Reading view

ASHK: Si të rifreskoni online kartelën e pasurisë dhe hartën kadastrale

Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) ka rikujtuar se kartela e pasurisë dhe harta kadastrale mund të rifreskohen në çdo kohë online, përmes një aplikimi të vetëm në e-Albania.

Sipas ASHK-së, kartela e pasurisë përmban të dhëna për pronarin ose bashkëpronarët, numrin e pasurisë, volumin dhe faqen, zonën kadastrale, si dhe informacione të tjera mbi pronën.

Ndërsa harta kadastrale tregon kufijtë e pronës, madhësinë dhe pozicionin e saj.

Për të aplikuar, qytetarët duhet të hyjnë në e-Albania dhe të zgjedhin shërbimin “Aplikim për lëshim kopje kartele të pasurisë”. Në mënyrë automatike do të përzgjidhet edhe shërbimi “Aplikim për lëshim kopje të fragmentit të hartës kadastrale”.

Më pas, duhet të përzgjidhet pasuria, të plotësohet formulari elektronik, të dërgohet aplikimi dhe të kryhet pagesa, e cila mund të bëhet online, në bankë ose përmes postës.

ASHK ka rikujtuar gjithashtu se këto shërbime mund të aplikohen edhe me procedurë të përshpejtuar, duke zgjedhur shërbimin me kodin “PP” përpara emërtimit.

The post ASHK: Si të rifreskoni online kartelën e pasurisë dhe hartën kadastrale appeared first on Revista Monitor.

  •  

Energjia, ALPEX tregton 1.37 TWh deri në korrik, faturimet e Kosovës kalojnë ato të Shqipërisë

Tregtimi i energjisë elektrike në bursën ALPEX arriti në 1.37 TWh në Tregun e Ditës në Avancë gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2026, ndërsa faturimi blerje-shitje i raportuar sipas zonave të ofertimit arriti në rreth 129.5 milionë euro në Kosovë dhe 115.4 milionë euro në Shqipëri. Konkretisht volumi i tregtuar në periudhën janar-korrik, i përllogaritur nga të dhënat mujore të ALPEX-it, ishte 1,366,177.62 MWh kurse çmimi mesatar klerues mujor lëvizi nga 60.02 euro/MWh në shkurt, niveli më i ulët i shtatëmujorit, në 112.24 euro/MWh në korrik, kur u regjistrua edhe volumi më i lartë mujor i periudhës.

Korriku mbylli shtatëmujorin me 226,279.55 MWh energji të tregtuar në Tregun e Ditës në Avancë. Çmimi mesatar klerues ishte 112.24 euro/MWh, ndërsa faturimi blerje-shitje në DAM arriti në 45.43 milionë euro, nga 42.25 milionë euro në korrik 2025. Në të njëjtin muaj të vitit të kaluar, volumi i tregtuar kishte qenë 172,675.47 MWh dhe çmimi mesatar 127.63 euro/MWh.

Në fillim të vitit, ALPEX raportoi 186,967.58 MWh në janar, me një çmim mesatar prej 97.15 euro/MWh. Në shkurt volumi arriti në 197,439.91 MWh, ndërsa çmimi klerues mesatar zbriti në 60.02 euro/MWh. Marsi regjistroi 165,316.69 MWh me çmim 96.89 euro/MWh, ndërsa në prill u tregtuan 190,103.16 MWh me një çmim mesatar prej 84.77 euro/MWh.
Volumi vijoi me 202,906.62 MWh në maj, kur çmimi mesatar ishte 89.95 euro/MWh, dhe me 197,164.11 MWh në qershor, me çmim 91.55 euro/MWh.

Faturimi i energjisë

Por si paraqiten ne fakt faturimet muaj pas muaji? Në janar, faturimi ishte 21.06 milionë euro në Kosovë dhe 16.29 milionë euro në Shqipëri. Në shkurt, tabelat zonale të ALPEX-it raportuan përkatësisht 15.45 milionë euro dhe 14.24 milionë euro, ndërsa në mars vlerat arritën në rreth 19.07 milionë euro për Kosovën dhe 15.10 milionë euro për Shqipërinë.
Në prill, faturimi blerje-shitje ishte 17.19 milionë euro në Kosovë dhe 13.19 milionë euro në Shqipëri. Në maj, shifrat arritën në 18.70 milionë euro dhe 16.70 milionë euro respektivisht. Në qershor, faturimi ishte pothuajse i njëjtë në të dyja zonat, me 16.34 milionë euro në Shqipëri dhe 16.15 milionë euro në Kosovë.
Korriku ndryshoi raportin mes dy zonave, me faturimin në Shqipëri që arriti në 23.55 milionë euro, kundrejt 21.88 milionë eurove në Kosovë. Për zonën shqiptare, ky ishte niveli më i lartë mujor i faturimit gjatë shtatë muajve të parë të vitit.
Të dhënat e ALPEX-it tregojnë gjithashtu ndryshim të drejtimit të rrjedhave ndërkufitare gjatë periudhës. Në janar u raportuan 50,524.93 MWh nga Shqipëria drejt Kosovës dhe 6,668.32 MWh në drejtimin e kundërt. Në maj, rrjedha nga Shqipëria drejt Kosovës arriti në 75,654.45 MWh. Në korrik, ALPEX raportoi 68,570.55 MWh nga Kosova drejt Shqipërisë, krahasuar me 4,714.22 MWh në drejtimin Shqipëri-Kosovë.

 

The post Energjia, ALPEX tregton 1.37 TWh deri në korrik, faturimet e Kosovës kalojnë ato të Shqipërisë appeared first on Revista Monitor.

  •  

Fermerët paralajmërojnë rikthimin e protestave në shtator, duan naftë pa akcizë dhe subvencione

Subvencionet e ulëta në bujqësi dhe blegtori, krahasuar me vendet e rajonit, kostot e larta të prodhimit, mungesa e kanaleve ujitëse dhe heqja e naftës pa akcizë janë ndër problematikat kryesore që vijojnë të penalizojnë fermerët dhe konkurrueshmërinë e sektorit.

Përballë këtyre vështirësive, fermerët dhe blegtorët paralajmërojnë rikthimin e protestave në fillim të muajit shtator, nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Në javën e parë të shtatorit, përfaqësues të fermerëve dhe blegtorëve pritet t’i drejtohen Ministrisë së Bujqësisë me një paketë kërkesash, që lidhen kryesisht me skemën kombëtare të bujqësisë, subvencionet, TVSH-në dhe kostot e prodhimit.

Ndër kërkesat kryesore që anëtarë të Shoqatës së Blegtorëve Prodhues të Qumështit pohuan për Monitor pritet të jetë rishikimi i skemës kombëtare, veçanërisht heqja e pragjeve për përfitimin e rimbursimeve direkte për bagëtitë. Blegtorët do të kërkojnë gjithashtu rritjen e subvencionit për lopët nga 12 mijë në 20 mijë lekë për krerë, uljen e TVSH-së dhe rregullimin e etiketimit të produkteve të bulmetit vendas, që prodhohen me qumësht të freskët, por të importuar.

Nëse këto kërkesa nuk reflektohen në ndryshimet fiskale dhe në skemën kombëtare për vitin 2027, fermerët paralajmërojnë protesta. Sipas tyre këtë herë në protestë po diskutohet të zbresin edhe traktorët, duke e zhvendosur plotësimin e kërkesave përtej protestave të zakonshme të zhvilluara edhe më parë nga fermerët.

Subvencionet dhe nafta pa akcizë kërkesat kryesore të fermerëve

Për blegtorët, problemi kryesor mbetet hendeku i mbështetjes shtetërore me vendet e rajonit. Dashamir Çela, drejtues i një ferme me 60 krerë lopë në fshatin Samaticë të Beratit, thotë për Monitor se mungesa e konkurrueshmërisë po e bën gjithnjë e më të vështirë vijimin e aktivitetit.

“Blegtoria është në ditët e saj më të këqija. Mungesa e konkurrueshmërisë është një nga problemet kryesore me të cilat po hasen edhe ata pak blegtorë që kanë mbetur në vend. Ne prodhojmë me kosto të lartë për shkak të një sërë problemesh që ka sektori, që nga çmimi i lartë i naftës, mungesa e kanaleve ujitëse etj., dhe subvencionet e ulëta.

Sot, një blegtor në Serbi merr subvencione direkte për krerë lopë prej 350 eurosh. Përveç kësaj, paguhet edhe 16 lekë për litër qumësht të prodhuar. Në vit, një blegtor me një madhësi ferme të ngjashme me timen përfiton 45 mijë euro subvencione.

Me këtë subvencion, fermeri në Serbi, por edhe në vende të tjera të rajonit, e ka fitimin të mbrojtur nga shteti. Prandaj edhe qumështin e shet më lirë sesa fermeri shqiptar, pothuajse me koston e prodhimit.

Ndërsa ne përfitojmë 12 mijë lekë subvencion për lopë dhe, me ndryshimet e fundit të skemës, u hoqën subvencionet për viçat.

Rishikimi i subvencioneve, pra rritja e masës së tyre dhe heqja e pragjeve për krerët, mbetet një nga kërkesat kryesore të sektorit, për të cilat ne kërkojmë zgjidhje përmes ndërhyrjeve fiskale në hartimin e projektbuxhetit dhe paketës së ardhshme fiskale”, pohon ai.

Diferenca me vendet e rajonit, sipas blegtorëve po ndikojnë drejtpërdrejt me çmimet e qumështit dhe furnizimet e përpunuesve.

Sipas ekspertëve të bujqësisë në Kosovë, subvencionet arrijnë në 600 euro për një krerë lopë. Në Maqedoninë e Veriut, fermeri subvencionohet me 250 euro për krerë lopë, plus 10 lekë për litër qumësht lope të prodhuar. Në total mbështetja vjetore arrin në rreth 900 euro për qumështin.

Kjo diferencë në masën e subvencioneve direkte, përfshirë kostot e larta të ushqimit të kafshëve, çmimit të lartë të naftës për punimin e tokave vijojnë të krijojnë presion të dyfishtë te fermeri vendas, që nga njëra anë i rriten kostot dhe nga ana tjetër nuk arrin të konkurrojë prodhuesit e rajonit.

Në muajin mars të këtij viti, qeveria rishikoi skemën kombëtare të bujqësisë. Një nga ndryshimet më të debatueshme ishte heqja e naftës pa akcizë, skemë që aplikohej që prej vitit 2021.

Ministria e Bujqësisë argumentoi se lehtësirat e fermerëve do të kompensoheshin përmes një skeme të re, që parashikon kompensimin e 10% të TVSH-së së paguar për inputet bujqësore, përmes autofaturave të blerjeve të lëshuara nga përpunuesit.

https://monitor.al/miratohet-skema-kombetare-e-bujqesise-2026-rriten-subvencionet-per-lopet-bagetite-dhe-te-mbjellat/

Nga ana tjetër, ndryshimet sollën rritjen e masës së disa subvencioneve direkte dhe uljen e pragjeve të numrit të kafshëve për përfitimin e tyre.

Nëse një blegtor në vitin 2025 përfitonte 10 mijë lekë subvencion direkt, për vitin 2026 me ndryshimet e miratuara, përfiton 12 mijë lekë për krerë. Ndërsa mbështetja për bagëtitë e imëta u rrit nga 1,200 në 1,500 lekë.

Skema e re përgjysmoi edhe pragjet e numrit të kafshëve në fermë për përfitimin e subvencioneve. Pragu për fermat me lopë u ul nga jo më pak se 10 lopë në jo më pak se 5 lopë. Për bagëtitë e imëta, pragu u ul nga 100 në 50 krerë.

Por ndryshimet nuk u mirëpritën nga fermerët dhe blegtorët, të cilët kërkojnë mbështetje më të madhe dhe masa që sipas tyre të garantojnë konkurrueshmërinë e prodhimit vendas.

Në fillim të muajit prill, qindra fermerë protestuan para Ministrisë së Bujqësisë. Ndër kërkesat kryesore ishte rikthimi i naftës pa akcizë dhe rritja e subvencioneve për lopët.

https://monitor.al/qindra-fermere-ne-proteste-kerkojne-rikthimin-e-skemes-se-naftes-dhe-rritje-te-subvencioneve/

Heqja e skemës së naftës erdhi në një periudhë kur kostot e karburanteve dhe të inputeve bujqësore ishin në rritje, duke shtuar presionin mbi fermerët.

Pas disa orësh protestë, një përfaqësi e fermerëve zhvilloi takim me ministrin e Bujqësisë dhe atë të Financave, ku u diskutuan mundësitë për rishikimin dhe plotësimin e kërkesave në muajin shtator.

Përfaqësuesit e sektorit pohuan për Monitor se kërkojnë që ndryshimet të reflektohen përpara hartimit të paketës fiskale dhe projektbuxhetit për vitin 2027. Në të kundërt, protestat mund të rikthehen, këtë herë me një kërkesë më të gjerë për uljen e kostove dhe rritjen e mbështetjes për sektorin vendas./ D.Azo

The post Fermerët paralajmërojnë rikthimin e protestave në shtator, duan naftë pa akcizë dhe subvencione appeared first on Revista Monitor.

  •  

Western Balkans gets just 11% of Growth Plan funds with one year left

 

Western Balkan countries remain far from fully utilising the European Union’s €6 billion financial package. From 2024 through May 2026, only €673.6 million, or 11.2% of the Growth Plan, had been disbursed, while approximately €5.33 billion remained undistributed, according to data from WeBalkans.eu, the EU’s communication platform for the Western Balkans.

The figures show that, with just over a year remaining until the final deadline, the region has received only a small portion of the funding made available. All projects supported under the Growth Plan must be completed by the end of 2027, and no extension of the deadline is envisaged.

The Growth Plan consists of €4 billion in concessional loans and €2 billion in grants. Unlike traditional assistance programmes, payments are directly linked to the implementation of reforms set out in each country’s Reform Agenda. Partners report twice a year, after which the European Commission determines whether the targets have been satisfactorily met.

Montenegro and Albania lead the region in terms of the proportion of allocated funds disbursed, although both countries have received less than one-quarter of the financing available to them.

According to official data, Montenegro has received €89.3 million out of an allocated €383.5 million, or approximately 23.3%. Albania has received €212.8 million out of €922.1 million, representing around 23.1% of its allocation.

North Macedonia has received €142.1 million out of €750.4 million, or 18.9%. Serbia, which has the largest financial package in the region, has received only €167.5 million out of approximately €1.59 billion, or 10.6%.

Kosovo has received €61.8 million out of €882.6 million, equivalent to only 7% of the amount allocated. Bosnia and Herzegovina has yet to receive any funding under the instrument.

The financing planned for Bosnia and Herzegovina has also been reduced by 10%, from €1.085 billion to €976.6 million, as the country was the last in the region to finalise its Reform Agenda.

Disbursed Funds Have Not Necessarily Been Spent

Even the 11.2% figure reflects funds released by the European Union and does not necessarily represent completed investments. In the latest €49 million instalment for Albania, for example, €22.8 million was transferred to the state budget, while the remainder was made available for investment projects through the Western Balkans Investment Framework, subject to the approval of the relevant procedures.

The same arrangement applies to the other countries. Of the €44.2 million instalment for Montenegro, €20.6 million was transferred to the state budget, while €30.6 million of North Macedonia’s €65.7 million instalment was paid directly into its budget. The remaining funds are earmarked for projects in transport, energy, digitalisation and human capital.

This means that the actual level of implementation and use of funds in specific projects may be lower than the amount reported as disbursed.

The slow pace of reforms could also cost the region’s countries part of the available financing. According to WeBalkans, Western Balkan partners, excluding Bosnia and Herzegovina, collectively risk losing more than €333 million if they fail to meet reform targets linked to the June 2026 deadline. Bosnia and Herzegovina has been granted an extended deadline until December.

Countries that fail to fulfil their commitments may lose their allocated funds, which could subsequently be reallocated to other countries in the region./ B.Hoxha

The post Western Balkans gets just 11% of Growth Plan funds with one year left appeared first on Revista Monitor.

  •  

Ballkani Perëndimor, sa janë disbursuar fondet e Planit të Rritjes, si renditet Shqipëria

 

Vendet e Ballkanit Perëndimor mbeten ende larg shfrytëzimit të plotë të paketës financiare prej 6 miliardë eurosh të Bashkimit Europian. Nga viti 2024 deri në maj 2026, janë disbursuar vetëm 673.6 milionë euro, ose 11.2% e Planit të Rritjes, ndërsa rreth 5.33 miliardë euro mbeten ende të pashpërndara, sipas të dhënave të WeBalkans.eu, platformës së komunikimit të BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Të dhënat tregojnë se, me pak më shumë se një vit të mbetur deri në afatin përfundimtar, rajoni ka marrë vetëm një pjesë të vogël të financimit në dispozicion. Të gjitha projektet e mbështetura nga Plani i Rritjes duhet të përfundojnë deri në fund të vitit 2027 dhe nuk parashikohet shtyrje e afatit.

Plani i Rritjes përbëhet nga 4 miliardë euro kredi me kushte të favorshme dhe 2 miliardë euro grante. Ndryshe nga programet tradicionale të ndihmës, pagesat lidhen drejtpërdrejt me zbatimin e reformave të përcaktuara në Agjendën e Reformave të secilit vend. Vendet raportojnë dy herë në vit dhe më pas Komisioni Europian vlerëson nëse objektivat janë përmbushur në mënyrë të kënaqshme.

Mali i Zi dhe Shqipëria kryesojnë rajonin për nga përqindja e fondeve të disbursuara, megjithëse të dyja vendet kanë marrë më pak se një të katërtën e financimit të vënë në dispozicion.

Sipas të dhënave zyrtare, Mali i Zi ka marrë 89.3 milionë euro nga 383.5 milionë euro të alokuara, ose rreth 23.3%. Shqipëria ka marrë 212.8 milionë euro nga 922.1 milionë euro, ose rreth 23.1% të shumës së saj.

Maqedonia e Veriut ka marrë 142.1 milionë euro nga 750.4 milionë euro, ose 18.9%. Serbia, që ka paketën më të madhe financiare në rajon, ka marrë vetëm 167.5 milionë euro nga rreth 1.59 miliardë euro, ose 10.6%.

Kosova ka marrë 61.8 milionë euro nga 882.6 milionë euro, e barabartë me vetëm 7% të shumës së alokuar. Bosnjë-Hercegovina nuk ka marrë ende asnjë fond në kuadër të këtij instrumenti.

Financimi i planifikuar për Bosnjë-Hercegovinën është ulur gjithashtu me 10%, nga 1.085 miliardë euro në 976.6 milionë euro, pasi vendi ishte i fundit në rajon që përfundoi Agjendën e Reformave.

Fondet e disbursuara nuk do të thotë domosdoshmërisht se janë shpenzuar

Edhe shifra prej 11.2% i referohet fondeve të lëvruara nga Bashkimi Europian dhe jo domosdoshmërisht investimeve të përfunduara.

Në këstin e fundit prej 49 milionë eurosh për Shqipërinë, për shembull, 22.8 milionë euro u transferuan në buxhetin e shtetit, ndërsa pjesa tjetër u vu në dispozicion për projekte investimi përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor, në varësi të miratimit të procedurave përkatëse.

I njëjti mekanizëm zbatohet edhe për vendet e tjera. Nga kësti prej 44.2 milionë eurosh për Malin e Zi, 20.6 milionë euro u transferuan në buxhetin e shtetit, ndërsa nga kësti prej 65.7 milionë eurosh për Maqedoninë e Veriut, 30.6 milionë euro u paguan drejtpërdrejt në buxhet. Fondet e mbetura janë të destinuara për projekte në transport, energji, dixhitalizim dhe kapital njerëzor.

Niveli real i zbatimit dhe përdorimit të fondeve në projekte konkrete mund të jetë më i ulët se shuma e raportuar si e disbursuar.

Ritmi i ngadaltë i reformave mund t’u kushtojë vendeve të rajonit edhe një pjesë të financimit në dispozicion. Sipas WeBalkans, vendet e Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Bosnjë-Hercegovinës, rrezikojnë të humbasin në total më shumë se 333 milionë euro nëse nuk përmbushin objektivat e reformave të lidhura me afatin e qershorit 2026. Bosnjë-Hercegovinës i është dhënë një afat i zgjatur deri në dhjetor.

Vendet që nuk përmbushin angazhimet e tyre mund të humbasin fondet e alokuara, të cilat më pas mund të rishpërndahen te vendet e tjera të rajonit./ B. Hoxha

 

The post Ballkani Perëndimor, sa janë disbursuar fondet e Planit të Rritjes, si renditet Shqipëria appeared first on Revista Monitor.

  •  

Kërkuan 12 mln euro dëmshpërblim, më 19 Shtator operatorët e naftës përballen me qeverinë në Gjykatë

Hapet rruga gjyqësore për operatorët e naftës që kanë paditur shtetin për mënyrën e përcaktimit të çmimeve nga Bordi i Transparencës.

Burime nga tregu i hidrokarbureve konfirmuan për Monitor se më 19 shtator, në Gjykatën Administrative pritet të zhvillohet seanca e parë për shqyrtimin e padisë së një prej kompanive.

Nga Gjykata Administrative shqyrtimi i padive do të bëhet veçmas për secilin operator, pasi edhe paditë janë depozituar individualisht pranë gjykatës.

Paditë janë depozituar pranë Gjykatës Administrative në mesin e muajit korrik.

Në total janë 8 operatorë të importit dhe tregtimit të karburanteve që kërkojnë rreth 11,8 mln  euro dëmshpërblim për humbjet që pretendojnë se u janë shkaktuar nga llogaritja e çmimeve nën kosto nga Bordi i Transparencës.

Kompanitë e naftës kërkojnë 12 mln euro dëmshpërblim nga qeveria për llogaritje të gabuar të çmimit

Në muajin maj rreth 2 muaj pas riaktivizimit të Bordit të Transparencës, që vijoi të rillogarisë çmimet e karburanteve me të njëjtën formulë të përdorur në vitin 2022 në krizën e luftës në Ukrainë, importuesit paralajmëruan qeverinë se do ta hedhin në gjyq dhe do të kërkojnë dëmshpërblim për llogaritjen nën kosto të çmimit të naftës.

Sipas tyre, qeveria vijoi të përdorë të njëjtën metodologji të gabuar, duke përllogaritur bëhet në bazë të çmimit FOB (Free on Board), që nuk merr në konsideratë transportin dhe sigurimin, dhe jo të çmimit CIF, që përfshin transport e sigurim dhe që e rrisin edhe me 45-50 dollarë për ton çmimin e blerjes (që nga viti 2024, kompanitë e tregtimit ndërkombëtar nuk operojnë më mbi bazën e kontratave FOB, por mbi bazën e kontratave CIF).

Ndërsa çmimi i vendosur nga Bordi bazohej në treguesin FOB, doganat kanë llogaritur TVSH-në mbi treguesin CIF. Por kjo diferencë krijon humbje te operatorët me 4.7 lekë për litër.

Kompanitë e naftës do të hedhin në gjyq qeverinë, duan kompensim për llogaritje të gabuar të çmimit

Ndërsa në tregun e pakicës në vend çmimet e naftës vijojnë të shtrenjtohen për shkak të përshkallëzimeve të luftës në Lindjen e Mesme dhe bllokimit të ngushticës së Hormuzit ku kalon rreth 1/5 e prodhimit botëror të naftës.

Kjo ka sjellë rritje të ndjeshme të çmimit të naftës Platts me të cilën llogaritet çmimi i naftës për zhdoganim në tregun vendas. Nga 1300 USD/ton që ishte 6 ditë më parë, çmimi arriti në 1,450 USD për ton.

Luhatja e çmimit në bursat e huaja solli shtrenjtim të çmimit të naftës dhe benzinës, ku të dyja u tregtuan me çmime mbi 200 lekë për litër.

Importuesit vendas parashikuan se nëse përshkallëzimet e luftës do të vijojnë çmimet e naftës me shumicë do të vijojnë  të rriten. Në këtë situatë sipas tyre e vetmja masa që do të përmbante çmimet është ulja e taksave për naftën nga qeveria shqiptare./ D.Azo

 

 

The post Kërkuan 12 mln euro dëmshpërblim, më 19 Shtator operatorët e naftës përballen me qeverinë në Gjykatë appeared first on Revista Monitor.

  •  

SHIQK alarmon: Qumështi i Kosovës po zëvendësohet nga importi

Shoqata e Industrisë së Qumështit të Kosovës ka ngritur shqetësimin për gjendjen e sektorit vendas të qumështit, duke paralajmëruar se rritja e importeve dhe konkurrenca e çmimeve mund të dëmtojnë seriozisht fermerët dhe përpunuesit kosovarë.

Në një njoftim publik, SHIQK thekson se sektori i qumështit është ndërtuar ndër vite përmes investimeve private, subvencioneve publike dhe punës së mijëra fermerëve e përpunuesve.

“Pikërisht në momentin kur ky sektor kishte arritur një nivel ku mund të konkurronte më seriozisht me importin, u përballëm me një valë dezinformatash, interpretime të paqarta dhe masa që goditën rëndë prodhuesin vendor”, thuhet në reagimin e shoqatës.

Sipas SHIQK-së, ndikimi i kësaj situate është duke u reflektuar edhe në treg, ku produktet vendore po humbin hapësirë përballë produkteve të importuara.

“Rezultati sot shihet qartë në raftet e marketeve: produktet kosovare zvogëlohen, ndërsa hapësira e tyre po zëvendësohet gjithnjë e më shumë nga importi”, thuhet në njoftim.

Shoqata e Industrisë së Qumështit e konsideron veçanërisht shqetësues faktin se një litër qumësht i importuar mund të shitet në pakicë për 0.49 euro, ndërsa prodhuesit vendorë përballen me kosto të grumbullimit dhe përpunimit të qumështit të freskët.

“Po bëhet më lirë ta blesh qumështin e gatshëm në supermarket sesa ta grumbullosh nga fermeri vendor”, paralajmëron SHIQK.

Sipas saj, situata nuk paraqet vetëm problem të konkurrencës mes kompanive, por prek drejtpërdrejt fermerët, industrinë përpunuese, vendet e punës dhe sigurinë ushqimore të vendit.

“Kjo nuk është më vetëm çështje e konkurrencës mes kompanive. Është çështje e mbijetesës së fermerit, industrisë përpunuese, vendeve të punës dhe sigurisë ushqimore të Kosovës”.

SHIQK paralajmëron se nëse trendi vazhdon, pasojat mund të jenë afatgjata, duke rrezikuar qëndrueshmërinë e fermave dhe investimeve në industrinë vendore të qumështit.

“Nëse vazhdohet me këtë trend, dëmi nuk do të matet vetëm me humbjet e sotme të qumështoreve. Nesër mund të mos kemi më fermerë që ia vlen të mbajnë lopë, industri që ia vlen të investojë dhe prodhim vendor që mund të konkurrojë”, thuhet në njoftim.

Shoqata kërkon konkurrencë të drejtë dhe import të ligjshëm, por njëkohësisht kërkon rregulla të barabarta dhe institucione që, sipas saj, duhet ta mbrojnë prodhimin vendor nga praktikat që mund ta rrezikojnë ekzistencën e tij.

“Sepse kur shuhet fermeri dhe prodhuesi vendor, raftet mund të mbeten plot-por ekonomia e vendit mbetet bosh”.

The post SHIQK alarmon: Qumështi i Kosovës po zëvendësohet nga importi appeared first on Revista Monitor.

  •  

Divorcet rriten ndjeshëm në Kosovë, 147 çifte i dhanë fund martesës brenda një muaji

Në Kosovë është shënuar rritje e dukshme e divorceve. Sipas të dhënave të Agjencisë së Regjistrit Civil, në qershor janë regjistruar 147 raste të shkurorëzimeve, 30 më shumë sesa në muajin maj.

 

Divorcet në Kosovë kanë shënuar një rritje të konsiderueshme në muajin qershor 2026, duke arritur në 147 raste, krahasuar me 117 raste të regjistruara në muajin maj.

Kjo nënkupton se vetëm brenda një muaji janë regjistruar 30 divorce më shumë, ndërsa në përqindje rritja ka qenë 25.6 për qind.

Të dhënat administrative të publikuara për muajin qershor tregojnë kështu një rritje të dukshme të numrit të çifteve që kanë përfunduar martesën përmes procedurës së shkurorëzimit.

Në maj janë regjistruar 117 shkurorëzime, ndërsa në qershor numri ka arritur në 147.

Rritja e divorceve është regjistruar në një muaj kur në Kosovë është rritur edhe numri i martesave.

Gjatë qershorit 2026 janë regjistruar gjithsej 1 mijë e 279 kurorëzime, brenda dhe jashtë Kosovës. Krahasuar me majin, kur numri i kurorëzimeve ishte rreth 1 mijë e 37, numri i martesave është rritur me 23.3 për qind.

Megjithatë, rritja e shkurorëzimeve në përqindje ka qenë pak më e lartë se rritja e kurorëzimeve. Shkurorëzimet u rritën me 25.6 për qind, ndërsa kurorëzimet me 23.3 për qind.

“Në muajin qershor 2026 janë regjistruar gjithsej 1 279 kurorëzime (brenda dhe jashtë Kosovës). Krahasuar me muajin maj 2026, në muajin qershor 2026 numri i kurorëzimeve u rrit me 23,3%. Ndërsa, gjatë muajit qershor 2026, janë regjistruar 147 raste të shkurorëzimeve në Kosovë Krahasuar me muajin maj 2026, numri i shkurorëzimeve u rrit me 25,6%”.

Ndërsa, gjatë muajit qershor 2026, janë regjistruar 147 raste të shkurorëzimeve në Kosovë Krahasuar me muajin maj 2026, numri i shkurorëzimeve u rrit me 25,6%.

Në qershor, për çdo 100 kurorëzime të regjistruara janë evidentuar rreth 11.5 raste shkurorëzimi. Ky raport është vetëm një krahasim i numrit të regjistrimeve gjatë të njëjtit muaj dhe nuk do të thotë se 11.5 për qind e martesave të lidhura në qershor janë prishur, pasi shkurorëzimi mund t’u referohet martesave të lidhura në vite të ndryshme.

Ndryshimet demografike gjatë qershorit nuk janë kufizuar vetëm te martesat dhe shkurorëzimet.

Sipas të dhënave të publikuara, gjatë qershorit 2026 janë regjistruar 2 mijë e 674 lindje, brenda dhe jashtë Kosovës. Prej tyre, 1 mijë e 399 kanë qenë meshkuj dhe 1 mijë e 275 femra.

Krahasuar me majin, numri i lindjeve është rritur për 14.9 për qind.

Në të njëjtën kohë, janë regjistruar edhe 920 raste të vdekjeve, prej të cilave 494 meshkuj dhe 426 femra. Edhe te vdekjet është shënuar rritje krahasuar me muajin paraprak, prej 5.6 për qind.

Të dhënat për lindjet, vdekjet, kurorëzimet dhe shkurorëzimet publikohen në bazë të të dhënave administrative.

 

 

The post Divorcet rriten ndjeshëm në Kosovë, 147 çifte i dhanë fund martesës brenda një muaji appeared first on Revista Monitor.

  •  

Doganat dialog me operatorët ekonomikë për zbatimin e sistemit të përmirësuar të pullave fiskale

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave po zbaton prej 1 korrikut 2026 sistemin e përmirësuar të pullave fiskale, i cili parashikon identifikim unik digjital për çdo pullë, aktivizim elektronik dhe gjurmim të produkteve subjekt akcize.

Në një takim me përfaqësues të ALBTrace CO sh.a. dhe operatorë ekonomikë nga sektorët e duhanit, pijeve alkoolike dhe produkteve të tjera subjekt akcize, Doganat diskutuan çështjet praktike që lidhen me furnizimin, përdorimin, aktivizimin dhe verifikimin e pullave.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, tha se modernizimi i administrimit të pullave fiskale duhet të sjellë “më shumë eficiencë në proceset e operatorëve ekonomikë dhe forcim të kontrollit e të gjurmueshmërisë së produkteve subjekt akcize”.

Sipas njoftimit, sistemi kombinon elementet fizike të sigurisë me teknologjinë digjitale dhe pajis çdo pullë fiskale me një identifikues unik, i cili lidhet me të dhënat e produktit. Kjo mundëson “gjurmimin, monitorimin dhe verifikimin e produkteve gjatë ciklit të tyre të qarkullimit”.

Proceset e administrimit të pullave, nga parashikimi dhe porositja deri te aktivizimi dhe monitorimi, do të kryhen në mënyrë digjitale. Aktivizimi realizohet përmes aplikacionit web dhe aplikacionit mobil të integruar me sistemin qendror.

Për pullat e furnizuara në rul, operatorët mund të kryejnë aktivizimin përmes skanimit ose identifikimit të një intervali pullash, duke skanuar pullën e parë dhe të fundit. Përdorimi i tyre regjistrohet më pas në sistem dhe lidhet me produktet ku janë aplikuar.

Operatorët ekonomikë ngritën gjatë takimit çështje që lidhen me “formatin dhe procesin e furnizimit me pulla, dëmtimet gjatë përdorimit, identifikimin e produkteve dhe funksionalitetet e aktivizimit e të verifikimit”, sipas njoftimit të Doganave.

Sistemi ndryshon edhe mënyrën e furnizimit me pullat fiskale për duhanin. ALBTrace CO sh.a. ua ofron tashmë operatorëve pullat të prera dhe të gatshme për aplikim, në vend që prerja të kryhet nga operatorët përmes palëve të treta. Sipas njoftimit, ndryshimi “eliminon nevojën për përpunim të mëtejshëm, redukton kohën dhe kostot operative dhe siguron një proces më të standardizuar dhe më efikas”.

Kuadri i ri u jep gjithashtu konsumatorëve mundësinë të kontrollojnë autenticitetin e produkteve subjekt akcize përmes aplikacionit publik ALBConnect. Duke skanuar identifikuesin unik të pullës, përdoruesi mund të verifikojë në kohë reale autenticitetin e produktit dhe të raportojë raste të dyshimta ose produkte potencialisht të falsifikuara.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave do të mbikëqyrë sistemin, përfshirë miratimin e porosive të pullave dhe kontrollin e kërkesave ligjore. Sipas kuadrit të ri, porositë duhet të miratohen nga autoriteti doganor brenda dy ditëve pune nga marrja e tyre përmes Sistemit të Gjurmueshmërisë dhe Kontrollit të ALBTrace.

Doganat thanë se do të vijojnë monitorimin e sistemit dhe dialogun me operatorët, si dhe do të ofrojnë trajnime për subjektet që hasin vështirësi në aktivizimin e pullave fiskale.

 

The post Doganat dialog me operatorët ekonomikë për zbatimin e sistemit të përmirësuar të pullave fiskale appeared first on Revista Monitor.

  •  

ERE miraton rregullat për regjistrimin e operatorëve të depozitimit të energjisë

Enti Rregullator i Energjisë miratoi rregullat për njoftimin dhe regjistrimin e operatorëve të impianteve të depozitimit të energjisë, duke përcaktuar procedurat dhe dokumentacionin që duhet të paraqesin subjektet që ushtrojnë këtë aktivitet.

Vendimi u miratua nga Bordi i ERE më 18 gusht 2026, në zbatim të ligjit të ri “Për sektorin e energjisë elektrike”. Sipas një njoftimi të Entit mbi këtë vendim rregullat përcaktojnë procedurën e njoftimit dhe regjistrimit të operatorëve, informacionin dhe dokumentacionin e kërkuar, si edhe administrimin e të dhënave në Regjistrin e Impianteve të Depozitimit të Energjisë.

ERE ka miratuar gjithashtu formularët që do të përdoren nga subjektet që i nënshtrohen detyrimit për njoftim dhe regjistrim.

Rregullatori parashikon një procedurë të thjeshtuar për kompanitë që kanë dorëzuar më parë informacion për impiante apo njësi të depozitimit të energjisë gjatë procedurave të licencimit ose proceseve të tjera administrative.

“Subjektet që, përpara hyrjes në fuqi të këtyre rregullave, kanë njoftuar ose kanë paraqitur pranë ERE-së të dhëna për një impiant apo njësi të depozitimit të energjisë […] nuk do të duhet të riparaqesin të njëjtin informacion”, thuhet në njoftimin e ERE, në rastet kur dokumentacioni ekzistues është i mjaftueshëm për regjistrim.

I njëjti parim do të zbatohet edhe për njësitë e depozitimit që janë deklaruar më parë si pjesë e një projekti energjetik, përfshirë rastet kur ato janë paraqitur si vepra ndihmëse, njësi të integruara depozitimi ose pjesë funksionale të një impianti të prodhimit të energjisë elektrike.

Në këto raste, ERE do të përdorë dokumentacionin që ndodhet tashmë në dosjet e subjekteve, “duke shmangur riparaqitjen e dokumentacionit të depozituar më parë”.

Rregullat e reja krijojnë kuadrin procedural për regjistrimin e operatorëve të impianteve të depozitimit të energjisë dhe administrimin e informacionit për këto njësi nga rregullatori.

 

The post ERE miraton rregullat për regjistrimin e operatorëve të depozitimit të energjisë appeared first on Revista Monitor.

  •  

Shtrenjtohen sërish karburantet, nafta arrin 219 lekë dhe benzina mbi 200 lekë për litër

  Çmimet e karburanteve janë shtrenjtuar sërish në pikat e pakicës në Tiranë.

Prej pasdites të ditës së djeshme çmimi i naftës ka arritur 219 lekë për litër nga 215 lekë që ishte më parë. Nafta është rritur me 4 lekë për litër.

Shtrenjtim të ndjeshëm ka pasur edhe për çmimin e benzinës. Nga 198 lekë për litër, ka arritur 2025 lekë për litër. Rritja e benzinës është me 7 lekë për litër.

https://monitor.al/shtrenjtohen-serish-cmimet-e-karburanteve-nafta-arrin-198-leke-per-liter/

Rritja e çmimit të naftës ka reflektuar luhatjet e çmimeve në bursat e huaja.

Çmimi i naftës Platts në bursat e huaja që shërben si bazë përllogaritje për zhdoganimin dhe çmimet vendase ka arritur në 1,450 USD/ Ton nga 1,300 USD/Ton që ishte rreth 5 ditë më parë.

Importuesit vendas parashikojnë se nëse përshkallëzimet e luftës do të vijojnë çmimet e naftës me shumicë do të vijojnë  të rriten. Në këtë situatë sipas tyre e vetmja masa që do të përmbante çmimet është ulja e taksave për naftën.

Edhe sipas analizave të mediave të huaja, çmimet e naftës këtë të enjte u rritën në nivelet më të larta të tre javëve, të nxitura nga shqetësimet si dhe ngërçi lidhur me luftën në Iran, që do të vazhdojë të pengojë furnizimin nga rajoni kryesor prodhues i naftës në Lindjen e Mesme.

Për analistët e tregjeve të huaja shqetësimi kryesor është Hormuzi. Nëse ngushtica mbetet e bllokuar ose konflikti përshkallëzohet, çmimi i naftës Platts mund të shkojë edhe deri 2 mijë USD për ton.

Tregu i naftës mbetet i përqendruar te Ngushtica e Hormuzit, përmes së cilës kalonte rreth një e pesta e furnizimit global me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm (LNG) përpara se të fillonte lufta SHBA-Izrael kundër Iranit në fund të shkurtit.

Po ashtu rritja e Brent mbi 91 dollarë për fuçi tregon se tregtarët po llogarisin një primi më të lartë rreziku.

Ndërkohë, dërgesat e naftës nga portet perëndimore të Rusisë kanë rënë në rreth 2.3 milionë fuçi në ditë gjatë gjysmës së parë të gushtit, 15% më pak se plani fillestar i ngarkimeve, për shkak të ndërprerjeve në portin e Detit të Zi, Novorossiysk.

 

The post Shtrenjtohen sërish karburantet, nafta arrin 219 lekë dhe benzina mbi 200 lekë për litër appeared first on Revista Monitor.

  •  

Mbështetja e sektorit bankar në financimet e BSH është më e ulët këtë vit

Mbështetja e sektorit bankar me likuiditet nga Banka e Shqipërisë është në nivele më të ulëta gjatë muajve të parë të këtij viti.

Sipas të dhënave nga bilanci i Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit korrik huaja nëpërmjet marrëveshjeve të anasjellta të riblerjes (REPO) kishte vlerën e 25 miliardë lekëve, në rënie me 20.6% krahasuar me një vit më parë dhe me 58% krahasuar me fundin e vitit të kaluar.

Me përjashtim të muajit qershor, huamarrja e bankave nga Banka e Shqipërisë ka qëndruar në nivele të ulëta për shtatë muajt e parë të këtij viti.

Në raportin e fundit të politikës monetare, Banka e Shqipërisë vlerëson se nevojat e sistemit bankar për likuiditet kanë qenë më të ulëta në muajt e parë të këtij viti, në reflektim të reduktimit të huamarrjes dhe të rritjes së disbursimit të shpenzimeve të qeverisë në tregun e brendshëm, gjatë kësaj periudhe.

Huamarrja e bankave në Bankën e Shqipërisë zakonisht kryhet nëpërmjet instrumentit të marrëveshjeve të anasjellta të riblerjes, ndërsa instrumentet e tjera, si, për shembull, kredia njëditore, kanë një përdorim më të rrallë.

Rënia e financimit të sektorit bankar nga banka qendrore tregon se situata e likuiditetit të sektorit në monedhën vendase është e mirë.

Megjithatë, ecuria e mbështetjes së sektorit bankar me likuiditet afatshkurtër ka tendencën të jetë e luhatshme dhe e varur shpeshherë nga ecuria e instrumenteve fiskale, si huamarrja e brendshme apo balanca buxhetore.

Në vitet e fundit, një nga faktorët me ndikimin kryesor në mungesën e likuiditetit në monedhën vendaset ka qenë suficiti i lartë i akumuluar nga buxheti në pjesën më të madhe të vitit.

Mbështetur në raportimet e Ministrisë së Financave, në fund të muajit qershor suficiti buxhetor kaloi vlerën e 51 miliardë lekëve, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë për 6-mujorin.

Deri tani këtë vit, efekti i suficitit të lartë nuk ka qenë shumë i fortë në tkurrjen e likuiditetit në treg. Pjesërisht, kjo mund të jetë ndikuar edhe nga operacionet e blerjes së valutës nga Banka e Shqipërisë dhe nga një rritje e kënaqshme e depozitave të sektorit privat.

Banka Qendrore ka vazhduar të blejë sasi të mëdha valute gjate vitit 2026, me qëllim për të frenuar tendencën e vazhdueshme të forcimit të lekut në kursin e këmbimit me Lekun. Kjo ka kontribuar në rritje të lartë të ofertës monetare në ekonomi.

Paralelisht, statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të muajit qershor depozitat në monedhën vendase arritën vlerën e 968 miliardë lekëve, në rritje vjetore me 13%.

 

The post Mbështetja e sektorit bankar në financimet e BSH është më e ulët këtë vit appeared first on Revista Monitor.

  •  

Inflacioni bazë bie në korrik, por çmimet mbeten të ekspozuara ndaj naftës

Inflacioni bazë pësoi rënie në muajin korrik, pasi kishte arritur nivelin më të lartë të tre viteve të fundit në qershor. Shifrat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se inflacioni vjetor bazë u ul në 3.15%, nga 3.54% që kishte qenë një muaj më parë. Inflacioni bazë ngelet megjithatë në rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, kur shënonte nivelin 2.91%.

Për herë të parë pas shumë vitesh, inflacioni bazë ka rënë poshtë nivelit të inflacionit total në ekonomi, që për korrikun arriti nivelin 3.4%.

Rënia e inflacionit bazë gjatë korrikut mund të jetë e lidhur me efektin e bazës krahasuese të nëngrupit të qirave, i cili ka dhënë edhe kontributin kryesor në rritjen e inflacionit bazë në vitet e fundit. Për korrikun e këtij viti, inflacioni për këtë nëngrup ra në 5.2%, nga 5.7% që kishte qenë për qershorin. Kjo duket të jetë e lidhur me mbylljen e ciklit 12-mujor, duke qenë se prej sezonit veror 2025 inflacioni i këtij grupi kishte shënuar një përshpejtim të ndjeshëm.

Nënshporta që mat inflacionin bazë llogaritet mbi një grup produktesh dhe shërbimesh që përbëjnë 69.8% të totalit të shportës së Indeksit të Çmimeve të Konsumit.

Inflacioni bazë përjashton produktet që nga natyra kanë luhatshmëri të lartë, si ato ushqimore dhe energjetike. Llogaritja e inflacionit bazë ka si qëllim kryesor ta zhveshë rritjen e përgjithshme të çmimeve nga luhatjet me natyrë më afatshkurtër. Inflacioni bazë është një indikator i rëndësishëm për të kuptuar tendencat më afatgjata të çmimeve dhe ndaj monitorohet vazhdimisht nga Banka e Shqipërisë.

Paralelisht me inflacionin bazë, edhe inflacioni bazë neto pësoi rënie të ndjeshme.

Për korrikun, ky tregues zbriti në nivelin në 3.26%, nga 4.03% që kishte qenë në qershor. Megjithatë, edhe inflacioni bazë neto ngelet në rritje nga niveli prej 3.04% i një viti më parë.

Inflacioni bazë neto përjashton më tej nga inflacioni edhe nëngrupet e ushqimeve të përpunuara (përfshirë bukën dhe drithërat) dhe matet mbi 49% të shportës së IÇK-së.

Ndërkohë, inflacioni që përjashton të gjitha produktet ushqimore dhe energjetike në korrik 2026 ra në nivelin 3.2%, nga 3.94% që kishte qenë në qershor, por në rritje prej nivelit 2.94% që

kishte qenë një vit më parë.

Ngadalësimi i inflacionit bazë për momentin e zbut presionin mbi ecurinë e përgjithshme të çmimeve dhe e bën atë më të varur nga zhvillimet gjeopolitike në Lindjen e Mesme, që kanë sjellë një rritje të çmimeve të naftës dhe rrjedhimisht të karburanteve në tregjet botërore.

Në mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës të këtij muaji, Banka e Shqipërisë vendosi ta lërë normën bazë të interesit të pandryshuar në nivelin 2.5%. Sipas deklaratës së Këshillit Mbikëqyrës, pozicioni aktual i ekonomisë, i karakterizuar nga inflacion pranë objektivit, rritje ekonomike pranë potencialit dhe pritje të ankoruara, i krijon Bankës së Shqipërisë hapësirën e nevojshme për të vlerësuar me kujdes zhvillimet e ardhshme. Megjithatë, deklarata thekson që, nëse presionet inflacioniste rezultojnë më të forta ose më të qëndrueshme se sa pritet aktualisht, Këshilli do të ndërmarrë veprimet e nevojshme për të mbrojtur objektivin e stabilitetit të çmimeve.

The post Inflacioni bazë bie në korrik, por çmimet mbeten të ekspozuara ndaj naftës appeared first on Revista Monitor.

  •  

KPP rrëzon ankesën për tenderin 6 milionë euro të rrugës Hygeia–Megatek

Komisioni i Prokurimit Publik vendosi të mos pranojë ankesën për tenderin e Bashkisë Tiranë për rikonstruksionin e rrugës dytësore Tiranë–Durrës, në segmentin Hygeia–Megatek, me fond limit 594.9 milionë lekë pa TVSH apo rreth 6 mln euro.

Vendimi nr. 993/2026, i datës 18 gusht, i lejon autoritetit kontraktor të vijojë me hapat e mëtejshëm të procedurës së prokurimit.

Ankesa nga një operator ekonomik kërkonte modifikimin e disa kritereve të dokumenteve të tenderit. Ndër pretendimet e ngritura ishin kufizimet për mbështetjen në kapacitetet e subjekteve të tjera për përvojën e mëparshme, licencat profesionale, drejtuesin teknik, stafin inxhinierik dhe certifikatat ISO. U kundërshtua gjithashtu kërkesa që mjetet dhe pajisjet e deklaruara për tenderin të angazhoheshin vetëm në këtë kontratë.
KPP nuk i shqyrtoi në themel këto pretendime, pasi konstatoi se ankesa nuk plotësonte kushtet formale të nevojshme për shqyrtim.

Sipas vendimit, ankimuesi nuk kishte bashkëlidhur dokumentin bankar që vërtetonte pagesën e tarifës së ankesës. Komisioni evidenton se Bashkia Tiranë e kishte njoftuar për këtë mangësi dhe i kishte kërkuar korrigjimin e saj brenda afatit ligjor.

Autoriteti kontraktor e njoftoi ankimuesin më 16 korrik për plotësimin e pagesës së tarifës. Sipas dokumentacionit të administruar nga KPP, ankesa vazhdoi të rezultonte me statusin “Pa paguar” dhe mangësia nuk u korrigjua brenda afatit të parashikuar.

Në një shkresë të paraqitur më 11 gusht, ankimuesi pranoi se kishte marrë dijeni për kërkesën për kryerjen e pagesës, ndërsa KPP konstatoi se nuk ishte ndërmarrë veprim për korrigjimin e të metave të ankesës.

Komisioni kërkoi edhe një verifikim financiar për statusin e pagesës. Sektori i Financës së KPP-së konfirmoi se nuk ishte paraqitur mandatpagesë dhe se, sipas verifikimeve për muajin korrik, nuk ishte kryer pagesë në favor të Komisionit për ankesën në fjalë.

Në arsyetimin e tij, KPP thekson se pagesa e tarifës së ankesës dhe dokumenti bankar që e vërteton atë janë elemente të domosdoshme për shqyrtimin e ankesës. Nëse mungon një prej këtyre elementeve, ankimuesi duhet ta korrigjojë ankesën brenda dy ditëve nga njoftimi; në të kundërt, ajo vlerësohet si e paparaqitur.

KPP vlerësoi se Bashkia Tiranë kishte respektuar hapat proceduralë për njoftimin dhe për dhënien e mundësisë për korrigjimin e ankesës. Për shkak se pagesa nuk u krye, Komisioni arriti në përfundimin se ankesa nuk plotësonte një prej elementeve të domosdoshme për shqyrtim dhe duhej refuzuar.
Komisioni konstatoi gjithashtu se ankesa ishte paraqitur jashtë afatit ligjor.

Njoftimi i kontratës ishte publikuar më 16 qershor 2026. Për procedurat mbi kufirin e lartë monetar, ligji parashikon një afat 10-ditor për ankimimin e dokumenteve të tenderit. Sipas KPP-së, afati i fundit për paraqitjen e ankesës ishte 26 qershori, ndërsa ankesa u depozitua më 14 korrik.

KPP arsyetoi se ankesa ishte dorëzuar jashtë afatit 10-ditor dhe se kjo përbënte një tjetër shkak për mospranimin e saj. Komisioni theksoi se respektimi i afateve është “i një rëndësie thelbësore” për efikasitetin e procedurave të prokurimit publik.

Në përfundim, KPP vendosi të mos pranojë ankesën dhe të lejojë Bashkinë Tiranë të vijojë procedurën e tenderit.

The post KPP rrëzon ankesën për tenderin 6 milionë euro të rrugës Hygeia–Megatek appeared first on Revista Monitor.

  •  

Eksportet në korrik, rritja erdhi nga shtrenjtimi i naftës dhe mbledhja e prodhimit të Albchrome!

Eksportet shënuan një përmirësim të ndjeshëm në muajin korrik, duke u rritur me 10.6%, në përshpejtim nga 6.15 që ishte zgjerimi për periudhën janar-qershor dhe duke i ikur tendencës negative që u konstatua në muajt e parë të vitit.

Sipas INSTAT, në Korrik 2026 eksportet e mallrave arritën vlerën 33,7 mld lekë, duke u rritur me 10,6 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Gjatë muajit Korrik 2026, në rritjen e eksporteve prej 10,6 %, pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me +8,9 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +5,3 pikë përqindje, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +0,9 pikë përqindje, ndërsa negativisht kanë ndikuar grupet: “Tekstile dhe këpucë” me -4,3 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me -0,6 pikë përqindje, etj.

Ky kompozim i rritjes u vlerësua si një zhvillim pozitiv nga Ministria e Ekonomisë. “Përtej shifrave, vëmendjen e tërheq ajo që po ndodh me strukturën e eksporteve. Materialet e ndërtimit dhe metalet, energjia, makineritë dhe pajisjet po japin një kontribut më të madh në rritje, duke sinjalizuar një orientim gradual drejt sektorëve dhe produkteve me më shumë vlerë të shtuar”, tha ministrja e ekonomisë në një postim në rrjetet sociale.

“Monitor” ka parë përtej shifrave për të kuptuar se nga ka ardhur kjo rritje. Së pari, filluam me rritjen në vlerë dhe në sasi, pasi një pjesë e tendencës së eksporteve ndikohet nga çmimet e naftës që janë shtrenjtuar në bursa. Nga të dhënat rezulton se për grupin  “Minerale, lëndë djegëse, ener. elek.”, efekti ka ardhur tërësisht nga konjuktura e favorshme e çmimeve në bursat ndërkombëtare. Ky grupmall, që ka dhënë efektin e dytë më të lartë në korrik (+5.3 pikë përqindje) është rritur me 32.4% në vlerë, por me vetëm 1.5% në sasi. Me këtë grup, që zuri 19% të totalit të eksporteve në korrik nuk ka ndodhur asgjë e jashtëzakonshme, është thjesht efekti i çmimit.

Eksportet e tekstileve dhe këpucëve, grupi kryesor në vend, me 24% të totalit në korrik dhe që punëson rreth 50 mijë persona, ose rreth 40% të totalit të industrisë, sipas INSTAT është me rënie prej muajsh të tërë, duke vuajtur rritjen e kostove dhe nënçmimin e euros, duke çuar në largimin e furnitorëve të huaj. Ky grup ra me 17% në sasi dhe 13% në vlerë në korrik. Për qeverinë ky nuk është më lajm, pasi sipas tyre ekonomia nuk mund të konkurrojë më me koston e ulët të fuqisë punëtore. Këtu jemi dakord, por së pari sektori ka potencial të kalojë në një vlerë të shtuar më të lartë dhe së dyti me çfarë do zëvendësohet!

Burimi: INSTAT

Kalojmë te grupi që ka sjellë rritjen më të madh ai i “materialeve të ndërtimit dhe metaleve”. Qeveria është entuziaste se rritja e këtij grupi ka sjellë ndryshim cilësor në strukturën e eksporteve. Dhe në pamje të parë kështu duket. Grupi, që solli 19.2% të totalit të eksporteve në korrik, është rritur me 61% në sasi dhe 72% në vlerë. Së pari, këtu duhet të kemi parasysh se eksportet e materialeve të ndërtimit dhe metaleve kishin rënë ndjeshëm në korrikun e 2025-s, me 51%, pasi Kurum, fabrika e prodhimit të çelikut, që është eksportuesi më i madh i këtij grupi mbylli prodhimin. Ndaj rritja e këtij viti nisej nga një bazë shumë e ulët

Burimi: INSTAT

Ideja e parë është që Kurum ka riaktivizuar prodhimin. Pyetëm te Kurum dhe konfirmuan që fabrika është e mbyllur dhe ata kanë eksportuar vetëm energji, që është aktiviteti tjetër i kompanisë. Së dyti, pamë më në detaje nga ka ardhur rritja e grupit “materiale ndërtimi dhe metale”. Ndikimi ishte nga giza dhe çeliku, që është në fakt kapitulli me rritjen më të lartë në sasi nga të gjitha produktet e eksportuara nga Shqipëria në korrik. Eksportet e këtij kapitulli janë katërfishuar, duke arritur ne 26.3 milionë kg, ose 19.8 milionë kg më shumë.

Burimi: INSTAT

Hapi tjetër, ishte të shihnim se cili është shteti ku kanë shkuar këto eksportet. Rezulton që janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Eksportet e gizës dhe çelikut drejt SHBA-ve arritën në u rritën me 124 herë në korrik 2026, në krahasim me korrikun 2025, ose 11 mln kg më shumë (nga 19.8 kg më shumë në total për korrikun) , ndërsa në korrik 2025 ishin afër zeros. Shteti i dytë, me rritjen më të lartë është Turqia, me 5 milionë kg më shumë. Të dy këto shtete ndikuan në gati 80% të rritjes.

Nga Byroja e Doganave të SHBA-ve, rezulton se produkti i eksportuar nga Shqipëria ishte ferrokrom. Në Shqipëri, prodhuesi kryesor i ferrokromit është Albchrome. Burime zyrtare nga kompania, thanë për “Monitor” se ata kishin eksportuar në SHBA rreth 11 mijë ton ferrokrom në korrik. (duke përbër rreth 47% të shtesës totale të eksporteve në sasi)

Kompania tha se nuk ka bërë investime shtesë, por sasia e lartë lidhet me faktin që ishte mbledhur prodhimi i disa muajve, pasi nuk ka leverdi që të dërgohet vetëm prodhimi i një muaji, për shkak të kostove të transportit.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se eksportet e gizës dhe çelikut në SHBA aktivizohen një herë në disa muaj. Psh në shtator 2024 u eksportuan 14 milionë kg, në tetor 2025 rreth 10 milionë kg dhe në prill 2026 rreth 8 milionë kg.. Muajt e tjerë eksportet e këtij produkti në SHBa ishin afër zeros.

Burimi: INSTAT

Shifrat tregojnë që nuk ka pasur asnjë zhvillim të ri në strukturën e eksporteve. Përkundrazi, eksportet shqiptare janë aq të dobëta sa dhe një ngarkesë, që mbledh prodhimin e disa muajve të një kompanie të krijon iluzionin që ka rritje. E njëjta gje dhe kur konjuktura e çmimeve ndërkombëtare bëhet e favorshme.  

Në fakt, është absurde të pretendosh që struktura e eksporteve nuk mund të ndryshojë brenda muajit, kur nuk ka as investime dhe as hyrje të kompanive të reja prodhuese. Realisht, eksportet në Shqipëri vijojnë të mbeten të varura nga kosto e lirë e fuqisë punëtore dhe shitja e burimeve natyrore të vendit, si nafta apo mineralet deh sa po vijë e po bëhem më pak konkurruese për shkak të nënçmimit të euros dhe konjukturës së pafavorshme ekonomike që nuk krijon mundësi për investime që rrisin vlerën e shtuar.Këto sollën rreth 60% të eksporteve në korrik. Edhe grupi i makinerive e pajisjeve, ( që zë rreth 12% të totalit të eksporteve) i vetmi që ka têrhequ investime vitet e fundit është sërish fason, pasi kryen vetëm disa procece të thjeshta pêr industrinë mbështetêse automotive, si montimi i kabllove, duke shfrytêzuar koston e lirë të fuqisë punëtore!

Ndaj dhe në këtë rast, qeveria vetem sa po luan me iluzionin e shifrave, ashtu siç bën me rritjen ekonomike, apo me të ardhurat për frymë / O.Liperi

 

Përkeqësimi i ekonomisë, biznesi u rrit vetëm me 1.1% në vitin 2025, niveli më i ulët nga 2012-a

Iluzioni, Shqipëria kalon e treta në rajon për të ardhurat për frymë, por me to nuk blen asgjë

 

The post Eksportet në korrik, rritja erdhi nga shtrenjtimi i naftës dhe mbledhja e prodhimit të Albchrome! appeared first on Revista Monitor.

  •  

Turizmi po ushqen importet, sasitë e ushqimeve u rritën 13% në janar-korrik

Zgjerimi i shpejtë i turizmit po krijon një treg gjithnjë e më të madh për ushqimet, por prodhimi vendas nuk po arrin ta shfrytëzojë në të njëjtën masë këtë kërkesë. Përfituesit kryesorë po rezultojnë importuesit.

Në shtatë muajt e vitit 2026, Shqipëria importoi rreth 606,4 mijë tonë produkte ushqimore, nga 537,4 mijë tonë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sasia e importuar u zgjerua me rreth 69 mijë tonë, ose 12,8%, sipas të dhënave të tregtisë së jashtme.

Rritja ishte e përhapur në pjesën më të madhe të grup-mallrave. Nga 20 grupet kryesore të ushqimeve dhe produkteve bujqësore, 16 shënuan shtim të sasive të importuara.

Të dhënat tregojnë se rritja e kërkesës nga turizmi, restorantet dhe strukturat akomoduese nuk po shoqërohet me një zgjerim të mjaftueshëm të prodhimit vendas. Në vend që kërkesa e re të kthehet në më shumë shitje për fermat shqiptare, një pjesë gjithnjë e më e madhe e saj po plotësohet nga jashtë.

Ky zhvillim po ndodh në një kohë kur aktiviteti turistik vijon të zgjerohet. Në qershor 2026, numri i vizitorëve të akomoduar në strukturat turistike u rrit me 17% krahasuar me një vit më parë. Vizitorët jo-rezidentë u shtuan me 20,6%, ndërsa net-qëndrimet e tyre me 9,2%, sipas INSTAT.

Në gjashtë muajt e parë të vitit, në Shqipëri hynë rreth 5,1 milionë shtetas të huaj, 6,2% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Megjithëse hyrjet nuk përfaqësojnë vetëm turistë, ato tregojnë rritjen e popullsisë së përkohshme që konsumon në vend, veçanërisht gjatë sezonit veror.

Drithërat dhanë 65% të rritjes

Kontributin kryesor në zgjerimin e importeve të ushqimeve e dhanë drithërat. Në janar–korrik 2026 u importuan rreth 239,3 mijë tonë drithëra, nga 194,4 mijë tonë një vit më parë.

Rritja ishte rreth 44,9 mijë tonë, ose 23,1%. Vetëm drithërat përbënin 39,5% të të gjithë sasisë së ushqimeve të importuara dhe rreth 65% të shtesës vjetore.

Pjesërisht, importet e drithërave përdoren si lëndë e parë për industrinë ushqimore dhe ushqimin e kafshëve, megjithatë, rritja e importeve nuk kufizohet vetëm te drithërat.

Importet e perimeve u shtuan me 4,5 mijë tonë, ose 11,1%, duke arritur në 45,5 mijë tonë. Sasitë e frutave dhe arrave të importuara arritën në 64,7 mijë tonë, me rritje 5,1%.

Importet e mishit dhe të brendshmeve të ngrënshme u rritën me 4,9%, në 28,1 mijë tonë, ndërsa produktet e bulmetit, vezët dhe mjalti u shtuan me 6,8%, në 21,6 mijë tonë.

Rritje të fortë shënuan edhe kafshët e gjalla, me 19%, produktet e industrisë së bluarjes, maltit dhe niseshtesë, me 14,2%, ushqimet e përgatitura nga mishi dhe peshku, me 17,9%, përgatitjet prej drithërave, miellit dhe qumështit, me 8,6% si dhe kakaoja dhe përgatitjet me kakao, me 19,6%.

Vetëm gjatë korrikut, grupi “Ushqime, pije dhe duhan” dha një kontribut prej 0,8 pikë përqindjeje në rritjen e importeve totale të vendit.

Prodhimi vendas nuk po ndjek ritmin e kërkesës

Të dhënat më të fundit vjetore tregojnë se disa nga degët kryesore të bujqësisë dhe blegtorisë po përballen me tkurrje ose rritje të pamjaftueshme për të mbuluar kërkesën.

Në vitin 2025, prodhimi vendas i grurit ra me 10,1%, ndërsa prodhimi i patates u ul me 7,2%. Prodhimi i perimeve u rrit vetëm me 1,5%, shumë më pak se rritja prej 11,1% e sasive të importuara gjatë 7-mujorit 2026. Të dhënat zyrtare te bujqësisë tregojnë se tregu vendas nuk po zgjerohet me të njëjtin ritëm si kërkesa.

Situata është e ngjashme në blegtori. Gjatë vitit 2025, numri i të leshtave ra me 0,9%, i të dhirtave me 7,4%, i derrave me 28,2% dhe i shpendëve me 0,5%. Prodhimi i qumështit u ul, ndërsa ai i vezëve ra me 5,8%. Vetëm prodhimi i mishit në peshë të gjallë u rrit me 2,5%, sipas statistikave të blegtorisë.

Këto zhvillime tregojnë dobësinë e lidhjes ndërmjet turizmit dhe bujqësisë. Hotelet dhe restorantet kërkojnë furnizim të vazhdueshëm, sasi të garantuara, standarde të njëjta dhe dërgesa të rregullta. Bujqësia shqiptare, e fragmentuar në ferma të vogla dhe me mangësi në grumbullim, ruajtje e shpërndarje, nuk po arrin ta sigurojë këtë furnizim gjatë gjithë sezonit.

Për pasojë, ndërsa turizmi zgjeron tregun e konsumit, efekti në prodhimin bujqësor vendas mbetet i kufizuar. Rritja e kërkesës po reflektohet më shpejt në dogana sesa në fermat shqiptare./ B.Hoxha

 

The post Turizmi po ushqen importet, sasitë e ushqimeve u rritën 13% në janar-korrik appeared first on Revista Monitor.

  •  

Këmbimet valutore arritën rekordin e 4.5 miliardë euro në T II, rritje 30%

Vëllimi i tregtimit valutor në tregun e brendshëm arriti një rekord të ri historik në tremujorin e dytë të vitit. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se vlera e këmbimeve valutore arriti në gati 4.5 miliardë euro, në rritje me rreth 30% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Volumi i këmbimeve valutore madje kaloi edhe vlerat e regjistruar në tremujorin e tretë të vitit të kaluar. Për shkak të karakteristikave sezonale, tremujori i tretë i vitit shënon zakonisht volumet më të larta vjetore të këmbimeve valutore. Por, shifrat e tremujorit të tretë të vitit të kaluar janë tejkaluar qysh në tremujorin e dytë të këtij viti, duke shënuar një rekord historik.

Përkundrejt rritjes së volumit të këmbimeve, që tregon rritje të ofertës për valutë në treg, Leku vijoi trendin e tij mbiçmues edhe gjatë tremujorit të dytë të vitit.

Kursi mesatar i Lekut kundrejt Euros zbriti në 94.8 në muajin qershor, nga 96 në muajin mars, me një forcim mesatar mujor të Lekut prej 0.4%. Në terma vjetorë, mbiçmimi i Lekut u përshpejtua në 3.2% në tremujorin e dytë, nga 2.6% që ishte në tremujorin paraardhës. Tendenca mbiçmuese u theksua më tej gjatë muajit korrik, ku në tre javët e para kursi mesatar Eur/Lek zbriti në 93.8, me një forcim vjetor prej 4.0%.

Ndërkohë, e njëjta tendencë po vazhdon edhe gjatë muajit gusht, kur kursi i këmbimit Euro/Lek ka zbritur në mënyrë të qëndrueshme poshtë kufirit të 93 lekëve, në vlerat minimale historike. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, të martën Euro u këmbye me 92.76 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.

Banka e Shqipërisë vlerëson se rritja e volumeve të këmbimit valutor dhe rrjedhimisht edhe forcimi i vazhdueshëm i Lekut ngelet e lidhur ngushtë me ecurinë e Bilancit të Pagesave.

Sipas saj, analiza e kombinuar e të dhënave të tregut valutor dhe atyre të bilancit të pagesave deri në tremujorin e parë (të dhënat e Bilancit të Pagesave për tremujorin e dytë nuk janë ende të disponueshme) rikonfirmoi lidhjen e ngushtë ndërmjet vëllimeve të tregtimit në tregun valutor dhe flukseve të shkëmbimeve të mallrave e shërbimeve me jashtë.

Në treg dhe në publik, megjithatë, ekziston perceptimi se kursi i Euros ndikohet ndjeshëm edhe nga prurjet valutore nga burime informale ose kriminale dhe që investohen sidomos në zhvillimin dhe blerjen e pasurive të paluajtshme.

Forcimi i Lekut pjesërisht po mbështetet edhe nga politika fiskale e ndjekur nga qeveria shqiptare, me suficite të mëdha fiskale në pjesën më të madhe të vitit, praktikë që e ul ofertën e monedhës vendase në treg. Për 6-mujorin 2026, suficiti buxhetor arriti vlerën rekord të 52.8 miliardë lekëve, në rritje me 60% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Banka e Shqipërisë po ndërhyn vazhdimisht në tregun valutor për të blerë valutë, por ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë vetëm sa po e kontrollojnë pjesërisht rënien e Euros, pa mundur ta frenojnë plotësisht atë. Burime nga tregu bëjnë të ditur se Banka Qendrore po vazhdon blerjet, por pa e frenuar dot plotësisht rënien e Euros.

Që prej fillimit të vitit 2024 deri në fund të 3-mujorit 2026, Banka e Shqipërisë ka tërhequr nga tregu gati 2.2 miliardë euro. Vetëm për tremujorin e parë të këtij viti, blerjen kishin vlerën e 140 milionë eurove, një rekord për këtë periudhë të vitit./ E.Shehu

The post Këmbimet valutore arritën rekordin e 4.5 miliardë euro në T II, rritje 30% appeared first on Revista Monitor.

  •  

Kadastra: Hapat si të regjistroni pronësinë e shtëpive të ndërtuara para vitit ’91

Qytetarët që kanë marrë vendimin për kalimin në pronësi të shtëpive të vjetra të ndërtuara para vitit 1991, oborreve në përdorim apo trojeve funksionale, mund ta regjistrojnë atë përmes portalit e-Albania Agjencia Shtetërore e Kadastrës i ka dhënë në një përmbledhje të saj hapat që duhet të ndiqen për këtë process.

Sipas Kadastrës, përmes kësaj procedure qytetarët mund të pajisen me dokumentacionin e plotë të pronësisë për shtëpinë e tyre.

Për të nisur aplikimin, qytetari duhet fillimisht të hyjë në llogarinë e tij në portalin e-Albania.

Më pas duhet të zgjedhë shërbimin “Aplikim për regjistrimin e kalimit të pronësisë me anë të ligjit, me vendim të gjykatës, apo të një akti administrativ” dhe të klikojë opsionin “Përdor”.

Pas hapjes së shërbimit, aplikanti duhet të krijojë një aplikim të ri dhe të plotësojë fushat e nevojshme të kërkuara në portal.

Në vijim duhet të shtohet nënshërbimi “Regjistrim i kalimit të pronësisë me anë të aktit administrativ të lëshuar nga ASHK”.

Sipas njoftimit, pas zgjedhjes së këtij nënshërbimi, sistemi shton automatikisht edhe shërbimin për lëshimin e certifikatës së pronësisë, kopjen e kartelës së pasurisë së paluajtshme dhe kopjen e fragmentit të hartës kadastrale.

Pasi plotësohet aplikimi, qytetari duhet ta dërgojë atë, të shkarkojë mandatin dhe të kryejë pagesën.

Pagesa mund të realizohet online, pranë Postës Shqiptare ose në çdo bankë të nivelit të dytë.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës u ka bërë të ditur qytetarëve se informacioni mbi dokumentacionin e nevojshëm gjatë aplikimit për shërbimet kadastrale mund të gjendet në faqen e saj të internetit, në rubrikën “Shërbime”.

 

The post Kadastra: Hapat si të regjistroni pronësinë e shtëpive të ndërtuara para vitit ’91 appeared first on Revista Monitor.

  •  

Mbrojtja nga përmbytjet, tender 2.3 mln euro për Devollin dhe Osumin

Rreth 2.3 milionë euro do të vihen në dispozicion për ndërhyrje kundër përmbytjeve dhe gërryerjeve në lumenjtë Devoll dhe Osum, në një procedurë prokurimi që përfshin tre zona në Cërrik, Devoll dhe Berat.

Fondi limit i tenderit arrin në 228.9 milionë lekë dhe është ndarë në tre lote, ku pjesa më e madhe e shumës është parashikuar për mbrojtjen lumore në Osum, në lagjen Bejtollarët të Beratit, dhe për ndërhyrjen kundër gërryerjeve në Bitinckë të Devollit.

Loti i parë, “Mbrojtje nga përmbytjet e lumit Devoll (loti 2) – Bashkia Cërrik”, ka fond limit 31.9 milionë lekë. Dokumentacioni teknik për ndërhyrjen në zonën e Desarës parashikon vazhdimin e mbrojtjes së brigjeve para dhe pas veprave ekzistuese, përmes mbrojtjeve gjatësore me gabiona dhe blloqe betoni, si dhe riparimin e segmenteve të dëmtuara të strukturave aktuale.

Sipas projektit, në një nga segmentet parashikohet ndërtimi i 70 metrave linearë mbrojtje me gabiona me lartësi 4 metra, ndërsa një tjetër segment prej 100 metrash parashikohet gjithashtu me mbrojtje gjatësore me gabiona. Dokumenti përfshin edhe riparime të mbrojtjeve ekzistuese dhe ndërhyrje me gurë në segmente të tjera përgjatë lumit.

Loti i dytë, “Mbrojtje nga gërryerjet në lumin Devoll, fshati Bitinckë – Devoll”, ka fond limit 94.7 milionë lekë.

Në Bitinckë, projekti parashikon mbrojtjen e tokave në krahun perëndimor të rrjedhës së Devollit nga gërryerja. Dokumentacioni e përshkruan segmentin si të ekspozuar ndaj gërryerjeve intensive në një gjatësi rreth 800 metra dhe parashikon ndërtimin e një mbrojtjeje gjatësore përgjatë shpatit të dëmtuar. Ndërhyrja do të realizohet me themele me gurë masivë dhe gabiona të mbushur me gurë, të kombinuar me rrjetë teli të zinkuar.

Planimetria e projektit tregon një mbrojtje gjatësore prej rreth 787 metrash në afërsi të bregut të Devollit.

Loti i tretë, “Mbrojtje lumore e krahut të majtë lumi Osum, lagjja Bejtollarët – Bashkia Berat”, ka fond limit 102.3 milionë lekë, duke qenë ndërhyrja me vlerën më të lartë në këtë procedurë.

Sipas raportit paraprak të vlerësimit të ndikimit në mjedis, objektivi i projektit është mbrojtja e lagjes Bejdollar nga përmbytjet dhe erozioni i shkaktuar nga lumi Osum, përmes realizimit të veprave mbrojtëse dhe stabilizimit të brigjeve.

Dokumenti evidenton se gjatë periudhave me reshje intensive dhe prurje të larta, segmentet pranë brigjeve paraqesin rrezik nga erozioni dhe përmbytjet, veçanërisht në zonat e banuara pranë lumit, përfshirë lagjen Bejdollar.

Punimet e parashikuara në Osum përfshijnë gërmimin dhe përgatitjen e terrenit, sistemimin dhe profilizimin e brigjeve dhe shtratit të lumit, si dhe ndërtimin e strukturave mbrojtëse me gabiona, penela, mure mbajtëse dhe elementë të tjerë hidroteknikë. Projekti parashikon gjithashtu stabilizimin e skarpateve dhe disiplinimin e rrjedhës së ujit për të parandaluar dëmtimet nga prurjet dhe gërryerjet.

 

The post Mbrojtja nga përmbytjet, tender 2.3 mln euro për Devollin dhe Osumin appeared first on Revista Monitor.

  •  

Inflacioni i harmonizuar arrin 3,4% në korrik, ushqimet dhe turizmi me ndikimin kryesor

Inflacioni i matur sipas Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit arriti në 3,4% në korrik 2026, duke qëndruar 0,4 pikë përqindje mbi mesataren prej 3% të Bashkimit Europian.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se rritja vjetore e çmimeve vazhdon të ushqehet kryesisht nga produktet ushqimore, por një ndikim pothuajse po aq të fortë po japin edhe shërbimet e lidhura me argëtimin, turizmin dhe akomodimin.

Grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” dha kontributin më të madh, me 1,09 pikë përqindje në inflacionin vjetor, pasi çmimet u rritën me 3,2% krahasuar me korrikun e vitit të kaluar. Ky grup zë rreth 34,5% të peshës së përgjithshme të indeksit të harmonizuar, duke bërë që edhe lëvizjet relativisht të moderuara të çmimeve të ushqimeve të kenë ndikim të konsiderueshëm në inflacion.

Presioni i dytë më i fortë erdhi nga grupi “Argëtim, sport dhe kulturë”, ku çmimet u rritën me 8,5% në një vit, norma më e lartë ndër të gjitha kategoritë. Ky grup kontribuoi me 0,55 pikë përqindje në inflacion.

Çmimet në restorante dhe strukturat akomoduese u rritën me 3,6%, duke shtuar 0,53 pikë përqindje në normën vjetore. Së bashku, argëtimi dhe shërbimet e akomodimit dhanë një kontribut prej 1,08 pikësh përqindjeje, thuajse të barabartë me ndikimin e të gjithë grupit të ushqimeve.

Ndikimi i shërbimeve turistike është më i dukshëm tek Indeksi i Harmonizuar, pasi ky tregues përfshin edhe shpenzimet e turistëve të huaj në Shqipëri. Restorantet dhe akomodimi zënë rreth 14,5% të peshës së këtij indeksi, kundrejt vetëm 5,7% në Indeksin kombëtar të Çmimeve të Konsumit.

Transporti ishte një tjetër burim presioni. Çmimet e tij u rritën me 4,6% në krahasim me korrikun 2025, duke kontribuar me 0,39 pikë përqindje në inflacion. Rritje relativisht të larta u regjistruan edhe për pijet alkoolike dhe duhanin, me 4,5%, kujdesin personal dhe shërbimet e ndryshme, me 3,5%, si dhe arsimin, me 3,3%.

Në kahun tjetër, çmimet e informacionit dhe komunikimit ranë me 0,6% në bazë vjetore, ndërsa veshjet dhe këpucët u liruan me 0,5%. Megjithatë, pesha dhe ndikimi i këtyre dy kategorive ishin shumë të vogla për të kompensuar rritjen e ushqimeve dhe shërbimeve.

Në krahasim me qershorin, çmimet e konsumit u ulën me 0,1%. Rënia mujore u ndikua kryesisht nga ushqimet, të cilat u liruan me 0,9%, informacioni dhe komunikimi me 1,3%, veshjet dhe këpucët me 1,2% dhe shërbimet financiare me 1%.

Kjo rënie u kufizua nga shtrenjtimi mujor i transportit me 2,5% dhe i grupit që përfshin qiratë, ujin, energjinë elektrike, gazin dhe karburantet e tjera me 1%.

Të dhënat tregojnë se, pavarësisht uljes së lehtë mujore, struktura e inflacionit mbetet e përqendruar te shpenzimet bazë dhe shërbimet sezonale. Ushqimet, argëtimi, restorantet, akomodimi dhe transporti siguruan së bashku rreth 2,56 pikë përqindje nga norma e përgjithshme prej 3,4%.

 

The post Inflacioni i harmonizuar arrin 3,4% në korrik, ushqimet dhe turizmi me ndikimin kryesor appeared first on Revista Monitor.

  •  
❌