Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka cilësuar kornizën e marrëveshjes për Groenlandën si një marrëveshje “afatgjatë” dhe me kohëzgja...
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka cilësuar kornizën e marrëveshjes për Groenlandën si një marrëveshje “afatgjatë” dhe me kohëzgjatje të pacaktuar, pa dhënë detaje konkrete mbi përmbajtjen e saj. Në një intervistë për CNBC, Trump tha se marrëveshja është “paksa e ndërlikuar”, duke shtuar se sqarimet do të jepen “hap pas hapi”. Në një tjetër moment të intervistës, ai theksoi se bëhet fjalë për një marrëveshje që do të zgjasë “përgjithmonë”, duke u shprehur: “Është përjetë”. Sipas Trump, marrëveshja është e tillë që “të gjithë janë të kënaqur” dhe përmbush kërkesat e tij lidhur me kontrollin dhe interesat strategjike të SHBA-së në Groenlandë. Pak më vonë, presidenti amerikan sqaroi se korniza e arritur me NATO-n për uljen e tensioneve rreth Groenlandës përfshin të drejta shfrytëzimi të burimeve minerare për Shtetet e Bashkuara, si edhe pjesëmarrje në sistemin mbrojtës “Golden Dome”. “Ata do të jenë pjesë e Golden Dome dhe e të drejtave mbi mineralet dhe ne gjithashtu”, deklaroi Trump për CNBC. NATO: Siguria në Arktik do të garantohet përmes veprimit të përbashkët Nga ana e saj, NATO ka bërë të ditur se aleatët do të punojnë së bashku për garantimin e sigurisë në Rajonin Arktik. Një zëdhënës i Aleancës deklaroi të mërkurën se diskutimet mes vendeve anëtare për kornizën e përmendur nga Trump do të fokusohen në sigurinë e Arktikut përmes veprimit kolektiv, veçanërisht nga shtatë vendet anëtare që ndodhen në këtë rajon. Po ashtu, u theksua se negociatat mes Danimarkës, Groenlandës dhe Shteteve të Bashkuara do të vijojnë, me synimin për të garantuar që Rusia dhe Kina të mos sigurojnë kurrë një prani ekonomike apo ushtarake në Groenlandë. Pas javësh retorike të ashpër, e cila rrezikoi të shkaktonte përçarjen më të thellë në marrëdhëniet transatlantike të dekadave të fundit, Donald Trump u tërhoq papritur të mërkurën nga kërcënimet për vendosjen e tarifave doganore si mjet presioni për marrjen e Groenlandës, duke deklaruar se tashmë po kristalizohet një marrëveshje për t’i dhënë fund përplasjes. #voxnews #media #news #donaldtrump
3452 views