Reading view

Shqipëria nuk është vend për të gjithë…

Nga Alba Malltezi

Të jetosh në Shqipëri duhen disa karakteristika jo sipërfaqësore dhe aspak të lehta: Të kesh durim të madh, të dish të gëzosh, të shijosh përshëndetjet me zemër, por edhe inatet shpërthyese dhe veprimet e papritura, jo përherë kuptimplota. Të kesh një ekuilibër të jashtëzakonshëm brenda vetes për të përballuar mungesën e ujit, por edhe rënien e energjisë elektrike nga ngarkesa e rrjetit, të presësh komshiun që ka parkuar duke bllokuar të gjithë hyrje-daljet, por edhe të mos provokohesh nga taksisti që i ka ardhur në majë të hundës duke shmangur trafikun e ditës e përgjigjet si i vjen në çast, në mendje.

Të jetosh në Shqipëri zemra të helmohet nëse nuk gjen rrugën e duhur për të mjekuar të afërmit që vuajnë, por edhe emocionohesh kur në sportelet e postës një nëpunëse e thjeshtë sillet me shumë njerëzillëk ndaj të moshuarve, duke ua zgjidhur problemet e keqkuptuara.

Të jetosh mirë në Shqipëri duhet të jesh stërvitur sikur të ecësh mbi vezë, ose mbi thëngjij të ndezur si akrobatët më të mirë të jetës. E në gjithë këtë stërvitje të pareshtur, të përditshme, të përnatshme e të kudogjendur, dallon mes të gjithëve, mes atyre që dorëzohen e largohen, ata që të mikpresin dhe të buzëqeshin, qëndrojnë dhe rezistojnë, pavarësisht çdo gjëje.

Nuk është e lehtë të jetosh në Shqipëri sepse Shqipëria nuk është për të gjithë. Të vë në provë në të panumërtat aspekte të jetës, të vë para vështirësive të pamenduara në një vend tjetër rreth-e rrotull, ashtu si dhe papritur të zgjidh problemet sa hap e mbyll sytë.

E meqë është kthyer në modë edhe Odiseu me aventurat dhe metaforën e simbolikat e jetës, ja, kështu janë shqiptarët për Shqipërinë: banorë të lashtë që duhet t’i rezistojnë provave dhe tundimeve, lajkave dhe provokimeve, kurtheve e padrejtësive për të qëndruar… të qetë në shtëpi.

  •  

Përgjegjësia e madhe e Drejtësisë së re për të lehtësuar situatën

Nga Alba Malltezi

Drejtësia e re ka pasur kohën e duhur për të parë mirë aty ku askush prej nesh e ka pasur mundësinë të arrijë: në nënshtresat e fshehta të elitës politike dhe sipërmarrëse, duke zbuluar sekrete të parrëfyera më parë. E gjithë Shqipëria e stërmunduar në tranzicionin e gjatë e meriton të dijë me saktësi se kush e ka dëmtuar atë dhe interesat publike, por në të njëjtën kohë, edhe kush nuk e ka bërë aspak duke respektuar ligjin dhe Shtetin.

Shqiptarët duhet të kenë përgjigje të sakta për të shmangur hamendësimet e shumta që u hodhën edhe me parulla e fotografi shumëngjyrëshe në bulevard, ku krahas atyre që mund të kenë bërë, shpesh u kryqëzuan dhe njerëz që asgjë të keqe nuk kanë bërë as për vendin, as për askënd. Fresku i vjeshtës duhet të sjellë dritën e duhur të një drejtësie të ftohtë dhe profesionale, e cila duhet ta ketë forcën të fshijë recitime patetike të ndërtuara me mjeshtëri në vite që shpesh frymëzohen nga keqinformimi apo dashakeqësia personale dhe të nxjerrë me forcën e ligjit në dritë atë që Drejtësia e re ka parë dhe ka gjetur me të vërtetë në “minierat” e pasurive dhe të llogarive të zyrtarëve dhe individëve të lidhur me ta.

Shqipëria nuk e ka shumë luksin të sfilitet nga kush ka dëshirën të vazhdojë të përziejë në një tas të fajshëm e të pafajshëm siç është bërë deri tani me qëllime shumë të caktuara, ku pak nga ata që bëjnë në të vërtetë tërheqin shumë të tjerë për të thënë që jemi të gjithë njësoj!

Jo! Nuk jemi atë gjithë njësoj! Drejtësia e re ka barrën dhe besimin për të vazhduar tregimin e nëntokës sonë si me “qypat” e fshehur, po ashtu dhe farat e vlefshme që nga shumë shqiptarët e mirë në vite mbjellin për një vend më të barabartë.

Drejtësia e re është një shkallë më e lartë e evoluimit tonë pikërisht për të larguar perceptimet e gabuara mes nesh dhe dëshirat primitive për vetëgjyqësi.

  •  

Ivanka Trump dhe pak… Labëri në jetën perfekte të saj

Nga Alba Malltezi

Ivanka Trump ka një jetë perfekte dhe një familje perfekte! Si një kartolinë e përkryer. Por tamam ashtu si në një nga filmat më të bukur që janë realizuar ndonjëherë, “Greku Zorba”, Anthony Quinn, duket sikur del nga pelikula bardh e zi këtë herë si lab, për të bërë batutën jo nga minierat në Kretë dhe me xhentëllmenin anglez, por me Labërinë dhe me Ivanka Trump: “Zonjë, – do të thonte aktori hollivudian. – Ju i keni të gjitha në jetë! Jeni kaq e sjellshme, kaq e bukur, kaq e pasur, kaq e fuqishme… por ju mungon një gjë! Juve zonjë ju mungon pak… labëri!”. Isot e lebërve, dollitë e tyre, romuzet e tavolinave, aroma e detit dhe era që gdhend hundë -shkabë e nofulla të gjëra si copëza shkëmbi… “Juve zonjë, ju duhet pak çmenduri labi!”

Ivanka dhe Kushner duan të bëjnë një investim shumë të rëndësishëm në Shqipëri, por do të merrnin pa dyshim një pasuri njerëzore që ruhet ende e paprekur në forma e zakone, në një vitalitet të sinqertë e të drejtpërdrejtë që do t’ja shpurpuriste flokët e kuruar nga stilistët më të mirë! Labëria ruan një thesar të paçmuar përtej bregut dhe maleve që Zoti ja ka dhuruar.

Nëse të gjithë në Shqipëri shohim me skepticizëm çdo të huaj që na afrohet, në Labëri, çdo ves e virtyt i yni shumëzohet me 100! Besimi dhe mosbesimi, mikpritja dhe dëbimi, ndërtimi dhe shkatërrimi, urrejtja dhe dashuria; por nëse labi kapet në ditën e tij më të mirë, hap zemrën siç di ta bëjë vetëm ai. A ka trokitur siç duhet Ivanka Trump në Labëri? Eshtë e lehtë ta kuptojmë nëse do t’i shohim bashkë në një iso-polifoni, mbi tullat e para në themelet e rezortit në brigjet e Vlorës, që është zemra e Labërisë. Ose… diku tutje…

  •  

Si mund ta durojnë ende demokratët një poshtërim të tillë nga Sali Berisha?

Nga Alba Malltezi

Dëgjojmë lloj lloj shfryrje dufi të anëtarëve të Partisë Demokratike kundër partisë në pushtet dhe deri këtu jemi brenda normalitetit të ndodhisë së ngjarjeve: Opozita është opozitë dhe natyra e saj është kundërshtimi me çdo kusht e mjet i politikave të qeverisjes. Deri diku u mësuam dhe me shpifjet dhe sharjet e një “maestroje” si Sali Berisha, që me fantazinë më të shfrenuar që kemi parë prej tij e prej më të besuarve që e rrethojnë, me lehtësi arrijnë t’i thonë të zezës së bardhë dhe të bardhës të zezë, hajdutit të ndershëm, e të ndershmit hajdut, kriminelit të pastër e të pastrit kriminel.

Shpresuam që drejtësia e re do ta çonte në normalitet këtë anomali alla shqiptare, po ende asgjë e re në horizontin e “pikave mbi i”, e derisa të ndodhë, do të duhet të shohim se deri në ç’pikë Sali Berisha do të vazhdojë të poshtërojë më të besuarit e tij.

Spektakli i trishtuar i “garës” për rizgjedhjen e Sali Berishës në krye të partisë, nuk do të kishte ndonjë gjë më të veçantë nga ajo që shohim  në partitë e tjera shqiptare, të cilat po privatizohen nga një individ. Por në PD, tragjedi-komedia nis kur disa anëtar të kësaj partie, “guxojnë” të tentojnë të kandidohen për ndryshimin e lidershipit të Partisë. Si guxojnë? Çfarë? Të konkurrojnë përballë liderit suprem? Dhe këtu spastrimet, linçimet, përjashtimet, akuzat, shpifjet, lidhjet me qeverinë, krimin, mediat e shitura, prodhohen si “simite” sade nga vetë Sali Berisha dhe “anestezistët” që vazhdojnë t’ja mbajnë tubin e jetës politike ende në rianimacion.

Nuk paskan një limit vuajtjet e atyre që besuan dhe besojnë në idealet e djathta, apo qoftë antiramë, në Partinë Demokratike. Heqja e mundësisë, edhe formalisht, të një gare pluraliste, është më qesharakja e qesharakeve që mund të shihej ndonjëherë nga një parti, nëse PD vazhdojmë ta konsiderojmë ende të tillë.

Ndërkohë reanimatorët e doktorit vazhdojnë të pompojnë oksigjen pa fund për të. Edhe për sa kohë?

  •  

Puthja që ju shkatërroi planet ose si Robert Ndrenika rrëmbeu tapetin e kuq

Nga Alba Malltezi

I njëjti cunam do të ishte ngritur nëse një tjetër aktor apo aktore e madhe do të shkonte në gjyq dhe do të puthte apo do të përqafonte ta zëmë Ilir Metën, apo Sali Berishën, por Robert Ndrenika prishi planet. Sepse një aktor i madh bën pikërisht këtë: Rrëmben vëmendjen e tapetit të kuq pikërisht në kohën e duhur, në vendin e duhur, në momentin e duhur.

Mjeshtri i skenës na e dha një shuplakë të gjithëve që të kamufluar nën petkun e “ëndrrimtarëve të drejtësisë” nuk po bëjmë tjetër gjë veçse interpretimin më të shëmtuar që bënë të parët tanë në të tmerrshmet vite të pasluftës së Dytë Botërore: Etja e verbër për të ekzekutuar pa avokatë e pa gjyqe transparente ata që mendojmë se kanë gabuar; identifikimin e njeriut dhe poshtërimin e tij me gabimet që mendojmë se ka kryer. Por një njeri nuk është vetëm gabimi i tij. Një njeri, jashtë burgut dhe përtej gjykatës është dhe qënia që meriton të lihet në qetësinë njerëzore.

“Mbajeni dorën”! Ishte thirrja e dëshpëruar e aktorit në një prej roleve të tij më të fundit që na e dhuroi si një spektakël për t’u zgjuar, për t’i thirrur mendjes. “Mbajeni dorën” sepse këto gabime që po bëjmë i kemi bërë në të shkuarën: Po mohojmë njerëz, po fshehim procese, dokumente, fakte, po shfryjmë urrejtje për hatërmbetje të së shkuarës: Nuk më punësoi, nuk më foli, nuk më dha shtëpi, nuk më bëri rrugën, më prishi teatrin, nuk më pëlqen politikisht, më ofendoi, etj. etj. Por të gjitha këto nuk mjaftojnë për të linçuar askënd, të gjitha këto nuk justifikojnë etjen për “gjak” që shihet në sy politikanësh, në debate mediash, në ekzekutime social mediash dhe në etiketime veprimesh individësh të lirë në kohët më të lira që një shqiptar ka provuar.

Dhe pikërisht në këtë liri maksimale secili prej nesh duhet të vetëpërmbahet e t’i vendosë ai dhe vetëm ai vetes etikën dhe moralin që nuk duhet të cënojë askënd prej atyre që dretësisë iu janë dorëzuar.

I madhi Robert Ndrenika u bëri një prej shërbimeve më të vlefshme, jetësore disa shqiptarëve, të cilët ende shkojnë në grupe nëpër kafenera vetëm nga frika që të mos jenë ata të përfolurt e radhës. Por njëkohësisht, u bëri një shërbim të vlefshëm edhe artistëve shqiptarë, duke rrëmbyer tapetin e kuq të vëmendjes, të zotëruar në gjithë e gjithë këto vite prej politikanëve.

  •  

Drita

Nga Alba Malltezi   

Është shumë, shumë interesante se si besimet, që nga më të vjetrat mbi Tokë, përdorin me simbole dhe metafora ardhjen e Dritës dhe sundimin e saj pas errësirës. Për ata që besojnë dhe për ata që nuk besojnë është e thjeshtë: Drita sjell dituri, dituria sjell drejtësi dhe drejtësia sjell barazi, harmoni e kompensim të dhimbjes së pabarabartë mes njerëzve në glob. 

Por mbi të gjitha Drita sjell shpresë dhe durim, e sidomos këmbëngulje për rezistencë në momentet kur errësira, e pashmangshme dhe ritmike, bën udhëtimin e saj të radhës mes nesh. 

Kur shpesh sjell si shembull Shpellën e Platonit, ndërsa njerëz të lidhur me zinxhir shihnin në muret e shpellës të projektuar hijet e tyre dhe të objekteve që mendonin se ishin realiteti, jeta, bota; kur ata dalin jashtë saj, nuk besojnë dot atë që shohin papritur me sytë e tyre, atë që drita dhe bota u shpalos. 

Kanë kaluar mijëra vite kur Jezu Krishti përpiqej t’u jepte dritë njerëzve që të shihnin më mirë, përpjekjet janë kolosale dhe të përditshme nga më të mirët e shoqërisë që ndezin “qirinjtë” e tyre duke u përpjekur që cilido prej nesh të nxjerrë konkluzione sipas fakteve nën dritën reale të diellit. Kur sot habitemi për gjendjen në rrjete sociale, për urrejtjen, informacione fake, anë të papëlqyera të ekzistencës sonë njerëzore, mund të themi vetëm se ato kanë ekzistuar përherë, kanë qenë përherë mes nesh. 

Sot kemi vetëm më shumë dritë për t’i parë dhe për t’i njohur. Kemi dalë nga “shpella” e dikurshme platoniane, por, edhe nëse disa përpiqen ta mbajnë dritën e diturisë përherë të ndezur, nuk janë të paktë ata që bëjnë të pamundurën për ta shuar. 

Edhe kjo Krishtlindje nuk është ndryshe nga mijëra Krishtlindjet e festuara: Mbetet një përpjekje titanike, ciklike e bukurisë dhe pastërtisë së dritës, ndaj errësirës që kërkon të na mbajë hutuar. 

  •  

Ata që hedhin gurë në peshoren perfekte të Perëndisë së Drejtësisë!

Nga Alba Malltezi

Kur ne bëjmë padrejtësi, bëjmë tepër padrejtësi! Tani që duam të bëjmë drejtësi, bëjmë tepër drejtësi! Harrojmë që Perëndia e Drejtësisë ka një peshore në dorë pikërisht për të na kujtuar barazinë, harmoninë dhe peshën e njëjtë të gjërave.

Nuk është kollaj, në të vërtetë, të bësh drejtësi me peshoren e Perëndisë së Drejtësisë, sidomos në një vend të vogël e aspak të privilegjuar nga rrjedhjet e historisë. E megjithatë, për të kompensuar fatkeqësitë tona historike, na është dhënë një vend i pasur, i begatë, i bukur, me një klimë të pëlqyeshme, për t’u pasur zili nga kush ka lindur me shkretëtirë rreth e rrotull, apo me shira, uragane, tajfune, e tërmete të frikshme.

Kjo zemërgjerësi e Natyrës duhet të na vlejë për t’u ndalur e për të menduar: “Kujdes! Jemi mirënjohës me këtë që kemi dhe ku jemi, ndaj këtë mirënjohje duhet ta tregojmë duke u sjellë të kujdesshëm e të matur me të tjerët”. Nuk ka gjë më të padrejtë se të privosh dikë nga liria më tepër nga sa e meriton, prandaj baballarët e Drejtësisë moderne nuk janë lodhur së përsërituri se: “Më mirë një fajtor i lirë se një i pafajshëm në burg”.

Në kohët kur më në fund Shqipëria po krijon shtyllën kurrizore të Drejtësisë së saj; një dëshirë e shkruar mbi qiellin e Shqipërisë nga ëndrrat e shqiptarëve të ndershëm, të mirë dhe të drejtë, e keni vënë re? Kore agresivë, zëra të frikshëm, të etur për gjak, për hakmarrje, për lincime, kërkojnë të hedhin gurë të rëndë në peshoren e drejtësisë. I hedhin nga ana që iu intereson, godasin kë urrejnë, përlyejnë kundërshtarë, baltosin për interes e lavdërojnë me pagesë. Këtë kategori shqiptarësh që bën shumë zhurmë e që është realisht tepër pak, Drejtësia e re duhet ta dallojë shpejt e mirë duke mos i lënë hapsirë për të shtrembëruar me forcën e shpifjeve dhe të kercënimeve, të ulërimave dhe gjuhës së pisët, shtyllën e njomë kurrizore të një Drejtësie të mirë e të domosdoshme për Shqipërinë!
.

The post Ata që hedhin gurë në peshoren perfekte të Perëndisë së Drejtësisë! first appeared on JavaNews.al.

  •  

Bekimi i Flamurit!

Nga Alba Malltezi

“O Zot, që bekon dhe shenjtëron, Ti bekoje Flamurin tonë, dhe shpëtoje shtetin tonë dhe popullin tonë nga çdo rrezik dhe shtrëngesë dhe drejtoje në udhën e dritës, të lirisë dhe të përparimit nën hijen tënde dhe vlerësona ne të pavyerit të kremtojmë këtë ditë të lavdëruar, me nder, shëndet edhe ditë të gjata këtu dhe kudo. Se ti je Perëndi mëshirues dhe njeridashës, dhe ty ta dërgojmë lavdinë, Atit edhe Birit edhe Shpirtit të Shenjtë, tani dhe përherë, dhe në jetët e jetëve”.

Si atëherë në 1947, kur Imzot Fan Noli e ndjeu të thellë nevojën për të bekuar e për të dhënë meshë për Flamurin tonë, Fortlumturi Joani, qysh në Korcën e 1998-s, e ka kryer përvit këtë ritual,  me 28 nëntor 2025, e kryen për herë të parë në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në kryeqytet.

Për disa mund të konsiderohen si rituale të mirëfillëta fetare, si liturgji që do të dëgjohen nga besimtarët e zakonshëm ortodoksë; si fjalë të thëna në një kontekst fetar, të krishterë, ortodoks. Pra të kufizuar, të izoluar. Dhe meqë kemi shkruar shpesh këto kohët e fundit për zhurmën dhe pamundësinë për të dëgjuar fjalët e mira kur lumi i sharjeve dhe sulmeve është më i rrëmbyeshëm e i fortë, mesha e 28 nëntorit për bekimin e Flamurit shqiptar dhe popullit tonë, do të na duket si puna e një blete të vetme, e cila, pavarësisht trafikut përreth, pavarësisht grindjeve e grindavecëve, mund të përqëndrohet në lulen e vetme në asfalt, për të mbledhur nektarin e nevojshëm për mjaltin që e grumbullon në koshere.

Por puna e të mirëve dhe të mbarëve mes zhurmës dhe rrëmujës, kërkon durim dhe përkushtim, rezistencë dhe përqëndrim, e megjithatë është e sigurtë, që është e vetmja punë që ecën përpara, që nuk pengohet, që nuk zhduket. Tamam si urata që krijoi me mendjen dhe kokën e tij i ndrituri Fan Noli dhe sot, e plotë, me një shqipe të mrekullueshme, do të shijohet nga veshët e kujt të mirën, të bukurën, të vlefshmen, dëshiron vërtetë ta dëgjojë dhe duke e dëgjuar, e bën të jetojë.

Ja e gjithë mesha, ashtu sic Imzot Noli e konceptoi:

DHOKSOLOGJIA E FLAMURIT

Prifti: Lavdi Trinisë së shenjtë së bashkëqnënshme jetëbërëse dhe të pandarë, gjithnjë tani dhe përherrë dhe në jetë të jetëve.

Kori: Amin.

Lexuesi: O Mbret qiellor, Ngushëllimtar, Shpirt i së vërtetës, që ndodhesh kudo dhe i mbush të gjitha, thesar i të mirave dhe dhurues jete; eja dhe qëndro ndër ne dhe pastrona nga çdo njollë dhe shpëto, o i Mirë, shpirtrat tanë. Amin.

Shenjt Perëndi, Shenjt i fuqishëm, Shenjt i pavdekshëm, mëshirona. (3 herë)

Lavdi Atit e Birit edhe Shpirtit të Shenjtë, tani e përherë e në jetë të jetëve. Amin. Trini e Tërëshenjtë, mëshirona; o Zot, falna mëkatet tona; o Zot i madh, ndjeji paudhësitë tona; o i Shenjtë, vështro dhe shëro sëmundjet tona, për emrin tënd. Mëshiro, o Zot. (3 herë)

Lavdi Atit e Birit edhe Shpirtit të Shenjtë, tani e përherë e në jetë të jetëve. Amin. Ati ynë që je në qiej; u shenjtëroftë emri yt; ardhtë mbretëria jote; u bëftë dëshira jote si në qiell ashtu edhe mbi dhé. Bukën tonë të përditshme jepna neve sot; dhe falna fajet tona, sikurse edhe ne ua falim fajtorëve tanë; dhe mos na shtjer në ngasje, po shpëtona nga i ligu. Prifti: Se jotja është mbretëria dhe fuqia dhe lavdia, e Atit, e Birit dhe e Shpirtit të Shenjtë, tani e përherë e në jetë të jetëve.

Prifti: Se jotja është mbretëria dhe fuqia dhe lavdia, e Atit, e Birit dhe e Shpirtit të Shenjtë, tani e përherë e në jetë të jetëve.

Psaltët: Amin.

O Zot shpëtoje popullin tënd dhe bekoje trashëgimin tënd, dhuroju shpresëtarëve fitore mbi barbarët dhe ruaje shtetin tënd me anën e kryqit tënd.

DHOKSOLOGJIA E MADHE

Psaltët: Lavdi Ty që na rrëfeve dritën, lavdi Perëndisë në më të lartat dhe mbi dhenë paqe, dhe mbi njerëzit mirëdashje.

Të himnojmë, të bekojmë, të falemi, të lavdërojmë, Ty të falënderojmë për lavdinë tënde të madhe.

Zot Mbret, Perëndi qiellor, Atë i tërëfuqishëm; Zot, Bir i vetëmlindur Jisu Krisht edhe Shpirt i Shenjtë.

Zot Perëndi, Qengj i Perëndisë, Bir i Atit që ngre mëkatin e botës, mëshirona, Ti që ngre mëkatet e botës.

Prano lutjen tonë, Ti që rri në të djathtë të Atit, edhe mëshirona.

Se Ti je Shenjt i vetëm, Ti je Zot i vetëm, Jisu Krishti, për lavdi të Perëndisë Atë. Amin.

Përditë do të të bekoj dhe do të lavdëroj emrin tënd përjetë e në jetë të jetës.

Bëna të denjë, o Zot, që të ruhemi këtë ditë pa ndonjë mëkat.

I bekuar je, o Zot, Perëndi i Etërve tanë, dhe emri yt është i himnuar dhe i lavdëruar në jetët. Amin.

Le të jetë, o Zot, përdëllimi yt mbi ne, sikurse kemi shpresuar te Ti.

I bekuar je, o Zot, mësomë porositë e tua. (3 herë)

O Zot, u bëre streha jonë brez pas brezi, unë thashë: O Zot, mëshiromë, shëro shpirtin tim, se fajtova te Ti.

O Zot, te Ti gjeta strehë; mësomë të bëj dëshirën tënde, se Ti je Perëndia im.

Se pranë Teje është burimi i jetës; me dritën tënde do të shohim dritë.

Zgjate përdëllimin tënd mbi ata që të njohin.

Shenjt Perëndi, Shenjt i fuqishëm, Shenjt i pavdekshëm, mëshirona. (3 herë)

Lavdi Atit e Birit edhe Shpirtit të Shenjtë. Tani e përherë e në jetë të jetëve. Amin. Shenjt i pavdekshëm, mëshirona. Shenjt Perëndi, Shenjt i fuqishëm, Shenjt i pavdekshëm, mëshirona.

LITANIA E GJERË

Dhjaku: Le të themi të gjithë, me tërë shpirtin dhe me tërë mendjen tonë, le të themi. Psaltët: Mëshiro, o Zot. (3 herë)

Dhjaku: O Zot i gjithëpushtetshëm, Perëndia i Etërve tanë, të lutemi, dëgjo dhe mëshiro.

Psaltët: Mëshiro, o Zot. (3 herë)

Dhjaku: Mëshirona, o Perëndi, sipas mëshirës sate të madhe, të lutemi, dëgjo dhe mëshiro.

Psaltët: Mëshiro, o Zot. (3 herë)

Dhjaku: Lutemi dhe për Kryepiskopin tonë (aksh) dhe për tërë vëllazërinë tonë më Krishtin.

Psaltët: Mëshiro, o Zot. (3 herë)

Dhjaku: Lutemi dhe për Republikën e Shqipërisë, qeverinë, ushtrinë dhe gjithë popullin

Psaltët: Mëshiro, o Zot. (3 herë)

Dhjaku: Lutemi edhe për ndërtuesit e kësaj Kishë të Shenjtë, për vëllezërit dhe Etërit tanë dhe për të gjithë të krishterët besëmirë që prehen me shpresë këtu dhe kudo.

Psaltët: Mëshiro, o Zot. (3 herë)

Dhjaku: Lutemi dhe për mëshirë, jetë, paqe, shëndet, shpëtim, vështrim, ndjesë dhe falje të mëkateve të shërbëtorëve të Perëndisë (aksh).

Psaltët: Mëshiro, o Zot. (3 herë)

Dhjaku: Lutemi edhe për ata që sjellin pemë dhe bëjnë punë të mira në këtë kishë të shenjtë dhe të gjithënderuar, që mundohen, që psalin, dhe për popullin që qëndron rrotull dhe pret prej Teje mëshirën e madhe dhe të pasur.

Psaltët: Mëshiro, o Zot. (3 herë)

Dhjaku: Le t’i lutemi Zotit

Prifti: (me zë të lartë) Dëgjona, o Perëndi, Shpëtimtari ynë, shpresa e gjithë anëve të dheut dhe e atyre që ndodhen larg në det; dhe i mëshirshëm, i mëshirshëm tregohu, o Zot, për mëkatet tona dhe mëshirona.

Psaltët: Mëshiro, o Zot. (3 herë)

Prifti: (me zë të lartë) Se Ti je Perëndi mëshirues dhe njeridashës, dhe Ty ta drejtojmë lavdinë, Atit e Birit edhe Shpirtit të Shenjtë, tani e përherë e në jetë të jetëve.

Psaltët: Amin.

Dhjaku: Përsëri dhe përsëri duke rënë në gjunjë le t’i lutemi Zotit

Psaltët: Mëshiro, o Zot.

Prifti: O Zot, që bekon dhe shenjtëron, Ti bekoje Flamurin tonë, dhe shpëtoje shtetin tonë dhe popullin tonë nga çdo rrezik dhe shtrëngesë dhe drejtoje në udhën e dritës, të lirisë dhe të përparimit nën hijen tënde dhe vlerësona ne të pavyerit të kremtojmë këtë ditë të lavdëruar me nder, shëndet edhe ditë të gjata këtu dhe kudo.

Se ti je Perëndi mëshirues dhe njeridashës, dhe ty ta dërgojmë lavdinë, Atit edhe Birit edhe Shpirtit të Shenjtë, tani dhe përherë, dhe në jetët e jetëve”.

Psaltët: Amín.

Prifti: Popullit Shqiptar dhuroji, o Zot, jetë, paqe, shpëtím, përparím, dhe mundje kundër armiqve, dhe ruaje për shumë vjet.

Psaltët: Për shumë vjet (3 herë).

Prifti: Kryepiskopit tonë (aksh) dhuroji, o Zot, jetë, paqe dhe ditë të gjata, që ta shpallë Ungjillin e së vërtetës sate, dhe ta udhëheqë popullin në udhën e dritës dhe ruajë për shumë vjet.

Psaltët: Mëshiro, o Zot. (3 herë)

Prifti: Të krishterëve besëmirë që ndodhen këtu dhe kudo, dhuroju, o Zot, jetë, paqe shëndet dhe ditë të gjata dhe ruaji për shumë vjet.

Psaltët: Mëshiro, o Zot. (3 herë)

Prifti: Bekimi dhe mëshira e Zotit, ardhtë mbi ju, me hirin dhe njeridashjen e tij, gjithnjë tani e përherë e në jetë të jetëve.

Psaltët: Amin.

Prifti: Lavdi më Ty, o Perëndia ynë, lavdi më Ty.

Lexuesi: Lavdi Atit e Birit edhe Shpirtit të Shenjtë, tani e përherë e në jetë të jetëve. Mëshiro, o Zot (3 herë). Beko, o atë i shenjtë.

Përlëshimi i shkurtër:

Prifti: Krishti Perëndia ynë i vërtetë, me ndërmejtimet e shën Marisë dhe të gjithë shenjtorëve, na mëshiroftë dhe na shpëtoftë, si i mirë dhe njeridashës. Amin.

The post Bekimi i Flamurit! first appeared on JavaNews.al.

  •  

Liria që falte Fatos Nano…

Nga Alba Malltezi  

Nëse themi sot që qeveria është e gjithëpushtetshme, që drejtësia është e gjithëpushtetshme, që media është e gjithëpushtetshme, që oligarkët janë të gjithëpushtetshëm etj. etj. do të thotë që në shoqërinë tonë po krijojmë shtylla pushteti të cilat duhet të kontrollojnë njëra-tjetrën. Akuzat, nga më të larmishmet për të gjitha sa më sipër, hidhen vetëm kur ka liri. Për dikë flitet keq vetëm kur nga ai, ajo, njeri a institucion, nuk ka kush frikë. 

Një gjë tjetër është e vërtetë: Në shoqërinë tonë ka ende individë, apo realitete, të cilëve nuk mund t’iu përmendet akoma emri. Ka tabu dhe frikë. Janë këto zona të errëta që kanë mbetur që duhet të na shqetësojnë dhe jo ajo që ndodh dhe thuhet në ditën me dritë. 

Mos harrojmë që vetëm pak vite më parë nuk mund të akuzonim askënd në këtë mënyrë, duke bërtitur nga studio televizive për autokraci e mungesë drejtësie. Nuk bërtisnim dot sepse nuk kishte asnjë në listë për t’u përmendur. Ishin të gjithë të rreshtuar pas një individi, pas një familjeje që Shtetin, në mes të Tiranës, e kishte shndërruar si ato kullat e veriut nga ku rrihej ngrohtë në vatrën e ndezur vetëm për të vetët, e nga jashtë gjithëkush qëllohej nga frëngjitë. Ishte një individ që futi frikën e kritikës ndaj një partie e ndaj politikanëve në Demokraci. 

Ndërsa Fatos Nano po lufton në spital mes jetës dhe të përtejmes, duhet t’ja njohim atij lideri politik meritën e vyer që i pari mes të gjithëve ua hoqi frikën shqiptarëve për të thënë rreth tij çfarë të donin e si të donin; media e politikanë kundërshtarë. Nuk ishte e lehtë që njerëzit të shpreheshin pas 45 vitesh nën dikaturë. Fatos Nano mbante, Fatos Nano nuk kërcënoi asnjë gazetar në jetën e tij. Nuk kërcënoi asnjë kundërshtar. Nano hoqi frikën nga partia më e frikshme komuniste në Ballkan. Në një drekë me gazetaret, atëherë zonja e parë, Xhoana Nano, e sulmuar dhe e përfolur lirisht edhe ajo nga të gjithë, me buzëqeshje do të thonte mendimin e saj, por duke u kujdesur deri në fund që askush, mendimin e saj të mos e merrte si privim. 

Sa e bukur është shoqëria kur njerëzit thonë lirshëm çfarë mendojnë, pa shpifur e pa sajuar, dhe kur kjo liri vlen për të kuptuar pa kakofoni të vërtetën e lakmuar. Nëse sot mendoj një politikan kontrovers si Fatos Nano, debatet që ai provokonte përherë edhe mes të vetëve, si shije e fundit më mbetet vetëm ajo e lirisë së ofruar: Liri për t’u shprehur, për të shkruar, për të kundërshtuar. Nuk ka më të vlefshëm se njerëzit që japin liri, qofshin në familje, në shkollë, në parti apo në qeveri. 

Askush nuk është perfekt, por perfektja qëndron këmbëkryq vetëm tek njerëzit që janë zemërgjërë. Këta shqiptarë duhet të duam pa kushte në Shqipëri. 


 

The post Liria që falte Fatos Nano… first appeared on JavaNews.al.

  •  

Kemi arritur të mallkojmë dasmat e fëmijëve…

Nga Alba Malltezi 

Shqiptarët janë shndërruar në përmbysësh tavolinash dasmash, në mallkues të atyre që tregojnë në sytë e të gjithëve mirëqënien e jashtëzakonshme, luksin e niveleve më të larta, veshjet e firmave më të njohura, vende ekskluzive dhe përrallore, pushime me shumë yje, rininë e përjetshme përmes operacionesh të kushtueshme. Të përmbytur nga ky realitet, disa prej nesh po arrijnë të mallkojnë dasma e të urojnë vdekje. Një uragan marramendës i krijuar nga gjellët e helmuara të ngjarjeve që disa të tjerë ofrojnë në opinion, për t’i gëlltitur. 

Është krijuar ajo që dikush, ose disa, deshën dhe arritën ta bëjnë: Të përziejnë e të ngatërrojnë njerëz dhe situata, të ndershëm me të pandershëm, hajdutë me të drejtë, të vërtetë me gënjeshtarë, dembelë me punëtorë, kriminelë me biznesmenë, shëronjës me vrasës, tregtarë me bamirës… 

E në këtë atmosferë të helmuar mallkimet janë “garancia” e një lirie të fituar: Të shaj se ndryshe do të plas ndërsa shoh djalin apo vajzën e filanit të arrijë aty ku asnjë shqiptar nuk e kishte menduar dhe nuk mundet të arrijë ndershmërisht; me një garë të barabartë. 

Drejtësia që deri më sot është treguar ndëshkuese, duhet të kalojë në fazën e  një drejtësie që duhet t’i tregojë një populli të përmbytur nga e pavërteta se ku dhe si e drejta qëndron. Kush janë hajdutët dhe kush njerëzit korrektë, kush gënjeshtarët dhe kush manipuluesit. Duhet të thuhet me zë të lartë kush është fajtor, por edhe kush është i pafajshëm në këtë vend të plagosur nga mungesa e gjatë e të Drejtës së mirë. Nga Drejtësia, pritet Dritë. 

The post Kemi arritur të mallkojmë dasmat e fëmijëve… first appeared on JavaNews.al.

  •  

Kuvendi i ri, të rinjtë e politikës duhet të jenë bashkues

Nga Alba Malltezi

Të rinjtë në Kuvendin e ri të Shqipërisë duhet të jenë ndryshe. Vetëm nëse do të arrijnë të jenë ndryshe, do të mund të kuptojmë se me të vërtetë në Kuvendin e Shqipërisë në shtator 2025, kemi deputetë të rinj. Ata duhet të sjellin një virtyt që ka munguar në gjithë këto dekada lirie me nuanca të thella anarkie: Përmbajtjen nga e drejta pa frena për të ofenduar, përbaltur, sulmuar, ndarë, sharë, kërcënuar çdo kundërshtar.

Vetëm kur të shohim një politikan, deputet të ri që nuk bëhet vetë gjykatës e vetë prokuror i kujtdo që e cënon apo e lëndon, do të kuptojmë se në mendjen e tij Drejtësia dhe Gjykimi i është besuar institucioneve që duhet dhe kanë për detyrë të merren me ruajtjen e balancave.  Do të kuptojmë se Drejtësia dhe Gjykimi nuk është pronë e saj, e tij. Kafshimi i gjuhës për të mos u vërsulur duke sharë si fillim kolegë e të tjerë politikanë, e më pas familjarët e tyre, nuk është autocensurë apo politikë e keqe, është përmbajtja e hedhjes së helmit në publik, mes shqiptarëve që nuk i kanë mjetet, mundësitë e një politikani, të një gazetari apo të një njeriu të institucioneve për të verifikuar e për të dalluar gënjeshtrën nga e vërteta që thuhet.

Të rinjtë në Kuvendin e ri të Shqipërisë duhet të sforcohen shumë për të qenë ndryshe. Të majtë apo të djathtë qofshin, duhet të fokusohen në dëshirën e madhe për të qenë konstruktivë dhe jo shkatërrues, dëgjues të aftë dhe jo sulmues, të ndjeshëm për të kuptuar një ide të mirë edhe mes kundërshtarëve dhe një qëllim të vlefshëm edhe mes më të papëlqyerve. Të rinjtë në Kuvendin e ri të Shqipërisë duhet të jenë bashkues të një vendi të vogël të copëtuar përherë; nga të huajt, por më së shumti prej vetë nesh.

Spektakli i trishtë i disave prej tyre në politikën parazgjedhore, të cilët u panë me shpresë e besim, zhgënjeu shumë. Në vend që të ngrinin partitë në nivelin e ëndrrave, ishin partitë, ambicja për pushtet të shpejtë dhe pa kushte, që i dërrmoi si kokrra rrushi të shtypur nën këmbët e kënaqura të politikës së vjetër.

Nuk do të lodhemi asnjëherë për të inkurajuar më të mirët mes nesh, në politikë a në shoqërinë shqiptare e cila, pas tranzicionit të lodhshëm ka kaq shumë nevojë për paqen dhe qetësinë e mendjes dhe të zemrës. Sepse, vetëm nën tingujt e çmuar dhe të rrallë që sjell ekuilibri, respekti mes njerëzve dhe institucioneve, mund të bëhemi gjithnjë e më të mirë duke gjetur rrugën tonë të duhur dhe të merituar në qytetërim.

 

 

 

 

The post Kuvendi i ri, të rinjtë e politikës duhet të jenë bashkues first appeared on JavaNews.al.

  •  

Po djegim pyje, po lëndojmë pemë… disa po zhduken

Nga Alba Malltezi

Mijëra hektarë pyje e kullota u dogjën këtë verë. Jo pak, 57 mijë, që për vendin tonë të vogël, janë një pafundësi. Është një shifër e dhënë nga Sistemi Europian i Informacionit për Zjarret dhe Pyjet. Por kjo që pamë këtë verë nuk nisi këtë verë, vetëm me çmendurinë e ndonjë piromani. Sa më shumë pemë presim, aq më nxehtë bëhet e aq më shumë zjarre krijohen. Sa më shumë pemë zhduken, aq më shumë shira të rrëmbyeshëm e rrëshkitje dheu të pakontrolluar do të kemi.

Në Raportin vjetor të vitit 2024 të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, publikuar sot te Shqiptarja.com, e gjitha kjo parashikohej. Madje shtrohet shqetësimi për zhdukjen përgjithmonë të disa drurëve tipikë, që në shekuj kanë bujtur në atdheun tonë, si për shembull bredhi europian, pisha skoceze, gështenja e kalit, lajthia e egër etj. nëse nuk kujdesemi, nuk i kemi më.

Shqipëria dhe shqiptarët nuk janë sot si në vitet e egra ’90, kur pyjet u masakruan, kafshët u vranë. Mentaliteti dhe ndjeshmëria për natyrën, të cilën po kemi mundësi ta prekim përherë e më nga afër, ka ndryshuar, është përmirësuar. Eshtë e pafalshme për brezin tonë të qëndrojmë indiferentë në këtë kohë e të rrezikojmë e cënojmë bashkëudhëtaren më të denjë: gjelbërimin, natyrën.

Shqipëria duhet të bëhet kampione e rigjenerimit të natyrës së saj. Ua kemi borxh Rilindasve që i thurën vargjet më të bukura të shkruara ndonjëherë. Nga Vermoshi në Konispol duhet të infektohemi nga bukuria prekëse që na rrethon dhe humbjen e djegien e një peme ta konsiderojmë si të humbim pjesë të dashura të jetës sonë.

The post Po djegim pyje, po lëndojmë pemë… disa po zhduken first appeared on JavaNews.al.

  •  

Simbolika e pallateve “ekzistuese” të kohëve të shkuara

Nga Alba Malltezi

Do të vijë një kohë kur më krenarët në vend do të jenë ata shqiptarë që ende jetojnë në apartamentet e pallateve të ashtuquajtura “ekzistuese”. I sheh nëpër Tiranë e nëpër Shqipëri këto ndërtesa të mbetura pezull në renë gjigande të memories dhe të asaj që ishim dikur: njerëz të thjeshtë.

Shumë vetë, me të drejtë, fokusohen në aktivitetet me synim goditjet e politikanëve dhe njerëzve të korruptuar të administratës shtetërore që po kryejnë prokuroritë më të rëndësishme shqiptare, duke filluar nga Spak, Prokuroria e Tiranës etj. Por një aspekt tjetër i jashtëzakonshëm është ai i goditjes së grupeve kriminale, që në dukje kanë mbuluar me luks fals qytete shqiptare, ndërsa në të vërtetë kanë mbërthyer prej vitesh zhvillimin normal të vendit, duke ua ulur kokën njerëzve të thjeshtë dhe të punës, duke shkelmuar sistemin meritokrat të suksesit, duke infektuar deri në gangrenë shoqërinë.

Në një vend të vogël dhe në zhvillim siç është Shqipëria jonë, perandori prej letre të “biznesmenëve” të ricikluar falë korrupsionit të drejtësisë, policisë, politikës dhe shpesh dhe mediave, në hetimet e përbashkëta të Shqipërisë dhe vendeve europiane, po bien duke treguar atë që janë realisht: Masa betoni, luksi përtej çdo logjike pune dhe suksesi.

Deri kur do të vazhdojmë të quajmë “biznesmenë” trafikantë apo ish-trafikantë droge, qëniesh njerëzore? Ka nga ata që i justifikojnë, ka nga ata që ua lavdërojnë trimërinë për t’u përballur e për t’i shpëtuar përndjekjeve të policive më të mira në botë: “Janë trima”, thonë. Pa menduar gjatë që këta trima përmbytin tregun tonë të vogël me paratë e tyre të pamata duke ngritur menjëherë çmimet e tokës, të imobiliareve, të çmimeve të konsumit të përditshëm, të aktiviteteve, të konkurrencës së pandershme. Një trafikant e ka të lehtë të bëjë lokalin më të bukur në krahasim me këdo, më të shkëlqyeshim, më design, duke lënë në hije ata që respektojnë rregullat dhe nuk janë aq trima sa shoqëria pretendon të jenë.  Një trafikant e ka mundësinë financiare të bëjë edhe biznesin më “in”, median më konkurruese e me teknologjinë më të fundit, partinë më shkëlqyese, po pastaj? Me të vërtetë mendojmë se mund të ecim përpara me “punën” e trafikantëve? Është vetëm çështje kohe zbulimi dhe rrëzimi i njëpas njëshëm tyre, njësoj si perandoritë e sudeve dhe alimuçajve. Askush nuk i shpëton logjikës dhe rendit të gjërave.

Do të vijë një kohë që të gjithëve do të na vijë turp për vilat gjigande gati Hollivudiane, për lokalet e bizneset që infiltrohen prej parave të trafikantëve… dhe i vetmi vend ku shpirti i shqiptari modern do të gjejë paqe janë dhe do të jenë apartamentet ekzistuese, me suvanë e tyre të rrjepur dhe me mungesën e ujit dhe të ashensorëve deri në katin e pestë.

The post Simbolika e pallateve “ekzistuese” të kohëve të shkuara first appeared on JavaNews.al.

  •  

Asgjë me tepri!

Nga Alba Malltezi

Kushedi pse grekët e lashtë në hyrje të Tempullit të Delfit, (kushtuar Apollonit, perëndia e dritës, e arsyes dhe e të vërtetës) gdhendën dy shprehje në gurë. Vetëm dy: “Njih vetveten!”… dhe: “Asgjë me tepri! (“Μηδὲν ἄγαν” (Mēdén ágan),”. Këtë të dytën e kopjuan dhe romakët duke e përshtatur me “aurea mediocritas” (“vija e mesme”), e shtjelluar dhe nga autorë si Oracio.

Për të njohur vetveten, dihet, është një rrugë e gjatë dhe e vështirë, e kuptuar nga shumë, por e parealizuar dot nga të gjithë. Nuk është e lehtë të njohësh vetveten, qoftë edhe të ndihmuar nga mjeshtër që rreth kësaj çdo gjë e dinë. Pa folur pastaj për ata që mes nesh janë të bindur që njohin shumë mirë vetveten dhe të tjerët.

Të bombarduar përditë nga njerëz që kanë shumë, lëvizin shumë, flasin shumë, hanë shumë, predikojnë shumë, falsifikojnë shumë, manipulojnë shumë, duan shumë, shpenzojnë shumë etj., vjen e natyrshme dëshira për të njohur ato kohë kur mençuria njerëzore, edhe jo fort larg nesh, prodhonte tempuj emorakuj që parashikonin dhe parandjenin, orientonin dhe drejtonin: Asgjë më tepër… ose asgjë me tepri!

Legjenda tregon se shqiponjat e Zeusit u takuan në Delfi dhe vendosën se aty do të ishte kërthiza e botës. Dhe nga kërthiza e botës nuk mund të vinte këshillë më e mirë se Asgjë me tepri… që këshillonte ekuilibër në të gjithë aktivitetet: Mos jeto me ekzagjerime! Mos e lër veten pre të pasioneve të pakontrolluara! Kërko përherë ekuilibër dhe sens të masës! Virtyte të shtjelluara më pas nga filozofë si Sokrati, Platoni, Aristoteli, por edhe nga besime të ndryshme fetare.

A e kemi të nevojshme në kohët tona t’ua vemë veshin orakujve dhe perëndive antike? Nëse nuk dëgjojmë njëri-tjetrin, nëse nuk kemi figura që i respektojmë dhe vlerësojmë, nëse vendosim në qendër të gjithçkaje egon tonë, duam s’duam, ndodhin gjëra që nuk i parashikojmë dot, nuk i frenojmë dot në të mirë të vetes dhe të tjerëve.

Veç Tempullit të Delfit në Greqinë antike, një tjetër Tempull fare afër nesh, ose, sipas disa autorëve shqiptarë, mes nesh, ishte dhe ai i Dodonës. I thjeshtë, me një lis gjigand në qendër të tij që quhej Lisi i Zeusit ku njerëzit shkonin dhe bënin pyetjet më të thjeshta të përditshmërisë: Si mund të shërohem? Ku të besoj? Si të zgjidh probleme familjare? A do të kem fëmijë? A duhet të hapim luftë me fqinjët etj. etj. Më pas shërbëtorët e Tempullit u jepnin përgjigje kujtdo duke dëgjuar fëshfërimat e pemëve të lisit dhe të objeketeve metalike të varura në të.

Sigurisht janë legjenda, bestytëni, supersticione, por njerëzimi në kohë të kohëve, në çdo mënyrë dhe kudo, ka kërkuar ndihmë për të qëndruar në ekuilibër, në shëndet, në sensin e masës dhe të harmonisë. Për ta arritur, çdo mjet është i mirë: një mik, një shok, një orakull, një prift, një vend, një hoxhë, një legjendë, një histori e sidomos, të gjithë bien dakord se nuk ka më mirë për të zgjidhur çdo problem kur motoja është: Asgjë me tepri! 

The post Asgjë me tepri! first appeared on JavaNews.al.

  •  

Turizmi, më të mirët nuk braktisen kurrë!

Nga Alba Malltezi

Me një celular në dorë, qytetarë shqiptarë dhe të huaj janë kontrollorët më të mirë e të saktë të cilësisë së turizmit që ofrojmë.

Askujt nuk duhet t’i mbetet hatri: vetëm kritikat dhe dëshmitë personale mund të na përmirësojnë. Nuk ka pse të hatërmbeten më të mirët!

Askush nuk do t’i braktisë për dhomat apo ushqimin perfekt që ofrojnë. Por  hileqarët, arrogantët, përfituesit duhet të jenë në lupën e të gjithëve, nën kontrollin e të gjithëve.

Nuk duhet marrë për bazë dëshmia e korruptuar, qoftë lavdëruese, qoftë kritikuese e personazheve Vip apo influencer që flasin për turizmin me pagesë. Larg tyre.

Dëshmia e njerëzve të thjeshtë mbetet përherë ajo me autentike. Në resorte, plazhe, restorante janë mësuar t’ua bëjnë shërbimin mirë të famshmëve, problemi mbetet me masën e madhe dhe anonime të pushuesve.

Dhe me demokracinë e rrjetit, edhe masa e ka marrë fuqinë denoncuese. Një oxhak me tym të zi në mes të Sarandës, një psikopat me makinë të shtrenjtë buzë detit nën këmbët e pushuesve, nuk shpëton nga filmimet dhe denoncimet!

Askush nuk duhet të ndjehet i prekur prej tyre. Më të mirët, nuk braktisen nga pushuesit, përkundrazi, radha para tyre do të shtohet.

The post Turizmi, më të mirët nuk braktisen kurrë! first appeared on JavaNews.al.

  •  

I gjithë Shteti tek Onkologjiku!

Nga Alba Malltezi

Është kaq e rëndë që në vite e vite gazetari, kur nëna të sëmura me kancer gjiri trokisnin në redaksi për të kërkuar ndihmë sepse i kthenin mbrapsht pa bërë terapitë, të konstatojmë se kjo histori tragjike në vendin tonë vazhdon.

Është një vello e zymtë dhe e mistershme forcash që lëvizin rreth këtij reparti dhe sa herë që ngre kokë, përmirësohet e lulëzon, i hidhet papritur përsipër për t’i marrë frymën. Aparate që prishen si të ishin më të dobëtat “karroca dyli” të vitit 2025, radhë pacientësh në temperaturat përvëluese të kësaj vere që duket se e nxehtë do të vazhdojë të jetë për shumë kohë.

Ndërsa shohim me çlirim se nëpër plazhe po krijohen më në fund hapësira publike për njerëz që nuk mund të paguajnë aq shumë sa për një shezlon, nga ana tjetër, në zemër të kryeqytetit, ngushtohen si në tuba që të çojnë në momente ferri, mundësitë për shërbim ndaj bashkëqytetarëve me barrën më të rëndë të jetës së tyre: përballjen me një tumor.

Ashtu si në bregdet, ku forca të ndryshme të Shtetit janë bërë bashkë për ta bërë Shqipërinë mikpritëse për të gjithë, te Onkologjiku, veç gazetarëve të përkushtuar, duhej të ishin akoma më shumë politikanë, organizata, institucione që të bëheshin bashkë për të ofruar, për të rregulluar, për të korrigjuar, për të survejuar që shqiptarëve në nevojë t’u krijohen kushte dinjitoze për t’u kuruar.

Onkologjiku, nga ankthi dhe tmerri duhet të kthehet një oaz mikpritje ku mjekët të dalin te dera e të takojnë buzagaz shqiptarët e sëmurë në këto ditë të nxehta.

Më vjen në mendje në 2011 një mjek i mirë i ish onkoligjikut tonë kur e pyeta se si mund të punonin në ato kushte të tmerrshme: “Çfarë të bëjmë, – më tha, – jemi mësuar!”. Për fat të mirë Onkologjiku sot është ndryshe nga ai i vitit 2011, por me gjithë zbukurimin struktural, aparatet vazhdojnë akoma të jenë nën diktatin e hileve të atyre që nuk duan të ndryshojnë.

I vetmi që mund të jetë më I fortë se çdo hile, është vetëm Shteti dhe strukturat e tij duhet të jenë të gjitha tek Onkologjiku. Të vëzhgojnë e të ndihmojnë.

The post I gjithë Shteti tek Onkologjiku! first appeared on JavaNews.al.

  •  

Luksi në turizmin tonë duhet të jetë si “bukë, kripë e zemër” për të gjithë…

Nga Alba Malltezi

Një port jahtesh në zonën turistike në Liguria është ndërtuar prej 1964. Janë 61 vite eksperiencë të turizmit lokal, global, e tani masiv. Liguria “përmbytet” nga turistë përvit. Në port ka shumë varka me vela dhe jahte të përmasave të ndryshme. Alessandro është një skipper (drejtues varke me vela) që nga jeta e chef-it të kuzhinës në Torino, tani jeton prej vitesh në portin turistik. Dikur “mollë e ndaluar” për masën, italianët e pasur, që shumicën e kohës nuk i përdorin varkat e tyre të çmuara, kanë gjetur një mënyrë për t’i bërë ato “popullore”: Shëtitje të shkurtra apo të gjata, aperitive në perëndimin e diellit, deklarata për fejesë apo martesë, mbrëmje romantike… e qindra ide të tjera i kanë hapur këto lundrues për njerëzit e thjeshtë, të cilët me shifra modeste mund të kalojnë orë mbresëlënëse. Mjafton një skipper apo një kooperativë e krijuar prej tyre dhe, sigurisht, respektimi dhe njohja e rregullave të rrepta të lundrimit.

Shqipëria tani është në hapat e parë të ndërtimit të marinave të cilat “premtojnë” të jenë superluksoze, superekskluzive; menaxherë të mirëpaguar sillen nga jashtë, të gatshëm t’ua bëjnë qejfin pronarëve e t’i mburrin se janë në vendin më ekskluziv dhe më të paparë në botën mbarë. Në vendin tonë të vogël, ku pak janë metrat katrorë, rrezikohet të krijohen mini-hapsira të aksesueshëm vetëm për pak vetë. Në kohën kur luksi në botën e qytetëruar hapet dhe bëhet më popullor, ne premtojmë ta mbyllim e ta krijojmë përmes çmimeve dhe rrethimeve, vende për pak të privilegjuar. Janë të njëjtat fytyra shqiptarësh që shihen kudo: në mal, në det, në resorte, në agriturizme të jetojnë dhe të ripropozojnë luksin tonë. Po sa shtëpi kanë? Dhe sa kohë kanë këta t’i jetojnë pasuritë që reklamojnë? Do të na duhet të kalojmë 61 vite eksperiencë të Ligurias për të kuptuar që e kundërta është rruga? E bukura duhet të jetë e prekshme për këdo.

Alessandro, skipper-i në portin në Liguria njeh të gjithë pronarët e varkave përreth: “I përdorin rrallë e më rrallë. Disa prej tyre po vendosin t’i japin për shërbime turizmi në kooperativën tonë”. “Buongiorno Dottore!”, përshëndet një zotëri plot sqimë që ecën mbi pedanën e drunjtë. “Ja ky doktor nga Milano është një nga ata që do të na besojë varkën e tij për ta vënë në përdorim gjatë vitit për shërbime turistike. Deri tani kemi 7 të tilla”.

Tek ne, në vend që të shfaqen të njëjtët, pak shqiptarë në vendet e luksit që po lindin në Shqipëri, a nuk do të ishte e udhës dhe tepër unikale që luksi të niste si “bukë, kripë e zemër” për të gjithë dhe jo si një mollë e ndaluar?

The post Luksi në turizmin tonë duhet të jetë si “bukë, kripë e zemër” për të gjithë… first appeared on JavaNews.al.

  •  

Epidemia finale pas të vërtetës së tradhëtuar

Nga Alba Malltezi

Ekziston një profesion, tashmë i lashtë dhe fisnik, që dikur mbështetej mbi një marrëveshje: të thuash të vërtetën. Ky profesion është gazetaria.

Ai që shkruan për të treguar faktet, ai që flet për të informuar popullin, ai që heton për të zbuluar padrejtësinë, nuk ka thjesht një punë. Ka një mision. Dhe ky mision quhet E Vërteta.

Por çfarë ndodh kur e vërteta nuk kërkohet më, por shmanget? Kur ai që duhet të zbulojë gënjeshtrat, i përqafon ato? Kur informacioni kthehet në spektakël, lajmet bëhen armë, dhe gënjeshtra vishet si e vërtetë?

Ndodh që bota sëmuret.

Gazetari që ndjek gënjeshtrën — për servilizëm, për pushtet, për frikë, për intrigë — nuk është thjesht një tradhtar i profesionit të vet. Ai është një mbjellës i kaosit. Sepse gënjeshtra, kur del nga goja e dikujt me autoritet, nuk është më një gabim: është helm.

Një popull që jeton në mashtrim humbet busullën. Nuk dallon më të drejtën nga manipulimi, realen nga e sajuara. Dhe në këtë mjegull, ai që gënjen bëhet mbret, dhe ai që kërkon të vërtetën bëhet një i çmendur që duhet të heshtë.

Por e vërteta nuk është kurrë e lehtë për t’u gjetur, ndryshe nga gënjeshtrat që prodhohen lehtësisht sepse nuk kanë nevojë të vërtetohen. Për të thënë të vërtetën një gazetari shpesh i duhet të paraqesë dy versione të të njëjtit fakt. Le të marrim shembullin e një procesi penal: krahas versionit të prokurorisë, gazetari ka për detyrë të paraqesë edhe versionin e mbrojtjes. Por kjo është një detyrë, jo një formë manipulimi. Të pretendosh të kundërtën është një gënjeshtër.

E megjithatë e Vërteta — ajo e vërtetë— nuk vdes. Mund të fshihet, të shkelet, të injorohet. Por ka një forcë të çuditshme: reziston. Dhe më në fund, kthehet. Edhe kur frikëson. Edhe kur kushton.

Të jesh gazetar do të thotë të kesh guximin të humbasësh diçka për të thënë të vërtetën. Do të thotë të zgjedhësh rrezikun, mosmirënjohjen, ndoshta edhe gabimin, por kurrë bashkëpunimin me gënjeshtrën.

Sepse heshtja përballë gënjeshtrës është një formë e hollë dhune. Dhe ai që hesht, duke ditur, është bashkëfajtor.

Sot më shumë se kurrë, në një botë të mbushur me zhurmë, me opinione të maskuara si fakte, me tituj që bërtasin për klikime, duhen rojëtarë. Duhen zëra të kthjellët, të qartë, të gatshëm të paguajnë çmimin për të qenë të ndershëm.

E vërteta nuk ka nevojë për heronj, por për dëshmitarë. Dhe nëse gazetarët nuk janë mes tyre, kush do ta tregojë botën siç është në të vërtetë?

Si një ortek që prej vitesh mbarset me gënjeshtra të fabrikuara, duket se sot, mbi shqiptarët po shohim epilogun e 30 viteve manipulim: Dihet kush i bën, dihet nga vijnë, njihet dora, stili, fryma. Po çdo ortek, e çdo epilog, sado i zhurmshëm, i frikshmë, apo i bujshëm, e ka një fund. Edhe në gazetarinë shqiptare, ky fund i manipuluesve profesionistë, është i pashmangshëm. Do të vijë.

The post Epidemia finale pas të vërtetës së tradhëtuar first appeared on JavaNews.al.

  •  

A nuk janë një kryevepër të Drejtat e Njeriut?!

Nga Alba Malltezi

Mendoni që dokumenti i parë “ligjor” me të cilin njerëzit dëshiruan të rregullonin bashkëjetesën me njëri-tjetrin, daton në vitin 250 para Krishtit. Bëhet fjalë për shkrimin numër 12 shkruar në gurin Ashoka, gjetur në zonat e Indisë, Nepalit të sotëm, Bangladeshit dhe Pakistanit, U gjetën 33 të tilla dhe ai me numrin 12, konsiderohet si guri i themelit i të drejtave të barabarta mes njerëzve dhe flet për të drejtën e barabartë të adhurimit të Perëndive. Ja çfarë shkruhet në atë agim të bashkëjetesës njerëzore:

“Mbreti Piyadassi, i dashur për perënditë, i nderon të gjitha fetë, si ato të asketëve, ashtu edhe të laikëve, me bujari dhe forma të ndryshme respekti. Por ai nuk mendon aq shumë për liberalitetin apo nderimet, sa për përparimin e vërtetë që mund të bëhet në të gjitha fetë. Progresi real ka forma të ndryshme, por rrënja e tij është moderimi në lavdërimin e fesë së vet dhe në kritikimin e fesë së të tjerëve; dhe të flasë për këtë duhet të mendohet mirë dhe duhet të ketë respekt. Ne duhet të respektojmë gjithmonë fetë e të tjerëve. Duke vepruar në këtë mënyrë ju lartësoni fenë tuaj dhe nuk ofendoni të tjerët; Duke vepruar ndryshe, njeriu dëmton fenë e vet dhe të tjerët.”

Mbishkrimet Ashoka janë një koleksion prej 33 shkrimesh, si në gurë dhe në muret e shpellave, të bëra nga perandori Ashoka i dinastisë Mauryan gjatë mbretërimit të tij nga viti 269 para Krishtit deri në vitin 231.

Në mijëvjeçarin e tretë pas Krishtit, njerëzimi është përplasur në luftëra të egra për keqkuptime, për territore, për urrejtje raciale apo fetare dhe nuk ka reshtur së krijuari probleme ashtu si me të njëjtën dëshirë dhe forcë ka dashur përherë t’i zgjidhë ato. Pas luftës së Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Europa, arritën me shumë vështirësi dhe vullnet të mirë të krijojnë dy hapësira të mrekullueshme ku Dinjiteti njerëzor respektohej në mënyrën më të mirë të mundshme, më afër perfektes, duke e përmirësuar atë përmes ligjeve dhe luftës për të drejtat civile. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Europa, u shndërruan në dekada e dekada si hapësirat ku ëndrra njerëzore e parajsës ishte më afër të vërtetës.

Ja pse sot, mbrojtja e të drejtave të arritura, duhet të jetë për këdo, prioritare. Duhet të konsiderohet si pika e ujit që duhet shpëtuar në shkretëtirën e rrezikshme të pandjeshmërisë teknologjike.

Kombet e Bashkuara miratuan me 10 dhjetor 1948, në Paris, listën e të Drejtave të Njeriut, që është një “simfoni” e cila harmonizon bashkëjetesën në globin tonë. Meqë shpesh harrojmë dhe marrim si të mirëqena shumë të drejta të arritura me sakrifica të jashtëzakonshme, ja disa prej tyre të paraqitura të përmbledhura dhe të thjeshtuara për këdo: A nuk janë një kryevepër?

Kombet e Bashkuara: Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut

Versioni i thjeshtuar i 30 neneve të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut u krijua posaçërisht për të rinjtë.

1. Të gjithë lindim të lirë dhe të barabartë! Të gjithë kemi lindur të lirë. Të gjithë kemi mendimet dhe idetë tona. Të gjithë duhet të trajtohemi në mënyrë të barabartë.

2. Mos diskriminoni! Këto të drejta i takojnë të gjithëve, pavarësisht nga dallimet tona.

3. E drejta për jetën! Ne të gjithë kemi të drejtën për të jetuar dhe për të jetuar të lirë dhe të sigurt.

4. Jo skllavërisë! Askush nuk ka të drejtë të na robërojë. Ne nuk mund ta bëjmë askënd skllavin tonë.

5. Jo torturës! Askush nuk ka të drejtë të na dëmtojë apo të na nënshtrojë ndaj torturave.

6. Ju keni të drejta kudo që shkoni! Unë jam një person si ju!

7. Të gjithë jemi të barabartë përpara ligjit! Ligji është i njëjtë për të gjithë. Ai duhet të na trajtojë të gjithëve me drejtësi.

8. Të drejtat tuaja të njeriut mbrohen nga ligji! Ne të gjithë i drejtohemi ligjit kur nuk trajtohemi në mënyrë të drejtë.

9. Nuk duhet të ekzistojë paraburgimi i padrejtë! Askush nuk ka të drejtë të na futë në burg pa arsye të mjaftueshme dhe të na mbajë atje ose të na dëbojë nga vendi ynë.

10. E drejta për gjykim. Nëse na nxjerrin në gjyq, duhet të jetë një akt publik. Personi që gjykon nuk duhet të lejojë askënd t’i thotë se çfarë të bëjë.

11. Ne jemi gjithmonë të pafajshëm derisa të provohet faji. Askush nuk duhet të fajësohet se ka bërë diçka në mungesë të provave. Kur njerëzit thonë se kemi bërë diçka të keqe, ne kemi të drejtë të vërtetojmë se nuk është e vërtetë.

12. E drejta për privatësi. Askush nuk duhet të përpiqet të dëmtojë emrin tonë të mirë. Askush nuk ka të drejtë të hyjë në shtëpinë tonë, të hapë letrat tona apo të shqetësojë ne apo familjen tonë pa arsye të mirë.

13. Liria e Lëvizjes. Të gjithë kemi të drejtë të shkojmë ku të duam në vendin tonë dhe të udhëtojmë ku të duam.

14. E drejta për të kërkuar një vend të sigurt për të jetuar. Nëse kemi frikë se mos keqtrajtohemi në vendin tonë, ne kemi të drejtë të shkojmë në një vend tjetër për të qenë të sigurt.

15. E drejta për shtetësi. Të gjithë kemi të drejtë t’i përkasim një vendi.

  •  

Llogaria është e thjeshtë: 12 vjet në opozitë dhe mund të paguajnë LaCivita-n

Nga Alba Malltezi

Llogaria është e thjeshtë: 12 vjet në opozitë dhe mund

Ndërsa shumë prej shqiptarëve presin hetimet dhe llogaritë e SPAK të kuptojnë se ku kanë shkuar, ku janë fshehur, ku përdoren paratë e korrupsionit të politikanëve shqiptarë, sfida e disave prej tyre tashmë është haptazi fare. Pas vilave, jetës së luksit, pallateve, kullave, asgjë nuk i ndal.

Në delirin e nisjes së një fushata elektorale të ashpër, lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi pa asnjë ndroje se ka punësuar pikërisht ish-marinsin me medalje Chris LaCivita, konsulentin politikan të Republikanëve amerikanë, për të ëndërruar në fitoren e zgjedhjeve të 11 majit 2025 në Shqipëri. Po, po tamam, LaCivita, shoqëria e të cilit për fushatën e Donald Trump të 2024 ka fituar 19,2 milionë dollarë.

Lajmi që Berisha, Mediu, Noka, Gjin Gjoni, Këlliçi etj. etj. do të kenë për strategjinë e tyre elektorale një prej studiove më të shtrenjta në botë, duket se po përcillet me gëzim nga shumë nga ata që ose nuk duan, ose nuk dinë të kuptojnë. Si munden ta paguajnë? Apo Këlliçi do të lërë orën e tij peng, Gjin Gjoni dyqane e vila, Berisha, Mediu, Noka e të tjerë, dihet, në sy të të gjithëve se sa dhe çfarë kanë.

Po a mund të arrijnë shifrat stratosferike 19 milionë dollarë, apo më shumë apo më pak?

Iluzionet do të bëjnë që të dëgjojmë në këto ditë si justifikim të paimagjinueshmen: Për shembull se Chris LaCivita do ta bëjë si bamirësi ndihmën që do të japë, apo se i ka bërë ulje çmimi, apo se kështu apo ashtu. Nuk kuptohet sepse LaCivita nuk e kishte menduar “skonton” për presidentin e ardhshëm më të fortë në Botë, Donald Trump, për të bërë në vend të 19 milionëve dollare, rreth 150 dollare, me mik.

Nuk do të dëgjojmë asnjë pyetje të tillë nga gazetarët ku këta politikanë do të shkojnë e të mburren se si ja bënë dhe si do të vazhdojnë të kenë avokatët dhe konsulentët më të shtrenjtë në botë për hallet e tyre, ndërsa votat t’i kërkojnë nga vendi më i varfër në Europë.

  •  
❌