“Ka humbur besimi”, avokati Cakrani “divorcohet” me Ilir Metën
Avokati Kujtim Cakrani nuk do të përfaqësojë më ish-Presidentin Ilir Meta në procesin e tij penal. Lajmi është bërë publik nga vetë studioja ligjore “Cakrani”, e cila konfirmon përfundimin e marrëdhënies profesionale për shkak të mungesës së mirëbesimit dhe bashkëpunimit mes palëve.
Sipas deklaratës zyrtare, bashkëpunimi kishte nisur më 24 maj 2025, kur avokati mori përsipër mbrojtjen ligjore të Ilir Metës në çështjen që po shqyrtohet në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Studioja thekson se gjatë gjithë kësaj periudhe angazhimi ka qenë i plotë dhe në përputhje me standardet profesionale, me fokus mbrojtjen e të drejtave të klientit.
Megjithatë, më 29 qershor 2026, është vendosur ndërprerja e kësaj marrëdhënieje. Sipas njoftimit, arsyeja lidhet drejtpërdrejt me mungesën e kushteve të nevojshme për vijimin e një bashkëpunimi efektiv, situatë që është bërë më e dukshme pas seancës së fundit gjyqësore.
Studioja ligjore sqaron se vendimi është marrë në përputhje të plotë me normat etike dhe profesionale të ushtrimit të avokatisë, pa konflikte interesi apo përplasje mes palëve. Bëhet fjalë për një ndarje të qetë, që reflekton pamundësinë për të vijuar më tej mbrojtjen në mënyrë efikase.
Në përfundim, avokati Kujtim Cakrani i uron Ilir Metës të gjejë përfaqësimin e duhur ligjor, ndërsa garanton se do të respektohet konfidencialiteti i plotë për çdo informacion të marrë gjatë periudhës së bashkëpunimit.
Deklarata për mediat:
Me datë 24 maj 2025, Studio Ligjore “Cakrani” nëpërmjet avokatit Kujtim Cakrani, mori përsipër përfaqësimin ligjor të ish-Presidentit të Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Metaj, në procedimin penal të zhvilluar para Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO/SPAK). Bashkëpunimi është kryer me ndershmëri profesionale dhe me angazhim të plotë në mbrojtjen e të drejtave dhe interesave ligjore të klientit.
Sot, më datë 29 Qershor 2026, Studio Ligjore “Cakrani” njofton publikun se marrëdhënia klient–avokat me z. Ilir Metaj ka ardhur në fund. Shkëputja e kësaj marrëdhënieje vjen si pasojë e humbjes së mirëbesimit reciprok dhe mungesës së bashkëpunimit të nevojshëm ndërmjet klientit dhe mbrojtësit ligjor, gjendje kjo e evidentuar sidomos pas seancës së fundit gjyqësore të çështjes në themel.
Theksojmë se kjo shkëputje bëhet plotësisht brenda normave të etikës dhe deontologjisë profesionale të avokatit, në zbatim të Kodit të Etikës së Dhomës së Avokatisë dhe legjislacionit në fuqi. Nuk ka asnjë konflikt interesi, akuza reciproke apo qëndrim polemik nga asnjëra palë. Vendimi pasqyron thjesht dhe vetëm mungesën e kushteve objektive të domosdoshme për vazhdimin e një mbrojtjeje ligjore efektive.
Studio Ligjore “Cakrani” i uron z. Metaj gjetjen e përfaqësimit ligjor të duhur dhe respekton të drejtën e tij kushtetuese dhe konvencionale për gjykim të drejtë. Gjatë gjithë periudhës së bashkëpunimit, avokati Kujtim Cakrani ka vepruar me integritet profesional të plotë dhe do të ruajnë, si e kërkon ligji, konfidencialitetin e informacioneve të fituara gjatë ushtrimit të mandatit.
Kjo deklaratë lëshohet me qëllim ekskluziv të transparencës ndaj opinionit publik dhe medias, për të evituar çdo keqkuptim apo interpretim të gabuar të rrethanave që çuan në përfundimin e marrëdhënies profesionale.
The post “Ka humbur besimi”, avokati Cakrani “divorcohet” me Ilir Metën appeared first on Publik Media.