Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 22 January 2026Main stream

Ivanka Trump kalon nga Vlora në Tiranë me me makinën e ambasadores së SHBA-së –

By: 27
22 January 2026 at 18:54

Vajza e presidentit amerikan Donald Trump, Ivanka Trump ka vijuar turin në Shqipëri. Pas qëndrimit prej një ditë në Vlorë, Ivanka Trump, është shfaqur këtë të enjte në Tiranë, në makinën që përdoret nga e dërguara e SHBA-së.

Vajza e Presidentit të SHBA-ve dhe kryeministri Edi Rama zhvilluan një takim mbrëmjen e kaluar, ku më pas edhe darkuan. Në takim, mes tyre kanë qenë dhe 60 arkitektë që kanë qëndruar dhe diskutuar deri në orën 23:00 të mbrëmjes.

gijotina.com/

Tensione në GJKKO, gjyqi ndaj Ilir Metës kalon për një tjetër datë –

By: 27
22 January 2026 at 18:34

Është shtyrë seanca gjyqësore në GJKKO ndaj ish-presidentit Ilir Meta. Në Gjykatën e Posaçme, prokurorët kanë lexuar një pjesë të parashtrimeve të tyre.

Gjatë seancës ka pasur edhe debate mes palëve, sa u përket provave ndaj Metës.

Avokati i Metës, Kujtim Cakrani ka deklaruar se në seancën e radhës, do të paraqesin prapësimet e tyre dhe do të shprehin kërkesat në lidhje me akuzat që rëndojnë ndaj ish-presidentit të vendit.

“Do takohemi në datën 29, shpresojmë që të jetë përfundimtare sa i përket relatimit të kërkesës së prokurorëve dhe ne do paraqesim prapësimet tona dhe do shprehim kërkesat tona sa i përket akuzave”, tha Cakrani.

gijotina.com/

“Krimi kërkonte lista deputetësh, Taulant Balla i garantonte votat” –

By: 27
22 January 2026 at 18:16

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një ndërhyrjeje në sallën e Kuvendit, ka replikuar me Taulant Ballën duke publikuar mesazhe që, sipas tij, dëshmojnë lidhjet e drejtuesve të lartë të mazhorancës me bandat kriminale.

Berisha akuzoi se krimi i organizuar kërkonte lista deputetësh dhe garanci votash, ndërsa sipas tij, Balla i siguronte këto. “Krimi kërkonte lista deputetësh dhe garanci votash, Tao i garantonte”, u shpreh kreu demokrat.

Në fjalën e tij, Berisha përmendi një komunikim të datës 20 shkurt 2020, ku sipas tij, Mario Çela, i njohur si “Target”, informonte një person të identifikuar si PIN.

Ai tha se mesazhi tregonte se ishte arritur një marrëveshje që bandat të mos kërkonin favore nga Taulant Balla, përveç atyre që ishin rënë dakord më parë.

Berisha shtoi se mesazhi i ishte përcjellë Ballës dhe se bandat kishin vendosur një afat deri në dhjetor.

Berisha:  “Në datën 20.02.2020, Target, ose Mario Çela, me të cilin, parafolësi që duhet të ishte sot i dënuar të paktën 40 vite për vrasjet që ka porositur me dokumente, informon PIN-in. Se kishin rënë dakord mes tyre që të mos kërkonin Taos, këtij këtu… të mos i kërkonin… dëgjojeni… bandës. 

Asnjë tender publik, se ky merret me tendera… asnjë tender publik apo favore të tjera përveç atyre që kishin rënë dakord të kërkonin.Ky mesazh iu përcoll Taos. Dhe i dhanë afat gjer në dhjetor. 

Dëgjojeni! Është krahu i kartelit të Çelës. Tao iu përgjigj kësaj. E garanton… a garantoni që të gjitha ata njerëz që do të votojnë për ne nëse vendosim në listë ata që donin nga burgu? Dëgjojeni! Dëgjoni çfarë krimineli është. Ja ku e ka vendin ky. Prisni. Përgjigja ishte: Po! Ne e garantojmë këtë.”

Kur Amerika udhëheq, paqja është gjithmonë më e sigurt! –

By: 27
22 January 2026 at 18:00

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ne një mesazh në faqen e saj në faceboik ka thënë se “pas nënshkrimit të Kartës së Bordit të Paqes nga Kosova si anëtare themeluese, kjo marrëveshje do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për miratim”.

Osmani lavdëroi udhëheqjen e SHBA-së dhe tha se kur ajo është në krye “paqja është gjithmonë më e sigurt!”.

Mesazhi:

Kur Amerika udhëheq, paqja është gjithmonë më e sigurt!

Sot, në Davos, në emër të Republikës së Kosovës, kam nënshkruar Kartën e Bordit të Paqes si anëtare themeluese, e barabartë dhe me të drejta të plota, krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare të paqes e që udhëhiqen nga aleati ynë strategjik, fuqizon sovranitetin tonë, pozicionin tonë ndërkombëtar, si dhe është në interesin më të lartë të Republikës së Kosovës.

Prandaj, kjo marrëveshje historike do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për ratifikim, në përputhje me kushtetutën e Kosovës, për të marrë miratimin final të përfaqësuesve të popullit.

Faleminderit Presidentit Trump për lidershipin e tij dhe për ftesën që ta përfaqësoj Republikën e Kosovës në këtë moment historik.

Kosova do të jetë në shërbim te paqes, sot e përherë!

Arrestohen tre persona konfiskohen mbi 80 kilogramë drogë në Kosovë –

By: 27
22 January 2026 at 17:46

Policia e Kosovës tha se ka konfirmuar mbi 80 kilogramë drogë gjatë një operacioni të zhvilluar të mërkurën dhe të enjten, kur u arrestuan edhe tre të dyshuar.

“Me urdhër të prokurorit të shtetit ndaj tre të dyshuarve është lëshuar aktvendimi për ndalimin prej 48 orëve, ndërkaq prokurori i shtetit me kohë do të ndërmarr të gjitha veprimet e mëtutjeshme hetimore”, u tha në njoftim.

Sipas njoftimit, në orën 23:00 të së mërkurës, afër pikëkalimit kufitar në Merdarë – që lidh Kosovën dhe Serbinë – është ndaluar i dyshuari H.S. që po drejtonte një kamion.

Gjatë kontrollit të mjetet, autoritetet thanë se gjetën 68 paketime të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë prej 76 kilogramë e 800 gramësh, raporton REL.

Autoritetet thanë se hetimet për këtë rast, të koduar “Bregdeti”, kanë nisur disa muaj më parë, duke shtuar se gjatë kontrollit në shtëpinë e H.S. janë gjetur edhe armë zjarri, fishekë, e para të gatshme.

Ndërkaq, sot ka vazhduar ky operacion, ku janë bastisur shtëpitë e dy të dyshuarve të tjerë në Godishnjak të Podujevës, ku u gjetën edhe katër paketime me substancë që dyshohet të jetë marihuanë me peshë prej 4 kilogramësh e 454 gramësh.

Policia tha se në bastisjes e së enjtes u gjet edhe një armë zjarri me gaz.

Edhe në të kaluarën, Policia e Kosovës ka zhvilluar operacione kundër kultivimit apo shitjes së lëndëve të ndryshme narkotike, duke sekuestruar sasi droge e duke arrestuar të dyshuar.

Shtatorin e vitit të kaluar u arrestuan shtatë persona që dyshoheshin për disa vepra penale, sikurse pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve dhe pastrim të parave.

Për këtë operacion, autoritetet kishin bashkëpunuar me Belgjikën, Francën, Holandën dhe Europol-in.

Merr flakë një barake në Shkodër, 80-vjeçari pëson djegie të rënda –

By: 27
22 January 2026 at 17:30

 

Një 80 vjeçar mori plagë të rënda nga zjarri që ra në strehën e tij në Shkodër.

Zjarri përfshiu një barakë të vjetër ku ai jetonte, në kushte tejet të mjerueshme. Mësohet se Sefer Balina ka pësuar djegie të konsiderueshme në trup.

Sapo ka mbërritur në spitalin rajonal të Shkodrës, i dëmtuari u dërgua me urgjencë në Tiranë për mjekim të specializuar, për shkak të plagëve të rënda që ka dhe djegies të një shkalle të tretë.

Ndërkohë janë ende të paqarta arsyet e këtij zjarri që përfshiu barakën ku ai jetonte. Kanë qenë komshinjtë ata që kanë evidentuar flakët dhe menjëherë kanë lajmëruar zjarrfikëset, që lokalizuan dhe shuan vatrën.

Fqinjët telefonuan edhe shërbimin kombëtar të urgjencës dhe një ambulancë bëri transportimin drejt spitalit të Shkodrës fillimisht, e më tej drejt kryeqytetit.

Miratohet në parlament pjesëmarrja e Shqipërisë në “Bordin e Paqes” me 110 vota pro –

By: 27
22 January 2026 at 17:16

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar sot projektligjin për aderimin në Bordin e Paqes.

Vendimi u mor me 110 vota pro, pa asnjë votë kundër apo abstenim. Edhe opozita i bashkoi votat me mazhorancën në këtë proces.

Gjatë punimeve të komisionit, u rrëzuan edhe amendamentet e propozuara nga Partia Demokratike, të cilat synonin heqjen e referimit nominal ndaj Kryeministrit Edi Rama dhe riformulimin e projektligjit, me argumentin se Shqipëria në marrëveshje ndërkombëtare përfaqësohet nga institucione dhe jo nga individë.

Gjithashtu, Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme ka miratuar në parim projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Shqipërisë në Kartën e Bordit të Paqes, me 13 vota pro dhe asnjë kundër.

Para se Shqipëria të përfaqësohej, sipas Kushtetutës, duhet të votohej në Parlament dhe me shumica votash të tre amendamentet e kreut të grupit të PD-së, Gazment Bardhi, i rrëzuan me 78 dhe 79 vota kundër.

Në fund u kalua projektligji i Marrëveshjes nen për nen dhe në tërësi, ku mori në total 110 vota deputetësh.

Arrestohet 38-vjeçari në Tiranë ishte i dënuar me mbi 7 vite burg për prostitucion (EMRI) –

By: 27
22 January 2026 at 17:00

Një 38-vjeçar u arrestua në Tiranë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Dënimi”.

Rezart Hyskollari ishte i dënuar në mungesë nga Gjykata e Durrësit në vitin 2019 me 7 vite e gjysmë burgim për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”

Ai u lokalizua në zonën e Liqenit të Thatë, ku fshihej prej kohësh, dhe u vu menjëherë në pranga.

Nga dënimi i dhënë, Hyskollarit i kanë mbetur për të vuajtur edhe 5 vite burgim.

Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

“Nuk jam si Veliaj, të marr me vete”/ Balliu tregon bisedat Rama-Balluku –

By: 27
22 January 2026 at 16:46

Deputeti demokrat, Klevis Balliu, ka komentuar zhvillimet e fundit politike, duke u ndalur te seanca e zhvilluar sot në Gjykatën Kushtetuese për zv/kryeministren Belinda Balluku, për të cilën SPAK ka kërkuar arrestimin, kërkesë e kundërshtuar nga Kryeministria.

I ftuar në News24, Balliu u shpreh se qeveria po përdor çdo mjet për të mbrojtur Ballukun dhe për të fshehur, sipas tij, provat e vjedhjeve.

 “Bëjnë çdo artificë që Lubia të vijojë vjedhjet dhe të fshehë provat e vjedhjeve që ka bërë. Paratë që ka vjedhur ajo mund të ishin përdorur për spitale, që njerëzit të mos vdesin nga mungesa e dritave apo e ilaçeve. Në vend që qeveria të kujdeset për qytetarët, ajo kujdeset për Ballukun”, deklaroi deputeti demokrat.

Sipas Balliut, mbrojtja që i bëhet zv/kryeministres nuk lidhet me të personalisht, por me kryeministrin Edi Rama. Sipas Balliut, Balluku i ka thënë Ramës se “unë nuk jam si Veliaj, të marr me vete”.

“Balluku është spektatore. Rama tërhoqi Belindën te turqit, ai bëri projektin e Llogarasë Ai mund të heqi Lubinë dhe vjen Ogerta. Lubia ia bëri të qartë se nuk jam si Veliaj, unë të marr me vete. Po testohet Shqipëria. Nuk mund të kemi pse pranojmë popullin më të varfër në Europë dhe pushtetarët më të pasur në Europë. Nuk ka një pushtetar me 300 apartamente, sfidoj këdo. Ky është një test për shoqërinë tani, çfarë do bëjë?”,- tha Balliu.

Apeli për korrupsionin prish vendimin për dosjen e call centerave, çështja kthehet për gjykim të ri –

By: 27
22 January 2026 at 16:30

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka njoftuar këtë të enjte se ka vendosur prishjen e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, të dhënë më 17 qershor 2025, duke rikthyer çështjen për gjykim me një tjetër trupë gjykuese.

Bëhet fjalë për dosjen e njohur të call centerave, ku të pandehuritJusel Mici dhe Mendim Domi akuzohen se kanë përfituar në mënyrë të paligjshme rreth 15 milionë euro përmes mashtrimeve kompjuterike. Përveç dënimeve me burg, ndaj tyre janë sekuestruar dhe konfiskuar dhjetëra pasuri të paluajtshme dhe llogari bankare.

Gjykata shpalli fajtor Jusel Micin për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Fillimisht ai u dënua me një total prej 12 vitesh burg, por pas aplikimit të uljes së dënimit me 1/3, ai do të vuajë përfundimisht 8 vite burgim në një burg të sigurisë së lartë.

Edhe Mendim Domi u shpall fajtor për të njëjtat akuza. Ai u dënua fillimisht me 11 vite burg, por pas uljes së dënimit me 1/3, do të vuajë 7 vite e 4 muaj burgim, po ashtu në një burg të sigurisë së lartë.

Gjykata vendosi konfiskimin e një sërë pasurish të paluajtshme, përfshirë apartamente dhe toka bujqësore me sipërfaqe të konsiderueshme, si dhe disa llogari bankare me shuma të mëdha në euro dhe lekë. Pasuritë e sekuestruara do të kalojnë në pronësi të shtetit, ndërsa një pjesë e tyre iu kthye pronarëve të ligjshëm.

Gjykata e Apelit vendosi prishjen e vendimit të mëparshëm dhe dërgimin e akteve për gjykim në një trupë tjetër të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë. Kundër këtij vendimi lejohet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 20 ditëve nga dita e njoftimit.

 

McGonigal/ PD kërkon komision hetimor, Kushtetuesja vendos seanca plenare –

By: 27
22 January 2026 at 16:16

Gjykata Kushtetuese ka vendosur të kalojë për shqyrtim në seancë plenare publike, ankimin e PD për ngritjen e Komisionit Hetimor për çështjen e McGonigal, që u refuzua nga mazhoranca socialiste.

Në kërkesën e tyre, deputetët kërkonin që Gjykata Kushtetuese të përcaktojë detyrimin e Kuvendit për ngritjen e një komisioni hetimor për verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të zyrtarëve shqiptarë në raport me ish-agjentin special të FBI-së, Charles McGonigal.

Opozita pretendon për lidhje të kryeministrit Edi Rama dhe eksponentëve të qeverisë së tij me një raport privat të paligjshëm të ish-agjentit të FBI-së, McGonigal, i cili është i dënuar nga drejtësia amerikane.

Kërkesa për ngritjen e komisionit, u rrëzua nga mazhoranca në seancën e 30 tetorit të vitit të kaluar. Pas këtij refuzimi demokratët bënë ankim në Kushtetuese e cila ka vendosur ta kalojë çështjen sërish në seancë plenare.

Policia zbulon lokale me drogë dhe poker ilegal, 4 persona në pranga –

By: 27
22 January 2026 at 16:00

Në 24 orë, goditen 2 raste të shitjes së lëndëve narkotike (Ekstazi, Kokainë dhe Cannabis Sativa), si dhe zbulohen 2 subjekte ku shiteshin lëndë narkotike dhe luheshin lojëra fati.

Identifikohen 7 shtetas të përfshirë në këto veprimtari kriminale. Vihen në pranga 4 prej tyre.

Sekuestrohen sasi dhe doza lëndësh narkotike, si dhe tavolina për lojën “Poker”, celularë dhe automjet.

Si rezultat i zbatimit të një sërë masash, në të gjithë territorin e kryeqytetit, që nëpërmjet punës operative dhe kontrolleve, synuan goditjen e veprimtarive kriminale në fushat e narkotikëve dhe organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, struktura në varësi të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë finalizuan operacionin e koduar “Masive”. Në kuadër të këtij operacioni:

-shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, arrestuan shtetasit E. A., 37 vjeç, R. Gj., 29 vjeç dhe A. Th., 34 vjeç, sepse shtetasit E. A. iu gjetën në automjet dhe në banesë, sasi të lëndëve narkotike Ekstazi, Kokainë dhe Cannabis Sativa, që posedoheshin me qëllim shitjen, ndërsa 2 të arrestuarit e tjerë, dyshohet se pavarësisht pasjes dijeni, nuk e kanë kallëzuar përfshirjen e 37-vjeçarit, në këtë veprimtari kriminale;

-shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 arrestuan shtetasin O. Xh., 21 vjeç, referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit V. L. dhe E. B., si dhe shpallën në kërkim shtetasin A. P., 33 vjeç, sepse në njërin subjekt (lokal) në pronësi të shtetasit të shpallur në kërkim, u gjetën tavolina për lojën “Poker”, ndërsa në subjektin tjetër (bilardo) në pronësi të tij, u kap 21-vjeçari me doza Cannabisi (të gatshme për shitje) me vete. 2 të proceduarit dyshohet se kanë patur dijeni për përshtatjen e ambientit të parë, për organizim të kundërligjshëm të lojërave të fatit, dhe nuk kanë kallëzuar në polici. Punohet intensivisht për kapjen e shtetasit A. P.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Treni aksidentohet me një vinç, aksidenti i tretë hekurudhor në Spanjë brenda javës –

By: 27
22 January 2026 at 15:46

Tre persona mbetën të lënduar në një aksident hekurudhor në Cartagena, sot me 22 janar, duke shënuar aksidentin e tretë në Spanjë në më pak se një javë.

Treni i pasagjerëve në linjën Cartagena – Los Nietos u përplas me një vinç në Alumbres, Murcia, raportojnë mediat e huaja. Të paktën tre pasagjerë mbetën të lënduar lehtë, por bilanci zyrtar ende nuk është konfirmuar. Aksidenti ndodhi rreth orës 12:00, mes Alumbres dhe La Union.

Të dielën mbrëma, një tren doli nga shinat duke u përplasur me një tjetër, ku humbën jetën 43 pasagjerë. Dy ditë më vonë, një mur mbajtës u shemb mbi një tren rajonal, duke shkaktuar daljen nga shinat dhe vdekjen e makinistit.

Sipas mediave lokale, banorët e zonës kishin paralajmëruar më parë rrezikun në këtë pjesë të linjës, ku ndodhi aksdenti sot, ku njoftimi për mbërritjen e trenave shpesh mungon.

Një botë ku vetëm pushteti vlen është një vend i rrezikshëm! –

By: 27
22 January 2026 at 15:30

Fjalimi i Kancelarit gjerman, Friedrich Merz në Davos të enjten u prit me shumë interes, pas zhvillimeve të fundit gjeopolitike dhe mosmarrëveshjeve për Groenlandën.

Merz u ka bërë thirrje evropianëve që të përshtaten shpejt me dinamikën e ndryshuar të fuqisë politike në botë. Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës ka sjellë një epokë të re, një epokë që shtrihet shumë përtej kësaj lufte agresioni, tha Kancelari në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

Kancelari gjerman Friedrich Merz (CDU) sheh një ndryshim rrënjësor edhe në politikën e jashtme të aleatit më të rëndësishëm Gjermanisë, Shteteve të Bashkuara. Bota aktualisht po dëshmon një “riorganizim rrënjësor të politikës së jashtme dhe të sigurisë së SHBA-së”, tha Merz të enjten në fjalimin e tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.  Një botë e re fuqish të mëdha po lind, “bazuar në pushtet, në forcë dhe – nëse vjen puna deri këtu – edhe në dhunë”, shtoi ai. “Një botë ku vetëm pushteti vlen është një vend i rrezikshëm”. Kjo vlen “së pari për shtetet e vogla, pastaj për fuqitë e mesme dhe në fund të fundit për ato të mëdha”.

Kancelari bëri thirrje që të merret fati në dorë dhe të mos lejohet të bëhemi shah i fuqive të mëdha. “Ne nuk jemi të pafuqishëm në mëshirën e këtij rendi të ri botëror”, theksoi Merz. “Ne kemi një zgjedhje”. Merz foli për rolin e Gjermanisë në këtë epokë të re, duke theksuar, se Gjermania dëshiron të luajë një “rol kyç” në mbrojtjen e një rendi botëror të bazuar në rregulla.

Ndryshimi i kursit të Trump – “rruga e duhur”

Kancelari gjerman Friedrich Merz (CDU) përshëndeti ndryshimin e kursit të Presidentit të SHBA-së Donald Trump në mosmarrëveshjen për Groenlandën. Ndryshimi i kursit të Trump në mosmarrëveshjen për Groenlandën është “rruga e duhur”, tha Merz të enjten në një fjalimin e mbajtur në anglisht në Forumin Ekonomik Botëror në Davos. “Çdo kërcënim për të pushtuar territorin evropian me forcë do të ishte i papranueshëm” dhe tarifat e reja do të “minonin më tej themelet e marrëdhënieve transatlantike”, shtoi Merz. Nëse ato do të zbatoheshin, “përgjigjja e Evropës do të ishte e bashkuar, e qetë, e përshtatshme dhe e fortë”, paralajmëroi kancelari gjerman. Merz theksoi se Gjermania ndan pikëpamjen se partnerët evropianë të NATO-s duhet të bëjnë më shumë për sigurinë në Arktik, duke theksuar këtu rëndësinë e NATO-s. “Gjermania tashmë po e bën këtë.” Merz theksoi, se Groenlanda duhet të të mbrohet nga “kërcënimet nga Rusia”.

Merz kërkon partneritet të barabartë me SHBA

Në fjalën e tij, kancelari gjerman, një transatlantist i bindur, iu referua edhe marrëdhënies transatlantike. Ai u shpreh, se partneriteti midis SHBA-së dhe Evropës duhet të bazohet në barazi: “Autokracitë mund të kenë të nënshtruar, demokracitë kanë partnerë dhe miq të besueshëm”. Forca më e madhe rrjedh nga aftësia për të formuar partneritete dhe aleanca të ndërtuara mbi besimin dhe respektin e ndërsjellë, theksoi Merz pa e përmendur drejtpërdrejt vendin për të cilin po i referohej me kritikat e tij. Kancelari Friedrich Merz i ka paralajmëruar SHBA-të se duhet të bashkëpunojnë më drejt me partnerët e tyre evropianë. Por “pavarësisht gjithë frustrimit dhe zemërimit të muajve të fundit, le të mos heqim dorë para kohe nga partneriteti transatlantik”, tha ai. Në dritën e tensioneve në rritje me SHBA-në, Kancelari Friedrich Merz (CDU) ka bërë thirrje për shpëtimin e partneritetit transatlantik./ DW

Reshjet e dëborës paralizojnë disa akse rrugore në Gjirokastër –

By: 27
22 January 2026 at 15:16

Reshjet e dëborës në Qarkun e Gjirokastrës kanë shkaktuar probleme duke bllokuar segmente rrugore në zonat malore.

Sipas strukturave të emergjencave civile në Bashkinë Libohovë, në Njësinë Administrative Zagori aksi rrugor Çajup – Zhej është i bllokuar për shkak të borës. Në Bashkinë Përmet aksi rrugor për në Njësinë Administrative Frashër kalohet me zinxhirrë.

Në Bashkinë Tepelenë në aksin rrugor Salari-Nivicë është punuar me mjete të rënda për largimin e dëborës dhe më pas është hedhur kripë duke e bërë këtë aks të qarkullueshëm.

Mjetet e Forcave të Armatosura bënë të munduar hapjen e rrugës së fshatit Sheper, Gjirokastër.

Apeli i GJKKO konfirmon dënimin me 10 vite burg për Robert Myftarin akuzohen për trafik droge dhe grup kriminal –

By: 27
22 January 2026 at 14:58

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar shpalli sot, vendimin për çështjen penale ndaj të pandehurit Robert Myftari.

Trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Dhimitër Lara (kryesues), Daniela Shirka dhe Tereza Merkaj vendosi të lërë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë.

Myftari u shpall fajtor për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim dhe në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, mbetur në tentativë. Për këtë akuzë, ai u dënua me 10 vite burgim.

Gjithashtu, ai u shpall fajtor për veprën penale “Grupi i strukturuar kriminal”, për të cilën iu caktua një dënim prej 2 vitesh burgim. Në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal, gjykata vendosi një dënim të vetëm prej 10 vitesh burgim.

Gjykata urdhëroi që Myftari ta vuajë dënimin në burgun e sigurisë së lartë, duke nisur nga dita e arrestimit.

Po ashtu, u vendos konfiskimi i mjetit lundrues tip gomone, i sekuestruar në nëntor 2015 me ngarkesë rreth 800 kg lëndë narkotike, i cili do të kalojë në favor të shtetit.

Prisnit gjyqin tim në SHBA, por erdhi ftesë për Bordin e Paqes –

By: 27
22 January 2026 at 14:46

Kryeministri Edi Rama e nisi fjalën e tij në Kuvend duke iu përgjigjur akuzave të opozitës me një dozë të lartë sarkazme.

Ai foli për ftesën që ka marrë për t’u bërë pjesë e një organizmi të ri ndërkombëtar, të cilin e quajti ‘Bordi i Paqes’, një referencë e qartë ndaj zhvillimeve të fundit me administratën amerikane.

Rama u tall me narrativën e opozitës, e cila sipas tij, kishte bindur mbështetësit se Kryeministri do të thirrej nga prokuroria federale amerikane.

Ai e cilësoi këtë si një fitore imagjinare të ‘humbësve kronikë’, duke theksuar se ndërsa ata prisnin prangosjen e tij ose rrëmbimin nga ushtria amerikane si ‘Maduro’, ai po shkonte për të rritur profilin ndërkombëtar të Shqipërisë.

Rama nuk i kurseu as krahasimet letrare, duke i quajtur protestuesit e opozitës si ‘qindra Romeo të dëshpëruar për një Xhulietë të vetme’.

Fjala e Ramës:

“Kur bota është trazuar keq dhe paqja është vënë nën një presion të paparë nga të katër anët, Shqipëria e çmuar ndërkombëtarisht prej disa vitesh, ftohet nga personalisht Presidenti i Shteteve të Bashkuara për t’u bërë anëtar themelues i një organizmi të ri ndërkombëtar të krijuar prej tij me emrin, kuptimplotë, Bordi i Paqes.

Ky është një nder i veçantë.

Dhe kjo është një tjetër mundësi për të dhënë kontribut për paqen.

Jo se ne jemi të mëdhenj, apo se pa ne nuk zgjidhen dot konfliktet në zona të tjera të botës.

Por sepse na jepet mundësia të vazhdojmë të rritemi si shtet, duke zgjeruar dijen dhe forcuar vetëdijen tonë si zëdhënës dhe si punëtorë të paqes, siç edhe njihemi botërisht, si vend dhe si popull, për atë që duam të jemi në këtë botë, ku kur nuk je në tryezë, je në menu.

Tani, më e mira do të kishte qenë që këtu sot, për një herë të vetme, të pushonte avazi i të gjitha herëve, edhe pse kjo e sotmja është një herë e ndryshme nga shumë herë për këtë vend dhe për këtë Kuvend. Po si duket, humbësit kronikë nuk duan ta humbasin as këtë rast, për të bërë të vetmen gjë që dinë të bëjnë më mirë se kushdo tjetër në botë: të humbin.

Të humbin përsëri rastin, duke vazhduar t’i bindin shqiptarët se nuk vlejnë për asgjë tjetër përveçse për të përfaqësuar dhe mishëruar humbjen në të gjitha format dhe në të gjitha dimensionet e saj. 

Dhe është e vërtetë për t’u ardhur keq. Po të mendosh se sot në fakt, ju kishit mundësinë të deklaronit fitore. Fitoren tuaj më domethënëse.

Sepse në fakt, si gjithmonë, ju prapë fituat. Ju fituat sepse për muaj me radhë thatë që Amerika do më bënte mua gjyqin, e dhuruar prej jush, për t’ju kthyer ju në ato karrige ku nuk do ktheheni kurrë, po s’do lëvizni as nga poshtë karriges ku qëndrojnë hijerënda të ndënjurat e stërgjyshit tuaj.

Ju fituat, sepse e paralajmëruat popullin që mua do më thërrisnin në Amerikë, në datën 20 janar, po ky ishte lapsus, për t’u paraqitur në prokurorinë federale.

Madje ju e vulosët fitoren kur festuat kërrimin me forcë të Maduros nga shtëpia e tij në Karakas dhe iu thatë shqiptarëve se ajo ishte vetëm një provë gjenerale e ushtrisë amerikane për rrëmbimin e Ramaduros nga ajo zyra në Kryeministri që e keni fiksim 12 vjet dhe mblidheni si qindra Romeo të dëshpëruar për një Zhuljetë të vetme. Tani, ju mund të mendoni se unë po tallem. Mund të tallen këtë me ju. Unë me ju nuk tallem.”

Mbyllet pas 6 orësh seanca në Kushtetuese për Belinda Ballukun, trupa tërhiqet për vendim –

By: 27
22 January 2026 at 14:30

Ka përfunduar seanca në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me pezullimin nga detyra të zv/kryeministres Belinda Balluku, vendim i marrë nga Gjykata e Posaçme.

Në seancën e sotme janë dëgjuar argumentet e Presidencës, SPAK dhe Qeverisë dhe në përfundim të tyre, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese ka deklaruar të mbyllur seancën.

“Deklarojmë mbylljen e shqyrtimit gjyqësor. Trupi gjyqësor tërhiqet për vendim, data dhe ora do t’u komunikohet sipas parashikimeve ligjore” ,tha kryetarja e Gjykatës Kushtetues.

Seanca u mbajt pas ankimimit të kryeministrit Edi Rama, i cili pretendon se me vendimin e pezullimit të Ballukut, gjykata ka shkelur kompetencat e tij si kryeministër.

Rama e dorëzoi ankimin në Kushtetuese në nëntor të vitit të kaluar, ku kërkonte nga Gjykata Kushtetuese që të vlerësojë nëse, masa e pezullimit të vendosur nga GJKKO për Ballukun, përbën cenim të kompetencave kushtetuese dhe balancës së pushteteve, duke justifikuar se një gjykatë speciale nuk ka juridiksion për të pezulluar një anëtar të Këshillit të Ministrave.

Gjykata e Posaçme vendosi më 20 nëntor të vitit të kaluar, që ta pezullonte Ballukun nga detyra dhe të ndalonte udhëtimin jashtë vendit, duke i bllokuar pasaportën, pasi ajo u mor e pandehur për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera. Balluku akuzohet se ka manipuluar dy tendera me vlerë 210 milionë euro, së bashku me vartësit e saj më të ngushtë, Evis Berberi, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, duke favorizuar kompanitë fituese, ndërsa akuzave u është shtuar edhe shkelje e barazisë me tendera në Unazën e Madhe.

Në vrazhdën e këtyre akuzave, Prokuroria e Posaçme ka dorëzuar në Kuvend edhe kërkesën për heqjen e imunitetit dhe autorizim për arrestimin e Ballukut. Mbledhja e radhës e Këshillit të Mandateve për imunitetin e saj pritet të mbahet më 28 janar, pas vendimit që pritet të japë Kushtetuesja.

Mbështesim iniciativën e Trump, askush nuk e ka përcaktuar më shumë lirinë e shqiptarëve se SHBA –

By: 27
22 January 2026 at 14:16

Të nderuar qytetare dhe qytetarë që ndiqni këtë seancë, e cila del jashtë të gjitha kritereve të seancave që thërret një parlament, por mazhoranca e krimit nuk ka ligj, nuk ka Kushtetutë, nuk ka rregullore.
Por pavarësisht nga kjo, ne jemi këtu për të dëshmuar mbështetjen tonë të plotë dhe të palëkundshme në politikat e sigurisë të SHBA.
Në qëndrimin tonë pa ekuivok në mbështetje të këtyre politikave pasi SHBA janë aksionari më kryesor i paqes dhe sigurisë në botë.
Ne mbështesim plotësisht këtë iniciativë të presidentit Donald Trump edhe për faktin se në dallim nga shumë kombe të tjera, askush nuk e ka përcaktuar më shumë lirinë e shqiptarëve se sa SHBA, veçanërisht në dekadat e fundit me çlirimin e Kosovës, pavarësinë e saj dhe mbështetjen e saj.
Në këtë kohë, për sa kohë SHBA qëndrojnë në zotimet e tyre për Aleancën e Atlantikut të Veriut, ne qëndrojmë në çdo problem sigurie pa mëdyshje në anën e SHBA.
Kjo, përveç tyre, dua të them këtu se Bordi i Paqes ngrihet për një nga aktet më të jashtëzakonshme, ndërprerjen e luftës në Gaza dhe këtu presidenti i SHBA ka një meritë historike, jashtëzakonisht të rëndësishme.
Bordi, që nuk e thotë kjo se ia ka marrë Belinda mendtë edhe asaj, është i mbështetur në dokumentin e OKB.
Pra, nuk e nxjerrin këta.
Bordi ka mbështetje në rezolutën e Këshillit të Sigurimit dhe është një hap tjetër drejt konsolidimit të paqes në atë rajon.

19 shtetet, kush mori pjesë në ceremoninë e Bordit të Paqes (LISTA) –

By: 27
22 January 2026 at 13:58

Është zbardhur lista e plotë me emrat e 19 shteteve që morën pjesë në ceremoninë nënshkruese të Bordit të Paqes, të mbajtur këtë të enjte në Davos, nën drejtimin e presidentit amerikan, Donald Trump.

Në mbledhjen morën pjesë presidentë dhe kryeministra nga vende të ndryshme, përfshirë Azerbajxhanin, Argjentinën, Kazakistanin, Indonezinë dhe Kosovën, ndërsa munguan Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko dhe kryetari i Partisë Komuniste të Vietnamit, To Lam.

Lista e plotë me vendet pjesmarrëse:

Arabia Saudite — ministri i Jashtëm Faisal bin Farhan Al‑Saud
Argjentina — presidenti Javier Milei
Armenia — kryeministri Nikol Pashinyan
Azerbajxhani — presidenti Ilham Aliyev
Bahrejni — sheiku Isa bin Salman Al Khalifa
Bullgaria — kryeministri Rosen Zhelyazkov
Emiratet e Bashkuara Arabe — kryetari i Autoritetit të Çështjeve Ekzekutive Khaldoon Al Mubarak
Hungaria — kryeministri Viktor Orban
Indonezia — presidenti Prabowo Subianto
Jordania — zëvendëskryeministri Ayman Safadi
Katari — kryeministri Sheiku Mohammed bin Abdul Rahman Al Thani
Kazakistani — presidenti Kassym‑Jomart Tokayev
Kosova — presidentja Vjosa Osmani
Mongolia — kryeministri Gombojavyn Zandanshatar
Maroku — ministri i Jashtëm Nasser Bourita
Pakistani — kryeministri Shehbaz Sharif
Paraguai — presidenti Santiago Pena
Turqia — ministri i Jashtëm Hakan Fidan
Uzbekistani — presidenti Shavkat Miromonovich Mirziyoyev

❌
❌