Kryeministri Edi Rama, në mbledhjen e sotme me Komitetin Ndërministror të Emergjencave Civile, ia faturroi përmbytjet vetëm reshjeve intensive të shiut, duke deklaruar se në tre ditë ka rënë sa për gjithë muajin janar. Por, përtej shiut, mbetet një fakt në shumë zona të prekura,mungesa totale e kanalizimeve dhe kanaleve funksionale të kullimit, problem që nuk u pranua dhe as u adresua qartë nga kryeministri. Ndërsa Rama foli për miliona euro investime dhe qindra kanale të rindërtuara, banorët në terren thonë të kundërtën, uji nuk kishte ku të shkonte, sepse kanalizime nuk ka, ose janë të bllokuara prej vitesh. Në këtë panoramë, kryeministri sërish nuk dha një qëndrim të qartë për dëmshpërblimin e plotë të qytetarëve të dëmtuar, duke e lënë dramën e tyre mes premtimeve të përgjithshme dhe fjalimeve vetëlavdëruese. Për familjet që panë shtëpitë dhe gjënë e gjallë të përmbytur, deklaratat për “dinjitet shtetëror” tingëllojnë larg realitetit. Pa kanalizime, pa infrastrukturë bazë dhe pa garanci për kompensim, përmbytjet nuk janë thjesht vepër e shiut, por pasojë e neglizhencës së gjatë. Dhe në këtë histori, banorët mbeten të vetëm, ndërsa përgjegjësia vazhdon të mbytet në ujëra deklaratash qeveritare. “Do të investohen 11 mln euro apo 8% më shumë se vitin e shkuar. Investimet kanë rindërtuar 536 kanale ujitëse dhe kullimi që ishin të përgjysmuara. Investimi më i madh ka qenë transformi i trupave të emergjencave, nga trupa pa kokë dhe të vështirë s’ka më keq, nga trupa që vihen në punë. Nëse reshjet e pazakonta të ditëve të fundit ranë dhe përmbytën njësoj vendet e rajonit, sot Shqipëria krejt tjetër. Kur ne erdhëm në qeveri me malin e borxheve i shlyem një më një dhe kemi përballuar me dinjitet njerëzor e shtetëror, jo vetëm detyrimet ndaj përmbytjeve. Sot dua t’i siguroj të dëmtuarit që do të qëndrojmë me të njëjtin dinjitet, qoftë për banesat dhe gjënë e gjallë”-u shpreh Rama.
4698 views