Normal view

Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar problemin e parkimeve të automjeteve në një prej rrugëve të Vlorës, ku, sipas t...

By: @joq
19 August 2026 at 16:01

Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar problemin e parkimeve të automjeteve në një prej rrugëve të Vlorës, ku, sipas tij, qarkullimi është vështirësuar ndjeshëm. Bëhet fjalë për një rrugë me dy korsi, por automjetet e parkuara vazhdimisht në të dyja anët e rrugës bëjnë që në praktikë të mbetet vetëm një hapësirë e ngushtë për qarkullim. Në pamjet e dërguara në redaksi shihen automjetet e parkuara përgjatë rrugës, duke kufizuar hapësirën e lëvizjes dhe duke e bërë të vështirë kalimin, veçanërisht për autobusët, furgonët dhe automjetet e tjera të mëdha. “Kam vetëm një pyetje për kryetaren e Bashkisë Vlorë: Si mendon se mund të zgjidhet problemi i kësaj rruge?” Qytetari thotë se situata ka krijuar trafik dhe vështirësi të përditshme për banorët dhe drejtuesit e mjeteve, ndërsa pretendon se për këtë problem janë bërë ankesa të shumta. “Bëhet fjalë për një rrugë me dy korsi, por për shkak të makinave që parkohen vazhdimisht anash, në praktikë mbetet vetëm një korsi e lirë për qarkullim. Kjo krijon trafik, vështirësi në kalim dhe probleme çdo ditë.” Sipas denoncuesit, nuk bëhet fjalë për një problem të panjohur për institucionet vendore, ndaj ai kërkon një zgjidhje konkrete për parkimin dhe lirimin e korsive të qarkullimit. “Nuk kërkojmë shumë, vetëm një përgjigje dhe një zgjidhje konkrete: Çfarë duhet të bëjnë qytetarët që kjo situatë të marrë fund?” JOQ Albania publikon shqetësimin e qytetarit dhe pamjet e dërguara, ndërsa mbetet e hapur për një reagim nga Bashkia Vlorë lidhur me problematikën e parkimit dhe qarkullimit në këtë zonë.

12.3K views


💾

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në burgun e Lleida Ponent në Katalonjë të Spanjës, ku sipas burimeve nga brenda burgut për JOQ Albania një djalë i ...

By: @joq
19 August 2026 at 16:01

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në burgun e Lleida Ponent në Katalonjë të Spanjës, ku sipas burimeve nga brenda burgut për JOQ Albania një djalë i ri shqiptar nga veriu i Shqipërisë, me inicialet J.B., ka humbur jetën. Paraprakisht dyshohet se i riu i ka dhënë fund jetës brenda qelisë. Në këto momente të vështira, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të afërmve të tij. Kjo tragjedi ka bërë që të shpërthejë revolta dhe shqetësimi te shqiptarët e tjerë që vuajnë dënimin në këtë institucion. Përmes një mesazhi të mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, bashkëvuajtësit e J.B. ngrenë zërin për kushtet dhe braktisjen totale nga institucionet shqiptare. Sipas të dhënave nga brenda burgut, aktualisht në Lleida Ponent ndodhen rreth 50 shtetas shqiptarë, të cilët përballen çdo ditë me: Zvarritje ekstremisht të gjata të proceseve gjyqësore nga drejtësia vendase. Vonesa të pafundme dhe probleme procedurale gjatë procesit të dëbimit drejt Shqipërisë. Mungesë totale informacioni dhe mbrojtjeje për të drejtat e tyre elementare. Ajo që e rëndon edhe më shumë gjendjen e tyre psikologjike është mungesa e plotë e kontaktit me përfaqësitë diplomatike shqiptare në Spanjë. Të dënuarit theksojnë se nuk kërkojnë asnjë privilegj, por vetëm mbështetjen ligjore e konsullore që i takon çdo shtetasi shqiptar jashtë vendit. "Nuk po kërkojmë privilegje, kërkojmë vetëm të dëgjohemi e të informohemi. Ndoshta ky rast tragjik duhet të shërbejë si një moment reflektimi, që zëri i shqiptarëve në burgjet e huaja të mos dëgjohet vetëm kur ndodh një tragjedi," shkruajnë ata. JOQ Albania i bën thirrje publike organeve kompetente të reagojnë urgjentisht!

9129 views


💾

Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një situatë të përsëritur në Paskuqan, ku mjete të rënda të një kantieri ndërti...

By: @joq
19 August 2026 at 16:01

Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një situatë të përsëritur në Paskuqan, ku mjete të rënda të një kantieri ndërtimi bllokojnë rrugën kryesore gjatë punimeve. Sipas denoncuesit, dy betonierë kanë qëndruar në mes të rrugës gjatë orëve të ditës, duke vështirësuar ndjeshëm kalimin e automjeteve dhe këmbësorëve. Në pamjet e dërguara në redaksi shihen betonierët pranë kantierit, ndërsa automjetet e tjera detyrohen të kalojnë në një hapësirë të ngushtë mes mjeteve të rënda dhe zonës së punimeve. Qytetari pretendon se në vendngjarje nuk kishte persona që të koordinonin trafikun apo të orientonin qytetarët gjatë kalimit. “Në Paskuqan as nuk pyesin fare. Në mes të drekës betonierët në mes të rrugës, as komandim nga dikush që të udhëzojë qytetarët. Dy betonierë bllokojnë rrugën sikur ta kenë pronë të vet.” Sipas tij, situata krijon rrezik për drejtuesit e automjeteve dhe këmbësorët, veçanërisht për shkak të mungesës së sinjalistikës dhe koordinimit me trafikun. Denoncuesi shpreh gjithashtu shqetësimin për mënyrën se si zhvillohen punimet në zonat urbane, duke pretenduar se interesat e kantierëve shpesh vendosen përpara sigurisë dhe qarkullimit të qytetarëve. JOQ Albania publikon pamjet dhe shqetësimin e qytetarit, ndërsa mbetet e hapur për një reagim nga subjektet përgjegjëse për punimet dhe institucionet që mbikëqyrin menaxhimin e trafikut dhe sigurinë në këtë zonë.

20.7K views


💾

Oligarku shqiptar 53-vjeçar i fushës së ndërtimit dhe energjisë, Ilir Shtufi, i arrestuar më 12 qershor në Selanik, ka hedhur poshtë akuzat e SPAK-ut ...

By: @joq
19 August 2026 at 16:01

Oligarku shqiptar 53-vjeçar i fushës së ndërtimit dhe energjisë, Ilir Shtufi, i arrestuar më 12 qershor në Selanik, ka hedhur poshtë akuzat e SPAK-ut për pastrim parash dhe ka bërë një deklaratë të fortë në lidhje me çështjen. Sipas tij, procedimi penal ndaj tij nuk lidhet me aktivitetin kriminal, por është i motivuar politikisht nga kryeministri Edi Rama dhe se është në shënjestrën e tij. Gjatë seancës në gjykatën e apelit në Selanik, biznesmeni ka kundërshtuar akuzat dhe ka pretenduar se është vënë në shënjestër për arsye politike. Ai ka deklaruar se kishte udhëtuar drejt Greqisë për të marrë pjesë në një festë dhe se nuk ishte përpjekur t’i fshihej drejtësisë, pavarësisht urdhërarrestit ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet shqiptare. Sipas SPAK-ut, 53-vjeçari dyshohet se ka qenë pjesë e një rrjeti që gjatë viteve 2018–2023 ka pastruar miliona euro, dollarë dhe peso, ndërsa hetimi lidhet me një grup të dyshuar për trafikimin e kokainës nga Amerika Latine drejt Europës. Pretendimet e biznesmenit për motivim politik mbeten pjesë e deklarimeve të tij dhe do të duhet të vlerësohen nga organet gjyqësore. Kompanitë e lidhura me Shtufin janë përmendur për tendera dhe marrëdhënie biznesi gjatë viteve të qeverisjes së Sali Berishës. Një element që është raportuar është lidhja e tij me Shkëlzen Berishën, ndërsa kompania “Euroteorema Peqin”, me të cilën Shtufi u bashkua për Lotin 4 të Unazës. Kompanitë e Shtufit kanë marrë tendera të rëndësishëm nga institucionet publike. Një prej rasteve më të mëdha është Loti 4 i Unazës së Madhe, me vlerë rreth 20–22 milionë euro, i fituar në vitin 2021 nga bashkimi “Euroteorema Peqin – Nova Construction 2012 – PE-VLA-KU”. Ky tender është aktualisht pjesë e hetimeve të SPAK, ku dyshohet se procedura është orientuar dhe se Shtufit i është kërkuar të bashkëpunojë me një kompani të caktuar.

9174 views


💾

Pak ditë më parë, një qytetar iu drejtua redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar gjendjen e një segmenti të Unazës së Madhe, në pjesën veriore, pran...

By: @joq
19 August 2026 at 16:01

Pak ditë më parë, një qytetar iu drejtua redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar gjendjen e një segmenti të Unazës së Madhe, në pjesën veriore, pranë Urës së Paskuqanit. Në pamjet e dërguara, dukej nyja metalike e zgjerimit në pjesën e urës, e cila ishte dëmtuar dhe paraqiste hapësira e sipërfaqe të pabarabarta. Automjetet që kalonin mbi të pësonin goditje të forta, duke shkaktuar shqetësim për drejtuesit dhe pasagjerët. Pas publikimit të denoncimit nga JOQ Albania, sot kanë mbërritur punonjësit për të ndërhyrë dhe për të riparuar pjesën e dëmtuar. Shpresojmë që ndërhyrja të përfundojë siç duhet dhe segmenti të rikthehet në një gjendje të sigurt për qarkullimin.

34.5K views


💾

Vrasja e turistit portugez Luis Miguel Varela Mendes në Ksamil po merr përmasa të reja, ndërsa hetimet e autoriteteve janë shtrirë edhe te personat që...

By: @joq
19 August 2026 at 16:01

Vrasja e turistit portugez Luis Miguel Varela Mendes në Ksamil po merr përmasa të reja, ndërsa hetimet e autoriteteve janë shtrirë edhe te personat që lidhen me lokalin ku ndodhi ngjarja. Në kërkim është shpallur Bekim Bulica, i cili rezulton i lidhur me lokalin “Principotes”, ku ndodhi konflikti fatal. Krahas tij, policia ka shoqëruar 42 persona, mes tyre punonjës dhe klientë të kompleksit luksoz, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave dhe të dinamikës së ngjarjes. Për vrasjen e 20-vjeçarit portugez është arrestuar 29-vjeçari Sokrat Vata. Ai u kap disa orë pas krimit në aksin Levan-Fier, teksa dyshohet se ishte fshehur në bagazhin e një automjeti. Bulica rezulton të jetë pronari në hije i hotelit të njohur në Ksamil, ndërsa në dokumentet zyrtare pronare figuron nëna e tij, Kade Bulica, 72 vjeçe. Por pas vrasjes, emri i Bekim Bulicës rikthehet në vëmendje edhe për shkak të raportimeve të mëparshme mbi aktivitetin kriminal që i atribuohet rrjetit të tij. Raportime mediatike kanë ngritur dyshime për lidhje me trafikun ndërkombëtar të drogës dhe pastrimin e parave, ndërsa janë përmendur edhe informacione të përcjella nga autoritetet franceze te strukturat shqiptare. Më 24 prill 2025, gazeta franceze “Le Parisien” raportoi për një rrjet shqiptar që operonte dy struktura të shpërndarjes së drogës në Paris dhe periferi. Tetë persona, shtatë shqiptarë dhe një francez, u vunë nën akuzë për trafik narkotikësh, pastrim parash dhe organizatë kriminale. Më 20 shkurt 2026, “Le Parisien” raportoi një tjetër operacion në Paris dhe Hauts-de-Seine, ku tre shtetas shqiptarë u vunë nën akuzë për trafik kokaine dhe organizatë kriminale. Hetuesit sekuestruan rreth 2 kilogramë kokainë, ndërsa grupi dyshohej se funksiononte si një lloj “centrale porosish”, me shpërndarje të drogës në banesa. Këto hetime franceze lidhen me një rrjet më të gjerë ku përmendet edhe emri i Bekim Bulicës, duke ngritur pikëpyetje mbi aktivitetin e tij dhe mbi informacionet që dyshohet se kanë mbërritur në Shqipëri.

103.7K views


💾

Lidhjet e tij me Francën duket të jenë të forta. Klubi i natës në Principotes, mban një emër francez “La Guerre” (Lufta), ndërsa çdo të hënë, sipas nj...

By: @joq
19 August 2026 at 16:01

Lidhjet e tij me Francën duket të jenë të forta. Klubi i natës në Principotes, mban një emër francez “La Guerre” (Lufta), ndërsa çdo të hënë, sipas njoftimeve në rrjetet sociale, organizohen “Netët franceze”. Pikërisht mbrëmjen e djeshme, ishte ftuar një DJ francez. “Principotes” rezulton e regjistruar në emër të Kade Bulicës, 71-vjeçare nga Kukësi, e cila është nëna e Bekim Bulicës. Emri i këtij të fundit është përmendur më herët në kronikat kriminale. Në shkurt 2021, Bulica u ekstradua nga Franca, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar në lidhje me një vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, e cila më 14 tetor 2019 i kishte caktuar masën “Arrest në burg” për veprat penale “Kanosja” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, pas një ngjarjeje të ndodhur më 19 shtator 2019 në Kukës, ku ishte qëlluar me armë në drejtim të automjetit të shtetasit F. C. Në shtator 2023, emri i tij u përfshi sërish në një ngjarje të dhunshme në Tiranë, ku së bashku me disa familjarë dhe një person tjetër dyshohet se i zunë pritë një polici dhe vëllait të tij, duke i goditur me shkopinj gome. Për këtë ngjarje, policia arrestoi Blerim Bulicën, ndërsa Bekim Bulica dhe tre persona të tjerë u shpallën në kërkim. Emri i Bekim Bulicës është përmendur edhe në mediat franceze. Në maj 2024, “Le Monde” publikoi një artikull ku përshkruhej aktiviteti i një shqiptari me pseudonimin “Zamir”, i cili drejtonte një prej rrjeteve të shpërndarjes së kokainës në Paris. Sipas artikullit, “Zamir” kishte rrëmbyer dhe dhunuar një shpërndarës që ishte larguar me një pjesë të klientelës, ndërsa videoja e dhunës ishte përdorur për të frikësuar persona të tjerë.

47.7K views


💾

Në Licata, në provincën e Agrigentos në Siçili, gjashtë qen të mëdhenj endacakë u strehuan në hyrje të një supermarketi, në një hapësirë me ajër të ko...

By: @joq
19 August 2026 at 16:01

Në Licata, në provincën e Agrigentos në Siçili, gjashtë qen të mëdhenj endacakë u strehuan në hyrje të një supermarketi, në një hapësirë me ajër të kondicionuar, për t’u mbrojtur nga temperaturat e larta. Pamjet u filmuan nga qytetarë dhe turistë gjermanë që kishin shkuar për të bërë pazar dhe më pas u publikuan në rrjetet sociale. Në video, qentë shihen duke fjetur të qetë pranë hyrjes, ndërsa përfitojnë nga freskia. Por rasti ka ngjallur debate online. Shumë njerëz kanë falënderuar drejtuesit e supermarketit që nuk i larguan kafshët, ndërsa të tjerë e kanë cilësuar situatën si problem higjienik dhe si pasojë të menaxhimit të dobët të qenve endacakë. Organizata për Mbrojtjen e Kafshëve (OIPA) thekson se temperaturat e larta rikthejnë vëmendjen te problemi i qenve endacakë, braktisjes dhe keqtrajtimit të kafshëve. OIPA kërkon më shumë masa për sterilizimin, identifikimin me mikroçip dhe njohjen zyrtare të të ashtuquajturve “qen të lagjes”, të cilët jetojnë të lirë në zonat urbane, por duhet të jenë të vaksinuar, të identifikuar dhe të monitoruar. Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu për rritjen e rasteve të braktisjes dhe keqtrajtimit gjatë verës, kur kafshët shpesh lihen për orë të tëra në ambiente të nxehta, në makina, banesa ose ballkone.

5134 views


💾

Tre tendera, miliona lekë dhe të njëjtat pikëpyetje që vazhdojnë të mbeten pa përgjigje, kush kontrollon paratë e shqiptarëve? Nga software-t te siste...

By: @joq
19 August 2026 at 16:01

Tre tendera, miliona lekë dhe të njëjtat pikëpyetje që vazhdojnë të mbeten pa përgjigje, kush kontrollon paratë e shqiptarëve? Nga software-t te sistemet e monitorimit dhe rrugët, faturat paguhen nga taksapaguesit, ndërsa përgjegjësia duket se humbet mes dokumenteve të tenderave. Vite më vonë, këto histori rikthehen si një kujtesë e hidhur, kur paratë janë publike, transparenca nuk është luks, por detyrim.

8721 views


💾

Më shumë se një e katërta e përdoruesve të Gen Z po ndërveprojnë me inteligjencën artificiale sikur të komunikojnë me një mik, duke e përdorur atë jo ...

By: @joq
19 August 2026 at 16:01

Më shumë se një e katërta e përdoruesve të Gen Z po ndërveprojnë me inteligjencën artificiale sikur të komunikojnë me një mik, duke e përdorur atë jo vetëm për detyra, por edhe për mbështetje emocionale dhe çështje personale. Sipas një studimi global të Kaspersky, ku morën pjesë 7,200 persona, 27% e të rinjve deklaruan se e përdorin AI si një mik, ndërsa 28% konsultohen me të për probleme personale që hezitojnë t’ua tregojnë njerëzve të tjerë. Gjithashtu, 47% thanë se përdorin AI çdo ditë ose rregullisht. Përdorimi i teknologjisë nga Gen Z është i larmishëm: 56% e të anketuarve e përdorin për të kërkuar informacion, 49% për studime, 47% për gjenerim idesh dhe 39% për punë. Megjithatë, pavarësisht këtij përdorimi të gjerë, vetëm 42% zbatojnë rregullisht masa sigurie, si verifikimi i informacionit në burime të besueshme dhe shmangia e ndarjes së të dhënave konfidenciale. Ndërkohë, 52% marrin masa mbrojtëse vetëm herë pas here, ndërsa 6% nuk zbatojnë fare masa sigurie. Ekspertët paralajmërojnë se përdoruesit duhet të jenë të kujdesshëm kur ndajnë informacione personale me sistemet e AI. Vladislav Tushkanov, menaxher në Qendrën Kërkimore të Teknologjisë AI të Kaspersky, thekson se Gen Z po gjen mënyra të reja për ta integruar AI-në në jetën e përditshme, por një bisedë që duket personale nuk duhet konsideruar automatikisht private apo plotësisht e besueshme. Sipas tij, të rinjtë duhet të kombinojnë përdorimin e teknologjisë me verifikimin e informacionit dhe mbrojtjen e të dhënave personale.

9139 views


💾

❌