Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Neni 6 i Konventës i zë edhe shqiptarët…

Nga Ylli Manjani

Dy gjykata penale në Itali dhe një e tillë në Spanjë (Valencia), kanë urdhëruar mospërdorimin e të dhënave të SKY ECC dhe Enchrochat.

Këto 3 gjykata i janë bashkuar kështu gjykatës penale të Zvicrës, Gjermanisë, SHBA, Bosnjes, Kroacisë, Malit të Zi ku është vendosur mospranim si provë e të dhënave me burim të paqartë ligjor.

Gjykatat e Italisë e Spanjës në unison nuk janë bindur mbi autenticitetin/ saktësinë dhe vërtetësinë e këtyre të dhënave.

Në fakt në ato të dhëna, të përftuara nga përgjimi masiv i Xhandarmërisë Franceze në bashkëpunim me policinë Belge dhe Hollandeze, përveç se kanë marrë të dhëna private nga shtetas të shteteve të tjera, kanë futur duart në këto të dhëna për t’i përpunuar ato. Pasi i kanë përpunuar vetë policët atje, kanë futur duar europolicët e Europolit. Pastaj ata të Eurojust-it. Pastaj policitë dhe prokuroritë e vendeve pritëse të këtyre të dhënave.

Kush ka mundur i ka futur duart aty, ndërkohë që të dhënat origjinale dhe mënyrën e marrjes së tyre shteti francez e mban sekret shtetëror.

Në asnjë gjykatë perëndimore nuk bën vaki të gjykohen e dënohen njerëz me të dhëna përgjimesh masive, burimi i të cilave mbahet sekret dhe, me dyshime mbi saktësinë dhe vërtetësinë e tyre.

Të gjitha gjykatat perëndimore i kanë rrëzuar ato të dhëna si të përdorshme gjyqsisht me arsyetimin se shkelet neni 6 i Konventës.

Në fakt edhe Gjykata Europiane e Drejtësisë, që vendosi gurthemelet ligjore të (mos)përdorimit të këtyre të dhënave, si dhe vetë gjykatat e larta Franceze kanë vendosur premisa për ti trajtuar përdorimin e të dhënave të SKY ECC nën dyshimet që burojnë nga neni 6 i Konventës.

Këshilli Kushtetues Francez madje, që në krye të herës, ka kërkuar që të garantohen kriteret e proçesit të rregull, ku veçanërisht të garantohet e drejta e mbrojtjes dhe barazisë së palëve në proçes.

Kurse këtu te ne ato të dhëna iu dhanë medias për gjyq popullor, ndërkohë që mbrojtësve u tregohej ligji i sekretit!!!!

Ky neni 6 i Konventës vlen njësoj edhe për shtetasit shqiptar që gjenden njësoj në ndjekje penale në shtetin e tyre me të dhëna joautentike.

Kemi 3 vite që i paraqesim këto argumenta para trupave gjyqsore në Shqipëri, por SNUK!!!

“I di SPAK-u këto punë”- thonë gjykatat tona…

Spaku del në televizor e na thotë “skemi raste nga perëndimi”….

Ja ku i keni rastet!

Një e nga një. Të gjitha me radhë.

Të gjithë po vendosin kundër dënimit të shtetasve të tyre me të dhëna kuturu policësh…

Nuk dënohen njerëz me thashetheme bisedash, aq më teoër jo autentike dhe me personazhe që nuk identifikohen shkencërisht, përtej dyshimit të arsyeshëm se janë përdorues të asaj plaforme.

E thonë gjykatat e perëndimit këtë gjë, jo thjesht neve që jemi mbrojtës ligjorë.

Dakord, e kuptoj edhe teorinë se ato gjykata nuk janë të detyrueshme për ne, po atëherë përse SPAK gjen rrjeshta nga Gjykata e Lartë e Italisë për të justifikuar budallëkun e vet?!

Po mirë po vendimet e Gjykatës së Strasburg, që SPAK i ka në çdo dosje, a janë të deryrueshme?!

Përse SPAK dhe gjykatat tona rrefuzojnë të zbatojnë ligjin vendas fundja? Ku thuhet në ligj se me përgjime masive, të dhëna të paqarta burimore, apo të dhëna jo autentike ushtrohet ndjekje penale?!

Vetëm SPAK ynë vijon të ecë në rrugë të pashkelura, krejt pa ligj e krejt pa prova.

Meqë jemi edhe në negociata me BE-në, atje, në BE pra këto të dhëna nëse përdoren në gjyq konsiderohen shkelje e nenit 6.

 

Disa konkluzione nga protesta e PD-së

Nga Ylli Manjani

1. Kuptuam se PD po rikthehet tek sjellja e dhunshme e post zgjedhjeve të 2001. Protestat me molotov dhe me grupe të rekrutuarish të dhunshëm, në atë kohë u përdorën rregullisht. Atë model risollën në skenë edhe mbrëmë…

2. Kuptuam se PD preferon më mirë të shpenzojë para për molotovë për të djegur njerëz, sesa të paguajë qiratë e dritat e zyrave të saj në rrethe për të mbledhur njerëz. Nuk po llogaris këtu ato milionat e dollarëve për Lacivitën dhe lobistët, të cilat shkojnë për të dëmtuar qeverinë, jo për të fituar PD. Madje as vetë Berisha. Me ato para do kishte patur rezultat më të mirë elektoral këtu.

Po nesje, hesap për ta ky. Por nuk është se janë të varfër dhe po përfaqësojnë të varfërit në këtë vend…

3. Ja pra që Imuniteti i deputetëve paska kuptim. Deputetët e PD që u bënë gardh për të penguar policinë të bënte detyrën, si dhe ata që dhunuan Komisariatin e policisë e bënë se janë me imunitet. Po ta bënte dikush tjetër sot do ishte brenda nën akuzë për kundërshtim me dhunë të forcave të policisë.

Sigurisht ata nuk janë imun nga ndjekja penale, por sot janë gdhirë në shtëpitë e tyre në vend të gdhiheshin në paraburgim.

Imunitet të rrufsha pallën dmth.

Ai që nuk e ka imunitetin iku me makinë dhe u mbyll në zyrë… Edhe kur u sulmua kryeministria në 1998, ashtu bëri…

4. Policia pastroi magazinën nga gazi i vjetër lotsjellës. Ai gaz i hershëm nuk ka patur rast për t’u përdorur, ndaj dje ishte rasti. Rrisku ishte që të shkonte noi polic për ndjekje penale për mos përdorim gazi. Kështu që meqë doli rasti dje e përdorën. Gazi (Bardhi) dhe të tijtë duhet të shpresojnë për “mot më mirë”… Dmth protestën tjetër me molotov të kenë gaz të freskët, të sigurtë, brenda afatit të skadencës dhe me parametra ISO të BE-së.

5. Gabim shoqërimi i fëmijës 10 vjeçar. Duhet të shoqërohen, ndalohen dhe proçedohen prindërit e tij, që lejojnë fëmijën e tyre të “kullosë” në vende të rrezikshme për një fëmijë. E drejta prindërore është e shenjtë, po kur abuzon me të shteti duhet ta heqë.

6. Sado të krenohet PD e Berishës, madje megjithë dhunën që përpiqet të shfaqet, prap nuk e arrin pjesmarrjen në protestat e PD së Lulit dhe LSI së Monikës. Dhe protestat e Lulit me thënë të drejtën ishin ditën për diell, jo natën me drita celularësh e me regji.

Ai megjith atë pjesmarrje në shesh dhe prap humbi zgjedhjet….

7. Kjo ishte një protestë e një partie politike kundër një tjetre dhe jo një protestë popullore kundër qeverisë. Jo se protestat e partive janë të palejuara, por duhet bërë dallimi. Tjetër përdorimi i dhunës nga populli i irrituar me qeverinë e tjetër është dhuna partiake se s’fiton dot zgjedhje.

8. Raportimet që agjensitë e huaja (me gazetarë shqiptarë) i bëjnë protestës me molotov, nuk janë avantazh për opozitën por i japin legjitimitet qeverisë. Të gjithë ata andej që shohin ato pamje thonë që “qeveria e paska një oponencë, pra qenka demokratikisht legjitime”.

PD mendon se dynjaja mban me vete me raportet imagjinare të ODIHR apo të DASH….

9. Nuk besoj se dikush sot, mban mend se çfarë u tha në atë protestë dhe kundër kujt e kishin atë reagim molotovi?! E kishin me Ramën, me Belindën, Me Mirlindën, me Nikon, me Gysin, me Altin Troplinin, me Prodën, me policët e turnit apo thjesht me veten, dmth për inat të Salianjit, Tikut, Gonit, Arlindit?! E kishin pro apo kundër Trumpit/Sorosit?!

10. Nejse, por një gjë e dimë mirë nga gjithë historia e protestave të molotovit:

do vijojë të rrudhet përdoruesi tij, molotovit pra.

Shteti duhet ta mbrojë Irena Gjokën

Nga Ylli Manjani

Kam patur idenë, nisur edhe nga raportime gjithfarësh ne media (gabim i madh ky), se zonja Gjoka kërkonte letra greke. Por faktet e zbuluara edhe nga hetimi i Prokurorisë së Përgjithshme, tregojnë një gjë tjetër.

Me pak fjalë:

Zonja Gjoka si çdo qytetar tjetër ka dashur të kalojë krishtlindjet në Greqi në dhjetor të vitit 2002. Autoritetet kufitare greke nuk e kanë lejuar të hyjë me arsyetimin se viza kishte skaduar.

Një vit më vonë, zonja ka marrë një vizë të rregullt në konsullatën e Greqisë dhe ka tentuar të shkojë përsëri për krishtlindje atje.

Përsëri autoritetet Greke nuk e kanë lejuar të hyjë, pa ndonjë shpjegim bindës.

Kaq janë ngjarjet në dijeninë e zonjës Gjoka, e cila ka caktuar një shtetas grek të ndjekë në autoritetet e Athinës dhe të kundërshtojë ndalimin administrativ të hyrjes së saj në Greqi.

Ndërkohë, pa e ditur ajo, në gjykatën e Janinës zhvillohet një proçes, pa proçes, pa palë e madje edhe pa avokat kryesisht. Gjykata atje ka dhënë një vendim dënimi prej 3 muaj dhe gjonë me 1500 euro. Vendimi është i vitit 2005.

Për atë vendim zonja Gjoka nuk ka patur dijeni që ekziston deri në ditët e sotme. Në të vërtetë mosdijenia e saj provohet me faktin se ai vendim atje kurrë nuk hyri në fuqi. Madje sipas ligjit Grek vendime të tilla shpallen të paekzekutuara dhe pas 18 muajsh shuhen si të tilla, pa u regjistruar në regjistrin e dënimeve penale

Pra zonja Gjoka figuron e padënuar edhe në Greqi.

Duke mos patur dijeni, sigurisht ska patur as çfarë të deklarojë në formularët e vettingut. Ndalimi i hyrjes në 2002 dhe 2003 nuk ishte i detyrueshëm për deklarim sepse nuk ishte episod i 10 viteve të fundit, siç e kërkonte ligji.

Kjo është shkurtimisht ngjarja e provuar tashmë me fakte.

Tani në këto rrethana, KLGJ duhet ta mbrojë gjyqtaren nga një sulm i padrejtë që i ka bërë një shtet tjetër. Duhet ta bëjë jo thjesht për sovranitet, por për dinjitet.

KLGJ Duhet ta mbrojë gjytaren nga hakmarrja e turmës inatçore. Duhet ta mbrojë gjytaren nga inatet e palëve gjyqsore, të cilët në shenjë pakënaqësie për vendimet e saj gjuajnë me situata të tilla, krejt fatkeqe që u ndodhin shqiptarëve rregullisht në kufinjtë e shteteve të tjera.

Ajo nuk ka kryer asnjë krim askund. Nuk është dënuar as në Shqipëri e as në Greqi.

Duke mbrojtur gjyqtaren nga një sulm i tillë, mbrohen shumë qytetarë të tjerë shqiptarë që Greqia dhe Italia i ka dënuar pa proçes e pa dijeni. Çdo shqiptar ka nevojë për mbrojtjen e shtetit të vet nga vendime abuzive. Rasti i Irena Gjokës është një arsye për të mbrojtur shqiptarët, jo për ti dënuar më tej ato.

Duke mbrojtur gjyqtaren mbrohet shteti, e drejta dhe një standart që ne po e kërkojmë edhe për qytetarët e thjeshtë.

Nuk ka dënime të rregullta me proçese pas shpine, pa proçes dhe madje edhe pa avokat kryesisht.

Kjo nuk e bën aspak imune gjyqtaren Gjoka nga hetimet dhe inspektimet për vendimet që ajo jep.

Por historitë personale të së shkuarës, që ligjërisht janë parashkruar, janë dëshmi e gjallë se si ndaj nesh shtetet e tjera kanë abuzuar.

Një shtet normal e mbron shtetasin e vet, jo ta sulmojë. Greqia e mbron grekun, nuk e sulmon për llogari të shqiptarit….

Rasti i Irena Gjokës, përtej shkumës në emër të moralit popullor

Nga Ylli Manjani

I. Në planin ligjor.
1. Nuk lexohet një nen/paragraf i vetëm që të na plotësojë dëshirën, por duhen lexuar në harmoni disa ligje së bashku. Duhet lexuar Kushtetuta; ligji për statusin e magjistratëve; ligji për dekriminalizimin; Kodi Penal; ligji për pushtetin gjyqësor. Të paktën këto ligje duhen lexuar në harmoni që të kemi një kuptueshmëri dhe arsyetim të drejtë mbi rastin.
2. Siç njofton Prokuroria e Përgjithshme, rezulton i vërtetë fakti se zonja Gjoka ka një vendim dënimi në Greqi. Është dënuar me 2 muaj burg dhe 1500 euro gjobë.
3. Po sipas Prokurorisë së Përgjithshme, në formularin e dekriminalizimit të dorëzuar në fund të vitit 2016, zonja Gjoka nuk e ka deklaruar këtë dënim. Por për shkak se konstatimi është bërë pas afatit të parashkrimit, nuk referohet dot më për ndjekje penale.
4. Pra duke mos patur mundësi për ndjekje penale, Prokiroria e ka referuar rastin në KLGj për të parë mundësinë e masave disiplinore ndaj gjyqtares, për çështje të etikës.
5. Ligjërisht, gjykatësit shkarkohen automatikisht kur dënohen me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.
6. Gjyqtarja Irena Gjoka nuk është dënuar nga asnjë Gjykatë e Republikës së Shqipërisë. Të paktën nuk ka asnjë fakt për këtë gjë.
7. Që dënimi i gjykatës Greke të bëhet i zbatueshëm në Shqipëri, duhet të bëhej në kuadër të ligjit të dekriminalizimit. Problemi është që ai ligj nuk zbatohet në këtë rast sepse:
a. Vepra penale e fallsifikimit nuk gjendet në listën e neneve të kodit penal që parashikon ai ligj në nenin 2 të tij.
b. Dënimi i dhënë nga gjykata Greke është më pak se 6 muaj burg, kriter tjetër ky që ligji të veprojë.
8. Pra ligji i PD, për dekriminalizimin ka vendosur vetë të mos i konsiderojë dënimet e lehta. Ndaj nuk vepron në këtë rast.
9. Në këto kushte, mbi bazën e këtyre fakteve që janë të njohura, gjyqtarja nuk quhet e dënuar penalisht që të justifikohet masa e shkarkimit nga detyra.
10. KLGJ i kërkohet të eksplorojë mundësinë e dënimit disiplinor për shkaqe të tjera. Sigurisht ajo do të duhet të bëjë një hetim administrativ dhe të pyese edhe vetë gjyqtaren dhe të nxjerrë konkluzionet përkatëse.
Deri atëhere, nuk ke se ç’ti shtosh më kësaj çështje. Por shkarkimi i gjyqtares nuk është absolut tashmë. Ka edhe masa të tjera disiplinore…

II. Sa i takon moralit.
1. Në një shoqëri me shtet, morali më i lartë është ai që shkruhet në ligje. Pra në ligje dhe jo tek qytetari digjital,apo në studio televizive.
2. Morali tej gjuhës së ligjit dhe llogjikës së fakteve është subjektiv dhe individual. Pra i pamjaftueshëm për të justifikuar vendime dënimi për askënd.
3. Kolektivisht jemi shoqëri që halli na ka bërë të jemi në kërkim për letra të shteteve të BE. Nuk kemi pse bëjmë sikur dhe të gjykojmë tjetrin, kur vetë s’lemë gjë pa bërë për ti siguruar ato letra. Gjyqtarët tanë janë pjesë e këtë saj shoqërie…
4. Gjykatësit prodhojnë vendime gjyqsore të cilat pa asnjë dyshim i nënshtrohen kritikës publike.
5. Personalisht kam qenë e jam kritik me vendimet e gjyqtares Gjoka në rastin Beleri dhe në masat që mori kundër Berishës, dhëndrrit të Tij dhe të tjerëve. Të dyja ato vendime janë joproporcionale dhe që duhet të ishin shmangur.
6. Për rastin Beleri kam qenë ndoshta i vetmi në hapësirën publike që e kam kritikuar atë ndjekje penale. Megjithëse kisha të gjithë opinionin patridiot kundër. Patridiotët gjenin te Irena Gjoka heroinën e Shqipërisë, ndërsa mua më quanin “grek muti”.

Tani sot po u them unë:
Përse e gjykoni heroinën tuaj?!
Mbrojeni sepse ajo nuk ka kryer asnjë krim në Shqipëri, përkundrazi u plotësoi dëshirën për të dënuar atë “grekun”.
Mos më bëni mua tani tua kthej atë shprehjen që më vutë atëherë, se do bëhej një nevojtore e madhe ky vend….
Ndaj edhe morali përtej ligjit ka disa standarte. Ai nuk bëhet rast pas rasti e sipas qejfit të ditës.

 

Letrës së Trump për Ramën i dha vlerë narrativa idiote e PD-së

Nga Ylli Manjani 

Nuk më impresionon fare ajo letër apo ftesë që Edi Rama ka marrë nga Donald Trump, për të marrë pjesë në një bord paqe. 

Nuk jam ndonjë fans i këtyre gjërave, për më tepër që nuk mendoj se Shqipëria fiton ndonjë gjë. Aq më tepër në këto shpikjet e Trumpit në hapësirën ndërkombëtare janë të gjitha të bazuara në llogari tregëtare. Nga kjo tregëti ne nuk kemi haber e as këllqe që të konkurrojmë. 

Neve nuk na hyn asgjë në xhep nëse Edi Rama e ka mirë apo jo me Trump dhe, do jetë apo jo anëtar i një bordi paqe për Gazën. Shpresoj që të paktën të mos na dalë gjë nga xhepi…. 

Po të mos ishte ajo narrativa idiote e PD, sipas të cilës Trumpi do rrëzojë/rrëmbejë/fusë në burg Ramën, askush nuk do shkonte te berberi këtë fundjavë për të komentuar atë letër të Trumpit. 

Asaj letre i dha valencë PD, me narrativa e reagime idiote. Kanë ndërtuar një kauzë për protestë mbi këto idiotësira, ndaj dhe u kapën gafil. 

Ndërkohë, një opozitë për të qenë, ka të paktën 300 kauza vendase për të protestuar. Vetëm për hesap të Trumpit, ca më keq akoma për hesap të marrëdhënieve personale të Tij me Ramën nuk ke se çfarë proteston. 

Se ja ta zëmë se Trump dhe Rama shkojnë keq e ça pastaj?! 

Askush nuk fiton, as opozita nuk fiton gjë nga një armiqësi Trump-Rama.  Atëhere pse ky entuziasëm? Aq më tepër entuziasëm fals i bazuar në narrativa gjërash të stisura. 

Kjo narrativë e PD i dha vemendje të shtuar asaj letre ftesë të Trump për Ramën. Ajo letër në fakt nuk ka asnjë vlerë tjetër, përveç se sfumimin narrativës false të PD. Asgjë më shumë. 

Shqipëria ka nevojë për amnisti politike! Mos na hapni barkun me..

Nga Ylli Manjani

E përshëndes nismën e Ministrit të Drejtësisë për amnisti penale.

Padyshim, kemi sistemin më agresiv penal në Europë dhe si i tillë duhet patjetër të ketë masa relaksuese. Jemi shumë pak njerëz dhe me këtë ritëm burgu për çdo gjë po bëhet rracion për të gjithë.

Nisma meriton respekt.

Jam i gëzuar që disa shqiptarë do përfitojnë nga kjo amnisti.

Por njëkohësisht ndjej edhe pak trishtim sepse janë po ato argumente që kanë qenë gjithmonë për bërjen e një amnistie.

Kjo tregon se asgjë skemi mësuar nga e shkuara.

Më ka qëlluar të jem nismëtar i dy amnistive penale në të shkuarën, ku shumica politike parlamentare nuk ka qenë kaq e qartë sa sot. Na është dashur të luftojmë shumë dmth për çdo votë deputeti. Por këto argumente si këto të sotmet përdorëm.

Për fat të keq, as në kohën time e as sot, nuk dalim dot nga një mentalitet disi hipokrit. Totalisht i pasinqertë dhe, i mbushur me 100 komplekse krejt idiote.

Vendi, sot më shumë sesa në të shkuarën, ka nevojë për një amnisti penale të mirfilltë POLITIKE.

Duhet një amnisti që të peshojë më fort tek ndjekja penale. Në fakt për këtë fazë është shpikur koncepti amnisti. Se për të dënuarit ka falje të individualizuar.

Sot është momenti që Parlamenti ti japë një mesazh të fortë drejtësisë, veçanërisht ndjekjes penale për fjalë goje apo mesazhe celularësh; ndekjes penale për inate politike kundërshtarësh; ndjekjes penale ndaj medias e gazetarëve; ndjekjes penale pa pasojë e fakte kriminale; ndjekjes penale që kënaq turmat dhe nxit drejtësinë popullore.

Po, po, parlamenti duhet të amnistojë Erion Velinë si njeri i votuar ende në detyrë dhe Ilir Metën si president i këtij shteti, që nuk provohet ende ti ketë sjellë dëm shtetit. Mund ti ketë sjellë dëme vetes e partisë së tij, por jo shtetit.

Sigurisht që po, amnistia duhet të çlirojë kryetarin e opozitës nga çështje penale që janë pa asnjë lidhje me të shkuarën e tij si Kryeministër. Bashkë me të edhe familjarët e Tij, që janë në ndjekje penale vetëm pse janë familjarët e tij.

Duhet me se s’bën një amnisti penale për bisnesin që të gjendet në ndjekje penale kot fare. Po fare fare. Të bësh tregëti, të lidhësh kontrata e të fitosh nuk mund të quhet krim, o njerëz!

Gjykimi në një amnisti, padyshim që është POLITIK. Nuk ka pse kompleksohet politika me teori pislliqesh jokobine mbi “pandëshkueshmërinë”.

Çdo me thënë pandëshkueshmëri, kap e fut në paraburgim njerëz pa prova?!

Ky është momenti, amnistia është instrumenti kushtetues, që i jep drejtim këtyre fenomeneve jakobine.

Po mor po, jakobinët do duhet të jenë të palumtur nga amnistia politike penale.

Parlamenti e ka këtë të drejtë kushtetuese që të vlerësojë politikën penale në vend dhe të japë mesazhe dhe zgjidhje për parregullsitë, kur bëhen normë sjellje.

Dhe mos na thoni se amnisti të tilla nuk na i lejoka Amerika. Pash zotin mos na fyeni të paktën!

Cili amerikan do ishte kundër një amnistie sovrane të një vendi sovran?

Po Donald Trunpi që amnistoi e amniston ende njerëz që kanë vrarë atje. E pra e bën politikisht e pa e pyetur parlamentin fare. E keni dëgjuar që thotë se polici që vrau atë aktivisten e majtë është në mbrojtje federale, apo jo?!

Apo doni faljen që presidenti Biden i bëri të birit?!

Ndaj mos na hapni barkun me amerikanizma e me jakobinizma.

Vendi e ka të nevojshme një amnisti, pse jo një paqe penale për të krijuar një qetësi që duhet ti paraprijë reformave shumë të thella që kërkohen.

Parlamenti është krejt legjitim ta bëjë, pavarësisht nismës së cunguar të qeverisë për amnisti. I duhet vetëm përgjegjmëri dhe qytetari që ta bëjë këtë gjë.

Manjani: Nuk ka drejtësi cilësore pa hetim cilësor! Janë bërë si manjakë celularësh dhe spiunë jetësh private..

Nga Ylli Manjani

Policia e korruptuar gjer në fyt i ka kapur nja 600 e kusur kg drogë.

Kurse SPAK e BKH, të ndershmit heronj të kalamajve, kanë kapur vetëm llafe dhe asnjë gram drogë. Po asnjë asnjë. Llafe, letra dhe celularë kanë zënë. Asnjë produkt apo mjet krimi… Në vend të kishin magazinat plot me drogë të kapur, siç edhe thonë letrat e çështjeve që hetojnë, kanë mbushur zyrat me përgjime dhe magazinën me celularë të sekuestruar kuturu.

Janë bërë si manjakë celularësh dhe spiunë të jetës private, si dikur ushtarët e Gardës te liqeni, që gjëmonin çifte të rinjsh që bënin turpe andej…

Nuk jam fans i policisë e as i spak, po ky tregues statistikor më pëlqen shumë. Ma sfidon komplet llogjikën aq sa nuk e di ç’është më mirë, të jesh i korruptuar dhe rezultativ apo i ndershëm dhe katil që dënon njerëz për fjalë goje?!

Nejse, po nuk ka drejtësi cilësore nëse denimi penal bëhet pa produkt e pasojë penale.

Fjala mort nuk ban – thotë kanuni. Kurse për spakun fjala, prona, qëllimi i fitimit, tregëtia, kontratat civile, e të tjera veprime normale të njeriut janë vepra penale…

Cilësi, jo shaka!

Politika të mbledhë mendtë e kokës e të bëjë punën për të cilën votohet e paguhet!

Nga Ylli Manjani

Mero Baze i ka rënë në kokë definicionit të krizës së sotme në vend. Po, ashtu është, e vetmja krizë është ajo ndërmjet pushtetit të drejtësisë me pushtetin politik në vend.

Në të vërtetë kriza nuk ka ardhur pse drejtësia heton, gjykon e dënon, por sepse në emër të hetimit, gjykimit e dënimit ka shtuar dozën e abuzimit. Nga ana tjetër pushteti politik i kompleksuar ideja që shpiku vetë “e pandëshkueshmërisë”, i la rrugën e lirë drejtësisë penale të bëjë çtë dojë edhe në në abuzim me kërkesat e proçesit të rregullt ligjor. “Punë madhe, le ti bien atij tjetrit..”

Megjithëse gjykata e Strasburgut ka goditur, fort madje, proceset e parregullta gjyqsore në këto vite të post reformë, përsëri abuzimi vazhdon. Nocionet bazë mbi mënyrën e marrjes së provës; mbi kontrollet dhe përgjimet; mbi fillimin e ndjekjes penale; mbi garancitë në hetim e gjykim; mbi barazinë e palëve në proçes; mbi respektin e konfidencialitetit e privatësisë; mbi të drejtat e apelit; e deri tek nocionet fillestare të mos heqjes së lirisë pa provë, apo të njohjes së personave me akuzat e materialet që e shaqërojnë atë, kanë MARRË GODITJE të RËNDA.

Padyshim jam i vetëdijshëm se debati publik mbi çështje të proçesit të rregullt nuk është aspak seksi për pritshmëritë e turmës që kërkon gjak e mish njeriu të freskët. Jam gjithashtu i vetëdijshëm se edhe politikanët pa pushtet e kanë më kollaj të eksitojnë turmat me jakobinizma përgjimesh të bëra publike pasi nxirren nga konteksti, sesa të mendojnë për ndërhyrje në sistemin legal që ndalojnë abuzimet e drejtësisë me ligjin.

Por një gjë duhet ta fiksojmë mirë:

PROÇESI I RREGULLT është GARANCIA e publikut dhe e çdo individi. Vetëm proçesi i rregullt të mbron nga abuzimi i punonjësve të drejtësisë.

Nëse drejtësia nuk kufizohet në mënyrë të tillë që të vendoset në shinat e proçesit legal të rregullt, të gjithë jemi të dënueshëm pa i patur asnjë borxh askujt. Sigurisht diçka do të ta gjejnë e shpikin që të ta japin edhe ty ndëshkimin. Së kështu është sistemi sot,të fusin brenda dhe pastaj ta gjejnë një gjë që do e kesh bërë….

Por mos harroni, drejtësia penale nuk është shpikur për të kriminalizuar njerëz me zor, as për të izoluar njerëz pa fakte, por për të dënuar fajtorët strikt mbi bazë provash, jo llafesh apo dyshimesh. Madje, që ta dini, principi i proçesit të rregullt është se dyshimi shkon gjithmonë në favor të të dyshuarit/pandehurit.

Prova e gjallë e abuzimit të drejtësisë me parimet e proçesit të rregullt është numri i lartë i të izoluarve në burg si të paraburgosur. Kemi më shumë të izoluar (deri në 60%) në burg pa prova sesa të dënuar me vendime të formës së prerë.

Kjo është prova fatale e drejtësisë penale abuzive me ligjin dhe të funksionet e saj.

Provë tjetër se drejtësia abuzon me proçesin është bërja publike e të dhënave strikt konfidenciale hetimore, veçanërisht përgjimet dhe dëshmitë. Kur ta bëjnë gjyqin në publik, është tregues se dosja është e varfër në prova. Nëpërmjet gjyqit publik rritet presioni ndaj gjykatës, e cila zakonisht nuk guxon të vendosë ndryshe nga sa ka “vendour publiku”… Drejtësi popullore dmth….

Në të vërtetë, njerëzit janë bërë disi më të vetëdijshëm për këtë situatë tani që drejtësia ka goditur njësoj me abuzivizëm edhe figura politike. Nuk ishte dhe as është ende e njëjta vetëdije për abuzimin me të hetuar, arrestuar e të pa kallur të tjerë, njerëz të zakonshëm në këtë vend. Sepse ata nuk kanë akses në media edhe kur kjo e fundit i gjykon me “burimet” e marra nga drejtësia e parregullt.

Por besoj një gjë e thjeshtë kuptohet mirë:

Kur drejtësia guxon të abuzojë me politikanët, imagjinoni se ç’bëjnë me të tjerët…

U them me garanci profesionale se kjo është e vërtetë.

I godasin si gomarin në duhan!

Të kuptohemi jo gjithmonë, por jo të rralla janë rastet e abuzimit me proçesin e rregullt.

Pa asnjë dyshim, hetizim, apo pishmanllëk, ky realitet duhet të ndryshojë.

Po, politika, pa penguar aspak drejtësinë në kryerjen e funksioneve të ligjshme, duhet ti vendosë kufinjtë asaj.

Parlamenti i Republikës ka detyrë të ndalojë këtë abuzim masiv të drejtësisë me liritë dhe të drejtat themelore në vend.

Dhe po, Edi Rama dhe maxhoranca e tij që thonë se “i dhanë shpatën” drejtësisë, të parët duhet të vendosin rregulla se si kjo shpatë nuk vret njerëz pa fakte e pa proçes të reegullt. Nuk po i kërkojmë tia heqin shpatën, por të vendosin rregulla të qarta dhe kufinj legalë të prerë për përdorimin e saj.

Ai që të jep armën të vendos edhe rregullat e përdorimit të saj. Vetëm ata që mbajnë armë pa leje e përdorin sipas qejfit të tyre.

Patjetër që po, Sali Berisha i cili është edhe viktimë e proçesit të parregullt, do duhet të jetë i gatshëm të ndihmojë për të futur drejtësinë në shinat e proçesit të rregullt.

Në asnjë mënyrë nuk sugjerohet që politika të diktojë proçese konkrete, por bërja e rregullave është detyrë e saj, jo e drejtësisë.

Nuk sugjerohet as shkrirje e as ngrirje, por një gjë e vetme:

Krijimi i një GJYKATE TË PAANSHME. E një gjykate që njeh provën jo llafet. Një gjykatë që i tregon vendin prokurorit abuzues, njësoj siç i tregon derën e burgut kriminelit.

Politikanët e partitë të zihen e grihen sa të duan, për nëse vërtetë duan drejtësi duhet të bëjnë reforma.

Duhen reforma jo llafe, as thirrje patetike, as peticione jokobine e ca më paq spiunllëqe ambasadash.

Mblidhni mendtë e kokës o njerëz e bëni punën për të cilën jeni mandatuar e paguheni!

Na i kurseni mesazhet, ju lutem, se më duket sikur thoni “mos u gëzofsh inshalla”, ose “plaç në vend”

Nga Ylli Manjani

Ky urimi “Gëzuar vitin e ri” është hipokrizi. Nuk ka asgjë të vërtetë në të. Një fallsitet kolektiv që nuk vjen nga ndonjë emocion personal, individual. Të gjithë urojnë të gjithë si me qenë politikanë…

Në fakt ky është urim që vjen nga një dehje kolektive. Ngjan më tepër si një qokë statistikore sesa urime jep dhe sa merr, sesa një urim i sinqertë që buron nga një dëshirë e brendshme.

Është njësoj si shprehja “sa i mirë ishte ai që vdiq”. Pavarësisht se i vdekuri ka qenë në “qenbirqeni”, prapë bëhet i mirë.

Kështu është edhe ky urimi “gëzuar”. Kot fare. Pa asnjë sens apo emocion festiv të vërtetë.

Kur shoh mesazhe të tëra me “Gëzuar” në inbox apo sms, më duken të gjitha pështyma sharje. Në vend të “Gëzuar” më ngjan sikur thonë “mos u gëzofsh inshalla”, ose “plaç në vend”..

Disa prej miqve virtualë që s’lenë sharje pa më bërë në rrjete sociale, kur më urojnë “Gëzuar”, janë kulmi i kulmit madje.

Nejse, po kështu e mendoj këtë gjë. Festat publike në shoqërinë tonë janë thjesht ditë pushimi, ushqimi dhe zgërdehje trush në alkohool. Ndaj urimet kolektive e publike nuk janë të vërteta, por qoka bezdisëse.

Prandaj nuk uroj dynjanë, përveç miqve të mi të cilët i dua me zemër të jenë të gëzuar (jo të dehur), çdo ditë të vitit. Dhe nuk më pëlqejnë as të tjerët, të cilët nuk i uroj, të më urojnë.

Gëzoj apo jo është e gjitha puna ime dhe e familjes sime.

Ndaj na i kurseni mesazhet, u lutem.

Njat’jeta!

Përgjimet dhe dëshmitë, si ushqim për gjyqin popullor

Nga Ylli Manjani

Vendimet e masave të sigurisë janë ushqimi bazë për “drejtësinë popullore”.

Nuk di të ketë raste të tjera të ngjashme në perëndim, ku gjykatat për të justifikuar një masë arresti shkruajnë 200, 300, 400 e deri 500 faqe vendim.

Në fakt, gjykata në këto raste ka për detyrë të shpjegojë thjesht arsyet përse duhet aplikuar masa e sigurisë dhe përse kjo masë është në proporcion me nevojën, rrezikun e dështimit hetimor dhe lirisë  individit.  Sa faqe doni ti japim kësaj gjëje? 5, 10 ja maksimumi 20. Por kurrsesi 200 faqe e lart.

Në vendimet e gjykatave të masave të sigurisë do të gjeni çdo gjë, çdo thashethem apo hamendësim nën pretekstin “dyshim i arsyeshëm”, por vetëm arsyet përse njeriu duhet siguruar nuk thuhet, ashtu siç kërkon ligji me prova e arsye bindëse.

Tani pyetja lind, përse kaq shumë faqe të shkruara për një detyrë shumë më të thjeshtë?!

Gjykatat tona, veçanërisht GJKKO, mbush faqe të tëra vendimi me tekste përgjimesh; me thënie dëshmitarësh; me foto provash të cilat duhet të ruhen nga prokurori i çështjes në dosje si sytë e ballit.

Këto materiale hetimore, jo gjykatësit të masës po as gjykatësit që gjykojnë themelin e akuzës nuk duhet ti shikojnë paraprakisht. Të paktën përgjimet e dëshmitë jo.

Atëherë përse i shkojnë gjykatësit të masës?!  Përse ky i fundit i përfshin në mënyrë krejt të panevojshme në tekstin e një vendimi i cili sado ta ruash prap bëhet publik?! Se vendimet e gjykatave nuk sekretohen, siç sekretohet dosja hetimore dreqi e mori!

Sigurisht ka edhe të dhëna të tjera që nxjerrin prokurorët për të dëmtuar mbrojtjen e të hetuarve apo pandehurve, po shumica e atyre që thonë se “kam lexuar dosjen” në fakt lexojnë vendimet absurde të gjykatësve të masave të sigurisë, të cilat në thelb bëjnë përmbledhje të montuar përgjimesh, apo thënie të shkëputura dëshmish.

Përgjimet dhe dëshmitë janë super interesante për të bërë gjyq popullor. Dhe gjyq që nuk i jep asnjë shanc viktimës të mbrohet më publik jo e jo që s’mbrohesh dot se të shqyejnë, por as në sallën e gjyqit nuk mbrohesh sepse gjykata e ka dhënë verdiktin e saj që në fazën e hershme hetimore.

Pra ti gjykohesh nga një gjykatë që e ka paragjykuar bashkë me popullin(turmën) çështjen.

Kjo që ndodh sot në realitet nuk ka asnjë lidhje me proçesin e rregullt ligjor. Asnjë lidhje me hetimin e gjykimin e paanshëm e të drejtë. Asnjë, po asnjë lidhje!

Kjo është një situatë që kërkon saktësime ligjore shtesë që rrigin garancitë për proçes të rregull gjyqsor në sallën e gjyqit dhe jo në studiot e lajmeve.

Por ligji nuk mjafton.  Kërkohet saktësim i praktikës gjyqsore nga Gjykata e Lartë, duke vendosur kufinj të qartë të rolit të gjykatës dhe të mënyrës së administrimit të provave dhe të dhënave hetimore.

Dhe po, duhet të ketë edhe masa disiplinore për gjykatës që me vetëdije të plotë lejojnë nxjerrjen në publik, dmth vendimi i tyre është dokument publik, të të dhënave hetimore.

Drejtësia Popullore është dëmi më i madh që i vjen publikes. Edhe shkatërrimi popullor i individit është pjesë e dëmit publik.

Rezoluta kopile që do rrëzojë Ramën në mars…

Nga Ylli Manjani  

Gallatë ore gallatë e madhe.  

Një kopil që ka përshtatur një tekst sikur Amerika për 90 ditë do merret me AKSH-in, resortet turistike, bisnesmenët dhe zyrtarët e mesëm, tekst të cilin e ka shpërndarë në whatsap, është programi humoristik më i madh i këtyre ditëve.  

Sigurisht kush nuk di shkrim e këndim e ha këtë gjë dhe e merr të mirqenë. Por në total gallata është e madhe.  

Dmth Trump-i që propozon të bëjë gjithë Gazën resort, këto në Shqipëri dashka ti mbyllë. Hahahahahahahahahahaha… 

Dhëndërri i tij do të investojë në Shqipëri, kurse rezoluta kopile thotë se amerika do i çojë në spak ndërtuesit, dmth edhe Jared si ndërtues resorti do shkojë në SPAK. Pra Trump dashka të heqë qafe dhëndrrin e vet duke e futur në burg nga SPaK…  

Gallatë ore gallatë, po them. 

Hahahahahahahahahahahah.. 

Në të vërtetë që prej muajit shtator gjendet një projekt rezolutë në Kongresin Amerikan, teksti prej 45 faqesh i së cilës, sugjeron krejt të kundërtën e tekstit që sugjeron kopili humorist, që mban me gajret SHQUP-in dhe komentatorët publikë që çdo gjë e lidhin me amerikën… hahahahahahha  

Rezoluta flet për nxitje investimesh dhe mbështetje amerikane në ballkanin perëndimor, ku Shqipëria përmendet me emër vetëm 1 herë si vend i NATOS.  

Amerika sugjeron mbështetje në ballakan ndaj sulmeve kibernetike, jo mbyllje të shërbimeve online që të kënaqen spak-sat në këtë vend. 

Madje në një paragraf aty sugjerohet që të asistohet Balkani perëndimor që të mbrohet nga dezinformimi. Dmth të mbrohet nga tekste kopile e kopilash si ky që shpërndahet në whatapp-e e portale për të ngatërruar dynjanë, ndoshta edhe për të nxitur reagim të dhunshëm në emër të Amerikës…. 

Nejse, po kushdo që ka interes të njihet me tekstin origjinal, jo kopil, të projekt rezolutës që gjendet në kongres që prej shtatorit e ka këtu linkun.  

Sugjerohet leximi i krahasuar me tekstin kopil që të qeshni … 

Dokumente bashkëngjitur

Dy praktika që nuk kanë lidhje me procesin e rregullt ligjor

Nga Ylli Manjani

1. Kushtetuta në nenet 27 e 31 të saj, garanton shtetasit e këtij shteti se, cilido që gjendet nën akuzë ka të drejtë themelore të njihet HOLLËSISHT me akuzën dhe të ketë mundësi të MBROHET efektivisht. Ata kanë të drejtë të komunikojnë LIRSHËM dhe më KONFIDENCË me mbrojtësin ligjor.

Çfarë ndodh realisht në gjykatën post-reformë:
a. Shtetasit arrestohen, pra humbin lirinë, pa akuzë fare.
b. Shtetasit nën akuzë duhet ta blejnë me para tekstin e akuzës dhe materialet që e shoqërojnë atë.
c. Shtetasit nën akuzë, në paraburgim dhe pa para thjesht nuk kanë mundësi të njihen fare me asgjë nga dosja kundër tyre.
c. Shtetasit nën akuzë dhe në paraburgim, megjithëse kanë para nuk i lejon siguria e burgjeve të njihen me dosjen.
d. Shtetasit nën akuzë dhe të paraburgosur kur sillen në gjyq kyçen në kafaz të blinduar, ku nuk komunikojnë dot me avokatin.

Këto i ndodhin të gjithëve sot, jo vetëm VIP-ave. Këto të fundit duhet të bëjmë “shyqyr” që gjenden në këto kushte për të kuptuar se ç’u bëjnë të tjerëve, të zakonshmëve…

2. Neni 42 i Kushtetutës, ndër të tjera garanton shtetasit e këtij shteti se kanë të drejtë të gjykohen nga një gjykatë E PAANSHME.

Nuk po risjell në vemendje këtu ligjet që e vendosin realisht prokurorinë mbi gjykatën, as praktikat intimiduese të SPAK ndaj saj. Por po ndalem në një aspekt të frikshëm ligjor antikushtetutë e antidrejtësi:

Gjykata sot ka të drejtë me ligjin proçedural që të akuzojë shtetas, jo me akuzën e ngritur nga prokurori si palë në gjykim, por me një akuzë tjetër që do gjykata.

Pra me pak fjalë gjykata, që duhet të jetë e paanshme nga palët bëhet njëra palë, në këtë rast bëhet edhe akuzuese. I pandehuri është pala tjetër, i cili nuk ka më përballë prokurorin por gjykatën?!

Tani, a mund të jetë e paanshme një gjykatë që edhe akuzon edhe gjykon akuzën që ngre vetë?!

Edhe kjo praktikë gjendet sot në raste të ndryshme, e cila mbështetet në ligjin proçedural, por nuk ka asnjë lidhje me gjykimin e rregullt sipas Kushtetutës.

Konkluzionin nxirreni vetë…

Llafet e telefonave nuk mund të quhen dosje!

Nga Ylli Manjani

Kot sa për muhabet d.m.th, po kur thonë “dosja e Ballukut” është thjesht memoria e vjedhur e celularit të Ervis Berberit.

D.m.th është interesante për gallatë publike, por jo për t’u quajtur dosje hetimore.

Dosja hetimore sa për informacion kërkon fakt/pasojë/ngjarje penale; dokumentacion zyrtar autentik; dëshmi, foto, video autentike, konstatime ekspertësh; ballafaqime. Pra gjëra të marra nga prokuroria në mënyrë të ligjshme dhe që kanë lidhje me ardhjen e pasojës kriminale.

Dosja hetimore nuk mund të përbëhet nga përgjime. Kështu tha ky e kështu i tha ajo, nuk janë as prova e as dosje. Ato janë thjesht thashetheme.

Aq më pak janë prova këto thashetheme të marra nga memoriet e telefonave të sekuestruara dhe jashtë objektit të vendimeve të gjykatave për të cilat u bllokuan.  Kjo në fakt ka ndodhur me memorien e celularit të Ervis Berberit. Përdorimi i memories së celularit të tij tej manandatit që i la dhënë gjykata spak, është i paligjshëm!

Por le të rrimë në princip. Nuk përbëjnë në asnjë rrethanë provë fjalët e celularëve.

Se në memorie celularësh mund të gjesh biseda të llojllojshme, por ato nuk mund të jenë arsye për të kriminalizuar njerëz.  Fjala vjen djemtë i thonë rregullisht njëri-tjetrit për të treguar se sa laca janë, “e përdhunova fare atë…”, tani ça do të thotë kjo se ky duhet arrestuar e dënuar për përdhunim?! Le pastaj memoriet e telefonave të femrave…. pu pu pu pu….

Por duhet të kuptojmë se ndjekja penale në këtë vend, ka arritur në këtë ekstrem. Fjala përbën krim!!!

E përsëris me fjalë mund të bësh gallatë, mund të bësh edhe politikë po deshe. Nga fjalët mund të krijosh edhe opinion, por jo ndjekje penale.

Nejse, e di që këto gjëra si pëlqejnë turmave, po aq më bën.

Hajde by tani, e mendjen te imuniteti sot ore…

The post Llafet e telefonave nuk mund të quhen dosje! first appeared on JavaNews.al.

Prokurori është thjesht palë

Nga Ylli Manjani

Për fat të keq në kulturën e debatit publik është ngulur thellë ideja që ajo që thotë prokurori është e drejta. Në të kundërt, kur flasin avokatët kjo kulturë tenton ti relativizojë dhe ti injorojë.
Kush tha se ajo që thotë prokurori është e vërteta, ca më shumë akoma vetë e drejta?!
Sa më takon, në të gjitha qëndrimet e mia publike për tema të drejtësisë, i rri gjithmonë principit se prokurori është thjesht palë dhe se duhet marrë me dyshim ajo që ai thotë.
E di shumë mirë që kjo qasje nuk është interesante për turmën që do gjak e mish njeriu, por këtë kam dhe nuk më intereson fare turma.
Mllefin apo pakënaqësitë me politikanë e kriminelë i nxjerr kur mendoj e shprehem politikisht si çdo qytetar tjetër.
Nuk kam qenë në dashamirësi politike as me Saimir Tahirin, as me Sali Berishën, as me Erion Velinë, as sot me Belinda Ballukun apo Mirlinda Karçanajn. Por analiza ime ligjore e çështjeve të tyre është nisur gjithnjë nga prezumimi se prokurori është vetëm njëra palë.
Më tej akoma, kur prokurorët veprojnë me inat, mllef, e pasion protagonist të tepruar, ata duhen trajtuar më shumë sesa pala tjetër. Duhen trajtuar si zyrtarë të rrezikshëm sepse nuk zbatojnë ligjin, por shpalosin inatin.
Kjo është e papranueshme!
Ka qenë e papranueshme për Sajmir Tahirin kur shkumëzonin për kanabizim, ndërsa në letra kërkonin shpërdorim detyre për 100 euro dietë të pakthyer.
Ka qenë i papranueshëm mllefi dhe inati i prokurorëve për Sali Berishën, kur kërkuan imunitetin për inat se u ankua në kushtetuese për një masë tjetër.
Njësoj e papranueshme është edhe sjellja gjithë mllef e prokurorëve ndaj Erion Velisë, i cili sa herë ankohej i nxirrnin një bidaf të ri. I papranueshëm veçanërisht gjuha e mllefit personal ndaj tij nga ana e prokurorit në sallën e gjyqit!
Njësoj edhe trajtimi i Ilir Metës, që se lënë të luajë as pingpong me arsyetimin “ça ke që flet”.
Dhe po njësoj duhet trajtuar edhe inati prej kalamani ndaj Belinda Ballukut, ku prokurorët për inat të humbjes së tyre në kushtetuese kërkojnë masa më të ashpra. Asnjë motiv ligjor, thjesht inat, mllef, protagonizëm. Ça ndryshoi në gjendjen e dosjes në 3 ditë?!
Të gjitha këto raste kanë brenda mllef, inat,protagonizëm absurd të prokurorëve dhe jo arsye ligjore. Prova gjyqsore jo e jo.
Tani, nëse kësaj sjellje personale që nuk motivohet në ligj e prova, nuk i vihet fre nuk ka kuptim më drejtësia.
Si fillim dhe më së shumti i takon Parlamentit të vendosë kufinjtë e duhur ndaj kësaj sjellje.
Parlamenti si fillim nuk mund të lejojë më që personat me imunitet ti nënshtrohen gjykimit të mllefosur të njërës palë. Ata nuk janë imunë ndaj hetimit e gjykimit. Por nuk ka pse për inat të prokurorit që kërkon me çdo kusht të marrë pjesë në politikë si “i pavarur”, të lejohen burgosje për të kënaqur turmat.
Më demokraci kjo nuk pranohet.
Sado kosto politike të sjellë kjo gjë, nuk duhet lejuar.
Se sot i ndodh atij që sdo, nesër të ndodh ty. Në fakt kështu ndodhi…
Së dyti, sa më parë Parlamenti duhet të marrë masa ligjore të rrepta që e çojnë në normalitet drejtësinë, që e çojnë atë në shinat e ligjeve dhe jo nën ndikimin e protagonistëve të mllefosur e inatçorë, të cilët fryhen se i duan turmat.
KJO NUK ËSHTË PËR TË MBROJTUR BELINDËN, po SHTETIN.
Sado kosto të ketë këto veprine duhen bërë. Po nuk e bëri Parlamenti, kush do ta bëjë tjetër? “Afërmendsh” gjykata, apo futja kot debatet mediatike?!

The post Prokurori është thjesht palë first appeared on JavaNews.al.

Imuniteti është mbrojtje nga abuzimi, por nuk mbron abuzuesin

Nga Ylli Manjani
Përtej hakmarrjeve të vogla të katundit, lojra që i bëjnë me çdo njeri që guxon të ankohet kundër “mrekullive” që bëjn,  SPAK tashmë është i qartë se e KA SHKELUR Kushtetutën me pezullimin nga detyra.

Madje paska dashur që shkeljen e bërë ta bëjnë edhe me kobure në brez!!! (E më thonit mua që grushti i shtetit është pak e rëndë se ska patur armë… )

SPAk kërkon imunitetin e Belindës, sigurisht ka formalisht të drejtë ta bëjë. Por nuk mund të pezullojë një anëtar qeverie.

Kjo besoj është e qartë, apo jo? Këtë mësim më vjen mirë që e mësuan.

Mësimet e tjera, se si nuk duhet të ketë proçedime pa fakt penal; si merren masat e sigurisë në proporcion me nevojën dhe rreziqet; si merren provat në mënyrë të ligjshme; si nuk mund të ngrihen akuza pa llogjikë; e të tjera si këto duhet ti mësojnë në vijim rast pas rasti.

Po më parë SPAK duhet të çlirohet nga adrenalina e reagimeve hakmarrëse, inatçore dhe lojrat e vogla të katundit.

Tani, sa i takon debatit parlamentar mbi heqjen ose jo të imunitetit, insistoj në bindjen time që e kam shprehur rregullisht edhe në rastin e Saimir Tahirit edhe në rastet Ahmetaj dhe Berisha.

Imuniteti mund të kërkohet vetëm nëse gjykata paraprakisht ka urdhëruar marrjen e një mase sigurie.

Nuk lëshohet imuniteti paraprakisht me kërkesa në hava,  por vetëm si reagim i një akti gjyqsor që kërkon leje për tu zbatuar.

Imuniteti, nuk i jepet prokurorëve, por për të lejuar ose jo elzekitimin e masave që merr gjykata.

Për sa kohë gjykata nuk ka një akt, që do të thonë nuk ka shqyrtuar paraprakisht provat dhe proprocionalitetin, kërkesa e prokurorise është abuzive.

Përballë kërkesave abuzive të prokurorëve, Parlamenti detyrohet të bëjë gjykatën, pra të kërkojë prova, gjë që nuk është normale dhe në natyrën e tij. Në republikën e pushteteve të ndara, provat i shqyrton dhe vlerëson vetëm gjykata, jo parlamenti.

Vendimi për heqjen e imunitetit është i natyrës politike, jo juridike. Ndaj nuk ka kuptim debati mbi materien e një kërkese juridike, drejtësia dhe saltësia e së cilës nuk është konfirmuar më parë nga gjykata sipas ligjit.

Shkurt, praktika e derisotme ku prokuroria kërkon lirim nga imuniteti, për të bërë pastaj çtë dojë nga njëra anë dhe, nga ana tjetër Parlamenti bën gjykatën dhe vendos sipas humorit politik nuk është normale.

Normale duhet të ishte që prokurori të paraqiste në parlament vendimin e gjykatës së bashku me kërkesën për të lejuar ekzekutimin e vendimin.

Kujtoj se në rastin Balluku, gjykata ka disponuar me masa sigurie. Pra e ka vlerësuar se ato masa ishin proporcionale, çfarë ka ndryshuar, përveç se iu përsheshën turninjtë nga Gjykata Kushtetuese?!

Ja pra që debati për imunitetin ka edhe kuptim kushtetues sepse ideja është të mbrosh pushtetin politik që buron nga vota nga abuzimi i drejtësisë me ligjin.

Bindja ime është se imuniteti nuk mbron personin, por raportin ndërmjet pushteteve  nga abuzimi, inati e hakmarrja.

The post Imuniteti është mbrojtje nga abuzimi, por nuk mbron abuzuesin first appeared on JavaNews.al.

Kontrolli i mjediseve private nuk mund të jetë akt grabitje

Nga Ylli Manjani

Ka një keqkuptim të madh, një abuzim spektakolar me të drejtën që i jep ligji prokurorisë për të kryer kontrolle në hapësirat private, sigurisht nën autorizimin e gjykatës.

Tani, që të mos u lodh kokën duke spjeguar çfarë nuk duhet bërë, po u spjegoj shkurt se si duhet bërë një kontroll banese apo zyre private.

1. Si fillim gjykata që autorizon kontrollin, duhet të përcaktojë qartë e shkoqur, ku lejohet kontrolli, në kuadër që cilit proçedim dhe çfarë konkretisht synon të sigurojë nga kontrolli. Gjykata është garanti i privatësisë në këtë rast jo noter i prokurorisë!

Duhet mbajtu në konsideratë se kontrolli i hapëdirës private është mjet ekstrem dhe, lejohet vetëm kur me mjetet e tjera ka qenë e pamundur sigurimi i provës.

2. Ata që shkojnë në vend për të kryer kontrollin, i cili lejohet nga ora 07:00 deri në 20:00, i bëjnë me dije personit, hapësira e të cilit mban diçka që i duhet hetimit, ekzakt se çfarë duan të sigurojnë nga kontrolli dhe e ftojnë personin ta dorëzojë vetë sendin apo dokumentin.

3. Në momentin që personi e dorëzon vetë atë që kërkohet proçedura përfundon. Pra gjykata lejon mundësinë për kontroll, por nuk të jep lejen për kryerjen medoemos të tij, kur ska nevojë.

4. Vetëm nëse personi rrefuzon ose nuk bashkëpunon, lejohet hyrja forcërisht në mjedis për të kryer kontroll, gjithmonë të fokusuar tek ajo që kërkohet.

5. Nuk mund të ketë kontrolle pa fokus, pra të tipit “merrni çdo gjë që u duket e arsyeshme”, siç për fat të keq ndodh me vendime gjykate!!!

6. Edhe në rastet e emergjencave, pra kur nuk pret puna për lejen e gjykatës, prokurori ndjek të njëjtën linjë, të njëjtin standart.

Ky është standarti.

Krahasojeni këtë standart me ato raste që keni dëgjuar dhe, mbase do kuptoni se sa i madh është abuzimi me të drejtën për kontroll.

Imagjinoni, të vijnë në shtëpi apo në zyrë private. Të thonë duam të kontrollojmë, pa të thënë asgjë. Të kanosin se do të hedhin hekurat. Të hyjnë si vandalë dhe ku shohin plaçkë e para ti marrin.

Grabitës të pastër!

Asnjë dallim nga grabitësit, megjithse edhe këta të fundit e dinë saktësisht se çkërkojnë tashmë nëpër banesa….

Pastaj ta nxjerrin inventarin në media. Dhe këtu je i dënuar direkt pa gjyq, nga telendisja publike.

E kështu me radhë, në vijim shko e kërko të drejtën e privatësisë tek afërmendsj gjykatat që rrinë si guakë përpara akteve të tilla të dhunshme.

Kushdo që mbron këtë abuzim është në bashkëpunim me grabitësin.

The post Kontrolli i mjediseve private nuk mund të jetë akt grabitje first appeared on JavaNews.al.

Dje përjetova një moment gëzimi…

Nga Ylli Manjani

Lefter Koka, një mik i mirë, pas një kalvari absurd legal fitoi lirinë e merituar. Ai u mbajt në paraburgim tej çdo afati ligjor, vetëm me arsyetimin se SPAK o drejtuar nga Dumani nuk mund të pranojë dështimin!!!

Ndoshta nuk ka qenë e rastit edhe fakti se përse pikërisht dje gjykata “u trimërua” për të zbatuar ligjin e shkruar….

Sidoqoftë unë i uroj miqsisht:

Ta gëzojë lirinë Lefteri!

Në bindjen time Atij iu mor liria padrejtësisht. U burgos me kërkesën/kallëzimin e partisë ku kontribuoi prej vitesh. Ai nuk u hetua, por u gjykua me thashethemet e atij kallëzimi. U gjykua më shumë jashtë sallave të gjyqit sesa në to.

Një rast tipik i gjyqit popullor motiv politik.

Lefter Koka as nuk i shpiku inceneratorët e as nuk i vuri flakën plehrave në këtë vend. Incenerimi ishte një vendimmarrje kolektive politike e të dyja partive që qeverisën në vitet 2013-2017.

Trajtimi i mbetjeve me PPP nuk ishte vendimmarrje e Lefter Kokës. As caktimi i buxheteve dhe e shpenzimi i tyre, nuk ishin detyrë e Tij.

Të paktën në Elbasan dhe Fier paratë publike për ndërtimin e tyre u provua se janë harxhuar korrekt, se inveneratorët janë aty, jo te oborri i Lefterit.

Ndërsa ndërtimi i invenerstorit në Tiranë, si kohë nuk i takon Lefterit se ai kishte ikur nga qeveri.

Lefteri u bë thjesht koka e turkut që duhej prerë për të ngopur mishngrënësit inantçorë që shihnin ëndërra me shumë lekë dhe që i zbardhnin në kallëzime penale.

Po përtej kësaj, tani që thuajse mbaruan gjykimet për inceneratorët a mori vesh njeri se çfarë ndodhi? Sa kishte apo jo pasojë kriminale dhe sa ishte dëmi i shkaktuar shtetit?

Apo mos u shfuqizuan si të paligjshme vendimet e marra?!

Unë nuk kam marrë vesh asgjë, nuk e di ju?!

Di vetëm që ka janë gjykuar njerëz krejt pa lidhje dhe për qejf të inatçorëve. Janë përndjekur penalisht njerëz, mish për top, që të gëzojë turma talebane.

Lefter Koka pagoi me lirinë e tij një kosto absurde, vetëm që të gëzonin inatçorët dhe turmat përkatëse.

U mbajt madje në paraburgim tej afateve ligjore për cv-në e mirë të SPAK.

Njerëz, mos u ndodhtë kjo që i ndodhi atij njeriu. Mund të mos jeni dakord me të, mund edhe ta urreni, por njerëzisht kuptojeni që të respektoni veten.

The post Dje përjetova një moment gëzimi… first appeared on JavaNews.al.

“Vallja” abuzive me Toyotën Yaris

Nga Ylli Manjani 

Gjykata Belge i dha dërrmën përfundimare çështjes një njohur si “Toyta Yaris”. Ajo tha se ato para që u kapën në Shqipëri nuk janë Belge dhe se nuk provohet të jenë me origjinë kriminale.

Ndërkohë, në Shqipërinë tonë të zellshme ndaj të huajve ka ndodhur:

1. U kapën dhe u konfiskuan paratë e padeklaruara në kufi.

2. U hetua gjërë e gjatë nga SPAK dhe GJKKO për origjinën e atyre parave dhe nuk u gjet asgjë e dyshimtë.

3. U dënuan nga gjykata e Tiranës dy kushërinjtë Vladi për mosdeklarim të parave.

Në çdo vend normal ky duhet të ishte fundi llogjik i ndjekjes penale.

Mirpo ka llogjikë, ka edhe ligj, por ka edhe SPAK.

Hë hë hëëëëë!!

SPAK pas 4 vitesh thotë se ka zbuluar në SKY ECC se paska patur korrupsion, ndikim të paligjshëm, përhapje sekreti e një dreq me gjëra të tilla për këtë çështje.

Ja ta zëmë se të dhënat e sky ecc janë prova të ligjshme e të rregullta, këta të korruptuarit çfarë arritën?! Të humbin paratë dhe të dënojnë dy kushërinjë?!

Uau, po ky paska qenë “korrupsion i mirë”?! Se shtetit e drejtësisë penale nuk i ka ardhur asnjë dëm, përveç se të mira dmth…

Dmth në këtë absurditet llogjik e ligjore gjendet sot kjo çështje.

Në këtë absurditet, ku kriminalizohen njerëz për fjalë dhe jo për pasoja kriminale, noton me “sukses” ndërkombëtar madje, ndjekja penale e shqiptarit kundër shqiptarit, kolegut kundër kolegut, drejtësisë kundër njeriut!

Toyota yaris nuk është çështje e vetme, ku njerëzit kriminalizohen pa pasojë penale. Kriminalizohen me e për fjalë krejt të palidhur me një pasojë penale. Kriminalizohesh për fjalë në sms; për korrupsion pa para e favor;për armëmbajtje pa leje pa armë; për trafik droge pa asnjë gram drogë të kapur. Lriminalizohesh mendje edhe për mendim e ide që mund të kesh patur ndonjëherë në të shkuarën që nha koha e Ismail Qemalit…

Por është padyshim me e veçanta është “Toyota Yaris” sepse kriminalizohen njerëz për korrupsion kur produkti është i ligjshëm dhe në favor të shtetit. Një prokuror, një opgj, një avokat një bisnesmen etj janë në burg ose në ndjekje penale vetëm pse kanë korruptuar njëri tjetrin dhe i kanë bërë mirë shtetit!!!

Madje gjykata e apelit në mënyrë edhe më absurde thotë që këta të gjithë “grup të strukturuar” që kanë ndikuar… Po për çfarë kanë ndikuar këta? Për çfarë na qenkan dhënë edhe para për të dënuar të afërmit dhe për të humbur përjetësisht 3.5 milion eurot?!

Këta janë korruptuar që shteti të zbatonte ligjin. Perlë (a)logjike!

Po ky “grup i strukturuar” u dashka lavdëruar, ndoshta edhe shpërblyer, dhe jo dënuar!!

Absurde deri në grykë llogjika e ndjekjes penale, e cila tashmë quhet përndjekje antiligj e antikonventë.

E përsëris: shteti i dënoi fajtorët dhe konfiskoi paratë. Çështja këtu ka mbaruar.

Çdo çështje tjetër futet tek koncepti i abuzimit me ligjin.

Siç e dini ka ligj, por ka edhe spak.

P.S. Duhet mbyllur me ligj, njëherë e mirë ky shteg absurd i ndjekjes penale pa pasojë kriminale.

The post “Vallja” abuzive me Toyotën Yaris first appeared on JavaNews.al.

Gjykata inkuizicionit nuk ka se si të jetë e paanëshme

Nga Ylli Manjani

Përveç brutalitetit të prokurorisë që tashmë është bërë normë sjellje, madje i pëlqyer edhe nga turmat, sistemi ligjor penal ka një defekt të madh:

I jep gjykatës mundësinë ta paragjykojë çështjen.

Gjykatësi ka në dispozicion paraprakisht të gjithë dosjen hetimore me të gjitha provat, indiciet, dëshmitë, thashethemet e çdo gjë.

Pra përpara se Ai/Ajo të hyjë në sallën e gjyqit për të dëgjuar e gjykuar mbi palët prezente, pala që i la dërguar paraprakisht aktet është padyshim më e favorizuara. “Afërmendsh” dmth…

Kjo qasje ligjore e bën sallën e gjyqit,dmth të drejtën për t’u dëgjuar të parëndësishme. Faktikisht gjyqi bëhet në prokurori, aq sa bëhet edhe aty, sepse aty mblidhen provat, pyeten dëshmitarët, kryhen përgjimet, merren informacionet. Aty bëhet çdo gjë.

Në gjykatë thjesht lexohen ato që bën prokurori.

Pala tjetër zakonisht, në më shumë se 95% të rasteve flet kot, sepse fjalët e saj nuk mundin dot paragjykimim e trupës gjyqsore.

Ky sistem quhet as më pak e as më shumë INKUIZICION.

Sigurisht,meraklinjtë e termave kanë idenë e djegjes në turrën e druve që të shohin inkuizicion, por në sistemin e sotëm nuk ka turrë drush, por burgim me paragjykim.

Nëse duam gjykatë vërtetë të paanëshme; nëse duam që të ketë kuptim salla e gjyqit dhe gjykimi i hapur, sistemi penal aktual duhet të rindërtohet. Në këtë pikë nuk korrigjohet dot më.

Gjykata quhet e paanshme kur informacionin, kërkesat, provat, aktet, dëshmitë e çdo gjë e dëgjon për herë të parë në sallën e gjyqit.

Është prokurori ai që kërkon gjykimin dhe prezanton akuzën dhe provat në sallën e gjyqit, jo paraprakisht në zyrën e gjykatësit. Pastaj jo çdo indicie i shkon gjykatës. Gjykatës nuk i duhen thashetheme, por prova të marra ligjërisht.

Gjykata ka detyrë të dëgjojë përpara se të gjykojë. Ajo njihet me çështjen nga debati dhe ballafaqimi në sallën e gjyqit, dhe jo nga letrat që i çojnë paraprakisht.

Vetëm kështu do kishim një gjykatë të drejtë e të paanshme.

Një gjykatë që gjykon mbi faktet e debatuara në sallën e gjyqit quhet e drejtë dhe e paanshme.

Përndryshe, kështu si e kemi, është notere e prokurorisë. Salla e gjyqit është kot.

The post Gjykata inkuizicionit nuk ka se si të jetë e paanëshme first appeared on JavaNews.al.

Qenkan shqetësuar gjyqtarët nga Rama, por nuk thanë asnjë fjalë kur iu përgjua kolegu

Nga Ylli Manjani

Heu, qenka mbledh shoqata e gjyqtarëve që në sabah sot.

Kur u mblodhën mor aman?! Ora 9:30. Kur u mblodhën? Ç’thanë? Cila ishte axhenda? Kush e thirri?!

Po këto gjyqtarët që shqyrtojnë çështjen “Balluku” janë anëtarë?! Ç’mendojnë ata?!

Shumë herët për tou përgjigjur këtyre pyetjeve.

Nejse, po kur u ngrit i gjithë sistemi politik në këmbë kundër gjykatësve, asnjëra nga këto shoqata nuk pipëtinë.  As kur u bënë ligjet e vettingut absurd si dhe, të përgjimit të jetës private nga prokurorët, hiç reagim.

Le pastaj kur i degjeneronin në media gjykatësit… Hiç, po hiç fare.

Kur u përgjuan haptazi për intimidim gjykatës të Gjykatës Kushtetuese nga një prokuror i SPAK skishte ndërhyrje hiç, ndaj dhe kjo shoqata nuk reagoi.

Shoqata nuk reagon as kur prokurorët vijnë me duar në xhepa në gjyq dhe gjykatësit kanë frikë të japin drejtësi.

Asnjë reagim të nxitur mga gjykatës që intimidohen nga prokurorë!!!

Ngaqë janë të pavarur prandaj…

Madje janë të pavarur edhe nga drejtësia e ligji.  Asnjë reagim i shoqatës për çështje të keqfunksionimin të drejtësisë, të numrit të madh të çështjeve në gjykim, të ligjeve gropa-gropa që marrin në qafë njerëz. Hiç, asnjë!

Edhe për gjykatësin e vrarë mezi reaguan se nuk mblidheshin dot, siç u mblodhën sot në sabah…

Tani, Kryeministri ndoshta nuk bën mirë që flet në media, por pyetja ime për shoqatën është:

Kush ndikon/intimidon gjykatësin sot, dikush që bën gam gam në media, apo ai që i përgjon edhe zorrët e barkut deri te kushërinjtë e tretë?!

Cila “palë” është më e rrezikshme ajo që flet se ska takat të të bëjë gjë, apo ajo që hesht e të bën gjëmën?!

Njësoj vlen llogjika, ndonëse më ulëritëse duhet të ishte fjala, edhe për shefin e opozitës i cili nuk flet, por fyen e shpif kundër gjykatësve.

Kush bën dëm, ai që flet apo ai që vepron?!

Ja këto pyetje kisha. Pak herët, por i detyruar nga reagimi i shoqatës në sabah.

The post Qenkan shqetësuar gjyqtarët nga Rama, por nuk thanë asnjë fjalë kur iu përgjua kolegu first appeared on JavaNews.al.

❌