Rasti ‘Liam Conejo Ramos’: Ku është djali 5-vjeçar nga Minneapolis, i ndaluar nga ICE?
Autoritetet amerikane të emigracionit (ICE) kanë ndaluar një fëmijë 5-vjeçar në Minnesota, teksa po kthehej në shtëpi nga shkolla, duke e transportuar atë bashkë me të atin në një qendër ndalimi në Teksas. Lajmi është bërë i ditur nga drejtuesit e distriktit shkollor të Columbia Heights, në periferi të Minneapolis.
Sipas autoriteteve shkollore, fëmija, i identifikuar si Liam Ramos, nxënës i kopshtit, dhe babai i tij u ndaluan të martën, në momentin kur kishin mbërritur në oborrin e banesës së tyre. Drejtoresha e shkollës, Zena Stenvik, deklaroi se u informua për ngjarjen dhe shkoi menjëherë në vendngjarje.
Kur ajo mbërriti, makina e babait ishte ende ndezur dhe të dy ishin tashmë nën kontrollin e agjentëve. Sipas saj, një agjent e nxori Liamin nga makina, e çoi deri te dera e shtëpisë dhe i kërkoi të trokiste për të parë nëse kishte persona të tjerë brenda, veprim që Stenvik e cilësoi si “përdorim i një fëmije 5-vjeçar si karrem”.
![]()
Një i rritur tjetër që ndodhej pranë banesës i kishte kërkuar agjentëve të merrte në kujdes Liamin për të shmangur ndalimin e tij, por kërkesa u refuzua. Rreth 20 minuta më vonë, vëllai më i madh i Liamit, nxënës në shkollë të mesme, u kthye në shtëpi dhe gjeti banesën bosh, pa babain dhe vëllain e tij.
Avokati i familjes, Marc Prokosch, deklaroi se familja ka një çështje aktive për azil dhe se babai dhe djali kishin hyrë në SHBA përmes një pike zyrtare kufitare.
“Ata kanë ndjekur të gjitha procedurat ligjore. Nuk kanë hyrë ilegalisht dhe nuk janë kriminelë”, tha ai, duke shtuar se nuk ekziston asnjë urdhër dëbimi ndaj tyre.
Nga ana tjetër, Departamenti i Sigurisë Kombëtare reagoi duke deklaruar se operacioni ishte i synuar për arrestimin e babait, të cilin e cilësoi si emigrant të paligjshëm. Sipas DHS, fëmija nuk ka qenë objektiv i operacionit dhe agjentët kanë qëndruar me të për arsye sigurie, ndërsa babai dyshohet se tentoi të largohej.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në komunitet dhe në shkolla. Mësuesja e Liamit e përshkroi atë si një fëmijë të dashur dhe energjik, mungesa e të cilit ndihet nga shokët e klasës. Sipas drejtuesve shkollorë, ndalimi i fëmijëve po krijon frikë dhe traumë te nxënësit dhe familjet e tyre.
Autoritetet shkollore raportuan edhe raste të tjera të ngjashme gjatë javëve të fundit, ku fëmijë dhe adoleshentë janë ndaluar nga ICE, disa prej tyre gjatë rrugës për në shkollë. Sipas tyre, prania e vazhdueshme e agjentëve pranë shkollave ka tronditur ndjenjën e sigurisë në komunitet.
The post Rasti ‘Liam Conejo Ramos’: Ku është djali 5-vjeçar nga Minneapolis, i ndaluar nga ICE? appeared first on iconstyle.al.