Frika mbi vaksinat po çon në një rënie të ndjeshme të vaksinimit të fëmijëve në Shqipëri. Pas pandemisë, gjithnjë e më shumë prindër po refuzojnë vaks...
Frika mbi vaksinat po çon në një rënie të ndjeshme të vaksinimit të fëmijëve në Shqipëri. Pas pandemisë, gjithnjë e më shumë prindër po refuzojnë vaksinat, kryesisht për shkak të frikës se ato shkaktojnë autizëm. Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, numri më i lartë i prindërve që po refuzojnë vaksinat paraqitet në Vlorë, Lezhë dhe Tiranë. Vetëm në vitin 2024, në Qarkun e Vlorës rreth 18% e fëmijëve nuk janë vaksinuar. Prindërit pranojnë se lexojnë rrëfime personale dhe eksperienca të prindërve të tjerë në rrjet dhe shtyjnë vaksinimin e fëmijëve të tyre pavarësisht se shteti i ka bërë vaksinat të detyrueshme. Teksa autoritetet shëndetësore shqiptare paralajmërojnë se nëse kjo prirje vazhdon, vendi rrezikon përhapjen e epidemive e bëjnë thirrje për ndërgjegjësim dhe respektim të kalendarit të vaksinimit, në SHBA po ndodh totalisht e kundërta. Florida do i japë fund vaksinave të detyrueshme për fëmijët dhe të rriturit, sipas Guvernatorit Ron DeSantis dhe Shefi i Shëndetit Publik Joseph Ladapo, duke u bërë shteti i parë në SHBA që merr një hap të tillë. DeSantis gjithashtu njoftoi se po krijon një komision shtetëror “Bëjeni Amerikën të Shëndetshme Sërish” (Make America Healthy Again), siç është propozuar nga Sekretari Amerikan i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr. Ladapo tha në një konferencë për shtyp: “Departamenti i Shëndetit i Floridës, në partneritet me guvernatorin, do të punojë për të përfunduar të gjitha vaksinat e detyrueshme ligjërisht në Florida.”
1066 views