dhe shpesh ngjall pikëpyetje në komunitetin profesional të ushqyerjes, sidomos rreth balancës së makronutrienteve, sasisë së drithërave dhe faktorit mjedisor, ndaj edhe sot mbetet një model që kërkon lexim të kujdesshëm dhe interpretim të matur. /Telegrafi/

Pse bashkimi i dhomës së ndenjës me tryezarinë dështon në shumicën e rasteve



Koncepti i hapur është trend dominues, por pa planifikim shndërrohet shpejt në kaos vizual

Koncepti i hapur është prej vitesh trend dominues në apartamentet e reja, sidomos në zonat bregdetare dhe qytetet e mëdha. Të gjithë duan dritë, ajër dhe një hapësirë që “merr frymë”, por realiteti është i ashpër: bashkimi i dhomës së ndenjës me tryezarinë duket i lehtë vetëm në letër. Nëse nuk bëhet me mend, rezultati është kaos. Nëse bëhet siç duhet, përfitoni një komoditet që duket më luksoz sesa kushton realisht.

Prandaj, në këtë tekst shkojmë drejt e në thelb: si të funksionojnë vërtet së bashku dhoma e ndenjës dhe tryezaria. Si të duket hapësira si një e tërë, por që çdo zonë të ketë identitetin e vet. Si të zgjidhni tryezën që nuk e ngufat ambientin, si ta “qetësoni” një garniturë këndore dhe pse kolltukët janë element i nënvlerësuar e hapësirave të hapura.

Përcaktimi i zonave pa barriera fizike

Gabimi më i madh është përpjekja që gjithçka të ketë një “koncept i hapur”, por në fund askush nuk orientohet në hapësirë. Zonat duhet të jenë qartë të përcaktuara, por me delikatesë, pa mure dhe pengesa artificiale që vrasin dritën. Hapësira duhet të marrë frymë si një vazhdimësi.

Një qilim nën garniturë e përcakton automatikisht zonën e ndenjës. Tryeza e ngrënies e shënon natyrshëm zonën e ushqimit. Rendi i mobileve duhet të diktojë lëvizjen, jo anasjelltas. Kur njerëzit lëvizin pa u përplasur me karrige, e dini që keni fituar, transmeton Telegrafi.

shutterstock

Lidhja e stileve dhe materialeve

Këtu shumëkush “bie”. Dhoma e ndenjës duket si Pinterest, tryezaria si e blerë nën stres dhe gjithçka duket sikur janë dy botë që nuk njihen. Sekreti është përsëritja. Nuk duhet të jetë gjithçka njësoj, por duhet të ketë një urë lidhëse.

Nëse zona e ndenjës ka dru me tone të ngrohta, le të shfaqet i njëjti dru qoftë edhe te këmbët e tryezës. Nëse keni një garniturë neutrale, le të kalojë e njëjta paletë te karriget. Teksturat janë çelësi: tekstile, dru, sipërfaqe mat, pak shkëlqim. Hapësira fiton thellësi dhe karakter.

Stili modern le të mbetet modern në të dy zonat; stili rustik le të mbetet rustik. Përzierja e shumë stileve në një hapësirë të hapur është rruga më e shpejtë drejt kaosit vizual.

Unsplash

Rendi i mobileve që e bën jetën më të lehtë

Në hapësirat e hapura, lëvizja është më e rëndësishme se estetika. Tryeza duhet të lejojë nxjerrjen e karrigeve pa “akrobaci”. Garnitura duhet të orientohet drejt qendrës së hapësirës, jo nga korridori. Njerëzit e vërejnë fillimisht logjikën, pastaj bukurinë.

Garnitura këndore si kufi natyror

Garnitura këndore në hapësira të hapura bën punë më mirë se çdo ndarëse. Ajo e përcakton qartë zonën e ndenjës, pa e thyer hapësirën. E vetmja gjë për t’u shmangur janë përmasat e tepërta që “gëlltisin” dhomën. Ngjyrat neutrale janë më falënderuese: lidhen lehtë me mobilet e tjera dhe nuk bllokojnë pamjen.

Tryezaria funksionale, por jo dominuese

Tryeza nuk duhet të luajë rolin e yllit kryesor. Ajo është aty për të shërbyer, jo për të dominuar. Modelet masive në apartamente të vogla duken sikur keni futur një anije në dhomë. Modelet shumë të lehta në hapësira të mëdha duken të humbura. Proporcioni është gjithçka.

Freepik

Kolltukët si lidhës të gjithë hapësirës

Kolltukët janë ndoshta elementi më i nënvlerësuar në enterier. Dy kolltukë të zgjedhur mirë mund ta zgjidhin gjithë rendin. Ato e mbyllin zonën e ndenjës pa krijuar barriera, shtojnë teksturë, ngrohtësi dhe lidhin hapësirën. Ideale janë në tone neutrale, me një aksent të lehtë.

Ndriçimi që ndan dhe lidh njëkohësisht

Në hapësira të hapura, një llambë e vetme tavani nuk mjafton. Nuk ekziston ndriçim universal. Tryezaria kërkon llambën e vet pezull, direkt mbi tryezë. Zona e ndenjës kërkon ndriçim të shtresuar: llambe dyshemeje, tavoline dhe tavani. Drita krijon atmosferë, fokus dhe funksion.

Pexels

Ngjyrat dhe detajet si vulë finale

Një bazë neutrale është zgjedhja më e mençur në hapësira të hapura: bezhë, gri, tone tokësore. Mbi to ndërtohen detajet, jastëkë, vazo, art muri. Më pak është më shumë, sepse një gabim i vetëm në ngjyrë apo motiv mund të rrëzojë gjithçka që keni bërë mirë.

Hapësirë që funksionon në jetën reale

Nuk ka kuptim një ambient perfekt për Pinterest nëse jeta juaj është ndryshe. Hapësira duhet t’u përshtatet zakoneve reale. Nëse keni shpesh mysafirë, tryeza duhet të jetë më e madhe dhe stabile. Nëse e përdorni rrallë, le të jetë më e vogël dhe praktike. Nëse punoni nga shtëpia, lini një kënd për këtë.

Një shtëpi që merr frymë si e tërë

Qëllimi nuk është që gjithçka të jetë njësoj, por që gjithçka të jetë e lidhur. Kur dhoma e ndenjës dhe tryezaria funksionojnë si një, hapësira ndihet më e madhe, më e ngrohtë dhe më logjike. Kjo nuk arrihet me shpenzime të mëdha, por me planifikim të mirë dhe zgjedhje të elementeve kyçe që punojnë së bashku, jo kundër njëra-tjetrës. /Telegrafi/

Hévíz, liqeni termik unik ku mund të laheni 365 ditë në vit



Një liqen termal ku noti është i mundur edhe në mes të dimrit, mes avullit, zambakëve dhe ujit shërues. Fenomeni unik evropian që tërheq miliona vizitorë

Kur thuhet se Hévíz është një qytet banje në Hungari, kjo ende nuk e thotë gjithë historinë. Në një vend me rreth 1.500 burime termale dhe mbi 270 lloje të ndryshme ujërash minerale dhe shëruese, vende të tilla ka mjaft. Por kur shtojmë se qyteti shtrihet pranë liqenit natyror termal dhe biologjikisht aktiv më të madh në botë, i përshtatshëm për not gjatë gjithë vitit, kjo deklaratë merr një dimension krejt tjetër.

Një fenomen natyror unik në Evropë, ku mund të laheni 365 ditë në vit. Liqeni Hévíz është biologjikisht aktiv, termal dhe shërues; sipërfaqja e tij i kalon katër hektarët, ndërsa burimet termale e rinovojnë ujin aq shpejt sa e gjithë sasia e ujit zëvendësohet afërsisht çdo 72 orë.

Imagjinoni një skenë përrallore: ju në një liqen të ngrohtë, flokët ju mbulohen nga flokë bore, rreth jush lundrojnë zambakë rozë dhe vjollcë, ndërsa avulli i dendur e mbështjell gjithë zonën. Një fotografi që vlen për mijëra pëlqime, apo jo?

Uji ka temperaturë të këndshme gjatë gjithë vitit, ndaj sezoni i notit mes zambakëve nuk mbaron kurrë. Në verë, temperatura e ujit arrin 33–36°C, ndërsa në dimër nuk bie nën 23°C, transmeton Telegrafi.

Ujë shërues dhe mbi 200 vjet traditë

Hévíz nuk është i njohur vetëm për kënaqësinë e notit në ujë termal, por edhe për efektet e tij shëruese. Trajtimi tradicional, më i vjetër se 200 vjet, është konfirmuar nga studime të shumta mjekësore.

Uji ka një përbërje unike falë dy burimeve të ndryshme termale dhe baltës shëruese që mbulon fundin e liqenit. Burimet i japin ujit minerale të shumta (kalcium, magnez, squfur…), duke i dhënë veti të jashtëzakonshme dhe përdorim të shumëfishtë: nga parandalimi bazë, wellness-i dhe relaksimi, te turizmi shëndetësor e banjor, e deri te rehabilitimi pas operacioneve dhe lëndimeve. Gjatë larjes, temperatura e ujit përmirëson qarkullimin e gjakut, mineralet depërtojnë përmes lëkurës, ndërsa thithja e gazeve që avullojnë, sidomos në dimër mund të ketë edhe efekt anti-inflamator.


Uji termal shërues nuk është i disponueshëm vetëm në liqen, por edhe në shumë hotele përreth, të cilat, përveç saunave relaksuese dhe masazheve, ofrojnë edhe programe profesionale terapeutike.

Për të gjitha këto arsye, Hévíz shpesh quhet “kryeqyteti shëndetësor dhe wellness i Evropës”, ndaj nuk është çudi që ky qytet i vogël është një nga destinacionet turistike më të zhvilluara dhe më të vizituara.

Banja, pra kompleksi i notit Hévíz, i vendosur drejtpërdrejt në liqen, aktualisht ka disa hyrje dhe zona pjesërisht të mbyllura për shkak të punimeve të rikonstruksionit, por pishina termale dhe vetë liqeni mbeten të hapura për vizitorët, pa kufizime për kënaqësi dhe relaksim. /Telegrafi/

Kapelat dhe shallet janë të pashmangshme, por ja si t’i shpëtoni flokët e elektrizuar



Një kapelë mjafton për ta prishur frizurën, por zgjidhja është më afër se sa mendoni. Ja çfarë funksionon realisht kundër flokëve të elektrizuar

Dimri dhe veshjet me shumë shtresa që e karakterizojnë këtë stinë shpesh janë të pamëshirshme ndaj flokëve tanë. Me uljen e temperaturave, është koha të nxjerrim nga gardëroba kapelat prej leshi, beretat dhe shallet gjithnjë e më të preferuara. Megjithatë, këta aksesorë trendi sjellin me vete edhe një problem irritues.

Fërkimi që krijohet mes leshit ose materialeve sintetike dhe fibrave të flokëve, i kombinuar me ajrin e ftohtë dhe të thatë të dimrit, çon në dehidratim të menjëhershëm. Rezultati është i njohur për të gjithë: flokët elektrizohen, bëhen të pabindur dhe “fluturojnë” në të gjitha drejtimet.

Për fat të mirë, ekziston një truk jashtëzakonisht i thjeshtë që ju lejon t’i përballoni temperaturat e ulëta pa sakrifikuar stilin.

Nuk keni nevojë për produkte të shtrenjta, as për një rutinë të ndërlikuar me shumë hapa. Zgjidhja ka shumë gjasa të ndodhet tashmë në çantën tuaj.

Kur hyni në një ambient të mbyllur, hiqni kapelën dhe vini re se flokët janë bërë të pabindur, mjafton të merrni një sasi shumë të vogël kremi për duar, sa një kokërr bizele. Sekreti qëndron te aplikimi: fërkojeni kremin mes pëllëmbëve për ta ngrohur dhe shpërndarë njëtrajtshëm, pastaj kaloni lehtë duart mbi gjatësinë e flokëve dhe majat, pa i rënduar ato, transmeton Telegrafi.

Pse funksionon ky truk?

Kremi vepron në dy drejtime: siguron hidratimin e nevojshëm që zbut kutikulën e flokut dhe njëkohësisht redukton elektricitetin statik. Edhe pse kremi për duar është një zgjidhje e shkëlqyer SOS, ky truk funksionon po aq mirë, në mos edhe më mirë, me një pikë vaj për flokë, serum ose kujdes pa shpëlarje.

Thelbi është krijimi i një shtrese shumë të hollë mbrojtëse që “mbyll” lagështinë, zvogëlon fërkimin dhe parandalon që flokët të elektrizohen sërish. Në këtë mënyrë, modeli i flokëve mbetet i rregullt, i butë dhe i kuruar, pavarësisht kapelave, shallit apo kushteve të motit. /Telegrafi/

Zbutësi i koncentruar apo ai i zakonshëm – cilin po e përdorni gabim?



Sekreti për rroba më të freskëta, më të buta dhe me aromë më të gjatë

Përdorimi i rregullt i zbutësit gjatë larjes u jep rrobave freski dhe aromë të këndshme, si dhe i mbron nga procesi i plakjes. Në këtë mënyrë, veshjet tuaja të preferuara duken si të reja dhe zgjasin shumë më gjatë.

Zbutësi i rrobave është një tretësirë ujore e substancave sipërfaqësore kationike, me përbërës organikë dhe inorganikë. Substancat kationike përdoren në sasi të vogla dhe kanë funksionin e zbutjes. Ato dallohen sipas aromës dhe përqendrimit.

Zbutësi i jep tekstilit freski, aromë të këndshme dhe butësi në prekje. Përveç kësaj, mbron materialin nga humbja e formës dhe zbehja e ngjyrës. Ka edhe efekt antistatik dhe e lehtëson hekurosjen.

Si vepron zbutësi?

Parimi i veprimit të zbutësit është i ngjashëm me balsamin për flokë. Përbërësit kryesorë, substancat kationike dhe silikoni, pas larjes “fiksohen” në fijet e tekstilit dhe formojnë një shtresë mbrojtëse.

Kjo shtresë parandalon grumbullimin e gëlqeres, zbehjen e ngjyrës, si dhe degradimin e fibrave si pasojë e ujit të fortë, fërkimit mekanik në rrobalarëse apo përdorimit gjatë veshjes. Si rezultat, rrobat ruajnë më gjatë pamjen fillestare, janë më të lehta për t’u hekurosur dhe nuk grumbullojnë elektricitet statik, transmeton Telegrafi.

Zbutës i koncentruar apo i zakonshëm?

Zbutësi i koncentruar është një version më i avancuar që dozohet në sasi më të vogla, por ofron mbrojtje më të mirë për tekstilet dhe është më ekonomik për të njëjtën sasi rrobash.

Nga këndvështrimi ekologjik, zbutësi i koncentruar është gjithashtu zgjedhje më e mirë, sepse për prodhimin e tij shpenzohen më pak burime natyrore, veçanërisht ujë. Transporti i produkteve të koncentruara kërkon më pak logjistikë, duke ulur emetimin e dioksidit të karbonit. Për shkak të konsumit më të vogël, përdoret edhe më pak ambalazh plastik, çka kontribuon shtesë në mbrojtjen e mjedisit.

Është e rëndësishme të theksohet se zbutësi duhet përdorur edhe gjatë larjes në temperatura të ulëta. Larja në 30 °C dhe më poshtë është më e butë për tekstilet dhe ndihmon në ruajtjen e shtresës së ozonit, sepse kursen energjinë që do të shpenzohej për ngrohjen e ujit, duke reduktuar emetimin e gazrave serrë.

Si të përdoret saktë zbutësi?

Zbutësi fillon të veprojë vetëm në fazën e shpëlarjes, në fund të ciklit të larjes, prandaj është e rëndësishme ta hidhni në ndarjen e posaçme të sirtarit të rrobalarëses.

Rregulli i artë është t’i përmbaheni udhëzimeve në paketim dhe dozimit të saktë. Për shembull, për 4–5 kg rroba rekomandohen 35 ml zbutës - një kapak. Nëse vendosni shumë pak, efekti do të mungojë; nëse vendosni tepër, zbutësi nuk do të shpëlahet plotësisht dhe rrobat mund të mbeten të pakëndshme në prekje.

Zbutësi është i përshtatshëm për një gamë të gjerë materialesh moderne. Përjashtim bëjnë materialet prej leshi, si flisi, kadifeja, shenili dhe frotiri.

A është e sigurt përdorimi i zbutësit nëse jeni alergjik?

Nëse vuani nga alergjitë, zgjidhni zbutës me shenjën “dermatologjikisht i testuar” dhe kombinojini me detergjent hipoalergjik, mundësisht të certifikuar nga Qendra Evropiane për Kërkimin e Alergjive (ECARF).

Për personat me lëkurë të ndjeshme, përdorimi i zbutësit është veçanërisht i rëndësishëm, sepse zvogëlon parehatinë gjatë veshjes dhe e bën tekstilin më të butë.

Megjithatë, mbani parasysh se mund të ketë intolerancë individuale ndaj disa përbërësve. Kjo vlen për gjithçka me të cilën biem në kontakt, përfshirë edhe zbutësit. Nëse, për shembull, jeni të ndjeshëm ndaj një aromë të caktuar, lexoni me kujdes përbërjen e produktit dhe sigurohuni që të mos përmbajë komponentë problematikë. /Telegrafi/

Nëse çorapet ju lënë shenja të thella në këmbë, nuk është rastësi: Ja çfarë po sinjalizon trupi



Gjurmët e theksuara nga çorapet mund të jenë më shumë sesa problem estetik - në disa raste, ato tregojnë gjendje shëndetësore që kërkojnë vëmendje

Në fund të ditës, kur ndërroni rrobat e përditshme me pizhame, ndoshta vini re se çorapet ju kanë lënë shenja të thella në pulpë ose rreth kyçeve. Vijat duken të “gdhendura” në lëkurë dhe zhduken ngadalë. Shpesh mendohet se shkaku është thjesht masa e gabuar e çorapeve, por në disa raste, trupi po dërgon një sinjal të rëndësishëm shëndetësor.

Çorapet nuk janë vetëm aksesor praktik apo estetik. Ato mbrojnë këmbët, parandalojnë flluskat, ndihmojnë ecjen dhe ngrohin trupin. Megjithatë, momenti i heqjes së tyre shpesh shoqërohet me ndjeshmëri të lëkurës dhe shenja të dukshme shtrëngimi.

Në shumicën e rasteve, këto gjurmë janë të padëmshme dhe kalimtare. Por kur shfaqen shpesh, janë të theksuara ose zgjasin për orë të tëra, nuk duhet të injorohen.

Edema periferike – shkaku më i shpeshtë

Një nga arsyet më të zakonshme është edema periferike, gjendje në të cilën ndodh mbajtje e lëngjeve në pjesët e poshtme të trupit. Përveç shenjave nga çorapet, mund të vëreni:

  • ënjtje të këmbëve dhe kyçeve
  • lëkurë të shtrënguar dhe me shkëlqim
  • ndjesi rëndese ose dhimbje
  • lëvizshmëri të kufizuar

Kjo gjendje shpesh lidhet me qëndrimin e gjatë në këmbë, uljen e zgjatur, shtatzëninë ose ndryshimet hormonale, por mund të ketë edhe shkaqe më serioze, transmeton Telegrafi.


Problemet me venat

Nëse shenjat zgjasin më shumë dhe shoqërohen me vena të zgjeruara, ngërçe të shpeshta, kruarje ose ndryshim të ngjyrës së lëkurës, mund të bëhet fjalë për insuficiencë venoze. Ky problem është mjaft i përhapur dhe kërkon vlerësim mjekësor, sidomos nëse simptomat përkeqësohen me kalimin e kohës.

Çrregullime të sistemit limfatik

Sistemi limfatik luan rol kyç në imunitet dhe largimin e toksinave. Kur funksionimi i tij dëmtohet, lëngjet grumbullohen në inde. Nëse ënjtja dhe shenjat nga çorapet shfaqen çdo ditë, shoqërohen me ndjesi të vazhdueshme rëndese dhe nuk tërhiqen as pas pushimit, mund të bëhet fjalë për limfedemë, një gjendje që kërkon vlerësim dhe trajtim profesional.

Ndikimi i medikamenteve

Disa barna, veçanërisht ato për rregullimin e tensionit të gjakut, mund të shkaktojnë ënjtje të këmbëve. Si pasojë, çorapet lënë shenja më të thella edhe nëse përdorni të njëjtin model si më parë.

Kur duhet treguar kujdes i veçantë

Këshillohet konsultë mjekësore nëse:

  • shenjat nuk zhduken as pas një ore
  • lëkura bëhet e ngrohtë, e dhimbshme ose ndryshon ngjyrë
  • ënjtja është më e theksuar vetëm në njërën këmbë
  • shfaqen vështirësi në frymëmarrje ose dhimbje gjoksi
  • keni histori sëmundjesh të zemrës, veshkave ose mëlçisë
  • keni pasur së fundmi udhëtime të gjata ose fluturime

Në këto raste, kontrolli mjekësor është i domosdoshëm.

Si të shmangni shenjat e pakëndshme nga çorapet

Nëse çorapet ju lënë shpesh gjurmë të thella:

  • shmangni modelet me llastik të fortë
  • zgjidhni çorape pa qepje, prej materialesh të buta dhe ajrosëse (si pambuku)
  • merrni një numër më të madh, sidomos nëse jeni mes dy masave
  • lëvizni rregullisht dhe ngrini këmbët gjatë pushimit

Mbani mend: Shenjat nga çorapet shpesh janë të padëmshme, por kur trupi i përsërit ato çdo ditë, ia vlen të dëgjohet. Lëkura është një nga pasqyrat më të sinqerta të shëndetit. /Telegrafi/

Aktorja me gjoksin më të komentuar befason me një fustan që thyen pritjet e publikut



Me një paraqitje krejt ndryshe nga ç’jemi mësuar, aktorja tregoi se di të luajë me pritjet dhe t’i kthejë ato në avantazh stili

Sydney Sweeney ka qenë një nga figurat më të komentuara të fundjavës para ndarjes së Golden Globes, ku mori pjesë në dy mbrëmje festive dhe për të dyja rastet zgjodhi mini-fustane, duke ofruar dy interpretime krejtësisht të ndryshme të së njëjtës ide stilistike. Në njërën mbrëmje u shfaq me një krijim të zi minimalist, ndërsa në tjetrën me një fustan të bardhë elegant, duke dëshmuar se kontrastet, kur menaxhohen me kujdes, janë çelësi i një stili të suksesshëm.

Aktorja njihet për zgjedhjen e fustaneve të shkurtra që ndjekin linjat e trupit, por pa rënë në vulgaritet. Përkundrazi, prerjet e pastra, materialet cilësore dhe ngjyrat e kontrolluara e bëjnë pamjen e saj moderne, të rafinuar dhe vizualisht të fuqishme. Pikërisht ky ekuilibër mes sensualitetit dhe elegancës e dallon stilin e saj nga shumë emra të tjerë të Hollywood-it, transmeton Telegrafi.

Një tjetër element që e bën Sweeney një referencë mode është aftësia për ta shndërruar thjeshtësinë në deklaratë. Fustanet që ajo zgjedh shpesh janë minimalistë në thelb, por marrin jetë përmes kombinimit të saktë me këpucë, bizhuteri diskrete dhe grim të menduar mirë. Rezultati është një pamje që nuk bërtet, por flet qartë.

Megjithatë, ajo që e kurorëzon çdo paraqitje të saj është vetëbesimi. Te Sydney Sweeney, veshja nuk është vetëm estetikë, është qëndrim. Mini-fustanet nuk shërbejnë për të provokuar, por për të shprehur siguri në vetvete dhe kontroll të plotë mbi imazhin personal. Kjo është arsyeja pse çdo dalje e saj publike shndërrohet në temë diskutimi dhe burim frymëzimi për shumë gra që synojnë të duken njëkohësisht të guximshme dhe elegante.

Në një kohë kur moda shpesh lëkundet mes teprimit dhe uniformitetit, Sydney Sweeney po dëshmon se stili i vërtetë qëndron në masë, vetëdije dhe autenticitet. /Telegrafi/

Bëjeni ta humbasë mendjen pas jush që në takimin e parë



Nga qetësia dhe vetëbesimi, te dialogu i duhur, shikimi në sy dhe mbyllja perfekte e takimit - këshillat që rrisin shanset për një fillim të paharrueshëm

Si të lini përshtypjen e duhur dhe ta “detyroni” që të bjerë në dashuri me ju? Tingëllon e vështirë, ndoshta edhe e pamundur, por ja disa këshilla që mund t’ju ndihmojnë ta fitoni.

Qetësohuni, pa nxitim

Me shumë gjasë jeni të emocionuara para takimit të parë. Por mos lejoni që emocionet ta prishin gjithçka: mos u grindni dhe mos nxitoni me gjërat. Nuk duhet të dukeni sikur kjo është mundësia juaj e fundit, kjo mund ta frikësojë zotërinë. Në fund të fundit, ai është ai që kërkon vëmendjen tuaj, jo anasjelltas. Prandaj, taktikat më të sigurta janë sharmi i ftohtë, mirësjellja e përsosur dhe qëndrimi pozitiv.

Respektojeni veten dhe atë

Jini të përpikta. Dikur vonesa e vajzës konsiderohej pjesë e “ritualit”, por sot koha është shumë e çmuar dhe nuk ka vend për këto gabime. Britanikët thonë: “Telefoni i vendosur mbi tavolinë është si pështymë në fytyrën e bashkëbiseduesit”. Vendoseni telefonin në çantë.

Duhet ta dini vlerën tuaj

Nuk ju hapi derën e restorantit, nuk ju ndihmoi me pallton dhe nuk ju dha dorën kur zbritët shkallët? Duket se ky takim nuk është vetëm i pari, por edhe i fundit! – transmeton Telegrafi.


Vishuni pak më elegante sesa pret ai

Nuk bëhet fjalë për dekolte apo minifund. Imagjinoni veten duke lëvizur lehtë nëpër restorant me një fustan elegant, ndërsa të gjithë të pranishmit ju shikojnë. Ai patjetër do të impresionohet nga një pamje kaq mbresëlënëse.

Ndërtoni dialogun siç duhet

Takimi shërben për ta njohur më mirë njëri-tjetrin dhe për të menduar për planet e ardhshme, jo për të folur pa dëgjuar. Prandaj, mos e ngarkoni burrin me problemet dhe hidhërimet tuaja (dhe sidomos mos ia kushtoni mbrëmjen përshkrimit se sa “i keq” ka qenë ish-i juaj) ky nuk është momenti për tema të tilla. Jini të vëmendshme dhe bashkëbiseduese të mira: mos e ndërprisni, por mos hezitoni të shprehni mendimin tuaj. Shakatë dhe humori janë të mirëpritura, të gjithë i pëlqejnë njerëzit pozitivë me sens humori.

Komplimenti

Çfarë mund të themi për burrat që u pëlqen lëvdata? Edhe ata, në fakt, duan të admirohen. Mos e keni të vështirë t’ia vini në dukje se ka një pulovër të bukur.

Kini kujdes nga pauzat e sikletshme

Pauza e sikletshme është një sinjal alarmi. Zakonisht, kur njerëzit pëlqehen dhe janë interesantë për njëri-tjetrin, biseda rrjedh natyrshëm dhe nuk ndalet. Por ekziston edhe një mundësi tjetër: zotëria është shumë i mahnitur nga ju, por njëkohësisht i shqetësuar, i turpshëm dhe i hutuar. Në këtë rast, mund ta ndihmoni duke e thyer heshtjen me një shaka apo një tregim të lehtë. Ai do t’ju jetë mirënjohës.

Shikojeni në sy

Në takimin e parë njerëzit shpesh turpërohen dhe shmangin shikimin, ndaj mos i gjykoni menjëherë. Megjithatë, psikologët këmbëngulin: dhjetë sekonda “sy më sy” janë të mjaftueshme për t’u dashuruar.

Përfundojeni takimin siç duhet

Është shumë e rëndësishme mënyra se si përfundon takimi: a do t’ju telefonojë të nesërmen dhe me çfarë ndjenje do ta prisni takimin tjetër. Prandaj, jini jashtëzakonisht të sjellshme dhe simpatike. Buzëqeshni, falënderojeni për darkën dhe thoni se ishte kënaqësi, edhe nëse pati momente të dyshimta.

Përfundimi i takimit me diçka më shumë sesa një përqafim të lehtë dhe një puthje të pafajshme në faqe nuk rekomandohet edhe nëse vërtet dëshironi t’i dorëzoheni. Përndryshe, rrezikoni ta prishni gjithë interesin e sapozgjuar. Për më tepër, gjinia më e fortë është tradicionale, shumica beson se një vajzë që pranon seks në takimin e parë konsiderohet domosdoshmërisht “e lehtë”. /Telegrafi/

Adriana Matoshi: Kur fjala ka peshë dhe heshtja përgjegjësi



Aktorja dhe deputetja rrëfen për rrugëtimin e saj profesional dhe personal, nga rolet artistike te angazhimi publik, duke u ndalur te zgjedhjet e vështira, përgjegjësia ndaj shoqërisë dhe përvojat që e kanë formuar si grua, nënë dhe figurë publike

Mes skenës dhe Kuvendit, ajo zgjedh një territor të rrallë: atë ku fjala nuk thuhet për zhurmë, por për kuptim, dhe ku heshtja nuk është tërheqje, por përgjegjësi.

E formuar nga disiplina e teatrit dhe e sprovuar nga ashpërsia e jetës publike, Matoshi lëviz mes artit dhe politikës pa e humbur boshtin etik që e mban të pandryshuar – ndershmërinë ndaj vetes.

Në këtë rrëfim, flet për artin si qëndrim moral dhe për politikën si provë karakteri; për rolet që nuk mbarojnë kur bie perdja dhe për vendimet që mbeten edhe kur dritat fiken. Ndalet te heshtja si gjuhë, te guximi për të folur kur duhet dhe për të heshtur kur fjala do të ishte kompromis, por edhe te mëmësia si përvojë që i ka dhënë peshë çdo zgjedhjeje personale e publike.

Ky është një dialog i qetë, por i prerë, që shpalos jo vetëm figurën publike të një aktoreje dhe deputeteje, por edhe atë që mbetet pas roleve, kur zgjedh të mos e humbë veten, edhe kur çmimi është i lartë.

Adriana Matoshi, Foto: Arton Humolli

Arti si qëndrim etik, jo si kompromis

Jeni ndër të paktat artiste që keni fituar çmime ndërkombëtare duke ruajtur identitetin tuaj artistik. Ka qenë kjo një zgjedhje estetike e vetëdijshme apo një qëndrim etik?

Ruajtja e identitetit tim artistik ka qenë një zgjedhje e vetëdijshme estetike, por mbi të gjitha një qëndrim etik. Kam besuar gjithmonë se arti humb vlerën kur fillon të negociojë me të vërtetën e brendshme për hir të tregut apo miratimit.

Në shumë role tuaja, gruaja nuk kërkon shpëtim, por hapësirë për të qenë jashtë pritjeve shoqërore. A është kjo zgjedhje artistike apo bindje personale?

Janë të dyja. Artistikisht më tërheqin personazhet që nuk kërkojnë shpëtim, por hapësirë për të ekzistuar. Personalisht, kjo lidhet me bindjen time se liria e gruas fillon aty ku ajo lejohet të mos jetë e përshtatshme.

Aktrimin e keni studiuar nën dritën udhëzuese të Faruk Begollit. Cili nga mësimet e tij vazhdon t’ju shoqërojë sot, përtej skenës?

Faruk Begolli më mësoi se aktori nuk duhet të luajë për t’u dukur, por për të qenë i vërtetë. Kjo ndershmëri ndaj vetes më shoqëron ende, edhe jashtë skenës.

Heshtja që flet dhe rolet që mbeten

Në kinematografi, heshtja shpesh flet më fort se dialogu. Ashtu siç besonte Marlon Brando, çfarë ju ka mësuar më shumë arti i dëgjimit: vetja, partneri në skenë apo bota përreth?

Më ka mësuar më shumë partneri në skenë. Dëgjimi i vërtetë ndodh vetëm kur e lë egon mënjanë dhe je plotësisht i pranishëm me tjetrin.

Adriana Matoshi, Foto: Arton Humolli

A ka pasur ndonjë rol që ju ka ndryshuar më shumë si njeri sesa si aktore?

Ka role që nuk mbarojnë kur bie perdja. Më ka ndodhur që, pas një shfaqjeje, të mbaj me vete ndjesi që më kanë ndryshuar mënyrën si shoh njerëzit dhe dhimbjet e tyre. Një moment që më ka mbetur në mendje është kur kuptova se një personazh që po luaja kishte frikë të fliste dhe ajo frikë ishte shumë reale edhe jashtë skene. Aty e kuptova sa shpesh heshtja është një formë mbijetese.

Duke prekur trauma kolektive dhe dhimbje të heshtura, a kanë qenë rolet tuaja më shumë tronditje për publikun apo rrugë drejt shërimit dhe kuptimit?

Mendoj se rolet kanë qenë të dyja: tronditje dhe shërim. Shpesh publiku ka nevojë të shqetësohet për të filluar të kuptojë dhe për t’u shëruar.

Teatri dhe filmi shpesh na detyrojnë të shohim veten në pasqyrë. Çfarë mendoni se ka parë shoqëria kosovare te vetja përmes roleve tuaja?

Shoqëria kosovare ka parë një pasqyrë të dhimbjeve të veta të pashprehura, sidomos të grave, dhe ndoshta ka filluar t’i njohë ato si reale dhe legjitime.

Nga skena në Kuvend: arti përballë pushtetit

Anaïs Nin thotë se botën e shohim sipas asaj që jemi; sa nga personazhet tuaja kanë qenë pasqyrim i pyetjeve tuaja të brendshme?

Shumë prej tyre. Çdo personazh mbart diçka nga pyetjet e mia të brendshme; ndryshe nuk do të mund ta luaja me ndershmëri.

Jeni aktorja e vetme shqiptare e pranishme në Netflix. A e ndieni këtë më shumë si arritje personale apo si përgjegjësi për një kinematografi të tërë?

Është arritje personale, por mbi të gjitha përgjegjësi. Sepse çdo prezencë atje bart me vete një kulturë të tërë, jo vetëm një individ.

Skena dhe Kuvendi janë dy hapësira publike me rregulla shumë të ndryshme. Cila prej tyre kërkon më shumë disiplinë emocionale nga ju?

Kuvendi kërkon më shumë disiplinë emocionale. Në art, emocioni është mjet; në politikë, shpesh duhet të mbahet nën kontroll.

Në art, heshtja mund të jetë gjuhë e fuqishme, ndërsa në politikë shpesh lexohet si mungesë qëndrimi. Si e menaxhoni këtë kontrast mes dy botëve?

Duke qenë e vetëdijshme se heshtja ime në art është gjuhë, ndërsa në politikë është mesazh. Kjo kërkon vigjilencë të vazhdueshme ndaj kontekstit.

Adriana Matoshi, Foto: Arton Humolli

Kjo foto, me gjestin e gishtit te buzët, duket si një “hesht” i qetë, por i prerë. Kujt i drejtohet sot më shpesh kjo heshtje: zhurmës publike, hipokrizisë politike apo atyre që flasin pa dëgjuar?

Ky gjest nuk është qortim, por një ndalesë. I drejtohet zhurmës së panevojshme, fjalëve që thuhen shpejt dhe dëgjimit që mungon. Sot flasim shumë, reagojmë shpejt dhe reflektojmë pak. Ndonjëherë heshtja është forma më e qartë e përgjegjësisë dhe mënyra më e sinqertë për t’i lënë vend mendimit.

A ju ka ndodhur që një rol artistik t’ju përgatisë më mirë për një betejë politike sesa çdo përvojë institucionale?

Po. Arti më ka mësuar empatinë, leximin e nëntekstit dhe durimin – aftësi shumë të vlefshme në politikë.

Kalimi nga skena në Kuvend është i rrallë. Duke iu kthyer mendimit të Otto von Bismarck për politikën si art i së mundshmes dhe artin si synim i së pamundurës, si i pajtoni këto dy logjika në rrugëtimin tuaj?

Arti më ka mësuar të dëgjoj para se të flas dhe të kuptoj emocionin pas fjalëve. Ka pasur momente në Kuvend kur një debat ishte shumë i ashpër dhe instinktivisht kam zgjedhur të dëgjoj më qetë, duke menduar për popullin para se të flas, ose që fjala të ketë peshë. Aty e kuptova se përvoja nga skena më ndihmon të komunikoj më njerëzisht, edhe në politikë.

Adriana Matoshi, Foto: Arton Humolli

Mëmësia, guximi dhe ajo që mbetet

Jeni një zë i fuqishëm kundër dhunës ndaj grave. A mendoni se ligji po ecën më shpejt se mentaliteti shoqëror, apo e kundërta?

Ajo që më shqetëson më shumë sot është normalizimi i dhunës, sidomos kur ajo justifikohet me heshtje ose me fraza si “punë familjare”. Më dhemb fakti që shumë gra ende ndihen vetëm dhe të pafuqishme për të folur. Besoj se përgjegjësia jonë është të mos lodhemi kurrë duke e thënë qartë se dhuna nuk ka asnjë justifikim. Ka pasur mijëra raste shumë të rënda që kam zgjedhur të mos i bëj publike, sepse më është rrezikuar edhe jeta. Një rast që e kam publikuar, jam kërcënuar me jetë.

Në cilën fushë ju është dashur më shumë guxim: në art, ku rrezikohet shpirti, apo në politikë, ku rrezikohet keqkuptimi?

Në të dyja, por ndryshe. Në art rrezikohet shpirti, në politikë rrezikohet keqkuptimi – dhe të dyja kërkojnë guxim të thellë.

Ajo që mbetet, kur rolet bien

Përtej skenës, Kuvendit dhe zërit publik, je edhe nënë e katër fëmijëve. Çfarë të ka mësuar më shumë kjo përvojë për veten, që as arti dhe as politika nuk ta kishin mësuar dot?

Mëmësia më ka mësuar një lloj durimi dhe përgjegjësie që nuk ta jep as skena, as politika. Më ka mësuar të jem më e pranishme, më e përulur dhe më e vetëdijshme për pasojat e çdo fjale dhe veprimi. Fëmijët ta tregojnë veten pa filtra dhe pa role, dhe kjo të detyron të jesh e vërtetë. Është përvoja që më ka formuar më shumë si njeri.

Ka njerëz që jetën e kuptojnë duke ecur përpara, të tjerë vetëm kur janë detyruar të ndalen. Çfarë ju kanë mësuar këto ndalesa të pashmangshme?

Më kanë mësuar durimin dhe pranimin. Jo gjithçka është nën kontrollin tonë, por gjithçka mund të shndërrohet në kuptim.

Adriana Matoshi, Foto: Arton Humolli

Forca që zbulohet në rrugë të vështira

Dashuria, trupi dhe koha na ndryshojnë mënyrën si e kuptojmë veten. Çfarë keni zbuluar për veten që një rrugë e lehtë nuk do t’ua kishte dhuruar kurrë?

Kam zbuluar forcën time. Një rrugë e lehtë nuk do të ma kishte treguar kurrë se sa shumë mund të përballoj pa u thyer.

Nëse një vajzë e re ju sheh sot si model, çfarë do të donit që ajo të mos kopjojë nga ju?

Të mos kopjojë sakrificën e tepërt ndaj vetes. Do të doja të mësonte se kujdesi për veten nuk është dobësi.

A ka një rol që ende nuk e keni luajtur, jo sepse nuk ju është ofruar, por sepse nuk jeni ende gati për të?

Ka role që i ndjen se nuk janë ende gati për ty, ose ti për ta. Është një lloj pjekurie që vjen me kohën dhe përvojën e jetës. Ndoshta ende nuk e kam luajtur atë rol sepse dua ta përjetoj me më shumë qetësi dhe thellësi, kur të kem më shumë për të thënë, jo vetëm si artiste, por edhe si njeri.

Në art, gabimi është pjesë e procesit, ndërsa në politikë pasojat janë përfundimtare. Ku ndiheni më e lirë të gaboni?

Në art ndihem më e lirë të gaboj. Gabimi aty është pjesë e rritjes, jo fundi i një procesi.

Kur dritat fiken dhe zhurma hesht, çfarë mendoni se mbetet thelbësore: ajo që jeni bërë, apo ajo që keni zgjedhur të mos e humbni?

Mbetet ajo që kam zgjedhur të mos e humb: ndershmëria ndaj vetes dhe besimi se kuptimi është më i rëndësishëm se zhurma. /Telegrafi/

Injeksioni revolucionar në sy: Një trajtim i ri po u kthen shikimin pacientëve që rrezikonin verbërinë



Mjekët në Londër kanë arritur atë që më parë konsiderohej e pamundur – rikthimin e shikimit te pacientët me hypotonijë gjendje e rrallë dhe e rrezikshme e syrit

Spitali Moorfields Eye Hospital në Londër është klinika e parë e dedikuar në botë për këtë çrregullim dhe, sipas një studimi pilot, shtatë nga tetë pacientë që morën trajtimin kanë reaguar pozitivisht ndaj terapisë.

Njëra prej tyre, e para ndonjëherë, është Nicki Guy, 47 vjeçe, e cila po e ndan historinë e saj ekskluzivisht me BBC.

Ajo thotë se rezultatet janë të pabesueshme: “Është ndryshim jete. Ma ka kthyer gjithçka. Mund ta shoh fëmijën tim duke u rritur. Kam kaluar nga numërimi i gishtave dhe shikimi krejtësisht i turbullt, në aftësinë për të parë.”

Aktualisht, ajo mund të shohë dhe të lexojë shumicën e rreshtave me shkronja në tabelën e testimit të shikimit.

Ajo është vetëm një rresht larg asaj që kërkohet ligjërisht për drejtim automjeti, një ndryshim i madh krahasuar me gjendjen e mëparshme, kur kishte shikim të pjesshëm, përdorte llupë për çdo gjë nga afër dhe duhej të lëvizte brenda shtëpisë dhe jashtë saj kryesisht duke u mbështetur në kujtesë, transmeton Telegrafi.


“Nëse shikimi im mbetet kështu për pjesën tjetër të jetës, do të ishte absolutisht i mrekullueshëm. Ndoshta nuk do të mund të vozis më kurrë, por e pranoj këtë!”, thotë ajo.

Te hipotonia, presioni brenda kokërrzës së syrit bëhet rrezikshëm i ulët, duke bërë që ajo të shembet nga brenda. Kjo mund të ndodhë nëse prodhimi i lëngut natyror xhelatinoz brenda syrit është i dobët, për shembull pas traume ose inflamacioni. Ndonjëherë është efekt anësor i operacioneve të syrit ose i disa barnave. Pa trajtim, njerëzit mund të verbohen.

Deri më tani, mjekët janë përpjekur të përdorin steroidë dhe vaj silikoni për ta “fryrë” syrin. Por kjo mund të jetë toksike në periudha të gjata dhe nuk rikthen shumë shikim.

Edhe kur qelizat në pjesën e pasme të syrit, të përdorura për shikim, funksionojnë, vaji i silikonit është i vështirë për t’u parë përmes tij, duke shkaktuar shikim të turbullt.

Ekspertët nga Moorfields Eye Hospital vendosën të provojnë një qasje tjetër me diçka që tashmë e kishin në dispozicion, një gel të lirë, transparent, me bazë uji, të quajtur hydroxypropyl methylcellulose ose HPCM.

Ai tashmë përdoret në disa lloje operacionesh të syrit. Por në vend që ta përdornin vetëm një herë, ekipi i Moorfields vendosi ta injektojë atë në pjesën kryesore të syrit si një lloj i ri terapie.

Kur Nicki pati për herë të parë probleme me shikimin në vitin 2017, menjëherë pas lindjes së djalit të saj, asaj fillimisht iu vendos sasi e madhe vaji silikoni në syrin e djathtë, i cili po dështonte. Ajo thotë se syri kishte humbur formën e tij normale dhe “u shemb disi” ose “u rrudh si një qese letre” për shkak të hipotonisë. Trajtimi bëri pak për ta ndihmuar. Dhe disa vite më vonë, edhe syri i majtë filloi të dështonte në të njëjtën mënyrë.

“Pasi humba shikimin në syrin e majtë, mendova: ‘Duhet të ketë diçka tjetër që mund ta provojmë’”, shpjegon ajo. “Vendosmëri e pastër. Thjesht: ‘Nuk po dorëzohem’.”

Mjeku i saj i syve, Harry Petrushkin, tha se së bashku vendosën të bënin diçka krejtësisht të re, ta mbushnin syrin me diçka përmes së cilës mund të shihej.

“Ideja se mund t’i shkaktonim dëm dikujt që realisht ka vetëm një sy funksional, me një trajtim që mund të funksionojë ose jo, ishte jashtëzakonisht stresuese”, kujton ai. “E gjetëm këtë si zgjidhje dhe, çuditërisht, funksionoi.

“Sinqerisht, nuk mund ta kishim ëndërruar rezultatin që ajo ka pasur. Dikush që, sipas të gjitha gjasave, do të duhej ta humbiste shikimin në të dy sytë… tani po jeton normalisht. Kjo është krejtësisht e jashtëzakonshme. Nuk mund të kishim shpresuar për më mirë.”

Ai thotë se i njëjti trajtim potencialisht mund të ndihmojë qindra apo edhe mijëra njerëz çdo vit në Mbretërinë e Bashkuar. Gjithçka varet nga fakti nëse ata ende kanë qeliza funksionale në pjesën e pasme të syrit që mundësojnë shikimin.

“E dinim se te Nicki kishte shikim për t’u fituar dhe se ajo do të përmirësohej nëse do të arrinim ta bënim syrin sërish të rrumbullakët dhe të fortë.”

Deri më tani janë trajtuar 35 pacientë, falë financimit nga Moorfields Eye Charity dhe rezultatet e tetë të parëve janë publikuar në British Journal of Ophthalmology.

Trajtimi jepet një herë çdo tre deri në katër javë, për rreth 10 muaj gjithsej.

Studiuesit shpresojnë se me kalimin e kohës do të bëhen edhe më të saktë në përcaktimin se kush mund të përfitojë.

“Ka qenë një histori fantastike. Rezultatet janë vërtet premtuese, por ende jemi në fazat e hershme”, thotë Petrushkin. /Telegrafi/

Po e dëmtoni lëkurën pa e ditur? Ja si ta zgjidhni saktë pilingun AHA ose BHA



Një zgjedhje e gabuar mund të shkaktojë irritim – ja si ta gjeni formulën e duhur për ju

Zgjedhja e pilingut të duhur nuk është as universale, as e lehtë. Ajo varet nga tipi i lëkurës, nevojat e saj dhe problemet që dëshironi të trajtoni. Në dimër është veçanërisht e rëndësishme që lëkura të ushqehet dhe të pastrohet në këtë mënyrë.

Pse acidet e caktuara të rekomanduara për piling janë më të mirat?

Kur bëhet fjalë për pilingun kimik, në dispozicion janë substanca të ndryshme aktive: enzima nga frutat, retinoide, acide të ndryshme organike, por në praktikë më së shpeshti përdoren acidet AHA dhe BHA. Kuptimi i dallimit mes tyre është thelbësor për një zgjedhje të mirë, ashtu si edhe informimi i saktë dhe njohja e karakteristikave të lëkurës suaj dhe nevojave të saj.

Acidet AHA: Piling për hidratim, shkëlqim dhe ton të njëtrajtshëm

Acidet alfa-hidroksi janë të tretshme në ujë dhe veprojnë kryesisht në sipërfaqen e lëkurës. Roli i tyre kryesor është largimi i qelizave të vdekura, përmirësimi i strukturës së lëkurës, ndriçimi i tenit dhe zbutja e shenjave të plakjes. Përparësia e madhe e acideve AHA është se, përveç eksfolimit, ndihmojnë lëkurën të ruajë lagështinë, prandaj janë zgjedhje e shkëlqyer për lëkurë normale, të thatë dhe më të ndjeshme.

Më të përdorurat janë acidi laktik dhe acidi glikolik. Ato nxisin rinovimin e qelizave, rrisin nivelin e hidratimit dhe vizualisht zvogëlojnë rrudhat dhe vijat e holla. Acidi laktik është më i butë dhe i përshtatshëm për lëkurë të prirur ndaj irritimeve, ndërsa acidi glikolik, falë molekulave më të vogla, depërton më thellë dhe jep efekt më të theksuar të rinimit dhe njëtrajtësimit të tenit.

Acidet e tjera AHA, si acidi citrik ose ai i mollës, mund të jenë më të forta dhe nuk i përshtaten domosdoshmërisht të gjithëve, transmeton Telegrafi.

Acidet BHA: Për lëkurë të yndyrshme dhe problematike

Acidet beta-hidroksi janë të tretshme në yndyrë, gjë që u mundëson të depërtojnë në pore dhe të shpërbëjnë tepricën e sebumit. Për këtë arsye janë veçanërisht të dobishme te lëkura e yndyrshme, poret e zgjeruara, pikat e zeza dhe aknet. Përveçse e pastrojnë lëkurën nga brenda, kanë edhe veprim qetësues, ndihmojnë në shërim dhe zvogëlojnë shenjat pas puçrrave.

Përfaqësuesi më i njohur i kësaj grupi është acidi salicilik. Në përqendrimin e duhur (zakonisht deri në 2 për qind), ai ndihmon në përmirësimin e strukturës së lëkurës dhe në parandalimin e shenjave të hershme të plakjes. Edhe pse konsiderohet më i butë sa i përket irritimeve, personat me lëkurë shumë reaktive duhet ta fusin në rutinë me kujdes.

Si ta dini çfarë është më e mira për lëkurën tuaj?

Nëse lëkura juaj është e thatë, e dehidruar ose reagon lehtë, jepini përparësi acideve AHA, sidomos acidit laktik. Nëse synimi juaj është një lëkurë më e fortë, më e re dhe me ton më të njëtrajtshëm, acidi glikolik është zgjedhje e mirë. Për lëkurë të yndyrshme, akne të shpeshta dhe pore të bllokuara, acidet BHA do të japin rezultatet më të mira.

Është e mundur të përdoren edhe AHA edhe BHA në rutinën e kujdesit, por jo njëkohësisht dhe jo shumë shpesh. Lëkurës i duhet ekuilibër: tepër shumë përbërës aktivë mund të shkaktojnë efekt të kundërt, edhe te tipat më rezistentë të lëkurës. /Telegrafi/

7 arsye pse dhembin kockat e fytyrës: Shkaku shpesh nuk është aty ku mendoni



Dhimbja në fytyrë shpesh “vjen nga diku tjetër” – ja cilat probleme shëndetësore fshihen pas saj

Kockat e fytyrës mund të na dhembin, por dhimbja në këtë zonë zakonisht është pasojë e një shkaku të caktuar bazë, si lëndimi, infeksioni apo problemet me nervat, dhe jo sepse vetë kocka “dhemb” spontanisht. Mjekët shpjegojnë se dhimbja në fytyrë shpesh “reflektohet” nga strukturat përreth, si sinuset, dhëmbët apo nyjat e nofullës.

Dhimbja në kockat e fytyrës ka shumë shkaqe

Dhimbja në kockat e fytyrës shpesh sinjalizon probleme me sinuset (sinusiti), nervat (si neuralgjia trigeminale), dhëmbët (absces/karies), nyjën e nofullës ose edhe dhimbje të forta koke, të cilat mund të manifestohen si dhimbje të shurdhëra ose si goditje elektrike, shpesh të shoqëruara me ënjtje, bllokim të hundës ose ndjeshmëri të dhëmbëve. Kjo kërkon nga mjeku të përcaktojë nëse bëhet fjalë për infeksion, çrregullim nervor, lëndim apo stres.

Kjo dhimbje njihet edhe si dhimbje orofaciale dhe është simptomë e disa gjendjeve shëndetësore. Mund të shfaqet kudo në fytyrë, përfshirë zonën rreth syve dhe gojës. Ka shumë shkaqe të mundshme, duke përfshirë lëndimet, infeksionet dhe çrregullimet nervore.

Dhimbja në kockat e fytyrës mund të jetë afatshkurtër (akute) ose afatgjatë (kronike). Mund të prekë njërën anë të fytyrës ose të dyja. Mund të përshkruhet si djegie, shpim, therje, dhimbje e shurdhër, dhimbje e fortë ose ndjesi pulsimi. Në shumicën e rasteve nuk është urgjencë, por mund të tregojë se diçka tjetër po ndodh. Është e rëndësishme të shkoni te mjeku nëse keni dhimbje të pashpjegueshme ose të vazhdueshme në fytyrë që nuk kalon, transmeton Telegrafi.

Cilat lloje dhimbjesh në fytyrë ekzistojnë?

Dhimbja në fytyrë apo në kockat e fytyrës është një term i gjerë që përdoret për të përshkruar dhimbjen që shfaqet kudo në fytyrë. Ekzistojnë lloje të ndryshme dhimbjesh, varësisht nga burimi i tyre:

– Dhimbje dhëmbi për shkak të kariesit ose abscesit
– Dhimbje e nofullës për shkak të çrregullimeve të nyjës temporomandibulare (TMJ) ose frakturës së nofullës
– Dhimbje nervore për shkak të çrregullimeve si neuralgjia trigeminale
– Dhimbje vaskulare për shkak të migrenës ose vaskulitit
– Dhimbje atipike e fytyrës, që shfaqet pa shkak të qartë

shutterstock

Si duket dhimbja atipike e fytyrës?

Personat me dhimbje atipike të fytyrës ndiejnë dhimbje çdo ditë për të paktën 3 muaj. Nxehtësia, të ftohtit ose prekja mund ta nxisin dhimbjen, ndërsa disa njerëz thonë se ajo përkeqësohet kur janë të lodhur ose nën stres. Dhimbja në kockat e fytyrës mund të shfaqet në anën e majtë ose të djathtë, shpesh pranë nofullës ose veshit. Mund të kufizohet në një zonë të vogël ose të përhapet në gjithë fytyrën dhe nuk ndjek domosdoshmërisht rrugën e një nervi.

Një person me dhimbje atipike të fytyrës mund ta përshkruajë dhimbjen si:

– Djegie
– Dhimbje e thellë
– Dhimbje e shurdhër ose e fortë, me periudha shpimi të mprehtë
– Rrahje ose pulsime
– Mpirje ose ndjesi shpimi

Cilët janë shkaktarët më të shpeshtë të dhimbjes në fytyrë?

Ka shumë arsye që mund të shkaktojnë dhimbje në fytyrë, dhe më të shpeshtat janë:

– Dhimbjet e kokës dhe migrena
– Herpes simplex (plagë të ftohta) ose herpes zoster
– Sindroma miofasciale e dhimbjes
– Infeksionet e sinuseve
– Sialadeniti (ënjtja e gjëndrave të pështymës)
– Çrregullimet e nyjës temporomandibulare (TMJ)
– Absceset e dhëmbëve
– Neuralgjia trigeminale

/Telegrafi/

Çifti më i fuqishëm i Golden Globe 2026: Ai fitoi çmime, ajo u shfaq me diamante prej 75 karatësh



Ata nuk ecin gjithmonë në tapetin e kuq, por gjithmonë ecin në të njëjtin drejtim

Po bëhet gjithnjë e më e qartë: Kylie Jenner nuk është më thjesht një influencuese në tapetin e kuq. Ajo është shndërruar në një figurë të pashmangshme të çdo ceremonie të madhe çmimesh, madje edhe atëherë kur… fizikisht nuk shfaqet në tapet. Sepse Kylie nuk ka nevojë të kalojë para fotografëve për të qenë tema kryesore e mbrëmjes.

Në ndarjen e Golden Globe më 11 janar, ku Timothée Chalamet ishte i nominuar për aktorin më të mirë në mjuzikal ose komedi për filmin Marty Supreme, Kylie dëshmoi edhe një herë se e kupton perfekt fuqinë e momentit, estetikën dhe dominimin e heshtur. Ajo nuk eci në tapetin e kuq, por në Instagram tregoi një paraqitje për të cilën u fol më shumë sesa për shumë dalje zyrtare.

Ajo kishte veshur një fustan i punuar enkas për të nga Ashi Studio, të mbuluar me temina, të ngushtë pas trupit, me dekolte të thellë në formë “sweetheart” dhe me rripa që zbrisnin lehtë mbi supe dhe gjok, sensuale, por njëkohësisht e rafinuar. Një lloj glamuri që nuk bërtet, por mbetet në kujtesë, transmeton Telegrafi.

Pamjen e kompletoi me një çantë vintage Gucci, taka Christian Louboutin dhe, sigurisht, me diamante Lorraine Schwartz – plot 75 karatë në unaza dhe vathë. Sinqerisht? Ky nuk është më thjesht bizhuteri, por manifest i pushtetit dhe statusit.

Flokët i mbante në një bisht të gjatë, ndërsa grimi ishte romantik, me kombinim highlighter-blush dhe buzë nude. Gjithçka dukej sikur përcillte një mesazh të qartë: e di kush jam dhe nuk kam nevojë të provoj asgjë.

Nga ana tjetër, Timothée Chalamet mbeti besnik stilit të tij minimalist: kostum krejtësisht i zi, jelek, xhaketë, pantallona të futura në çizme dhe një varëse argjendi. Pamja e tij ishte e përmbajtur, por e saktë, një reflektim i drejtpërdrejtë i mënyrës së tij të aktrimit.

Ajo që e bën këtë çift veçanërisht interesant është fakti se kurrë nuk duken sikur përpiqen të jenë “çifti më i përfolur i momentit”. E megjithatë, çdo herë bëhen të tillë. Pa teatralitet, pa poza të tepruara, pa nevojë për të provuar vlerën e tyre. Dinamika mes tyre është e qetë, por e qëndrueshme dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye duket e sinqertë.

Critics Choice Awards, disa ditë më parë, Timothée madje e përmendi butë Kylie-n në fjalimin e tij të fitores, një gjest i vogël, por mjaftueshëm domethënës për të treguar se ajo është pjesë e historisë së tij, jo vetëm e imazhit publik.

Gjatë viteve të fundit, Kylie ka befasuar shpesh me zgjedhjet e saj të modës: nga fustani Versace i vitit 1999 me shpinë dramatikisht të hapur, te krijimi transparent prej dantelle i Hanae Mori. Por tani duket sikur nuk synon më të shokojë, por të konfirmojë statusin e saj.

Marrëdhënia e tyre zhvillohet larg skandaleve, por afër emocioneve. Nga puthjet nën yje, te paraqitjet e përbashkëta publike, e deri te momentet e qeta familjare, si shtëpiza e Krishtlindjeve prej xhenxhefili, ku Kylie kishte shkruar edhe emrin e Timothée-s. Ky detaj, ndoshta, është më i bukuri nga të gjithë.

Sepse glamuri mund të blihet. Diamantet mund të vishen. Fustanet mund të huazohen. Por vendi në familjen e dikujt – ai fitohet.

Ndoshta Kylie Jenner dhe Timothée Chalamet nuk ecin gjithmonë bashkë në tapetin e kuq. Por ecin në të njëjtin drejtim. Dhe në një botë ku gjithçka matet me tituj, ky është, në fakt – luksi më i madh. /Telegrafi/

❌