Reading view

Fati i kërkesave, nga negocimi te numrat dhe anasjelltas!

Nga Preç Zogaj

Në historinë e demokracisë sonë të re, protestat popullore me kërkesa politike kanë patur secila veçoritë e tyre të lidhura me kohën, kontekstin, imperativin, e tjerë.

Kanë patur sakaq një gjë të përbashkët: në fund të herës qëllimet i kanë arritur në tryezën e bisedimeve me palën përballë.

Herë me bisedime të drejtpërdrejta me krerët e pushtetit, siç ka qenë takimi i dërgatës studentore me Presidentin Ramiz Alia në Pallatin e Brigadave në 11 dhjetor 1990. Takim i cili çoi në përmbushjen e kërkesës kryesore të lëvizjes studentore: fitoren e pluralizmit politik, që shënoi fundin e regjimit njëpartiak dhe kthimin e vendit me fytyrë nga Perëndimi.

Herë të tjera duke ua deleguar përfaqësimin partive opozitare brenda sistemit. Kjo ka ndodhur për shembull me grevën e urisë së Minatorëve të Valiasit në maj të vitit 1991. E mbështetur nga grevat kombëtare të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura, ajo çoi në rrëzimin e qeverisë “Nano” tre muaj pasi kishte fituar zgjedhjet e para shumëpartiake të 31 marsit 1991. Marrëveshja për krijimin e një qeverie tranzitore pluraliste me mandat të kufizuar deri në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme pas një viti u negociua në tryezën e dy partive kryesore parlamentare, PS-PD. Natyrisht në monitorimin e krerëve sindikalistë.

Ngjashëm ka ndodhur edhe me revoltat popullore të fundvitit 1996 dhe fillimvitit 1997 për humbjen masive të parave në skemat mashtruese piramidale. Kreditorët e dëmtuar ia drejtuan gishtin e përgjegjësisë qeverisë së PD-së dhe Presidentit Berisha.

Këta jo vetëm i kishin toleruar grabitësit e kursimeve të shqiptarëve, por edhe e kishin inkurajuar mashtrimin, deri duke e përdorur sloganin publicitar “me ne fitojnë të gjithë” të piramidës më të madhe si sloganin kryesor elektoral të partisë në zgjedhjet e 26 majit 1996. Falë revoltave në Lushnjë, Tiranë, Vlorë e gjetkë, qeveria dha dorëheqjen tetë muaj pas fitores së kontestuar. Krijimi i një qeverie pluraliste me detyrën për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme u negociua mes partive të opozitës dhe atyre në qeveri në mars të vitit 1997. Partitë e opozitës, sidomos ajo socialiste e kishin lejen dhe kishin provuar edhe më parë të negocionin zgjidhjen e konfliktit të qytetarëve me qeverinë.

Në dritën e këtyre shembujve, protesta rinore popullore pa pauza e dy muajve të fundit ka një “të re”: për herë të parë një protestë e këtyre përmasave është e distancuar nga partia kryesore e opozitës. Kryetari i PD-së, Berisha, konsiderohet gjymtyrë e një binomi me Ramën, bashkëpërgjegjës me të për bllokimin e sistemit politik. As ai, as njerëzit rreth tij nuk autorizohen nga protesta të jenë zëri i saj brenda institucioneve.

Sa keq! Le të imagjinojmë për një çast sikur PD të kishte zgjedhur në krye të saj me garë të ndershme një lider të ri. Protesta do të kishte shumë më shumë shanse për realizimin e kërkesave të saj. Shfaktorizimi i opozitës më të madhe, ndërkohë që vetë protesta nuk është e nuk ka përse të bëhet subjekt politik, së paku në këtë fazë, përbën një hendikap me të panjohura në rrugën që do të ndjekin kërkesat e saj për t’u realizuar.

Ligji i ri elektoral me proporcional kombëtar dhe lista të hapura, ligji i ri për financimin e partive politike, ndërhyrjet në Kushtetutë dhe gjithë paketa për reformimin e sistemit politik mund të realizohen vetëm përmes Kuvendit. Pa u votuar nga kuorumet përkatëse të deputetëve ato mbesin dëshira.

Po ashtu një ligj themelor i së drejtës për kthimin real dhe kompensimin real të pronës pronarëve të ligjshëm, që vizioni për “Shqipërinë e re” nuk mund të mos e ketë. Përndryshe do të mbetej përsëri e vjetër. Një ligj që do të vendoste gurin e munguar në themelet e demokracisë shqiptare. (Në parantezë, si mund të jenë dhënë e të vazhdojnë të jepen toka publike pa kompensuar pronarët e ligjshëm të tokës bujqësore, të dënuar tre herë përgjatë një gjysmë shekulli nga reforma agrare komuniste, nga kolektivizimi dhe ligji 7501? Si mund të doroviten sipërmarrës të rinj të klientelës qeveritare, vendas apo të huaj pa u kthyer borxhet ish-pronarëve)?

Për të gjitha këto protesta mund të imponohet me vendosmërinë e saj, me qartësinë, me konsistencën dhe mbi të gjitha me numrat. Ajo duhet të ketë përfaqësuesit e vet aty ku konceptohen, diskutohen e bëhen gati për miratim ligjet e reja, së paku ato që do të na çojnë në zgjedhjet e reja.

Njihet kompleksi psikologjik i kalimit nga fronti i betejave në luftë apo protestave në paqe në tryezën e bisedimeve. Po kjo është rruga për të finalizuar një kauzë, alternativa e vetme përkundrejt të ashtuquajturave zgjidhje leniniste me marrje të pushtetit me dhunë.

Askush nuk duhet të ketë komplekse të ulet në momentin e duhur me palën “armike”. Disidentët e Polonisë u ulën në vitin 1989 me liderin e regjimit që i kishte burgosur dhe fituan aty fillimin e shembjes së komunizmit në gjithë vendet e Europës Qendrore. Bisedojnë armiqtë e jo më njerëzit e një gjuhe dhe gjaku, që në fund të fundit, pavarësisht mospajtimeve dhe kontradiktave, janë në varkën e një atdheu, një qëllimi në rastin tonë për ta çuar vendin në BE. Forca në momente të tilla është e pikësëpari e atyre që ulen për zgjidhje me kundërshtarët në pushtet. Kaq për ligjet.

Kërkesa kryesore për dorëheqjen e Ramës dhe qeverisë nuk ka gjasa të negociohet.

Një kryeministër jep dorëheqje kur humbet mbështetjen në partinë e tij, siç ishte së fundmi rasti i ish-kryeministrit britanik Stamer. Kur humbet aleatë dhe deputetë të partisë së tij a koalicionit qeveritar në Parlament. Kur vendos vetë për arsye të caktuara siç ka qenë rasti i laburistit Tony Blair që u largua me rrokadë nga fundi i mandatit të tretë duke ia lënë stafetën një laburisti tjetër, Gordon Brown.

Ndërkaq dorëheqja e kryeministrit me protesta popullore mund të imponohet vetëm me numra në sheshet e protestës. Një shumare e stërmadhe qytetarësh në Tiranë dhe në rrethe që bërtasin njëzëri pa u shkulur nga vendi largimin e tij ia pakësojnë ajrin kryeministrit.

Rama dhe protesta qëndrojnë tani në dy skajet e litarit me gushtin e thatë në mes, duke matur kohën. Kryeministri përgjon dhe shpreson rrazbitjen e mëtejshme të protestës, ose mbetjen e saj në aq numra sa ka tani.

Protesta e ka shkundur, ia ka liruar rrënjët si asgjë tjetër më parë, ia ka hequr aureolën e liderit fuqiplotë, e ka hutuar. Ai nuk mund të jetë më ai që ishte para protestës.

Protesta nga ana tjetër mbahet fort për t’u rritur në vjeshtë. Kur beteja e saj e madhe do të jenë numrat. Manualet që këshillojnë shtimin e tyre kanë plot përgjigje.

  •  

Shqipëria e Re: Me mendësi të re dhe në BE

Nga Preç Zogaj

Liderët politikë të stampës shelbuese, jo vetëm në Shqipëri, e kanë zakon të lançojnë sllogane misionarësh të tipit “për një Botë e re”, “për një Fillim i ri”, “për një Rilindje”, e tjerë. Kur vinë në pushtet pushtohen nga sindroma e vitit zero, sikur me ta nis koha, misioni, historia. Në përballje me dështimin dhe të pamundurën për të bërë atë që kanë fantazuar përfundojnë në tiranë kur sundojnë në regjimet e mbyllura njëpartiake. Në autokratë të korruptuar në regjimet kinse demokratike. Jo vetëm në kuptimin e pasurimit abuziv në shkelje të ligjeve, por edhe të shkelmimit të parimeve dhe vlerave që është forma më e lartë e korruptimit moral.

Trajektorja e këtij procesi kërkon shumë faqe të shpjegohet. Në hapësiren e një shkrimi si ky mund të thuhet vetëm kaq: E keqja ka qënë paralajmëruar nga mendësia e liderëve të tillë para së të vinin në pushtet. Fjala përdridhet, maskohet. Mendësia jo. Mendësia si një tërësi mjetesh e formash të komunikimit shpallet nepër lloj-lloj detajesh. Veç kush është i verbër nga mendja nuk e vë re.

Shqipëria e Re, deviza e bukur e protestës epike në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ka veçorinë se, në ngjashmëri me slloganin “ E duam Shqipërinë si gjithë Europa” të Lëvizjes sudentore të dhjetorit 1990, ka lindur si pagëzim shpirtëror dhe gjenuin i një mase shumë të madhe njerëzish.

Si e tillë, ajo i ka shanset të shmangë reminishencat me zakonet e këqija të opozitarizmit irracional, prokurorial, shabllonist, të varfër në fjalor, të zbrazur në ide, ngarkuar me grimasa, shëmtia vetë.

Në fakt, ashtu si komunizmi mundet me një mendim më të lartë dhe jo me antikomunizëm dekarativ, siç pat thënë Abaz Jermeni pas patakjes që përjetoi kur pa plojën e zgjedhjeve të 26 majit 1996, edhe lufta kundër establishmentit Berisha-Rama është efikase duke dëshmuar epërsi në çdo pikpamje ndaj tij. E kemi parë në fakt në mjaft fjalime të rinjsh e të rejash, por edhe të moshave më të rritura në protestën epike në bulevard-njerëz të mirëshkolluar, të lirë, të fortë, etikë, argumemtues, që bëjnë kontrast me mitingashët e stampës së vjetër.

Fjalimet e tyre spontane tregojnë se Shqipëria e re është piksëpari ajo e një mendësie te re, kombëtare, europiane dhe demokratike, ku të rinjtë kërkojnë të marrin pergjëgjësi si protagonistë të ndryshimit.

Duke përçmuar praktikat e anëtarësimit dhe “promovimit” në partitë e establishmentit për fasadë apo për trasplant politik të liderve të përjetshëm.

Duke u diferencuar nga “modeli” qesharak i të riut që hyn në politikë me një damë të re për krahu dhe me një ide të vjetër në kokë.

Duke dashur e synuar të bëjnë karrierë politike jo me aplikim, si të ishte fjala për një vend pune me shpallje, por përmes angazhimit me pasion ku ndërtohet hap pas hapi një karrierë politike e qëndrueshme, e meritur, efektive.

“Për të rinjtë e ardhmja është e madhe, e shkuara është e vogël”, ka thënë Aristoteli. “Veprimet e tyre diktohen jo aq nga përllogaritjet se sa nga zemra”. Kjo nuk ka ndryshuar nepër mijëvjeçarë.

“Shqipëria e re” është sakaq Shqipëria në BE. Në pamje të parë do të tingëllonte paradoksale që protesta kundër qeverisë dhe kryeministrit të ketë si busull të saj një gjë që Rama e ka bërë kalin e tij të betejës në zgjedhjet e vitit 2025 dhe vijon ta ketë sot e gjithë ditën kryefjalë të diskurit të tij. Por nuk është kështu.

Së pari, për ta nisur nga më e thjeshta, janë mbi nëntëdhjetë përqind e qytetarëve shqiptarë që mbështesin anëtarësimin e Shqipërisë në BE, një shifër rekord që vazhdon të habisë në Bruksel dhe në çdo kryeqytet europian. Sekush e bën për vete, për familjen, për vendin dhe jo se e thotë kryeministri.

Së dyti, Shqipëria në BE është zgjidhja më e qëndrueshme për kërkesat-aspirata të protestës sot dhe të qytetarëve të lirë në vijmësi. Që nga ato për mbrojtjen e mjedisit dhe luftën kundër pandëshkueshmërisë në sferat e larta e deri te ato që lidhen me reformimin e sistemit politik në funksion të zgjedhjeve të lira, ku populli të ketë mundësi t’i zgjedhë vetë deputetët. Por kujdes! Zgjidhjet për të cilat po flasim dhe të tjera po aq të rëndësishme nuk janë premtime për t’u mbajtur kur të jemi brënda shtëpisë europianë. Janë kushte për të na pranuar.

Së treti, pavarësisht se “anija” jonë vazhdon udhëtimin drejt portit të integrimit dhe kapituj të tjerë do të mbyllen në vijimësi, “provimet e shtetit”, apo portat e Herkulit, janë në fund. Ata janë zbatimi i ligjeve dhe standarteve. Sado ta lirojë dorën faktori gjeopolitik, Shqipëria nuk mund të presë finishin me standartet e ulta zgjedhore që ka, me ndikimin e fortë të parave të pista të narkottrafikut, krimit dhe korrupsionit në sektorin e ndërtimit e më gjerë, me pengesat e nëndheshme por të lexueshme që has lufta e SPAK dhe GHKKO kundër korrupsionit në sferat e larta qeveritare, me minuse të tjera në lëmin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjes së mjedisit. Shto këtu pishmane dhe ambiguitete në sferat e larta të politikës dhe oligarkëve në Tiranë (nën monitorin nga Brukseli, Berlini e tjerë), ku në pamundësi për të frenuar zgjerimin e BE-së me Shqipërinë, do të parapëlqenin një pranim gjysmak, “ buono për Albania” që u mundëson ruajtjen e privilegjeve dhe statusqusë. Nuk ka gjasa të ndodhë. Por integrimin edhe mund të na e vonojnë

Në këto kushte, protestës si institucion i pazevendësueshëm i demokracisë i ka ka rënë misioni dhe barra të jetë vigjilente, në roje dhe në pararojë të ëndrrës së integrimit.

  •  

Antifesta e flakjes së kapeleve

Nga Preç Zogaj

Hedhja e kapeleve është një rit i studentëve në gjithë botën. Ata festojnë ashtu  përfundimin e studimeve të larta.

Në kopshtin e tyre të kujtimeve ajo mbetet një nga ngjarjet më të bukura. Sepse shënon “fluturimin” në jetën e re si profesionistë të diplomuar.

Në protestën e pardjeshme një grup studentësh bënë një gjest simbolik të kundërt me vallëzimin kremtues të kapeleve.

Nuk i hodhën, por i flakën. Për të dhënë mesazhin se vlera e  diplomave të fituara me përpjekje të mëdha humbet me shpejtësi në “ bursën” e një realiteti politiko-shoqëror, ku dija është e fundit.

Ti mund të kesh një, madje dy diploma me nota të mira e shumë të mira. Mund të kesh mbaruar studimet me rezultate të shkëlqyera në një univeristet prestigjioz në Europë.

Të gjitha këto kanë një vlerë relative ose nuk kanë vlerë fare për t’u punësuar në administratën shtetërore nëse nuk ke “diplomën” e diplomave: Përkatësinë partiake familiare në PS-në të Ramës. Apo të qënit simpatizant dhe votues i verifikuar i saj. Apo të kesh një lidhje me dikë që bëhet garant se vota jote do të shkojë për partinë në pushtet. Apo të jesh vetë dikush që  e garanton këtë. Apo falë rrethanave të caktuara të jesh pjesë e  një “ fondi” të vogël që kryeministri dhe zyrtarë të  tjerë në shembullin e tij e mbajnë për të sajdisur ndonjë  “rrebel” të partive kundërshtare. Por, deri në një pikë, sepse sapo të shohin se përfituesi  nuk po merr ngjyrën mavi  të partisë e largojnë me një pretekst çfarëdo. Shembujt janë pa fund.

Nuk është e thënë që  të diplomuarit e rinj të kenë në mendje të gjithë të punësohen në  sektorin publik. Kjo është e pamundur teorikisht. Shumë prej tyre kanë zgjedhje të parë dhe nganjëherë të fundit punësimin në sektorin privat. Por duke shkuar me mendimin se shteti është i të gjithëve, frustrohen, revoltohen, ndihen të diskriminuar, të përjashtur dhe të huaj në vendin e tyre kur shohin  si dominon kriteri partiak-elektoral në sektorin publik.

Përveçse të  diskriminuar ndihen dhe janë viktima të këtij sistemi, ia shohin sherrin kudo ku ndodhen, edhe në sektorin privat ku punojnë  a duan të punojnë. Sepse politizimi për qëllime elektorale prodhon një pushtet të denatyruar në raport me trajtimin e  funksionit si shërbim ndaj vendit dhe qytetarëve. Sekush ka si merak të parë ta ketë mirë me punëdhënësen Parti. Më tej, prodhon mediokritet, arrogancë, korrupsion. Prodhon një administratë të fryrë që merr shumë më shumë se jep.

Pra gjiithçka që  vetëm “ ha” në kurriz të nismës së lirë, vetëm i vështirëson  potencialet e  sipërmarrjes private, për rrjedhim i redukton hapësirat për  profesionistë të rinj, që detyrohen të punojnë jashtë profesionit, ose të shohin si alternativë emigrimin.

Popullsia në Shqipëri është prej vitesh në rënie. Lindshmëritë janë në trendin e plakjes. Emigrimi vazhdon pa pauza. Por ka një gjë që nuk zvogëlohet pavarësisht se popullsia zvogëlohet. Pavarësisht se shërbimet online kanë mbyllur shumë sportele. Administrata publike. Rreth njëqind e tetëdhjetë mijë me statusin e nëpunësit publik, disa mijëra të tjerë me kontrata të përkohshme. Brenda kësaj armate të stërmadhe në një vend me dy milion e treqind mijë banorë, ku një e treta janë pensionistë, vegjetojnë dhe gëlojnë grupet e patronazhistëve që mbajnë nën vëzhgim bllokun elektoral të shtetpartisë, të cilin kanë mundësi ta menaxhojnë emër për emër.

Dhe kështu, në vendin ku popullsia është në pikiatë partia në pushtet rritet e rritet. Pa ideologji, thjesht si ide pushteti, s’ka rëndësi me çfarë politikash. Kufinjtë  e pushtetit të saj me shtetin janë zhdukur, siç vinte në dukje raporti i OSBE/ODHIR-it për zgjedhjet e vitit 2025. Kjo është shtetpartia e kryeministrit Rama, të cilin s’reshtin ta tradhëtojnë, në të vertetë ta pohojnë si pasha lloj-lloj episodesh. Më i fundit një skenë pas përfundimit të samitit të NATO-s në Ankara. Të gjithë liderët po informonin vendet e tyre për rrezultatet historike të atij samiti, Rama prodhoi një kllounadë ku vuri Ministrin e Jashtëm dhe gjithë anëtarët e delegacionit në rolin e yllkave të kopshtit që thërrasin njëzëri fjalën që pret prej tyre edukatorja.

Përmendem vetëm disa aspekte të aktulitetit  politiko-shoqëror shqiptar të ditëve tona që përbëjnë kontekstin e flakjes së kapeleve nga disa studentë në protestë.

Ata dhe qindra mijëra të rinj e të reja rreth qëllimeve të pastra të protestës nuk kanë ndërmend të flakin fatin dhe misionin e gjeneratës për një Shqipëri të re. Në të kundërtën: po e kalisin në betejën e tyre paqësore  fitimtare me kastën e vjetër Rama-Berisha.

  •  

Paqja është rruga!

Nga Preç Zogaj

E ka thënë Mahatma Gandhi, udhëheqësi indian që i priu çlirimit të popullit dhe vendit të tij nga sundimi perandorak britanik, superfuqia botërore e kohës. Kjo ishte fitorja e madhe, por jo e vetmja, që e kurorëzoi gandizmin si një doktrinë politike-filozofike që synon ndryshimin dhe arritjen e qëllimeve të drejta përmes rezistencës paqësore.

Krahasimet çalojnë në kohë. Çfarë ka ndodhur dikur nuk është kopje e asaj që ndodh sot. Ato çalojnë gjithashtu në llojin dhe vëllimin e ngjarjeve, si edhe në përmasat e subjekteve që i prodhojnë.

Përqasjen apo ngjashmërinë e mban thelbi i tyre.

Protesta rinore popullore e përnatshme në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ngjarja më e madhe demokratike që i ka ndodhur Shqipërisë në tri dekadat e fundit, ka nisur si paqësore, ka vijuar si paqësore dhe mund të fitojë vetëm si paqësore. I gjithë konteksti i saj sugjeron këtë çelës suksesi.

Ajo është një protestë me kërkesa politike, ku përveç dorëheqjes së qeverisë dhe anulimit të disa ligjeve autokratike, po kërkon dhe po ngulmon për reformimin e sistemit politik në vend. Një reformim që do të sigurojë drejtësi shoqërore për të gjithë, çlirimin e zgjedhjeve nga rrethimi i shtet-partisë, zgjedhjen e deputetëve nga populli, vendosjen e kufijve të qartë mes shtetit dhe pushtetit, themelimin e llogaridhënies, transparencës dhe demokracisë pjesëmarrëse. Me fjalë të tjera, do t’i jepte fund përjashtimit të popullit nga sistemi që formalisht e njeh si sovran.

Këto kërkesa nuk mund të realizohen nga jashtë institucioneve. Nuk duhet, edhe po të ishte e mundur; por nuk është e mundur. Nuk e lejon demokracia, as anëtarësia e vendit në NATO, as kuadri i procesit të anëtarësimit në BE, dhe as stadi ku ndodhet sot kjo aspiratë.

Me një intuitë që vjen nga natyra e lëvizjeve të pastra e të çiltra rinore-popullore, protesta ka kapur momentin për të shtyrë mbylljen e kapitujve të anëtarësimit në BE, si garanci e ndryshimeve të pritshme. Jo vetëm të kapitullit 27 për mjedisin, por edhe të kapitujve themelorë e të tjerë. Në Bruksel, tani del në plan të parë zbatimi i standardeve. Shqipëria nuk ka shanse t’ia hedhë thjesht duke bërë letrat, duke përfituar nga situata gjeopolitike, apo më keq, duke mbajtur një dorë në bakllava dhe një dorë në revani, siç tregojnë piruetat e kryeministrit Rama. Si e tillë, me bindjen se Shqipëria e re është Shqipëria në BE, protesta paqësore pozicionohet në pararojë të ëndrrës së integrimit në këtë fazë vendimtare.

Nuk ka gjë më të fuqishme se një kauzë, koha e së cilës ka ardhur. Kauzës së rikthimit të demokracisë i ka ardhur koha. Ajo është e tillë që hëm i bashkon njerëzit, hëm formohet prej tyre. Është si lindja, ku lehona bën të lindë fëmija dhe fëmija bën të bëhet nëna. Ajo ka potencialin të bashkojë rreth vetes shumicën dërrmuese të shqiptarëve.

Sekreti mbetet karakteri paqësor dhe pjesëmarrja, dy qershi të lidhura në një rrfanë, siç do të thoshte poeti Ndre Mjeda. Karakteri paqësor rrit pjesëmarrjen. Të dyja së bashku bëjnë forcën. Një pjesëmarrje e madhe, me njëqind mijë njerëz e më shumë, ia pakëson ajrin qeverisë, ia bën të pamundur të vazhdojë me shpërfillje, me injorim të kërkesave dhe me meskinitete. Ia bën të pamundur qeverisë.

Ruajtja e karakterit paqësor të protestës, duke lënë mënjanë format e vjetra të opozitarizmit të dhunshëm steril, të stërpërdorur pa sukses nëpër dekada, është një akt mençurie dhe emancipimi që tejkalon stereotipet. Një mbrëmje kam dëgjuar në një studio televizive dy të rinj, pjesëtarë të grupit të koordinatorëve të protestës. U mahnita me qetësinë dhe kthjelltësinë e tyre.

“Po tani? Çfarë do të bëni me Edi Ramën, kur ai nuk do t’ia dijë fare për protestat tuaja?” – i ngacmonte njëri prej gazetarëve në studio, me qëllimin e qartë për të nxjerrë prej tyre ndonjë deklaratë për përshkallëzim. Nuk mund ta di nëse e kishin lexuar Gandin, por përgjigjet i kishin si gandistë.

“Ashtu do të fitojnë”, mendova me vete.

Dhe, meqë e nisëm me Gandin, le ta mbyllim me një shprehje tjetër të famshme të tij:

“Armiqtë tanë do të fitojnë mbi ne kur ne do t’i urrejmë ata aq sa na urrejnë ata ne.”

  •  

Rikthimi i demokracisë, kauza e madhe që zgjidh të tjerat

Nga Preç Zogaj

Shumë ngjarje të mëdha janë paraprirë nga episode që kanë provokuar shpalosjen dhe zhvillimin e tyre. Dramaturgjia i quan “nyja e intrigës”.

Zvërneci është një prej shembujve të freskët. Në projektin pa projekt të resortit të shumëpërmendur ishin kondensuar fshehtësia, ligji i xhunglës, simbioza midis shtetit legal dhe shtetit okult, konflikti i interesit, personalizimi ekstrem i pushtetit. Shpërthimi i tyre ka ngritur në këmbë Shqipërinë e njerëzve të lirë. Sa më mirë ta kuptojë kryeministri Rama këtë, aq më mirë është për vendin. Sa më shpejt t’i dalë nga mendja dhe shpirti fraza “populli im u zgjua”, në vend të fantazmave me armiq të jashtëm e të brendshëm, aq më mirë është për të.

Zvërneci pret tani transparencë të plotë nga SPAK se kush janë pronarët e ligjshëm të tokës atje. Pret kthimin e pronës te i zoti për çdo rast të uzurpimit, tjetërsimit apo grabitjes së saj. Pret reflektimin e standardeve dhe kërkesave të BE-së për mjedisin, përfshirë shfuqizimin ose ndryshimin e dispozitave ligjore problematike, si kusht për mbylljen e kapitullit përkatës në marshimin final drejt anëtarësimit në BE. Asnjë lloj investimi nuk përligj stopimin e integrimit të vendit në BE.

Asnjë prej këtyre pritshmërive nuk do të mbetet pa një përgjigje shteruese. Qoftë edhe me kaq, Zvërneci si kryengritje për drejtësi dhe dinjitet i një grupi qytetarësh ka arritur shumë.

Por tani ngjarja e re kombëtare është protesta rinore popullore në Tiranë. Me kalimin e ditëve, ndërsa po rritet në numra dhe po thyen rekordet e vazhdimësisë, kauzat e saj gjithëpërfshirëse sa vijnë e kristalizohen.
Kërkesa e ditës së parë për dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij mbetet kolona kurrizore e saj.

Sakaq, protesta po përqafon dhe po artikulon gjithnjë e më qartë në fjalimet e folësve dhe në vetë fiziologjinë e saj një kauzë madhore, që mundëson zgjidhjen e të tjerave.

Kjo është kauza e rikthimit të demokracisë, të cilën filluam ta humbnim pak nga pak që në fillimet e saj, kur sapo e patëm fituar. Pas tridhjetë e ca vitesh njerëzit në përgjithësi e shohin veten të përjashtuar nga regjimi që formalisht mban emrin e popullit. Ata nuk pyeten, ata nuk kanë zë në kapitull. Kjo është trajektorja e humbjes së madhe. Dy shtyllat e qeverisë së mirë – llogaridhënia dhe transparenca – kanë katandisur në fjalë boshe.

Llogaridhënia është zëvendësuar me propagandë. Personalizimi i qeverisjes është bërë normë. Sado paradoksale të duket në pamje të parë, korrupsioni në sistem ka qenë dhe është derivat i këtij personalizimi. Pse? Sepse në shoqërinë e hapur personalizimi i pushtetit në formën “ligji jam unë” përfaqëson shkallën më të lartë të korrupsionit politik. Zyrtarët dhe sipërmarrësit e oborrit e manifestojnë pastaj në format e abuzimeve të llojllojshme, deri të trasha. Rastet i kemi çdo ditë në komunikatat e SPAK për hetime, arrestime.

Një goditje të madhe në sistem demokracia në vendin tonë e mori në vitin 2008 me ligjin zgjedhor konsensual Berisha-Rama. Ky ishte dhe mbetet me gjithë disa retushime, ligj i krijimit të kastave dhe oborrtarëve politikë përmes listave të mbyllura duke ngritur një mur midis zgjedhësve dhe politikës dhe duke ua hequr mundësinë qytetarëve t’i gjykojnë deputetët me votë, t’i zgjedhin me votë.
Përgjatë zbatimit, zgjedhje pas zgjedhjesh për Kuvendin e Shqipërisë, ky ligj i shndërroi dy partitë e sistemit në kazerma politike të kryetarëve absolutë dhe vetë funksionin e shenjtë të zgjedhjeve të lira në një mjet të rëndomtë punësimi të disa besnikëve.

Demokracia e një vendi është ndjeshëm pasqyra e partive të saj të sistemit. Partitë autokratike prodhojnë regjime autokratike me maska demokratike. Por maskat nuk mbajnë. Vjen një ditë që populli zgjohet dhe reklamon me forcë sistemin e tij, regjimin e tij, grabitja e të cilit është edhe më keq se grabitja e pronës, duke qenë se grabitja e pronës është pasojë e grabitjes së sistemit demokratik.

Në këto kushte çlirimi i zgjedhjeve mbetet premisa e kthimit të demokracisë në vendin tonë. Protesta rinore qytetare po e artikulon çdo ditë e më fort. Ajo po jehon si refreni i himnit rreth flamurit të përbashkuar me një dëshirë, me një qëllim i të gjithë atyre që zbresin në bulevard – të majtë, të djathtë, radikalë, nacionalistë, liberalë, të pavarur. Dhe i mijëra e mijëra të tjerëve që i ndjekin nga shtëpitë dhe vazhdojnë t’u bashkohen ditë pas dite.

Zgjedhjet e lira me rregulla të qarta loje, ku sovrani i zgjedh me votë të lirë përfaqësuesit e vet, ku votat numërohen sa pa rënë mesnata apo edhe më shpejt dhe administrohen pa partishmëri, janë themeli i Shqipërisë së re.

Protesta e këtyre ditëve, ngjarja më e madhe demokratike e tranzicionit, po tregon edhe njëherë se demokracia i krijon vetë mjetet e vetëmbrojtjes. Mjafton të ketë një korsi të lirë dhe një popull që në një udhëkryq të fatit të vet bëhet gjallë dhe thërret: Mjaft! Ky është populli i protestës politike më paqësore e më të vendosur që kemi jetuar. Me rrezatim në gjithë Europën. Tridhjetë e pesë vite më parë shqiptarët erdhën të fundit në takimin me historinë. Kësaj radhe duket se po vijnë të parët duke dhënë një shembull edhe për të tjerët, duke dëshmuar edhe njëherë se demokracia vjen si dhuratë, por mbahet me përpjekje, siç ka thënë Papa Gjon Pali II. Shumë ngjarje të mëdha janë paraprirë nga episode që kanë provokuar shpalosjen dhe zhvillimin e tyre. Dramaturgjia i quan “nyja e intrigës”.

Zvërneci është një prej shembujve të freskët. Në projektin pa projekt të resortit të shumëpërmendur ishin kondensuar fshehtësia, ligji i xhunglës, simbioza midis shtetit legal dhe shtetit okult, konflikti i interesit, personalizimi ekstrem i pushtetit. Shpërthimi i tyre ka ngritur në këmbë Shqipërinë e njerëzve të lirë. Sa më mirë ta kuptojë kryeministri Rama këtë, aq më mirë është për vendin. Sa më shpejt t’i dalë nga mendja dhe shpirti fraza “populli im u zgjua”, në vend të fantazmave me armiq të jashtëm e të brendshëm, aq më mirë është për të.

Zvërneci pret tani transparencë të plotë nga SPAK se kush janë pronarët e ligjshëm të tokës atje. Pret kthimin e pronës te i zoti për çdo rast të uzurpimit, tjetërsimit apo grabitjes së saj. Pret reflektimin e standardeve dhe kërkesave të BE-së për mjedisin, përfshirë shfuqizimin ose ndryshimin e dispozitave ligjore problematike, si kusht për mbylljen e kapitullit përkatës në marshimin final drejt anëtarësimit në BE. Asnjë lloj investimi nuk përligj stopimin e integrimit të vendit në BE.

Asnjë prej këtyre pritshmërive nuk do të mbetet pa një përgjigje shteruese. Qoftë edhe me kaq, Zvërneci si kryengritje për drejtësi dhe dinjitet i një grupi qytetarësh ka arritur shumë.

Por tani ngjarja e re kombëtare është protesta rinore popullore në Tiranë. Me kalimin e ditëve, ndërsa po rritet në numra dhe po thyen rekordet e vazhdimësisë, kauzat e saj gjithëpërfshirëse sa vijnë e kristalizohen.

Kërkesa e ditës së parë për dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij mbetet kolona kurrizore e saj. Sakaq, protesta po përqafon dhe po artikulon gjithnjë e më qartë në fjalimet e folësve dhe në vetë fiziologjinë e saj një kauzë madhore, që mundëson zgjidhjen e të tjerave.

Kjo është kauza e rikthimit të demokracisë, të cilën filluam ta humbnim pak nga pak që në fillimet e saj, kur sapo e patëm fituar. Pas tridhjetë e ca vitesh njerëzit në përgjithësi e shohin veten të përjashtuar nga regjimi që formalisht mban emrin e popullit. Ata nuk pyeten, ata nuk kanë zë në kapitull. Kjo është trajektorja e humbjes së madhe. Dy shtyllat e qeverisë së mirë – llogaridhënia dhe transparenca – kanë katandisur në fjalë boshe. Llogaridhënia është zëvendësuar me propagandë.

Personalizimi i qeverisjes është bërë normë. Sado paradoksale të duket në pamje të parë, korrupsioni në sistem ka qenë dhe është derivat i këtij personalizimi. Pse? Sepse në shoqërinë e hapur personalizimi i pushtetit në formën “ligji jam unë” përfaqëson shkallën më të lartë të korrupsionit politik. Zyrtarët dhe sipërmarrësit e oborrit e manifestojnë pastaj në format e abuzimeve të llojllojshme, deri të trasha. Rastet i kemi çdo ditë në komunikatat e SPAK për hetime, arrestime.

Një goditje të madhe në sistem demokracia në vendin tonë e mori në vitin 2008 me ligjin zgjedhor konsensual Berisha-Rama. Ky ishte dhe mbetet me gjithë disa retushime, ligj i krijimit të kastave dhe oborrtarëve politikë përmes listave të mbyllura duke ngritur një mur midis zgjedhësve dhe politikës dhe duke ua hequr mundësinë qytetarëve t’i gjykojnë deputetët me votë, t’i zgjedhin me votë.

Përgjatë zbatimit, zgjedhje pas zgjedhjesh për Kuvendin e Shqipërisë, ky ligj i shndërroi dy partitë e sistemit në kazerma politike të kryetarëve absolutë dhe vetë funksionin e shenjtë të zgjedhjeve të lira në një mjet të rëndomtë punësimi të disa besnikëve.

Demokracia e një vendi është ndjeshëm pasqyra e partive të saj të sistemit. Partitë autokratike prodhojnë regjime autokratike me maska demokratike. Por maskat nuk mbajnë.

Vjen një ditë që populli zgjohet dhe reklamon me forcë sistemin e tij, regjimin e tij, grabitja e të cilit është edhe më keq se grabitja e pronës, duke qenë se grabitja e pronës është pasojë e grabitjes së sistemit demokratik.
Në këto kushte çlirimi i zgjedhjeve mbetet premisa e kthimit të demokracisë në vendin tonë. Protesta rinore qytetare po e artikulon çdo ditë e më fort. Ajo po jehon si refreni i himnit rreth flamurit të përbashkuar me një dëshirë, me një qëllim i të gjithë atyre që zbresin në bulevard – të majtë, të djathtë, radikalë, nacionalistë, liberalë, të pavarur. Dhe i mijëra e mijëra të tjerëve që i ndjekin nga shtëpitë dhe vazhdojnë t’u bashkohen ditë pas dite.

Zgjedhjet e lira me rregulla të qarta loje, ku sovrani i zgjedh me votë të lirë përfaqësuesit e vet, ku votat numërohen sa pa rënë mesnata apo edhe më shpejt dhe administrohen pa partishmëri, janë themeli i Shqipërisë së re.

Protesta e këtyre ditëve, ngjarja më e madhe demokratike e tranzicionit, po tregon edhe njëherë se demokracia i krijon vetë mjetet e vetëmbrojtjes. Mjafton të ketë një korsi të lirë dhe një popull që në një udhëkryq të fatit të vet bëhet gjallë dhe thërret: Mjaft! Ky është populli i protestës politike më paqësore e më të vendosur që kemi jetuar. Me rrezatim në gjithë Europën. Tridhjetë e pesë vite më parë shqiptarët erdhën të fundit në takimin me historinë. Kësaj radhe duket se po vijnë të parët duke dhënë një shembull edhe për të tjerët, duke dëshmuar edhe njëherë se demokracia vjen si dhuratë, por mbahet me përpjekje, siç ka thënë Papa Gjon Pali II.

  •  

Kohë të mira për SPAK dhe Gjykatën Speciale

Nga Preç Zogaj

Asnjëra nga partitë kryesore që votuan me konsensus reformën në drejtësi dhjetë vjet me parë nuk ia ka dalë të kalojë testin kritik të mbështetjes së SPAK dhe GJKKO edhe kur hetimi penal do t’ja behte në kupolat respektive.

PS dhe Rama janë mburrur me SPAK kur hetimet kanë patur në fokus kundërshtarët e tyre politikë, Berishën dhe Metën. Apo disa ish ministra socialistë, të cilëve kryeministri u kishte dhënë duart.

Duke qenë vetë subjekt i hetimit për dosjen “Partizani”, Berisha e ka formuar retorikën e rëndë anti-SAPK të PD-së. Sakaq, ai ka thënë ndonjë fjalë të mirë kur SPAK ka marrë në hetim kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, ish kryeministren Belina Balluku dhe ndonjë zyrtar tjetër socialist.

Ky raport me institutucionin e hetimit – i mirë kur godet kundërshtarët, i keq kur më godet mua dhe bashkëpunëtorët e mi të ngushtë – ka bërë që SPAK të jetë praktikisht në sulmet e kryqëzuara të dy krahëve politikë. Që ia kanë bërë benë. Veç mos u rëntë në dorë.
Ka qënë e pritshme të ndodhte kështu. Po të mos hetonte korrupsionin në sferat e larta SPAK do të mohonte veten. Në të vërtetë, armiqësia e kastës politike me këtë institucion lidhet parasëgjithash me guximin e tij për të hetuar pa tabu, me normalizimin e hetimit në sferat e larta, gjë që ka shënuar historinë e re të drejtësisë në vendin tonë. Një armiqësi kësisoj është prova më e mirë se institucioni është rrugën e duhur. Pavarësisht nevojës për korrigjime dhe përmirësime për mbajtjen e çdo hetimi në shtratin e një procesi ligjor të rregullt e të drejtë, sipas standardeve më të mira ndërkombëtare.

Askush nuk pret që politikanët në hetim dhe gjykim ta ofrojnë kokën në pjatë të argjendtë. Ata do të bëjnë betejën e tyre. Fjalën e fundit e kanë gjykatat. Në një sistem gjyqësor me katër shkallë (nëse shtojmë këtu Gjykatën e Strasburgut), është pothuajse e pamundur të mos bëhet drejtësi.
Nga ana tjetër askush që ka një kuptim të drejtë për betejën me korrupsionin dhe krimin në Shqipërinë e sotme nuk pret që SPAK dhe GJKKO të kompleksohen apo të tremben nga kërcënimet. Aq më pak të bëjnë gjynahqarin, sikur fatin e tyre e ka në dorë ekzekutivi. Me statusin që u ka dhënë ligji, prokurori apo gjyqtari që ka frikë nga politikanët nuk meriton të punojë në SPAK apo GJKKO.
Por kohët përpara duken të mira për drejtësinë e sulmuar nga elitat e korruptuara. Do të veçoja dy ngjarje apo zhvillime.
Së pari, emërimin nga Presidenti Tramp të ambasadorit të ri të SHBA-ve në Tiranë, gjeneralin Erik Wendt. E ndoqëm me interes të madh paraqitjen e tij para Senatit. Lufta kundër korrupsionit ishte rikthyer në krye të listës së prioriteteve të ambasadorit të ri, ndjekur nga angazhime të tjera konkrete në lidhje me luftën kundër narkotrafiqeve dhe me sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në zgjatimin e tyre në një vend aleat dhe epiqedër e politikës së jashtme amerikane në rajon si Shqipëria.

Janë priotete të Presidentit, Departamentit të Shtetit dhe agjencive të tjera amerikane të zbatimit të ligjit për Shqipërinë. Ato fuqizojnë bashkëpunimin e SHBA-ve me institucionet dhe agjencitë e analoge në Shqipëri. Prokurorët e SPAK kanë arsye të ndihen të inkurajuar jo vetëm për fjalët e mira të ambasadorit për institucionin ku punojnë. Mbi të gjitha për objektivat e përbashkëta.
Publiku shqiptar nga ana tjetër ka arsye të rimbushet me shpresë e besim se korrupsioni dhe krimi do të luftohen më fort.

Simbolikisht dhe jo vetëm simbolikisht Gjenerali-ambasador vjen për të fituar beteja kundër së keqes në vendin e vogël mik të atdheut të tij. Vjen për të mbojtur interesat e sigurisë së SHBA-ve që janë interesat e Shqipërisë gjithashtu kundër kërcënimit të tyre. Do t’ja dëgjojmë krismën, thotë një shprehje e vendit.

Një zhvillim tjetër që shkon në një linjë me të mësipërmen është lista e detyrimeve të reja të Shqipërisë nga BE me rastin e miratimit të marrëveshjes IBAR, si një stacion në det të hapur në rrugën drejt ankorimit të vendit në BE. Detyrimet e të reja të muajit maj janë shumë më të forta se ato të muajit shkurt, para kalimit të pengesës së IBAR. Në draftin e muajit shkurt BE i kishte kërkuar Shqipërisë të adresojë në mënyrë efektive përpjekjet e zyrtarëve publikë ose politikanëve për të ushtruar ndikim të padrejtë në institucionet e drejtësisë dhe sulmet personale ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Tre muaj me vonë Shqipëria u ka grahur rremave në kahun e përkeqësimit. BE-ja shpreh keqardhje dhe i kërkon Shqipërisë të adresojë në mënyrë efektive përpjekjet në rritje dhe shqetësuese të zyrtarëve publikë ose politikanëve, përfshirë në nivele të larta, për të ushtruar ndikim të padrejtë në institucionet e drejtësisë, duke përfshirë Strukturën e Specializuar për Antikorrupsionin dhe Krimin e Organizuar (SPAK), dhe sulmet personale ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve.”
Se kush janë këta e zyrtarë publikë dhe politikanë e di çdo lexues. Në krye të listës kesaj radhe është kryeministri Rama. BE i ka në fokus.

Mund të duket paradoksale që ndërsa përkeqëson qëndrimin ndaj SPAK dhe në fusha të tjera të shënuara në dokumentin e detyrimeve të reja, Shqipëria merr notën kaluese të IBAR. Por nuk është kështu. IBAR është një stacion në mes të rrugës. Asnjë vend nuk është ndaluar në këtë stacion. Portat e mëdha janë përpara. E fundit fare hapet me një shtet ligjor normal dhe me një drejtësi funksionale që heton dhe gjykon korrupsionin pa pengesa. Askush nuk duhet të ketë iluzione se porta e madhe hapet me letra dhe propagandë.

  •  

Servet Pëllumbi, i pari dhe i fundit i të urtëve në majat e politikës

Nga Preç Zogaj

Angazhimi në politikën e lartë njeh shembuj diametralisht të kundërt të raportit me të. Ka politikanë që dalin për së gjalli nga politika dhe i “dorëzohen” historisë, e cila shoshit çfarë mbetet prej tyre në librin e saj.

Ka të tjerë që dalin përpara nga historia, por qëndrojnë me thonj e me dhëmbë në politikën korente.

Servet Pëllumbi, i cili u nda nga jeta kësaj jave, i përket grupit të parë. Pavarësisht periudhës së shkurtër në majat e politikës, ai shënjoi profilin e një politikani të urtë me cilësitë e burrit të shtetit.

I ra shorti të drejtonte Partinë Socialiste si nënkryetar i parë, do të thotë si kryetar de fakto i saj, në vitet 1993-1996 kur kryetari i zgjedhur Fatos Nano u burgos politikisht nga regjimi. Bashkë me Namik Doklen, Gramoz Ruçin dhe të tjerë eksponentë të kupolës socialiste të kohës, Pëllumbi iu desh të menaxhonte shokun psikologjik të burgosjes arbitrare të kryetarit dhe zemërimin e popullit opozitar për këtë shkak. Njëherësh t’i jepte formë dhe perspektivë alternativës së PS-së në kushtet e represionit.

Kryfjala e angazhimit dhe artikulimeve të tij të kësaj kohe u bënë hapja dhe bashkimi i Partisë në diveristet. Në një farë mënyre Pëllumbi mori dhe zbatoi në Partinë Socialiste frymën e dokumentit politik, i njohur me emrin “Mocion”, të cilin drejtuesit e korentit liberaldemokrat të PD-së u përpoqën ta kalonin në Partinë e tyre pas humbjes së zgjedhjeve vendore të vitit 1992, por që u kushtoi përjashtimin.

Gjatë kohës që shërbeu si kryetar ‘ad interim’ i socialistëve Servet Pëllumbi udhëhoqi dy beteja të mëdha politike të PS-së dhe opozitës: Votimin “jo” në Referendumin kushtetues të vitit 1994 dhe demaskimin e farsës elektorale të vitit 1996.

Projekti i kushtetutës së re synonte në esencë të sanksiononte pushtetin e pakufishëm të Berishës president, i cili i priu fushatës për të votuar “po”. Rreshtimet pro dhe kundër qenë ndërkaq një test i pëlqyeshmërive politike popullore në perspektivën e zgjedhjeve parlamentare pas një viti e gjysëm.

Siç dihet, Partia Socialiste dhe forcat opozitare të rreshtimit “jo” fituan rreth gjashtëdhjetë përqind të votave. Në mjaft zona qytetesh të mëdha, Elbasan, Vlorë, Korçë, ku PD kishte fituar thellë në zgjedhjet politike të mëparshme ( 1991-1992) fitorja e “Jo”-së luhatej midis shtatëdhjetë dhe tetëdhjetë përqind. Në Fier edhe më thellë.

Këto fakte s’do kishin vlerë të përmendeshin sot po të mos ishte fjala për t’ja kujtuar sot si meritë, ndërsa është ndarë nga jeta, politikanit që i priu asaj fitoreje historike. Por këto fakte nuk mund të mos na kujtojnë gjithashtu se tkurrja e madhe e PD-së në qytetet ku kishte fituar bindshëm në fillimet e saj ndodhi në atë referendum poltik dhe nuk ndryshoi më. PD nuk ka bërë asnjëherë një reflektim të thellë për këtë përmbysje.

E kam si tani parasysh atmosferën e fitores së “jo”-së që mori formë afër mesnatës. Gjatë gjithë mbrëmjes Radiotelevzioni Shqiptar s’kishte reshtur se njoftuari, deri në intervalet e emisioneve muzikore, fitoren 85 përqind të “po”-së në Kavajë. Ishte menduar si shifër lokomotivë që do të tërhiqte shifrat e zonave të tjera në veri dhe në jug. Gazetarët e pyetën Servet Pëllumbin për këtë. Ai u përgjigj me nënqeshje, i bindur në fitoren e “po”-së: “E kam në sirtar qysh mbrëmjen e kaluar rezultatin e Kavajës”.

Në datën 26 maj, Pëllumbi udhëhoqi zbatimin e vendimit për tërheqjen pasdite të komisionerëve socialistë dhe gjithë opozitës nga qëndrat e votimit, vendim i vështirë, në kufinjtë e asgjësimit të opozitës, por që u konfirmua si i paevitueshëm dhe i drejtë në faktin e mosnjohjes së atyre zgjedhjeve nga SHBA dhe vendet e Europës në përgjithësi.

Dy ditë më pas ai i priu protestës së opozitës kundër manipulimit të zgjedhjeve në një provë vendosmërie dhe force për të hyrë në sheshin “Skëndërbej”, rrethuar me forca të shumta policore dhe të Gardës që kishin marrë urdhër të ushtronin dhunë mbi çdo politikan dhe protestues që do të guxonte të shkelte aty. Njerëzve u duket e pabesueshme kur shohin pas tri dekadash fytyrat e tyre të përgjakura, çmimi për t’u paguar i hyrjes në sheshin më të madh publik të vendit. Kështu ishte ajo kohë kur zgjedhjet shqiptare hynë në terr dhe stuhi bashkë me përpjekjen sizifiane për t’i gjetur ato.

Servet Pëllumbi e shfaqi natyrën e tij prej politikani të urtë e të përgjegjshëm në një tjetër sprovë të vështirë: në përballjen me pshtjellimin e madh që shkaktuan në Partinë Socialiste letrat nga burgu të asaj kohe të Fatos Nanos, letra të cilat, në vështrimin mediatik të fjalës, i kishin shpallur luftë partisë. Pëllumbi dhe Dokle qenë nishane të shigjetave të Nanos nga burgu. Të dy e riafirmuan vijueshëm lidershipin e padiskutueshëm të liderit të burgosur, pa rënë për asnjë çast në polemizime, pa lejuar rënien e partisë në çerthullin
‘perpetuum mobile’ të keqkuptimeve. Në të kundërtën, si për të provuar tezën e njohur se në shoqërinë e lirë një subjekt politik përforcohet përmes mosdakordësive, ata u angazhuan në vijën e parë për gjetjen e zgjidhjeve përbashkuese mes fraksioneve dhe rrymave që ishin krijuar në parti edhe nën frymëzimin e letrave të Nanos. Deri në bërjen e hapave prapa.

Njerëzit e kujtojnë periudhën e drejtimit të Kuvendit nga Servet Pëllumbi (2003-2005) si një ndër më normalet për standardin tonë të parlamentarizmit. Ai diti ta harmonizonte përkatësinë e tij politike me rolin e kryetarit superpartis të Kuvendit ku respektimi i të drejtave të opozitës është vetë kuptimi dhe funksionimit të tij si institucioni më i lartë demokratik.

Besnik i parimeve politike të së majtës europiane, të cilat diti t’i promovonte dhe përshtaste me mençuri në Partinë Socialiste të Shqipërisë, Servet Pëllumbi ishte modeli i politikanit të urave, dialogut, respektimit dhe mirëkuptimit të vizioneve të ndryshme apo të kundërta me të vetat. Shembulli tij mbetet ilustrimi më i mirë i faktit se moderacioni ia del me nder. Me ndarjen e tij nga jeta Shqipëria humbi të fundin e të urtit në nivel lideri politik për aq sa qëndroi de fakto në krye të PS-së në një periudhë kritike për vetë ekzistencën e saj. Personalisht, isha në një diferencë jo të vogël në moshë me të, por u bëmë miq prej moderacionit.

  •  

Si po i shkelmon Berisha normat e brohoritura me rastin e zgjedhjes së kryetarit të PD

Nga Preç Zogaj

Qëkurse vendosi të rimerrte drejtimin de fakto të Partisë Demokratike në shtator të vitit 2021, pasi e kishte kontrolluar në rolin komod të kryetarit të kryetarit të zgjedhur për tetë vite në opozitë, Berisha ka qenë i vetëdijshëm se rikthimi i saj në pushtet nën drejtimin e tij do të ishte një termale prej sizifi.

Sepse ishte konsumuar dy herë në pushtet, duke e mbyllur ciklin. Herën e parë në postin e një Presidenti partiak të gjithëfuqishëm që e filloi me fanfara në vitin 1992 dhe e përfundoi pas pesë vitesh me zbarkimin e gjashtë mijë forcave ndërkombëtare paqeruajtëse në vend. Herën e dytë në postin e kryeministrit nga viti 2005 deri në vitin 2013 prej nga u largua, duke lënë pas një bilanc arritjesh e veprash të mëdha sidomos në katërvjeçarin e parë, por edhe konsumim, degradim dhe korrupsion me përhapje të gjerë në mandatin e dytë, për ç’arsye edhe i humbi zgjedhjet.

Sepse kishte moshën biologjike dhe kohën politike që “nuk do t’i dojë kurrë, kurrë fëmijët e kohës së shkuar, heronjtë e kohës së shkuar, veç ato që ka pjellë vetë”, siç shkruan Vasili Grosman në romanin e tij të famshëm “Gjithçka kalon”.

Për më shumë sepse kishte gjylet e saksionimit amerikan nëpër këmbë, që ishte edhe shkaku pse zbriti në fushë për rimarrjen e partisë, duke e përçarë me vetëdije atë, siç e ka pohuar vetë.

E plazmoi këtë ravgim në premtimin e rithemelimit të PD-së si një parti moderne europiane më të madhe e më të bashkuar, të hapur, me diversitet, me pranimin e fraksioneve, me primare nga anëtarësia për zgjedhjen e kandidatëve për deputetë, me sannksionimin statuor të dorëheqjes së kryetarit kur partia humb zgjedhjet, e tjerë. Dhe me premtimin e fitores, më joshësi dhe më motivuesi për ndjekësit e tij.

Të gjitha këto kanë rezultuar parulla në erë në sprovën e parë të zbatimit dhe realizimit. Primaret u shdërruan në farsë, hapja nuk ndezi, bashkimi i kuptuar si asimilim i atyre që mendojnë ndryshe nuk shkrepi, PD u zvogëlua ndjeshëm në krahasim me atë që kishte qenë para rithemelimit.

Por shfaqjen më spektakolare të shkelmimit të normave të brohoritura Berisha po e jep me rastin e zgjedhjes së kryetarit. Si të mos i mjaftojë se po rikandidon në shkelje flagrante të nenin të statutit që parashikon dorëheqjen pa kushte të kryetarit kur Partia humbet zgjedhjet, ai ka vendosur të mos ketë kandidatë të tjerë, të mos ketë garë. Krejt të kundërtën e asaj që pritet nga një parti që e ka jetike hapjen, gjithëpëfshirjen, garën, diversitetin, rinovimin, energjizmin që krijojnë debatet dhe ballafaqimet brenda kuadrit programor dhe etik të partisë. Kjo është një qasje e vetëdijshme zvogëlimi që nuk shpjegohet me politologji; një vetçarmatosje nga mundësia për ta dominuar moralisht kundërshtarin politik që nuk bën zgjedhje. Sepse farsa me farsë nuk luftohet.

  •  

Institucionalizimi i opozitës plurale si mundësia e vetme për rrotacionin e pushtetit

Nga Preç Zogaj

Zgjedhjet politike të radhës janë larg. Por janë prapa derës për një opozitë në krizë, të frustruar nga humbjet e njëpasnjëshme prej vitit 2013 e këndej. Gjithnjë, nëse ajo ka një objektiv të qartë për të fituar pushtetin e madh të shumicës e jo për të ricikluar humbësit kronikë në krye të saj, të vetëkënaqur me pushtetin e vogël të pakicës.

Shumë ngjarje mund të ndodhin deri atëherë. Por mund edhe të mos ndodhin. Siç e themi shpesh, në politikë ngjarjet zbulohen duke ndodhur. Kjo nuk do të thotë se zhvillimet politike janë jashtë parashikimit. Ka mënyra e mënyra për të parë të ardhmen jo në formën e një falli. E djeshmja, e tashmja, përvojat, precedentët, analogjitë, ligjësitë janë “pasqyra magjike” për të parashikuar në vija të përgjithshme çfarë pritet të ndodhë pas një viti, dy vitesh e shumë më shumë.

Historinë e së ardhmes e shkruan historia e së shkuarës, sipas eseistit të famshëm francez, Zhak Atali. Parashikimit i vinë në ndihmë ndërkaq sondazhet periodike, që fotografojnë në përditshmëri lëvizjet e imëta të pëlqyeshmërive popullore për partitë dhe liderit e tyre. Grafiku i sondazheve nuk njeh gremisje të menjëhershme të një pale dhe fluturime pindarike të palës tjetër. Si rregull beteja mes tyre është si një tërheqje e gjatë litari. Me përjashtim të rasteve të jashtëzakonshme që nënkuptojnë një kolaps të ekonomisë, shpërthim të inflacionit, fluturim të çmimeve për faj të qeverisë, e tjerë.

Të gjithë këta tregues nuk të bëjnë sot optimist se do të kemi një rrotacion me dy hapa të pushtetit: të atij vendor pas një viti dhe atij parlamentar pas tre vitesh. Fitorja e bujshme e Petër Maygar në Hungari që shkuli nga pushteti pas katër mandatesh rregjimin e Viktor Urban nuk gjen asnjë ekuivalencë në realitetin e sotëm politik në Shqipëri. E vetmja analogji, më saktë një mesazh nga rasti hungarez është ky: kur ka alternativë të mirë fitoren e opozitës nuk mund ta ndalojë asgjë.

Nga kjo pikëpamje, detyra e partive të spektrit opozitar, në radhë të parë e Partisë Demokratike si më e madhja e tyre, është ndërtimi i alternativës. Duket fjalë e madhe por mund ta thjeshtojmë pa i hequr asgjë prej kuptimit. Alternativa është lidershipi, lideri. Këtë na tregoi qartë shembulli hungarez.

Në rastin tonë nuk kemi një realitet politik të tillë që mundëson daljen e një lideri gjithëpëfshirës mbi shkretimin opozitar. Problemi këtu është më i komplikuar. Partia më e madhe e opozitës, PD bashkë me partitë aleate të koalicionit janë parti-emra të liderve të tyre të përjetshëm. PD nuk është aq e madhe sa të kërcënojnë mazhorancën, por as e vogël sa të vihet në diskutim primati saj në opozitë. Pavarësisht se ajo ka ardhur duke u zvogëluar, sipas sondazheve të ekspertit Eduard Zaloshnja, i cili – duhet ta përsërisim – i ka gjetur saktë brenda marzhit të gabimit rezultatet e zgjedhjeve prej rreth dy dekadash.

Partia Demokratike mund ta zgjidhte thjesht problemin e ringritjes përmes tërheqjes së Berishës për t’i hapur rrugën një lideri të ri që del përmes një procesi zgjedhor konkurues, të lirë, të ndershëm e të barabartë. Një lider i tillë, i mbështetur pa rezeva nga Berisha pasi ka fituar, do ta bashkonte, rriste e bënte fituese Partinë dhe mbarë opozitën.

Por siç po shihet Berisha nuk ka ndërmend të bëjë një hap pas edhe pse në shkelje të statutit që ka miratuar vetë. Vendosmëria e tij për të qëndruar në krye të PD-së deri deri duke penguar kandidatë rivalë të papilotuar prej tij nuk duket të jetë më një çështje ambicjesh politike, por e nevojës për t’u mbrojtur para drejtësisë, e raportit të tij me posteritetin. Në këto kushte apelet për t’u tërhequr apo lejuar garën e lirë fillojnë e bartin kotësinë, injorimin e frikës dhe hallit tjetrit, për të mos thënë me shumë. Mbetet tjetra: që Berisha, ashtu siç është, i tillë që nuk fiton, por pa të cilin, në postin që ka, opozita sot për sot nuk mund të fitojë, të angazhohet për një kuadër kushtesh e zgjidhjesh që do të mundësonin çuarjen me sa ma pak firo në zgjedhje të elektoratit opozitar. I cili është sot numerikisht më i madh se ai proqeveritar, por ka nevojë të shprehet politikisht në subjekte të ndyshme nga PD-ja e parinovuar.

Në këtë kontekst, propozimi i Berishës për hapjen e plotë të listave dhe për mazhoritarin kombëtar është një hap pozitiv. Ky propozim duhet mbrojtur fort në tryezën e reformës. Me fleksibilitetin që kërkojnë kompromiset, pra, duke lëshuar për kërkesa të arsyeshme të palës tjetër.

Ka shumë për të bërë për motivimin e zgjedhësve opozitarë. Kryesorja, sipas meje, mbetet institucionalizimi i opozitës plurale në kuadrin e qëllimit të përbashkët që është rrotacioni i pushtetit, bashkëqeverisja. Një model është qendra e djathtë italiane, ku katër parti, “Vëllezërit e Italisë”, “Forca Italia”, “Lega Nord” dhe “Ne, të moderuarit” konkuruan më vete në kuadrin e një marrëveshje parimore për bashkëqeverisje dhe një kuadri etik që siguron menaxhimin e diversiteteve, fërkimeve dhe papajtueshmërive që nuk duhet të mbyten, por të artikulohen. Shumarja e votave të tyre bëri mazhorancën që qeveris Italinë.

Opozitarizmi në vendin tonë sot është një mozaik fraksionesh të demokratëve brenda dhe jashtë PD-së. Ka ndërkaq subjekte politike të vogla që ndajnë të njëjtin qëllim me partinë e madhe, por kanë indentitetin e tyre. E gjithë kjo larmi nuk arrin gjë nëse secili nuk sheh përtej hundës së vet. Por mund të rritet në kuadrin e opozitës plurale ku PD angazhohet të respektojë hapësirat e diversitetit, të mbështesë reflektimin e interesave të subjekteve të këtij spektri në kodin zgjedhor, të mbrojë votat e tyre. Në shkëmbim subjektet në fjalë angazhohen dhe mbajnë zotimet e tyre.

Zgjidhja për të mposhtur mazhorancën aktuale nuk vjen nga unifikimi brenda një liste të vetme. Nuk jemi në vitin 2005. Bashkimet mekanike nuk mundësojë trasferimin mekanik të votave anti-establishment të një subjekti unik. Shumarja e opozitës plurale ku se kush mbledh votat e veta ka shanse.

  •  

PD i humb zgjedhjet në Tiranë, në seli, në zyrën e Kryetarit

Nga Preç Zogaj

Nuk e harroj një mbledhje të grupseksionit demokrat të ish komunës se Zejmenit në verën e vitit 2017. Tema ishte analiza e shkaqeve të humbjes në zgjedhjet e atij viti. Pjesëmarrësit ishin shumë të dëshpëruar. Disa prej tyre e nisën duke fajësuar njëri-tjetrin për episode pa peshë ose me peshë të papërfillshme. Pavarësisht se kishin fituar në njësinë e tyre. Siç kishin fituar ata të Kolshit dhe Shënkollit – tri njësi që përbënin një zonë patronazhimi nga kandidati për deputet i listës së mbyllur.

U thashë: PD nuk i ka humbur zgjedhjet në Zejmen ku ka fituar. Madje as në fshatrat e Zadrimës apo Shëngjinit ku ka lëshuar bastione. PD i ka humbur zgjedhje në Tiranë, në selinë e saj qëndrore.

Nuk ka vlerë të përsëriten sot arsyet e atëhershme. Mjerisht, i shohim të përseriten sot në realitetin e ngrirë të piramidës së përgjegjësive për humbjen në zgjedhjet e vitit 2025, shumë më e madhe se ajo e vitit 2021.

Kanë bërë bujë dhe habi të madhe lajmet e kohëve të fundit për shkarkime e vetëpërjashtime (de fakto përjashtime) demokratësh nga Partia. Disa prej tyre janë të zgjedhur në forume dhe këshilla bashkiake, zëra kritikë që kanë shprehur përgjatë vitit qëndrimet e tyre kundër listave të mbyllura, klientelizmit, falsitetit të primareve dhe akteve të tjera vetvrasëse për një parti opozitare që synon të vijë në pushtet.

Buja vjen nga jehona e këtyre purgave të freskëta në historinë e një partie që e ka paguar shtrenjtë, më shumë se njëherë, sjelljen si parti sektare unike, pra sikur nuk ka të tjera. Duke e injoruar faktin se jetojmë në liri, në një sistem shumëpartiak. Ku njerëzit, po të duan, ikin hapur nga partia, rrinë hapur pa parti ose shkojnë hapur me parti të tjera. Aq më tepër me partinë në pushtet që u ofron edhe poste po të ishtë fjala për një interes personal. Të përjashtuarit që kam dëgjuar në media i kam parë të befasuar, prekur, të lënduar, të revoltuar, duke hedhur poshtë akuzat se kanë mbështetur elektoralisht Partinë Socialiste, duke kërkuar t’u provohen ato.

Habia e madhe ka të bëjë me nevojën e ethshme që duhet të ketë për t’u zmadhuar një parti prej trembëdhjetë vitesh në opozitë. Por që mbetet e kapluar në ethen e kundërt të zvogëlimit. A i shkon ndërmend Sali Berishës se të përjashtuarit përmes të ashtuquajturit “vetëpërjashtim” shumohen me vetëpërjashtime të vërteta, të pabujshme? Ka plot demokratë që arsyetojnë me vete: për çfarë të humbas kohën në një parti ku diversiteti nuk ka status, kritikat kanë kosto, vota e lirë nuk vlen!

S’ka mundësi të mos i shkojë ndërmend.

Këtu edhe përgjigja e “enigmës” se si një parti që humb shtatë palë zgjedhje politike dhe vendore nga viti 2013 e këndej ka luksin të lundrojë në skema zvogëlimi. Nuk e ka problem fitoren. Po t’i bjerë në prehër si ndonjë mrekulli mirë. Por nuk i ra Berisha është komod si kryeopozitar. Ai ka vendosur ta shkelë brutalisht nenin e brohoritur të dorëheqjes pa kushte kur Partia humb zgjedhjet duke e amenduar për vete, pa votim, me shtesën “nëse zgjedhjet janë të lira”.

Kjo do të kishte sens në një garë ku partitë rivale dalin kokë me kokë. Apo kur rezultatet reale përgënjeshtrojnë kompanitë e sondazheve. Apo nëse vendet e BE-së, vetë BE dhe SHBA të mos e njihnin rezultatin e zgjedhjeve. Apo kur një masë e stërmadhe njerëzish, me vetëndjerjen e të qënit shumicë e trajtuar si pakicë, do të vërshonin shesheve e rrugëve, siç ka ndodhur në Venezuelë përshembull. Apo edhe në Bjellorusi.

Asgjë e tillë nuk ka ndodhur këtu. Kompanitë ndërkombëtare të sondazheve kanë fotografuar në vijimësi para dhe gjatë fushatës, sikurse pas mbylljes se kutive, një diferencë të madhe, deri në dy shifra mes PS-së dhe kualicionit PD-PL. Numërimi real i ka konfirmuar shifrat përgjithësisht brenda marzhit të gabimit në krahun e plusit.

Kjo nuk do të thotë se PS nuk është komportuar në fushatë si shtet parti. Por nuk mjafton të pretendosh se ka përmbysur rezultatin pa patur në anën tende qoftë edhe një nga katër “nëse”-të e larpërmendura.

Me një fushatë konkuruese të fortë, me një prani të paparë njerëzish e almisesh amerikano-trampiane, kualiconi PD-PL kanë marrë votat që u janë mumëruar e rinumëruar. Mbi dyqind e pesëdhjetë mijë më pak se katër vite më parë. Kjo është arsyeja që gjetjet me plot shkelje të OSBE-së janë adresuar te paketa e rekomandimeve dhe aq.

Por Berishës nuk i mjafton të kandidojë në shkelje të statutit të vet. I duhet të mos ketë rivalë nga radhët e kritikëve të tij në parti. I duhet një listë votuesish “e pastër”. I duhet t’u përcjellë ndjekësve besnikë mesazhin se është tradhëtuar edhe nga brenda. Kështu orientohet analiza me “nxjerrje” sysh mes demokratëve të thjeshtë, ku qendra që ka hedhur topin vetëpërjashtohet nga përgjegjësia.

Në fakt PD ( dhe çdo parti) i humb zgjedhjet në Tiranë, në seli, në zyrën e kryetarit.

Do të vazhdojë t’i humbë duke refuzuar reflektimin, domethënë ndryshimin.

  •  

PS e Ramës, në sprovën më serioze të reagimit ndaj disidencës brenda saj

Nga Preç Zogaj

Në ligjërimin tonë të pas vitit 1990 fjala “disidencë” i është taksur si kundërshti vetëm regjimit komunist. E kuptueshme. Përballja me diktaturën përbën shkallën më të lartë të mospajtimit dhe sakrificës.

Por disidenca si e tillë manifestohet edhe në regjimin shumëpartiak. Natyrisht, jo me çmimin që paguan në diktaturë.

Disidenca reagon kundër homogjenizmit të partive, që është një gjë krejt tjetër nga disiplina e nevojshme partiake; kundër sundimit absolut të liderit që është një gjë krejt tjetër nga karizma. Kundër injorimit të rregullave duke imponuar voluntarizmin banditesk, që është një gjë krejt tjetër nga autoriteti.

Buisjet periodike të disidencës, në kuptimin e mospajtimit dhe rebelimit brenda partive, e kanë shoqëruar jetën tonë politike gjatë gjithë viteve të demokracisë. Mënyra si i janë qasur e si i kanë trajtuar dy partitë kryesore PD dhe PS ka përcaktuar të ardhmen e tyre.

Kur kanë nxjerrë shpatën janë dobësuar e zvogëluar. Kur e kanë trajtuar diveristetin dhe kritizimin si vlerë janë forcuar e rritur.

Vetë Edi Rama ka ardhur në krye të PS-së si një lloj “disidenti” brenda saj në kohën kur e drejtonte Fatos Nano. Në rastin e Ramës Partia Socialiste e zgjidhi e para nxjerrjen e pasuesit si të ndryshëm. Madje si dikush që ka konsumuar papajtueshmëri të hapur me liderin historik. Një ngjarje përcaktuese për rikthimin e saj në pushtet.

Edi Rama e drejton PS-në prej më shumë se dy dekadash tashmë, në mandantin e katërt në pushtet. Në përgjithësi ka arrritur ta mbajë të bashkuar në përtëritje dhe rinovim, pa marrë mbrapsht në forma kryengritëse publike hatërmbetjen e të larguarve. Rastet e rralla të disidencës brenda partisë kanë përfunduar si rebelime të përkohshme ose largime në heshtje.

I fuqizuar në pushtet nga një mandat në tjetrin edhe falë peshqeshëve të njëpasnjëshme të opozitës, Rama ka ardhur duke u imponuar si zoti që bën shiun dhe diellin në Parti. Duke i shartuar partisë më të vjetër në vend dhe pushtetit të saj pika takimi me botën e krimit.

Duke i diktuar improvizime, ektravaganca, vendime tipike të një lideri të mbyllur në habitatin e pushtetit të përceptuar e të ushtruar si të pakufishëm.

Mirëpo pushteti është një lloj kafshe të cilën sa më gjatë ta mbash aq më shumë të huan huqet e veta. Sa më shumë gropa të bësh rrugës aq më shumë i ngjitesh me thonj nga frika se do të paguash dhe kështu shtetari rrezikon të shumëfishojë me bëma mbijetese që nuk bëjnë gjë tjetër veç rrisin koston publike dhe private të daljes së tij nga skena. E gjithë kjo është vërtetuar me qindra shembuj.Për këtë arsye politikanët vizionarë dhe mendjehapur investohen për daljen njëlloj si për hyrjen. Në këtë marrrëdhënie mes hyrjes, vazhdimit dhe daljes faqebardhë nga skena njerëzit e tyre më të dobishëm do të ishin kritikët e tyre.

Ditët e fundit shohim se Rama dhe Partia e tij janë thirrur në provën me serioze të reagimit dhe trajtimit të disidencës brenda radhëve nga dy deputetë të saj: Erjon Braçe dhe Elisa Spiropali, të pakordinuar me njëri-tjetrin siç dallohet qartë, gjë që e përforcon vërtetësinë e shqetësimeve që po ngrenë, ashtu siç ndodh me ekzaminimet me dy diagnoza të pavarura në mjekësi.

Në kushtet kur PS vazhdon të ketë një kandidate për kryetare për bashkinë e Tiranës, zonjën Ogerta Manastrliu, njoftimi i Braçes se do të kandidojë për kryetar bashkie në Tiranë është më shumë se një shpallje e zakonshme. Është një akt i pastër mopajtimi me emërimet e pilotuara që Rama i nxjerr nga mënga si një prestixhitor, duke i befasuar online ata që promovohen dhe ata që shkarkohen. Kështu vendoset raporti poshtërues me bashkëpunëtorët, por kjo është temë më vete.

Braçe e di shumë mirë mënyrën si zgjidhen kandidatët e PS-së për kryebashkiakë. Besoj i shkon mendja se edhe nuk do të mund të jetë. Shumë gjëra do të varen nga ujrat që do të rrjedhin gjatë vitit.

Në opinonin tim Braçja e ka kapur kandidimin si një levë për t’u dhënë zë deformimeve që kanë dekantuar në Partinë Socialiste. Ku shquan si maja e mullarit personalizimi i vendimmarrjeve kryetari. Tej masës që ia jep vetë statusi i liderit. PS në përceptimin e gjerë publik është sot një njeri, një zë. Rama. Nuk është çështja se është protagonist. Protagonist i takon të jetë. Problemi është se e ka tharë fushën rreth e rrotull tij. Deri sa dolën Braçe dhe Spiropali atje nuk pipëtinte miza. Akti i Braçes është një sfidë, një rebelim kundër gjendjes. Do të varet prej tij sa do të mbajë e deri ku do të shkojë.
Elisa Spiropali ka bërë pak prononcime me jehonë të madhe në mediat sociale dhe klasike. Statusi i saj i para dy ditëve, një model i lakonizmit dhe elegancës, është skaneri i gjendjes. Sipas meje e një kazerme politike, që nuk mund të vazhdojë të mbetet e tillë, përndryshe e pret shpërbërja. Ajo nuk përmend emra, emrat do t’u bënin hije mendimeve, sidomos kur sekush i mendon vetë.

Njoh shumë socialistë që mendojnë njëlloj si Erjoni dhe Elisa. Përpara tyre. Mendoj se pika e ujit që ka derdhur gotën është një ndryshim kursi i kryeministrit në raport me drejtësinë me rastin e marrjes në mbrojtje të Belina Ballukut në ekstremin e së mundshmes dhe akomodimit të fuqisë së saj në parti dhe qeveri.

Duke ndërmarrë me këtë rast një fushatë verbale kundër organeve të drjtësisë. Për pasojë duke kthyer me kokë poshtë ekuacionin sikur problemi që ka vendi ynë sot është akuza dhe jo korrupsioni. Duke normalizuar pandehjen me justifikimin e prezumimit të pafajësisë, që vërtetë është një e drejtë e madhe. Çdo i pandehur është i pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë, por kjo mund të marrë vite, ndaj bota e qytetëruar e ka gjetur ekuilibrin mes prezumimit dhe hetimit si të pandehur duke e zhveshur nga pushteti subjektin gjatë kësaj periudhe.

Ky ndyshim kursi në Tiranë është reflektuar dhe do të vijojë të reflektohet në Berlin dhe në kryeqytete të tjera të vendeve të BE-së. Deri në vendime të llojit të vjetër që na lënë sërish në paradhomën e BE-së.

Shihet se imponimi deri në marrje zvarrë sa i takon vendimit të PS-së për çështjen Balluku ka lënë pas vraga të forta. Shumë deputetë e kanë parë veten si mish për top, ndërsa kishin dëgjuar të tjera gjëra në fushatë për drejtësinë.

Kjo e Erjonit dhe Elisës ngjan të jetë si një rrokullimë – një fjalë që Kadare e përdorte për të treguar një gjë që ndodh ngadalë, pakthyeshëm. Rama, grupi parlementar dhe forumet e Partisë janë në provë: si do t’i trajtojnë kritikën, papajtueshmëritë, mendimet dhe aktet antikonformiste. Do të marrin modelet e mira të sjelljes me disidencën e vetë Ramës e plot të tjerëve nga lideri historik Fatos Nano? Apo modelet e lidërve të tjerë historikë në ketë vend nga lufta e dytë e këndej?

  •  

Kryeministri trampist mes dafinave dhe rrokullimës

Nga Preç Zogaj

Kryeministri Rama nuk u mjaftua ta festonte si çlirim shtëngimin e duarve me presidentin Tramp pas ngrirjes njëvjeçare të çdo kontakti me administratën e tij. Në një sallë ku ajka e vendeve demokratike të Europës dhe botës shkëlqenin si fantazma me mospjesmarrjen e tyre në mbledhjen e parë të Bordit të Paqes, ai hodhi shumë mish në zgarë në fjalën e tij. Tej asaj që sugjeronte formati i takimit, modestia e vendit tonë në skakierën e politikës botërore, gama e interesave të Shqipërisë me vendet e familjes europiane ku aspirojnë të bëhemi pjesë.

Replikoi panevojshëm, pa i përmendur me emër, me vendet e BE-së që kanë refuzuar pjesëmarrjen në Bordin e Presidentit Tramp kryesisht për shkak të ekuivokeve dhe përcaktimeve në kundërshtim me kushtetutat e tyre kombëtare të dokumentit themeltar të Bordit të Paqes. I fshikulloj me shprehjen “s’kanë turp” vendet e familjes euroatlantike që kanë sponsorizuar tribunalin e Hagës për Kosovën ku vetë është investuar personalisht për votimin e tij nga Kuvedi i Kosovës. E quajti OKB-në një gjigand në agoni, duke tejkaluar edhe kritikët më të mëdhenj të saj. E gjithë kjo në një kohë kur vetë zoti Tramp në fjalën e mbajtur ishte kujdesur ta rikthente plotësisht në hullinë e rrezolutës së OKB-së nismën e tij për Bordin e Paqes dhe ka gjasa të jetë duke menduar rishikimin e dokumentit themeltar. I vetëdijshëm se pa pjesëmarrjen e fuqive të mesme demokratike nga Kanadaja në Europë e me gjerë, që janë supërfuqi e shkuar superfuqisë si bashkësi, Bordi i Paqes jo vetëm nuk i shijon por edhe nuk mund të ketë suksesin e pritshëm. I vetëdijshëm, ma merr mendja edhe për tjetrën, që me njëanshmërinë eventuale SHBA-të mund të prishin OKB-në, por nuk mund të krijojnë një tjetër të ngjashme me vendet që u takuan pardje në mbledhjen e parë të Bordit.

Zoti Rama e shfrytëzoi ndërkaq minutazhin e tij të ngrinte çështjen e katër ish- krerëve të UÇK-së dhe të shtetit të ri të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, prej pesë vitesh të paraburgosur në Hagë. Dihet se paraburgimi i tyre, i pashembullt në tokën e Europës, ka indinjuar miliona shqiptarë. Akoma më shumë pretenca së fundi e organit të akuzës që ka kërkuar dënime me 45 vite burgim për secilin. Nga kjo pikpamje, nëse do të ketë rezultat, ngritja e çështjes së tyre në praninë e Presidentit të SHBA-ve do të mbetet në rekordet e qëndrimeve burrërore të politikanevë shqiptarë në forumet ndërkombëtare.

Ndërkaq, shfrytëzimi i rastit në takimin e parë inaugurues me tematikë të përcaktuar të Bordin të Paqes, teknika e futjes në ngasje të të zotit të shtëpisë, shfrimi “turp-turp” ndaj vendeve demokratike që kanë financuar Gjykatën Speciale për Kosovën në Hagë janë gjithsesi problematike. Aq sa japin shpresë për një rezutat të mirë, po aq mund të përfundojnë si në shprehjen “shkon të vesh vetulla dhe nxjerr edhe sytë”.

Të lemë mënjanë faktin e diskutueshëm a mund të përfshihej jashtë rendit të ditës një çështje gjyqësore në proces ku gjykata, e vetmja që bën drejtësi, nuk e ka thënë fjalën e vet. Të lemë mënjanë a kishte dhe a ka Shqipëria kanale dhe tribuna të tjera ku të argumentojë duke pritur reagime dhe angazhime çështjen e të katërve, para se ta plaste në formën që zgjodhi kryeministri Rama, pa marrë mbrapsht asnjë reagim, në mos habinë e zyrtarëve amerikanë që me siguri janë të mirëinformuar për atë që po ndodh në Hagë.

Të ndalemi tek “teknika” e futjes në ngasje të Presidentit Tramp. Rama i kujtoi prokurorin Jack Smith, që ka hetuar Presidentin Trump për sulmet në Kapitol Hill të mbështetesve të tij në janar të vitit 2021. Duke i sjellë në vëmendje një armik, Rama ka llogaritur të zgjojë urrejtjen e Presidentit me shpresë se ai do të kapë telefonit pas takimit dhe do të bëje diçka. Sa do të fuksionojë kjo do ta shohim në ditët në vijim.

Nëqoftëse Tramp vendos të bëjë diçka dhe arrin të bëjë diçka në favor të Hashim Thaçit me shokë, Rama do ti meritonte dafinat e një Emil Zolaje, shkrimtarit francez, autorit të pamfletit të famshën “Unë akuzoj” në mbrojtje të oficerit Alfred Dreyfus, të dënuar padrejtësiht në Francën e fundshekullit të nëntëmbëdhjetë, çfarë pat shkaktuar një skandal të madh politik.

Nëqoftëse se nuk ndodh asgjë do të jetë më keq, sepse ndërkaq do të jetë konsumuar pa dobi një përpjekje ekstreme.
Nuk dihet a ka në dorë Tramp të ndërhyjë në një çështje gjyqësore dhe a ka marrë përsipër të bëjë diçka. Nga ana tjetër nuk përjashtohet të jëtë bezdisur t’i kujtojnë në mbledhjen e parë të Bordit të Paqes fantazmën e Jack Smith. Nuk përjashtohet që, vetë ai apo stafi i tij, të jenë befasuar që kryeministri i një vendi të vogël e ka lexuar nga larg si hakmarrrës të tërbuar, peng inatesh të pashuara, narcizist që ka nevojë të dëgjojë lëvdata dhe t’i shajnë armiqtë në sytë e botës, si dikë mbi drejtësinë apo armik të drejtësisë, e tjerë e tjerë. Pra fiks çfarë thonë për Tramp kundërshtarët e tij në një lexim skematik dhe servil nga kryeministri shqiptar.

Ekziston një kategori poltikanësh të cilët nuk i përcakton ideologjia por tipologjia. Janë të ngjashëm edhe kur pozicionohen në antipode të spektrit politik. Rama ngjan të jetë trampist në ektravagancat, në ekzibicionizmin e tij, e tjerë e tjerë.
Në revoltën e tij për atë që po ndodh në Hagë shohim të atashojë frustrimet e muajve të fundit nga drejtësia në Shqipëri, përpjekjet për t’ju bërë pengesë tani që drejtësia po hyn në zemër të qeverisë së tij. Ditën kur ia bëri fora në mbledhjen e Bordit të Paqes u dha lajmi se kishte firmosur ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale me mendjen top për t’i miratuar. Pa marrë parasysh paralajmërimet e forta nga Brukseli dhe Gjermania për çmimin që do të paguajë Shqipëria. Përkundrazi: më i motivuar pas kthimit fitimtar nga Uashingtoni prej nga vendet europiane mund t’i jenë dukur të parëndësishme në prespektivën fantomatike të prishjes së BE-së. Do të ishte një gabim strategjik i trefishtë i tij. Me BE-në që veç forcohet, me SHBA-të që nuk lëshojnë pe për asnjë arsye për rrugën që ka marrë SPAK dhe po merr edhe GJKKO. Me Presidentin Tramp gjithashtu që siç është në natyrën e grandomanëve, nuk duron të ngjashmit. Ngaqë e bëjnë qesharak./mapo.al

  •  

Rruga e mundimshme nga aktakuza te çekiçi i fundmë në gjykatë

Nga Preç Zogaj

SPAK ka dorëzuar për gjykim në GJKKO, përgjithësisht brenda afateve ligjore, një numër të konsiderueshëm aktakuzash ndaj zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë të marrë si të pandehur, ku shquajnë ish-Presidenti dhe ish-Kryeministri, Sali Berisha, ish-Presidenti dhe ish-Kryeministri Ilir Meta, ish-zëvendëskryeministri në arrati, Arben Ahmetaj, ish-zëvendëskryeministrja Belina Balluku, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjion Veliaj dhe plot të tjerë në poste kyçe.

Deri më sot njerëzit kanë dëgjuar palët të flasin në distancë, nga llogoret respektive. Mjedisi është bombarduar me ankesa, sulme, akuza, fyerje dhe deri sharje të shfrenuara të të akuzuarve kundër prokurorëve, sikur këta u kanë rënë në qafë padrejtësisht. Kjo korridë nuk mund të zgjasë pafund. Publiku po pret me interes të madh përballjen sy për sy mes akuzës dhe mbrojtjes në aulën e gjykatës. Aty ku pretenca finalizohet në sentencë dhe drejtësia përmbushet në vendim të formës së prerë.

Kjo pjesë e ndeshjes po vuan të niset apo të vijojë normalisht. Seancat në gjykatë, qoftë për gjykim paraprak, qoftë për gjykim tërësor të akuzave nuk zhvillohen pa ndërprerje në ditët e caktuara.

Nga shtatori i vitit 2024 kur SPAK mbylli hetimet për dosjen “Partizani”, në të cilën akuzohet ish-kryeministri Sali Berisha, ka kaluar rreth një vit e gjysëm. Pasi mori rreth shtatë muaj për gjykim paraprak, kjo dosje kaloi për gjykim tërësor në muajin maj të vitit të kaluar. Jemi në shkurt të vitit 2026. Gjatë gjithë kësaj kohe lajmet më frekuente nga ky proces kanë qenë dështimet dhe shtyrjet e seancave

I njëjti lajm ka tingëlluar si kolona zanore e procesit në ngarkim të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Sipas një investigimi të BIRN, seancat për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për kalimin për gjykim të akuzave ndaj tij kanë dështuar pesë herë për mosparaqitje të avokatëve, disa herë të tjera për zëvendësim të avokatëve dhe për t’u dhënë kohë zëvendësuesve të njihen me dosjen. Derisa GJKKO vendosi së fundi kalimin për gjykim, në mungesë të Veliajt, i cili konteston privimin nga njohja me akuzën.

Dihet se e drejta për një proces të rregullt gjyqësor është një garanci themelore demokratike e garantuar nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetuta jonë. Kjo e drejtë merr jetë në tri shkallët e gjykimit. Që mund të bëhen edhe katër a pesë kur vihen në veprim Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut dhe Gjykata Kushtetuese. Në gjithë këto filtra padrejtësia e ka të pamundur të kalojë si drejtësi.

Vetë ky ekosistem merr kohë derisa të bjerë sipari. Ai u jep mundësi të pandehurve ta ngadalësojnë orën me kërkesa të ligjshme që mund ta vonojnë deri me vite shpalljen e vendimit të formës së prerë.

Si të mos mjaftonin kërkesat e ligjshme, kemi parë dhe shohim të jetë në veprim një strategji vonesash me lloj lloj marifetesh. Të kuptohemi: Strategji të tilla nuk janë në vetvete kriminale nga ana e të pandehurve. Pse të mos e synojnë kur gjejnë hapësira, tolerancë dhe thyerje antiligjore të afateve nga gjykatat? Kjo është një betejë, ku drejtësia ka në dorë armën e afateve ligjore.

Po të akuzuarit? Vimë këtu të çështja e raportit të tyre personal me akuzat. Rëndom strategjitë e vonesave padisin një vetëdije fajësie për t’u dribluar e fshehur në pafundësi. Politikanët, nëse vërtetë ndihen të pafajshëm, janë të interesuar më shumë se askush t’i shkojnë sa më shpejt në fund labirinthit të drejtësisë. Sidomos kur mbajnë poste të larta politike, siç është posti i kryetarit të PD-së, apo administrative, siç është posti i Kryetarit të Bashkisë më të madhe të vendit. Njëlloj edhe ata ish zyrtarë të lartë, që synojnë të rilindin politikisht përmes marrjes së pafajësisë në gjykatë.

Kush ka bindje të brendshme në pafajësinë e vet investohet ta përshpejtojë, jo ngadalësojë procesin. Nëse do të bëntë këtë, me bindjen se është i pafajshëm, Berisha do të hiqte makare njërën prej gjyleve nëpër kembë për t’i prirë PD-së drejt një rezultati pozitiv në zgjedhjet e ardhshme: Gjylen e të pandehurit. Mendoj se nuk mjafton për fitoren pa hequr edhe gjylen e madhe të sanksionimit nga SHBA-të, që nuk varet prej tij. Nuk mjafton as pa rinovimin dhe reformimin e thellë të PD-së. Por do të rritej.

E njëjta gjë mund të thuhet për Erjon Veliaj. Ai është i ri. Pafajësia e rikatapulton në politikë nëse e ëndërron. Nga kjo pikëpamje, betejën numër një ka përballjen me akuzat. Të tjerat janë lëvozhga. Natyrisht, Veliajt, e jo vetëm atij, duhet t’i garantohet e drejta për një proces të rregullt ligjor që përfshin elementin e barazisë së armëve. I cili nënkupton aftësi të barabarta të secilës palë për të paraqitur çështjen e saj.

Pretendimi i Veliajt për akses të drejtëpërdrejtë në aktakuzën ndaj tij duket i drejtë për çdo njeri që dëgjon se ai u dashka të informohet vetëm përmes avokatit. I pandehuri është avokati numër një i vetvetes. E kundërta është jashtë logjikës elementare për drejtësinë e një vendi demokratik. Sido që të jetë shkruar në ligj.

Përtej gjithçkaje që dëgjojmë të thuhet se Veliaj bën të paditurin për të ankimuar shkeljen e së drejtës në Strasburg, ai, duke qenë i dënuar me paraburgim dhe për plot arsye të tjera, duhet të njihet vetë me aktakuzën kundër tij. Numri i stërmadh i faqeve nuk është argument për të kundërtën. Përderisa e lexojnë avokatët për disa ditë, përse të mos e lexojë edhe ai që ka gjithë kohën në dispozicion.

Akuza dhe gjykata nuk kanë pse t’u kontribuojnë vonesave me lojra kungulleshkash si kjo që përmendëm. E thamë: procesi drejt vendimit të formës së prerë vonon vetvetiu, nga natyra. S’ka nevojë për t’i shtuar.

SPAK dhe Gjykatës u bie barra të japin shembullin e efikasitetit sikurse të sfidojnë në përputhje me afatet ligjore strategjitë e vonesës që synojnë ta çojnë në kalenda minutin e rënies së çekiçit të fundmë.

Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar jo vetëm kur vonon të nisë por edhe kur nis dhe nuk mbaron kurrë. Kësaj radhe për gjithë publikun që pret me padurim të mësojë të vërtetën e abuzimeve dhe korrupsionit me vendime gjykate të formës së prerë.

  •  

21 janari, truku shihet, por nuk është!

Nga Preç Zogaj

Vrasjet u bënë pak pas orës 16.00 kur demostrata po shpërndahej dhe para kryeministrisë në bulevard mund të hidhje valle. Tre demostrues u vranë njëri pas tjetrit në ato sekonda fatalë: Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj. I katërti, Aleks Nika, do të ndërronte jetë pas dy javësh në një spital të Stambollit.

Vrasja e Ziverit u filmua live nga kamerat e televizionit News 24. Gardisti vrasës eci dy – tre hapa duke qëlluar sikur po i bënte nxemje automatikut, pastaj u pozicionua në një si gropë para një parvazi të bodrumit të kryeministrisë. Prej atje u pa të pushkatonte gjirokastritin me pallto treçerekëshe, që ishte ndalur në bulevard, me duart në xhepa, disa metra para derës së rrethimit të jashtëm të kryeministrisë dhe po vështronte si i habitur ndërtesën. Hekuran Deda, dibrani, qe vrarë sakaq disa metra me tutje. Plumbi e kishte goditur në kokë në podiumin e televizionit ABC. Në anën tjetër të bulevardit, arma e komandantit të gardës, Andrea Prendi kishte rrëzuar përtokë Faik Myrtajn, një pesëdhjetë e shtatë vjeçar nga Fieri. Aleks Nika, tridhjetë e gjashtë vjeçari nga Lezha, kishte rënë pak më tutje. Faiku ishte qëlluar në gjoks, Aleksi në kokë.

Historinë e masakrës si krim shtetëror e “shkruan” atë çast kufomat e tyre në vendin ku ranë: në bulevard, jashtë rrethimit të jashtëm të kryeministrisë.

Hetimi i mbështetur në ekspertizën e FBI-së amerikane dhe në provat e tjera të mbedhura në vendin e ngjarjes zbuloi më vonë se Prendi, Llupo dhe pjestarë të tjerë të njësisë speciale qëlluan ulët mbi dyzet herë dhe ishte një mrekulli që nuk ishin vrarë më shumë njerëz. Trembëdhjetë shenja plumbash u gjetën në derën metalike të hyrjes kryesore të kryeministrisë dhe po aq në kangjellat e pjesës veriperendimore të rrethimit të saj. FBI do të zbulonte gjithashtu se komandanti i Gardës kishte ndërruar tytën e pistoletës prej nga kishin dalë plumbat vrasës.

Dihet tani se operacioni për të nxirë vrasjet që kishin lindur të zbardhura sapo kishte filluar për të vijuar për vite e vite.

Dihet se gjatë një lidhjeje të drejtpërdrejtë me mediat, shefi i urgjencës në spitalin ushtarak, S. Koçeku, duke përshkruar plagët e të vrarëve, tha se armët që i kishin shkaktuar “duhet të jenë armë të një fuqie të vogël. Do thotë se janë qëlluar nga afër me pistoleta të vogla”

Dihet se pak minuta më vonë Sali Berisha doli para kamerave dhe tha: Të dhënat paraprake të ekspertëve dhe mjekëve të reanimacionit janë se ata janë gjuajtur me armë të lehta. Madje thuhet, por do të shohim, se janë me silenciatorë. Këto janë të dhënat e deritanishme që akuzojnë direkt skenaristët…”. U kuptua kujt ia kishte hedhur topin shefi i urgjencës.

Dihet se gazetari Artan Hoxha transmetoi që atë natë filmimet nga vendi i ngjarjes ku rrezultonte qartazi se vrasjet i kishte bërë Garda.

Dihet se, sipas ekspertizës së FBI-së, gjjatë natës së 21 janarit duke gdhirë njëzet e dyshi, njerëz të kupolës kryeministrore ose Gardës, ende pa emër si të kenë qenë alienë, fshinë nga serveri qendror i Kryeministrisë pamjet e filmuara nga dymbëdhjetë kamerat e saj të jashtme e të brendshme gjatë kohës së demonstratës.

Dihet se Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, nxori një urdhër ndalimi për gjashtë oficerë të Gardës së Republikës.

Dihet se me një kundërurdhër verbal të kryeministrit Sali Berisha, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Burgaj, refuzoi ekzekutimin e urdhrave të kryeprokurores me pretekstin se kishin lapsuse në të shkruar.

Dihet se pas furtunës që ngriti trupi diplomatik për ketë paligjshmëri flagrante në shtetin e së drejtës, Kryeministri Berisha e mori vetë përsipër autorësinë e aktit pa precedent.

Dihet se refuzimi i urdhrit të Prokurores së Përgjithshme u dha kohë përgjegjësve për vrasjet dhe vetë vrasësve të prishnin provat dhe të rregullojnë alibitë.

Dihet se Hetimet e Prokurorisë, Policisë, Shërbimit Informativ të Shtetit, Shërbimit Informativ të Ushtrisë dhe të komisionit hetimor parlamentar që ngriti Berisha për të hetuar ngjarjet e 21 janarit nuk zbuluan shenjën më të vogël të ndonjë plani apo veprimi të protestuesve kundër jetës së Kryeministrit.

Dihet se kryeministri Sali Berisha ndërmori menjëherë një fushatë frenetike trillimesh për t’i mbivendosur krimit shtetëror fantazmagorinë e tij të armatosjes së protestuesve me lloj lloj armësh. Sinteza e “denoncimeve“ të tij të përditshme qe ajo e datës 28 janar në një konferencë shtypi ku deklaroi: “Disponohen të dhëna të plota për sasitë e eksplozivit, tritolit dhe kallashnikovëve, më të cilët do të organizohej sulmi final për të hyrë në ndërtesë. Disponohen të dhëna të plota mbi armët e sofistikuara, mbi çadrat – pistoleta, stilolapsat-pistoleta, thikat me helm që do të përdoreshin në stade të caktuara të këtij grushti shteti. Disponohen të dhëna se grupe të caktuara, gjer në dhjetë grupe pesëshe, u stërviten ditë të tëra në zona të ndryshme”. Të gjithë këto “zbulime” të përditësuara do t’i sistemonte për t’i paraqitur në një formë të përmbledhur në “dëshminë” finale që do të jepte më 31 janar para komisionit hetimor parlamentar të ngritur prej tij me deputetë të partisë së tij. “Të jeni të sigurt, se përveç atyre ka dokumente të shumta, të cilat Kryeministri i vendit do t’i dorëzojë të gjitha në këtë komision, por edhe në institucionet përkatëse”, tha ai.

Anëtarët e komisionit e dëgjuan në heshtje, duke mbajtur herë pas here shënime.

Por zakonin e pat prishur deputeti Dashamir Sulaj, jurist në profesion. “Kur mendoni, zoti Kryeministër t’ia vini në dispozicion këtij komisioni faktet dhe provat tuaja për akuzat që bëtë”? pyeti ai. Berisha u befasua, pastaj nënqeshi kot: Shiko, tha. Është detyra e këtij komisioni të nderuar t’i mbledhë një për një provat e shumta e të pakundërshtueshme …

Berisha nuk kishte prova. Ky ishte zbulimi i parë dhe i fundit i komisionit hetimor.

Dihet se shumë demonstrues qenë keqtrajtuan e rrahur nga policia, duke u kërkuar të pranonin se kishin marrë para dhe detyra sulmi nga opozita. Asnjë dëshmi e tillë nuk u dha, asnjë armë nuk e gjet, asnjë çadër pistoletë, asnjë thikë me helm, asgjë.

Kaluan shumë vite. Dihet se drejtësia e varur dështoi të bentë drejtësi.

Dihet se me 14 nëntor 2023 Gjykata e Strasburgut konkludoi se konstatohen shkelje të së drejtës për jetën duke e cilësuar 21 janarin krim shtetëror që duhet hetuar plotësisht.

Dihet se me 14 mars 2024 Gjykata e Lartë urdhëroi SPAK të merrte në dorë çështjen.

Dihet se me 14 korrik 2024 SPAK regjistroi procedimin penal për tre vepra penale: Vrasje në rrethana të tjera cilësuese, shpërdorim detyre, pengim i zbulimit të së vertetës.

Koha ecën ngadalë në jetën tjetër. Pas pesëmbëdhjetë vitesh verdiktin e masakrës vazhdojnë “ta shkruajnë e bërtasin” ata që u vranë.

Mund t’i përfytyrojmë si holograma të trupave të tyre aty ky ranë. Prej nga s’rreshtin të përsërisin se “faji” i tyre i vetëm ishte pjesmarrja në një protestë antiqeveritare, se nuk kishte asnjë arsye as në qiell as në tokë të vriteshin, se nuk mund të ketë asnjë gardist a ushtarak që çmendet të qëllojë për qejf të gishtit, në kundërshtim me çdo ligj dhe rregullore, në mish njerëzor. Morën urdhër. Ai që nxori urdhërin dhe ata që e zbatuan vranë kriminalisht. Me paramendimin e përmbushjes së një perbetimi. Me prapamendimin e frikësimit të opozitës dhe popullit.

Italianët përdorin një shprehje për të treguar maskimet, mashtrimet, fshehjet e llojllojshme: “Truku është, por nuk shihet”. Në inversin e vet për vrasjet e 21 janarit kjo shprehje na thotë: “Truku shihet, por nuk është”, të paqenë e ka bërë deri sot drejtësia. Ndërkohe që “misteri” është tepër i qartë.

  •  

A do të bëjë Berisha në foltoren e dytë një bilanc të së parës?

Nga Preç ZOGAJ

Partia Demokratike nuk ka bërë ndonjëherë në historinë e saj një analizë serioze të arsyeve të brendshme të humbjeve. Që i ka më të shumta se Partia Socialiste. Qoftë parlamentaret, qoftë vendoret.

E vetmja sprovë për t’u shënuar daton verën e vitit 1992, kur një grup drejtuesish e deputetësh paraqitën në Këshillin Kombëtar një analizë të gjerë të pikiatës me mbi njëzet për qind të votës proporcionale vetëm tre-katër muaj pas fitores plebishitare të 22 marsit. Analiza me emrin “mocion” u paraqit si një ftesë për diskutim në forumin më të lartë të Partisë. Në vend të debatit Berisha improvizoi brënda javës një Kuvend Kombëtar mitingashësh nën britmat e të cilëve realizoi përjashtimin nga Partia të mocionistëve dhe mbështetësve të tyre.

Hija e purgës së asaj dite në Pallatin e Kulturës i mbeti PD-së mbi kokë si shpata e Demokleut edhe kur marrëdhëniet e Neritan Cekës, Gramoz Pashkos, Arben Imamit, Arben Demetit dhe disa mocionisteëe të tjerë njohën, në kontekte të reja politike, periudha rikthmi në parti. E vërteta është se shizionet dhe largimet nga PD kanë vijuar parreshtuar edhe pas vitit 1992. Por shumë rrallë ka ndodhur që ikanakët të paraqisnin në forumet e partisë analiza shterruese që t’i përgjigjen pyetjes themelore: Pse humbim? Ky lloj diskutimi është fokusuar gjithmonë të parregullsitë dhe manipulimet zgjedhore nga qeveritë socialiste. Shumë pak ose aspak te arsyet që lidhen me mangësitë dhe shkaqet e brëndshme partiake, që kanë qenë po aq evidente sa parregullsitë zgjedhore. Madje PD e ka kaluar sa për të larë gojën edhe të humbjeve në zgjedhjet që ka organizuan vetë, duke u vetprivuar kësoj nga përtëritja që diktojnë humbjet.

E njëjta gjë, me sa shihet, pritet të ndodhë edhe me humbjen e thellë të zgjedhjeve parlamentare të këtij viti. Dita e mirë duket që në mëngjes, thotë shprehja popullore. Në takimin e pare, të asaj që po quhet Foltorja numër 2 e Berishës, nuk u dëgjua ndonjë gjë me rendësi që t’i vinte era analizë. Mundet që takimi në Mirditë te jetë organizuar me nxitim, si përgjigje flakë për flakë ndaj takimit që zhvilluan në Durrës Alimehmeti, Salianji dhe disa kandidatë ndër më të votuarit nga anëtarësia. Të shohim në takimet e tjera. Foltorja 2 do të ketë sens dhe vlerë piksëpari duke berë analizën e premtimeve të foltores së parë. Çfarë u arrit dhe çfarë mbeti llafollogji?

Demokratët i mbajnë mend. Berisha i joshi me projektin e Rithemelimit të PD-së mbi parimin e votës dhe diversitetit, të primareve, të sanksionimit të korenteve dhe fraksioneve, të dorëheqjes së menjëhershme të kryetarit kur humb zgjedhjet, e tjerë e tjerë. Mbi këtë bazë premtoi një parti më të madhe, me të bashkuar. Mbi të gjitha, premtoi fitoren, premtimin më joshës e mobilizues, një fjalë që demokratët kishin nisur të mendonin si mollë të ndaluar. Ata e dinë tani fatin e këtyre premtimeve. S’ka nevojë tua thotë kush. Do të ishte njëlloj si përmendja e litarit në shtëpinë e të varurit.

Gjëja më absurde e narrativës populiste- demagogjike të Rithemelimit ka qenë dhe është akoma pjesa sikur Berisha u rikthye për të shpëtuar Partinë Demokratike nga shkatërrimi. Pra të shpëtonte një Parti, cila, megjithë gjylet e dualizmit Basha-Berisha nëpër këmbë dhe manipulimet më të mëdha se asnjëherë tjetër nga PS, arriti në zgjedhjet e vitit 2021 një rrezultat ndër më të lartët e historisë së saj. Bashkë me partinë aleate LSI ishte vetëm 37 mijë vota larg PS-së. Një diferencë lehtësisht e rekuperueshme përgjatë mandatit të tretë të Ramës, i njollosur nga aferat korruptive tashmë të verifikuara përmes hetimit penal.

Sa e shpëtoi Berisha partinë që ishte afër fitores katër vite më parë e tregon rrezultati katër vite pas. Diferenca PD plus LSI me Partinë Socialiste është 250 mijë vota duke llogaritur votuesit me banim në Shqipëri. Po të llogariten votuesit e diaporës diferenca shkon rreth 300 mijë.

Idenë e marrë se Partia shpëtohet duke u zvogëluar e kanë vetën ata që jetojnë mendërisht në bunkerin idelogjik të partisë unike në rregjimet njëpartiake, ku partia nuk humb gjë nga dënimet, dëbimet, përjashtimet. Përkundrazi. Pastrohet, bëhët më e fortë, sipas stilemave leniniste-enveriste. Por kjo është vetëvrasëse në demokracinë shumëpartiake. Për një parti të qendrës së djathtë në shoqërinë e hapur veprojnë “ urdhëresa” të tjera të shenjta. Siç është ajo që thotë Roger Scruton, filozofi i famshëm konservator, sipas të cilit “një identitet politik forcohet përmes mosdakordësive” dhe talenti i liderit shprehet në aftësinë për të menaxhuar bashkëjetesën në diversitet. Apo sentenca tjetër “edhe sikur një njeri i vetëm të jetë në anën e kundërt me ne, pikërisht të respekti ndaj tij dhe asaj që thotë ai qëndon sistemi ynë, vlerat tona të djathta”. Vendoseni këtë pasqyrë para PD-së që drejton Berisha dhe do të kuptoni sa e djathtë është.

PD është zvogëluar piksëpari nga lart poshtë. Në narrativat kontradiktore dhe premtimet futurite për ndjekësit Berisha ka ambalazhuar qartazi problemin e tij me SHBA, Britaninë e Madhe dhe Drejtësinë shqiptare. Sëpaku të kishte zgjidhur ndonjërin.

Refuzimi për të reflektuar është refuzim për të ndryshuar. Me këmbënguljen për të mos ndryshuar, PD i ka shërbyer humbjet e saj po aq sa manipulimet.

The post A do të bëjë Berisha në foltoren e dytë një bilanc të së parës? first appeared on JavaNews.al.

  •  

Dorëheqja e Berishës, një çështje e respektit për ligjin e PD-së dhe të ardhmes së saj

Nga Preç Zogaj

Zbatimi i nenit* të dorëheqjes pa kushte të kryetarit kur partia humbet zgjedhjet është pikësëpari një çështje e respektit të kryetarit për ligjin themelor të Partisë, për ata që e kanë votuar atë nen dhe për gjithë anëtarësinë si bashkim vullnetar rreth rregullave të gjithëpranuara.

Nuk hyn fare këtu diskutimi kush po e kërkon e kush nuk po e kërkon, kush është kundër e kush është pro. Ky diskutim është bërë e vulosur me hyrjen në fuqi të statutit. I cili, siç dihet, është pranuar përgjatë kohës nga një shumicë deputetësh e mijëra demokratë të thjeshtë që nuk kanë qenë pjesë e PD-së që po rithemelonte Berisha në dhjetor të vitit 2021. Disa në përgjigje të thirrjes së tij. Disa të tjerë duke ndjekur logon zyrtare sipas vendimit që mori Gjykata e Apelit.
Rinumërimi masiv i kutive në disa qarqe të mëdha dhe vijimi i shqyrtimit të ankesave e ka shtyrë shpalljen përfundimtare të rezultateve të zgjedhjeve nga KQZ. Formalisht Berisha e fiton këtë kohë për të shtyrë ballafaqimin me nenin taksativ të dorëheqjes me justifikimin se zgjedhjet nuk kanë përfunduar. Por nuk është ky argumenti që përdorin kundërshtarët e zbatimit të nenit.

Në debatet dhe diskutimet për këtë temë shohim se shumë syresh nuk e lidhin qëndrimin e tyre as me rinumërimin (që deri tani ka konfirmuar me luhatje të papërfillshme punën heroike të numëruesve të partive), as me rezultatin. Ata qëmtojnë arsye të tjera të disfatës elektorale. Dytësore, tretësore deri dhe imagjinare. Arsye të tipit uji ka rrjedhur i kulluar lart, por është turbulluar poshtë nga kandidatë të papërshatshën, pa shtyllë kurrizore, që ia kanë patur me hile doktorit, e tjerë e tjerë. Mbi këto fiksione ka shpërthyer një fushatë e re përbaltjeje dhe një histeri e re thirrjesh për pastrimin e partisë!

Teoritë leniniste-enveriste të pastrimit janë të hershme në PD. Ato janë pjesë e një mendësie sektare që thirret në veprim ose e kupton vetë kur duhet të shpërthejë kundër mendimit ndryshe sa herë që Berisha humbet zgjedhjet ose ka ndonjë problem personal. Duke harruar ose duke mos e ditur se teoritë dhe praktikat e pastrimit janë pa kosto në regjimet me një parti të vetme. Ndërkohë që janë vetvrasëve dhe qesharake në sistemin pluralist, sidomos për një parti popullore që ekziston si alternativë e pushtetit.

PD ka humbur shumë nga ky lloj sektarizmi që, po të vazhdojë, rrezikon ta zvogëlojë më tej e ta katandisë në një sekt politik.

Përtëritja, qarkullimi i elitave, rinovimi i forumeve me zgjedhje të lira e të barabarta, meritokracia, ruajtja e një ekulibri të shëndetshëm mes të vjetërve dhe të të rinjve, hapja e dyerve dhe sidomos hapja e mendjeve – të gjitha këto janë jetike për një parti opozitare. Që në vitin e parë kur del në opozitë. E jo më kur humbet zgjedhjet disa herë radhazi. Pikërisht kjo nuk bëhet në PD. Me justifikime të njëjta që vetëm e atrofizojnë një parti.

Është e vërtetë se mbyllja e listave dhe mbrojtja e kandidatëve të listës së mbyllur nga vota popullore ka ndikuar negativisht në rezultatin e opozitës kryesore. Po ashtu ndarja e pashembullit në botë e kandidatëve në të nënës dhe të njerkës. Po ashtu fushatimi me qëndrime thellësisht antipopullore, siç ishte qëndrimi anti-SPAK, që mund t’i shkojë një partie që llogarit të qëndrojë në minorancë, por kurrsesi një partie që ka synim marrjen e pushtetit. Të gjithë këto dhe plot të tjera kanë një autor. Sali Berishën. Nuk mund t’i vihet gishti asnjë kandidati para tij. Ky yni është sistem i kryetarëve. Fiton ose humb kryetari.

Rinumërimi i kutive të votimit po tregon qartë se manipulimet elektorale në Shqipëri nuk bëhet më si dikur ditën e votimeve. Ato janë një dukuri ndërzgjedhore që unë e kam quajtur rrethimi i zgjedhjeve nga Rama dhe partia e tij. Kur dhanë me gëzim konsensusin për të votuar ligjet autogola, mbylljen e listave dhe votimin e diasporës në një formë ku avantazhin do ta kishte qartazi partia me fuqi me të madhe organizative, PD ka qenë e ndërgjegjshme si funksionon rrethimi parazgjedhor i zgjedhjeve. I cili, përveç ndërhyrjeve adekuate në Kodin Zgjedhor, mund të thyhet pikësëpari më frymë. Që opozita Basha-Kryemadhi e pati deri diku në zgjedhjet e vitit 2021 ku doli me vetëm 37 mijë mijë vota diferencë me PS-në. Diferencë që shkoi mbi dyqind e pesëdhjetë mijë vota në zgjedhjet e 11 majit.

Do ta kalojë kjo verë. Do të vijë momenti i së vërtetës kur Berisha nuk mund ta shmangë takimin me nenin e dorëheqjes. Si me shumë narrativa të tjera të ngjashme për ndjekësit e tij. Çdo të bëjë?
Formulimi i nenit nuk ka lënë hapësira për interpretime subjektive. Opsionet janë dy. Ose ta zbatojë. Ose të thërrasë ata që e kanë votuar për ta shfuqizuar. Kështu ruhet legjitimiteti sëpaku!

Neni 45 i statutit të PDSH-së thotë: “Në rast se pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve të përgjithëshme për Kuvendin, Partia nuk rezulton forcë fituese qeverisëse, mandati përfundon menjëherë dhe automatikisht për shkak të Statutit. Në këtë rast, kryetarit që i përfundon mandati, nuk i lejohet kandidimi në zgjedhjet pasardhëse për kryetar partie”.

The post Dorëheqja e Berishës, një çështje e respektit për ligjin e PD-së dhe të ardhmes së saj first appeared on JavaNews.al.

  •  

Dorëheqja e Berishës, një çështje e respektit për ligjin e PD-së dhe të ardhmes së saj

Nga Preç Zogaj

Zbatimi i nenit* të dorëheqjes pa kushte të kryetarit kur partia humbet zgjedhjet është pikësëpari një çështje e respektit të kryetarit për ligjin themelor të Partisë, për ata që e kanë votuar atë nen dhe për gjithë anëtarësinë si bashkim vullnetar rreth rregullave të gjithëpranuara.

Nuk hyn fare këtu diskutimi kush po e kërkon e kush nuk po e kërkon, kush është kundër e kush është pro. Ky diskutim është bërë e vulosur me hyrjen në fuqi të statutit. I cili, siç dihet, është pranuar përgjatë kohës nga një shumicë deputetësh e mijëra demokratë të thjeshtë që nuk kanë qenë pjesë e PD-së që po rithemelonte Berisha në dhjetor të vitit 2021. Disa në përgjigje të thirrjes së tij. Disa të tjerë duke ndjekur logon zyrtare sipas vendimit që mori Gjykata e Apelit.
Rinumërimi masiv i kutive në disa qarqe të mëdha dhe vijimi i shqyrtimit të ankesave e ka shtyrë shpalljen përfundimtare të rezultateve të zgjedhjeve nga KQZ. Formalisht Berisha e fiton këtë kohë për të shtyrë ballafaqimin me nenin taksativ të dorëheqjes me justifikimin se zgjedhjet nuk kanë përfunduar. Por nuk është ky argumenti që përdorin kundërshtarët e zbatimit të nenit.

Në debatet dhe diskutimet për këtë temë shohim se shumë syresh nuk e lidhin qëndrimin e tyre as me rinumërimin (që deri tani ka konfirmuar me luhatje të papërfillshme punën heroike të numëruesve të partive), as me rezultatin. Ata qëmtojnë arsye të tjera të disfatës elektorale. Dytësore, tretësore deri dhe imagjinare. Arsye të tipit uji ka rrjedhur i kulluar lart, por është turbulluar poshtë nga kandidatë të papërshatshën, pa shtyllë kurrizore, që ia kanë patur me hile doktorit, e tjerë e tjerë. Mbi këto fiksione ka shpërthyer një fushatë e re përbaltjeje dhe një histeri e re thirrjesh për pastrimin e partisë!

Teoritë leniniste-enveriste të pastrimit janë të hershme në PD. Ato janë pjesë e një mendësie sektare që thirret në veprim ose e kupton vetë kur duhet të shpërthejë kundër mendimit ndryshe sa herë që Berisha humbet zgjedhjet ose ka ndonjë problem personal. Duke harruar ose duke mos e ditur se teoritë dhe praktikat e pastrimit janë pa kosto në regjimet me një parti të vetme. Ndërkohë që janë vetvrasëve dhe qesharake në sistemin pluralist, sidomos për një parti popullore që ekziston si alternativë e pushtetit.

PD ka humbur shumë nga ky lloj sektarizmi që, po të vazhdojë, rrezikon ta zvogëlojë më tej e ta katandisë në një sekt politik.

Përtëritja, qarkullimi i elitave, rinovimi i forumeve me zgjedhje të lira e të barabarta, meritokracia, ruajtja e një ekulibri të shëndetshëm mes të vjetërve dhe të të rinjve, hapja e dyerve dhe sidomos hapja e mendjeve – të gjitha këto janë jetike për një parti opozitare. Që në vitin e parë kur del në opozitë. E jo më kur humbet zgjedhjet disa herë radhazi. Pikërisht kjo nuk bëhet në PD. Me justifikime të njëjta që vetëm e atrofizojnë një parti.

Është e vërtetë se mbyllja e listave dhe mbrojtja e kandidatëve të listës së mbyllur nga vota popullore ka ndikuar negativisht në rezultatin e opozitës kryesore. Po ashtu ndarja e pashembullit në botë e kandidatëve në të nënës dhe të njerkës. Po ashtu fushatimi me qëndrime thellësisht antipopullore, siç ishte qëndrimi anti-SPAK, që mund t’i shkojë një partie që llogarit të qëndrojë në minorancë, por kurrsesi një partie që ka synim marrjen e pushtetit. Të gjithë këto dhe plot të tjera kanë një autor. Sali Berishën. Nuk mund t’i vihet gishti asnjë kandidati para tij. Ky yni është sistem i kryetarëve. Fiton ose humb kryetari.

Rinumërimi i kutive të votimit po tregon qartë se manipulimet elektorale në Shqipëri nuk bëhet më si dikur ditën e votimeve. Ato janë një dukuri ndërzgjedhore që unë e kam quajtur rrethimi i zgjedhjeve nga Rama dhe partia e tij. Kur dhanë me gëzim konsensusin për të votuar ligjet autogola, mbylljen e listave dhe votimin e diasporës në një formë ku avantazhin do ta kishte qartazi partia me fuqi me të madhe organizative, PD ka qenë e ndërgjegjshme si funksionon rrethimi parazgjedhor i zgjedhjeve. I cili, përveç ndërhyrjeve adekuate në Kodin Zgjedhor, mund të thyhet pikësëpari më frymë. Që opozita Basha-Kryemadhi e pati deri diku në zgjedhjet e vitit 2021 ku doli me vetëm 37 mijë mijë vota diferencë me PS-në. Diferencë që shkoi mbi dyqind e pesëdhjetë mijë vota në zgjedhjet e 11 majit.

Do ta kalojë kjo verë. Do të vijë momenti i së vërtetës kur Berisha nuk mund ta shmangë takimin me nenin e dorëheqjes. Si me shumë narrativa të tjera të ngjashme për ndjekësit e tij. Çdo të bëjë?
Formulimi i nenit nuk ka lënë hapësira për interpretime subjektive. Opsionet janë dy. Ose ta zbatojë. Ose të thërrasë ata që e kanë votuar për ta shfuqizuar. Kështu ruhet legjitimiteti sëpaku!

*Neni 45 i statutit të PDSH-së thotë: “Në rast se pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve të përgjithëshme për Kuvendin, Partia nuk rezulton forcë fituese qeverisëse, mandati përfundon menjëherë dhe automatikisht për shkak të Statutit. Në këtë rast, kryetarit që i përfundon mandati, nuk i lejohet kandidimi në zgjedhjet pasardhëse për kryetar partie”.

The post Dorëheqja e Berishës, një çështje e respektit për ligjin e PD-së dhe të ardhmes së saj first appeared on JavaNews.al.

  •  

Kandidatë për të drejtuar PD-në drejt fitores ka shumë

Nga Preç Zogaj

“Ja, u dorëhoq Berisha, po kush ta marrë”? Kjo është pyetja që dëgjohet shpesh mes demokratëve pas disfatës elektorale të PD-së në zgjedhjet e 11 majit, ku kjo parti me aleatët e saj e dhjetëfishoi diferencën me Partinë Socialiste. Nga rreth dy përqind para katër viteve në rreth njëzet përqind tani.

Kulti i liderit të pazëvendësueshëm është ngulitur thellë në bllokun berishist të PD-së. Ai që e ka investuar më shumë se askush këtë atavizëm staliniste-enveriste ka qënë dhe është vetë Berisha. Duke shfrytëzuar bartjet botëkuptimore të regjimit të mëparshëm në mendësinë e ndjekësve të tij.

Krejt e kundërta e asaj që do të kishte bërë e do të bënte në kushtet e daljes nga regjimi totalitar një lider i iluminuar. Ai do t’i ndiçonte ndjekësit dhe zgjedhësit me kulturën e re politike të demokracisë; do t’i lartësonte mendërisht e shpirtërisht, duke e sfiduar në rrafshin e botëkuptimit dhe botëndijimit të tyre shkollën e kollajshme enveriste të shpirtrave të këqinj;

Do të promovonte një sistem të ri vlerash e zakonesh ku individi që dyshon dhe mendon ndyshe për një çështje të caktuar nuk është armik por vlerë. Sepse ky individ kërkues dhe jo turma që brohoret është bartës i së vërtetës dhe së drejtës. Sepse demokratët nuk e kërkojnë të vërtetën dhe të drejtën në termat e bolshevizmit por të diskutimit, konsensusit maksimal të mundshëm dhe bashkimit në diversitet. Sepse një identitet politik përforcohet përmes mosdakordësive dhe jo unanimitetit të imponuar a konformist, siç shkruan filozofi i shquar Roger Scruton në librin e tij të famshëm, “Si me qenë i djathtë”.

Të gjitha këto e plot të tjera janë “urdhëresa” të shenjta të identitetit të një partie të qendrës së djathtë. Që nuk është e djathtë sepse vetëpagëzohet e djathtë, por kur funksionon si e tillë.

Rinovimi i lidershipit është një tjetër “urdhëresë” kësisoj. Pyetja “kush duhet të na drejtojë” konsiderohet e gabuar për kulturën demokratike. (Në këtë kuptim pyetja “kush duhet ta marrë PD po iku Berisha” është e gabuar).

Pse quhet e gabuar? Sepse në demokraci liderin e nxjerr gara e lirë, e drejtë, e barabartë. Këto elementë duhet të funksionojnë në harmoni. Sikur njëri prej tyre të cënohet apo të mungojë zgjedhja del me cen, e padobishme në qëllimin e fitores ndaj partisë kundërshtare.

Barazia ka munguar në shumicën dërrmuese të garave për zgjedhjen e kryetarit të PD-së. Edhe kur i është dashur ta delegojë postin e kryetarit formal, duke mbetur vetë në rolin e kryetarit të kryetarit, zgjedhjet në PD i ka determinuar Berisha dhe pabarazia. Megjthatë, rinovimi formal i liderit, edhe pse me gjyle nepër këmbë, siç është shembulli i Lulzim Bashës, ka dhënë shkëndija dhe efekte pozitive. Në zgjedhjet e vitit 2021, Basha arriti ta hapte garën për marrjen e pushtetit. Deri në fotofinish në Tiranë. Në një kohë kur qeveria e Ramës kishte në mbështeje më shumë banda elektorale dhe shumë zyrtarë të korruptuar që kanë përfunduar në burgje ose në arrati këto katër vite falë hetimeve të SPAK.

Le të imagjinojmë impulset që do të kishte sjellë e do të sillte në PD një lider që zgjidhet me garë të lirë, të drejtë e të barabartë, ku Sali Berisha ofrohet si një nga garantët e garës së barabartë, por nuk merr pjesë vetë dhe mban paanësinë. Ai duhet të zgjedhë: të bjerë bashkë me të, ose të lejojë ravgimin e saj si parti popullore nëpër histori të reja suksesi që do t’u shtoheshin, si në një stafetë, të mëparshmëve me shenjën e tij. Në të kundertën rrezikon arkivimin vetë historia e subjektit.

A e ka PD një lider apo liderë të tillë? Ka më shumë se një. Ka disa. Fituesin e një gare të drejtë e forcon në kostumin e lidershipit vetë fitorja e pakontestuar, vetë përgjegjësia, vetë drejtimi i Partisë në bazë të programit me të cilin ka bërë diferencën me rivalët, duke i integruar ata si kolegë në postet partiake.

Një lider i tillë, reformues i komunikimit dhe akomodues i arsyes në Parti, e çon PD-në drejt fitores në zgjedhjet e ardhshme.

Por nëse Berisha do të këmbëngulë t’i prijë asaj drejt një disfate të re edhe më të madhe me secilin prej pasuesve të freskët të Edi Ramës, shanset për një rilindje të PD-së pas pesë humbjesh radhazi do të reduktoheshin në maksimum. Politologjia e vendos në kursin e zvogëlimit të përshpejtuar një parti që humb kaq shumë zgjedhje radhazi. Në këtë pikë rasti Berisha, unikal në Europën postkomuniste, nuk ka shanse të sfidiojë ligjesitë.

The post Kandidatë për të drejtuar PD-në drejt fitores ka shumë first appeared on JavaNews.al.

  •  

Neni i shumëbrohoritur i dorëheqjes që nuk do të zbatohet ndonjëherë nga Berisha

Nga Preç Zogaj

Mban numrin 45 në statutin e Rithemelimit të PD-së, miratuar mes brohoritjeve në stadiumin e ‘Air Albania’ në 11 dhjetor të vitit 2021. Flet për Kryetarin e Partisë. Thotë: “Në rast se pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin, Partia nuk rezulton forcë fituese qeverisëse, mandati përfundon menjëherë dhe automatikisht për shkak të Statutit. Në këtë rast, kryetarit që i përfundon mandati, nuk i lejohet kandidimi në zgjedhjet pasardhëse për kryetar partie.

Formulimi në fjalë përbënte një ndryshim të madh në raport me statutin e mëparshëm ku largimi i kryetarit mbetej në vullnetin e tij edhe po t’i humbte pambarimisht zgjedhjet. Nga kjo pikëpamje delegatët në shkallët e stadiumit kishin të drejtë të brohorisnin. Ishte si një festë e së nesërmes së re me norma të reja demokratike, me primare të barabarta për të gjithë kandidatët, me ligjërim të fraksioneve, me qarkullim të elitave dhe, qershia mbi tortë, me largim të kryetarit në rast humbjeje.

Kishte vend edhe për humor gjithëpërfshirës. Barra për batutën e këtij formati nuk mund të mos binte mbi të zotin e punës. I cili, duke komentuar nenin 46, tha: Ky do të quhet “neni Basha”. Ovacionet dhe të qeshurat ishin pa sens, në fakt, duke qenë se rithemeluesit kishin mbaruar punë me Bashën, e kishin shkarkuar. Por kishte ndërkaq një kuptim në dritën e rezultatit që kishte arritur PD në zgjedhjet e atij viti: largimi i kryetarit ishte taksativ edhe po t’i afrohej fitores, edhe po të merrte një rezultat ndër të mirët e historisë së partisë siç ishe dyzet përqindëshi, edhe po të kishte mbetur bashkë me partinë tjetër opozitare simotër, LSI-në e Monika Kryemadhit, vetëm 37 mijë vota larg PS-së.

Ose fitore, ose largohu! Ky ishte verdikti i ri i Rithemelimit për krytarin e PD-së.

Premtimet, narrativat, fjalët e bukura në politikë dhe jo vetëm nuk e shmangin dot momentin e takimit me të vërtetën. Në rastin e Rithemelimit berishist të PD-së, është bërë e qartë tashmë si përfunduan përcaktimet e bukura për diversitetin dhe fraksionet, çfarë ndodhi me primaret, ku përfunduan premtimet solemne për një parti fituese, më të madhe e më të bashkuar, që ka rezultuar dukshëm më e vogël se e parithemeluara e Lulzim Bashës para katër vitesh në një terren elektoral edhe më të minuar se ky i 11 majit 2025.

Radhën tani e ka takimi me nenin 46. Nga pikëpamja formale dhe sipas statutit të PD-së, neni aktivizohet pas shpalljes përfundimtare të rezultatit të zgjedhjeve nga KQZ. Çertifikimi i tyre qark pas qarku po shkon drejt përfundimit, me shumë pak ankimime zyrtare nga PD pranë këtij institucioni, siç ka deklaruar kreu i tij, Ilirjan Celibashi.

Opozita e ka detyrën e saj të grumbullojë e ankimojë prova të parregullsive, manipulimeve dhe shitblerjes së votës. Prezupozohet se me komisionerët dhe vëzhguesit e shumtë në terren, opozita të ketë mbledhur një numër të konsiderueshëm provash për t’i ankimuar brenda kohës që jep ligji pranë institucioneve zyrtare të akimimit, siç janë KAS dhe Kolegji Zgjedhor.

Ankimi në vetvete është prova e provave të mbledhura. Vërtetësinë e të cilave e provon arbitri, palët e treta. Jashtë provave gjithçka mbetet retorikë, fiksim. Megjithatë, opozita mund ta vazhdojë kërkimin e provave edhe pas djegies së afateve të ankimit. Provat e vërteta flasin gjithmonë, gjykohen në çdo kohë.

Nga kjo pikëpamje, Berisha mund ta shtyjë zbatimin e nenit 4 të statutit të tij edhe pas shpalljes përfundimtare të rezultatit të zgjedhjeve nga KQZ. Korrekte, e detyrueshme në fakt, do të ishte të mblidhte Kuvendin Kombëtar që e ka miratuar atë statut. Për ta amenduar ose shfuqizuar fare nenin e dorëheqjes. Pa bërë ketë, Berisha do të ishte automatikisht i shkarkuar dhe do të qëndronte në krye të PD-së në kushtet e paligjshmërisë flagrante.

Ligji është zbatimi, jo formulimi, thotë një sentencë e njohur. Historia e drejtimit të PD-së qoftë nga Berisha, qoftë nga Basha është e mbushur me raste kur kjo parti ka shkelur çfarë ka shkruar e ka bërë çfarë nuk ka shkruar. Nëse rasteve të mëparshme u shtojmë farsën e primareve apo shkeljen e nenit 46 të statutit në fuqi, rezulton se Berisha rithemeloi traditën me të keqe të paparimësisë në PD-së, që konsiderohej e kapërcyer nga vetë ai në dhjetëvjeçarin e parë të këtij shekulli. Por që u rithirrr në skenë në një përiudhë të keqe për të, kur partia i duhej me çdo kusht si mburojë për hallin e tij.

Ky motiv i dhjetorit 2011 është në fuqi, madje është përforcuar me vështirësitë që Berisha po has për të çarë në SHBA me lobime të paguara shtrenjtë pranë administratës së re të Presidentit Tramp apo me procesin gjyqësor në ngarkim. Do të thotë se ai nuk do ta zbatojë kurrë me dorën e vet nenin katër. Qofsha i gabuar.

Së fundi, për kënaqësinë e lexuesve të mi këtë fundjavë, dëshiroj t’i bashkangjis këtij shkrimi pjesë të një eseje brilante për paparimësinë të shkrimtarit ruso-hebre të epokës sovjetike, Vitali Grozman.

Shkruan Grozman në librin “Gjithçka kalon”:

“Këta njerëz janë fiziologjikisht të privuar nga skrupujt dhe kush nuk ka skrupuj nuk beson në asgjë, nuk mundet. Kush nuk ka skrupuj udhëhiqet në veprimet e tij vetëm nga pragnatizmi dhe rrethanat.

Janë njerëz cinikë, pa fe ose ateizëm, sepse edhe ateizmi është një fe.

Janë njerëz që nuk njohin as të vërtetën, as gabimin, duke qenë gabimi sëmundje supreme e një mendje kërkuese.

Morali i tyre është amoraliteti; u përmbahen vetën rrethanave empirike-kalimtare në funksion të nevojave të momentit. Sapo nevojat praktike ndryshojnë, sapo binden se marritë ideologjike që kanë konceptuar nuk i ndihmojnë për të mbajtur pozicionin e fituar, mohojnë pa siklet e pa turp, madje me një lehtësi të paimagjinueshme, vetë ligjet e tyre, njëlloj si marrëveshjet që kanë nënshkruar solemnisht”.

Ka patur parasysh Leninin, Stalinin dhe idhtarët e tyre.

The post Neni i shumëbrohoritur i dorëheqjes që nuk do të zbatohet ndonjëherë nga Berisha first appeared on JavaNews.al.

  •  

Drama e opozitës, një lider që as fiton, as ikën

Nga Preç Zogaj

Partia Demokratike me koalicionin “Shqipëria madhështore” humbi të dielën zgjedhjet për herë të katërt radhazi gjatë dymbëdhjetë viteve të fundit. Me një rezultat ndër më të ulëtit e historisë së saj, midis 33-34 përqind në shkallë kombëtare, e përkthyer në pësëdhjetë mandate. Nga të cilët vetëm dyzet e dy do t’i përkasin PD-së. Tetë të tjerët janë dhurata për partitë aleate nga pjesa e listave të mbyllura.

Humbësi i madh është kryetari i saj, Sali Berisha.

Të humburit janë demokratët dhe opozitarët që duhet ta shohin pushtetin me dylbitë e vitit 1997 apo të vitit 2017.

E humbur është Shqipëria që nuk do të përjetojë sërish rrotacionin jetëdhënës të pushtetit.

Disfata e opozitës ishte e paralajmëruar. Me rikthimin e tij të sforcuar për arsyet që dihen Berisha do ta bënte Partinë dhe opozitën shumë më të vogël se në zgjedhjet e vitit 2021. Siç ndodhi në fakt. Opozita PD-LSI para katër vitesh ishte më pak se dy përqind larg Partisë Socialiste. Sot i ndan një humnerë elektorale që kap shifrën nëntëmbëdhjetë për qind.

Disfata ishte paralajmëruar nga pesë kompani ndërkombëtare sondazhesh me reputacion në vendet nga vinin. Ato fotografuan fitoren e qartë të PS-së. Kompania amerikane “KMcLaughlin and Associates”, e cila ka gjetur dy herë rezultatin fitues për presidentin Tramp në zgjedhjet e vitit 2016 dhe në zgjedhjet e vitit 2024, parashikoi një fitore me rreth tetëdhjetë mandate të PS-së, pa llogaritur votat e diasporës që nuk ishin pjesë e sondazhit.

Berisha gaboi në të gjitha llogaritë. Gaboi me ligjin zgjedhor deledash të diferencimit të kandidatëve në ca të nënës e ca të njerkës, një turp për PS-në gjithashtu, por që dëmet më të mëdha do t’ja shkaktonte PD-së.

Si të mos mjaftonte ligji, Berisha dyfishoi me diferencimin e kandidatëve në patricë dhe plebej me primaret dhe me listën, ku si një vëlla i madh “shpëtoi” nga konkurimi të preferuarit e tij, pastaj trefishoi kur nuk respektoi në shumë raste as verdiktin e primareve për ata që konkuruan.

PD ka thënë se “lëshoj” për ligjin absurd të mbylljes së listave në kreun e saj për t’i marrë PS-së ligjin për votimin e diasporës. Qesharake. Naive. Ky ligj, ashtu siç është bërë, ishte autogoli i dytë i Berishës. Që po verifikohet si i tillë me numërimin e votave të diasporës ku diferenca në favor të PS-së është me madhe se diferenca brenda vendit, një e dhënë specifike që u heq besueshmëri shtesë pretendimeve të Berishës për manipulimin e zgjedhjeve para të huajve.

PD gaboi me dhuratat elektorale partive aleate.

PD gaboi me qëndrimin ndaj SPAK. Përqindja e votave të saj përkon pak a shumë me minorancën anti-SPAK në vend.

PD gaboi në qëndrimin ndaj integrimit në Europë në një periudhë kur gjeopolitika ka hapur një perspektivë reale për pranimin e vendit me titull të plotë në BE dhe vetë Shqipëria po luan në një seri tjetër në këtë rrafsh, siç u pa edhe dje në Samitin e jashtëzakonshëm të Europës në Tiranë. Në vend që të sillej si të ishte në qeveri për këtë aspiratë kombëtare, aq më shumë kur është ajo që e ka krijues e para narrativën e integrimit në BE, PD u investua në ekspozimin ndërkombëtar të rrobave të palara të shtëpisë. Duke konfonduar një aspiratë kombëtare me konfrontimin politik brenda vendit. Duke bjerrë në imazh për vete brenda dhe jashtë vendit.

E fundit në këtë renditje, por e para nga pesha, Berishës i dolën gabim llogaritë me lëvizjen e tij për rimarrjen dhe Rithemelimin e PD-së. Me sloganin për një PD më të madhe e më të bashkuar, ai shthuri dhe thuri siç di ai një parti që kishte arritur në vitin 2021 një rezultat ndër të lartët e historisë së saj. Bashkë me Metën shthuren një opozitë shumë afër fitores, me vetëm 37 mijë vota më pak se PS. Që po të ishte ruajtur e forcuar do ta kishte parakaluar me kohë PS-në përgjatë mandatit të saj të tretë të karakterizuar nga dalja në dritë e korrupsionit masiv të qeverisë së saj, tashmë jo me fjalë, por përmes hetimeve penale nga SPAK.

Ai i joshi demokratët me futjen në statusin e partisë të fraksionit, të primareve, të dorëheqjes së kryetarit nëse humb zgjedhjet e plot norma të tjera demokratike. Kur erdhi puna për t’u zbatuar, diversiteti dhe fraksioni u katandisën në një garë konformizmi që kush e kush të emërohej deputet pa u votuar; primaret në formalitet për t’u hequr qafe; dorëheqja në rast humbjeje, me sa po shihet, në një normë të tipit “ashtu ishte loja”.

Nuk e përjashtoi hallin e personit Berisha në ekuacionin politik. Por kur vendos të përfshish partinë, duhet të konsiderosh interesat e gjithë të tjerëve, interesat e brezave politikë rreth PD-së. Pa i sakrifikuar ato në altarin e egos dhe hallit vetjak. Përndryshe humb ti, humbin gjithë të tjerët.

Drama e PD është se kjo parti nuk është ndalur asnjëherë të analizojë me përgjegjësi politike dhe profesionale shkaqet e brendshme të humbjeve të shumta të njëpasnjëshme, parlamentare dhe vendore. Në një kohë kur, përveç shkaqeve të jashtme në lidhje me manipulimet e llojllojshme të zgjedhjeve nga viti 1996 e këndej, ka patur e ka gjithnjë shkaqe të brendshme përcaktuese të secilës prej humbjeve.

Mungesa e reflektimit është mungësë vullneti për të ndryshuar. I pari dhe i vetmi rast kur një grup themeluesish dhe drejtuesish të PD-së kanë paraqitur me shkrim në Këshillin Kombëtar të PD-së një analizë shteruese që pati marrë emrin Mocion, na çon prapa në kohë në verën e vitit 1992 me rastin e humbjes se thellë të zgjedhjeve vendore të atij viti, as katër muaj pas fitores plebishitare të zgjedhjeve parlamentare.

Berishës iu deshën disa humbje të tjera për të pranuar e reflektuar frymën e Mocionit, thelbin politik të përmbajtjes së tij. Që na thotë se vetëm një simbiozë mes dy shpirtrave përlindës të PD-së, ai i një konservatorizmi të moderuar dhe ai i fashës liberaldemokratike, ku i pari ka më shumë numra dhe i dyti ka më shumë mendim dhe feksje rrezatuese deri përtej radhëve, mund ta çojë në fitore PD-në. Kjo simbiozë u vërtetua fitimtare në zgjedhjet e vitit 2005.

Asnjëherë tjetër më pas sepse simbioza u zbeh, Partia humbi dora-dorës vlerat e qëndrueshme liberalkonservatore, u bë gjithnjë e më e papëkufizueshme nga pikëpamja ideologjike, një grupim gjithnjë më i ngushtë interesi në orbitën e Berishës. Me fjalë të tjera u ngurtësua në formatimin berishist, shumicë në parti, pakicë në shoqëri.

Pas humbjes së thellë në vitin 2013 Berisha bëri një dorëheqje formale, duke ia lënë zyrën Lulzim Bashës. Ndërkaq ai nuk la asnjë ditë pa treguar me akte dhe gjeste se ishte në majë të partisë si kryetari i kryetarit. Bënte Basha një konferencë shtypi në Parti, ia priste Berisha me një me të madhe në zyrën e tij, në majë të kullës; fliste Basha në Kuvend 15 minuta, ia priste krytari historik me tridhjetë, dyzet e më shumë minuta me lejen e Metës që thoshte si me humor “për doktorin nuk ka minutazh”.

Ambasadorët kalonin për kortezi nga zyra e Bashës, por për zgjidhje ngjiteshin te ajo e Berishës. Rasti që u vë vulën gjithë të tjerëve është ai i të dërguarit të Departamentit të Shtetit Hoyt Brian Yee, për zgjidhjen e krizës së “çadrës” në vitin 2017. Zoti Yee arriti me Berishën shkrehjen e çadrës dhe tërheqjen e PD-së nga qëndrimet “e prera” se nuk hyjmë në zgjedhje dhe nuk i votojmë komisionet e reformës zgjedhore me Ramën kryeministër.

Drama e PD-së në fakt është lideri real që as fiton, as largohet.
Dhe breza të tjerë të rinj demokratësh që shohin t’u digjen shanset. Mëkat.

The post Drama e opozitës, një lider që as fiton, as ikën first appeared on JavaNews.al.

  •  
❌