Normal view

‘Ju lutem, hajdeni!’/ Në një vend ku askush nuk vjen për askënd

11 June 2025 at 12:40

“Ju lutem, hajdeni!”. Klithma vjen nga Jala, nga një grua që filmon me duar që i dridhen ndërsa dikush tjetër nxirret me barrelë nga rrënojat e një ndërtese pa leje në bregdet, të shembur nga shteti. Në video, malli ende brenda. Pluhur, zhurmë, panik. E ndërsa zëri i saj përhapet në rrjet, një pyetje qëndron pezull: Kush të vijë?

Sepse në këtë vend, thirrjet për ndihmë janë të shumta, por përgjigjet gjithmonë të pakta. Nuk mungojnë rastet, por ndjeshmëria kolektive. Ajo ndjenjë që të shtyn të lësh shtëpinë, të dalësh në rrugë, të qëndrosh për dikë që nuk je ti.

Në Shqipëri, rrallëkush shfaqet kur diçka nuk e prek drejtpërdrejt. Kjo është fytyra e shoqërisë sonë: protestat janë gjithmonë me pak njerëz dhe shumë arsye. S’kanë munguar thirrjet për mësuesit, për TikTok-un, për fëmijët e helmuar në Gramsh, për bypass-in e Kaninës, për ujësjellësin e Dukatit, për banorët e Krujës e Fushë-Krujës që kërkonin dalje në autostradë, për gratë e dhunuara, për fshatrat që betoni po i gërryen. Por kush ka dalë për këto kauza, kur nuk është ndjerë i prekur personalisht?

Shqiptarët presin që dikush tjetër të shfaqet për ta. Dhe kur nuk shfaqet askush, tërhiqen edhe ata që ndoshta do donin të besonin. Të vetmit që qëndrojnë janë disa aktivistë të palodhur, zëri i të cilëve mbytet shpesh nga indiferenca e përgjithshme.

Në këtë realitet, thirrja e dëshpëruar “Ju lutem, hajdeni” është pasqyra ku shohim atë që jemi bërë: një shoqëri që ka humbur ndjeshmërinë e përbashkët, ndjesinë e bashkëjetesës në komunitet.

Brenda kësaj amullie, ka vend edhe për votën e shitur. Jo si çështje politike, por si simptomë e së njëjtës krizë. Sepse kur voton për një thes miell, nuk mendon për të nesërmen e askujt, as për tënden. Mjafton të jesh rehat tani. Pastaj, kur vjen rrëzimi, thërret. Por askush nuk përgjigjet.

Kështu ndodhi edhe në Jalë. Sot është ajo, nesër një tjetër. Por drama është njësoj. Klithma është e njëjtë. Heshtja është e zakonshme.

Shqipëria është një vend ku askush nuk vjen për askënd. Sepse të gjithë janë të zënë duke menduar për veten. Solidariteti nuk është një rrugë që shkel vetëm kur të djeg ty. Sepse kur ti nuk je për të tjerët, askush nuk do jetë asnjëherë për ty!

The post ‘Ju lutem, hajdeni!’/ Në një vend ku askush nuk vjen për askënd appeared first on iconstyle.al.

Protestat masive në Los Angeles, vendi i kufizuar me orë policore! Aksion arrestimesh masive

11 June 2025 at 09:16

Një shtetrrethim është vendosur aktualisht në disa zona të qendrës së Los Anxhelosit, ndërsa autoritetet raportojnë për dhjetëra arrestime të protestuesve.

Demonstratat kundër Zyrës së Imigracionit dhe Doganave të SHBA-së (ICE) dhe politikave të administratës Trump janë përhapur në dhjetëra qytete në mbarë vendin, përfshirë Nju Jorkun, Çikagon dhe Teksasin, ku është aktivizuar edhe Garda Kombëtare.

Sipas kryetares së bashkisë së Los Anxhelosit, Karen Bass, ndalimi i qarkullimit është në fuqi nga ora 20:00 deri në 06:00 dhe mund të zgjasë për disa ditë. Masat prekin një zonë të kufizuar rreth 1 milje katrore dhe ndikojnë në më pak se 100,000 banorë.

“Ky është një reagim ndaj përshkallëzimit të situatës në terren. Qëllimi është mbrojtja e sigurisë publike, jo shtypja e zërit qytetar,” tha Bass në një deklaratë të martën në mbrëmje.

Departamenti i Policisë së Los Anxhelosit konfirmoi se ka kryer arrestime masive, duke ndaluar qindra persona për mosshpërndarje nga zona të paligjshme tubimi. Të paktën 378 persona janë arrestuar që nga fillimi i protestave të premten e kaluar.

The post Protestat masive në Los Angeles, vendi i kufizuar me orë policore! Aksion arrestimesh masive appeared first on iconstyle.al.

❌