Normal view

Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania me një denoncim për gjendjen e kanaleve vaditëse në zonën e Durrësit, duke ngritur shqetësimin p...

By: @joq
29 July 2026 at 00:00

Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania me një denoncim për gjendjen e kanaleve vaditëse në zonën e Durrësit, duke ngritur shqetësimin për mungesën e mirëmbajtjes dhe pastrimit të tyre. Sipas qytetarit, disa vite më parë bashkitë në të gjithë vendin u pajisën me një flotë ekskavatorësh të financuar nga Buxheti i Shtetit, me qëllim pastrimin dhe mirëmbajtjen e kanaleve ekzistuese vaditëse. Ai pretendon se gjatë viteve 2023-2024, Bashkia Durrës ka ndërhyrë në pastrimin e kanalit vaditës nga Ujëmbledhësi i Borçës deri në derdhjen në lumin Erzen, por sipas banorëve punimet nuk kanë qenë me cilësinë e duhur. Sipas denoncimit, ndërhyrjet e mëparshme kanë dëmtuar skarpatën e kanalit, duke krijuar rrezik për humbjen e tokës bujqësore, ndërsa prej vitit 2025 pastrimi i këtij kanali, sipas qytetarit, është ndërprerë plotësisht. Në pamjet e dërguara në redaksi shihet se kanali është mbuluar nga bimësia e dendur dhe kallamishtet, duke penguar qarkullimin normal të ujit dhe duke vështirësuar vaditjen e tokave bujqësore. Ky kanal shërben për furnizimin me ujë të tokave bujqësore në zonat Manëz, Kullë, Borçë, Radë dhe Vadardhë, ku sipas banorëve preken mijëra hektarë tokë me kultura bujqësore dhe pemtari. Qytetari ngre pikëpyetje për mënyrën e menaxhimit të fondeve publike dhe kërkon përgjigje nga institucionet: “Bashkia i ka harruar këto detyrime, apo punimet deklarohen dhe lekët e Buxhetit futen në xhep të dikujt?”, shprehet ai në denoncimin e tij. Fermerët kërkojnë ndërhyrje për pastrimin dhe rikthimin në funksion të kanalit vaditës, pasi mungesa e ujit rrezikon prodhimet bujqësore dhe ekonominë e familjeve që varen nga toka. JOQ Albania publikon shqetësimin e qytetarit dhe mbetet në pritje të një reagimi nga Bashkia Durrës lidhur me situatën e denoncuar dhe masat që do të merren.

18.7K views


💾

Një aksident rrugor ka ndodhur mbrëmjen e sotme në zonën e Kënetës, në Durrës, ku një automjet ka humbur kontrollin dhe ka përfunduar i përmbysur në m...

By: @joq
29 July 2026 at 00:00

Një aksident rrugor ka ndodhur mbrëmjen e sotme në zonën e Kënetës, në Durrës, ku një automjet ka humbur kontrollin dhe ka përfunduar i përmbysur në mes të rrugës. Pamjet janë dërguar në redaksinë e JOQ Albania nga një qytetare, e cila ka kaluar pranë vendit të ngjarjes pak çaste pasi kishte ndodhur aksidenti. Sipas saj, në vendngjarje nuk është konstatuar asnjë automjet tjetër i përfshirë, çka lë të kuptohet se drejtuesi mund të ketë humbur kontrollin e mjetit, duke bërë që ai të përmbysej. Fatmirësisht, sipas informacionit të siguruar nga denoncuesja, nuk ka persona të lënduar. Shkaqet e aksidentit pritet të sqarohen nga autoritetet.

12K views


💾

Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania me një denoncim lidhur me disa ambiente shtetërore që, sipas tij, po përdoren nga Prestige Resor...

By: @joq
29 July 2026 at 00:00

Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania me një denoncim lidhur me disa ambiente shtetërore që, sipas tij, po përdoren nga Prestige Resort / Acqua Park, në vend që të shërbejnë për funksionin publik për të cilin janë destinuar. Në videon e dërguar në redaksi, qytetari tregon disa godina dhe ambiente që ai pretendon se janë pronë e shtetit dhe ngre dyshime se ato po shfrytëzohen për interes privat. Sipas tij, bëhet fjalë për prona që administrohen nga Ministria e Shëndetësisë dhe që kanë qenë të destinuara për shërbime në funksion të fëmijëve me aftësi të kufizuara. "Këto janë prona të Ministrisë së Shëndetësisë. Në vend që t'u shërbejnë fëmijëve me aftësi të kufizuara, po shfrytëzohen nga Prestige Resort," shprehet qytetari në videon e dërguar në redaksi. Qytetari pretendon gjithashtu se ambientet shtetërore po përdoren për qëllime komerciale dhe kërkon që institucionet përgjegjëse të verifikojnë ligjshmërinë e përdorimit të tyre. JOQ Albania nuk mund të verifikojë në mënyrë të pavarur pretendimet e ngritura nga qytetari mbi statusin juridik të pronës, administrimin e saj apo marrëdhëniet kontraktore që mund të ekzistojnë. Redaksia mbetet e hapur për një reagim zyrtar nga Ministria e Shëndetësisë, institucionet përgjegjëse për administrimin e pronës, si edhe nga Prestige Resort, për të sqaruar situatën dhe pretendimet e ngritura.

17.4K views


💾

Një arritje e jashtëzakonshme në fushën e mjekësisë është realizuar në spitalin “Molinette” në Torino, ku një ekip mjekësh ka arritur t'i rikthejë pje...

By: @joq
29 July 2026 at 00:00

Një arritje e jashtëzakonshme në fushën e mjekësisë është realizuar në spitalin “Molinette” në Torino, ku një ekip mjekësh ka arritur t'i rikthejë pjesërisht shikimin një pacienteje që kishte pesë vite e verbër, përmes një transplanti unik të pjesës qendrore të retinës, të njohur si makula. Pacientja 67-vjeçare, e identifikuar si Elena, kishte humbur tërësisht shikimin në syrin e majtë si pasojë e një aksidenti të rëndë automobilistik, ku dëmtimi i pariparueshëm i nervit optik e bënte të pamundur transmetimin e sinjaleve të dritës drejt trurit. Ndërkohë, syri i saj i djathtë vuante nga degjenerimi makular dhe kishte dëmtime të rënda në retinë dhe korne. Meqenëse mungesa e qelizave staminale e bënte të pamundur një transplant klasik të kornesë, ekipi mjekësor i drejtuar nga profesori Michele Raibaldi mori një vendim guximtar: përdorimin e indeve të shëndetshme por jofunksionale të syrit të majtë për të rindërtuar syrin e djathtë. Për herë të parë në botë, operacioni kompleks që zgjati pothuajse gjashtë orë përfshiu jo vetëm kornenë, sklerën dhe konjuktivën, por edhe vetë makulën. Përmes kësaj procedure, mjekët arritën të krijonin një "sy funksional" duke kombinuar pjesët e shëndetshme të dy syve të dëmtuar. "Tani po presim të shohim deri në çfarë mase retina e transplantuar do të jetë në gjendje të funksionojë, por rezultatet e para janë inkurajuese", deklaroi profesori Michele Raibaldi pas ndërhyrjes. Suksesi i kësaj procedure u konfirmua edhe nga specialisti francez i sëmundjeve të retinës, profesori Michel Pack nga Spitali Kombëtar Caen-Ven në Paris, i cili e cilësoi ndërhyrjen si një arritje absolute në shkallë botërore. Megjithatë, komuniteti shkencor thekson se do të nevojiten studime të mëtejshme për të vlerësuar efektivitetin afatgjatë të kësaj teknike dhe mundësinë e aplikimit të saj te pacientë të tjerë.

28.9K views


💾

Ka një lloj gjeografie institucionale në Shqipëri ku distancat mes qelisë së burgut dhe zyrës së prokurimeve publike nuk maten me kilometra, por me sh...

By: @joq
29 July 2026 at 00:00

Ka një lloj gjeografie institucionale në Shqipëri ku distancat mes qelisë së burgut dhe zyrës së prokurimeve publike nuk maten me kilometra, por me shkathtësi familjare. Ish-kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici, i cili u dënua me tre vjet burg për korrupsion pasiv dhe shpërdorim detyre, ofron një studim rastesh mbi elasticitetin e ligjit. Pasi drejtësia i dha faturën penale dhe i ndaloi ushtrimin e funksioneve publike për pesë vjet, më 18 maj 2025 ai fitoi lirinë për arsye shëndetësore. Dhe, sikur për të vërtetuar se ajri i lirisë bën mrekulli për qarkullimin e kapitaleve, emri i tij u kthye menjëherë në qendër të vëmendjes përmes kompanisë Kevin Konstruksion, e ngritur prej tij dhe e administruar sot nga vëllai, Lavdrim Gjici. Në qytetin bregdetar, administrata duket se e ka përvetësuar fiziken e tenderëve me saktësi prej orëzimi zviceran. Bashkia Vlorë, nën drejtimin e Brunilda Mersini (qokaxheshka), ka kurorëzuar si fituese bashkimin e operatorëve APIS CONSTRUCTION & KEVIN KONSTRUKSION për tenderin madhor me objekt "Ndërtimi i Qendrës Operacionale të Emergjencave Civile". Me një fond limit prej 288,559,870 lekë (pa TVSH), kontrata u mbyll me një ofertë prej 269,123,172 lekë. Përtej shifrave, ajo që tërheq vëmendjen është koreografia administrative e garës. Nga tre operatorë që hynë në pistë, vetëm njeri mbijetoi nga amnezia dokumentare: ARKONSTUDIO u tërhoq në heshtje, duke mos dorëzuar as dokumentacion, as ofertë ekonomike. RAFIN COMPANY u ndal në pengesën e parë burokratike, duke mos paraqitur letrat e kërkuara sipas standardeve. Në këtë skenografisë ku konkurrentët shpërndahen si me telekomandë, fusha mbeti e pastër dhe e hapur. Përfundimi? Një tjetër kontratë publike që provon se përtej dënimeve dhe kufizimeve ligjore, gjenetika e suksesit biznesor në Shqipëri nuk njeh as pengesa fizike, as mungesë sinjalesh nga tregu. Gara në fjalë është vlerësuar nga Open Data Albania me një “Flamur të Kuq” të pastër, me motivacionin klasik: skualifikimi i çdo konkurrenti tjetër përveç fituesit dhe eliminimi i ofertës më të ulët. Një koreografi standarde ku rivalët thjesht plotësojnë tabelën e Excel-it para se të fshihen nga skena. Por problemi nuk mbaron te letrat e djegura të garës, sepse matematika e kantiereve flet një gjuhë tjetër. Projekti kërkon 18 muaj kohë zbatimi dhe rreth 50 mjete e pajisje të rënda në terren. Në realitetin e pasqyrave financiare: Kevin Konstruksion ka mesatarisht vetëm 63 punonjës gjithsej. Për këtë kontratë, ajo ka marrë përsipër 89.2% të punimeve. Vëllimi i marrë përsipër kërkon llogari lëvizëse prej rreth 81 punonjësish vetëm për këtë objekt. Këtyre u shtohen edhe kontratat e tjera që e njëjta kompani mban aktualisht në zbatim. Në anën tjetër të kësaj bashkie, partneri në këtë bashkim operatorësh, APIS CONSTRUCTION, mbart gjithashtu pikëpyetjet e veta financiare. Referuar të dhënave, kompania rezultonte të mos plotësonte kriteret ekonomike për një tender të kësaj madhësie, duke qenë se në vitin 2023 kishte regjistruar humbje në bilanc. Megjithatë, kjo nuk e ka penguar të pozicionohet si pjesë e bashkimit fitues, qoftë edhe me një kuotë prej 3.6% të kontratës. Në fund të kësaj llogarie, tenderi përmbyllet me mungesë konkurrence efektive, ndërsa procesi i verifikimit të kapaciteteve teknike dhe financiare lë pas dyshime të hapura. Ndërkohë, kompania e lidhur me emrin e ish-kryebashkiakut Safet Gjici shënon një tjetër rikthim në tryezën e fondeve publike, duke siguruar një kontratë me vlerë afro 269 milionë lekë pa TVSH.

20.8K views


💾

Është mbajtur mbrëmjen e sotme protesta e 58-të kundër kryeministrit Edi Rama, ku qytetarët kanë zbritur sërish në rrugë për të kërkuar dorëheqjen e m...

By: @joq
29 July 2026 at 00:00

Është mbajtur mbrëmjen e sotme protesta e 58-të kundër kryeministrit Edi Rama, ku qytetarët kanë zbritur sërish në rrugë për të kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të kreut të qeverisë. Ashtu si në tubimet e mëparshme, protestuesit janë grumbulluar fillimisht në Sheshin "Skënderbej" dhe më pas kanë nisur marshimin drejt godinës së Kryeministrisë, ku edhe kanë vijuar qëndrimin e tyre. Gjatë marshimit dhe përpara godinës së qeverisë, qytetarët kanë hedhur thirrje të fortë kundër drejtuesve dhe gjithë klasës politike në vend. Ndër sloganet kryesore që u dëgjuan gjatë protestës ishin: "Rama në burg", "Berisha në burg", "Revolucion", "Jep dorëheqjen" si dhe "Ju erdhi fundi". Pjesëmarrësit në tubim kanë shprehur revoltën e tyre për situatën e vështirë politike dhe ekonomike ku ndodhet vendi, duke kërkuar ndryshime rrënjësore dhe largimin e kryeministrit nga detyra.

9798 views


💾

Një denoncim ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, ku një qytetar ka dërguar një video që tregon një automjet tip Benz të parkuar mbi trotuar pranë...

By: @joq
29 July 2026 at 00:00

Një denoncim ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, ku një qytetar ka dërguar një video që tregon një automjet tip Benz të parkuar mbi trotuar pranë Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë, duke penguar lëvizjen e këmbësorëve dhe, sipas tij, duke bllokuar edhe hyrjen e vendit të punës. Sipas denoncuesit, automjeti me targa AB 666 SL mban në targë logon e Partisë Demokratike. Me ironi, ai e komenton situatën në video duke thënë: "Makina e PD, shikojeni targën e PD, por e ka hipur në trotuar, se është 'gango'. Ka marrë urdhër nga Sali Berisha, a vrafshi dhe ngrënshit kokat e njëri-tjetrit këta. Ka bllokuar dhe vendin e punës, gangot." Ndërsa në mesazhin e dërguar në redaksi, qytetari shkruan: "Përshëndetje. Makina mbi trotuar duke bllokuar lëvizjen e këmbësorëve. Njëkohësisht na ka bllokuar dhe vendin e punës ku punojmë. Në targën e tij ka logon e Partisë Demokratike." Parkimi mbi trotuar jo vetëm që përbën shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, por krijon edhe vështirësi për këmbësorët, të cilët detyrohen të zbresin në rrugë për të kaluar. Qytetarët kërkojnë më shumë kontroll dhe masa ndaj drejtuesve të mjeteve që zënë hapësirat e dedikuara për këmbësorët, pavarësisht se kujt i përkasin apo çfarë simbolesh mbajnë në automjetet e tyre.

50.2K views


💾

Një marrje nuseje ndryshe nga ato që jemi mësuar të shohim. Këtë herë, nusja “gangstere” shoqërohet nga një grup motorristësh, duke tërhequr vëmendjen...

By: @joq
29 July 2026 at 00:00

Një marrje nuseje ndryshe nga ato që jemi mësuar të shohim. Këtë herë, nusja “gangstere” shoqërohet nga një grup motorristësh, duke tërhequr vëmendjen e të gjithëve. Videoja po bëhet me shpejtësi virale për kreativitetin e saj dhe atmosferën ndryshe që sjell në këtë ceremoni tradicionale.

8823 views


💾

Nëse mendon se për të fituar tendera shtetërorë duhet të jesh patjetër i pranishëm në zyrë, të përgjigjesh në telefon apo të paktën të jesh i lirë, ga...

By: @joq
29 July 2026 at 00:00

Nëse mendon se për të fituar tendera shtetërorë duhet të jesh patjetër i pranishëm në zyrë, të përgjigjesh në telefon apo të paktën të jesh i lirë, gabohesh rëndë. Biznesmeni Ermal Beqiri na vërteton thelbin e “arratisë krijuese”, duke drejtuar bizneset dhe duke korrur miliona nga buxheti i shtetit ndërkohë që është shpallur në kërkim nga SPAK si i dyshuar për drejtimin e një grupi të strukturuar kriminal të lidhur me aferat e AKSHI-t. Për ironi të fatit, ndërkohë që kompanitë e jo-aq-të-panjohura të tij, “Soft & Solution” dhe “Horizon”, janë vënë zyrtarisht nën sekuestro preventive me urdhër të Gjykatës së Posaçme që nga muaji prill i këtij viti, Universiteti i Tiranës ka vendosur t'i hapë dyert dhe arkën. Nën drejtimin e rektorit Artan Hoxha dhe me procedurën e zbardhur në maj nga administratori Skerdi Dafa, ky institucion arsimor i ka dhuruar bashkimit të shoqërive të Beqirit një tender me vlerë mbi 50 mijë euro për “Mirëmbajtjen e Sistemit Informativ të Institucionit”. Gara, si zakonisht, ka pasur atë “lezetin” e zakonshëm administrativ: në të morën pjesë dy operatorë ekonomikë, ku njëri ishte regjistruar thjesht sa për numër pasi nuk paraqiti asnjë ofertë ekonomike dhe u skualifikua në sekondën e parë duke lakuar në lojë vetëm bashkimin e operatorëve në pronësi të vetë Ermal Beqirit, të cilët u shpallën menjëherë fitues. Kështu, ndërkohë që Policia e Shtetit ende luan lojën e fshehtësisë me masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj Beqirit, dhe ndërkohë që ish-drejtoresha e AKSHI-t Mirlinda Karçanaj sillet mes arrestit të shtëpisë dhe detyrimit për paraqitje të caktuar nga Gjykata e Lartë për shkak të dyshimeve të forta mbi kanalizimin e tenderave në disa duar, sistemi informativ i universitetit më të madh në vend ka gjetur shpëtimin te duart e një “të kërkuari” që komandon nga arratia. Në fund të fundit, çfarë rëndësie ka qelia kur lulishtja e tenderave publikë vazhdon të lulëzojë?

7260 views


💾

Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania me një denoncim nga Rruga Butrinti, në zonën pranë Hotel Lost, Nertilit dhe pallateve përreth në...

By: @joq
29 July 2026 at 00:00

Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania me një denoncim nga Rruga Butrinti, në zonën pranë Hotel Lost, Nertilit dhe pallateve përreth në Sarandë, ku banorët dhe bizneset thonë se prej ditësh kanë mbetur pa furnizim me ujë të pijshëm. Sipas qytetarit, në kulmin e sezonit turistik, apartamentet me qira, banesat dhe hotelet në këtë zonë janë detyruar të furnizohen me autobotë, pasi në rrjet mungon plotësisht uji. Në videon e mbërritur në redaksi, qytetari tregon situatën dhe shprehet se mungesa e ujit po krijon vështirësi të mëdha për banorët dhe bizneset, ndërsa turistët po largohen të zhgënjyer. "Po na ikin turistët. Furnizohemi me autobotë sepse nuk ka ujë. E gjithë zona vuan prej disa javësh. Shtëpitë, apartamentet me qira dhe hotelet janë pa ujë," shprehet ai. Sipas denoncimit, banorët dhe bizneset paguajnë dy herë në ditë nga 5,000 lekë të reja, pra 10,000 lekë të reja në ditë, vetëm për të siguruar ujë për nevojat bazë dhe për të vazhduar aktivitetin. Qytetari e cilëson të papranueshme që Saranda, destinacioni kryesor turistik i Shqipërisë, të përballet edhe këtë verë me të njëjtin problem, duke theksuar se situata po dëmton rëndë banorët, bizneset dhe imazhin e turizmit shqiptar. Banorët dhe operatorët turistikë kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse dhe Bashkia Sarandë, me në krye Oltion Çaçin, për rikthimin e furnizimit me ujë dhe zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi. JOQ Albania publikon shqetësimin e qytetarëve dhe pret një reagim nga institucionet përgjegjëse lidhur me situatën e krijuar në këtë zonë të Sarandës.

8184 views


💾

❌