Kim Kardashian dhe Kylie Jenner tallen me “mallkimin Kardashian” pas reklamës virale të Kendall në Super Bowl
Kim Kardashian dhe Kylie Jenner kanë reaguar me humor ndaj të ashtuquajturit “mallkimi Kardashian”, një teori e përhapur në internet që sugjeron se burrat që lidhen me motrat Kardashian-Jenner përballen me fat të keq.
Gjithçka u rikthye në vëmendje pas një reklame virale të Kendall Jenner për Super Bowl, ku supermodelja tallte me ironi thashethemet rreth jetës së saj dashurore dhe romancave me basketbollistë të NBA-së.
Në reklamë, Kendall shprehej se interneti e konsideron të “mallkuar”, duke bërë shaka se çdo lojtar që del me të e ka të vështirë të ketë sukses, shkruan DailyMail.
Pas kësaj, Kim dhe Kylie vendosën të bëjnë baste sportive në ndeshjen e Super Bowl dhe ta përdorin situatën për të ironizuar teorinë.
Kim publikoi një bast në rrjete sociale duke thënë se po provonte se “mallkimi nuk është i vërtetë”, ndërsa Kylie pranoi me shaka se e kishte kopjuar bastin e motrës së saj.
Reklama e Kendall u prit me shumë interes, pasi ajo ironizonte hapur historitë e saj romantike dhe perceptimin e publikut, duke e kthyer “mallkimin Kardashian” në një moment humoristik dhe viral në rrjetet sociale. /Telegrafi/
