Reading view

‘Vijat e kuqe’ të SHBA, opozita dhe revolucioni që s’ndezi as nga ‘Gaza’

Nga Jakin Marena

Afrimi i ditës kur në Tiranë do të ‘zbarkojë’ ambasadori i ri i SHBA, gjenerali Eric Wendt, ka sjellë me të vërtetë pështjellim në ambientin politik të Tiranës, përfshirë këtu dhe protestën e përnatshme në bulevardin qendror të kryeqytetit!

Misteri që përmban ‘valixhja diplomatike’ e të dërguarit direkt të presidentit amerikan, Trump, në Shqipëri, ka nisur të ngjallë frikë tek të gjitha palët, kryesisht tek ata që janë pozicionuar dukshëm e rëndshëm kundër Trump, SHBA-ve dhe mbi të gjitha kundër investimeve amerikane!

Kreu i PD, Sali Berisha ka heshtur në thirrjet për të mbështetur protestën, duke u mjaftuar me ‘analizën’ e punës së Ramës me ministrat e tij, akuzat ndaj qeverisë e kryeministrit, pavarësisht se pak muaj na ndajnë nga zgjedhjet për pushtetin vendor dhe pritet që dhe këtë radhë opozita të shkojë në zgjedhje si ‘ai në dasmë’, ndërsa PS e ka nisur me kohë e vakt punën për fitoren!

Ndërkohë protesta në kryeqytet vijon të lëvizë nëpër ‘ullukun’ e saj, me të njëjtat parulla, me të njëjtat slogane, me të njëjtin itinerar dhe me të njëjtin intensitetet lëvizjesh ‘bosh’ pa dhënë asnjë rezultat, por vetëm duke ngushtuar gjithnjë e më shumë radhët e saj, por dhe duke nxitur përplasjet pafund brenda vetë radhëve të ‘shtrënguara lirisht’ të ‘revolucionit’!

E teksa të gjithë i ka kapur një lloj frike në lidhje me misterin e sjelljes së ambasadorit të ri amerikan në Tiranë, ajo që dinë është se ‘vijat e kuqe’ për diplomacinë amerikane në këto kohë të trazuara dhe luftrash në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, janë të përcaktuara qartë! Mesazhet kanë qenë të qarta, Shqipëria është vend stabël që eksporton stabilitet në rajon, prandaj nuk duhet të cenohet ky stabilitet, i domosdoshëm për aleatët tanë të mëdhenj! Ndaj duhet mbështetje për reformat integruese, ku vendet anëtare të Unionit e konsiderojnë Shqipërinë në krye të listës bashkë me Malin e Zi për t’u anëtarësuar të parat në BE! E tha dhe Kos këtë të martë këtë!

Prandaj presidenti Trump ka emëruar në Tiranë një gjeneral në pension, të përgatitur për përballimin e situatave të vështira në këtë cep të botës, përballë rrezikut rus dhe tentativës së islamit politik të mbështetur nga terrorizmi për të depërtuar në Ballkan! Kuptohet gjenerali do të ‘mbikqyrë’ dhe Kosovën, që është jo vetëm pa ambasador amerikan, por dhe pa institucione legjitime e pa shtet këtu e dy vite, për shkak të Albin Kurtit! Do qetësi SHBA nga nahija jonë!

Diplomacia e SHBA është e prerë në qëndrimin e saj kudo që ndodhet në botë, mbështet fort investimet amerikane, të vogla e të mëdha qofshin këto, dhe i mbron me forcë, pavarësisht se çfarë bëhet në vendet respektive! Kuptohet, amerikanët janë strikt në marrëveshjet e tyre për të investuar kudo në botë, prandaj kërkojnë të njëjtën qasje nga vendet që thithin këto investime!

Në Shqipëri janë nënshkruar marrëveshje të mëdha me SHBA, sidomos ajo e gazit, është ftuar dhe Kosova për këtë marrëveshje por Albini ka refuzuar deri më tani, por janë në proces dhe investime të tjera të mëdha, përfshirë ato në Zvërnec dhe Sazan, ku është i përfshirë dhe Jared Kushner e Jovanka Trump, dhëndri e vajza e preferuar e Donald Trump! Janë investime këto që sjellin jo vetëm përfitime për shqiptarët, 4.5 miliardë dollarë investim amerikan nuk janë një fjalë goje, por mbi të gjitha sjellin edhe siguri e garanci për Shqipërinë, por dhe interesin e fortë të qeverisë amerikane për ecurinë e këtyre investimeve, që mbrohen me përkushtim nga SHBA!

S’po përmendin atë rutinën e përhershme, sipas të cilave ambasadori amerikan do të mbështesë punën e SPAK për luftën ndaj korrupsionit e krimit të organizuar, ngritjen e gjykatave të posaçme në nivelin e zbatimit të ligjit për të mos qenë thjeshtë një ‘notere’ e kërkesave të prokurorëve, respektimin e të drejtave të njeriut dhe gjëra të tjera të këtij lloji! Pasi për hir të së vërtetës ambasadori i SHBA, kudo që të ndodhet, në radhë të parë mbron interesat e Amerikës, interesa që i përputhin fort dhe me interesat dhe nevojat e vendeve aleate ku ushtrojnë detyrën! E mbi të gjitha SHBA është garanti i sigurisë në botë, pra dhe për Shqipërinë e vogël aleate! Dhe nuk na ka dalë keq në asnjë periudhë aleanca me SHBA. Përkundrazi, ka qenë jetike për vetë ekzistencën tonë si shtet por dhe për krijimin e shtetit të dytë shqiptar në Ballkan, Kosovës!

Dhe i përmendëm këto ‘vijat e kuqe’ që përmban ‘valixhja dipomatike’ e ambasadorit të ri amerikan në Tiranë që pritet të vijë në fillim të kësaj vjeshte, pasi në këto kohë ‘vakance’ pa titullar të ambasadës së SHBA, kanë ‘lulëzuar’ shumë elementë anti-SHBA e anti-Trump, të mbështjellë herë herë dhe me mbështetje të të majtëve radikalë amerikanë e evropianë, islami politik e turli rrymash e elementësh radikalë që kanë vërshuar në  bulevardin qendror të Tiranës, prej më shumë se tre muajsh, duke e degjeneruar protestën me tamam që ishte në dy javët e para!

Pra, edhe këta revolucionarët e bulevardit të Tiranës janë trembur nga ‘vijat e kuqe’ të SHBA në Shqipëri, në vigjilje të ardhjes së ambasadorit të ri amerikan në Tiranë, i cili mbërrin në këtë fillim vjeshte për të ushtruar detyrën e tij në shërbim të shtetit të vet si dhe në mbështetje të Shqipërisë e shqiptarëve si aleatë e miq të mirë e faktor stabiliteti në rajon!

Ndaj “revolucioni’ ka nisur të bëjë një hap pas në retorikën e tij kundër Trump dhe SHBA, ka zhdukur të paktën këto ditët e fundit nga skena përfaqësues të islamit politik, duke mos u dhënë as mikrofonin për të folur, pasi ata për hir të së vërtetës në çdo 5 fjalë një e kanë me ‘allah’, një me ‘rrugën e Zotit’, e një me ‘kontributin’ e Anadollit për shqiptarët! Ende s’kanë përmendur betejën e Çanakalasë apo zëvendësimin e Kushtetutës shqiptare me sheriatin! Por drejt asaj po shkonin, me atë turr që kishin marrë! “Me paratë tona po protestojmë’, justifikoheshin!

Pavarësisht rënies së mbështetjes brenda vendit si dhe daljes nga ‘rrethi’ i jehonës nëpër mediat kryesore të huaja, ishin në ‘pole’ për shkak të axhendës anti-SHBA e anti-Trump të kuptohemi, grupet organizatore të protestës, kryesisht neomarksistët, këta përfaqësuesit e partive të vogla, por dhe përfaqësuesit e Berishës që mbajnë nën kontroll ‘hirin’ e revolucionit të ‘fikur’, refuzuan këtë përpjekjen për mbështetje të flotiljes pro-palestineze që ishte nisur nga Brindizi për të mbërritur në Vlorë, me qëllimin e vetëm që me aksionin e tyre politik të ngrenë sadopak nivelin e “Revolucionit Flaming” në Shqipëri, tentativë që duket se nuk pati rezultatin e pritur prej tyre.

“Global Sumund Flotilla”, një organizatë e fortë si pjesë e të majtës globale dërgoi në brigjet e Vlorës 3 varka të vogla në të cilat kishte dhe përfaqësues shqiptarë të diasporës, në përpjekjen e tyre për ta kthyer luftën kundër investimit amerikan në Sazan, në një kauzë të lidhur me Gazën. Janë kauza që s’kanë asnjë pikë takimi në fakt, por ishte një përpjekje kjo! Ishte një tentativë në fakt, për të mbështetur protestën që vijon ditë pas dite me numra të ulët dhe në Tiranë, paçka se parullat që mbanin varkat e flotiljes pro-palestineze kishin një gjuhë shumë agresive ndaj izraelitëve, teksa përdoret vend e pavend ajo parulla e njohur kundër ‘sionistëve’. Ku Sazani në të cilin pritet të investohen miliarda dollarë për turizëm, ku Gaza e shkatërruar nga lufta!

Ndonëse edhe vetë përfaqësuesit që erdhën me këtë flotilje e panë atmosferën e ftohtë që i priti në Shqipëri, ku asnjë përfaqësues i protestës nuk doli t’i priste në Vlorë kur zbritën, përkundrazi u panë përfaqësues të qeverisë që u ofruan një ‘guidë’ njohje për Sazanin dhe Shqipërinë, gjë që ata e refuzuan bashkë me vizitën në ishull, të cilën e kishin paralajmëruar më herët, refuzimi ndaj tyre u shfaq fare hapur në protestën e të shtunës, kur aktivistët e ardhur me “Global Sumud” tentuan t’u flisnin njerëzve në shesh, por ata u penguan nga grupi organizator! Ndonëse në mënyrë aspak ‘ortodokse’, por ama i vunë përballë flamurit kombëtar, duke e ‘errësuar’ deri në shuarje motivimin palestinez si mbrojtës të kauzës së Gazës dhe përpjekjeve për të hequr paralele me rastin e Shqipërisë dhe më konkretisht me Sazanin!

Mori fund përpjekja që me zjarrin e “Gazës’ të ndiznin sadopak revolucionin e fikur Flaming, të cilin për hir të së vërtetës kështu e donin dhe vetë organizatorët, të cilët, referuar sherreve dhe sekreteve të nxjerra gjatë sherrit mes tyre, kishte thjeshtë e vetëm një qëllim: përfitimin e parave, diku përmes projekteve, diku përmes shpërblimeve cash. Dhe bëhet fjalë për mijëra euro çdo mbrëmje, që jepen për të bërë ‘xhiro’ në bulevard! Këtë e pranojnë dhe vetë aktivistët e flotiljes ‘Gaza’, të cilët janë përplasur me anëtarët e grupit koordinues të protestës. Dhe nëse janë refuzuar me tamam, jo sa për sy e faqe, ju lumtë pasi nuk ka lidhje Gaza me Sazanin!

Dikush mund të thotë se “revolucioni’ u kthye në rrugë të drejtë duke refuzuar ndikimin e “Gazës’ te protesta në Tiranë! Për hir të së vërtetës, besojmë se ajo që ka ndodhur është thjeshtë e vetëm një skenar nga ana e organizatorëve për të treguar se nuk kanë gjë me SHBA-të dhe me presidentin Trump, pa hequr dorë nga mbështetja e islamit politik dhe neomarksistëve, të cilët i japin tonin protestës! Sepse, nuk bëhet shaka me ‘miellin e amerikanit’! Grupi organizator është i qartë për ‘vijat e kuqe’ të SHBA, të cilat s’mund të shkelen! Kurse Albini ka hallet e veta, s’ka fuqi të mbështesë njeri, aq më tepër që në Shqipëri, ai dhe islami i tij politik, nuk ngjisin!

Dhe me afrimin e shtatorit, ‘zbutja’ e revolucionarëve në fikje do të jetë akoma e më e madhe, pavarësisht paralajmërimeve se do të ‘ndizen’ me ardhjen e studentëve! Mbështetja ka rënë si brenda ashtu edhe jashtë vendit! Edhe konfigurimi tek vetë radikalët e majtë në SHBA ka ndryshuar në favor të progresistëve, që pritet të rrëmbejnë ‘skenën’, ndërsa tashmë Shqipërinë dhe ‘revolucionin flaming’ e kanë harruar! Nuk e ‘ndezi’ dot as “Gaza”! Ardhja e ambasadorit të ri amerikan, pritet të sjellë ndryshime të thella edhe në “bulevard’! Lekët i morën ata tani, vijojnë të respektojnë kontratën, dhe për inerci! Të kuptohemi, ka dhe idealistë në protestë!

  •  

Revolucioni që s’ngjiti, paratë e shkuara dëm dhe fatura për shqiptarët!

Nga Jakin Marena

Për të treguar shkallën e lartë të këmbënguljes dhe efikasitetin e një ndërmarrjeje politike, në periudhën e regjimit komunist ishte një shprehje e famshme asokohe që i përblidhte të gjitha: “S’ka kala që nuk marrin komunistët, nuk dorëzohen kurrë”!

Aq shumë ishte i fiksuar kreu i regjimit, Enver Hoxha, pas këtij postulati, ndoshta të shpikur nga vetë ai, sa e kishte përcaktuar dhe vetë Shqipërinë, si “fanar ndriçues në botë”, duke i bindur shqiptarët, me zor apo me hatër, se Shqipëria ishte qendra e botës dhe se marksizëm-leninizmi i vërtetë në shkallë botërore kishte gjetur zbatim vetëm në Shqipëri, nën diktaturën e proletariatit, që nuk lejonte asnjë investim të huaj për të shfrytëzuar vendin! Madje kishte vënë dhe ‘klon’ në kufi, ku nuk hynte as dilte as miza pa leje, jo më njerëzit!
Dhe një ‘sindrom’ i tillë zgjati për 45 vite, derisa regjimi komunist, i gjendur përballë rrënimit ekonomik, social dhe politik, pa asnjë mik jashtë dhe pa asnjë investim të huaj, ra në fillimin e viteve ’90! Shqiptarët ishin aq të zemëruar dhe të shkatërruar nga ky regjim 45 vjeçar sa nuk donin më as të dëgjonin për Partinë Komuniste apo PPSH-në, e cila u shkri dhe doli jashtë ligjit, për të ‘mbijetuar’ më pas tepër e fraksionuar dhe me rezultate që asnjëherë nuk lëvizën nga zero. Pasi shqiptarët ishin ‘djegur nga qulli, dhe tashmë i frynin dhe kosit’! Nuk bëhen më “Bashkë” për të rikthyer komunizmin, qoftë dhe në formën më të ‘revizionuar’ formalisht këtu në Shqipëri!
Të më ndjejnë ata që nuk janë dakord me qasjen time, demokracia prandaj është e bukur, pasi me rrëzimin e komunizmit lindën dhe partitë politike, e shqiptarët kanë mendime dhe qëndrime të ndryshme, por teksa shoh këtë ‘zvarritjen’ mbi 80-ditore të “Revolucionit Flaming”, i shndërruar në një miksim lëvizjeje neomarksiste dhe të islamit politik, më kujton pikërisht këtë postulatin e atëhershëm, ‘s’ka kala që nuk marrin komunistët, nuk dorëzohen kurrë’, me të cilin organizatorët kryesorë të këtij revolucioni po mundohen të mbajnë në këmbë këtë lëvizje, duke bindur veten e të tjerët se duhet të vijojë! Nisi si qytetare por tashmë është katandisur në një ‘xhiro’ darke, sipas një axhende të përcaktuar nga ‘grupi i mikrofonit’ që vendos se kush flet dhe se kush dëbohet!
Teksa “Revolucioni” është rrudhur në atë farë feje, sa tashmë po na duken madhështore edhe këto foltoret e Berishës, mbetet vërtetë mister se përse vijon në zvarritet ditë pas dite, me të njejtat slogane, me të njejtat parulla, me të njejtin format qëndrimesh dhe deklaratash, me të njejtët persona anonimë që dalin e flasin, ndonjëherë pa e ditur as vetë ata se çfarë thonë e çfarë kërkojnë, pa neglizhuar në këtë rastet Gonen e famshëm, i cili vdes për të qënë kandidat për kryeministër! Pra nuk e kuptojnë se përse vijon kjo ‘xhiro’ rutinë , përderisa Rama vijon të jetë kryeministër, vijon të qeverisë pa u shqetësuar, Berisha vijon të jetë kryetar i PD dhe të qeverisë me Nokën, PD-në, qytetarët vijojnë të jenë në punë, në kafe, në plazhe dhe në xhiro darke pa e prishur terezinë, me gjithë lutjet, thirrjet dhe sulmet e organizatorëve. Bizneset vijojnë punën, turistët e huaj kanë rritur sërish fluksin e ardhjeve në këtë vend dhe jeta vijon pa asnjë ndalesë!
Revolucioni “Flaming” është kthyer tashmë në një ritual të pandryeshueshëm, në një barcaletë për nga shkalla e efikasitetit dhe realizimit të qëllimit për të cilin nisi. Për më tepër që ngjan mot a mot me ato rekordet ‘detare’ të Berishës, asokohe kryeministër, i cili megjithëse akoma dhe sot e kësaj dite nuk e ka mësuar notin, mburrej me qëndrimin me njërën këmbë në tokë, në ujë! Qëndronte dy orë në ujë, pa bërë asnjë metër not dhe e quante rekord të thyer! Kështu dhe protesta, pavarësisht se mazhorancës dhe Ramës nuk i ka lëvizur asnjë ‘muskul’ nga kjo protestë, vijon të mburret me zgjatjen e ditëve në bulevard, jo me qëllimin dhe arritjen e objektivit të vënë që në krye të herës, largimin e Ramës dhe tërë klasës politike aktuale nga pushteti e politika!
Mendojmë se tre janë arsyet pse ky ‘revolucion’ rutinë vijon ende rrugëve të kryeqytetit, Tiranë, thjeshtë dhe për inerci, pa asnjë objektiv për të arritur!
E para e ndoshta më kryesorja është se, janë bërë të gjitha pagesat që në krye të herës për grupin organizator, dhe tashmë me dëshirë apo pa dëshirë duhet të shkohet deri në fund të skenarit! Nuk po themi se kanë dhënë para Irani, Rusia, islami politik, apo dhe deri Albini e VLEN! Por që nuk punon askush pa para në këtë vend, këtë mund ta themi dhe kjo është e vërteta, si buka që hamë! Madje dhe sherret brenda grupit të organizimit të “revolucionit”, për punë parash kanë ardhur! Bëhet fjalë për mijëra e mijëra euro! Këtë e kanë thënë palët në sherr brenda protestës, madje me zë dhe figurë nëpër rrjetet sociale, dhe jo ne!
Pavarësisht thirrjeve për shtrëngim të radhëve dhe unitetit brenda grupit organizator, si në kohën e Enverit, apo të asaj gruas së Beratit që nuk donte as bukë dhe as ujë, vetëm që Nano e Meta të mos ziheshin, sherret mes grupeve vijojnë me të njejtin intensitet! Pra paraja është në mes, dhe e themi këtë pasi dhe në grupin organizator janë me shumicë njerëz të bankave, ekonomistë apo që janë marrë me këto zhvillimet ekonomike, ku valutën e kanë në qëndër të edukimit të tyre! Sado vonë që të ngrihen nga gjumi, paratë i kanë në sy! Si të gjithë, me para jetohet, s’ka gjë falas!
Flitet brenda rrethit të ngushtë të organizimit, për fluksin e parave që vijnë nga Suedia, Holanda, Gjermania, Italia etj, sponsorizime nga majtisë të thekur, shqiptarë ose jo, nga kundërshtarë të Ramës apo dhe nga vendet jo mike, përmes kanaleve të nëndheshme! Por janë hedhur para dhe nga brenda vendit, ku në krye të listës qëndrojnë këta krerët e partive të vogla, në përpjekje për të qënë faktorë dhe për të rrëmbyer ndonjë pjesë të pjesëmarrësve në protestë, e cila për hir të së vërtetës po shuhet bashkë me këto parti, të cilat po rikthehen sërish në habitatin e vet! Pra aq sa kanë patur dhe mbështetjen e fundit në përballjen elektorale, madje dhe më pak! E kanë pranuar dhe vetë se kanë financime, pasi kushton mijëra euro nata! Madje dhe për të pasur zë nëpër këto rrjetet sociale, përmes figurave të rëndësishme nga të gjitha fushat! Leku madh me një fjalë!
Arsyeja e dytë është kjo klima e shpresës së pashpresë, se në ‘ecje e sipër’ mund të ndodhë ndonjë përmbysje vetëvetiu, ndonjë kataklizmë siç ndodhi me rënien e komunizmit në Shqipëri në vitin 1990, dhe komunistët dhe islami politik janë në pritje se mund të përfitojnë, pasi gjenden me ‘kostum’ të ri si neomarksistë këtë protestë! Ndoshta rrinë me shpresën se mund të ‘prekin telat e zemrës’ së Ramës dhe i lind atij në zemër që të ikë se i vjen gjynah kur sheh se si po skrapatohen këta revolucionarët në rrugë! Nuk themi se përfiton Gonja, as këta tjetër, s’kanë ‘stof’ politikani këta, janë si lavjerrsat politikë, ngjashë me krerë OJF-je!
Shqiptari e ka të materializuar që herët në kohë këtë qëndrim, me atë thënien lapidare të pritjes me damixhanin e rakisë gati, tenxheren dhe zjarrin të ndezur ‘të rënies vetë të atyre të dashit’, për t’i skuqur direkt në mal dhe për t’i përdorur si meze për raki! Ne shqiptarët jemi të duruar dhe tepër novatorë në këtë drejtim! Prandaj na mbeti në ‘derë’ për 45 vite komunizmi! I cili kështu, si pa ndjerë hyri, në fillim ilegalisht dhe pas shumë vitesh në pushtet me dorë të fortë, na kaloi të gjithë në ‘satër’ dhe tashmë i qëndrojmë sa më larg çdo neomarksisti!
Arsyeja e tretë që po vijon me zvarritje ‘revolucioni’ nëpër rrugët e Tiranës ka të bëjë me atë pritjen e kahershme të shqiptarit, për ‘zbarkimin e aleatëve’ dhe largimin e kësaj qeverie! Jo pa qëllim sponsorizojnë në media dhe rrjetet sociale lajme të tilla, sipas të cilave “revolucioni’ ka mbështetje nga Gjermania, nga Holanda, nga Belgjika, nga vendet nordike etj, pasi Rama është i padëshirueshëm për qeveritë e këtyre vendeve! Anipse të gjitha veprimet e Ramës në funksion të mirëqeverisjes dhe përafrimit me BE-në, të gjitha këto vende i mbështesin maksimalisht dhe e vlerësojnë publikisht qeverinë shqiptare se po udhëheq një vend pararojë në rrugën e integrimit, krahasuar me vendet e tjera apsirante të rajonit, për anëtarësimin në BE! Apo dhe këto lajmet me flotile të ambientalistësh dhe të majtës që mbërrijnë në Sazan!
Por ajo që po vëmë re me ‘sy të lirë’ është se organizatorët e protestës, në tentativë për t’i dhënë ‘revolucionit’ idenë se po mbështetet nga qeveritë perëndimore, po tentojnë të shfrytëzojnë edhe këtë fluksin e emigrantëve që vijnë në Shqipëri, e që bëjnë një xhiro dhe nga ‘qendra e zërit’ të protestës për të folur dhe për të kërkuar rrëzimin e Ramës! Të cilët vijnë nga këto vende!
Për hir të së vërtetës ‘mërgata’ e re shqiptare, e cila vjen në vendlindje çdo behar për të kaluar pushimet bashkë me familjarët që kanë mbetur në Shqipëri, po mundohet fort që të importojë “revolucionin” nga vendi nga ata vijnë, të sjellin modele të gatshme ‘revolucioni’, nga ata të hershmit madje, por ka dhe nga ata që përpiqen që të kontribuojnë edhe me leksione të gatshme se si duhet të bëhet revolucioni. Ndonëse nuk prezantohet askush, madje dhe në media, thuhet ‘u shpreh një emigrfat, foli një cajzë që vinte nga iks vend’ dhe asnjë emër nuk përmendet!
Nuk e ndryshoj nga qëndrimin tim që, mërgata jonë është pjesa më guximtare e shoqërisë shqiptare. Megjithëse ndaj dhe qëndrimin se, guxim ishte dhe të qëndroje në Shqipëri dhe të punoje fort për të tejkaluar krizat, shkatërrimin e shtetit nga themelet dhe për të punuar me durim për ringritjen e vendit! Ama emigrantët janë guximtarë, kanë punuar dhe janë përshtatur në dhe të huaj, kanë duruar madje dhe rregullat e forta të vendeve ku janë instaluar e tashmë kanë krijuar familje e jetojnë atje! Me një fjalë, kanë pranuar dhe ‘këpucën në gojë’ të policit kur kanë dashur ndonjëherë si pa mendje të veprojnë si në Shqipëri! Prandaj i mirëkuptoj gjithnjë, atëherë kur ‘lirohen’ ndonjëherë nga rregullsia kur vijnë në Shqipëri! Kanë nevojë të bëjnë si shqiptarë!
Pra duhet të pranojmë se shumica e tyre kanë sakrifikuar gjithçka, pasi hequr dorë nga shumë gjëra për të mbijetuar, punuar, mbajtur familjet e tyre andej dhe paratë që kanë dërguar për pjesën e mbetur në Shqipëri! Janë privuar nga argëtimi, janë privuar edhe nga studimi e mbi të gjitha shkollimi! Për mungesë kohe, të kuptohemi! Dhe kjo i bën ata dhe më emocionalë, më të drejtëpërdrejtë, më të thjeshtë në veprime dhe qëndrime, duke i rikthyer, pikërisht në kohën kur ata kanë lënë atdheun për të shkuar në emigrim! Pra, në atë moment kur ‘ora’ e tyre ka ngecur, pa e ditur se dhe këtej në Shqipëri, këta shqiptarët e vendit, kanë ecur para, kanë punuar, janë shkolluar, një pjesë e mirë dhe jashtë vendit e janë rikthyer, kanë krijuar të mira materiale! Kanë kontribuar me një fjalë për vendin, ashtu sikurse kanë ditur dhe kanë mësuar dhe andej nga Perëndimi ku janë shkolluar e trajnuar! Madje nën monitorimin e qeverive, po të Perëndimit, kanë punuar fort këtu, prandaj kemi ecur në rrugën e integrimit në BE, më shumë se të tjerët!
Qofshim të gabuar, por një pjesë e mirë e këtyre emigrantëve që kanë ‘paralaluar’ nga mikrofoni i ‘revolucionit’ janë kapur nga sindromi i mërgimtarëve të Kosovës që mbështesin Albinin, të cilët dihet si e kanë katandisur Kosovën, 2 vite pa institucione, e po përpiqen të implementojnë edhe në Shqipëri atë protagonizmin e tepruar për t’ju treguar shqiptarëve që jetojnë në atdhe formulën e gatshme se si duhet të jetojë, si duhet të sillet, si duhet të veprojë tani e tutje, sa fëmijë duhet të bëjë, anipse ata vetë nuk ikin për qamet nga vendi ku janë reziëdentë atje për të ardhur e punuar e jetuar përgjithmonë në dheun e të parëve!
Pra Shqipëria në sytë e tyre kthehet në një realitet që shihet nga jashtë, orientohet prej atyre që janë jashtë dhe pse jo, edhe gjykohet po nga jashtë, me modele të gatshme se si rrëzohet qeveria nga turma, si qeveriset vendi nga turma pa institucione, ndërsa ashtu sikurse në Kosovë, dhe në Shqipëri, ‘fatura’ e ndryshimit u lihet pikërisht atyre që jetojnë në atdhe. Pra ‘vrit veten tani’ me këto modelet e gatshme, pasi ne po rikthehemi në Evropë, pasi kemi punën, kalamajtë, shtëpinë e jetën aty! Kërkon në mikrofonin e protestës ‘revolucionin’, ndërkohë që faturën e revolucionit do ta paguajnë ata që jetojnë në Shqipëri! ‘Bëj si them unë, mos bëj si bëj unë’ i bie! Sepse atje në Perëndim nuk u shkon as në mendje të kërkojnë si në Shqipëri, rikthimin e epokës së gurit!
Shqiptarët janë djegur disa herë nga këto ‘revolucionet’ pa skenare! Prandaj përkrahja ka rënë në limitet më të ulta, ngjashëm me ‘revolucionet’ e Berishës në foltoret e tij! Njerëzit kanë hallet e tyre dhe nuk mund të shkojnë pas një turme të limituar dhe laramane, e cila nuk ka strategji, nuk ka skenar, nuk ka kokë që të marrë përsipër drejtimin e vendit, fatet e vendit dhe për pasojë dhe fatet e familjeve të tyre! Jo vetëm që nuk po joshet ende nga deklaratat patriotike, shpeshherë të ‘miksuara’ me alarme të rreme se po na pushton Izraeli apo dikush tjetër, por e ka të pamundur që të ndjekë edhe këto ftesat e neomarkistëve apo dhe të islamit politik, për të hedhur veten dhe vendin në erë! Janë me kosto e lartë! Shqipëria nuk ngjan me Kosovën e Albinit!
Megjithatë, theksojmë, se nuk jemi kundër protestës! Ajo është e shëndetshme qoftë dhe për të shfryrë mllefin në në rrugë, në mënyrë kolektive, për të gjithë ata që kanë halle të ndryshme! Edhe për kaq e meriton vëmendjen! Ama, shqiptarët janë jashtë sferës së përdorimit si ‘kavje’ eksperimentale sipas axhendave aspak dashamirëse për Shqipërinë apo luftërave të të majtëve për pushtet, që duan të përdorin Shqipërinë si fushë-beteje për betejat e tyre ideologjike! Janë djegur shumë herë shqiptarët!
Mbi të gjitha, në 2 mijë vite, vetëm një revolucion kanë bërë shqiptarët, dhe atë e bëri një prift! 6 muaj mbijetoi qeveria e Nolit dhe iku pa luftë! Duke përjashtuar Enverin që revolucionin komunist e bëri pasi erdhi në pushtet, e mbi të gjitha pasi doli nga ilegaliteti, disa vite pas erdhi në pushtet! Është jashtë takatit tonë ripërsëritja mot a mot e të keqes në këtë vend! Pavarësisht se kjo mënyrë organizimi “revolucioni” dëmtoi shumë rëndë organizinin e lëvizjeve të tjera në të ardhmen! Jo për faj të pushtetit apo të Ramës, por për shkak të organizatorëve të këqinj dhe hileqarë të “revolucionit”! Me një fjalë është një mund dhe lek i shkuar dëm mirëfilli! Por dhe një zhgënjim për ata që e mbështetën financiarisht, pasi shqiptarët nuk kryen asnjë punë!

  •  

Revolucioni ra, u kthye në linçim, mësimi nga Basha dhe ‘ikja’ e Jolës

Nga Jakin Marena

Nuk jemi kundër protestës, e cila vijon ditë pas dite ritualin e saj të xhiros së pasdites dhe mbrëmjes në bulevardin “Dëshmorët e Kombit’ si dhe përqëndrimin përpara godinës së kryeministrisë, teksa ka kaluar tashmë harkun dymujor që nga nisja e saj!
E themi këtë, pasi protesta që nisi për mbrojtjen e Zvërnecit dhe zonave të tjera të mbrojtura, dhe u kthye në një Revolucion ‘Flaming’ me pikën maksimaliste të kërkesave, rrëzimin e Edi Ramës nga posti i kryeministrit, jo vetëm që është zvogëluar në numra por është ‘rrudhur’ dhe në imazh duke mos qënë më kërcënim për qeverisjen, por tashmë nuk mund të quhet më as ‘revolucion’!
Revolucioni ka kuptim tjetër, pavarësisht se si e etiketojnë organizatorët që qëndrojnë pas kësaj proteste. Revolucioni konvergon me idenë e rrëzimit të pushtetit me presion, dhunë apo në rastin më ‘fatlum’ për dy boshtet e revolucionit të shuar “Flaming’, neomarksistëve dhe islamit radikal të mbështetur nga qendrat e ajatollahëve dhe Anadollit, me prqëndrime në Prishtinë dhe Shkup, përmes përmbysjeve me armë apo me ‘plumbin ballit’ sikurse deklaron Dritan Goxhaj, alias ‘Avni Rustemi’ i ditëve tona!
Pavarësisht tentativave periodike për ngritjen e temperaturës politike, sa herë ka pasur seancë parlamentare, përmes përdorimit të vezëve, domateve e elementëve të tjerë ushqimorë, protesta në Tiranë nuk po arrin më në nivelin e 20 ditëve të para të Revolucionit ‘Flaming’, i cili megjithëse zhvillohej në mënyrë paqësore, e kishte presionin brenda jo vetëm ndaj qeverisë por dhe ndaj opozitës e klasës politike në përgjithësi! Të cilën këronte ta zhdukte me gjithë sistemin!
Futja e duarve nga ana e Berishës që dërgoi emisarët e tij dhe kapi protestën, por edhe nga krerët e partive të vogla që tentuan të marrin secili nga një ‘copë’ nga kjo protestë, rritja e dominancës në protestë nga përfaqësuesit e neomarksizmit në të dy anët e kufirit si dhe islamit politik, kakofonia e kauzave e mungesa e një kauze finale, dhe mbi të gjitha mungesa e një organizimi transparent dhe një lidershipi real e efiçent, solli shuarjen e Revolucionit ‘Flaming’, dhe vijimin rutinë të tubimit nëpër rrugët e kryeqytetit, pa kokë pa drejtim dhe pa orientim!
Të kuptohemi dhe të mos nxitohet askush në përfundime fundore në këtë rast! Protesta nuk është shuar, vijon herë me numër të pakët e herë me rritje numrash sidomos fundjavave, çdo mbrëmje! Por ama revolucioni “Flaming’ është shuar, nuk ka asnjë gram fuqi nga ajo që kishte gati 40 ditë më parë e që vërtetë mund të krijonte idenë se prej këtyre tubimeve mund të dalë një alternativë politike që mund të vinte në vështirësi partitë e mëdha! Nuk themi për t’i fshirë nga faqja e dheut siç paralajmëronin organizatorët dhe ata që flisnin në tubim, me një ‘teshtimë’ sipas tyre, pasi janë mbi 1.3 milionë vota që janë dhënë vetëm një vit më parë për PS dhe për PD e aleatët, 860 mijë për Ramën dhe mbi 500 mijë për Berishën! Pra janë fuqi e madhe për t’u zhbërë tak-fak!
Nuk duam të biem në përsëritje, për të thënë se kush ndikoi në shuarjen e revolucionit, por një element bazë duhet që ta evidntojmë! Kjo protestë nuk arriti që të nxjerrë një produkt që të pretendonte në marrjen në dorë të fateve të vendit, përmes rrugëve institucionale ose sëpaku të ishte në nivelin e LSI të Ilir Metës së post-vitit 2005, e cila për shumë vite mbajti rolin e ‘King Makerit’, duke qënë përcaktuese në fatet e qeverisjes! Në fillim me PD e Berishës që me 4 votat e famshme e mbajti në pushtet dhe më pas një mandat me Edi Ramën! Mungesa e krijimit të një alternative qeverisëse nga ana e kësaj proteste që nisi si revolucion dhe përfundoi si foltoret e Berishës, krijoi kushtet për një hallakatje në axhenda, që nga sulmi ndaj turizmit, bizneseve e deri tek thirrjet për të qëndruar jashtë integrimeve eurotlantike si dhe rikthimi i Shqipërisë në epokën e “Gurit’ përmes krijimit të Kuvendeve parapolitike apo dhe islamit politik!
Për më tepër që, teksa revolucioni “Flaming’ u mbyll njëherë e përgjithmonë, duke ia hequr ‘shqiptarëve të papërfaqësuar’ siç e quajnë veten ata që tubohen çdo mbrëmje për të bërë ritualin e xhiros së darkës nëpër rrugët e kryeqytetit, mundësinë për të pasur përfaqësinë e vet, ne këmbëngulim tek fakti që drejtuesit vijojnë të jenë anonimë, protesta e përditshme sa herë i jepet mundësia rikthehet në habitatin e vet, atij të Berishës në fakt, teksa sulmon policinë e shtetit me vezë, domate, kastraveca e ndonjë kapsollë nëpër të. Sulmon dhe deputetët e mazhorancës, dhe kryen veprime të tjera të dhunshme, duke ua sjellë në majë të hundës dhe qytetarëve, të cilët lëvizin me makina apo më këmbë për hallet e veta! Këta deputetët e Berishës mazallah se i prek!
Eshtë unik fakti që sa herë që një protestë e humbet rëndësinë e vet, humbet ndikimin dhe mbi të gjitha qytetaria e Tiranës dhe atëherë kur i mbështet, fillon tërheqjen deri në mospjesëmarrje totale, fillojnë dhe dalin në sipërfaqe elementët e dhunshëm, kryesisht ‘mercenarë’ nga disa zona bastion të Berishës por dhe nga radhët e këtyre debilëve funksionalë të Albinit, të cilët marrin në dorë drejtimin e protestës! Duke i dhënë natyrë të dhunshme, e duke tentuar që me të njejtën mënyrë funksionimi, presioni dhe dhune, të marrin rezultat të ndryshëm nga ai që kanë marrë për 13 vite rresht PD por dhe parti të tjera në këto 36 vite, të cilat jo vetëm që nuk kanë ardhur në pushtet përmes dhunës, por as nuk ia kanë lëvizur një ‘fije floku’ mazhorancës së radhës! Në rastin e PS, ia kanë shtuar zgjedhje pas zgjedhjesh mandatet e deputetit, dhe për tre mandate rresht, nga katër mandate rresht, PS dhe Edi Rama po qeverisin të vetëm!
E themi këtë sepse, Shqipëria e ka provuar edhe më parë mundësinë që pushteti të mund të ndryshohet duke ushtruar presion mbi sistemin, pa kaluar përmes mekanizmave normalë të demokracisë, pa ia arritur asnjëherë qëllimit. Mund të sjellim një rast të freskët, ku vendimi i Lulzim Bashës, me miratimin e plotë të Sali Berishës në prapaskenë, për të djegur mandatet e deputetit më 2019, u mbështet fort mbi bindjen absolute se largimi nga institucionet do ta detyronte sistemin të dorëzohej dhe Edi Ramën të dorëhiqej. Madje e ‘yshtën’ që të bojkotonte dhe pjesëmarrjen në zgjedhjet vendore, duke ia dhënë të gjitha pushtetet Ramës, me idenë që pushteti do ta ‘zërë brenda vetë’! Ndodhi e kundërta dhe ashtu sikundër duhej të ndodhte. Në vend që të dorëzohej sistemi dhe Rama u dorëzua vetë Lul Basha duke dalë nga jeta politike dhe tashmë është duke u vërtitur rrugëve të botës, pa asgjë në dorë. U dëbua nga Berisha në fakt!
Madje, edhe atëherë, ishin të njejtët njerëz sikurse sot, të cilët e këshillonin Bashën që të përdorte strategjinë e forcës, pasi “Rama nuk mban presionin dhe do të bjerë nga përplasja e fortë”! Madje kishin zënë dhe panalet televizive sikurse sot dhe bënin thirrje për të braktisur institucionet dhe për të përdorur presionin dhe forcën për të larguar Ramën nga pushteti, dhe jo për të përgatitur veten për të hyrë në garën elektorale për të fituar zgjedhjet! Ndodhi ajo që ndodhi dhe PD e opozita u katandisën aq keq, sa tashmë nuk bëhet më fjalë për të ardhur në pushtet, por për mbijetesë politike!
Të njejtën këshilltarë mizerabël, i dëgjojmë dhe sot nëpër panelet televizive teksa kërkojnë të përdoren mjetet e dhunshme, si mjet presioni që Rama të largohet! Duke ia ‘këputur’ krahët opozitës dhe atyre që nuk e duan Ramën, me deklaratat se “sa të jetë Rama kryeministër, nuk fitohen zgjedhjet’! Dhe vërtetë nuk fitohen, jo vetëm se qeverisja ka arritur rezultate dhe vendi është në prag të anëtarësimit në BE, por dhe pse PS është në përgatitje për të fituar zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm, bazën për një fitore të madhe në ato parlamentare të vitit 2029! Ndërsa opozita dhe këta mbështetësit e protestës, vijojnë simfoninë “Rama jepe dorëheqjen’, a thua fitorja vjen nga qielli! Zgjedhjet janë në prag, dhe pak muaj dhe vijnë!
Teksa shohim qëndrimin e opozitës në 13 vite me radhë por dhe sjelljen e atyre që pretendojnë se drejtojnë protestën aktuale, mund të shpjegohet fare lehtë dhe arsyeja se përse këto lëvizje nuk kanë tërhequr as vëmendjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë, të cilët kanë qëndruar larg! Kur themi partnerë, duhet të kuptohemi, janë institucionet evropiane, që nga Këshilli i Europës, Parlamenti Evropian e deri tek Komisioni Evropian, qeveria e BE, të cilët kanë me sa duket rezervat e tyre edhe për protestën e sotme, pasi Berishën me kohë dhe vakt e trajtojnë si një person ‘non grata’, ndonëse vetëm SHBA dhe Britania e Madhe e kanë shpallur si të tillë!
Megjithëse nuk është se nuk kanë kritika ndaj qeverisë shqiptare, i kanë bërë publike këto kritika dhe kanë kërkuar avancimin e axhendës në këtë drejtim, nuk kanë asgjë të përbashkët qëndrimet e institucioneve evropiane me ato të këtyre individëve të përveçëm, qofshin dhe eurodeputetë të gjelbërt apo të majtë! Prandaj themi se BE dhe institucionet e tjera e kanë të pamundur që të mbështesin një rotacion apo transferim pushteti, i cili nuk mbështetet mbi një alternativë politike jo në ilegalitet, një alternativë të besueshme nga publiku e të organizuar për të qeverisur vendin.
Nuk ka ndodhur askund që demokracitë perëndimore të mbështesin ndryshimin e një qeverie, me argumentin se është konsumuar gjatë në pushtet. Kanë dhënë mbështetje nga distanca vetëm atëherë kur përballë ‘pushtetit të konsumuar’ është shfaqur një alternativë e re dhe e besueshme! Prandaj dhe sponsorët jashtë vendit të kësaj protestës në Tiranë, kur panë se revolucioni “Flaming’ dështoi, filluan të tërhiqen nga financimi dhe mbi të gjitha të humbin të gjitha gjurmët që mund t’i dekonspironte në publik! Për të mbetur tërësisht anonimë! Këtu ia vlen të theksojmë, se opozita aktuale por dhe këta organizatorët e protestës të nxjerrin mësime edhe nga mjetet e presionit e të forcës që përdori Basha, pa mundur të arrijë asnjë rezultat! Përkundrazi! Basha në vend që të rrëzonte Ramën, u zhduk vetë nga qendra e politikës! Madje nuk është as në periferi, sa dhe publikimi i një fotoje të tij, shkakton habi! Por dhe përbën një bazë të fortë për ‘meme’!
Sikurse e kanë nisur, opozita e Berishës dhe ky institucioni i protestës në Tiranë, jo vetëm që nuk po e dobësojnë qeverisjen e Ramës, por po e forcojnë akoma më shumë! Kjo duket dhe nga ‘dezertimi’ masiv nga radhët e opozitës për të shkuar në qeverisjen e Ramës! Rasti më i fundit i lëvizjes së ish sekretares së marrëdhënieve me publikun në PD, Jola Hysaj, e cila u emërua nga Rama drejtoreshë e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, duke pasuar Dash Sulën, i cili u emërua po nga Rama kryeinspektor pranë kryeministrit dhe një sërë figurash të tjera të opozitës, tregon qartë faktin se, tek opozita dhe kritikët e qeverisjes së PS ka humbur besimi se do të vijnë ndonjë ditë në pushtet! Shkojnë tek Rama, si garancia më e sigurtë për të kontribuar, duke paralajmëruar një pushtet akoma më të gjatë të kësaj mazhorance! Të paktën deri më 20230 kur të anëtarësohet Shqipëria në BE, sikurse kanë garantuar dhe vetë evropianët! Eshtë ‘barometër’ ky!
Dhe në fund të herës, ajo që nënvizojmë fort është se shuarja e revolucionit ‘Flaming’ dhe hyrja e protestës në shtratin e vet, njësoj si këto foltoret e Berishës, la prapa dhe një fenomen aspak të hijshëm dhe që nuk ishte shfaqur në këto përmasa më parë: Linçimin nëpër rrjetet sociale e deri tek mediat! Nuk kemi parë në këto përmasa asnjëherë një gjuhë të tillë të rëndë, lincuese dhe kërcënuese që shqiptarët bëjnë ndaj njëri tjetrit, vetëm, sepse mendojnë ndryshe! Kjo makineri e ‘importuar’ për hir të së vërtetës nga zyrat e Albinit, u implentua dhe në Shqipëri, duke mos lënë askënd që ishte kundër protestës pa e fyer, sulmuar dhe kërcënuar deri në atë farë feje, sa të përbëjnë dhe rrezik për jetën e tyre! Dhe nuk mund të bëjmë të paditurin dhe të themi se nuk u janë kthyer linçimet dhe nga pala e kërcënuar, pra kërcënimet këtyre ‘partizantëve’ të linçimit!
Por ama kemi para fshatarë që sulmojnë fshatarët për mungesë qytetarie dhe orientimi politik. Kemi parë gazetarë që për herë të parë sulmojnë kolegët e tyre, duke përdorur fjalor të rëndë! Nuk e kishim parë kurrë një gjë të tillë! E them nga përvoja, pasi autori i këtyre radhëve, pavarësisht se çfarë shkruante në gazetën ku punonte, kafen e paradites e pinte te klubi që përdornin gazetarët apo afër selive të partive politike, pikërisht me gazetarët ‘kundërshtarë’, që nga Paloka e Patozi e deri tek Olldashi i ndjerë, si dhe gazetarë të tjerë që sot janë sërish emra të nderuar në median shqiptare! Përfshirë dhe ikonat e gazetarisë, që po linçohen vetëm sepse mendojnë dhe shfaqin opinion ndryshe, apo dhe nga emri! Pa pasur asnjë qëllim përfitimi, pasi janë pensionistë një pjesë dhe as që pretendojnë të marrin ndonjë post!
Kemi parë sulme ndaj bizneseve, ndaj personave të caktuar, ndaj femrave, deputete ose jo, pa i kursyer aspak, thjeshtë e vetëm nga emri, pesha apo pamja! Dhe ata që i kërcënojnë, nuk kanë as emra të ‘fismë’, po i llogarisim sipas kutit të tyre, pasi emrat janë gjithkund të bukur për ata që i mbartin! Nuk kishte ndodhur kurrë një gjë e tillë, në të tilla përmasa! Ju garantojmë se gjuha e përdorur tregon vetëm një fakt: Dështimin e asaj lëvizje që kishin menduar, e që gjikush e kishte karikuar veten e ata që kishte rrotull se kjo qeveri nuk do ta mbante presionin. Do të dorëhiqej! Prandaj e ngritën ‘stekën’ dhe në pikën e parë të kërkesave u vu dorëheqja e Ramës! Eshtë koha t’i themi ‘Ndal’ linçimit për arsye politike dhe për asnjë arsye! Për të mirën e të gjithëve, pasi sulmet dhe kundërsulmet e fëlliqin qytetarinë edhe gazetarinë me të gjitha! Sepse Shqipëria një b***ë vend është, të gjithë e njohin njëri tjetrin!

  •  

Berisha anti-SHBA ose vesi del me shpirtin dhe Gonja, ‘biri i erës’

Nga Jakin Marena

Kryetari i PD, Sali Berisha, ishte tepër i mërzitur paraditen e kësaj të hëne, teksa mori pjesë, sëbashku me deputetët e tij, në seancën parlamentare! Ndoshta e fundit për këtë sezon!
Dhe nuk kishte faj, pasi me sa duket asgjë nuk po shkonte sipas planeve të tij, siç kishte ndodhur në këto seancat e fundit parlamentare, dhe ku pritshmëritë i kishte pasur tepër të larta që dhe këtë të hënë, të paraqitej e njëjta situatë, por këtë radhë me një qëllim akoma më të madh!
Po pse ishte mërzitur rëndë Doktori dhe çfarë kishte planifikuar që të ndodhte para Parlamentit të Shqipërisë, teksa deputetët e mazhorancës socialiste po hynin një nga një në Kuvend?!
Vetëm një ditë pasi kreu i Kuvendit Niko Peleshi shpalli 27 korrikun si seancën e re të Kuvendit, ku referuar rendit të ditës së shpërndarë për ligjvënësit theksohet se parashikohet si pikë e parë: Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 23 korrik; Pas njoftimeve në pikën e dytë do kalohet në: Projektvendimi “Për një ndryshim në vendimin nr. 87/2026, “Për caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit”, i ndryshuar”, me shumicë të thjeshtë për miratim, Berisha kishte nxitur sensorët e alarmit se diçka po ‘luhej’ këtu!
E themi këtë, sepse referuar edhe njoftimeve në media por dhe nga vetë investigimet e kreut të PD si dhezarave të tij tek partitë e vogla që bëjnë sikur i kundërvihen kryetarit të tyre historik, Berisha kishte mësuar se shkaku i vërtetë i një seance të paplanifikuar parlamentare këtë të hënë ishte miratimi me procedurë të përshpejtuar i marrëveshjes së huasë direkte për financim të jashtëm ushtarak prej 302 milionë dollarësh, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Marrëveshje kjo, për financimin e modernizimit të Forcave të Armatosura, e cilësuar historike për sigurinë kombëtare si dhe partneritetin strategjik mes dy vendeve.
Pikërisht për këtë arsye te Berisha u rikthye ai ‘damari’ i keq anti-amerikan, i instaluar thellë në memorie dhe çdo qelizë të trupit të tij, që në momentin kur u pajis me teserën e anëtarësisë së PPSH të Enver Hoxhës gati 60 vite të shkuara, kundër ‘imperializmit amerikan që punon me mish e me shpirt për të skllavëruar popullin trim e liridashës shqiptar’, përgatiti infrastrukturën më të mundshme për të bërë që kjo seancë, maksimumi të anullohej e të zhbëhej, ose të shtyhej në kohë, minimumi! Nuk thonë kot se ‘vesi del me shpirtin’, Berisha nuk mundohet ta fshehë!
Korridoreve të selisë së PD flitej se kishte një plan ‘A’ dhe një plan ‘B’ për të bllokuar këtë marrëveshje huaje me SHBA për ushtrinë shqiptare, marrëveshje e cila për hir të së vërtetës ishte një dokument konfidencial, që nuk duhej të dilte jashtë mureve të Kuvendit për t’u debatuar, por që do të diskutohej gjithnjë nën monitorimin e rreptë të personave përgjegjës. Për të cilin u la dhe koha e duhur, pasi seanca u shty për pasdite, dhe deputetët u ftuan ta lexonin dhe të njiheshin me përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje! Është një marrëveshje me aleatin tonë të madh, SHBA-të, që na janë gjetur në krah në ditët më të vështira për kombin shqiptar! Në të gjitha herët!
Plani i parë i Berishës, në bashkëpunim dhe me grupin e organizatorëve që kanë uzurpuar tashmë ‘Revolucionin Flaming’ që vijon prej më shumë se një muaj nëpër rrugët e kryeqytetit dhe para kryeministrisë, ishte ‘armatosja rëndë’, me vezë, domate, speca dhe me ndonjë kapsollë nëpër të, i grupit të “Drojës’, nga Mamurrasi e Laçi, si dhe i këtyre të kontigjentit të debilave të Albinit, për të qëlluar deputetët e mazhorancës dhe për të bllokuar hyrjen e tyre në seancë me të gjitha mënyrat! Të gjithë i panë lëvizjen e këtij kontigjenti drejt Kuvendit, dhe stacionimin e këtij ‘armatimi’ që në pikë të sabahut, për t’a përdorur kundër deputetëve të PS dhe trembur ata!
Por me sa duket policia qëlloi më e shpejtë dhe i bllokoi e i mbajti shumë larg ‘vezë-hedhësit’, të cilët në kushtet kur as nuk po i shihnin deputetët socialistë, filluan në shenjë hakmarrje të qëllonin vetë efektivët e policisë, që kishin bllokuar në një distancë të konsiderueshme të gjitha hyrjet që të çonin tek parlamenti! Kur Berisha, i cili si gjithnjë shkon në Parlament, kur deputetët e PS e kanë marrë ‘racionin’ e vezëve në kurriz, u shokua nga dështimi i planit! I cili për hir të së vërtetës dështoi dhe për shkak se këta të grupit të Mamurrasit po merreshin me punët e tyre, dhe ishin trembur nga bllokimi i daljes jashtë vendit të dy protestuesve të para disa ditëve, ndërkohë që këta të Albinit, thuhej se ishin të idhnuar sepse nuk kishin marrë pagesën, dhe u kishte rënë birra në kokë që të dielën në mbrëmje, teksa kishin kthyer ‘dhimbjen në forcë’! Këta të tjerët që ishin sot, anëtarë shoqatash, ishin fort të lodhur për të përballuar gjëra kaq të mëdha!
Berisha, i tërbuar sidomos me Mulin, i cili nuk kishte mundur të koordinonte saktë goditjen e deputetëve socialistë, ‘kalon’ në planin ‘B’, atë që ka më fort për zemër: bllokimin e seancës parlamentare përmes bllokimit të podiumit, krijimit të tensioneve në sallë dhe parandalimin e futjes në rendin e ditës me procedurë të përshpejtuar të ligjit për marrëveshjen financiare të huasë amerikane për ushtrinë shqiptare, në shumën prej 302 milionë dollarësh!
Përdori të gjitha mënyrat e mundshme Berisha, i tërbuar për hir të së vërtetës nga pamundësia, por nuk arriti që ta bllokonte këtë marrëveshje huaje me SHBA-të që rrit në një shkallë akoma më të madhe sigurinë e vendit në këtë situatë të tensionuar nga lufta në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme! Dhe kreu i PD në fund të herës, bëri atë që di të bëjë më mirë, deklaroi bojkotin e votimit të marrëveshjes në seancën e pasdites, me argumentin se ishte shkelur Kushtetuta!
Megjithëse e cilëson të rëndësishme marrëveshjen me SHBA-të, opozita refuzoi të marrë pjesë në seancë, Berisha dhe PD akuzuan mazhorancën se shkeli Kushtetutën duke e futur në Kuvend procedurë të përshpejtuar dhe pa u vënë më parë në dispozicion deputetëve teksti i plotë i marrëveshjes, duke deklaruar se “ne jemi pro marrëveshjes, por kërkojmë që procedura të bëhet në përputhje me Kushtetutën dhe jo me vullnetin antikushtetues të Edi Ramës. Nuk votojmë procedura antikushtetuese”. Dhe e mbajtu fjalën, nuk mori pjesë fare në votim! Si gjithnjë!
Kuvendi miratoi me 74 votat e PS marrëveshjen e huasë prej 302 milionë dollarësh nga SHBA për blerjen e pajisjeve ushtarake, ndërkohë që diskutimet u zhvilluan në një seancë me dyer të mbyllura, pasi mazhoranca argumentoi se dokumenti përmban informacion të klasifikuar, ndërsa PD nuk ishte prezente sikurse kishte vendosur Berisha, edhe pse deklaroi se është në favor të marrëveshjes por e konsideroi antikushtetuese futjen me procedurë të përshpejtuar.
Marrëveshja me SHBA hyri në fuqi menjëherë, pa pasur nevojë për dekretin presidencial, me pëlqim të Begajt, ndërsa socialistët e quajnë historike. Marrëveshja parashikon financimin e blerjes së pajisjeve ushtarake sipas standardeve të NATO-s, ndërsa fondet do të disbursohen sipas nevojave të Ministrisë së Mbrojtjes. Lëvrimet e para pritet të nisin nga shtatori, ndërsa Shqipëria do të ketë deri në 12 vjet afat për shlyerjen e huasë.
Por dhe në këtë debat të fortë, ku PD qëndroi stoike në qëndrimin e saj anti-SHBA, nuk kishte si të mos linte shenjën e tij kreu dhe deputeti i Partisë Mundësia, Agron Shehaj! Gonja, shfrytëzoi rastin kur askush nuk e kishte mendjen dhe rrëmbeu papritmas nga zyrat e Kuvendit dokumentin konfidencial të ligjit për huanë nga SHBA, i cili ishte planifikuar që të lexohej brenda sallës nga të gjithë deputetët. Pas këtij rrëmbimi, Gonja i futi një vrap të fortë nëpër koridoret e Kuvendit, teksa askush nuk arriti ta kapë! As sekretarja! Pasi u zhduk për disa minuta, Gonja e riktheu dokumentin konfidencial të huasë me SHBA-në për ushtrinë, duke deklaruar se e kishte lexuar me një frymë, por nënvizoi se e dinte që është sekret, prandaj nuk do ta bënte publik!
Do të mbetet gjatë në memorien e shqiptarëve ‘sprinti’ i Gonës, i cili ngjashëm me rekordmenin e shpejtësisë së 100 metrave, atletit Xhonson, të mbiquajturit “biri i erës’, arriti që të rrëmbejë këtë dokument në zyrën e shtetit dhe të zhdukej me shpejtësi skëterre korridoreve të Parlamentit! Nuk u hyjmë teorive konspirative, pasi nuk u besojmë zërave se Gonja mund të ketë bërë ndonjë ‘skanim’ të tërë marrëveshjes konfidenciale me SHBA duke na marrë erzin por dhe duke vënë në rrezik seriozitetin e Parlamentit shqiptar në lidhje me këto marrëveshje, sidomos me aleatin tonë të madh, SHBA-në! As nuk hamendësojmë se mund t’i ketë dhënë ndonjë shpërndarje kushedi se ku Gonja këtij dokumenti! Nuk duam ta besojmë këtë! Shpresojmë se Gonja e sheh këtë akt, thjeshtë e vetëm në kuadrin e videove për të marrë ndonjë ‘like’ në rrjetin social! Kështu ndodh kur njerëzit vijnë nga rruga dhe direkt në Kuvend! Pasi Gonja si ka për herë të parë këto gjëra! Ai ka marrë dhe listën e anëtarësisë së PD dhe ka ikur me vrap, ishte vrap ‘marathonimaku’ asokohe, jo si këtë të hënë, ngjashëm me sprintierin kanadez, të mbiquajtur ‘biri i erës’!
Ajo që jemi të sigurtë është se socialistët do t’i këpusin Gones së shkretë një përjashtim tjetër nga punimet e Kuvendit të Shqipërisë, dhe me shumë mundësi do ta dërgojnë dhe në SPAK për hetime, pasi dokumenti konfidencial përbënte sekret shtetërore dhe kishte rënë në duart e një personi pa certifikatë sigurise, sikurse pretendojnë deputetët socialistë se është Gonja! A do t’i merret celulari nga SPAK për t’u ‘dekoduar’ dhe shikuar për komunikimet e fundit të ditës së hënë, po nëse do të marret celulari bashkë me Gonen për t’u dekoduar mirë e mirë në lidhje me rrëmbimin e dokumentit të marrëveshjes konfidenciale me SHBA-të për ushtrinë shqiptare, jemi në kohë lufte për hir të së vërtetës dhe sekretet kanë rëndësi, mbetet mister ta dimë! Janë punët e SPAK-ut këto dhe ne nuk duam të hyjmë në punën e tij! Të bëjë si të dojë! Gonen aty e ka!
Ama ajo që mësuam këtë të hënë ëhstë se, Berisha nuk duroi shumë kohë pa u rikthyer në habitatin e vet anti-amerikan, duke bojkotuar një marrëveshje të rëndësishme huaje me aleatin tonë më të madh, për modernizimin e ushtrisë shqiptare, në këtë situatë të rrezikshme lufte që kemi rrotull! Ndërkohë që dhe Gonja nuk qëndroi prapa në këtë lojë, madje duke luajtur dhe me ‘riskun’, teksa bëri atë grabitjen spektakolare të dokumentit të kësaj marrëveshjeje konfidenciale me SHBA, dhe startoi me atë ‘sprint’ të fuqishëm, duke i habitur të gjithë, pasi ishte dhe jashtë fizikut të tij modest! Por ama e la shenjën e vet në këtë seancë, pavarësisht se mbetet mister sa e madhe do të jetë ‘shenja’ në kurrizin e vetë Gones! Rëndësi ka pjesëmarrja, është parimi i Gones! Mjafton që të jetë në qendër të vëmendjes, anipse jashtë takatit të tij!

  •  

‘Pasdaranët’ e Berisha-Kurtit, marksistët dhe Gonja e ‘fikën’ revolucionin

Nga Jakin Marena

Rikthimi në mënyrë ciklike tek dhuna ndaj policisë dhe institucioneve, madje sa herë që ka seancë parlamentare në Kuvend, po tregon çdo ditë e më shumë se protesta e nisur për mbrojtjen e Flamingove, tashmë e ka mbyllur ciklin e vet dhe është drejt shuarjes së plotë!
Me një numër më të paktë pjesëmarrësisht mbrëmje pas mbrëmjeje, e varfëruar së tepërmi dhe nga koregrafia, nga fjalori i prezantuar në podiumin e improvizuar në atë shkallarën shtëpiake, kësaj proteste i është dashur që njëherë në javë sëpaku, t’i drejtohej dhunës, në rrekje për të gjetur një motiv që të justifikojë xhiron e përnatshme nëpër bulevardin qëndror të kryeqytetit!
Dhe kur mungon argumenti, kur mungon rezultati, kur mungon dhe ecurina normale për çdo lloj pune apo argëtimi, përfshirë këtu dhe protestën verore në kryeqytet, atëherë vendin e fjalës e zë ulërima dhe linçimi fizik e kibernetik , vendin e sjelljes normale e zë dhuna verbale neto, në rrjetet sociale e mbi të gjitha dhuna fizike, duke sjellë ditë pas dite rrudhjen e pjesëmarrjes por dhe të impaktit publik, i cili në ditët apo dy javët e para, kishte vërtetë një shtrirje të frikshme!
Tashmë gjithçka ka hyrë në shtratin apo në ‘ullukun’ e vet, duke na ‘interpretuar’ një ‘melodi’ aq të njohur në këto 36 vite me radhë, ‘melodi’ e cila është tërësisht e lexueshme për nga mënyra e interpretimit dhe shpërshfaqjes në sytë e publikut dhe për më tepër që i dihen dhe kulminacionet, mangësitë e mbylljet e herëpashershme! I dihet dhe rezultati, në fund të herës, me një fjalë!
E thënë në mënyrë të thjeshtë, në bulevard praktikisht tashmë ka mbetur pikërisht ‘palca’ e vjetër protestuesve në Shqipëri, të atyre që për 36 vite me radhë, sa herë që kanë qënë në opozitë, kanë ofruar protesta të dhunshme deri të përgjakshme, duke goditur institucionet, policinë dhe duke tentuar me të gjitha mënyrat për të prodhuar përballje fizike e shkatërrimtare, vetëm e vetëm për të treguar se ‘janë gjallë’ dhe për të marrë vëmendjen e mediave të huaja!
“Flamingot” si zogj shtegtarë ‘fluturuan’ që nga fundi i qershorit, të fundit që ikën ishin ata të fillim-korrikut, duke e lënë protestën në duart e krye-ustait e të ustallarëve që mësuan prej tij, të cilët bënë atë që dinë më mirë: e shuan atë lëvizje që në fillim ishte shumë ndryshe nga protestat e tjera, duke e katandisur ‘revolucionin Flaming’ në një ‘kryengritje të armatosur paqësore’, e cila ishte në përbërje, në kompozim dhe intepretim imazhi ia pandryshuar me emrin Sali Berisha! Siç kanë bërë gjithnjë, që nga protesta për armët kimike e deri tek ajo studentore!
Revolucioni “Flaming’ u fik, pa arritur në fund të finishit të pretenduar. Megjithëse ditë pas dite, mungesa e një koke drejtuese, si dhe futja e duarve nga ana e ‘Gardës Revolucionare” të Berishës dhe të Albin Kurtit, të VLEN, të Islamit politik nga Kosova e Maqedonia e Veriut, të neomarksistëve, të këtyre vemjeve të reja të dala nga partitë e vjetra, të të zemëruarve me Ramën të cilët kishin qënë nëpër poste të larta por që ‘centrifuga’ e politikës i kishte nxjerrë jashtë lojës së pushtetit, s’ka pushtet të përjetshëm, pra të gjitha këto e kishin paralajmëruar një fund të tillë!
Aplikimi i dhunës ndaj institucioneve, ndaj policisë dhe bllokimi i akseve rrugore në kryeqytet vetëm sa e përshpejtoi rënien e kësaj proteste, që nisi me një pjesëmarrje të madhe dhe me axhendë të qartë, kuptohet edhe me sponsorë të huaj, për të destabilizuar vendin në prag të integrimit në BE, në kulmin e sezonit turistik dhe vetëm një vit para zhvillimit të samitit të NATO-s në Tiranë, por që dështoi! Për hir të së vërtetës, zgjati shumë, si pa motiv që ishte tashmë, duke goditur bizneset por dhe duke ulur tempin e rritjes së turizmit në Shqipëri!
Nuk ishte rastësi që gjithçka filloi për “Zvërnecin’, i cili u harrua për nja javë, dhe u kthye direkt në një lëvizje anti-Trump, anti-SHBA, duke tentuar të rikthente Shqipërinë në qendër ku e majta radikale dhe islami politik, tentoi të shfrynte kundërshtinë botërore kundër SHBA dhe presidentit Donald Trump! Jo pa qëllim në Tiranë mbërritën “Pasdaranët’ e Albinit, të cilët dhe me mbështetjen e ‘pasdaranëve’ të Berishës, neomarksistëve shqiptar e të rajonit, përfaqësuesve të islamit politik të frymëzuar nga Irani e nga Anadolli, tentuan rrëzimin e qeverisë së ligjshme shqiptare, për të sjellë një regjim të miksuar të ‘ajatollahëve’ dhe larguar edhe Shqipërinë nga Evropa e SHBA. Qoftë dhe me këto Kuvendet parapolitike që na kthenin në epokën e “gurit’!
Për fatin e mirë të Shqipërisë, shqiptarët, ‘të djegur nga qulli’, filluan ‘t’i frynin kosit’, duke e kuptuar qëllimin real të axhendave të huaja që fshiheshin pas kësaj proteste të stërzgjastur, e cila ditë pas dite po binte në duart e ustallarëve të vjetër, e braktisën atë, duke shmangur përsëritjen e ngjarjeve tragjike ciklike që e kishin lënë vendin jo vetëm jashtë axhendave evropiane deri më tani, por e kishin zhytur herë pas here edhe në kriza të tmerrshme, që na kishin kthyer shumë e shumë vite pas, të shoqëruara me shkatërrimin e shtetit nga themelet si dhe humbjen e mijëra jetëve. Ndaj nuk donin të përjetonin më një zhbërje të re të Shqipërisë dhe shqiptarëve!
Shqiptarët u distancuan në kohë, teksa panë rikthimin e grupeve të të fortëve nga Mamuurasi, Laçi dhe zona të tjera besnike të Berishës, të ‘miksuar’ me të fortët dhe kontigjentin e ‘debilëve’ të Albinit, të cilët e rikthyen protestën në ‘habitatin’ e vet, në arenën e ngritjes së tensioneve, përplasjeve të dhunshme me policinë, përndjekjes së zyrtarëve duke shfrytëzuar kontigjentin e të rrëshqiturve nga mendja, siç ndodhi dhe këtë të enjte, para Parlamentit!
Dhe nëse ka ndikuar diçka në shuarjen e kësaj proteste më shumë, ka qënë ai momenti kur shqiptarët kanë parë se këtë protestë e kanë marrë në dorë ‘pasdaranët’ e Berishës dhe të Albinit, të cilët kanë bërë dhe bëjnë atë që dinë më mirë: dhunën, në rastin më të mirë me vezë dhe në rastin më të keq me gurë, pllaka, fishekzjarrë dhe molotovë! Kjo i ka trembur dhe ata qytetarë që dilnin e protestonin paqësisht bashkë me familjet e tyre për hallet e tyre, për shqetësimet e tyre por dhe për keqkuptimet e tyre! Janë njerëzore dhe këto! Duke ia hequr elementin më të mirë kësaj proteste dhe duke e zhveshur atë nga qytetaria!
Edhe kryeministri Edi Rama deklaroi publikisht se kishte mbajtur shënime, kishte reflektuar për arsyet e protestës së “Flamingove’, atyre të parëve sidomos që ishin ngritur për mjedisin, për hallet e tyre e mbi të gjitha për t’u dëgjuar! Rama premtoi një kontratë të re “BESE’ me këta qytetarë shqiptarë por dhe me të gjithë qytetarët shqiptarë që e duan me tërë mend këtë vend si atdheun e tyre, të cilët janë përballur me padëgjueshmërinë e institucioneve! Por ama, ‘pasdaranët’ e Berishës dhe të Kurtit, islami politik i mbështetur prej tyre, nuk përjashtohen dhe financimet në këtë ‘sektor’ nga qendrat rajonale e më gjërë të kësaj axhende anti-shqiptare, do të ndjehen çdo ditë e më shumë të izoluar në tentativën e tyre për t’i bërë të keqen këtij vendi!
Sikurse po ndodh, teksa ditë pas dite bulevardi po boshatiset! Madje dhe sponsorët e tyre e kanë humbur durimin me emisarët e tyre pa këllqe, pasi nuk arritën ta aplikonin me shpejtësi operacionin ‘Barbarosa’ apo ‘luftën rrufe’ për një fitore të shpejtë në Tiranë, në destabilizimin e vendit! Nuk sheh më nëna me fëmijë në protestë, i janë rikthyer jetës familjare, pasi marrja e drejtimit të protestës nga Berisha e ‘fiku’ shpresën për një rezultat të ‘revolucionit Flaming’!
Një ‘dorë’ në shuarjen e revolucionit e dhanë dhe këta krerët e partive të vogla, të cilët deshën të shfaqeshin mbi fuqinë e tyre! Madje dhe të pretendonin për postin e kryeministrit, teksa kanë apo nuk kanë mbështetjen sa për një mandat deputeti në zgjedhje! Megjithëse ‘oreksin’ e kanë më të madh se takatin! Këtu spikat kreu i Mundësisë Agron Shehaj, por dhe neomarksistët e Qorit si dhe këta të Lapajt! Të gjithë kandidatë për kryeministër! Madje Gonja pretendon se Rama e ka frikë aq shumë, sa nuk dëshiron ta ketë në sallën e Kuvendit! Anispse Gonja ishte i përjashtuar nga Kuvendi për një periudhë të caktuar kohore, shtuar këtu dhe arithemtikën e gabuar të vetë Gonës që kishte llogaritur ditët gabim! Siç e akuzojnë se është ngatërruar me këmbët e veta për blerjen 2.9 milionë euro të një vile në Itali dhe shitjen e saj pas një viti me 15 milionë euro! Temë e diskutuar kjo, derisa Gonja të japë një sqarim shterrues! Të shpresojmë për këtë!
Të gjithë këta faktorë ndikuan në shuarjen e protestës dhe kthimin në ngjashmëri me Foltoret e Berishës, me shumë pak njerëz, me shumë më pak elegancë, qytetari dhe efikasitet! Ndërkohë që ‘xhiroja’ e mbrëmjes vijon ditë pas dite, me ndonjë Flaming plastik nëpër të, zgjedhjet për pushtetin vendor të vitit të ardhshëm duan dhe pak muaj që të zhvillohen! Pra vendi është futur në vitin elektoral, ndërkohë që opozita, ‘pasdaranë’, neomarksistë dhe më gjërë po humbasin kohë pa asnjë përfitim, bulevardit të Tiranës dhe studiove televizive! Me një fjalë pritet të hyjnë në zgjedhje si ‘ai në dasmë’, dhe kur të përballen me humbjen katastrofike të radhës, sërish do të fillojnë me alibinë e vjedhjes së votës! Këtu do të jemi! I njejti ‘film’ i njohur do të shfaqet! Do të ankohen dhe për humbjen e zgjedhjeve parlamentare të 2029, duke akuzuar Ramën pse fiton!

  •  

Pse revolucioni u shua dhe ‘xhiron’ me moton, ‘të bëjmë dhe pak dëm’?!

Nga Jakin Marena

Protesta në bulevardin qëndror të kryeqytetit po hyri në ditën e 44-tërt të saj, teksa na ka dhënë ditë pas dite pamje të ndryshme me oshilacione përsa i përket performancës e veprimit politik!

Në ditën 1 nisi si një protestë qytetare, me spunto, në pamje të parë sëpaku, për shkak të dhunës që u ushtrua ndaj një qytetari në Zvërnec, që për koncidencë kishte shtetësi të dyfishtë, shqiptare e greke, për t’u kthyer në një reagim të fortë në kryeqytet në mbrojtje të zogjve të rrallë shtegtarë që verojnë herë pas here në Zvnërnec, Flamingove!

Gama e kërkesave u zgjerua, teksa protesta futi në axhendën e ‘mbrojtjes nga qeveria Rama’ edhe Pelikanin Kaçurel, breshkat e ujit si dhe pjesën tjetër të specieve, që sipas protestës ishin nën rrezik potencial!

Protesta mblodhi në gjirin e vet, të gjitha shoqatata ambientaliste e më gjërë, qytetarë të thjeshtë, përfaqësues të diasporës e deri tek këta marksistët e Vetëvendosjes dhe të VLEN, islamin politik në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut e disa nga vendet fqinje, të interesuara për konkurrencën në turizëm, të cilat marshuan në kryeqytet për ‘t’i dalë zot vendit, për të mbrojtur Shqipërinë nga shitja’ dhe sllogane të tjera si këto!

Kësaj proteste iu bashkuan dhe neomarksistët e Qorit, këta njerzit e Lapajt, të Gones që vdes për pak kryeministër, dhe mbi të gjithë të atij, të papërsëritshmit, Sali Berishës, vartësity e të cilit kishin marrë urdhër për të kapur me çdo çmim protestën, anipse kishte thirrje në bulevard, ndonëse me gjysmë zëri “Rama në burg, Berisha në burg’! Me sa duket këtë pjesën e dytë, ata që deklamonin kështu, nën zë garantonin këta të PD se ‘e kishin me shaka’!

Protestës iu bashkangjiten dhe vendet jomike dhe ato armike të Shqipërisë, përfshirë këtu Iranin e Ajatollahëve, i cili gjeti kohë që dhe mes bombave e goditjeve të forta amerikane e izraelite, të jepnin një dorë mbështetje për këtë protestë kundër ‘diktatorit Rama’, madje dhe të replikonin direkt dhe me kryeministrin shqiptar, teksa iu bashkuan edhe mediat ruse që s’lanë protestë e zhvillim pa dhënë live, mediat e fqinjit tonë jugor, të interesuar për të mos pasur investime në turizëm në Sazan e Zvërnec, për shkak konkurrence, si dhe patriotët e hapësirës mbarëshqiptare! Të gjithë të shqetësuar për fatet e territorit shqiptar, dhe ku me një qeleshe në kokë dhe një flamur krahëve, nxituan për të bërë plazh paradite dhe për t’i dalë zot vatanit pasdite!

Protesta ditë pas dite kaloi nga një lëvizje për mbrojtjen e zonave të mbrojtura në bregdetin shqiptar, në një lëvizje thellësisht politike, me kërkesa që ndryshonin çdo ditë, por me vetëm njërën në krye të listës së kërkesave që nuk lëvizte, dorëheqjen e Ramës! Pastaj u kalua në kërkesa të tjera që anonin tërësisht drejt absurdit, që nga ajo për zhdukjen e kapitalit në huaj nga Shqipëria, lufta ndaj investimeve në Shqipëri, e deri tek kërkesat absurde për zhbërjen jo vetëm të klasës politike por dhe të tërë sistemit, për të kaluar në epokën parapolitike të para Athinës së lashtë, që përkon me epokën e ‘gurit’! Pra zhdukjen e votës, ngritjen e Kuvendeve fantazmë me njerëz fantazmë e program fantazmë, për ta implementuar sipas tyre, në Shqipëri, vendin që është vetëm një hap larg integrimit në BE! Ndërsa është vend anëtar i NATO-s që prej vitit 2009!

Dhe për 44 ditë me radhë protesta ka vazhduar pa u ndalur, herë me një ‘amplitudë’ të fortë përplasjeje si në rastin e dhunës së ushtruar ndaj policisë para Kuvendit si dhe përndjekjen e deputetëve të PS nga këta “çerrat” marksistë të Qorit, me kërcënime për ‘plumb ballit’ ndaj Ramës dhe elitës politike aktuale e filmave me “Avni Rustemë”, e deri tek përfshirja e islamit politik me mendje e zemër në Teheran. Ku shembulli konkret ishte pjesëmarrja e Ikballe Huditit, e cila u shpall non grata’ nga shteti shqiptar për 15 vite, si dhe ‘vezullimi’ i plotë në gati gjysmën e protestës të përfaqësuesve të islamit radikal të xhamive të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe këta të Rrugës së Kavajës në Tiranë, të cilët kishin ardhur me shpresë se në bashkupunim me neomarksistët të përsërisnin në Tiranë, revolucionin e Ajatollahëve në Iran të vitit 1979!

Dhe protesta këto ditët e fundit arriti maksimalen e vet të luftës tashmë kundër vetë shtetit, me sulmin ndaj biznesveve përmes review të rreme, duke ulur numrin e yjeve për të gjitha ato biznese që kishte inat grupi organizator i protestës, duke sjellë deri ndërhyrjen e vetë kompanisë ‘Google’ për t’i fshirë dhe rikthyer tërë vlerësimet në kuotat e mëparshme! Kjo luftë e ‘yjeve’, tashmë është përcjellë në organet e drejtësisë, përmes denoncimeve të pronarëve të bizneseve, megjithëse për hir të së vërtetës janë pak 15 denoncime në polici, duke e rritur pafundësisht ‘marzhin’ e reagimit privat në fund të herës! Rrezikuar mundin e një jete të tërë tëbiznesit këta gjobënës dhe terroristë dixhitalë, të cilët akuzohen se kanë vepruar në mënyrë të koordinuar e selektive për të shkatërruar bizneset më të mëdha dhe për ta dërguar vendin në kolaps!

Ajo që është vënë re, është evidentuar dhe nga analistë të dedikuar për sondazhet në të tilla raste, është se protesta është bjerrur ditë pas dite, duke humbur jo vetëm bukurinë dhe performancën pozitive të ditëve të para, paqësore, me simbolika zogjsh dhe elementë të tjerë dekorativë, që ndryshonin kryekëput nga këto protesta e Berishës për 13 vite me radhë. Kjo protestë ka humbur edhe thelbin e saj për të cilin nisi, atë për mbrojtjen e Flamingove, ka humbur reagimin qytetar për hallet e njerëzve dhe ditë pas dite u dominua nga gjuha e fortë politike, dhuna verbale dhe në rrjetet sociale ndaj qytetarëve që mendonin ndryshe e deri tek kërcënimi me burg për të gjithë ata që shkonin në koncertin e këngëtarit Kanye West!

Po pse revolucioni “Flamung’ e humbi betejën e nisur para 44 ditësh, përballë qeverisë por dhe qytetarëve shqiptarë, aq sa tashmë është katandisur të mbahet jo më me gjeneratën ‘Z’ por me moshën e tretë “Zh”, dhe ku në podiumin e improvizuar natë pas nate niveli i atyre që flasin po bie me shpejtësi, teksa dëgjojmë e shohim turli deliranti të cilit i është mbushur mendja si Nastradiniut, se ‘kunji’ ku ka lidhur gomarin e tij, është qendra e botës, apo personave që janë betuar se deri në fund të protestës do të gjejnë burrë, por dhe borxhlinjve që çojnë mesazhe se do të marrin borxhet e tyre, apo biznesmenë dhe lojtarë të fortë kazinosh që kanë taksa për të paguar apo borxhe për paguar e ku halli i ka katandiur që të sulmojnë dhe bizneset, për të ‘vjelur’ gjobat e rastit?! Përfshirë këtu dhe delirantë që donin të qeverisnin me Kuvende!

Në krye të herës kjo protestë nisi dhe u bitis pa asnjë strategji se çfarë do të bëjë pasi të arrihet njëfarë kohe demonstrimi në bulevard! Vendosja e një ‘steke’ tepër të lartë nga ana e grupit negociator, dorëheqjen e Ramës, ishte një veprim i qëllimshëm i tyre për të mos u ulur në negociata! Nuk kishin asnjë përfitim me sa duket, pasi përfitimi kishte arritur që para se të niste protesta! Të paktën për disa prej tyre, atyre kryesorëve! Dhe kjo solli edhe mbajtjen sekret të anëtarëve realë të grupit organizator, duke ekspozuar qëllimshëm në krye të protestës një ish person të guidës turistike, që as qeleshja nuk i bëri derman, por dhe ish persona të tjerë anonimë, të cilët në tërë jetën e tyre private apo në profesionet e tyre nuk kanë qënë asnjëherë ‘rentabël’, por parazitë të përjetshëm apo siç quhen në zhargonin e përditshëm, ‘vemje’!

Në rënien e protestës qytetare një ndikim të fortë pati edhe përzierja e ‘pasdoranëve’ të Berishës, të cilët i dhanë ‘pigmentin’ e dhunës protestës, duke trembur pikërisht qytetarët që kishin dalë me familjet e tyre për të mbështetur këtë lëvizje në bulevard! Berisha tani e ka marrë në dorë drejtimin e protestës dhe me njerët e tij i jep turmës drejtimin që do, herë drejt aeroportit ‘Nënë Tereza’, herë drej Parlamentit, herë drejt policisë apo institucioneve të tjera për t’i bllokuar ato! Bashkë me të dhunshmit e Berishës, në protestë dhanë kontributin e tyre për ta shuar plotësisht atë dhe neomarksistët e Qorit, ata që nuk u bënë kurrë të Lapajt, këta të pamundurit e Gones që vdes për pak kandidat për kryeministër si dhe krerë të tjerë të partive fantazma që as robt e shtëpisë së tyre nuk i kanë votuar kurrë!

Një rol të fortë në humbjen e betejës së ‘revolucionit Flamung’ kanë pasur këta të dërguarit e Vetëvendosjes së Albin Kurtit në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilët bashkë me islamin politik të Kosovës dhe RMV, i dhanë atë ‘pigmentin’ e atij 40 përqindshit që Kurti në dekalogun e tij para se të vinte në pushtet i kishte pikëtuar si ‘idiotët’ e dobishëm që duheshin synuar dhe përfshirë në VV për të ardhur në pushtet! Duke qënë se Shqipëria nuk është Kosova, që mund ta sygjestionohet nga Albini, i cili andej kufirit merr votën thjeshtë e vetëm për inat të çlirimtarëve nga ky kontigjent, pavarësisht se e dinë se nuk qeveris po vetëm bën ‘sadaka’ me paratë e shtetit, madje dhe korrupsion të nivelit të lartë, njerëzit e Kurtit shkatërruan tërë protestën qytetare të Tiranës, duke larguar njerëzit me mendje normale nga bulevardi! Nuk ngjallin frymëzim në Shqipëri Elvis Hoxha dhe Hysamedin Ferraj, ‘mentorët’ marksistë dhe të islamit politik nga Tirana të Kurtit. Kishin bërë hajr në Shqipëri, bashkë mr Dejonën, të ishte ndryshe!

Përfshirja e axhendave të islamit radikal, të interesave të forta të vendeve fqinje dhe të vendeve jomike dhe armike në këtë protestë, solli dhe ftillimin e qytetarëve që kishin dalë për arsye normale për të protestuar ndaj qeverisë e për pasojë dhe brakstisjen e protestës prej tyre! Ata kishin dalë për hallet e tyre në protestë, jo për të sjellë në Tiranë radikalët islamikë, maoistët apo marksistët e gjithë botës që ta kthenin Tiranën në shesh për betejat e tyre anti- Trump dhe anti-SHBA, duke tentuar për të na zhytur sërish me duart tona në greminën e e rënies së shtetit!

Por vulën rrënimit të protestës qytetare në Tiranë me sa duket ia vunë këta terroristët dixhitalë në luftën kundër bizneseve që nuk ishin në mbështetje të protestës, apo dhe të atyre që kishin inat, duke tentuar rrëzimin e tërë ngrehinës së biznesit në Shqipëri, të cilët mbajnë me taksat që paguajnë arkën e shtetit, dhe me të punësuarit mbajnë me bukë mijëra familje shqiptare! Të cilat ishin në prag të kolapsit, thjeshtë dhe vetëm pse disa të idhnuar me jetën e tyre por dhe me botën përreth, pse disa të ekzaltuar që delironin çdo ditë, por dhe disa ustallarë bankierë që qëndronin pas tyre, kishin shënjestruar bizneset më të mëdha në vend për t’u bërë gropën! Duke shtuar këtu dhe disa panelistë, të cilët që nga viti 2017 me këshillat ndaj opozitës shkatërruan këtë opozitë duke e futur në bojkot, dorëzim mandatesh dhe procese dhune ndaj institucioneve, panelistë të cilët edhe sot bëjnë thirrje për dhunë! Vetë qëndrojnë larg në fakt!

Ka dhe arsye të tjera, përfshirë këtu dhe lodhjen e këtyre njerëzve të cilët kanë dalë për 44 ditë në bulevard, në një protestë pa kokë, pa këmbë dhe pa asnjë strategji se çfarë do të arrihet. Qytetarët kanë parë se nuk mund të japë dorëheqjen një kryeministër me 86 mandate deputeti në Kuvendin me 140 deputetë, kryeministri që po çon me shpejtësi Shqipërinë drejt BE, që vitin e ardhshëm pret Samitin e NATO-s dhe vetë presidentin Trump, thjeshtë e vetëm që 4-15 mijë njerëz sipas pjesëmarrjes kërkojnë në shesh largimin e tij. Pra “ik ti që je votuar nga 860 mijë shqiptarë, se dua të vij unë pa votë, por me short, me letër me vrimë’! Ka ndryshuar Shqipëria njerëz!

Me sa duket, protesta do të vijojë për inerci, duke u shuar ditë pas dite nën moton ‘jemi që jemi, të bëjmë dhe pak dëm, sa të shkojë’! Nuk ka asnjë qëllim për të arritur ndonjë gjë, thjeshtë të prishet ndonjë punë me integrimin, pa mundur t’ia arrijnë, t’u nxijnë jetën qytetarëve të Tiranës, që tashmë kanë nisur të urrejnë dhe qeleshen e vet të traditës, apo bizneseve, si dhe nxitjen e linçimit të kujtdo që nuk është me mendjen e tyre! Të shohim! Beteja e “Revolucionit Flaming’ është mbyllur! Tani ka vetëm ‘kryengritjen e armatosur dhe paqësore’ të Berishës në sfond!

  •  

Samiti në Tiranë, ‘filos’ Albini, ‘qirie’ Beleri, atletet dhe ‘patllakja’ e Ramës

Nga Jakin Marena

Hapësira mbarëshqiptare këto ditë ka qënë tepër e ngarkuar me ‘debatin’ e pakërkuar mbi fatin e Samitit të radhës të NATO-s që ishte vendosur që nga Haga për t’u mbajtur vitin e ardhshëm në Tiranë si dhe mbi ‘fatin’ e Edi Ramës si kryeministër i Shqipërisë londineze!
Debati kishte nisur nga disa lajme periferike, që aktorë të ndryshëm politikë, sidomos të partive të gjelbërta, marksiste apo majtise në Evropë , të cilët deklaroheshin thuajse të sigurtë se Shqipëria nuk do të jetë mikpritëse e samitit të ardhshëm të NATO-s në Tiranë.
Këtë lajm, të cilin e paraqisnin si shumë tronditës, herë e ilustronin me pretendimin se Shqipëria nuk kishte kapur atë 2 përqindshin e shpenzimeve për Forcat e Armatosura, herë sepse samiti i Aleancës nuk mund të zhvillohet në një vend që sipas tyre ishte ‘narkoshtet’ dhe ‘regjim’ e herë me pretendimin se Rama është jo vetëm anti-shqiptar por dhe anti-Flaming! Ky i fundit një zog shtegtar që vjen në vendin tonë kalimthi dhe zbukuron Zvërnecin, por që për habi të të gjithëve këtë vit nuk ka ardhur ende, megjithëse ka një protestë që ka dalë fort në mbrojtje të tyre, edhe në mungesë! Ndoshta nuk janë përputhur ‘axhendat’ e rrymave ajrore drejt Shqipërisë, dhe kanë shkuar për këtë vit në një vend tjetër për të pushuar kalimthi!
Dhe të gjitha këto lajme, përktheheshin me shpejtësi e botohen në mediat dhe portalet e Tiranës, pjesa më e madhe e tyre e pozicionuar kundër qeverisë së Ramës! Madje gojët e liga thonin se nga Shqipëria e kishin burimin këto lajme, por duhej të botoheshin në gjuhë të huaj, për ta hedhur më pas origjinalin në shqip në mediat e Shqipërisë, pas bërjes publike andej nga Evropi!
Pretendimi i kundërshtarëve të Ramës në Tiranë mori përmasa të reja, teksa u deklaruar në thuajse të gjitha panelet televizive se jo vetëm që samiti në Tiranë ishte anuluar, por dhe se Erdogan kishte refuzuar të ftonte Ramën për të qënë pjesë e Samitit në Ankara, duke hedhur në media lajmin, sipas të cilit ishte ftuar vetëm presidenti Bajram Begaj! U tjerr një teori aq e fortë konspirative, sa këtë ‘dramë’ ia paraqitën jo vetëm publikut shqiptar por u përdor edhe prej këtyre protestuesve që vijojnë prej mbi një muaji xhiron nëpër rrugët e Tiranës, si fakt i kryer se Erdogani dhe Trump nuk e shohin as me sy Edi Ramën jo më që t’i japin dorën apo ta takojnë ‘tet a tet’! Renditen dhe arsyet sipas tyre!
Dhe këtë lajm e aplifikuan aq shumë, a thua Samiti i Ankarasë do ndodhte shekullin e ardhshëm dhe e vërteta do të stërzgjatej një shekull, qoftë dhe me shekullin prej 15 vitesh të këtyre influencereve shqiptare, dhe nuk do të zbardhej e të dilte në shesh shumë shpejt! Madje arritën deri atje, sa filluan që Ramës t’i numëronin jo më muajt por ditët në krye të qeverisë, duke e ‘ilustruar’ këtë dhe me ‘debatin’ e shpërthyer për postin e kryeministrit, mes Gones, Pilinçit, Qorit, Lapajt, Kryendriturit dhe këtyre kuvendarëve parapolitikë, e deri tek Berisha që tashmë e ka marrë vetë në dorë protestën, duke e rikthyer atë në formatin e foltoreve të PD!
Për më tepër që po priste me zemër të ngrirë dhe Albin Kurti, kreu i ‘armatës’ që ushtarëve të Vetëvendosjes, islamit politik e më gjërë deri në Maqedoninë e Veriut me VLEN, të cilët kanë mbajtur gjallë protestat në Tiranë, pra revolucionin që nisi për Flamingot dhe u bë një çorbë ku futën duart që nga shërbimet e huaja e deri tek këta delirantët shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe tërë hapësirës mbarëshqiptare në rajon, për të pasur në ‘tepsi kokën e Ramës’ dhe për ta bërë dhe Shqipërinë si Kosovën, pa qeveri, të izoluar dhe krejtësisht jashtë sistemit!
Albini po priste familjarisht në Greqi, streha e tij prej 6 vitesh, ku shkon njëherë në muaj, a thua se po shkon për ‘kaketizëm’ për të ndryshuar fenë, nga islame në atë orthodokse! Ndoshta dhe kjo është, çfarë nuk bën Kurti! Justifikimi i Albinit për këto lëvizje të shpeshta drejt Greqisë dhe bojkotimin total të Shqipërisë, është pjesëmarrja në disa seminare OJF-je, të të majtëve grekë e marksistëve nga disa vende të botës, ku shpeshherë kanë tema nga bota e lashtësisë, me Kasandra dhe Akilë! Shoku Albin, në vend që të ishte i ftuari special si shumë të tjerë jashtë NATO-s, në Samitin e mbajtur në Turqi, nga ishujt grekë ku po pushonte dhe përmirësonte dijet mbi marksizmin, priste me zemër të ngrirë se si do të anulohej Samiti i ardhshëm i Aleancës në Tiranë! “Filos’ Albini ishte i sigurtë se Rama do merrte goditjen e rëndë!
Po kështu dhe ‘qirie’ Fredi Beleri që nga qendra e Evropës, për fatin e mirë të shqiptarëve dhe të keqin e Greqisë si eurodeputet grek, i pari hidraulik eurodeputet në tërë historinë e Parlamentit Evropian, sulmonte qeverinë shqiptare, kryeministrin Edi Rama dhe jepte ‘lajmin’ se Shqipëria s’është gati për të mbyllur negociatat dhe për t’u anëtarësiar në BE, me pretendimin se drejtësia është e kapur dhe po godet krerët e opozitës shqiptare, Berisha dhe Meta! Pra, dhe Beleri, njeriu që kontribuoi fort me çfarë mundi për të sjellë nga Greqia emigrantë të paguar apo të adhnuar dhe për të protestuar kundër Ramës që po ‘shet’ vendin! Dhe kush pretendon se po mbron Shqipërinë nga shitja e Ramës, ata që me një dorë gati përlanë një pjesë të territoriut shqiptar, përmes marrëveshjes së “Detit’ në qeverisjen e Berishës! U firmos nga Basha e Bakojani, në prezencë të kryeministrave asokohe, Berisha e Karamanlis! Gjykata Kushtetuse për fat e rrëzoi!
Eshtë e tepërt të flasim me detaje se çfarë ndodhi! Kryeministri Edi Rama shkoi në Ankara, u prit me të gjitha nderet, mori pjesë në samit, takoi liderët botërorë, takoi presidentin turk Erdogan, ku mori jo vetëm lajmin e mirë të ngritjen në një nivel tjetër të bashkëpunimit mes dy vendeve, por dhe një ftesë për një samit tjerët të radhës në Turqi! Dhe jo vetëm që Rama nuk u refuzua nga presidenti turk, por mori nga dora e Erdogan dhe një pistoletë të personalizuar me emrin e tij në dorezën e fildishtë. Mori dhe ‘patllaken’ me një fjalë Rama dhe për fatin e keq të kundërshtarëve të tij që kishin përgatitur festën e fitores kundër tij, kryeministri shqiptar u kthye në Shqipëri me ‘patllake’ në brez! Të mos tremben, se s’ka për ta përdorur kurrë, por e themi si metaforë, pasi postoleta do të jetë në fondin e dhuratave, që i mbeten shtetit shqiptar! Siç e ka deklaruar gjithnjë Rama për dhuratat e tij! Po themi se Shqipëria nën qeverisjen e tij, është kthyer tashmë në vendin lider në rajon, me miq të përhershëm, me në krye SHBA dhe të pasuar edhe nga Turqia etj!
Por Rama u kthye në Shqipëri dhe me konfrimimin në xhep të mbajtjes së samitit të radhës të NATO-s në Tiranë, vitin e ardhshëm! Data dhe muaji nuk është caktuar, mund të jetë muaji maj, qershor apo korrik, nuk ka rëndësi. Përgatitjet ka kohë që kanë filluar! Dhe kuptohet, nuk ka se si të mos japin një dorë edhe aleatët tanë të mëdhenj, me në krye ata amerikanë! Pasi në Tiranë në këtë samit pritet të vijë vetë presidenti Donald Trump! Ishte sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Mark Rutte ishte ai që e konfirmoi publikisht para mediave të të gjithë botës se Samiti i radhës do të mbahet në Tiranë! E zeza mbi të bardhë! Duke shuar shpresat në Tiranë, e anuluar ‘festën’!
Teksa protesta e përzier dhe pa asnjë ‘gram’ flamingo brenda tashmë në Tiranë, organizatorët e kësaj proteste, në skenë dhe në prapaskenë, që nga Albini dhe ushtria e tij e Vetëvendosjes, apo VLEN në Maqedoninë e Veriut, por dhe neomarksistët, islami politik, Kryendriturit dhe ata që kanë qënë të interesuar për destabilizimin e Shqipërisë në prag të Samitit të radhës të NATO-s vitin e ardhshëm në Tiranë dhe në prag në mbylljes së negociatave me BE, kanë mbetur pa tekst, i vetmi ngushëllim për ta tashmë është debati që ka shpërthyer për atletet e bardha të Ramës që përdori, madje tërhoqi tërë vëmendjen, dhe në këtë Samit të NATO-s të zhvilluar në Ankara!
Eshte debat i rëndësishëm mediatik ky në Tiranë, besojmë se do të ketë disa panele televizive në ditët e ardhshme, për të debatuar nëse atletet duhej të ishin të bardha apo të zeza, duhet të ishin me lidhëse të gjata apo të shkurtëra, a ishin tërësisht në vëmendjen e Trump atletet apo jo, teksa ia tregoi me gisht Mark Rutte, dhe sa shumë shumë qeshi Mitsotakis, i cili kishte qarë mjaft kur Trump deklaroi se do t’ia jepte ato avionët luftarakë ‘F 35 ‘ Erdoganit, se është lider i fortë!
Besojmë se do të jenë dhe pjesë e pankartave të protestës në Tiranë, por dhe të ‘meme’-ve nëpër rrjetet sociale atletet e Ramës të përdorura në Samit! Do zoti nuk kërkojnë ndonjë ankand për t’i blerë, pasi, teksa Rama i la pa tekst për këto pritshmëritë me largime nga posti, refuzim samiti apo anulim samiti në Tiranë, u ka lënë në dorë këto atletet që të merren deri në fund të këtij viti! E sigurtë është se pistoleta e dhuruar nga Erdogani nuk do jetë pjesë e debatit mediatik, pasi do të ishte fundi më pas! Ishte dhuratë për të gjithë pjesëmarrësit në Samit, e personalizuar!
Megjithëse Rama nuk i kursen asnjëherë ‘karamelet’ për kundërshtarët e tij. Në fund të fundit u lë diçka me të cilën të merren! Këtë herë u ka lënë atletet e bardha të përdorura në samit, por ‘rezervë’ kanë dhe ‘patllaken’ e dhuruar nga Erdogan! Mjaftojnë deri në fund të vitit! Pranverën e ardhshme kemi zgjedhjet vendore! Do të merren me humbjen tërë verën e 2027 dhe deri verat e ardhshme të vitit, kur të përballen sërish me humbjen në zgjedhjet parlamentare të 2029! Të presim e të shohim! Berishën aty e kemi, në krye të opozitës! “Revolucionin Flaming’ e mori!

  •  

Provokimi me 4 korrikun, Ikballja e Albinit dhe mesazhet e koduara të SHBA

Nga Jakin Marena

Protesta në Tiranë po hyn në ditën e 26 dhe tashmë janë bërë të qarta të gjitha axhendat që po shfrytëzojnë idealizmin e shumicës së qytetarëve protestues, për të arritur qëllimet e tyre!
Nuk kemi pse ta fshehim faktin se, në mënyrë cinike, madje deri në provokim, grupi organizator nuk e humbet asnjëherë rastin për të treguar se ‘tehu’ i kësaj proteste është drejtuar kundër SHBA dhe presidentit Trump! Dhe këtë sulm të orientuar nuk e kanë vetëm për shkak se po investon vajza e dhëndri i tij në Sazan dhe Zvërnec, por me sa duket është një axhendë anti-amerikane e mirëmenduar, e konturuar shumë kohë më parë për të arritur këtu! Dhe axhenda anti-SHBA e anti-Trump po aplikohet fare hapur, madje duke u kujdesur që të mos bëhet asgjë e fshehtë! Kjo është bindja jonë sëpaku, teksa analizojmë hap pas hapi faktet dhe zhvillimet!
Që në krye të herës, nisi si axhendë anti-Trump devijimi i ‘Revolucionit Flaming’, teksa këto ditët e fundit u transformua në revolucion anti-SHBA! Kjo u materializua madje që nga podiumi i protestës, teksa një i ri, nuk e dimë se nga kishte ardhur, por pretendonte se ishte student dhe se në emër të ambasadës së SHBA në Tiranë ishte kërcënuar, pasi kishte lidhje me protestën! Kjo ishte një ngritje një ‘oktavë’ më lart e akuzave dhe sulmeve ndaj SHBA, çka solli dhe reagimin e menjëhershëm të ambasadës amerikane në Tiranë, teksa e ka mohuar rastin! Duket si një rast i sajuar keq ky, por ama tregonte tendencën që do të merrte protesta në orët e ditët në vijim! Ishte një provë, me sa duket! Pavarësisht se ‘nuk duhet kruar asnjëherë me miellin e amerikanit’!
Dhe vetëm pak minuta më vonë, po në këtë ditë, në emër të protestës ultimatumin kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij e lexoi Dritan Goxhaj, tashmë një ish pjesëmarrës i debatueshëm në radhët e UÇK, por ama një pro iranian 24 karat, një pro islam radikal dhe mbi të gjitha një i deklaruar publikisht kundër SHBA-së, sidomos për qëndrimin ndaj Lindjes së Mesme e në raport me Iranin dhe mbështetjen ndaj Izraelit! E ka treguar publikisht këtë qëndrim, madje duke këmbëngulur se nuk tërhiqet nga anti-amerikanizmi i tij! Janë deklarata të fundit këto të bëra nga Goxhaj, jo të bëra në rininë e tij të hershme! Kur dhe falej ndonjë gjë!
Ky është provokimi i dytë që protesta i ka bërë publikisht aleatit tonë më të madh e jetik, SHBA-së në vetëm pak minuta, që nga podiumi i protestës përballë kryeministrisë, protestë e cila zhvillohet nën sloganin e zhdukjes së klasës aktuale politike e risjelljes së “Shqipërisë së re”, sipas modelit neomarksist, të ‘shartuar’ dhe me modelin e islamit politik të mbështetur nga ajatollahët, islami radikal por dhe Albin Kurti nga Kosova, si dhe prurjet e tij nga Maqedonia e Veriut apo treva të tjera shqiptare ose jo, ku ai ka ndikimin e vet!
Ilustrimi më i qartë është se përveç aktivistëve dhe zyrtarëve të VV-së, përmes neomarksitit Elvis Hoxha protesta po përkrahet me pjesëmarrje fizike e organizim edhe nga njerëz të tillë, që përfaqësojnë interesa të grupeve të ndryshme fetare në Kosovë. Përfaqësojnë islamin politik, të kryesuar nga ‘mentori’ i Kurtit, vetë Isamedin Ferraj, i ‘instaluar’ në Tiranë këto ditë proteste!
Protestat në Tiranë janë mbështetur nga Irani zyrtar, por dhe nga shqiptarët e Kosovës të besimit “shija”, të cilët nuk kanë hezituar të udhëtojnë drejt kryeqytetit shqiptar dhe të marrin pjesë. Madje të kryesuar nga aktivistja nga Kosova, Ikballe Huduti, e cila ka foto me ish-presidentin e Iranit, kjo linjë radikale islamike ka qënë dhe është pjesë e protestës në Tiranë, madje nën thirrjet ‘Rama ik, duam Albin Kurtin’! Çka tregon se Irani e mbështetësit e tij në Kosovë, Maqedoninë e Veriut e Shqipëri, jo vetëm që i kanë futur ‘hundët’ në këtë protestë duke e devijuar axhendën e saj, në islamike, por dhe ‘duart’ teksa kanë marrë në dorë organizimin e saj! Dhe me bekimin total të Albin Kurtit, me qëllimin e vetëm, destabilizimin e Shqipërisë!
Për këtë arsye, pikërisht këtë të enjte, Ikballja e Albinit është shpallur e padëshirueshme në Shqipëri, me firmën e ministrit tonë të Brendshëm, besfort Lamallari, për një periudhë 15 vjeçare. Motivi i këtij vendimi bazohet në informacionet e grumbulluara, sipas së cilave, veprimtaria e kësaj shtetese vlerësohet si kërcënim për vendin, sigurinë kombëtare, si dhe rendin e sigurinë publike. Dhe mirë ka bërë! Për më tepër që nuk është gabim që të zgjerohet edhe pak ‘rrezja’ e veprimit, për të shpallur të padëshiruar dhe persona të tjerë, si rrezik për shqiptarinë!
E themi këtë, sepse të ‘dyndesh’ nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Presheva dhe Sanxhaku e të protestosh në Tiranë kundër kryeministrit dhe qeverisë së një shtetit sovran, më e pakta është maskarallëk! Dhe më e shumta, janë axhendat detyruese për ta me sa duket, dhe kur merr para e mbështetje, ke dhe detyrime që ta hedhësh vallen sipas këtyre axhendave! Ia kanë ‘zënë kokën me derë’ me sa duket, ndaj dhe Albini vepron kështu! Dhe sipas ‘ritmit’ serb!
Por, grupimi organizator i dominuar nga axhenda neomarksiste dhe e islamit politik ka gjetur dhe përfaqësuesin ideal për të përfaqësuar këtë protestë, Dritan Goxhajn, i cili jo vetëm është një pro iranian i thekur dhe një anti-amerikan i thekur, por mbi të gjitha, me fjalë të paktën, ‘u shkrin plumbin në gojë’ kabinetit qeveritar, politikanëve të vjetër e kujtdo politikan që për të nuk bën! Duke deklaruar se ‘ka ardhur koha e Avni Rustemit’! Dhe kjo është e rrezikshme, madje duhet të jetë pjesë e axhendës së zbulimit dhe hetimit të organeve ligjzbatuese shqiptare dhe aleate!
Si për ta përmbyllur momentin anti-amerikan, u dha lajmi se më 4 korrik do të zhvillohet protesta mbarëkombëtare, me pjesëmarrjen nga i gjithë vendi, nga të gjitha trevat shqiptare dhe nga diaspora shqiptare! Duke bërë thirrje për pjesëmarrje masive, ‘për mbrojtjen e atdheut’!
Për të gjithë ata që nuk e dinë, 4 korriku është dita e festës kombëtare të SHBA-ve, është festa e pavarësisë së aleatit tonë më të madh, i cili na është gjendur pranë në të gjitha momentet më të vështira për ekzistencën e shtetit shqiptar, por dhe për çlirimin dhe themelimin e shtetit të dytë shqiptar, Kosovës! Pikërisht në këtë ditë, nga grupi organizator thirren diaspora e shqiptarët nga të gjitha trevat në rajon për të protestuar në kryeqendrën e shqiptarisë në Tiranë, për të përzierë protestën anti-SHBA me festën e pavarësisë së SHBA dhe për ta rezonuar atë! Hapur fare!
Thirrja e një proteste mbarëkombëtare pikërisht më 4 korrik, ditën e përvjetorit të Pavarësisë së SHBA,nga grupi organizator është një specifikim i qartë i orientimit tashmë të hapur dhe të rrezikshëm të kësaj lëvizjeje që nisi me Zvërnecin, vijoi si anti-Trump e tashmë është ‘dorëzuar’ përfundimisht në dorë të njerëzve të islamit politik, si protestë anti-SHBA! Nëse e ‘përtypin’ protestuesit idealistë këtë axhendë të daljes kaq hapur kundër aleatit tonë të madh, të kuptohemi!
Deri më tani nga SHBA nuk ka ardhur ndonjë reagim zyrtar në mbështetje ose kundër protestës në Tiranë, as kundër thirrjeve e këtyre cic-miceve neomarksiste që janë kundër investimeve të huaja, imperializmit amerikan dhe të islamit radikal politik që me bosht kryesor nga Kosova e Maqedonia e Veriut, po shfaqin orientim të fortë pro Iranit, islamit radikal, dhe kuptohet me këtë rast dhe pro Albinit. Pasi ai e ka ngritur në sistem qeverisjen në Kosovë pikërisht në këto dy shtylla: Neomarksizmin, islamin politik dhe mbi të gjitha kundërshtimin e gjithçkaje amerikane dhe perëdimore! Si Al Bagdadi vaktit, kur ngritit Shtetin Islamik të ISIS! Dihet fati i tij!
Pavarësisht se nuk ka asnjë deklaratë zyrtare nga ana e SHBA për këtë tentativë të grupeve të caktuara neomarksiste, islamike me sposorimin direkt të Iranit, Serbisë, pjesës tjetër të vendeve jo mike të Shqipërisë dhe mbi të gjitha të Albinit në Kosovë, mesazhet e ‘koduara’ janë dhënë nga amerikanët! Ata mbajnë shënime dhe japin sinjale paralajmëruese si fillim! Urtë e butë! Pasi po cënohet siguria e SHBA, sepse Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, kandidati më potencial për anëtarësim në BE pas 3 vitesh dhe mbi të gjitha, është një aleat strategjik i SHBA!
Sinjali i parë erdhi nga presidenti Donald Trump, i cili ka vendosur të zgjasë edhe për një vit gjendjen e emergjencës kombëtare në lidhje me Ballkanin Perëndimor. Trump argumenton se situata në rajon vazhdon të paraqesë rreziqe për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme amerikane. Vendimi mban në fuqi regjimin e sanksioneve e masave ndëshkuese ndaj individëve, grupeve e organizatave që konsiderohen se minojnë paqen, stabilitetin, marrëveshjet e pasluftës dhe institucionet demokratike në rajon.
Sipas administratës amerikane, vazhdojnë të ekzistojnë shqetësime lidhur me përpjekjet për të sfiduar sovranitetin e integritetin territorial të vendeve të Ballkanit Perëndimor, për të dobësuar institucionet e krijuara pas konflikteve të viteve ’90, si dhe për korrupsionin e rëndë që pengon sundimin e ligjit e zhvillimin demokratik. Shtëpia e Bardhë vlerëson se veprimet destabilizuese, dhuna ekstremiste, korrupsioni dhe përpjekjet për të shmangur sanksionet amerikane vazhdojnë të përbëjnë kërcënim për stabilitetin rajonal dhe interesat e SHBA-ve.
Pra, mesazhi amerikan është i qartë! Nuk do të tolerohen veprimet destabilizuese si dhe dhuna ekstremiste në Ballkan, rajon, pjesë i të cilit është dhe Shqipëria! Madje parashikohen emra të rinj që do të shpallen ‘non grata’, si elementë shqetësues, destabilizues e goditës të institucioneve të shtetit! Kujtojmë se përmes këtyre protestave, grupet radikale të islamit politik, fqinjët tanë për interesa konkurrence, neomarksistët e deri tek Vetëvendosja e Albin Kurtit po tentojnë të godasin institucionet demokratike shqiptare, për të destabilizuar Shqipërinë, vendin e vetëm që ka pasur e ka stabilitet në rajon, vendin që bashkë me Malin e Zi është në krye të listës për t’u anëtarësuar në BE brenda vitit 2030! Nuk e durojnë këtë me sa duket, ndaj duan t’i zhbëjnë këto arritje!
Sinjali tjetër i ‘koduar’ është dhënë po nga presidenti Trump dhe administrata amerikane, teksa në një qëndrim zyrtar të tyre kanë nënvizuar zhgënjimin e madh, pasi sipas Trump, teksa SHBA ka dhënë triliona dollarë për sigurinë e Evropës, përfshirë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor dhe nuk kanë marrë mbrapsht asgjë, vetëm refuzimin për kontribuar në aksionet amerikane të paqes, apo refuzimin për investimet strategjike amerikane në këto vende!
Dhe në këto vende, mesazhi është se është përfshirë dhe Kosova, pasi një tjetër projekt amerikan është refuzuar nga qeveria në detyrë e Kurtit. Fjala është për gazin e lëngshëm që vjen nga SHBA në portet Europiane dhe infrastrukturën që pritej të kalonte në Kosovë për shpërndarjen e tij. Qëllimi i këtij projekti të madh që po zbatohet mes SHBA dhe Europës është, ulja e varësisë nga furnizimi i kontinentit të vjetër me gazin rus, një plan me sfond jo vetëm ekonomik, por edhe politik: një ndarje përfundimtare nga Moska. Por për këtë projekt, për të cilin janë alokuar fonde, qeveria e Kurtit nuk ka shprehur gatishmëri dhe nuk e sheh gazin amerikan si prioritet kryesor. Madje, qeveria e Kurtit e ka argumentuar refuzimin me justifikimin se, infrastruktura e gazit do të kushtonte shumë dhe mund të mos kishte ndikime ekonomike afatgjatë.
Por mesazhi i ‘koduar’ amerikan është akoma më i rëndë për Albinin! I cili po tenton fort që të ndërhyjë në punët e brendshme të shtetit amë. Dora e Albinit ndjehet fort në organizimin e protestave në Tiranë, një tentativë për destabilizim të Shqipërisë, vendit anëtar në NATO, kandidatit potencial për në BE e aleatit strategjik i SHBA, i cili konsiderohet vend lider në rajon dhe pikë orientimi për aleatët tanë strategjikë, në garantimin e sigurisë në pjesën lindore të NATO-s! Dhe teksa përmenden refuzimi i intestimeve potenciale amerikane, mesazhi i ‘koduar’ ndaj Albinit ka të bëjë pikërisht tek mbështetja që Vetëvendosja u ka dhënë dhe po u jep protestave anti-Trump në Tiranë, përfshirë këtu përpjekjen për të penguar investimin në Zvërnec e Sazan, investim i vëllezërve nga Katari ky, si dhe i Kushner e Ivanka Trump! Gjaku nuk bëhet ujë dhe kjo dihet!
Ka dhe mesazhe të tjera të koduara, aspak të mira për Albinin! E themi këtë, pasi Kosova nuk do të jetë pjesë e samitit të NATO-s që do mbahet më 7-8 korrik në Ankara të Turqisë, pavarësisht se Sekretari i Përgjithshëm, Mark Rutte, ka deklaruar se 10 vende jo-anëtare do t’u bashkohen 32 shteteve anëtare të Aleancës në këtë takim të nivelit të lartë. Një zyrtar i NATO-s ka konfirmuar se Kosova do të mbetet jashtë këtij samiti, pasi “institucionet në Kosovë nuk janë ftuar të marrin pjesë në Samitin e liderëve të Aleancës në Ankara”. Turqia, do ta kishte ftuar me të dyja duart Albinin, po ta kishte në dorë që të vendoste! Dihet pse!
Janë të tjerë që vendosin për pjesëmarrjen ose jo të Kosovës! Axhenda izoluese, neomarksiste, refuzuese dhe përfshirja e islamit politik në parlament e në qeverisjen e VV në Kosovë, kanë ndikuar në këto përjashtime! Shtuar këtu dhe përpjekjen për ta shtrirë në rajon këtë ndikim të së keqes! Ndërkohë që në samitin e Ankarasë pritet të marrë pjesë vetë presidenti amerikan, Donald Trum! Merr pjesë dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama! I cili për momentin vijon vizitën në Poloni, ku po merr pjesë në Konferencën dy ditore për Rindërtimin e Ukrainës!
Këto janë disa nga mesazhet e ‘koduara’ amerikane për të gjithë ata që tentojnë të destabilizojnë rajonin! Edhe për këtë protestën shumëngjyrëshe në Tiranë, ku axhenda e huaj po tenton të destabilizojë vendin! Pa ia dalë për hir të së vërtetës, pasi protesta po shkon drejt shuarjes, pikërisht për shkak të këtyre axhendave antikombëtare, dhe kundër aleatëve tanë strategjikë!

  •  

Vëllezër nga Kosova e RMV, çfarë borxhi i kemi Albinit e VLEN?!

Nga Jakin Marena

Kur të shtunën po shihnim live mbërritjen e makinave të diasporës në pikat kufitare shqiptare në Shkodër, vumë re një ngërç të fortë të organizatorëve të protestës, përsa i përket qëndrueshmërisë së numrave të deklaruar! Pasi bëhej fjalë për 35-40 makina që kishin udhëtuar të mbuluara me flamurin kuqezi, dhe dihet sa është numri, dhe sikur të jenë dingas dhe mbi normën e lejuar!

Në fillim justifikimi ishte real, se helbete, pushimet në Evropë janë kryesisht në muajin gusht, dhe nuk është se këta të diasporës tonë i kemi drejtues të korsorciumeve dhe kompanive të fuqishme nëpër botë, që mund t’i lejojnë vetes luksin e dhënies së lejes, po vetes! Ne e dimë ku punojnë emigrantët tanë, kemi dhe ne njerëzit tanë nëpër botë të cilët bëjnë punën më të nderuar, duke dhënë dhe kontributin më të çmuar për familjet e tyre, atje ku jetojnë e këtu në atdhe!
Por ama kur dëgjuam më pas nga ana e disa prej organizatorëve të vetëdeklaruar justifikimin se kolona e diasporës ishte ndarë në dy pjesë, për arsye se kishin frikë se do të ndaleshin në kufirin mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, dhe se shumica kishin udhëtuar përmes Serbisë për të mbërritur në Kosovë e më pas në Shqipëri, sikur u ‘thyem’ pak! Se mund të akuzosh për gjithçka shqiptarin, por ama për budalla, kurrë! E akuzon si të keqin e vetes, po, por aspak për budalla!
E themi këtë sepse as në ëndrrën më të bukur, makinat e mbuluara me flamurin shqiptar kuqezi dhe shqiponjën dykrenare, nuk mund të parakalojnë në mënyrë demonstrative përmes Serbisë! Ta harrojnë dhe optimistët më të çmendur! Madje serbët të kontrollojnë deri në detaje se mos e ke fshehur në bagazh, nëpër çanta apo në kroskot! Nëse ky udhëtimi ‘epik’ nëpër Serbi i këtyre ‘patriotëve’ me flamurin kombëtar mbi makina ka ndodhur, atëherë duhet që këta organizatorët të na shpjegojnë se çfarë kompromisi kanë arritur, sa e kanë shitur b… andej nga serbi, apo ka ndërhyrë dikush me autoritet nga Kosova që të lejohet ky kalim i lirë etj! Duhen shpjeguar këto! Se nuk mund të vijsh përmes Serbisë, me kompromis me Serbinë, për të ‘çliruar’ Shqipërinë nga Rama! Është absurditet dhe ta mendosh, jo më që ta shesësh si të vërtetë!
Se po na konvergojnë shumë gjëra me këtë rast, pasi njëri prej të deklaruarve organizatorë të ‘Revolucionit Flamingo’ në Tiranë, deklaroi publikisht se “ka grupe greke e serbe në protestë, do t’i nxjerrim me emra”! Po na dalin të lidhura këto gjëra dhe duhen zbardhur. Pasi vetë fakti se, megjithëse e pranojnë se ka grupe nga Serbia, Greqia por dhe grupe islamike që tentojnë të realizojnë axhendat e tyre, të fshehur në radhët e kësaj proteste paqësore, madje po i japin tonin protestës duke tundur flamurin kuqezi dhe vënë qeleshen mbi sy, ndërsa nuk i përjashtojnë nga tubimi apo maksimumi s’bëhen vegla të tyre, dhe nuk marrin masa, deri në pushim një ditë sa të qartësohen dhe pastrohen gjërat, tregon se po u vjen ‘ëmbël’ nga pjesëmarrja e tyre në protestë!
Dhe që të rikthehemi tek ‘diaspora’ që erdhi këtu në Shqipëri për të protestuar, duke udhëtuar me makina të mbuluara me flamurin kuqezi përmes Serbisë, përmes Kosovës, madje duke shtuar dhe ata që kanë ‘prerë biletë vetëm ardhje’ sipas organizatorëve, pra që kanë bërë ‘def’ punën në emigracion, familjen atje dhe këtu në Shqipëri, vetëm e vetëm për të marrë pjesë në protestën shumëngjyrëse, amorfe, pa kokë e pa këmbë dhe me pak shanse për të arritur ndonjë qëllim këtu në Tiranë, faktet treguan se ishin në masën 99.999 përqind nga Kosova, RMV e trojet shqiptare!
“Diaspora’ jonë nga Kosova, me këta anëtarët dhe mbështetësit e Vetëvendosjes, të cilët nën thirrjen e drejtuesve politikë të tyre që kanë qënë ‘non stop’ në Tiranë për organizimin dhe shumëfishimin e protestës, përmendim për ilustrim Elvis Hoxhën që është dhe këshilltar i Albin Kurtit dhe Hysamedin Ferrajn ‘gurunë’ e islamit politik tek Albini, mbërriten mëngjesin e së shtunës në Shqipëri dhe u shpërndanë në Shëngjin, Velipojë, Tale dhe Durrës duke u ‘rrezitur’ dhe bërë plazh. Thuhet se kishin marrë dhe bukë me vete, pasi në këtë mënyrë e kanë bërë plazhin në fundjavë vëllezërit tanë nga Kosova! Dhe pas dreke, pasi hoqën rrobat e plazhit dhe u ‘armatosën’ me flamuj kombëtarë e qeleshe, ndonjë parullë të shkruar shpejt e shpejt, me makina dhe autobusë mbërritën në Tiranë, për të pritur orën 19.00, ora e caktuar për të nisur tubimin e madh në kryeqytet për të rrëzuar kryeministrin Edi Rama e për ta ‘futur në burg’! Me gjysmë zëri dhe dhimbje në zemër fusin për të qënë në rregull me protestën, dhe Sali Berishën, kreun e PD dhe të opozitës shqiptare, si kontigjent për ta mbyllur në burg!
Nga ana tjetër, të favorizuar dhe nga ndërtimi i rrugës së Arbrit, po Vetëvendosja nga Maqedonia e Veriut si dhe VLEN në qeverisje me Mickoskin, të dyja këto bashkë arritën që shqiptarët në RMV t’i shfaktorizonin në atë farë feje deri në humbjen e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare apo vendosjen e emrit të Titos në Tetovë (Marshall Tëjta, quhej në atë kohë nga shqiptarët ish udhëheqësi komunist) pa bërë as gëk e as mëk kundër Miackoskit, të cilin edhe vetë Kurti e ka shumë xhan, të drejtuar nga zyrtari më i lartë i këtij grupimi politik shqiptar në vendin fqinj, kanë mbërritur dhe ata në Tiranë, për të protestuar dhe kërkuar rrëzimin e Ramës nga qeveria!
Kështu, të gjitha palët, nga Kosova, RMV, duke shtuar dhe shqiptarët nga Mali i Zi, ku kanë ndikimin Albin Kurti dhe Vetëvendosja (Kurti është nga Vladimir i Malit të Zi për ata që nuk e dinë) e mbi të gjitha dhe shqiptarë me dy emra nga vendi ynë fqinj Greqia, kanë mbërritur në kryeqytetin e kombit shqiptar në Ballkan, për të rrëzuar qeverinë e vetme në rajon që ka stabilitet dhe është bërë qendër e rajonit për sigurinë, e vlerësuar dhe nga aleatët tanë të mëdhenj, stabilitet e siguri që ndikon për mirë jo vetëm për Shqipërinë por edhe për të gjithë shqiptarët! Sipas parimit të vjetër shqiptar ‘unë nuk dua dhuratë shtëpi për shërbimin, dua vetëm t’i rrëzosh shtëpinë që i dhurove vëllait tim’, njerëzit e Kurtit në Kosovë dhe të VLEN në Maqedoninë e Veriut udhëtuan drejt Tiranës, për të ‘mbrojtur’ Shqipërinë nga Edi Rama. A thua Rama është pushtuesi, jo i zgjedhuri me votë për të qeverisur, as më pak dhe as më shumë se një vit më parë!
Tani duhet të sqarojmë sipas versionit tonë disa gjëra fare të vogla, por shumë thelbësore, për të qënë korrektë në fillim me veten, pastaj me shqiptarët në Shqipëri, dhe më pas dhe me vëllezërit tanë shqiptarë në rajon, të cilët janë në shtetet e tyre, në Kosovë shtet më vete, në Maqedoninë e Veriut si etnitet shtetformues sëbashku me maqedonasit dhe në Malin e Zi po në të njejtin model!
Po! Jemi vëllezër të një gjaku, kemi të njejtën traditë, të njejtën rrugë zhvillimi, të njejtat këngë, zakone, qajmë dhe këndojmë shqip, kemi të njejtët heronj, dhe mburremi me ta, kur nuk na hyn ndasia në mes! Madje bëjmë dhe të njejtat gomarllëqe, ku më pak dhe ku më shumë! Por ama, jemi vëllezër të ndarë, pa dëshirën tonë për hir të së vërtetës, në shtete të ndryshme në rajon! Kemi ndihmuar dhe vetë në këtë ndarje, herë duke thirrur në momente historike ‘duam baba dovletin’, herë duke ia futur njëri tjetrit! Ama fuqitë e mëdha na ndanë, kemi një kufi mes nesh!
E thënë më shqip, jemi vëllezër por që jemi të ndarë, kemi secili ‘kullën’ e vet, i kemi futur dhe me kërkesën e fuqive të mëdha por dhe si rregull ndërkombëtar një gardh(kufi) mes dy vendeve tona, dhe mblidhet secili çdo natë me familjen e vet, brenda shtëpisë së vet! Marrim e japim me njëri tjetrin si vëllezër, ndihmojmë njëri tjetrin në raste të vështira si vëllezër, por ama në fund të ditës, leckat dhe kockat i mbledh në shtëpinë e vet gjithsecili vëlla! Ligji i jetës ky!
Nuk është e udhës që vëllai të ndërhyjë dhe të thotë, ‘rrëzoni zotin e shtëpisë se kështu dua unë’, të fusë spicat tek njerëzit e tjerë të familjes, duke mbështetur herë njërin e herë tjetrin, për të rrëzuar të parin e shtëpisë! Pra vëllain tënd nga gjaku që të është gjendur në të mirë e në të keq, sa herë ka pasur nevojë! Nëse nuk arrin t’i pajtosh, lëri ta zgjidhin vetë problemin në familjen e vëllait! Por ka akoma më keq! Të të vijë vëllai dhe të qëndrojë në shtëpi, si te vëllai me një fjalë, por në vend që të rrijë e të sillet si vëlla, fillon e godet miqtë dhe shokët, bashkëpunëtorët në biznes apo aleatët e mëdhenj që vëllai ka zgjedhur, mirë apo keq puna e tij, jo nga frëngjia e shtëpisë së vet, por nga frëngjia e shtëpisë së vëllait! Kjo është paburrëri, është legenllëk dhe maskarallëk!
Kështu ndodhi në protestën e organizuar në Tiranë, ku vëllezërit tanë shqiptarë të VV, nga Kosova, të VLEN nga Maqedonia e Veriut, apo ‘bashkëfshatarët’ e Albinit nga Mali i Zi, të mbështetur dhe nga grupe të caktuara, sipas organizatorëve, serbe, islamike dhe greke që ishin me ta apo që i gjetën dhe në Shqipëri, të armatosur me flamurin kombëtar dhe me qeleshe me shqiponjë, krijuan situata të pakëndshme, deri dhe thirrje për të rënë shehid (dëshmor) në përpjekjen për rrëzimin e Ramës, i cili po e kthente Shqipërinë sipas tyre, në një Gaza të dytë, duke ua dhënë izraelitëve! Mot a mot si ajo parada në Prizren, javë më parë, teksa imitoheshin kohët e ‘arta’ të pushtimit osman! Duke bashkuar zërin dhe me këta radikalët shqiptarë të Shqipërisë, që bëjnë ‘duanë’ e Iranit, Gazës dhe vendeve të islamit radikal!
Për më tepër që na morën erzin duke na fëlliqur me miqtë tanë, hebrejtë, të cilët i shpëtuam gjatë luftës së dytë botërore duke krijuar procedentin më pozitiv të besës së shqiptarit, mbështetje që Izraeli na e ktheu vit pas viti, që me njohjen e shtetit të Kosovës e deri në zgjerimin e aleancës strategjike me Shqipërinë! Dhe çfarë ndodhi! ‘Shehidët’ në mbrojtje të Gazës dhe vendeve të tjera radikale islamike, që Kosovën as që e kanë njohur e as do ta njohin kurrë si shtet, mbështetën dhe ngjitën tek ambasada izraelite në Tiranë, një vajzë me maskë, dhe ajo ‘shehide’ moderne, për të shkulur flamurin e këtij vendi aleat! Duke krijuar një precedent të rrezikshëm, duke tentuar për të na minuar aleancat me aleatët tanë, Izraelin por dhe SHBA-në, pasi, shumë nga këta vëllezërit tanë thërrasin më fort kundër Trump dhe akuzojnë Ramën se ka shitur tokë tek vajza dhe dhëndri i Trump, ngrenë në ‘qiell’ Albin Kurtin se nuk lejon asgjë amerikane të ‘qarkullojë’ në Kosovë! Desh harruam, lejon vetëm ushtarët e KFOR për ta ruajtur Kosovën!
I thamë të gjitha këto,për të treguar se vërtetë jemi vëllezër, por ama secili në shtëpinë e vet! Pasi nuk mund të përcaktojë se kush do ta drejtojë shtetin shqiptar, dikush shqiptar nga Kosova, Mali i Zi apo Maqedonia e Veriut e Presheva! Kanë shtetet e veta! As shqiptarët e Shqipërisë nuk kanë punë të ndërhyjnë në punët e brendshme të Kosovës, askujt nuk i shkon mendja këtej kufirit për të protestuar kundër Albin Kurtit, përballë zyrës së tij kryeministrore, duke kërkuar rrëzimin e tij si kryeministër i zgjedhur me votat e qytetarëve të Kosovës! Pavarësisht se shumica këtu në Shqipëri, jemi të bindur, nuk e do Kurtin kryeministër, sepse e ka izoluar Kosovën, ka futur përçarjen ndër shqiptarë dhe mbi të gjitha e ka lënë vendin këtu e dy vite pa qeveri! Por ama, askush nuk e çon në mendje të shkojë nga Shqipëria të protestojë në Prishtinë për rrëzimin e kryeministrit! Madje dhe të bëjë skena patriotizmi para institucionit! Për lirimin e Thaçit po!
Larg qoftë në protestat e vjeshtës në Kosovë për ligjin për shtetësinë që pas 5 vitesh do ta kthejë Lëvizjen Serbe në parti të dytë në vend, pasi bëhen shtetas të Kosovës e gjithë trupa pushtuese serbe e vitit 1998, përfshi dhe armatën e gjashtë që ishte aty si pushtuese, trupat paramilitare të Arkanit dhe policinë që mbante nën kontroll Kosovë dhe trashëgimtarët e tyre, apo në protestën kundër anti-amerikanizmit të Kurtit, vjedhjes masive deri dhe rezervat e grurit dhe të vajit, si dhe ambasadorit të Kosovës që akuzohet për abuzim me energjinë përmes Serbisë, Martin Berisha, askujt të mos i shkojë mendja se do të shkojnë shqiptarë nga Shqipëria me qeleshe dhe flamur për të mbushur sheshet e Prishtinës e të thërrasin për rrëzimin e Kurtit, e larg qoftë të shkulin flamujtë e ambasadave të akredituara në Kosovë! Nuk shkohet as nëpër mend një gjë e tillë! Pavarësisht se në Shqipëri ka me shumicë mbështetës të PDK, LDK apo AAK!
Ne shqiptarët e Shqipërisë, i kemi kryer sa herë ka qënë nevoja detyrimet ndaj vëllezërve tanë në Kosovë, RMV, Malin e Zi e Preshevë! Madje i kryejmë dhe do t’i kryejmë gjithmonë! Nuk po përmendim ato para vitit 1945! Por përmendim vetëm detyrimet e kryera si vëllezër pas vitit 1990, që me stërvitjen e ushtarëve të luftës për liri në bazat tona ushtarake, me mbështetjen e UÇK me armë, ushqime dhe logjistikë, madje dhe duke qëlluar për matanë kufirit për të hapur rrugën e tyre drejt lirisë. Ma sa mundëm dhe fuqi që kishim! Pritëm gati 1 milionë vëllezër shqiptarë të Kosovës, të deportuar nga okupatori serb nga vendlindja e tyre, Kosovë! I strehuam, i ndihmuam nëpër të gjitha familjet shqiptare, pa kokërr leku! Me atë varfërinë tonë, por me zemër të bardhë! Si detyrim ndaj vëllezërve të një gjaku! E kanë bërë pa dallim të gjithë shqiptarët e “Shqipërisë londineze”, gjë që e bëjnë dhe sot, dhe nesër larg qoftë, në momente të vështira! Shqipëria dha dhe mbi 100 dëshmorë në luftën e Kosovës, të cilën e nderojnë dhe sot!
Pavarësisht se tashmë në Kosovë është bërë ‘sport kombëtar’ denigrimi i kësaj lufte të UÇK, luftëtarëve të UÇK, komandantëve që janë në Hagë, duke mbërritur deri aty sa të bëjnë dhe dëshmi për krime lufte kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit! Madje dhe zyrtarë të lartë, a thua nuk u ‘dilnin’ ish komandantëve akuzat e serbëve, ku dosjet e Hagës u mbushën me të dhënat e tyre! Madje ngrihesh dhe në detyrë, bëhesh deputet dhe bën karrierë me VV në Kosovë nëse flet kundër luftës, UÇK, akuzon për bashkëpunim me Serbinë deri Ramush Haradinajn, dy vëllezër të të cilit dhanë jetën në luftë, apo deri dhe Thaçin e ish luftëtarët e tjerë! Megjithëse që në kohën e luftës ishin këto simptoma, na e thanë që më 1999, kur deklaronin se ‘katunarët e Drenicës na morëm më qafë, pasi ishim rehat! Mos i ngacmo serbët, s’të ngacmojnë’!
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në mes të Beogradit e përballë Vuçiç, i kërkoi presidentit serb njohjen e Kosovës, pasi pavarësia e saj është realitet i pakthyeshëm dhe i bëri të qartë se Mitrovica dhe Trepça kanë qënë, janë dhe do të mbeten të Kosovës! Ishte kryeministri Rama, të cilin këta të Vetëvendosjes janë dyndur në Tiranë për ta rrëzuar, ai që në mes të Nju Jorkut, në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara kërkoi me zë të lartë njohjen e Kosovës nga ato pak vende që nuk e kanë njohur, duke u përplasur me rusët e serbët! S’foli skutave!
Kryeministri i Shqipërisë, në mes të Strasburgut, në Këshillin e Evropës, kërkoi ndryshimin e raportit të Dick Martyt, dhe çlirimin e Thaçit e ish komandatëve të tjerë nga akuza e krimeve kundër njerëzimit! Madje bëri një rezolutë që ia dërgoi Strasburgut për këtë qëllim, duke marrë kosto mbi vete, pasi iu refuzua darka e thirrur për këtë qëllim në zemër të KiE! Pa përmendur disa rezoluta të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë për këtë qëllim! Pa përjashtuar krijimin e një porti enkas për Kosovën e qarkullimin e mallrave të saj, pa përmendur këtu që të gjitha ambasadat e Shqipërisë në botë, sidomos në vendet që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet, bëjnë punë të dyfishtë, për Shqipërinë dhe për Kosovën! Dhe mbështetje të tjera!
Janë detyrime do të thotë dikush! Po, patjetër dhe Shqipëria i ka kryer detyrimet një më një ndaj Kosovës dhe gjithë shqiptarëve, kudo në hapësirën e tyre në rajon. Madje vende vende pa marrë asnjë faleminderit! Por ndonjë detyrim duhet të kryejë dhe vëllai i vogël Albin, sado mistrec dhe zevzek të jetë?! Aq më tepër s’duhet të marrë mendjen e disa fantazmave që pasi nuk bënë hajr në Shqipëri, po marrin më qafë Kosovën e marrëdhëniet e saj me shtetin amë! Se me SHBA e kanë qelbur! Njëri si neomarkist, tjetra si ithtare greke, sa dhe pushimet e Kurtit tani e disa vjet bëhen vetëm në Greqi, tjetri, si përfaqësues i islamit politik! Duke na marrë fytyrën në Ballkan e botë me këto që bëjnë! E mbi të gjitha, duke e ngritur mosmirënjohjen në institucion!
Unë nuk jam aq optimist sa të them se Kurti nuk di gjë që dy këshilltarët e tij më të ngushtë i ka në Tiranë në organizimin e protestës për rrëzimin e qeverisë së Shqipërisë! Dhe nuk ka komunikuar me ta këto ditë! Për punët e Vetëvendosjes themi! Teksa dhe këshilltarja tjetër apo të tjerët drejtojnë në distancë protestën në Tiranë! Me gjithë makinerinë e baltës! Nuk i kushton gjë që t’i pyesë se çfarë po bëjnë sëpaku në Tiranë, janë në takim me robtë e shtëpisë?! Madje, si gjithë të tjerët jamë shumë i bindur se në Tiranë është fort dora e Albin Kurtit! Me tërë ‘patriotët’ e Vetëvendosjes e VLEN, në përpjekje për të lënë dhe Shqipërinë pa qeveri, pa institucione, pa miq e pa aleatë! Se kjo protesta bërtet fort për shembjen e klasës politike, por nuk thotë asgjë se si do të qeveriset ky vend! Madje dhe organizatorët janë në ilegalitet! Nuk shfaqen në publik!
Dhe në fund të herës, teksa përmenda të gjitha këto që na dalin nga shpirti, thjeshtë e vetëm mund të bëjmë dhe një pyetje tjetër që del po nga shpiri: Ore vëllezër shqiptarë të Vetëvendosjes e VLEN, nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi e deri në Sarajavë, çfarë borxhi ju kemi që po ndërhyni në punët tona, të vëllezërve tuaj në Shqipëri, e po na e nxini jetën në tentativën për destabilizim por dhe po na merrni erzin duke na fëlliqur përballë miqve e aleatëve tanë të mëdhenj?! A ka mundësi të qetësoheni, t’i lini mistrecllëqet, se nuk ua kemi për borxh! Vëllezër, vëllezër, por secili në shtëpi të vet! Sepse vonohet sa vonohet, por nuk përjashtohet karma! Plas shpirti, dhe vëllai ta kthen njëherë ‘nderin’! Sheh rrushi rrushin e piqet!

  •  

Zvërneci u harrua, parti të re jo, çfarë po kërkon kjo protestë?!

Nga Jakin Marena

Protesta në kryeqytet e qytetarëve, prapa të cilës qëndron amalgama e shoqatave ambientaliste e më gjërë, grupeve të interesit të lidhura me fqinjët tanë për shkak të konkurencës, grupeve neomarksiste të Shqipërisë ‘londineze’ dhe të Kurtit, celulat e islamit politik me frymëzim nga Teherani e Sarajeva si dhe axhenda anti-Trump, po hyn në ditën e 20-të dhe nuk po ndalet!

E 20 ditë nuk janë pak për një protestë qytetare, pavarësisht pjesëve përbërëse të saj, ku tashmë kanë futur ‘hundët’ dhe njerëzit e Sali Berishës, ata të neomarksistit Arlind Qori, të lëvizjes së Lapajt dhe partisë së Agron Shehajt, që të formatojë një qëndrim real për qëllimin e këtij tubimi të përnatshëm! E thënë më shqip, çfarë po kërkojnë me këtë ‘xhiron’ e mbrëmjes në kryeqytet?!

Gjithçka nisi për Zvërnecin, ku pas dhunës që dy të ‘pajtuar’ nga kushedi se kush, në sytë e policisë private dhe të policisë shtetit, ushtruan ndaj qytetari, çka shpërtheu protestën në Tiranë! ‘Rastësisht’, personi që u dhunua, e dënojmë pafundësisht dhunën, ‘qëlloi’ që të ishte me shtetësi të dyfishtë, shqiptare e greke. Ai ishte një qytetar me mbiemrin Subashi, shqiptar këndej dhe me emër tjetër në Greqi, por që kjo nuk i pengoi mediat dhe politikën greke që të involvohen në këtë çështje, duke e ndërkombëtarizuar dhe duke i vënë ‘fitilin’ reagimit qytetar në Shqipëri!

Protesta nisi pastaj për mbrojtjen e Flamingove, këtyre zogjve shtegtarë që kanë ardhur vonë në Shqipëri dhe që ushqehen me gjallesa mikroskopike, por që Shqipëri, dhe me nxitjen e një ‘dore’ të padukshme u shkaktua një lëvizje me dëme ‘jo-mikroskopike’, e tashmë po mban vetëm ‘simbolin’ plastik të këtyre zogjve, ku herë herë bëjnë edhe paradë në kryeqytet, të shoqëruar me kolonat zanore të marsheve luftarake! Nuk tremben, sepse nuk janë Flamingo prej vërteti në fakt!

Tashmë Zvërnecit dhe mbrojtjes së Flamingove e Pelikanit Kaçurel i ka mbetur vetëm jehona, pasi protesta e ka ngritur ‘stekën’ e kërkesave shumë shumë lart, madje e ka ngritur në fund fare, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama! Deklarojnë madje se, nuk negociojnë fare!

E marrë në kontekstin e një proteste qytetare, nga përvoja që kemi por dhe nga praktika botërore, si rregull, ekziston një përshkallëzim lëvizjesh nga poshtë lart, dhe jo nga lart poshtë! E themi këtë, sepse protestat qytetare zakonisht nisin me kërkesa lokale, përshkallëzohen me kërkesa kombëtare dhe tërë kompleksiteti i këtyre kërkesave, përmblidhet në ngritjen e një grupi bisedues, për të mos e quajtur negociator pasi tremben këto grupet e veçanta ‘rozë’ të interesit, për t’i bërë presion qeverisë që të realizohen kërkesat e tyre! Këmbëngulja në përcaktimin real të këtyre kërkesave si dhe shkalla e lartë e përfitimit nga ky presion, përcakton suksesin apo dështimin e një proteste qytetare! Kur plotësohen këto kërkesa, ajo tërhiqet dhe ‘shijon’ fitoren! Nëse nuk plotësohen kërkesat, atëherë kërkohet ‘sublimja’, dorëheqja e kryeministrit!

Por në rastin e protestës në Tiranë, nuk po ndodh asgjë sipas një manuali të përcaktuar dhe të ngjashëm me botën demokratike! As arrestimi i dhunuesve në Zvërnec, as vendimi i SPAK dhe GJKKO për bllokimin e parave të pronarit të tokës në Zvërnec, as garancia e dhënë nga Rama për Zvërnecin, garanci e ‘ratifikuar’ nga komisionerja për Zgjerimin në BE Marta Kos dhe dy ditë më parë dhe nga një votim i Parlamentit Evropian, që i vë gjërat në vend, nuk kanë ndikuar tek protesta në Tiranë, çdo pasdite në shesh, bulevard dhe rrugët e kryeqytetit!

Përkundrazi, vijojnë me të njejtin intensitet! Duke kërkuar jo vetëm dorëheqjen e qeverisë Rama, zhdukjen nga politika të PS, por dhe zhdukjen e PD dhe partive të opozitës nga ‘qarkullimi’. Për t’ia dhënë tërë pushtetin popullit, sipas tyre! Pavarësisht se një pjesë e turmës së protestuesve përbëhet nga demokratë, mbështetës, të pakët këta, të Qorit, Lapajt e Shehajt akoma shumë më pak këta, si dhe mbi 1 mijë vetë çdo natë që janë të dërguarit e Albinit me në krye ‘gurunë’ e makinerisë së linçimit, kërcënimit dhe bullizimit dixhital në Kosovë, Elvis Hoxha, shtuar këta islamikët dhe prurjet fqinje për efekt konkurrence, thirrjet për zhdukjen e kësaj klase politike, që e quajnë të ‘vjetër’, kanë vijuar me të njejtën forcë! Madje dhe me thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg”! Anipse demokratët janë acaruar jo pak herë, megjithëse vijojnë të tentojnë të marrin nën kontroll tërë protestën, çka tregon se Berisha ‘gëlltit’ shumë gjëra për interes!

Pra, teksa e kanë ngritur ‘stekën’ e kërkesave kaq lart, duke kërkuar me të parën dorëheqjen e Ramës dhe të qeverisë, largimin e Berishës dhe tërë klasës politike aktuale nga qarkullimi, teksa kanë filluar presionin ndaj drejtësisë së re për të futur në burg të gjithë ata që ka përzgjedhur turma në listën e linçimit dhe burgimit, teksa bëjnë presion ndaj qytetarëve që të mos pinë kafe, të mos hanë darkë, ndoshta të mos as bëjnë seks, por të dalin të gjithë në protestën e tyre, mbetet mister se në dorë të kujt duan ta lënë vendin, pas këtij ‘vakuumi’ politik dhe institucional, të kërkuar me insistim nga organizatorët ‘ilegalë’ të protestës! Duke treguar qartë se nuk kërkojnë mundjen apo mposhtjen e kundërshtarit, sipas tyre të kësj klase poliutike, por përjashtim të tij. Po kërkojnë fitore ‘aforfe’, apo në gjuhën popullore e sportive, fitore në tavolinë, pa ndeshje fare!

Teksa kërkojnë një Shqipëri pa klasën aktuale politike, nuk e dimë vërtetë se çfarë kërkojnë as deputetët e zyrtarët e PD, Qori, Lapaj e Shehaj në protestë pas kësaj, bërthama organizatore e bërë publike deri më tani, këmbëngul se janë kundër daljes me një parti politike nga kjo protestë! Këtë e ka deklaruar aktivistja Luçiana Kokaj, e cila është një prej organizatorëve të protestave që po zhvillohen në Tiranë, dhe që është shprehur qartë se për momentin s’ka ide për krijimin e partive politike. Madje e cilësoi absurditet idenë e krijimit të një force politike nga protestat që po zhvillohen. Luçiana, edhe nëse flet në emër të organizatorëve të vërtetë të protestës, deklaroi se në shesh qytetarët kanë dalë për hallet e tyre dhe për keq-qeverisjen e vendit, teksa shtoi se askush s’duhet të marrë përsipër që të negociojë në emër të protestuesve me kryeministrin Rama.

“Nuk ka për momentin ide për krijimin e partive politike, sepse ky është absurdi më i madh që dëgjojmë. Ne nuk jemi aty për parti politike, nuk jami aty për poste në shtet apo për të negociuar në emër të atyre qytetarëve me qeverinë. Nuk besoj se do të ketë njeri guximin që të thotë se do të negocioj në emër të mijëra njerëzve në shesh. Zëri i mijëra qytetarëve aty ka më shumë vlerë se zëri i një personi të vetëm që s’ka bërë asgjë për Shqipërinë, por ka kontribuar në shpopullimin e vendit”, tha mes të tjerash Kokaj. E me këtë qëndrim duket se janë të gjithë!

Atëherë çfarë kërkojnë në realitet të arrijnë me këtë protestë organizatorët e vërtetë të saj! Zvërnecin nuk e kërkojnë tashmë, s’kanë çfarë kërkojnë në fakt, sepse gjithçka është sqaruar, është garantuar dhe është vetë BE dhe Parlamenti Evropian, ata që e kanë konfirmuar këtë! Pra zogjtë quhen të shpëtuar në lagunë! Po ashtu mbrojtja e atdheut nga ‘shitja’ është e garantuar, pasi Sazani nuk do të shitet. Madje as që është kërkuar të blihet nga askush! Mllefin ndaj qeverisë e kanë shpërshfaqur në mënyrë maksimale. Por dhe mllefin ndaj kryeqytetasve, banorëve të të cilit jo vetëm që ia kanë bllokuar rrugët, duke ua nxirë jetën që nga puna, që nga lëvizja, që nga kafja, që nga lëvizja me makinë ku patjetër duhet t’i bien borisë dhe përshëndesin me ‘urdhër’ protestën, e deri në krevat, pra mllefin ndaj qytetarëve të Tiranës e kanë nxjerrë!

Këtë mllef e kanë nxjerrë ndaj kryeqytetasve edhe duke ua mashtruar fëmijët e tyre të mitur, këtyre baballarëve të ‘pandjeshëm’ tiranas, pra 15-16-17 vjeçarët e kryeqytetit, të cilët i kanë nxjerrë në protestë! Në kundërshtim me të gjitha konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi! Nëse dikush ka kundërshtime për këtë që themi, të hyjë në ‘google’ e të kërkojë fëmijën 13 vjeçar që mban fjalime kundër qeverisë në protestë apo videot me pamje të lëvizjes së fëmijëve e të miturve nëpër kryeqytet, pa prindër! I kanë mësuar keq me një fjalë!

Nuk kërkojnë as krijimin e ndonjë partie politike, por vetëm dorëheqjen e Ramës, Berishës dhe tërë klasës aktuale politike, deri dhe futjen e tyre në burg! Pa gjysh kështu, me vetëm me urdhër rruge! Megjithëse e dinë si dreqi se as Rama, as Berisha e askush tjetër s’jep dorëheqjen, i detyruar nga kjo protestë! Dhe sikur të qëndrojnë në bulevard çdo pasdite pafund, duke i mbijetuar bjerrjes së pjesëmarrjes, ditë pas dite! Atëherë pse këmbëngulin vetëm në një pikë?!

Në krye të herës janë axhendat që diktojnë këtë protestë! Që nga ato anti-Trump, e deri tek ato të fqinjëve tanë për dëmtimin e turizmit në Shqipëri këtë vit, por dhe të investimeve serioze për turizmin, siç është ai në Sazan e Zvërnec nga vëllezërit nga Katari dhe dhëndri e vajza e presidentit Donald Trump! Pastaj janë këto axhendat radikale islamike, neomarkiste, albiniste, iraniane e deri ato anti-semite dhe anti-shqiptare të armiqve tanë, që nuk e duan këtë vend! Kuptohet, janë të interesuar të vijojë kështu protesta, pa organizim dhe rrumpallë, edhe këta influencerët dhe turli ‘gjuetarësh’ të ‘like’ dhe ndjekësve në rrjetet sociale. Punë lekësh dhe për të qënë në qendër të vëmendjes! Janë ngjarje falas!

Të kuptohemi, nuk flasim për ata idealistë që dalin në protestë për hallet e tyre, për gjithçka që i shqetëson dhe që janë në të drejtën e tyre! Nuk flasim as për këta të miturit adoleshentë që dalin për të kërcyer, për të kaluar pasditen andej dhe ‘kullotur’ sytë andej këndej në protestë! Janë pjesa më idealiste e kësaj proteste, të vetmit që e kemi të sigurtë se do të dalin më të zhgënjyerit në këtë mes! Flasim për ata që qëndrojnë në prapaskenë e që kanë axhendë të qartë: tentativën për destabilizimin e vendit, largimin e investimeve të huaja, bërjen e këtij vendi të pajetueshëm dhe mbi gjithçka shkatërrimin e sigurisë në vend, pasi vitin e ardhshëm në Tiranë zhvillohet Samiti i NATO-s. Në Tiranë vjen dhe presidenti amerikan, Donald Trump! Duhet siguri!

Ky me sa duket është qëllimi i vërtetë i organizatorëve të ‘padukshëm’ të kësaj proteste! Prandaj duke parë shuarjen e kauzës së Zvërnecit në Tiranë, këta organizatorë, me mbështetje dhe nga fqinjët tanë apo të tjerë, po tentojnë zgjerimin e protestës dhe në Kakome! Problemi i të cilës, zyrtarisht, është zgjidhur me vendime të formës së prerë shumë kohë më parë. Por për këto axhenda anti-shqiptare, po rikthehet në skenë pas 22 vitesh kjo çështje, teksa bëhet thirrje për protestë dhe atje, nga vetë drejtuesi i një prej sillogjeve politike më ekstremiste siç është Federata Pan-epiriote e ish kandidat për kryetar bashkie në Himarë, Petro Gjikuria! Nuk ka dyshime pas kësaj! Të presim ku do të dalë ‘tymi’! Por dhe të shohim se kush qëndron realisht pas saj!

  •  

Manipulimi i protestës, bllokimi i Rinasit dhe ‘divorci’ i Marjanës

Nga Jakin Marena

Protesta në bulevardin qëndror të kryeqytetit, e cila si çdo natë nis në 18.00 me një numër tepër të paktë pjesëmarrësish, për t’u fryrë me gjimnazistë, nëna me fëmijë, pensionistë e njerëz të tjerë pas dy orësh, ka hyrë në ditën e 16-të këtë të hënë!

Nuk ka ndalim lëvizja e pasdites në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit’ por dhe nëpër rrugica, ndërsa protestuesit e kanë harruar tashmë shkakun se për çfarë janë ngritur në këtë protestë. Nëse krye të herës u ngritën për të mbrojtur Zvërnecin e Rrjollin, tani janë shndërruar në lëvizje që po godet në një pikë, kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama!

Protesta është kthyer në një protestë politike, por me ndryshimin e vetëm se askush nuk po e pranon një gjë të tillë, madje nuk po nxjerr në skenë as lidershipin! Nuk është se nuk e dinë shqiptarët se kush është përzjerë mes këtyre protestuesve, shumica idealistë si vetë adoleshenca, për të marrë sadopak nga entuziasmi rinor e gjimnazor, për ta paraqitur dhe si mbështetje për ta!

Duke filluar me Lapajn, që nisi dikur një protestë para kryeministrisë me dhjetra njerëz anëtarë të partisë së tij, ‘Shqipëria Bëhet’, duke përfunduar më pas në tek pullë në një karrige po përballë kryeministrisë! Edhe tani me njerëzit e tij, është duke tentuar që të rrëmbejë lidershipin e protestës për t’u dukur si parti me mbështetje, por realisht ka përfunduar në periferi të saj!

Duke vijuar me neo-komunistin Arlind Qori, njeriu më konsistent në idenë e tij, atë të shembjes së kapitalizmit, ndërtimit të komunizmit që parashikon nxjerrjen jashtë vendit të investimeve të huaja, mosmarrjen e huave dhe ‘kafërdisjen’ me forcat tona! Si në kohë të Enverit vaktit, për 45 vite me radhë! Ia pamë hajrin, aq sa na katandisi në këtë farë feje që jemi, me një alternativë qeverisëse në opozitë një neokomunist si Arlind Qori që për fat s’ka fare mbështetje, por dhe një komunist të devotshëm si Sali Berisha, ky i fundit në krye të PD dhe opozitës, tash 36 vite!

Dhe meqë jemi tek Berisha, ajo që mund të themi është se ai po tenton fort të privatizojë kupolën drejtuese të protestës, gjë që thuajse e ka arritur! Pasi mori premtimin për vizën e përkohëshme për një udhëtim mjekësor në SHBA, lobimi mbi 6 milionë dollarë bëri punën e vet dhe e prodhoi një vizë të shkurtër, tashmë ka shtrirë ndikimin e vet në të gjithë enët kapilare të protestës! Janë thuajse të gjithë deputetët dhe zyrtarët e tjerë të PD të të gjitha niveleve në këtë protestë, me përjashtim të Berishës dhe Flamur Nokës! Dhe Palokës, të cilit nuk i del koha!

Nuk janë shumë, por ama, kanë depërtuar dhe tek mikrofonët e protestës, mbajnë fjalime, madje dhe flasin në emër të protestës, duke filluar me gazetarët e televizionit të familes dhe përfunduar me kandidatin e pavarur për kryetar të bashkisë së Tiranës, po gazetar i familjes, Florian Binaj! Janë të gjithë në të drejtën e Zotit! Madje dhe Stresi e babai i tij! Për sa kohë nuk bëjnë rrëmujë!

Kreun e “Mundësia’ nuk po e llogarisim, pasi ai po sillet kot nëpër anekset e protestës, pa asnjë ndikim në të! Përfshijmë këtu dhe kryeministrin e vetëshpallur, Pëllumb Pilinci, i cili deklaron se ai i organizon protestat! Meqë jemi te Pilinci, ende nuk e kuptojmë se përse policia bashkiake e Tiranës bllokoi makinën e tij, dhe ende na mundon dilema e fortë, nëse ishte në kundravajtje apo se po i prishte imazhin e mirë protestës rinore nga “Skënderbej’ në bulevardin e kryeqytetit?!

Nga ana tjetër, mbetemi sërish në qëndrimin se Shqipëria, pa dëshirën e saj, është përfshirë në një konflikt të pakërkuar ideologjik mes të majtës në SHBA dhe presidentit Donald Trump dhe familjes së tij! Vajza Ivanka e dhëndri Jarend Kushner, në kohën kur presidenti aktual amerikan më shumë ‘anonte’ nga hyrja në burg se sa nga rikthimi në Presidencë, kishte aq shumë akuza në kurriz dhe as që mendohej zgjedhja e tij në krye të SHBA, kishin shfaqur interes për të investuar në ishullin e Sazanit dhe në Zvërnec! Bashkë me një konsorcium të dy vëllezërve nga Katari! Shfaqur interes themi, sepse deri më tani s’ka asnjë projekt të shkruar dhe përfunduar, po punohet për të, por gjë e shkruar ende nuk është paraqitur, jo më të jetë firmosur!

Konflikti i pakërkuar mes të majtëve në SHBA dhe Trump u zhvendos në Shqipëri, ku papritmas u shfaq interesi i tyre për flamingot që ‘drekojnë’ në lagunat tona, pasi qëndrojnë inkonjito, si të gjithë zogjtë shtegtarë për të gjithë ata që nuk e dinë, sepse zog autokton që nuk e luan b**ën nga Shqipëria ne kemi shqiponjën, e kemi simbol kombëtar për hir të Zotit, madje dhe me dy krena!

Pa përjashtuar këtu dhe përplasjen mes Evropës dhe Trump për gjithçka, duhet të nënvizojmë se pavarësisht garancisë së dhënë nga vendet anëtare të BE, duke filluar nga Gjermania e deri tek Spanja, se anëtarësimi do të realizohet deri në vitin 2030, duhet edhe të pranojmë edhe faktin tjetër se nuk kemi jo vetëm luksin por as takatin që të kundërshtojmë aleatin tonë të madh, SHBA-të, në të gjitha iniciativat e saj! Përfshirë dhe Bordin e Paqes, pjesëmarrje të cilën nuk e kundërshtonim dot! Ka qënë gjithnjë pranë nesh SHBA, që me mbrojtjen e shtetit të parë shqiptar, si dhe me çlirimin e mbështetjen finale për ngritjen e shtetit të dytë shqiptar në Ballkan, Kosovën! Kemi dhe detyrime dreqi e mori, s’bëhet gjaku ujë. Vetëm Enveri vaktit s’pyeste për Amerikën dhe të gjithë e dimë si u katandisëm!
Por në këtë protestë janë përzierë dhe iranianët me të gjithë mbështetësit e tyre islamikë, shihet ‘larmia’ e tyre deri në kapje foltoreje dhe në bulevardin qëndror të kryeqytetit, në përpjekjen spekuluese për t’i dhënë zë luftës së tyre kundër Izraelit, deri dhe manipulime të tilla duke hedhur lajme të rreme të mbështetura me pamje të manipuluara për krijimin e të ashtuquajturave ‘enklava izraelite’ në Vlorë e vende të tjera si dhe publikimin e hartave të rrejshme me flamurin izraelit në tërësinë territoriale të Shqipërisë! Pa përjashtuar publikimin non stop të protestave, madje të shumëfishuara me AI, deri dhe të sajuara me bllokimin e bregdetit! Fundja dhe mediat perëndimore, ato anti-Trump themi, protestat po i japin live, pavarësisht se nuk i akuzojmë se kanë manipuluar me to! Gazetarët dhe mediat kanë bërë punën e tyre, thjeshtë po evidentojmë këtë interesin e papritur, për të paraqitur Shqipërinë si vend anti-Trump dhe anti-SHBA!

Dhe meqë jemi tek mbështetja e gjithë axhendës anti-Trump të protestës, nuk mund të lëmë pa përmendur edhe pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Albin Kurtit, si përfaqësuesi tipik anti-amerikan kundër gjithçkaje amerikane, në organizimin e saj! Ka marrë përsipër diçka dhe ai! Përpos këtyre fantazmave që ka dërguar në terren që nga Elvis Hoxha, i cili nënvizojmë se ka gjetur bashkë me Dejona Mihalin ‘parajsën’ pranë Albinit, përpos atyre 1 mijë vetave që ka dërguar me autobusë dhe me 200 makina në mbështetje të protestës anti-amerikane në Shqipëri, ndihmesa më e madhe e Kurtit për protestën ka qënë vënia në dizpozicion të protestës e të gjithë makinerisë baltosëse online e mediatike të përdorur në zgjedhjet e fundit kundër kundërshtarëve politikë në Kosovë.

Janë të njejtët emra të rremë me adresa të rreme që ‘burojnë’ nga të gjitha qendrat e kryeqendrat evropiane, që komentojnë e linçojnë këdo që kritikon sadopak protestën, që kërcënojnë ata që dalin kundër protestës, që përdorin të njejtin fjalor për patriotizmën e deri thirrje për Albinin që të jetë në krye të Shqipërisë, që përdorin të njejtën kategori kërcënimesh për këdo që del kundër protestës! Madje dhe dalja e një pjese të protestuesve pranë çdo kafeneje e apeli ndaj qytetarëve, ‘ngrihuni nga kafja’, për të gjithë ata që po prehin kockat me familjet e tyre pas një pune të lodhshme të ditës, janë ide të Albinit! “Testin’ e ka bërë në Kosovë ai! Që herët!

Në këtë protestë kanë ndikimin e tyre të fortë dhe vendet fqinje, dhe mbi të gjitha Greqia! Është çështje biznesi, dhe ngritja me 4.5 miliardë dollarë e njërit prej resorteve më të mëdhenj në Mesdhe, siç pritet të jetë investimi i Sazanit dhe i Zvërnecit, ka ngjallur shqetësim dhe xhelozi! Është çështje konkurence, pasi mund të thithë një pjesë të caktuar të turizmit dhe parasë, që deri më tani ka shkuar në Greqi! Pra thith atë që quhet turizëm elitar, pa bukë me vete, me një fjalë!
I përmendëm të gjitha këto, për të treguar se protesta, është një konglomerat interesash dhe për pasojë dhe me qëndra drejtimi të ndryshme, çka e bën të dyshimtë axhendën e tyre nga dita në ditë! Kjo u pa dhe në mbrëmjen e së dielës, ku protesta pasi përfundoi ‘adetet’ në bulevardin përballë kryeministrisë, nisi ‘xhiron’ e tejzgjatur, nëpër unazën e Tiranës dhe më pas, në mënyrë të papritur pushtoi rrugën e Durrësit për të dalë në autostradën Tiranë-Durrës e për të tentuar mbërritjen në ambientet e të vetmit aeroport ndërkombëtar shqiptar, atë të “Nënë Terezës”!
Pa llogaritur faktin se bllokimi i autostradës solli një trafik të çmendur, krijoi radhë të gjata deri në disa kilometra me makina, ajo që ‘dhembi’ më shumë ishte bllokimi i qytetarëve, vendas dhe të huaj, të cilët do të merrnin avionët e linjës për të lëvizur jashtë vendit përmes aeroportit të Rinasit! Humbën avionin me një fjalë, dhe për më tepër nuk kanë kujt t’i drejtohen, pasi jo vetëm që humbën punën për të cilën ishin nisur, por dhe paratë që kanë paguar! Kush i kompenson ata?
Udhëtimi drejt Rinasit u ndërpre nga policia! Duke qënë se aeroporti “Nënë Tereza” është objekt strategjik i një rëndësie të veçantë për Sigurinë Kombëtare, për mbrojtjen e saj mund të ndërhyjë deri dhe Ushtria, forcat e policisë bllokuan marshimin e protestuesve në drejtim të aeroportit, i bllokuan në një vend ku nuk sillnin problem, megjithëse dëmi ishte bërë tashmë për një pjesë të udhëtarëve jashtë vendit që mbetën të bllokuar. Pasi policia u bëri thirrje që të shpërndahen, për hir të së vërtetës pjesa më e madhe e tyre u ftilluan pas bllokimit dhe këtë gjë e deklaruan me zë të lartë se ishin manipuluar në këtë ndërmarrje aspak ligjore dhe aspak dinjitoze! Përmendën dhe emra nga organizatorët e protestës, të cilët kishin bërë thirrje për të marshuar drejt aeroportit, pavarësisht se ata të zënë ngushtë justifikohen me ‘futjen e sabotatorëve brenda protestës’! Madje dhe organet ligjzbatuese kanë nisur thirrjen në seanca pyetjesh këta organizatorë!

I përmendëm të gjitha këto për të treguar se sa e lehtë është që të manipulohen protestuesit nga ky grup organizator, i cili ende mbetet një mister dhe vepron në ilegalitet të plotë! Mjafton një thirrje pa identifikim ndaj turmës, dhe protestuesit drejtohen drejt rrugëve nacionale duke i bllokuar ato e deri tek aeroporti i vetëm ndërkombëtar shqiptar, “Nënë Tereza”, apo larg qoftë nesër nëpër selitë e partive politike, zyrave të shtetit e deri tek shtëpitë e politikanëve kryesorë, duke vënë nën kërcënim dhe rrezik jetët e familjarëve të tyre nga turmat pa kokë që e lëvizin sa andej këndej! Prandaj themi se dikush duhet t’i dalë zot kësaj proteste, pasi nuk dihet se kush po e lëviz atë masë amorfe! Aq më tepër që pjesa më e madhe e pjesëmarrësve janë adoleshentë e fëmijë, të cilët manipulohen lehtë, për axhenda aspak në favor të Shqipërisë dhe shqiptarëve! Kjo protestë përpos e manipuluar në elementë të caktuar, duket se është dhe ‘kontaminuar’, parë dhe nga këndvështrimi i deklaratave, kërcënimeve dhe lincimeve të helmëta që lëshojnë!

Duhet të bëhen publikë organizatorët, jo se nuk dihen! Dhe të mos i bien kot më qafë gazetarit Marin Mema, i cili me sa duket gjendet në atë vorbull si padashje. Gjendet mes nevojës për të vijuar emisionin që ka në TV, është i shkëlqyer ky emision, pavarësisht kostos së lartë financiare që kërkon për ta mbajtur, dhe pamundësisë për të kundërshtuar situatën e papritur në të cilën ai gjendet, atë të protagonizmit! Shijon ai i bekuar protagonizëm! Megjithëse është distancuar!
Ajo që mund të themi është se dihen emër për emër organizatorët. Mos të bëjmë sikur nuk dihen nga gazetarët! Mësohet se dhe nga institucionet ligjzbatuese, janë identifikuar të gjithë ata që kanë devijuar protestën në këto akte paligjshmërie! Sidomos në këto 3 ditët e fundit, protesta ka devijuar rëndë në shinat e paligjshmërisë, teksa janë shfaqur personazhe me maska, si dhe ka thirrje për ekzekutime me vdekje të politikanëve, zyrtarëve dhe analistëve mediatikë të caktuar.
Ka dhe thirrje për rrethimin e SPAK për të mos e lënë asnjë prokuror që të dalë jashtë godinës, nëse nuk realizohen axhendat e tyre për të arrestuar të gjithë ata që turma e protestuesve, ditë pas dite ka vënë në listë, me betimin se do të dërgohen pa gjyq në burg! Ndërkohë që në shkelje të ligjit, tashmë nga turma e protestuesve ka nisur edhe bllokimi i akseve kryesore në Tiranë, duke e bërë kështu të domosdoshme ndërhyrjen e policisë dhe të strukturave të tjera ligjzbatuese. Sipas dhe këshillave të studentëve serbë, ‘veteranëve’ të protestës anti-Vuçiç. Janë publikuar komunikimet në media, kanë dhe emra partnerët në Shqipëri! I gjeni kollaj!
Si organizatorë të protestës dhe përgjegjës për veprime të paligjshme janë identifikuar shumë e shumë punonjës të shoqatave që qarkullojnë dhe ‘konsumojnë’ miliona euro fonde të BE, janë dhe disa bankierë të dyshuar për pastrim parash, pavarësisht shkallës së lartë të inteligjencës që kanë shfaqur në rininë e tyre të hershme. Ka shumë ish zyrtarë të shkarkuar dhe të arrestuar për korrupsion në të gjitha qeverisjet, personazhe të dyshuar për krime kibernetike, punonjës të mediave të familjes Berisha, personazhe të skeduar për krime seksuale, biznesmenë që nuk paguajnë taksa në shtet, por dhe përfaqësues OJQ që kanë humbur financimin nga SHBA për shkak të një firme të Trump, njerëz të frustuar e në moshë madhore nga këto rrjetet ballkanike!

Organet ligjzbatuese kanë identifikuar edhe një grup tjetër personash, me emër dhe mbiemër, si të ‘importuar’ nga jashtë. Bëhet fjalë për njerëz të lidhur me Albin Kurtin, personazhe të tjerë të skeduar si lidhje të errëta me qarqet greke e të dyshuar të tjerë për lidhje me shërbime jo partnere si dhe të vendeve armike. Në bashkëpunim, mësohet se institucionet ligjzbatuese shqiptare, po punojnë për dokumentimin e veprimtarisë të secilit të dyshuar, ku pritet të ketë veprime sipas ligjeve shqiptare në fuqi! Heshtja e organeve ligjzbatuese deri më tani ka qënë për shumë arsye, mes të cilave, evidentimi e dokumentimi i shkeljeve dhe personave përgjegjës, dhe mbi të gjitha prania e madhe e fëmijëve dhe e adoleshentëve në protestë, pjesa më e madhe e të cilëve ende s’e kanë mbushur moshën e votimit, e për pasojë nuk mbajnë përgjegjësi për veprimet që bëjnë!

Dhe meqë jemi tek bllokimi i rrugëve jetike në vend deri tek aeroporti i Rinasit nga protestuesit, ajo që nuk mund të kalojë pa u përmendur lajmi që dhe ka entuziasmuar fort protestuesit, është akti i ‘zhbllokimit’ të deputetës Marjana Koçeku, e dalë nga lista e sigurtë dhe e mbyllur e kandidatëve për deputetë të PS në qarkun e Shkodrës. Madje ishte e para në listë e emri i saj s’është votuar, është votuar vetëm sigla e PS! E cila u ‘divorcua’ nga grupi parlamentar i PS!
Marjana dha lajmin se doli deputete e pavarur që nga mbrëmja e ditës së dielë! E njohur ndryshe edhe si ‘Neomalësorja’, në kulmin e protestës, e cila kërkon dorëheqjen e kryeministrit dhe kreut të partisë së saj, deri mbërmjen e së dielës, Edi Rama, Koçeku njoftoi papritur largimin nga grupi parlamentar i PS. Nuk dihen tamam tamam arsyet që e çuan deputeten drejt këtij ‘divorci’ politik me PS-në, por në një postim në rrjetet sociale ajo njoftoi se do të jetë deputete e pavarur.

Këtë qëndrim “Neomalësorja” e argumentoi shkurt, duke thënë se idealet dhe vlerat e saj, janë ato që i ka pasur para se të bashkohej me një parti politike dhe që i diktojnë edhe kufijtë tani. “Prej sot jam deputete e pamvarun. Idealet e vlerat e mia janë ato që i kam pasë e i kam shprehë qysh para se me u asociu me nji parti. Ato m’i diftojnë kufijtë”, shkruan ajo.

Prandaj themi se Marjana u ‘zbbllokua’ duke dalë jashtë kufijve të PS, me të cilën ishte asociuar më herët, duke mbetur në kufijtë e saj! Pavarësisht se nga PS, elementë të caktuar brenda saj, i kanë kërkuar të dorëzojë mandatin e deputetit pasi është votuar sigla e PS dhe jo ajo si kryesuese e listës së mbyllur në Shkodër, dorëzimi i mandatit të deputetit mbetet në dinjitetin e vetë Marjanës! Megjithëse grupi i PS nuk e diskutoi ikjen e Marjanës, por dhe vetëe Marjana i ka këputur një mbyllje telefoni dhe nuk përgjigjet fare! Poston ndonjë ‘emoji’ me Flamingo e kaq!

Nëse i referohemi deklaratës saj për daljen jashtë grupit të PS e ‘divorcit’ me partinë që qeveris vendin, pra rikthim në kufijtë e saj, lë për të kuptuar se mandati i deputetit është një ‘kostum’ i tepërt për Marjanën, është një ‘dhuratë’ e partisë në radhët e të cilës nuk dëshiron të jetë më. Ky ‘kostum’ që nga mbrëmja e së dielës, çdo sekondë e më tepër që e mban, i rri shumë keq, pasi s’është më për trupin e saj. Madje po del sikur ia kanë veshur me zor ditën e zgjedhjeve dhe i rri shumë keq! Por rëndësi ka që Marjana u rikthye në habitatin e vet, u ‘zhbllokua’ nga ‘zinxhirët’ e PS, pasi kishte mbetur e ‘bllokuar’ në një ‘trup’ tjetër politik, në një trup të huaj për të, si PS!

Marjana të bëjë dhe një sforco të vogël e të çlirohet tamam, të dorëzojë atë mandatin e deputetit! Apo nuk e pranojnë pa mandat këta ‘padronët’ e rinj, ata që drejtojnë protestën?! Do t’ju ‘bënte punë’ më shumë pa këtë ‘kostumin’ e PS, partisë që duhet të nxirret me patjetër, bashkë me PD jashtë skenës politike, sipas tyre! Të shohim! Robi rron për pak dinjitet, një çikë erz siç thuhet, që malësorët për hir të së vërtetës, e kanë me shumicë! Ndoshta Marjana do ishte rasti i radhës!

  •  

Axhenda anti-Trump, Berisha në ‘liridalje’ dhe ambasadori i ri i SHBA

Nga Jakin Marena

Protesta e qytetarëve, e cila filloi për mbrojtjen e Flamingove, Pelikanit Kaqurel dhe zogjve të tjerë në Zvërnec dhe po vijon me axhenda të tjera, nga ato politike për rrëzimin e Ramës dhe futjen në burg bashkë me Berishën e deri te ato anti-investim të huaj, anti-kapitalizëm në tërësi, anti-Trump, anti-SHBA, anti-semite dhe islamike, vijon të refuzojë çdo negociatë me qeverinë!

Ka një konglomerat axhendash, idesh dhe grupimesh që mblidhen në bulevardin qëndror të kryeqytetit, për hir të së vërtetës duhet pranuar se janë të qeta por janë dhe në të drejtën e tyre për t’u tubuar, por që për gati dy javë me radhë po vijojnë pa ndërprerje! E mbi të gjitha po vijojnë deri më tani bashkë, me gjithë fërkimet e sporadike mes grupimeve të caktuara, duke filluar nga ato të partive të vogla të Qorit, Lapaj e Shehut, e deri tek përplasjet me protestuesit e PD, të cilët e ngritën një ‘oktavë’ më lart zërin, teksa dërguan në protestë Stresin bashkë me të atin e grupin që i shoqëronte, me dy gishtat lart! Si qytetarë ishin në protestë sipas pretendimit të tyre! Pavarësisht se kishte kontestime për ta. Fundja kontestime kishin dhe për një të ri që kishte nxjerrë në shëtitje qenin, derisa e dëbuan! Me këta të PD s’para ‘kruhen’ shumë për fatin e tyre!

Teksa lufta hibride vijon me kapacitet të plotë, me përfshirjen dhe të vetë qeverisë iraniane, teksa vijojnë replikat e kryeministrit Rama jo vetëm me iranianët por me të gjithë ata që po tentojnë të dëmtojnë imazhin e Shqipërisë në botë, duke dëmtuar turizmin në radhë të parë si dhe investimet e mëdha të huaja në vend, përfshirë dhe ato në Sazan e Zvërnec, me pjesëmarrjen dhe të vajzës e dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump, teksa tentojnë të dëmtojnë procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, protesta në Tiranë s’ndalet por vijon me një ‘pult komandimi’ sekret!

Pavarësisht interesimit të mediave, pavarësisht kërkesës së pjesës më të madhe të protestuesve, të cilët kërkojnë deri dhe krijimin e një Kuvendi kombëtar për të ndërmarrë hapat e mëtejshëm deri në një rezultat përfundimtar, sipas tyre qëllimi është rrëzimi i qeverisë e i kësaj klase politike dhe marrja në dorë nga vetë rinia të fateve të vendit, bërthama e organizimit vijon të jetë pa emër! Askush nuk merr përsipër të dalë në publik, duke e zhytur akoma më shumë në mister axhendën reale dhe qëllimin final të këtij grupimi që qëndron në ilegalitet, teksa janë nxitur dhe teoritë konspirative! Të cilat nuk po i përmendim! Publikohen lista me emra në fakt ditë pas dite si pjesë e grupit nismëtar, duke përfshirë dhe nga Kosova, që nga Ron Gjonovci e deri tek Shkëlzen Gashi e këshilltari i Kurtit, Elvis Hoxha, por gjithshka përgënjeshtrohet brenda disa minutave!

Teksa kërkohet nga qytetarët në bulevard transparencë për të gjitha vendimet e qeverisë, anulimin e të gjitha vendimeve të ndërmarra deri më tani dhe zhbërjen e tërë sistemit politik, në ditën e 14-të të protestës qytetare, protesta nuk ka asnjë lloj transparence se nga kush drejtohet. Nuk shtyhemi thjeshtë nga kurioziteti për të ditur emrin e liderit apo pjesëtarëve të grupit që bën lidershipin e kësaj proteste! Për hir të së vërtetës pak a shumë emrat dihen, që nga bankierë, gazetarë me qendër në Tiranë apo diku jashtë vendit, ndonjë këshilltar nga përtej Atlantikut apo ndonjë ish zyrtar i lartë nga Vendet e Ulta të Evropit, pa përjashtuar të ‘deleguarit’ e Albinit, që sillen si fantazma nëpër bulevardin qëndror të kryeqytetit, për ‘ti vënë punët në vijë’ siç i ka vënë Albini në Kosovë, këtu e tre vite pa qeveri e institucione dhe izolim ndërkombëtar, e deri tek influencerë, për habi nuk ka hallexhinj të Zvërnecit në grupimin kryesor drejtues, por ama shqiptarët duhet të dinë se kujt ti besojnë ‘vakancën’ që kërkojnë, që referuar kutit të protestuesve do të krijohet pas largimit të politikës së vjetër dhe sistemit aktual politik!

Sepse shqiptarët kanë arritur në atë farë pike reflektimi dhe qytetarie, ka të shkolluar dhe këtu në Shqipëri e jashtë vendit, të cilët nuk bëjnë influencerin por që kontribuojnë me mënyrën e tyre për të ardhmen e këtij vendi pa qënë në protestë, pra kanë arritur në atë shkallë ndërgjegjësimi shqiptarët sa për të kuptuar se asgjë nuk bëhet sipas parimit ‘e ndryshojmë njëherë, pastaj shohim e bëjmë, dhe atëherë do të zbardhet lidershipi që do të marrë në dorë fatet e vendit’! Shqiptarët kanë kalamaj, kanë prindër dhe familjarë të tjerë, të cilët nuk mund ta çojnë as nëpër mend që t’i lënë kaq lirë dhe badihava në dorë të një grupi misterioz që po lëviz fijet e protestës, në një rast hipotetik! Qofshin dhe më të mirët e botës, apo me qëllimin më të mirë dhe më brilant për shqiptarët e Shqipërinë, por që nuk mund të flasin asesi në emër të shqiptarëve! Të paktën të votohen njëherë, dhe shalqiri blihet me provë!

Është shumë për të besuar kështu verbërisht, në mënyrë indirekte dhe pa i parë gjërat me sy e pa i peshuar të gjithë elementët që vërtitën sot e kësaj dite në lojën politike! Qoftë dhe armiku më i egër i Ramës, Berishës dhe tërë klasës politike, kërkon një çikë garanci, dhe si garanci kërkon që lideri apo grupi drejtues i protestës të jetë si ‘kolateral’ politik i lënë në ‘bankën e sigurisë politike’, për të qënë pika ku nesër të drejtohen, nëse diçka nuk shkon sipas parashikimit!

Mungesa e një lidershipi, paqartësia e kërkesave dhe mbi të gjitha tendenca për të dalë jashtë kontrollit përmes thirrjeve anti Trump, anti-amerikane, anti-semite, anti-kapitalizëm me metoda marksiste, kërcënimet ndaj çdo mendimi ndryshe apo kundër protestës, e pasuar kjo me linçimin e kërcënimet non stop të kritikëve të caktuar dhe familjarëve të tyre në rrjetet sociale, si dhe përvetësimi i axhendës së protestës nga ana e iranianëve, të majtëve radikale e deri të fqinjëve tanë konkurrentë në turizëm, ka rritur mosbesimin ndaj tyre dhe axhendës që përfaqësojnë! Pasi në Shqipëri, në të vetmin vend të rajonit që ka stabilitet e siguri, vitin e ardhshëm zhvillohet samiti i NATO-s, me pjesëmarrjen dhe të vetë presidentit amerikan, Donald Trump!

Një situatë e tillë pa rrugë dhe pa krye e kësaj proteste, me sa duket ka ftilluar dhe axhendat politike në vendet anëtare të BE dhe mbi të gjitha në SHBA, që ta shohim më me seriozitet këtë situatë për të arritur në konkluzionin se Shqipëria është shumë e vogël dhe nuk e ka takatin për ta mbajtur një përplasjeje të linjave politike mes vendeve dhe për të qënë ‘sheshi i betejës’ ku mund të përplasen axhendat e të majtës ekstreme anti-Trump nga SHBA e Evropa! Sepse ne nuk na llogarit kush për hir të së vërtetës! Madje dhe kryeministri Edi Rama, teksa është shprehur në festën e 35 vjetorit të themelimit të PS se reagimet ndërkombëtare për protestat që kundërshtojnë investimin në Zvërnec, janë një luftë politike e ideologjike që nuk i takon Shqipërisë.

Duke përmendur deklaratën e senatorit demokrat amerikan, bëhet fjalë për Sanders i cili shquhet si një përfaqësues i ekstremit të majtë brenda demokratëve amerikanë, Rama tha se interesi i senatorit është lufta ndaj presidentit Trump dhe jo Zvërneci, apo dëmtimi i mjedisit. Pasi sipas Ramës, nëse ndonjë senator amerikan do të ishte i interesuar për mbrojtjen e natyrës apo të drejtës së pronës, do të kishte reaguar më parë për protestat që kundërshtojnë resortin që do të ndërtohet në Rrjoll, duke nënvizuar se ‘tani kanë çfarë kanë të tjerët me Presidentin e SHBA, nuk mund ta importojnë në Shqipëri dhe mbi të gjitha nuk mund të përdorin shqiptarët si mish për top. Nuk mund t’i përdorin shqiptarët që shqiptarët t’i dalin kundër vetes, t’i dalin kundër të ardhmes, t’i dalin kundër rrugëve të rritjes mirëqenies”.

Njëherësh, kryeministri Rama reagoi dhe këtë të shtunë, teksa nënvizoi se “fakti është se po bie pak e nga pak histeria ndërkombëtare e rrjeteve sociale, e cila nuk ka asnjë lidhje me natyrën e Shqipërisë, me Zvërnecin a me flamingot e Nartës, por ushqehet nga kundërshtira ideologjike të sojsoshme, ku padyshim kundërshtia ndaj Presidentit amerikan është kryesorja fare – se ndryshe dyshoj shumë që një ndërkombëtar i vetëm do të merrej me një projekt zhvillimi turistik në Shqipëri. E s’ka si ndodh ndryshe, do bjerë pak e nga pak, sepse Shqipëria është një shesh shumë i vogël për përsheshin global anti-Trump”!

Pra bëhet fjalë për axhenda ideologjike të luftës politike në vende të tjera, qofshin këto dhe vendet aleate tonat, por që ishte një luftë e cila nuk na takon ne, nuk është e jona! Dhe për më tepër, shoqatat mjedisore, me sa dimë ne nuk protestojnë nëpër kryeqtetet larg lagunave dhe baltës që përmbajnë ato, por pikërisht në vendngjarje! Dhe nëse nuk përtojnë apo nuk kanë frikë se bëhen me baltë, le të shkojnë në Zvërnec apo në Rrjoll, të protestojnë paqësisht për atë që kanë në mendje, të vendosin dhe lule e të bëjnë shëtitje bregut të detit në Lagunë apo në zonën e Rrjollit, por me kushin që të mos dhunojnë policinë, të mos linçojnë forcat e rendit, pronarët apo bizneset! Këtu në Tiranë, për hir të së vërtetës, nuk është ‘lufta jonë’ kjo përpjekje e tyre kundër investimeve të huaja dhe nuk bëjmë mëkat nëse deklarohemi se jemi kundër! Prandaj jemi në demokraci! Nëse duan ta ngrenë nivelin në luftë politike, të zgjedhin grupin nismëtar, të bëjnë partinë dhe të zgjedhin liderin! Fundja ‘kryeministrin’ Pilinci aty e kanë, të gatshëm që të marrë detyrën! Është vetëshpallur kryeministër ai, lëviz me truporoja, e në cep të trotuarit rri çdo natë!

Ndërkohë shqiptarët në shumicë janë pozicionuar fort pro SHBA e pro BE, pavarësisht se kush është në krye tek aleatët tanë të mëdhenj! Pasi Amerika dhe Evropa, si me drejtues të majtë ashtu dhe të djathtë, të njejtën gjë ka bërë: Ka qënë në mbrojtje të shqiptarëve, me pikë kulminante bombardimin e Beogradit, çlirimin e Kosovës dhe mbështetjen e shtetit më të ri shqiptar në Evropë, Kosovën! E nisën republikanët e Bushit plak në SHBA me ‘vijën e kuqe’ për serbët, e vijuan demokratët me Klinton me bombardimin e çlirimin e Kosovës dhe e përmbyllën me republikanët me Bushin e ri, që mbështeti zyrtarisht shpalljen e pavarësisë! Kështu dhe Evropa!

Aleatët tanë veprojnë me qetësi e pa ngutje, në lidhje me qëndrimin ndaj protestës amalgamë në Tiranë, e cila është në ditën e 14-të, teksa nuk shohin askënd që të dalë e të marrë përgjegjësinë e organizimit të saj! Dhe mesazhet amerikane e evropiane jepen me sinjale, veprime dhe deklarata, pa përmendur protestën! Kështu ndodhi me dhënien e vizës për Berishën, anipse nuk i është hequr ‘non grata’, e cila nuk do t’i hiqet kurrë me sa shihet! Mori thjeshtë një vizë të shkurtër dhe të përkohshme për një vizitë mjekësore, ka ndonjë ftohje apo do të bëhet ndonjë vizitë më e thelluar për majasallin ose dhe për trutë, pak rëndësi ka!
Viza për Berishën ngjan më atë ‘liridaljen’ që merrnin ushtarët në kohën e karantinës, disaditore dhe më pas riktheheshin sërish në territorin e repartit, duke mbajtur veshur uniformën ushtarake! Dhe Berisha do të mbajë sërish të veshur ‘kostumin’ e non gratës nga SHBA e Britania, pa e hequr kurrë deri sa të shkojë tek i Plotfuqishim! Ndoshta, protestat anti-Trump e prodhuan dhe këtë sinjal, me Berishën në ‘liridalje’! Po ashtu dhe gjermanët, teksa shefi i diplomacisë deklaroi mbështetjen pa ekuivok për Shqipërinë në BE! Pikërisht në të njejtën ditë u dhanë këto sinjale të qarta, të cilët duhen lexuar nga ata që qëndrojnë në prapaskenë të protestës e po na marrin erzin!

Pasi është një luks i tepërt që bota demokratike të lejojë krijimin e një vatre të re konflikti në Shqipëri e Ballkan, për disa flamingo që pretendohet se rrezikohen dhe që janë harruar që ditën e dytë të protestës, apo për një zemërim qytetar që mendohet se është krijuar ndaj qeverisë dhe opozitës e deri te axhendat e konkurencës rajonale për turizëm, luftës hibridë iraniane, përplasjes së majtistëve e goditjet ndaj Trump e familjes së tij! E thënë më thjeshtë, kjo protestë, megjithëse elementët e bukur që ka pasur brenda saj por edhe linçimin e fortë ndaj kritikëve dhe çdo zëri kundër, nuk ka bindur jo vetëm shqiptarët por as partnerët tanë ndërkombëtarë, që nga SHBA e deri te vendet e anëtare të BE e Britania e Madhe, madje as ‘sponsorët’! Përkundrazi!

Për më tepër që artikulimi në këtë protestë, ata që janë artikuluar, ka lënë shumë për të dëshiruar, pasi fillohet me futjen në burg apriori të liderëve të politikës pa pyetur gjykatat e drejtësinë, për të cilat kjo protestë ka kërkuar që të shkrihen, e deri kërcënimet me vdekje të liderëve aktualë politikë, shkrirjen e politikës aktuale në tërësi, pa pasur në axhendë deri më tani asnjë emër apo grup emrash që do të marrin në dorë fatet e vendit! Thuhet se do ta marrë populli në dorë qeverisjen, është utopi! Eshtë një film i parë që herët nga shqiptarët dhe aleatët tanë të mëdhenj! Kështu ka qënë dhe Partia Komuniste, në ilegalitet në kohën e Luftës së Dytë Botërore! Populli njihte vetën Spiro Moisiun si drejtues të luftës, aleatët me atë komunikonin, ndërsa Enver Hoxha as që njihej. Ishte komisar politik! PKSH ishte në ilegalitet, por që luajti fijet në prapaskenë teksa vrau e dëboi të gjithë rivalët politikë. Dhe në zgjedhjet e 1945-sës pala fituese u përfaqësua nga Fronti Demokratik, jo nga PKSH! Deri në vitin 1948 kështu vijoi, komunistët në ilegalitet!

Shqiptarët u ‘dogjën’ nga drejtimi me ‘pult sekret’ i komunistëve, pa i njohur ata, dhe vuajtën nën izolim e diktaturë për 45 vite me radhë! Po ashtu dhe aleatët u ‘dogjën’ me shqiptarët! Eshtë shumë e vështirë që historia të përsëritet dy herë njëlloj! Ndaj dyshojmë që ‘valvulat’ e shkarkimit u ‘liruan’ dhe për Berishën! I cili deklaroi se u hoq non grata, megjithëse rezulton ende në faqen zyrtare të DASH si i tillë familjarisht! Dhe një gjë e tillë nuk është aspak e mirë as për protestën dhe as për PD-në dhe opozitën, të cilët janë të detyuar të kenë si të ardhmen e tyre, Sali Berishën, deri sa të vdesë! Me afat trashëgimie tek familjarët dhe pas vdekjes!

Ndërkohë që këtë javë pritet të vijë ambasadori i ri amerikan, gjeneralit në pension Eric Wendti emëruar nga Trump, pikërisht nga Presidenti, betejën ndaj të cilit palët ideologjike e kanë zhvendosur në Tiranë, duke përdorur protestën për Zvërnecin si ‘kavie’ të eksperimetit të tyre, për qëllime politike! Mbetet mister se çfarë përmban ‘valixhja diplomatike’ që sjell me vete ambasadori i ri amerikan! Por e sigurtë është se ai nuk ka kurrfarë axhende anti-Trump! Përkundrazi, është në mbrojtje të vendit të vet dhe të Presidentit të vet!

  •  

Zogjtë e revolucionit, beteja për lidershipin dhe Berisha në prapaskenë

Nga Jakin Marena

Dua të sqarohem që në fillim të herës, për të qenë korrekt me veten dhe lexuesin, në lidhje me përdorimin e fjalës “zogjtë’ që në titull, në opinionin tim për protestat e qytetarëve në Tiranë, por dhe në rrethe!

Meqënëse shoqatat ambientaliste dhe ato tjerat që s’po ua përmend emrin, si zanafillë të ngritjes në protestë, përpos tërheqjes zvarrë të banorit në Zvërnec nga dy të pajtuar nga kushedi se kush për të ushtruar dhunë pasi nuk ishin pjesë e rojeve private të kompanisë, preteksti ky, ishte dhe mbrojtja e Flamingove, Pelikanit Kaqurrel, të shapkave të veçanta si dhe zogjve të tjerë në këtë ligatinë, i përmblodha në një emër, “Zogu” apo “zogjtë’. Pasi nëse përmendim Flamingot ngjyrë rozë, përpos keqkuptimeve për përdorimin e tyre si simbol, do t’i mbetej ‘hatri’ dhe Pelikanit Kaqurrel dhe zogjve të tjerë!

Duke ditur si buka që hamë, që mbi 90 përqind e atyre që protestojnë nuk e kanë parë asnjëherë Flamingon nga afër, këtë zog shtegtar që vetëm para disa viteve u duk edhe në vendin tonë, në fillim u duk në lagunën e Karavastasë, e dha deputeti Braçe asokohe lajmin e mirë për të por dhe për Pelikanin Kaçurel, e pastaj në Zvërnec, madje jemi të bindur se po mbi 90% e protestuesve nuk e dinë se me çfarë ushqehen Flamingot, ajo që mund të themi është se kjo protestë është përtej hallit të disa shoqatave ambientaliste! Të cilat për hir të së vërtetës, pavarësisht dëmit që i sjellin vendit me krijimin e një klime tensioni në këtë kohë turizmi dhe investimesh madhore, në fund të herës e kanë për detyrë të protestojnë në mbrojtje të mjedisit! Marrin goxha financime për këtë! Të kuptohemi, si në të gjithë botën, edhe në Shqipëri, këta aktivistë janë në luftë me qeveritë dhe institucionet për mbrojtjen e ideve të tyre për habitatin, të cilin marrin në mbrojtje!

Nuk u hyj fare këtyre as këtyre teorive konspirative për shërbime sekrete që po përpiqen të ‘gllabërojnë’ Shqipërinë, të zhbëjnë Shqipërinë si shtet! Aspak nuk e ka ndërmend askush ta bëjë një gjë të tillë! Përkundrazi, Shqipërinë e duan të jetë ekzistenciale, por pa asnjë zhvillim! E duan të “virgjër’, pa investime, një eksperiment në mes të Ballkanit. Siç ishte në kohën e Enverit! Ndoshta dhe për në kohë më të hershme, ‘gjthi’ do ishte zgjidhja më e drejtë për njerëzimin, pa tymra, pa fabrika moderne madje as pa fabrika tezgjahu, leshi apo pambuku që mund të ndotnin ambientin! Pasi ne jemi të ekstremit për gjithçka, e duam në limite fare atë që mbrojmë!

Vendet e rajonit tonë kanë atë të ‘bekuar’ konkurrencë për turizmin, zhvillimin dhe lëvizjen e epiqendrës rajonale sa në një vend, në tjetrin. E frika se një investimi prej 4.5 miliardë dollarësh në Zvërnec dhe Sazan, ku investitor përpos vëllezërve biznesmenë nga Katari janë dhe vajza e dhëndri i preferuar i Donald Trump, Ivanka Trump e Jared Kushner, mund ta kthejë Shqipërinë në qendër të turizmit e sigurisë në rajon, ka bërë që të aktivizohen ‘sensorët’ e këtyre vendeve fqinje dhe në Shqipëri! Për ta zhbërë këtë investim madhor, pasi përpos të tjerash një investim amerikan tregon dhe besim e siguri për vendin tonë. Për më tepër që hap rrugën për investime të tjera të mëdha, në energji, minerale dhe naftë! Dhe në Shqipëri janë në ‘habitatin’ fqinjët tanë, gjejnë me ‘okë’ njerëz të tillë për t’i vënë nën shërbim, madje lirë apo falas fare!

Nuk është e re, pasi dhe vetë mediat por dhe politikanë të Athinës janë shprehur kundër këtij investimi, kanë pranuar se është një investim madhor që dizbalancon turizmin në Greqi. Goditja ka shkuar deri në emetimin e lajmeve se ky investim amerikan i planifikuar në Shqipëri mund të shkojë në ishujt grekë, ku sipas këtyre lajmeve bëhet fjalë për ishullin Mikonos, pasi në mënyrë hipotetike hamendësojnë atë që dëshirojnë, tërheqjen e Kushner nga projekti dhe zhvendosja në Greqi, për ta ‘shkatërruar’ fare atë, e thënë kjo me kutin e aktivistëve tanë këty në Shqipëri! Në Greqi, nuk e kanë fshehur as mbështetjen për protestat në Tiranë, as nisjen e autobusëve plot me emigrantë, dhe as ato protestat në Athinë para ambasadës sonë, me pjesëmarrjen e hallexhinjve shqiptarë emigrantë, grekë dhe palestinezë, në ‘mbrojtje’ të Zvërnecit tonë! “Digjen’ fare për ne!

Në bulevardin qëndror të kryeqytetit në protestë marrin pjesë kategori të ndryshme njerëzish! Në vend të parë, kështu duam dhe ne ta evidentojmë, janë ata që janë të shqetësuar realisht për çfarë ndodh në Shqipëri! Që nga ambienti dhe halle të tjera! Këta janë të rinj, të reja, studentë dhe qytetarë që protestojnë për vete dhe mirë bëjnë! Ndërsa futesh në ‘thellësi’ të protestës, përbërja e saj është tepër heterogjene! Teksa sheh pankartat që shfaqin, thirrjet që aplifikojnë dhe përmes altoporlantëve, aty sheh thirrje që vijnë që nga ‘thellësia’ e luftës së Dytë Botërore ‘Shqipëria e shqiptarëve, vdekje e tradhëtarëve’. Dihet burimi i saj pasi në organizim shihet shumë aktiv ish nënkryetari i Partisë Balli Kombëtar, i konvertuar në konspiracionist i madh të cilit bota i duket e sheshtë, pra shesh e do vendin, si Fred Cako!

Në protestë dëgjon dhe thirrje të harruara në kohë, që përdoreshin në kohën e Fatos Nanos së ndjerë në vitet 1998-2005, por me ndryshim emri, “Edi Rama, ka maru ka maru…’! Këto parulla, e sigurtë që janë fryt i ‘memorjes’ së PD, e cila ka pasur dhe ka njerëzit e saj në protestë! Që nga Këlliçi e deri tek Alizoti e Klevis Balliu! Madje duke bërë dhe thirrje për pjesëmarrje masive të demokratëve, ku vetë kreu i PD, Berisha ka bërë ‘pirueta’ brenda disa ditësh, herë ishte pro projektit të Kushner dhe arabëve në Zvërnec e Sazan dhe herë kundër! Duke rimarrë pozicionin sot pro protestës për të kërkuar përmes saj, realizimin e ëndrrës së tij në ‘sirtar’ për 13 vite me radhë, qeverinë teknike! Të cilët zor se e merr për shumë e shumë arsye!

Ndërkohë që ‘shkëlqejnë’ me pjesëmarrjen e tyre dhe tre ‘musketjerët’ e partive të vogla në opozitë, përkatësisht Arlind Qori i “Lëvizja Bashkë’, Agron Shehaj i “Mundësia’ dhe Adriatik Lapaj i “Shqipëria Bëhet”! Të cilët lëvizin, sillen dhe deklarohen sikur ata të jenë ‘pronarë’ të protestës! ‘Vibrojnë’ dhe me sloganet e tyre, që nga ato marksiste që kërkojnë një Shqipëri pa investime të huaja e pa kapitalizëm e deri tek kauzat mobile, që lëvizin sipas ‘erës’ dhe kahjes së protestës! Por që janë të gjithë dyshues ndaj njëri tjetrit! Ka dhe kryetarë partish fantazmë, ‘gjuetarë’ të çdo proteste dhe lëvizjeje në bulevard, të cilët kanë vetëm një anëtar, por dhe vetë nuk votojnë për partitë e tyre! Nuk po ua përmendim emrat, për të mos lodhur lexuesin!

Nuk kishte si të mungonte dhe ‘bërthama’ drejtuese nga ‘vëllai’ i vogël! Pasi në protestë, grupimit i bashkohen dhe grupi i strukturuar i Vetëvendosjes nga Kosova, i cili thërret se duhet Albin Kurti kryetar i të dy shteteve shqiptare! Për të izoluar dhe Shqipërinë me një fjalë, pasi Kosova vijon në krizë prej gati dy vitesh dhe e izoluar, vetëm e vetëm se Albini, megjithëse herë i ka dhe herë nuk i ka votat, nuk denjon të qeverisë shtetin e dytë shqiptar në Evropë! Siç mund të ndodhë me shumë gjasa dhe pas zgjedhjeve të ditës së dielë, teksa vendi për shkak të kokëfortësisë së Albinit mund të shkojë në zgjedhje sërisht në vjeshtë! E kështu me radhë!

Ka dhe thirrje të tilla “Rama e Berisha në burg”, thirrje për mbrojtjen e zogjve, si dhe ‘meme’ me të vërtetë interesante për nga shkalla e konceptimit, e deri në kërkesën për themelimin e një partie të re, që të bëhet nga ambientalistët, por dhe nga shoqatat e tjera si dhe të rinjtë, thirrje të cilave u shtohen dhe ato kundër Trump e Amerikës! Parë në këndvështrimin e ngushtë, këto shoqatat kanë të ‘drejtë’ të jenë kundër Trump dhe familjes së tij, jo pse i bashkohen trendit të ndarjes së botës përgjysmë, në pro e kundër presidentit aktual amerikan, por sepse Trump ka firmosur ca urdhëra të ‘nxehtë’, mes të cilëve dhe ndërprerjen e financimeve ndaj të gjitha këtyre shoqatave nëpër botë! Përfshirë dhe ato shqiptare. Eshtë dhe interes personal ky, Trump u ka ‘fikur derën’! Pra, s’ka lidhje me ‘virgjërinë’ e Zvërnecit, të cilin shprehen dhe protestojnë se duan ta ruajnë patjetër! Të paprekur me një fjalë, një ‘Safari’ në Shqipëri, për zogj shtegtarë, ngjashëm me ‘Safarin’ në Afrikë, por me një ndryshim, atje shumica e kafshëve dhe gjallesave nuk janë migratore, shihen gjatë gjithë vitit! Dhe ka hapësira të gjëra, ku ka të lësh e të marrësh!

Ka dhe nga ata të cilët kanë shkuar në protestë për të shfryrë dufin e tyre, ndaj gjithçkaje, që nga sharja me libër shpie dhe me një fjalor aspak dinjitoz, të kryeministrit Rama, e deri tek fjalori i fiksuar dhe në pankarta, i cili bën të ulin kokën dhe shumica e protestuesve që jan ë me të vërtetë seriozë! Me Berishën nuk e ‘kruajnë’ në fakt, i ‘sygjestionon’ ai me sa duket! Ka dhe panelistë, përfaqësues të biznesve, që janë borxh deri në grykë te tatimet, bankat e kudo ku kanë marrë para! Ka dhe influencerë e blogerë që ‘luftojnë’ për ndjekës, apo persona që duan të jenë gjithnjë në qendër të vëmendjes! Ka nga të gjithë ky lloj që paraqiten si shpëtimtarë të kombit! Por që asesi nuk mund të triumfojë alternativa “t.q.r” që u shpalos në protestë, pasi të gjithë shqiptarët në përgjithësi që kur lindin, lindin me këtë alternativë gati! Dhe janë pak më të frikshëm ata që nuk bërtasin podiumeve, të cilët rrezikojnë gjithnjë ta zbatojnë këtë alternativë në heshtje! Ata të podiumeve, thjeshtë i bëjnë pjesëmarrësit të ulin kokën nga turpi, pasi ‘qeni që leh s’të ha’!

Ka dhe përfaqësues të islamit radikal, që dalin me maska në protestë, kanë pankarta kundër Izraelit dhe pro Iranit e Palestinës, lëshojnë thirrje anti-semite duke na marrë erzin kudo në botë dhe duke u përpjekur të zhbëjnë arritjen në luftën e dytë botërore kur përballë represionit nazist, shqiptarët morën në mbrojtje hebrejtë! Ky fluks islamik vjen nga ‘Rruga e Kavajës’, i mbështetur nga ndonjë shoqatë anti-semite, si dhe nga Kosova, e vende të tjera të rajonit, deri në Sanxhak, Bosnje, Beograd dhe më gjërë! Ka dhe mbështetës nga Greqia për protestën dhe kjo kuptohet, janë në ‘mbrojtje’ të turizmit të tyre e shfrytëzojnë shqiptarët! Prandaj themi që protesta tashmë i ka kaluar ‘caqet’ e Zvërnecit dhe ambientit, duke kërkuar rrëzimin e qeverisë e anulimin e disa vendimeve dhe ligjeve të miratuara nga Parlamenti! Dhe në krye të herës, anulimin e projektit të Zvërnecit dhe Sazanit, investim i madh i arabëve nga Katari dhe i Kushner e Ivanka Trump!

Pra ka një kakofoni kërkesash, idesh, lëvizjesh e përfaqësimi, normale për një protestë qytetare, por që në fund të herës, realiteti duhet të triumfojë, pasi një protestë pa kokë dhe pa qëllim final, aq më tepër pa fund, nuk arrin të formësojë asgjë, përkundrazi do të shuhet aq shpejt sikurse nisi! Duhet një lidership të cilit duhet t’i drejtohen institucionet për të dëgjuar kërkesat e tyre apo dhe gazetarët, ata që s’janë bashkuar me protestën, për të marrë ndonjë prononcim.

Ndoshta duhet lidershipi që dhe ta kanalizojë këtë protestë në një parti politike, apo në një lëvizje ambientaliste apo islamike nëse përputhet me ligjin, balliste apo konspiracioniste! Si të jetë më e lehtë për t’u bërë, por ama duhet një lidership, pasi deri më tani nuk kemi parë në protestë një bërthamë organizatore! Duke ngjallur dhe keqkuptime, ndoshta dhe të panevojshme! Sepse nëse vijon kështu do të mbeten në rrugë duke bërë xhiro e duke u rrudhur përditë! Thjeshtë do të kthehet në bezdi por dhe argëtim nëpër rrjetet sociale, pasi kanë shpërthyer ‘meme’-et dhe adresat e rreme! Siç ka ndodhur me opozitën e drejtuar nga Basha, e tani nga Berisha! Të paktën Basha këndonte himnin kombëtar, para flamurit me shqiponjën dykrenare, ndërsa tani ka thirrje para Flamingos!

Por ajo që shihet me sy të lirë, është fakti se tre partitë e reja opozitare, që kanë dhe deputetë në Kuvend, 4 të tillë gjithsej, Qori, Lapaj e Shehaj po përpiqen për të marrë drejtimin e protestës! Dhe deri diku ia kanë arritur, pasi kanë nisur të bëjnë përzgjedhjen e njerëzve që do të flasin, të parullave e të thirrjeve anti-kapitalizëm, anti-Trump, anti-Ramë, anti-Berishë dhe për gjithçka! Kjo ka sjellë shqetësim dhe tek organizatorët fillestarë të protestës, të cilët po tentojnë t’i mbajnë sa më larg, por pa rezultat! Madje dhe konspiracionisti ballist, Cako është shqetësuar shumë nga prania e Qorit, teksa është shprehur se Arlind Qori është një nga njerëzit kryesorë që manipulon protestën, duke shtuar se bashkëshortja e tij ka pasur në dorë fondet e Sorosit. Eshtë përzierë dhe Salianji, bashkë me mbështetësit e tij që kërkojnë të dominojnë, duke shfrytëzuar mungesën e një qëndrimi zyrtar të PD deri më tani, në mbështetje të protestës!

Duke parë këtë ‘intervenim’ të partive të reja, Berisha ka lëshuar alarmin për të kapur lidershipin e protestës e për të mbajtur aq sa mund të mbajë për PD-në! Ka krijuar dhe një pol tjetër proteste me tribunë vetjake ku i bën thirrje turmës për rrëzimin e Ramës! Janë bërë ambientalistë dhe demokratët, duke filluar nga Këlliçi, e vijuar me Alizotin, Klevis Balliun dhe deputetë e zyrtarë të tjerë të PD! Madje protestën e Shkodrës e ‘privatizuan’ fare, duke zhdukur Berishën nga burgu dhe lënë vetëm Ramën! Nuk pretendohet të shkojnë Noka apo Strazimiri në protestë, pasi gjuha e ashpër e tyre këto ditë kundër protestës, e përjashton një gjë të tillë! Do të bëhej nami!

Ndërsa Berisha qëndron në prapaskenë, po lëviz fijet, për ta dominuar lidershipin e protestës, gjë që po ia arrin pak e nga pak, përmes njerëzve të tij që kanë marrë në dorë frenat vende vende! Madje po lëshojnë thirrje më të ashpra se vetë protestuesit më kamikazë, po ndërhyjnë dhe në rrjetet sociale, duke qënë në të njejtin ‘nivel’ fyerjesh ndaj kundërshtarëve të protestës, me ata që kanë marrë ‘flamurin’ për këtë punë! Kanë paraqitur si paketë ndryshimet ligjore dhe 4 kërkesa e protestuesve të artikuluar kështu në mënyrë klandestine, paketë ligjore që përfshin: Shfuqizimin e ligjit për Investimet Strategjike, shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për Zonat e Mbrojtura, shfuqizimin e ligjit për Paketën e Maleve, shfuqizimin e disa dispozitave në ligjin për Trashëgiminë Kulturore. Të cilat ndoshta janë artikuluar nga vetë përfaqësuesit e PD në protestë, për t’i paraqitur në emër të protestës së qytetarëve!

Pra, përtej numrave pjesëmarrës në protestë, përtej parullave, thirrjeve për rrëzimin e qeverisë, përtej kërcënimeve për burgosjen e politikanëve aktualë pa gjyq, përtej mbrojtjes së ambientit apo zhbërjerjes së projektit turistik në Zvërnec dhe Sazan, përtej thirrje anti-Trump, anti-semite dhe pro Kurtit apo Palestinës e Iranit, ‘beteja’ e vërtetë që po zhvillohet brenda kësaj proteste, është ajo e marrjes së lidershipit të saj! Prandaj po kërkohet me insistim krijimi i një partie politike. Ia kanë ‘gjetur’ dhe emrin, “Shqipëria e re” e “Partia e Bulevardit’, për të amortizuar ‘intervenimin’ e partive opozitare dhe mbi të gjitha të Berishës dhe PD, të cilët po kapitalizojnë ditë pas dite këtë protestë! E nisur si protestë qytetare!

Zgjatja pafund e protestës, me indikacione nga jashtë e nga brenda, pa një kokë publike drejtuese e akoma më tepër pa një lidership dhe një lider real e funksional, me thirrje kërcënuese ndaj kujtdo që mendon kundër tyre, me thirrje për burg dhe jakobinizëm ndaj popullatës indiferente, duke shkuar kafe më kafe e derë më derë dhe kërcënuar, rrezikon që kjo lëvizje e nisur si qytetare të tjetërsohet dhe të kapitalizohet pikërisht nga ai, Sali Berisha, ‘baba dhe nëna’ e molotovit, dhunës dhe vrasjeve politike, të cilin një pjesë e protestuesve e duan në burg bashkë me Ramën!

Megjithëse sharjet me libër shpie ndaj tij kanë munguar, janë vetëm për Ramën! Berisha nuk duron aty dhe këtë e dinë aktivistët, panelistët, albinistët, të ardhurit nga rajoni e deri këta radikalët e podiumëve të alternativës “t.q.r”, që nuk dinë shumë fjalë, vetëm ato të ndyrat, sa kanë tmerruar gratë e kalamajtë që janë pjesë e protestës, një pjesë e të cilëve po reagojnë! Rreziku është real për protestën, dhe mund të dështojë ky revolucioni i “zogjve’, i nisur për të rrëzuar Ramën por që mund të forcojë në krye të opozitës Berishën! I cili dihet sa mbështetje reale ka, në ballafaqimet elektorale! ‘Bërthama’ qytetare e aktiviste e protestës është dobësuar!

  •  

Patriotizmi i Zvërnecit u ‘shua’ nga Athina. Hetim i rrezikshëm nga SPAK?!

Nga Jakin Marena

Protestat jashtë partive politike për një vend normal dhe demokratik janë gjë e mirë, janë shëndet demokracie dhe mbi të gjitha ndikojnë fort në mirëqeverisjen e vendit! Nga cilido grupim që organizohet dhe në drejtim të cilësdo qeverie, pavarësisht kahjeve, i drejtohet!

Edhe protesta për Zvërnecin, parë në planin ‘macro’, është një zhvillim pozitiv, për shkak se partitë e mëdha janë mbajtur larg këtij tubimi! Pavarësisht zanafillës nga një veprim ordiner i një polici privat, që shkoi deri në gomarllëk me atë veprimin e panevojshëm, e drejta për të protestuar është një aset i jashtëzakonshëm demokratik!
Dhe një protestë e kryen misionin e vet, pas realizimit të kërkesave për të cilat ishin nisur që në krye të herës!

Qeveria nga ana e saj i mori masat, u hoqi licensat kompanive private, policia shkarkoi gjithë zinxhirin komandues të policisë së Vlorës, këtë grup sehirxhinjsh të cilët nuk ndërhynë kur po dhunohej një qytetar që po protestonte! Prokuroria e bëri punën e vet, e dërgoi në gjykatë personin që ushtroi dhunë dhe kjo e fundit e la në arrest! Deri këtu në rregull!

Por pikërisht atëherë kur mendohej se gjithçka po shkonte drejt normalizimit, filluan të dalin në dritë axhenda të tjera, të një konglomerati grupesh, grupimesh, shoqatash e deri ndërhyrje nga bota e fqinjësisë së ‘mirë’, e cila kurrë nuk e harron vesin, për t’u ankuar deri në Parlamentin Evropian se po ‘rrëmbehn pronat e minoritetit grek në “Zvërnec”! Për të mirën e tonë po përpiqet, për të mbrojtur territorin shqiptar, sikurse thotë!

Protesta u zhvendos në Tiranë, një protestë masive që drejtohej kryesisht nga shoqëria civile dhe në pamje të parë me disa marksistë nëpër të, sa për të ‘prishur syrin e keq’, por për axhendën e tyre politike të luftës ndaj çdo investimi të huaj në Shqipëri, me pretendimin se po shitet e blihet vendi tek ‘kapitalizmi gjakpirës’. Ndërsa shqiptarët, për këta marksistë, minimumi duhet të jenë si në kohën e Enver Hoxhës që i ndaloi me ligj huatë dhe investimet e huaja, dhe maksimumi për të ruajtur vendin nga grabitja dhe mjedisin nga ndotja, të përdornin gjethin për të mbuluar pjesët intime të trupit! Deri këtu arrihet!

Tashmë sloganet ndryshuan, ndërsa kërkesat u rritën dhe gjithë shigjetat u drejtuan tek investimi i madh i huaj prej 4.5 miliardë dollarësh në Zvërnec! Nga një ndër kompanitë më të mëdha në botë, jo izraelite sikurse kishin marrë dhenë legjendat urbane por një bashkëpunim mes një biznesi të fuqishëm nga Katari dhe Jared Kushner e Invanka Trump, dhëndri e vajza e preferuar e presidentit amerikan, Donald Trump!

Rrallë herë ishin përputhur interesat ekonomike dhe në shërbim të turizmit elitar shqiptar përmes kompanive të mëdha botërore që hidhnin lekë në Shqipëri, dhe interesave strategjike, të bashkëpunimit me aleatët tanë të mëdhenj! Investim amerikan ky! Pikërisht këtu me sa duket lindi dhe reagimi, ku u përzien bashkë xhelozia shqiptare dhe ballkanike, inati shqiptar dhe sponsorizimi ballkanik, e akoma më larg deri rus, vetëm e vetëm për ta zhbërë këtë investim dhe për të realizuar si herët e tjera zhvendosjen e tij në vendet fqinje! Shembujt janë të kohëve të fundit, ku në vitin 2006 një investim i planifikuar në Durrës u zhvendos në Malin e Zi dhe herën tjetër investimi i Kakomesë përfundoi diku tjetër, po te fqinjët tanë! Gjysma e tij më saktë!

Me gjithë sqarimet direkte të kryeministri Edi Rama, i cili tha se ende nuk ka një projekt, por po përpunohet në disa studio të mëdha, si dhe të gjitha sqarimet e tjera se çdo gjë po operohet sipas ligjit dhe në funksion të përfitimit të shtetit shqiptar, me gjithë faktin se toka është me titull pronësie këtu e mbi 25 vite dhe për më tepër nuk është goditur asnjëherë në gjykatë nga banorët apo dikush tjetër, sërish protesta vijoi nën thirrjet ‘Shqipëria d’është në shitje’ e gjëra të tjera të këtij lloji! E drejtë e tyre protesta, e shoqatave dhe grupeve të interesit! Madje dhe e marksistëve!

Por kori i patriotizmës, normale për një shoqëri ballkanike sikurse është ajo shqiptare, pësoi disa ‘njolla’ të errëta, të cilat nuk kaluan pa u vënë re! Në fillim u përzie Athina zyrtare, e cila reagoi për një shtetas të saj në Shqipëri, i cili ishte dhunuar nga polici privat! Mirë bëri, pasi personi në fjalë kishte dhe shtetësi shqiptare por dhe shtetësi greke! Ama deklarata se po preken homogjenët grekë në Zvërnec dhe po u merren pronat e tyre nga qeveria, habiti jo vetëm shqiptarët por dhe vetë minoritarët, të cilët e dinë se janë të shtrirë poshtë Vlorës, dhe jo sipër saj!

Pastaj i vuri ‘vulën’ progonatasi i greqizuar Fredi Bejleri, këtyre u duhet bërë testi i ADN-së pasi jemi në kohëra të tjera tashmë dhe teknologjia ka përparuar për të parë se çfarë gjaku kanë, i cili si eurodeputet grek që është, u ankua në PE se po dhunohen grekët etnikë në Zvërnec dhe po u merren pronat nga qeveria shqiptare! Por dhe deklaratat e ish kryeministrit Tsipras!

Ndërkohë që u zbulua dhe identiteti i personit të dhunuar nga polici privar, me shtetësi greke dhe shqiptare. Eduart Subashi quhej personi i dhunuar nga rojet private gjatë protestës në Zvërnec, i cili u shpreh se si qytetar i Vlorës kishte dalë për të kërkuar të drejtën e tij, për një pronë që tha se e zotëron me dokumenta. Pronën e kishte marrë me ligjin 7501 për tokën teksa ai pretendoi publikisht se donte që të përfshihej në investim dhe toka e tij! Për të fituar ndonjë lek me një fjalë dhe ai! Gjithsesi dhuna nuk justifikohet ndaj tij, ajo ishte e rëndë dhe duhet dënuar!

Por ama, përfshirja e mediave greke në tërë këtë punë, e rrjeteve ballkanike të mediave, me qendër këtej nga veriu i Ballkanit, dhe mbi të gjitha furnizimi i protestës dhe me njerëz të ardhur me autobusë nga Athina, na duket sikur e njollosën këtë protestë! E cila për hir të së vërtetës do ta kishte fuqinë më të madhe nëse do të bëhej në Zvërnec! Për më tepër që mbërritja e mbështetjes deri dhe nga serbët e Mitrovicës së Veriut, u panë në mesin e turmës që lëvizte nga Ministria e Brendshme deri tek Kryeministria, dukej qartë akcenti i tyre i shqipes, aq sa si me urdhër flisnin vetëm përmes një ‘përkthyesi’ nga Tirana, i cili shpjegonte se ishin shqiptarë të shqetësuar për shitjen e vendit!

Duke qënë se nuk duam t’i besojmë këto teoritë konspirative, me spiunë rusë në mes të turmës së protestuesve në bulevardin qëndror të kryeqytetit apo deri sarajevas e malazias, thjeshtë po i përmbahemi asaj që kemi parë dhe asaj që është shfaqur publike, për të evidentuar faktin se patriotizma e organizatorëve të protestës për Zvërnecin u shua që në momentin e hyrjes së autobusëve me protestues nga Greqia, që me thirrjet anti-Trump dhe anti- investim të huaj në Shqipëri, që me përfshirjen e marksistëve në këtë axhendë si dhe të ndonjë deputeti të PD tek tuk, fjala është për ish prokurorin Arjan Ndoja, që ‘lëviz’ me mandatin e deputetit të PD në xhep.

Përzierja e kaq shumë axhendave ballkanike për një investim sipas rregullave në një cep të Shqipërisë, si në Zvërnec, tregon qartë se për shkak të xhelozisë, për shkak të parave të hedhura apo për shkak të inateve personale ndaj njëri tjetrit, po rrezikon fort një investim të huaj prej 4.5 miliardë dollarësh, që do ta rendisë Shqipërinë në majën e turizmit në Ballkan!

Dhe nuk e themi vetëm ne që këto kauza, kryesisht mjedisore po rrezikojnë Shqipërinë dhe vetë Ballkanin! Institute for Democracy and Electoral Assistance në raportin e tij të vitit 2025 për Ballkanin Perëndimor, ka dokumentuar se aktorë të huaj të lidhur me interesa ruse dhe rajonale shfrytëzojnë rregullisht temat mjedisore, etnike dhe kulturore për të koordinuar fushata dezinformimi në vende si Shqipëria, Maqedonia e Veriut e Mali i Zi.

Mjedisi, sipas raportit, është bërë një nga vektorët më të preferuar, sepse mobilizon emocione legjitime të qytetarëve dhe e bën shumë të vështirë dallimin midis aktivizmit autentik dhe operacioneve të orkestruara. Në analizën e janarit 2026, ky institut identifikon si “sinjale paralajmëruese të hershme” pikërisht ato modele që sot po vërejmë në debatin publik dhe që përfshijnë, video të prodhuara në cilësi profesionale që qarkullojnë në mënyrë koordinuese, narrativa “patriotike” që paraqiten si spontane, por që shfaqen njëkohësisht në disa portale, dhe presion i organizuar mbi institucione e zyrtarë.

“Objektivi qendror i ndikimit rus në Shqipëri nuk është të zhvendosë besnikërinë publike, por të gërryejë besimin institucional. Për këtë arsye, përpjekjet e dezinformimit përqendrohen në paraqitjen e qeverisë si tërësisht të korruptuar, të reformave si kozmetike ose të rreme dhe të procesit të integrimit në BE si të pandershëm ose të kotë. Qëllimi nuk është mobilizimi masiv, por erozioni i qetë: prodhimi gradual i cinizmit, lodhjes dhe shkëputjes qytetare.

Duke amplifikuar mangësi reale të qeverisjes në dëshmi të kalbëzimit sistemik dhe duke i kornizuar proceset e ngadalta ose komplekse të reformës si mashtrim i qëllimshëm, këto narrativa synojnë të minojnë besimin në procedurat demokratike dhe të dobësojnë durimin publik ndaj procesit të anëtarësimit. Në këtë mënyrë, ato synojnë të vonojnë ose të ndërlikojnë politikisht trajektoren përndryshe shumë të përshpejtuar të integrimit të Shqipërisë në BE”, thuhet në raportin e këtij instituti!
Njëherësh, nënvizohet se çrregullimet kibernetike dhe teknike luajnë një rol mbështetës në këtë mjedis.

Incidentet e të dhënave, rrjedhjet, manipulimi i platformave ose ndërhyrjet digjitale janë më pak për dëme të menjëhershme dhe më shumë për të përforcuar narrativën e disfunksionit- se institucionet nuk janë të besueshme, proceset janë të errëta e shteti është ose i paaftë ose i kapur.

Sinjalet e hershme paralajmëruese në këtë kontekst përfshijnë valë të papritura dezinformimi të lidhura me raportet e progresit të BE ose me momente kyçe reformash, narrativa të koordinuara që i paraqesin reformat si të inskenuara ose mashtruese; rrjedhje të dhënash ose incidente kibernetike të kornizuara si prova të kolapsit sistemik; dhe një përputhje në rritje midis indinjatës antikorrupsion dhe cinizmit anti-integrim.

Cenueshmëria e Shqipërisë, pra, nuk qëndron në drejtimin nga i cili mund të kthehet, por në faktin nëse ajo mund të ruajë besimin publik mjaftueshëm gjatë për të përfunduar një proces transformimi kërkues dhe politikisht të kushtueshëm.

Pra e thënë më shqip, nuk bëhet fjalë për një ‘bythë vend’ atje në Zvërnec, që po penalizon ‘këngën’ e pelikanëve dhe zogjve të tjerë, se këto janë të garantuara, apo se po preket greku me emrin e ‘homogjenit’ Subash, të dhunuar padrejtësisht nga një polic privat, i cili kurrë mos daltë nga burgu! Bëhet fjalë për bllokimin e investimeve të mëdha në Shqipëri, shfaqja e vendit tonë si i pasigurtë për këto investime dhe për pasojë zhbërja e këtij vendi! Kjo duhet pasur kujdes!

Aq më tepër që mendojmë se paraqet një rrezik akoma më të madh shtrirja e ‘krahut’ nga ana e SPAK, i cili ka sekuestruar llogarinë bankare të kompanisë investuese si dhe bllokuar transaksionit, që mund të rezultojë tërësisht arbitrar dhe negativ, me pasoja për investimet e huaja në vend! Jo të mos hetojë, por të mos bllokojë të paktën! Me një vendim të habitshëm, E themi këtë sepse SPAK ka vënë nën sekuestro preventive, llogaritë bankare të ‘Albania Land Development’, kompania e cila zotërohet nga dy sipërmarrësit e njohur nga Katari, vëllezërit Moutaz e Ramez Al-Khayyat, të cilët kanë parashikuar të investojnë së bashku me Jared Kushner-in, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, në ndërtimin e një resorti luksoz në Zvërnec.

Janë 4.5 miliardë dollarë investim i huaj, nuk është shaka! Dhe ky vendim i SPAK është një thikë me dy presa që rrezikon investimin, pasi hetimi në rregull, por bllokimi i llogarive bankare të bizmesmenëve të mëdhenj të huaj, ende pa filluar investimi, është rrezik!

  •  

Berisha ‘dridh’ Enverin, gati t’ia thyejë rekordin si ‘Sekretar i Parë’

Nga Jakin Marena

Sali Berisha, nga 23 maji i këtij viti e deri në vitin 2030 do të jetë kryetari i ri i PD! U nis për t’u zgjedhur sipas parimit ‘një anëtar, një votë’, vijoi me thirrjet për një votëbesim për kreun e ri demokrat dhe përfundoi me një ‘referendum’ për të të përjetësuar Berishën në krye të PD!

Praktikisht Berisha, tashmë 82 vjeç, është jo vetëm kreu më i vjetër i një partie të djathtë, futni dhe partitë e majta e të qendrës këtu po deshët, në të gjithë botën, nuk flasim për kryetarë fisesh apo mbajtës kurore mbretërore, por është dhe kryetari më jetëgjatë në krye të një partie politike!

Teksa ka deklaruar se zgjedhja e tij ‘do ta lërë pa gjumë Edi Ramën deri në vitin 2030’, kohë që përkon dhe me zgjedhjet e përgjithshme parlamentare më 2029, që për Berishën me sa duket që tani janë të fituara nga PS dhe Edi Rama, Doktorit i bie që të mbushë plot 40 vite në krye të PD.

Të ishte fjala për fitore të njëpasnjëshme në garat e elektorale hajde de, falet! Pasi, në literaturën politike kudo në botë, partia është bashkim vullnetesh të lira të anëtarësisë për një qëllim të përbashkët, ndërsa kryetari zgjidhet nga këta vullnet-lirë për të sjellë partinë në pushtet dhe për të implementuar programin e alternativën e kësaj partie, në qeverisjen e vendit!

Një kryetar partie që fiton zgjedhjet parlamentare apo dhe vendore, nuk mund të futet në për votim me një kandidat rival, për të zgjedhur një kryetar të ri! Ai largohet vetëm nëse dëshiron vetë të tërhiqet në jetën private, duke udhëhequr një ‘rotacion’ të qetë në parti dhe në qeverisjen e vendit, që e ka drejtuar deri në ato momente! Një parti fituese asnjëherë nuk hyn në garë për të zëvendësuar drejtuesin që udhëhoqi këtë fitore, me një kryetar të ri! Lideri është zgjedhur nga anëtarësia e vet dhe nga qytetarët e vendit, për të qeverisur jo vetëm partinë, por edhe vendin! Është aksiomë kjo, pranohet pa vertetim, dhe s’mund të ndryshohet as nga rivalët politikë të fituesit dhe as nga këta panelistët që nën shenjën e ‘barazitizmit’ në këtë vend, atavizëm e kohës së Enver Hoxhës ky, kërkojnë të fusin ‘norma’ të reja. Nuk nuk mund ta zhbëjnë këtë!

Ndërsa Sali Berisha praktikisht i ka humbur zgjedhjet përballë Edi Ramës, që nga viti 2013 e këtej! Nuk ka fituar asnjë palë zgjedhje, as parlamentare dhe as vendore! Zero fitore dhe 100 përqind humbje! Do të thotë dikush se zgjedhjet i humbi Lul Basha, deri më 2021, si kryetar i PD dhe opozitës! Po çfarë Lulziu ishte kryetar i PD!

Lulzim Basha u emërua si person i dëgjueshëm nga Berisha, edhe kur humbiste ri-emërohej po nga njerëzit e Berishës, kryetar. Meqënëse në vitin 2021 u afrua shumë afër partisë fituese me vota, thuhet se koalicioni opozitar i drejtuar nga Basha ishte 30 mijë vota larg PS së Ramës, Lulit të shkretë iu mbush mendja se ishte me të vërtetë kryetari i PD! Rrethanat e sollën që dhe SHBA e shpalli Berishën person ‘non grata’ familjarisht dhe Bashës iu kërkua që ta pezullonte ‘babain’ nga PD! Të vriste ‘babanë’ me një fjalë, atë politik themi! Basha e ‘plagosi’ vetëm, nuk e ‘vrau’!

Pikërisht këtë e priti keq Berisha, cili ishte kreu i vërtetë i PD, ndërsa Basha ishte njeriu që ai e lëvizte që nga prapaskena, për të gjitha arsyet e mundshme, për të mos qënë vetë në publik! Këtu e shkeli Basha, dhe ‘ati’ politik nuk ia fali, e ‘vau birin’. Pas disa goditjeve deri në sulm fizik ndaj selisë së PD, arriti t’i marrë përmes levave të tij në gjyqësor dhe me ndonjë ndihmë tjetër, vulën, logon e selinë e PD, si dhe ta dëbonte përfundimisht jo vetëm nga PD por dhe nga skenat politike! Duke i marrë dhe deputetët më të afërt, se anëtarësinë e kishte gjithnjë Berisha!

Madje e shpalli dhe armik të ‘parevokueshëm’, duke ia mbyllur derën përfundimisht në PD! Të njejtën gjë bëri dhe me Alibeajn. E tashmë së fundmi, edhe me Salianjin e Balliun, të cilët ‘gabuan’ kur menduan se mund të bënin kandidatin për kryetar të PD, duke rivalizuar Berishën! Madje i përmendën dhe faktin që sipas nenit “Basha’ ai duhej të ishte larguar menjëherë nga drejtimi i PD, për t’ju hapur rrugën e kandidimit të ‘mëtonjësve’ të rinj për kryetar partie! I përmendën nenin “Basha”, pra me Lulin brenda dhe pikërisht për këtë arsye u ‘xhindos’ Berisha, i cili i përjashtoi jo vetëm kandidatët, por dhe mbështetësit e tyre! Duke garuar me veten!

Nuk donte probleme Berisha në pronën e tij, PD-në! E donte rrugën të pastër, një hipotekë të pastër e pa asnjë ‘njollë’ në testamentin e lënë për fëmijët kur të vijë e ta marrë i Plotfuqishmi! Sa më vonë nëse varet nga dëshira jonë, dhe pastë jetë sa më të gjatë, si me apo pa këmbë e dorë! Të jetë aty, si një ‘aset’ i fortë për PD-në dhe për qytetarët që ta kenë si ‘etalon’ për të treguar se si duhet të jetë një kryetar partie që të mos marrë kurrë vota për të qeverisur këtë vend! Këte di dhe vetë Berisha, por bën sikur s’kupton, ndaj dhe ‘referendumin’ e 23 majit ku u zgjodh si kryetar i ‘ri’ i PD, e quan si më demokratikun në botë dhe një “plumb për armikun Edi Rama”!

Kënaqet jo vetëm se u zgjodh, por argëtohet akoma më shumë me ‘freskun’ që i bëjnë ata që nuk e duan madje as gjallë mbi tokë, por që i janë afruar me të, vetëm për një copë mandati deputeti dhe për të shpresuar se kjo mund të vijojë dhe në të ardhmen, ‘radhë’ që nis nga Gaz Bardhi, e vijuar me Gjekmarkajn dhe emra të tjerë rrotull tyre! Ndërkohë që Noka, Vokshi dhe grupi tjetër i besnikëve të tij, natyrshëm e quajnë nder t’i shërbejnë. Për më tepër që nuk kanë lëvizur nga mbështetja ndaj tij kurrë, ndoshta e vetmja vlerë e tyre, dhe sikur kjo besnikëri të jetë bërë nga zori dhe pamundësia për të bërë hajr larg Berishës! Ama s’kanë lëvizur nga Berisha asnjëherë!

Dhe meqë jemi tek shifrat, Berisha në vitin 2030 kur përfundon ky mandati i 23 majit si kryetar, mbush plot 40 vite si kryetar partie! Eshtë rekord më vete, dhe i njejtë me atë të ‘babait të tij shpirtëror’, Enver Hoxha, kryetarit jetëgjatë komunist. Ku për për hir të së vërtetës gjatë luftës e deri në vitin 1948, Partia Komuniste ishte në ilegalitet e vendin e ‘udhëhiqte’ Fronti Demokratik! Por për lehtësi, e lëmë që Enveri qëndroi Sekretar i Parë i PKSH e më pas PPSH, plot 40 vite! E mbi të gjitha ai u nda nga jeta më 11 prill 1985, duke qënë njëherësh Sekretar i Parë i PPSH, dhe drejtues i vendit, homazhet iu bënë si sekretar i parë pa asnjë shkëputje!
Por dhe Berisha mbush në vitin 2030 plot 40 vite si kryetar i PD, pikërish aq vite sa ka qeverisur PPSH-në Enver Hoxha! Por ama, Berisha po rrezikon rekordin e Enverit, pasi duke qënë se është një racë që jeton gjatë, ndërkohë që në PD nuk ka asnjë rival, mund të marrë me referendum dhe një mandat tjetër, deri në 2034, dhe rekordi i Enverit thyhet njëherë e mirë! Duke e bërë ish diktatorin komunist që të ‘rrotullohet në varr’ dhe të ‘dridhet, pasi nuk e ka menduar askush që rekordi i tij do të thyhej nga një udhëheqës post-komunist! Dhe për më tepër që e mban veten për të djathtë! Berishës nuk po ia llogarisim 25 vitet pa shkëpuetje, si anëtar e sekretar i PPSH, nga më të devotshmit madje, pasi nuk ishte “Sekretar i Parë”!

Sa për faktin se do të vdesë si kryetar partie njësoj si Enveri, këtë e ka mbyllur me kohë dhe vakt Berisha! Që në momentin e ‘hipotekimit’ të PD si pronë të familjes së tij, një biznes ky me të vërtetë madhor dhe fitimprurës që sjell mbështetje, mbrojtje përballë drejtësisë por dhe ndonjë lek, të kuptohemi! Janë mësuar me lekë tashmë, kanë dhe vila jo vetëm në Tiranë e Durrës, kanë banesa jo vetëm në disa qytete kryesore të vendit, por dhe në kryeqytetet e qytetet më të mëdha në vendet anëtare të BE! E ka pranuar vetë vajza e ish kryeministrit! Ndonëse SPAK është bërë i pandjeshëm ndaj këtyre pohimeve, dhe Berishën pritet ta ‘dënojnë’ vetëm pas vdekjes fizike! Që përkon me përfundimin e mandatit të vetë SPAK! Po shtyje ta shtyjmë këtë ‘patate të nxehtë’!

Përfundimisht Berisha është njeriu i rekordeve! Në PD themi! Po kërcënon dhe vetë ‘atin’ e tij shpirtëror me rekordet e tij! Duke u bërë ‘nul’ dhe këto rekordet e qëndrimit në ujë, jo notit, pasi Berisha kurrë nuk ka ditur not! Ndërkohë që dhe demokratët janë gati për të thyer rekorde, pasi janë të vetmit anëtarë partie në planet që mbështesin një ‘kufomë’ politike për t’i udhëhequr, vetëm në opozitë! Deri sa ta marrë dhe vetë PD-në në varr, për t’i bërë ceremoninë e dyfishtë!
‘Funeralin’ politik të PD, Berisha e ka përgatitur me kohë dhe vakt! Por e ka vulosur më 23 maj, kur u ‘ratifikua’ si kryetar i PD! Duke mos marrë asnjë urim nga asnjë parti motër e PPE! Madje as dhe nga këto partitë e djathta shqiptare në Kosovë apo në rajon! Nuk është uruar as nga krerët e partive aleate në Tiranë! Ama Berisha do ta thyje rekordin e Enverit, do t’i kalojë 40 vitet e tij si “Sekretar i Parë” i PD! Në amëshim do shkojë si kreu i PD, si Enveri i PPSH! Është e sigurtë!

  •  

Berishës i rikthehet ‘karma’, paditet në Bruksel nga Salianji e Balliu

Nga Jakin Marena

Lideri i opozitës, Sali Berisha, asnjëherë nuk ka qenë në gjendje të pranojë humbjen në zgjedhje përballë rivalit politik! Kurrë s’ ka deklaruar me gojën plot se humbi në një garë elektorale, për të uruar kundërshtarin politik për fitoren! E ka problem këtë! Gjithnjë ia ‘vjedhin’ fitoren!

Dhe në vitin 2013, kur mori mbi 1 milion vota kundër dhe u rrëzua me turp nga pushteti, pas 8 vitesh si kryeministër në një qeverisje të mbushur me korrupsion të përgjakshëm dhe vrasje politike në mes të bulevardit, korrupsion masiv dhe krim, bëri sikur u dorëhoq përmes lotësh nga posti i kreut të PD, por në realitet nuk e pranoi kurrë se ishte ‘rrahur’ keq nga rivali politik!

Qëndroi në heshtje, pas kuintave, duke lëvizur fijet e drejtimit të PD, përmes të emëruarit në krye të kësaj partie Lulzim Basha, për të shpikur në këtë mënyrë ‘qytetarin dixhital’, përmes të cilit akuzonte mes të tjerave, qeverinë e majtë dhe kryeministrin Edi Rama se ia kishin vjedhur votat dhe në vitin 2013!

Pavarësisht se fitorja ishte tepër e madhe për t’u vjedhur, siç pretendon ai!

Në të gjitha humbjen e shënuara nga opozita, në drejtimin formal të Bashës, Berisha ka pasur rolin e tij primar, që nga zgjedhja e kandidatëve për deputetë, përjashtimi i figurave kryesore të PD, e deri tek protestat e dhunshme dhe djegia e mandateve, bojkotin e zgjedhjeve vendore, gjithnjë nën argumentin se Rama i ka tjetërsuar votat, dhe se fitorja e opozitës është vjedhur!

Vetë nuk shkonte në Bruksel për të denoncuar zgjedhjet, duke i cilësuar si të parregullta dhe të vjedhura, por ama dërgonte të gjithë ‘zarat’ e tij, grupe grupe për të shfrytëzuar çdo moment të mundshëm e për të nxirë Shjqipërinë! Duke qënë se ia dinin dhe ‘numrin e këmbës’ askush në Uashington dhe Bruksel nuk e vinin në hesap atë që thonin të dërguarit e Berishës por dhe vetë ai, derisa në fund të herës, pasi e braktisën në zyrën e tij private afër RTSH, u ‘plasi’ shpirti dhe në SHBA u vendos t’ia mblidhnin në një dosje të gjitha bëmat, duke e shpallur ‘non grata’ familjarisht për korrupsion të lartë, minim të demokracisë dhe shantazhim të drejtësisë!

Pak kohë më pas, e shpallën dhe britanikët ‘non grata’ për tre motivet që evidentoi Uashingtoni, por i shtuan dhe një të katërt duke e gremisur fare, atë të bashkëpunimit me elementët kriminalë për të shantazhuar dhe dominuar PD-në! Pas një sërë peripecish, që nga përjashtimi e deri tek rimarrja e partisë me vulë e logo, teksa dëboi Bashën, ‘birin bukëshkalë politik’, Berisha ia doli që të shënonte dhe ai humbjet e veta rrënuese të radhës, në krye të PD përballë Ramës, më të fundit ato parlamentare të 11 majit të vitit të kaluar, teksa opozita shënoi një humbje me minus 300 mijë vota krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021, kur kjo opozitë drejtohej nga Basha!

Dhe si gjithnjë, Berisha nuk i është ndarë linjës Tiranë-Bruksel, Tiranë-Strasburg dhe disa herë dhe Tiranë-Berlin, për të denoncuar atë që ai e quan ‘narkoshteti i Ramës i krijuar për të vjedhur vota, në kurriz të opozitës’! Berisha nuk lë asnjë rast pa shkuar në kancelaritë evropiane, vetëm apo me Albanën, herë e herë dërgon dhe Gaz Bardhin me Jorida Tabakun, duke kapur deputetë apo eurodeputetë nëpër korridoret e Brukselit, Strasburgut apo Berlinit, madje deri më Brazilin e largët në një takim partish të djathta, për të treguar se me Edi Ramën nuk fitohet kurrë me zgjedhje, pasi ai ia grabit votat opozitës! Demotivon dhe demokratët kështu, por Berisha s’do që t’ia dijë, kërkon të justifikojë humbjen dhe të gjejë alibinë për humbjen e radhës!

Anipse të gjitha raportet ndërkombëtare, duke filluar nga ato të OSBE-së e deri tek raportet e Komisionit Evropian apo Parlamentit Evropian, në funksion të integrimit të Shqipërisë në BE, i kanë vlerësuar maksimalisht zgjedhjet, kanë bërë dhe vërejtje dhe kanë dhënë rekomandime, i bëjnë dhe për zgjedhjet në vendet anëtare të BE, Berisha nuk ndalet së denoncuari atë që ai e quan ‘tjetërsim të rezultatit përmes blerjes së votave’! Një akt i pa vertetuar asnjëherë, as nga vetë monitoruesit e opozitës, as nga ndërkombëtarët dhe as nga këto OJQ-të që komandohen më shumë se gjysma nga Berisha e njerëzit e tij!

Dhe teksa Berisha nuk rresht së akuzuari kundërshtarin politik Rama se me të kryeministër nuk zhvillohen zgjedhje, teksa nuk lë rast pa dërguar letra e denoncime në kancelaritë evropiane se Rama po përgatitet të grabisë zgjedhjet e vitit të ardhshëm për pushtetin vendor, vetë ai, Sali Berisha, është tepër i zënë me përjashtimet e të gjitha kandidatëve për kryetar PD përballë tij në zgjedhjet e 23 majit, për të garuar i vetëm në ato që i quan ‘zgjedhjet më të ndeërshme në botë për kryetar partie, sipas parimit një anëtar një votë”! Kandidon vetëm përballë vetes, ndërkohë që Salianjin, Alesia Balliun, Kokalarin, Mereme Selen e Vladimir Mulajn, jo vetëm nuk i regjistroi si kandidatë, por dhe i denigroi, duke i përjashtuar dy të parët bashkë me mbështetësit, nga PD!

Por Berishës i rikthehet karma! Ndërsa dërgonte padi kundër Ramës në kancelaritë evropiane për zgjedhjet e para një viti dhe për ato që zhvillohen pas një viti, nuk kishte si të ndodhte ndryshe, që dhe për Berishën nga radhët e PD të niseshin ankesa dhe padi drejt Brukselit dhe PPE-ve për shkatërrimin e zgjedhjeve brenda PD për postin e kryetarit, ku ankoheshin se Berisha e ka vrarë garën në këtë parti dhe ka shkelur demokracinë e brendshme me të dyja këmbët!

Kështu, Alesia Balliu, e cila u përjashtua nga gara për kreun e PD-së, u ka dërguar emaile dy figurave më me peshë në politikën europiane dhe ndërkombëtare, David McAllister, kryetar i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian dhe Tina Mercep, nga IDU, për ‘farsën e 23 majit’ dhe zgjedhjen e Berishës pa rival dhe në kundërshtim me statutin e PD, kryetar! Balliu në email-et që u ka dërguar McAllister e Mercep, ka ngritur shqetësime serioze mbi situatën e brendshme në PD, duke akuzuar se kjo parti është “marrë peng” nga Berisha e rrethi i tij politik.

Balliu ka argumentuar se një forcë politike që aspiron të rikthehet në pushtet dhe të përfaqësojë standardet europiane, nuk mund të drejtohet nga një person i shpallur “non grata” nga SHBA dhe Britania e Madhe. Ajo ka kërkuar vëmendjen e partnerëve ndërkombëtarë për degradimin e standardeve demokratike brenda PD. Sipas Balliut, një pretendent për kreun e PD nuk mund të zgjedhë vetë kundërshtarët që do të ketë përballë në garë, teksa ka denoncuar edhe përdorimin e partisë, në funksion të betejave personale të Berishës kundër SPAK-ut, si dhe ka ngritur pretendime për një klimë kontrolli, presioni dhe përjashtimi ndaj zërave kritikë në parti. Në emailin drejtuar zyrtarëve ndërkombëtarë, Balliu ka përmendur individë pranë Berishës, të cilët po përfitojnë politikisht dhe ekonomikisht në kurriz të demokratëve dhe frymës opozitare.

Por ‘paditë’ kundër Berishës në kancelaritë europiane nuk janë ndalur këtu! Ish-deputeti Ervin Salianji, edhe ky i përjashtuar nga gara për postin e kryetarit dhe nga PD nga ana e Berishës, madje dhe i akuzuar për lidhje me krimin pavarësisht se vetë Salianji bëri burg për PD, bëri dhe për hesapin e vet të kuptohemi, iu drejtua me një letër Presidentit të Partive Popullore Europiane, Manfred Weber, si dhe drejtuesve të partive kryesore të qendrës së djathtë europiane pjesë e PPE, mes tyre Kancelarit të Gjermanisë, Merz dhe kryeministrit të Greqisë, Mitsotakis.

Në këtë letër, Salianji nënvizon se bllokimi i garës për kryetar të PD, me Berishën kandidat të vetëm, sot 82-vjeçar që e ka drejtuar partinë për 36 vite dhe përjashtimi i tij pa një vendim zyrtar, por me pretekstin se është i vetë-përjashtuar, është simbol i mbylljes së partisë, që ndryshe, nga sa thotë, vetë demokratët që ka takuar kërkojnë rinovim të drejtimit të lidershipit.

Salianji nënvizon në letrën dërguar PPE-ve se “establishmenti i vjetër politik” po mbyll hapësirën e brendshme për garë, për shkak të interesave personale e për t’i rezistuar ndryshimit dhe këto prirje rrezikojnë të minojnë si frymën e rinovimit, ashtu edhe rrugën europiane të Shqipërisë. “Lënia ime jashtë garë nuk është çështje vetëm e një kandidimi individual, por mbrojtja e standardeve demokratike, pluralizmit të brendshëm dhe kredibilitetit institucional të partisë më të madhe opozitare në Shqipëri”, tha Salianji.
Ish deputeti dhe kandidati i përjashtuar i PD, evidenton shkeljen e hapur që i bëhet statutit të partisë, i cili parashikon qartë dorëheqjen e kryetarit pas humbjes në zgjedhjet e përgjithshme, pa mundësi rikandidimi të menjëhershëm. “Moszbatimi i kësaj dispozite ngre shqetësime legjitime lidhur me respektimin e rregullave demokratike të brendshme dhe llogaridhënien institucionale”, shkruan ish-deputeti në letrën e tij drejtuar PPE.

Pra iu rikthye ‘karma’ zotit Berisha! I cili deri në këto momente nuk ka lënë letër pa dërguar në Bruksel e Strasburg kundër Ramës e mazhorancës së PS, me akuza se i kanë vjedhur zgjedhjet, marrëzia arriti deri atje sa të deklaronte se i kanë vjedhur 30 mandate deputeti. Ndërsa këto ditë akuzat nga brenda PD për rrënim të zgjedhjeve në këtë parti, përjashtim të rivalëve nga gara përballë tij dhe kandidimi me veten për postin e kryetarit, kanë marrë dhenë, duke mbërritur në tavolinën e grupit më të madh parlamentar PPE-ve, shefit të Jashtëm të Parlamentit Evropian dhe zyrtarëve të tjerë! Me një akuzë konkrete për Berishën, si rrënues të PD! Nuk e dimë se si Sali Berisha do të shkojë në Bruksel që të denoncojë Ramën për ‘grabitje të zgjedhjeve’, ndërkohë që në tavolinë ata në Bruksel kanë denoncimin e ish zyrtarëve të PD ndaj Berishës, për dhunim të demokracisë partiake, rrëmbim të postit të kryetarit dhe mbajtjen peng të PD deri në vdekje!

  •  

‘Merz-Rama’ e ‘basti’ i Kos për Shqipërinë në BE, trondisin Berishën!

Nga Jakin Marena

Ishim mësuar që punimet në Kuvend, si në komisionet parlamentare ashtu dhe në seancat plenare, t’i përcillnim me ‘zemër të ngrirë’ pasi nga momenti në moment mund të digjeshin karrige, tavolina, të fluturonin libra, parfume dhe gjithçka në drejtim të podiumit apo të ‘panelit’ të ministrave të qeverisë, të cilët kanë qënë ‘shënjestër’ e deputetëve të Berishës!
Veprime këto që e kanë detyruar Gardën të reagojë për të evituar përballjen fizike. Por, këtë të enjte morëm vesh se, pas kësaj periudhe tensionesh të forta politike dhe përplasjesh në Kuvend, mazhoranca dhe opozita kishin arritur dakordësi për një rezolutë të përbashkët mbi procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Në komisionin parlamentar, në fillim, të kuptohemi!
Dokumenti i dakordësuar që u miratua në seancën plenare, e cilëson integrimin evropian “objektiv strategjik kombëtar” dhe vendos theksin te forcimi i rolit të Kuvendit në mbikëqyrjen e reformave, kontrollin parlamentar ndaj ekzekutivit dhe monitorimin e negociatave me BE-në.
Për hir të së vërtetës, rezoluta parashikon angazhime konkrete nga të dyja palët politike për forcimin e dialogut, garantimin e pjesëmarrjes së plotë të opozitës në jetën parlamentare dhe respektimin e standardeve demokratike, në përputhje me Kushtetutën e Rregulloren e Kuvendit. Po ashtu, në dokument kërkohet edhe përshpejtimi i reformës zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR e Komisionit të Venecias, mbështetje për institucionet e drejtësisë në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, garantimi i lirisë së medias dhe pluralizmit mediatik.
Dhe teksa rezoluta vjen në një fazë të rëndësishme për procesin e integrimit, ndërsa Shqipëria pret vlerësimin për raportin IBAR dhe avancimin e mëtejshëm të negociatave me Bashkimin Evropian, duke ‘thithur’ dhe konsensusin e opozitës në Komisionet parlamentare, diçka ‘kërciti’ fort, duke e bërë liderin e PD, Sali Berisha që të pendohet rëndë e të deklarojë sërish se Shqipëria nuk është gati për të mbyllur negociatat dhe për t’u anëtarësuar në BE. E harroi dakordësinë fare!
Dikush mund të mendojë se Berisha u provokua në seancë nga Rama, apo nga tërë mazhoranca. Por pati hamendësime për ndonjë ndonjë, larg qoftë, sekuestro të re pasurie për familjarët e tij, ndonjë ndërprerje aksesi financiar apo investues po për familjarët e tij, se këtu Berisha nuk mban fare! E ka shumë problem këtë gjë, del dhe kundër ndonjë martese, dhe nëse ajo është në proces!
Por asgjë nga këto, të paktën në dukje, s’kishte ndodhur! Mazhoranca ishte në sallën e Kuvendit, po tregohej mjaft e qetë, me shumë bonssens ndaj opozitës! Madje dhe duke i bërë ‘qejfin’ herë herë me ndonjë copëz debati mes vetë përfaqësuesve të saj, siç ishte shkëmbimi i replikave mes kreut të Kuvendit Niko Peleshi dhe ish ministrit të Drejtësisë, deputetit Ulsi Manja! Replika këto ‘korrën’ dhe duatrokitjet e deputetëve të opozitës madje, por që në fund të herës inatin dhe tërbimin e Berishës nuk e zhdukën që nuk e zhdukën!
Edhe Edi Rama, i cili nuk e kursen Berishën me ironitë e tij, duke ia bërë nervat ‘tel’ por pa ia përmendur emrin asnjëherë, ishte në Gjermani, i pranishëm në ceremoninë tradicionale të akordimit të Çmimit të Karlit të Madh (Charlemagne Prize), i cili konsiderohet si një nga nderimet më të rëndësishme evropiane që prej vitit 1950, për individë dhe institucione me kontribut të spikatur në bashkimin dhe përparimin e Evropës.
Kishte ndodhur diçka tjetër, të cilën Berisha nuk e ka duruar dhe as nuk e duron dot! Madje kishte dy zhvillime të njëpasnjëshme që e kishin tërbuar në atë farë feje, sa nuk duronte asgjë në sallën e Kuvendit, nuk i hynte asgjë në sy! Komisionerja evropiane për zgjerimin, Marta Kos kishte bërë ‘gjëmën’, pasi kishte deklaruar se Shqipëria do të anëtarësohet në BE brenda vitit 2030 dhe ky ishte ‘basti’ i saj! Kjo e kishte tronditur por dhe tërbuar që në krye të herës me të vërtetë rëndë Berishën, i cili deri më tani, është shprehur se Shqipëria është ‘narko-shtet’ i Ramës dhe nuk e meriton të jetë në mesin e vendeve të BE, si vend anëtar me të drejta të plota!
Lajmi që BE kërkon mbylljen sa më shpejt të negociatave me Shqipërinë, i deklaruar gjatë një vizitë të Kos në Sllovaki, e cila tha se beson që grupkapitujt për Shqipërinë të mbyllen sa më shpejt të jetë e mundur, e kanë nxjerrë kreun e PD tërësisht nga binarët. Ishte vërtetë lajm i rëndë për të, i papërbvallueshëm dhe për moshën e tij, por dhe për vetë investimin e fortë që ka bërë!
“A mund ta imagjinoni? Nga viti 2009, BE po fillon punën për një traktat të ri pranimi, për Malin e Zi. Me Shqipërinë, ne kemi hapur të gjitha grupkapitujt e negociatave, dhe shpresoj të ecim përpara për t’i mbyllur sa më shpejt që të jetë e mundur. Ambicia jonë është për gjithë rajonin, të gjitha vendet të bëhen vende anëtare me të drejta të plota dhe me përgjegjësi të plota në BE, bazuar në linjëzim të plotë me ligjet e vlerat europiane. Dua ta them, duam ta bëjmë këtë ambicie realitet, dhe po, zgjerimi po ndodh”, tha Kos, duke goditur keq ëndrrën e Berishës për bllokim.
Dhe objektivi i Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE, lidhet dhe me një ambicie, ‘bast’ personal të Marta Kos. Ajo kërkon një sukses të përbashkët pikërisht në momentin kur do të mbyllë mandatin si komisionere e zgjerimit të BE. “Dua të hedh një sy në të ardhmen. Sllovakia merr Presidencën e BE, në gjysmën e parë të 2030. Mandati im mbaron pikërisht në atë kohë. Duhet të punoj fort që deri atëherë Presidenca juaj të jetë e suksesshme. Por gjysma e parë e 2030 do të jetë një moment i rëndësishëm për zgjerimin, disa vende kandidate kanë caktuar ambicie të forta për të mbyllur negociatat dhe për t’u anëtarësuar. Pra, me fillimin e dekadës së re, në 2030, duket të jetë një pikë kthese për BE dhe ju do e udhëhiqni atë moment”, theksoi Kos.
Komisionerja për zgjerimin, Kos, ka bërë përllogaritjen e fitimit të ‘bastit’ nga ana e saj, teksa vlerëson se Shqipëria do të mbyllë të gjithë grupkapitujt e negociatave me BE para Krishlindjeve të 2027, e deri atëherë ka për të plotësuar 101 detyrat e fundit, në 2028 synon të marrë traktatin e pranimit të anëtarësimit. dhe brenda vitit 2030 të jetë shteti më i ri anëtar i BE. Llogari këto që nuk konvergojnë me dëshirën e Berishës, i cili po bën të paundurën, mbeti madje në Berlin dhe Bruksel bashkë me bashkëpunëtorët e tij, thonë se ka hedhur dhe miliona euro për këtë qëllim, për të penguar anëtarësimin në BE! Nën ‘petkun’ e dënimit të Ramës, por që në të vërtetë kërkon të dënojë shqiptarët! Të hakmerret ndaj tyre, për shkak se e kanë abandonuar, nuk e mbështesin dhe as e llogarisin më si faktor relevant! Lerë ta votojnë për të qeverisur! U skrapatua Berisha!
Pikërisht kjo e ka nervozuar aq shumë kreun e PD, sa menjëherë sapo është njohur me këtë ‘bast’, ka filluar akuzat ndaj qeverisë, Ramës por dhe shtetit shqiptar, duke u shprehur se gjithçka është deklaruar nga kjo mazhorancë si arritje është një mashtrim! Berisha, edhe këtë të enjte, që nga podiumi i Kuvendit, ku po diskutohej pikërisht për këtë rezolutë që u miratua më pas me konsensus nga deputetët e mazhorancës dhe opozitës, akuzoi PS në qeverisje se procesin e integrimit po e bazon në mashtrime, censurë dhe fshehje të së vërtetës. “PD ka deklaruar me kohë se Shqipëria nuk plotëson asnjë kriter veç atij gjeopolitik, por mbështesim integrimin në BE. Gradualisht, ju faktuat ato që ne kishim thënë për ju. Faktuat me vepra konkrete se jeni jo për integrimin, por plaçkitjen, pasurimin e paligjshëm të shqiptarëve”, tha Berisha!
Kreu i PD, e quajti mazhorancën “hipokrite” që do të flasë për integrimin teksa deklaroi se “raporti dënon letrën famëzezë të Ramës dhe Vuçiçit që kërkoi integrim jashtë kushteve demokratike. Jeni ju pengesa kryesore e shqiptarëve në integrim. Armiqtë e vërtetë të integrimit jeni ju që vidhni shqiptarët”. Pa harruar përsëritjen e akuzës se Shqipëria është ‘narko-shtet’ dhe se do të denoncojë në Bruksel dhe kudo ku të ketë takime dhe të dëgjohet, se Shqipëria nuk e meriton anëtarësimin në BE. Dhe Berisha, në momentin kur po votohej rezoluta për BE, kërcet e del jashtë seancës dhe Kuvendit, duke bojkotuar fare votimin e saj! Nuk e do integrimin ai!
Dhe Berisha, teksa fajëson Ramën, në të vërtetë është njeriu më i përkushtuar për të nxirë Shqipërinë kudo nëpër botë, për të nxirë dhe ‘komunisten’ Kos, që mbështet këtë ‘narkoshtetin Ramës’ dhe ‘pa pasur asnjë progres drejt integrimit, kërkon anëtarësimin e Shqipërisë në BE brenda vitit 2030’! Kreu i PD nuk ia fal komisioneres Berisha këtë ‘bast’ për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, brenda vitit 2030, as mbështetjen e fortë të saj për Shqipërinë dhe shqiptarët!
Por zhvillimi tjetër që nxori Berishën tërësisht nga binarët në sallën e Parlamentit dhe jashtë saj ka qënë vizita e kryeministrit Rama në Gjermani! Pikërisht në Berlin, ku kreu i PD dhe opozitës ka hedhur miliona euro për lobim, vetëm e vetëm që të bllokojë integrimin e ‘narko-shtetit të Ramës’ në BE! E thonë me keqardhje zërat brenda selisë së PD, të cilët kanë nisur t’i ‘qajnë’ këto para, sikurse bënë me milionat e lobimit në SHBA për heqjen e ‘non gratës’ për Berishën, shuma të cilat do ta kishin ‘stabilizuar’ PD-në nga qendra në bazë, të paktën financiarisht!
Berisha i ka rënë në ‘fund të këmbëve’ narrativa e krijuar me shumë bujë, sipas të cilës Berlini zyrtar nuk do të votojë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Madje kreu i PD i kishte kërkuar gjermanëve që të vendosnin kushte të rënda për qeverinë shqiptare, sepse sipas tij, vendi ynë nuk kishte plotësuar asnjë kusht e nuk ishte gati për mbylljen e negociatave! Pavarësisht mbështetjes gjermane në votimin pro Shqipërisë në Komisionin e Jashtëm të PE, pavarësisht deklaratave të tjera të Berlinit dhe të vendeve anëtare të BE për progresin mbresëlënës të Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit, ka qënë sërish Rama ai që ka ‘menduar’ për ta tërbuar Berishën dhe për ta nxjerrë nga binarët, aq sa të braktisë dhe votimin e rezolutës për integrimin në BE, për të cilën nga PD thuhet se në 90 përqind e saj, teksti është hartuar prej tyre.
Kryeministri, me praninë e tij në ceremoninë tradicionale të akordimit të Çmimit të Karlit të Madh, i cili konsiderohet si një nga nderimet më të rëndësishme evropiane që prej vitit 1950, për individë dhe institucione me kontribut të spikatur në bashkimin dhe përparimin e Evropës, ka ndarë disa fotografi ndërsa shkruan se për të, ishte kënaqësi dhe nder të ishte pjesë e grupit të miqve të nderit.
Rama shihet teksa takohet dhe bisedon me presidenten e Komisionit Evropian, gjermanen Ursula von der Leyen, me kancelarin gjerman Friedrich Merz, kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis e personalitete të tjera të larta politike. Pasi në këtë ceremoni, ish-presidenti i Bankës Botërore Mario Draghi u nderua me Çmimin “Karli i Madh” 2026, në vlerësim të rolit të tij të rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit ekonomik europian e në promovimin e vizionit për një Europë më të bashkuar, me treg më të integruar, kapacitete më të forta mbrojtëse dhe konkurrueshmëri më të lartë ekonomike.
Pra, nga Gjermania, Rama ia ka vënë ‘kripën në plagë’ Berishës, i cili ka shpenzuar shumë për një çikë bllokim apo thjeshtë pengim të integrimit të Shqipërisë në BE! Ka shpenzuar shumë energji për nxirjen e Shqipërisë në sytë e ndërkombëtarëve, gjë që deri më tani as vendet më armike nuk e kanë quajtur vendin tonë ‘narko-shtet’ dhe të kapur nga krimi! Madje as rivalët tanë në integrimin në BE nuk kanë thënë kurrë se Shqipëria nuk është gati! Jo më opozita në vendet respektive ta ketë thënë për vendin e tyre një gjë të tillë, dyerve të Brukselit dhe kancelarive të vendeve anetare të Unionit! Vetëm ‘çibani’ ynë, Berisha, e thotë! Gjithsesi këtë radhë, ishte me të vërtetë i tronditur dhe i tërbuar! Mund dhe para të shkuara dëm, si gjithnjë!

  •  

Albini, opozitari perfekt për rrëzimin e ‘Kurtit’ që ‘vdes’ për Mickoskin

Nga Jakin Marena

Mungesa e konsensusit për zgjedhjen e presidentit të Republikës ka bërë që Kosova të shkojë në zgjedhje më 7 qershor! Janë zgjedhjet e treta në vend prej pak më shumë se një viti, të shkaktuara thjeshtë e vetëm për faktin se partitë politike nuk po gjejnë një emërues të përbashkët për zgjidhjen e krizës politike, duke mos qënë dakord për asgjë!
Që nga shkurti i vitit të kaluar, Kosova është qeverisur vetëm me qeveri në detyrë, dhe kjo për shkak se kreu i mazhorancës Albin Kurti nuk ka denjuar të ndajë pushtet me askënd.
Lëvizja Vetëvendosje, vinte me një rezultat domethënës të vitit 2021 teksa kishte marrë 58 deputetë në parlamentin me 120 deputetë të Kosovës, duke qeverisur me partitë e vogla për krijimin e qeverisë së atëhershme, mes të cilëve ishte dhe lista ‘Guxo” e Vjosa Osmanit!
Ndërkohë që në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 Kurti fitoi 10 mandate më pak, duke mos arritur shumicën qeverisëse, dhe duke e zvarritur për gati 10 muaj procesin e zgjedhjet se kryetarit të Kuvendit, përmes kandidimit të Albulena Haxhiut mbi 40 herë pa mundur të gjejë konsensus. E në fund të herës gjeti ‘karar’ me Dimal Bashën, teksa u fut në cirkuitin e krizës institucionale në fillim me nënkryetarin serb dhe më pas me mungesën e numrave për qeverinë e re!
Zvarritje pas zvarritjesh, Kurti, me një ‘dorë’ ndihme dhe nga presidentja e atëhershme, Vjosa Osmani, ia arriti që ta çojë datën e zgjedhjeve të parakohëshme më 28 dhjetor të vitit të kaluar, pikërisht në pikun e rikthimit të diasporës në atdhe, për të festuar festat e fundvitit!
Rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit ishte një ‘bekim’ për Kurtin, nëse ai llogjikonte si kreu i një partie politike me sens qeverisës, pasi mori mbi 51 përqind të votave! Duke rrënuar opozitën dhe në veçanti Lidhjen Demokratike të Kosovës të kryesuar nga Lumir Abdixhiku, duke ulur kuotat e PDK të Bedri Hamzës, duke nxjerrë jashtë Kuvendit “Nismën’ e Fatmir Limajt, duke lënë në ‘vend’ AAK e Ramush Haradinajt. Për më tepër, duke e konsoliduar Vetëvendosjen si partinë e parë politike në Kosovë e cila merr për herë të dytë mbi 50 përqind të votave, të aftë për të qeverisur pa nevojën e koalicioneve të mëdha! Duke fuqizuar dhe Listën Serbe, të kuptohemi!
Por kur e ke në ‘gjak’ krizën dhe qeverisjen përmes krizës, nuk tërhiqesh, pasi edhe këtu Albin Kurti e gjeti mundësinë për ta shkaktuar! Ndonëse votuesit në Kosovë i kishin dhënë votën Vetëvendosjes për të qeverisur e vetme, pra për të pasur kreun e qeverisë dhe të Kuvendit, fakt është se nuk e kishte mandatuar për të zgjedhur nga radhët e saj dhe Presidentin e Republikës! Pas krijimit të qeverisë së re, zgjedhjes së kreut të Kuvendit më të fund të Albulena Haxhiut, Kurti e zvarriti procesin vetëm e vetëm që të mos rizgjidhej për një mandat të dytë në krye të Shtetit, Vjosa Osmani! Anipse ishte pikërisht Osmani ajo që i garantoi mbi 51% të votave, me datën e zgjedhjeve më 28 dhjetor! E ka pranuar vetë Osmani, e cila deklaroi se është ndjerë e përdorur nga Kurti, ndërkohë që Kurti nuk i dha mbështetje për një mandat të dytë presidencial!
Megjithëse kishte mbi 51 përqind të votave, megjithëse votoi lehtësisht qeverinë e re dhe kreun e Kuvendit, bashkë me kryesinë e Kuvendit, Kurti nuk pranoi që nuk pranoi të ndajë pushtet me asnjë parti politike për presidentin e ri! Madje dhe negociatat me LDK-në për këtë qëllim, degjeneruan në ofertën për të pasur poste ministrore dhe një zv.kryeministër, vetëm e vetëm që Vetëvendosja të kishte presidentin e ri, gjë që u refuzua! Pra Kurti nuk lëshoi pushtet! Siç kishin bërë me radhë forcat e tjera politike në të kaluarën, duke shmangur gjithnjë krizën presidenciale. Sepse me me këtë Kushtetutë është operuar dhe atëherë, por nuk pati krizë të Presidentit!
Skadimi i afatit për zgjedhjen e kreut të shtetit, pavarësisht zvarritjeve përmes procedurave dhe teknicialiteteve, solli shpërndarjen reale të parlamentit dhe kalimin e vendit në zgjedhje! Për herë të tretë në pak më shumë se një vit, vendi shkon në zgjedhje. Njëherësh doli në pah dhe nxitimi i Kurtit për të fajësuar opozitën si shkaktare e krizës, me argumentin se nuk votoi dhe presidentin në favor të Vetëvendosjes, pavarësisht se qytetarët e Kosovës kishin dhënë si asnjëherë tjetër pas pavarësisë votën për një parti politike, mbi 51 përqind të votave ose 56 deputetë, ku bashkë me pakicat joserbe kishte në dizpozicion plot 66 mandate, në Kuvendin me 120 deputetë!
Kurti sërish preferoi zgjedhje të parakohëshme para qeverisjes së vendit! Duke e katandisur Kosovën të qeverisej nga një qeveri në detyrë, të drejtuar nga vetë kreu i Vetëvendosjes, e cila pavarësisht se shpenzon paratë e shtetit, nuk mban asnjë përgjegjësi për qeverisjen e vendit! Praktikisht vendi ka gati dy vite që është pa qeverisje, dhe kjo për faj të Kurtit!
Nuk po hyjnë në akuzat që qarkullojnë brenda dher jashtë Kosovës, madje deri në Berlin, se Kurti po zbaton axhendat e Beogradit, të marra përsipër që në kohën kur ishte i burgosur dhe trajtohej si mbret në burgjet serbe, duke i garantuar në qeli madje dhe konferenca shtypi, duke marrë në fund të herës faljen nga vetë presidenti i asaj kohe Koshtunica, pavarësisht se shokët e tij të burgut, shqiptarë që ishin kundër regjimit serb gjatë sundimit serb, u zhdukën dhe fizikisht!
Nuk po i përmendim as faktin se serbët i gjetën Kurtit dhe dashnore, Lidija Sokoloviçin, vajzën e ish ministrit serb, Zoran Sokoloviç! E ka me ‘firmë e vulë’ dashninë e fortë me Lidijan, teksa e kanë kapur në një makinë bashkë me të dhe miq të tjerë! Sllavët e kanë normale këtë rekrutimin e mbajtjen nën mbikqyerje dhe përmes këtyre elementëve të ‘butë’, siç janë femrat spiune! Nuk po përmendim as lëvizjen shqiptaro-serbe ‘KAN” të themeluar nga Albin Kurti dhe serbi Nenad Rikalo, lëvizje që më pas u nda secili në punën e vet por me qëllimin e përbashkët, zhbërjen e pavarësisë, luftës së UÇK dhe të vetë shtetit të Kosovës, duke i dhënë spektrit politik në Kosovë, Vetëvendosjen e Listën Serbe, që janë kthyer në gangrenë për shtetin e dytë shqiptar!
Atëherë, pse Albin Kurti, edhe kur ka shumicën në Kuvend për të qeverisur ‘pa dhimbje koke’ e lë Kosovën pa qeverisje për vite me radhë, duke u vënë përballë SHBA e BE, duke marrë kosto për vendin si sanksionet nga BE, duke bllokuar njohjet e anëtarësimet në strukturat euroatlantike, duke bllokuar miliona euro financime të BE të llogaritura për Kosovën dhe mbi të gjitha, duke rrezikuar të vertetojë tezën serbe se ‘shqiptarët e Kosovës nuk kanë aftësi shtetformuese’?
Në krye të herës, ajo që mund të themi është se Kurti nuk dëshiron të bashkëpunojë apo të ndajë pushtet, por të nënshtrojë kundërshtarët politikë! Duke treguar se i fiton zgjedhjet, por i do të gjitha pushtetet, jo vetëm përmes votës por dhe përmes nënshtrimit të rivalëve politikë! Ndonëse ia ka dalë të frustojë lidershipin e opozitës, Kurti nuk ka mundur të krijojë aleanca reale vasaliteti me partitë e mëdha opozitare! Përfundimisht, Kurti nuk e njeh nocionin ‘negociim’!
Elementi i dytë që e ka çuar Kurtin në mosqeverisje dhe kur ka mbi 51 përqind të votave, ka të bëjë me faktin se kreu i Vetëvendosjes nuk dëshiron të lërë ‘gjurmë’ në zbatimin e marrëveshjes së Ohrit! I penduar që e aprovoi këtë marrëveshje, pavarësisht ‘bishtave’ që nxjerr tashmë, Kurti dëshiron që t’i shtyjë sa më larg negociatat me Serbinë, dhe akoma më mirë që t’ia lërë në dorë përkohësisht këtë ‘patate të nxehtë’ një qeverisjeje të pakicës së opozitës, për ta pasur më pas si ‘bonus’ të fortë përballë militantëve të vet, kryesisht nga diaspora, në narrativën e ‘tradhëtisë’ së opozitës, për të garatuar më pas, rikthimin në pushtet, pa marrëveshjen e Ohrit nëpër këmbë!
Kurti nuk ka turp të bëjë si çlirimtar i Kosovës, pavarësisht se, atëherë kur duhej të merrte armën dhe të dilte kundër genocidit serb, preferoi të qëndronte në Prishtinë, të deklaronte se nuk kapte armë me dorë, nuk di madje as ta mbushë dhe zbrazë armën, madje e la veten dhe të arrestohej nga serbët, të lexonte pa fund libra e jepte intervista nga burgjet e sigurisë së lartë në Serbi, e të përgatitej nga ata, sipas akuzave në Prishtinë, që të ‘desantohej’ në politikë në Kosovë dhe më pas në krye të shtetit të Kosovës! Për ta rrënuar këtë vend nga themelet, siç po e rrënon!
Dhe Kurti miklohet fort ku e thërrasin “Albin Baba” militantët, kryesisht ata të diasporës, paratë e të cilëve jo vetëm që mbajnë familjet e tyre në vendlindje, por dhe rrënojnë demokracinë dhe vetë shtetin e Kosovës, duke e mbajtur Kurtin në krye të vendit si dhe duke përgatitur nga brez të tërë përtacësh në Kosovë, që nuk denjojnë të punojnë, por vetëm të vegjetojnë! Madje janë bërë të gjithë “Dj”, këngëtarë dhe influencerë dhe askush nuk punon! Vetëm konsum dhe aheng!
Por mbi të gjitha Kurtit i volit kjo situatë e qeverisjes së vendit me ‘qeveri në detyrë’! Pasi i shpenzon paratë e shtetit siç i do vetë, nuk bën investime por tendera për produkte të gatshme, që nga energjia që e blen në Serbi e deri tek gjërat më të thjeshta dhe jetike për vendin! Shumica nga Serbia blihen. Mbi të gjitha takson dhe bizneset duke ua bërë jetën ‘ferr’, aq sa shumica e bizneseve të mëdha janë zhvendosur në Shqipëri dhe vendet e rajonit ku ka shqiptarë, duke e kthyer qytetarin e Kosovës të varur tërësisht nga paratë që dërgohen nga diaspora dhe nga ato 100 euro që jepen sa herë ka zgjedhje, madje dhe tre herë në vit! Të barabartë në varfëri, ‘mot a mot’ si në kohën e Enver Hoxhës në Shqipëri! Skllevër, që dashurojnë atë që i skllavëron!
Nuk mund ta kuptojmë se çfarë do të kërkojë Kurti në zgjedhjet e 7 qershorit të këtij viti nga qytetarët e Kosovës! Pasi i pati nga 40 përqind e deri tek mbi 51 përqind për një vit e ca votat e qytetarëve shqiptarë dhe nuk qeverisi që nuk qeverisi dot! Se nuk deshi, të kuptohemi. Ndoshta kërkon të marrë mbi 80 deputetë që t’i ketë të gjitha pushtetet në dorë. Megjithëse është tepër e pamundur një gjë e tillë! Pasi kanë hyrë aktorë të rinj në tregun politik, e mbi të gjitha Vjosa Osmani, ish presidentja e Kosovës, e cila kryeson listën e kandidatëve të LDK!
Për më tepër që qytetarët e Kosovës janë të zhgënjyer nga Kurti, të cilit i dhanë mbështetje maksimale për të evituar krizën në qeverisje, anipse nuk ia dhanë për presidentin votat, por ai post honorifik është! Për hir të së vërtetës nuk ka çfarë i duhet, nuk i prishte asnjë punë t’i jepte sërish mandatin e dytë Osmanit, do t’ia bënte ‘qokën’ ajo siç ia bëri me zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit të kaluar! Tdhe do ta zgjidhte njëherë e mirë krizën në Kosovë. Ndërsa tani ka dhe diasporën në punë, nuk vjen dot në atdhe për të votuar! Dhe sërish ndoshta bie poshtë 40 përqindshit, Vetëvendosja! E ndoshta do ketë sërish krizë qeverisjeje!
Kurti po bën dhe në këtë fushatë atë që di të bëjë më mirë, loja me nacionalizmin dhe aktivizimin e kanaleve të nëndheshme serbe në favor të tij! Herë akuzon opozitën për bashkëpunim me serbët, këtu aktivizon tërë armatën e ‘patriotëve dixhitalë’, pjesa më e madhe e të cilëve janë jashtë vendit dhe mbi të gjitha e kanë ‘modemin’ adresar në Beograd! Stis dhe ndonjë kërcënim me eleminim fizik të tij nga Beogradi, ‘film’ i parë ky sa herë gjendet ngushtë e merr një ‘dorë ndihme’ nga Vuçiç. Pavarësisht se, më të interesuarit për këtë gjendje krize në Kosovë me Kurtin në krye të qeverisjes në detyrë, gjenden pikërisht në Beograd! Por Kurti bën dhe tentativa të forta për t’u përfshirë në punët e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut apo dhe në Malin e Zi, se shqiptarët e Shqipërisë nuk e kanë qasur dhe as nuk e qasin me kohë dhe vakt!
Dhe në vazhdën e përpjekjeve për të qënë “baba’ i shqiptarëve në rajon, Kurti sipas postulatit të vjetër shqiptar, ‘p*dha e madhe shqyen br* e veta’, në vend që të rriste kredibilitetin në sytë e shqiptarëve në rajon, ‘dashuria’ për Miskoskin e rrënoi! “Vdes’ për Mickoskin Kurti, e shpreh hapur këtë. Aq sa dhe ‘patriotët’ e rrjeteve sociale nuk kanë asnjë argument për ta mbrojtur!
Të gjithë e panë Kurtin në kongresin e bashkimit të “VLEN”, përkrah kreut të qeverisë që RMV, Hristian Miskoski, qeshjen e tyre vesh më vesh dhe dashamirësinë që treguan ndaj njëri tjetrit! Ndërkohë që u rrënua ngrehina e fundit që një parti politike të quhet shqiptare: Nuk u këndua as himni kombëtar shqiptar para fillimit të punimeve të kongresit të “VLEN”, e cila është krijesë e Kurtit dhe Miskoskit, ky i fundit përfaqësues i botës serbe në Shkup, për të rrëzuar nga pushteti përfaqësuesit që sollën lirinë e shqiptarëve në 2001, BDI-në e Ali Ahmetit!
Albin Kurti nuk e prishte terezinë, vetëm qeshte dhe fliste për ‘bashkim-vëllazërim, teksa bisedonte në krah të kryeministrit Miskocki, pavarësisht se me ‘bekimin’ e tij, krijesa e përbashkët “VLEN” në qeverisje, kishte zhbërë gjuhën shqipe në institucionet e Maqedonisë së Veriut, dhe tashmë për hir të ‘vëllait’ Miskocki, për të mos i prishur qejfin atij, zhbënë dhe himnin kombëtar shqiptar në kongres, duke e zëvendësuar me himnin e BE!
Mbërriti dita e kiametit dhe për ‘Albin Babën’, për të cilin vetëm ata që janë kundër shqiptarëve, janë aleatë të tij! Ndërsa Rama, Ahmeti e deri Abazoviçi, janë tradhëtarë! Kuti i Kurtit ky, i cili si patriot i madh më herët ka braktisur dhe bregdetin shqiptar, duke zgjedhur të pushojë në ‘daçën’ e ish ushtarakut rus, në bregdetin grek! Shtet që ende se ka njohur Kosovën, për hir të së vërtetës!
Praktikisht Kosova me Kurtin kryeministër po shkon drejt askundit, duke rrëzuar qeveritë e veta njëra pas tjetrës! Praktikisht, në funksion të axhendës serbe në rajon, Albini është kryeopozitari perfekt për rrëzimin e qeverisë së tij, së fundmi “Kurti 3”! Ndërkohë që ‘dashuria’ e madhe për kryeministrin e RMV, me orientim pro-serb dhe pro-rus shtohet pafund, me sa duket, vetëm pse ai është shumë më përpara se vetë Kurti në përpjekjet për shtrirjen e botës serbe në Ballkan!
Kurtit i duhen dhe këto zgjedhje, nëse shqiptarët e Kosovës vijojnë ta mbështesin, ose disa palë zgjedhje rresht, për ta përfunduar misionin e tij, për ta zhbërë gjithçka është arritur në Kosovë! Ndoshta Kurti pret që dhe ndërkombëtarët e humbasin durimin me Prishtinën, aq sa të shfaqen të penduar përse e krijuan këtë shtet që nuk di të mbahet me këmbët e veta! Dhe kështu të plotësohet ëndrra serbe e armiqësisë së Kosovës me Perëndimin! Votuesi shqiptar e ka në dorë më 7 qershor, që të tregojë nëse do të vijojë më tej hitoria e zhbërjes së shtetit nga Kurti! Të shohim! Shpresat janë të pakta, ‘shplarja e trurit’ është e madhe e diaspora vijon të ketë ndikim. Ka krijuar klasën e dembelëve dhe të atyre që nuk e duan, e për më tepër po e njollosin luftën e UÇK-në, në Kosovë! Ata po vendosin në zgjedhjet e fundit në Kosovë!

  •  

PD prek fundin, Berisha po e merr me vete në ‘amëshim’

Nga Jakin Marena

Procesi i zgjedhjes së kreut të ri të Partisë Demokratike është kthyer tashmë në një barcaletë të dhimbshme, e cila ka degraduar deri në garimin e një kandidati të vetëm, i cili është lideri aktual të partisë më të madhe opozitare, Sali Berisha!

Ndonëse Berisha, si humbës në zgjedhjet e fundit parlamentare të 11 majit të vitit të kaluar, me statutin e bërë nga vetë ai dhe të ‘kodifikuar’ në një nen të veçantë, nenin ‘Basha’, duhej të ishte larguar menjëherë pas certifikimit të rezultatit pa asnjë të drejtë rikandidimi, ishte po vetë ai që u kujdes deri në detaje për të ‘qethur’ në masën 100 përqind të të gjithë rivalëve në garë! Madje arriti deri atyre, sa të deklarohet se nuk i pëlqen asnji rival përballë, kundërshti e maskuar përmes justifikimit se nuk plotësojnë kriteret e kandidimit!

Berisha u soll si Nastradin Hoxha në vaktit, me një fjalë, i cili teksa ishte dënuar me varje nga pushteti i atëhershëm turk, shfaqi dëshirën ‘madhore’ të tij, që të varej në pemën që dëshironte vetë ai! Ku donte të vdiste Nastradini, ndaj si pëlqente asnjë pemë, duke i detyruar ekzekutorët që ta rikthenin në burg (hapsanë) pas tre ditësh, teksa kishin shetitur disa pyje (zabele) me radhë, pemë më pemë, pa sukses! Kështu dhe Berisha, dhe ua themi pse!

Në situatën ku ndodhet PD e drejtuar nga Berisha, një vit pas humbjes katastrofale të zgjedhjeve parlamentare, me një zbritje mbështetjeje demokrate prej 300 mijë më pak se në zgjedhjet e vitit 2021 kur PD drejtohej nga Basha, kishin deklaruar pjesëmarrjen në garën për kryetarin e PD, anëtari i kryesisë Ervin Salianji, ish themeluesja e ‘Rithemelimit’ të Berishës Evi Kokalari, anëtarja demokrate Alesia Balliu dhe në ‘minutat e fundit’ të regjistrimit hynë në garë Mereme Sela dhe Vladimir Mulaj!

Në pamjet të parë, askush nuk i jep shpjegim se përse Berisha i përjashtoi një nga një të gjithë kandidatët në garë, për postin e kreut të PD, duke lënë në fletën e votimit vetëm emrin e tij! Në kushte normale është e pashpjegueshme, sepse e kishte të sigurtë fitoren. Por mendja e Berishës punon ‘sahat’, në anën e kundërt të lëvizjes së akrepave në fakt, vetëm në funksion të ‘pastërtisë’ së pronës së tij!

Berisha nuk e imagjinon dot që një kandidat tjetër të marrë qoftë dhe 10 përqind të mbështetjes së anëtarësisë së partisë, në atë që ai e quan hipoteka më e madhe e pasurisë së tij dhe të familjes, që është PD! Dhe nuk ka ‘faj’ në fakt, është ‘minierë ari’ partia më e madhe opozitare, të garanton mbrojtje përballë SPAK dhe gjykatës por dhe të shton fuqishëm lekët! Po dyshuat, mendohuni vetëm pak, dhe kalonin nëpër mend pasuritë e tij dhe të familjarëve të tij, vilat, apartamentet dhe komplekset e pallateve, në zonat më të mira turistike në Tiranë, në vend dhe në shumicën e kryeqyteteve të Evropës! Eshtë nën hetim, hetim i thënçin, nga SPAK për pasuritë!

Pra e sheh PD-në si një pronë që prodhon gjithçka! Me këtë mentalitet e sheh ai partinë që drejton, me këtë mentalitet e udhëheq këtë partië, pa pyetur as për statut, as për rregulla, as për humbjen e mbështetjes në elektorat dhe në arenën ndërkombëtare si dhe pas asnjë shans apo shpresë, sado të vagullt, për të ardhur në pushtet! Thjeshtë e do PD-në do si pronë të tij, pa e ndarë me askënd mbështetjen, qoftë edhe formalisht, në një garë partiake për postin e kryetarit!
Pikërisht për ta pasur tërësisht të vetën dhe për vete, Berisha ‘vetëpërjashtoi’ Salinjin e Balliun, por dhe Kokalarin, të cilëve as që ua mori në dorëzim formularin e kandidimit për kreun e PD! Ndërkohë që për mjeken Mereme si dhe Mulajn, i mori në konsideratë zarfet, por pas një dite, me urdhër të tij dhe vendim të sekretarit të përgjithshëm të PD, Flamur Noka nuk i regjistroi fare në garë! I bëri ‘def’ me një fjalë, me një lëvizje dore, jo pse i rrezikonin postin! Harrojeni!

Salianjin e ‘vetëpërjashtuar’ e akuzoi për lidhje me krimin, me Ramën dhe me këdo që ka inat Berisha në planet, pavarësisht se ai bëri një çikë burg për partinë por dhe për mendtë e veta. Por ama ai mori mbrapsht edhe akuzat e anëtarit të kryesisë, Salianji, i cili me dokumente të firmosura dhe të vulosura nga institucionet britanike, akuzonte Berishën se është i shpallur ‘non grata’ për bashkëpunim me krimin e organizua,r të cilin e ka në shërbim për të nënshtruar PD-në!

Me të njejtën gjatësi vale është akuzuar Balliu nga Berisha, i cili ka marrë mbrapsht akuzat e saj, që nga bashkëpunimi me krimin e deri tek marrja peng nga Berisha të PD për interesat e tij personale! Ndërkohë që Meremja e ngratë, pasi u kthye në ‘meme’, u bllokua të regjistrohej si kandidate për kryetare e partisë, megjithëse e dinte edhe vetë se nuk do të merrte vota! Gjithsesi mjekja Mereme ka vendosur që ta dërgojë në gjykatë garën për kreun e PD, duke kërkuar përjashtimin e Berishës nga kandidimi, referuar nenit ‘Basha’, me argumentin se nuk duhej të ishte në garë, jo më të përjashtonte kandidatët e tjerë!

Berisha nuk është ndalur vetëm në këto veprime! Përmes Flamur Nokës, kreu i PD i ka ‘pastruar’ të gjitha listat e anëtarësisë nga mbështetësit e Salianjit dhe të kandidatëve të tjerë për kryetarë të PD, në përpjekje për të garantuar një mbështetje në limitet e 100 përqindshit, aq sa do ta kishte zili dhe vetë Enver Hoxha vaktit, i cili mbahej te 99.999 përqind ! Megjithëse Berisha e ka pasur ‘atin shpirtëror’ Enverin në fund të herës, si komunist 24 karat që ka qënë dhe është!

Një ‘agresion’ i tillë i Berishës ndaj anëtarësisë, nuk është pritur aspak mirë nga baza e PD! Të cilët kanë nisur një reagim të fortë, deri në rebelim! Aq sa më Korçë, përmbysën tërë procesin e votimit të kreut të degës vendore të kësaj partie! Në fillim kundërshtuan, më pas morën me vete kutitë e votimit, dhe në fund grisën listat e anëtarësiusë të përçunduara nga Ndoka e bllokuan votimin, duke treguar se udhëzimet nga qendra nuk pinë ujë më në qytetin e ‘serenatave’, teksda kanë kërkuar lirshmëri të anëtarësisë, pa asnjë ndikim, për të zgjedhur drejtuesit vendore!

Ndonëse në disa rrethe, Berisha përmes Nokës dhe emisarëve të tij, pa parë fare votat në kuti, ia ka dalë që të ketë të përzgjedhurit e vet në krye të këtyre degëve, në Korçë dhe degë të tjera situata është jo në favor të Berishës! I cili jo vetëm që ka destabilizuar PD-në, duke prekur fundin, por dhe po e rrënon me një shpejtësi që askush nuk e kishte menduar më parë!

Dhe i gjithë ky ‘aksion’ politik i Berishës për rrënimin e PD ndodh pikërisht një vit para zgjedhjeve të përgjithshme për pushtetin vendor! Për të cilat jo vetëm që nuk ka bërë asnjë përgatitje e as një organizim strukturash për këtë qëllim, por po e ‘kreh’ gjithnjë e më shumë anëtarësinë, duke përjashtuar e ‘vetëpërjashtuar’ funksionarë të lartë e mbështetës të tyre, vetëm e vetëm që të këtë mundësinë të garojë i vetëm për kryetar të PD!
Dhe hajde e duroje pastaj Berishën dhe vite të tjera, teksa akuzon Ramën dhe mazhorancën se ‘i kanë vjedhur fitoren’, ndërkohë që e ka degraduar PD-në në atë farë feje, e ka përgjysmuar dhe armiqësuar anëtarësinë e kësaj partie, sa në këtë derenxhe ku është katandisur PD, nëse arrin të marrë ndonjë bashki, do të ishte fitore tepër e madhe për Berishën! Që gjithsesi nuk do fitoren e opozitës, por kërkon të drejtojë një parti, që ta ketë të tijën si pronë e për nevojat e tij personale!

Dhe kjo nuk është tekë e një plaku 82 vjeçar, me gjithëse mosha e bën të vetën dhe prej guri të ishte, por është një filozofi e tërë e Berishës i cili ia ka dalë që të njehsojë partinë me kryetarin, pra PD me emrin e tij! Dhe kur ndodh kjo, gjë që ka ndodhur, atëherë partia vdes sëbashku me kryetarin! Ky pritet të jetë dhe fati i kësaj partie, e cila do të shkojë në ‘amëshim’ në momentin kur të ndalet ‘ora biologjike’ e Sali Berishës! Për këtë të jemi të sigurtë, nuk ka shpëtim më PD-ja! Të zhgënjyerit t’i drejtohen një alternative të re! Nëse do gjejnë ndonjë person që t’i mbledhë demokratët, që janë shpërndarë si ‘zogjtë e korbit’, sa këndej andej!

  •  

Berlini ‘heq’ veton, Berisha i kërkon BE t’i vendosë kushte Shqipërisë

Nga Jakin Marena

Shqipëria vijon të mbetet vendi me kredecialet më të forta dhe në ‘hartën’ e vendeve me të avancuara në Ballkanin Perëndimor, në garën e madhe e të rëndësishme të procesit të integrimit në Bashkimin Europian!
Një fakt të tillë e kanë pranuar jo vetëm vendet anëtare të BE, me peshë specifike në uninion, që nga Parisi e Berlini e deri te Roma e Madridi, rasti më i fundit është edhe biseda telefonike e kryeministrit holandez Rob Jetten këtë të premte me kryeministrin tonë Edi Rama, por dhe vetë Brukseli zyrtar, kryeqendra e Bashkimit Evropian!
Në një deklaratë të fundit, Komisionerja për Zgjerimin në BE, Marta Kos, vlerësoi maksimalisht progresin e bërë nga vendi ynë, duke e renditur Shqipërinë mes shteteve në krye të këtij procesi. “Shqipëria është një nga vendet në krye të procesit të zgjerimit. Shpresojmë që në muajin maj, do të jemi në gjendje që të miratojmë të gjitha standardet e përkohshme për sundimin e ligjit e pastaj të nisim me mbylljen e kapitujve.
Është e mahnitshme ajo që Shqipëria ka bërë në vitet e fundit me hapjen e të gjithë grupkapitujve. Fakti që ju keni një lidership të vendosur për integrimin e plotë në familjen evropiane e bën këtë projekt një kombinim të përsosur. Mbështetja e qytetarëve dhe puna e qeverisë, shpresoj të kontribuojmë në Bruksel”, tha Kos. Pra, jemi në krye të listës!
E thuajse tërë lidershipi evropian është i bindur që Shqipëria i ka të gjitha shanset që të mbyllë të gjithë kapitujt e negociatave me BE deri në fund të vitit të ardhshëm për të qënë pastaj në ‘syrin’ e vendeve anëtare për të vendosur për anëtarësimin e plotë në BE deri në vitin 2030, sipas parashikimeve të vetë qeverisë shqiptare por dhe zyrtarëve më të lartë të Brukselit, të cilët kanë mbështetur e mbështesin udhëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në familjen e madhe dhe demokratike Evropiane!
Dhe në funksion të fazës së dytë, pra të vendimit të parlamenteve të të gjitha vendeve anëtare të Unionit për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, ky është tërësisht vendim politik dhe nuk varet më asgjë në dorën tonë sepse me mbylljen e negociatave Shqipëria e përmbyll detyrimin e saj, ka qënë dhe një deklaratë e fortë e kreut të diplomacisë gjermane, Johann Wadephul, në raport me lehtësimin e rrugës së Shqipërisë por dhe vendeve aspirante për anëtarësimin e plotë më BE!
Ishte një lajm që u emetua në disa media shqiptare si me drojë dhe pa i dhënë ndonjë vend të rëndësishëm në rang-listën e lajmeve, a thua se ishte dikush që po kujdesej për ta kaluar pa u vënë re si lajm. Por që përmbante një mesazh të rëndësishëm, sipas të cilit BE mund të hyjë në një fazë të re vendimmarrjeje, pa bllokime e veto, nëse kalon propozimi i Gjermanisë për votim me shumicë, në politikën e jashtme dhe të sigurisë.
Ishte ministri i jashtëm gjerman, Johann Wadephul, ai që dha një mesazh të fortë dhe të qartë nga Dublini, teksa propozoi heqjen e parimit të votimit unanim në politikën e jashtme dhe të sigurisë brenda BE, duke e zëvendësuar atë me vendimmarrjen me shumicë. “Në një demokraci, parimi i shumicës është norma dhe unanimiteti përjashtimi. Dhe ne duhet ta bëjmë normën e demokracisë edhe normë në Bashkimin Europian. Vetëm në këtë mënyrë Europa mund të mbetet e aftë për të vepruar”, tha kryediplomati gjerman! Teksa shtoi se momenti duhet shfrytëzuar, duke iu referuar zhvillimeve në Hungari, pasi sipas tij pas zgjedhjeve në Hungari e humbjes së Viktor Orbán, tani kemi një dritare të mirë mundësie që duhet përdorur dhe çdo muaj ka rëndësi, madje çdo javë!
Wadephul paralajmëroi se BE nuk mund të përballojë më bllokime si në të kaluarën, teksa nënvizoi se ‘bllokime si ato që kemi parë, veçanërisht në javët e fundit, nuk janë më diçka që mund ta përballojmë në këtë botë. Kohët janë shumë serioze për këtë”! Deklarata e tij, është propozim gjerman ky që të kuptohemi dhe gjermanët u shkojnë deri në fund punëve nuk lënë asgjë në mes, vjen në një moment kur vetë BE po vihet nën presion për të ndryshuar mënyrën si merr vendime, sidomos për zgjerimin. Dhe këtu përfiton dhe Shqipëria!
Pra, për Shqipërinë, një nga vendet që kryesojnë përpjekjet për zgjerim në Ballkanin Perëndimor, ky propozim është lajm i jashtëzakonshëm, pasi hapet rruga që për një arësye apo tjetër, asnjë shtet i veçantë nuk mund të bllkojë përmes vetos anëtarësimin e vendit tonë në BE siç ka ndodhur deri më tani me Maqedoninë e Veriut, dhe sipas është kërcënuar dhe vendi ynë që të bllokohet për axhenda të ndryshme të ndonjë shteti të veçantë! Nëse Shqipëria ecën përpara me reformat, është në krye të listës së vendeve që kanë bërë më mirë për hir të së vërtetës, atëherë asnjë lloj vetoje nuk e bllokon procesin e integrimit! Sado përpjekje që të ketë!
Veto ka qënë ajo që e ka zvarritur procesin ndër vite, por nëse kalon votimi me shumicë sipas propozimit të Berlinit, gjasat janë të mëdha dhe të sigurta, atëherë historia ndryshon në favorin e Shqipërisë por dhe të vendeve të tjera aspirante për në BE. E thënë me fjalë më të thjeshta, me heqjen e vetos, Shqipëria shmang bllokimet politike e fiton kohë në turravrapin e saj drejt BE-së.
Gjithçka është e koordinhuar, nuk është thjehstë një rastësi që përmbledh të gjithë këta elementë në favor të Shqipërisë! Presidentja e Parlamentit Europian Roberta Metsola dhe Komisionerja për Zgjerimin Marta Kos e kanë thënë hapur se Shqipëria dhe Mali i Zi janë në krye të vendeve që po ecin më shpejt drejt anëtarësimit. Për më tepër, Metsola ka shkuar edhe më tej, duke kritikuar hapur vetë BE-në për vonesat. Sipas saj, vendet kandidate po ecin më shpejt sesa vetë Bashkimi Europian merr vendime. Ajo e lidh drejtpërdrejt këtë situatë me kërkesën për unanimitet, që sipas saj po e mban peng procesin.
Nga ana tjetër, Komisioni Europian ka dhënë një vlerësim pozitiv, por fjala e fundit mbetet tek vendet anëtare. Dhe në një moment kur vetë zyrtarët më të lartë europianë pranojnë se procesi është zvarritur, ky debat mund të jetë pikërisht shansi që i duhet Shqipërisë që të arrijë objektivin e anëtarësimit në vitin 2030. Heqja e vetos është një lajm i mirë, shmangen skenarët ballkanikë të bllokimit të integrimit të Shqipërisë në BE dhe vlerësuar në meritë, me shumicën e votës së vendeve anëtare, vendi ynë anëtarësohet në BE! Gjermanët nuk bëjnë shaka me propozimet e tyre, nuk i hedhin kot në erë, dhe mbështetja e tyre është një ‘aset’ për Shqipërinë!
Por teksa ‘yjet’ janë vënë në vijë të drejtë në favor të Shqipërisë dhe shqiptarëve, në raport me mbështetjen evropiane për anëtarësimin në BE, njëri dhe vetëm njëri është kundër të gjithëve, teksa deklaron se Shqipëria nuk ka plotësuar asnjë kusht për të qënë gati për anëtarësimin në BE! Ai është, i papërsëritshmi, jetëgjati në politikë e në jetën e përditshme, kreu i PD dhe i opozitës shqiptare, Sali Berisha! Teksa deklaron me një ligësi të dukshme se Shqipëria është narko-shtet, që nuk ka asnjë zhvillim pozitiv në këtë vend dhe teksa bën thirrje për rrëzimin e qeverisë dhe të Edi Ramës, ai tenton të bëjë dëme në raport me integrimin!
Berisha apelon dhe ndaj vendeve të BE që të vënë kushte për qeverinë shqiptare, nga ato të pakalueshmet, për ta bllokuar integrimin e Shqipërisë në BE! Kreu i PD deklaron se Shqipëria nuk është gati për në BE dhe shpik çdo lloj pengesea dhe lajmi, për ta përcjellë jo vetëm në publik por dhe në Bruksel dhe kryeqytetet e vendeve anëtare të BE, për të krijuar perceptimin se Shqipëria nuk është gati për anëtarësimin! Herë shkon vetë nga Evropë, herë dërgon Albanën, por dhe Gazin e Joridën, vetëm e vetëm për të nxirë sa më shumë Shqipërinë!
Deklaratat nga Berisha për të nxirë Shqipërinë në sytë e evropianëve janë në kundërthënie të plotë me vlerësimet maksimale të Komisionerës për Zgjerimin në BE, presidentes së Komisionit Evopian, presidentes së Pasrlamentit Evropian e me kryeministrat e vendeve anëtare, të cilët e thonë se jemi në krye të listës së vendeve aspirante! Teksa kreu i PD përpiqet me të gjitha mënyrat për ta vështirësuar udhëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit të plotë në BE, Berlini zyrtar pritet të heqë dhe veton e vendeve anëtare, për ta lehtësuar maksimalisht rrugën e Shqipërisë në Union dhe për të mos e lënë anëtarësimin e saj në BE, nën humorin e vendeve që për një tekë apo tjetër bllokojnë integrimin! Berisha sillet si në atë proverbin e vjetër shqiptar, sipas të cilit ‘i zoti e shtet, tellali nuk e jep’!

  •  
❌