Pas publikimit nga JOQ Albania të pamjeve të personit të dyshuar për vjedhjen e një biçiklete dhe më herët të një kondicioneri në Tiranë, një tjetër q...
Pas publikimit nga JOQ Albania të pamjeve të personit të dyshuar për vjedhjen e një biçiklete dhe më herët të një kondicioneri në Tiranë, një tjetër qytetar ka kontaktuar redaksinë, duke pretenduar se ka rënë viktimë e të njëjtit person. Sipas qytetarit, vjedhja ka ndodhur rreth tre javë më parë në zonën e Pazarit të Ri, ndërsa pamjet e kamerave të sigurisë, sipas tij, tregojnë të njëjtin person që është publikuar më herët nga JOQ Albania. "Përshëndetje, ky personi që keni postuar, i cili ka vjedhur biçikletën, më ka vjedhur edhe mua para nja tre javësh te Pazari i Ri. Po ju nis pamjet, por doja të dija edhe në çfarë zone të Tiranës ka ndodhur rasti tjetër. Faleminderit.", shkruan qytetari. Pamjet e siguruara tregojnë një person të veshur me rroba të bardha dhe kapele të zezë, i cili shihet në dy momente të ndryshme në ambientet e një pallati dhe në parking, duke lëvizur pranë mjeteve dhe më pas duke u larguar me një biçikletë. Ky është denoncimi i radhës që lidhet me të njëjtin person, çka ngre dyshime se ai mund të jetë autor edhe i rasteve të tjera të ngjashme në kryeqytet. Nëse e njihni personin që shfaqet në pamje ose keni informacione që mund të ndihmojnë në identifikimin e tij, kontaktoni Policinë e Shtetit ose redaksinë e JOQ Albania. Çdo informacion mund të ndihmojë në zbardhjen e rasteve të denoncuara.
12.1K views