Në vitet e fundit, NATO ka paralajmëruar për përdorimin nga Rusia të taktikave hibride dhe ndikimit ekonomik për të minuar sigurinë euro-atlantike, përfshirë rreziqet ndaj infrastrukturës kritike. Një nga mënyrat për të depërtuar në infrastrukturën kritike është përdorimi i kompanive offshore, të cilat mbulojnë pronarët e vërtetë.
Sipas të dhënave publike, në projektin e portit të ri të Durrësit shfaqet një kompani offshore e regjistruar në Qipro, e cila në të kaluarën ka pasur rol administrativ në struktura ku janë përfshirë edhe entitete të sanksionuara ruse. Kjo kompani paraqitet aktualisht në dokumentacion si pjesë e strukturës administrative të projektit të Porto-Romanos, një infrastrukturë detare me rëndësi strategjike për një vend anëtar të NATO-s, çka ngre pyetje mbi standardet e transparencës dhe verifikimit.
Nga kërkimet rezulton se i gjithë procesi nga projektimi deri te faza finale për tenderin e ndërtimit të Portit të Ri të Durrësit në Porto Romano mund të jetë një aferë jo vetëm me pasoja në buxhetin e shtetit, por mund të rrezikojë marrëdhëniet me NATO-n për shkak të mungesës së transparencës nga qeveria shqiptare.
Më 28 tetor 2025, në konferencën për shtypit për Portin e ri të Durrësit, ku ishin ishin të pranishëm edhe drejtuesit e Autoritetit Portual Durrës, zv.kryeministrja Belinda Balluku do të deklaronte se porti i Durrësit për qeverinë shqiptare ka qenë një prioritet.
“Kemi kërkuar gjithmonë që të drejtohej nga profesionistë, të cilët jo vetëm njohin transportin, por nga ana tjetër me aftësinë negociuese me trupa ndërkombëtarë, pasi porti i ri i Durrësit, parashikohet dhe është në vullnetin politik të qeverisë shqiptare, që të jetë një bazë e NATO-s, një bazë e NATO-s e vendosur në zemër të Mesdheut dhe padyshim në Shqipëri, si aleati më besnik i kësaj force të jashtëzakonshme, bashkësie të jashtëzakonshme”, do të deklaronte ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku.
Deklaratat e zv.kryeministres Balluku janë kontradiktore sepse nuk përputhen me dokumentet zyrtare fillestare të tenderit për hartimin e projektit të detajuar teknik të Portit të ri tregtar të Integruar të Durrësit në Porto Romano. Në qershor 2021 Autoriteti Portual Durrës, asokohe nën drejtimin e Pirro Vëngut, sot Ministri aktual i Mbrojtjes, do të hapte garën për këtë tender me fond limit 1,14 miliardë lekë ose 11 milionë euro.
Si shumica e tenderave me vlerë të lartë, edhe gara për këtë tender do të njollosej pasi do të shënohej me flamur të kuq nga “Openprocurement.al”, platformë e AIS-it. Sipas kësaj të fundit, flamuri i kuq paraqet dyshime për korrupsion, duke u favorizuar kompania fituese e tenderit nga APD-ja. Në rastin e Porto Romanos, të gjitha kompanitë do të skualifikoheshin, duke u shpallur automatikisht fitues bashkimi i kompanive të huaja dhe shqiptare “HASKONINGDHV NEDERLAND B.V”, “ADEC ENGINEERING CONSULTANCY LLC”, “ABKONS” shpk, “TAULANT” dhe “GEO-ENG” shpk me vlerë 952 milionë lekë.
Propaganda se ky do të ishte një tender strategjik për Aleancën do të binte disa muaj pas lidhjes së tenderit pasi ish Drejtori Vëngu kishte lënë jashtë masterplanit NATO-n.
Në shtator 2022, tenderit do ti shtoheshin edhe 232 milionë lekë shtesë për bashkimin e kompanive fituese sepse duhet të realizohej dhe një bazë detare për NATO-n, duke dyfishuar periudhën e hartimit të projektit në 15 muaj, nga 8 muaj që ishte fillimisht.
Sipas Autoritetit Portual Durrës, projekti i infrastrukturës i destinuar per akostimin e mjeteve detare dhe sheshet në shërbim për Forcat e Armatosura nuk i përmbahej kapaciteteve të kërkuara nga NATO.
Vetë dokumenti pranon se kapacitetet e parashikuara në masterplanin fillestar nuk përmbushnin kërkesat e Aleancës për akomodimin e mjeteve detare aleate, përfshirë anije të tonazhit të rëndë si destroyer-at. Kjo do të thotë se, në momentin e hartimit dhe nënshkrimit të kontratës fillestare, projekti nuk ishte teknikisht i gatshëm për përdorim nga NATO, pavarësisht deklaratave publike.
Dokumenti i tenderit tregon se kjo nuk ka qenë e reflektuar në projektimin fillestar dhe është formalizuar vetëm përmes një shtese kontraktore gjatë zbatimit.
News 24 kontaktoi degën qendrore në Hollandë të kompanisë “Haskoning B.V”, për të marrë informacion përsa i përket arsyeve se pse nuk ishte përfshirë në masterplan edhe infrastruktura për NATO-n, pyetje e cila ngeli pa përgjigje.
Gjithashtu edhe Autoriteti Portual nuk pati asnjë koment në lidhje me këtë fakt.
Sipas Kapitenit të Rangut të Parë Artur Meçollarit, ky port ka mangësi në planifikim.
“Porto Romano u doli si alternativë, në momentin që u dha porti i Durrësit. Pra, për të liruar portin e Durrësit, duhet një port tjetër dhe u shpik historia e Porto Romanos, projekt i cili u bë pa vizibilitet. Nuk kemi në dorë një studim fizibiliteti. Atëhere, pas kësaj, kryeministri për t’i dhënë një lloj vizibiliteti, një lloj qëndrueshmërie Porto Romanos, shpiku historinë e portit të NATO-s, e bazës së NATO-s në Porto Romano”, deklaroi ish zv. shef i Forcace Detare për “Vetting” Artur Meçollari.
Sipas Meçollarit, një qasje e NATO-s në Porto Romano, do t’i jepte portit qëndrueshmëri dhe fizibilitet. Në fakt, ish zv.Shefi i FD-së Meçollari ka të drejtë që nuk ka një studim fizibiliteti për portin e ri.
News24 i bëri kërkesë zyrtare Autoritetit Portual Durrës për studimin e fizibilitetit për këtë projekt, por Autoriteti refuzon të na vendosi në dispozicion dokumentin.
Një shqetësim të ngjashëm ka ngritur edhe eksperti i ekonomisë Zef Preçi, i cili shprehet se në raportet zyrtare të Autoritetit Portual të Durrësit nuk gjen publikime për investimet.
“Në faqen zyrtare gjen letra trajnimesh, udhëtimesh, shëtitjesh, por nuk thotë gjë për raportin financiar.
Sa fitime sigurohen dhe si do të investohen? E njëjta gjë sa i takon programit buxhetor afatmesëm, që parashikohen para, por që më shumë janë për të mbajtur ndonjë premtim të fshehtë se sa për të sjellë zhvillim, që lidhen me volume mallrash, që lidhen me hekurudhën, që lidhet me vendet e rajonit”, do të deklaronte për “Vetting” eksperti Preçi.
Duke shfletuar të dhënat publike rezulton se Komisioni i Vlerësimit të Ofertave të Autoritetit Portual për tenderin e hartimit të projektit ka favorizuar bashkimin e kompanive pasi “TAULANT” shpk dhe “GEO-ENG” shpk nuk plotësojnë kriteret për xhiron vjetore, e cila duhet të jetë 458 milionë lekë të paktën në njërin nga vitet 2018, 2019 ose 2020.
Ky fakt zbulohet nga vetë institucioni, i cili për të njëjtën arsye që ka skualifikuar bashkimin e kompanive “ROGAN ASSOCIATES EL”, “MOFFAT & NICHOL” dhe “INFRAPLAN”, nuk ka skualifikuar grupin e kompanive fituese. Në lidhje me këtë fakt, deri në publikimin e këtij materiali, Autoriteti Portual Durrës dhe kompania hollandeze “Royal Haskoning B.V” nuk dhanë asnjë koment.
Porti i Ri përplas qeverinë me aleatët perëndimorë
Nga tenderi i projektimit te tenderi për ndërtimin e Portit të Ri në Porto Romano do të ndodhnin disa ndryshime në ligjin për Prokurimin Publik në vitin 2024, që do të përcaktonin drejtpërdrejt procesin për tenderat dhe ndërtimin e këtij porti.
Në qershor 2024, qeveria shqiptare do të autorizonte Autoritetin Portual të Durrësit për të negociuar drejtpërdrejt dhe për të lidhur marrëveshje konsulence me kompaninë ndërkombëtare hollandeze “Royal Haskoning DHV”, brenda fushës së kompetencës së saj, një fushë me interes strategjik për proceset e konkurrimit, kontraktimit, ndërtimit dhe mbikëqyrjes së portit të ri të integruar të Durrësit në Porto-Romano.
Pra, kompanisë që ka hartuar projektin teknik, do ti caktoheshin edhe proceset e tjera duke vendosur për çdo gjë tjetër dhe duke ngritur dyshime për konflikte interesi pasi kompania që hartoi projektin, do të ishte pjesë e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për shpalljen e fituesve për ndërtimin e portit.
Ajo që ngre pikëpyetje për këtë projekt është fakti, që ky port të ketë kapacitete të mëdhaja, duhet të ketë lidhje me hekurudhën, gjë që nuk e ka. Përtej këtyre problemeve, qeveria shqiptare për vendosjen e infrastrukturës hekurudhore do të duhet të bëjë investime shtesë për këtë port.
Do të ishte ky projekt madhështor që do të sillte një përplasje indirekte midis Bashkimit Europian dhe qeverisë shqiptare. Në raportin e fundit 2025 të Komisionit Europian vihet theksi te dispozita kalimtare në ligjin e ri për Prokurimin Publik, që autorizon institucionet publike të qeverisë qendrore të negociojnë dhe të lidhin marrëveshje ndërkombëtare konsulence në zona me interes strategjik. Sipas Bashkimit Europian, ky ndryshim në ligjin e Prokurimit Publik mbyll konkurrencën pasi vazhdon të ngrejë shqetësime lidhur me përputhshmërinë e saj me modelin e Bashkimit Europian dhe me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.
Sipas raportit, në thelb dokumentet e tenderit krijojnë një pamje të përbashkët, Porto Romano është trajtuar si projekt strategjik në nivel politik dhe gjeopolitik, por kjo strategji nuk është reflektuar që në fillim në projektimin teknik dhe procedurat e prokurimit.
Sipas ish zv.shefit të Forcave Detare Artur Meçollari, ky projekt ka sjellë mosdakordësi midis Bashkimit Europian dhe qeverisë.
“Bashkimi Europian e ka kontestuar çështjen e portit të Durrësit, për mënyrën se si është tenderuar sepse bie ndesh me nenin 73 të marrëveshjes së Asiociim-Stabilizimit. Si e tillë, këto kanë çuar në dështimin deri tani të projektit të Porto Romanos dhe unë jam i bindur që projekti i Porto Romanos nuk do të realizohet asnjëherë, sepse ai nuk është fizibël dhe nuk është një projekt, i cili do t’i rezistojë kohës”, u shpreh ish zv. Shefi i FA-së Meçollari.
Ai shton më tej se NATO ka pesë vite që studion Pashë Alimanin dhe Porto Romano është hedhur poshtë nga ata.
“NATO konsideron si portë hyrëse portin e Durrësit aktual, jo Porto Romanon, pavarësisht çfarë tha kryeministri Edi Rama që do ta japi me koncesion. Edhe Bashkimi Europian shikon akoma si portë hyrëse portin e Durrësit dhe jo Porto Romanon”, tha Meçollari.
Raporti i Komisionit Europian thekson se pavarësisht planeve zyrtare, nuk janë ndërmarrë hapa konkret për zhvendosjen e aktivitetit tregtar nga portet ekzistuese drejt Porto Romanos, ndërkohë që qeveria ka vendosur ta financojë projektin përmes buxhetit të shtetit dhe jo një partneriteti publik-privat.
Të njëjtin qendrim si Meçollari përsa i përket prezencës së NATO-s në portin e ri në Porto Romano ka edhe urbanisti Artan Kaçani.
“Për momentin NATO nuk ka pranuar që të pozicionohet në këtë lloj porti, për vetë faktin e problemeve sizmike që ndodhen aty, por njëkohësisht edhe të problemeve që thamë pak më parë, të fushës së karburanteve, e cila do e bënte shumë të vështirë mbrojtjen ushtarake në një kusht të tillë”, deklaroi për “Vetting” urbanisti Kaçani.
Ai vazhdon më tej se mungon infrastruktura kyç, që është infrastruktura hekurudhore dhe që duhet të ishte aset i ofruar nga shteti shqiptar.
Mënyra e planifikimit të qeverisë shqiptare ngre pikëpyetje për projektin, kur vetë zona për ndërtimin e Portit të ri ka probleme me aktivitetin e lartë sizmik.
“Janë përpjekur përpara disa viteve të ndërtojnë platformën e betonit dhe të rrugës, kanë ngulur kolonat prej 20 metrash dhe kolonat pilota i ka përpirë toka. Janë zhdukur kolonat. Këtu kuptojmë që bashkimi i pllakave tektonike, nuk është një shaka. Është diçka shumë serioze, e cila nesër do të vendosë në rrezik të gjitha investimet”, tha urbanisti Kaçani.
Sipas urbanistit Kaçani, firmat e ndërtimit të cilat kanë marrë përsipër ndërtimin e portit të Durrësit, tashmë janë duke gërryer pjesën veriore të kodrës së Durrësit, për të gjetur një bazament gjithmonë e më të qëndrueshëm, që të vendosin kalatën dhe hyrjen e portit.
Porto Romano, kush është kompania me lidhje ruse?
Një muaj pasi qeveria shqiptare do të autorizonte kompaninë hollandeze “Royal Haskoning DHV” për të realizuar të gjithë procedurat, në korrik 2024 Autoriteti Portual Durrës do të hapte tenderin me procedurë të kufizuar me fond limit 39,3 miliardë lekë ose 393 milionë euro për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano, faza 1. Tenderi do të anulohej pasi nuk do të kishte asnjë ofertë të volitshme.
Në fund të dhjetorit 2024, Autoriteti Portual do të rihapte tenderin, por gara me dy faza do të shoqërohej me ankesa dhe kundërshtime nga konkurrentët ndërkombëtarë për shkak të skualifikimeve nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave.
Skualifikimet e kompanive me reputacion ndërkombëtar kanë ngritur ndryshime për garë të paracaktuar.
Në fazën e parë është skualifikuar kompania “Jan De Nul nv”, e cila ka bërë ankesë pasi mungesa e një dokumentacioni për projektet që ka realizuar, nuk mund të jetë pretekst për një kompani që ka realizuar projekte ndërkombëtare të afirmuara.
Problemi më i madh është fakti se Komisioni i Vlerësimit të Ofertave të Autoritetit Portual ka refuzuar ta shqyrtojë ankesën sepse sipas ligjit për të shqyrtuar një ankesë duhet paguar 0,5% e vlerës së tenderit, pra konsorciumi i përfaqësuar nga “Jan De Nul nv” duhet të paguante 2 milionë euro për t’iu dëgjuar ankesa. Ankesa është refuzuar edhe nga Komisioni i Prokurimit Publik, që ishte nën drejtimin e personit të pandehur nga SPAK, Jonaid Myzyri, tashmë i pezulluar nga detyra. Ky i fundit nuk e ka pranuar ankesën, pavarësisht se kompania ka ngritur problemin se një pagesë e tillë brenda 2 ditësh kërkon kohë për miratime dhe sipas kompanisë, ajo ka qenë në dijeni për ta bërë këtë pagesë pas fazës së kualifikimit dhe jo në fazën parakualifikuese.
Sipas ekspertit Preçi, kuadri ligjor duhet respektuar ashtu siç është, por nuk duhen anashkaluar ankesat.
“Është e vërtetë ajo që thoni ju që është një shumë e madhe, por ajo zhbllokohet pas shqyrtimit të ankesës. Kjo nuk do të thotë që Komisioni i Prokurimit Publik dhe Agjencia e Prokurimit Publik dhe Shërbimet Inteligjente të mos verifikojnë motivet e ankesës dhe të mos marrin vendime”, deklaroi eksperti Preçi për rastin e skualifikimit.
Në fazën e dytë të tenderit kanë kaluar kompania hollandeze “Van Oord Dredging and Marine Contractors B.V.” dhe një kompani tjetër, e cila ashtu si kompania franceze është skualifikuar me pretekstin se nuk kishte bërë ekuivalentimin e licencave, ndërkohë që hollandezët pretendojnë se kjo do të realizohej para nënshkrimit të kontratës në rast të fitimit të tenderit.
Kompania hollandeze nuk është mjaftuar me kaq, por ka dërguar letër në Kryeministri, te Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, te Autoriteti Portual i Durrësit, si dhe kanë vënë në dijeni ambasadorin hollandez në Shqipëri për çështjen e tenderit.
Skualifikimi i konkurrencës dhe lënia deri në fund të garës të vetëm një kompanie “Archirodon Construction (Overseas) Company Limited”, duke e berë automatikisht fituese, ka ngritur pikëpyetje për pronësinë dhe transparencën që kërkojnë projekte të infrastrukturave kritike.
Sipas ekspertit Preçi, Bashkimi Europian ka vendosur rregulla përsa i takon infrastrukturës kritike, nevojës për një mekanizëm “screening”, mekanizëm shqyrtimi të investimeve të kësaj natyre, ku porti bën pjesë te investimet kritike të vendit.
“Këto elementë te ne mungojnë dhe vazhdohet me të njëjtin ritëm. Kjo gjë krijon mundësi dhe përfitime për dikë të dyshuar dhe që është në hetim apo do të hetohet së afërmi dhe në të njëjtën kohë nuk garanton cilësi të veprës publike”, u shpreh eksperti Preçi.
Por ky projekt është kthyer në një thikë me dy presa pasi mund të sjellë probleme jo vetëm me buxhetin e shtetit, por edhe me sigurinë rajonale.
Pikëpyetjet për kompanitë e lidhura më parë me kompani apo entitete ruse të sansksionuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Europian dhe Britania e Madhe do të lindnin me kompanitë në fazën e dytë të tenderit për portin e ri.
Më 4 prill 2025, zv.kryeministrja Balluku do të publikonte në faqen zyrtare të platformës “Meta” (Facebook) se në fazën e dytë për ndërtimin e portit të ri kishin kaluar dy kompani, hollandezët “Van Oord Dredging and Marine Contractors b.v” dhe kompania greke me seli në Hollandë “Archirodon Construction (Overseas) Company Limited”.
Por siç e përmendëm më sipër, hollandezët do të skualifikoheshin dhe në garë do të ngelej kompania “Archirodon”, e cila në fund të janarit 2026 do të shpallet automatikisht fituese si kompania e vetme e ngelur në garë.
Publikimi i emrave të kompanisë nga zv.kryeministrja Balluku ngre probleme me transparencën sepse thuhet se kompania është greke me seli në Hollandë ndërkohë që kompania e paraqitur për tenderin e ka degën në Qipro. Ky vend njihet për përdorimin e strukturave offshore, të cilat, në raste të ndryshme ndërkombëtare janë përdorur edhe nga entitete të sanksionuara, ndërsa identifikimi i pronarëve fundorë kërkon nivele më të larta verifikimi.
Sipas ish Zv.Shefit të Forcave Detare Meçollari historitë me “offshore” mund të rezultojnë problematike.
“Kjo mua më bën të dyshoj që këtu kemi në fakt, me pushtetarë shqiptarë sepse shoh një lloj fenomeni, ku kemi kompani “offshore”, ka më shumë qëndrueshmëri dhe rezistencë, për të mos prishur statuskuon dhe kjo të lë të dyshosh”, tha Dr. Meçollari për rastin e offshorit.
Kompanitë në zona si Malta dhe Qipro ngrenë pikëpyetje për pronësinë, por edhe për investimet në infrastrukturën kritike si aeroportet, energjia dhe portet.
Siç e kemi përmendurr edhe më sipër, kompania “Archirodon Construction (Overseas) Company Limited” nuk është në Hollandë, por e ka degën në Qipro.
Struktura korporative e kompanisë së përfshirë në projekt shtrihet në Qipro, ku në të kaluarën kanë figuruar edhe individë me role drejtuese ose administrative që kanë pasur lidhje me kompani dhe entitete ruse të sanksionuara nga Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar. Ndonëse nuk përbëjnë provë shkeljeje ligjore, e vendosin projektin në qendër të nevojës për transparencë të shtuar dhe verifikim të thelluar.
Sipas të dhënave publike, kompania qipriote “CYMANCO SERVICES LIMITED” paraqitet në dokumentet zyrtare të Regjistrit të Kompanive qipriote si sekretare e kompanisë që ka fituar tenderin për ndërtimin e portit të ri në Durrës. Ky rol sipas ligjit qipriot është formal dhe ligjor, nuk nënkupton pronësi apo kontroll ekonomik mbi kompaninë, por përfshin akses të plotë në strukturën ligjore dhe funksionimin administrativ të saj.
Të dhënat publike tregojnë se Cymanco Services Limited ka vepruar si sekretare korporative për kompani ku Albert Avdolyan rezulton i regjistruar si drejtor ose figurë e lidhur. Avdolyan është oligark rus i përfshirë në listën e sanksioneve të Bashkimit Europian në shkurt 2025.
Në disa raportime investigative ndërkombëtare që dokumentojnë skema të dyshuara korrupsioni dhe devijimi fondesh, ku përfshihen oligarkë ukrainas me lidhje të forta ruse del “CYMANCO SERVICES LIMITED”. Sipas këtyre burimeve, CYMANCO shfaqet në zinxhirë administrativë dhe ligjor të përdorur në struktura offshore, të lidhura me figura si Dmytro Firtash, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për aktivitete të lidhura me Rusinë, përfshirë marrëdhënie me krimin e organizuar dhe mbështetje të ndikimit rus në Ukrainë, si edhe Mykola Martynenko, ish-deputet ukrainas i hetuar në Zvicër dhe Ukrainë për përvetësim fondesh, ryshfet dhe pastrim parash.
Raportimet e publikuara nga “crime.hab.media” tregojnë se këto skema dyshohet se kanë devijuar fonde nga ndërmarrje shtetërore strategjike ukrainase, përfshirë “United Mining and Chemical Company” (UMCC) dhe “Odesa Port Plant”, duke shkaktuar humbje që tejkalojnë shumën rreth 13 milionë dollarë. Fondet janë kanalizuar përmes një rrjeti kompanish guackë në Qipro, Austri dhe Zvicër, duke përfituar interesat industriale të lidhura me biznesin e titanit të Firtashit në periudhën para vitit 2014.
Sipas të dhënave të publikuara në databaza ndërkombëtare “CYMANCO SERVICES LIMITED” ka qenë me rol sekretarie edhe te “LUKOIL SECURITIES LIMITED”, e cila është në pronësi të grupit Lukoil. Ky i fundit është një nga korporatat më të mëdha ruse të naftës, e cila ka qenë subjekt i vëmendjes ndërkombëtare për shkak të lidhjeve të saj me shtetin rus dhe përfshirjes në regjime sanksionesh pas agresionit të Rusisë në Ukrainë. Edhe pse jo çdo entitet i lidhur me markën Lukoil është automatikisht i sanksionuar, lidhjet korporative dhe strukturore me këtë grup konsiderohen të ndjeshme nga këndvështrimi i sigurisë dhe transparencës.
Së fundmi, në shkurt të vitit 2025 do të sanksionohej biznesmeni Michel Litvak sepse Perëndimi e konsideron atë pjesë të rrethit të biznesmenëve që mbështesin ekonomikisht sektorë strategjikë të Federatës Ruse, në një kontekst të lidhur drejtpërdrejt me luftën në Ukrainë.
Të dhënat publike tregojnë se edhe tek ky rast, “CYMANCO SERVICES LIMITED” ka vepruar si sekretare korporative në një kompani, ku Litvak ka qenë i regjistruar si drejtor, çka e vendos këtë ofrues shërbimesh në fokus të verifikimeve mbi përputhshmërinë me regjimin e sanksioneve.
Edhe pse kjo kompani ka ndërprerë marrëdhëniet me entitete të sanksionuara, fakti që e njëjta kompani vazhdon të përdoret si sekretare nga “Archirodon Construction (Overseas) Company Limited”, një kompani e përfshirë në procedura për projekte infrastrukturore strategjike si porti i ri i Durrësit, ngre pyetje legjitime mbi masat e verifikimit dhe menaxhimin e rrezikut ligjor.
Këto pyetje marrin rëndësi shtesë në kontekstin e ndryshimeve të regjimit të sanksioneve të Bashkimit Europian gjatë viteve 2025-2026, ku paketat e reja kanë forcuar ndalimin e anashkalimit indirekt të sanksioneve, kanë zgjeruar përgjegjësinë e kompanive për “due diligence” dhe kanë vendosur theks të veçantë mbi rolin e ndërmjetësve dhe strukturave offshore. News 24