Normal view

Kinematografia shqiptare në zi, ndahet nga jeta aktorja e mirënjohur Rezana Çeliku

20 August 2026 at 19:00

Kinematografia shqiptare humbet një nga figurat e njohura të ekranit. Aktorja dhe ish-prezantuesja Rezana Çeliku është ndarë nga jeta në moshën 66-vjeçare, duke lënë pas disa role që vijojnë të kujtohen nga publiku edhe dekada pas realizimit të tyre.

Çeliku nuk ishte aktore e formuar në Akademinë e Arteve, por hyri në botën e televizionit dhe filmit thuajse rastësisht. Natyrshmëria para kamerës, eleganca dhe mënyra e saj e komunikimit tërhoqën vëmendjen e regjisorëve të kohës, ndërsa më herët ajo ishte shfaqur edhe si spikere dhe prezantuese e festivaleve e programeve në Televizionin Shqiptar.

Kontakti i parë me kinemanë erdhi me filmin “Zonja nga qyteti”, ku fillimisht ishte marrë në konsideratë për rolin e Melit, që më pas iu besua Rajmonda Bulkut. Rezana Çeliku interpretoi në këtë film rolin e Valit, duke shënuar kështu një nga paraqitjet e saj të para në ekran.

Më pas ajo u përzgjodh nga regjisori Kujtim Çashku për filmin “Ata ishin katër”, të vitit 1977, ku interpretoi Shpresën. Filmi, me regji të Kujtim Çashkut dhe Esat Musliut, mbetet një nga realizimet e njohura të kinematografisë shqiptare të asaj periudhe.

Një tjetër rol me të cilin Çeliku u bë e njohur për publikun ishte ai i mësuese Zanës në filmin televiziv “Shokë të një skuadre”, të realizuar në vitin 1984. Përveç këtyre prodhimeve, ajo interpretoi edhe në filmin “Rënia e idhujve”, në rolin e Diellës.

Por një nga interpretimet që mbeti më gjatë në kujtesën e publikut ishte ai i Verës, centralistes në filmin “Një djalë dhe një vajzë”, realizuar në fund të viteve ’80. Personazhi i saj, një grua që krijonte një marrëdhënie me një djalë më të ri, konsiderohej i guximshëm për mentalitetin dhe kinematografinë shqiptare të asaj kohe dhe shkaktoi diskutime.

Vetë Çeliku kishte treguar vite më vonë se roli nuk kishte qenë fillimisht ndër më të dëshiruarit prej saj dhe se pas shfaqjes së filmit kishte ndier edhe peshën e paragjykimeve të kohës. Megjithatë, ai mbeti interpretimi i saj i fundit në kinematografi, përpara se të vendoste të largohej nga aktrimi.

Krahas filmit, Rezana Çeliku pati një histori të hershme edhe me televizionin. Ajo punoi si spikere dhe prezantuese në TVSH dhe drejtoi festivale e programe televizive që në moshë të re. Në rrëfimet e saj, ajo kishte treguar se hyrja në botën e filmit kishte ardhur pikërisht pasi regjisorët e kishin parë gjatë prezantimeve të saj televizive.

Karriera e saj në televizion u ndërpre pas një incidenti në ambientet e grimit të TVSH-së, kur një pajisje elektrike ishte harruar në prizë. Çeliku kishte treguar se ngjarja u trajtua në atë kohë si një çështje shumë më serioze dhe përfundimisht çoi në largimin e saj nga ekrani.

Megjithëse arti mbeti një pjesë e rëndësishme e jetës së saj, Rezana Çeliku zgjodhi një tjetër rrugë profesionale. Ajo punoi për një periudhë edhe si mësuese matematike-fizike në zona të Tiranës, ndërsa më pas përfundoi studimet në Ekonomi dhe Juridik.

Për shumë vite ajo shërbeu në administratën publike, pranë Bashkisë së Tiranës, në strukturat që lidheshin me marrëdhëniet me publikun dhe komunikimin me qytetarët, duke qëndruar larg botës së filmit dhe ekranit.

Megjithatë, për publikun emri i saj mbeti i lidhur me kinemanë shqiptare dhe me një brez interpretuesish që, edhe pa e pasur domosdoshmërisht aktrimin si profesion të përhershëm, lanë personazhe të dallueshme në filmat e kohës.

Ceremonia e lamtumirës për Rezana Çelikun do të mbahet ditën e nesërme, ku familjarë, miq dhe të afërm do t’i japin lamtumirën e fundit aktores.

The post Kinematografia shqiptare në zi, ndahet nga jeta aktorja e mirënjohur Rezana Çeliku appeared first on iconstyle.al.

Gjashtë vite pas “Megxit”, Harry dhe Meghan bëjnë kthesën e madhe: Rikthehen në Britani me Archie dhe Lilibet, çfarë po ndodh pas dyerve të Pallatit?

20 August 2026 at 13:22

Gjashtë vite pasi lanë pas jetën mbretërore dhe u larguan drejt Shteteve të Bashkuara për të nisur një kapitull të ri, Princi Harry dhe Meghan Markle po bëjnë një nga kthesat më të papritura: familja Sussex po rikthehet për të jetuar në Britani.

Dhe këtë herë nuk bëhet fjalë për një vizitë disa ditore.

Harry, Meghan dhe dy fëmijët e tyre, Princi Archie, 7 vjeç, dhe Princesha Lilibet, 5 vjeçe, pritet të zhvendosen në Mbretërinë e Bashkuar në fund të gushtit, ndërsa fëmijët do të fillojnë shkollën atje në shtator. Ky është një nga ndryshimet më të mëdha në jetën e familjes që prej largimit dramatik nga monarkia në vitin 2020.

Familja nuk do të vendoset në Buckingham Palace, Windsor apo në një tjetër pronë të Kurorës. Harry dhe Meghan kanë zgjedhur një rezidencë private, jo-mbretërore, që besohet se ndodhet jashtë Londrës. Edhe emri i shkollës së Archie dhe Lilibet nuk është bërë publik, duke ruajtur privatësinë dhe sigurinë e fëmijëve.

Por një detaj e bën të qartë se ky nuk është thjesht një pushim i gjatë: Archie dhe Lilibet janë regjistruar për të nisur shkollën në Britani në shtator.

Për Archie-n, i cili lindi në Britani në vitin 2019 përpara largimit të prindërve, ky është një rikthim. Për Lilibet, e lindur në Kaliforni në vitin 2021, do të jetë hera e parë që shkollimi dhe një pjesë e jetës së saj të përditshme zhvendosen në vendin e familjes së të atit.

Pas kthimit qëndron edhe Mbreti Charles.

Koha e zgjedhur për këtë vendim nuk kalon pa u vënë re. Charles, i cili prej vitit 2024 është përballur me probleme shëndetësore pas diagnozës me kancer, është informuar për planet e çiftit dhe raportohet se e mirëpret mundësinë për të kaluar më shumë kohë privatisht me Harry-n dhe nipërit e tij.

Madje afrimi kishte nisur përpara lajmit të madh.

Vetëm pak javë më parë, Harry dhe Meghan ishin rikthyer në Britani së bashku me Archie-n dhe Lilibet për një vizitë familjare, gjatë së cilës fëmijët u takuan me gjyshin e tyre. E parë sot, ajo vizitë merr një tjetër kuptim dhe duket pothuajse si parapërgatitja për kapitullin që po vinte.

Rikthimi mund të ketë edhe një dimension shumë personal për Harry-n: dëshirën që Archie dhe Lilibet të mos rriten plotësisht të shkëputur nga familja dhe rrënjët e tyre britanike.

Por këtu duhet bërë një dallim i rëndësishëm.

Harry dhe Meghan nuk po rikthehen si anëtarë aktivë të Familjes Mbretërore.

Nuk ka plane që ata të rimarrin detyrat zyrtare nga të cilat u tërhoqën në vitin 2020. Nuk do të jetojnë në një rezidencë mbretërore dhe modeli i jetës së tyre të pavarur pritet të vazhdojë.

Madje, Sussex-ët pritet të mbajnë edhe shtëpinë e tyre në Montecito, Kaliforni, si dhe pronën në Portugali.

Pra, nuk kemi anulimin e “Megxit”, por diçka ndoshta edhe më interesante: Harry po rikthehet në vendin nga i cili u largua, pa u rikthyer në sistemin nga i cili donte të çlirohej.

Dhe pastaj është William.

Nëse marrëdhënia me Charles duket se po hyn në një fazë afrimi, historia me Princin William mbetet shumë më e komplikuar.

William dhe Catherine raportohet se janë informuar për vendimin e Sussex-ëve, por nuk ka ende shenja se fakti që dy vëllezërit do të jetojnë sërish në të njëjtin vend do të sjellë automatikisht një pajtim.

Plagët mes tyre janë grumbulluar prej vitesh.

Pas largimit të Harry-t dhe Meghan në vitin 2020 erdhi intervista me Oprah Winfrey, më pas dokumentari i çiftit, deklaratat publike dhe libri autobiografik i Harry-t, Spare, ku ai bëri publike detaje tepër personale për marrëdhëniet brenda Familjes Mbretërore, përfshirë përplasjet me të vëllanë.

Harry ka shprehur më pas dëshirën për pajtim, por marrëdhënia mes vëllezërve ka mbetur e tensionuar.

Kështu krijohet një situatë thuajse paradoksale: Harry mund të jetojë sërish pranë familjes së tij, ndërkohë që një prej marrëdhënieve më të rëndësishme të asaj familjeje vazhdon të jetë e thyer.

Dhe mbetet një tjetër pikëpyetje e madhe: siguria.

Për vite me radhë, Harry është përplasur me autoritetet britanike për nivelin e mbrojtjes që i ofrohej familjes së tij pas largimit nga detyrat mbretërore.

Ai kishte argumentuar se nuk ndihej i sigurt për të sjellë Meghan dhe fëmijët në Britani pa mbrojtjen që konsideronte të nevojshme. Beteja për sigurinë u kthye në një nga pengesat kryesore mes Harry-t dhe vendit të tij.

Dhe tani, pas gjithë kësaj, ai po rikthen atje gruan dhe dy fëmijët e tij.

Detajet e marrëveshjeve të sigurisë së familjes nuk janë bërë publike, ndaj nuk dihet nëse është gjetur një formulë e re apo çfarë masash do të zbatohen. Megjithatë, vendimi për t’i regjistruar fëmijët në shkollë tregon se Harry dhe Meghan e konsiderojnë situatën mjaftueshëm të menaxhueshme për të ndërtuar përsëri një pjesë të jetës së tyre në Britani.

Dhe pikërisht këtu historia merr një tjetër peshë.

Në vitin 2020, Harry dhe Meghan u larguan duke kërkuar pavarësi financiare, privatësi dhe një jetë jashtë mekanizmit të monarkisë britanike.

Pasuan Kalifornia, marrëveshjet e mëdha mediatike, intervistat që tronditën Pallatin, Spare, betejat me tabloidët britanikë dhe vite të tëra marrëdhëniesh të ngrira me Familjen Mbretërore.

Harry ndërtoi një pjesë të jetës së tij të re rreth bindjes se largimi ishte i nevojshëm për të mbrojtur Meghan dhe fëmijët.

Gjashtë vite më vonë, ai po kthehet.

Por ndoshta ky është edhe ndryshimi më domethënës: Harry nuk po kthehet si princi që ishte kur iku.

Ai po kthehet si bashkëshort dhe baba, me një shtëpi private, pa detyra mbretërore dhe me dy fëmijë që tani do të kenë mundësinë të rriten shumë më pranë gjyshit dhe rrënjëve të tyre britanike.

Për Charles, rikthimi sjell diçka që koha po e bën gjithnjë e më të çmuar: mundësinë për të pasur pranë djalin dhe për të njohur më mirë dy nipërit që për pjesën më të madhe të jetës së tyre kanë jetuar mijëra kilometra larg.

William mbetet pikëpyetja e madhe.

Dhe ndoshta historia e vërtetë nuk është vetëm se Harry dhe Meghan po rikthehen në Britani.

Është nëse ky rikthim do të mbetet thjesht një ndryshim adrese, apo do të bëhet fillimi i një pajtimi që Familja Mbretërore nuk ka arritur ta gjejë prej gjashtë vitesh.

The post Gjashtë vite pas “Megxit”, Harry dhe Meghan bëjnë kthesën e madhe: Rikthehen në Britani me Archie dhe Lilibet, çfarë po ndodh pas dyerve të Pallatit? appeared first on iconstyle.al.

“Do të doja të krijoja një familje dhe të rrisja fëmijë”/ Callum Turner flet për të ardhmen me Dua Lipën dhe gjithçka është kaq cute

20 August 2026 at 11:34

Callum Turner ka folur për jetën me Dua Lipën dhe, mes martesës, udhëtimeve dhe planeve për të ardhmen, aktori ka lënë të kuptohet se kapitulli i radhës për çiftin mund të jetë krijimi i një familjeje.

Në një intervistë për Esquire UK, 36-vjeçari është treguar më i hapur se zakonisht për marrëdhënien e tyre, duke e përshkruar martesën si “ditën më të bukur të jetës së tij”.

Por të qenit një prej çifteve më të komentuar të momentit do të thotë që edhe momentet më intime bëhen menjëherë publike. Turner pranoi se ishte e çuditshme të shihte një ngjarje kaq personale të diskutohej nga e gjithë bota.

“Është diçka e çuditshme kur të ndodh diçka kaq personale dhe pastaj flitet publikisht për të nga kaq shumë njerëz”, është shprehur ai.

Madje, pas dasmës, Callum dhe Dua po shëtisnin së bashku në park kur njerëzit nisën t’i uronin. Një moment i vogël, por që për aktorin ishte pothuajse surreal: jeta e tyre private tashmë ishte një lajm që e dinin të gjithë.

Megjithatë, pjesa më e ëmbël e intervistës erdhi kur biseda kaloi tek e ardhmja.

Kur u pyet se çfarë dëshiron nga vitet që vijnë, përveç vazhdimit të karrierës, përgjigjja e tij ishte e thjeshtë: “Familje.”

Dhe kur pyetja u bë më konkrete, Callum nuk la shumë vend për interpretime:

“Sigurisht. Jam 36 vjeç. Do të doja të krijoja një familje dhe të rrisja disa fëmijë.”

Duket se për të, Dua nuk është vetëm partnerja me të cilën dëshiron të ndërtojë një shtëpi, por edhe personi me të cilin dëshiron të vazhdojë të zbulojë botën.

“Të dy kemi të njëjtën dëshirë në mendje që na thotë: ‘Ik, udhëto, shiko botën, eksploro dhe zbulo.’ Dhe po, na pëlqen shumë t’i bëjmë të gjitha këto bashkë”, tregoi ai.

Në një tjetër moment, aktori e përmblodhi marrëdhënien e tyre në mënyrën më të thjeshtë:

“Është bukur të gjesh dikë që e do, që të do edhe ty dhe me të cilin dëshiron të jesh gjatë gjithë kohës.”

Edhe Dua Lipa ka folur më herët për mundësinë e mëmësisë. Këngëtarja ka treguar se do të dëshironte të kishte fëmijë një ditë, megjithëse për të ekziston edhe pyetja se si do të kombinohej mëmësia me një karrierë që përfshin albume, turne dhe udhëtime në të gjithë botën. Ajo ka theksuar se të rrisësh një fëmijë është shumë më tepër sesa thjesht dëshira për t’u bërë prind.

Dhe ndoshta pikërisht këtu historia e tyre bëhet edhe më cute. Nuk po flasin për një jetë perfekte të shkëputur nga realiteti, por për dy njerëz që duan të udhëtojnë, të punojnë, të zbulojnë botën dhe, kur të vijë momenti, të ndërtojnë edhe familjen e tyre.

Nga “run, roam, see the world” tek “do të doja të rrisja fëmijë”, duket se Callum e ka shumë të qartë se kë dëshiron pranë në të gjitha versionet e së ardhmes së tij. ❤

The post “Do të doja të krijoja një familje dhe të rrisja fëmijë”/ Callum Turner flet për të ardhmen me Dua Lipën dhe gjithçka është kaq cute appeared first on iconstyle.al.

❌