Është gjetur trupi i pajetë i Floresha Prengut, 35-vjeçares me origjinë shqiptare dhe banuese në Trento, e cila ishte raportuar e zhdukur më 22 tetor....
Është gjetur trupi i pajetë i Floresha Prengut, 35-vjeçares me origjinë shqiptare dhe banuese në Trento, e cila ishte raportuar e zhdukur më 22 tetor. Lajmi i trishtë u konfirmua këtë të enjte, pasi familjarët kanë identifikuar trupin e saj. Sipas mediave italiane, trupi i Floresha Prengut është gjetur në fillim të kësaj jave, rreth 40 kilometra larg qytetit të Trentos. Pas verifikimeve, familja konfirmoi se bëhej fjalë për 35-vjeçaren, për të cilën për thuajse tre muaj kishte shpresë për një fund tjetër. Floresha, e martuar dhe nënë e dy vajzave të mitura, ishte larguar nga banesa në orët e para të mëngjesit për të shkuar në punë, por nuk ishte kthyer më në shtëpi në orarin e zakonshëm. Alarmin për zhdukjen e saj e kishte dhënë bashkëshorti. Menjëherë pas zhdukjes, autoritetet italiane nisën kërkime intensive, ku u përfshinë zjarrfikësit, ekipe kërkim-shpëtimi, zhytës dhe helikopterë, si në zona malore ashtu edhe përgjatë lumit Adige. Për dy muaj me radhë, kërkimet vazhduan pa rezultat. Familjarë dhe të afërm kishin deklaruar se Floresha ishte shumë e lidhur me fëmijët e saj dhe se nuk kishte shfaqur asnjë shenjë shqetësimi. Deri më tani, autoritetet nuk kanë dhënë detaje mbi shkaqet e vdekjes apo rrethanat e gjetjes së trupit. Rasti i saj ishte trajtuar edhe nga emisioni italian “Chi l’ha visto?”, i dedikuar personave të zhdukur. “Shpresuam deri në fund. Është një moment shumë i vështirë për të gjithë ne”, kanë deklaruar familjarët, duke falënderuar të gjithë ata që i mbështetën dhe shpërndanë apelin gjatë këtyre muajve. Stafi i JOQ Albania i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të afërmve të Floresha Prengut në këtë moment të dhimbshëm!
20.5K views