Reading view

Frikacakët e politikës, “mulizmi” dhe kështjella e Berishës

Nga Ermal Peçi

Rrënjët e asaj që po ndodh sot në Partinë Demokratike dhe në politikën shqiptare duhen kërkuar te viti 2021. Ishte ai moment kur përplasja e vërtetë brenda PD-së tregoi se partia kishte më pak politikanë nga sa pretendonte dhe shumë më tepër frikacakë, pazarxhinj e njerëz që ndryshonin fytyrën sipas interesit.

Përplasja brenda PD-së pati të paktën një të mirë: secili u shfaq me fytyrën e vet. Maskat ranë dhe u bë më e vështirë të fshiheshin pas jetëve politike të fabrikuara.

Partia u nda mes atyre që mbështetën vendimin e Lulzim Bashës ndaj Sali Berishës dhe atyre që mbështetën Berishën në betejën e tij kundër SPAK-ut dhe vendimit non grata të Shteteve të Bashkuara.

Por, mes këtyre dy grupimeve, u shfaqën edhe personazhet më të trishtueshëm të kësaj historie: njerëzit pa karakter, pragmatistët pa parime, pazarxhinjtë politikë dhe ata që menduan se mund të përfitonin si kërminjë, duke u ngjitur pas kujtdo që u dukej se kishte më shumë mundësi për t’u dhënë një karrige.

Këta janë frikacakët e politikës.

Prej kohësh, këta frikacakë kanë nisur sulmet ndaj Flamur Nokës, pasi ai u rizgjodh numri dy i Partisë Demokratike.

Në fakt, në atë grupim, Noka është ndër më të sinqertët. Jo sepse është domosdoshmërisht më i miri, por sepse e di rolin e vet. E di pozicionin e vet. E di se ku qëndron dhe kujt i bindet dhe në politikë e në jetë të dish vendin ku qëndron është shumë e rëndësishme.

Flamur Noka zbaton urdhrat e Sali Berishës. Kjo nuk është ndonjë sekret. Nuk ka pse të bëhet sikur ekziston një “mulizëm” në PD, sikur Noka është një qendër autonome pushteti që vendos vetë për gjithçka. Ai është pjesë e strukturës së Berishës dhe vepron në përputhje me vijën e tij politike.

Prandaj, kur sulmohet Noka për “mulizëm”, shpesh kemi të bëjmë me një hipokrizi të pastër. Ata që e sulmojnë nuk kanë guxim të sulmojnë Berishën dhe kjo është pjesa më qesharake e kësaj historie: njerëz që presin ndryshimin, por nuk kanë guximin të kërkojnë ndryshimin; njerëz që flasin për demokraci, por heshtin përballë liderit; njerëz që duan një të ardhme të re, por vazhdojnë të jetojnë politikisht në oborrin e së shkuarës.

Duket se premtimi i “kilometrit të fundit”, i përsëritur për vite me radhë në çdo studio televizive nga Sali Berisha dhe mbështetësit e tij më të zjarrtë, ka përfunduar në atë që sot mund të quhet Kështjella e tij e fundit.

Për vite me radhë, opozita e drejtuar nga Berisha ka jetuar me idenë se fitorja ishte gjithmonë pak më tej. Edhe kur zgjedhjet humbeshin, edhe kur protestat nuk prodhonin ndryshimin e premtuar, edhe kur opozita humbiste terren politik, përgjigjja ishte gjithmonë e njëjtë:

Sot, pas kaq shumë vitesh, ai kilometër duket se është shndërruar në një kështjellë. Një kështjellë ku Berisha vazhdon të qëndrojë, i rrethuar nga besnikët e tij, duke u përpjekur të bindë veten dhe të tjerët se beteja e madhe është ende përpara.

Kështjella e fundit e Berishës nuk është thjesht një vend politik. Është një mentalitet i ndërtuat për të jetuar në një kështjellë

Një kështjellë e cila cila duhet të shërbej për t’u mbrojtur nga SPAK-u.

Brenda saj qëndron Berisha, përballë dosjeve të drejtësisë, ndërsa pranë tij qëndrojnë njerëz si Flamur Noka, i cili gjithashtu është përballur me çështje të SPAK-ut dhe ndërsa kjo kështjellë fortifikohet kundër drejtësisë, ajo duket se është mbyllur edhe ndaj botës. Nuk është rastësi që në zyrën e Berishës nuk shkojnë më ambasadorët e huaj.

Kjo është Kështjella e fundit e Berishës: e rrethuar nga SPAK-u, e izoluar nga bota dhe e mbajtur në këmbë nga njerëz që ende besojnë se beteja e madhe është përpara.

Por kështjellat kanë një problem: kur mbyllen portat, askush nuk e di nëse janë ndërtuar për të mbajtur jashtë armiqtë apo për të mbajtur brenda ata që kanë mbetur.

Ndoshta, në fund, kjo kështjellë nuk do t’i mbrojë të gjithë por mund t’i zërë brenda.

  •  

Shkupi dhe shtatorja e Skënderbeut

Nga Ermal Peçi

Ndërsa vëmendja e opinionit publik shqiptar është përqendruar pothuajse tërësisht te zhvillimet politike në Tiranë, ku kryefjalë janë protestat, në Shkup po ndodhin procese me rëndësi të drejtpërdrejtë për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Fatkeqësisht, këto zhvillime shpesh kalojnë në heshtje ose trajtohen sipërfaqësisht nga një pjesë e mediave në Shqipëri, më të fokusuara te axhenda e përditshme politike sesa te realiteti i rajonit.

Shqiptarët nuk jetojnë vetëm në Tiranë. Kombi shqiptar nuk kufizohet brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Për këtë arsye, çdo zhvillim që prek identitetin, përfaqësimin dhe trashëgiminë historike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut meriton vëmendje të plotë.

Prej ditësh është rikthyer debati për emërtimet e rrugëve në Tetovë — një debat i ngarkuar me interpretime politike, gjysmë të vërteta dhe tentativa për të delegjitimuar aktorë të caktuar, veçanërisht koalicionin VLEN, por që realisht më shumë përgjegjësi ka BDI për shkak të viteve që ajo ka pasur vendimarrje institucionale. Por përpara se të ndërtohen narrativa politike, duhet parë realiteti dhe përgjegjësitë institucionale ashtu siç janë.

Për kureshtje intelektuale në vazhdën e udhëtime që bëj në tokat e kombit shqiptar, zhvillova një vizitë në Shkup — një nga ato udhëtime që ti del për të takuar vllezërit e tu shqiptar shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Mjafton të ecësh në Çair, komunën që prej katër mandatesh drejtohet nga Izet Mexhiti për të kuptuar identitetin shqiptar por edhe për të kuptuar sfidat e madhe të transformimit që e pret këtë zonë.

Lagjet e vjetra, rrugicat e ngushta, zhurma e pazareve, aromat e furrave tradicionale dhe gjallëria e përditshme krijojnë ndjesinë e një zemre shqiptare në mes të Shkupit. Në çdo cep ndihet një komunitet që ka ruajtur gjuhën, zakonet dhe kujtesën historike, pavarësisht sfidave të kohës dhe konteksteve politike.

Edhe emrat e rrugëve dhe hapësirave publike në Çair flasin për këtë identitet. Ato mbajnë figura të rëndësishme të historisë shqiptare — nga rilindësit dhe patriotët deri te personalitetet që formësuan vetëdijen kombëtare: Çerçiz Topulli, Fan Noli, Faik Konica, Jusuf Gërvalla dhe Hasan Prishtina. Këto emërtime nuk janë rastësi, por një pasqyrim i një filozofie që e sheh identitetin kombëtar si pjesë të jetës urbane, jo si dekor politik.

Por zhvillimi më domethënës i ditëve të fundit kaloi thuajse në heshtje.

Qeveria ka miratuar vendimin për kalimin e pronësisë së tokës së Sheshit “Skënderbeu” te Komuna e Çairit, duke hequr pengesën e fundit administrative dhe duke hapur rrugën për fazën e tretë të projektit.

Në pamje të parë mund të duket një procedurë burokratike. Në thelb, është një hap me peshë simbolike dhe institucionale: konsolidimi i një hapësire publike në zemër të Shkupit që reflekton identitetin dhe praninë historike shqiptare.

Skënderbeu nuk është thjesht një figurë historike. Ai mbetet simbol i rezistencës, unitetit dhe identitetit shqiptar. Prandaj, çdo investim që forcon praninë e tij në hapësirat publike nuk është vetëm ndërhyrje urbanistike, por edhe ndërhyrje në kujtesën kolektive.

Në këtë kuadër, projekti i Sheshit “Skënderbeu” në Çair merr një dimension më të gjerë sesa infrastruktura: ai bëhet pjesë e një procesi të afirmimit kulturor dhe identitar në një nga hapësirat më të rëndësishme urbane të Shkupit.

Ndërsa politika prodhon zhurmë, propagandë, akuza dhe interpretime që vjetrohen shpejt, ka vendime që merren   ngadalë, por lënë gjurmë. Në fund, koha nuk mban mend fjalët, por vendimet.

Historia nuk ka nevojë për studio televizive dhe as për zëra të lartë që harrohen sapo mbyllet ekrani. Ajo shkruhet në heshtje, në gurë, në sheshe dhe në hapësirat që marrin kuptim me kalimin e viteve. Nisja e një faze të re për Sheshin “Skënderbeu” në Çair është pikërisht nga ato vendime që koha i forcon dhe kurrë nuk i lë pa gjurmë.

  •  

Non Grata, çfarë nuk po na thotë Berisha?

Nga Ermal Peçi

Çështja e “non gratës” së Sali Berishës mbetet një nga temat më të debatuara në politikën shqiptare.

Pesë vite pas vendimit të Departamentit Amerikan të Shtetit për ta shpallur atë dhe familjen e tij persona të papranueshëm për hyrje në Shtetet e Bashkuara, debati jo vetëm që nuk është mbyllur, por ka hyrë në një fazë të re.Këtë herë, jo për shkak të një vendimi të ri publik amerikan, por për shkak të mënyrës se si vetë Berisha po e paraqet atë.

Në daljet e tij publike, lideri historik i Partisë Demokratike ka krijuar përshtypjen se historia e “non gratës” ka marrë fund dhe se akuzat mbi të cilat u mbështet vendimi i vitit 2021 janë shembur. Por dokumentet, deklaratat dhe formulimet e publikuara deri tani tregojnë një histori shumë më komplekse.

Prandaj pyetja nuk është nëse Berisha mund të udhëtojë në SHBA.

Pyetja është: Çfarë nuk po na thotë Berisha?

Debati duket se sillet rreth një termi juridik që në Shqipëri po trajtohet si një detaj teknik, por që në fakt është thelbi i gjithë çështjes: (përjashtim)

Nëse interpretimet e publikuara deri tani janë të sakta, atëherë Departamenti Amerikan i Shtetit nuk ka hequr dizenjimin e Berishës sipas Seksionit 7031(c), por ka përdorur një mekanizëm ligjor që lejon përjashtime të kufizuara në raste të veçanta.

Ky dallim është vendimtar. Një gjë është të hiqet një sanksion.

Krejt tjetër gjë është të lejohet një përjashtim nga zbatimi i tij. Ligji amerikan parashikon dy baza kryesore për një përjashtim.

E para është klauzola e “interesit kombëtar bindës”, ku Shtetet e Bashkuara mund të lejojnë hyrjen e një individi të sanksionuar pa ndryshuar aspak statusin e tij juridik. Kjo është një klauzolë politike dhe strategjike, jo një vlerësim mbi fajësinë apo pafajësinë.

E dyta është klauzola që lidhet me ndryshimin e rrethanave, ku supozohet se baza që ka çuar në shpalljen e personit të papranueshëm nuk qëndron më.

Dallimi mes këtyre dy formulave është thelbësor. E para mban të pandryshuar akuzën, e dyta do të nënkuptonte rrëzim të saj.

Nëse SHBA do të kishte arritur në përfundimin se akuzat ndaj Berishës nuk qëndrojnë më, logjikisht do të kishte përdorur klauzolën e ndryshimit të rrethanave dhe do ta kishte deklaruar qartë. Por deri tani nuk ekziston asnjë deklaratë zyrtare amerikane që të thotë se vendimi i vitit 2021 është rrëzuar.

Ajo që është bërë publike lidhet me një waiver të mundshëm, i cili në praktikë mund të jetë edhe për arsye humanitare, për interes kombëtar amerikan, apo për detyrime të veçanta diplomatike. Por në asnjë rast kjo nuk përbën heqje të “non gratës”.

Madje, emri i Berishës vazhdon të figurojë në listat zyrtare të Departamentit Amerikan të Shtetit sipas Seksionit 7031(c), duke treguar se dizenjimi mbetet në fuqi.

Në këtë kuptim, përjashtimi nuk është rehabilitim politik apo juridik, por një instrument administrativ i përkohshëm, i cili lejon hyrje të kufizuar pa ndryshuar statusin bazë.

Në këtë kontekst, edhe krahasimi me raste të tjera ndërkombëtare tregon se SHBA ka qenë zakonisht e qartë kur ka ndryshuar qëndrim. Në rastin e Berishës, një deklarim i tillë nuk ekziston.

Po aq domethënëse është edhe mungesa e një ndryshimi të qëndrimit nga Britania e Madhe. Deri më sot nuk ka asnjë njoftim zyrtar që të tregojë rishikim të masave ndaj tij, ndërsa më herët ambasadori Britanik në Shqipëri ka theksuar se vendimmarrja britanike mbështetet edhe në elemente ligjore dhe procedurale, jo vetëm politike.

Por çështja nuk ndalet këtu. Dimensioni më i rëndësishëm i gjithë kësaj historie është ai institucional dhe ndërkombëtar për drejtësinë në Shqipëri.

Berisha ndodhet nën hetim nga SPAK, atëherë nuk kemi të bëjmë vetëm me një çështje vizash apo statusi ndërkombëtar, por me një proces të mbështetur nga një bashkëpunim i drejtpërdrejtë SHBA–Britani e Madhe–Bashkimi Europian.

SPAK është ndërtuar si pjesë e reformës në drejtësi me asistencë dhe mbikëqyrje ndërkombëtare, ku roli i Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve europianë ka qenë vendimtar në krijimin e strukturave të hetimit të korrupsionit të nivelit të lartë.

Në këtë kuptim, çdo interpretim politik që synon të ndajë Berishën nga kjo kornizë ndërkombëtare bie ndesh me vetë filozofinë mbi të cilën është ngritur reforma në drejtësi në Shqipëri.

Nëse hetimet e SPAK vazhdojnë, ato nuk janë një zhvillim i izoluar vendor, por pjesë e një arkitekture më të gjerë të mbështetjes ndërkombëtare për luftën kundër korrupsionit.

Në fund të fundit, çështja nuk lidhet vetëm me Sali Berishën. Ajo lidhet me mënyrën se si interpretohen vendimet ndërkombëtare në hapësirën publike shqiptare.

Kur një politikan pretendon se ka fituar një betejë të madhe ndërkombëtare, qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë dokumente, prova dhe shpjegime të plota.

Deri tani, publiku nuk ka parë një dokument që të tregojë se vendimi i vitit 2021 është rrëzuar. Nuk ka parë një deklaratë amerikane që të thotë se akuzat për korrupsion madhor nuk qëndrojnë më. Nuk ka parë asnjë ndryshim të qëndrimit britanik ndaj Berishës.

Ajo që është bërë publike deri më sot flet për një waiver, përfshirë edhe në formë humanitare apo të interesit kombëtar, pra për një përjashtim të kufizuar nga zbatimi i ndalimit të hyrjes, dhe jo për një revokim të dizenjimit.

Prandaj, më shumë sesa fundi i një historie, ajo që po shohim sot është një përpjekje për të rishkruar interpretimin e saj. Por në politikë, ashtu si në drejtësi, dokumentet kanë më shumë peshë se deklaratat, dhe faktet më shumë vlerë se interpretimet e përkohshme.

Marrë nga Mapo.al

  •  

Kur largohen njerëzit e mirë si Namir Lapardhaja

Nga Ermal Peçi

Në vitet e fundit jeta më ka përballur me ngjarje të rënda emocionale dhe me humbje miqsh të dashur. Jam një njeri që besoj në Zot dhe shpesh herë e kam pyetur veten: pse Zoti merr para kohe pranë vetes njerëz me virtyt dhe zemër të mirë. I tillë ishte edhe Namir Lapardhaja, një personalitet në profesion dhe në jetë.

Namiri nuk ishte thjesht një njeri i aftë në punën e tij. Ai ishte nga ata njerëz që rrallohen gjithnjë e më shumë: i qetë në fjalë, i drejtë në qëndrime dhe i ndershëm në çdo marrëdhënie njerëzore. Kishte një lloj thjeshtësie që të bënte menjëherë të ndiheshe mirë pranë tij, sikur e kishe njohur prej kohësh.

Në një kohë kur shumë njerëz përpiqen të duken më të mëdhenj se ç’janë, Namiri mbeti gjithmonë i madh pa pasur nevojë ta tregonte. Ai ishte fisnik në mënyrën më të qetë të mundshme. Unë e quaja “Bej i Penës”, sepse nuk kërkoi kurrë duartrokitje, por fitoi respektin e të gjithëve. Nuk kërkoi vëmendje dhe protagonizëm, por la pas një boshllëk që ndihet menjëherë.

Humbja e tij nuk është vetëm një dhimbje për familjen dhe të afërmit, por edhe për të gjithë ata që e kanë njohur si njeri. Disa njerëz nuk largohen thjesht fizikisht, ata marrin me vete një qetësi, një mirësi dhe një besim te njerëzimi që sot na mungon më shumë se kurrë.

Namiri sot më këputi shpirtin dhe zemrën, më mbushi sytë me lot për një vdekje që më la pa fjalë e pa frymë. Një vdekje që erdhi e papritur dhe solli një lajm të kobshëm, për një boshllëk që do të ndihet gjatë.

U prehsh në paqe, Namir. Kujtimi yt do të mbetet më i fortë se çdo fjalë që mund të shkruhet sot

  •  

Mostakimi i McAllister me Berishën, mesazh për të gjithë klasën politike

Nga Ermal Peçi

Vizita e David McAllister në Tiranë nuk ishte një ndalesë kalimtare në axhendën diplomatike por një vizitë me mesazhe thelbësore politike.. Si kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme në Parlamenti Europian, ai foli me gjuhën e institucioneve europiane, të qetë, të matur, por të prerë.

Tri mesazhet e tij ishin thelbësore dhe konkrete: lufta kundër korrupsionit duhet të thellohet realisht; reforma zgjedhore duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR; liria e shprehjes dhe pluralizmi mediatik kërkojnë më shumë transparencë dhe mbrojtje për gazetarët. Këto nuk janë thjesht pika teknike në një raport progresi, janë plagët reale me të cilat përballet sot vendi.

McAllister foli qartë edhe për qeverinë e Edi Ramës. Kur e cilësoi çështjen “Balluku” si një “test kritik”, ai dha një mesazh të drejtpërdrejtë: korrupsioni nuk luftohet me konferenca shtypi apo me ndryshime procedurale të momentit, por me drejtësi që vepron dhe një klasë politike që nuk ndërhynë për të shpëtuar njerëzit e vet.

Siç do të thoshte Montesquieu, “Çdo njeri që ka pushtet është i prirur ta abuzojë atë.” Prandaj demokracia nuk mbështetet te besimi, por te kontrolli dhe balanca. Pikërisht këtë kërkon Europa: institucione që i rezistojnë tundimit të pushtetit apo edhe sulmeve të tija.

Por mesazhi i kësaj vizite nuk u dha vetëm me fjalë, u dha edhe me takimet që nuk ndodhën.

Mos-takimi me Sali Berisha, i cili drejton Partinë Demokratike të Shqipërisë, është një sinjal politik me peshë. Në çdo demokraci funksionale, opozita është pjesë thelbësore e dialogut me partnerët ndërkombëtarë. Fakti që një drejtues opozite nuk përfshihet në axhendën e një zyrtari të lartë europian nuk është thjesht çështje protokolli. Është mesazh.

Një figurë e shpallur “non grata” nga SHBA mbart një barrë që shkon përtej politikës së brendshme. Kur edhe përfaqësues të lartë të BE-së mbajnë distancë, krijohet një realitet diplomatik: opozita ekziston institucionalisht, por drejtuesi i saj mbetet i kontestuar ndërkombëtarisht.

Në diplomaci, dera nuk përplaset me zhurmë; ajo thjesht nuk hapet. Po çfarë ndodh kur SHBA dhe Bashkimi Europian e mbajnë derën mbyllur? Ndodh ajo që në marrëdhëniet ndërkombëtare quhet izolim gradual: zbehet besimi, zvogëlohet pesha politike, ngushtohet hapësira e ndikimit. Për një vend si Shqipëria, orientimi perëndimor nuk është luks, as tek politike por është boshti strategjik i sigurisë dhe zhvillimit.

Siç do të thoshte Niccolo Machiavelli, në politikë perceptimi është po aq i rëndësishëm sa realiteti. Kur perceptimi ndërkombëtar krijon distancë, ajo distancë shndërrohet shpejt në një fakt politik, që pas SHBA-së dhe BE-ja i ka mbyllë dyert për Berishën. Vizita e McAllister ishte një pasqyrë për të gjithë, për qeverinë që testohet nga drejtësia, dhe për opozitën që testohet nga kredibiliteti ndërkombëtar. Në fund, Shqipëria nuk gjykohet vetëm nga çfarë thuhet në Tiranë, por nga mënyra si shihet në Uashington dhe në Bruksel.

  •  

Po Berisha, a i mban mend protestat e Bashës?

Nga Ermal Peçi

Politika ka një kujtesë të pamëshirshme. Ajo nuk harron thirrjet, pankartat apo sheshet e mbushura, harron vetëm ata që përsërisin veten pa kuptuar se koha ka ndryshuar. Çdo protestë mbart mbi shpinë historinë e atyre që kanë ardhur më parë. Sot, përballë protestave të Berishës, pyetja nuk është nëse ato janë të zhurmshme, por nëse kanë ndonjë kuptim të ri. Sepse, siç do të thoshte Hegel, historia përsëritet jo për t’u korrigjuar, por për të treguar se një ide është konsumuar.

Në fakt lind natyrshëm një pyetje, po Berisha, a i mban mend protestat e Bashës? Ato protesta që, pavarësisht kritikave, ishin shumë më masive, më gjithëpërfshirëse dhe dukshëm më të fuqishme në trysnin që ushtruan mbi qeverinë. Ishin protesta që prodhuan politikë reale: tension institucional, reagim të qeverisë dhe vëmendje të faktorëve ndërkombëtarë. Në fakt as ato nuk sollën pushtetin, por ato e mbajtën opozitën në qendër të lojës politike.

Lulzim Basha, me të gjitha kufizimet dhe kundërshtitë që ka pasur, përfaqësoi një opozitë që kërkonte të ishte e lexueshme për shoqërinë dhe e pranueshme për aleatët strategjikë. Ai e kuptoi se pushteti në një demokraci të brishtë nuk fitohet vetëm me turmë, por me besueshmëri. Max Weber do ta quante këtë një përpjekje për ta shndërruar karizmën në autoritet racional, në rregull dhe institucion dhe jo në kult personal.

Sot, protestat e Berishës janë një përsëritje e zbehtë e atij skenari. Mungon masiviteti, mungon energjia shoqërore dhe, mbi të gjitha, mungon produkti politik. Protesta është kthyer në rit, jo në strategji. Zhurmë pa projekt, thirrje pa adresë dhe grumbullime që nuk shndërrohen në alternativë qeverisëse.

Nëse Basha, me gjithë rezervat ndaj tij, arriti të krijojë presion real dhe të mbajë të hapur raportin me SHBA dhe partnerët ndërkombëtarë, pse Berisha sot nuk arrin të bëjë dot asgjë më shumë? Pse rikthimi i tij nuk solli as aleanca të reja, as besim të ri, as perspektivë pushteti?

Në politikë, izolimi nuk është akt force, por shenjë dobësie. Hannah Arendt e thotë qartë: “Autoriteti që nuk ripërtërihet, shndërrohet në pengesë.” Sot Berisha është në këtë pozicion ku në vend që të hapë rrugë, po mbyll horizonte. Këto protesta nuk janë kilometri i fundit drejt pushtetit, siç u shitet demokratëve. Janë pengesa e fundit për demokratët për të ardhur në pushtet sepse opozita nuk humbet kur proteston, ajo humbet kur nuk prodhon më politikë.

Siç paralajmëronte Nietzsche, kur njeriu kapet pas së shkuarës si shpëtim, ajo shndërrohet në barrë. Koha ka treguar se politika e ndërtuar mbi barrë nuk ecën përpara, ajo thjesht e mban peng të ardhmen.

  •  

Çfarë na mëson sociologjia dhe filozofia për Shqipërinë politike

Nga Ermal Peçi

Duke qenë se formimi im vjen nga Shkencat Sociale, dhe konkretisht nga Sociologjia, nuk mund ta përjashtoja këtë analizë për të kuptuar se çfarë po ndodh sot në vendin tonë. Ka një ligj të pashkruar të politikës që filozofia dhe sociologjia e kanë kuptuar prej kohësh, por që shoqëria shqiptare ende refuzon ta pranojë plotësisht: pushteti ndahet për të sunduar, por bashkohet për të mbijetuar.

Vilfredo Pareto nuk fliste për individë, por për elita dhe Shqipëria sot është një laborator i hapur i këtij ligji.

Në sipërfaqe, politika shqiptare shfaqet e përçarë, e polarizuar, e zhytur në konflikt të përhershëm. Berisha dhe Rama paraqiten si kundërshtarë ekzistencialë, si dy botë që nuk takohen kurrë. Por kjo ndarje funksionon vetëm për aq kohë sa politika mbetet lojë pushteti. Në momentin që në skenë hyn SPAK-u, vijat ndarëse fillojnë të zbehen dhe del në pah një ndjenjë e përbashkët që i bashkon të gjithë: frika.

Sociologjia politike na mëson se elitat rrallë rrëzohen nga njëra-tjetra. Ato zëvendësohen, riciklohen dhe rrotullohen brenda të njëjtit sistem. Ajo që i trondit realisht nuk është humbja e pushtetit, por humbja e imunitetit. Për herë të parë pas dekadash, politika shqiptare përballet me një institucion që nuk negocion me narrativën, por kërkon llogari. SPAK-u nuk është thjesht një strukturë drejtësie; për klasën politike, ai është kërcënim ekzistencial.

Hannah Arendt e thotë qartë: pushteti nuk ka frikë nga opozita, por nga gjykimi, sepse gjykimi e nxjerr pushtetin nga propaganda dhe e fut në territorin e përgjegjësisë personale. Pikërisht këtu politika shqiptare ndihet e pambrojtur. Përballë SPAK-ut, aktorët politikë nuk janë më sundues, por subjekte hetimi dhe kjo për ta është një përmbysje e rendit që kanë njohur.

Carl Schmitt do ta quante këtë një “situatë përjashtimi”: çasti kur politika pushon së qeni ideologji dhe kthehet në instinkt mbijetese. Kur kundërshtari nuk është më “tjetri politik”, por drejtësia penale, konfliktet e mëdha pezullohen dhe lind një solidaritet i heshtur. Jo marrëveshje publike, por një afrim psikologjik dhe strategjik, i diktuar nga frika.

Kjo shpjegon pse Berisha dhe Rama mund të përplasen ashpër për vota, për histori dhe për pushtet, por përballë SPAK-ut gjuha u afrohet, reagimet fillojnë të ngjajnë dhe sulmet ndaj drejtësisë bëhen të sinkronizuara, herë të drejtpërdrejta, herë të maskuara. Mesazhi është i njëjtë: drejtësi po, por jo ajo që na prek ne.

Filozofia dhe sociologjia nuk flasin këtu për dy individë, por për një klasë politike që e percepton SPAK-un jo si instrument të shtetit, por si rrezik personal. Siç do të thoshte Pareto, elitat ndahen për të sunduar shoqërinë, por bashkohen për të mos u gjykuar prej saj dhe sot, ajo që i bashkon më fort se çdo ideologji është frika nga drejtësia.

Problemi i Shqipërisë nuk është konflikti politik, por një sistem që e pranon konfliktin si spektakël dhe e sheh drejtësinë si armik. Një sistem i mësuar të sundojë pa u gjykuar dhe që sot, për herë të parë, po ndien pasigurinë e llogaridhënies. SPAK-u nuk është më një “problem ligjor” për kundërshtarin; është pasqyrë ku pushteti sheh armikun e vetëm që nuk mund ta blejë, nuk mund ta manipulojë dhe nuk mund ta anashkalojë.

Berisha dhe Rama mund të vazhdojnë teatrin e përplasjes politike, por pas maskave, po afrohen në heshtje për të mbrojtur privilegjet e tyre. Për herë të parë, politika shqiptare nuk po mendon për votuesit, programet apo ideologjinë, ajo po mendon për veten dhe trashgiminë. Po sheh rrezikun nga SPAK-u dhe ky rrezik është i vetmi që realisht mund ta shkundë nga karriget e pushtetit politik-ekonomik që i kanë mbajtur në këmbë për dekada.

Se vjen një moment që drejtësia nuk pyet për fraksione, nuk dallon parti dhe nuk njeh miq politikë. Ajo godet aty ku duhet dhe pikërisht kjo është frika që sot i bashkon të gjithë.

  •  

Izolimi i Berishës dhe dilema e PD-së: pse Basha mbetet i domosdoshëm

Nga Ermal Peçi

Vendimi për t’i hequr fjalën Sali Berishës në Strasburg nuk është një incident protokollar. Është një mesazh politik i qartë. Pas shpalljes non grata nga Shtetet e Bashkuara, tashmë edhe institucionet evropiane po vendosin kufijtë e tyre ndaj një figure që për dekada ka dominuar politikën shqiptare, por që sot përfaqëson një kapital të konsumuar ndërkombëtarisht.

Në arenën evropiane nuk ka rëndësi sa njerëz mblidhen në shesh apo sa fort artikulohet retorika sovraniste në Tiranë. Aty vlejnë legjitimiteti institucional dhe besueshmëria politike. Pikërisht këtu, Berisha nuk është më aset për Partinë Demokratike, por një barrë e rënd.

Heqja e fjalës në Strasburg është simbolike, ajo tregon një figurë që nuk përputhet më me standardet politike dhe morale të institucioneve evropiane. Është e njëjta logjikë që e ka izoluar Berishën në raport me SHBA-në, edhe pse dihet se Evropa tradicionalisht ka qenë më e butë në qëndrimet e saj.

Në këtë kontekst, kontrasti me Lulzim Bashën është i pashmangshëm. Basha, pavarësisht kritikave, dështimeve elektorale apo kurtheve politike që i janë ngritur, nuk ka probleme legjitimiteti ndërkombëtar. Ai ka qenë i pranuar, i dëgjuar dhe i aksesueshëm në Bruksel, Uashington dhe kryeqytetet evropiane. Nuk i janë mbyllur dyer, nuk i është hequr fjala dhe nuk është trajtuar si problem protokollar apo rrezik reputacional.

Këtu nuk bëhet fjalë për karizëm apo folklor politik, por për diçka shumë më thelbësore: a është PD një parti që mund të rikthehet në pushtet me mbështetje perëndimore? Apo një opozitë e izoluar në abstraksionin e saj politik?

Sot, PD ndodhet pikërisht në këtë abstraksion. Një parti që flet për demokraci, por drejtohet nga një figurë që SHBA-ja dhe Perëndimi nuk e njohin më si partner. Një parti që pretendon të jetë alternativë qeverisëse, por që nuk ka akses real në tryezat ku vendosen fatet politike të rajonit.

Në këtë situatë, nevoja për një figurë si Basha nuk lidhet me nostalgji apo rehabilitim personal, por me nevojën për normalitet politik. Një lider që mund të mos ndezë turmat, por që nuk mbyll dyert e BE-së dhe SHBA-së. Një figurë me një CV politike konkrete dhe funksionale, e reflektuar edhe së fundmi në përmbylljen me sukses të projekt-rezolutës për asetet ruse e cila monitorohej nga SHBA-ja.

Politika shqiptare ka hyrë në një fazë ku legjitimiteti ndërkombëtar është po aq vendimtar sa vota e brendshme. Pa të, çdo projekt politik mund të funksionojë në diskursin vendas, por mbetet i paralizuar në raport me aleatët, integrimin europian dhe vendimmarrjen reale..

Berisha sot është simbol i rezistencës së brendshme, por edhe i izolimit të jashtëm. Basha ka përfaqësuar dhe vazhdon të përfaqësojë një kanal komunikimi me SHBA-në dhe Perëndimin.

Kjo nuk është çështje preference personale. Është çështje mbijetese politike për Partinë Demokratike.

Nëse PD vazhdon të sfidojë realitetin ndërkombëtar, ajo do të mbetet në opozitë jo për shkak të manipulimeve të kundërshtarit, por për shkak të refuzimit të aleatëve.

Siç do të shprehej Henry Kissinger: “Në politikën e jashtme nuk fiton ai që flet më fort, por ai që konsiderohet i besueshëm.”

Pikërisht kjo është ajo që sot i mungon Partisë Demokratike në raport me aleatët e saj strategjikë.

  •  

Të pafajshmit fëmijë dhe testi i madh i foster care në Shqipëri

Nga Ermal Peçi

Ngjarja e rëndë e ndodhur në Durrës, ku tre fëmijë të mitur u gjetën të braktisur, pa ushqim dhe jashtë shkollës për një periudhë të gjatë, nuk është thjesht një lajm tronditës. Ajo është një pasqyrë e dhimbshme e sfidave sociale me të cilat përballet shoqëria jonë dhe një moment reflektimi për mënyrën se si mbrojmë fëmijët më të pambrojtur.

Përtej reagimit fillestar dhe emocioneve publike, raste të tilla ngrenë pyetje thelbësore mbi mekanizmat e mbrojtjes së fëmijëve në Shqipëri. Kur një fëmijë gjendet në rrezik, ndërhyrja nuk duhet të kufizohet vetëm në masa emergjente. Fëmijët kanë nevojë për siguri, stabilitet dhe një mjedis që i ngjan sa më shumë familjes.

Këtu merr rëndësi të veçantë kujdestaria familjare (foster care), si një shërbim që ofron përkohësisht pikërisht atë që një institucion nuk mund ta zëvendësojë plotësisht: ambientin familjar, përkujdesjen individuale dhe marrëdhëniet njerëzore të qëndrueshme. Kujdestaria familjare (foster care) nuk synon ndarjen përfundimtare nga familja biologjike, por mbrojtjen e fëmijës në momentet kur ai është më i pambrojtur.

Rasti i Durrësit tregon se sa e domosdoshme është që ky shërbim të jetë i mirëorganizuar dhe funksional, i gatshëm të aktivizohet menjëherë kur lind nevoja. Po aq e rëndësishme është edhe puna parandaluese me familjet në vështirësi, për të shmangur situata të tilla përpara se ato të kthehen në emergjenca sociale.

Së fundmi, miratimi i ligjit të ri për kujdesin alternativ krijon një bazë më të qartë për zhvillimin e kujdestarisë familjare dhe për rritjen e cilësisë së mbrojtjes së fëmijëve. Në këtë proces, një rol të rëndësishëm vazhdojnë të luajnë edhe organizatat e shoqërisë civile, të cilat punojnë drejtpërdrejt me fëmijët dhe familjet, promovojnë foster care dhe kontribuojnë në ndërtimin e një kulture solidariteti dhe përgjegjësie shoqërore.

Ngjarje si ajo e Durrësit nuk duhet të mbeten vetëm kronika televizive. Ato duhet të na nxisin të forcojmë reagimin tonë si shoqëri, duke e parë fëmijën jo si “rast”, por si qenie njerëzore që ka nevojë për mbrojtje, dinjitet dhe kujdes.

Mënyra se si i trajtojmë fëmijët në rrezik është një tregues i qartë i shëndetit moral të shoqërisë sonë. Ky është një test që nuk kemi luksin ta humbasim, sepse një shoqëri nuk matet nga mënyra si trajton të fortët, por nga mënyra si mbron më të pambrojturit.

  •  

Pafuqia politike e Sali Berishës

Nga Ermal Peçi

Rikthimi i Sali Berishës në politikë u justifikua si një “domosdoshmëri historike”. Por sot pyetja thelbësore është pse u rikthye, kur çdo provë politike dëshmon se ai nuk e mund dot Edi Ramën, nuk e bashkon dot Partinë Demokratike, nuk ofron dot asnjë rrugë reale për rotacion pushteti dhe kur asnjë derë amerikane nuk i është hapur.

Berisha u rikthye duke deklaruar se “me Edi Ramën nuk ka zgjedhje”. Nëse kjo tezë është e vërtetë, atëherë rikthimi i tij është paradoksal. Çfarë kërkoi të fitojë një lider që beson se zgjedhjet janë farsë? Nëse sistemi është i mbyllur, rikthimi i tij nuk është akt guximi, por një akt politik i pakuptimtë. Nëse, përkundrazi, zgjedhjet ekzistojnë, atëherë Berisha i ka humbur ato radhazi përballë Ramës. Në të dyja rastet, rikthimi i tij del i dështuar si në logjikë, ashtu edhe në rezultat.

Akoma më domethënëse është paaftësia për të bashkuar Partinë Demokratike. Berisha u rikthye me premtimin se do ta ribënte PD-në forcë shumice, por rezultati ishte përçarja më e thellë në historinë e saj. Një parti e copëzuar, pa drejtim dhe pa besim publik, e cila në asnjë moment nuk funksionon si opozitë reale, por si dekor politik i pushtetit.

Ngjarja e 8 janarit 2022 tregoi fytyrën reale të këtij rikthimi. Berisha tregoi se kishte forcë të sulmonte selinë e partisë së tij, por sot lind pyetja thelbësore: pse e njëjta “vendosmëri” nuk u drejtua kurrë ndaj Kryeministrisë? Pse zemërimi, mobilizimi dhe akti ekstrem u përdor kundër PD-së dhe jo kundër pushtetit që ai e quan “regjim”?

Sot, pafuqia politike e Sali Berishës nuk është më çështje perceptimi, por një realitet i prekshëm. Ai u rikthye pa rrugëdalje, pa projekt fitues dhe pa aftësi unifikuese. Në vend që të sfidonte Edi Ramën, sfidoi vetë partinë e tij. Ky është ndoshta dështimi më i madh politik i një figure që dikur e dominonte skenën shqiptare por sot nuk kontrollon dot as veten e tij.

  •  

Të pafajshmit fëmijë!

Nga Ermal Peçi

Në këtë Shqipërinë tonë mund të shkruash pafund për problematikat që e mundojnë. Por sot zgjodha të ndalem te një rast i rëndë në Durrës. Tre fëmijë të mitur, të gjetur të vetëm në një apartament. Tre jetë të vogla që nuk dinë çfarë është faji, por që e ndjejnë shumë herët pasigurinë. Ndjejnë frikën, boshllëkun dhe traumën e përditshme, plagë të heshtura që lënë shenja të thella në jetën e tyre të sapo nisur.

Kjo nuk është thjesht një ngjarje. Është një simptomë. Një alarm i fortë për mënyrën se si familja, shoqëria dhe shteti po i lënë fëmijët vetëm, edhe kur prindërit janë ende gjallë. Është një kambanë alarmi për atë që po ndodh me ata që quhen e ardhmja e këtij vendi.

Në thelb, kjo është historia e një familjeje të thyer, ku konflikti i të rriturve ka marrë përparësi mbi nevojat e fëmijëve. Burri dhe gruaja, secili i zhytur në betejat e veta personale, ekonomike, emocionale apo morale, kanë zhvendosur vëmendjen nga ata që duhej të ishin qendra absolute. fëmijët.

Kur një familje shpërbëhet keq, ndodh një tragjedi e heshtur. Fëmijët pushojnë së qeni qëllim dhe kthehen në argument, në justifikim, në armë morale se kush e ka fajin dhe në fund si gjithmonë, dëmet kolaterale qoftë fizike apo emocionale, i pësojnë ata.

Babai përmendet si shifër mujore. Nëna si figurë e lodhur mes punës, varfërisë dhe presionit. Të afërmit si palë në konflikt. Në këtë histori secili ka versionin e vet të së vërtetës, por askush nuk flet nga këndvështrimi i fëmijës. Askush nuk pyet se si ndihet një fëmijë që rritet mes mungesës, tensionit dhe pasigurisë. Askush nuk pyet çfarë mbrese lë ndjenja se je barrë, jo prioritet, se je ti faji në një situatë ku përgjegjësia është tjetër kund.

Këta fëmijë nuk kanë nevojë për fajtorë publikë. Ata kanë nevojë për stabilitet. Për prani. Për siguri emocionale. Për një dorë që i mban fort, jo për dy duar që tërhiqen në drejtime të kundërta.

Këtu hyn përgjegjësia jonë si shoqëri, por edhe përgjegjësia e institucioneve. Sa herë që një familje bie në këtë pikë, nuk ka dështuar vetëm ajo familje. Ka dështuar rrjeti social që duhej ta kishte kapur më herët këtë rast.

Shteti shpesh vjen pas faktit. Shoqëria shpesh mjaftohet me gjykim moral, por fëmijët nuk rriten me gjykime. Ata rriten me kujdes, me prani të vazhdueshme dhe me ndjenjën se dikush i sheh dhe i mbron.

Në këtë histori nuk ka fitues. Ka vetëm humbës dhe humbësit më të mëdhenj janë tre fëmijë që sot nuk kanë nevojë për zhurmë, por për qetësi. Jo për fjalë të mëdha, por për veprime të vogla dhe të qëndrueshme. Jo për premtime, por për siguri.

Nëse nuk arrijmë ta kuptojmë këtë, rrezikojmë ta përsërisim këtë histori pafundësisht. Me emra të ndryshëm. Me qytete të ndryshme, por gjithmonë me të njëjtët viktima, të pafajshmit fëmijë.

  •  

Silvana, Gjeta dhe Spaçi

Nga Ermal Peçi
Të shtunën isha në Spaç, me ftesë të Silvana Gegës, nënkryetares së Shoqatës së të Përndjekurve nga Regjimi Komunist, për të mbajtur një fjalim. Nuk ishte një vizitë e zakonshme. Ishte një përballje. Me historinë, me heshtjen, me plagët që Shqipëria ende refuzon t’i shohë drejt në sy. Spaçi nuk është thjesht një vend. Është dëshmi. Është akuzë. Është kujtesë që dhemb.
Prej kohësh është hapur një debat i turpshëm: a duhet zhvendosur Spaçi. Sikur krimet të lëvizin. Sikur dhimbja të paketohet. Sikur kujtesa të transportohet. Spaçi nuk zhvendoset, sepse Spaçi nuk është beton e hekur. Është vendi ku shteti shqiptar burgosi, poshtëroi dhe shkatërroi bijtë e vet. Është aty ku është, sepse aty ndodhi krimi.
Por Spaçi nuk duhet as të lihet të vdesë. Rrënojat nuk janë muze. Harresa nuk është zgjidhje. Spaçi duhet restauruar urgjentisht, me dinjitet dhe përgjegjësi, jo për ta zbukuruar, por për ta ruajtur siç është: i vërtetë, i ftohtë, akuzues. Çdo ditë që kalon pa ndërhyrje është një tjetër krim, këtë herë nga ne.
Në Spaç takova njerëz që mbajnë gjallë atë që shteti e ka braktisur.

Takova Gjet Gjonin, një njeri me zemër të madhe, historia e familjes së të cilit është e lidhur drejtpërdrejt me të burgosurit e Spaçit. Familja e tij u kujdes për familjarët e të dënuarve, ndau bukën, frikën dhe rrezikun në një kohë kur humanizmi dënohej. Sot, ai është ende aty, jo për lavdi, por nga ndërgjegjja.

Gjeta është roja i Spaçit me shpirt. Njeriun që e ruan këtë vend jo sepse paguhet, por sepse e ndien. Ai bën atë që shteti nuk e bën: përpiqet çdo ditë që Spaçi të mos shkatërrohet më shumë seç është. Është paradoksale dhe e dhimbshme që kujtesa jonë kombëtare varet nga vullneti i një njeriu të vetëm.

Silvana Gega është bija e një të burgosuri politik të Spaçit, i cili vuajti 15 vite burg. Ajo nuk kërkon hakmarrje. Kërkon ndërgjegjësim. Me vullnetin e saj, pa zhurmë, përpiqet të zgjojë një shoqëri që ende fle mbi varret e së vërtetës. Ajo flet për pasojat e komunizmit, për plagët që nuk u shëruan kurrë dhe për domosdoshmërinë që Spaçi të restaurohet, jo vetëm fizikisht, por edhe në kujtesën tonë kolektive.

Shoqëria shqiptare duhet të përballet. Nuk ka demokraci pa të vërtetë. Nuk ka të ardhme pa kujtesë. Spaçi është prova se komunizmi nuk ishte ide, por dhunë. Dhe çdo përpjekje për ta relativizuar, zhvendosur apo lënë në harresë është vazhdim i së njëjtës padrejtësi.

Spaçi nuk ka nevojë për retorikë. Ka nevojë për përgjegjësi. Ne, si shoqëri, kemi nevojë për Spaçin, jo si simbol turistik, por si pasqyrë ku të shohim se çfarë ndodh kur shteti bëhet armik i qytetarit.

  •  

Pse iu rikthye Berisha sulmeve kundër Bejkos

Nga Ermal Peçi

Në politikë ekziston një rregull i vjetër: ai që bërtet më fort për tradhti, zakonisht është vetë tradhtari. Sot, Sali Berisha po bërtet shumë.

Ndoqa intervistën e Roland Bejkos jo për të mësuar detaje nga mbledhja e Kryesisë së PD-së mbi takimin e Gjirokastrës, por për të parë edhe një herë në veprim mekanizmin klasik berishist: shpikjen e armiqve për të mbuluar kapitullimet e mëdha. Një ditë më parë, Berisha kishte hedhur akuza në mbledhje se organizatori i takimit të Salianjit në Gjirokastër ishte pikërisht Bejko. Pra, njeriun që kishte mbushur sallën me demokratë, e kishte etiketuar si “kukull të Edi Ramës”. Nuk më intereson realisht çfarë po ndodh aktualisht në atë parti, sepse ka kohë që s’flitet për parime, por më ngacmon fakti që ishin rikthyer sulmet ndaj Bejkos.

Roland Bejkon e njoh. Ia njoh sakrificat, djersën dhe përplasjet në PD, por edhe qëndrimet që mbajti kundër berishizmit në çarjen politike që iu bë partisë. Bejko nuk është produkt pazari, por produkt qëndrese. Është nga ata njerëz që nuk i shmangen përplasjes, që nuk heshtin për të ruajtur karrigen. Ka një natyrë të ashpër, por edhe një shpirt njerëzor të pastër: bëhet copë për t’u përgjigjur qytetarëve, brenda mundësive reale që ka.

Bejko ka mbajtur mbi shpinë një Parti Demokratike në Gjirokastër të rrënuar nga figurat e vjetra dhe, pavarësisht gjithçkaje, e ka mbajtur në këmbë në një qark të vështirë. Ka qenë themelues i PD-së, drejtues i protestës studentore në Universitetin e Gjirokastrës në shkurt ’91, anëtar i komisionit nismëtar të PD-së, drejtues i degës 1998–2004, anëtar i Kryesisë së PDSH-së 2002–2005, themelues i FRPD-së, kryetar i PD-së Gjirokastër 2014–2015, si dhe nënkryetar i PD-së nga 2023 deri në 2024. Ka qenë aty edhe në vitet e zjarrit, kur PD-ja u ringrit, e shkatërruar nga ’97-a, e kur Berisha u fut në jug, në një territor të ndaluar për të. Këto janë vetëm disa nga kontributet e Bejkos për PD-në, por edhe për vetë Berishën.

Ka mbajtur edhe poste administrative, por askush nuk e akuzon për korrupsion. Askush nuk ka një dosje për ta shantazhuar, për ta përdorur, për ta nënshtruar.

Pikërisht për këtë arsye Berisha e sulmon: sepse Bejko nuk i përket, sepse nuk kontrollohet, sepse nuk i ka borxh asgjë, sepse nuk ka dosje dhe sepse nuk përkulet.

Sot armiku i vërtetë i PD-së nuk quhet Roland Bejko. Quhet Sali Berisha. Ai ulet përballë Edi Ramës dhe pranon çdo marrëveshje që i garanton mbijetesë personale. U rikthye në PD me pretendimin se do ta forconte, por e ka dobësuar më shumë se kurrë. Bilanci i tij nga 2021 deri në 2025 është brutal: minus 300 mijë vota. Sot, hendeku mund të jetë edhe më i thellë. Ky nuk është opozitarizëm. Ky është shkatërrim i qëllimshëm.

Berisha nuk jep asnjë shpjegim pse demokratët nuk dalin më në shesh.

Pse opozita është e paralizuar.

Pse Rama qeveris pa frikë.

Pse çdo betejë përfundon me humbje dhe çdo protestë shndërrohet në farsë.

Ai nuk shpjegon pse amerikanët nuk ia hapin derën.

Pse është i izoluar.

Pse Partia Demokratike është kthyer në një bunker personal, ku çdo mendim ndryshe etiketohet si “armik” apo “kukull”.

Por ka pyetje edhe më të rënda, që Berisha i shmang me kujdes: Pse njerëz nga rrethi i tij i ngushtë pasurohen nën qeverisjen e Ramës? Pse bizneset e tyre lulëzojnë? Pse heshtja blihet? Pse opozita e tij është më e butë se servilizmi?

Berisha i rikthehet sulmeve kundër Bejkos sepse ka nevojë për një alibi. I duhet një figurë për t’u kryqëzuar, që të ndërtojë fabula me armiq të rremë dhe të shmangë përgjegjësinë personale. Është e njëjta skemë e vjetër: fajtorë të rinj për mëkate të vjetra.

Por e vërteta është brutale dhe nuk fshihet më.

Kukulla e Ramës nuk është Roland Bejko.

Kukulla e Ramës është Sali Berisha, sepse kukull është ai që e mban pushtetin në këmbë, duke bërë sikur e lufton.

The post Pse iu rikthye Berisha sulmeve kundër Bejkos first appeared on JavaNews.al.

  •  

Baraba u lirua, Shabani u kryqëzua

Nga Ermal Peçi

Në çdo epokë, shoqëritë që nuk guxojnë të përballen me pushtetin, shpikin një fajtor të vogël për të shpëtuar fajtorët e mëdhenj. Sot, ky ritual quhet Endri Shabani.

Prej ditësh, ai shëtitet nëpër sheshet mediatike si një figurë e njollosur, një njeri mbi të cilin duhet hedhur guri i parë. Jo sepse ka ndërtuar sistemin, por sepse është më i lehtë për t’u kryqëzuar. Kryqëzimi i të dobëtit është gjithmonë më i sigurt se përballja me arkitektin.

Le të jemi të hapur, unë vet jam drejtuar me një letër publike Endri Shabanit për një takim që ai pat mohuar për Bashën dhe kam pasur qëndrimet e mia kundër narrativës së tij politike por kjo smë bën të hedh helëm në këtë moment kundër tij.

Shabani nuk ka asnjë faj për sistemin politik që është prodhuar deri më sot në Shqipëri. Ky sistem nuk u ndërtua nga emra të rinj, por nga dy qendra pushteti që kanë komanduar vendin për tri dekada.

Përplasja mes Shabanit dhe Lapajt për një mandat nuk është tradhti, por papjekuri politike e të dyve, paaftësi për të ndarë shapin nga sheqeri. Media, natyrisht, nuk e thotë këtë. Media ushqehet me dramë, jo me shkaqe.

Ajo që nuk thuhet është thelbësorja: sistemi është i mbyllur, i kontrolluar dhe i dirigjuar. Berisha dha urdhrin që të firmosej për Shabanin. Rama e miratoi. Ka kaq. Kaq e thjeshtë dhe kaq brutale. Nëse nuk do të ishte Shabani, do të ishte një tjetër emër. Sistemi nuk varet nga individët; individët konsumohen nga sistemi.

Pse askush nuk thotë që avokatin e popullit nuk mund të japin kurrë një partie që udhëhiqet nga një Non Grata.

Prandaj është hipokrizi e pastër ta paraqesësh Endri Shabanin si “fajtorin e madh”. Ai nuk ka ndërtuar ligjet zgjedhore, nuk ka kapur institucionet, nuk ka kthyer politikën në pronë private. Ai thjeshtë u lodh nga një lojë politike dhe pa të udhës për të ju kthyer profesionit të tij.

Nëse ka zemërim, le të drejtohet aty ku duhet. Merruni me Berishën dhe Ramën. Me dyshën që kontrollon mekanizmin. Me dyshen që ka polarizuar shoqerinë dhe na bënë të shikojmë njëri tjetrin si armiq. Merruni me faktin se si Berisha tallet me demokratët dhe i poshtëron. Avokati i popullit nuk rritë as pagat, nuk jep as tendera, nuk ndan as interesa, kështu mos i jepni peshën që nuk e ka.

Endri Shabani është një qytetar që ka tentuar të mbijetoj politikisht brenda një sistemi që të rinjtë nuk i do. Një i ri që u lodh dhe kërkoj të eci profesionalisht duke marr mbi supe e kostot morale të lëvizjes së tij. Kryqëzimi i tij nuk është drejtësi. Është alibi për ata që kanë ndërtuar këtë batak.

Koha po tregon se sa herë që shoqëria zgjedh të godasë individin e dobët, në vend të pushtetit të fortë, sistemi fiton edhe një herë.

The post Baraba u lirua, Shabani u kryqëzua first appeared on JavaNews.al.

  •  

Oerd, nuk rrëzove Bashën, rrëzove demokratët!

Nga Ermal Peçi

Oerd, ti thua se në 2021 u gjende në anën e duhur të historisë. Shkruan për ideale, amanete dhe energji demokratike. Mirë bën. Por vjen një moment kur secili duhet të ulet përballë llogarisë së ftohtë: çfarë prodhoi rruga që zgjodhët? Çfarë ndërtuat? Ku është sot Partia Demokratike?

Historia nuk ha metafora. Historia do fakte dhe fakti është ky: Më 9 shtator 2021 nuk ia bëtë Bashës. Ia bëtë demokratëve.

Ju e goditët një parti që ende kishte marrëdhënie korrekte me SHBA-në, që e respektonte SPAK-un dhe që po përpiqej të ndërtonte një opozitë perëndimore, jo tribale.
Ju i mësuat demokratëve se individët janë më të rëndësishëm se institucioni. Pikërisht aty filloi rrëshqitja.

Lulzim Basha kishte dy parime të panegociueshme: Të mos vinte PD-në kundër SHBA-ve. Ishte koha e urave, jo e luftës me partnerin strategjik.
Të mos sulmonte SPAK-un. Të mos përdorte drejtësinë si armë. Të mos digjte institucione në emër të një individi dhe sot të dyja këto shtylla janë shembur.

Ky është realiteti, Oerd. Jo kujtimet. PD sot është më e dobët se kurrë. Le të heqim emocionet dhe interesat personal. Le të shohim numrat, aty ku mbarojnë iluzionet: 300 mijë vota më pak nga 2021. Asnjë qytet i madh i fituar.Asnjë aleat strategjik.
Asnjë vizion, asnjë plan, vetëm mbijetesë.

Kjo nuk është PD që ëndërruan studentët e dhjetorit.
Nuk është PD e 1992-shit. As e ringritjes së ’97-s.
Kjo është një PD e tkurrur, e frikësuar nga e vërteta dhe largimi i Bashës nuk ju fuqizoi por ju paralizoi.

Premtuat rilindje. Sollet përçarje.
Premtuat bashkim. Sollet fise, krahina dhe fraksione.
Premtuat betejë me Ramën. Sollet luftë civile brenda PD-së dhe mbi të gjitha: SHBA ju ka kthyer shpinën.

Partia që dikur ishte forca më proamerikane në Ballkan, sot në Uashington shihet si një enigmë e trishtë.
Kur një parti humbet SHBA-në, humbet oksigjenin politik.
Armiku i demokratëve sot nuk është jashtë, është brenda shtëpisë suaj.

Mund të shpikni sa armiq të doni: Bashën, Bejkon, Flutra Açkën, Alibeajn, Pampurin apo kë të doni. Mund të ndërtoni mite, fantazma dhe pseudo-tradhtarë. Demokratët e kanë kuptuar: Armikun e PD-së e krijuat ju me ndihmën e Ramës, duke e bërë PD-në të papërdorshme.

Ju e mbajtët Ramën në pushtet sepse keni thyer opozitën, jo mazhorancën. Demokracia nuk ndërtohet me mitingje, por me parime. PD-ja sot nuk drejtohet as me statut, as me kolegjialitet por me improvizim, frikë dhe servilizëm.
9 shtatori i 2021-shit, dita kur ju dolët kundër, nuk do të mbahet mend si dita e lirisë, por si dita kur PD humbi rrugën:
Humbi idealin euroatlantik.
Humbi busullën morale.
Humbi bazën urbane.
Humbi 300 mijë vota.
Humbi veten.

E vërteta është e thjeshtë:PD sot është e dobët sepse ju e bëtë të dobët dhe një fjali në fund: Ju mund të shkruani pafund për idealet e ’90-s por studentët atëherë luftuan për liri, për Perëndim, për demokraci.
Sot PD lufton për të shkuarën, jo për Shqipërinë.
Deri sa kjo të ndryshojë, Ramën në pushtet nuk e mban as Basha, as amerikanët, as askush tjetër.
E mbani ju. Kjo është e vërteta.

The post Oerd, nuk rrëzove Bashën, rrëzove demokratët! first appeared on JavaNews.al.

  •  

Në asnjë vend normal deklaratat antikombëtare në media nuk trajtohen si opinione të vlefshme

Nga Ermal Peçi

E dëgjova disa herë me vëmendje emisionin dhe deklaratat e Olsi Jazexhiut në studion Arnautistan të gazetarit Mustafa Nano. Ajo që prita të ishte një debat i kujdesshëm, u shndërrua në një breshër të ftohtë fjalësh mbi flamurin, pavarësinë dhe sakrificën tonë.

Me një qetësi që të mpin, Jazexhiu deklaroi: “Ju arnautët keni 28 Nëntorin, unë si otomanist e kam ditë zie.” E kur Nano i kujtoi se kjo festë është edhe e tij, ai tha: “Jo.”
Shqiptar në gjak, por i otomanizuar në mendim, ai e sheh shtetin shqiptar si një gabim historik dhe idealizon një perandori që i ka pushtuar mendjen ashtu siç pushtoi dikur tokat tona.

Për të, Shqipëria e sotme është “provincë e Europës”, ndërsa Perandoria Osmane një horizont romantik që shtrihet nga Egjipti në Serbi. Por kjo nuk është thjesht nostalgji për osmanët. Është mohim i themeleve mbi të cilat u ngrit shteti shqiptar. Është tallje me ata që sakrifikuan gjithçka për vendin tonë, me ata që e ngritën flamurin mbi gërmadhat e pushtimeve, me ata që zgjodhën lirinë përpara nënshtrimit.

Të relativizosh pushtimin osman nuk është debat historik, është përdhosje. Në të njëjtën logjikë, nesër mund të na dalin dashnorë të pushtimit italian, grek, serb… mund të na shesin Esat Pashë Toptanin si hero e jo si tradhtar, mjafton që dikush të ketë një “përjetim emocional”. Por historia është fakt, jo emocion, dhe faktet janë të pakundërshtueshme: ky komb ka paguar me gjak çdo centimetër të lirisë së tij.

Nga Skënderbeu tek Ismail Qemali. Nga Dedë Gjo’ Luli tek Isa Boletini, deri te Abdyl Frashëri, ideologu i Lidhjes së Prizrenit dhe një sërë figurash të tjera janë gurët që mbajnë shtëpinë shqiptare në këmbë.

Problemi nuk është ai vetë. Problemi është platforma që e ngre lart, sikur ai po fliste për recetën e byrekut apo për gatimet turke që i pëlqejnë aq shumë, dhe jo për ditën kur një popull vendosi të mos ishte pronë e askujt. Në asnjë vend serioz nuk tolerohet tallja me simbolet kombëtare, aq më pak me ditën kur u fitua liria.

Deklaratat e tij nuk meritojnë debat, por ato meritojnë distancim. Jo non grata për personin, por non grata për idenë e rrezikshme se nënshtrimi është më i mirë se liria, se pavarësia ishte një gabim, se 28 Nëntori është ditë zie se ne u distancuam nga osmanët.

Në asnjë vend normal, në asnjë demokraci funksionale, një deklaratë e tillë nuk trajtohet si opinion i vlefshëm. Në Shqipëri, 28 Nëntori nuk është datë për diskutim, është gur themeli i ekzistencës sonë.

Është dita kur ky popull tha “mjaft”. Dita kur shqiptarët vendosën të jenë shtet, jo pronë. Kush e fyen këtë ditë, fyen gjakun që na ndërtoi lirinë.

The post Në asnjë vend normal deklaratat antikombëtare në media nuk trajtohen si opinione të vlefshme first appeared on JavaNews.al.

  •  

Nëntori i Braktisjes së Berishës

Nga Ermal Peçi

Sot, në bulevardin që dikur Sali Berisha e shihte si oborrin e tij personal, ndodhi një nga skenat më groteske të karrierës së tij: një protestë e thirrur me zë të lartë, por e mbajtur përballë një publiku imagjinar, sepse njerëzit realë… nuk erdhën. Ironia është se kjo ndodhi pikërisht kur qeveria e Edi Ramës është e zhytur në korrupsion deri aty sa edhe vetë korrupsioni ka filluar të skuqet nga turpi. Po ja që edhe me Ramën të rënë në batak, Berisha nuk mbledh dot më ashklat e dikurshme të turmave të tij.

Bulevardi sot ngjante si ditë pushimi për opozitën: disa grupe të shpërndara, disa pankarta të mërzitura, një zhurmë e fikur. Ishte si të shikoje një ndejë ku askush nuk ka ardhur, por organizatori këmbëngul të vallëzojë vetëm për të mos pranuar realitetin. Mungesa e njerëzve nuk ishte thjesht numër; ishte akt akuze. Sot mungoi besimi dhe në politikë kjo është më vdekjeprurëse se çdo dosje e SPAK-ut.

Pse e braktisën qytetarët Berishën? Arsyet janë aq të dukshme sa s’pretendojnë më shpjegim, por le t’i themi me zë:

E para, sepse njerëzit kuptuan saktë se këto protesta nuk janë për Shqipërinë, por për Saliun. Janë një tentativë për t’i futur vendit hallet e tij personale në qafë. Një njeri nga korridori komentoi: “Na thërret për drejtësi, por për cilën drejtësi? Atë që i duhet atij?” Kjo është pyetja që po i shkatërron protestat shumë më fort sesa mungesa e turmave.

E dyta, PD-ja që mban në duar Berisha është një muze politik në lëvizje. As figurë të re, as vizion, as shpresë – veçse disa fishekzjarre të mykura që nuk ndezin dot më. Sot u duk qartë: është një parti që proteston nga inercia, jo nga ideja.

E treta, qytetarët janë lodhur nga loja cinike, “zgjidh mes Ramës dhe Berishës”. Kur njerëzit duhet të zgjedhin mes dy të këqijave, zakonisht zgjedhin… divanin dhe këtë sot e provuan me pjesëmarrjen.

Sot nuk dështoi protesta.Sot u ekspozua falimenti personal i Berishës.

Ai nuk ngjit më. Nuk frymëzon. Nuk frikëson. Nuk emocionon. Madje, e vetmja gjë që arrin të ngjallë, është një pyetje kolektive: “Po ky akoma?”

Edhe kur qeveria Rama kërkon vetëm një shkrepëse për të shpërthyer, Berisha nuk arrin dot t’i ndezë qytetarët. Kur nuk arrin ta kapitalizojë zemërimin popullor në një moment të artë, atëherë problemi nuk është populli, problemi je ti.

Ky është dështimi më i madh i tij: kur shoqëria është e zemëruar me qeverinë, por jo aq sa të vijë pas teje. Atëherë nuk ke humbur betejën; ke humbur kredibilitetin.

Sot qytetarët dhanë një mesazh brutal në thjeshtësinë e tij: Sot nuk u braktis protesta, por sot u braktis Berisha.

Ky është Nëntori i braktisjes së tij dhe për të, ky nuk është fundi i rrugës, është vetëm fillimi i zbrazëtisë.

The post Nëntori i Braktisjes së Berishës first appeared on JavaNews.al.

  •  

Kur ‘barazia gjinore’ përdoret për të fshehur korrupsionin

Nga Ermal Peçi

Në një vend ku 60% e popullsisë nuk arrin dot të mbulojë shpenzimet e muajit, lajmi i ditës është “ligji për barazinë gjinore”. Në një Shqipëri ku çdo javë një tender 20-milionësh euro zhduket si avull, ne po debatojmë për kuotat e grave në borde, për fjalinë “ai/ajo” në dokumente dhe për “ndryshimin kulturor” që do të sjellë një nen ligji. Ato që prodhon “Rilindja Kineze” as në Netflix nuk do t’i gjeje, një skenar kaq absurd.

Nëse do të kishte ndonjë arsye për t’u protestuar sot në Tiranë, nuk do të ishte për “të drejtën e trupit”, por për vjedhjen e shtetit. Për faktin që numri dy i qeverisë është në dosjet e SPAK-ut. Për faktin që paratë publike që duhet të ishin në spitale, në rrugë, në shkolla, janë shndërruar në vila, makina luksi, dashnore dhe pushime në Dubai. Por jo. Shqiptarët kanë mësuar të protestojnë për çdo gjë tjetër, veçse për atë që ua vjedh jetën.

Barazia gjinore është temë serioze, por kur përdoret si perde tymi për të mbuluar korrupsionin, ajo bëhet tallje. Është si të flasësh për “të drejtat e grave” në një vend ku gratë paguhen 40% më pak, ku pushteti i grave është fasadë për pushtetin e burrave që firmosin pas tyre, dhe ku “ministrja” është thjesht zgjatim i urdhrave nga lart. Kjo nuk është barazi, është dekor politik. Një “bythë mediatike” për të zhvendosur vëmendjen nga dosjet e SPAK-ut që rrotullohen rreth Ramës dhe Berishës.

E vërteta është se këtu s’jemi as afër një shoqërie që kupton realisht çfarë është barazia gjinore. Shqipëria mbetet një shoqëri thellësisht patriarkale, ku burrat flasin për “emancipimin e grave”, ndërsa gratë u shërbejnë kafenë. Ku në fshat gruaja nuk ka tokë, në qytet nuk ka zë dhe në politikë nuk ka pushtet real. Në një shoqëri të tillë, axhenda të importuara si “identitetet gjinore” apo “neutraliteti gjuhësor” nuk pijnë ujë, sepse nuk janë të lidhura me realitetin tonë.

Prandaj kjo zhurmë për “barazinë gjinore” është më shumë një instrument për të shmangur thelbin: korrupsionin, padrejtësinë, pabarazinë ekonomike. Nëse do të kishte ndonjë protestë që do ta ndiente ky popull, do të ishte për taksat që i zhduken çdo vit.

Në fund, Shqipëria nuk ka mungesë ligjesh për barazi, por mungesë morali për drejtësi. Sa kohë që njerëzit do të dalin në shesh për “merakun e bythës”, por do të heshtin për miliardat që na vjedhin, barazia e vetme që do të kemi është ajo e varfërisë.

The post Kur ‘barazia gjinore’ përdoret për të fshehur korrupsionin first appeared on JavaNews.al.

  •  

Gazment Bardhi, heroi i rremë i propagandës

Nga Ermal Peçi

Në Shqipëri, e vërteta politike shpesh mbetet e fshehur nën atë që unë e quaj “Pushteti i Thashethemeve”: të gjithë e shohin, por pak guxojnë ta përmendin. Dokumentet e SPAK nuk lënë vend për dyshim: personi që kallëzoi për Tunelin e Llogarasë Belinda Ballukun ishte vetë Lulzim Basha, jo ndonjë “hero i ri opozitar” që shfaqet në rrjetet sociale dhe pretendon të marrë meritat e tjerëve apo rolin e gazetarit.

Por kjo e vërtetë nuk u tha, sepse u zhyt nën gardhin e propagandës, si të pushtetit, ashtu edhe të PD-së. Publikut i shitet një histori tjetër: se Balluku “ ka blerë deputetët e Bashës”, ndërkohë që askush nuk flet për faktin se kallzimi në SPAK u mundësua pikërisht nga Basha, që hapi portën për prokurorinë dhe lejoi nisjen e hetimit ndaj numrit dy të qeverisë.

Më cinike është loja me imazhet e heronjve: Gazment Bardhi shitet si ai që po lufton më fort Ballukun, ndërkohë që dokumentet tregojnë qartë se ai nuk kishte rol aktiv. Bardhi shkoi në SPAK vetëm pas një muaji, duke u përpjekur të marrë një pjesë të meritat që nuk i takonin. Berisha sëbashku me deputetët e tjerë të PD-së heshtën strategjikisht, duke mos guxuar të pranojnë se kallzimi origjinal nuk vinte prej tyre.

Mediat dhe propagandistët politikë e dinë shumë mirë si të krijojnë trillime, të shpikin heronj sipas skenarëve që i shërbejnë politikës dhe të manipulojnë opinionin publik. Ndërkohë, Basha vepron në heshtje, duke përdorur mjete penale dhe jo teatrin mediatik që shpesh nuk çon askund. Ai e di se lufta reale për të shkatërruar një sistem të tillë nuk bëhet me batuta, retorikë boshe apo gjysëm të vërteta , por me fakte dhe dokumente që nuk mund t’i falsifikosh.

Në këtë spektakël cinik, publiku mbetet i hutuar, legjendat mbushin ekranet, dhe dokumentet presin heshtur të flasin. Por kush lexon mes rreshtave e kupton qartë: Basha nuk ka shitur demokratët as qytetarlt dhe as kauzat e tyre por të tjerë janë ata që krijuan farsën mediatike dhe mashtruan publikun duke bërë pazar me demokratët dhe qytetarët. Në fund, historia politike nuk do t’i harrojë lojtarët e propagandës, ata që shfrytëzuan mashtrimet për të fituar pikë ; ndërsa ata që vepruan me përgjegjësi, edhe në heshtje, do të mbeten mbi kaosin dhe do të mbajnë mbi supe dinjitetin që askush nuk mund t’ua marrë.

The post Gazment Bardhi, heroi i rremë i propagandës first appeared on JavaNews.al.

  •  

Të ligët

Nga Ermal Peçi

Transformimet e thella në realitetin tonë social-mediatik dhe politik duket se ka dhënë efektet e para. Nevojat ekonomike kanë ndikuar mbi konceptet morale dhe tashmë nuk ka më as turp, as etikë, as një grimë ndershmëri në gjuhën publike të këtyre kohëve. Ulërijnë, shajnë, shpifin, bërtasin për “të vërtetën” dhe “drejtësinë”, por po t’i shohësh në sy, sheh një boshllëk moral që të ftoh gjakun. Këta janë të ligët, ata që nuk ndihen keq kur baltosin, por ndihen të rrezikuar kur dikush thotë të vërtetën.

Këta janë njerëzit që flasin për “moral”, por e kanë shitur ndërgjegjen për një karrige, për një vend pune, për një favor të vogël që i mban gjallë në sistem. Kanë mbyllur sytë përballë padrejtësisë, kanë heshtur kur vidheshin pasuritë e përbashkëta, kanë nënshkruar çdo kompromis për pak rehati dhe tani flasin me zë të lartë për “drejtësinë e munguar” apo standartet e shkelura.

Në fakt, nuk janë kundër padrejtësisë. Janë kundër drejtësisë. Drejtësia i tremb. U hap dosjet, u prish pazaret, u shkul rrënjët e korrupsionit që u ka dhënë frymë për vite. Këta njerëz jetojnë me korrupsionin si me oksigjenin dhe pa të ata nuk marrin dot frymë. Ndaj edhe çdo herë që SPAK apo një prokuror i ndershëm guxon të veprojë, ata ngrihen në kor: “E dirigjon politika, është selektive, është sulm ndaj lirisë!”

Por çfarë lirie mbrojnë këta? Lirinë për të vjedhur pa u ndëshkuar? Lirinë për të bërë pazar me ndërgjegjen? Lirinë për të dal në krah të politikanëve të cilët e katandisën Shqipërinë në këtë gjëndje? Apo lirinë për të sharë e baltosur çdo njeri që s’bëhet pjesë e pazarit të tyre?

Janë të njëjtët që për vite kanë ngrënë në sofrën e pushtetit, e sot bëjnë sikur janë opozitarë moralë. Të njëjtët që kanë përfituar nga çdo qeveri, çdo sistem, çdo “drejtues” që u ka dhënë një copë pushtet. Sot, kur fryma e drejtësisë po u fryn në qafë, dalin në televizione me fjalorin e baltës dhe me nervat e atij që e di se fundi po afrohet.

Gjuha e tyre është e dhunshme sepse janë të zhveshur nga e vërteta. Sa më shumë ndihen të zbuluar, aq më shumë ulërijnë. Sa më shumë u afrohet drita, aq më fort bëjnë marrëveshje në errësirë për ta fikur atë dritë. Kanë frikë nga pasqyra, sepse në të nuk shohin më maskën e moralistit, por fytyrën e njeriut që ka heshtur, që ka mbyllur sytë, që ka pranuar të jetë pjesë e pazarit.

Të ligët nuk janë thjesht ata që vjedhin. Të ligët janë ata që mohojnë faktet. Të ligët janë ata që manipulojnë të vërtetën. Të ligët janë ata që gënjejnë pa iu plasur cipa. Të ligët janë ata që deformojnë atë që shkruhet e bardha mbi të zezë. Të ligët janë ata që e shesin Shqipërinë për interesat e tyre meskine.

Ky vend, për fat të keq, ka njerëz që shesin moral, por jetpjnë çdo ditë në amoralitet. Njerëz që flasin për liri, por nuk e durojnë dot drejtësinë.

Drejtësia dhe shoqëria nuk mund të ndalen nga të ligët, sepse edhe kur bërtasin më fort, është shenjë e frikës që i përpin. Ndoshta, për herë të parë pas shumë vitesh, frika është në anën e tyre dhe e drejta, më në fund, në anën tonë sepse e vërteta vonon por nuk harron dhe siç thoshte e Fishta i madh “Por i urti kurr nuk ngutet, Prej burrnís e jo prej tutet”.

The post Të ligët first appeared on JavaNews.al.

  •  
❌