Normal view

“Nuk di si të vazhdoj pa ty”/ Messi thyen heshtjen pas humbjes së të atit: Fjalët prekëse dhe dyshimet për të ardhmen në futboll

12 August 2026 at 15:33

Lionel Messi ka thyer heshtjen pas ndarjes nga jeta të babait të tij, Jorge Messi, duke ndarë një prej mesazheve më personale dhe prekëse të karrierës së tij. Për yllin argjentinas, Jorge nuk ishte vetëm babai, por edhe miku, këshilltari dhe përfaqësuesi që e shoqëroi thuajse në çdo hap të rrugëtimit të tij në futboll.

“Babi, ende nuk mund ta besoj që je larguar”, nis mesazhi i Messit.

Kapiteni i Argjentinës shprehet se ende po përpiqet ta përballojë humbjen, ndërsa dhimbjen e bën edhe më të madhe ndjesia se kishin ende shumë momente për të jetuar së bashku.

“E di që po vuaje dhe se kështu është më mirë, por na le shumë shpejt. Kishim ende kaq shumë gjëra për të shijuar së bashku”, shkruan ai.

Një nga pjesët më emocionuese të mesazhit lidhet me Botërorin 2026. Messi tregon se babai i kërkonte vazhdimisht të luante në Botërorin e tij të fundit, ndërsa gjendja shëndetësore e Jorge ishte rënduar vetëm pak ditë përpara nisjes së turneut.

Leo kishte mbajtur gjallë shpresën se Argjentina do të arrinte deri në finale dhe se kjo kohë do t’i mjaftonte babait të tij për t’u rikuperuar dhe për të udhëtuar për ta parë.

“Vazhdoja të të thosha se do të arrinim në finale, që ti të mund të udhëtoje.”

Argjentina ia doli të shkonte deri në finale. Jorge, megjithatë, nuk mundi të ishte atje.

Messi rrëfen gjithashtu se gjatë gjithë Botërorit priste mesazhin e babait pas çdo ndeshjeje. Gjendja e tij e vështirë ishte kthyer në një tjetër motivim për të qëndruar në turne deri në fund.

“Arritëm në finale dhe ti nuk munde të ishe aty. Doja ta fitoja që të mund të ta sillja dhe të të tregoja edhe një tjetër”, shkruan Messi.

Argjentina e humbi finalen ndaj Spanjës dhe Leo zbulon një detaj veçanërisht të dhimbshëm. Kur u kthye pranë të atit, Jorge mendonte se finalja ishte vendosur me penallti. Babë e bir nuk arritën kurrë të flisnin siç duhej për gjithçka që kishte ndodhur gjatë atij Botërori.

Por historia e tyre shkonte shumë përtej trofeve dhe futbollit profesionist.

“Ti ishe babai, miku dhe përfaqësuesi im”, shkruan Messi.

Ai kujton vitet kur Jorge e çonte në stërvitje që fëmijë, shpesh menjëherë pasi përfundonte punën, dhe mënyrën se si rrallë mungonte në ndeshjet e tij. Më vonë, ai do të bëhej një figurë kyçe edhe në karrierën profesionale të të birit, duke e shoqëruar që nga hapat e parë e deri në rrugëtimin që e çoi te Barcelona dhe në majat e futbollit botëror.

Në lamtumirën e tij, megjithatë, Messi zgjedh të kujtojë mbi të gjitha babain, jo përfaqësuesin. Stërvitjet, ndeshjet, këshillat dhe madje edhe debatet mes tyre, pas të cilave Leo pranon se shpesh kuptonte se i ati kishte pasur të drejtë.

Humbja duket se ka tronditur aq shumë 39-vjeçarin, sa në mesazhin e tij ai flet hapur edhe për të ardhmen në futboll.

“Nuk e di çfarë do të bëj pa ty. Nuk e di si të vazhdoj”, shkruan Messi.

Më pas vjen një deklaratë që ka tërhequr menjëherë vëmendjen për atë që mund të nënkuptojë për karrierën e tij:

“Kam luajtur vetëm futboll dhe tani kam shumë dyshime nëse do të vazhdoj ta bëj edhe për shumë kohë.”

Fjalët e tij nuk përbëjnë një njoftim për tërheqje nga futbolli dhe Messi nuk thotë se ka marrë një vendim përfundimtar. Por ato tregojnë se sa thellë e ka prekur humbja e njeriut që kishte qenë pranë tij që nga dita e parë dhe se, për herë të parë, Leo po mendon për vazhdimin e rrugëtimit pa të.

Në fund, Messi flet edhe për fëmijët e tij. Ai premton se Jorge do të vazhdojë të jetë i pranishëm në familjen e tyre përmes vlerave që i ka përcjellë të birit.

“Do të më mungosh shumë, por do të jesh gjithmonë i pranishëm, sidomos në mënyrën se si i rris fëmijët e mi, sepse i mësoj dhe i edukoj ashtu siç më rrite ti mua.”

Në lamtumirën e tij nuk ka rekorde, Topa të Artë, gola apo trofe. Vetëm një djalë që i thotë lamtumirë të atit.

“U prehsh në paqe dhe kujdesu për ne nga lart, ashtu siç bëre këtu. Faleminderit për gjithçka.”

Dhe mesazhi mbyllet me fjalët më të thjeshta:

“Të dua, Babi.”

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Leo Messi (@leomessi)

The post “Nuk di si të vazhdoj pa ty”/ Messi thyen heshtjen pas humbjes së të atit: Fjalët prekëse dhe dyshimet për të ardhmen në futboll appeared first on iconstyle.al.

Abel apo The Weeknd? Këngëtari i jep fund dilemës për emrin e tij artistik

12 August 2026 at 15:16

The Weeknd nuk është ende gati t’i thotë lamtumirë emrit që e shndërroi në një prej yjeve më të mëdhenj të muzikës botërore. Pas vitesh deklaratash se po mendonte ta mbyllte këtë kapitull dhe të vazhdonte karrierën si Abel, artisti kanadez ka ndryshuar mendje.

Gjatë koncertit të tij në Stokholm më 8 gusht, pjesë e turneut “After Hours Til Dawn”, këngëtari 36-vjeçar, emri i vërtetë i të cilit është Abel Tesfaye, foli hapur me fansat për vendimin.

“Provova pak të përfundoja rrugëtimin tim si The Weeknd dhe nuk më pëlqen mënyra se si ndihem”, u shpreh ai, sipas një videoje të publikuar nga një fans. Më pas shtoi: “Do të jem gjithmonë këtu me ju”.

Deklarata shënon një kthesë nga planet që artisti kishte përmendur prej vitesh. Që në vitin 2022, ai kishte thënë se po mendonte ta ndryshonte emrin artistik në “Abel”, duke marrë si shembull Kanye West, i cili ndryshoi emrin në Ye.

“Ndihem sikur në këtë pikë duhet ta ndryshoj emrin tim artistik në ABEL”, deklaronte asokohe The Weeknd. Madje kishte hedhur idenë që emri të ndryshohej edhe ligjërisht, duke mbajtur vetëm “Abel”, në të njëjtën frymë me artistë si Madonna, Cher dhe Prince.

Në maj të vitit 2023 ai shkoi edhe më tej, kur në një intervistë për W Magazine deklaroi se albumi që po përgatiste mund të ishte publikimi i tij i fundit i madh nën emrin The Weeknd.

Por disa vite më vonë, duket se ndarja nga identiteti artistik që ka shoqëruar thuajse të gjithë karrierën e tij nuk është aq e thjeshtë sa kishte menduar.

Të paktën për momentin, Abel Tesfaye mbetet The Weeknd, duke vazhduar muzikën dhe performancat me emrin që e bëri të njohur në të gjithë botën.

The post Abel apo The Weeknd? Këngëtari i jep fund dilemës për emrin e tij artistik appeared first on iconstyle.al.

Albina Kelmendi bëhet nënë për herë të parë, zbulon emrin e veçantë të djalit

12 August 2026 at 15:12

Albina Kelmendi ka ndarë me publikun një nga lajmet më të bukura të jetës së saj. Këngëtarja është bërë nënë për herë të parë, duke mirëpritur në jetë një djalë së bashku me bashkëshortin e saj, Valon Vataj.

Lajmin e ëmbël Albina e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, ku krahas emocioneve të para si nënë ka zbuluar edhe emrin që çifti ka zgjedhur për vogëlushin: Trim Vataj.

“Faleminderit Zotit që na bekoi me një djalë.

Lusim Zotin që të rritet me shëndet, me gjitha të mirat, të bëhet fëmijë i mbarë dhe të na bëjë gjithmonë krenarë.

Mirë se erdhe në jetën tonë, 𝐓𝐫𝐢𝐦 𝐕𝐚𝐭𝐚𝐣!”, ka shkruar këngëtarja.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Valon Vataj (@valon.vataj)

Me ardhjen në jetë të Trimit, Albina dhe Valoni nisin kështu një kapitull krejt të ri, tashmë në rolin e prindërve për herë të parë.

The post Albina Kelmendi bëhet nënë për herë të parë, zbulon emrin e veçantë të djalit appeared first on iconstyle.al.

Eklipsi total i Diellit më 12 gusht: Çfarë do të ndodhë sot, si do të shihet nga Shqipëria dhe a ndikon te njerëzit?

12 August 2026 at 13:32

Qielli do të dhurojë sot, më 12 gusht 2026, një nga fenomenet astronomike më spektakolare: një eklips total të Diellit, i cili do të përshkojë një pjesë të hemisferës veriore dhe do të jetë veçanërisht mbresëlënës në Europë. Ndërsa në disa zona Hëna do ta mbulojë plotësisht Diellin dhe dita do të kthehet për pak minuta në muzg, nga Shqipëria fenomeni do të jetë i dukshëm vetëm pjesërisht dhe shumë pranë perëndimit të Diellit.

Por çfarë ndodh në të vërtetë gjatë një eklipsi? Pse errësohet qielli, a ulet temperatura, çfarë ndodh me kafshët dhe, mbi të gjitha, a ka ndonjë ndikim te trupi dhe shëndeti i njeriut?

Eklipsi ndodh kur Hëna kalon mes Tokës dhe Diellit, duke penguar përkohësisht dritën e tij. Ajo që e bën fenomenin kaq të jashtëzakonshëm është një përputhje e veçantë astronomike: Dielli është rreth 400 herë më i madh se Hëna, por ndodhet gjithashtu afërsisht 400 herë më larg nesh. Për këtë arsye, kur i shohim nga Toka, dy trupat qiellorë duken pothuajse me të njëjtën madhësi.

Kur pozicionimi është i përsosur, disku i Hënës mbulon të gjithë diskun e Diellit dhe krijohet eklipsi total. Hija e Hënës, megjithatë, mbulon vetëm një brez relativisht të ngushtë të sipërfaqes së Tokës. Jashtë këtij brezi, Dielli mbulohet vetëm pjesërisht.

Më 12 gusht, rruga e totalitetit kalon nga zona të Groenlandës dhe Islandës, përpara se të arrijë në Gadishullin Iberik. Spanja është një nga vendet më të privilegjuara për ta parë fenomenin, me totalitetin që prek një brez të gjerë të vendit dhe ndodh kur Dielli është shumë pranë horizontit.

Në zonat ku eklipsi është total, për pak më shumë se dy minuta Dielli do të zhduket plotësisht pas Hënës. Drita do të bjerë me shpejtësi, qielli do të marrë pamjen e muzgut dhe temperatura mund të ulet. Yjet dhe planetët më të ndritshëm mund të bëhen të dukshëm edhe pse normalisht do të ishte ende ditë.

Në momentin e totalitetit ndodh edhe një nga pamjet më të bukura të fenomenit: rreth diskut të zi të Hënës shfaqet korona diellore, atmosfera e jashtme e Diellit, e cila zakonisht fshihet nga drita tepër e fuqishme e sipërfaqes së tij.

Pak përpara dhe pas totalitetit mund të shfaqen edhe të ashtuquajturat “Baily’s beads”, pika të vogla drite që krijohen kur rrezet e fundit të Diellit kalojnë mes maleve dhe luginave në skajin e Hënës. Më pas mund të shfaqet efekti i famshëm “diamond ring”, kur një pikë e fuqishme drite, e kombinuar me koronën rreth Hënës, krijon pamjen e një unaze me diamant.

Shqipëri, megjithatë, situata do të jetë ndryshe. Vendi ynë nuk ndodhet në brezin e totalitetit dhe për këtë arsye Dielli nuk do të mbulohet plotësisht në asnjë moment.

Nga Tirana, eklipsi parcial pritet të nisë rreth orës 19:31, ndërsa maksimumi i dukshëm lokal do të jetë rreth 19:41. Vetëm pak minuta më vonë, rreth orës 19:44, Dielli perëndon. Kjo do të thotë se nga kryeqyteti kemi një dritare shumë të shkurtër, rreth 13 minuta, për ta parë fenomenin.

Për shkak se Dielli do të jetë jashtëzakonisht poshtë në horizont, pamja do të varet shumë edhe nga vendndodhja. Një horizont i hapur drejt perëndimit, pa ndërtesa, male apo re që bllokojnë Diellin, do të jetë vendi më i favorshëm. Nga Shqipëria nuk duhet pritur që “të bëhet natë”; ajo që mund të dallohet është një “kafshim” i diskut të Diellit nga Hëna, pak përpara perëndimit.

Në internet mund të hasen edhe përqindje të ndryshme për madhësinë e eklipsit në një qytet të caktuar. Kjo ndodh sepse disa burime japin magnitudën e eklipsit, ndërsa të tjera përqindjen e sipërfaqes së diskut të Diellit që mbulohet. Janë dy mënyra të ndryshme matjeje dhe nuk duhet të ngatërrohen.

Një tjetër fenomen real gjatë eklipseve totale është rënia e temperaturës. Kur Hëna bllokon rrezatimin diellor, sipërfaqja e Tokës fillon të marrë më pak energji dhe ajri mund të ftohet brenda një kohe shumë të shkurtër. Në eklipset e mëparshme janë regjistruar ulje prej disa gradësh dhe, në kushte të caktuara të thata, ndryshimi mund të shkojë edhe rreth 4–8°C.

Mund të ndryshojnë përkohësisht edhe era, lagështia dhe disa procese që lidhen me formimin e reve. Por këto efekte janë shumë më të dukshme në zonat ku Dielli mbulohet plotësisht ose pothuajse plotësisht. Në Shqipëri nuk pritet ndonjë ndryshim i rëndësishëm meteorologjik, veçanërisht sepse eklipsi ndodh pikërisht në kohën kur Dielli po perëndon dhe temperatura normalisht fillon të bjerë.

Edhe kafshët mund ta perceptojnë ndryshimin. Gjatë eklipseve totale janë vërejtur zogj që ndryshojnë sjellje sikur po vjen nata, insekte të natës që aktivizohen dhe kafshë të tjera që reagojnë ndaj errësimit të papritur dhe rënies së temperaturës.

Shkaku nuk është ndonjë “energji” e veçantë e eklipsit. Organizmat thjesht reagojnë ndaj sinjaleve të mjedisit – kryesisht dritës dhe temperaturës – të cilat për disa minuta ndryshojnë në mënyrë të pazakontë. Edhe këtu, në Shqipëri efekti pritet të jetë shumë më i vogël për shkak të eklipsit të pjesshëm dhe perëndimit të afërt të Diellit.

Por një nga pyetjet më të shpeshta lidhet me ndikimin e eklipsit te njerëzit.

Rreth eklipseve kanë ekzistuar prej shekujsh besime sipas të cilave ato ndikojnë te shtatzënia, menstruacionet, fertiliteti, hormonet, tensioni, humori apo “energjia” e trupit. Në kultura të ndryshme ekzistojnë madje këshilla që gratë shtatzëna të mos dalin jashtë, që njerëzit të mos konsumojnë ushqim gjatë eklipsit apo të shmangin aktivitete të caktuara.

Shkenca nuk ka gjetur prova që eklipsi i Diellit shkakton këto efekte. Pozicionimi i Hënës përpara Diellit nuk shkakton një ndryshim të veçantë biologjik në trupin e njeriut. Për ne, ndryshimi fizik më i dukshëm është thjesht reduktimi i përkohshëm i dritës së Diellit në zonat ku eklipsi është i thellë.

Ekziston, megjithatë, një rrezik shumë real: dëmtimi i syve.

Dielli nuk duhet parë drejtpërdrejt gjatë fazave parciale të eklipsit. Edhe kur pjesa më e madhe e diskut diellor është e mbuluar, ajo pjesë që mbetet e dukshme vazhdon të jetë mjaftueshëm intensive për të dëmtuar retinën.

Syzet e zakonshme të diellit nuk janë mbrojtje e mjaftueshme. Për vëzhgim të drejtpërdrejtë nevojiten syze ose filtra të posaçëm për eklipsin që përmbushin standardin ndërkombëtar ISO 12312-2.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme për Shqipërinë. Në zonat ku ndodh totaliteti ekziston një interval shumë i shkurtër kur Dielli është plotësisht i mbuluar dhe korona mund të shihet pa filtër, sipas udhëzimeve për vëzhgimin e eklipsit. Në Shqipëri ky moment nuk ekziston, sepse eklipsi mbetet parcial deri në perëndim. Pra, Dielli nuk duhet parë me sy të lirë në asnjë moment të fenomenit.

Kujdes duhet treguar edhe me telefonat, aparatet fotografike, dylbitë dhe teleskopët. Sidomos pajisjet optike që zmadhojnë pamjen mund të përqendrojnë rrezatimin diellor dhe kërkojnë filtra solarë të posaçëm të vendosur përpara optikës.

Dëmtimi i retinës është veçanërisht problematik sepse mund të ndodhë pa dhimbje të menjëhershme. Retina nuk ka receptorë dhimbjeje dhe një person mund të kuptojë më vonë se shikimi është turbulluar, se ka një njollë në qendër të fushës së shikimit ose se imazhet duken të shtrembëruara.

Eklipsi i 12 gushtit ka edhe një rëndësi historike për Europën. Ai është eklipsi i parë total i dukshëm nga Europa kontinentale perëndimore që prej vitit 1999, duke e kthyer veçanërisht Spanjën në një nga destinacionet kryesore astronomike të ditës.

Dhe seria nuk përfundon këtu. Më 2 gusht 2027 do të ndodhë një tjetër eklips total, këtë herë shumë më i gjatë, me rrugën e totalitetit që do të kalojë në Spanjën jugore, Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme. Më 26 janar 2028, Spanja dhe Portugalia do të përjetojnë gjithashtu një eklips unazor, kur Hëna nuk e mbulon plotësisht Diellin dhe rreth saj mbetet e dukshme e famshmja “unazë e zjarrit”.

Për shkencëtarët, ndërkohë, eklipsi është shumë më tepër sesa një spektakël në qiell. Momentet kur disku jashtëzakonisht i ndritshëm i Diellit mbulohet nga Hëna krijojnë kushte të rralla për të studiuar koronën diellore, strukturën e saj dhe proceset që lidhen me erën diellore dhe të ashtuquajturën “space weather”.

Këto procese kanë rëndësi konkrete edhe për jetën moderne, sepse aktiviteti diellor mund të ndikojë te satelitët, komunikimet dhe teknologjitë hapësinore. NASA dhe ESA janë mes institucioneve që e përdorin fenomenin për vëzhgime dhe studime, ndërsa disa matje realizohen edhe nga avionë në lartësi të mëdha për të shmangur një pjesë të pengesave atmosferike.

Dhe sikur eklipsi të mos mjaftonte, nata e 12–13 gushtit sjell edhe kulmin e shiut të meteorëve Perseidë, një prej ngjarjeve astronomike më të bukura të vitit. Këtë herë kushtet janë veçanërisht të favorshme, sepse eklipsi ndodh në periudhën e Hënës së re. Pa dritën e fortë të Hënës në qiell, meteorët e Perseidëve mund të dallohen më lehtë në vende larg ndriçimit artificial.

Pra, 12 gushti 2026 është një ditë e veçantë për qiellin: pasditja sjell një eklips total për një pjesë të Europës dhe parcial për Shqipërinë, ndërsa gjatë natës vëmendja zhvendoset te Perseidët.

Për ne në Shqipëri nuk priten efekte misterioze në trup, ndryshime të forta të motit apo errësim i plotë i ditës. Ajo që kemi është një fenomen astronomik real, i rrallë dhe shumë interesant, që mund të shihet për pak minuta pranë perëndimit të Diellit.

Dhe nëse do ta ndiqni, mbani mend rregullin më të rëndësishëm: mos e shikoni Diellin drejtpërdrejt pa mbrojtjen e duhur, as “vetëm për disa sekonda”.

The post Eklipsi total i Diellit më 12 gusht: Çfarë do të ndodhë sot, si do të shihet nga Shqipëria dhe a ndikon te njerëzit? appeared first on iconstyle.al.

❌