Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Dyshohet se konsumoi fotoksinë, 34-vjeçari humb jetën në spital

Një 34-vjeçar ka humbur jetën mëngjesin e sotëm në një spital në Tiranë, pasi dyshohet se ka konsumuar fotoksinë në banesën e tij, në qytetin e Lezhës.

Sipas informacioneve paraprake, E. M., 34 vjeç, është transportuar për ndihmë mjekësore nga Lezha në spitalin e Tiranës, por nuk ka mundur t’u mbijetojë pasojave të helmimit.

The post Dyshohet se konsumoi fotoksinë, 34-vjeçari humb jetën në spital appeared first on Gazeta Si.

I arrestuar për disa ngjarje kriminale, Altin Ndoci arratiset nga Spitali i Durrësit (skeda kriminale)

Gazeta Si – Altin Ndoci, i arrestuar me urdhër të SPAK, i dyshuar për disa vrasje dhe pjesëmarrje në ngjarje kriminale, është arratisur nga Spitali i Durrësit, ku ndodhej për mjekim.

Sipas njoftimit të Drejtorisë së Burgjeve, i paraburgosuri Ndoci është larguar nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit, ku ishte shoqëruar për kryerjen e vizitave mjekësore. Policët që e ruanin, kanë tentuar ta ndalojnë, por nuk kanë mundur dot, ndërsa vijojnë kërkimet.

“Të gjitha procedurat mjekësore janë zhvilluar në repartin e infektivit, i cili ka repartin e sigurisë për të dënuarit. Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme nga forcat e Policisë së Burgjeve për ndalimin e tij, Altin Ndoci ka arritur të largohet nga spitali. Strukturat përkatëse janë vënë menjëherë në lëvizje dhe po punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njofton Drejtoria e Burgjeve, ndërsa publikojnë edhe fotografinë e tij.

Sipas burimeve në rrugë jo zyrtare, 39-vjeçari Ndoci ka gënjyer policin qe po e ruante, duke i thënë se donte të shkonte në tualet dhe ka arritur t’ia mbathë. Kur e ka parë që po largohej, polici ka qëlluar në ajër, por pa arritur ta ndalojë.

Ndoci është arrestuar si pjesë e operacionit “Plumbi i Artë” dhe konsiderohet si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, pasi dyshohet se ka marrë pjesë në masakrën e Bradasheshit në vitin 2018, ku mbetën të vrarë tre persona.

Ndoci ka një historik të gjatë në botën e krimit dhe rezulton pjesë e organizatës kriminale të Çopjave në Elbasan.

Ai u arrestua në korrik 2020 gjatë operacionit “Plumbi i Artë”, si i dyshuar për vrasjen e 4 personave, fillimisht dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhiaj në Durrës dhe ekzekutimin e dy personave të tjerë 2020 Anxhelo Avdija dhe Dorian Shkoza.

Por më 2 prill 2024, Gjykata e Posaçme ka pushuar të gjitha akuzat ndaj Altin Ndocit, përfshirë edhe dyshimet për vrasjen e Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdisë, duke e shpallur të pafajshëm.

Ishin dëshmitë e të arrestuarit, Klevis Alla, i cili e përfshinte Ndocin në këto 4 vrasje, por Gjykata e Posaçme nuk u bind nga këto dëshmi ç’ka bëri që të marrë pafajësinë.

Vendim i mbështetur edhe nga bashkëpunëtori i drejtësisë, Nuredin Dumani, i cili dëshmoi se Altin Ndoci nuk ka qenë i përfshirë në këto 2 vrasje në Durrës.

Në të tilla kushte, mbrojtja i kërkoi gjykatës pushim të akuzave, për të cilën gjeti miratim të togave të zeza, ku i dyshuari fitoi pafajësinë.

Megjithëse Altin Ndoci fitoi pafajësinë në vitin 2024, ai nuk mundi të dalë nga burgu, pasi SPAK ka ngritur akuza të tjera kundër tij, pas dëshmive të Nuredin Dumanit i cili e përfshin në disa ngjarje të rënda.

Në dëshmitë e dhëna në SPAK nga i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, Klevis Alla dyshohet si pjesëmarrës në vrasjen e Andi Zylyfit dhe plagosjen e Ardit Uruçit kryer në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”.

Gjithashtu Ndoci mbahej në burg edhe për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, shpërthyese dhe i municionit”, e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”.

Në një tjetër episod në shkurt të vitit 2025, i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani ka rrëfyer para togave të zeza disa nga krimet e kryera nga ai dhe banda e një tjetër të arrestuari nga SPAK, Erion Alibejt.

Ky i fundi ka akuzuar edhe Altin Ndocin se kishte qënë në grupin e ekzekutorëve madje kishte tentuar t’i vriste vëllanë por i ishte bllokuar arma.

The post I arrestuar për disa ngjarje kriminale, Altin Ndoci arratiset nga Spitali i Durrësit (skeda kriminale) appeared first on Gazeta Si.

Vëllai dhe nipi i ish-deputetit Arben Ndoka dhunojnë dy kushërinj në Lezhë

Gazeta Si – Vëllai dhe nipi i ish-deputetit socialist, Arben Ndoka, janë shpallur në kërkim, pasi kanë dhunuar dy kushërinj në Lezhë për motive të dobëta.

Siç njofton policia, rreth orës 12:30 të kësaj të hëne, dy kushërinjtë janë konfliktuar për motive të dobëta me dy persona të tjerë (babë e bir).

Si pasojë janë dëmtuar Gj.M., dhe N.M., (të dy 41 vjeç), të cilët pasi kanë marrë asistencën e nevojshme mjekësore, janë paraqitur në ambientet e Komisariatit, ku gjatë kallëzimit pretendojnë se Gëzim Ndoka, rreth 53 vjeç dhe Kevin Ndoka, rreth 20 vjeç, kanë qenë të armatosur.

Policia thotë se ka shpallur në kërkim babë e bir, ndërsa një grup i posaçëm hetimor po punon në drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, për të zbardhur dhe dokumentuar të gjitha rrethanat e këtij rasti.

Ndërkohë, prej rreth dy vitesh, ish-deputeti socialist, Arben Ndoka është shpallur në kërkim nga SPAK për dosjen “Revanshi”, ku dyshohet e ka pasur biseda në aplikacionin “Sky” me biznesmenin e zhdukur, Ervis Martinaj me të cilin planifikonte eliminimin e Durim Bamit në Fushë Krujë.

The post Vëllai dhe nipi i ish-deputetit Arben Ndoka dhunojnë dy kushërinj në Lezhë appeared first on Gazeta Si.

Rruga Tiranë-Rinas do të bllokohet më 13 e 14 janar

Nga Gazeta Si- Për shkak të punimeve që po kryhen në mbikalimin e ri në Qafë Kashar, rruga drejt Rinasit do të bllokohet më 13 dhe 14 janar.

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) njofton do të ketë bllokim të rampës në drejtimin Tiranë-Rinas nga ora 20:00 deri në orën 06:00 në datat 13 dhe 14 janar.

Qarkullimi i mjeteve drejt Aeroportit të Rinasit do të realizohet përmes rrugëve alternative:

-Vorë-Fushë Krujë (kthesa e Rinasit)

-Rruga dytësore

-Tiranë- Kamëz- Valias- Rinas

-Rruga Kashar- Thumanë

The post Rruga Tiranë-Rinas do të bllokohet më 13 e 14 janar appeared first on Gazeta Si.

‘Shtëpi bari’ në Sarandë, arrestohet 30-vjeçari. Në hetim 4 punonjë të OSHEE

Gazeta Si – Enea Pitani, 30-vjeç, u arrestua në Sarandë, pasi u kap në flagrancë në një apartament në rrugën “Butrinti” që e kishte kthyer në “shtëpi bari” ku kultivohej lëndë narkotike kanabis.

Policia tha se në kërkim është shpallur bashkëpunëtori i tij, 26-vjeçari Mikel Qamili, ndërsa nën hetim janë vendosur 4 punonjës të OSHEE-së të akuzuar për veprën penale “shpërdorim detyre”.

Në apartamentin e përshtatur për kultivim të lëndëve narkotike, u sekuestruan 26.6 kg kanabis (e përpunuar, gati për shitje), 260 bimë narkotike të kultivuara në vazo, 70 llamba elektrike me reflektorë, 70 siguresa elektrike, 260 mbështjellëse të përshtatura si vazo për kultivim, 1 automjet, 3 celularë dhe pajisje të tjera që përdoreshin për veprimtari kriminale.

The post ‘Shtëpi bari’ në Sarandë, arrestohet 30-vjeçari. Në hetim 4 punonjë të OSHEE appeared first on Gazeta Si.

Aksident me vdekje në Tiranë, humb jetën këmbësori, kapet shoferi

Një aksident me pasojë vdekjen e një këmbësori është shënuar mëngjesin e kësaj të hëne në Tiranë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 06:50, në rrugën “Gjeneral Nikols”, ndërsa bëhet me dije se drejtuesi i mjetit, me iniciale E.M., 37-vjeç është shoqëruar në Komisariat.

Viktima ndërkohë ende nuk është identifikuar.

The post Aksident me vdekje në Tiranë, humb jetën këmbësori, kapet shoferi appeared first on Gazeta Si.

I morën 40 mijë euro përmes mashtrimit një 55-vjeçari, arrestohen 4 persona

Gazeta Si – Katër persona janë arrestuar, ndërsa dy të tjerë u shpallën në kërkim, pasi dyshohet se përmes mashtrimit i morën 40 mijë euro një 55-vjeçari.

Ngjarja dyshohet se ndodhi tek rrethrrotullimin i Rinasit, ku autorët komunikuan përmes një aplikacioni dhe u prezantuan si persona të njohur.

Katër të arrestuarit janë shtetasit Krenar Toromeni, Ilia Gjini, Artur Lecini dhe Elton Rrushi.

Gjatë kontrollit në shtëpinë e Artur Lecinit ku është gjetur dhe shtetasi Elton Rrushi, është zbuluar një ambient i përshtatur me pajisje elektrike, për kultivim të bimëve narkotike.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, 4 personat, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke iu prezantuar si i njohur i tyre, viktimës që ra pre e mashtrimit, i kanë marrë shumën prej 40.000 euro.

Ngjarja ndodhi pranë rrethrrotullimit të Rinasit, ku një biznesmen 55-vjeçar nga Shkodra, i cili merret me këmbimin e parave, u mashtrua nëpërmjet aplikacionit Viber.

Sipas burimeve paraprake, të akuzuarit i shkruan duke u prezantuar si persona të njohur dhe të afërt, duke i kërkuar të sillte 40 mijë euro për t’i këmbyer. Kur i dëmtuari shkoi në Rinas, ata i morën paratë. Pas kësaj, ai bëri kallëzim në polici, e cila nisi hetimet.

The post I morën 40 mijë euro përmes mashtrimit një 55-vjeçari, arrestohen 4 persona appeared first on Gazeta Si.

Theu masën e sigurisë dhe tentoi t’i digjte makinën ish-partnerit, në pranga drejtoresha e Migracionit

Gazeta Si – Alma Bime, drejtoresha e Migracionit, Azilit dhe Antitrafikut në Ministrinë e Brendshme, ka përfunduar në prangat e policisë, pasi theu masën e “arrestit në shtëpi” të caktuar disa javë më parë nga Gjykata e Tiranës.

Në një njoftim të shkurtër për mediat, Policia e Tiranës thotë se 43-vjeçarja dyshohet se pasi ka thyer masën e arrestit, ka tentuar t’i djegë automjetin ish-bashkëjetuesit të saj.

“Arrestuan shtetasen A.B., 43 vjeçe, pasi dyshohet se ka thyer masën e sigurisë ‘Arrest në shtëpi’ si dhe ka tentuar t’i djegë automjetin ish-bashkëjetuesit”, – thuhet në njoftim.

Dhjetorin e shkuar, Alma Bime, u shoqërua në polici nën dyshimet për kanosjen e një të huaji përmes mesazheve dhe djegien e orendive shtëpiake të ish-bashkëjetuesit të saj në banesën që ndodhet në zonën e Kinostudios në Tiranë.

The post Theu masën e sigurisë dhe tentoi t’i digjte makinën ish-partnerit, në pranga drejtoresha e Migracionit appeared first on Gazeta Si.

Digjnin goma pranë autostradës në Vlorë për t’i marrë telat, në hetim 2 të rinj

Gazeta Si – Dy të rinj, me iniciale, A.G., 34 vjeç dhe D.H., 27 vjeç, janë proceduar penalisht në gjendje të lirë, pasi në fshatin Panaja të Vlorës, dyshohen se kanë djegur me zjarr disa goma automjetesh të përdorura, duke shkaktuar ndotje të ajrit.

Ata po i digjnin gomat në afërsi të autostradës, me qëllim për të përfituar telat metalikë që ndodheshin brenda tyre.

Ngjarja u konstatua gjatë kontrolleve të policisë, të cilat ndërhynë menjëherë në momentin kur personat po kryenin këtë veprim të paligjshëm, duke shkaktuar edhe ndotje të konsiderueshme në zonë për shkak të tymit të dendur.

Sipas uniformave blu, personat e arrestuar po digjnin goma të hedhura, për të nxjerrë prej tyre telat metalikë, me qëllim shitjen e mëvonshme si skrap.

The post Digjnin goma pranë autostradës në Vlorë për t’i marrë telat, në hetim 2 të rinj appeared first on Gazeta Si.

Zbulohet magazina e veshjeve me stampa e logo të rreme, në pranga 46-vjeçari turk (video)

Gazeta Si – Një 46-vjeçar turk është arrestuar pas zbulimit të një magazine në Kamëz, ku stampoheshin veshje të kontrabanduara me logo false. Policia thotë se në pranga ka rënë O.S., ndërsa është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tij M.K., 50 vjeç.

Gjithashtu janë proceduar në gjendje të lirë edhe 3 punonjëse gra të cilat punonin në këtë magazinë. Në magazinë u zbuluan mallra që ishin futur kontrabandë në Shqipëri dhe makineri të cilat përdoreshin për falsifikimin dhe stampimin e logove që u vendoseshin veshjeve apo këpucëve të ndryshme.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, “Punësimi i paligjshëm”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave”, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.

The post Zbulohet magazina e veshjeve me stampa e logo të rreme, në pranga 46-vjeçari turk (video) appeared first on Gazeta Si.

Makina bie në përrua në Klos, arrestohet shoferi i dehur, zhduket pasagjeri. Policia: Nuk e ndihmoi

Gazeta Si – Një automjet me dy persona ka përfunduar në një përrua në fshatin Fullqet në zonën e Klosit gjatë orëve të para pas mesnatës së kësaj të shtune, ku sipas policisë drejtuesi ka qenë në gjendje të dehur.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:30, në vendin e quajtur ura e fshatit Dars, njësia administrative Klos, ku një mjet tip “Audi”, me targa angleze, ka dalë nga rruga dhe ka rënë në përroin e fshatit Dars.

Sipas njoftimit të policisë, në automjet kanë qenë dy të rinj. Mësohet se drejtuesi i automjetit, një 24-vjeçar me iniciale A.L., ka arritur të dalë nga makina dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Por pasagjeri me iniciale J.K., 30 vjeç, banues në fshatin Fullqet ka rënë në lumë dhe ende nuk është gjetur, pasi dyshohet se e ka marrë rrjedha e përroit.

Gjatë veprimeve për zbardhjen e aksidentit, policia njofton se kapi dhe arrestoi 24-vjeçarin, i cili dyshohet se pas shkaktimit të aksidentit është larguar nga vendngjarja.

I rius iu nënshtrua testit të alkoolit, nga i cili rezultoi se e drejtonte mjetin në gjendje të dehur. Ndërkohë, polumbarët e RENEA-s, shërbimet e Policisë dhe zjarrfikësit vijojnë kërkimet në përroin e fshatit Dars për gjetjen e pasagjerit, shtetasit J. K.

The post Makina bie në përrua në Klos, arrestohet shoferi i dehur, zhduket pasagjeri. Policia: Nuk e ndihmoi appeared first on Gazeta Si.

Banorët në Durrës në protestë: Ende nuk jemi dëmshpërblyer nga përmbytjet e kaluara

Nga Gazeta ‘Si’-Banorët në Durrës, siç u paralajmërua, kanë dalë në protestë këtë pasdite të 9 janarit pas situatës problematike të përmbytjeve.

Banorët e zonës bëjnë përgjegjës institucionet për mungesë përgjegjësie dhe angazhimi për të bërë pastrimin në kohë të kanaleve kulluese.

“Unë kam dalë sot të protestoj dhe të kërkoj të drejtën time. Shtëpi më është përmbytur. E kam shtëpinë afër burgut. Asnjë nuk ka ardhur. I kemi njoftuar, por presin të largohet uji. I kërkoj bashkisë së Durrësit të jenë pranë qytetarëve. Janë në ujë të gjithë njerëzit. Është hera e tretë që përmbytemi, asnjë dëmshpërblim nuk kemi marrë”, u shpreh një qytetare.

Ata kanë hedhur dyshime se ata banorë që sot nuk janë në protestë janë intimiduar dhe shantazhuar nga Qeveria duke i kërcënuar me dëmshpërblimin.

“A keni gjë në dorë? Do ju vrasin? Unë jam nëna juaj jam 74 vjeç. A keni ju prindër? Gjithë ky popull kaq i mirë si po ju duron? U sos durimi!”, shprehet një prej tyre.

“Është e qartë që të gjithë këta policë ka ardhur për të shoqëruar djemtë. Njërin e dërguan në komisariat. Këta nuk kapën asnjë nga ata që plasën fishekzjarre për Vitin e Ri, por njerëzit e lirë. E drejta e protestës është e garantuar nga ligji dhe Kushtetuta. Ju lutemi mos u sprapsi. Disa janë intimiduar dhe nuk kanë ardhur sepse u kanë thënë nuk do t’ju japim dëmshpërblim. Kjo është qeveria e shantazhit. Ku ka para për shishe vere, ka edhe lekë për dëmshpërblime”, tha një tjetër.

Durrësi u ‘paralizua’ totalisht nga përmbytjet si pasojë e reshjeve të dendura të shiut. Edhe pse reshjet e shiut pothuajse kanë ndaluar, uji akoma nuk është larguar nga disa zona.

Situata më kritike paraqitet në Njësinë Administrative Sukth dhe Katund i Ri, ku lumi i Erzenit ka dalë nga shtrati dhe një pjesë e banorëve është evakuuar.

Si pasojë e motit të keq, në Durrës u raportua edhe një viktimë.

The post Banorët në Durrës në protestë: Ende nuk jemi dëmshpërblyer nga përmbytjet e kaluara appeared first on Gazeta Si.

Grabitja me thikë në Yzberisht, arrestohet autori 40-vjeçar

Gazeta Si – Elkjer Tafçiu, 40 vjeç u arrestua në Tiranë, pasi dyshohet se grabiti me thikë paratë e një marketi në Yzberisht një ditë më parë.

Policia tha se Tafçiu u kap në “Rrugën e Qelqit” në zonën e Kombinatit dhe rezulton me precedent penal për vjedhje me dhunë.

Gjatë grabitjes, punonjësja e marketit pësoi një dëmtim të lehtë në dorë, por është jashtë rrezikut për jetën.

The post Grabitja me thikë në Yzberisht, arrestohet autori 40-vjeçar appeared first on Gazeta Si.

Vjosa nis të tërhiqet, Bishani zona më problematike

Nga Gazeta ‘Si’- Niveli i lumit Vjosë ka filluar rënien që prej mesnatës. Aktualisht, Vjosa ka zbritur në kuotën 8.4 metra, duke bërë që uji të nisë të tërhiqet gradualisht.

Megjithatë, problematike mbetet zona e Bishanit, ku prania e ujit në nënkalimin e Bishanit vijon të jetë ende rreth 2 metra, duke e bërë të pamundur qarkullimin e automjeteve.

Uji ka hyrë te rreth 20 familje në Bishan, në pjesën e jashtme të banesave, duke shkaktuar dëme dhe shqetësim për banorët e zonës

The post Vjosa nis të tërhiqet, Bishani zona më problematike appeared first on Gazeta Si.

Tiranë/ Zjarr masiv në tregun e rrobave të përdorura të ‘5 majit’ (foto, video)

Nga Gazeta Si- Është përfshirë nga flakë masive tregu i rrobave të përdorura që ndodhet pranë rrugës 5 maji në Tiranë. Zjarri, i cili ka nisur rreth orës 19:00, ka shkaktuar dëme të mëdha materiale në dy kapanone të tregut.

Fillimisht ka marrë flakë një kapanon dhe më pas zjarri është përhapur. Gjithë zona është e mbuluar me kabuj elektrikë, duke e bërë situatën tepër të rrezikshme. Për këtë arsye, autoritetet kanë ndërprerë energjinë elektrike në zonë si dhe kanë zgjeruar perimetrin e sigurisë.

Si shkak i flakëve masive, të cilat tashmë janë drejt fikjes, dyshohet të ketë qenë një defekt në rrjetin e energjisë elektrike, ndërsa kreu i Shërbimit Zjarrfikës në Tiranë, Shkëlqim Goxhaj, shprehet i bindur se nuk ka indicie që zjarri të ketë qenë i qëllimshëm.

60 forca policore dhe 11 mjete të shërbimit zjarrfikës janë dërguar në vendngjarje për shuarjen e zjarrit. Pjesë për shuarjen e flakëve është bërë edhe ushtria. Për shkak të situatës së vështirë janë kërkuar përforcime nga shërbimet zjarrfikëse të bashkive Vorë, Kamëz dhe Elbasan.

Ndërsa dhjetëra forca zjarrfikëse luftonin për të vënë nën kontroll flakët, pronarët e bizneseve që ndodhen brenda tregut por nuk janë përfshirë nga flakët kanë nxjerrë mallrat nga dyqanet për t’i shpëtuar.

The post Tiranë/ Zjarr masiv në tregun e rrobave të përdorura të ‘5 majit’ (foto, video) appeared first on Gazeta Si.

Një person vjedh marketin në Yzberisht, plagos shitësen me thikë

Gazeta Si – Një incident është regjistruar mesditën e kësaj të enjteje në zonën e Yzberishtit në Tiranë.

Sipas policisë, rreth orës 13:30, në Yzberisht, një person ende i paidentifikuar dyshohet se në kërcënimin e një mjeti prerës, ka vjedhur një shumë parash në një market (xhiron ditore në kasë).

Gjatë tentativës për të ndaluar autorin, është dëmtuar lehtë në dorë, nga mjeti prerës, punonjësja e marketit, e cila u dërgua në spital për mjekim.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për zbardhjen e rrethanave të rastit.

The post Një person vjedh marketin në Yzberisht, plagos shitësen me thikë appeared first on Gazeta Si.

Zbulohet një tjetër ambient me kanabis në Shkodër, në kërkim dy persona

Gazeta Si – Një tjetër ambient i përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike me llamba është zbuluar në Shkodër, duke çuar në finalizimin e operacionit policor të koduar “Neonët 6”.

Sipas policisë, janë shpallur në kërkim dy shtetas, njëri prej tyre 35 vjeç, banues në Shkodër, si dhe një 16-vjeçar, të dy të dyshuar se kishin përshtatur një banesë në lagjen “Ndoc Mazi” për kultivimin e bimëve narkotike, duke përdorur pajisje elektrike të furnizuara me lidhje të paligjshme të energjisë.

Në vijim të hetimeve, janë proceduar penalisht dy punonjës të OSHEE-së, të moshës 33 dhe 63 vjeç, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, ndërsa një 22-vjeçare nga Puka është proceduar për “Moskallëzim krimi”.

Gjatë kontrollit në ambientin e përshtatur për kultivim dhe tharje kanabisi, policia sekuestroi: 60 bimë të dyshuara narkotike kanabis, 57 pajisje të ndryshme elektrike, 4 celularë.

Ndërkohë, nga kontrolli në banesën e një 49-vjeçari, ngjitur me ambientin e kultivimit dhe i ndaluar më herët për vepra të tjera penale, u sekuestruan një pistoletë sportive pneumatike pa numër, municion luftarak dhe një automjet.

The post Zbulohet një tjetër ambient me kanabis në Shkodër, në kërkim dy persona appeared first on Gazeta Si.

Regjistrohet viktima e parë nga moti i keq, gjendet i mbytur 54-vjeçari

Nga Gazeta Si- Një person është gjetur pa shenja jete, i dyshuar i mbytur, në zonën e Plepave, në qytetin e Durrësit.

Në një njoftim paraprak, policia thotë se viktima Astrit Hysenaj, 54 vjeç ishte shpallur i larguar nga shtëpia ditën e martë dhe pas kërkimeve, trupi i tij i pajetë u gjet në një kanal kullues në afërsi të Ish-repartit Ushtarak. Paraprakisht dyshohet se Hysenaj është marrë nga rrjedha e ujit.

Hysenaj dyshohet se është marrë nga rrjedha e ujit të martën, ditën e përmbytjeve masive në Durrës. Ai punonte pranë ndërmarrjes komunale në plazh dhe dyshohet se ka humbur jetën në krye të detyrës. Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe bashkia e Durrësit.

“Bashkia Durrës informon se Astrit Hysenaj, më datë 6 është paraqitur normalisht në vendin e punës në orën 06:00 dhe ka punuar deri rreth orës 10:30, kohë në të cilën është larguar nga ambientet e punës.

Rreth orës 16:00 të së njëjtës datë, familjarët e Hysenajt kanë kontaktuar përgjegjësin e Ndërmarrjes Komunale për të marrë informacion, pasi ai nuk ishte kthyer në banesë. Pasi janë njoftuar se ai është larguar nga puna, familjarët kanë njoftuar policinë.

Prej 3 ditësh, vendi ynë është pushtuar nga reshjet intensive të shiut, duke përmbytur shtëpi, rrugë dhe toka bujqësore.

The post Regjistrohet viktima e parë nga moti i keq, gjendet i mbytur 54-vjeçari appeared first on Gazeta Si.

Borëpastruesja përplas 3 makina në Rrugën e Arbrit, një person përfundon në spital

Një mjet borëpastrues në rrugën e Arbrit ka shkaktuar një aksident të trefishtë.

Teksa po pastronte dëborën në afërsi të tunelit të Murrizit në anën e Klosit, mjeti borëpastrues goditi një automjet tip Volkswagen që lëvizte në drejtim të Tiranës, i cili më pas u përplas edhe me dy automjete të tjera.

Si pasojë e përplasjes janë lënduar disa persona, ndërsa drejtuesi i mjetit Volkswagen u dërgua në spital për ndihmë të specializuar.

The post Borëpastruesja përplas 3 makina në Rrugën e Arbrit, një person përfundon në spital appeared first on Gazeta Si.

Sekuestrohet ‘BMW’-ja e vjedhur në Gjermani me vlerë 140 mijë euro (video)

Gazeta Si – Një automjet tip “BMW M-8”, me vlerë 140 mijë euro, u sekuestrua nga policia në Tiranë, pasi dyshohet se ishte vjedhur në Gjermani.

Makina luksoze ishte blerë nga një 39-vjeçar me inicialet E.D., ndaj të cilit kanë nisur hetimet. Ndërsa është shpallur në kërkim shqiptari nga Kosova, F.H., 42 vjeç i cili dyshohet se e ka trafikuar automjetin drejt Shqipërisë.

Rasti u zbulua pasi 39-vjeçari ishte ndalua nga policia për kontroll.

The post Sekuestrohet ‘BMW’-ja e vjedhur në Gjermani me vlerë 140 mijë euro (video) appeared first on Gazeta Si.

❌