Reading view

Feja dhe arsyeja në sferën publike! Një reflektim pas ndarjes nga jeta të Jürgen Habermas

Një javë më parë u nda nga jeta, në moshën 96 vjeç, Jürgen Habermas, një figurë qendrore në traditën e Shkollës së Frankfurtit dhe njëri prej filozofëve dhe intelektualëve publikë më të shquar e më të cituar të gjysmës së dytë të shekullit të 20-të dhe fillimit të shekullit të 21-të. Habermas dha një kontribut të jashtëzakonshëm në debatin bashkëkohor mbi shoqërinë civile, demokracinë dhe modernitetin. Ndarja e tij nga jeta është cilësuar si “fundi e një epoke”, për shkak të kontributin e tij të jashtëzakonshëm në teorinë kritike dhe në mendimin demokratik. Eseja “Feja dhe arsyeja në sferën publike”, shkruar nga Prof. Tarifa, evokon dhe reflekton mbi pikëpamjen habermasiane mbi besimin, racionalitetin, modernitetin dhe demokracinë bashkëkohore.

Nga Fatos Tarifa

Të gjitha luftërat kulturore kanë pasur dhe kanë në themel të tyre konfliktin mes dy mënyrave radikalisht të kundërta të të kuptuarit të botës: njëra esencialisht empirike, tjetra dogmatike. Ky ka qenë dhe mbetet konflikti mes shkencës dhe besimit fetar, mes natyrores dhe të mbinatyrshmes. E vetmja zgjidhje politike që mund t’i jepet një konflikti të tillë në frymën e liberalizmit demokratik është ajo që mundëson krijimin e një sfere publike të paanshme, ku secili botëkuptim të ketë realisht mundësinë të afirmojë vërtetësinë e vet.

Diskursi publik në një epokë postmetafizike

Ekzistenca e një sfere publike të tillë dhe vetë shoqëria pluraliste, në të cilën jetojmë sot, shpeshherë rrezikohen nga ambicie autoritariste për konformitet ideologjik. Një rrezik i tillë mund të mënjanohet, ose të përballohet vetëm nëse, në veprimtarinë tonë promovojmë empirizmin, si bazë e njohjes dhe e dijes, dhe jo besimin e verbër te dogma dhe tek autoritetet.

Çështja, sidoqoftë, është shumë më e komplikuar se kaq dhe, siç do të vë në dukje më poshtë, unë, ashtu si Jürgen Habermas, mendoj se feja nuk mund dhe nuk duhet të përjashtohet nga diskursi publik.

Këtu unë nuk trajtoj dallimet mes shkencës dhe fesë si sisteme epistemologjikë, një subjekt me të cilin jam marrë më parë, por përqendrohem në dy çështje që kanë të bëjnë, e para me rolin e fesë, sekularizmin dhe raportet e tyre me shtetin ligjor dhe sferën publike, dhe tjetra me marrëdhëniet mes fesë dhe sekularizmit me arsyen dhe të mirën publike.

Në veprën e tij Feja dhe racionaliteti: Ese mbi arsyen, zotin dhe modernitetin (2002), Habermas ka argumentuar se “trajektorja e historisë na ka sjellë sot në një moment të tillë epokal, kur gjuha metafizike humbet kohezionin e vet, fragmentohet dhe çmitizohet dhe, prandaj, ajo ose duhet t’i provojë pretendimet e saj mbi të vërtetën, ose duhet të zëvendësohet nga një arsyetim postmetafizik”.

Habermas mendonte se sfida e teologjisë, religjiozitetit, filozofisë, çdo forme të menduari dhe çdo diskursi ka të bëjë me atë se si një model i dhënë mund të justifikojë pretendimet e veta ndaj së vërtetës, për shkak se mbizotërimi i teknologjisë në kulturën dhe në jetën e shoqërive perëndimore bashkëkohore na shtyn që t’i refuzojmë zgjidhjet metafizike të atyre gjërave, që në kohën tonë mund të shihen vetëm si probleme reale të kohës.

Sipas tij, sot jetojmë në një “epokë post-metafizike”, kur besimi modern është bërë refleksiv dhe është në tërheqje për shkak se, në një “shoqëri homogjenizuese të medias, gjithçka humbet gravitetin, ndoshta edhe vetë Kristianizmi i institucionalizuar”. Habermas insistonte në idenë se, ndonëse “triniteti jo i shenjtë i Kolonializmit, Kristianizmit dhe Etnocentrizmit” është trajtuar nga kërkimi kritik, kërkimet mbi këtë subjekt nuk kanë dhënë shumë rezultat për shkak se “imazhi retorik që përçon ky trinitet—ai i tregut të lirë, i të drejtave të njeriut, i egalitarizmit, i universalizmit etj., “është pa ndonjë alternative të qartë”.

Dy botëkuptime të kundërta që bashkëjetojnë

Përderisa shkenca dhe feja vazhdojnë e do të vazhdojnë të bashkekzistojnë në shoqëri, çështja shtrohet se si mund të arrihet një bashkekzistencë paqësore mes këtyre botëkuptimeve të kundërt, prej të cilëve njëri është esencialisht natyralist, ndërsa tjetri mbinatyralist.

Një bashkekzistencë e tillë në Perëndim, në kohën tonë nuk do të ishte problematike po të mos bëhej fjalë për dëshirën evangjelike për të universalizuar besimet e gjithkujt, dëshirë e cila mund të thuhet se i ngjan një mentaliteti totalitarist. Motoja e evangjelistëve fundamentaliste është kjo: Të tjerët duhet të besojnë njëlloj si ne, ngaqë një pluralitet botëkuptimesh krijon dyshime mbi të vërtetën.

Përpjekja për të krijuar një konformitet botëkuptimor fetaro-ideologjik manifestohet shpeshherë në përpjekje për të shtypur forcërisht pikëpamjet e kundërta (si, për shembull, xhihadistët islamikë, për të cilët “qafirët”—të pabesët—nuk meritojnë veçse vdekjen), ose për të konvertuar njerëz me një botëkuptim të ndryshëm fetar në fenë e tjetrit.

Po të mos kishte forca fanatike që insistojnë në idenë dhe përpjekjen që të gjithë duhet të kemi të njëjtin botëkuptim me ta (përndryshe meritojmë “të vdesim”), nuk do të kishte arsye të shqetësoheshim për një bashkekzistencë mes botëkuptimeve të ndryshme dhe individëve, ose grupeve shoqërorë që i bartin ato.

Nëse problemi vazhdon të jetë shqetësues edhe në kohën tonë, që është koha e një zhvillimi të paparë në shkencë e në teknologji, kjo ndodh për shkak se fanatizmi fetar vazhdon të ekzistojë e të jetë i rrezikshëm për shoqërinë.

Qytetërimi modern – një qytetërim juridik, jo teologjik

Nga pikëpamja politike dhe ajo e sigurimit të harmonisë sociale, qëndrimi më i drejtë për zgjidhjen e problemit të bashkëjetesës së botëkuptimeve të ndryshme fetare dhe atyre jofetare do të ishte që politika (dhe shteti si instrument i saj), të qëndrojnë ideologjikisht neutralë, të mos përzihen në çështjet e fesë, por të mundësojnë krijimin e një sfere publike për realizimin e interesave dhe mbrojtjen civile dhe juridike të të gjithë qytetarëve të vet, duke mos mbështetur dhe duke mos u ndikuar nga asnjë kozmogoni e veçantë.

Dallimet mes botëkuptimeve të ndryshme duhet të debatohen brenda kësaj sfere publike, pa pjesëmarrjen e shtetit në të. Si individ dhe si qytetar, çdokush është, ose duhet të jetë absolutisht i lirë që të besojë si të dojë mbi formën më të lartë ekzistenciale të realitetit (natyra apo perëndia).

Në të vërtetë, liria e besimit dhe pluralizmi ideologjik janë një element qendror i pavarësisë dhe i lirisë individuale të njeriut dhe një kusht esencial për krijimin dhe mbrojtjen e demokracisë liberale. Nga ana tjetër, në çdo shoqëri demokratike, neutraliteti ideologjik i shtetit është një parim dhe një kusht esencial për sigurimin e lirisë së ndërgjegjes së gjithsecilit.

Në Shtetet e Bashkuara, kjo liri është sanksionuar në Amendamentin e Parë të Kushtetutës, i cili mbron të drejtën e çdo individi që të besojë në çfarëdolloj botëkuptimi (jo vetëm fetar) që ai dëshiron dhe që e zgjedh me vullnetin e tij të lirë.

Dyqind e pesëdhjetë vite më parë, themeluesit e demokracisë amerikane e gjykuan të domosdoshme që ta sanksiononin këtë si një prej të drejtave themelore të njeriut, si reagim ndaj sundimit kolonialist britanik dhe, më pas, ndaj impulseve hegjemoniste të legjislaturave të shteteve të veçanta të federatës amerikane, të cilat rrezikonin t’ia nënshtronin lirinë e individit dhe të drejtat e pakicës “tiranisë së shumicës”.

Një gjuhë politike racionale për realitetin material empirik të shoqërisë

Ndarja e kishës nga shteti me anë të një sfere publike ideologjikisht neutrale u bë (që nga koha e Revolucionit Amerikan dhe e Revolucionit Francez)—dhe vazhdon të mbetet—një parim esencial i çdo forme të demokracisë liberale. Me këto revolucione, qytetërimi modern u bë një qytetërim juridik, jo një qytetërim teologjik.

Në praktikë, një neutralitet i tillë do të thotë—dhe kërkon—që, në hartimin e politikave sociale (për çështje të tilla, si për shembull, aborti, të drejtat e individit ose vdekja me dinjitet), argumentet mbi bazën e të cilave merren vendime, ose votohen ligje, duhet t’i referohen kësaj bote: botës fizike, të përkohshme për secilin nga ne, të cilën e “trashëgojmë” nga paraardhësit tanë, në të cilën jetojmë, të cilën e prekim dhe e njohim përmes shqisave tona dhe e kuptojmë përmes arsyes sonë, si qenie reale të arsyeshme që jemi.

Kjo do të thotë që, cilido qoftë botëkuptimi i individëve që shoqëria i zgjedh për të hartuar e miratuar ligje, politika sociale e për të marrë vendime, të cilat ndikojnë mbi tërë shoqërinë, mbi shumicën e saj, ose qoftë edhe mbi një pakicë, ata kërkohet të veprojnë empirikisht dhe racionalisht, si qenie të kësaj bote reale, empirike, të prekshme.

Një empirizëm pragmatik i tillë është jo vetëm i natyrshëm, por edhe i domosdoshëm në realitetin politik të një shoqërie pluraliste, në të cilën, individët e zgjedhur demokratikisht për të hartuar ligjet dhe për të drejtuar punët e shtetit, duhet të preokupohen për shqetësimet e qytetarëve në realitetin material në të cilin ata jetojnë, dhe jo për atë sferë transcendentale të besimeve të tyre.

Është e kuptueshme—dhe e natyrshme—që një besim fetar të influencojë mbi normat morale të një individi ose të një grupi shoqëror. Por, kur një individ merr pjesë në një debat publik, ose zgjidhet apo emërohet në pozicione publike vendimmarrëse, ai kërkohet që t’i mbështesë gjykimet e veta në arsye dhe në fakte konkrete, në interesa që janë të përbashkëta për individët e të gjitha besimeve fetare, si dhe për ata që nuk besojnë në asnjë fe.

Në një demokraci pluraliste duhet të ekzistojë një gjuhë politike e përbashkët për të gjithë shoqërinë. Kjo gjuhë nuk mund të jetë gjuha e teologjisë dhe asnjë lloj gjuhe tjetër sektare.

Problemi me të cilin ndeshet një shoqëri e hapur është pikërisht ai që kundërshtohet nga çdo sistem totalitarist—bashkekzistenca paqësore mes botëkuptimeve të ndryshme. Empirizmi pragmatik në sferën publike i shërben pikërisht ruajtjes dhe konsolidimit të një shoqërie të hapur, në të cilën pikëpamjet dhe botëkuptimet e çdo individi, të çdo grupi shoqëror dhe të çdo komuniteti janë të garantuara nga totalitarizmi ideologjik.

Raison d’être e çdo totalitarizmi ideologjik—fashist, komunist apo religjioz—është krejt e kundërta: krijimi i një besimi, ose një ideologjie të vetme, e njëjtë për të gjithë, mbi bazën e së cilës të hartohen dhe të justifikohen të gjitha politikat sociale.

Mjetet për realizimin e këtij uniformiteti mund të variojnë nga fushatat propagandistike indoktrinuese paqësore (kjo ka qenë një taktikë e preferuar e komunistëve dhe sot është një taktikë që e përdor e djathta kristiane), te dhuna, burgosjet dhe vrasjet (metoda këto njëlloj të përdoruara si nga komunistët, dhe nga fashistët), apo bombat dhe terrori në shkallë të gjerë (metoda të preferuara të fundamentalistëve fetarë sot).

Pavarësisht mjeteve dhe metodave që përdorin, synimi final i çdo totalitarizmit ideologjik është i njëjtë: të imponojë te të gjithë anëtarët e shoqërisë një pikëpamje të vetme, për ta bërë më të lehtë sundimin mbi ta.

Një shoqëri postsekulariste

Në teorinë liberale, feja trajtohet—para së gjithash dhe kryesisht—si një rast për të argumentuar tolerancën dhe neutralitetin. Ky orientim ka të bëjë, së pari, me vlerësimin e fesë si një çështje esencialisht private dhe, së dyti, me pikëpamjen se feja është, në një farë kuptimi, një “survival” prej një epoke të kaluar dhe jo një fushë që zgjerohet brenda modernitetit.

Si reagim ndaj faktit që në shoqëritë kapitaliste demokratike feja vijon të jetë një faktor në sferën politike, teoricienët liberalë kanë qenë e janë të detyruar t’i pranojnë dhe t’i trajtojnë çështjet e identiteteve e të praktikave fetare si çështje që nuk mund të injorohen.

Mbështetur në pikëpamjet që Habermas ka formuluar dhe argumentuar në shumë prej veprave të tij gjatë më shumë se katër dekadave të fundit, më poshtë shtjelloj shkurtimisht një aspekt që ka të bëjë me marrëdhënien mes fesë dhe arsyes e të mirës publike.

Përpos termave shoqëri “postindustriale”, “postkapitaliste”, “postmoderne”, “posthistorike”, “postnacionale”, “poststrukturaliste”, “posthumane” etj., ka kohë që filozofë dhe sociologë të ndryshëm flasin edhe për një shoqëri, ose për një epokë “postsekulariste”, term ky që për herë të parë është përdorur nga Habermas në librin e tij Diskurs filozofik mbi modernitetin (1987).

Se çfarë kuptohet me “postsekularizëm” është një çështje mbi të cilën debatohet gjerësisht, kryesisht në radhët e sociologëve që studiojnë fenë dhe rolin e saj në shoqërinë e sotme. Disa autorë mendojnë se prefiksi “post” është, në këtë rast, i pasaktë. Të tjerë janë të mendimit se, ashtu sikurse koncepti “postmodern” reflekton qëndrime të ndryshme ndaj modernitetit, edhe koncepti “postsekularist” reflekton qëndrime të ndryshme ndaj fesë dhe sekularizmit.

Feja, arsyeja dhe e mira publike

Çështjes që shqyrtojmë mund t’i qasemi historikisht dhe filozofikisht duke vënë në dukje rolin që ka luajtur feja, si dhe lëvizjet e herëpashershme për rivitalizimin e saj, gjatë periudhës moderne. Habermas e kritikonte mënyrën se si feja, me pikëpamjet, pozicionin dhe praktikat e saj jo liberale, ndërhyn në politikën bashkëkohore. Por ai vinte në dukje, gjithashtu, se feja ka luajtur e mund të luajë edhe një rol të rëndësishëm në lëvizjet për paqe, për të drejta civile e njerëzore dhe për mundësi të barabarta zhvillimi.

Një rol të tillë, sipas tij, luajti Reformacioni protestant në jetën e popujve europianë dhe të popujve të tjerë, pasi ajo lëvizje e gjerë brenda fesë së krishterë kontribuoi në zhvillimin e individualizmit, një etike të re pune, autonomisë morale dhe në krijimin e një sfere publike, në të cilën qytetarët mund të diskutojnë lirisht çështje të përbashkëta, duke u bërë bazë për demokracinë moderne. Lëvizjet kundër skllavërisë në Shtetet e Bashkuara dhe ndikimi i feve të vogla protestante në një varg lëvizjesh sociale gjatë shekujve të 18-të dhe 19-të, përfshirë edhe ato që u frymëzuan nga pikëpamje demokratike, kanë luajtur gjithashtu një rol progresiv.

Habermas vinte në dukje edhe në rolin që ka luajtur spiritualizmi (jashtë ortodoksisë religjioze) dhe marrëdhëniet e tij me Romanticizmin, Socializmin utopik dhe Humanizmin, si edhe rëndësinë që kanë pasur motivet dhe praktikat organizative fetare në një varg lëvizjesh sociale gjatë shekullit të 20-të në Europë, në Shtetet e Bashkuara dhe në vende e rajone të tjera të globit. Në këtë vështrim, mund të thuhet, siç argumenton Charles Taylor, se historia e sekularizimit të shoqërisë moderne ka qenë dhe është jo vetëm historia e rënies së rolit të fesë, por edhe një histori e rritjes së angazhimeve të saj në projektet transformuese të kësaj jete tokësore.

Ajo që përbën thelbin e pikëpamjes habermasiane ka të bëjë, nga njëra anë, me mundësinë që progresi, liria dhe emancipimi të konceptohen qartë në terma thjesht sekularistë dhe, nga ana tjetër, me mundësinë që mes diskursit mbi besimin dhe arsyes publike (po kështu dhe së mirës publike) mund të bëhet—dhe të ruhet—një diferencim i qartë. Habermas theksonte me të drejtë se vetë ideja mbi lirinë dhe emancipimin shoqëror ka lindur dhe është zhvilluar historikisht edhe në kuadër të diskursit fetar në Europë, dhe se, në një masë të caktuar, ky diskurs vazhdon t’i japë përmbajtje kësaj ideje.

Është një fakt i njohur që Theodor Adorno, Max Horkheimer, Herbert Marcuse dhe mendimtarë të tjerë të traditës së Shkollës së Frankfurtit, përfshirë këtu edhe përfaqësuesin më të shquar të brezit të fundit të kësaj tradite, Habermas, e kanë pasuruar përmbajtjen e ideve të tyre filozofike—veçanërisht në periudhën e hershme të krijimtarisë së tyre—duke u mbështetur në traditën fetare, përfshirë edhe traditën hebraike, si edhe në traditën e teologjisë së krishterë dhe në idealizmin gjerman.

Edhe pse Habermas ka pasur një lidhje më shumë historike me Shkollën e Frankfurtit, bazuar në ndërdisiplinaritetin teorik të themeluesve të saj dhe jo specifikisht në zhvillimin intelektual të saj, në esenë e tij filozofike Mes natyralizmit dhe fesë (2008) ai theksonte se “mendimi postmetafizik” dhe arsyeja publike nuk duhen privuar nga resurset e një tradite (fetare), e cila nuk i ka shterur “substancën kognitive” dhe “potencialin semantik” me të cilat ajo mund t’i kontribuojë shoqërisë, përtej një komuniteti të caktuar besimtarësh.

Ky koncept habermasian merr rëndësi të veçantë në ditët tona, pasi jo vetëm që arsyeja publike fiton vlerë nëse integron edhe kontributet që mund të japë feja, por edhe sepse, për të pasur drejtësi politike, kërkohet që diskursi publik të njohë, të tolerojë dhe të lejojë përfshirjen në të edhe të asaj pjese të qytetarëve që besojnë në fe.

Në esenë e tij Feja në sferën publike (2007), Habermas argumentonte se, “Ndërsa qytetarët besimtarë mund të japin kontribute publike përmes gjuhës së tyre fetare, nëse kjo gjuhë përkthehet, qytetarët jobesimtarë duhet të hapin mendjet e tyre ndaj përmbajtjes së vërtetë të mundshme të atyre kontributeve, madje edhe të hyjnë në dialog, përmes të cilit, arsyet fetare mund të bëhen pjesë e argumenteve të aksesueshëm për të gjithë”.

Sidoroftë, edhe pse Habermas kërkonte që feja dhe argumentet e saj të bëhen pjesë e diskursit publik, ai insistonte në konceptin sekularist të shtetit. Sipas tij, ndërsa toleranca zyrtare për forma të ndryshme të praktikës fetare dhe ndarja kushtetuese e kishës prej shtetit janë pozitive e të domosdoshme, këto, në vetvete, nuk janë garanci të mjaftueshme për të siguruar lirinë fetare për këdo.

Një polifoni zërash në sferën publike

“Nuk mjafton të mbështetemi thjesht në vullnetin e mirë të një autoriteti të sekularizuar”, shkruante ai. “Vetë palët në konflikt duhet të arrijnë të merren vesh në lidhje me marrëdhënien mes një lirie pozitive, për të praktikuar cilëndo fe që dëshiron, dhe lirisë negative për të mos u ndikuar nga praktikat religjioze të të tjerëve”.

Habermas theksonte se, “Në qoftë se duam që parimi i tolerancës të qëndrojë mbi çdo dyshim për represion, atëherë duhet të gjenden arsye bindëse rreth asaj se çfarë duhet toleruar dhe çfarë jo, arsye të cilat mund t’i pranojnë njëlloj të gjitha palët”. “Zgjidhje të drejta”, sipas tij, “mund të gjenden vetëm nëse të gjitha palët mësohen të marrin në konsideratë edhe pikëpamjen e tjetrit. Dhe procedura që i përshtatet më së miri këtij qëllimi është mënyra e formimit të vullnetit demokratik përmes marrëveshjes”.

Habermas argumentonte se një “kompleks polifonik zërash publikë” është një kusht i domosdoshëm për krijimin e një sfere publike demokratike, e cila të jetë gjithëpërfshirëse, pra të mos përjashtojë askënd që beson, ose që nuk beson në ndonjë fe.

Brenda kësaj sfere publike, rëndësi esenciale merr parashtrimi dhe mbrojtja e argumenteve pasi, as arsyeja publike dhe as e mira publike nuk mund të bëjnë përpara thjesht përmes tolerancës ndaj pikëpamjeve të ndryshme, por përmes mirëkuptimit të ndërsjellë dhe formimit të vullnetit kolektiv.

  •  

A ka vdekur Partia Socialiste?

Nga Fatos Tarifa

Titulli i kësaj analize, në formën e një pyetjeje retorike dhe të një figure gjuhësore, është zgjedhur qëllimisht për të tërhequr vëmendjen e socialistëve shqiptarë dhe të publikut të gjerë mbi gjendjen dhe fatin e Partisë Socialiste. Ai ngre dyshime dhe provokon debat ose kritika mbi gjendjen aktuale të partisë më të madhe në vend dhe mbi shëndetin e demokracisë në Shqipëri. Me këtë titull unë nuk pyes nëse PS ka pushuar realisht së ekzistuari, edhe pse fjala “vdekje” nënkupton fundin e një organizmi të gjallë, siç është, ose duhet të jetë edhe një organizatë politike, por nënkuptoj se PS mund të ketë humbur energjinë, identitetin, besimin dhe shpresën e qytetarëve që e kanë mbështetur dhe e mbështetin dhe e votojnë për të.

Pas këtij sqarimi të nevojshëm, qysh në krye parashtroj një tezë polemike, ose bëj këtë pohim kritik, që nga pikëpamja stilistike dhe retorike mund të konsiderohet si një antitezë paradoksale: Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, qysh nga viti 2013, i ka fituar Partia Socialiste, jo kryetari i saj, por vendin nuk e ka drejtuar dhe nuk drejton kjo parti, por kryetari i saj.

Edhe pse PS ka qenë, është e do të mbetet edhe për një të ardhme të parashikueshme partia politike më e madhe në vend, kjo parti nuk ka zë. Në emër të saj flet një njeri i vetëm—kryetari i partisë, në këtë rol dhe, sidomos, në rolin e kryeministrit të vendit. Partia dhe shteti janë bërë një, siç kanë qenë e janë në sistemet autoritaristë.

Në një demokraci funksionale, kur flet partia, lideri dëgjon dhe vepron në përputhje me vijën, sugjerimet dhe direktivat e partisë. Në Shqipërinë e sotme flet vetëm lideri, ndërsa Partia Socialiste hesht. Një e vërtetë që nuk mund të mohohet dhe as të fshihet është kjo: një lider që i trembet mendimit kritik të anëtarëve të partisë, ose të deputetëve të partisë në parlament, i trembet vetë demokracisë dhe nuk e do e nuk punon për të.

Kryetari i PS-së e ka vënë partinë në rresht, i ka disiplinuar dhe regjimentuar anëtarët e saj duke ua mbyllur gojët. Askush në PS dhe në grupin parlamentar të saj nuk guxon të mendojë ndryshe nga kryetari-kryeministër dhe aq më pak të shprehë një pikëpamje të ndryshme nga e tij. Shumica e deputetëve socialistë janë thjesht ushtarë të kryetarit, të komanduar në çdo hap e në çdo gjë prej tij, jo socialistë me bindje, jo mendje të hapura e të lira.

Kryetari e ka shndërruar PS-në nga një organizatë politike, në një strukturë të disiplinuar vertikalisht, ku dominon bindja ndaj kryetarit dhe konformizmi, jo mendimi, fjala dhe debati i lirë. Një parti pa debat është një organizatë pa jetë politike. Dhe në një parti ku guximi për të folur mungon, ose ndëshkohet, fillon të sundojë mediokriteti. Ajo parti nuk është më dhe nuk funksionon si një komunitet politik me demokraci të brendshme. Kulti i së vërtetës dhe kolegjialiteti janë zëvendësuar nga kulti i kryetarit. Dhe më mirë se kudo kjo pasqyrohet në jetën dhe vendimmarrjen e grupit parlamentar të asaj partie. Disiplina është vërtet një normë e çdo partie politike, por kur ajo mbyt mendimin e lirë, bëhet një inkubator dhe instrument i mediokritetit politik.

Momenti kur një kryetar partie fillon të kërkojë më shumë besnikëri prej anëtarëve dhe organeve drejtuese të saj sesa ide, më shumë heshtje sesa debat, është edhe momenti kur ajo parti fillon të varfërohet shpirtërisht. Të mos harrojmë se demokracia e brendshme në parti nuk shuhet me një akt të vetëm; ajo dobësohet e venitet ngadalë—shpesh në mënyrë thuajse të padukshme—sa herë që guximi për të folur zëvendësohet nga konformizmi dhe sa herë që autoriteti i kryetarit ngrihet mbi autonominë e mendimit. Partia mund të duket e fortë por, në thelb, ajo pushon së qeni një bashkësi idesh e parimesh dhe bëhet vetëm një mekanizëm pushteti.

Nën drejtimin e kryetarit aktual të saj, PS dhe, sidomos deputetët e saj, nuk janë më një hapësirë publike e politike e mendimit të lirë, por një kazermë politike, një ushtri konformistësh nën komandën e kryetarit, ku guximi për të mbrojtur idetë dhe parimet socialiste, fjala dhe mendimi kritik sakrifikohen në emër të bindjes ndaj kryetarit.

Deputetëve socialistë kryetari i partisë u kërkon bindje, jo ide. Idetë i ka vetëm ai dhe bën si të dojë. Të tjerët kanë veshë, por jo gojë, duar e kartonë por jo mendim. Në këtë mënyrë, kryetari nuk drejton më një parti politike, por një kazermë. Në një kazermë nuk kërkohet mendim, por urdhër; nuk vlerësohet guximi për të folur, por bindja dhe heshtja.

Një parti politike jeton nga fjala e lirë, nga guximi për të kundërshtuar dhe nga mendimi kritik i anëtarëve të saj. Partitë politike krijohen si bashkësi njerëzish që ndajnë ide, bindje dhe aspirata të përbashkëta, por edhe si hapësira ku këto ide testohen përmes debatit dhe mendimit racional kritik.

Forca e një partie politike nuk qëndron thjesht te programi i saj apo te kryetari, por te liria e brendshme që ajo parti u jep anëtarëve të saj për të menduar, për të kundërshtuar dhe për të kontribuar në formësimin e drejtimit politik të saj. Qysh më 1861, John Stuart Mill, në veprën e tij klasike Konsiderata mbi qeverinë përfaqësuese, argumentonte se cilësia e çdo qeverisjeje dhe e çdo organizate politike vlerësohet nga hapësira që ajo krijon për debat të lirë dhe kritikë të brendshme dhe se pa këtë liri, çdo organizatë rrezikon të bjerë në stanjacion dhe autoritarizëm. Të njëjtën pikëpamje mbronte edhe Walter Bagehot në veprën e tij Kushtetuta angleze (1867), kur shkruante se “liria për të folur, për të kritikuar dhe për të ndikuar në vendimmarrje brenda partisë është një mikrokozmos i lirisë në vetë shtetin”.

Partitë lindin, rriten e zhvillohen nga liria dhe pluralizmi i mendimit; ato varfërohen e vdesin nga uniformiteti i tij. Një parti e fortë nuk është ajo në të cilën të gjithë mendojnë njësoj, por ajo ku askush në parti (dhe as në grupin e deputetëve që e përfaqësojnë atë në parlament) nuk ka frikë të mendojë ndryshe. Uniteti i vërtetë lind dhe ushqehet nga bindja; uniteti i imponuar lind dhe ushqehet nga frika.

Kur liria për të menduar, guximi për t’u shprehur lirisht, dhe e drejta për të kundërshtuar zëvendësohen nga frika, konformizmi dhe disiplinimi vertikal, partia e humbet shpirtin e saj demokratik dhe pushon së qeni një organizatë demokratike. Ajo shndërrohet në një strukturë të centralizuar rreth vullnetit të një njeriu të vetëm. Ky quhet centralizëm autoritarist, ose partitokraci e mbyllur dhe vetë qeveria shndërrohet, siç edhe ka ndodhur realisht te ne, në një aparat personal pushteti.

Kjo dukuri përfaqëson pikërisht atë që, në sociologjinë e organizatave politike, Robert Michels e përshkruan si prirjen e partive politike për t’u transformuar nga institucione përfaqësuese, në aparate të kontrolluara nga një elitë e ngushtë drejtuese, ose nga një lider i vetëm.

Në një parti të tillë nuk kultivohet debati, por heshtja dhe bindja; nuk vlerësohet autonomia e mendimit dhe racionaliteti, por besnikëria ndaj kryetarit. Dhe një kryetar partie, i cili kërkon bindje absolute nga anëtarët e saj, nga organet drejtuese dhe përfaqësuesit e saj në parlament, nuk ndërton dhe nuk drejton një parti politike dhe një qeveri demokratike, por një oborr të vetin, ku mund të sundojë siç do ai vetë, jo siç do të donte masa e gjerë e partisë dhe siç do të ishte në të mirë të interesit publik.

***

Pikëpamja që unë mbroj dhe shpreh këtu se pa demokraci në parti nuk ka demokraci në qeverisje, mund të jetë normativisht shumë e fortë, por rasti i Shqipërisë ka provuar e provon se ajo është e vërtetë në praktikë. Janë partitë ato që formojnë elitën politike të vendit dhe është demokracia në parti ajo që kultivon kulturën demokratike të qeverisjes. Ata që vihen në krye të qeverisë, si rregull, qeverisin siç kanë mësuar të drejtojnë partinë. Giovanni Sartori, një ndër teoricienët më të shquar të demokracisë, i konsideronte partitë si “instrumentet kryesore të demokracisë”, pasi, theksonte ai, “nëse partitë nuk janë demokratike brenda vetes, i gjithë procesi demokratik komprometohet ngaqë udhëheqja që ato prodhojnë është ajo që qeveris vendin”.

Sa vura në dukje më sipër më sjellin në idenë e “liderit absolut”. Dukuria nuk është e panjohur dhe as vetëm shqiptare. Shumë kryetarë partisë, pasi bëhet kryeministre, kontrollojnë gjithçka: listat e kandidatëve, karrierën politike, vendimet strategjike.

Në Shqipëri, sot është bëtë normë që kryetari i partisë më të madhe, në postin e kryeministrit, kontrollon dhe vendos për gjithçka: çfarë do privatizohet, çfarë do prishet, çfarë do ndërtohen (rrugë, ura, tunele, konvikte studentësh, porte e aeroporte), ku, si, kur dhe nga kush; çfarë ligjesh do ndryshohen, si do të ndryshohen dhe në dobi të kujt; si duhet të jenë shkollat dhe universitetet, si duhet të kualifikohem mësuesit e pedagogët, ç’ditë të vitit duhen shpallur festa zyrtare etj., etj. Te ne, të gjitha këto i di dhe i vendos një njeri i vetëm, kryeministri, edhe pse nuk mbahet mend se kur ka qenë hera e fundit që Partia Socialiste e ka zgjedhuar atë kryetar të saj. Në këta 13 vite, kryeministri që kemi ka bërë çfarë ka dashur dhe si ka dashur ai vetë.

***

Alibia e kryeministrit dhe e bashkëpunëtorëve të tij të afërt servilë se PS ka fituar në katër zgjedhjet e fundit parlamentare dhe, për këtë arsye, kryeministri duhet të mbetet në krye të partisë pa qenë nevoja të rizgjidhet në atë post, nuk është një alibi demokratike.

Në sistemet parlamentarë, mandati nuk i jepet një individi të vetëm, por partisë. Kryeministri është thjesht figura që përfaqëson partinë fituese në zgjedhje të përgjithshme dhe në qeverisjen e vendit pas tyre. Fitorja e një partie politike në zgjedhje nuk mund të përdoret si një alibi për legjitimitet personal, si një fitore individuale e kryetarit të partisë për të justifikuar qëndrimin e vet në pushtet pa asnjë kufizim në kohë. Kjo lloj alibie quhet “retorikë e personalizimit të mandatit”, pasi qëndrimi në pushtet vishet me aureolën e legjitimitetit institucional kur, në fakt, legjitimiteti i fitores në zgjedhje i përket partisë.

Një logjikë e tillë i shërben personalizimit të partisë e të pushtetit, jo institucionalizimit të jetës politike në parti dhe të pushtetit. Dhe në një parlament në të cilin pushteti i kryetarit të partisë personalizohet në figurën e tij si kryeministër, një pjesë e madhe e deputetëve të asaj partie bëhen besnikë ndaj kryetarit, jo ndaj qytetarëve që i kanë votuar. Rrjedhimisht, siç shohim të ndodhë për ditë në Shqipëri, parlamenti dobësohet, ndërsa qeveria bëhet thuajse e pakontrollueshme. Kjo dukuri ndeshet edhe në disa prej demokracive të reja në Europës Lindore por, njëlloj si në periudhën e socializmit shtetëror, edhe në këtë periudhë post-socialiste, Shqipëria “ha bukë veç”, si një rast ekstrem.

Nga një parti, në të cilën mendimi i lirë nuk çmohet e nuk inkurajohet dhe në të cilën kryetari është gjithçka, anëtarët më të mirë largohen, ndërsa mbeten ata që besnikërinë ndaj partisë shndërrojnë në servilizëm ndaj kryetarit të saj. Kryetari mund të mburret se ka një parti “të bashkuar” kur, në të vërtetë, partia është tashmë një organizatë e varfëruar nga mendimi dhe e nënshtruar nga frika.

Si mundet deputetët e saj të përfaqësojnë qytetarët që i kanë votuar kur ata nuk përfaqësojnë dot veten e tyre? Si mundet që ata të flasin në emër të qytetarëve  e të mbrojnë vullnetin dhe interesat e tyre, kur nuk janë të lirë të shprehin e të mbrojnë mendimet e veta? Uniteti i imponuar nga frika nuk është unitet, por heshtje kolektive. Historia politike dëshmon se, shpesh herë, uniteti i imponuar nga lart nuk është shenjë force e vitaliteti, por shenjë e një demokracie të brendshme në agoni, ose ta jetë.

Kur heshtja në parti dhe në radhët e deputetëve të saj në parlament zëvendëson debatin e lirë, guximi për të kundërshtuar kryetarin e partisë perceptohet si devijim nga linja e saj. Edhe pse, siç vura në dukje më sipër, partia mund të duket e bashkuar e në unitet, shpesh kjo është vetëm pamja e jashtme saj. Në të vërtetë, ajo rrezikon të humbasë vitalitetin intelektual dhe moral që e bën dhe e mban një organizatë politike të gjallë.

***

Partitë që përfundojnë në këtë gjendje nuk janë të afta të ndërtojnë një elitë politike të kualifikuar, të lirë e kritike, por një trupë të heshtur ndjekësish besnikë e të trembur, pa mendim, pa guxim, pa vizion, si kjo elite “socialiste” në parlament dhe në qeveri që sot drejton vendin.

Ata nuk janë më bashkëkrijues të politikës së partisë, por thjesht zbatues të vullnetit të një njeriu të vetëm, kryetarit. Një realitet i tillë ka varfëruar jo vetëm jetën e brendshme organizative, intelektuale e morale të partisë, por edhe vetë kulturën demokratike të shoqërisë.

Nuk duhet harruar se demokracia nuk mësohet vetëm në shkolla, si një teori politike mbi shoqërinë dhe shtetin, por edhe brenda partisë. Studiuesit e politikës i konsiderojnë partitë si “shkolla të demokracisë”. Robert Dahl, një tjetër teoricien i demokracisë ndër më të shquarit, në veprën e tij Poliarkia (1971), argumenton se “demokracia nënkupton një kulturë politike, në të cilën qytetarët trajnohen të marrin pjesë, të diskutojnë e të tolerojnë opozitën. Shkolla të kësaj kulture janë partitë politike”.

Nëse një parti lejon debat të hapur, zgjedhje realisht të lira brenda saj dhe respekton mendimin ndryshe, atëherë anëtarët dhe drejtuesit e saj marrin një kulturë demokratike dhe sillen në mënyrë demokratike. Kjo kulturë demokratike më pas sendërtohet dhe pasqyrohet në mënyrën e qeverisjes. Në të kundërt, një parti e organizuar dhe e drejtuar në mënyrë autoritariste prodhon drejtues që qeverisin në të njëjtën mënyrë.

Nëse vendimet në parti dhe, në emër të saj, nga mazhoranca parlamentare, merren nga një njeri i vetëm, nga kryetari-kryeministër, në mungesë të debatit të lirë, dhe nëse në zgjedhjet për strukturat drejtuese të partisë dhe në ato për organet përfaqësuese qendrore e lokale nuk ka konkurrencë të brendshme, atëherë elita që prodhon “partia” nuk krijohet në mënyrë demokratike dhe, ipso facto, qeverisja në emër të kësaj partie është jo tolerante ndaj kritikave dhe as e shtrënguar të mbajë përgjegjësi.

Siç me të drejtë vinte në dukje Samuel Huntington, “një parti që shtyp mendimin ndryshe brenda radhëve të saj, ka pak gjasa që ta tolerojë atë në qeverisje. Praktikat e mësuara në jetën e brendshme të partive kushtëzojnë dhe orientojnë sjelljen politike në qeverisje”.

Para tij, Maurice Duverger, në veprën e tij tashmë klasike, Partitë politike, argumentonte se, “demokracia e brendshme në parti nuk është një luks, por një parakusht për legjitimitetin e partisë në sytë e elektoratit dhe për funksionimin e demokracisë në shoqëri”.

Të njëjtën ide ka argumentuar sociologu i shquar amerikan Semour Martin Lipset, në veprën e tij Njeriu politik, në të cilën pohon se, “pa demokraci brenda partisë, përvoja e vendimmarrjes demokratike mbetet e kufizuar dhe demokracia në qeverisje vihet në rrezik”.

Në çdo demokraci përfaqësuese, partitë janë porta kryesore për të hyrë në jetën e organizuar politike të vendit, për t’u zgjedhur apo emëruar në organe dhe institucione drejtuese dhe për të marrë funksione politike e përgjegjësi. Kandidatët për deputetë në parlament, ata për një portofol në qeveri apo për poste në institucionet vendore kalojnë pothuajse gjithmonë përmes partive.

Kjo nuk ndodh në Shqipëri. Te ne, jo vetëm anëtarët e kabinetit qeveritar janë zgjedhja personale e kryeministrit (jo e partisë)—shumë herë emërime surprizë dhe në minutën e fundit për kryesinë e partisë, për publikun e gjerë, por edhe për vetë ata burra e gra, të cilëve kryeministri u ofron një portofol në kabinetin e tij—por edhe anëtarët e parlamentit dhe kryetarët e bashkive që përfaqësojnë atë parti, pa asnjë lloj konkurrence idesh e aftësish dhe pa garë në parti. Shumë prej tyre, madje, nuk i lidh asgjë me Partinë Socialiste.

***

Në mbyllje, dëshiroj të sqaroj se, gjithçka që kam parashtruar në këtë analizë, motivohet nga kujtimi i prindërve të mi, të cilën e deshën Partinë Socialiste qysh nga krijimi i saj dhe votuan për të deri në frymën e tyre fundit. Por motivohet edhe nga simpatitë e mia politike për këtë parti dhe nga respekti që kam për një numër të vogël deputetësh socialistë në Kuvendin e Shqipërisë, të cilët kanë pasur dhe kanë kurajën të mendojnë e të flasin ndryshe nga kryetari i saj.

  •  

Bisedë me Volterin

Nga Fatos Tarifa

Epoka e Iluminizmit ka qenë dhe mbetet një ndër më interesantet në historinë e njerëzimit. Figura qendrore dhe, padyshim, më e shquara e asaj epoke ishte Volteri, ndaj edhe, shpesh herë, ajo është quajtur l’époque de Voltaire. Për më shumë se gjysmë shekulli kam lexuar shumë nga veprat dhe letrat e tij dhe gjithnjë kam mbetur i mahnitur nga thellësia e mendimit, nga stili i tij dhe besimi që ai kishte tek Arsyeja dhe tek e Vërteta. Leximi i veprave të Volterit ka nxitur shpesh herë një monolog të brendshëm tek unë, sepse idetë e tij të angazhojnë, të vënë në punë mendjen e të bëjnë të reflektosh për kohën e tij dhe për kohën tonë.

Ky monolog i vazhdueshëm më krijoi së fundmi një dëshirë të habitshme për të komunikuar me këtë champion de la raison et de la tolérance, siç me të drejtë është quajtur ai. Një dëshirë e marrë, por kokëfortë, këmbëngulëse. Iu nënshtrova kësaj dëshire pa shumë rezistencë, si një ushtrimi të dobishëm intelektual, dhe e lashë të lirë imagjinatën. Produkt i saj është kjo bisedë me Volterin një mbrëmje në Paris, në një kohë pa datë, në Café Procope, kafeja e tij e preferuar në 13 Rue de l’Ancienne-Comédie, të cilën e ndaj sot me lexuesin.

Au Café Procope

Monsieur de Voltaire, mirë se vini në shekullin e 21-të! Si ishte rrugëtimi juaj në kohë?

Volter: I jashtëzakonshëm. Në Paris ndien më pak erë kuajsh dhe më shumë aromë kafeje të djegur. E quani kafe këtë që pini?

Po. Njerëzit sot nuk jetojnë dot pa të. Në Amerikë madje kanë një shprehje: There’s no life before coffee, edhe pse kafeja që pinë atje nuk i afrohet aspak kafesë që pihet sot në Napoli, në Tiranë apo në Paris. Thonë se kafeja të nxit në punë, motivon bisedat…

Volter: Dhe mediokritetin, ma ha mendja. Disa gjëra kurrë nuk ndryshojnë.

Keni të drejtë. Por mendoj se as kjo kafé, që me sa kam lexuar është më e vjetra në Paris, nuk ka ndryshuar qysh nga koha kur këtu vinit ju. Kjo është arsyeja që ju propozova të takoheshim në këtë vend.

Volter: Ah, Kafé Prokop! Nuk mund të zgjidhnit një vend më të mirë në Paris për këtë bisedë. Ky lokal nuk është thjesht një kafé; është një monument i arsyes, i rebelimit dhe i kafesë së pjekur aq fortë, sa në kohën time zgjonte mendjet e fjetura. Këtu e pinte kafenë në vitet e tij të fundit La Fonteni; këtu unë debatoja për pushtetin e mbretërve dhe stilin e satirës me mendje të tjera të ndritura, si Didëroi, d’Alamberi, Rusoi (kur ky i fundit nuk ishte shumë sentimental dhe dramatik), apo Benxhëmin Franklin, që erdhi në Paris si i pari ambasador i republikës së sapo formuar amerikane.

Edhe Franklin vinte në këtë kafe?

Volter: Po. Këtu jam takuar me të për herë të parë. Franklin ishte një njeri i rrallë. Jo vetëm ishte i ditur në shumë fusha, por kishte edhe një mendje të mprehtë, një humor të hollë dhe një ironi therëse. Këto më pëlqenin shumë tek ai. Fatkeqësisht unë isha 83 kur u njoha me të dhe pas kësaj nuk jetova veç disa muaj më shumë. Kjo kafé ishte një vend i mendimtarëve iluministë. Të gjithë ne i kemi ngrohur me frymën dhe mendjet tona këta mure. Këtu debatoheshin ide që ndiznin mendjet e filozofëve të rinj. Por, më shumë se kjo—dhe më ndjeni për sentimentalizmin tim—Prokop më sjell ndër mend shumë kujtime. Më kujton gishtërinjtë e llangosur me bojë, sepse këtu kam shkruar shumë nga letrat e mia, të qeshurat tona më të mprehta e më therëse sesa tehu i sëpatës së gijotinës dhe guximin që duhej për t’ua thënë të vërtetën në sy njerëzve të fuqishëm në pushtet me një filxhan të vogël kafeje përpara. Njëherë e një kohë, priftërinjtë e konsideronin kafenë si pijen e të pabesëve, e njerëzve që nuk besonin në fe. Tani ata vetë e pinë kafenë në kisha e katedrale në intervalet mes lutjeve. Kështu ka ecur përpara njerëzimi: herezia e djeshme dhe e sotme bëhen zakonet e së nesërmes. Por, në kohën time, kafeja këtu ishte aq e mirë, sa unë pija 40 të tilla në ditë, përzier me çokollatë. Të porosisim një kafe para se të nisim bisedën tonë e të shohim si e bëjnë sot. Me kënaqësi vura re kur hyra se kësaj dhome që ju zgjodhët të ulemi, i kanë venë emrin tim. Ja tek është edhe një prej skrivanive të mia. Njëlloj siç ka qenë. Nuk besoj se do të kisha ardhur me kaq kënaqësi në një takim si ky diku tjetër në Paris—në Versajë jo e jo. Atje fjalët fshihen pas maskave, këtu fjalët marrin kuptimin e tyre të vërtetë.

Përshkrimi juaj më sjell të gjallë në përfytyrimin tim atë kohë dhe këtë kafé-seli të Iluminizmit. Pas jush, siç kam lexuar, kjo kafé u bë vendi ku vinin Dantoni dhe Robespjeri, frymëzuesit dhe aktorët kryesorë të revolucionit që përmbysi monarkinë në Francë, por që u bënë edhe viktimat e atij revolucioni. Këtu vinin edhe Napolon Bonaparti, Viktor Hugo dhe njerëz të tjerë të shquar të kombit tuaj. Mund të ishim takuar edhe në Gjenevë, ku ju keni jetuar për shumë vite me radhë, por nuk mësova dot një kafé që të kish qenë vendi juaj i preferuar.

Volter: Oh, jo. Marrëdhënia ime me Gjenevën ka qenë krejt tjetër nga ajo me Parisin. Gjeneva ishte kalviniste, konservatore dhe unë jam përplasur shpesh me autoritetet e atij qyteti për teatrin dhe për lirinë e fjalës. Veç kësaj, kafetë publike në Gjenevë nuk kishin atë rol të rëndësishëm në jetën intelektuale të atij qyteti si në Paris. Në atë vend unë i prisja miqtë në sallonet e rezidencës sime në Les Délices, jashtë Gjenevës. Nuk e di nëse ajo ndërtesë ende ekziston.

Sigurisht që po. Është shndërruar në një institut dhe në shtëpi muze—Institut et Musée Voltaire—pjesë e Bibliotekës së Gjenevës.

Volter: Më vjen mirë që e dëgjoj. Më në fund, Gjeneva është miqësuar me mua. Por, më thoni, ju lutem, diçka për veten tuaj, veç atyre që më shkruanit në ftesën që më bëtë. Më thatë se jeni nga Shqipëria dhe kjo më bëri kureshtar.

Po, nga Shqipëria, për të cilën ju edhe keni shkruar në veprën tuaj Ese mbi zakonet dhe shpirtin e kombeve.

Volter: Shqipëria e Skënderbeut! Po, kam shkruar për vendin tuaj si një vend malor me burra trima dhe për heroin tuaj kombëtar. Kam thënë se ai e pengoi ekspansionin osman drejt Europës në shekullin e 15-të dhe për një kohë të gjatë e mbrojti Krishterimin nga ushtritë e sulltanëve osmanë. Jam njohur në atë kohë me kronikat turke sepse, si historian, isha i interesuar të kuptoja ndikimin që ka pasur ekspansioni osman në historinë e Europës deri në fund të shekullit të 17-të, kur ushtria osmane u thye në portat e Vienës, më 1683. Për Skënderbeun kam shkruar me admirim. Kam thënë se ai lindi në Shqipëri, në atë kohë pjesë e Epirit, një vend i njohur qysh nga kohët e lashta heroike të Greqisë e të Romës. Me këtë emër, Iskander, e pagëzoi sulltani për aftësitë e tij ushtarake të jashtëzakonshme, të ngjashme me ato të Aleksandrit të Madh. Kam shkruar se si Skënderbeu, falë mençurisë, guximit dhe trimërisë së tij, mori Krujën dhe i bashkoi shqiptarët për të penguar avancimin e ushtrive të mëdha turke drejt Europës përmes Italisë dhe Mesdheut perëndimor. Ai kë qenë një shembull i shkëlqyer se si një udhëheqës i mençur dhe trim mund t’i rezistojë një perandorie të madhe. Për shqiptarët kam thënë se, në atë kohë, ata njiheshin si ushtarët më të mirë në atë pjesë të botës. Rezistenca që u bënë turqve për një kohë të gjatë dëshmon se kanë qenë vërtet të tillë.

Një vlerësim i tillë më bën të ndihem mirë dhe fakti që për Shqipërinë dhe Skënderbeun keni shkruar në një nga veprat tuaja më të rëndësishme ka pasur dhe ka një domethënie të madhe historike për ne shqiptarët. Ndoshta e dini se Antonio Vivaldi shkroi dhe vuri në skenë, në Firence, në vitin 1718, një opera titulluar “Skënderbeu”, kushtuar heroit tonë kombëtar.

Volter: Jo, nuk kam dëgjuar për të. Italinë (dhe Firencen) i kam vizituar në fund të viteve 1720, por nuk kam dëgjuar për këtë opera. Për Vivaldin po, por krijimtaria e tij mbeti e panjohur për mua dhe nuk kam shkruar asnjëherë për këtë kompozitor, edhe pse, veç shumë veprave dramatike—tragjedi dhe komedi—unë kam shkruar edhe disa librete operash.

Këtë e kam mësuar më vonë. Fillimisht ju kam njohur përmes Kandidit, që ndoshta është vepra juaj më e njohur, të cilën e kam lexuar të përkthyer në shqip kur isha nxënës në shkollë të mesme. Nuk do të kisha marrë guximin t’ju ftoja dhe as ta nisja këtë bisedë me ju pa lexuar këtë libër, si dhe disa prej veprave tuaja më të mira—Letrat mbi kombin anglezFjalorin filozofikEsenë mbi zakonet dhe shpirtin e kombeve, Traktatin mbi tolerancën e ndonjë tjetër. Kureshtja ime për të mësuar më shumë për veprën tuaj dhe për epokën që me të drejtë mori emrin tuaj mund të them se ka nisur me leksionet mbi historinë e filozofisë që kam marrë në Universitetin e Tiranës nga profesori im i nderuar Zija Xholi. Ai ishte një njohës shumë i mirë i historisë së filozofisë nga kohët e lashta deri në fundin e shekullit të 19-të dhe një admirues i madh i filozofëve iluministë, i juaji veçanërisht. Ishte pikërisht ai, gjysmë shekulli më parë, që e bëri filozofinë një subjekt të dashur për mua dhe studimin e saj një prej kënaqësive të mia intelektuale më të mëdha.

Volter: Pra, po flas me një filozof.

Oh, jo. Maître, unë vij te ju jo si një filozof, por si një kërkues, si një studiues i jetës shoqërore. Filozof është një titull shumë i lartë dhe një privilegj që nuk e meritoj, edhe pse studimet universitare i kam kryer në këtë fushë. Filozof nuk të bën thjesht arsimi që merr. Por, Monsieur de Voltaire, më lejoni t’ju them se e kam pritur shumë gjatë këtë takim me ju, për vite me radhë. Më dukej e pamundur të vinit nga thellësia e shekujve.

Volter: E pamundura, i dashur mik, është thjesht ajo provincë e pa eksploruar e arsyes. Ja tek jam. Le të bisedojmë në qetësinë sublime të kësaj kafeje, sepse bota është bërë më e zhurmshme që nga koha ime, dhe do të doja të dija nëse është bërë edhe më e mençur.

Dyshoj nëse është bërë më e mençur dhe kjo është arsyeja pse dëshiroja kaq shumë të bisedoj me ju. Në një rast, ju jeni shprehur se çdo njeri është produkt i kohës së tij dhe vetëm pak njerëz janë në gjendje të ngrihen mbi idetë e kohës së tyre. Ju vetë jeni një ndër këta të paktë njerëz. Çështjet që shqetësojnë njerëzimin sot—raporti me të vërtetën, liria, marrëzia njerëzore—janë të njëjtat për të cilat ju qeshnit në kohën tuaj, afro tre shekuj më parë. Dogma të vjetra e të reja, besëtytni dhe absurditete të çdo lloji, hipokrizia dhe intoleranca vazhdojnë të jenë mjaft të përhapura dhe, po kështu, padrejtësitë dhe krimi. Edhe pse shekujt kalojnë, duket se arsyeja dhe marrëzia kurrë nuk tërhiqen nga jeta e shoqërisë. Kemi nevojë për një mendje të mençur që të na shpjegojë burimet e tyre dhe, kush tjetër më mirë se ju mund të fliste për çështje të tilla?

Volter: Më mirë do të ishte, ndoshta, të pyesnit ndërgjegjen tuaj, por e pranoj komplimentin. Erazmi i Roterdamit na kujton se marrëzia njerëzore është e palodhur dhe, arsyeja shumë herë përton të lëvizë. Dueli mes tyre është i pabarabartë, por e qeshura është arma më e mirë për të luftuar marrëzinë dhe për ta lartësuar arsyen. Nëse injoranca është djepi i besëtytnive, e qeshura është  asgjësuesi i tyre. Më duhet t’ju them, sidoqoftë, se nëse më thirrët nga varri me shpresë se do të merrni nga unë përgjigjet më të mira, do të mbeteni i zhgënjyer, por nëse këtë e bëtë që të jeni në shoqërinë time ndërsa kërkojmë së bashku përgjigje për këto çështje, atëherë mendoj se mund t’ju jem i dobishëm, sidomos me të qeshurën time. Të paktën e qeshura duket se ka mbijetuar më mirë se sa eshtrat e mia.

Hmm! Jo rrallë, edhe sot, njerëzit përdorin shprehjen le rire de Voltaire, si një formë e qeshure sarkastike për të çarmatosur kundërshtarin, ose për të venë në dukje një absurditet. Është e qeshura me të cilën ju vinit në lojë dogmat, fanatizmin, hipokrizinë, priftërinjtë dhe mbretërit. Por, më thoni, ju lutem, cila është përshtypja juaj e parë nga kjo botë moderne?

Volter: E njëjta si për çdo shekull: shumë njerëz flasin me zë të lartë dhe bërtasin, pak njerëz mendojnë. Përveçse tani ata u flasin disa pasqyrave të vogla që i mbajnë tërë kohën në duar, ose ngjitur pas veshëve.

I quajmë smartphone, në frëngjisht le portable. Mund të flasësh ose të komunikosh me shkrim, aty për aty, me këdo, kudo në botë.

Volter: Nëse është kështu, atëherë besoj se numri i budallenjve është shumëfishuar po aq sa edhe fjalët e tyre. Unë jetova në një kohë kur ndriçoheshim me qirinj dhe fenerë; ju jetoni në një epokë të elektricitetit dhe të internetit. Megjithatë, nëse harroni arsyen, nëse nuk e kultivoni atë, do ta gjeni veten përsëri në errësirë. Tani ju flisni me njëri-tjetrin nga përtej oqeanit sikur të jetonit në të njëjtin fshat por, megjithatë, shumë njerëz mbeten të lidhur si skllevër në mendjet e tyre pas idhujve të rinj. E quani progres këtë? Unë shoh të njëjtat besëtytni e paragjykime të vjetra të veshura për një kohë të re. Janë këto les réseaux sociaux për të cilat kam dëgjuar?

Po. Rrjete sociale. Kushdo ka, ose mund të ketë një platformë dhe të ndajë me të tjerët opinionet e veta, çdo lloj informacioni, një krijim artistik, por edhe gënjeshtra, marrëzi dhe shpifje pa fund.

VolterC’est magnifique! Në kohën time duhej të kishe një shtypshkronjë dhe dëshirë të vdisje. Sot mjafton vetëm një gisht. Nëse më pyesni se çfarë mendoj për rrjetet sociale dhe për mediat sociale, për të cilat gjithashtu kam dëgjuar, mund të them se janë një shpikje e përsosur—një “sallon”, në të cilin kushdo flet, askush nuk dëgjon dhe reputacioni i çdokujt mund të shkatërrohet në çast. Unë shoh se njerëzit sot u besojnë këtyre mjeteve që mbajnë në duar më shumë se sa besimtarët në kohën time priftërinjve dhe librave të shenjtë.

Por interneti sot i lidh njerëzit kudo që janë dhe përmes tij mund të marrësh në çast informacion për çdo gjë.

Volter: Një enciklopedi në çdo xhep. Nuk e di se çdo të kishin bërë Didëroi dhe d’Alamberi nga gëzimi. Kjo do të ishte përmbushja e ëndrrës së tyre më të madhe. Por, më thoni ju lutem, a e përdorin njerëzit këtë mrekulli për të zhvilluar arsyen e tyre?

Disa. Ndonjëherë. Por jo shumica dhe jo gjithnjë. Shumica e përdorin më shpesh për thashetheme, për sulme personale, për teori konspirative dhe për cat videos, nëse keni dëgjuar për to, video nga jetët e tyre të përditshme që i ngarkojnë në platforma të ndryshme të medias sociale, si YouTubeFacebook apo Instagram. Në Francë përdorin të njëjtat fjalë për to, të huazuara nga anglishtja, por shpesh në formë të shkurtuar: YT, le Face or FB, apo Insta.

Volter: Me sa shoh, njerëzimi e ka perfeksionuar artin e shpërqendrimit. Në kohën time njerëzit humbitnin vetëm mbrëmjet, sot humbasin tërë kohën. Veç kësaj, edhe pse njerëzit nuk kanë qenë kurrë kaq shumë të lidhur me njëri-tjetrin sa janë sot, ata as nuk janë keqkuptuar mes tyre kaq lehtë dhe kaq shpejt sa sot.

Ju thashë më parë, Maître, se unë vij në këtë takim me ju si një studiues i jetës së shoqërisë, ose, më saktë, si një nxënës që kërkon të mësojë nga mençuria juaj. Nuk kam përgjigje, kam vetëm pyetje dhe shpresoj që ju të mos bezdiseni prej tyre. Më shihni, pra, si një student nga distanca e shekujve, i etur për të mësuar nga ju. Dhe nëse mund t’ju dukem kurajoz apo i guximshëm në këtë bashkëbisedim, kuptoni, ju lutem, se kjo vjen nga që jetoj në shekullin e 21-të, kur budallallëku dhe supersticioni gjenden me bollëk,  pra në një botë ku ju mund të ndiheni si në shtëpinë tuaj.

Volter: Në të vërtetë, në kaq pak orë sa jam këtu, kështu po ndihem. Njerëzimi duket se nuk ka hequr dorë nga venerimi i idhujve. U jepni atyre emra të tjerë, rikonstruktoni burgjet dhe këtë e quani progres. Po, progres. Iluzioni i përhershëm. Njerëzit ngrenë ndërtesa më të larta, por në themel të tyre sërish qëndrojnë paragjykimet. Derisa këto të fundit të çrrënjosen, pamja që ofrojnë këto ndërtesa s’është veçse një marrëzi më e lartë. Por ju po më përkëdhelni sedrën duke më quajtur mjeshtër, pa e ditur, ndoshta, se ç’barrë të rëndë më ngarkoni mbi supe. Nuk dua që t’ju zhgënjej. Unë kurrë nuk i kam mësuar askujt asgjë të sigurt, veç dyshimit. Mësimi i vetëm që u jap njerëzve është se dyshimi është fillimi i çdo mendimi. Nëse e keni mësuar këtë, ia keni dalë mbanë. Klasa ka mbaruar. Sa për pyetjet, besoj jeni i një mendjeje me mua se ato janë gjithnjë një shoqëri më e mirë sesa përgjigjet. Prej tyre nuk bezdisem kurrë, janë përgjigjet ato që më bezdisin. Dhe kurrë mos kërkoni ndjesë për pyetjet që bëni, vetëm për përgjigjet që jepni. Përgjigjet, nëse i di ato dhe, sidomos, nëse je i sigurt për to, të bëjnë dembel dhe ta trashin mendjen, ndërsa pyetjet ta mbajnë mendjen gjallë e në lëvizje. Unë gjithnjë i gjykoj njerëzit nga pyetjet që bëjnë, jo nga përgjigjet që japin.

Monsieur de Voltaire, Apôtre du doute (apostull i dyshimit), nëse më lejoni t’ju quaj kështu…

Volter: Një apostull? Atëherë unë duhet të kem kishën time të heretikëve, edhe pse ajo do të shembej nga grindjet më parë sesa të vihej çatia.

Atëherë, më lejoni t’ju drejtohem me fjalët cher Voltaire

Volter: I dashur? Më në fund, përveç mon cher ange, Émili, ja dhe një tjetër që mendon se mund të jem një njeriu i dashur, edhe pse vetëm nga një distancë e sigurt (buzëqesh).

Më konsideroni një nxënës të dyshimit, ose një bashkudhëtar tuajin në rrugën e dyshimit. Unë nuk di asgjë, por dëshiroj të mësoj se si të mos besoj çdo gjë. Kurrë nuk pretendoj se jam i sigurt në ato që di. Prej jush kam mësuar t’i çmoj ata njerëz që kërkojnë të vërtetën, por edhe të ruhem nga ata që thonë se e kanë zbuluar, ose e dinë atë.

Volter: Saktë! Të dyshuarit, sigurisht, është një gjendje e pakëndshme, por të qenit gjithnjë dhe për çdo gjë i sigurt është një gjendje qesharake.

Le të themi, pra, se unë jam mikpritësi juaj modest në Parisin tuaj dhe ju një vizitor i nderuar në këtë qytet që kaq shumë i ka dhënë kulturës së njerëzimit, filozofi mendjendritur, nga i cili dua të mësoj. Unë jam publiku, ju jeni mendja që i flet atij. Unë me dëshirë zgjedh këtë mbrëmje të bëhem një target i mendimit tuaj, ju shigjeta që qëllon mbi këtë target.

Volter: Një student i mirë është ai, i cili, kështu si ju, nuk fillon duke pretenduar se është i ditur. Kjo është kryesorja. Ndërsa të pranosh me dëshirë të bëhesh një target, kjo, në kohën time, por besoj edhe sot, ishte një luks mjaft i rrallë. Mos kini frikë, unë vetëm përpiqem të provoj se jeni i gjallë. Le të jemi bashkudhëtarë në kontradiktë.

Ose, nëse ju vjen më mbarë, mendoni se para jush keni një bartës të budallallëkut. Kjo, jam i sigurt, do ju bëjë ta nisni me dëshirë këtë bisedë.

Volter: “Ha, ha! Në atë rast do më duhet të merrem gjatë me ju. Dakord. Veçse duhet të më shpërbleni me një të qeshur.

Shoh se nuk keni ndryshuar aspak nga Volteri që kam njohur përmes leximeve të mia.

Volter: Atëherë as njerëzimi nuk ka ndryshuar. Ja, më thoni, miku im i shekullit të 21-të, a ka shpëtuar sot bota përfundimisht nga fanatizmi dhe fanatikët? Nga predikimet e priftërinjve, të imamëve e të rabinëve? A e kanë kuptuar njerëzit më në fund se një ligj i mirë vlen më shumë se sa një predikim i gjatë?

Sigurisht që jo. Edhe pse kishat nuk i djegin më heretikët e tyre, as librat e filozofëve e të shkencëtarëve dhe, në shumë vende të përparuara, njerëzit sot gëzojnë të drejta dhe liri që ishin të panjohura në kohën tuaj, fanatizmi, në forma nga më të ndryshmet, vazhdon të ekzistojë.

Volter: E shihni, pra? Fanatizmi është ai bar i keq në kopshtin e njerëzimit që nuk shkulet lehtë. Ai mbin e lulëzon në çdo parcelë tokë ku gjen injorancë dhe ushqehet me gjak. Inkuizicioni është ndaluar. Bravo! Por dyshoj se inkuizitorë të rinj, të veshur ndryshe dhe me emra të tjerë, i keni ende midis jush.

  •  

Letër e Hapur: 10 teza për arsimin e lartë

Nga Fatos Tarifa 

I nderuar z. Kryeministër!

Pasi kam hyrë në të shtatëdhjetat, mund edhe t’jua kisha kursyer kohën me këtë letër, të cilën nuk di nëse do ju lejojnë punët dhe hallet e shumta ta lexoni. Por unë po ju shkruaj gjithsesi. Kushdo bën atë që mendon se i takon të bëjë. Dhe, pas më shumë se 40 vitesh përvojë në arsimin e lartë (në 3 universitete shqiptarë, 4 amerikanë dhe 1 hollandez), e ndiej si një detyrë qytetare e morale, por më shumë si një motiv që buron prej vokacionit tim profesional, t’ju shpreh disa mendime lidhur me çka ju parashtruat dy ditë më parë në takimin me rektorët e universiteteve.

  • 1. Njëlloj si ju, unë mendoj se ka ardhur koha për të bërë ndryshime në ligjin për arsimin e lartë. Por, ndryshe nga ju, unë mendoj se cilësia e arsimit të lartë nuk garantohet dhe as arrihet vetëm me ndryshime ligjore. Ligji mund t’u hapë rrugë ndryshimeve pozitive në arsimin universitar, por ligji—përmes procedurave strikte, rregullave të vjetruara, organizmave burokratikë dhe pasigurive ligjore—mundet të bëhet edhe “red tape”, pengesë që e ngadalëson, madje edhe e bllokon ndryshimin pozitiv. Armiqtë më të mëdhenj të reformimit të arsimit të lartë janë padituria dhe formalizmi.
  • 2. Njëlloj si ju, unë mendoj se ndryshimet në ligjin për arsimin e lartë duhen bërë nga ekspertë. Por, me ekspertë unë nuk kuptoj ata që duket se kini ju parasysh. Ekspertët e vërtetë të arsimit të lartë nuk janë rektorët, dekanët apo përgjegjësit e departamenteve në universitetet tona, as burokratët e Ministrisë së Arsimit. Këta, me ndonjë përjashtim, janë një forcë konservatore, të interesuar për të ruajtur status quo-në dhe privilegjet që u sigurojnë pozicionet që mbajnë, jo për ta ndryshuar gjendjen.

Kjo është njëra anë e çështjes; ana tjetër është se, në botën universitare, si rregull, shumica e profesorëve më të shquar e më të respektuar u shmangen pozicioneve drejtues administrativë, pasi ata çmojnë më shumë lirinë intelektuale dhe kohën për kërkim shkencor mbi pushtetin burokratik.

Siç ju mund ta dini, figura të tilla si Albert Einstein, Sigmund Freud, Bertrand Russell, Isaiah Berlin, Herbert Marcuse, Erich Fromm, Stephen Hawking apo shkencëtarë më të hershëm si Galileo dhe Kepler, dëshmojnë se disa nga mendjet më të shquara kanë refuzuar pozicione administrativë në academe, ose kanë zgjedhur të punojnë jashtë strukturave formale universitare, për të ruajtur lirinë e tyre krijuese dhe për të mbrojtur pavarësinë intelektuale.

Edhe ato figura të shquara që kanë mbajtur pozicione administrative drejtuese, si Theodor Adorno, Seymour Martin Lipset, Samuel Huntington, Peter Berger, Jürgen Habermas, Anthony Giddens, Michael Porter, Francis Fukuyama e ndonjë tjetër, kanë drejtuar institute kërkimorë, ose shoqata akademike profesionale, jo universitete (në rolin e presidentit)—me përjashtim, ndoshta, të Giddens-it, si drejtor i London School of Economics and Political Science—as shkolla (në rolin e dekanit) dhe as departamente. Këto pozicione ata i kanë pranuar e mbajtur pasi fushë e veprimtarisë së tyre ka qenë kërkimi shkencor, si dhe për shkak të reputacionit të tyre në akademi dhe në jetën publike, çka u ka mundësuar të ushtrojnë influencën e vet në politikat arsimore në vendet e tyre dhe të mbrojnë lirinë akademike për këdo.

Por ne nuk kemi figura që t’u afroheshin sado pak atyre. Në postet drejtuese në universitete, dekanate dhe departamente ne zgjedhim jo më të aftët, por ata që i kërkojnë me ngulm këto pozicione dhe sigurojnë mbështetjen e më shumë votave. Këta, sigurisht, nuk janë ekspertët më të mirë për të këshilluar ndryshimet që i duhen bërë ligjit për arsimit të lartë. Ajo që ne kemi krijuar në sistemin tonë të arsimit të lartë dhe në institucionet e tjera akademike, përfshirë edhe Akademinë e Shkencave, është  një hierarkiologji, e njohur si “Peter’s principle”, një hierarki në të cilën çdo punonjës ka prirje të ngjitet deri në nivelin e vet të paaftësisë e, për rrjedhojë, me kalimin e kohës, çdo post ka prirje të pushtohet nga një punonjës që është i paaftë për të kryer detyrat e tij.

  • 3. Ju nuk e thoni, por unë mendoj se Shqipëria ka tashmë një kapital njerëzor shumë të vyer, njerëz shumë mirë të arsimuar e të kualifikuar në shumë fusha, që duhen çmuar dhe u duhet marrë mendim edhe kur vjen puna për të përmirësuar sistemin tonë të arsimit të lartë. Ju keni promovuar hera-herës vajza e djem që kanë marrë një Mastër jashtë vendit. Por, të mos gënjejmë veten. Një Mastër është thjesht një Mastër dhe, në ditët tona, konsiderohet thjesht arsim i papërfunduar. Ndërkohë, Shqipërisë i janë kthyer me qindra e qindra vajza e djem që kanë fituar gradën PhD në disa prej universiteteve perëndimorë më të mirë—në Shtetet e Bashkuara, në Britaninë e Madhe, në Hollandë, Zvicër, Japoni etj. Vetëm në radhët e stafit pedagogjik shqiptar të Universitetit të Nju Jorkut Tiranë, ku unë jap mësim, dy të tretat kanë fituar gradën PhD nga universitete perëndimorë. Në radhët e atyre djemve e vajzave që janë doktoruar në shkenca jashtë vendit dhe janë kthyer të punojnë këtu gjendet ekspertët që mund të ndihmonin në hartimin e ndryshimeve ligjore që ju sugjeroni. Këta dhe jo rektorët, dekanët apo burokratët e Ministrisë së Arsimit janë ai kontingjent njerëzor dhe akademik që dinë më mirë se çfarë duhet bërë dhe si.
  • 4. Njëlloj si ju, unë mendoj se ndryshimet në ligjin për arsimin e lartë janë të domosdoshme por, ndryshe nga ju, unë mendoj se këto ndryshime nuk duhen bërë me ngut, brenda këtij sesioni parlamentar. Ndryshimet që duhen bërë kërkojnë një kohë të domosdoshme për të analizuar dhe evidentuar mangësitë e ligjit ekzistues dhe të atyre dhjetëra VKM-ve që i kanë çoroditur institucionet tona të arsimit të lartë, për të diskutuar gjerësisht, jo thjesht me rektorët e universiteteve, por me masën e gjerë të trupave pedagogjikë, me studentët dhe me ata që vërtetë kanë ekspertizë në këtë fushë. Problemeve u duhen gjetur zgjidhjet më të mira e më të dobishme, të cilat, edhe këto, do të kërkojnë zgjidhje të reja. Kjo nuk është një fushatë që zgjat sa një sesion parlamentar. Nuk duhet parë kaq thjesht dhe nuk duhet marrë kaq lehtë. Kjo është një detyrë tepër komplekse dhe një përgjegjësi tepër e madhe e qeverisë para kombit.
  • 5. Ju nuk e thoni, por unë mendoj se duhet mbajtur gjithnjë parasysh e vërteta se, duke investuar për arsimin (për të cilin shteti ynë investon shumë pak) dhe duke ndërmarrë reforma në fushën e arsimit, ne investojmë për mendjen e kombit, për mirëqenien dhe të ardhmen e tij. Nga çdo gjë që prodhon një shoqëri, dija është produkti i saj më i rëndësishëm. Suksesi i pothuajse të gjitha produkteve dhe industrive të tjera varet prej saj, por vlera e saj nuk është vetëm ekonomikeKrijimi, përhapja, aplikimi dhe ruajtja e dijes janë aktivitetet kryesorë të çdo civilizimi. Dija nuk është thjesht memorie sociale, një lidhje me të shkuarën; ajo është, mbi të gjitha, shpresë sociale, një investim për të ardhmen.
  • 6. Edhe ose ju nuk e thoni, unë mendoj se reformimi i arsimit të lartë nuk është e s’duhet parë i shkëputur nga reformimi i tërë sistemit piramidal arsimor dhe s’mund të ketë sukses pa u paraprirë dhe shoqëruar nga ky i fundit. Kjo kërkon të mendojmë se si dija, të mësuarit dhe edukimi në të gjitha nivelet mund e duhet të adresojnë sfidat dhe oportunitetet e së ardhmes, në linjë me vizionin e Komisionit Ndërkombëtar për të Ardhmen e Arsimit, krijuar si pjesë e iniciativës globale të ndërmarrë nga UNESCO më 2019, për të planifikuar për zhvillimin e arsimit përtej vitit 2050.
  • 7. Ajo që ju, gjithashtu, nuk thoni, është se sot është bërë urgjentisht e domosdoshme që praktikat dhe metodat e mësimdhënies e të mësimnxënies të përshtaten e të transformohen në përputhje me mundësitë dhe resurset e reja e të panumërta që janë të aksesueshme nga kushdo në këtë ekologji të re të mësuari. Si kudo, edhe në fushën e arsimit, ne përjetojmë sot një diskontinuitet të madh, që po ndryshon çdo gjë kaq thellësisht, sa një kthim pas është bërë absolutisht i pamundur. Nxënësit dhe studentët e sotëm, të rritur me Internetin dhe teknologjinë digjitale, jetojnë çdo ditë në një mjedis social teknologjikisht të ndërlidhur. Bota e tyre, në një masë të madhe, është në “infosphere”, një botë në të cilën kufijtë mes shkollës, punës, shtëpisë dhe argëtimit kanë rënë. Mënyrat se si të rinjtë e sotëm kërkojnë informacion dhe komunikojnë ndryshojnë shumë nga ato të brezit të prindërve e të mësuesve të tyre, në atë shkallë se neuroshkenca ka vëzhguar ndryshime fiziologjike të matshme në trurin e moshave të reja, të lidhura me mënyrën se si ata konsumojnë informacionin digjital, veçanërisht përmes ekraneve dhe rrjeteve sociale.

Në rrethana të tilla, hendeku mes kërkesave të këtyre të fundit për njohuri të reja, nga njëra anë, dhe njohurive që janë në gjendje t’u ofrojnë mësuesit e tyre, nga ana tjetër, bëhet gjithnjë e më i thellë. Fatkeqësisht, shumica prej nesh, brezi i të rriturve dhe mësuesit e pedagogët, vazhdojmë ta injorojmë, ose refuzojmë ta pranojmë këtë realitet të ri, sepse shumë prej nesh nuk janë në gjendje që ta përballojnë atë. Kjo është, në fakt, sfida më e madhe, me të cilën ndeshet sot sistemi ynë arsimor, ai universitar në veçanti. Dhe kjo është një krizë e përbotshme.

  • 8. Paradoksalisht, përgjegjësia historike për të krijuar e për t’i lemë brezit të ri një sistem arsimor, në të cilin të rinjtë e sotëm të marrin dijet e domosdoshme dhe aftësitë që do u nevojiten në dekadat e ardhshme të shekullit të 21-të, mbetet në duart brezit të rritur. Kjo është një përgjegjësi e jashtëzakonshme dhe një detyrim, të cilit nuk mund t’i shmangemi. Nëse e nënvleftësojmë këtë detyrim, ose nuk e përmbushim atë, ne jo vetëm nuk do të kemi përmbushur misionin tonë intelektual ndaj shoqërisë sonë, por edhe do të gjykohemi ashpër e do të mbahemi përgjegjës nga brezat që do të vijnë. Pasi, ne jemi përgjegjës si për veprimet tona, ashtu edhe kur nuk veprojmë për të bërë atë që kërkohet. Siç shoshte Molieri i mençur, “Ne jemi përgjegjës jo vetëm për atë çfarë bëjmë, por edhe për atë që nuk bëjmë”.
  • 9. Ju nuk e thoni, por unë besoj—dhe me kohë kam thënë—se asnjë reformë e rëndësishme, në asnjë fushë, nuk mund të realizohet dot pa një proces vetingu. Ashtu si reforma në drejtësi nuk do të kish qenë e mundur pa vetingun e gjyqtarëve e të prokurorëve për të nxjerrë jashtë sistemit të paaftët e të korruptuarit, asnjë reformë serioze në arsimin e lartë nuk mund të ketë sukses pa vetingun e profesoratit. Universitetet tona “prodhojnë” sot jo vetëm dije dhe njerëz të arsimuar, por edhe ata që nesër do të “prodhojnë” më shumë dije dhe të tjerë njerëz të arsimuar. Prandaj, thelbi i reformës së arsimit të lartë dhe sekreti i suksesit të saj qëndron jo vetëm në mënyrën sesi prodhohen dija dhe njerëzit e arsimuar por, sidomos, në mënyrën sesi “prodhohen” dhe zhvillohen prodhuesit e dijes dhe të njerëzve të arsimuar—profesorati shqiptar.
  • 10. Ju me të drejtë thoni se, një ndër sfidat tona më të mëdha është ndërkombëtarizimi i arsimit të lartë. Unë pajtohem tërësisht me këtë. Por ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë e kuptoj ndryshe nga ju. Ndërkombëtarizimi, ashtu si vetë globalizimi i shoqërisë, nuk është një gjendje, por një proces, rezultat i vazhdueshëm i një procesi të pandërprerë. Bota nuk u zgjua një ditë e globalizuar, por është globalizuar përmes një procesi të gjatë historik, që mund të thuhet se daton me atë që nistori njihet si Magna Graecia (VIII-V p.e.s.). Një faktor i rëndësishëm ishte gjuha “e përbotshme” e grekëve të lashtë. Me perandorinë romake kjo gjuhë u bë latinishtja. Me perandorinë britanike, anglishtja dhe vetë procesi i globalizimit u quajt “Anglobaization”, ndërkohë që francezët dështuan ta quanin këtë proces “Mondialization”. Gjuha e tyre nuk u bë dot gjuhë globale.

Këta shembuj i solla për të thënë se kushti i parë esencial për ta ndërkombëtarizuar arsimin tonë të lartë është përdorimi në të masivisht i gjuhës angleze. Kjo është bëtë sot gjuha globale e politikës, e teknologjisë, e muzikës, e shkencës dhe e arsimit universitar, edhe pse vetëm 18% e popullsisë globit e flet atë. Shumica dërrmuese e revistave akademike sot botohen në anglisht dhe rreth 90% e artikujve që botohen në to janë në këtë gjuhë (për artikujt e botuar në revista me faktor impakti të lartë kjo përqindje shkon deri 98%). Ndërsa Laura Mersini, e lindur në Durrës dhe sot profesoreshë e astrofizikës në Universitetin e Karolinës së Veriut në Chapel Hill, ka zhvillua një teori origjinale mbi krijimin e kozmosit—një model kuantik të tij—dhe ndërsa Mira Murati, e lindur në Vlorë, po udhëheq startup-in e saj në fushën e inteligjencës artificiale (Thinking Machines Lab), ne s’mund të vazhdojmë të debatojmë nëse biçikletës duhet t’i themi biçikletë apo “dyrrotak”, printerit “shtypës” apo mausit “mi” dhe as të shesim për shkencë atë që s’është shkencë dhe për art atë që s’është i tillë.

Ka ardhur koha që universitetet tona më të mira të flasin anglisht në një pjesë të madhe të programeve që ofrojnë, çka do të mundësonte më shumë shkëmbime me botën e madhe akademike dhe më shumë studentë të huaj, që do të zgjidhnin të shkolloheshin tek ne. Pa anglishten nuk mund të ketë ndërkombëtarizim të arsimit tonë të lartë, por vetëm provincializim të mëtejshëm të tij.

Nga ana tjetër, edhe këtu duhet të jemi të ndershëm me veten tonë, sot, mundësitë për shkëmbime akademike me universitetet europianë janë rritur shumë. Dhjetëra  pedagogë e studentë shqiptarë shkëmbehen çdo vit me pedagogë dhe studentë të huaj nga universitete të kontinentit tonë. Por, ndërsa projektet Interreg & IPA apo programet Horizon Europe dhe Erasmus Mundus ofrojnë mundësi reale për shkëmbime dhe bashkëpunim akademik, këto të fundit sidomos për programe të përbashkëta master dhe doktoraturë, pesë apo dhjetë ditë qëndrim në një universitet europian në kuadër të programit Erasmus+ nuk i jep një pedagogu shqiptar atë përvojë të domosdoshme ndërkombëtare që kërkohet për marrjen e një titulli shkencor.

Skemat dhe programet e mësipërme janë mundësi shumë të mira dhe nuk na kushtojnë asgjë por, si për çdo mundësi, prej tyre mund të përfitojnë vetëm ata që janë të përgatitur për to.

Me respekt

Fatos Tarifa

 

  •  

Kushtetuesja korrigjoi një gabim që kreu i shtetit nuk duhej ta kishte bërë

Nga Fatos Tarifa

Gjykata Kushtetuese pezulloi dekretin e presidentit Begaj për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohëshme për kryetarin e Bashkisë së Tiranës më 9 nëntor, pas ankesës së z. Veliaj.

Me këtë vendim, të marrë unanimisht, siç nuk ndodh shpesh, kjo gjykatë korrigjoi një gabim që kreu i shtetit nuk duhej ta kishte bërë. Dikush nga ndihmësit e tij të afërt duhej ta kishte këshilluar të mos vepronte gabim.

Presidentët Moisiu dhe Topi nuk do e kishin bërë një veprim të tillë jo thjesht të nxituar e të gabuar, por që vjen ndesh me logjikën dhe frymën e Kushtetutës së Republikës.

Nga Kreu i Shtetit pritet maturi, gjykim i shëndoshë i mbështetur në frymën dhe gërmën e ligjit themelor të shtetit, jo voluntarizëm e diletantizëm. Gabimet e tij kanë kosto të lartë politike dhe morale.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet përgëzuar.

The post Kushtetuesja korrigjoi një gabim që kreu i shtetit nuk duhej ta kishte bërë first appeared on JavaNews.al.

  •  

Berisha – fati ynë apo zgjedhja jonë?

Nga Fatos Tarifa

Tre individë kanë dominuar historinë politike të shqiptarëve qysh nga krijimi i shtetit tonë të pavarur—Ahmet Zogu (1924-1939), si kryeministër, si president dhe, më pas, si një mbret i vetëshpallur; Enver Hoxha (1944-1985), si kreu më i lartë i Partisë (komuniste) të Punës dhe de facto kreu i të gjithë pushteteve në sistemin e socializmit shtetëror, i ashtuquajtur “demokraci popullore”, ose “diktaturë e proletariatit”; dhe Sali Berisha (1991-2013), si president e më pas si kryeministër i vendit  dhe, për periudhën më të gjatë të kohës, si kreu i opozitës në Shqipërinë postsocialiste.

* * *

I pari, Zogu, ishte dhe mbetet një figurë shumë kundërthënëse. Ai e uzurpoi pushtetin me dhunë, i ndihmuar nga forcat jugosllave dhe rusët e bardhë, asgjësoi kundërshtarët politike kryesorë të tij, burgosi shumë të tjerë dhe, më në fund, si mbret, e braktisi vendin në prag të pushtimit fashist italian, në vend që të organizonte e të drejtonte rezistencën e armatosur të popullit të vet kundër atij pushtimi.

Hoxha sundoi me dorë të hekurt për dyzet vite me radhë, por, siç kam argumentuar në studimin tim Kërkimi i legjitimitetit dhe venitja e utopisë, ky njeri dhe sistemi politik që ai krijoi dhe drejtoi me metoda autoritariste kishin, për një farë kohe—pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore deri aty nga fillimi i viteve 1960 – një farë legjitimiteti që u venit dhe humbi krejtësisht më pas për arsye politike, ekonomike dhe ideologjike, të cilat i kam shpjeguar hollësisht në studimin e lartpërmendur. Sot, nga një distancë e mjaftueshme në kohë për të gjykuar e vlerësuar me ftohtësi, figura e Enver Hoxhës vazhdon të jetë e pranishme, provokuese, kundërthënëse dhe polarizuese në narrativën postsocialiste dhe në debatin publik e atë akademik që zhvillohet në vendin tonë.

Kur bëhet fjalë për Berishën, ky, në gjykimin tim, simbolizon tiparet më të këqija karakteriale të mbretit Zog dhe të diktatorit komunist Enver Hoxha. Këto tipare të tij i kam përmbledhur shkurtimisht në esenë “Prognozë retrospektive: Berisha në historinë e së shkuarës”, botuar disa vite më parë në gazetën DITA.

* * *

Është e çuditshme se si Berisha, nga një individ thuajse i panjohur për publikun deri në fundin e viteve 1980, përveçse si një mjek—dhe si sekretar i organizatës së partisë në spitalin ku ushtronte profesionin e tij—u shfaq në skenën e politikës shqiptare krejt papritur, me imazhin e një intelektuali disident antikomunist (pa qenë as edhe një ditë të vetme i tillë) dhe pretendoi se themeloi të parën parti opozitare në Shqipëri në dhjetor të vitit 1990.

Në fakt, ishin të tjerë individë ata që e organizuan dhe e drejtuan lëvizjen studentore të dhjetorit 1990, e cila çoi në galvanizimin e skenës politike shqiptare, në krijimin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, në zgjedhjet e para demokratike dhe në rënien e sistemit socialist.

Berisha ishte një free rider. Ai diti të shfrytëzojë përpjekjet e të tjerëve pa rrezikuar vetë asgjë, për të fituar gjithçka për vete. Humbi në zgjedhjet parlamentare të vitit 1991, por fitoi në zgjedhjet e një viti më vonë dhe u bë presidenti i parë i Shqipërisë postsocialiste.

* * *

Në Poloni, e para qeveri postsocialiste, e krijuar në vitin 1989, zgjodhi në krye të saj një individ si Tadeusz Mazowiecki, një shkrimtar dhe një prej figurave qendrore të lëvizjes opozitare “Solidarnost”, i burgosur nga regjimi i Jaruzelskit në fillim të viteve 1980, ndërsa president i parë i atij vendi u bë udhëheqësi kryesor i “Solidarnostit”, Lech Walesa, edhe ky i burgosur në të njëjtën kohë dhe, në liri, shumë herë i papunë nën atë regjim.

Në Çekosllovaki, presidenti i parë pas rënies së socializmit shtetëror në atë vend u zgjodh Vaclav Havel, një dramaturg disident dhe një aktivist i njohur për të drejtat e njeriut, i burgosur edhe ky disa herë nën atë sistem. Më vonë, pas ndarjes së Çekosllovakisë në dy shtete më vete përmes një marrëveshjeje paqësore që u konsiderua si një velvet divorce, Havel u zgjodh presidenti i parë i Republikës Çeke.

Në Bullgari, gjithashtu, njeriu që u bë presidenti i parë postsocialist i atij vendi, Zhelyu Zhelev, kishte qenë më parë një disident.

Po Berisha? Nga mbiu ai?! Ai kurrë nuk kishte qenë një disident në periudhën e diktaturës së proletariatit. Përkundrazi, Berisha ishte dhe mbeti deri në përmbysjen e sistemit të vjetër një komunist parimor, sektar dhe militant. Ai nuk e pa kurrë portën e burgut të diktaturës, as edhe atë të rajonit të policisë, dhe nuk provoi asgjë nga vuajtjet që përjetuan në Gulagun shqiptar mijëra kundërshtarë të regjimit politik në Shqipëri. Përkundrazi, Berisha hyri në dyert e bllokut famëkeq të udhëheqësve komunistë kryesorë dhe u bë një “mik” servil i fëmijëve të tyre.

Nëse Berishës mund t’i njihet ndonjë meritë e veçantë në periudhën që i parapriu lëvizjes studentore të dhjetorit 1990 dhe fillimit të tranzicionit politik në Shqipëri, kjo meritë do të ishte nuhatja e tij prej peshkaqeni për të ndier së largu rrezikun që vjen, prénë që afrohet dhe—në rastin e tij—mundësinë që ofron një mjedis i ri politik për të realizuar synimet e veta.

* * *

Ishte fati ynë, apo zgjedhja jonë që e polli Sali Berishën dhe e ngriti atë në fronin më të lartë të shtetit më 1992?

Nëse ishte thjesht fati, ky paskësh qenë një fat shumë i keq, një fat i zi. Por, unë nuk besoj në fat; në rastësi, po. Sidoqoftë, rasti Berisha nuk mund të shpjegohet me parimin hegelian të filozofisë së historisë, se domosdoshmëria e çan rrugën e vet përmes rastësisë. Sepse hyrja e një njeriu si Berisha në politikën shqiptare dhe ardhja e tij në krye të shtetit mund të ishin çdo gjë, por jo një domosdoshmëri historike.

Nëse ishte zgjedhja jonë, kjo ka qenë zgjedhja më e keqe, më e gabuar, më joracionale që një popull mund të bëjë. Zgjedhjet që bëjmë, sidoqoftë, rrallë herë janë fatale. Të gabuara, po. Të dëmshme, gjithashtu. Tragjike, disa herë po. Por rrallë herë janë fatale. Sepse, pasi kemi nxjerrë mësime prej zgjedhjeve të gabuara të së shkuarës, mund të heqim dorë e të bëjmë zgjedhje të reja, më të informuara, më të arsyeshme, më të dobishme.

Këtë bëmë kur Berishën e rrëzuam dy herë nga pushteti—më 1997 dhe 2013. Në këta dymbëdhjetë vitet e fundit, Berisha është përpjekur të rikthehet në pushtet me çdo mënyrë e me çdo mjet, por ka dështuar ta arrijë këtë me të vetmen rrugë legjitime—zgjedhjet e lira demokratike. Berisha humbi në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013; humbi përsëri në zgjedhjet e vitit 2017; humbi edhe në zgjedhjet e vitit 2021 dhe përsëri humbi në zgjedhjet e këtij viti. Ai meriton të quhet “humbësi i madh”.

* * *

Shumica e shqiptarëve duket se kanë nxjerrë mësime nga zgjedhjet e gabuara të së kaluarës dhe, më në fund, e kanë ndarë mendjen: Berisha është kohë e shkuar! Berisha është kthim pas! Berisha është pa të ardhme. Unë jam shprehur me kohë se Berisha, në fakt, është një fatkeqësi kombëtare.

May time prove me right!

The post Berisha – fati ynë apo zgjedhja jonë? first appeared on JavaNews.al.

  •  

Paradokse shqiptare

Nga Fatos Tarifa

Sot në Shqipëri kemi:

* Më pak martesa, por më shume divorce;

* Më shumë gjyshër e gjyshe, por më pak nipër e mbesa;

* Më pak fëmijë, por më shumë probleme për ta;

* Më shumë universitete, por më pak cilësi;

* Më shumë doktorë shkencash e profesorë, por me pak kërkime të vërteta shkencore;

* Më shumë shkolla e kopshte, por më pak fëmije në to;

* Më shumë mësues në shkolla dhe edukatorë në kopshte, por më pak edukatë;

* Më shumë spitale, por jo më pak probleme shëndetsore;

* Më shumë stacione televizivë, por më pak etikë gazetarie e komunikimi në to;

* Më shumë rrjete sociale, por gjithnjë e më pak komunikim me njëri-tjetrin;

* Më shumë rrugë dhe rrugë më të gjera, por jo më pak aksidente në to;

* Më shumë shtëpi botuese, libra, revista e gazeta, por më pak librari, biblioteka dhe lexues;

* Më shumë pasuri kombëtare, por më pak mirëqenie për një pjesë të madhe të shoqërisë;

* Po aq shumë naftë dhe pasuri minerare, por më pak eksporte e të ardhura nga to;

* Më shumë pronë e pasuri private, por më pak të mira publike;

* Më shumë oficerë policie në mbrojtje të rendit, por jo më pak krim;

* Më shumë psikologë e punonjës sociale, por jo më pak probleme sociale;

* Gjyqtarë e prokurorë të vetuar dhe më shumë avokatë, por jo më pak padrejtësi.

* Më shumë bare e restorante, por më pak ushqim në familje;

* Më shumë turistë dhe vizitorë të huaj, por më pak banorë vendas;

* Më shumë avionë që ulen e ngrihen në Rinas, por ende asnjë tren;

* Më shumë fshatarë në qytete, por më pak bujq e blegtorë në fshatra;

* Më shumë liri, por më pak përgjegjësi.

The post Paradokse shqiptare first appeared on JavaNews.al.

  •  

Amerikani…

Nga Fatos Tarifa

Mbrëmë një amerikan foli në një studio televizive në Tiranë. Iu përgjigj pyetjeve të gazetarit. E njohëm nga ato që tha. Dhe gjithçka që ai tha ishte çfarë ka dëgjuar nga Berisha dhe njerëzit e tij―dhe, pa dyshim, nga më i shquari prej tyre, Fatmiri, siç e përmendi me emër “miku” i ardhur nga Uashingtoni.

Ju, të dashur lexues, e dini që Fatmiri ka shumë miq në Ushington, më shumë se sa përkrahës që votojnë për të në Shqipëri. Ai është mysafiri i shumëpritur dhe më i mirëpritur, më i çmuar e më i dashur në kryeqytetin amerikan, republikani konservator par excellence, prej të cilit anëtarët republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin amerikan kanë gjithnjë se ç’të mësojnë për Shqipërinë, për Ballkanin e për Europën. Më besoni, unë e di se përse flas dhe çfarë them. Për fat të mire, e njoh shumë mirë Uashingtonin, siç, për fat të keq njoh edhe Fatmirin.

Amerikanin këtë herë e solli në Tiranë, ai, Fatmiri. Mos u bëni kuriozë të dini a të mësoni sa u ka kushtuar ai republikanit shqiptar Mediu dhe demokratit Berisha. Pak rëndësi ka, edhe pse shumë duhet të jetë paguar. Kam njohur nga afër shumë kompani lobiste në Uashington dhe e di se akush në atë kryeqytet nuk investohet për pak para.

E gjitha kjo, sidoqoftë, nuk është më e rëndësishmja. Si në Uashington, edhe në Tiranë, të ardhurat nga―dhe shpenzimet për―konsulencë të huaj kërkohet me ligj të deklarohen.

Nga sa dëgjova mbrëmë, amerikani që ka ardhur të ndihmojë z. Berisha dhe koalicionin e tij në këto zgjedhje ishte tërësisht OUT. Unë besoj se ai as kishte dëgjuar ndonjëherë për Shqipërinë deri ditën që e “zbuloi” Fatmiri dhe e ftoi, pa dyshim me kërkesën e Berishës, të vinte në vendin tonë për t’u dhënë këshilla e për t’u hartuar një strategji fitoreje Berishës dhe Mediut, pa çka se ky i fundit nuk ka një parti. Por ç’rëndësi ka kjo; për amerikanin Fatmiri është kreu i republikanëve shqiptarë, dhe këta të fundit ngjajnë si pika uji me republikanët e vendit të tij―me një fjalë MA(merica)GA për MA(lbania)GA.

Nuk më habiti aspak fakti që amerikani foli për Berishën ashtu siç foli. Nga ato që tha kuptova se as e ka njohur kreun e opozitës shqiptare, as e njeh. Thjesht i bën një farë shërbimi për paratë që merr.

Berishën e krahasoi pak a shumë me presidentin Trump për energjinë dhe për vizionin e tij, që do e çojnë opozitën shqiptare në fitore. Madje, ai tha se Berisha 80-vjeçar është më energjik se sa Rama 60-vjeçar, pasi ky i fundit rri tërë kohën para ekranit të kompjuterit! Nuk përmendi situatat e ngjashme të tyre―z. Trump i dënuar disa herë për shkelje të ligjit amerikan, ndërsa z. Berisha në hetim nga organet e drejtësisë shqiptare.

Nuk e anashkaloi pyetjen e drejtpërdrejtë të gazetarit për statusin e Berishës si një persona non grata në Shtet e Bashkuara, por përsëriti të njëjtën këngë të Berishës (së cilës Fatmiri i mban iso ditë e natë), se Berisha është shpallur i padëshiruar në Shtetet e Bashkuara nga “admnistrata e korrupruar e presidentit Biden”, në bashkëpunim me “kryeministrin e korruptuar shqiptar Edi Rama”. Sorosin, që Berisha dikur e kishte idhull, nuk e zuri në gojë, por kjo pak rëndësi ka. E dëgjuat ju, shqiptarë? Berishën e ka shpallur të padëshiruar në Amerikë një qeveri e korruptuar e atij vendi. Ajo qeveri dhe vetë z. Biden dhe Sekretari Blinken ishin të korruptuar, por jo Berisha.

Po ç’tha tjetër amerikani? Tha se gjendja e Shqipërisë sot, në pranverën e vitit 2025, është po aq e rëndë sa ishte gjendja ekonomike e Amerikës më 2024. Të njëjtat probleme ekonomike që i dhanë fitoren z. Trump do e bëjnë Berishën fitues në zgjedhjet e 11 majit. E hani dot këtë karamele?

Tha, gjithashtu, se amerikanët e votuan z. Trump për shkak të shpresës që ngjallte ai te njrëzit e thjeshtë dhe, po për këtë arsye, për shkak të shpresës së madhe që ngjall Berisha te shqiptarët e sotëm, këta do votojnë që ai të vijë përsëri në krye të qeverisë. A nuk ju bëjnë këto fjalë të amerikanit të mendoni se ai as që e ka idenë se për kë flet?

Tha, gjithashtu, se Berisha ka më shumë ekspertizë (se Rama, kuptohet), por nuk tha ekspertizë në se, ndërkohë që, pas 35 vitesh në politikë, edhe profesionin e dikurshëm të mjekut e ka harruar (ose e ka harruar profesioni atë), ndërsa Rama, përkundrazi, si piktor që është, vazhdon e pikturon.

Për z. Rama tha se ka qendruar gjatë në postin e kryeministrit, plot 12 vite (dhe tha një të vërtetë), por nuk tha që Berisha ka qenë në krye të shtetit e të qeverisë shqiptare edhe më gjatë, plot 13 vite. Apo këtë nuk ia kanë thënë as vetë Berisha, as Fatmiri i tij.

Amerikani ndoshta mendon se Tirana që ai ka parë (nuk e di nëse ka dalë jashtë saj në dy vizitat e tij), është Tirana që ka bërë z. Berisha, pasi nuk ka as idenë më të vogël se ç’Tiranë bëri Berisha në vitet 1990 të qeverisjes së tij dhe në ç’gjendje e la kryeqytetin tonë (dhe tërë Shqipërinë) kur shqiptarët e rrëzuan me votë.

Amerikani u tha mbrëmë shqiptarëve nga studioja e atij televizioni se me Berishën ata nuk do kenë më arsye të largohen nga vendi i tyre, pasi ai, ndoshta, nuk e di, se në pranverë të 1997-ës rreth 3,000 shqiptarë humbën jetën në marrëzinë kolektive që shkaktoi shembja e firmave piramidale dhe dhjetra mijë shqiptarë morrën arratinë nga varfëria, pasiguria dhe frika. Këto, të jeni të sigurt, nuk ia kanë thënë amerikanit as Berisha, as Fatmiri, siç nuk i kanë thënë gjë as për viktimat e tragjedisë së Gërdecit, që ishte një vepër e kriminale e të dyve.

Duke mos u larguar nga vendi i tyre, u tha mbrëmë amerikani shqiptarëve, këta do e fokusojnë vëmendjen te familja, pa e ditur, ndoshta, se edhe kur emigrojnë, shumica e shqiptarëve mendjen te familjet e tyre e mbajnë dhe i ndihmojnë ato mesa munden.

Në përfundim, amerikani, i cili nuk u beson sondazheve të opinionit publik, deklaroi se, këtë herë, “shqiptarët nuk do e konfirmojnë Ramën” si kryeministër, por do zgjedhin Berishën, klientin e tij.

Duket se ai ende nuk e ka kuptuar se ky i fundit ka marrë fund. Kjo më kujton një anekdotë që Anthony Giddens e përmend në librin e tij Turbulent and mighty continent: What future for Europe? Një mjek, duke vizituar pacientët e pavionit të tij, i thotë një infermiereje që qëndron pranë shtratit të një të sëmuri: ‘Ky pacient ka vdekur’. ‘Jo, nuk kam vdekur’, thotë pacienti. Infermierja ia kthen: ‘Qetësohu. Doktori e di më mirë këtë punë’.

Partia Socialiste dhe z. Rama edhe mund të mos fitojnë në zgjedhjet parlamentare të këtij viti, çka unë e dyshoj seriozisht, por këtë s’mund ta bëjë të ndodhë ky amerikan dhe askush tjetër nga jashtë. Janë qytetarët e këtij vendi ata që do të vendosin për kë do të votojnë edhe këtë herë.

Duke mbyllur këto radhë, nuk e di pse, instinktivisht, m’u kujtua një emër, James Traficant. Në prill të vitit 2001, dy muaj para zgjedhjeve parlamentare të atij viti në Shqipëri, Traficant erdhi në Tiranë (me paratë e Joe DioGuardit) për t’i dhënë mbështetje Sali Berishës me thirrjen e tij famëkeqe “Better dead than red”.

Për ata që nuk e dinë, në atë kohë ai ishte anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin amerikan. Një vit më vonë u dënua për dhjetë krime dhe qendroi në burg plot 7 vite. (DITA)

The post Amerikani… first appeared on JavaNews.al.

  •  

Rreziku i “të rinjve”

Nga Fatos Tarifa

Që t’i heq kujtdo çdo dyshim, them që në fillim se këto radhë nuk i shkruaj ngaqë tashmë jam i vjetër dhe nuk kam besim te të rinjtë. Vokacioni i pedagogut më ka mundësuar të njoh dy breza të rinjsh shqiptarë në këta më shumë se dyzet vitet e fundit. Dhjetra prej tyre janë bërë politikanë e diplomatë (ministra, deputetë, ambasadorë), të tjerë janë bërë figura të shquara të sistemit të drejtësisë, deri edhe në institucionet më të larta të këtij sistemi.

Ndihem mirë kur shoh rrugëtimin e tyre në shërbim të interesit publik e të interesave kombëtare të vendit. Në fakt, për shumë prej tyre, suksesi në karrierë dhe angazhimi i tyre publik e politik dukeshin si të parashkruar qysh në vitet e studimeve universitare, ose jo shumë kohë pas përfundimit të tyre. I kam admiruar njerëz të tillë, i kam mbështetur kur ka qenë e nevojshme e kur kam  undur dhe kam mbetur mik me ta.

Edhe sot, puna e pedagogut më lidh çdo vit me dhjetra studentë në njërin prej universiteteve më të mire të vendit, siç është University of New York Tirana. Mes tyre ka shumë, jo disa, që shkëlqejnë si studentë dhe që, një mësues e di, do të shkëlqejnë edhe në jetë. Edhe në politikë, nëse politika i tërheq dhe ata vendosin të angazhohen e të merren me politike për t’i shërbyer vendit në këtë vokacion dhe popullit si përfaqësues të zgjedhur të tij.

***

Këtë parantezë e bëra, e përsëris, për t’i hequr kujtdo çdo dyshim, se si i vjetër që jam, nuk kam besim te të rinjtë. Përkundrazi, edhe më parë e vazhdimisht kam theksuar se, nëse ka një shpresë që Shqipëria të bëhet ai vend që duam, kjo shpresë është Rinia.

Por sot shkruaj për të shprehur zhgënjimin tim me “të rinjtë” që janë zgjedhur (pa u zgjedhur) të jenë në listat e partive politike si kandidatë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit këtë vit.

Dhe shkruaj vetëm dy ditë pas botimit në këtë gazetë të një komenti, me të cilin deklarova publiksht votën time në ato zgjedhje për kandidatin socialist Fatmir Xhafa.

Që shkruaj përsëri sot, për këtë më shtyjnë dy motive. I pari, mezazhi që mora sot nga një djalë i ri, B.H., të  cilin nuk e njoh. Ai më shkruan: “Te PS më habit fakti se si promovohen njerëzit. Pa asnjë veprimtari politike të mëparshme dhe befas dëgjoj emërime që të lënë pa fjalë. Dhe për më tepër kur ndodh që dalin ‘kumbulla’ apo ‘patate furre’. Asnjëherë nuk behet analizë se si i ngiti shkallët zonja apo zotëria. Veteranët, emra të respektuar e me kontribute të spikatura në PS, që u kanë rezistuar betejave politike, spostohen jo si rezultat i garës, por i pëlqimeve personale. Për fat të keq, sistemi meritokratik në karrierën politike në Shqipëri nuk funksionon”.

Do të kisha dëshiruar që këtë mesazh B.H. t’ia kishte drejtuar kreut të Partisë Socialiste, z. Rama, por ndoshta ky i fundit e merr mesazhin e tij përmes këtij skrimi. Unë thjesht iu përgjigja djalit që më shkroi shkurt: “Në këtë pikë, Bujar, ndaj të njëjtin mendim me ju.

Shkak që B.H. më shprehu këtë shqetësim të tijin duhet të jenë bërë ose komenti im në gazetën Dita dy ditë më parë, që ai mund ta ketë lexuar, ose një emision televiziv mbrëmë, në një prej televizionëve kombëtarë më të ndjekur, të cilin ky djalë duhet ta ketë ndjekur. Siç e ndoqa edhe unë ngaqë mbrëmë nuk luhej asnjë ndeshje në Premier League.

Në studio ishin ftuar të flisnin gjashtë të rinj (disa më të rinj se të tjerët, me përjashtim të një zonje që deklaroi se është nënë e tre fëmijëve të rritur). Të gjithë të rinj në politikë dhe të përfshirë në listat e hapura të katër a pesë partive politike që garojnë në zgjedhjet e ardhëshme.

***

Ç’farë pashë e dëgjova mbrëmë nga ajo bisedë kandidatësh që garojnë për t’u bërë ligjëvenësit e këtij vendi nuk them se më shokoi. Në këtë moshë që kam dhe me eksperiencën jetësore që kam fituar deri më sot, asgjë nuk më shokon më. Por më ligështoi e më mërziti.

E tëra biseda në studio ishte, nga kreu në fund, më keq edhe se një bisedë kafeneje mes shokësh që s’bien dakord për asgjë, mediokre në përmbajtje e në fjalor, dhe e bezdisshme në ekstrem. Përjashtim bënte vetëm një vajzë rome që kandidon në listat e PS-së për qarkun e Vlorës. Vetëm ajo kishte bon sens, një gjykim të arsyeshëm.

Më skandalozja ndër të ftuarit për nga mënyra se si sillej në studio dhe, sidomos, me ato çfarë thoshte, ishte një kandidate në listën e hapur të PD-së për qarkun e Durrësit. Aq skandaloze, sa mendova se një person si kjo njerëzit urojnë të mos e kenë as një lagje apo në qendrën e tyre të punës, e jo më në parliamentin e vendit.

Ajo nuk fliste, por bërtiste; nuk dëgjonte, por vetëm fliste. Edhe kur fliste, përsëri fliste. Fliste, vetëm fliste dhe kurrë s’dëgjonte ç’thoshin të tjerët sepse nuk i linte të tjerët të flisnin. E imagjinova këtë grua të re në parlamentin e ardhshëm! “Pu-pu-pu, krushqi me Jovan Bregun!”. Jo më kot e pëlqejmë edhe sot, pas dyzet vitesh, komedinë e jashtëzakonshme të Adelina Balashit “Pallati 176”.

Kjo kandidate e re mbrëmë bënte zhurmë dhe fliste përçart tërë kohën, saqë e kam të vështirë të them nëse ajo kaq di, apo atë rol kishte marë përsipër të luante.

Edhe pse shpalli e përsëriti disa herë se tri kauzat më të mëdha të saj janë Familja, Atdheu dhe Arsimi—me një fjalë gjithçka—ajo nuk tha asgjë që të provonte madje edhe se i kupton ato që tha. Tha se ajo do të luftojë për ta bërë Shqipërinë “madhështore”, siç ka thënë se e do Berisha, heroi i saj, të cilit i veshi të gjitha arritjet e derisotme dhe të gjitha të mirat që gëzojmë.

Tha edhe se “shqiptarët kanë ikur prej Edi Ramës”. Si mund të mos e thoshte! Pyeti se “ku kanë shkuar 60 miliardë dollarë”, pa shpjeguar se ç’përfaqëson dhe nga e gjeti këtë shumë që është 3 herë më e madhe e GDP-ja e vendit. Zonja e re është ekonomiste! Për më tepër pedagoge e ekonomisë në UT! Ajo u jep mësim studentëve tanë! Unë druaj se bën politike me ta në vend të mësimit, çka Weber, në esenë e tij të njohur “Politika si vokacion” e quan absolutisht të ndaluar.

Kjo pedagoge-politikane përsëriti disa herë se vjen në politikë nga shoqëria civile. O e mjera Shoqëri Civile e shqiptarëve! Sa shumë është abuzuat me emrin tënd! Sa miliona janë shpërdoruar e vjedhur në emrin tënd! Sa mijra njerëz pa talent e pa punuar janë pasuruar në emrin tënd! Ndërkohë që shoqërinë civile të vërtetë e përbëjnë ata shqiptarë që sot nuk janë pjesë e “shoqërisë civile”, e atyre mijëra OJQ-ve të mbushura kryesisht me njerëz të paaftë, që vegjetojnë me paratë e donacioneve të huaja.

***

Kandidati socialist në debatin e mbrëmshëm ishte një djalë në të tridhjetat që u duk serioz dhe i fokusuar në fillim të bisedës, por e humbi fillin e saj në një “dualog” të zhurshëm, të mërzitshëm e të lodhshëm me kandidaten demokrate për të cilën fola. Ishte e tëra një kakofoni.

I imagjinova këta dy kandidatë, një “socialist” dhe një “demokrate” në parlamentin e Republikës sonë pas zgjedhjeve të 11 majit. E pabesueshme! Aspak ndryshe nga këta që janë sot, edhe pse janë më të rinj se sa pjesa dërrmuese e tyre.

Këta dhe dy të tjerët që folën më pas, me përjashtim të kanditaes së PS-së për qarkun e Vlorës (ndërsa një tjetër thuajse nuk tha asgjë edhe aa pak sa foli), janë shembulli më i keq i “deputetëve që duam”. Fjalori i tyre shumë i varfër; mendimi edhe më e varfër, shumë më i varfër edhe se mendimi thuajse i çdo studenti 20 vjeçar që unë kam në auditor. Shumica e tyre janë lindur në vitet e fundit të diktaturës së proletariatit, ose në vitet e para të periudhës që e pasoi atë, në vitet 1990, por mendimet e tyre nuk janë të këtij shekulli të ri në të cilin janë rritur dhe arsimuar. Mendimet e tyre u ngjajnë si pika uji mendimeve të atyre që i kanë vënë ata në listat e partive të tyre.

Një zonjë nga Elbasani, (nuk më kujtohet se në listën e cilës parti), nuk dinte të thoshte më shumë se sa këto fjalë, që i përsëris këtu si ajo i tha: “Rama e ka tradhëtuar Çamërinë dhe Kosovën”! Bum! “Shpopullimi i Shqipërisë është genocid” [i kryer nga qeveria socialiste”! Bum-bum! “Po fitoi përsëri Rama, do ikim të gjithë”! Bum-bum-bum! Po shembet dynjaja dhe po shuhet Shqipëria!

E përfytyroni dot edhe këtë zonjë të përfaqësojë popullin e qarkut të saj në parlamentin e vendit?! Po sikur PS të fitojë edhe në këto zgjedhje dhe “të gjithë të ikin”, siç hedh fall kjo zonjë, kë do përfaqësojë ajo në parlament?! Mos e dhëntë zoti të mbetemi një vend pa popull, se do të na marrin të tjerët për të na bërë një tjetër rivierë në Mesdhe.

***

Në politikë mua më trembin njelloj si e Njohura që s’më pëlqen, edhe e Panjohura kur s’di se ç’është e ç’përfaqëson. Kjo e dyta përbën një rrezik edhe më të madh se e Njohura, së cilës i ka dalë kallaji e s’ngjitet më.

Nëse qytetarëve nuk u krijohen mundësi reale që të zgjedhin e të zgjidhen, por vetëm u imponohen zgjedhjet që bëjnë të tjerët “në emër të tyre”—në emër të popullit “socialist” apo popullit “opozitar”—druaj se dëshira e mirë për t’i “hapur” partitë e për të sjellë në parliament “gjak të ri” do të rezultojë një eksperiment i dështuar dhe i rrezikshëm.

Mund të kemi më shumë mosha të reja në radhët e deputetëve, më shumë individë biologjikisht më të rinj, por shumë prej tyre mund të rezultojnë, siç vura re me dëshpërim mbrëmë, po aq të vjetër, në mos edhe më shumë, se sa shumica e deputetëve që kemi sot. Në politikë, prostati zhvillohet në mendje dhe nuk njeh as moshë, as kurë.

Unë do të dëshiroja që në parlamentin e ri të mos kemi thjesht fytyra të reja, por të kemi parlamentarë të rinj, që të jenë në gjendje të prodhojnë një jetë të re parlamentare, ligje më të mirë dhe një politikë të re, për Shqipërinë tonë, e cila s’mund të bëhet më “madhështore” se sa ç’mund të jetë.

Do të jetë një fatkeqësi e madhe nëse “të rinjtë” që do të ulen në parlament pas zgjedhjeve të 11 majit do të vijnë—ose do të marrin—tarbjatet e të vjetërve dhe do të flasin, do të sillen e do të veprojnë njëlloj si ata. Ky është një rrezik real. Nuk paragjykoj askënd, por as është e pamundur që të ndodhë vërtet kështu. Madje, ka shumë mundësi që të ndodhë pikërisht kështu.

A mund të jetë dhe a mund të sillet ajo grua e re që dëgjova mbrëmë, kandidate e PD-së në qarkun e Durrësit, ndryshe nga Vokshi apo Topalli? Apo Belind Këlliçi ndryshe nga Berisha apo Noka? Apo djali kandidat i PS-së që dëgjova mbrëmë në atë studio ndryshe nga Balla apo Peleshi!

***

Ky është realiteti i gjërave sot në Shqipëri dhe pikërisht ky realitet duhet ndryshuar. Por ai nuk mund të ndryshohet as nga atë që drejtojnë partitë, as nga ata që, për së largu—nga “diaspora” e nga përtej oqeaneve—kërkojnë ndryshim. Ndryshimi mund e duhet të vijë nga brenda, nga qytetarët që votojnë dhe, sidomos, nga të rinjtë e universiteteve, ata të shkollave të mesme dhe të rinjtë punëtorë e fermerë. Nëse këta nuk lëvizin, por vetëm rrinë e presin ushqimin që gatuajnë të tjerët për ta, do të hanë të njëjtën çorbë të prishur e s’duhet të presin të levizë gjë në politikën shqiptare.

Po ato fytyra që kemi parë në vitet 1990, 2000, 2010, 2020 dhe shohim sot, po ato fytyra do të shohim edhe më pas—po atë Berishë, po atë Medi, po atë Metë, po atë Dule, po atë Palokë, po atë Nokë, po atë Topall, po atë Voksh, po atë, Ramë, po atë Taulant dhe po atë Pelesh do kemi peshqesh.

The post Rreziku i “të rinjve” first appeared on JavaNews.al.

  •  

Vota ime më 11 maj

Nga Fatos Tarifa

Sot unë deklaroj HAPUR votën time TË FSHEHTË që do të jap dy muaj më vonë, më 11 maj. Vota ime do të shkojë për z. Fatmir Xhafa. Këtë jurist e zgjedh si deputetin socialist që dua të më përfaqësojë në parlamentin e vendit katër vitet e ardhshëm.

E njoh prej më shumë se 40 vitesh. E njoh mirë dhe ia çmoj mençurinë, përvojën dhe kontributin që ka dhënë në jetën parlamentare, politike e publike të vendit. Pra votën time ia jap një juristi të njohur, një ligjvenësi “race”, një socialisti par excellence, një individi të cilit ia kam njohur dhe ia çmoj cilësitë dhe aftësitë.

Fatmir Xhafa ka qenë e s’ka si të mos jetë edhe në legjislaturën e ardhshme një figurë serioze, e respektuar dhe një zë autoritar në parlamentin e vendit, një politikan socialist, për të cilin partia e tij dhe e shumicës së shqiptarëve është më shumë se sa kryetari i saj dhe për të cilin interesi kombëtar dhe ai publik janë mbi çdo gjë.

Ky është deputeti të cilit unë i besoj dhe dua të më përfaqësojë në Kuvendin e Shqipërisë. Ky dhe jo dikush që nuk e njoh, nga ata që kryetarët e partive i kanë zgjedhur me dorë në listat e kandidatëve të tyre. Ky dhe jo dikush që unë nuk e di çfarë di, sa di dhe sa kupton, dikush që s’ia njoh botëkuptimin, qëndrimet, sjelljen, cilësitë karakteriale dhe vlerat njerëzore.

Ky jurist i njohur dhe jo një farmacist, një gazetar, një psikokog, një gjinekolog, një dentist, ose dikush që, edhe pse është diplomuar për shkenca politike e për marrëdhënie ndërkombëtare, ka krijuar një agrobiznes në qarkun e vet dhe, pa dyshim, do të vazhdojë të jetë i lidhur me atë biznes edhe nëse zgjidhet deputet.

Në listat e kandidatëve për deputetë këtë vit ka shumë si këta të fundit. Mund të jenë njerëz të mirë, djem e vajza të mira, fëmijë të mirë prindërish të mirë, ose prindër të mirë fëmijësh të mirë, shokë e miq të mirë për ata që i kanë shokë e miq, por nuk do votoja askënd prej tyre thjesht sepse kryetari i partisë, ose operativët e tij e kanë vënë në listën (e mbyllur ose të hapur) të kandidatëve të asaj partie, ose ia ka bërë të njohur publikisht një bio të shkurtër përmes podkastit të tij.

Në fakt, më është dukur jo një risi në marrëdhëniet me publikun nga ana e kryetarit të socialistëve, njëherësh edhe kryeministër, kur me orë të tëra pashë të mësonte në studion e podkastit të tij biografitë familjare e politike të shumë prej kandidatëve që ai vetë i ka vënë në listat e partisë që drejton. Nga kjo kuptoj se ai, vetë ose me propozimin e të tjerëve, ka vënë në listë njerëz që nuk i njeh, njerëz të cilëve nuk ua njeh as kualitetet intelektuale, as cilësitë e karakterit, as vlerat njerëzore, as aftësitë organizative e profesionale, as kontributet në PS (nëse vërtet kanë ndonjë kontrubut).

Këta do të jenë deputetët e Partisë Socialiste në parlamentin e ardhshëm, por unë druaj nëse ata do të përfaqësojnë votuesit socialistë të këtij vendi. Këta të fundit, njëlloj si unë, as i njohin shumicën e kandidatëve të rinj në lista dhe as dinë gjë për ta. Për shumë prej tyre shumë pak di edhe vetë kryetari i partisë, por kjo s’ka shumë rëndësi sa kohë që ata do të flasin e do të votojnë në parlament siç do ai.

Unë nuk do të votoja askënd pa e njohur, pa qenë i bindur se ai individ ka vërtetë cilësitë, njohuritë, virtytet, integritetin dhe vendosmërinë për të përfaqësuar e mbrojtur denjësisht interesat e mia si qytetar i këtij vendi, jo interesat e partisë, ato të kryeyarit të saj apo interesat e veta.

Unë nuk do doja që në parlament të ketë me shumicë psikologë, farmacistë, mjekë të çdo profili, biznesmenë, nëpunës të organeve lokale të pushtetit apo pedagogë nga universite të dorës së dytë e të tretë. Do të doja që masa dërrmuese e deputetëve të ishin juristë dhe ekonomistë. Parlamenti është institucioni ku hartohen e miratohen ligjet që sigurojnë, qeverisin dhe drejtojnë jetët tona, rregullojnë marrëdhënien tonë me shtetin dhe garantojnë mirëqenien tonë. Parlamenti nuk është një qendër shëndetsore, as një qendër këshillimore apo një klinikë psikologjike dhe as një qendër për mbrojtjen e biznesit.

Si dikush që ka jetuar, studiuar e punuar (jo si një emigrant) për 18 vite jashtë vendit, nuk do ia jepja votën time askujt që i është shtuar listës së kandidatëve të PS-së nga diaspora. Jo këtë herë dhe jo pa ia njohur më parë bagazhin e njohurive, përvojën jetësore e profesionale, cilësitë, kontributet dhe motivet e vërteta që i kanë shtyrë të kërkojnë votën e qytetarëve të vendit, nga i cili janë larguar (për çfarëdo arsye) pesë, dhjetë apo njëzetë vite më parë.

Nuk paragjykoj askënd, por dua të jem i bindur përtej çdo dyshimi. Prandaj, edhe këtë herë, i besoj njeriut që njoh dhe çmoj, jo një të panjohuri; botëkuptimit tim, jo atij të dikujt tjetër; instinktit tim politik, jo atij të hartuesit të listës së kandidatëve të partisë.

Listat e kandidatëve të PD-se dhe të partive të tjera janë edhe më keq. Kur shoh në listën e mbyllur të kandidatëve të PD-së për Tiranën emrat e po atyre deputetëve (paradoksalisht edhe të Fatmir Mediut), dhe në listën e haour të asaj partie emrin e Ilir Metës, njetëz që për vite me radhë apo për një, dy apo tre dhjetëvjaçarë, janë ulur në atë parlament dhe kanë prodhuar disa nga shfaqjet më të shëmtuara në teatrin politik të këtij vendi, ligështohem edhe më shumë. Po ato fytyra, po ato mendje të skurjasura, po ata militantë pa kauzë, po ata njerëz të dhunshëm që përsëri mund të djegin e mund të thyejnë ç’gjejnë përpara, brenda e jashtë sallës së parlamentit.

Me këtë kod të mbrapshtë zgjedhor që kanë votuar dy partitë kryesore, ne qysh sot, dy muaj para zgjedhjeve, edhe pa votuar, i dimë emrat e shumicës së deputetëve të ardhshëm. Më 11 maj nuk na kërkohet të zgjedhim, siç na jep të drejtë Kushtetuta e republikës sonë parlamentare nominalisht demokratike; më 11 maj na kërkohet të votojmë për ata njerëz të panjohur që i kanë vënë në fletët e votimit kryetarët e partive, pa marrë aspak mendimin tonë si qytetarë të këtij vendi.

Ndaj unë refuzoj t’ia jap votën time një kandidati të panjohur dhe zgjedh të votoj për një kandidat që e njoh mirë.

  •  

“Madhështorja” Shqipëri

Nga Fatos Tarifa

Madhështore! Kjo do të jetë Shqipëria që, në prag të zgjedhjeve parlamentare të këtij viti, kërkon t’u shesë shqiptarëve Sali Berisha. Njeriu që për gjysmën e periudhës së tranzicionit, si president dhe si kryeministër, shqiptarët i mashtroi, i vodhi, i rrahu, i dhunoi, i vrau, u mori ç’kishin e s’u dha asgjë. Njeriu që partinë e tij dhe qeverinë e vendit i sheh si bajrakun e vet dhe veten si bajraktar.

Ky njeri premton përsëri sot ta bëjë Shqipërinë madhështore. Nuk e bëri dot (as dinte, as donte) kur kishte pushtetin, paratë dhe gjithçka në dorë, por betohet se do e bëjë këtë herë, kur, pasi ka hyrë në të tetëdhjetat, është më i pjekur, më i përkushtuar dhe rrezaton urtësi e vizion, edhe pse ka mbetur i njëjti politikan mashtrues, i dhunshëm, shoqërisht e kombëtarisht i rrezikshëm.

Sot Berisha u kërkon sërish shqiptarëve t’ua japin votat e tyre partisë-çetë të tij dhe bashibozukëve të partiçkave që i kacavirren e jargavisen për një karrike në parlament, ose për një zëvendësministër a një drejtor.

Të gjithë i njihni se cilët janë: Meta me partinë e tij kashtë e koqe të Lirisë, Mediu me “republikanët” shqiptarë që as vetë s’e di se ç’janë, Duka i “fermerëve”, Ndoka i “demokristianëve”, Dule i grekëve (të vërtetë e të rremë), Gjuzi i “kombëtares së konservatorëve”, Papa i “emigrantëve” shqiptarë, Axhami i “legalistëve” pa mbret e pa kauzë, Alimadhi e Roshi i dy palë ballistëve, Ndoj i “arbnorëve”, Doda i “rrugës së vërtetë” dhe, më i shquari ndër të gjithë, Jenisheri i “pensionistëve”.

Këta janë opozita shqiptare. Këta dhe një duzinë udhëheqësish të tjerë të shquar duket se janë shpëtimtarët e Shqipërisë së sotme dhe shpresa e këtij vendi për t’u bërë madhështor. Njëri më i mençur, më atdhetar, më vizionar e më i aftë se tjetri, dhe të gjithë bashkë një elitë politike që jo vetëm Shqipëria s’e ka njohur kurrë në historinë e saj, por që do zilepste çdo shoqëri demokratike të avancuar, nga Finlanda e Hollanda, në Kanada, Australi e Japoni.

Këta do na çojnë përpara! Këta do na i shërojnë plagët e shoqërisë, do na mbrojnë nga korrupsioni e krimi, do na i dyfishojnë e trefishojnë pagat e pensionet, do na bëjnë pjesë të BE-së e do na nxjerrin në selamet.

Në krye të kësaj “elite” prijësi i bajrakut, Berisha, i vetidentifikuar me presidentin Trump, politikani “fenix” që ringjallet e ngrihet prej hirit të vet. Në fakt, veç sloganit të përbashkët MAGA në dy variante — Make Amerika Great Again dhe Make Albania Great Again — Berisha dhe Trump kanë të përbashkët edhe një gjë esenciale: Si njëri dhe tjetri nuk dinë as ç’thonë, as ç’bëjnë. Dhe, pikërisht për këtë arsye, janë — dhe njëri dhe tjetri — të rrezikshëm për shoqëritë e tyre.

  •  

Vota “çudibërëse” e diasporës

Nga Fatos Tarifa

Ky koment u provokua nga një thirrje këto ditë e deputetes së Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, për diasporën shqiptare, votën e së cilës në zgjedhjet parlamentare të këtij viti ajo e konsideron si “zërin e ndryshimit”.

“Më 11 maj”, i drejtohet ajo diasporës si një emër kolektiv, “ju keni fuqinë për të vendosur për të ardhmen e Shqipërisë. Ky është momenti për të bërë ndryshimin që kërkojmë prej kaq kohësh. Regjistrohu tani për të votuar me aplikacionin PD, sepse çdo votë nga diaspora sjell një hap më afër Shqipërinë që duam për të gjithë shqiptarët”.

E drejta ligjore që u njihet dhe mundësia që (më në fund) u jepet shtetasve shqiptarë me banim jashtë vendit—pjesë e diasporës shqiptare—për të votuar në zgjedhjet e përgjithshme është, pa dyshim, një zhvillim pozitiv në procesin e konsolidimit demokratik të vendit tonë. Por a do të sjellë pjesëmarrja në votime këtë vit e “diasporës” atë ndryshim për të cilin flet znj. Tabaku? A do të mundësojë vota e diasporës një transformim rrënjësor të pejzazhit politik në Shqipëri dhe “rotaconin” në qeverisjen e vendit, siç dëgjova pak më parë të shprehej një “shqiptar i diasporës” në një emision televiziv, ndërsa shkruaja këto radhë?

Kushdo që ka sado pak njohuri mbi historinë politike në periudhën e modernitetit e di se asnjë ndryshim i rëndësishëm në jetën politike, ekonomike e shoqërore të një vendi nuk vjen nga jashtë vendit, as nga diaspora e tij. Përjashtim bëjnë vetëm Gjermania dhe Japonia e pas Luftës së Dytë Botërore, në kushte historike krejt specifike, kur pas disfatës dhe kapitullimit të tyre të plotë e pa kushte, Shtetet e Bashkuara vendosën kontroll të plotë mbi to dhe kushtëzuan zhvillimin e tyre si shoqëri demokratike e të çmilitarizuara.

Ky transformim u shoqërua dhe u garantua, gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, nga ndihma financiare të konsderueshme dhe nga ombrella mbrojtëse e Amerikës për rindërtimin e ekonomive të tyre të shkatërruara nga Lufta dhe shndërrimin e këtyre vendeve në ekonomi moderne të industrializuara dhe në demokraci të lira e vibrante. Plani Marshall u dha gjermanëve (dhe europianëve perëndimorë) dollarët që u duheshin për të rindërtuar uzinat dhe infrastrukturën e tyre e për të ushqyer punëtorët e tyre, njëlloj siç, po me dollarët amerikanë, madje përmes një ndihme financiare më të madhe sesa ajo që përfitoi Gjermania Perëndimore nga Plani Marshall, Japonia arriti të rindërtonte portet, aeroportet, rrugët, centralet dhe spitalet e saj të shkatërruar nga Lufta.

Postimi i znj. Tabaku mund të lexohet si një shprehje dëshpërimi e pasigurie në radhët e partisë që ajo përfaqëson për fatin e asaj partie në zgjedhjet e ardhshme. Është një iluzion ai që kjo zonjë e nderuar—dhe shumë të tjerë këto ditë—e shprehin si një fakt të sigurtë, se vota e diasporës do të bëjë çudira ne zgjedhjet e këtij viti. Në fakt, duke luftuar për votën e diasporës, as njëra as tjetra nga dy partitë kryesore—dhe as partitë e reja opozitare—nuk munden dhe as duhet t’i varin shpresat e tyre për një fitore elektorale tek ata dhjetëra mijë emigrantë shqiptarë që eventualisht do të votojnë më 11 maj.

Si në çdo zgjedhje, edhe në zgjedhjet e këtij viti rezultati do të përcaktohet nga raporti i numrave. Fitorja shkon me shumicën. Por unë mendoj se sado i madh të jetë numri i emigrantëve shqiptarë që do të votojnë në këto zgjedhje, vota e tyre nuk do të sjellë një ndryshim drastik në konfiguracionin politik dhe në hartën elektorale të vendit. Partia Demoratike e z. Berisha dhe e znj. Tabaku nuk do të bëhet një parti e shumicës së shqiptarëve me votat e diasporës, ndaj edhe nuk duhet t’i varë shpresat tek ajo. Partitë e vogla opozitare mund të kenë një rritje nga vota e emigrantëve dhe ndonjëra prej tyre mund të marë një apo dy vende në parlament, një zhvillim i mirëpritur por, e përsëris, vota e diasporës nuk do të bëjë çudira—as do t’i përmbysë raportet numerike mes partive politike kryesore, as do ta ndryshojë mënyrën si merren vendimet e si bëhet politikë në këtë vend.

Nëse duam të shohim ndryshime të rëndësishme në Shqipëri nga shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, ndoshta duhet t’i kthejmë sytë nga vende të tillë, si Kina, India apo shoqëri të tjera aziatike, të cilat i kanë njohur realisht—dhe i çmojnë—efektet transformuese pozitive shumë të mëdha që kanë luajtur universitetet perëndimorë, sidomos ata amerikanë, në zhvillimin ekonomik, teknologjik, politik, social e kulturor të tyre.

Kjo ka ndodhur e vazhdon të ndodhë për shkak se miliona studentë nga këta vende, të diplomuar e të doktoruar në Shtetet e Bashkuara e gjetkë në Perëndim, janë kthyer e kthehen në vendet e tyre pas përfundimit të studimeve duke sjellë me vete jo vetëm dijen bashkëkohore dhe aftësi të çmuara në shkencat inxhinierike, në mjekësi, në arkitekturë etj, por edhe atë “American Dream” që i bën ata të besojnë se çdo individ mund të arrijë sukses në jetë, pavarësisht kastës apo klasës shoqërore nga e cila vjen.

Kishore Mahbubani, një diplomat dhe analist injohur i gjeopolitikës në Singapor, shkruan se, ashtu sikurse “Katër Modernizimet” e Ten Sjaopinit nuk do të kishin pasur sukses nëse ky udhëheqës refomator i Kinës nuk do t’i kishte inkurajuar aspiratat e popullit kinez me shembullin e modelit amerikan dhe me ëndrrën ekonomike amerikane, “është vështirë të mendohet se si do t’i kishte arritur sukseset e saj Azia moderne pa kontributin amerikan”.

Kjo është thirrja që PD dhe të gjitha partitë politike në Shqipëri duhet t’i bëjnë diasporës shqiptare sot, sidomos pjesës më të arsimuar e më të kualifikuar të saj. Jo thjesht të votojnë, por të kontribuojnë realisht për zhvillimin ekonomik, kulturor e shoqëror të vendit dhe për demokratizimin e mëtejshëm të tij. Por, që kjo pjesë e diasporës, së cilës zakonisht i referohemi me togfjalëshin e huazuar “brain drain”, të kthehet e të kontribuojë për të mirën e vendit të vet, shteti shqiptar, pavarësisht nga partia që e drejton, dhe shoqëria në tërësi duhet t’i çmojnë e t’i vlerësojnë realisht, pra edhe materialisht, njohuritë, aftësitë dhe kontributet e saj.

  •  

Tre “leksione” nga Bali

Nga Fatos Tarifa

Bali. Kam ardhur këtu pak ditë më parë për të festuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri me një pjesë të familjes sime që jeton në këtë ishull të largët tropikal, brigjet jugperëndimorë të të cilit lagen nga Oqeani Indian. Këtu gjithçka është tërësisht ndryshe nga Tirana, përveç trafikut të rënduar, ndoshta dhjetë herë më të rënduar se sa në kryeqytetin tim.

Mjedisi natyror dhe kultura urbane e kozmopolite e këtushme, sidomos në Seminyak, Kuta e Denpasar, e përfaqësuar nga një prezencë e përhershme banorësh të vendosur këtu nga shumë vende të Perëndimit, kryesisht nga Australia, Shtetet e Bashkuara, Hollanda, Anglia, Franca, Italia, Rusia etj., si dhe një fluks i madh turistësh nga e gjithë bota, janë ngushtësisht të lidhura me zonat rurale të ishullit, që ofrojnë pamje mahnitëse, nga tempujt hindu, fushat dhe kodrat e taracuara të mbjella me oriz, ujëvarat e shumta, krateret e vullkaneve të fjetur, dhe plazhet marramendës nga Canggu dhe Seminyak në veriperëndim, në Uluwatu and Nusa Dua në jugperëndim.

Të gjitha këto krijojnë një gjendje qetësie emocionale të natyrshme nëse ti vetë nuk vendos ta prishësh atë duke iu bashkuar vorbullës së pushuesve në plazhet e këtij ishulli dhe jetës vibrante të ditës e të natës në zonat më të populluara të tij.

Për tipa si unë, workoholics, Bali është, gjithahstu, një vend ideal për të shkruar. Këtë e lehtëson edhe fakti që, në një mënyrë thuajse të natyrshme, madje fizikisht, emocionalisht e mendërisht të shëndetshme, ti ndjen nevojë të shkëputesh i tëri nga përditshmëria e jetës në Tiranë, nga thashethemet e kafeneve të qytetit, nga rubrikat e lajmeve dhe, sidomos, nga debatet e përnatshme në studiot e pothuaj të gjitha televizioneve.

Të vetmet gjëra që vijoj të bëj nga rutina e përditshme e jetës në Tiranë janë bisedat në video me nipin tim të shtrenjtë, Heru, heroin tim të pazëvendësueshëm, herë-herë ndonjë bisedë apo mesazh i shkëmbyer me familjen dhe shokët e mi më të afërt dhe, sigurisht, ndeshjet e Premier League, shumë prej të cilave detyrohemi bashkë me djalin tim, t’i shohim këtu në 4 të mëngjesit, për shkak të shtatë orëve diferencë me Tiranën.

Por ja që s’është e thënë të rri pa u “trazuar” në vorbullën e debateve online për ato çka ndodhin e çka thuhen në Tiranë. Nuk kam pasur asnjëherë një adresë në Facebook, as kam qenë ndonjëherë në Instagram apo në Twiter dhe as mendoj se do të jem. Disa vite më parë “hyra” në LinkedIn dhe nuk kam dalë më prej kësaj platforme, përmes së cilës mbaj lidhje e komunikoj kryesisht me miq e kolegë të mij këtej e andej Atlantikut.

Nuk di ta krahasoj me rrjetet e tjera sociale por më është dukur i mjaftueshëm për të mos u tunduar aspak të humbas kohë në rrjete të tjera. Dhe ishte këtu, në LinkedIn, që këto ditë pushimi, në prag të Krishtlindjeve, këtu në Bali, lexova disa komente e postime që më ngacmuan atë nerv polemik që, për hir të së vërtetës, nuk e kontrolloj dot, edhe nëse mundohem.

Më poshtë jap të plota komentet e disa individëve në LinkedIn dhe reagimet e mia ndaj tyre.

  1. “Doktorët” e shkencave

Agron Maliqi, nga Kosova, postoi disa ditë  më  parë  një  pasqyrë  që krahasonte, sipas gjinisë, të dhënat mbi nivelin arimor të popullsisë së Kosovës nga regjistrimet e viteve 2011 dhe 2023. Postimi i tij titullohej  “Lajme pozitive nga regjistrimi i popullsisë” dhe të dhënat që ai sillte dëshmojnë, sipas fjalëve të tij, “transformimin e thellë që ka ndodhur në Kosovë në aspektin gjinor”.

Pasi permendte “rritjen dyfish të numrit të vajzave e grave me arsim “bachelor” dhe pesëfishimin e numrit të atyre me arsim të nivelit “master”, z. Maliqi njoftonte se “numri total i banorëve me doktoraturë [në Kosovë] është katërfishuar. Këtu akoma ka më shumë burra se gra, por hendeku është ngushtuar”.

Të dhënat e mësipërme janë vërtet interesante, por numri katër herë më i madh i kosovarëve që kanë marrë një gradë “doktor” në shkenca në vetëm 13 vitet e fundit më duket shumë shqetësues ndaj edhe reagova ndaj postimit të tij me këtë koment:

“Çdo hap përpara drejt barazisë së plotë gjinore, i dashur Agron, si kudo, edhe në shkallën e arsimimit të qytetarëve, është i mirëpritur, por sasia e tillë e gradave shkencore, si për meshkujt dhe për femrat, në Kosovë e në Shqipëri, nuk përkthehet në një cilësi më të mirë të jetës akademike e të kërkimeve shkencore në dy vendet tona.

Përkundrazi, një sasi e tillë gradash “shkencore”, në shumë raste të dhëna pa meritë, prodhon cilësi të dobët, mediokritet e skarcitet shkencor, një profesorat të ardhshëm edhe më mediokër e shkolla të larta më të dobëta, që do prodhojnë më shumë “doktorë” mediokër “shkencash” në të ardhmen. Dëmi që i shkaktojmë shoqërive tona në këtë mënyrë është kolosal dhe shkon përtej dobisë së “barazisë gjinore” që synojmë të arrjmë në arsimim e lartë e në shkencë”.

  1. Maliqi m’u përgjigj duke thënë se “lajmi pozitiv nuk është numri, por dimensioni gjinor i dinamikës dhe përmbysja e përfshirjes së grave në arsimin e lartë. Debati mbi cilësinë”, shprehej ai, “është diçka tjetër dhe aty, veçanërisht për doktoraturat, keni të drejtë”.

Reagimi i tij nuk e ndryshon thelbin e çështjes, sepse dëmi që i bëhet shkencës nga dhënia jashtë kritereve cilësorë e meritokratikë të gradës “doktor” nuk ka të bëjë aspak me gjininë e bartësve të kësaj grade, por me thellësinë dhe cilësinë e kërkimeve shkencore dhe me rezultatet e dobinë e tyre teorike, praktike e shoqërore.

Dikush që nuk e njoh, Pleurat Hundozi, i cili me sa duket jeton në Washington, D.C., ndërhyri në këtë debat duke më kujtuar se “në Amerikë doktorojnë mbi 50,000 persona në vit”.

Është një subjekt që e njoh mirë dhe për të cilin kam shkruar edhe më parë, ndaj mendova t’i përgjigjesha me këtë koment ndërhyrjes së tij:

“Në Shtetet e Bashkuara, Pleurat, fitohen çdo vit rreth 60,000 deri në 70,000 grada PhD, por Amerika ka 335 milionë banorë, jo 1.6 milion sa ka Kosova, as 2.5 milionë sa ka Shqipëria. Për frymë popullsie, Kosova e Shqipëria kanë ndoshta më shumë “doktorë shkencash” se sa Shtetet e Bashkuara, Kina, Anglia apo Gjermania. A ju duket kjo diçka e arsyeshme apo normale?

Mos harroni, gjithashtu, se Amerika ka shumicën e universiteteve më të mirë në botë. Ai vend ka universitete të tillë, si Harvard, Yale, MIT, Caltech, Princeton, Cornell, Columbia, Brown, Duke, Stanford, jo universitete si ai i Pejës, i Prizrenit, i Tiranës, i Domosdovës apo i Rrogozhinës. Amerika ka, gjithashtu, laboratorët dhe disa nga qendrat kërkimore më të mira në botë.

Mjafton të përmend vetëm atë që njihet si “Research Triangle Park” në Karolinën e Veriut, që e njoh nga afër, një rajon në të cilin ndodhen tre prej  universiteteve më të mirë kërkimorë në atë vend: Duke University, University of North Carolina në Chapel Hill dhe North Carolina State University. Në këtë park kërkimor gjenden jo vetëm popullsia më e dendur në botë e njerëzve me PhD, por edhe shumë institucione kërkimorë dhe kompani të teknologjisë së lartë. Në këta institucione, ashtu si në Silicon Valley, në Harvard, MIT, Caltech, Princeton etj., bëhet shkencë dhe prodhohet teknologji e klasit më të lartë e jo llogje, plagjiarizëm apo shkencë folklorike, siç ndodh në shumicën e universiteteve e të institucioneve kërkimorë në Kosovë e në Shqipëri.

  1. The University is Dead, Long Live the University!

Admir Malaj, në mos gaboj një lektor në Universitetin Zonja e Këshillit të Mirë, postoi një ditë më vonë në LinkedIn një link që përmbante pjesë nga një pronocim i tij në TV SCAN, shoqëruar nga ky koment: “UNIVERSITETI KA VDEKUR! Po ju si mendoni miq? Një koment të sinqertë ju lutem”.

Më bënë kurioz fjalët e tij dhe i dëgjova ato pak minuta, në të cilat ai u shpjegonte ndjekësve të SCAN-it arsyet e “vdekjes së Universitetit”. Nuk munda të rri pa ndërhyrë, ndaj edhe reagova si më poshtë:

“Kërkoni një koment të sinqertë, Admir? Po mundohem t’ua jap më poshtë. Duke qenë se rreth dyzetë vite të jetës sime kanë qenë e vazhdojnë të jenë të lidhura me Universitetin, këtu në Shqipëri, por edhe në Hollandë e në Shtetet e Bashkuara, ku kam fituar gradën PhD në një prej universiteteve më të mirë të atij vendi e për shumë vite kam dhënë mësim, më vjen keq t’ju them se nuk kuptova asgjë nga nekrologjia që ju i bëtë Univeritetit si një institucion “i vdekur”.

Që arsimi i lartë është kudo në krizë, ky është një fakt i njohur. Në krizë është e gjithë shoqëria bashkëkohore, ose “postmoderne”, siç do të shprehej Jean-François Lyotard. Në krizë janë të gjitha institucionet e saj, pra edhe ato arsimore dhe vetë Universiteti. Por në atë që ju shkruani si një “obituary note” për Universitetin “e vdekur” unë nuk shoh asgjë që do të mund ta quaja racionale, veç disa “argumenteve” konfuzë e pa lidhje koherente me njëri-tjetrin.

Më 1882, Friedrich Nietzsche shpalli Vdekjen e Perëndisë: “God is dead!”. Afro një shekull më vonë, më 1970, Jean-Marie Benoist shpalli Vdekjen e Marksit: “Marx est mort!”. Tani, gjysmë shekulli pas tij, ju shpallni se “Universiteti ka vdekur!”. Pa thënë absolutisht asgjë për ta “provuar” këtë deklaratë bombastike tuajën, e cila, sigurisht, nuk ju vë në një radhë me dy të parët. Universiteti, qysh nga koha kur u krijua shekuj më parë, ka qenë e është në transformim të vazhdueshëm, por kjo mund të thuhet për të gjitha institucionet e shoqërisë. “Panta rhei”. Kjo doktrinë e Heraklitit të lashtë e shpjegon atë që ju duket se nuk e kuptoni. The University is dead, long live the University!

Ndaj këtij komenti, Admir Malaj reagoi me këto fjalë: “Faleminderit për komentin, profesor. E vlerësoj, sidomos fjalinë e fundit. Mund të ndahemi në mënyrën e shprehjes së asaj që mendojmë, por të dy besojmë se universiteti, kështu siç është, duhet të rishpikë vetveten”.

Sigurisht, Universiteti nuk është rrota që s’ka nevojë të rishpiket, por duket se Admiri nuk kuptoi asgjë nga reagimi im.

  1. PD, rinia dhe ideologjia në zgjedhjet 2025

Po në LinkedIn, Jorida Tabaku, një prej përfaqësuesve më vokalë e më të arsyshëm të elektoratit të PD-së në Parlamentin e Shqipërisë, postoi një foto të saj me tre djem të rinj, aktivistë të Partisë Demokratike, në të njëzetat apo të tridhjetat dhe poshtë asaj fotoje këtë shënim: “Rruga e PD-së drejt fitores 2025 kalon nga rinia, konservatorizmi dhe brain gain! Koha të ndryshojmë Shqipërinë”.

Nuk më është dhënë rasti të njihem me znj. Tabaku as së afërmi, as nga larg, edhe pse, për së largu, kam venë re se ajo është “ndryshe” nga eksponentët e tjerë të Partisë Demokratike: më racionale, më mire e artikuluar, më e përmbajtur dhe, më e rëndësishmja, e papërfolur—të gjitha këto cilësi të rralla në radhët e politikanëve të sotëm shqiptarë.

Problemi me të, siç kam mundur të kuptoj deri më sot, është mungesa e një vizioni të qartë se si mund të zhvillohen më tej demokracia dhe ekonomia në vendin tonë, por ky është një problem i vetë PD-së, së cilës i mungojnë si një strategji politike e qartë, ashtu edhe taktikat e duhura për realizimin e saj. Të konstatosh difektet e sistemit është diçka relativisht e lehtë, të dish t’i riparosh ato dhe t’i bindësh qytetarët se vërtet di ta bësh këtë, që ata të të votojnë në zgjedhjet e ardhshme, është e vështirë. Kjo e dyta kërkon njerëz vizionarë, demokratë të vërtetë, jo vetëm në emër e me fjalë, të përkushtuar së mirës publike dhe interesave të vendit, që unë ende nuk shoh se Partia Demokratike apo partitë e tjera opozitare i kanë. Madje të tillë duket se janë të pakët edhe në radhët e Partisë Socialiste që sot drejton vendin.

Sidoqoftë, fjalët e znj. Tabaku se “rruga e PD-së drejt fitores 2025 kalon nga rinia, konservatorizmi dhe brain gain”, më shtynë të shkruaj këtë koment të shkurtër për të:

“Rruga e PD-së drejt fitores?! Me Rininë?! Çfarë e lidh Rininë e këtij vendi, pjesën më përparimtare e më dinamike të shoqërisë, që kërkon përherë ndryshime progresive të kushteve tona humane, me “konservatorizmin” e PD-së, me kryekonservatorin Berisha në krye të saj dhe me “neokonservatorët” e sotëm të kësaj partie që s’ndahen dot prej tij? Konservatorizmi për të cilin flisni ju, znj. Tabaku, është—si ideologji dhe si praktikë shoqërore—antidot i ndryshimeve progresive në shoqërinë shqiptare.

PD e kishte Rininë me vete kur kjo parti u krijua, por nuk dinte në atë kohë—dhe as e mësoi e nuk e gjeti dot ndonjeherë—rrugën qe duhej të ndiqte për ta ndryshuar këtë shoqëri, për ta bërë Shqipërinë “si e gjithë Europa”. Këtë slogan, PD e shpalli me bujë, por përmbajtjen e tij e tradhëtoi me krijimin e një partie e të një shteti autoritarist që gradualisht e zhgënjeu dhe e largoi rininë prej saj.

Ka kohë që Partia Demokratike e ka humbur “rrugën e fitores” dhe busullën për ta rigjetur atë rrugë me një njeri si Berisha në krye të saj. Rinia askund nuk i shkon pas askujt që nuk e çon përpara e nuk i garanton asaj realizimin e aspiratave të veta, që kurdoherë—e krejt natyrshëm—janë progresive e revolucionare, jo konservatore”.

Ndaj këtij komenti, znj. Tabaku reagoi duke venë në duke se në Gjermani, në Francë e gjetkë në Europë, si dhe në Amerikë, rinia po përqafon konservatorizmin duke votuar për partitë e djathta, koment të cilit iu përgjigja me këto fjalë:

“Më duhet sërish të bëj një koment të shkurtër, Jorida. Është krejt e pasaktë të thoni (përgjithësoni) se të rinjtë europianë apo ata amerikanë po përqafojnë konservatorizmin. As nuk jepni dot të dhëna empirike për këtë që thoni, as e argumentoni dot si një trend, sepse nuk është i tillë.

Ndryshimet në humoret dhe në sjelljen elektorale të të rinjve mund shpjegohen me kriza ekonomike e shoqërore që i prodhojnë si partitë e majta, dhe ato të djathta dhe, sidomos, me pakënaqesinë në rritje ndaj elitave sunduese dhe klasës së politikanëve që i drejtojnë këto shoqëri.

Nuk është ideologjia që i ndan qytetarët, aq më pak të rinjtë, në këta vende. Fakti që në Hollandë, fjala vjen, njëra prej shoqërive më libertine që njohim deri më sot, një pjesë e mirë e qytetarëve, ndër ta edhe shumë të rinj, votuan së fundmi në shumicë për një parti ekstremisht të djathtë, Partia për Liri, e drejtuar nga lideri populist i saj Geert Wilders, nuk do të thotë se shoqëria hollandeze ka hequr dorë nga vlerat e saj morale e sociale (që venë lirinë në radhe të parë) dhe është bërë një shoqëri konservatore. Ndryshimi në sjelljen elektorale të hollandezëve, të francezëve, gjermanëve apo italianëve dëshmon zhgënimin e pakënaqësitë e tyre ndaj elitave sunduse dhe ndaj paaftësisë së tyre për t’u gjetur zgjidhje krizave ekonomike, sociale e politike në këta vende.

Për z. Trump në Amerikë votuan edhe demokratë, por po kështu, shumë republikanë votuan për znj. Harris dhe për kandidatët demokratë për kongresin e Shteteve të Bashkuara dhe për legjislaturat e shteteve të tyre. Dhe a mund të më thoni, ju lutem, se ç’përfaqëson Donald Trump ideologjikisht? Është ai një liberal apo një konservator? Nëse afiliimi me një parti politike të dhënë është një tregues i përkatësisë ideologjike, atëherë ç’mund të thuhet për ideologjinë që udhëheq z. Trump në sjelljen e tij politike dhe në politikat e tij? I regjistruar si republikan më 1987, ai ka ndërruar parti pesë herë që nga ajo kohë. Indipendent më 1999, demokrat më 2001, republikan më 2009, përsëri independent më 2011 dhe përsëri republikan një vit më vonë, më 2012.

Identitetet politikë janë fluide, jo të dhënë një herë e përgjithmonë. Berisha, të cilin ju vazhdoni ta mbani e ta veneroni si liderin e përjetshëm të partisë suaj, është, ndoshta, mishërimi më i mirë i këtij transfigurimi identitar në politikë—i shndërruar “overnight” nga një komunist revolucionar, në një demokrat konservator”.

Këtij shkëmbimi mendimesh iu bashkua një shqiptar me banim në New York, Qemal Agalliu, i cili bëri këtë “sqarim”: “Profesor, konservatorizmi përfaqëson familjen dhe pronën. Amerika këtë radhë votoi për konservatorizmin”.

Ragimi im ndaj komentit të tij ishte ky: “Kjo është një shprehje kaq cliché, Qemal, sa me të as ia vlen të merresh. Por ju pyes: Cilën familje? Cilën pronë? Familja dhe prona nuk janë institucione të ngurta, të dhëna një herë e përgjithmonë; ato kanë evoluuar dhe evoluojnë me kohën. Nëse me familje ju kuptoni familjen tradicionale, patriarkale e konservatore, ajo tashmë është një relikë e së shkuarës në pjesën më të madhe të botës së zhvilluar.

Nëse me pronë kuptoni vetëm pronësinë mbi tokën, format e sotme të pronësisë, veç asaj mbi tokën dhe mbi mjetet e prodhimit, kanë bërë pronarë miliona njerëz që nuk kanë në pronësi të tyre as tokë, as mjete prodhimi. Shoqëria dhe ekonomia e sotme, siç ju mund ta dini, janë shoqëri dhe ekonomi të dijes. Kjo e fundit, pra Dija, është jo vetëm produkti më i çmuar, por edhe prona, ose malli më i shtrenjtë në kohën tonë. Dhe dija, nga vetë natyra e saj, është një forcë progresive e revolucionare në shoqëri, jo një forcë konservatore. Knowledge is Power”.

Ky shkëmbim mendimesh vijoi edhe më tej kur znj. Tabaku m’u drejtua me këto fjalë: “Profesor, çdo forcë politike ka ulje-ngritjet e saj. Ju, si studiues i shkencave sociale, e keni edhe më të qartë këtë”.

Fjalët e saj ishin një ftesë për të reaguar dhe komentit të saj iu përgjigja si më poshtë:

“Sigurisht, Jorida, çdo forcë politike ka në historinë e vet periudha ngritjeje e rënieje, por ka ndodhur e ndodh që rëniet të jenë të një magnitude të tillë, që e bëjnë shumë të vështirë dhe, ndonjëherë, fatalisht të pamundur ringritjen e një force politike. Vetëm në Shtetet e Bashkuara parti të tilla, që janë krijuar e më pas janë zhbërë e “zhdukur”, kanë qenë disa: Federalist Party, Whig Party, National Union Party, Constitutional Union Party, America First Party (kjo e fundit pushoi së ekzistuari më 1943), Constitution Party (u shpërbë më 1952), Populist Party (shpërbërë më 1984) e, më së fundmi, Serve America Movement, e cila, pasi u krijua si një parti politike më 2017, u shpërbë më 2022.

Unë kam bindjen më të thellë se një opozitë e vërtetë është jetike për demokracinë, në çdo vend, pra edhe në Shqipëri. Mungesa e një opozite të tillë konstruktive sot në Shqipëri është tragjike për fatet e demokracisë sepse e deformon, e korrupton dhe e dobëson rendin demokratik dhe institucionet e tij, siç ju dhe unë shohim të ndodhë realisht.

Por, kur flitet për opozitë dhe për parti opozitare në Shqipëri, personifikimi i tyre për pjesën më të madhe të shqiptarëve janë Berisha e Meta, dy politikanët më të korruptuar e më të papëlqyer për publikun e këtij vendi, jo ju, e nderuar zonjë. Unë ju respektoj për integritetin dhe qendrimet tuaja të matura, por nuk i jap dot përgjigje një pyetjeje thelbësore: Çfarë ju mban të lidhur juve dhe disa prej kolegëve tuaj më racionalë pas Berishës?!

Ndërsa edhe pa Berishën, PD e sotme e ka të vështirë fitoren më 2025, me Berishën në krye të saj PD e ka të pamundur fitoren edhe më tej. Berisha nuk është as opozita e vërtetë, as Partia e vërtetë Demokratike, por tragjedia e asaj partie dhe e kësaj republike. Ai është një e shkuar e dështuar dhe e palavdishme, një fatkeqësi kombëtare, jo e ardhmja e të gjithëve ne si shoqëri e si vend.

Gazeta Dita

  •  
❌