Reading view

Qytetet tona nuk janë më në dorë të qytetarëve… Dy ngjarje, pak cinizëm dhe disa konkluzione

Nga Ardi Stefa

Kur u riktheva në Shqipëri në vitin 2013, prindi i një studenteje më pyeti se nga isha. Kur i thashë që isha qytetar brez pas brezi, u mburr edhe ai që ishte qytetar. Kishte zbritur në qytet në vitin 1997. Pyetjes së tij se ku e kisha shtëpinë, i thashë një adresë që, s’kishte asnjë lidhje me adresën e vërtetë. “Te Distrofikja”,- iu përgjigja. Natyrisht as që e kishte idenë se ku ishte Distrofikja dhe e qepi gojën, por duke më hedhur një vështrim arrogant.

Ngjarja e dytë është e hershme. Kur isha i vogël, një ditë u zura me një djalë dhe, i mbushur me zemërim, mora një shkop dhe u nisa “t’i bëja keq”. Im atë më ndali.

“Rri”, – më tha.- “Ne bëjmë aq keq sa ç’mund të bëjë një qytetar.”

Atëherë nuk e kuptova plotësisht. Sot e kuptoj se nuk po më mësonte dobësinë. Po më mësonte kufirin që vendos qytetaria, edukata, origjina.

Im atë më jepte një mësim që lidhej jo me origjinën e njerëzve, por me kulturën dhe mentalitetin. Një njeri mund të vijë nga fshati dhe të bëhet qytetar i shkëlqyer. Një tjetër mund të lindë në zemër të qytetit dhe të mbetet fshatar në sjellje, mentalitet e kulturë.

Fatkeqësisht qytetet tona nuk janë më në dorë të qytetarëve. Janë në dorë të të gjithë atyre që nuk kanë asnjë lidhje me qytetin. Janë në duart e atyre që nuk ngurrojnë të ecin keq me makinë, të zënë hapësirat publike, të përdorin fjalorin vulgar, të parkojnë përpara derës së shtëpisë dhe të mos pyesin për asgjë, në një kohë që sikur gjysmën e këtyre të bëje në fshatin e tyre ata mund të të vrisnin pa një, pa dy…

Qytetarët kanë kufij. Ndalen nga ndërgjegjja, morali, frika se mos dëmton tjetrin, nga respekti për ligjin dhe nga përgjegjësia për komunitetin ku jeton. Pikërisht këta kufij e bëjnë qytetar.

Por “qytetarët e rinj”, banditët e veshur me pushtet e para nuk njohin kufij. Ata nuk ndalen nga skrupujt, sepse nuk kanë skrupuj. Nuk ndalen nga morali, sepse morali është pengesë për interesin e tyre. nuk besojnë tek maturia, pasi përgojojnë cilindo që u del përpara. Nuk ndalen nga ndershmëria, sepse e konsiderojnë dobësi. Nuk ndalen nga ligji, sepse besojnë se ligji është në shërbimin e tyre dhe gardheve të tyre.

Prandaj qytetari është shumë i dobët përballë vulgaritetit, prepotencës, arrogancës dhe injorancës së “qytetarëve të rinj”. Jo sepse i mungon forca, por sepse ai lufton me rregulla, ndërsa përballë ka njerëz që nuk njohin asnjë rregull. Qytetari ruan dinjitetin edhe kur zemërohet; qytetari- fshatar ruan vetëm interesin edhe kur buzëqesh.

Im atë kishte të drejtë. Një qytetar mund të bëjë aq keq sa i lejon ndërgjegjja. Por kur qytetarët janë minorancë nëpër qytete dëmi është i pallogaritshëm.

Fatkeqësia më e madhe është se qytetet nuk janë më në dorë të qytetarëve. As u përkasin atyre.

U përkasin atyre që nuk njohin as kufi, as turp, as përgjegjësi.

  •  

Prova

Nga Ardi Stefa

Vjen një çast kur njeriu vihet në provë.

Në ato sekonda të heshtura kur duhet të zgjedhë mes dinjitetit dhe leverdisë.

Në atë çast kur fillon ndotja morale.

Gjithmonë ka një çast kur mund të turpërohesh. Kur mund të ulësh kokën për një post, për një favor, për një privilegj të vogël. Kur mund të duartrokasësh atë që dje e quaje padrejtësi. Kur mund të heshtësh përballë së keqes, sepse zëri yt mund të të kushtojë diçka. Një çast kur turpërohesh se tradhton vetveten e ato që beson.

Gjithmonë ka edhe një kohë kur mund të bëhesh pis. Jo këpucët e rrobat, por ndërgjegjen.
Kur pranon të justifikosh të pajustifikueshmen. Ndotja morale nuk ka erë dhe nuk lë njolla në duar. Ajo lë njolla në karakter.

Por ekziston edhe një mundësi tjetër. Ta parakalosh atë çast. Të largohesh përpara se të detyrohesh të gjunjëzohesh. Të mos pranosh tavolinën ku çmimi i ulëses është dinjiteti yt.
Të thuash “jo” përpara se “po”-ja të të ndjekë gjithë jetën si damkë.

Shumë njerëz kujtohen se nuk pranuan të bëheshin pis për të fituar.
Disa humbje që janë më të ndershme se disa fitore dhe ka disa “fitore” që mbajnë erën e turpit për breza të tërë.

Ndaj duhet parakaluar çasti që të turpëron e bën pis për gjithë jetën. Çasti që të bën të zgjedhësh midis ndërgjegjes dhe interesit.
Shpesh herë trimëri nuk është të luftosh, por të mos pranosh të hysh në një lojë ku, pavarësisht rezultatit, del i turpëruar ose i pistë.

  •  

Rreziku i kulteve dhe miteve të reja

Nga Ardi Stefa

I kemi qejf ne shqiptarët heronjtë dhe kultet.

Prandaj edhe historinë tonë politike në çdo epokë e kemi të mbushur me të vetëshpallur shpëtimtarë. Që premtonin se do të ndryshonin gjithçka dhe, i vetmi ndryshim ishin emrat e përfituesve të pushtetit. Prandaj dhe kemi rrëzuar monumente për të ngritur monumente të tjera. Kemi shkatërruar kulte për të ndërtuar kulte të reja. Kemi rrëzuar kultet e një brezi për të ngritur kultet e brezit tjetër. Kemi instaluar adhurimin e individit në vend të gjykimit të karakterit.

Edhe sot, në një klimë të mbushur me zhgënjim ndaj klasës tradicionale politike, shoqëria shqiptare po tregon një prirje të rrezikshme; turravrapin për të krijuar e besuar verbërisht tek “fytyra e re”, e cili para se të provojë veten është shpallur shpëtimtare.

Mjafton një profil agresiv në rrjetet sociale, disa deklarata kundër sistemit, një narrativë e ndërtuar mirë dhe lind “heroi i ri”, për të cilin askush nuk pyet më se kush është; cila është e shkuara e tij; çfarë ka bërë; ç’lidhje ka…

Por mos vallë heronjtë e rinj janë produkt i riciklimit të elitave politike dhe ekonomike? Kanë qenë pranë pushtetit, kanë përfituar prej tij, kanë heshtur kur duhej të flisnin, kanë ndryshuar vetëm flamurin politik dhe sot shiten si revolucionarë? Shiten si “alternativë” apo janë vazhdimësi e të njëjtit sistem me një paketim të ri? Heshtjet e gjata i zëvendësojnë me retorikë radikale? Dje ishin përfitues dhe spektatorë të abuzimeve; sot gjykatës të moralit publik?

Në këtë proces, rrjetet sociale janë bërë fabrika më e madhe e miteve. E shkuara fshihet me një status në Facebook dhe shpallesh imazhi i ndryshimit. Gjithsesi algoritmi shpërblen zhurmën. Nuk promovon domosdoshmërisht njeriun më të ndershëm; por atë që prodhon më shumë emocion, konflikt dhe klikime.

Një video virale zë vendin e një karriere të ndërtuar me punë. Një retorikë e ashpër zëvendëson programin politik. Një akt revolucionar i transmetuar live mjafton për të ndërtuar aureolën e “heroit”. Brenda pak javësh krijohet një figurë që trajtohet si autoritet moral, pa kaluar asnjë provë serioze të transparencës, kompetencës apo përgjegjësisë.

Realisht ky është mekanizmi i prodhimit të miteve.

Miti nuk ndërtohet mbi të vërtetën. Ndërtohet mbi emocionin. Nuk ushqehet me fakte. Dhe, sapo një figurë shndërrohet në mit, çdo kritikë ndaj saj konsiderohet tradhti.

Por demokracia funksionon me kujtesë dhe jo me algoritme.
Shoqëritë që humbasin kujtesën bëhen pre e mashtrimit të përhershëm duke përjetuar të njëjtën histori me aktorë të rinj.

Një demokraci e shëndetshme nuk prodhon shenjtorë politikë.

Ajo prodhon qytetarë kritikë, të cilët përpara se të krijojnë besimin e verbër te individët duhet të shtrojnë pyetjet: “Cila është biografia e tyre? Çfarë kanë bërë kur nuk ishin në qendër të vëmendjes? Si i kanë fituar pasurinë, ndikimin dhe lidhjet? Kujt u detyrohen politikisht dhe ekonomikisht?”

Se shpesh shumë prej atyre që kanë hyrë në politikë me flamurin e moralit dhe të ndryshimit, kanë dalë prej saj me barrën e skandaleve. Jo sepse ndryshuan gjatë rrugës, por sepse askush nuk u kujdes t’i njihte para se t’i adhuronte.

Demokracia serioze nuk ndërtohet mbi emocione kolektive të çastit, por mbi verifikim. Nuk ka rëndësi sa bukur flet kundër sistemit; rëndësi ka sa e pastër është historia e tij.

Shqipëria nuk ka më luksin të ndërtojë kulte e mite të reja. E kemi paguar shtrenjtë kultin e individit, adhurimin dhe besimin e verbër tek “shpëtimtari”. Çdo brez që prodhon kulte e mite, në fund prodhon edhe zhgënjimin e vet.

Nuk kemi nevojë për mite të reja dhe as për heronj. Kemi nevojë për standarde të reja, transparencë, institucione dhe për qytetarë që dyshojnë, verifikojnë dhe kërkojnë llogari.

Në të kundërt, po nuk u bë kjo, rrezikojmë të përsërisim ciklin që e njohim shumë mirë; zhgënjimin dhe atë që mund të zgjohemi një ditë duke kuptuar se nuk kemi zgjedhur një alternativë të re, por vetëm një version më modern të së njëjtës elitë të vjetër.

  •  

Arkivoli në shesh

Nga Ardi Stefa

Arkivoli është një nga simbolet më të forta politike. Mund të përdoret si metafora e fundit për “vdekjen” e një sistemi, një ideje apo një karriere politike. Por pikërisht sepse mbart ngarkesë të madhe simbolike, përdorimi i tij në një protestë qytetare është gjithmonë i debatueshëm. Megjithëse është përdorur në protesta anembanë botës për të shpallur simbolikisht se një pushtet “ka vdekur” edhe pse vazhdon të qeverisë.

Por pikërisht sepse është metafora më e rëndë, lind pyetja: “A ka vend arkivoli në një protestë paqësore qytetare? A është ky simbol shenjë e pjekurisë demokratike, apo dëshmi se politika shqiptare vazhdon të ngatërrojë teatrin me demokracinë, spektaklin me kauzën dhe funeralin me fitoren?”

Një protestë demokratike synon të bindë, jo të frikësojë; të mobilizojë qytetarët, jo të krijojë atmosferë mortore. Kur në shesh shfaqet një arkivol, (sidomos pas thirrjeve “Vdekje tradhtarëve!”) vëmendja shpesh largohet nga kauza dhe përqendrohet te simboli. Debati nuk bëhet më për padrejtësinë, korrupsionin apo keqqeverisjen, por për kufijtë e etikës së protestës.

Simbolet kanë fuqi të jashtëzakonshme. Një flamur mund të bashkojë një komb; një statujë e rrëzuar mund të shënojë fundin e një regjimi; një arkivol mund të shpallë fundin simbolik të një pushteti. Por simbolet e errëta mund të ushqejnë edhe gjuhën e urrejtjes dhe të përshkallëzojnë polarizimin.

Demokracia jeton nga kundërshtimi, jo nga demonizimi. Kundërshtari politik duhet mundur me votë, me argument dhe me presion qytetar, jo me metafora që prekin kufirin mes simbolikës politike dhe vdekjes fizike. Edhe kur synimi është vetëm “vdekja politike”, simboli mund të interpretohet ndryshe nga publiku.

Romakët e lashtë e dinin mirë fuqinë e ceremonive publike. Triumfet dhe funeralet ishin instrumente pushteti. Kush kontrollonte simbolin, kontrollonte edhe emocionin e turmës. Që atëherë e deri sot, politika ka kuptuar se njerëzit shpesh nuk binden nga argumenti, por nga imazhi.

Arkivoli është pikërisht një përpjekje për të zëvendësuar argumentin me imazhin. Ai nuk fton për debat; ai shpall një verdikt dhe i kërkon qytetarit vetëm të duartrokasë “varrimin” simbolik të kundërshtarit.

Por demokracia nuk njeh funeral politik pa zgjedhje. Në demokraci, pushtetet nuk varrosen në shesh; rrëzohen në kutinë e votimit. Çdo rrugë tjetër është më afër logjikës së turmës sesa kulturës së republikës.

Fakt është se pushtetet autoritare e kanë ushqyer gjithmonë këtë lloj simbolike. Totalitarizmat e shekullit XX nuk mjaftoheshin të fitonin kundërshtarin; ata donin ta “varrosnin” edhe në kujtesën kolektive. Nuk u mjaftonte humbja politike; kërkohej edhe eliminimi simbolik. Por aty ku fillon varrimi simbolik i kundërshtarit, shpesh fillon edhe varrimi i pluralizmit.

Edhe filozofët e politologët kanë paralajmëruar për këtë. Kur këmbëngulim te emocionet, turma nuk kërkon më të vërtetën; kërkon spektaklin.

Një protestë qytetare duhet të jetë një demonstrim i epërsisë morale ndaj pushtetit, jo një garë për metaforën më makabre. Forca e saj qëndron te qytetarët, te argumenti, te dinjiteti dhe te aftësia për të bindur edhe ata që mendojnë ndryshe. Jo te dhënia ushqim e pretekst pushtetit për të sulmuar.

Ndaj debati nuk bëhet nëse lejohet apo jo përdorimi i arkivolit. Demokracia lejon edhe simbole provokuese. Debati është nëse ai objekt i shërben kauzës. Një protestë fiton kur zgjon ndërgjegjen e qytetarëve, jo kur i trondit ata me imazhe që mund të errësojnë mesazhin. Kur simboli bëhet më i fortë se argumenti, protesta rrezikon të humbasë forcën morale që e bën legjitime.

Në demokraci, idetë mund të “vdesin”, qeveritë dhe pushtetet mund të bien. Por gjuha politike nuk duhet të varroset bashkë me to.

Ndaj, kujdes me metaforat. Çdo epokë që ka filluar duke varrosur simbolikisht kundërshtarët, ka përfunduar duke varrosur lirinë.

  •  

Realiteti i ri politik shqiptar pas një muaji protestash

Nga Ardi Stefa

Një muaj sot dhe protesta nuk e rrëzoi pushtetin. Nuk e rrëzoi as opozitën. Por ka një arritje të jashtëzakonshme. Tregoi se poli i tretë është më pranë se kurrë, pavarësisht se Shqipëria politike vazhdon të funksionojë sipas skenarëve të vjetër.

Realiteti i ri nuk është ai që përshkruan qeveria, sipas së cilës protestat ishin një dështim. Nuk është as ai që shpall opozita, sipas së cilës vendi ndodhet në prag të ndryshimit.

Realiteti i ri është më kompleks dhe më i pakëndshëm për të gjithë.

Qeveria e kuptoi se kontrolli institucional nuk është më i barabartë me kontrollin politik. Mund të zotërosh parlamentin, administratën dhe pushtetin vendor, por nuk mund të kontrollosh pafundësisht perceptimin publik. Sa më shumë pushtet grumbullohet, aq më i madh bëhet rreziku i konsumimit të tij. Arroganca nuk është më shenjë force, por simptoma e frikës se kontrolli po rrëshqet.

Opozita, nga ana tjetër, provoi se mobilizimi nuk është i njëjtë me alternativa. Turmat krijojnë presion, por jo domosdoshmërisht besim. Një protestë mund të mbushë sheshin për një ditë, por nuk mbush boshllëkun e vizionit për vitet që vijnë. Shqiptarët nuk kërkojnë vetëm të largohet dikush; ata kërkojnë të dinë kush dhe si do ta zëvendësojë.

Ndërkohë, qytetarët dhanë mesazhin më të rëndësishëm. Ata nuk janë më ushtarë të bindur të partive. Ata lëvizin, afrohen ose largohen, mbështesin ose refuzojnë, sipas interesit, besimit dhe pritshmërive të tyre. Besnikëria politike nuk është më e garantuar. Ajo duhet fituar çdo ditë.

Protestuesit, kanë disa merita të rëndësishme në ndryshimin e realitetit politik shqiptar.

Së pari, thyen narrativën e paprekshmërisë së pushtetit. Një muaj protesta tregoi se edhe një pushtet me shumicë të fortë parlamentare, kontroll institucional dhe dominim të hapësirës mediatike nuk është imun ndaj presionit publik. Protestat e rikthyen qytetarin në qendër të debatit politik dhe detyruan qeverinë të kalojë nga vetëbesimi në mbrojtje, duke reaguar vazhdimisht ndaj zhvillimeve në terren.

Së dyti, rikthyen protestën si instrument legjitim demokratik, pasi për vite me radhë ishte krijuar bindja se protestat nuk ndryshonin asgjë. Mobilizimi i fundit tregoi se pjesëmarrja qytetare mbetet një mekanizëm i rëndësishëm kontrolli ndaj pushtetit. Edhe pa sjellë një ndryshim të menjëhershëm politik, protestat ndikuan në axhendën publike, rritën koston politike të vendimmarrjes dhe rikujtuan se legjitimiteti nuk buron vetëm nga zgjedhjet, por edhe nga aftësia e qytetarëve për të kërkuar llogari mes tyre.

Në këtë kuptim, merita më e madhe e protestuesve nuk matet domosdoshmërisht me ndryshimin e qeverisë, por me ndryshimin e ekuilibrit politik: ata dëshmuan se pushteti nuk është i pakontestueshëm dhe se shoqëria civile mund të rikthehet si faktor në jetën politike shqiptare.

Së treti, një muaj protesta prodhoi edhe një tjetër zhvillim: narrativat tradicionale po konsumohen. Etiketimet “armik”, “tradhtar”, “agjent”, “autokrat”, “non grata”, “mercenar” apo “antishqiptar” kanë humbur fuqinë që kishin dikur. Shqiptarët dëgjojnë, por nuk binden më automatikisht. Ata kërkojnë prova, rezultate dhe përgjegjësi.

Së katërti; edhe faktori ndërkombëtar u bë pjesë e këtij realiteti të ri. Politika shqiptare vazhdon ta përdorë si armë retorike, por gjithnjë e më pak arrin ta monopolizojë atë. Mbështetja e partnerëve nuk zëvendëson legjitimitetin e brendshëm, ndërsa retorika kundër aleatëve strategjikë nuk prodhon kapital politik afatgjatë. Shqipëria mbetet një vend që nuk mund ta ndërtojë të ardhmen duke qenë në konflikt me partnerët e saj, por as duke u fshehur pas tyre.

Së pesti, protesta mbi të gjitha nxori në pah lodhjen e një sistemi politik që riciklon të njëjtët protagonistë, të njëjtat konflikte dhe të njëjtat justifikime. Qeveria fajëson opozitën. Opozita fajëson qeverinë. Ndërsa qytetari prej 36 vitesh vazhdon të paguajë faturën e këtij cikli e riciklimi pa fund.

Gjithsesi, realiteti i ri politik shqiptar nuk është triumfi i askujt. Është fillimi i fundit të politikës së rehatisë. Çasti kur pushteti kupton se nuk mjafton të fitojë zgjedhjet për të fituar besimin, ndërsa opozita kupton se nuk mjafton të organizojë protesta për të fituar qeverisjen.

Shqipëria ka hyrë në një fazë ku beteja nuk do të zhvillohet më vetëm në sheshe apo në ekranet televizive. Ajo do të zhvillohet për besueshmërinë. Për aftësinë për të bindur. Për kapacitetin për të prodhuar shpresë dhe jo vetëm zemërim e revoltë.

Kjo besoj se është sfida e vërtetë e muajve që vijnë. Jo kush bërtet më fort, por kush arrin t’u japë shqiptarëve një arsye të besojnë se politika mund të jetë diçka më shumë se një luftë e pafund për pushtet.

  •  

Kur urrejtja politike godet fëmijët, kemi humbur si shoqëri

Nga Ardi Stefa

Politika është një arenë e pamëshirshme. Kush zgjedh të hyjë në të, duhet të jetë i gatshëm të përballet me kritika, satirë, ironi, madje edhe me sulme të padrejta. Kjo vlen për çdo politikan, pa përjashtim.

Dje pashë në internet një meme nga një faqe satirike. Në të ishte fotografia e djalit minoren të kryeministrit, me një pankartë ku shkruhej: “Babi në burg, Berisha në burg.” Poshtë saj, një komentues shkonte edhe më tej, duke përmendur bashkëshorten e kryeministrit, e cila, sipas tij, duhej të dilte edhe ajo me pankartë: “Burri në burg, Berisha në burg!”

Nuk e mohoj se, në çastin e parë, vura buzën në gaz. Parrullat dhe memet shpesh kanë një zgjuarsi të admirueshme, një dozë ironie dhe sarkazme që të godet menjëherë.

Por buzëqeshja zgjati pak. Më pas mbeti vetëm një ndjesi bezdie dhe trishtimi.

Sepse në atë moment nuk po tallej më një kryeministër. Në qendër ishte një fëmijë. Një minoren që nuk ka zgjedhur politikën, nuk mban përgjegjësi për vendimet e të atit dhe nuk duhet të bëhet objekt urrejtjeje kolektive.

Mund të kritikoni sa të doni Edi Ramën për mënyrën e qeverisjes, për arrogancën, për bullizmin verbal apo për çdo vendim që gjykoni të gabuar. Madje edhe mund ta shani. Jam dakord edhe të kërkoni largimin e tij nga pushteti. Demokracia jeton pikërisht nga kjo.

Por nuk mund të pranoj që fëmijët minorenë të shndërrohen në municion për luftën politike. Nuk është guxim. Nuk është satirë. Është kapërcimi i një vije që një shoqëri e qytetëruar nuk duhet ta kalojë. Nuk është vetëm çështje etike, por edhe ligji.

Fëmijët gëzojnë një mbrojtje të veçantë të privatësisë dhe dinjitetit, pikërisht sepse janë minorenë dhe nuk mund të konsiderohen figura publike vetëm për shkak të prindërve të tyre. Parimi i interesit më të lartë të fëmijës, i sanksionuar në të drejtën ndërkombëtare dhe në legjislacionin shqiptar, kërkon që ata të mbahen jashtë përplasjeve politike dhe ekspozimit publik që mund t’u shkaktojë dëm psikologjik ose stigmatizim. Të përdorësh fotografinë e tij për ta shndërruar në simbol të një beteje politike nuk është shprehje e lirisë së fjalës. Demokracia mbron të drejtën për të sulmuar pushtetin, jo të drejtën për të sulmuar fëmijët e atyre që janë në pushtet.
Askush nuk duhet të paguajë për emrin e mbiemrin që mban.

Dhe, për t’iu paraprirë atyre që shohin kudo të shitur e të blerë, po e them qartë: të njëjtin qëndrim do të mbaja edhe sikur në atë pankartë të ishte fotografia e nipit apo e mbesës së Sali Berishës, apo e fëmijës së çdo politikani tjetër.

Dhe mundohuni të kuptoni që shkrimi është moralisht i qartë dhe e zhvendos debatin nga politika te përgjegjësia qytetare, pa mbrojtur asnjë politikan, por një parim.

Politika duhet të mbetet mes politikanëve. Fëmijët nuk kanë pse të paguajnë çmimin e urrejtjes së të rriturve. Nëse humbasim edhe këtë kufi, atëherë nuk kemi më një debat politik; kemi filluar të humbasim qytetarinë.

  •  

“Po kontrolloj rënien!”

Ardi Stefa

Është hera e tretë që po shoh në Netflix “House of Cards”, një thriller politik që ndjek ngritjen dhe rënien e një çifti jashtëzakonisht ambicioz në politikën amerikane. Një serial jo vetëm thriller politik, por në realitet, një studim i jashtëzakonshëm mbi psikologjinë e pushtetit dhe frikën nga humbja.

Më pëlqen jashtëzakonisht shprehja “I’m controlling the fall” (“Po kontrolloj rënien”), që thotë Frank Underwood dhe që mishëron një nga idetë qendrore të serialit.

Idenë që edhe kur pushteti shembet, një politikan përpiqet të kontrollojë mënyrën e rënies, të kufizojë dëmet, të ruajë ndikimin dhe, nëse është e mundur, të përgatisë rikthimin. Kjo shprehje nuk është deklaratë force; është pranimi cinik se rënia ka nisur dhe se beteja nuk është më për fitore, por për të zgjedhur mënyrën e humbjes.

Në realitetin politik, kjo është ndoshta fjalia më e sinqertë që mund të thotë një lider kur ka humbur kontrollin mbi realitetin, por ende kontrollon institucionet. Është pikërisht momenti kur pushteti nuk lufton më për të fituar të ardhmen, por për të administruar fundin.

Sa më shumë bie besimi publik, aq më shumë rritet dëshira për ta mbajtur pushtetin. Sa më i dukshëm të bëhet konsumimi, aq më agresive bëhet propaganda. Sa më shumë zvogëlohet legjitimiteti moral, aq më i madh bëhet kontrolli administrativ.

Në këtë fazë nuk qeveriset më vendi; menaxhohet tranzicioni drejt humbjes. Emërimet e fundit, marrëveshjet e fshehta, presionet mbi institucionet, përpjekjet për të fragmentarizuar kundërshtarët, polarizimi i qëllimshëm i shoqërisë dhe krijimi i krizave artificiale janë pjesë e së njëjtës strategji: “Të kontrollosh mënyrën se si do të biesh.”

Gjithsesi, shembujt na tregojnë shumë liderë politikë, që, edhe kur e kuptonin se cikli i tyre kishte përfunduar, nuk u larguan. Përkundrazi, u kapën edhe më fort pas pushtetit. Në aparencë kjo duket kokëfortësi. Në të vërtetë, shumë shpesh është frikë dhe prova më e qartë se fundi ka filluar. Lideri nuk lufton më për vendin; lufton për të negociuar të nesërmen e vet.

Është frikë nga humbja e privilegjeve, nga drejtësia, nga hakmarrja politike, nga zbrazëtia që lë pushteti kur largohet. Sepse për disa politikanë, pushteti është identiteti i tyre. Pa të, ata nuk dinë më kush janë.

Kjo nuk është karakteristikë vetëm e pushtetit.

Edhe opozitat bien shpesh herë në të njëjtin kurth. Edhe ato, kur e kuptojnë se nuk po fitojnë besimin e qytetarëve, përpiqen të kontrollojnë rënien e tyre. Shpikin armiq të rinj, radikalizojnë gjuhën, prodhojnë protesta pa strategji dhe ushqejnë idenë se ka gjithmonë një komplot që justifikon dështimin.

Një lider i madh e kupton se pushteti fitohet përkohësisht dhe dorëzohet me dinjitet. Një lider i vogël beson se largimi është fundi i botës. Dhe pikërisht kjo frikë e shtyn të marrë vendime që e përshpejtojnë rrëzimin.

“House of Cards” vërteton se askush nuk mund ta kontrollojë rënien përgjithmonë. Mund të zgjedhë vetëm nëse do të largohet si një burrë shteti që pranon ciklin e demokracisë, apo si një sundimtar që, duke u kapur pas karriges deri në sekondën e fundit, rrëzohet bashkë me të.

  •  

Studentët e Dhjetorit ’90 dhe protestuesit e Qershorit 2026, të përbashkëta dhe dallime

Nga Ardi Stefa

Nuk e mohoj që si pjesëmarrës në Lëvizjen Studentore ’90 të bëj një krahasim mes Dhjetorit ’90 dhe qershorit 2026, pasi për të evidentuar ngjashmëritë dhe dallimet thelbësore duhet të shmang romantizimin e së shkuarës dhe idealizimin e së tashmes.

Gjithsesi…
Historia rrallë përsëritet në të njëjtën formë, por shpesh rimon. Për këtë arsye, krahasimi mes studentëve të Dhjetorit 1990 dhe protestuesve të Qershorit 2026 është joshës dhe i rrezikshëm. Joshës, sepse në të dy rastet kemi qytetarë që dalin në rrugë kundër një realiteti që e konsiderojnë të padrejtë. I rrezikshëm, sepse kushtet, qëllimet dhe konteksti historik janë thelbësisht të ndryshme.

Ajo që i bashkon është refuzimi i status quo-së. Ne, Studentët e Dhjetorit u ngritëm kundër një sistemi që kishte humbur legjitimitetin moral dhe politik. Protestuesit e Qershorit janë ngritur kundër një sistemi që shumëkush e konsideron të kapur nga interesat e një elite politike që riciklon vetveten prej dekadash. Në të dy rastet, rruga është bërë vendi ku qytetarët kërkojnë të dëgjohen kur institucionet nuk arrijnë t’i përfaqësojnë.

Në Dhjetor ’90 i njëjti person që erdhi emisar për të shuar protestat e studentëve dhe më pas i përvetësoi, sot në 2026- ën do të përvetësojë frytet e mundshme.
Një tjetër ngjashmëri është roli i rinisë. Edhe pse protesta e vitit 2026 nuk është ekskluzivisht rinore, energjia, revolta dhe kërkesa për ndryshim vijnë kryesisht nga breza që ndihen të përjashtuar nga vendimmarrja dhe të tradhtuar nga premtimet politike.

Por këtu fillojnë edhe dallimet.
Ne, Studentët e Dhjetorit luftonim për pluralizmin politik. Kërkonim të drejtën për të zgjedhur. Protestuesit e Qershorit jetojnë në një sistem formal pluralist. Ata nuk po kërkojnë të drejtën për të votuar, por të drejtën që vota të prodhojë ndryshim real. Në Dhjetor ‘90 luftonim për demokracinë; protestuesit e vitit 2026 po sfidojnë cilësinë e saj.

Dhjetori kishte një kundërshtar të qartë: regjimin komunist.
Qershori ka një kundërshtar më të paqartë dhe më të vështirë për t’u identifikuar. Establishmentin. Ai përfshin pushtetin, opozitën tradicionale, oligarkinë politike dhe kulturën e mosndëshkimit që është ndërtuar gjatë tranzicionit. Pikërisht për këtë arsye, protesta e sotme është më komplekse, sepse nuk synon të rrëzojë një qeveri, por të ndryshojë mekanizmin që riprodhon të njëjtët aktorë.

Një dallim tjetër është raporti me liderët. Studentët e Dhjetorit “prodhuan” liderë të rinj. Protestuesit e Qershorit, të paktën deri tani, shfaqin një mosbesim të thellë ndaj çdo lideri. Kjo tregon forcë, sepse e mbron protestën nga kapja politike, por edhe dobësi, sepse çdo lëvizje që synon ndryshimin afatgjatë ka nevojë për organizim, drejtim dhe përfaqësim.

Të qartë ideologjikisht ishim atëherë, rrëmujë janë sot. Ne ishim “injorantë” jo nga mungesa e dëshirës për të ditur…, sot janë mediokër e “gdhë” nga “dija e tepërt”…

Megjithatë, ndoshta dallimi më i madh qëndron te zhgënjimi historik. Studentët e vitit 1990 kishin përpara një të ardhme që dukej e hapur. Protestuesit e vitit 2026 protestojnë pikërisht sepse ajo e ardhme nuk u realizua plotësisht. Ata janë fëmijët politikë të tranzicionit. Janë brezi që po i kërkon llogari elitës që doli nga Dhjetori.

Krahasimi mes Dhjetorit 1990 dhe Qershorit 2026 nuk duhet të bëhet për të shpallur fitues apo trashëgimtarë. Studentët e Dhjetorit shembën një sistem. Protestuesit e Qershorit po përpiqen të thyejnë një cikël.

Të parët kërkonin lirinë. Të dytët kërkojnë që liria të ketë kuptim. Kjo është lidhja më e fortë mes Dhjetorit e Qershorit, bindja se Shqipëria mund dhe duhet të jetë më e mirë sesa është sot.

  •  

“Rama në burg, Berisha në burg, të gjithë në burg!” dhe tundimi i Robespierit

Nga Ardi Stefa

“Rama në burg, Berisha në burg, të gjithë në burg!” është një nga ato thirrje që tingëllojnë bukur në bulevard në protestat e këtyre ditëve. Ka ritëm, nerv, zemërim, emocion. Në një shoqëri të lodhur nga korrupsioni, pandëshkueshmëria dhe tranzicioni i pafund, ajo gjen jehonë të menjëhershme.

Si thirrje rrëzon mitin se e keqja është vetëm te kundërshtari dhe propagandën që e ndan shoqërinë në dy kampe ku secili e sheh liderin e vet si shpëtimtar dhe tjetrin si fajtorin e vetëm dhe mishërimin e së keqes.

Por kur dëgjon mijëra njerëz që thërrasin njëkohësisht “Rama në burg!”, “Berisha në burg!”, “Të gjithë në burg!” kupton se një pjesë e qytetarëve nuk e pranon më që askush të mos jetë mbi drejtësinë, as ai që ka pushtetin sot, as ai që e kishte dje. Ata nuk po kërkojnë ndërrimin e roleve mes protagonistëve. Nuk po kërkojnë që njëri të zëvendësojë tjetrin. Po kërkojnë llogari nga të dy dhe gjithë klasa politike shqiptare. Kërkojnë barazi para ligjit dhe refuzojnë kultin e liderit.

Prandaj njerëzit e duartrokasin, e përsërisin dhe e shndërrojnë në një thirrje të përditshme, sepse në logjikën e njerëzve si thirrje shënon fundin e një epoke.

Por pikërisht këtu qëndron rreziku.

Sepse burgosja nuk është akt politik. Nuk është as akt revolucionar. Burgosja është ekskluzivitet i gjykatave që veprojnë mbi bazën e ligjit, provave dhe procedurave. Në momentin që turma fillon të vendosë kush duhet të shkojë në burg, kemi kaluar nga shteti i së drejtës te drejtësia e protestuesve.

Jam dakord që Edi Rama duhet të hetohet për çdo dyshim që rëndon mbi qeverisjen e tij. Jam dakord që Sali Berisha duhet të përgjigjet para ligjit për çdo akuzë që ngrihet ndaj tij. Madje edhe të futen në burg po të jenë fajtorë, të gjendet për ta një Château d’If, si te “Konti i Monte Kristos” dhe t’u flaken edhe çelësat e qelisë në det. Por kjo është krejt tjetër gjë nga thirrja kolektive “në burg!”. Sepse nesër, me të njëjtën logjikë, në burg mund të kërkohet të shkojë kushdo që nuk pëlqehet nga protestuesit e radhës.

Fatkeqësisht, revolucionet që fillojnë me kërkesën për drejtësi shpesh përfundojnë duke prodhuar gijotina. Në emër të popullit, në emër të moralit dhe në emër të së ardhmes. Robespieri besonte se po shpëtonte Francën. Përfundoi duke mbjellë terror.

Shqipëria nuk ka nevojë për Robespierë të rinj. Nuk ka nevojë për prokurorë të bulevardit dhe as për gjykatës të megafonit. Ka nevojë për institucione që funksionojnë dhe për qytetarë që kërkojnë drejtësi, jo hakmarrje. Përndryshe do të risjellim gjyqet popullore të viteve të para të Enver Hoxhës.

Ndryshimi mes një demokracie funksionale dhe protestuesve të zemëruar, qoftë edhe me të drejtë matet pikërisht me faktin nëse burgun e vendos ligji apo thirrjet e njerëzve në bulevard.

  •  

Çmenduria është krenari për aq kohë sa të çmendur ka pak!

Nga Ardi Stefa

Ka një arsye pse shoqëritë e shëndetshme e quajnë çmenduri atë që largohet nga arsyeja.

Jo sepse domosdoshmërisht shumica ka gjithmonë të drejtë, por sepse ekzistojnë disa kufij minimalë logjikë pa të cilët bashkëjetesa bëhet e pamundur.

Aktualisht në Shqipëri po përjetojmë një fenomen të çuditshëm: Çmenduria nuk po përpiqet më të justifikohet.

Ajo po kërkon të shpallet virtyt, moral, kauzë, ligj, kushtetutë, kanun. Po kërkon duartrokitje dhe pasues.

Deri dje ishte turp të ndryshoje qëndrim çdo javë; të mohoje atë që kishe thënë dje; të shaje një politikan në mëngjes dhe ta mbroje në darkë. Të gdhiheshe shqiptar, në drekë grek, pasdite serb e të ngryseshe italian.

Sot kjo paraqitet si zgjuarsi!

Dje ishte e papranueshme të kërkoje vota nga qytetarët dhe njëkohësisht të deklaroje se sistemi ku garon është i paligjshëm dhe nuk mposhtet dotme vota.

Sot kjo paraqitet si heroizëm!

Dhe sa më shumë përhapet kjo logjikë, aq më pak duket si çmenduri. Më tepër duket si fyerje. Kur i çmenduri është vetëm, njerëzit e vërejnë menjëherë. Kur të çmendurit bëhen turmë, fillojnë të dyshojnë te vetja njerëzit normalë.

Prandaj aksioma mbetet e vlefshme: çmenduria është krenari për aq kohë sa të çmendur ka pak. Në momentin kur bëhet masive, ajo shndërrohet në rrezik publik. Ose, ose në budallallëk. Ose më keq akoma në ligësi.

Sepse atëherë “Çmenduria- budallallëk- ligësi” deformon jo vetëm gjykimin individual, por vetë realitetin politik dhe shoqëror.

Shqipëria sot nuk vuan nga mungesa e informacionit. Vuan nga mungesa e koherencës. Nga aftësia për të pranuar si të vërteta dy gjëra që përjashtojnë njëra- tjetrën.

Të jesh kundër sistemit dhe njëkohësisht produkt i tij.

Të shpallësh revolucion dhe të ruash privilegjet e establishmentit.

Të kërkosh moral nga ata që dje i akuzoje për imoralitet.

Dhe kur këto kundërthënie jo vetëm tolerohen, por duartrokiten e ndiqen, problemi nuk është më te individi. Problemi është te shoqëria që fillon ta quajë normalitet atë që dje e konsideronte absurditet.
Problemi fillon kur çmenduria bëhet modë. Kur njerëzit nuk turpërohen më prej saj, por krenohen me të.

Historia politike është e mbushur me njerëz që kanë qenë të bindur se zotëronin të vërtetën absolute. Askush nuk e kishte. Çmenduria mund të japë momentalisht e për disa kohë forcë, por nuk të jep automatikisht të drejtë. Çmenduria mund të prodhojë zhurmë, por jo domosdoshmërisht arsye.

Përvoja tregon se shoqëritë nuk rrënohen kur shfaqen të çmendurit. Rrënohen kur të çmendurit fillojnë të besojnë se janë gjenitë e kohës dhe kur turma nis t’i duartrokasë e t’i ndjekë.

  •  

Kujt i përket mandati?

Nga Ardi Stefa

Debati mbi pronësinë e mandatit parlamentar rikthehet sa herë një deputet ndahet nga partia, voton ndryshe nga grupi parlamentar ose pretendon se përfaqëson vetëm ndërgjegjen e tij apo vullnetin e zgjedhësve të tij.
Kjo pyetje nuk është thjesht juridike. Para së gjithash është politike dhe morale.

Përgjigjja nuk është e njëjtë për të gjitha rastet, por varet nga mënyra se si është fituar mandati dhe nga raporti real midis deputetit, partisë dhe qytetarit.

Kur një deputet zgjidhet përmes listave të mbyllura, pa garë reale dhe pa meritokraci, është e vështirë të argumentohet nëse mandati i përket kryesisht atij. Në këtë rast, argumenti se mandati i përket deputetit është shumë i dobët, sepse zgjedhësi nuk ka votuar individin, por siglën e partisë. Emri i deputetit është vendosur në listë nga kryetari ose nga strukturat drejtuese dhe qytetari nuk ka pasur asnjë mundësi ta pranojë apo ta refuzojë veçmas. Në shumë raste, votuesi as nuk e njeh kandidatin që po fut në Parlament. Ai voton programin, logon dhe liderin politik. Madje, po të hiqej emri i kandidatit nga lista dhe të zëvendësohej me një tjetër person të së njëjtës parti, rezultati zgjedhor do të ndryshonte shumë pak. Mandati, në thelb, është produkt i partisë dhe jo i meritës individuale të deputetit. Deputeti është përfituesi, jo pronari i tij.

Ndryshe paraqitet situata me listat e hapura. Këtu mandati është rezultat i një bashkëpunimi politik mes partisë dhe kandidatit. Partia i jep kandidatit siglën, strukturën dhe identitetin politik. Kandidati, nga ana tjetër, sjell votat personale, reputacionin dhe besimin që ka ndërtuar tek qytetarët.

Prandaj, në rastin e listave të hapura, mandati nuk mund të konsiderohet pronë ekskluzive e askujt. Ai i përket pjesërisht deputetit dhe pjesërisht partisë. Pa siglën e partisë, shumë kandidatë nuk do të kishin hyrë kurrë në Parlament. Por pa votat personale të kandidatit, partia mund të kishte një deputet më pak. Votat personale kanë peshë reale. Megjithatë, edhe në këtë rast do të ishte gabim të thuhej se mandati i përket vetëm deputetit. Nëse kandidati do të dilte si i pavarur, a do të merrte po aq vota?

Prandaj, kur një deputet nga listat e hapura largohet nga partia duke pretenduar se mandati është vetëm i tij, ai shpesh harron se një pjesë e votuesve e kanë mbështetur pikërisht sepse ai përfaqësonte atë forcë politike dhe jo një tjetër.

Kjo është arsyeja pse pretendimi absolut se, “Mandati është vetëm i deputetit” ose “Mandati është vetëm i partisë” është i gabuar. E vërteta varet nga mënyra se si është fituar ai mandat.

Gjithsesi, mandati nuk është pronë private as e deputetit dhe as e partisë, por çështje ndërgjegjsje dhe meritokracie. Ai është një besim i përkohshëm i dhënë nga qytetarët. Por sa më pak rol të ketë qytetari në zgjedhjen e individit, aq më shumë mandati i afrohet partisë. Dhe sa më shumë rol të ketë vota personale, aq më shumë mandati i afrohet deputetit.

  •  

Reflektim për dy parulla në protestë

Nga Ardi Stefa

Qytetarët shqiptarë që kanë dalë në bulevard këto ditë, të mbështetur nga disa parti të vogla me thirrjen: “Opozita jemi ne” duhet të jenë pak më ambicioze.

Sepse energjia që po krijohet sot në shoqëri është shumë e madhe për t’u shpenzuar në një betejë për vendin e dytë.

Nëse objektivi i tyre është thjesht të zëvendësojnë opozitën tradicionale si forca e dytë politike, atëherë po i vendosin vetes një tavan para se të fillojë gara. Një lëvizje që lind nga revolta qytetare nuk mund të ketë si aspiratë maksimale të bëhet menaxhere e pakënaqësisë. Duhet të synojë pushtetin, jo rolin e spektatorit kritik.

Madje, këtu shfaqet edhe një kontradiktë e dukshme.
Nga njëra anë dëgjojmë thirrjen: “Opozita jemi ne”. Nga ana tjetër dëgjojmë: “Koha juaj ka mbaruar!”.

Por nëse koha e tyre ka mbaruar, atëherë nuk po flasim vetëm për opozitën e vjetër. Po flasim për të gjithë klasën politike që ka dominuar tranzicionin shqiptar. Dhe nëse është kështu, atëherë pretendimi nuk është më për vendin e dytë, por për vendin e parë.

Qytetarët nuk dalin në protestë për të ndërruar një opozitë me një tjetër. Ata dalin kur ndiejnë se sistemi nuk funksionon më. Kur kjo ndodh, kërkesa nuk është për rotacion brenda establishmentit, por për ndryshim të establishmentit.

Prandaj qytetarët dhe partitë e reja që janë prezent që nga dita e parë në protestë duhet të zgjedhin.

Ose janë një alternativë që synon të qeverisë Shqipërinë dhe të zëvendësojë të gjithë elitën e konsumuar politike, ose janë thjesht një variant i ri i opozitës së vjetër. Të dyja bashkë nuk mund të jenë.

Thirrja “Koha juaj ka mbaruar!” është një deklaratë pushteti. Ndërsa thirrja “Opozita jemi ne” është një deklaratë pozicioni.

Dhe kur një lëvizje politike ( protesta dhe partitë e reja) nuk e ka të qartë nëse po lufton për të fituar apo thjesht për të zëvendësuar humbësin, rrezikon që energjia e saj të tretet para se të arrijë objektivin.

  •  

Çezari dikur ishte perandor, sot është sallatë

Nga Ardi Stefa

Njëra nga pankartat që më ka pëlqyer më shumë në protestën e qershorit 2026 është ajo që përmbante fjalët, që kam përdorur si titull. Pak fjali e shpjegojnë më mirë dramën e pushtetit dhe të politikës shqiptare sesa kjo shprehje.

Jul Cezari sundoi Romën, tronditi botën e kohës së tij, bënte të dridhej Senati dhe e bindi veten se historia do ta kujtonte si të pavdekshëm. Historia vërtet e kujtoi, por sot emri i tij gjendet jo vetëm në librat e historisë, por edhe në menutë e restoranteve dhe për shumicën e njerëzve është emri i një sallate.

Kjo nuk është tallje me Cezarin. Është tallja që koha u bën të gjithë atyre që ngatërrojnë pushtetin me pavdekësinë.

Në Shqipëri, ky është ndoshta mësimi që politika shqiptare refuzon ta mësojë. Politikanët tanë nuk sillen si administratorë të përkohshëm të pushtetit, por si pronarë të historisë. Çdo kryeministër sillet sikur do të qeverisë përgjithmonë. Çdo lider opozite sillet sikur është i pazëvendësueshëm. Çdo parti e konsideron veten qendrën e universit politik shqiptar. Flasin e sillen sikur pa ta vendi nuk ekziston. Sillen sikur e ardhmja e Shqipërisë varet nga prania e tyre. Disa kanë dekada në politikë dhe ende nuk e kanë kuptuar se askush nuk është më i rëndësishëm se koha. Mjafton të shohësh se si kapen pas karrigeve, vulave, siglave, titujve.

Ndërkohë, jashtë zyrave të pushtetit dhe partive, jeta vazhdon. Brezat ndërrohen. Shqiptarët largohen. Të rinjtë humbasin besimin. Dhe politika vazhdon të sillet rreth të njëjtëve emra, sikur vendi të ishte dënuar të mbetej peng i biografive të tyre.

Sikur problemi i Shqipërisë të jetë mungesa e tyre…

Por koha nuk njeh privilegje.

Shqipëria ka parë figura që dikur mbushnin sheshet dhe sot mezi përmenden. Ka parë liderë që kontrollonin gjithçka dhe sot nuk kontrollojnë as partinë e tyre. Ka parë politikanë që flisnin në emër të popullit dhe që më vonë mbetën vetëm me jehonën e fjalimeve të tyre.

Kjo është arsyeja pse politika duhet ushtruar me ndershmëri, modesti e përulësi. Jo sepse e kërkon morali, por sepse e imponon realiteti. Askush nuk është më i madh se koha. Askush nuk është më i fortë se harresa.

Historia, është e pamëshirshme. Ajo nuk pyet për duartrokitjet, për militantët dhe as për propagandën. Historia gjithmonë i zbret të gjithë nga froni.

Madje edhe Cezarin.

Mësimi për politikanët tanë është i thjeshtë.

Dje ishin “shpëtimtarë të kombit”. Sot mund të jenë kapituj librash. Nesër mund të jenë vetëm një shënim në fund të faqes.

Prandaj, sa herë që shoh një politikan shqiptar që sillet si i pazëvendësueshëm, më kujtohet Cezari.

Jo perandori.

Sallata!

  •  

Protesta nuk mjafton të jetë e bukur

Nga Ardi Stefa

Çdo protestë kalon nëpër disa faza. Fillimisht sjell entuziazëm, energji dhe shpresë.
Më pas vjen sfida e vërtetë. A është në gjendje të prodhojë organizim, drejtim dhe presion real mbi pushtetin?

Nëse nga protesta nuk evidentohen drejtuesit e saj, njerëzit që do të artikulojnë kërkesat, do të marrin përgjegjësi dhe do të përfaqësojnë publikisht lëvizjen, atëherë ajo rrezikon të mbetet thjesht një grumbull emocionesh.

Emocionet mobilizojnë, por nuk mjaftojnë për të sjellë ndryshim politik.

Por po aq i rëndësishëm është edhe presioni.

Së pari, pushtetet nuk ndryshojnë qëndrim sepse përballë kanë turma të mëdha, por sepse ndiejnë kosto reale nga injorimi i tyre. Nëse jeta ekonomike, administrative dhe politike e kryeqytetit vazhdon normalisht, ndërsa protesta mbetet një ritual i përditshëm pa pasoja konkrete për vendimmarrësit, atëherë establishmenti nuk ka arsye të shqetësohet.

Pikërisht këtu establishmenti duket se po investon.

Jo domosdoshmërisht duke e sulmuar protestën drejtpërdrejt, por duke pritur që ajo të konsumojë energjinë e vet. Duke pritur që mungesa e liderëve të qartë të prodhojë konfuzion. Duke pritur që njerëzit të lodhen, të kthehen në rutinën e tyre dhe gradualisht të humbasin besimin se gjërat mund të ndryshojnë.

Po nuk u paralizua jeta ekonomike, sociale e politike e kryeqytetit atëherë protesta nuk ka gjë në vijë.

Së dyti, një protestë mund të jetë e bukur, masive, e sinqertë dhe frymëzuese. Mund të pushtojë rrjetet sociale dhe ekranet televizive. Por nëse nuk arrin të krijojë strukturë drejtuese dhe të ushtrojë presion të vazhdueshëm mbi qendrat e pushtetit, ajo rrezikon të shuhet ngadalë, duke lënë pas vetëm kujtimin e një mundësie të humbur.

Së treti, duhet të ketë një drejtim të qartë dhe jo secitë të protestojë për atë që mendon e të thotë hallin e tij në mikrofon. Kjo vlente ditët e para. Tanimë, kur një protestë nuk ka drejtim të qartë, media dhe opinioni publik me kalimin e kohës fillojnë të fokusohen jo te kauza, por te paqartësia e saj. Debati zhvendoset nga problemi që denoncohet tek pyetja: “Kush i përfaqëson këta?” Dhe, sa më gjatë të mbetet pa përgjigje kjo pyetje, aq më shumë zbehet forca politike e protestës.

Prandaj, nëse nuk ndërtohen mekanizmat që e bëjnë protestën të qëndrueshme dhe të aftë për të imponuar ndryshimin që kërkon, atëherë ajo ose do shuhet, ose do kapet nga establishmenti.

  •  

Mashtruesi patologjik, një herë “non grata”, përjetë “non grata”

Nga Ardi Stefa

Errore humanum est!
Njerëzit gabojnë. Politikanët dështojnë. Të tjerë gënjejnë.

Ekziston edhe një kategori më vete, mashtruesi patologjik. Ai nuk gënjen për të shpëtuar nga një situatë e vështirë; ai gënjen sepse nuk mund të jetojë pa gënjeshtrën. Për të, e vërteta është armik, ndërsa mashtrimi është mënyrë jetese.

Kur një politikan kalon vite duke ndërtuar narrativa të rreme, duke shpallur komplote imagjinare, duke fajësuar gjithmonë të tjerët dhe duke mos marrë asnjëherë përgjegjësi për veten, ai humbet kapitalin më të rëndësishëm që mund të ketë një njeri publik: besueshmërinë.

Prandaj statusi “non grata” nuk është vetëm një vendim diplomatik apo politik.

Ai është një pasojë morale e një sjelljeje të gjatë politike. Mund të ndryshosh deklaratat. Mund të ndryshosh aleatët. Mund të ndryshosh fjalët. Por nuk mund të ndryshosh me lehtësi perceptimin që ke krijuar për veten pas dekadash manipulimi.

Fatkeqësia është kur mashtruesi patologjik fillon të besojë edhe vetë gënjeshtrat që prodhon. Kur e sheh veten si viktimë edhe kur është përgjegjës. Si shpëtimtar edhe kur ka kontribuar në krizë. Si simbol të demokracisë edhe kur ka luftuar kundër çdo standardi demokratik brenda partisë së tij.

Sa më shumë përpiqet të bindë njerëzit se shpallja “non grata” ishte e padrejtë, madje nuk kishte qenë shpallur asnjëherë i padëshiruar, aq më shumë forcon perceptimin se e gjithë karriera e tij politike ishte një betejë personale për hallin e vet dhe jo për interesin publik. Çdo premtim për rinovim politik bie ndesh me faktin se prej vitesh e gjithë energjia e opozitës rrotullohet rreth fatit të një njeriu të vetëm dhe ruajtjen e establishmentit.

Një njeri mund të rehabilitohet nga shumë gjëra në jetë. Mund edhe t’i hiqet me para një përcaktim. Mund të falet për gabime, për dështime apo për vendime të këqija. Por rehabilitimi fillon me pranimin e së vërtetës.

Dhe e vërteta fillon me administrimin e vendimit dhe mënyrën që do të zgjedhë për të “ndihmuar” opozitën.

Kur e vërteta mohohet çdo ditë dhe zëvendësohet me një tjetër mashtrim, atëherë nuk ka reflektim, nuk ka pendesë dhe nuk ka ndryshim.

Pikërisht për këtë arsye, për mashtruesin patologjik vlen një rregull i thjeshtë: një herë “non grata”, përjetë “non grata”. Jo për një vulë në një dokument, por për shkak të vulës që ai vetë i ka vënë karakterit të tij politik.

  •  

Po sikur lajmi të mos jetë vetëm për “non gratën”?

Nga Ardi Stefa

Deklarata e Sali Berishës se i është hequr statusi “non grata” ka prodhuar menjëherë debat politik, entuziazëm tek mbështetësit e tij dhe nervozizëm tek kundërshtarët. Megjithatë, përtej reagimeve të zakonshme, ndoshta vlen të bëjmë një lexim më të thellë të situatës.

Së pari, deri në këtë moment mungon një konfirmim zyrtar nga Departamenti Amerikan i Shtetit apo nga Ambasada Amerikane në Tiranë. Kjo nuk do të thotë se Berisha ka gënjyer. Mund të ketë pasur kontakte, komunikime apo sinjale të caktuara. Por a kemi të bëjmë me një heqje reale të “non gratës”, apo me një proces politik shumë më të gjerë sesa vetë statusi personal i Berishës?

Një element që meriton vëmendje është vetë mënyra se si u dha lajmi. Nëse vërtet kemi të bëjmë me një ndryshim kaq të rëndësishëm të qëndrimit amerikan, atëherë është e çuditshme që informacioni u bë publik fillimisht nga vetë Berisha dhe jo nga institucionet amerikane. Kjo krijon përshtypjen se kemi të bëjmë më shumë me një sinjal politik sesa me një akt të formalizuar diplomatik.

Në diplomaci, shpesh rëndësi ka jo vetëm mesazhi, por edhe koha kur jepet. Dhe koha është interesante. Shqipëria po kalon një periudhë ku protestat kanë krijuar një presion të papritur mbi të gjithë klasën politike. Në një situatë të tillë, një lajm i tillë zhvendos menjëherë vëmendjen publike nga protestat te Berisha dhe Partia Demokratike. Praktikisht, debati kalon nga kriza e sistemit politik te fati politik i një individi.

Në politikën ndërkombëtare, vendimet rrallëherë merren duke parë vetëm një individ. Fuqitë e mëdha shohin stabilitetin, interesat strategjike, funksionimin e institucioneve dhe perspektivën afatgjatë të vendit. Për këtë arsye nuk përjashtohet mundësia që mesazhi i vërtetë të mos jetë “Berisha është rehabilituar”, por “Shqipëria po hyn në një fazë të re politike”.

Një interpretim i mundshëm është se SHBA mund të ketë dhënë sinjale se Shqipëria po shkon drejt një rotacioni politik. Nëse perceptohet se pushteti aktual po hyn në një fazë konsumimi, atëherë partnerët ndërkombëtarë kanë interes të kenë një opozitë funksionale, të organizuar dhe të gatshme për të qeverisur.

Këtu lind pyetja tjetër: “A ka kushte kjo tolerancë e mundshme ndaj Berishës dhe nëse po cilat janë?”

A është e mundur të kemi të bëjmë me një formulë tranzicioni, ku Berisha mund të marrë një lloj rehabilitimi politik, ndërsa në këmbim të kontribuojë në një tranzicion të kontrolluar të Partisë Demokratike drejt një lidershipi të ri?

Në fund të fundit, edhe vetë mosha e Berishës e bën të pashmangshëm diskutimin për pasuesin. Herët ose vonë, çdo forcë politike detyrohet të prodhojë brezin e ardhshëm.

Në këtë skenar, emra si Jorida Tabaku ndoshta do të kishin kuptim. Ajo ka ruajtur marrëdhënie korrekte me partnerët ndërkombëtarë, ka profil institucional, ka shmangur konfliktet e ashpra personale, ka mbajtur qëndrime që në shumë raste kanë qenë më afër standardeve perëndimore sesa retorikës tradicionale të opozitës dhe është shprehur pro protestës qytetare. Për SHBA dhe BE, një lidership i tillë mund të konsiderohej më i parashikueshëm, më i pranueshëm dhe më i menaxhueshëm një figurë e një partie të dalë nga protesta spontane dhe e drejtuar nga figura pa përvojë politike.

Një tjetër element është frika nga destabilizimi. Protestat e ditëve të fundit kanë tronditur establishmentin politik shqiptar. Protestat kanë treguar se zemërimi qytetar është real. Besimi tek partitë tradicionale është në rënie.
Hendeku mes klasës politike dhe qytetarëve po zgjerohet.

Nëse ky proces do të vazhdonte pa kontroll, ai mund të prodhonte jo vetëm ndryshim politik, por edhe destabilizim institucional.

Në momente të tilla, Perëndimi historikisht ka vendosur si primare stabilitetin. Jo gjithmonë përpara demokracisë. Sepse destabilizimi politik, ekonomik dhe social shihet si rrezik më i madh sesa defektet e sistemit. Për këtë arsye nuk është e pamundur që aktorët ndërkombëtarë të kërkojnë një tranzicion të kontrolluar, ku ndryshimi të ndodhë, por pa shembur strukturat ekzistuese.

Por kjo është një zgjidhje afatshkurtër.

Stabiliteti i qëndrueshëm nuk ndërtohet mbi marrëveshje elitash, por mbi demokraci funksionale, institucione që japin llogari dhe zgjedhje të besueshme. Çdo gjë tjetër është thjesht shtyrje e problemit.

Së fundmi, po sikur mesazhi të jetë edhe për Partinë Socialiste, e cila pavarësisht kontrollit institucional dhe avantazheve të pushtetit nuk ndihet e qetë? Protestat i kanë shkaktuar një goditje politike të dukshme, sidomos për shkak të refuzimit të vazhdueshëm për të reflektuar apo për të lëshuar terren.

Për herë të parë pas shumë vitesh, qeveria është përballur me një kundërshtim që nuk kontrollohet lehtësisht përmes logjikës tradicionale të konfliktit me Partinë Demokratike. Dhe reagimi i saj ka qenë kryesisht refuzues. Kokëfortësia për të mos lëshuar pe mund të kthehet edhe në verbëri politike.

Nëse SHBA po sinjalizon se nuk e konsideron më të paprekshëm ekuilibrin aktual politik, atëherë ky është një paralajmërim edhe për qeverinë, e cila fillon të perceptohet si e konsumuar ose që humbet aftësinë për të prodhuar konsensus shoqëror.

Po ashtu, duhet parë edhe në prizmin e integrimit europian. Shqipëria po hyn në një fazë vendimtare të negociatave me Bashkimin Europian. Në një proces të tillë, partnerët ndërkombëtarë kanë nevojë për dy gjëra: stabilitet dhe opozitë funksionale. Një qeveri pa opozitë reale është shenjë dobësie demokratike. Për këtë arsye, forcimi i opozitës mund të shihet edhe si një nevojë e vetë procesit të integrimit.

Gjithsesi kryelajmi nuk është nëse Berishës i është hequr apo jo “non grata”, por çfarë po përgatitet në prapaskenë për Shqipërinë politike dhe si po projektohet e ardhmja e gjithë sistemit politik shqiptar.

  •  

“Berisha në burg!” dhe Berisha që kërkon të rrëmbejë protestën

Nga Ardi Stefa

Paradoksi, protestuesit thërrasin: “Berisha në burg!”, Berisha thotë se ka kërkuar mbështetje ndërkombëtare për protestat.

Edhe sa akoma do ua fyejë inteligjencën shqiptarëve?

Nga njëra anë, në protesta dëgjohet qartë thirrja: “Rama në burg!”, “Berisha në burg!”. Një thirrje që nuk lë vend për keqkuptime, sepse nuk drejtohet vetëm kundër qeverisë, por kundër gjithë klasës së vjetër politike. Kundër atyre që shqiptarët i konsiderojnë pjesë të problemit dhe jo të zgjidhjes.

Protestuesit nuk po kërkojnë zëvendësimin e njërit me tjetrin. Ata po refuzojnë të gjithë modelin politik që ka dominuar Shqipërinë për më shumë se tre dekada.

Megjithatë, Sali Berisha deklaron se ka kërkuar mbështetje ndërkombëtare për këto protesta. Sikur protesta të jetë e tij. Sikur protestuesit të kenë dalë në shesh për ta rikthyer atë në qendër të skenës politike.

Në fakt, kjo është pikërisht arsyeja pse ka lindur revolta. Shumë prej protestuesve nuk duan as Ramën dhe as Berishën. Nuk kërkojnë rotacion të fytyrave të vjetra. Kërkojnë largimin e një modeli politik që prej më shumë se tre dekadash i ka mbajtur peng shqiptarët mes të njëjtëve protagonistë.

Prandaj, kur dëgjon Berishën, që as nuk guxon t’i qaset fizikisht protestës pyet veten: Edhe sa kohë do vazhdojë të na fyejë inteligjencën? Sa do të vazhdojë përpjekja e tij për t’u shitur shqiptarëve të zezën për të bardhë?

Kur një pjesë e protestuesve të thërret emrin tënd bashkë me atë të kundërshtarit politik dhe kërkon që të dy të përballeni me drejtësinë, si mund të pretendosh se po vepron në emër të tyre? Kur mesazhi i protestës është refuzimi i establishmentit politik, si mund të paraqitesh si sponsori i saj moral?

Paaftësia për të kuptuar se jo çdo protestë është në dispozicion të opozitës dhe jo çdo revoltë popullore është një trampolinë për rikthimin e figurave të konsumuara, mund të jetë karakteristikë e njerëzve që nuk marrin erë nga politika, por jo e Berishës, i cili duke u përpjekur ta paraqesë këtë revoltë si pronë të tij politike, fyen inteligjencën e shqiptarëve.

Shqiptarët mund të kenë shumë probleme, por nuk janë aq naivë sa të mos e dallojnë diferencën mes një proteste kundër sistemit dhe përpjekjes së sistemit për ta rrëmbyer atë.

  •  

Precedenti i rrezikshëm

Nga Ardi Stefa

Protestat mund të lindin për të mbrojtur demokracinë, por nëse humbasin busullën, mund të shndërrohen në një kërcënim për vetë demokracinë që pretendojnë të mbrojnë.

Thirrjet që dëgjohen nga një pjesë e protestuesve, si “Opozitë e shitur!”, nuk janë thjesht thirrje zemërimi. Ato mbartin një potencial të rrezikshëm. Në rastin më të mirë mund të prodhojnë përplasje dhe dhunë mes qytetarëve që ndajnë të njëjtën pakënaqësi ndaj qeverisë. Në rastin më të keq mund të çojnë në izolimin gradual të protestës, tkurrjen e saj dhe, në fund, në ruajtjen e status quo-së, që protestuesit pretendojnë se duan të ndryshojnë.

Është e vërtetë që sot në Shqipëri duket se ekzistojnë dy opozita. Njëra është opozita tradicionale, e drejtuar nga Sali Berisha dhe strukturat politike që prej dekadash pretendojnë të përfaqësojnë pakënaqësinë qytetare. Tjetra është opozita e re, e përbërë nga protestues që kërkojnë jo thjesht rotacion pushteti, por ndryshim sistemi dhe zëvendësim të elitës politike që ka dominuar tranzicionin shqiptar.

Përplasja mes këtyre dy qasjeve është e natyrshme. Opozita tradicionale do të përpiqet ta kanalizojë revoltën qytetare drejt objektivave të saj politike dhe ta shohë atë si një mundësi për rikthim në pushtet. Por kjo nuk do të thotë se protesta duhet të rrëshqasë në logjikën e përjashtimit.

Askush nuk ka monopolin e protestës. Askush nuk ka monopolin e demokracisë. Askush nuk ka të drejtën të shpërndajë certifikata se kush duhet të jetë protestues i vërtetë dhe kush jo.

Kur disa kërkojnë largimin e demokratëve nga protesta vetëm sepse janë demokratë, ata po adoptojnë të njëjtën logjikë që pretendojnë se luftojnë. Nëse sot përjashtohet një qytetar për bindjet e tij politike, nesër mund të përjashtohet një tjetër për mendimin e tij, e pasnesër kushdo që nuk përputhet me vijën e grupit dominues.

Demokratëve të thjeshtë askush nuk duhet t’u kërkojë të largohen. Mund të argumentohet se krerët e opozitës janë të shitur, se kanë dështuar, mund të kritikohet drejtimi politik i tyre, mund të thuhet madje se kanë tradhtuar kauzat që kanë përfaqësuar. Por është e padrejtë dhe antidemokratike që ky gjykim të shtrihet mbi mijëra qytetarë të zakonshëm që ndajnë të njëjtën pakënaqësi ndaj qeverisjes, thjesht se janë anëtarë të një partie politike. Krerët mos i pranoni, jam plotësisht dakord, por demokratët e thjeshtë e të ndershëm, janë po aq opozitarë sa edhe protestuesit e këtyre ditëve.

Në çastin që opozitarët e thjeshtë identifikohen me krerët e tyre dhe intimidohen përmes fyerjeve, etiketimeve apo presionit publik, protesta fillon të humbasë karakterin e saj qytetar dhe nuk është më një hapësirë lirie, por mekanizëm përjashtimi.

Dhe pikërisht aty shfaqet precedenti më i rrezikshëm: degradimi i demokracisë në emër të demokracisë. Faktikisht lëvizjet që fillojnë duke kërkuar liri, por përfundojnë duke përjashtuar ata që mendojnë ndryshe, rrallëherë sjellin ndryshim. Zakonisht prodhojnë vetëm një version të ri të të njëjtit problem.

Nëse protesta kërkon të jetë alternativa ndaj sistemit, ajo duhet të jetë më demokratike se sistemi që kundërshton, jo më pak.

  •  

Dy opozitat e Shqipërisë

Nga Ardi Stefa

Në Shqipëri po shfaqen gjithnjë e më qartë dy opozita, të cilat shumë shpejt mund të përplasen me njëra-tjetrën më fort sesa me qeverinë.

Nga njëra anë është opozita e protestuesve të rinj. Një opozitë spontane, ende e paorganizuar plotësisht, por që ka një kërkesë të qartë: Fytyra të reja, ide të reja dhe ndoshta një model të ri politik. Kjo opozitë nuk ngrihet vetëm kundër qeverisë. Ajo ngrihet kundër gjithë establishmentit politik të 35 viteve të fundit. Kundër një sistemi ku pushteti dhe opozita kanë prodhuar të njëjtat figura, të njëjtat konflikte dhe të njëjtat zhgënjime.

Nga ana tjetër është opozita tradicionale, me në krye Berishën dhe strukturat politike që prej dekadash pretendojnë të përfaqësojnë pakënaqësinë qytetare. Për këtë opozitë, çdo protestë kundër qeverisë shihet si një mundësi për rikthim në pushtet. Jo domosdoshmërisht për të ndryshuar sistemin, por për të realizuar edhe një herë rotacionin e njohur politik.

Pikërisht këtu lind edhe handikapi i madh i lëvizjes së re.

Sa herë që shfaqet një protestë qytetare, partitë tradicionale përpiqen ta përqafojnë atë. Në pamje të parë duket si mbështetje. Në realitet, shpesh është përpjekje për ta kanalizuar energjinë e revoltës drejt objektivave të tyre politike. Protestuesit kërkojnë ndryshim sistemi; partitë e vjetra kërkojnë ndryshim qeverie. Protestuesit kërkojnë zëvendësimin e elitës politike; partitë tradicionale kërkojnë zëvendësimin e elitës qeverisëse me veten.

A do të arrijë opozita e re të formësojë një lëvizje të pavarur dhe të suksesshme kundër establishmentit?
Apo opozita e vjetër do ta përdorë këtë energji si trampolinë për të rikthyer në pushtet emrat që shqiptarët i njohin prej dekadash?

Ekziston edhe një mundësi e tretë, ndoshta më cinikja. Që opozita tradicionale të mos e mbështesë realisht protestën sapo të kuptojë se ajo nuk mund të kontrollohet prej tyre. Në atë moment, protesta mund të shndërrohet në kërcënim jo vetëm për qeverinë, por edhe për vetë opozitën e vjetër.

Një lëvizje që sfidon establishmentin sfidon të gjithë establishmentin. Ajo nuk pyet nëse dikush është në pushtet apo në opozitë. Ajo pyet se kush e ka prodhuar gjendjen ku ndodhet vendi.

Kjo është arsyeja pse beteja e ardhshme mund të zhvillohet mes dy opozitave: asaj që kërkon të zëvendësojë qeverinë dhe asaj që kërkon të zëvendësojë klasën politike.
Dhe kjo do të jetë në favor të qeverisë.

Nëse opozita e re arrin të ruajë pavarësinë, organizimin dhe qëllimin e saj, ajo mund të kthehet në sfidën më serioze që establishmenti shqiptar ka njohur ndonjëherë.

Nëse jo, protesta rrezikon të përfundojë si shumë protesta të tjera më parë.

  •  

Idhujtarët e idhujtarizmi nuk kanë asnjë lidhje me demokracinë!

Nga Ardi Stefa

A është normale që një parti, që pretendon se solli demokracinë, të ketë të njëjtin kryetar edhe pas 36 vitesh?
Aspak!

Ose nuk e ka sjellë demokracinë, ose nuk e ka kuptuar kurrë çfarë është ajo.

Demokraci nuk është që të ndërrohen qeveritë, të plaken militantët, të largohen themeluesit, të thinjen votuesit, të mpaken shpresat, ndërsa kryetari të mbetet aty si bust prej bronzi; si idhull; si totem. Apo si relike politike që nuk e lë askush të preket edhe pse partia mund të jetë rrënuar, copëtuar, tkurrur apo kthyer në sekt.
Demokracia nis pikërisht aty ku partia nuk uzurpohet dhe aty ku me statut, pavarësisht se mund të jetë e dhimbshme për disa, largohet “lideri i përjetshëm”. Demokracia nis aty ku partia nuk trajtohet si pronë private, vula nuk trashëgohet me tapi dhe militantët nuk sillen si militarë para një “udhëheqësi” politik.

Në demokracitë normale ndërrohen liderët, sepse idetë konsumohen, njerëzit gabojnë dhe koha ecën. Vetëm në regjime, në sekte apo në parti të ndërtuara mbi kultin e individit, kryetari trajtohet si pronar i vulës, logos dhe fatit të militantëve.

Tallja më e madhe qëndron në faktin se flasin çdo ditë për pluralizëm, por brenda partisë janë autokratë, nuk durojnë as pluralizmin e mendimit apo të fjalës. Kush flet apo mendon ndryshe përjashtohet, shpallet tradhtar, i shitur, armik apo i infiltruar, i lidhur me botën e krimit, pavarësisht se nuk kanë asnjë fakt dhe “armiqtë” nuk kanë kaluar ndonjëherë me kundërshtarin.

36 vite me të njëjtin lider nuk janë demokraci. Janë histori varësie politike dhe mumifikim politik. Janë azil nostalgjik për njerëz që ende jetojnë me vitin 1990 në kokë dhe me frikën se pa “udhëheqësin historik” partia shpërbëhet si kasolle pa trarë.

Prova se partia nuk ndërtoi institucione, por investoi në adhurues. Nuk krijoi garë, por bindje; nuk prodhoi elitë, por oborrtarë. Është prova se pas 36 vitesh nuk arritën të prodhojnë asnjë figurë që të zëvendësojë plakun e përhershëm të politikës.

Fatkeqësi që një parti që ulërin çdo ditë se solli pluralizmin njeh vetëm një emër, një zë, një vulë dhe një nerv.

Fatkeqësi që kryetari i përjetshëm i idhujtarëve kundërshtarët i quan diktatorë dhe autokratë, ndërsa vetë sillet si kryetar fisi që nuk lëshon fronin as kur partia digjet, copëtohet apo katandiset në turmë militantësh që mbrojnë një njeri dhe jo ide.

Në Dhjetor 1990 u ngritëm kundër kultit të individit. Sot në 2026-ën përsëri kult individi. Humbet partia, humben zgjedhjet, humbin qytetarët, humb shpresa, ndërsa kryetari mbetet po aty me justifikime nga më qesharaket, ngaqë askush nuk guxon ta hedhë, nga frika se mos prishet miti; nbetet aty, sepse te ky mit ka investuar edhe kundërshtari politik që ta përdorë si gogol për të mobilizuar elektoratin e vet dhe ta shkatërrojë përsëri në zgjedhje; ta përdorë si alibi për të mbuluar korrupsionin dhe keqqeverisjen në këto 13 vjet.

Në vende normale e me demokraci normale liderët largohen kur humbin.
Në PD jo!
Referendumi për rikonfirmimin në Partinë e Berishës si proces është punë e tyre. Berishën duan, Berishën le të mbajnë.

Përpjekja për të na e paraqitur si demokraci, për të na e imponuar si të drejtë e të domosdoshme, për të na e justifikuar si të vetmen e të duhurën, është e ulët dhe fyese për inteligjencën tonë. Ajo mund të ketë vlerë vetëm për ca militarë, por opozitarizmit shqiptar e Shqipërisë i bën dëm!

Një parti me kryetar të përjetshëm nuk është parti demokratike, por sekt me logo.

  •  
❌