Principote Mykonos në Greqi ka reaguar pas vrasjes së 20-vjeçarit portugez Luis Miguel Varela Mendes nga 29-vjeçari shqiptar Sokrat Vata në ‘Principotes’ Ksamil. Përmes një reagimi, ‘Principote’ Mykonos ka sqaruar se nuk kanë asnjë marrëdhënie biznesi apo ndonjë lloj tjetër marrëdhënie me beach-barin në Shqipëri ku ndodhi incidenti. Siç thuhet në një deklaratë, kompleksi në Ksamil po përdor në mënyrë të paligjshme emrin e markës së tij ‘Principote’, ndërsa ndaj tij tashmë kanë nisur edhe procedurat ligjore. "Në dritën e një incidenti tragjik që ndodhi së fundmi në qytetin shqiptar të Ksamilit dhe në një dyqan që po përdor ilegalisht emrin tonë të biznesit, sqarojmë, për të shmangur konfuzionin, se PRINCIPOTE MYKONOS nuk ka absolutisht asnjë marrëdhënie biznesi apo tjetër me lokalin e mësipërm shqiptar, i cili po përdor ilegalisht emrin tonë dhe kundër të cilit kemi ndërmarrë veprime ligjore, me qëllim që ta ndalojmë atë të përfshihet në konkurrencë të padrejtë në dëmin tonë, duke ‘korrur’ ilegalisht reputacionin ndërkombëtar që PRINCIPOTE MYKONOS ka fituar gjatë shumë viteve të ofrimit të shërbimeve të nivelit më të lartë", thuhet në reagimin e ‘Principote’ Mykonos. Reagimi vjen ndërsa autoritetet shqiptare vazhdojnë hetimet e tyre për sherrin vdekjeprurës në Ksamil, në të cilin 20-vjeçari portugez humbi jetën. Për më shumë klikoni ne STORY👆🏻 #voxnews #media #news @voxnews.al
Turqia i ka kërkuar Interpolit të lëshojë një njoftim të kuq për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, në kuadër të një procesi gjyqësor në vazhdim lidhur me një sulm ndaj aktivistëve në bordin e flotiljes "Global Sumud", e cila transportonte ndihma humanitare për në Gaza, tha ministri turk i Drejtësisë, Akin Gurlek. Në një deklaratë të publikuar në platformën turke të rrjeteve sociale NSosyal, Gurlek tha se procedurat gjyqësore po vijojnë në Gjykatën e 11-të të Rënde Penale të Stambollit ndaj 35 të pandehurve, mes tyre Netanyahu dhe Afek Moskovitch, lidhur me incidentin në ujërat ndërkombëtare. Ai tha se urdhër-arrestet e lëshuara për Netanyahun dhe Moskovitch më 14 korrik 2026, me akuzën për “gjenocid”, e kanë shtyrë Ministrinë e Drejtësisë t’i kërkojë Ministrisë së Brendshme që të kërkojë nga Interpoli njoftime të kuqe për dy të dyshuarit. Dokumentet përkatëse i janë përcjellë gjithashtu Ministrisë së Jashtme, tha Gurlek. Sipas tij, Netanyahu dhe Moskovitch po ndiqen penalisht për veprime të dyshuara që lidhen me “ndërhyrjen e armatosur ndaj civilëve që transportonin ndihma humanitare për në Gaza në ujërat ndërkombëtare dhe ndalimin e aktivistëve”. Akuzat përfshijnë “krime kundër njerëzimit”, “gjenocid”, “privim të agravuar të lirisë”, “plagosje të qëllimshme”, “torturë”, “dëmtim të pronës”, “grabitje të agravuar” dhe “rrëmbim të mjeteve të transportit”, shtoi ai. “Ne nuk do të lejojmë që krimet e kryera në Gaza të mbulohen apo që përgjegjësit të mbrohen nga një mburojë pandëshkueshmërie”, tha Gurlek. “Do të përdorim me vendosmëri të gjitha mjetet që na ofrohen nga ligji kombëtar dhe ndërkombëtar”, shtoi ai. #voxnews #media #news
Një debat i fortë politik ka shpërthyer në Slloveni, ku presidentja Nataša Pirc Musar po përballet me pikëpyetje mbi lidhjet e rrethit të saj të afërt me persona me lidhje të dyshuara me Rusinë. Çështja mori përmasa pas një aksidenti automobilistik, ku në automjetin me të cilin udhëtonte presidentja ndodhej edhe një mike ruse. Mediat sllovene kanë raportuar për lidhjet e saj me një ish-zyrtar të inteligjencës sllovene, i cili u largua drejt Rusisë në vitet ’90. Zhvillimet kanë nxitur reagim në parlamentin slloven. Komisioni parlamentar për sigurinë ka kërkuar informacion nga shërbimet e inteligjencës për të vlerësuar nëse ekziston ndonjë ndikim apo rrezik i mundshëm rus në rrethin e presidentes. Në qendër të vëmendjes janë vendosur edhe udhëtimet e Pirc Musar në Rusi. Sipas raportimeve mediatike, ajo ka vizituar disa herë Moskën dhe Shën Petersburgun, përfshirë një udhëtim pak muaj para nisjes së pushtimit të plotë rus të Ukrainës në shkurt 2022. Partia opozitare SDS ka kërkuar masa më të forta, përfshirë shqyrtimin e aksesit të presidentes në informacionet e klasifikuara të inteligjencës, deri në përfundimin e verifikimeve të sigurisë. Nga ana tjetër, shërbimi slloven i inteligjencës dhe sigurisë, SOVA, ka deklaruar se një verifikim i mëparshëm i personit në fjalë nuk kishte evidentuar rrethana që përbënin kërcënim për sigurinë. #voxnews #media #news @voxnews.al
Petrit Ndoci, i dënuar për vjedhje me dhunë dhe armëmbajtje pa leje, është shpallur në kërkim pasi nuk është kthyer në burgun e Reçit pas përfundimit të lejes. Siç raporton gazetarja e Top Channel Dorjana Bezat, Ndoci duhej të kthehej sot në orën 12:30 në institucionin e vuajtjes së dënimit, por nuk është paraqitur. Sipas informacioneve paraprake të siguruara nga korrespondenti i Top Channel, Klodian Zhivani, vëllai i tij ka deklaruar se Petrit Ndoci kishte lënë një letër për familjarët, ku shkruante: “Po largohem, ju dua shumë.” Ndoci po vuante dënimin për veprat penale “vjedhje me dhunë” dhe “armëmbajtje pa leje”. Mësohet se atij i kishin mbetur rreth dy vite burgim për të përfunduar dënimin. #voxnews #media #news @voxnews.al
Gjermania po përballet gjithnjë e më hapur me një luftë të fshehtë ruse. Por në Berlin dhe në kryeqytetet e tjera europiane ende hezitohet të thuhet ajo që po ndodh në të vërtetë: Moska nuk po zhvillon luftë vetëm kundër Ukrainës, por edhe kundër Europës. Gjermania gjithnjë e më shumë po vihet në shënjestër nga shërbimet sekrete ruse. Rasti më i ri: sipas një raporti mediatik, autoritetet gjermane të sigurisë kanë gjetur një depo të fshehtë armësh në afërsi të Berlinit. Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës, siç quhet në Gjermani shërbimi i brendshëm sekret, supozon se depoja është ngritur me urdhër të shërbimeve sekrete ruse, njoftuan të premten mediumet gjermane Norddeutscher Rundfunk, Westdeutscher Rundfunk dhe "Süddeutsche Zeitung“. Në depon, në një pyll në landin e Brandenburgut, ishin ruajtur dy armë zjarri të lehta. Sipas raportit, Prokuroria Federale e Gjermanisë tashmë po kryen hetime me dyshimin për përgatitjen e një vepre të rëndë dhune që rrezikon shtetin. Një i dyshuar është arrestuar disa kohë më parë në Rumani. Sipas raportit, ai mund të ketë ngritur depon e armëve. Mediat raportojnë se zyrtarët kishin marrë një informacion për vendstrehimin dhe e kishin gjetur atë që në fund të verës së kaluar. Autoritetet gjermane të sigurisë tashmë janë të bindura se armët u fshehën për agjentë, të cilët me urdhër të Rusisë duhej të kryenin vrasje politike. Sipas mediave gjermane, drejtori i shërbimit të brendshëm sekret të Gjermanisë, Sinan Selen, ka paralajmëruar prej muajsh se shërbimet sekrete të Rusisë kanë ashpërsuar linjën e tyre dhe po planifikojnë gjithashtu atentate edhe në Gjermani. Ky nuk është rasti i vetëm. Këtë javë një gjykatë në Stuttgart e dënoi një ukrainas me një vit e tre muaj burg për shkak të veprimtarisë agjenturore në shërbim të Rusisë. Ukrainasi, i cili banon në Zvicër, akuzohej se kishte planifikuar akte sabotazhi dhe atentate në Gjermani. Me urdhër të shërbimit të fshehtë rus, ai kishte hulumtuar rrugët e transportit për pako me bomba. Dy persona të tjerë u liruan nga akuzat. Të tre personat u arrestuan në maj të vitit të kaluar në Gjermani dhe në Zvicër. Keqbërësit si ukrainasi i dënuar në mediat gjermane quhen “Wegwerfagenten”: agjentë për përdorim të njëhershëm, të cilët pastaj flaken tutje. Ky nocion, sipas gazetës zvicerane “Tages-Anzeiger”, nisi të përdorej nga viti 2022. “Që nga sulmi ndaj Ukrainës, shërbimet e fshehta të Rusisë kanë intensifikuar aktivitetet e tyre të fshehta në Evropë, duke zhvilluar me këtë rast edhe metoda krejtësisht të reja. Për forma të thjeshta të spiunazhit, sabotimit, vandalizmit, zjarrvënies, dezinformimit apo propagandës, ato përdorin gjithnjë e më shpesh të rinj që jetojnë në vendngjarje. Rekrutimi bëhet gjithandej dhe nëpërmjet rrjeteve sociale”. Në fillim të këtij muaji aeroporti në Leipzig për pak i shpëtoi një katastrofe. Sipas hetuesve gjermanë, një dron i mbushur me lëndë shpërthyese kishte për qëllim hedhjen në erë të një aeroplani ukrainas. Autoritetet gjermane dyshojnë se pas kësaj vepre qëndrojnë shërbimet sekrete ruse. Policia zbuloi se droni ishte i pajisur me lëndë shpërthyese ushtarake. „E gjithë kjo nuk tregon për taktika amatore. Po flasim për një situatë kërcënimi profesional dhe hibrid me të cilën duhet të vazhdojmë të përballemi”, tha ministri i Brendshëm gjerman Alexander Dobrindt. As Dobrindt, as kancelari Friedrich Merz nuk e akuzuan drejtpërdrejt Rusinë për sulmin e dështuar me dron në Leipzig. Merz ka tri javë që nuk është shfaqur në publik, pasi ka njoftuar se do të shkojë për pushime. Nuk dihet se ku është duke pushuar shefi i qeverisë gjermane, por në Gjermani disa media kanë filluar të pyesin me ton kritik se si është e mundur që kancelari të mos shfaqet publikisht për tri javë përballë zhvillimeve që prekin edhe çështje të sigurisë. Aeroporti i Leipzigut është një pikë kyçe logjistike për Ukrainën dhe NATO-n. #voxnews #media #news
Parlamenti i Kenias ka nisur një hetim mbi Mogo Auto, kompaninë motër të Kredo Albania, për mashtrim, kredi grabitqare dhe praktika kriminale të huadhënies. Hetimi nisi pas një peticioni të Shoqatës së Motorëve Taksi. Shoqata i ka kërkuar Parlamentit të investigojë ato që i përshkruan si praktika të padrejta kreditimi dhe financimi nga ana e Mogo Auto Limited. Peticioni pretendon se disa huamarrës janë përballur me norma të larta interesi dhe tarifa shtesë, mosbërje publike në mënyrë adekuate të kushteve të kredisë, si dhe vështirësi në marrjen e dokumenteve të pronësisë së mjetit edhe pasi kanë shlyer shuma të konsiderueshme. Ai gjithashtu ngre pikëpyetje mbi sekuestrimin e motorëve pas mospagimit të kësteve, përdorimin e pajisjeve gjurmuese (GPS), pretendimet për siguracionet dhe menaxhimin e të dhënave personale të klientëve. Mogo dhe Kredo zotërohen nga grupi Eleving, ku i pari shërben si krahu i financimit të mjeteve, ndërsa i dyti si institucioni i kredive konsumatore. Nga krimi në krim Në tetor të vitit 2024, Autoriteti i Konkurrencës në Kenia (CAK) gjeti se Mogo Auto kishte shkelur Aktin e Konkurrencës pas hetimit të ankesave nga katër klientë. Autoriteti doli në përfundimin se kompania ishte përfshirë në paraqitje të rreme dhe mashtruese, si dhe në sjellje të pandërgjegjshme gjatë lëshimit dhe administrimit të produkteve të kredisë duke e gjobitur atë me 72 mijë euro. Ndërsa akuzat e fundit nga operatorët e motorëve "boda boda" mbeten vetëm pretendime që kërkojnë hetim parlamentar, ekziston tashmë një rekord rregullator i dokumentuar që tregon se disa klientë kanë pasur më parë shqetësime mjaft serioze, të cilat çuan në masa ndëshkimore. Skema e zhvatjes është e njëjtë me atë që kjo kompani aplikon në çdo vend të botës. Dhënien e kredive grabitqare për të varfrit dhe më pas sekuestrimin e aseteve të tyre të mbijetesës ose zhytjen në spiralen e pafundmë të borxheve. Për mijëra drejtues të motorëve taksi në Kenia, financimi i një mjeti nuk është thjesht një vendim i zakonshëm për kredi konsumatore. Motorri është shpesh mjeti i vetëm përmes të cilit huamarrësi gjeneron të arvhurat e nevojshme për të paguar vetë kredinë në radhë të parë. Nëse motori sekuestrohet pas një mospagimi kësti, huamarrësi mund të humbasë jo vetëm mjetin, por edhe vetë mundësinë për të gjeneruar paratë që duhen për të shlyer borxhin e mbetur. Sekuestrimet sipas mediave keniane janë duke shkatërruar me mijëra familje të varfra duke i zhytur ato më thellë në varfëri dhe në ciklin e borxheve të pafundme. (Kapitali.al) #voxnews #media #news
Gazetari dhe publicisti Arjan Konomi ka denoncuar se është përplasur me truprojat dhe forcat e policisë që shoqëronin kryeministrin Edi Rama. Këtë të enjte në këtë fshat kishte ndalur për të pirë kafe kryeministri Edi Rama dhe Konomi tha se eskorta e tij kishte qëndruar në vendin ku ndalohet për qytetarët. Sipas një rrëfimi që ai ka bërë në rrjetet sociale, Rama e ka thirrur për t’u sqaruar, por është përballur me një sjellje agresive nga bashkëshortja e tij Linda Rama. Më pas Konomi thotë se është shoqëruar në komisariatin e policisë së Himarës ku është mbajtur disa orë. “Sapo dola nga komisariati i Himarës pas një përballjeje me Edi Ramën. “Maskara …. merreni” – u tha Rama policëve. Asnjë ofendim dhe asnjë kërcënim ndaj familjes së tij, thjesht pyeta policët pse nuk i gjobitnin makinat që ishin parkuar pas tabelës së ndalimit, kur ndëkohë pak orë më parë gjobitën tërë fshatin dhe turistët. Natyrisht makina e kryeministrit dhe të eskortës së tij”, shkruan Konomi, teksa ka publikuar dhe një video denoncuese. Kryeministri Edi Rama ndërkohë, ka nxjerrë ka një tjetër version, ndërsa ka publikuar videon e përplasjes. Ai thotë se e vërteta është krejt ndryshe nga sa thotë Konomi. Sipas Ramës, gazetari ka ofenduar gruan e tij, Linda Rama, bashkë me të birin. “JA QË PËR FAT TË MIRË KA EDHE NJË VIDEO TJETËR, e cila tregon krejt të kundërtën e videos që një dhunues i lirisë së të tjerëve paska vrapuar të tregojë botërisht, duke bërë para pasqyrës së tij viktimën e dhunuar, duke shfrenuar fantazinë dhe duke sharë si i përdalë një grua e një nënë, të cilën e bullizoi bashkë me fëmijën e saj në mes të rrugës – ku ngjarja u zhvillua krejt ndryshe nga rrëfimi në pasqyrë dhe u përhap pastaj në kanalet sociale si një tjetër gënjeshtër e madhe e luftës liridashëse kundër regjimit imagjinar. Fatmirësisht këtë herë ka një video demaskuese të gënjeshtrës, po imagjinojeni se sa herë të tjera gënjeshtra bën kërdinë mbi të vërtetën nëpër pasqyrat ku kujtojmë se informohemi”, shkruan Rama. (Vox News) #voxnews #media #news
Hapet rruga gjyqësore për operatorët e naftës që kanë paditur shtetin për mënyrën e përcaktimit të çmimeve nga Bordi i Transparencës. Burime nga tregu i hidrokarbureve konfirmuan për Monitor se më 19 shtator, në Gjykatën Administrative pritet të zhvillohet seanca e parë për shqyrtimin e padisë së një prej kompanive. Nga Gjykata Administrative shqyrtimi i padive do të bëhet veçmas për secilin operator, pasi edhe paditë janë depozituar individualisht pranë gjykatës. Paditë janë depozituar pranë Gjykatës Administrative në mesin e muajit korrik. Në total janë 8 operatorë të importit dhe tregtimit të karburanteve që kërkojnë rreth 11,8 mln euro dëmshpërblim për humbjet që pretendojnë se u janë shkaktuar nga llogaritja e çmimeve nën kosto nga Bordi i Transparencës. Në muajin maj rreth 2 muaj pas riaktivizimit të Bordit të Transparencës, që vijoi të rillogarisë çmimet e karburanteve me të njëjtën formulë të përdorur në vitin 2022 në krizën e luftës në Ukrainë, importuesit paralajmëruan qeverinë se do ta hedhin në gjyq dhe do të kërkojnë dëmshpërblim për llogaritjen nën kosto të çmimit të naftës. Sipas tyre, qeveria vijoi të përdorë të njëjtën metodologji të gabuar, duke përllogaritur bëhet në bazë të çmimit FOB (Free on Board), që nuk merr në konsideratë transportin dhe sigurimin, dhe jo të çmimit CIF, që përfshin transport e sigurim dhe që e rrisin edhe me 45-50 dollarë për ton çmimin e blerjes (që nga viti 2024, kompanitë e tregtimit ndërkombëtar nuk operojnë më mbi bazën e kontratave FOB, por mbi bazën e kontratave CIF). Ndërsa çmimi i vendosur nga Bordi bazohej në treguesin FOB, doganat kanë llogaritur TVSH-në mbi treguesin CIF. Por kjo diferencë krijon humbje te operatorët me 4.7 lekë për litër. Ndërsa në tregun e pakicës në vend çmimet e naftës vijojnë të shtrenjtohen për shkak të përshkallëzimeve të luftës në Lindjen e Mesme dhe bllokimit të ngushticës së Hormuzit ku kalon rreth 1/5 e prodhimit botëror të naftës. Kjo ka sjellë rritje të ndjeshme të çmimit të naftës Platts me të cilën llogaritet çmimi i naftës për zhdoganim në tregun vendas. Nga 1300 USD/ton që ishte 6 ditë më parë, çmimi arriti në 1,450 USD për ton. Luhatja e çmimit në bursat e huaja solli shtrenjtim të çmimit të naftës dhe benzinës, ku të dyja u tregtuan me çmime mbi 200 lekë për litër. Importuesit vendas parashikuan se nëse përshkallëzimet e luftës do të vijojnë çmimet e naftës me shumicë do të vijojnë të rriten. Në këtë situatë sipas tyre e vetmja masa që do të përmbante çmimet është ulja e taksave për naftën nga qeveria shqiptare. (Monitor) #voxnews #media #news
Qeveria ka përditësuar, përmes një vendimi të ri, rregullat për shpenzimet e zyrtarëve të lartë të shtetit dhe punonjësve të administratës publike gjatë shërbimeve jashtë vendit. Ky është dokumenti i rregullores së re, hyrë në fuqi në fund të korrikut dhe përcakton në mënyrë të detajuar kriteret për udhëtimin, akomodimin dhe dietat ditore. Sipas rregullores, presidenti i Republikës, kryeministri, kryetari i Kuvendit, zëvendëskryeministri dhe ministrat do të akomodohen në hotele me pesë yje. Deputetët, sekretarët e përgjithshëm të ministrive dhe drejtorët e përgjithshëm do të qëndrojnë në hotele me katër yje, ndërsa punonjësit e tjerë të administratës publike do të akomodohen në hotele me tre yje. Për arsye sigurie, efektivët e Gardës së Republikës që shoqërojnë personalitetet shtetërore mund të akomodohen në të njëjtin hotel me personin që ruajnë, pavarësisht kategorisë së hotelit. Vendimi përcakton gjithashtu edhe masën e dietave ditore për udhëtimet jashtë vendit. Presidenti i Republikës, Kryeministri dhe Kryetari i Kuvendit përfitojnë një dietë nga 120 deri në 150 euro në ditë. Për ministrat dhe Zëvendëskryeministrin, dieta varion nga 80 deri në 120 euro në ditë. Deputetët, zëvendësministrat dhe sekretarët e përgjithshëm përfitojnë 70–80 euro në ditë, ndërsa drejtorët e përgjithshëm dhe ambasadorët 50–60 euro. Për nëpunësit e tjerë të administratës, dieta ditore është përcaktuar në masën 45–55 euro. Një tjetër ndryshim lidhet me mënyrën e pagesës së shpenzimeve. Biletat e udhëtimit dhe akomodimi në hotel do të rezervohen dhe paguhen drejtpërdrejt nga institucioni përkatës. Ndërkohë, zyrtarëve do t’u transferohet në llogarinë bankare, përpara nisjes, vetëm shuma e parashikuar për shpenzimet ditore. (TCH) #voxnews #media #news
Themeluesi i kompanisë kineze të pasurive të paluajtshme Evergrande, Hui Ka Yan, është dënuar me burgim të përjetshëm nga një gjykatë në Kinë. Hui, i cili dikur ishte njeriu më i pasur në Azi, u shpall fajtor për disa vepra, mes tyre mashtrim financiar, keqpërdorim fondesh, mbledhje të paligjshme parash, dhënie të paligjshme kredish, mashtrim me letrat me vlerë dhe ryshfet. Evergrande kishte borxhe prej rreth 300 miliardë dollarësh dhe nuk ishte në gjendje të shlyente pjesën më të madhe të tyre. Rënia e kompanisë u bë një nga shembujt më të mëdhenj të krizës së sektorit të pasurive të paluajtshme në Kinë. Gjykata në Shenzhen vendosi gjithashtu t’i konfiskojë të gjithë pasurinë personale. Po paratë e njerëzve? Dënimi nuk do të thotë se njerëzit dhe kompanitë që kanë humbur para do t’i marrin ato mbrapsht. Shumë qytetarë kinezë kishin investuar kursimet e tyre në produkte financiare të Evergrande dhe humbën paratë kur kompania dështoi. Disa pronarë apartamentesh dhe investitorë reaguan në rrjetet sociale duke pyetur: Po paratë tona? Evergrande u gjobit me 8.82 miliardë juanë, ndërsa kompania e saj kryesore, Hengda Real Estate, me 7 miliardë juanë. Pesë drejtues të tjerë të lartë morën dënime nga 6 deri në 18 vjet burg. Në total, përveç Hui-t, janë dënuar 56 persona të lidhur me Evergrande. Çfarë ndodhi me Evergrande? Hui e themeloi Evergrande në 1996-ën dhe e shndërroi në një nga kompanitë më të mëdha të ndërtimit në Kinë, duke u zgjeruar shumë përmes borxheve. Në vitin 2017, pasuria e tij personale vlerësohej në 45.3 miliardë dollarë. Por kompania filloi të kishte probleme të mëdha me borxhet dhe në vitin 2021 dështoi në pagesat e saj. Në 2024-ën, një gjykatë në Hong Kong urdhëroi likuidimin e Evergrande. Procesi i shitjes së pasurive të kompanisë ka qenë shumë i ngadaltë. Deri në gushtin e kaluar, ishin shitur vetëm rreth 255 milionë dollarë pasuri, ndërsa kreditorët pretendonin rreth 45 miliardë dollarë. Hui Ka Yan u bë nga një prej njerëzve më të pasur të Azisë në drejtuesin e një kompanie që u rrëzua nën një borxh prej qindra miliarda dollarësh. Tani ai është dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa shumë prej njerëzve dhe kompanive që humbën para ende presin të marrin diçka mbrapsht. #voxnews #media #news
Një plagosje me armë zjarri është regjistruar në lagjen “Rus” në Shkodër. Sipas informacioneve të para, i plagosur ka mbetur shtetasi Vladimor Bruçi. “Blutë” kanë identifikuar autorin, që është komshi i të plagosurit. Paraprakisht dyshohet se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta. Ende nuk ka një njoftim zyrtar nga Policia Shkodër. #voxnews #media #news @voxnews.al
Kryeministri Edi Rama ka bërë një deklaratë të veçantë gjatë një interviste në Berlin, ku ka folur për politikën, artin dhe situatën ndërkombëtare. Duke u pyetur nga gazetari Igor Lopez i El Pais për zhvillimet aktuale në botë dhe rolin e politikës, Rama tha se ndihet “i bekuar” që Shqipëria është një vend i vogël dhe se nuk është pjesë e grupit të liderëve që marrin vendimet më të mëdha në skenën globale. “Ndihem i bekuar që nuk jam mes atyre që ndodhen në vendin nga ku merren sot vendimet e mëdha. Shqipëria është aq e vogël sa askush nuk pret që unë të marr ndonjë vendim të madh për planetin”, tha Rama. Rama shtoi se nuk e di se çfarë do të bënte në një pozicion ku do të duhej të merrte vendime me ndikim global. “Kjo është fat, sepse nuk kam asnjë ide se çfarë do të bëja apo çfarë mund të bëja. Gjërat po shkojnë mjaft keq në këtë anë të botës”, u shpreh ai. Rama për politikën: Duhet të bësh që gjërat të ndodhin Në intervistë, Rama e përshkroi politikën si një nga format më të larta të angazhimit njerëzor, duke e lidhur drejtpërdrejt me ndryshimin. “Politika ka shumë kuptim dhe është për të ardhur keq që e ka humbur. Është forma më e lartë e angazhimit dhe e procesit intelektual: duhet të bësh që gjërat të ndodhin, jo me bojë, as me piano, por me njerëz”. Ai pranoi gjithashtu se politika mund të jetë një përvojë që të konsumon psikologjikisht, duke rikujtuar edhe një prej parimeve të tij: “Arti është një përpjekje për të mos u çmendur, sepse politika mund të jetë një çmenduri”. #voxnews #media #news
Një nga emrat e rinj të biznesit në Shqipëri është Sani Sanilevich, një shtetas izraelito-shqiptar, i cili brenda një kohe të shkurtër po tenton të ngrejë një perandori në vendin tonë, me lidhje të forta që shkojnë deri në Këshillin e Ministrave, takime private me krerët e shtetit dhe me influencë në rangjet e tjera, duke qenë se është një individ që “vjen me porosi”. Vox News ka analizuar informacione nga burime të hapura, nga dokumente dhe gjithashtu nga mediat izraelite, të cilat flasin se Sanilevich ka bërë gati letrat për të ndërtuar resorte në Shqipëri, për t’u futur në projekte të rëndësishme, të marrë tendera, të bëjë ortakëri me vetë shtetin. Madje, synimi i tij kryesor është që të futet në shëndetësi, në një sistem totalisht që i përshtatet privatit, pasi nga viti në vit, megjithë koncesionet e famshme, shërbimi në spitalet publike lë shumë për të dëshiruar. Aktualisht në këtë sistem po futet fuqishëm Sanilevich, i cili është edhe Konsull Nderi i Shqipërisë në Izrael, i cili njihet si “miku” i kryeministrit Edi Rama, madje ka organizuar edhe takimin e famshëm të Ramës në Izrael, në fermën e tij, ku është telefonuar edhe nga kryeministri Izraelit, Beniamin Netanjahu. Por, Sanilevich ka organizuar edhe takime të shumta në fermën e tij me zyrtarë të Ambasadës Shqiptare në Izrael, në një kohë kur planet e tij për biznes në vendin tonë kanë filluar të dalin në dritë. Në të njëjtën kohë kur Sanilevich bënte takime me Ramën dhe zyrtarë të tjerë të Ambasadës Shqiptare në Izrael, bashkëpunëtorët e tij themeluan në vendin tonë kompaninë SeaSun Albania Capital. Selia e kompanisë ndodhet në zonën e Kasharit në Tiranë, teksa objekti i saj është ndërtime civile dhe ekonomike, industriale e turistike. Gjithashtu kompania merret me tregëtimin e materialeve të ndërtimit, rëre e inerte, mermet e prodhim material ndërtimi. Në objektin e saj figuron edhe import e eksport i materialeve të ndryshme, ndërtim dhe menaxhim i objekteve turistike, ndërtime rrugore ndëtime hidroteknike, rikonstruksione të godinave civile, ndërtimin e rrjeteve inxhinierik dhe çdo aktivitet tjetër të lejuar nga legjislacioni shqiptar. Me pak fjalë, Sanilevich po futet fuqishëm në tregun e ndërtimeve, sidomos në zonat bregdetare, pasi Vox Neës ka informacione se e njëjta kompani, me ndihmë nga bashkëpunëtorët, apo me lidhjet deri në kupolën qeverisëse, do të marrë leje nga institucionet shtetërore për resorte. Një skemë e pastër për t’u futur në lojë, për benefite të qarta apo për lehtësira fiskale, të cilat gjithmonë bëhen nëse ke “miqësi”, pasi mund të marrësh lehtësisht tokë shtetërore për të bërë ndërtime private. Por, duke parë edhe objektin e kompanisë, lindin të tjera dyshime se Sanilevich po përgatitet që të futet edhe në tendera publikë, normalisht s’do të sjellë buldozera apo llaç e tulla nga Izraeli, por do të bashkëpunojë me firma vendase dhe në këtë mënyrë merr përqindjet e vete, njëjtë siç po bën miku tjetër i kryeministrit, Ron Yaffet, që është futur në biznesin e makinave dhe armëve. Por, a ka kapital të rëndësishëm Saniel Sanilevich në Shqipëri apo do të marrë para qyl? Në letrat e firmës së parë që ka regjistruar në QKB, konsulli shkruan se “kapitali themeltar i soqërusë është në shumën prej 100 lekësh”. Ndërkohë më tej citohet se ortaku kryesor është “z. Saniel Sanilevich, qytetar shqiptar, lindur në Israel më 15 nëntor 1974, abnues në adresën Haegoz 102 Neve Yarak Israel, identifikuar me pasaportën shqiptare”. Duket se, vetë krerët e shtetit janë angazhuar që këtij konsulli ti japin të gjitha benefitet, fillimisht me procedurë të përshpejtuar të pasaportës, të cilën e zotëron për shkak të konsullit, dhe më pas lehtësira në leje ndërtimi, marrëveshje apo edhe tendera. Po në të njëjtën kohë kur bëheshin takimet e famshme të Ramës apo zyrtarëve të Ambasadës Shqiptare në Izrael, Saniel Sanilevich, në datën 12 korrik 2025, bëri një prokurë përfaqësimi në Shqipëri. #voxnews #media #news
Gazeta prestigjioze spanjolle “El País” i ka kushtuar një profil të gjatë kryeministrit Edi Rama, duke u ndalur te ndërthurja e karrierës së tij politike me atë artistike. Artikulli fokusohet te ekspozita e tij e fundit në Berlin, “Chrysalizing”, por rikthen edhe rrugëtimin e kryeministrit Rama nga studimet në Akademinë e Arteve gjatë komunizmit, te transformimi i Tiranës si kryebashkiak dhe më pas karriera politike si kryeministër. Në intervistë, Rama flet gjithashtu për marrëdhënien mes artit dhe politikës, si dhe për mënyrën se si vazhdon të krijojë vepra arti gjatë angazhimeve të tij qeveritare. “Arti është një përpjekje për të mos u çmendur, sepse politika mund të jetë një çmenduri. Dhe rreziku për t’u budallallepsur është i menjëhershëm kur merresh me politikë”, shprehet kryeministri për ‘El Pais’. Artikulli i plotë: Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë dhe artisti që ekspozon në Paris dhe Nju Jork Kreu i qeverisë së vendit kandidat për në BE sapo ka prezantuar në Berlin një ekspozitë me skulptura bronzi të krijuara nga printime 3D. “Arti është një përpjekje për të mos u çmendur, sepse politika mund të jetë një çmenduri. Dhe rreziku për t’u budallallepsur është i menjëhershëm kur merresh me politikë.” Edi Rama (Tiranë, 62 vjeç), autori i këtij pohimi, e di mirë se për çfarë flet. Që prej vitit 2013 është kryeministër i Shqipërisë, autoriteti më i lartë ekzekutiv i këtij vendi të vogël ballkanik (2,75 milionë banorë) dhe i vetmi që ka siguruar katër mandate radhazi. Ai është gjithashtu kryetar i Partisë Socialiste dhe më parë ka qenë ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe kryetar i Bashkisë së Tiranës. Mbi të gjitha, ai e përkufizon veten si artist. Është formuar si piktor në Akademinë e Arteve të Bukura të Tiranës, ku më pas u bë edhe pedagog, ndërsa sot veprat e tij janë të pranishme në galeri me ndikim si Marian Goodman (Nju Jork dhe Paris), Nuno Centeno (Porto) apo Société në Berlin, ku takohemi në një 1 maj me diell. Është mëngjesi pas hapjes së ekspozitës së tij të parë në këtë galeri, me titull “Chrysalizing”, ku ka paraqitur skulpturat e tij të reja në bronz. Titulli i ekspozitës evokon transformimin e praktikës së tanishme artistike të Ramës: një kalim nga piktura, disiplinë për të cilën deri tani njihej më shumë nga publiku dhe kritika, drejt këtyre skulpturave me forma zoomorfe, por që nuk i përkasin asnjë taksonomie biologjike të njohur. Dhe e gjithë kjo duke shmangur batutën e famshme të artistit konceptual amerikan Ad Reinhardt: “Skulptura është ajo gjë me të cilën përplasesh kur ecën mbrapsht për të admiruar një pikturë”. Për Ramën, “është diçka që lindi natyrshëm”. Ai është ulur i shpenguar në një divan, me këmbët zbathur mbi tapetin e njërës prej sallave të Société, galeria që e ka sjellë në Berlin për Gallery Weekend, vorbullën e madhe artistike vjetore të kryeqytetit gjerman. “Për më tepër, të gjitha këto vepra vijnë nga pikturat e mia të mëparshme, të cilat janë shndërruar në skulptura. Me anë të inteligjencës artificiale krijoj një model digjital dhe, prej tij, realizoj një printim 3D. Më pas punoj me dorë”. I veshur me të zeza, përveç atleteve të bardha që qëndrojnë pranë kolltukut, Rama duket disi imponues, jo vetëm për shkak të gjatësisë së tij (1,98 metra) dhe trupit të fuqishëm, por edhe për seriozitetin fillestar. Një solemnitet që nis të shkrihet kur kujton vitet universitare në Akademinë e Arteve të Tiranës gjatë regjimit diktatorial të Enver Hoxhës, një prej regjimeve më të mbyllura dhe më kriminale të botës komuniste. “Ishte një shkollë e bazuar në disiplinën dhe metodën e programeve sovjetike”, kujton ai. “I kushtohej shumë rëndësi vizatimit realist, pikturës dhe kompozimit. Profesionalisht ishte një shkollë shumë solide, por nuk kishte liri. “Kishte vetëm realizëm socialist, pikë”. #voxnews #media #news
Është publikuar ditën e sotme fotoja dhe emri i shqiptarit i cili para dy ditësh i dha fund jetës së tij në një burg të Spanjës. Mësohet se viktima është shtetasi shqiptar Jurgen Rama, me origjinë nga Burreli. Sakaq ngjarja e rëndë mësohet se ka ndodhur në burgun Lleida Ponent, në Katalonjë të Spanjës. Sipas të burgosurve shqiptarë në institucionin e vuajtjes së dënimit, mësohet se Jurgeni ka kaluar një periudhë të vështirë psikologjike, sipas JOQ Albania. Jurgeni raportohet se para pak kohësh kishte humbur vëllain në një aksident, ndërsa ishte i burgosur dhe ishte në pritje të lirimit. Zvarritjet e proceseve gjyqësore në Spanjë, sipas tyre, kishin rënduar gjendjen e tij dhe e kishin çuar në depresion. Mirëpo vetëvrasja e Jurgeni merr përmasa më të mëdha, pasi raportohet se shqiptari kishte tentuar dhe më 16 gusht t’i jepte fund jetës, por u shpëtua falë disa shqiptarëve me të cilët ndante qelinë. Vetëvrasja e të riut brenda burgut ka ngritur pikëpyetje të shumta, ndërsa dyshimet janë te mosfunksionimi si duhet i institucionit spanjoll të vuajtjes së dënimit. #voxnews #media #news @voxnews.al
Prej disa kohësh, në portale të ndryshme qarkullojmë lajme për ndryshime ministrash apo drejtorash. Fillimisht u lajmëruan se do të ndodhnin në gusht, ndërsa tani i kanë shtyrë për në shtator. Përmendin tek tuk edhe ndonjë emër, por duke qenë se asnjeri nuk di gjë, por vetëm spekulojnë, kufizohen tek ideja se në shtator do të ketë ndryshime, me qëllim qetësimin dhe shfyrjen e protestës. Kjo, duke parë fakti se këtë gjë Edi Rama e ka bërë edhe më parë, kur ka pasur ndonjë krizë politike. Vetëm se, ata që shkruajnë për ndryshime, harrojnë gjënë me themelore. Këtë radhë nuk pi ujë asnjë ndryshim ministry apo drejtori, pasi protestuesit kërkojnë vetëm kokën e Edi Ramës. Ata e kanë bërë të qartë që nuk negociojnë në këtë pikë. Ndaj çdo lëvizje e Ramës, nuk do të ndikonte tek protesta. Dorëheqjen po, vështirë se e jep. Kështu që, e vetmja lëvizje logjike që mund të bënte Rama, do të ishte që ta çonte vendin në zgjedhje të parakohshme. Ndoshta me një kryeministër tjetër socialist, sa për të qetësuar protestën, por me atë kandidat për të drejtuar Qeverinë e ardhshme. Çdo lëvizje tjetër, nuk do të kishte asnjë sens dhe asnjë efekt për të shuar apo shfryrë protestën. #voxnews #media #news @voxnews.al
Amnesty International po kërkon që Bashkimi Evropian të ndalojë transferimin e përgjegjësisë për azilin jashtë territorit të tij, në një raport kritik ndaj marrëveshjes së diskutueshme të Italisë me Shqipërinë për përshpejtimin e dëbimit të personave që konsiderohen se vijnë nga vende të cilësuara si “të sigurta” shkruan EuObserver Por apeli i organizatës, së bashku me rekomandimet e BE-së që pritet të publikohen më vonë të enjten (20 gusht), ka gjasa të bjerë në vesh të shurdhër, pasi Komisioni Evropian po ushtron presion ndaj shteteve anëtare që të institucionalizojnë më tej ato që i kanë cilësuar vetë si “zgjidhje novatore”, të cilat synojnë të parandalojnë kërkesat e shumta për azil në Evropë. Në fillim të këtij muaji, Magnus Brunner, komisioneri i BE-së për migracionin, u tha eurodeputetëve se qeveritë kombëtare duhet të shfrytëzojnë rregullat e zgjeruara, të njohura si “koncepte të vendeve të sigurta”, me qëllim “që procedurat e azilit të zhvillohen tashmë jashtë Bashkimit Evropian”. Ai sugjeroi gjithashtu se planet për ngritjen e qendrave të dëbimit jashtë BE-së po e shpërqendron vëmendjen, duke vënë në dukje se koncepti i vendit të sigurt i ka lejuar në thelb Spanjës të dëbojë pothuajse të gjithë personat që mbërritën në enklavën e Ceutës dhe t’i kthejë në Marok, pas mbërritjes së papritur të rreth 80 mijë personave. E lidhur me këtë është edhe mundësia për dërgimin e shtetasve që kërkojnë azil në një vend tjetër jashtë BE-së, edhe nëse ata nuk kanë shkelur kurrë më parë në atë vend. Amnesty: Koncepti i “vendit të sigurt” rrezikon të drejtat e njeriut Për Amnesty International dhe raportin e saj, koncepti i BE-së për vendet e sigurta “rrezikon në mënyrë të qenësishme të drejtat e njeriut”, pasi u mohon njerëzve aksesin në azil territorial. Organizata ka akuzuar gjithashtu Italinë se mbështetet te “praktika autoritare për t’iu shmangur llogaridhënies”, duke nxjerrë një numër të madh dekretesh për të anashkaluar gjykatat, ndërsa ka vënë në dukje edhe abuzimet e pretenduara në qendrat italiane të emigracionit në Shqipëri. Vetëm gjatë periudhës prill-maj të vitit të kaluar, pati të paktën dy tentativa për vetëvarje dhe incidente të ndryshme të vetëdëmtimit. Por vitin e kaluar Komisioni Evropian prezantoi një listë të “vendeve të sigurta të origjinës”, ku përfshiheshin Kosova, Bangladeshi, Kolumbia, Egjipti, India, Maroku dhe Tunizia, si edhe vendet kandidate për anëtarësim në BE: Shqipëria, Bosnja, Gjeorgjia, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Turqia. Kjo u lejon autoriteteve të përshpejtojnë shqyrtimin e kërkesave për azil të personave që vijnë nga këto vende. Negociatori kryesor i Parlamentit Evropian për konceptin e vendeve të sigurta të origjinës ishte Alessandro Ciriani, eurodeputet italian i lidhur me partinë Vëllezërit e Italisë, forcën politike që drejtohet nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni. Marrëveshja Itali-Shqipëri prej 680 milionë eurosh Rregullat e zgjeruara u miratuan në një moment kritik për marrëveshjen pesëvjeçare të Italisë me Shqipërinë, me vlerë 680 milionë euro. Sipas marrëveshjes, deri atëherë vetëm 74 persona ishin transferuar drejtpërdrejt nga ujërat ndërkombëtare drejt Shqipërisë, në periudhën nga tetori 2024 deri në janar 2025. Këto transferime u ndalën pasi ndërhynë vendimet e gjykatave italiane. Gjykata e Shkallës së Parë në Romë gjithashtu i vuri një pengesë transferimeve, pas një vendimi të bazuar në një çështje të veçantë të Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian, e cila kishte përcaktuar se shtetet anëtare nuk mund të cilësojnë vetëm pjesë të caktuara të një vendi të origjinës si të sigurta. Me transferimet drejt Shqipërisë të pezulluara, Italia vendosi që në vend të kësaj të përdorte objektet e saj në Gjadër për të mbajtur të ndaluar azilkërkuesit të cilëve u ishte refuzuar kërkesa për azil, ndërsa prisnin dëbimin. #voxnews #media #news