Normal view

Received — 15 August 2026 @voxnews.al - TikTok

Protesta kundër qeverisë u zhvillua edhe mbrëmjen e djeshme në Tiranë, duke shënuar ditën e 76-të të protestave kundër kryeministrit Edi Rama. Në prot...

16 August 2026 at 13:01

Protesta kundër qeverisë u zhvillua edhe mbrëmjen e djeshme në Tiranë, duke shënuar ditën e 76-të të protestave kundër kryeministrit Edi Rama. Në protestë morën pjesë edhe shqiptarë të diasporës. Ata iu bashkuan qytetarëve para Kryeministrisë dhe mbajtën fjalime kundër qeverisë. Pas fjalimeve, protestuesit nisën marshimin në disa prej rrugëve kryesore të kryeqytetit. “Rama, jep dorëheqjen” ishte një nga thirrjet kryesore të protestuesve. Në duar u mbajtën edhe pankarta me mesazhe kundër qeverisë dhe mënyrës së qeverisjes. Protestuesit shprehen se do të vijojnë protestat, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. #voxnews #media #news @voxnews.al

2526 views


💾

Prodhimi industrial i Shqipërisë ra për të tretin vit radhazi gjatë vitit 2025, duke zgjeruar hendekun mes rritjes së përgjithshme të ekonomisë dhe ec...

16 August 2026 at 13:01

Prodhimi industrial i Shqipërisë ra për të tretin vit radhazi gjatë vitit 2025, duke zgjeruar hendekun mes rritjes së përgjithshme të ekonomisë dhe ecurisë së industrisë. Të dhënat e fundit të Institutit të Vjenës (Vienna Institute for International Economic Studies, wiiw), tregojnë se prodhimi industrial bruto u tkurr me 2.6% më 2025, pas rënies me 7.5% në vitin 2024 dhe me 8.4% në 2023. E llogaritur mbi ndryshimet vjetore të publikuara nga instituti, rënia e akumuluar e prodhimit industrial gjatë këtyre tri viteve arrin në rreth 17.5%. Ritmi i tkurrjes është zbutur ndjeshëm më 2025, por treguesi mbetet në territor negativ, duke sinjalizuar se industria ende nuk ka hyrë në një fazë rimëkëmbjeje. Kontrasti me ekonominë në tërësi është i fortë. Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me 4% në vitin 2023, me 4% në 2024 dhe me 3.7% në 2025. Kjo do të thotë se zgjerimi ekonomik i këtyre viteve është mbështetur nga sektorë të tjerë, ndërsa industria ka humbur terren edhe në periudha kur ekonomia regjistronte rritje relativisht të lartë. Instituti vlerëson se kërkesa e brendshme ishte nxitësi kryesor i ekonomisë gjatë vitit 2025, me kontributin më të fortë nga konsumi dhe investimet e qeverisë, ndërsa konsumi i familjeve dha një shtysë më modeste. Sipas raportit, rënia e vazhdueshme e prodhimit industrial përbën një sinjal problematik për strukturën e rritjes. Ndryshe nga shërbimet dhe konsumi, industria ka rol të drejtpërdrejtë në eksportet e mallrave, punësimin, produktivitetin dhe krijimin e një baze më të qëndrueshme prodhuese. Tkurrja trevjeçare tregon se rritja ekonomike nuk është shoqëruar nga një zgjerim i njëjtë i kapaciteteve industriale. Dobësia e industrisë shfaqet në një periudhë kur ekonomia shqiptare ka përfituar nga rritja e investimeve të huaja. Sipas wiiw, fluksi i investimeve të huaja direkte u rrit nga 1.498 miliardë euro në vitin 2023 në 1.581 miliardë euro më 2024 dhe në 1.635 miliardë euro në 2025. Megjithatë, të dhënat e prodhimit sugjerojnë se rritja e këtyre investimeve nuk është përkthyer në një kthesë të industrisë. Ndërkohë, paga mesatare mujore bruto u rrit nga 648 euro në 2023 në 769 euro më 2024 dhe në 860 euro në 2025. Rritja e pagave përmirëson të ardhurat e punonjësve, por, e kombinuar me tkurrjen e popullsisë dhe mungesën e fuqisë punëtore, mund të shtojë kostot dhe presionin konkurrues mbi ndërmarrjet prodhuese. Popullsia e Shqipërisë, sipas serisë së përdorur nga wiiw, zbriti nga 2.412 milionë banorë në 2023 në 2.377 milionë më 2024 dhe në 2.350 milionë në 2025. Brenda dy vjetësh, vendi humbi rreth 62 mijë banorë, një zhvillim që ngushton njëkohësisht ofertën e punës dhe tregun e brendshëm. Për vitet e ardhshme, Instituti i Vjenës parashikon ngadalësim të lehtë të ekonomisë. Rritja pritet të jetë 3.6% në 2026 dhe 3.5% në secilin prej viteve 2027 dhe 2028. /ekofin.al #voxnews #media #news

3272 views


💾

Policia e Durrësit ka goditur një rast trafiku armësh nga Kosova duke arrestuar një 34-vjeçar që po i transportonte. Gjatë kontrollit të makinës në Ma...

16 August 2026 at 13:01

Policia e Durrësit ka goditur një rast trafiku armësh nga Kosova duke arrestuar një 34-vjeçar që po i transportonte. Gjatë kontrollit të makinës në Maminas, atij iu gjetën 3 pistoleta dhe 34 fishekë, kurse në shtëpi 1 dorezë hekuri. Në pranga përfundoi edhe pasagjerja 39-vjeçare nga Kosova për moskallëzim krimi. #voxnews #media #news @voxnews.al

1973 views


💾

Grupi politik “Demokratët Evropianë” (EDP/PDE) në Parlamentin Europian ka bërë një reagim të fortë lidhur me çështjen e Kryebashkiakut Erion Veliaj, i...

16 August 2026 at 13:01

Grupi politik “Demokratët Evropianë” (EDP/PDE) në Parlamentin Europian ka bërë një reagim të fortë lidhur me çështjen e Kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili mbahet në paraburgim prej më shumë se 550 ditësh. Në deklaratën e tyre, ata shprehen se rasti i Veliajt është thellësisht shqetësues për demokracinë shqiptare dhe se i bashkohen thirrjes ndaj autoriteteve shqiptare që të respektojnë shtetin e së drejtës, prezumimin e pafajësisë dhe parimin e proporcionalitetit. Reagimi i plotë: Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit 2025, prej pothuajse një viti e gjysmë. Akuzat zyrtare iu njoftuan vetëm në korrik 2025, pas 163 ditësh në paraburgim. Së fundmi, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë rrëzoi një vendim të Gjykatës së Lartë dhe urdhëroi rishqyrtimin e masës së paraburgimit ndaj tij, duke vënë në pikëpyetje proporcionalitetin e saj në lidhje me mandatin e tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës, i zgjedhur në mënyrë demokratike. Ne i bashkohemi thirrjes ndaj autoriteteve shqiptare që të respektojnë shtetin e së drejtës, prezumimin e pafajësisë dhe parimin e proporcionalitetit. Ky rast vjen në një sfond thellësisht shqetësues për demokracinë shqiptare. Ne do të vazhdojmë ta mbajmë në vëmendje këtë çështje, sepse Shqipëria meriton një të ardhme evropiane – një të ardhme që të jetë plotësisht demokratike, transparente dhe e përkushtuar fort ndaj luftës kundër korrupsionit, duke garantuar njëkohësisht që drejtësia të ushtrohet gjithmonë me paanësi, pavarësi dhe respekt për të drejtat themelore. #voxnews #media #news

2494 views


💾

Donald Trump kundër Europës nuk ka të bëjë vetëm me Groenlandën dhe NATO-n. Ekziston edhe një garë tjetër që zhvillohet shumë më qetësisht: në Ballkan...

16 August 2026 at 13:01

Donald Trump kundër Europës nuk ka të bëjë vetëm me Groenlandën dhe NATO-n. Ekziston edhe një garë tjetër që zhvillohet shumë më qetësisht: në Ballkan. Rajoni u rrënua nga luftërat e ish-Jugosllavisë së viteve 1990. Në të kaluarën SHBA-ja dhe Europa bashkëpunin për rindërtimin e rajonit. Ndërsa sot ata konkurrojnë për pushtet, para dhe ndikim. Si mund të ndikojë ky rivalitet në Ballkan? Ballkani Perëndimor është një term që Bashkimi Europian e përdor për gjashtë shtetet në kufijtë e tij: Bosnjë-Hercegovina, Serbia, Kosova, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Mali i Zi. BE-ja thotë se të gjithë këto shtete duhet të bëhen anëtarë, pas një sërë reformash të sundimit të ligjit dhe tregut. Por ata kanë ngecur në rrugën e tyre drejt anëtarësimit. Dhe ka disa pengesa të mëdha, si separatizmi që “vlon” në Bosnjë dhe Hercegovinë, ose mosmarrëveshja mes Serbisë dhe Kosovës. Për vite me radhë, SHBA-ja mbështeti integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Ish-ministrja e Jashtme demokrate asokohe Hillary Clinton deklaronte, se “jemi të bashkuar në qëllimet tona për t’ju parë në NATO dhe BE sa më shpejt të jetë e mundur.” Aktualisht po dëgjohet një mesazh i ri: Donald Trump Jr.: “Nuk është politikisht korrekte, por është shumë e qartë se Europa është katastrofë.” Ky ndryshim kursi ka dy anë: interesat e sigurisë dhe interesat ekonomike. Lidhur me sigurinë, Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi së fundmi se “Epoka e ndërtimit të kombit, e udhëhequr nga SHBA-të, ka kaluar”. Por çfarë do të thotë kjo? Le të analizojmë Bosnjë dhe Hercegovinën, ose shkurt Bosnjën, një vend i shenjuar nga lufta brutale e viteve 1990. Është shtëpia e tre grupeve kryesore etnike: boshnjakëve, serbëve të Bosnjës dhe kroatëve të Bosnjës. Për t’i dhënë fund konflikteve të tyre, në vitin 1995 u krijua një sistem ndarjeje pushteti nën udhëheqjen e SHBA-së. Shpesh përshkruhet si sistemi politik më i ndërlikuar në botë. Tani, SHBA-ja dhe Europa kanë mosmarrëveshje për pozicionet më të fuqishme në atë sistem: Përfaqësuesin e Lartë për Bosnjë-Hercegovinën. Ai ka një rol unik. Është një zyrtar i huaj, zakonisht europian, me fuqi të mëdha për të ndërhyrë në politikën boshnjake. Detyra e tij është të sigurohet që vendi të mos rrëshqasë përsëri drejt konfliktit. Por ai zgjidhet nga shtete dhe organizata të tjera dhe jo nga populli i Bosnjës. Përfaqësuesi i Lartë i fundit ishte politikani gjerman Christian Schmidt. Ai dha dorëheqjen dhe tha se SHBA-ja e shtyu ta ndërmerrte këtë vendim. Administrata Trump dëshiron të kufizojë kompetencat e Përfaqësuesit të Lartë, por BE-ja ende dëshiron një diplomat që ta thotë fjalën e fundit në Bosnjë. Sipas Marko Prelec nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave “qëndrimi i SHBA-së në këtë çështje është i saktë.” Eksperti Prelec shpjegon më tej, se 30 vjet pas ndërprerjes së armiqësive, është shumë e vështirë të shpjegohet pse duhet të ketë një zyrtar të emëruar ndërkombëtarisht me shkallën e pushtetit që përfaqësuesit e lartë kanë ushtruar në Bosnjë-Hercegovinë. Zyra e përfaqësuesit të lartë është bërë prej kohësh pjesë e konkurrencës gjeopolitike në Europë.Rusia ishte kundër Përfaqësuesit të Lartë të fundit dhe po kështu ishte edhe aleati i tyre lokal Milorad Dodik, udhëheqësi serb i Bosnjës. Dodik kërcënoi të shkëputej nga Bosnjë-Hercegovina dhe të bashkonte territoret serbe të Bosnjës me Serbinë fqinje: “Ne nuk e fshehim se i përkasim një kombi të vetëm serb. Ju nuk do ta shkatërroni thirrjen e këtij kombi për t’u bashkuar. Ky komb meriton të ketë një shtet të bashkuar. Ne nuk mund të ndalemi në këtë rrugë. Amerika dhe Europa dikur bashkëpunonin kundër këtyre kërcënimeve. Dodiku madje u sanksionua nga SHBA-të dhe gjykatat boshnjake e kishin në shenjestër. Por ai i shpëtoi arrestimit, qëndroi pranë MAGA-s dhe festoi fitoren e Trump. #voxnews #media #news

5629 views


💾

8 vatra zjarri mbeten aktive në vend, nga 35 të raportuara gjatë 24 orëve të fundit. Në terren po operojnë 120 efektivë të Forcave të Armatosura, 2 he...

16 August 2026 at 13:01

8 vatra zjarri mbeten aktive në vend, nga 35 të raportuara gjatë 24 orëve të fundit. Në terren po operojnë 120 efektivë të Forcave të Armatosura, 2 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor, thotë Ministria e Mbrojtjes. Në Parkun Kombëtar të Lurës janë aktivizuar 2 avionë Air Tractor dhe 1 autobot uji. Banesat janë të sigurta për shkak të korridoreve që janë hapur për të penguar avancimin e flakëve. Në Dajt 2 helikopterë po punojnë për shuarjen e vatrës mbi tunelet e Qafë-Mollës, por s’ka rrezik për zonat e banuara. Edhe në Priskë e Farkë zjarri është nën kontroll. Në Krujë po ndërhyhet për shuarjen e vatrave në Abaz e Zidoll, por pa rrezik për zonat e banuara. Vatrat e tjera janë në Lufaj të Lezhës, Dardhë të Elbasanit, pyjet e Tërbunit në Shkodër në Qafë Helmes dhe Bulqizë-Selishtë të Dibrës. #voxnews #media #news @voxnews.al

3528 views


💾

Një tërmet me magnitudë 7.7 goditi Indonezinë, në det të hapur pranë ishullit Flores. Tërmeti ndodhi të premten, më 14 gusht, në orën 21:58, në një th...

16 August 2026 at 13:01

Një tërmet me magnitudë 7.7 goditi Indonezinë, në det të hapur pranë ishullit Flores. Tërmeti ndodhi të premten, më 14 gusht, në orën 21:58, në një thellësi prej 10. Epiqendra u lokalizua 68 kilometra nga qyteti Ende, në provincën Nusa Tenggara Lindore, në ishullin Flores. Në zonën bregdetare, dhjetëra ndërtesa janë shkatërruar ose dëmtuar. Gjatë natës, bilanci i viktimave u rrit nga ora në orë. Sipas raportimeve, viktimat janë “të paktën 20”. “Dy viktimat e para të raportuara ishin një burrë dhe një grua, më pas u konfirmuan edhe vdekje të tjera”, deklaroi për mediat në Xhakartë Berton Suar Pelita Panjaitan, zëdhënës i agjencisë përgjegjëse për menaxhimin e katastrofave. “Do të njoftojmë zyrtarisht numrin përfundimtar të viktimave dhe shkallën e dëmeve të shkaktuara në ndërtesa nga tërmeti sapo të kemi të dhënat.” Në orët e para u dha gjithashtu alarmi për cunami, i cili më pas u anulua. Autoritetet indoneziane kishin bërë edhe një thirrje për evakuim, përmes deklaratave të Abdul Muharit, një tjetër zyrtar i së njëjtës agjenci: “U bëjmë thirrje të forta komuniteteve tona përgjatë bregdetit verior të Floresit dhe në zonat jugore që të kryejnë menjëherë vetevakuimin.” Banorëve iu kërkua të “largohen nga bregu, duke u zhvendosur më shumë se dy kilometra në brendësi të territorit ose duke shkuar në zona kodrinore mbi 10 metra lartësi.” Megjithatë, alarmi për cunami u hoq rreth 5 orë më vonë. #voxnews #media #news

5157 views


💾

Shtatë pseudonime, një kartë identiteti e falsifikuar dhe arrati që zgjati pothuajse katër vjet në malet në lindje të Shqipërisë. Kështu mori fund arr...

16 August 2026 at 13:01

Shtatë pseudonime, një kartë identiteti e falsifikuar dhe arrati që zgjati pothuajse katër vjet në malet në lindje të Shqipërisë. Kështu mori fund arratia e 42-vjeçarit shqiptar i dënuar me vendim të prerë për një sërë vjedhjesh në Itali. Pas ekstradimit në Itali, ai duhet të vuajë 5 vjet, 9 muaj dhe 5 ditë burg, si dhe të paguajë një gjobë prej 1.640 eurosh. 42-vjeçari mbërriti në aeroportin Roma Fiumicino me një fluturim nga Rinasi, i shoqëruar nga personeli i Shërbimit për Bashkëpunimin Ndërkombëtar të Policisë. Pas mbërritjes, ai iu dorëzua agjentëve të Policisë Kufitare Ajrore dhe, pasi u përfunduan procedurat përkatëse, u transferua në burgun e Viterbos. Kërkimet kishin nisur në vitin 2022, kur një vendim për bashkimin e dënimeve, i nxjerrë nga Prokuroria e Republikës së Pordenones, nuk mundi të ekzekutohej pasi i dënuari nuk gjendej. Që nga ai moment, hetuesit nisën të ndiqnin gjurmët e tij, duke rindërtuar gradualisht lëvizjet e shënjestrës së tyre. Hetimet çuan në lokalizimin e tij në një zonë malore jo shumë larg kufirit të Shqipërisë me Maqedoninë e Veriut. Më 11 mars 42-vjeçari u identifikua dhe u ndalua nga autoritetet shqiptare në portin e Durrësit. Gjatë kontrolleve në pikën kufitare, policia konstatoi se personi Armando Valchizan përdorte edhe emrat Armando Dervishi, Armando Gheorghe, Altin Dervishi dhe Martin Dervishi. Që nga ajo kohë nisi procedura e nevojshme për dorëzimin e tij te autoritetet italiane, e cila përfundoi me transferimin e tij në Fiumicino më 12 gusht. Operacioni u bë i mundur falë bashkëpunimit ndërmjet forcave të rendit italiane dhe shqiptare, si dhe koordinimit të zyrave Interpol të Romës dhe Tiranës. Vjedhjet janë kryer gjatë viteve 2013–2016. Ai është dënuar për gjashtë vjedhje të kryera në Lignano Sabbiadoro, në provincën e Udines, dhe në Caorle, në Venecia. Objektivat ishin kryesisht shtëpi pushimesh dhe dhoma hotelesh, në zona që gjatë sezonit turistik karakterizohen nga një fluks i madh dhe i vazhdueshëm turistësh. Këtyre rasteve u shtohet edhe një tjetër vjedhje në një shtëpi në Romë, e kryer në shtator të vitit 2015. Një nga elementët që e komplikoi identifikimin e 42-vjeçarit ishte përdorimi sistematik i identiteteve të ndryshme. Gjatë viteve, burri kishte përdorur të paktën shtatë pseudonime, në përpjekje për t’iu shmangur kontrolleve dhe për ta bërë më të vështirë lidhjen me identitetin e tij. Në vitin 2016, pikërisht në Caorle, karabinierët e kishin ndaluar dhe i kishin gjetur një kartë identiteti rumune të falsifikuar. Nga ai kontroll kishte nisur edhe procedimi penal për falsifikimin e dokumenteve. Shumëllojshmëria e identiteteve të përdorura e bëri veçanërisht të ndërlikuar edhe procesin për të vërtetuar pa asnjë dyshim se personi i gjetur në Shqipëri ishte pikërisht personi të cilit i referohej vendimi i autoriteteve italiane. #voxnews #media #news

5319 views


💾

Zjarret në pyje po kthehen në një nga rreziqet klimatike me pasojat më të mëdha për Shqipërinë, të nxitura nga rritja e temperaturave, thatësirat më t...

16 August 2026 at 13:01

Zjarret në pyje po kthehen në një nga rreziqet klimatike me pasojat më të mëdha për Shqipërinë, të nxitura nga rritja e temperaturave, thatësirat më të gjata dhe pakësimi i reshjeve gjatë verës. Sipas Planit Kombëtar të Përshtatjes ndaj Ndryshimeve Klimatike 2026–2036, zjarret, së bashku me përmbytjet, thatësirat dhe rrëshqitjet e dherave, përbëjnë mbi 90% të dëmeve të regjistruara nga fatkeqësitë klimatike në vend. Gjatë dy dekadave të fundit, fatkeqësitë natyrore dhe klimatike kanë prekur 95% të bashkive shqiptare. Rritja e temperaturave dhe ulja e lagështisë së tokës pritet ta bëjnë bimësinë më të ndezshme, duke zgjatur sezonin e zjarreve dhe duke rritur mundësinë që flakët të përhapen në sipërfaqe më të mëdha. Parashikimet klimatike tregojnë se deri në vitin 2050, temperatura mesatare mund të rritet me 0.9–2 gradë Celsius, ndërsa reshjet verore mund të bien me 8.1–17.6%. Zjarret dëmtojnë biodiversitetin, degradojnë dhe ekspozojnë tokën ndaj erozionit, cenojnë burimet ujore dhe kullotat, si dhe ulin aftësinë e pyjeve për të përthithur karbonin. Dëmet transmetohen edhe në bujqësi, blegtori dhe turizëm, ndërsa komunitetet rurale humbasin burime të ardhurash nga druri, bimët mjekësore dhe produktet e tjera pyjore. Plani parashikon se dëmet ekonomike nga ndryshimet klimatike në tërësi mund të arrijnë deri në 7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë në vitin 2050, në mungesë të masave të përshtatjes. Për të kufizuar rrezikun, Plani Kombëtar ndër të tjera synon krijimin e katër fidanishteve dhe ripyllëzimin e sipërfaqeve pyjore të zhveshura, të dëmtuara nga erozioni, zjarret dhe prerjet. Parashikohet gjithashtu monitorimi i mbijetesës së fidanëve dhe përdorimi i specieve më të përshtatshme për kushtet e reja klimatike. Masat e tjera përfshijnë përmirësimin e menaxhimit të pyjeve dhe zonave të mbrojtura, restaurimin e ekosistemeve të dëmtuara, kontrollin e erozionit dhe krijimin e skemave të pagesës për shërbimet e ekosistemit, me synimin që një pjesë e financimit të ruajtjes dhe rehabilitimit të pyjeve të sigurohet nga përfituesit e këtyre shërbimeve. Në total, Plani Kombëtar përmban 13 masa prioritare për sektorin e pylltarisë. Zbatimi i tyre do të shtrihet gjatë periudhës 2026–2036, ndërsa disa ndërhyrje afatgjata parashikohet të vijojnë deri në vitin 2042. #voxnews #media #news

2050 views


💾

❌