Nga Gazeta “Si” – Qielli dhe Mbappe janë kufiri i tij dhe “Pirati” po bëhet gjithnjë e më shumë njeriu pa të cilin Mallorca nuk mund të funksionojë.
Gjë që u konfirmua edhe pasditen e sotme në “Son Moix” ndaj Athletic Bilbao-s, ku Vedat Muriqi shënoi 3 golëshin e parë këtë sezon, duke u ngjitur në kuotën e 14 golave, i 48 me fanellën e Mallorca-s.
Më shumë se ai ka shënuar vetëm Kylian Mbappe, pa folur për skuadrën ku luan francezi.
Prapa kanë mbetur fitues të La Liga-s, Premier League, Champions League dhe Kampionatit Evropian si Lewandowski, Yamal dhe Alvarez mes të tjerëve.
Por nëse sulmuesi dardan nuk zhgënjen, atë vazhdon ta bëjë mbrojtësi kuqezi Kumbulla.
Ishte gabimi i tij që iu dha mundësi baskëve të barazonin pas avantazhit të Muriqit që shënoi në vazhdim të një kombinimi me Darder.
Për kronikë, Muriqi shënoi në minutat 4, 41 dhe 68 (11m).
Ndërsa miqtë u ndëshkuan me 2 kartonë të kuq (Guruzeta 69’ dhe Unai Gomez 70’ në stol).
“Nuk di cfarë të them, futbolli ka ndryshuar shumë. Personalisht, nuk do të kisha akorduar një penallti si ajo. E dimë që duhet të punojmë shumë. Jam shumë i lumtur me 3 golëshin. Shpresoj të mos dëmtohem dhe të vazhdoj të shënoj” – tha Muriqi pas fitores.
Nga Gazeta “Si” – Bayern udhëton drejt RB Leipzig në raundin e 18-të, ndërsa të dyja skuadrat nisin fazën e dytë të sezonit në Bundesliga.
Bayern vështirë se mund të kishte bërë më mirë në 17 ndeshjet e para.
Në fakt, 47 pikët dhe golavarazhi +53 përbëjnë gjysmën e parë më të mirë të një sezoni në historinë e elitës së futbollit gjerman, duke e lënë pas sezonin 2013/14 të Pep Guardiola-s me plot 18 gola.
Fitorja 8-1 ndaj Wolfsburg-ut në javën e 16-të ishte shembulli më i fundit i efikasitetit bavarez përpara portës.
Vetëm 2 herë nuk kanë arritur të marrin pikët e plota, kur barazuan 2-2 me Union Berlin dhe Mainz 05.
Kjo do të thotë se mbeten në rrugën e duhur për të barazuar sezonin pa humbje dhe me titull kampion të Bayer Leverkusen në edicionin 2023/24.
Kjo ecuri e jashtëzakonshme nisi me një fitore 6-0 ndaj Leipzig-ut në raundin e 1-rë, në debutimin Ole Werner-it si trajner me humbjen më të rëndë të “Die Roten Bullen” në elitë.
Ajo humbje ndaj bavarezëve u pasua nga një seri prej 8 ndeshjesh pozitive, 7 prej të cilave fitore.
Edhe pse e mbyllën vitin 2025 me 2 humbje rradhazi ndaj Union-it dhe Leverkusen, renditen të 3-ët në klasifikim, përpara VfB Stuttgartit falë golavarazhit, por me një ndeshje më pak.
Pas largimeve të Benjamin Šeško, Xavi Simons dhe Loïs Openda-s, të tjerët duhej të merrnin përgjegjësi në skuadër.
Dhe duket se këtë e ka bërë mesfushori Christoph Baumgartner, duke zhvilluar ndoshta sezonin më të mirë të karrierës së tij deri tani.
Me një rekord sezonal prej 7 golash përpara këtij edicioni, austriaku ka shënuar 6 në 17 ndeshje këtë sezon, ndërsa vetëm Michael Olise i Bayernit (10) dhe Luis Díaz (9) kanë më shumë asist se 6 të tijat.
Në sezonin e tretë në “Red Bull Arena”, ai po shndërrohet në një lojtar kyç, tek i cili skuadra mund të mbështetet për të bërë diferencën.
Leipzig ka shfrytëzuar sërish tregun e transferimeve duke afruar një sërë talentesh të rinj dhe Yan Diomande spikat deri tani.
Lojtari nga Bregu i Fildishtë mbushi 19 vjeç në Nëntor, ndërsa ka shënuar 6 gola në 15 ndeshjet e para, përfshirë një 3-golëshpletë në fitoren 6-0 ndaj Eintracht Frankfurt në javën e 13-të.
Ndërkohë edhe Bayern ka yllin e vet që po shpërthen këtë sezon. Lennart Karl është vetëm 17 vjeç, por tashmë një pjesë kyçe e mbrojtjes së titullit kampion në fuqi, duke nisur si titullar në 9 nga 11 ndeshjet e fundit zyrtare.
Ai ka thyer rekorde, duke u bërë golashënuesi më i ri i Bayern-it në Champions League, pasi u bë i 3-ti më i ri që shënon në Bundesligë.
Goli i tij nga stoli ndaj Këlnit e futi në një listë elitare 17-vjeçarësh me 4 gola në Bundesligë, krahas Youssoufa Moukoko, Timo Werner, Kai Havertz, Florian Wirtz dhe Mathys Tel.
Harry Kane vazhdon të rritet nga ndeshja në ndeshje, duke arritur tashmë 20 gola dhe duke u bërë lojtari i parë që e prek këtë shifër në tre sezonet e tij të para në Bundesligë që nga Friedhelm “Tino” Konietzka në vitin 1966.
Pas integrimit perfekt sezonin e kaluar pas ardhjes në verën e 2024-s, Olise ka arritur nivele të reja këtë sezon; vetëm Kane dhe Deniz Undav (10) kanë shënuar më shumë se 9 golat e tij në Bundesligë, ndërsa ai kryeson tabelën e asistëve me 10.
Ndërkohë, transferimi i Díaz nga Liverpooli i ka dhënë Bayern-it një dimension shtesë.
Edhe ai ka 9 gola dhe po aq asist këtë sezon. Përveç humbjes ndaj Bayern-it, Leipzig ka qenë përgjithësisht skuadër e vështirë për t’u thyer, duke pësuar vetëm 13 gola në 16 ndeshjet e tjera.
Në total, vetëm dy skuadra kanë pësuar më pak gola në Bundesligë këtë sezon – njëra prej tyre, sigurisht, është Bayerni (13, pjesërisht falë Manuel Neuer-it ende autoritar në portë).
Edhe kur portieri legjendar ka munguar, Jonas Urbig ka treguar se ka potencialin për t’u bërë pasardhësi i Neuer, duke ruajtur portën e paprekur në të 3 ndeshjet e tij në Bundesligë këtë sezon.
Neuer është ndihmuar nga Dayot Upamecano dhe Jonathan Tah – ky i fundit në një seri rekord prej 38 ndeshjesh në transfertë pa humbje në Bundesligë.
Formacionet e mundshme
Leipzig: Gulácsi – Baku, Orbán, Castello, Raum (c) – Baumgartner, Seiwald, Schlager – Diomande, Rômulo, Nusa Trainer: Ole Werner
Bayern: Neuer (c) – Guerreiro, Upamecano, Tah, Ito – Kimmich, Pavlović – Olise, Gnabry, Díaz – Kane Trainer: Vincent Kompany
Nga Gazeta “Si” – McLaren do të hyjë në Botërorin e këtij viti pasi ka fituar titullin e dytë rradhazi të Kampionatit të Konstruktorëve, një sukses që e siguroi me një epërsi të jashtëzakonshme prej 364 pikësh ndaj Mercedes-it të vendit të dytë.
Sa i përket titullit të pilotëve, Lando Norris rrëzoi Max Verstappen, duke i dhënë fund sundimit 4-vjeçar të holandezit si Kampion Bote.
Por a do të arrijë ndonjë kombinim tjetër skuadër-pilot ta ndalë ngjitjen e McLaren-it në sezonin e ri?
Ata që shpresojnë ta bëjnë këtë mund të marrin frymëzim nga rastet e mëposhtme në historinë e F1, ku një kampion i ri ndali në vend një dinasti të mëparshme…
– Andretti dhe Lotus, 1978 – Mansell dhe Williams, 1992 – Häkkinen dhe McLaren, 1998 – Alonso dhe Renault, 2005 – Hamilton dhe Mercedes, 2014 – Verstappen dhe Red Bull, 2021 – Norris dhe McLaren, 2025
Nga Gazeta “Si” – Austriakët e “Red Bull” prezantuan një dizajn të ri dhe mbresëlënës për sezonin 2026 në Formula 1. Event spektakolar u mbajtu në “Michigan Central Station”.
Skuadra me bazë në Milton Keynes shfaqi pamjen e re gjatë një ceremonie madhështore në Detroit, qytetin e Ford-it, me të cilin po bashkëpunon për të zhvilluar motorrin e parë “Made in Red Bull” në historinë e Formula 1.
Piloti Martin Sonka, e bëri prezantimin edhe më të veçantë me një akrobaci të jashtëzakonshme ajrore, duke hequr mbulesën e makinës nga ajri.
Dizajni i ri shënon një rikthim te fundi shkëlqyes (gloss), i përdorur për herë të parë kur kompania e pijeve energjike debutoi në këtë sport në vitin 2005.
Katër herë kampioni i botës, Max Verstappen, do të shoqërohet këtë sezon nga Isack Hadjar, i cili vjen nga skuadra simotër, “Racing Bulls”.
Binomi do të synojë të rikthejë titullin Botëror që “Red Bull, e fitoi për herë të fundit në vitin 2023 për Konstruktorë.
“Racing Bulls” u bë një nga skuadrat e para të Formula 1 që kanë prezantuar dizajnin e makinës për sezonin 2026, gjatë një eventi të veçantë në Detroit.
Mbrëmja në stacionin e trenit “Central Michigan” priti “Racing Bulls” edhe Red Bull në prezantimin e dizajnit në qytetin e njohur si shtëpia amerikane e Ford-it. Sezoni 2026 do të mbahet mend si hera e parë që “Red Bull Ford Powertrains” do të veprojë si prodhues i motorrit për të dyja skuadrat.
Pilotët Liam Lawson dhe Arvid Lindblad – kostumet e garës së të cilëve ishin prezantuar disa ditë më parë – ndihmuan në zbulimin e dizajnit të makinës për vitin 2026.
Eventi u ndoq nga 1.500 të ftuar, ndërsa tifozët e përjetuan momentin edhe përmes transmetimit live.
Nga Gazeta “Si” – Luis Díaz ka qenë një sukses i menjëhershëm te Bayern Munich, duke ndihmuar kryesuesit e Bundesligës të regjistrojnë shifra rekord deri tani (sezoni 2025/26).
Në vazhdim do të hedhim një vështrim mbi statistikat që tregojnë ndikimin e kolumbianit në “Allianz Arena”…
1 – Díaz debutoi zyrtarisht te Bayern, në “Superkupën Franz Beckenbauer”, një fitore 2–1 ndaj VfB Stuttgart për trofeun e tij të parë në Gjermani.
3 – Kolumbiani shënoi në 3 ndeshjet e para në Bundesliga.
9 – Díaz ka shënuar 9 gola në Bundesliga: 3 me këmbën e djathtë, 3 me të majtën, 2 me kokë dhe 1 me shpatull. Njëri prej tyre, jashtë zonës së penalltisë.
9 – Ai ka dhënë gjithashtu 9 asist në Bundesliga.
10 – Numri total i asistëve në të gjitha kompeticionet me Bayern.
11 – Kolumbiani ka pasur 11 raste të pastra shënimi në Bundesliga, megjithëse ka realizuar vetëm 5 prej tyre.
13 – Numri i pozicioneve jashtë loje që Díaz është kapur në Bundesliga.
14 – Numri në fanellën e Díaz-it te Bayern.
14 – Numri total i golave të Díaz-it me Bayern-in në të gjitha kompeticionet (9 në Bundesliga, 3 në UEFA Champions League, 1 në DFB-Pokal dhe një në Superkupën Franz Beckenbauer).
15 – Díaz është kolumbiani i 15-të që luan në Bundesliga dhe i 3-ti te Bayern pas James Rodríguez (43 ndeshje) dhe Adolfo Valencia (23). Vetëm 6 bashkëkombës të tij kanë shënuar më shumë gola.
16 – Numri i ndeshjeve të Díaz-it në Bundesliga nga 17 të mundshme nga të cilat, 15 si titullar. 1,345 minutat e lojës, janë më shumë se çdo lojtar i Bayern-it në kampionat.
24 – Numri i ndeshjeve të Díaz-it në të gjitha kompeticionet që nga mbërritja te Bayern. Ai nuk ka pësuar ende asnjë humbje me klubin: 23 fitore dhe një barazim kundër Union Berlin – ndeshje në të cilën edhe shënoi. Ai ka munguar vetëm në 3 ndeshje, të gjitha për shkak pezullimi.
34.14 km/h – Shpejtësia maksimale që Díaz ka arritur në Bundesliga.
64 – Numri mesatar i prekjeve të topit/ ndeshje në kampionat.
75 – Díaz mesatarisht shënon një gol ose jep një asist çdo 75 minuta në elitën gjermane.
80 – Numri i goditjeve drejt portës ku Díaz ka qenë i përfshirë në Bundesliga: 47 i ka realizuar vetë dhe 33 i ka krijuar për shokët e skuadrës. Kjo do të thotë: përfshirje në një goditje çdo 17 minuta në fushë.
86% – Saktësia e pasimeve të Díaz-it nga aksionet në Bundesliga.
2029 – Kur Díaz iu bashkua Bayern-it në verën e vitit 2025, ai firmosi një kontratë 4-vjeçare deri në fund të sezonit 2028/29.
Nga Gazeta “Si” – Kur duhen diçka më shumë se 24 orë nga sfida Man Utd vs. Man City, kujtojmë momentet ikonë mes dy skuadrave në ishull.
Manchester United pret Manchester City-n të shtunën, ku vendasit do të drejtohen për të parën herë nga Michael Carrick, ndërsa miqtë kërkojnë titullin e 7-të Kampion në Angli me Pep Guardiola-n në stol.
Më poshtë kemi veçuar disa nga ndeshjet dhe incidentet më të famshme mes dy klubeve në “Premier League”.
– Amad trondit “Etihad Stadium” – Dhjetor 2024 – Foden dhe Haaland shënojnë secili nga tregolësh – Tetor 2022 – United shtyn kurorëzimin e Man City-t – Prill 2018 – Goli vendimtar i Van Persie’t – Dhjetor 2012 – Supergoli i Kompany që hapi rrugën e titullit të parë të City-t në Premier League – Prill 2012 – Festimi “Why always me?” i Balotelli-t – Tetor 2011 – Roveshata spektakolare e Rooney-t – Shkurt 2011 – Fitorja e derbit vulosur me një puthje nga United! – Prill 2010 – Goli dramatik i Owen-it në minutat shtesë – Shtator 2009 – Mançesteri bashkohet për të përkujtuar tragjedinë ajrore të Mynihut – Shkurt 2008 – Neville kundër Schmeichel në tunel – Nëntor 2002
Nga Gazeta “Si” – Humbja ndaj Brighton-it në raundin e tretë të “FA Cup” shënoi një tjetër moment të errët për Manchester United, që pritet të luajnë vetëm 40 ndeshje këtë sezon – numri më i ulët i ndeshjeve në një sezon për klubin në më shumë se një shekull.
Për herë të parë në mbi 40 vjet, Manchester United u ndal në pengesën e parë në të dyja kupat ishullore në të njëjtin sezon.
Në Gusht, ishte Grimsby Town (kategorisë së katërt) që dha goditjen e parë, duke eliminuar United në raundin e dytë nga “League Cup”, me penallti (pas barazimit 2-2).
Të dielën, Brighton udhëtoi drejt “Old Trafford” për ndeshjen e raundit të tretë në “FA Cup” dhe u kthye në jug me një fitore të merituar 2-1, duke thelluar edhe më tej plagët.
Ish-sulmuesi i United, Danny Welbeck, shënoi golin e fitores – një fakt i dhimbshëm që tifozët vendas nuk do ta harrojnë lehtë.
Brighton është kthyer në një kundërshtar problematik për United në vitet e fundit. Që nga fillimi i sezonit 2021/22, asnjë skuadër nuk i ka mposhtur “Djajtë e Kuq” më shpesh në të gjitha kompeticionet (7 herë).
Hera e fundit që United u eliminua në ndeshjen e parë si në “FA Cup” ashtu edhe në “League Cup”, ishte sezonin 1981/82.
Ai sezon përfundoi me eliminime të hershme nga Tottenham Hotspur në “League Cup” dhe Watford në “FA Cup”.
Megjithatë, shifra më goditëse që del nga humbja e së dielës është numri i ndeshjeve që United do të luajnë në sezonin aktual.
Pas eleminimit nga dy kupat ishullore dhe në mungesë të futbollit evropian në “Old Trafford”, United do ta mbyllin sezonin me vetëm 40 ndeshje.
Michael Carrick do të drejtojë “red devils” në sezonin më të shkurtër në historinë e klubit
Ky është numri më i ulët në një sezon që nga ai 1914/15, kur luajti vetëm 39 ndeshje.
Atë sezon, “Red devils” zhvilluan 38 ndeshje në kampionat dhe u eliminuan nga “The Wednesday” (që më vonë u quajt Sheffield Wednesday), në raundin e parë të “FA Cup”.
“League Cup” nuk ekzistonte ende në atë kohë (u krijua në vitin 1960).
Që nga Lufta e Dytë Botërore, United do të luajnë tre ndeshje më pak sesa në çdo sezon tjetër pasues.
Në epokën e “Premier League”, sezoni më i dobët për numrin e ndeshjeve ishte 2014/15, kur luajtën vetëm 44 të tilla në të gjitha kompeticionet, sezoni i parë i Louis van Gaal si trajner.
Ajo fushatë mbahet mend sidomos për humbjen poshtëruese 4-0 ndaj MK Dons në “League Cup”.
Para këtij sezoni, kanë qenë vetëm 15 raste kur një skuadër e “Premier League” ka luajtur minimumin e mundshëm prej 40 ndeshjesh në një sezon.
United tani do t’i shtohen kësaj liste, së bashku me Bournemouth, duke e çuar totalin në 17.
Ky rekord shënon një tjetër pikë të ulët në një seri në dukje pafund për Manchester United.
Trajneri i komanduar, Darren Fletcher e drejtoi skuadrën në barazimin ndaj Burnley-t përpara humbjes ndaj Brighton-it.
Pasuesi (deri në fund të sezonit) Michael Carrick, ka një detyrë shumë të vështirë, qoftë edhe vetëm për të rikthyer ndonjë ndjenjë pozitive në klub, pa folur për rezultate domethënëse.
Nga Gazeta “Si” – Liam Rosenior mori para pak ditësh emërimin zyrtar si trajner i Chelsea-t – dhe firmosi një kontratë që zgjat deri në vitin 2032.
Sigurisht, kjo nuk është hera e parë në vitet e fundit që Chelsea ofron kontrata afatgjata dhe Rosenior i bashkohet disa lojtarëve të lidhur me klubin për një periudhë të gjatë.
Në fakt, në të gjithë skuadrën e Chelsea-t nuk ka asnjë lojtar kontrata e të cilit skadon në vitin 2026, ndërsa shumica janë të lidhur me klubin, të paktën deri në vitin 2030 pse më tej.
Ja se ku pozicionohet Rosenior në këtë strukturë kontratash…
– Kontrata deri në vitin 2033 Cole Palmer – 30 Qershor 2033 João Pedro – 30 Qershor 2033 Dário Essugo – 30 Qershor 2033 Estêvão – 30 Qershor 2033
– Kontrata deri në vitin 2032 Enzo Fernández – 30 Qershor 2032 Jamie Gittens – 30 Qershor 2032 Alejandro Garnacho – 30 Qershor 2032 Jorrel Hato – 30 Qershor 2032 Liam Rosenior — 2032
– Kontrata deri në vitin 2031 Pedro Neto – 30 Qershor 2031 Mykhaylo Mudryk – 30 Qershor 2031 Filip Jørgensen – 30 Qershor 2031 Liam Delap – 30 Qershor 2031 Moisés Caicedo – 30 Qershor 2031
– Kontrata deri në vitin 2030 Robert Sánchez – 30 Qershor 2030 Benoît Badiashile – 30 Qershor 2030 Malo Gusto – 30 Qershor 2030 Roméo Lavia – 30 Qershor 2030 Andrey Santos – 30 Qershor 2030
– Kontrata deri në vitin 2029 Axel Disasi – 30 Qershor 2029 Wesley Fofana – 30 Qershor 2029 Levi Colwill – 30 Qershor 2029 Marc Guiu – 30 Qershor 2029 Josh Acheampong – 30 Qershor 2029
– Kontrata deri në vitin 2028 Tosin Adarabioyo – 30 Qershor 2028 Marc Cucurella – 30 Qershor 2028 Trevoh Chalobah – 30 Qershor 2028 Reece James – 30 Qershor 2028 Gabriel Slonina – 30 Qershor 2028
– Kontrata deri në vitin 2027 Raheem Sterling – 30 Qershor 2027 Tyrique George – 30 Qershor 2027
Nga Gazeta “Si” – Chelsea përballet me Arsenal-in në ndeshjen e parë gjysmëfinale të “Carabao Cup” në “Stamford Bridge”.
Blutë u kualifikuan pasi mposhtën Cardiff City-n 3-1 në çerekfinale, ndërsa “Topçinjtë” kaluan Crystal Palace pas ekzekutimit të penalltive.
Kjo është përballja e dytë mes skuadrave këtë sezon, pas barazimit 1-1 në “Stamford Bridge” në muajin Nëntor.
Liam Rosenior e nisi me fitore aventurën e tij si trajner i Chelsea-t, pas triumfit 5-1 ndaj Charlton Athletic në raundin e tretë të “FA Cup”.
Chelsea luajti me formacionin 4-2-3-1 kundër Charlton, por në fazën e ndërtimit të lojës u rreshtua në 3-2-2-3, i ngjashëm me sistemin që Rosenior përdorte te Strasbourg.
Arsenal-i shpreson të korrigjojë zhgënjimin e ndeshjes së fundit ndaj Chelsea-t, ku nuk arriti të fitojë pavarësisht se luajti për pjesën më të madhe të takimit me epërsi numerike.
Të dielën, “Gunners” përmbysën rezultatin për të fituar 4-1 ndaj Portsmouth në raundin e tretë të “FA Cup”.
Sezonin e kaluar, Arsenal u eliminua nga Newcastle United në këtë fazë të kompeticionit dhe këtë herë do të synojë të shmangë të njëjtin fat.
– Ballë për ballë Dy skuadrat janë përballur 8 herë në këtë kompeticion. Chelsea ka regjistruar 4 fitore dhe një barazim, ndërsa 3 ndeshjet e tjera janë fituar nga Arsenal.
– Të rejat e fundit Chelsea nuk do të ketë Moisés Caicedo-n për shkak të pezullimit, ndërsa do të merret një vendim për disponueshmërinë e Malo Gusto-s, Reece James dhe Cole Palmer. Piero Hincapié, Max Dowman, Riccardo Calafiori dhe Cristhian Mosquera e humbasin këtë sfidë për Arsenalin.
– Formacionet e mundshme Chelsea (4-2-3-1): Robert Sanchez, Malo Gusto, Wesley Fofana, Trevoh Chalobah, Marc Cucurella, Enzo Fernandez, Reece James, Estevao, Cole Palmer, Pedro Neto, Liam Delap.
Arsenal (4-3-3): Kepa Arrizabalaga, Jurrien Timber, William Saliba, Gabriel, Myles Lewis-Skelly, Martin Zubimendi, Declan Rice, Martin Odegaard, Bukayo Saka, Viktor Gyokeres, Leandro Trossard.
Nga Gazeta “Si” – Bayern Munchen e nisi sezonin 2025/26 pothuajse në mënyrë perfekte.
Pas 16 ndeshjeve, plurikampionët kanë 14 fitore dhe një diferencë golash +51.
A është ky rekordi më i mirë ndonjëherë në këtë fazë? Dhe cilat janë objektivat për t’u thyer gjatë tërë sezonit?
Skuadra e Vincent Kompany u bë vetëm e dyta në histori që fiton 9-të ndeshjet e para të një sezoni në Bundesliga – pas Bayern-it të drejtuar nga Pep Guardiola në sezonin 2015/16 – por me një diferencë golash +29, ajo shënoi nisjen më të mirë absolute.
Megjithatë, pas barazimit 2-2 ndaj Union Berlin, rekordi për serinë më të gjatë të fitoreve në fillim të një sezoni në elitën gjermane mbeti në 10 ndeshje, i vendosur nga Bayern-i i Guardiolës në sezonin 2015/16, përpara se ata të barazonin ndeshjen e 11-të.
Skuadra e Kompany është rikthyer sërish te fitoret dhe, pas 16 javësh, ka rimarrë rekordin falë diferencës së golave.
Ata kanë pikë të barabartë (44) me Bayern-in e Guardiolës në sezonin 2013/14, përpara Bayern-it të 2015/16 dhe Borussia Dortmund (kampion) të Jürgen Klopp në sezonin 2010/11, që kishin nga 43 pikë secili.
63 golat e shënuar nga Bayern-i i këtij sezoni kanë thyer bindshëm rekordin e mëparshëm, i cili ishte 52 gola në sezonin 2021/22.
Rekordi absolut i pikëve në një sezon të Bundesligës mbetet 91, i arritur nga Bayern i Jupp Heynckes në edicionin 2012/13, ndërsa rekordi i golave në një sezon është 101, i vendosur nga Bayern-i i sezonit 1971/72.
Starti më i mirë i një sezoni në Bundesliga, sipas javëve të luajtura:
Nga Gazeta “Si” – Manjati rus që e bleu skuadrën nga Ken Bates e drejtoi atë për 19 vite duke arritur suksese të rëndësishme.
Pas largimit të tij, mbërriti grupi amerikan me në krye Todd Boehly-in, i cili do të mbahet mend për kontratat afatgjata dhe numrin e lartë të trainerëve.
Enzo Maresca ishte traineri më jetëgjatë ndërsa i komanduari Bruno Salter, njeriu që e drejtoi skuadrën vetëm 4 ditë.
Thomas Tuchel – 106 ditë Graham Potter – 206 ditë Bruno Salter – (i komanduar) 4 ditë Frank Lampard – 85 ditë Mauricio Pochettino – 325 ditë Enzo Maresca – 549 ditë Calum McFarlane – (i komanduar) 5 ditë Liam Rosenior – firmosi për 5.5 vite në “Bridge”
Nga Gazeta “Si” – Pas kualifikimit pak ditë më parë, skuadrat pjesëmarrëse në Kupën e Shqipërisë, mësuan sot kundërshtarët në rrugën drejt ½ finaleve.
Në ceremoninë e organizuar në FSHF, të pranishëm ishin drejtuesit e 8 klubeve më të mira dhe Presidenti Armand Duka.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Duka uroi – “për ndeshje kompetitive, më shumë fair-play në fushën e lojës dhe bashkëpunim mes FSHF-së dhe klubeve”, si dhe vuri theksin te – “zhvillimi i lojës së futbollit”.
Klubet pjesëmarrëse në short ishin ndarë në dy vazo dhe një nga ¼ finalet është Derbi kryeqytetas mes Tiranës dhe fituesve në fuqi të Dinamo City.
Kupa do të kthehet në fushën e lojës me ¼ finalet e para më 11 Shkurt sipas shortit të mëposhtëm.
Nga Gazeta Si – Nga zëvendësime surprizë te rikthime që sollën tituj kampionë. Ndërsa Yuki Tsunoda e gjen veten pa një makinë gare në sezonin 2026, ne rikujtojmë historitë e pilotëve që u kthyen në start pas humbjes së mëparshme të vendit të tyre.
Kur pilotët të mblidhen për startin e sezonit 2026, një emër që nuk do të jetë në “grid” është ai i Yuki Tsunoda-s. Piloti japonez u zëvendësua nga Isack Hadjar te Red Bull.
Ndërkohë që Tsunoda kalon në rolin e pilotit testues dhe rezervë për skuadrën nga Milton Keynes, drejtuesi Laurent Mekies ka shprehur bindjen se 25-vjeçari mund të gjejë një tjetër mundësi në të ardhmen.
Tsunoda nuk do të ishte piloti i parë që rikthehet pas humbjes së vendit të tij, pasi emrat e mëposhtëm janë ringritur në situata të ngjashme…
– Alex Albon – Alain Prost – Nico Hulkenberg – Mika Salo – Valtteri Bottas – Sergio Perez – Felipe Massa – Esteban Ocon – Romain Grosjean – Kevin Magnussen
Nga Gazeta Si – Pushimet dimërore dhe Kupa i lënë vendin Kategorisë Superiore në futbollin tonë.
Raundi i 19-të ndahet mes të mërkurës dhe të enjtes. Tre ditën e parë dhe dy të dytën.
Siparin e ngre Bylis që pret Tiranën në Ballsh në orën 13:30. Krahasuar me një sezon më parë, Bylis ka fituar një pozicion ndërsa bardheblutë kanë humbur tre.
E lehtë në letër duket sfida për AF Elbasani ndaj Flamurtarit, në të njëjtën ditë në orën 17:00.
Vendasit kanë rekuperuar 3 pozicione në klasifikim, krahasuar me një vit më parë.
Kjo do të jetë ndeshja e dytë brenda 4 ditëve mes këtyre skuadrave pas kualifikimit të AF ELbasani në Kupë ndaj miqve kuqezinj.
Në të njëjtën orë, Vllaznia pret Egnatian në “Loro Boriçi”. Finalja e sezonit të kaluar vazhdon të jetë ende e tillë, të paktën në letër.
Aktualisht kuqeblutë kanë 1 pikë më pak se në sezonin e shkuar ndërsa të gjelbrit kanë 7 pikë më shumë.
Të enjten në orën 13:30, Partizani pret Vorën në “Arenën e Demave” në një përballje që i sheh kryeqytetasit me 7 pikë më pak, krahasuar me të njëjtën periudhë të një sezoni më parë.
Jo më pak interesante edhe sfida e fundit e këtij raundi.
Në Durrës do të mbërrijë Dinamo City e cila, një sezon më parë kishte 1 pikë më pak, por ishte në vendin e parë.
Ndërsa këtë herë ka 32 pikë në vendin e 3-të. Shtatë pikë më shumë se Teuta e vendit të 5-të, që ka 3 pikë më shumë dhe një vend më lart se në sezonin 2024-2025.
Në 18 raundet e para të këtij sezoni u shënuan 188 gola.
Autorë të tyre ishin 85 futbollistë, ndërsa 9 të tjerë shënuan në portën e tyre.
Mesatarja ishte 2.088 gola për ndeshje. Tre skuadrat që shënuan më shumë janë Dinamo City (27 gola), Vllaznia (24 gola) dhe Egnatia (23 gola).
Me 10 gola, Bekim Balaj (Vllaznia) kryeson listën e shënuesve më të mirë, ndjekur nga Dejvi Bregu (Dinamo City, 7) dhe Blaise Tsague (AF Elbasani 7).
Nga ky sezon në përfundim të çdo ndeshjeje përzgjidhet “Lojtari më i Mirë” i saj.
Portieri Mario Dajsinani (Egnatia) e ka fituar 7 herë këtë çmim, më shumë se kushdo tjetër.
Nga Gazeta Si – Newcastle United dhe Manchester City do të përballen në “St James’ Park” në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Ligës (EFL Cup).
“Magpies” synojnë të mbrojnë triumfin në “EFL Cup 2024-25”, ndërsa “Citizens” përpiqen të rikthejnë trofeun për herë të parë që nga sezoni 2020-21.
Newcastle i dha fund pritjes 70-vjeçare për një trofe madhor kur fitoi “EFL Cup” në sezonin 2024-25, me golat e Alexander Isak dhe Dan Burn, 2-1 ndaj Liverpool-it në stadiumin “Wembley”.
Skuadra e Howe ka mposhtur bindshëm Bradford City 4-1 në raundin e tretë, Tottenham Hotspur 2-0 në raundin e katërt dhe duke kaluar me avantazh minimal, Fulham 2-1 në çerekfinale, falë golit në minutën e 92-të nga Lewis Miley.
Tani përballë provës më të vështirë në mbrojtjen e trofeut, Newcastle do të presë Manchester City-n në “St James’ Park” për gjysmëfinalen e parë.
Ndërsa do të udhëtojë drejt “Etihad Stadium” në fillim të Shkurtit për ndeshjen e kthimit.
Megjithatë, Newcastle ka një bilanc të mirë të kohëve të fundit ndaj Man City-t në shtëpi, duke fituar dy ndeshje, barazuar një dhe humbur një nga 4 përballjet e fundit në “St James’ Park”.
Po ashtu, “Magpies” kanë mposhtur City-n në dy përballjet e fundit mes tyre në “EFL Cup”.
Newcastle vjen pas tre fitoreve dhe një barazimi në 4 ndeshjet e fundit – përfshirë një fitore dramatike 7-6 me penallti ndaj Bournemouth.
Gjithashtu nuk humbet prej 13 ndeshjesh rradhazi në shtëpi (10 fitore dhe 3 barazime).
Edhe Manchester City ka një seri të shkëlqyer rezultatesh, duke qenë i pamposhtur në 12 ndeshjet e fundit, me 9 fitore dhe 3 barazime, përfshirë një fitore shkatërruese 10-1 ndaj Exeter City në ndeshjen e fundit.
Pavarësisht formës së shkëlqyer, City ka hasur vështirësi në këtë kompeticion në sezonet e fundit, duke u eliminuar në raundin e tretë në 2023-24, në raundin e katërt në sezonet 2021-22 dhe 2024-25, si dhe në çerekfinale në 2022-23.
Si rezultat, fitoret ndaj Huddersfield Town (2-0), Swansea City (3-1) dhe Brentford (2-0) e kanë çuar Manchester City-n në gjysmëfinalen e parë të “EFL Cup” që nga seria e jashtëzakonshme e 4 titujve radhazi mes 2017-18 dhe 2020-21.
Me ndeshjen e kthimit të planifikuar në fillim të Shkurtit në “Etihad Stadium”, Guardiola do të kërkojë që skuadra e tij të marrë një rezultat pozitiv nga kjo përballje e parë, duke shmangur një përsëritje të humbjes 2-1 si ajo në “Premier League”, Nëntorin e kaluar.
Fitorja e fundit e Manchester City-t në “St James’ Park” daton 2 vite para kësaj gjysmëfinale të “EFL Cup”, kur Bernardo Silva, Kevin De Bruyne dhe Oscar Bobb shënuan në një fitore dramatike 3-2 ndaj “Magpies”, me një gol vendimtar në minutën e 91-të nga norvegjezi.
Nga Gazeta Si – Eshtë i njohur tashmë vendimi i Al Ittihad për Mario Mitajn. Mbrojtësi kuqezi nuk është në planet e trainerit Conceicao dhe duhet të largohet në merkaton e Janarit.
Futbollisti kuqezi mund të humbasë diçka në pagë por është e sigurtë që destinacionet dhe ofertat për të nuk mungojnë.
Së fundi, dy janë skuadrat që duken të interesuara më shumë për të dhe dilemma nuk është e vogël.
Fillimisht kampionatet, Mitajt i duhet të zgjedhë mes “Premier League” dhe “La Liga-s”.
E më pas dhe skuadrat, mes Sunderland në ishull dhe Atletico Madrid në gadishull.
Tek e para do të gjejë “Leader-in” dardan, Granit Xhaka që do të jetë një ndihmë e madhe në ambjentimin e Mitajt.’
Ndërsa tek e dyta, trainerin karizmatik Diego Pablo Simeone që njihet për stilin e tij mbrojtës, ku Mitaj mund të shndërrohet në një ndër lojtarët më të rëndësishëm të “colchoneros”.
Arabët kërkojnë 10 milionë euro për kartonin e mbrojtësit kuqezi, ndërsa skuadra që do ti shpenzojë dhe fanellën e të cilës, Mitaj do të veshë, mund të kërkojnë edhe pak kohë për tu mësuar.
Nga Gazeta Si – Në më pak se 24 orë nga humbja e Finales në Superkupën e Spanjës, Florentino Perez humb durimin dhe shkarkon trainerin bask.
I konsideruar “djali i shtëpisë” për periudhën e suksesshme të aktivizimit dhe trofeve tē fituar në “Bernabeu”, Alonso nuk ja doli të niste një cikël të tillë si pasues i Ancelotti-t.
Aktualisht madrilenët janë në vendin e dytë me 45 pikë, 4 më pak se Barcelona.
Në vendin e tij u emërua, ish mbrojtësi Alvaro Arbeloa (2009-2016), që vjen nga Real Madrid Castilla (skuadra e dytë).
Nga Gazeta Si – Kur duhen vetëm pak javë deri në nisjen e sezonit 2026, drejtuesit e ekipeve (Team Principal) në Formula 1 janë të zënë me përgatitjet për kalendarin prej 24 garash që i pret.
Më poshtë ju njohim me 11 drejtuesit që do të udhëheqin skuadrat e tyre përkatëse gjatë këtij sezoni në Botërorin e Formla 1.
Nga Gazeta Si – Golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në “Premier League” zgjedh lojtarët dhe trajnerin më të spikatur të 5 muajve të parë.
Alan Shearer përfitoi nga pauza e “Premier League” që la vendin “FA Cup”, dhe përzgjodhi yjet e 21 javëve të para të kampionatit.
Pjesë e “Hall of Fame” në “Premier League” dhe rekordmen për golat e shënuar, Shearer përfshiu 3 lojtarë nga Arsenali, ndërsa Sunderland, Chelsea dhe Manchester City përfaqësohen me nga dy lojtarë secili.
Formacioni i tij kombinon talentin dhe përvojën ku 7 nga 11 lojtarët e përzgjedhur janë 25 vjeç ose më të rinj.
Ndërsa skema e rrjeshtimit taktik të skuadrës është 4-3-3:
Portier – Robin Roefs (Sunderland)
Mbrojtës – Jurrien Timber (Arsenal), Marc Guehi (Crystal Palace), Gabriel (Arsenal), Marc Cucurella (Chelsea)
Nga Gazeta Si – Është konfirmuar formacioni i gjysmëfinaleve të “TotalEnergies CAF Africa Cup of Nations 2025” që po zhvillohet në Marok.
Tradicionalisht, peshat e rënda të futbollit afrikan kanë mbetur në garë pas një fundjave dramatike çerekfinalesh, të mbushura me gola, tension dhe emocione të forta.
Egjipti, Nigeria, Maroku dhe Senegali siguruan vendin në katërshen e fundit, pasi ndeshjet çerekfinale u përmbyllën të shtunën në mbrëmje.
Organizatorët e Marokut do të përballen me Nigerinë plot yje, ndërsa Senegali, që u kualifikua i pari në gjysmëfinale, do të ndeshet me Egjiptin.
Shtatë herë kampionët e Afrikës nga Egjipti, siguruan biletën e fundit për në gjysmëfinale pasi eliminuan kampionen në fuqi, Bregun e Fildishtë, me rezultatin 3-2 në një përballje spektakolare.
Ky ishte fundi i sundimit të “Elefantëve” që përgatiti një gjysmëfinale shumë tërheqëse ndaj Senegalit.
Më herët, në një derbi të tensionuar të Afrikës Perëndimore. Senegali kishte siguruar kualifikimin falë një fitoreje të vështirë 1-0 ndaj Malit, me golin e Iliman Ndiaye në pjesën e parë.
“Luanët” e Terangës treguan pjekuri duke kontrolluar ndeshjen dhe ruajtur avantazhin minimal për të arritur edhe një tjetër gjysmëfinale të AFCON-it.
Maroku mbetet në rrugën drejt titullit të parë kontinental pas 50 vitesh, pas një fitoreje të qetë 2-0 ndaj Kamerunit në Rabat.
Golat e Brahim Diaz dhe Ismaël Saibarit konfirmuan formën mbresëlënëse të “Luanëve të Atlasit” në shtëpi, duke theksuar cilësinë sulmuese dhe ekuilibrin mbrojtës.
Katërshen e plotëson Nigeria, e cila mposhti Algjerinë 2-0 në Marrakech.
Victor Osimhen zhbllokoi rezultatin pas një fillimi të ekuilibruas, ndërsa Akor Adams vulosi fitoren në minutat e fundit, duke konfirmuar rikthimin e Nigerisë në gjysmëfinale dhe një përballje spektakolare me vendasit.
Këto rezultate nënvizojnë diferencat e vogla në këtë fazë të turneut, ku përvoja dhe qetësia kanë bërë diferencën.
Pas një faze grupesh të paparashikueshme dhe një raundi të 1/8-ve tejet të fortë, çerekfinalet treguan se eksperienca filloi të peshojë.
Gjysmëfinalet do të luhen të mërkurën, më 14 Janar ndërsa “AFCON 2025” i afrohet kulmit përpara Finales së madhe në Rabat më 18 Janar.