Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 28 January 2026Main stream

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së martës neglizhencën e frikshme të drejtuesve dhe personelit mjekësor të Burgut 313 në Tiranë, ku një i paraburgosur h...

28 January 2026 at 16:00

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së martës neglizhencën e frikshme të drejtuesve dhe personelit mjekësor të Burgut 313 në Tiranë, ku një i paraburgosur humbi jetën. Në datën 28 tetor 2023, i paraburgosuri Artan Zylyftari, i cili ndodhej në qelinë numër 5, në katin e parë të godinës B të këtij institucioni, është ndjerë keq dhe ka kërkuar ndihmë më të specializuar mjekësore. Emisioni investigativ ka siguruar videot e plota, ku pamjet e kamerave të sigurisë kanë hedhur dritë mbi abuzimin e këtij personeli, teksa shihet mjaft qartë se infermierja ishte “me duar në xhepa”, ndërkohë që mjeku as nuk ndodhej në vendin e punës. Në filmim duken disa të burgosur të tjerë, mes të cilëve edhe Geri Zylyftari, vëllai i viktimës, i cili kërkon me ngulm ndihmë mjekësore. “Në atë datë, në orën 3 e 8 minuta, vëllai im ka pasur shqetësime të zemrës dhe ka rënë përtokë. Në qeli kam qenë unë, vëllai, kushëriri dhe një shok tjetër. E kemi marrë vëllanë në orën 3 e 12 minuta për t’a nxjerrë në korridor. Ka ecur me këmbët e tij deri aty dhe nga ora 3 e 12 minuta e deri në 3 e 30 minuta, na ra dhe s’u çua më. Ne lajmëruam punonjësin që të lajmëronte infermieren dhe mjekun. Polici i lajmëroi, kurse mjeku s’është afruar që t’i japë ndihmë, as infermierja”, thotë Geri Zylyftari, në një rrëfim për Fiks Fare. Në pamje duket se viktima ka qenë i shtrirë në mes të korridorit, ku disa gardianë i japin ndihmën e parë. Ata i bëjnë masazh kardiak. Të paraburgosurit tentojnë t’a ndihmojnë për minuta të tëra. Pranë tyre, asnjë gjurmë të stafit mjekësor. “Infermieres i është dashur 15 minuta për të ardhur në atë korridor. Ka ardhur pas kaq kohësh, s’kishte asnjë lloj gjëje, as medikamente, pajisje e as defribilator. Nëse do kishte pasur këto gjëra, ai s’do vdiste! Për shkak të kësaj, ai ka ndërruar jetë” vijon Geri. Çuditërisht, në atë ditë, orë, minutë e sekondë, asnjë mjek nuk ka shkuar për të dhënë ndihmën e parë. Pranë të paraburgosurit ka shkuar vetëm infermierja. “Burgu ka pasur edhe mjekë por s’ka ardhur. Infermierja vetëm i ka matur pulsin. Pulsi i kishte rënë dhe donte defribilator që t’a kthente në jetë dhe nuk e kishin. Kanë pritur edhe ambulancën, është vonuar deri në 3 e 30 minuta” shton ai. Në video duket qartë neglizhenca dhe paaftësia e stafit mjekësor të Paraburgimit 313 në një situatë të tillë. Disa gardianë e marrin të paraburgosurin me batanije, për t’a transportuar deri te autoambulanca. “E kanë marrë aty me batanije për t’a çuar në QSUT, s’ka pasur barrelë, asnjë lloj gjëje. E kanë rrëzuar dhe rrugës. Me batanije e morën punonjësit e policisë. Kjo është çdo gjë absurde. Vonesa dhe neglizhenca e atyre i morën jetën atij. S’kanë pasur as barelë dhe asnjë lloj gjëje. S’kanë pasur asnjë lloj kushti, asnjë lloj gjëje”, thotë Geri, i cili është edhe dëshmitar okular i asaj që ka ndodhur brenda burgut 313 në Tiranë. Në dosjen e prokurorisë shkruhet se Artan Zylyftari ka ndërruar jetë në QSUT. “Vëllai im ka ndërruar jetë në institucionin e burgut. Atë e kanë marrë pa barrelë dhe e kanë rrëzuar rrugës. Ka qenë ora 3 dhe doktoresha duhet të ishte prezente se ka ndodhur diçka në institucionin e burgut. Në dijeninë time ka pasur doktorë, por s’ka qenë aty. Për neglizhencën e tyre ka vdekur vëllai im” shton Geri. #voxnews #media #news

1119 views


💾

Drejtoria e Pastrim Gjelbërimit në Tiranë i ka dhënë një tjetër tender të paracaktuar kompanisë Shpresa Al, me pronar Lush Osmanin, duke ngritur hije ...

28 January 2026 at 16:00

Drejtoria e Pastrim Gjelbërimit në Tiranë i ka dhënë një tjetër tender të paracaktuar kompanisë Shpresa Al, me pronar Lush Osmanin, duke ngritur hije të mëdha dyshimi se paratë që akordon kjo drejtori, sidomos për karburantet, shkojnë gjithmonë te të njëjtat duar. Skandali thellohet më tej për shkak se kjo firmë nuk ka licencë për të tregtuar karburant, por kjo s’e ka penguar që të marrë këto miliona. Gjatë 4 viteve të fundit, Osmani ka marrë çdo qindarkë të akorduar nga Liri Qoshi apo ish-drejtorët e tjerë. Ka dyshime se Osmani, apo punonjës të tij, kanë lidhje të ngushta me këtë drejtori, duke bërë që tenderat t’i fitojë gjithmonë Shpresa Al. VoxNews ka denoncuar disa javë më parë se këto procedura kanë qenë të paracaktuara, por asnjë institucion as ka marrë mundimin që t’i verifikojë. Nuk është bërë asnjë kontroll apo audit për të parë nëse janë bërë procedurat konform ligjeve apo rregulloreve. Ashtu siç edhe paralajmëruam, madje edhe me dokumente, në datën 21 janar 2026, Drejtoria e Pastrim Gjelbërimit në Bashkinë e Tiranës ka shpallur fituesin e tenderit me objekt “blerje karburant dhe vaj”. Kompania Shpresa Al ofroi 185 milionë lekë, pa TVSH. Të njëjtën ofertë kishte edhe një kompani që mori pjesë në tender, ndërkohë firma e tretë u skualifikua nga gara. VoxNews hulumtoi dokumente të vjetra të kësaj drejtorie, ku rezulton se e njëjta procedurë e zhvilluar në vitin 2023 është fituar nga firma Shpresa AL. Në atë kohë, Pastrim Gjelbërimi finalizoi tenderin “furnizim me lëndë djegëse për automjete diesel” me marrëveshje kuadër me afat 36 muaj. Fondi limit ishte 172 milionë lekë, ndërkohë që në procedurë mori pjesë vetëm një ofertues dhe “SHPRESA-AL” shpk me nipt K31321021N. Kjo firmë e fitoi këtë tender me të njëjtën vlerë, 172 milionë lekë, duke marrë 100 % të fondit limit. Jo vetëm tenderin e naftës, por e njëjta firmë fitoi edhe tenderin e benzinës. Kjo procedurë e vitit 2023 u fitua sërish me 100 % të fondit limit nga firma Shpresa Al, me dyshimin se ishte e paracaktuar. Ishte e vetme në garë dhe mori çdo qindarkë të akorduar. Vlera e akorduar nga Pastrim Gjelbërimi ishte 27.900.000 lekë dhe Shpresa Al ofroi po 27.900.000 lekë. Megjithëse xhiron miliona euro nga tenderët, apo ka marrë koncesionin e kalibrimit të pajisjeve të gazit, sërish kompania Shpresa Al nxjerr fitime minimale. E njëjta kompani fiton tendera për ndërtim rrugësh, fiton për karburant procedura apo edhe merr koncesione, ndërkohë që bilanci i vitit 2024, i publikuar disa muaj më parë, e ka nxjerrë këtë firmë me një fitim prej 350 mijë eurosh. Pronari mori 240 mijë euro, ndërkohë 100 mijë euro i la për rezerva. Ka dyshime se bilancet e kësaj kompanie janë manipuluar, duke i xhiruar paratë e tenderave në kompani të tjera, për mallra apo shërbime. Duket se, lidhjet e Osmanit me godinën e qelqtë në zonën e Astirit, me Tatimet VIP, kanë bërë që ai të mos hetohet për këto abuzime. Prona ku është vendosur kjo drejtori e tatimeve është në emër të Shpresa Al, teksa gjithkush mund të mendojë se qiramarrësit (tatimet) s’mund të hetojnë qiradhënësit (Shpresa al)! #voxnews #media #news

4752 views


💾

Spanja do të shpërndajë 20 milionë euro si kompensim për viktimat e aksidentit të javës së kaluar në trenin me shpejtësi të lartë, që vrau 45 persona ...

28 January 2026 at 16:00

Spanja do të shpërndajë 20 milionë euro si kompensim për viktimat e aksidentit të javës së kaluar në trenin me shpejtësi të lartë, që vrau 45 persona dhe la mbi 150 të plagosur. Lajmi u konfirmua këtë të martë nga ministri i Transportit, Oscar Puente. Vendi është ende i tronditur nga katastrofa e 18 janarit që ndodhi në Adamuz, pranë qytetit jugor të Kordobës, që shkaktoi një nga numrat më të lartë të viktimave nga një aksident me tren në historinë e fundit në Europë dhe më të madhin në Spanjë që nga viti 2013. Familjet e të vrarëve do të marrin secila 216 mijë euro brenda jo më shumë se tre muajsh, të cilat ndahen në 72 mijë euro ndihmë e përjashtuar nga taksat nga qeveria dhe një pagesë paraprake sigurimi prej 72 mijë euro. Një tjetër shumë prej 72 mijë eurosh do të paguhet nga sigurimi i detyrueshëm i udhëtarëve. “E dimë që procedurat e zakonshme dhe afatet ligjore nuk i përgjigjen gjithmonë urgjencës jetike të një tragjedie të tillë,” tha Puente, citon Reuters, duke shtuar se viktimat nuk mund të përballojnë të presin vite për të marrë mbështetje. “Pasiguria ekonomike nuk mund të shtohet mbi dhimbjen emocionale.” Pagesat për të plagosurit do të variojnë nga 2 mijë e 400 euro deri në 84 mijë euro, sipas ministrit Puente. Ministri është nën presion publik që nga aksidenti në Adamuz dhe incidente të tjera të së njëjtës javë, përfshirë vdekjen e një makinisti në Katalonjë dhe dy aksidente të tjera pa viktima. Partia Popullore ka kërkuar dorëheqjen e tij. I pyetur për të ardhmen e tij, Puente u tha gazetarëve se e kishte ndërgjegjen të qetë, ishte duke kryer punën e tij sa më mirë që mundej dhe duke bërë çdo përpjekje për të komunikuar të gjitha informacionet e disponueshme për qytetarët. Shërbimi i trenave lokalë në Katalonjë, Rodalies, gjithashtu u përball me ndërprerje të mëdha javën e kaluar pasi shumë makinistë refuzuan të punonin për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë, duke lënë mijëra pasagjerë të bllokuar, ndërsa një dështim i softuerit rrëzoi qendrën e kontrollit të trafikut hekurudhor të hënën. #voxnews #media #news

9458 views


💾

Anthony Zurcher – BBC Administrata Trump ka hequr dorë shpejt nga strategjia e saj e zakonshme “moho dhe sulmo”, të cilën e përdori fillimisht pas vra...

28 January 2026 at 16:00

Anthony Zurcher – BBC Administrata Trump ka hequr dorë shpejt nga strategjia e saj e zakonshme “moho dhe sulmo”, të cilën e përdori fillimisht pas vrasjes së Alex Pretti nga agjentë federalë në Minneapolis, të shtunën në mëngjes, 24 janar. Brenda 24 orësh, ndërsa në rrjetet sociale nisën të qarkullojnë video të shumta nga momenti i incidentit, u bë e qartë se Shtëpia e Bardhë ishte në kundërshtim të hapur me perceptimin publik dhe me atë që amerikanët mund të shihnin vetë me sytë e tyre. Që prej asaj kohe, administrata, përfshirë edhe vetë presidentin, ka ndryshuar qasje, duke ia atribuar përgjegjësinë demokratëve dhe duke u fokusuar më pak te veprimet e infermierit amerikan që u vra. Nga ana tjetër, demokratët kanë shtuar kritikat ndaj politikës së deportimeve masive dhe taktikave agresive të Shërbimit të Emigracionit dhe Doganave (ICE), duke hyrë në një përplasje politike që mund të çojë në një tjetër mbyllje të pjesshme të qeverisë që të premten. Të hënën në mëngjes, Zëvendës-Prokurori i Përgjithshëm, Todd Blanche, e përshkroi situatën si një “fuçi baruti”. Edhe pse ai fajësoi demokratët, shumë nga të dy krahët e spektrit politik amerikan bien dakord se situata aktuale është jashtëzakonisht e rrezikshme. Reagimi fillestar i administratës ndaj vdekjes së Pretti-t ishte i drejtpërdrejtë. 37-vjeçari u portretizua si një terrorist i vendosur për të shkaktuar gjakderdhje. Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, deklaroi se Pretti synonte të “shkaktonte dëm” dhe se po “mbante armë”. Komandanti i Patrullës Kufitare, Gregory Bovino, tha se situata dukej si një rast ku një individ donte të “shkaktonte dëme maksimale dhe të masakronte forcat e rendit”. Këshilltari i lartë presidencial, Stephen Miller, e quajti Pretti-n një “vrasës të mundshëm”. Megjithatë, ndryshe nga praktika e zakonshme e Shtëpisë së Bardhë për të reaguar ashpër ndaj kritikave, zëdhënësja Karoline Leavitt refuzoi të përsëriste deklaratat e Miller-it, kur u pyet nëse presidenti ndante të njëjtin qëndrim. Ajo tha se do të zhvillohej një hetim i plotë. Ky ishte një ton dukshëm më i përmbajtur krahasuar me reagimin fillestar pas të shtënave. Qasja e parë i ngjante asaj të ndjekur tre javë më parë, kur forcat federale vranë një tjetër banore të Minneapolis-it, Renee Good, e cila u cilësua gjithashtu si terroriste që kishte “armatosur” automjetin e saj për të plagosur agjentë të ICE. Ashtu si në rastin Good, edhe versioni i qeverisë federale është kundërshtuar nga autoritetet lokale, dëshmitarët okularë dhe familja e viktimës. Prindërit e Pretti-t kërkuan që e vërteta të dalë në dritë, duke shtuar se “gënjeshtrat e neveritshme të thëna për djalin tonë nga administrata janë të papranueshme dhe të turpshme”. Video të shumta nga incidenti i së shtunës hedhin poshtë shumë nga pretendimet fillestare të administratës. Pamjet tregojnë Pretti-n duke filmuar agjentët e ICE me telefonin e tij dhe duke ndihmuar një grua që shtyhet përtokë, përpara se të dy të spërkaten me sprej lotsjellës. Në asnjë moment ai nuk shihet duke mbajtur armë, kur shtrihet përdhe nga agjentët. Departamenti i Sigurisë Kombëtare pretendon se Pretti kishte një pistoletë gjysmë-automatike 9 mm dhe dy karikatorë municioni. Policia lokale ka konfirmuar se ai ishte pronar i ligjshëm i armës. Sipas ligjit të Minesotës, qytetarët mund të mbajnë ligjërisht armë të fshehur në publik, me leje përkatëse. Këtë herë, narrativa fillestare e administratës u bë shumë shpejt e vështirë për t’u mbajtur. “Publiku e ka humbur durimin”, tha shefi i Policisë së Minneapolis-it, Brian O’Hara, duke theksuar se oficerët e tij kanë kryer qindra arrestime të personave të dhunshëm vitin e kaluar pa përdorur armë zjarri. “Kjo situatë nuk është e qëndrueshme.” #voxnews #media #news

12.4K views


💾

New York Times” i ka kushtuar një artikull me doza ironie ministres së Inteligjencës Artificiale në Shqipëri, e njohur me emrin “Diella” New York Time...

28 January 2026 at 16:00

New York Times” i ka kushtuar një artikull me doza ironie ministres së Inteligjencës Artificiale në Shqipëri, e njohur me emrin “Diella” New York Times shkruan se avatarja Diella, promovuar nga kryeministri Edi Rama si simbol i transparencës dhe reformës digjitale, është ndërtuar nga një agjenci shtetërore, drejtuesit e së cilës sot akuzohen për manipulim tenderash dhe lidhje me krimin e organizuar. Një histori që tregon paradoksin shqiptar: lufta kundër korrupsionit, e menaxhuar nga vetë sistemi që dyshohet se është i kapur nga korrupsioni. Shkrimi i New York Times: Avatari i njohur si Diella, i reklamuar si ministrja e parë qeveritare në botë e gjeneruar nga inteligjenca artificiale, supozohej të ndihmonte në uljen e korrupsionit endemik të Shqipërisë. Por ka një defekt. Udhëheqësit e agjencisë që e ndërtuan atë akuzohen për manipulim tenderash në kontrata publike. E veshur me kostum tradicional dhe me një buzëqeshje enigmatike, Diella është bërë fytyra e përpjekjeve të kryeministrit Edi Rama për të frenuar korrupsionin, ndërsa Shqipëria synon të bashkohet me Bashkimin Evropian. Gjatë vitit të kaluar, Diella (shqiptohet di-EL-a) ka folur në konferenca ndërkombëtare dhe është mbuluar me publicitet si simbol i mënyrës se si inteligjenca artificiale po integrohet në shtyllat e shoqërisë në mbarë botën, përfshirë qeverisjen. Madje ajo deklaroi se ndihej “e lënduar” kur iu drejtua Parlamentit të Shqipërisë vjeshtën e kaluar për kritikat se përpjekjet e saj për të identifikuar mashtrimet dhe abuzimet në prokurime ishin antikushtetuese, pasi “unë nuk jam një qenie njerëzore.” “Nuk kam ambicie apo interesa personale,” tha Diella, e modeluar sipas një aktoreje lokale, ligjvënësve në një video në shtator me flamurin shqiptar dhe atë të Bashkimit Evropian të superimponuar pas saj. “Kam vetëm të dhëna, njohuri dhe algoritme të dedikuara për t’u shërbyer qytetarëve në mënyrë të paanshme, me transparencë dhe pa u lodhur kurrë.” Në praktikë, Diella i ndihmon qytetarët të aplikojnë për shërbime qeveritare online, duke eliminuar një sistem të konsoliduar prej kohësh të ryshfetit ndaj zyrtarëve për dorëzimin e shpejtë të dokumenteve dhe caktimin e takimeve. Së shpejti ajo do të jetë në gjendje të përmbledhë aplikimet për kontrata qeveritare për të vlerësuar se cili ofertues është më i kualifikuari, bazuar në të dhënat e paraqitura. Puna e saj mund të auditohet. Marrja e hapave për të ulur korrupsionin është një kërkesë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, një çështje trashëgimie për zotin Rama. Ai e quajti avatarin Diella, fjala femërore për diell, për të promovuar transparencën në prokurimin publik. “Ne jemi një vend kushërinjsh — nuk është e lehtë të kesh ndërveprime plotësisht të drejta dhe transparente në një vend kushërinjsh,” tha ai në një intervistë njëorëshe më herët këtë muaj. Me reformat që ka drejtuar që nga marrja e detyrës në vitin 2013, tha Rama, “tani kemi një pamje krejtësisht të ndryshme.” Rama tha se do të largohej nga jeta publike sapo Shqipëria të bashkohej zyrtarisht me Bashkimin Evropian. Kjo mund të ndodhë që në vitin 2030, nëse negociatat vazhdojnë me ritmin aktual, megjithëse ai vuri në dukje se “ka tre gjëra që janë mbi kapacitetin njerëzor për të planifikuar: Zoti, seksi dhe BE-ja.” Një raport i nëntorit nga zyrtarët e BE-së tha se Shqipëria kishte “treguar disa përparime”, por se “korrupsioni mbeti i përhapur në sektorë vulnerabël.” Ai vlerësoi një njësi të posaçme prokurorie të krijuar në vitin 2019 për “rezultate pozitive në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë.” Kjo përfshin një hetim në Agjencinë Kombëtare të Informacionit, vetë organizatën qeveritare që krijoi Diellën. #voxnews #media #news

1147 views


💾

Franca reagoi ashpër ndaj deklaratës së Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, i cili argumentoi se Europa nuk mund të mbrohet pa mbështetj...

28 January 2026 at 16:00

Franca reagoi ashpër ndaj deklaratës së Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, i cili argumentoi se Europa nuk mund të mbrohet pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara. Rutte i bëri këto deklarata gjatë një seance të Parlamentit Europian, duke iu përgjigjur një pyetjeje nga eurodeputeti francez i ekstremit të djathtë, Pierre-Romain Thionnet, i cili tha se ideja e një ushtrie europiane është anakronike dhe nuk mund të përballojë sfidat moderne. Përgjigja e Ministrit të Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot, ishte e drejtpërdrejtë dhe kategorike: “Jo, i dashur Mark Rutte. Europianët mund dhe duhet të marrin përsipër sigurinë e tyre. Edhe SHBA-të janë dakord. Kjo është shtylla evropiane e NATO-s”, tha ai. Kundërshtimi i Francës ndaj deklaratave të Rutte u përforcua nga zyrtarë të tjerë, siç është Muriel Domenech, një ish-ambasador francez në NATO, i cila i tha në X se strategjia e forcimit të sigurisë europiane përmes garancisë amerikane është e vjetruar dhe i dërgon mesazhin e gabuar Rusisë. Franca nuk është i vetmi vend që mbështet forcimin e shtyllës evropiane të NATO-s. Ministrja franceze e Mbrojtjes, Catherine Vautrin, tha se realiteti i sotëm kërkon forcimin e pranisë ushtarake të Europës brenda NATO-s dhe se kjo ide, e propozuar nga Franca disa vjet më parë, tani mbështetet nga vende të tjera, siç është Gjermania. Ky diskutim vjen në një kohë kur Uashingtoni, nën udhëheqjen e Trump, ka deklaruar se Amerika do të kufizojë përfshirjen e saj në sigurinë europiane. Sipas strategjisë së re të mbrojtjes kombëtare të SHBA-së të publikuar të premten, evropianët duhet të marrin iniciativën përballë kërcënimeve, dhe u theksua se Europa është ekonomikisht dhe ushtarakisht e aftë të mbrohet, veçanërisht kundër Rusisë. Përveç kësaj, vendimi i SHBA-së për të nxitur rritjen e shpenzimeve ushtarake në Evropë ka pasur ndikim, pasi vitin e kaluar arriti të bindë vendet evropiane që të rrisin shpenzimet e tyre të mbrojtjes në 5% të PBB-së. Ministri i Jashtëm francez tha se BE-ja duhet të marrë përgjegjësinë për sigurinë e kontinentit, pa u varur nga Amerika, duke theksuar nevojën për një shtyllë të fortë evropiane brenda NATO-s. #voxnews #media #news

8746 views


💾

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, para eurodeputetëve ka konfirmuar se Europa nuk është në gjendje të mbrohet e vetme pa mbështetjen e Sh...

28 January 2026 at 16:00

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, para eurodeputetëve ka konfirmuar se Europa nuk është në gjendje të mbrohet e vetme pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara. Skenari i pavarësisë ushtarake do te kërkonte shpenzime te papërballueshme. “Nëse dikush mendon përsëri këtu se Bashkimi Europian ose Europa në tërësi mund të mbrohet pa SHBA-në, le të vazhdojë të ëndërrojë. Ju nuk mundeni. Ne nuk mundemi. Ne kemi nevojë për njëri-tjetrin. Dhe pse kemi nevojë për njëri-tjetrin? Po ju them. Para së gjithash, sepse edhe SHBA-të kanë nevojë për NATO-n.” Duke folur në Komitetin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, ai paralajmëroi se nëse Europa do të synojë krimin e një ushtrie të sajën për të siguruar mbrojtje, do të përballej me shpenzime të larta dhe investime në armë bërthamore. “Europa nëse do vërtet të mbrohet vetë, dhe ata prej jush planifikojnë ta bëjnë këtë, harroni se nuk mund ta arrini kurrë me 5 përqind të GDP-së, do të jetë 10 përqind. Ju duhet të ndërtoni aftësinë tuaj bërthamore që kushton miliarda e miliarda euro. Do të humbisni, do të humbisni garantuesin përfundimtar të lirisë sonë, që është ombrella bërthamore e SHBA-ve”. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte i ka rikujtuar Serbisë se ende nuk ka pasur llogaridhënie për sulmin terrorist në Banjskë, si dhe për sulmet e kryera ndaj ushtarëve të KFOR-it gjatë trazirave në pranverën e vitit 2023. “Unë kam marrëdhënien time me presidentin Aleksandar Vuçiç. Ne e njohim njëri-tjetrin prej shumë vitesh. Por, sigurisht, presim që ai të japë llogari për atë që ndodhi disa vjet më parë, për dy çështje. Dhe për të dyja, ai premtoi llogaridhënie të plotë”. Para ligjvënësve europianë, Rutte prezantoi dy drejtime veprimi kur është fjala për sigurinë e Grenlandës dhe Arktikut: përpjekjet kolektive të NATO-s për forcimin e mbrojtjes ushtarake dhe ekonomike kundër ndikimit rus dhe kinez në Arktik si dhe bisedimet dypalëshe midis Danimarkës, Groenlandës dhe Shteteve të Bashkuara. #voxnews #media #news

17.8K views


💾

Iliri punon si bashkëpunëtor i jashtëm në një televizion. Ai është regjistruar si i vetëpunësuar i vetëm dhe lëshon fatura mujore për televizionin. Kj...

28 January 2026 at 16:00

Iliri punon si bashkëpunëtor i jashtëm në një televizion. Ai është regjistruar si i vetëpunësuar i vetëm dhe lëshon fatura mujore për televizionin. Kjo është e ardhura kryesore që ai ka. Prej disa ditësh Iliri i kërkon ekonomistes që të presë faturën mujore, por kjo është e pamundur, pasi fiskalizimi i faturave bëhet përmes sistemit self-care, që ka mbi dy javë që është tërësisht jashtë funksionit dhe menaxhohet nga portali qeveritar E-Albania. Ashtu si Iliri, të vetëpunësuarit e vetëm përdorin sistemin self-care për fiskalizimin e faturave, pasi ky shërbim atyre u ofrohet pa pagesë, ndryshe nga bizneset e tjera që janë të detyruara të marrin shërbimin e kompanive private të programeve fiskale. Sipas INSTAT, në vend ka rreth 40 mijë biznese të vetëpunësuar, ose rreth 30% e totalit, por nuk ka të dhëna se sa prej tyre janë të vetëpunësuar të vetëm. Aktiviteti i këtyre të fundit është tërësisht i bllokuar prej ditësh për shkak të mosfunksionimit të programit self-care. Të vet-punësuarit e vetëm janë ata që po pengohen më shumë në aktivitetin e tyre nga mosfunksionimi i sistemit self-care. Ky i fundit është portali i fiskalizimit i vendosur në dispozicion nga Administrata Tatimore që mundëson procesin e fiskalizimit të faturave të shitjes, deklaratave doganore, ngarkimin e certifikatës së fiskalizimit dhe ndryshimet në të, etj. Por, ekonomistët raportojnë se edhe subjektet e tjera që përdorin programe private po hasin vështirësi, pasi disa programe të lira i nxjerrin të dhënat e faturës të kufizuara. Sonila, ekonomiste, thotë se një klient i kërkon që të nxjerrë faturën me kokë blu, ku janë të dhënat e bankës, pasi banka nuk ia kishte pranuar faturën e nxjerrë nga kompania që u ofron shërbimin e programit fiskal. Bizneset nuk arrijnë të bëjnë dot as kontabilizimin e doganave, por malli mund të merret dhe dërgohet. Tashmë që afati për dorëzimin e bilanceve po afrohet, ekonomistët e përdorin këtë portal për të parë historikun e pagesave, dhe për të bërë minibilancet mujore, dhe bllokimi i portalit po bën që të vonohen në procesin e hartimit të bilancit. Bllokimi i platformës qendrore të fiskalizimit sipas ekspertit fiskal Julian Saraçi, po paraqet një sërë problematikash që ndikojnë në funksionimin normal të biznesit, që nga mosfunksionimi i fiskalizimit, nxjerrja e certifikatës së re, mosfiskalizim për faturat e importit apo moskryerja e rakordimeve të faturave të kontrollit me ato të sistemit. “-Faturat nuk lëshohen nga platforma qendrore. Procesi i fiskalizimit shpesh duket i përfunduar, por kur kontrollohet (check) sistemi bllokohet (crash) dhe fiskalizimi nuk përfundohet. -Nuk mund të lëshohen faturat nga platforma qendrore; disa shoqëri fiskalizimi duket se përfundojnë procesin, por sistemi bllokohet kur kontrollohet. -Certifikata e re e fiskalizimit nuk regjistrohet, nuk mund të shkarkohet ose të ngarkohet (upload), duke penguar rinovimin dhe aktivizimin e saj. -Nuk mund të hapet filial i ri ose të ndryshohet operatori, duke bllokuar zgjerimin e biznesit dhe ndryshimet në staf (largime, shtime, zëvendësime). -Faturat e importit nuk fiskalizohen brenda 72 orëve. -Nuk mund të aksesohen faturat në sistem për rakordime dhe kontrolle. -Nuk aksesohen faturat në sistem për rakordime e kontrolle -Nuk verifikohen dot statuset e faturimeve -Nuk kryhen dot rakordimet, apo pagesat që të lidhen me faturën etj”. Sotiraq Dhamo: Mosfunksionimi i sistemit Self Care ka bllokuar punën për shumë biznese Për kontabilistin Sotiraq Dhamo mosfunksionimi i sistemit Self Care ka bllokuar punën për shumë biznese, përfshirë personat fizikë që mund të lëshojnë fatura të fiskalizuara, mosfiskalizim të deklaratave doganore në afat për importuesit, në certifikatën elektronike nuk mund të bëhen ndryshime e adresës, nëse është dhënë gabim. “Normalisht, Self Care është baza kryesore për rakordimet. Edhe tani, gjatë përgatitjes së Planit Financiar vjetor 2025, duhet të kryhen disa rakordime me Self Care, prandaj është e nevojshme të kesh akses në platformë. #voxnews #media #news

5069 views


💾

Yesterday — 27 January 2026Main stream

Fjalimet zgjatën më pak se sa përplasja me policinë në protestën e të shtunës të Partisë Demokratike. Sulmet ndaj kryeministrisë dhe Kuvendit u shoqër...

28 January 2026 at 04:00

Fjalimet zgjatën më pak se sa përplasja me policinë në protestën e të shtunës të Partisë Demokratike. Sulmet ndaj kryeministrisë dhe Kuvendit u shoqëruan me përplasje të deputetëve demokratë dhe policisë. Vetë kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, u largua drejt selisë blu pasi mbaroi fjalën e tij, ndërsa bulevardi u kthye në arenë përplasjesh mes molotovëve të protestuesve dhe gazit lotsjellës të policisë. Analisti Arjan Curi u shpreh në Top Story se fabula e protestës së PD-së u shkërmoq nga vetë PD-ja, pasi votoi në Parlament, tre ditë para tubimit, për të çuar Ramën të përfaqësojë Shqipërinë në “Bordin e Paqes”. “Protesta po vritet nga vetë PD-ja. Nuk mund të thërrasësh njerëzit të shtunën për të rrëzuar Edi Ramën, kur të enjten votove Edi Ramën për të përfaqësuar Shqipërinë dhe të shkojë në Uashington. Nëse PS-ja dhe PD-ja janë me Trumpin, atëherë le të rrinë në këto opozita dhe të luftojnë kush do të fitojë në favor të Trumpit. Elementi i dytë që vura re ishte udhëtimi që bëri Sali Berisha në Strasburg. Izolim total. Nuk e di ç’kishte bërë një video aty pas asnjë mikrofon përpara. U çudita. Ndoshta gjeti një foltore dhe vajti atje. Nuk mbaj mend të ketë takuar ndonjë ndërkombëtar Berisha pasi është bërë non-grata. Kam një informacion që po lobohet nga disa deputetë të PD-së që Berisha të takohet me një ambasador grek, por as atij ose asaj nuk po i mbushet mendja. Të shtunën që këta bënin protestën, unë udhëtova jashtë, dhe eksponent të PD-së ishin në aeroport duke udhëtuar jashtë. Goxha të rëndësishëm. Po mundoheshin të fshiheshin, mos të dukeshin. Shkova dhe i pyeta vetë: ‘Si ka mundësi’. Edhe gazi që këta u ankuan se ishte i skaduar, edhe ai ishte në ndihmë të protestës së PD-së. Gazi kur skadohet, e humbet atë aftësinë helmuese. Që mos t’i helmojnë shumë, i kanë hedhur gaz të skaduar. Ja kanë hedhur me hatër që protesta të mbante më shumë. Këtyre i është shkërmoqur e gjithë fabula. ‘Rama ra’, ‘Rama u izolua’, ‘Rama e ka keq me amerikanët’, u shkërmuan. Rama, me dy persona që po drejtojnë botën, priti vajzën e Donald Trump dhe takoi Netanyahun, me këta dy persona, e ka muhabetin më mirë se me çdo tjetër. Në izolim real është Sali Berisha, i cili ndërkombëtaren e vetme që takon jashtë vendit është Albana Vokshi”, tha Curi. #voxnews #media #news

9691 views


💾

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka bërë thirrje për përshpejtimin e procesit ligjor – për të siguruar që ndalimi i medieve sociale për fëmijët nën...

28 January 2026 at 04:00

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka bërë thirrje për përshpejtimin e procesit ligjor – për të siguruar që ndalimi i medieve sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç – të mund të hyjë në fuqi deri në fillimin e vitit të ri shkollor, në shtator. Macron tha se i kishte kërkuar qeverisë së tij të fillonte një procedurë të përshpejtuar – në mënyrë që projektligji të përparonte sa më shpejt të ishte e mundur – dhe të miratohej nga Senati në kohë. “Truri i fëmijëve dhe adoleshentëve tanë nuk është në shitje”, tha Macron. “Emocionet e fëmijëve dhe adoleshentëve tanë nuk janë në shitje ose për t’u manipuluar. As nga platformat amerikane, as nga algoritmet kineze”, theksoi ai. Deklarata e Macron vjen vetëm disa ditë pasi qeveria britanike tha se po shqyrtonte vendimin për të ndaluar përdorimin e rrjeteve sociale nga adoleshentët – si pjesë e shtrëngimit të ligjeve – të hartuara për të mbrojtur fëmijët nga përmbajtjet e dëmshme dhe koha e tepërt para ekranit. Sipas organit mbikëqyrës të shëndetësisë në Francë, ANSES (Agjencia Kombëtare për Shëndetin dhe Sigurinë në Ushqim, Mjedis dhe Punë), një në dy adoleshentë kalojnë nga dy deri në pesë orë në ditë në telefonin e tyre inteligjent. Në një raport të publikuar në dhjetor, thuhej se pothuajse 90% e të rinjve të moshës 12 deri në 17 vjeç përdorin një telefon inteligjent çdo ditë për të hyrë në internet dhe se 58% e tyre i përdorin pajisjet e tyre për rrjetet sociale. Raporti theksoi një numër efektesh të dëmshme që lidhen me përdorimin e rrjeteve sociale, duke përfshirë uljen e vetëvlerësimit dhe rritjen e ekspozimit ndaj përmbajtjeve të lidhura me sjellje të rrezikshme, siç janë vetëdëmtimi, përdorimi i drogës dhe vetëvrasja. Disa familje franceze kanë paraqitur ankesa kundër TikTok-ut, pas vetëvrasjeve të adoleshentëve që besojnë se janë të lidhura me përmbajtje të rrezikshme. “Ne po ndalojmë rrjetet sociale për të miturit nën 15 vjeç dhe do të ndalojmë telefonat celularë në shkollat ??tona të mesme”, tha Macron. “Mendoj se ky është një rregull i qartë. I qartë për adoleshentët tanë, i qartë për familjet, i qartë për mësuesit dhe ne po ecim përpara”, shtoi ai duke iu referuar projektligjit përkatës që do të shqyrtohet sot në një seancë publike. #voxnews #media #news

3940 views


💾

Çmimi i arit ka tejkaluar për herë të parë nivelin prej 5 mijë dollarësh amerikanë për ons, ndërsa politikat e paparashikueshme dhe deklaratat kontrad...

28 January 2026 at 04:00

Çmimi i arit ka tejkaluar për herë të parë nivelin prej 5 mijë dollarësh amerikanë për ons, ndërsa politikat e paparashikueshme dhe deklaratat kontradiktore të Donald Trump kanë shtyrë gjithnjë e më shumë investitorë drejt aseteve të sigurta. Sipas të dhënave të Bloomberg, metali i çmuar u rrit me 1.8% të hënën, duke arritur në 5 mijë e 78 dollarë për ons. Ky zhvillim historik vjen në një moment tensioni të shtuar politik dhe ekonomik, pasi Trump kërcënoi Kanadanë me tarifa 100% nëse “arrin një marrëveshje me Kinën”, si edhe pas përplasjes së fortë me Evropën lidhur me të ardhmen e Grenlandës. Ndërkohë, tregjet financiare globale janë tashmë të tronditura nga frika për një tjetër bllokim të qeverisë amerikane, pasi demokratët kërcënuan të ndërpresin financimin për Departamentin e Sigurisë Kombëtare, pas vrasjes së një burri në Minneapolis nga agjentë federalë të imigracionit gjatë fundjavës. Rritja e së hënës është episodi më i fundit në një ecuri të jashtëzakonshme të arit, i cili ka shënuar një rritje prej afro 90% që nga inaugurimi i Trump më shumë se një vit më parë. Steve Miller, këshilltar për strategji investimesh në kompaninë australiane të menaxhimit të aseteve GSFM, tha se nuk kishte parë diçka të ngjashme gjatë katër dekadave të tij në tregjet financiare. “Shoku i dytë i naftës dhe frika nga inflacioni në fund të viteve ’70 dhe fillim të ’80-ave janë herët e fundit që më kujtohet një situatë e tillë për arin dhe kjo ndodhi para se unë të hyja në tregjet financiare”, u shpreh ai. Miller, ish-drejtor i sektorit të të ardhurave fikse në gjigantin e investimeve BlackRock, theksoi se rritja e fundit e arit lidhet me shqetësimet se administrata Trump mund të ndërmarrë hapa për të dobësuar dollarin amerikan, monedhën më të rëndësishme në botë. Sipas tij, një faktor shtesë që nxiti rritjen e çmimit ishte edhe informacioni se Rezerva Federale e SHBA-së kishte kontaktuar bankat për të monitoruar kursin e këmbimit mes dollarit amerikan dhe jenit japonez, i cili është në rënie. “Nëse Rezerva Federale po e bën këtë në emër të Thesarit amerikan, ka vetëm një arsye: ata mendojnë se dollari amerikan është shumë i fortë”, tha Miller. Zëra të rëndësishëm brenda administratës amerikane kanë sinjalizuar prej kohësh se preferojnë një dollar më të dobët, me synimin për të ringjallur prodhimin vendas. Dobësimi i dollarit do të ulte vlerën e aseteve kryesore amerikane, si obligacionet e thesarit, duke rritur më tej tërheqjen e arit si mjet ruajtjeje vlere. Ky proces, i njohur si “tregtia e zhvlerësimit”, mbart gjithashtu një dimension më dramatik. Disa analistë kanë paralajmëruar për borxhin dhe deficitin në rritje të SHBA-së, të cilat mund të shkaktojnë tronditje më të mëdha në tregjet globale nëse investitorët humbasin besimin te monedha rezervë botërore. Megjithatë, Miller shprehu skepticizëm ndaj këtij skenari ekstrem. Sidoqoftë, ai vlerëson se ari do të mbetet i kërkuar si instrument diversifikimi dhe sigurie për aq kohë sa pasiguria të dominojë tregjet financiare globale. “Mendoj se ka ende hapësirë për rritje të mëtejshme”, tha Miller. “Por po aq e rëndësishme është se ari mund të shërbejë si mbrojtje nga trazirat në klasat e tjera të aseteve.” #voxnews #media #news

7940 views


💾

Edhe Dhoma e Avokatisë Vlorë është rreshtuar kundër vendimit për zhvendosjen e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës nga qyteti i Vlorës drejt Tiranës. Si...

28 January 2026 at 04:00

Edhe Dhoma e Avokatisë Vlorë është rreshtuar kundër vendimit për zhvendosjen e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës nga qyteti i Vlorës drejt Tiranës. Sipas Dhomës së Avokatisë të Vlorës, ky është “një vendim i papranueshëm, i njëanshëm dhe thellësisht i dëmshëm për qytetin, profesionistët e drejtësisë dhe qytetarët e këtij qarku”. Dhoma e Avokatisë Vlorë thekson se “ky veprim nuk është një rast i izoluar, por vazhdim i një politike sistematike të zbrazjes institucionale të Vlorës, e cila ka arritur kulmin me largimin e Gjykatës Administrative dhe Gjykatës së Apelit, duke e shndërruar qytetin në një periferi institucionale pa peshë në hartën e drejtësisë shqiptare”. Sipas Dhomës së Avokatisë të Vlorës, largimi i institucioneve shtetërore nga Vlora përbën: -Cenim të rëndë të aksesit në drejtësi dhe shërbime publike për mijëra qytetarë; -Goditje direkte ndaj profesionit të avokatit, funksionimit të sistemit të drejtësisë dhe sigurisë juridike; -Diskriminim territorial të hapur, që favorizon centralizimin ekstrem në Tiranë dhe braktis qytetet historike e strategjike të vendit. “Vlora, një qytet me peshë historike, juridike dhe kombëtare, nuk mund dhe nuk duhet të trajtohet si një qytet i dorës së dytë. Vendime të tilla, të marra pa konsultim me komunitetin juridik dhe pa asnjë analizë reale të pasojave, përbëjnë shkelje të parimeve të shtetit të së drejtës dhe decentralizimit administrativ”, thekson Dhoma Vendore e Avokatisë Vlorë që sakaq kërkon: -Rishikimin e menjëhershëm dhe anulimin e vendimit për zhvendosjen e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës; -Ndërprerjen e politikës së largimit të institucioneve nga Vlora; -Rikthimin e funksioneve gjyqësore dhe administrative, të domosdoshme për një qytet të këtij dimensioni dhe rëndësie. “Nëse kjo prirje vazhdon, Dhoma Vendore e Avokatisë Vlorë rezervon të drejtën të ndërmarrë çdo veprim institucional dhe ligjor, në bashkëpunim me aktorë të tjerë vendorë dhe kombëtarë, për të mbrojtur interesin publik dhe dinjitetin e qytetit të Vlorës. Vlora nuk do të heshtë dhe nuk do të pranojë të zhvishet nga institucionet e saj”, përfundon deklarata Dhomës së Avokatisë të Vlorës. #voxnews #media #news

2175 views


💾

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, vlerësoi Shqipërinë si një nga vendet që, sipas tij, qëndron “në anën e duhur të historisë”, gjatë një se...

28 January 2026 at 04:00

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, vlerësoi Shqipërinë si një nga vendet që, sipas tij, qëndron “në anën e duhur të historisë”, gjatë një seance të posaçme plenare në Knesset, të mbajtur në nder të kryeministrit shqiptar Edi Rama. Netanyahu vlerësoi vendin tonë për mbështetjen e ofruar për hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai tha se “Shqipëria ishte ishulli i paqes në oqeanin e të keqes”. Duke iu drejtuar Ramës si “mik i mirë”, Netanyahu theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve janë më të forta se kurrë, si në nivel politik ashtu edhe personal. “Miku im i mirë, kryeministri i Shqipërisë, mirë se erdhe në Izrael, mirë se erdhe në Jerusalem, kryeqytetin e përjetshëm të Izraelit. Sot flamuri shqiptar valëvitet në rrugët e Jerusalemit. Është një pamje që ngroh zemrën.” Netanyahu kujtoi se deri disa dekada më parë, një skenë e tillë do të kishte qenë e paimagjinueshme, ndërsa sot Shqipëria dhe Izraeli, sipas tij, janë më afër se kurrë. “Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Izraelit janë më të ngushta se kurrë, si në nivel politik, ashtu edhe në atë personal.” Ai vlerësoi mbështetjen e hapur të Shqipërisë për Izraelin në arenën ndërkombëtare, duke e cilësuar atë si një qëndrim parimor përballë, sipas tij, dezinformimit dhe gënjeshtrave. “Miqësia jonë shprehet në mbështetjen e hapur të Shqipërisë për Izraelin në forumet ndërkombëtare dhe në qëndrimin në anën e së vërtetës kundër gënjeshtrave që hidhen ndaj nesh.” Gjatë fjalimit të tij, ai premtoi mbështetje financiare për Shqipërinë. “Jemi gati t’ju ndihmojmë me çdo gjë. Mbështetje për siguri, luftën kundër terrorit, në teknologji, reformat tregtare dhe turizëm. Njerëzit izraelitë janë të zgjuar, e dinë çfarë shohin, çfarë zgjedhin dhe e kanë njohur si një destinacion turistik. Një vend i shkëlqyer për izraelitët dhe shohim një rritje gati me 1 mijë % që vijnë vizitojnë Shqipërinë, edhe falë shijes suaj estetike, po e bëni Shqipërinë më të bukur”, tha Netanyahu. #voxnews #media #news

70.5K views


💾

Në një intervistë të gjatë për La Stampa, politologu dhe historiani amerikan Robert Kagan, një nga intelektualët më të lexuar në SHBA dhe anëtar i lar...

28 January 2026 at 04:00

Në një intervistë të gjatë për La Stampa, politologu dhe historiani amerikan Robert Kagan, një nga intelektualët më të lexuar në SHBA dhe anëtar i lartë i Brookings Institution, ndalet te politika e brendshme dhe e jashtme e administratës Trump, duke u ndalur edhe te ngjarja e fundit në Minneapolis apo operacionet në Venezuelë. Një pyetje e thjeshtë bën që Kagan të shpjegojë se pse Stephen Miller ka qenë kaq i përfshirë te operacionet ndaj Venezuelës. Miller është një nga ideologët kryesorë të Trumpizmit të ri, një mbështetës i nacionalizmit dhe një përkrahës i politikave të ashpra ndaj emigrantëve, përfshirë ata ilegalë. Ai mban postin e zëvendëskryetarit të stafit të Shtëpisë së Bardhë për çështjet e brendshme. Sipas Kagan, arsyeja pse Miller është i përfshirë në Venezuelë është që të krijojë mundësinë për të thënë se SHBA-të janë në një gjendje lufte, edhe pse nuk ka asnjë deklaratë zyrtare. “Mjafton të lexosh dokumentet më të fundit të Departamentit të Drejtësisë, ku çështja venezueliane përdoret si bazë ligjore për deportimet”, shpjegon Kagan. Ngjarjet e fundit në SHBA Pas asaj që ndodhi në Minneapolis, ai shprehet kështu: “Ajo që ndodh aty është mesazhi që Miller dhe administrata duan të kalojnë, është një stërvitje e madhe për të krijuar skena të tilla kudo në SHBA. Administrata ka personelin dhe agjentët e nevojshëm për të vepruar në një klimë emergjence, si në kohë lufte. Besoj, edhe pse nuk mund të parashikojmë saktësisht se kur, që Donald Trump një ditë do të përdorë Insurrection Act (një ligj i SHBA-ve që i jep presidentit autoritetin për të përdorur Ushtrinë amerikane brenda vendit për të shtypur kryengritje, rebelime ose trazira të mëdha), në një nga shtetet ku vepron ICE dhe ku ka protesta. Trump po militarizon politikën e brendshme dhe kjo ka lidhje edhe me Venezuelën, për të justifikuar veprime të forta edhe brenda vendit. Ai ka glorifikuar forcat e armatosura dhe do t’i përdorte edhe në territorin amerikan”. Europa dhe politika e jashtme Në intervistë, Kagan shpjegon se sipas tij, rendi botëror i ndërtuar rreth Amerikës dhe demokracisë liberale ka përfunduar dhe SHBA-të po ecin drejt autokracisë. “Ai paralajmëron aleatët europianë se nuk duhet të kenë iluzione: disa udhëheqës, si Ursula von der Leyen dhe kancelari gjerman Merz, kuptojnë situatën, ndërsa të tjerë, si sekretari i NATO-s Mark Rutte, besojnë se duhet të bashkëpunojnë për të penguar veprime më të këqija nga Trump. Mesazhi im për europianët është: ka mbaruar. Nuk mund të rikuperohet asgjë, nuk ka konsulent që mund ta riparojë këtë marrëdhënie”, thotë Kagan. Ai shton se kjo ndarje është e pakthyeshme. Nuk jam i bindur se në zgjedhjet e 2026-ës apo presidencialet në 2028-ën do të jenë zgjedhje të lira dhe transparente. Trump sapo ka filluar të mprehë thikën dhe dëshiron ta çojë përballjen me Europën deri në ekstrem, deri në kufijtë e konfliktit. “Edhe një demokrat nuk ndryshon thelbin” Sipas Kagan, edhe sikur një demokrat të vijë në pushtet, tendencat nuk do të ndryshojnë. “Idetë se Amerika nuk ka përfituar nga mbështetja e rendit botëror nuk janë shpikje e Trump. Ka një qasje dypartiake. Edhe Biden ka folur për një ‘politikë të jashtme për klasën e mesme’ duke theksuar se rendi botëror nuk i shërben interesave amerikane. Diferenca është se Trump përdor tarifat si armë për të detyruar vendet të bëjnë çfarë ai dëshiron, ndërsa Biden ka pasur një qasje më të moderuar, por qëllimi është i ngjashëm.” Një doktrinë e Trump? Pavarësisht se disa deklarata mbeten në letra, Kagan thekson se në SHBA nuk ndodh asgjë pa vullnetin e Trump. #voxnews #media #news

11K views


💾

Një kthesë e re po merr hetimi për vrasjen e 49-vjeçarit Jani Aliaj, një të dënuar me precedentë të rëndë penalë, i cili u gjet i vrarë disa ditë më p...

28 January 2026 at 04:00

Një kthesë e re po merr hetimi për vrasjen e 49-vjeçarit Jani Aliaj, një të dënuar me precedentë të rëndë penalë, i cili u gjet i vrarë disa ditë më parë në zonën G’ të burgut të sigurisë së lartë në Korydallos. Edhe pse fillimisht për krimin u paraqit një i dënuar grek duke deklaruar se ishte autori i vrasjes, autoritetet helene po shqyrtojnë seriozisht skenarin që vrasësi i vërtetë të jetë një tjetër i burgosur, gjithashtu me origjinë shqiptare. Bëhet për fjalë Juliand Halilin (44 vjeç), i njohur edhe si Xhuliano Halili apo Niko. Ai cilësohet nga policia greke si një nga kriminelët më të rrezikshëm, i lidhur me disa vepra të rënda penale në territorin grek. Ai akuzohet për të paktën katër vrasje, një tentativë vrasje dhe po hetohet edhe për vrasjen e fundit brenda burgut “Koridhalos”. Halili dyshohet se ka vepruar në disa raste nën urdhrat e kriminelit të famshëm grek Vasilis Varelas, i cili vlerësohet si një nga figurat kyçe të krimit të organizuar në Greqi dhe përfshihet në trafikun e drogës dhe krime të rënda të tjera. Sipas hetimeve, nën drejtimin e Varelas, Halili mori pjesë në ngjarje kriminale të rëndë që nga viti 2008: 6 mars 2009 – Në Nea Filadelfia, Halili qëlloi dy herë në kokë dhe një herë në gjoks ish-burrin e gruas së Varelas. Viktima mbijetoi pas disa operacioneve. 5 gusht 2009 – Në Igumenicë u organizua një atentat i dytë ndaj të njëjtit person, por autori nuk arriti të qëllonte pasi arma u bllokua. 11 nëntor 2008 – Në Mikromani të Kalamatës u vra me armë zjarri 29-vjeçari Sotiri Psikopaida, punonjës i një diskoje, i qëlluar katër herë, përfshirë një plumb në kokë. 29 nëntor 2011 – Nën urdhrat e Varelas, Halili ekzekutoi 35-vjeçarin Fillim Mesaja dhe djalin e tij 2.5 vjeç, Oligert Mesaja, pranë lumit Pamiso në Mesinia. Fillimi u qëllua me çifte në kokë, ndërsa fëmija u dhunua më pas. Ngjarja lidhej me larje hesapesh mes Varelas dhe Mesajës. Në vitin 2018, Halili u arratis nga Porti i Pireut gjatë transferimit drejt burgut, bashkë me të dënuarin Alfons Ndoci. Të dy u kapën sërish brenda pak kohësh nga autoritetet. Ngjarja e fundit që tronditi opinionin publik ndodhi në qershor 2024, brenda burgut të Koridhalos, ku Halili vrau të burgosurin 35-vjeçarin Alfons Ndoci dhe plagosi 48-vjeçarin Altin Vokrri. Hetimet e autoriteteve greke tregojnë se vrasja e Ndocit dyshohet se ishte porositur nga jashtë burgut dhe për një shpërblim financiar. #voxnews #media #news

14.9K views


💾

Gjykata Kushtetuese ka rihapur gjykimin për Arben Frrokun, lidhur me vrasjen e komisarit Dritan Lamaj. Seanca për Frrokun do të mbahet më 17 shkurt, ...

28 January 2026 at 04:00

Gjykata Kushtetuese ka rihapur gjykimin për Arben Frrokun, lidhur me vrasjen e komisarit Dritan Lamaj. Seanca për Frrokun do të mbahet më 17 shkurt, në orën 10:00. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut vendosi të rihapet dosja e Arben Frrokut, i cili është dënuar përjetë për vrasjen e Lamajt në 2013. Strasburgu vlerësoi se procesi ndaj tij ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut dhe duhet të rigjykohet nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Arben Frroku është i dënuar përjetë nga Apeli i Krimeve të Rënda për vrasjen e komisarit Lamaj, por ai ndodhet në burg në Holandë, shtet i cili ka refuzuar ekstradimin e tij. Frroku iu drejtua Gjykatës së Strasburgut pasi ankimi i tij iu rrëzua edhe në Gjykatën e Lartë më 8 qershor 2017, si edhe në Gjykatën Kushtetuese më 24 prill 2018, duke lënë në fuqi dënimin me burg përjetë. Arben Frroku është vëllai i ish-deputetit, Mark Frroku, i liruar nga burgu në maj të vitit 2018 i dënuar për fshehje pasurie, pastrim parash dhe ndërtim pa leje. Mark Frroku u akuzua edhe për një vrasje në Belgjikë, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 1999, por akuzat për këtë krim ranë për mungesë provash, ndërsa ish-deputeti deklaroi disa herë me radhë se ai nuk kishte gisht në këtë ngjarje. #voxnews #media #news

51.1K views


💾

Kryeministri Edi Rama vijuar fjalimin e tij në parlamentin izraelit, Knesset, ku u ndal te zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe qëndrimi i Shqipërisë lid...

28 January 2026 at 04:00

Kryeministri Edi Rama vijuar fjalimin e tij në parlamentin izraelit, Knesset, ku u ndal te zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe qëndrimi i Shqipërisë lidhur me konfliktin Izrael-Hamas. Rama shkëmbeu batuta duke u shprehur se do të bëjë më të mirën në fjalimin e tij për t’i mbijetuar gjykimit të Netanyahut. Ai theksoi se është i dyti si spiker ndërkombëtar pas presidentit amerikan Donald Trump. “Unë do bej me te mirën për t'i mbijetuar gjykimit tënd, jam i dyti spiker ndërkombëtar pas Trump që mbaj fjalim këtu. Me lejoni me një fryme të thjesht, te jap vlerësimin tim me të madh dhe falënderimet e sinqerta për Shqipërinë dhe veten time, mirënjohjen time për këtë ftese”, tha ai. Në deklaratat e tij, kryeministri u shpreh se përgjegjësia për dhunën i takon Hamasit. “Xhelati është Hamasi dhe askush tjetër”, tha Rama, duke e cilësuar organizatën si bartëse të një ideologjie terrori, që sipas tij vepron si kundër palestinezëve, ashtu edhe kundër popullit hebre. Rama theksoi se ideologjia e Hamasit përfaqëson një dogmë totalitare dhe se, sipas tij, pa çarmatosjen dhe çmontimin e plotë të kësaj organizate, nuk mund të ketë një paqe të qëndrueshme në rajon. “Derisa Hamasi të çarmatoset dhe të çmontohet, asnjë paqe nuk do të zgjasë dhe nuk mund të arrihet”, u shpreh kryeministri shqiptar. #voxnews #media #news

37.1K views


💾

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Izrael, ku po mban fjalimin në një seancë speciale në parlamentin izraelit. Rama foli për bashkëjetesën fetare në Shq...

28 January 2026 at 04:00

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Izrael, ku po mban fjalimin në një seancë speciale në parlamentin izraelit. Rama foli për bashkëjetesën fetare në Shqipëri. Rama bëri me dije se në vend do të hapet një muze për veprat që populli shqiptar ka bërë për të shpëtuar hebrenjtë për t’i shpëtuar torturave. “Për tu kthyer tek fjalimi dhe zgjidhja im për tu prezantuar me fjalët e një lideri arab, kam mësuar se unë nuk jam një mysliman, jam katolik por gjysma ime më e mirë është myslimane. Paraardhësit tanë janë krishterë-ortodoksë. Nuk do të ishte një çudi që nëse djali im do të zgjidhte besimin hebre, por do të ishte po ashtu shumë pozitive të ishte mysliman apo i krishter. Kjo është një histori normale shqiptare. Ne kemi disa religjione, që e festojmë dhe e respektojnë njëri-tjetrin. Populli im me këto besime priti Papa Franceskun. Ati i shenjtë Francesku nuk e quajti bashkëjetesë fetare realitetin e Shqipërisë, por një bashkëvllazëri. Me të njëjtën krenari do të hapim muzeun për veprat e popullit shqiptar për të shpëtuar hebrenjtë në Vlorë". Rama tha në parlamentin izraelit se Shqipëria është i venti vend që doli nga Lufta e Dytë Botërore me numrin më të madh të hebrenjve të strehuar. Ai foli edhe për Bordin e Paqes ku tha se vendi ynë do të punojë në këtë dritare të re mundësie për paqe për popullin e Gazës. “Shqipëria është i vetmi vend që doli nga lufta e dytë botërore me shumë hebrenj të strehuar brenda territorit të saj. Vi këtu pas Kuvendi miratoi vendimin për tu bërë pjesë e bordit të paqes dhe të bëjë Shqipërinë vend themelues të bordit të paqes që do të kontribuojë në këtë dritare mundësie të re për paqe për popullin e gazës dhe rajonin”, tha Rama. #voxnews #media #news

6258 views


💾

❌
❌