Rasti i Zhang Qi, ish-zyrtarit të lartë të provincës Hainan, mbetet një nga historitë më të bujshme të viteve të fundit, jo vetëm për sasinë marramendëse të pasurisë së zbuluar, por edhe për mënyrën se si Pekini e përdori këtë rast për të treguar 'dorën e hekurt' kundër korrupsionit. Gjatë një operacioni të agjencisë kundër korrupsionit, brenda rezidencës së Zhang u gjetën rreth 13.5 ton ar dhe shuma të mëdha parash cash. Videoja e regjistruar brenda bodrumit të tij, ku shiheshin rafte të tëra me shufra ari, u bë virale globalisht, duke u shndërruar në simbolin e korrupsionit të shfrenuar brenda elitës politike kineze. Në vitin 2020, Zhang Qi u dënua me burgim të përjetshëm për pranimin e ryshfeteve që kapnin vlerën e rreth 15 milionë dollarëve, edhe pse pasuria e gjetur dyshohet të ishte shumë më e madhe. Megjithatë, analistët ndërkombëtarë e shohin këtë rast me skepticizëm. Ndërsa korrupsioni është real, fushata e Presidentit Xi Jinping, e njohur si "lufta kundër tigrave dhe mizave", shpesh akuzohet se shënjestron kundërshtarët politikë nën maskën e ligjit.
Një ministër në Malajzi ka shkaktuar reagime të forta në rrjet, pasi pretendoi se stresi në punë është një nga faktorët kryesorë që i shtyn njerëzit të “përfshihen në komunitetin LGBTQ+”. Sipas raportimeve në mediat e huaja, deklarata erdhi nga Dr. Zulkifli Hasan, Ministër në Departamentin e Kryeministrit për Çështjet Fetare, i cili e bëri këtë koment në një përgjigje me shkrim në parlament, gjatë një diskutimi për trendet e LGBTQ+ në vend. Në përgjigjen e tij, ministri përmendi si “shkaqe” të asaj që ai e quajti “sjellje të lidhura me LGBTQ+”: ndikimin e shoqërisë, eksperiencat seksuale, stresin në punë, dhe mungesën e praktikës fetare. Ai shtoi gjithashtu se gjatë periudhës 2022-2025 janë regjistruar 135 raste të lidhura me aktivitetet LGBTQ+, në formë arrestimesh apo procedimesh, duke kujtuar se marrëdhëniet mes personave të të njëjtit seks janë të paligjshme në Malajzi. Komentet e ministrit u pritën me habi nga shumë qytetarë në rrjetet sociale. Disa përdorues e ironizuan duke pyetur me sarkazëm nëse ministri “punon fort në parlament”, pasi sipas tyre ai “nuk paska ndryshuar”. Një komentues shkroi: “Sipas kësaj logjike, jam i habitur që e gjithë zyra ime nuk është bërë ende gay”. Të tjerë e përdorën rastin për të ironizuar kushtet e punës dhe pagat, duke sugjeruar se qeveria duhet të rrisë pagën minimale, të ulë koston e jetesës ose të aplikojë javë pune 4-ditore, që popullsia të mos bëhet “më gay”.
Ndërkohë që shqiptarët përballen me mungesën e barnave, në zyrat e AKSHI-t të cilat tashmë drejtohen me "telekomandë" nga Mirlinda Karçanaj në arrest shtëpie, recetat e sukseseve financiare shkruhen me shumë zero. "Pacienti" i radhës që po përfiton nga bujaria e shtetit është kompania Infosoft Systems, e cila sapo ka "kullufitur" një tender plot 2.3 milionë euro për mirëmbajtjen e sistemit e-receta. Pronari në letra dhe "Mjeshtri" në hije Fituesi i shpallur është një emër që çdo shqiptari i kujton menjëherë Grigor Jotin. Megjithëse në dokumente pronar figuron Armand Sharra, dyshimet e forta janë se ky i fundit është thjesht një "zar" në tavolinën e madhe të pokerit të tenderave. Joti ia "shiti" aksionet Sharrës vetëm 3 vite më parë, por aroma e Infosoft-it të vjetër ndihet në çdo kontratë të majmë që del nga magjia e AKSHI-t, duke na treguar se pronësia ndryshon me letra, por zakoni jo. Një "Garë" ku rivalët harrojnë të japin çmim Procedura e ndjekur ishte zyrtarisht "e hapur", por në fakt ngjante më shumë me një dasmë ku vjen vetëm dhëndri. Nga kontrolli i dokumentacionit i kryer nga JOQ Albania, rezulton se në këtë teatër morën pjesë vetëm 2 kompani. Por, këtu fillon mrekullia: kompania e dytë erdhi sa për të mbajtur ison dhe për të plotësuar numrin, duke mos paraqitur asnjë ofertë ekonomike. Rrjedhimisht, Infosoft Systems mbeti e vetmja në pistë, duke e pasur fitoren më të sigurt se lindja e diellit, në një procedurë që tregon për fitues të paracaktuar dhe manipulim të pastër. Matematika e "Kullufitjes": 88% e fondit limit Kur nuk ke konkurrencë, nuk ke pse lodhesh me ulje çmimesh apo kursime për arkën e shtetit. Shifrat tregojnë një "pazar" të bërë me laps në dorë: nga një fond limit prej rreth 2.6 milionë euro (211,000,003.00 lekë pa TVSH), kompania fituese ka ofruar vlerën prej rreth 2.3 milionë euro (185,700,000.00 lekë pa TVSH). Nëse i futemi llogaritë, rezulton se vlera fituese përbën plot 88% të fondit limit. Në një treg real, kompanitë luftojnë me thonj e me dhëmbë duke ofruar çmime shumë më të ulëta për të fituar kontratën. Por te AKSHI, Infosoft-i ka marrë pothuajse të gjithë "tortën", duke lënë pas vetëm një thërrime simbolike si kursim, pasi e dinte mirë që askush nuk do t'ia prishte gjumin me një ofertë më të lirë. Sistemi i e-recetës mesa duket nuk shërben për të monitoruar ilaçet e të sëmurëve, por për të shëruar "urinë" e kompanive kliente që ushqehen me paratë publike. Me 2.3 milionë euro në xhep, "zari" i Grigorit mund të rrijë i qetë: sistemi do të "mirëmbahet" në letra, ndërsa paratë e shqiptarëve vazhdojnë të avullojnë me bekimin e drejtueses që edhe nga arresti, nuk harron t'i bëjë derman miqve të vjetër.
Kina ka ekzekutuar 11 persona të lidhur me rrjete mashtrimesh telefonike dhe online që vepronin nga zonat kufitare të Myanmar-it, në atë që Pekini e konsideron si një mesazh paralajmërues ndaj bandave kriminale që drejtojnë një industri globale mashtrimesh me vlera miliardëshe. Sipas mediave shtetërore kineze, të ekzekutuarit ishin “anëtarë kyç” të sindikatave të mashtrimeve, përfshirë figura të lidhura me grupin famëkeq kriminal të familjes Ming, të cilët akuzohen se aktivitetet e tyre çuan në vdekjen e 14 shtetasve kinezë dhe plagosjen e shumë të tjerëve. Ekzekutimet u kryen të enjten, pasi ata ishin dënuar me vdekje në shtator nga një gjykatë në qytetin Wenzhou në Kinën lindore. Vendimi u miratua edhe nga Gjykata Supreme Popullore në Pekin, e cila deklaroi se provat për krimet e kryera që prej vitit 2015 ishin “të mjaftueshme dhe përfundimtare”. Sipas agjencisë shtetërore Xinhua, ndaj tyre rëndonin akuza për: vrasje të qëllimshme, plagosje të qëllimshme, ndalim të paligjshëm, mashtrim dhe organizim të paligjshëm të lojërave të fatit (kazino). Kina ka intensifikuar goditjen ndaj të ashtuquajturave “qendra mashtrimesh”, të cilat janë përhapur në kufijtë e Myanmar-it dhe vende të tjera të Azisë Juglindore. Këto rrjete përdorin skema mashtrimi në internet dhe telefon, përfshirë mashtrime 'romantike' dhe investime të rreme në kriptomonedha, duke vjedhur miliarda dollarë nga viktima në mbarë botën. Ekspertë dhe OKB kanë paralajmëruar se shumë nga këto qendra dyshohet se mbahen në punë edhe nga persona të trafikuar, të detyruar nën kërcënime dhe dhunë. Sipas dëshmive të disa personave të liruar, brenda komplekseve të ruajtura rëndë, dhuna dhe torturat kanë qenë të zakonshme. Familja Ming ishte një nga klanet kriminale që dominonte qytetin Laukkaing në rajonin Kokang të Myanmar-it, duke e kthyer atë në një qendër të kazinove dhe mashtrimeve online. Perandoria e tyre u rrëzua në vitin 2023, pasi milicitë etnike morën kontrollin e zonës dhe disa anëtarë u arrestuan e më pas iu dorëzuan autoriteteve kineze. Gjykata e lartë kineze deklaroi se aktivitetet e mashtrimit dhe lojërave të fatit të këtij rrjeti kanë gjeneruar mbi 10 miliardë juanë (rreth 1.4 miliardë dollarë) mes viteve 2015-2023. Patriarku i klanit, Ming Xuechang, raportohet se vrau veten në 2023 për të shmangur arrestimin. Autoritetet kineze kanë sinjalizuar se këto ekzekutime nuk do të jenë të fundit, ndërsa paralelisht Pekini po rrit bashkëpunimin me qeveritë e rajonit për shkatërrimin e rrjeteve të mashtrimeve. Vetëm vitin e kaluar, sipas Ministrisë kineze të Sigurisë Publike, mbi 7,600 shtetas kinezë të dyshuar për mashtrime dhe lojëra fati online u riatdhesuan nga zonat kufitare të Myanmar-it për t’u gjykuar në Kinë.
Në botën e teknologjisë shqiptare, historia e dashurisë mes institucioneve dhe klientëve të tyre besnikë i kalon edhe skenarët më të guximshëm të Netflix-it. Protagonisti i fundit është Gerond Meçe dhe kompania e tij "Advanced Business Solutions – ABS", i cili sapo ka fituar një tender të majmë nga AKSHI, i drejtuar (zyrtarisht) nga Mirlinda Karçanaj, e cila aktualisht po "shijon" qetësinë e arrestit në shtëpi. Nëse dikur SPAK-u na thoshte se Meçen e morën peng, e kërcënuan dhe e "fëlliqën" vetëm e vetëm që të mos fuste hundët në tenderat e AKSHI-t, këtë herë duket se plagët janë shëruar me një kafshatë prej 443 milionë lekësh (me TVSH). Objekti i tenderit? Mirëmbajtja e sistemit elektronik të vizitave nëpër burgje (IEVP). Ironia këtu është aq e trashë sa mund të pritet me thikë: Meçe do të mirëmbajë hyrje-daljet e institucionit ku me shumë mundësi mund të përfundojë më vonë pikërisht titullarja që i jep tenderin. Një cikël i mbyllur mirënjohjeje! Matematika e "Garës": Në këtë garë "të hapur dhe transparente", numrat flasin vetë: Fondi Limit: 46,800,000.00 Lekë (pa TVSH) Vlera Fituese: 36,979,920.00 Lekë (pa TVSH) Përqindja: Meçe e ka rrëmbyer tenderin me rreth 79% të fondit limit. Për ta bërë atmosferën edhe më festive, në tender morën pjesë 5 kompani. Por, siç ndodh rëndom në teatrin tonë të prokurimeve, njëra prej tyre ishte aty thjesht "për numër", duke mos paraqitur asnjë ofertë ekonomike, mbase kishin harruar makinën llogaritëse në shtëpi, ose thjesht nuk donin t'i prishnin gjumin fituesit të paracaktuar. Nga "pengmarrja" te "pajtimi": Është vërtet emocionuese të shohësh se si AKSHI dhe Meçe kanë lënë pas të kaluarën e trazuar. Nga koha kur e detyronin me forcë të tërhiqej nga garat, sot jemi në fazën ku paratë publike rrjedhin lumë drejt tij për të monitoruar kush hyn e kush del nga burgu. Duket se në Shqipëri, rruga më e shpejtë për të fituar një tender miliona eurosh është të kalosh fillimisht nga një kalvar "fëlliqjeje" dhe pengmarrjeje. Me sa duket, pasi të marrin peng, vjen radha të të marrin në krahë dhe të të mbulojnë me thasë me lekë.
Qindra zjarrfikës kanë dalë sot në protestë në qytetin Lille të Francës, duke denoncuar mungesën e stafit, mungesën e mjeteve dhe përkeqësimin e kushteve të punës. Gjatë protestës, zjarrfikësit bllokuan rrugën unazore të Lille, përpara se të marshonin drejt godinës së SDIS (shërbimi zjarrfikës). Në zonë u ndezën edhe zjarre të mëdha, ndërsa nuk munguan as përplasjet me policinë. Sipas raportimeve, protestuesit përdorën goma makinash për të ndezur zjarr në rrugë dhe tentuan të hyjnë në selinë e SDIS, e cila ishte e rrethuar nga forcat e rendit. Kjo protestë vjen në një kohë kur, sipas tyre, shërbimi zjarrfikës në Francë është goditur nga mungesa kronike e personelit, pas shkurtimeve të viteve të fundit. Vetëm gjatë periudhës 2021-2022, raportohet se janë shkurtuar mbi 5 mijë vende pune në këtë sektor, duke rritur pakënaqësitë dhe përplasjet me qeverinë.
Sot rikujtojmë një denoncim të rëndë të bërë një vit më parë në redaksinë tonë, ku një punonjës policie akuzoi Mauricio Sheldija, asokohe oficeri i AMP-së Shkodër, se kishte nxjerrë për mediat materiale sekrete hetimore dhe dëshminë e një kolegu të tij. Sipas denoncimit, ky veprim ka vënë në rrezik të drejtpërdrejtë jetën e policit dhe të familjes së tij, duke shkelur rëndë ligjin dhe duke ngritur dyshime serioze mbi rolin e AMP-së, institucioni që duhet të mbikëqyrë dhe mbrojë efektivët e policisë. Ky nuk ishte rasti i parë i përfshirjes së Sheldijas në skandale. Në prill të vitit 2024, JOQ ALBANIA e denoncoi atë për ushtrim dhune ndaj një 73-vjeçari, i cili kishte fituar një pronë me vendim gjykate. Sipas të moshuarit, Sheldija, duke shfrytëzuar postin dhe lidhjet në polici, e kishte kërcënuar dhe dhunuar për çështjen e pronës, ndërsa më pas dyshohet se angazhoi kolegë të tij për sekuestrimin e kamerave të sigurisë, me qëllim fshehjen e ngjarjes. Paralelisht, efektivë të Policisë Rrugore e kanë akuzuar për abuzim me detyrën dhe shtrëngim për marrje ryshfeti, duke i vendosur policët përballë zgjedhjes mes shkeljes së ligjit ose ndëshkimit arbitrar. Rikujtimi i kësaj çështjeje sot nuk është rastësi. Pavarësisht akuzave dhe denoncimeve të përsëritura, në qershor të vitit 2025, Mauricio Sheldija kandidoi për drejtues të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), pa u përballur me asnjë pasojë ligjore. Një vit më pas, asnjë hetim publik dhe asnjë masë konkrete nuk është bërë e ditur ndaj tij, duke e kthyer këtë rast në simbol të pandëshkueshmërisë brenda institucioneve ligjzbatuese. Kjo ngjarje rikujtohet sot për të mos u harruar dhe për të ngritur një pyetje thelbësore: kush i mbron ata që denoncojnë, kur vetë sistemi duket se mbron abuzuesit?
Zvarritja e heqjes së imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku ka hyrë në një “ping-pong” institucional mes Gjykatës Kushtetuese dhe Këshillit të Mandateve, duke bllokuar kërkesën e SPAK për arrestimin e saj. Prej më shumë se një viti, çështja kalon nga një institucion tek tjetri pa asnjë vendim konkret, ndërsa mazhoranca dhe opozita përplasen politikisht për përgjegjësinë e vonesave. Situata ka ngritur dyshime serioze për mungesë vullneti për trajtim urgjent të një rasti që prek numrin dy të qeverisë Rama. Gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, kreu i grupit socialist Niko Peleshi pranoi se mbledhja e Këshillit të Mandateve u shty me kërkesë të deputetëve Taulant Balla dhe Bledi Çomo, duke theksuar se veprimi ishte në përputhje me rregulloren. “Me propozim të deputetëve anëtarë Taulant Balla dhe Bledi Çomo që kërkuan të presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese, shtyva mbledhjen”, deklaroi Peleshi, duke ia kaluar topin Kushtetueses për vendimin përfundimtar. Nga ana tjetër, Gjykata Kushtetuese ka zgjedhur të mos shprehet, pavarësisht se u mblodh këtë javë, me arsyetimin se i nevojitet më shumë kohë. Kjo sjellje paralele e Kushtetueses dhe Këshillit të Mandateve po mban të bllokuar kërkesën e SPAK, i cili e ka marrë tashmë Ballukun të pandehur dhe kërkon arrestimin e saj për shkak të rrezikut të prishjes së provave. Akuzat lidhen me paracaktim fituesish në tenderin e Tunelit të Llogarasë dhe shkelje në dosjen e Unazës së Madhe, ndërsa vonesat institucionale po minojnë gjithnjë e më shumë besimin publik te drejtësia dhe barazia para ligjit.
Në Stamboll, në lagjen Umraniye, një çift i ri u hodh nga kati i katërt i një pallati për të mos u kapur nga familjarët. I riu kishte shkuar për të takuar të dashurën në banesën e saj, por situata doli jashtë kontrollit kur familja e vajzës u kthye papritur në shtëpi. Të kapur nga paniku dhe nga frika e përballjes me familjarët, të dy vendosën të hidhen nga dritarja e katit të katërt. Si pasojë e rënies, ata u plagosën rëndë dhe përfunduan në spital. Pamjet e ngjarjes u filmuan nga fqinjët dhe tregojnë momentin kur çifti bie në oborrin e pallatit. Pas incidentit, familjarët dhe banorët e zonës u tronditën dhe kërkuan menjëherë ndihmë mjekësore. Në pamjet e publikuara dëgjohet edhe vëllai i vajzës duke thënë: “Mos vdes, shpresoj të mos të ndodhë asgjë”. Sipas mediave turke, të dy të rinjtë janë jashtë rrezikut për jetën, por kanë pësuar lëndime serioze, ndër to edhe dëmtime në mushkëri për vajzën. Kjo ngjarje ka shkaktuar reagime të shumta në Turqi, duke hapur diskutime për presionin familjar dhe shoqëror që shpesh i shtyn të rinjtë të marrin vendime të rrezikshme nga frika e gjykimit apo konfliktit me familjen.
Princeshë Diana nuk u bë kurrë Mbretëreshë e Britanisë në kuptimin zyrtar të kurorës. Por për miliona njerëz në mbarë botën, ajo mbeti dhe do të mbetet gjithmonë “Mbretëresha e Zemrave”. Në një nga intervistat më të famshme të saj, në vitin 1995, Diana dha një përgjigje që sot tingëllon edhe më e fortë, edhe më e dhimbshme, edhe më e vërtetë se kurrë. Kur gazetari e pyeti nëse mendonte se do të bëhej ndonjëherë Mbretëreshë, ajo u përgjigj prerë: “Jo, nuk e mendoj. Jo.” Por fjalia që pasoi ishte ajo që e ktheu këtë intervistë në histori. “Unë do të dëshiroja të isha një mbretëreshë në zemrat e njerëzve, në zemrat e tyre…” Diana e tha këtë jo si një shprehje romantike, por si një deklaratë të qartë për mënyrën si e shihte rolin e saj: jo si një figurë protokolli, por si një njeri që donte të kishte kuptim real për njerëzit. “Institucioni ku u martova më sheh si humbëse” Në të njëjtën intervistë, ajo foli hapur për raportin e ftohtë me institucionin mbretëror, duke thënë se nuk besonte se shumë njerëz do ta donin si Mbretëreshë, dhe me “shumë njerëz”, ajo i referohej vetë familjes mbretërore. Sipas Dianës, ata kishin vendosur që ajo ishte një “humbëse”, një person “pa të ardhme”. Dhe kur u pyet pse mendonte kështu, Diana dha një përgjigje që përmbledh gjithë personalitetin e saj: “Sepse unë i bëj gjërat ndryshe… sepse nuk ndjek një libër rregullash… sepse udhëhiqem nga zemra dhe jo nga koka.” Gruaja që theu protokollin me një përqafim Pikërisht kjo ishte arsyeja pse Diana u dashurua nga njerëzit: ajo nuk sillej si një statujë mbretërore. Ajo sillej si një njeri. Në një kohë kur monarkia mbahej në distancë të ftohtë nga populli, Diana guxoi të bënte gjërat që në atë kohë konsideroheshin “të papërshtatshme” për një princeshë: përqafonte fëmijë, ulej pranë të sëmurëve, qëndronte pranë atyre që shoqëria i shihte si të padukshëm Ajo nuk kishte frikë të tregonte emocione. Dhe kjo, për shumë njerëz, ishte një lloj guximi që rrallë shihet. Luftoi për njerëzit kur të tjerët mbyllnin sytë Humanizmi i Dianës nuk ishte thjesht imazh. Ishte veprim. Ajo u angazhua në kauza që në atë kohë kishin stigma të fortë, si: mbështetja për pacientët me AIDS, kur shumë njerëz ende kishin frikë t’i prekni, fushatat kundër minave tokësore, që merrnin jetë të pafajshme çdo ditë Në çdo dalje të saj, Diana nuk kërkonte të dukej “perfekte”, por të ishte e dobishme. “Dikush duhet të dalë jashtë dhe t’i dojë njerëzit” Në fund të intervistës, Diana tha diçka që sot tingëllon si testament: “Dikush duhet të dalë jashtë, t’i dojë njerëzit dhe ta tregojë këtë dashuri.” Ndoshta pikërisht kjo e bën Dianën kaq të paharrueshme: ajo e tregoi dashurinë pa frikë. Pa maskë. Pa protokoll. Dhe edhe pse u largua tragjikisht nga jeta në vitin 1997, “Mbretëresha e Zemrave” mbeti aty ku ajo vetë e dëshironte: në zemrat e njerëzve.
Papa Leoni XIV ka ngritur alarmin për rreziqet që vijnë nga përdorimi i pakontrolluar i inteligjencës artificiale, veçanërisht chatbot-eve që imitojnë sjelljen dhe emocionet njerëzore. Në mesazhin e tij të fundit për Ditën Botërore të Komunikimit, Ati i Shenjtë theksoi se teknologjia, nëse nuk rregullohet me kujdes, mund të ndikojë negativisht në jetën emocionale dhe sociale të njerëzve. Sipas Papës, chatbot-et “tepër miqësore” apo të ndërtuara për të krijuar lidhje emocionale me përdoruesit, rrezikojnë të zëvendësojnë marrëdhëniet reale dhe të ndikojnë në mënyrën se si njerëzit komunikojnë, mendojnë dhe marrin vendime. Ai theksoi se inteligjenca artificiale nuk duhet të imitojë ndjenjat njerëzore apo të krijojë varësi emocionale. “Teknologjia duhet t’i shërbejë njeriut, jo ta zëvendësojë atë,” u shpreh Papa Leoni XIV, duke nënvizuar se zhvillimi i AI duhet të udhëhiqet nga etika, përgjegjësia dhe respekti për dinjitetin njerëzor. "Inteligjenca artificiale nuk duhet të zëvendësojë marrëdhëniet njerëzore. Chatbot-ët që imitojnë emocione mund të krijojnë varësi psikologjike. Njerëzit rrezikojnë të ngatërrojnë marrëdhëniet reale me simulime digjitale. Teknologjia nuk duhet të krijojë iluzion dashurie, empatie apo lidhjeje emocionale. Duhet transparencë dhe rregullim etik". Në mesazhin e tij, Kreu i Vatikanit kërkoi gjithashtu që përmbajtjet e krijuara nga inteligjenca artificiale të dallohen qartë nga ato njerëzore, në mënyrë që të shmanget manipulimi i informacionit dhe keqinformimi. Deklaratat e Papës vijnë në një kohë kur përdorimi i AI-së po rritet ndjeshëm në komunikim, media dhe rrjete sociale, ndërsa shqetësimet për ndikimin e saj në shoqëri, privatësi dhe mendimin kritik po shtohen gjithnjë e më shumë. Vatikani ka bërë të ditur se do të vijojë të angazhohet në debatin global mbi inteligjencën artificiale, duke kërkuar rregulla të qarta dhe një qasje që vendos njeriun në qendër të zhvillimit teknologjik.
Një trend i ri po vihet re gjithnjë e më shumë te çiftet e reja, sidomos kur vjen puna te dasma: shumica e burrave nuk janë të fiksuar pas ceremonive madhështore. Sipas sondazheve të fundit, ku përfshihen edhe të dhëna të referuara nga platforma “The Knot”, rreth 90% e burrave shprehen të rehatshëm me një dasmë të vogël, madje disa prej tyre thonë se do ta kishin problem fare të mos bënin një dasmë të madhe tradicionale. Pse burrat po i shmangen dasmave të mëdha? Arsyeja kryesore që përmendet nga shumica e të anketuarve është prakticiteti financiar. Shumë burra theksojnë se: një dasmë e madhe sjell shpenzime të jashtëzakonshme; vendet luksoze, organizimet, muzika, dekorimet dhe lista e madhe e të ftuarve e bëjnë ceremoninë shumë të kushtueshme; paratë do të kishin më shumë vlerë nëse shkojnë për një shtëpi, investim, udhëtime apo për të ndërtuar një jetë më të qëndrueshme si çift. Në vend të “show”-t për një ditë, shumë prej tyre preferojnë një festë të thjeshtë, të ngrohtë dhe pa stres, ku fokusi të jetë tek lidhja dhe jo tek fasada. Ndryshim kulture: më pak “madhështi”, më shumë kuptim Ky trend bie ndesh me pritshmëritë tradicionale që për vite me radhë kanë ushqyer industria e dasmave, e cila zakonisht promovon evente sa më të mëdha dhe sa më të shtrenjta. Por sot, gjithnjë e më shumë çifte po orientohen drejt: minimalizmit, ceremonive më personale, organizimeve intime me njerëzit më të afërt, dhe mbi të gjitha një filozofie ku rëndësi ka e ardhmja e çiftit, jo një ditë e vetme feste. Në thelb, duket se shumë burra po e shohin dasmën jo si “detyrim shoqëror”, por si një zgjedhje që duhet të ketë kuptim dhe logjikë financiare.
Marrja e punëtorëve nga jashtë po kthehet në një proces gjithnjë e më të vështirë dhe të kushtueshëm për bizneset shqiptare. Nga pajisja me vizë dhe aplikimi për leje pune, te transporti dhe akomodimi, kostoja për një punonjës të huaj arrin rreth 850 euro, pa përfshirë humbjet në kohë dhe produktivitet. Sipërmarrësit raportojnë se procedurat burokratike shpesh e komplikojnë edhe më tej procesin, veçanërisht në rastet kur Shqipëria nuk ka përfaqësi diplomatike në vendet e origjinës së punëtorëve. Sipërmarrës në sektorin e manifakturës, shprehen se kompanitë janë të detyruara t’u drejtohen ambasadave në vende të treta. “Në vendet ku ne aplikojmë për marrjen e punëtorëve, Shqipëria nuk ka ambasadë. Për të sjellë punonjëse nga Filipinet, ne duhet t’i referohemi ambasadës në Romë”, thotë një sipërmarrës. Përpjekjet e bizneseve për të plotësuar mungesat në tregun e punës shoqërohen edhe me rreziqe të konsiderueshme. Një pjesë e punonjësve të huaj largohen nga Shqipëria vetëm pak javë pas nisjes së punës, duke u drejtuar drejt vendeve të Evropës Perëndimore. Rreziqe të tjera lidhen me nivelin e produktivitetit, refuzimin e lejeve të punës apo kërkesat për paga më të larta se ato të punonjësve vendas. Sipas sipërmarrësve, eksperienca me punëtorë nga disa vende ka qenë zhgënjyese. “Po të marrim punëtorë me kombësi nga Bangladeshi, mund të them se ka qenë një dështim total. Të gjithë ata që kanë ardhur janë larguar më pas jashtë vendit”, shprehet njëri prej tyre. Ndërkohë, të dhënat e Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive tregojnë se numri i shtetasve të huaj që pajisen me leje pune në Shqipëri është në rritje nga viti në vit. Ata janë të përqendruar kryesisht në sektorët e industrisë përpunuese, ndërtimit, bujqësisë, peshkimit, tregtisë, si dhe informacionit dhe komunikimit.
Sistemi i fiskalizimit vijon të përballet me bllokime të përsëritura prej javësh, duke shkaktuar vështirësi serioze për bizneset dhe profesionistët e lirë në mbarë vendin. Mosfunksionimi i sistemit jo vetëm që pengon aktivitetin e përditshëm ekonomik, por rrezikon edhe ekspozimin e subjekteve ndaj penaliteteve tatimore. Burime bëjnë me dije se shkak kryesor i situatës është mungesa e mirëmbajtjes së sistemit, si pasojë e një tenderi që duhej të ishte realizuar që në vitin 2025. Tenderi për mirëmbajtjen, me vlerë 7.8 milionë euro, u shpall në korrik 2025, por u pezullua nga Komisioni i Prokurimit Publik pas ankimimeve të operatorëve ekonomikë për paqartësi në dokumentacion dhe pretendime për avantazh konkurrues. Edhe pse në dhjetor të vitit të kaluar pezullimi u hoq, duke i hapur rrugë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) për të vijuar procedurat, tenderi ka mbetur sërish pa u finalizuar. Si pasojë, sistemi i fiskalizimit vijon të funksionojë pa mirëmbajtje teknike. Aleanca e Profesionistëve të Lirë ka ngritur zyrtarisht shqetësimin, përmes një shkrese drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, AKSHI-t dhe Ministrisë së Financave. Megjithatë, sipas tyre, tatimet po e neglizhojnë situatën, duke u sugjeruar bizneseve të rikthehen në përdorimin e faturave të vjetra, praktikë që bie ndesh me gjithë investimin dhe punën e bërë deri më tani në kuadër të fiskalizimit. Një tjetër problem serioz lidhet me sigurinë e të dhënave. Sistemi ka si detyrim kryerjen e testimit mujor për rikuperimin e të dhënave, nga data 1 deri më 10 të çdo muaji, duke përdorur kopjen rezervë të muajit pararendës. Mosfunksionimi aktual ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e ruajtjes së të dhënave, duke i vënë ato në rrezik. Sistemi i fiskalizimit është i hostuar në Datacenter-in Qeveritar pranë AKSHI-t dhe u shërben rreth 125 mijë tatimpaguesve, si dhe vetë administratës tatimore. Disponueshmëria e tij konsiderohet jetike, pasi shërbimi nuk mund të ndërpritet për më shumë se disa minuta dhe nuk tolerohen ndërprerje të planifikuara për përditësime apo modifikime. Në këto kushte, bizneset raportojnë një situatë kolapsi të plotë, duke u detyruar të rikthehen tek faturimi manual, ndërsa pasiguria për të dhënat dhe penalitetet tatimore vijon të mbetet e lartë.
Një video e veçantë nga një kopsht zoologjik në Emiratet e Bashkuara ka tërhequr vëmendjen e miliona përdoruesve në rrjetet sociale, duke treguar një nuselale dhe një derrkuc të egër që jetojnë së bashku në harmoni të plotë. Dy kafshët shfaqen duke qëndruar pranë njëra-tjetrës, duke ndarë hapësirën dhe duke u sjellë si miq të pandashëm, në një skenë që shumë e kanë krahasuar me miqësinë e famshme Timon dhe Pumba të filmit “Mbreti Luan”. Pamjet e adhurueshme u përhapën me shpejtësi, duke u bërë virale dhe duke grumbulluar miliona shikime. Sjellja e tyre e pazakontë ka ngjallur kureshtje dhe emocione pozitive te publiku, i cili ka reaguar me komente dhe shpërndarje, duke e cilësuar këtë miqësi si një shembull të rrallë bashkëjetese mes dy specieve të ndryshme. Sipas shkencëtarëve, lidhje të tilla, lidhen kryesisht me mbijetesën. Nuselalet shërbejnë si vrojtues ndaj rrezikut, ndërsa derrkucat ndajnë ushqimin dhe ofrojnë mbështetje në raste përballjeje, duke krijuar kështu një bashkëpunim që i sjell dobi të dyja palëve.
S'po i vjen fundit korrupsionit në OBP e drejtuar nga Arlinda Pogaj... Një tender i zhvilluar nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara për furnizimin me reagentë laboratorikë që përdoren në analizat e gjakut dhe zbulimin e viruseve infektive është shpallur fitues “Pegasus” sh.p.k dhe “Evita” sh.p.k. Një shërbim jetik për shëndetin publik me një fond limit prej 1.6 MILIARDË Lekësh i është dhënë të dy oligarkëve të shëndetësisë Klodian Allajbeu, zotërues perspektivisht të koncesionit të Hemodializës dhe Janos Karathanos atij të Laboratorëve. Por ajo që ngre alarmin është fakti se oferta fituese është pothuajse identike me fondin limit, 99.9% e tij, ndërsa kompania tjetër e cila mori pjesë në garë u skualifikua, pavarësisht se kishte paraqitur një ofertë 51 milionë lekë më të ulët. Në vend që të zgjidhej oferta më ekonomike, siç e parashikon logjika dhe interesi publik, Pogaj vendosi të përjashtojë kompaninë që do t’i kursente buxhetit të shtetit 51 MILIONË Lekë dhe gostiti oligarkët e Shëndetësisë, teksa pak javë më parë i dha mbi gjys miliardë lekë Alajbeut. Ky tender ka për qëllim furnizimin e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, një institucion jetik për sigurinë e gjakut që përdoret për transfuzione. Megjithatë, edhe në një sektor kaq sensitiv, kriteri ekonomik dhe interesi publik duket se janë lënë në plan të dytë. Në një kohë kur sistemi shëndetësor vuan nga mungesa e fondeve, pajisjeve dhe shërbimeve cilësore, milionat vazhdojnë të përqendrohen në duart e pak biznesmenëve, përmes procedurave që gjithnjë e më shumë ngjajnë me tenderë të paracaktuar.
Bashkia e Vlorës, nën drejtimin e Bruna Mersinit, ka finalizuar një procedurë prokurimi që ngre dyshime të forta për paracaktim dhe goditje të konkurrencës së lirë. Objekti i këtij tenderi, i cili mban numrin e referencës REF-65227-10-15-2025, është rikonstruksioni dhe furnizimi me pajisje për Hidrovorin e Qytetit të Vlorës, një projekt ky me rëndësi jetike për menaxhimin e ujërave në qytet. Megjithëse gara ishte e hapur dhe mbi kufirin e lartë monetar, rezultati përfundimtar tregon një skemë të mirëfilltë ku paratë publike janë kanalizuar drejt një fituesi të paracaktuar. Nga hulumtimi i dokumentacionit të tenderit, rezulton se fitues ka dalë bashkimi i operatorëve "VIBTIS" dhe "ALBA KONSTRUKSION". Kompania e parë, "Vibtis", zotërohet nga nipi i vëllezërve Idajet dhe Sadik Ismailaj, emra të njohur në botën e biznesit që shpesh etiketohen si pjesë e rrethit të oligarkëve që përfitojnë kontrata të majme nga shteti. Ndërsa kompania tjetër, "Alba Konstruksion", është në pronësi të Xhavit Ismaili, duke plotësuar kështu dyshen që do të menaxhojë fondin e madh prej rreth 1.9 milionë eurosh me TVSH. Ajo që e bën këtë procedurë skandaloze është analiza e shifrave dhe mënyra se si janë trajtuar pjesëmarrësit e tjerë në garë. Fondi limit i përcaktuar nga Bashkia Vlorë ishte 154,687,373.00 lekë të reja pa TVSH. Nga llogaritjet rezulton se vlera fituese e shpallur kap shifrën tronditëse prej 99.8% të fondit limit, duke mos bërë pothuajse asnjë ulje reale të çmimit dhe duke mos i kursyer buxhetit të shtetit asnjë vlerë domethënëse. Kjo diferencë qesharake mes fondit limit dhe ofertës fituese është një nga treguesit më të qartë të mungesës së garës. Për më tepër, të dhënat e bëra publike tregojnë se në këtë tender kanë marrë pjesë katër kompani, ku dy prej tyre kanë paraqitur oferta ekonomike dukshëm më të ulëta sesa bashkimi i operatorëve fitues. Megjithatë, Bruna Mersini ka vendosur t’i skualifikojë këto oferta më të lira, duke lënë në lojë vetëm ofertën që përkonte pothuajse fiks me tavanin buxhetor. Ky veprim dëshmon se kriteri kryesor i këtij tenderi nuk ka qenë kursimi i taksave të qytetarëve, por favorizimi i kompanive me lidhje të forta nepotike dhe klienteliste, duke e kthyer rikonstruksionin e hidrovorit në një tjetër aferë të dyshimtë në qytetin bregdetar.
Frika mbi vaksinat po çon në një rënie të ndjeshme të vaksinimit të fëmijëve në Shqipëri. Pas pandemisë, gjithnjë e më shumë prindër po refuzojnë vaksinat, kryesisht për shkak të frikës se ato shkaktojnë autizëm. Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, numri më i lartë i prindërve që po refuzojnë vaksinat paraqitet në Vlorë, Lezhë dhe Tiranë. Vetëm në vitin 2024, në Qarkun e Vlorës rreth 18% e fëmijëve nuk janë vaksinuar. Prindërit pranojnë se lexojnë rrëfime personale dhe eksperienca të prindërve të tjerë në rrjet dhe shtyjnë vaksinimin e fëmijëve të tyre pavarësisht se shteti i ka bërë vaksinat të detyrueshme. Teksa autoritetet shëndetësore shqiptare paralajmërojnë se nëse kjo prirje vazhdon, vendi rrezikon përhapjen e epidemive e bëjnë thirrje për ndërgjegjësim dhe respektim të kalendarit të vaksinimit, në SHBA po ndodh totalisht e kundërta. Florida do i japë fund vaksinave të detyrueshme për fëmijët dhe të rriturit, sipas Guvernatorit Ron DeSantis dhe Shefi i Shëndetit Publik Joseph Ladapo, duke u bërë shteti i parë në SHBA që merr një hap të tillë. DeSantis gjithashtu njoftoi se po krijon një komision shtetëror “Bëjeni Amerikën të Shëndetshme Sërish” (Make America Healthy Again), siç është propozuar nga Sekretari Amerikan i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr. Ladapo tha në një konferencë për shtyp: “Departamenti i Shëndetit i Floridës, në partneritet me guvernatorin, do të punojë për të përfunduar të gjitha vaksinat e detyrueshme ligjërisht në Florida.”
Në shërbimin e pediatrisë pranë QSUT-së, prindërit dhe fëmijët po përballen me kushte të papranueshme pritjeje. Për shkak të mungesës së stolave dhe hapësirave të mjaftueshme, dhjetëra prindër detyrohen të presin në këmbë, duke mbajtur fëmijët në krahë. Situata është rënduar edhe më shumë për shkak të rritjes së rasteve me viroza sezonale, që ka shtuar ndjeshëm fluksin e vizitave. Në ambientet e pritjes, mungesa e kushteve minimale e bën edhe më të vështirë përballimin e orëve të gjata të pritjes, veçanërisht për fëmijët e vegjël apo me temperaturë. Një foto e siguruar nga VNA tregon qartë prindër të lodhur, me fëmijë në krahë, të detyruar të qëndrojnë në këmbë për shkak të mungesës së ulëseve.